• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RIBOTIMI I VEPRËS MADHORE “LAHUTA E MALËSISË” NË DETROIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA

April 22, 2026 by s p

Një detyrë ndaj trashëgimisë tonë në mërgim.

Nga Frank Shkreli

Dhjetorin e vitit të kaluar në Nju Jork u mbajtë për herë të parë ekspozita, “Albanian Bookfest” — një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar në Shtetet e Bashkuara. Aty pata nderin të takoja bashkvendasin Dr Gjekë Gjelaj, i cili me atë rast më njoftoi për planin për të ribotuar Lahutën e Malësisë të At Gjergj Fishtës – version i botuar me 1958 në Romë. Ky plan është në realizim e sipër, pothuajse – i përfunduar, sipas grupit organizues. Është një realizim që lidhet me një nismë të rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare në mërgim, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në trojet tona të origjinës. Dr Gjekë Gjelaj, kryetar i “Aleancës së miqëve të At Gjergj Fishtës në diasporë” ka njoftuar, fillimisht, ribotimin e 5000 kopjeve të kryeveprës së At Gjergj Fishtës, Lahuta e Malcisë, autentike dhe bashkohore. Me këtë ndërmarrje të rëndësishme, Dr Gjelaj me grupin e tij, me banim në Detroit të Shteteve të Bashkuara, është shprehur se me ribotimin e Lahutës së Malësisë autentike të vitit 1958 në Romë, synojnë të forcojnë mëtej identitetin kombëtar të shqiptarëve jashtë atdheut, por jo vetëm.

Duke bërë të mundur që ky “Thesar i paçmuar” i letërsisë dhe historisë së shqiptarëve të jetë i pranishëm, për ata që e duan, në çdo familje shqiptare, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe përtej. Si një nismë e rëndësishme për rikthim tek rrënjët, për të nxitur brezin e ri të shqiptaro –amerikanëve për t’u lidhur — në një vend siç është Amerika — me kulturën dhe vlerat kombëtare përmes kësaj vepre bashkohore monumentale të At Gjergj Fishtës. https://telegraf.al/…/nga-frank-shkreli-lahuta-e… mban-gjalle-identitetin-shqiptar-ne-shekullin-e-xxi/.

Siç dihet, Lahuta e Malësisë ishte e ndaluar nga hordhitë sllavo-komuniste aziatike të pa besë, pa fe e pa atdhe, për pothuaj gjysëm shekulli në trojet iliro-arbërore, si për shqiptarët e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës ashtu edhe për ne shqiptarët e lindur e rritur nën regjimin komunist të ish-Jugosllavisë së Titos. Unë për vete,në fëmijëri kisha dëgjuar ndonjë prej këngëve të Fishtës, kënduar nga lahutarët e asaj kohe në vatrat tona. Por, vepra e plotë e At Gjergj Fishtës më ka rënë në dorë, për herë të parë në moshën 20-vjeçare në Romë në vitin 1970, pas arratisjes time nga ish-Jugosllavia komuniste. Ka qenë Dom Prenk Ndrevashaj ai që më ka njohur, fillimisht, me veprën e madhe Lahuta e Malësisë të At Gjergj Fishtës, pikërisht me kopjen në foto më poshtë, të cilën gjithnjë e ruaj edhe sot e kësaj dite– botim i dytë – 1958 në Romë. Por të cilën Dr Gjekë Gjelaj me “Aleancën e miqëve të At Gjergj Fishtës në diasporë” kanë vendosur t’ua paraqesin lexuesve shqiptarë një ribotim të ri luksoz, autentik dhe bashkohor të botimit të dytë të vitit 1958.

Epopeja Kombëtare e Shqiptarëve

Kopja ime personale Lahuta e Malcis– botim i dytë, 1958 në Romë — dhuratë autorit nga Dom Prenk Ndrevashaj, Romë, 1970. Siç mund të shihet, e zbehtë dhe e vjetëruar. Është, pra, ribotimi luksoz autentik e bashkohor i këtij versioni origjinal që do të jetë së shpejti në dispozicion të lexuesve, nepërmjet portaleve si amazon.com.

“Bashkatdhetar: Lexoje me dashuni Lahutën…Rueje Lahutën, që ashtë ma fort e jotja se e Fishtës, e ban që kjo të njifet ndër të huej e të ndiqet ndër bashkatdhetarë në mërgim, e ke për të pa se edhe për këtë, anmiku ka për të shqiptue nji ditë, fjalët e Austro-Hungarezëve para Burgjeve të mija, të Silvio Pellico se, “ma dam na bani vepra e shkrimtarit se sa arma e ushtarit”. (Pater Danjel Gjeçaj në parathënien e botimit të Lahutës së Malcis tvitit 1958).

Të nderuar dashamirës të kulturës, gjuhës, studiues, institucione dhe bashkatdhetarë në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë. Vepra monumentale Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishta përbën një nga shtyllat themelore të identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Me një gjuhë të pasur, një narrativë epike dhe një vlerë të jashtëzakonshme historike e letrare, kjo vepër meriton të jetë sa më e pranishmne por edhe e pranueshme për brezat e sotëm dhe të ardhëm. Në një kohë kur trashëgimia kulturore përballet me sfida të shumta, këtu në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe kërkon vëmendjen dhe përkushtimin tonë të përbashkët. Lahuta e Malësisë, kryevepra e At Gjergj Fishtës, duhet të mbetet një monument i gjallë i historisë, gjuhës dhe shpirtit kombëtar.

E shkruar me një forcë të rrallë artistike dhe me një gjuhë të pasur epike, kjo vepër ka shërbyer për dekada si një pikë referimi për identitetin shqiptar, sidomos për mërgatën e anashkakuar dhe përjashtuar nga atdheu, për pothuaj 50-vjet. Megjithatë, sot ajo nuk është gjithmonë lehtësisht e qasshme për publikun e gjerë, veçanërisht për brezat e rinj dhe për diasporën, në përgjithsi. Pikërisht për këtë arsye, ka lindur nisma për ribotimin e Lahutës së Malësisë në një formë të denjë autentike dhe bashkëkohore – një ndërmarrje me rëndësi historike për komunitetin nga grupi shqiptaro-amerikan në Detroit, “Aleanca e miqëve të At Gjergj Fishtës në diasporë”. Qëllimi i kësaj nisme, sipas Drejtorit, Dr Gjekë Gjelaj, është të sjellë një botim të ri, të përgatitur me kujdes shkencor dhe estetik. Projekti synon përfshirjen e një teksti të verifikuar kritikisht, të shoqëruar me studime dhe parathënie nga studiues të fushës, si dhe një paraqitje grafike moderne që ruan frymën tradicionale të veprës. Ribotimi parashikohet të jetë i disponueshëm në disa formate, për të arritur sa më shumë lexues në diasporë, në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Besoj se rëndësia e këtij projekti shkon përtej një botimi të zakonshëm. Ai përfaqëson një përpjekje për të ruajtur dhe përçuar një pjesë thelbësore të identitetit kombëtar, për të edukuar brezat e rinjë, siç thashë më lartë, por edhe për të nderuar figurën e autorit, At Gjergj Fishtës që me Lahutën e Malcisë i dha zë historisë, identitetit kombëtar dhe kulturës shqiptare në një mënyrë të papërsëritshme, sidomos këtu në diasporë, megjithse ka patur edhe ribotime të tjera gjatë viteve. Jam i bindur se ky ribotim nuk ka për qëllim të nënvlersojë ribotime e tjera të Lahutës pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri.

Ndërkaq, organizatorët e kësaj nisme u bëjnë thirrje institucioneve kulturore, studiuesve, shtëpive botuese dhe çdo dashamirësi të librit që të kontribuojnë në realizimin e këtij projekti. Mbështetja mund të jetë financiare, profesionale apo promovuese, duke u bërë kështu pjesë e një misioni që synon të rikthejë një kryevepër shqiptare të gjitha kohërave, në qendër të jetës kulturore shqiptare edhe sot.

Sepse në fund të fundit, ribotimi i Lahutës së Malësisë” nuk është vetëm një projekt botues, por një akt i rëndësishëm kulturo dhe kombltar. Është një ftesë për të ruajtur rrënjët tona dhe për t’i dhënë zë një trashëgimie që meriton të jetojë në çdo kohë, duke kujtuar dhe duke nderuar, njëkohsisht, edhe figurën e autorit, At Gjergj Fishtën.

Filed Under: Mergata

Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”

April 13, 2026 by s p

Mihal Ciko/

Diaspora shqiptare ka qenë historikisht një nga shtyllat më të rëndësishme të mbijetesës dhe zhvillimit kombëtar. Që nga fillimet e emigrimit masiv në fillim të shekullit XX, shqiptarët që u larguan nga atdheu mbartën me vete jo vetëm nevojën për një jetë më të mirë, por edhe një mision të qartë: të ndihmonin Shqipërinë. Nga bisedat me përfaqësues të brezit të dytë të diasporës shqiptare në Argjentinë, del në pah një filozofi që ka shoqëruar emigrantët e parë, sidomos ata që u vendosën atje rreth vitit 1907 e në vazhdim.

Motoja e tyre ishte e thjeshtë, por e fuqishme: “Të ndërtojmë Amerikën”. Kjo nuk nënkuptonte vetëm integrimin dhe suksesin në vendin pritës, por një qëllim më të madh — të punonin, të kursenin dhe një ditë të ktheheshin në atdhe për të investuar fitimet e tyre në zhvillimin e Shqipërisë. Ata ëndërronin ta shndërronin Shqipërinë në një “Amerikë të dytë” në Ballkan.

Megjithatë, ky mision fisnik mbeti kryesisht i parealizuar. Arsyet ishin të shumta dhe komplekse. Vështirësitë ekonomike, kushtet e rënda të punës dhe jetesës në emigracion, si dhe distanca e madhe gjeografike e bënë të vështirë kthimin dhe investimin në atdhe. Shpenzimet e udhëtimit ishin të larta, ndërsa lidhjet me Shqipërinë shpesh dobësoheshin me kalimin e kohës. Për më tepër, zhvillimet politike dhe mungesa e stabilitetit në Shqipëri nuk krijonin gjithmonë një terren të favorshëm për investime.

Sot, panorama është krejtësisht ndryshe. Diaspora shqiptare jeton në një epokë globalizimi, ku komunikimi është i menjëhershëm dhe lëvizja është shumë më e lehtë. Teknologjia ka shkurtuar distancat, ndërsa mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe profesional janë shumëfishuar. Në këto kushte, diaspora ka potencialin më të madh ndonjëherë për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë.

Një nga asetet më të rëndësishme të diasporës së sotme është niveli i lartë arsimor. Shqiptarët në mbarë botën janë të arsimuar në fusha të ndryshme të shkencës, teknologjisë, mjekësisë, inxhinierisë dhe ekonomisë. Ky kapital njerëzor përbën një mundësi të jashtëzakonshme për transferimin e dijes dhe përvojës në Shqipëri. Përmes bashkëpunimeve akademike, projekteve kërkimore dhe iniciativave profesionale, diaspora mund të ndikojë drejtpërdrejt në modernizimin e vendit.

Po ashtu, bizneset e diasporës luajnë një rol kyç. Sipërmarrësit shqiptarë jashtë vendit kanë krijuar kompani të suksesshme dhe kanë fituar eksperiencë të vlefshme në tregje të zhvilluara. Investimi i tyre në Shqipëri — qoftë në industri, turizëm, teknologji apo shërbime — mund të gjenerojë vende pune, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të nxisë inovacionin.

Ndryshe nga e kaluara, diaspora e sotme nuk ka nevojë të zgjedhë midis jetës jashtë dhe kontributit për atdheun. Ajo mund të bëjë të dyja njëkohësisht. Përmes rrjeteve profesionale, investimeve në distancë dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, shqiptarët kudo në botë mund të jenë pjesë aktive e zhvillimit të Shqipërisë.

Në përfundim, ëndrra e emigrantëve të parë për të “ndërtuar Shqipërinë” nuk duhet parë si një mision i dështuar, por si një trashëgimi që vazhdon. Brezi i sotëm i diasporës ka më shumë mundësi se kurrë për ta bërë realitet atë vizion. Sfida mbetet që ky potencial të organizohet, të mbështetet dhe të kanalizohet në mënyrë efektive, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë maksimalisht nga energjia dhe përkushtimi i bijve të saj në mbarë botën.

Filed Under: Mergata

Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë

April 10, 2026 by s p

Komunikatë për shtyp – Mbi zhvillimin e zgjedhjeve dhe konstituimin e organeve drejtuese të Diasporës Shqiptare në Greqi.

Athinë, 9/04/2026

Diaspora Shqiptare në Greqi, si organizatë e shkallës së tretë (Konfederatë) dhe struktura më e lartë përfaqësuese e shoqatave shqiptare në territorin e Republikës së Greqisë, njofton opinionin publik dhe bashkëatdhetarët se, më datë 29/03/2026, në Athinë, në ambientet e hotelit “Wyndham”, u zhvillua me sukses procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryesisë së Diasporës Shqiptare, si dhe të kryetarit të saj.

Në këtë proces morën pjesë përfaqësues të autorizuar me të drejtë vote nga organizata dhe shoqata shqiptare të shkallës së parë dhe të dytë nga e gjithë Greqia. Konkretisht:

• Unioni i Shoqatave Shqiptare në Greqi,

• Lidhja e Shoqatave Shqiptare në Kretë,

• Shoqata Kulturore dhe Artistike “Lushnja” në Greqi,

• Shoqata “Emigranti” – Patra,

• Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë të Nafpaktos dhe Dhoridhas,

• Organizata e Gruas “Jeta”,

• Shoqata “Emigranti” – Velvendos, Kozani,

• Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Qefalonja”,

• Bashkimi “Delvinjot” Greqi,

• Lidhja Shqiptare në Greqi “Tirona”,

• Shoqata “Me Ju për Ju”,

• Shoqata e Pensionistëve Shqiptarë në Greqi.

Procesi zgjedhor u zhvillua në përputhje të plotë me dispozitat statutore të Konfederatës, vendimet e organeve përkatëse dhe kuadrin ligjor në fuqi, duke respektuar parimet themelore të demokracisë përfaqësuese, transparencës, barazisë së pjesëmarrjes, ligjshmërisë dhe integritetit institucional.

Punimet e Asamblesë u hapën nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Diasporës Shqiptare në Greqi, z. Ardian Daullja, i cili paraqiti një pasqyrë të sfidave dhe arritjeve të deritanishme, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij procesi për konsolidimin institucional dhe rritjen e kapaciteteve përfaqësuese të Diasporës.

Në vijim, fjalën e morën përfaqësues të kryesisë së përkohshme, të cilët drejtuan Diasporën deri në zhvillimin e zgjedhjeve. Akademiku dhe intelektuali Iliaz Bobaj vlerësoi kontributin e dhënë dhe rëndësinë e procesit në funksion të forcimit të kohezionit komunitar. Z. Lulzim Cina theksoi domosdoshmërinë e unitetit dhe bashkëpunimit si elemente thelbësore për ndërtimin e strukturave të qëndrueshme dhe efektive. Z. Etmond Guri e cilësoi këtë proces si një moment me peshë historike për komunitetin shqiptar në Greqi, duke nënvizuar nivelin e lartë të përgjegjshmërisë dhe organizimit institucional të treguar.

Procesi zgjedhor u administrua nga Komisioni i Votimit, i përbërë nga z. Pëllumb Meçe (kryetar), z. Festim Zaçe dhe z. Marin Lala (Frroku), si dhe nga anëtarë të autorizuar, në praninë dhe me asistencën juridike të avokatit të Diasporës Shqiptare në Greqi, z. Vasilis Papadopoulos, duke garantuar zhvillimin e rregullt, të ligjshëm dhe transparent të të gjitha fazave të procesit.

Pas përfundimit të numërimit dhe verifikimit të rezultateve, u shpallën organet drejtuese të Diasporës Shqiptare në Greqi si vijon:

Kryesia

Kryetar: z. Etmond Guri

Nënkryetar: z. Andrea Ferizi

Sekretare e Përgjithshme: znj. Sofia Ioli Buda

Arkëtar: z. Kristo Dule

Përfaqësues për Marrëdhëniet me Median: z. Julian Haxhiu

Sekretar i Rinisë: z. Ersi Fama

Anëtarët e Kryesisë:

z. Ardian Daullja, z. Lulzim Cina, z. Engjell Alizoti, z. Klement Osmanllari, z. Flober Braholli, z. Petrit Jushi dhe z. Arjan Tollumi.

Në funksion të forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies institucionale, u konstituua edhe Komisioni i Revizionimit, i përbërë nga z. Pëllumb Meçe, z. Eulis Gjolena dhe z. Elvir Belba, i cili do të ushtrojë funksionin e mbikëqyrjes dhe auditimit të veprimtarisë financiare dhe administrative të organizatës.

Në kuadër të konsolidimit të strukturave organizative dhe rritjes së kapaciteteve funksionale, kryesia miratoi strukturat e departamenteve të Diasporës Shqiptare në Greqi, që përfshijnë fusha strategjike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, juridike dhe të komunikimit publik.

Në këto struktura përfshihen:

• Departamenti për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Diasporën në Shkallë Ndërkombëtare

z. Lulzim Cina, z. Ardian Daullja dhe z. Arjan Tollumi

• Departamenti i Koordinimit të Organizatave Anëtare dhe Zgjerimit

z. Engjell Alizoti dhe z. Petrit Jushi

• Departamenti i Financave

z. Kristo Dule

• Departamenti i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes

z. Klement Osmanllari dhe z. Ardian Daullja

• Departamenti i Inovacionit, Projekteve dhe Fondeve

znj. Sofia Ioli Buda

• Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes

znj. Sofia Polou Tsambiri (psikologe), znj. Jeta Dashi

• Departamenti i Gruas dhe Barazisë Gjinore

znj. Iris Balli Hajdinaj, znj. Vasilika Lici, znj. Mirela Cela

• Departamenti i Pensioneve dhe Sigurimeve Shoqërore

z. Luan Abazi

• Departamenti për Arsimin dhe Gjuhën Shqipe

znj. Kristiana Veliu, znj. Boralda Petromile Papajanti, znj. Lefteri Metkaj, z. Flober Braholli, z. Vangjel Halili

• Departamenti i Kulturës, Identitetit dhe Sporteve

z. Laurent Hoxha, znj. Lindita Kulla, znj. Edlira Pani, z. Benard Veliu

• Departamenti i të Drejtave dhe Çështjeve Ligjore

znj. Ergita Piperi (avokate), znj. Juli Rexhepi (avokate), z. Andrea Ferizi

Rezultatet e këtij procesi zgjedhor pasqyrojnë vullnetin e lirë dhe demokratik të komunitetit të Diasporës, duke garantuar legjitimitetin e plotë të organeve drejtuese.

Kryesia e re angazhohet për ushtrimin e funksioneve të saj në përputhje me statutin dhe kuadrin ligjor në fuqi, me synim garantimin e funksionimit efektiv të strukturave organizative, përfaqësimin dinjitoz të interesave të bashkëatdhetarëve shqiptarë në Greqi, forcimin e rolit institucional të Diasporës dhe promovimin e të drejtave sociale, ekonomike dhe kulturore të komunitetit shqiptar.

Në këtë kuadër, riafirmohet angazhimi për ndërtimin e një Konfederate moderne, funksionale dhe të qëndrueshme, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional.

Diaspora Shqiptare në Greqi, si organizatë e shkallës së tretë e legalizuar sipas ligjeve në fuqi, është e hapur për të gjitha organizatat dhe shoqatat që veprojnë në Greqi, si dhe për qytetarët, figurat publike, intelektualët, profesionistët dhe përfaqësuesit e botës akademike e shkencore, me qëllim bashkërendimin e përpjekjeve dhe kontributin sa më efektiv në shërbim të komunitetit shqiptar.

Për Diasporën Shqiptare në Greqi

Përfaqësuesi për Marrëdhëniet me Median

Julian Haxhiu

Filed Under: Mergata

MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”

April 8, 2026 by s p

“ING. AVNI HOXHA , SHKËNDIJA E NJË KTHESE?”

Po t’i hedhim një sy mbrapavështrues  dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit që shkoi e deri më sot, ballafaqohemi me kundërthënie vërtet marramendëse!

Për hir të temës që trajtohet, të rikujtojmë disa momente kyçe. Vitet 80-të historia do t’i studjojë si vitet që shënuan asgjësimin e kometës komuniste. Ajo u nis drejtë hapësirave kozmike e mbështetur dhe e shtyrë përjetë nga vrulli i masave  të shtypura që udhëhiqeshin nga disa ëndërrues idealistë. E vazhdoi flurudhën për një farë kohe duke lënë mbrapa veç kufoma armiqsh dhe tradhëtarësh imagjinarë, e në mes tyre domosdo ndër të parët edhe ish idealistët e saj, sepse ata fill mbas marrjes së pushtetit u asgjësuan nga tiranët diktatorë t’ardhshëm. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ekonomia pastaj, ajo forcë e jashtëzakonëshme, ligjet e së cilës barazohen edhe me ligjin e qëndërtërheqjes universale, e detyruan atë kometë të hynte në shtresat e dëndura të atmosferës tokësore e duke u djegur … të asgjësohej. Goditja qe e tmerrshme. 

Po tek ne ç’la? Një pështjellim të plotë në mëndjet e njerëzve! Ky rezultati i parë, më i prekëshmi! Po tjetër? Luftë për mbijetesë pa marrë parasysh as norma, as etikë pa le moral. Nuk kishte se si të ngjiste ndryshe. Ai popull indiferent  deri në dhimbje, ku e kishte katandisur  barazia në skamje, veç vegjetonte. E në këta kushte nuk duhet harruar se kush qe ai popull. Ai nuk e ndiente veten më as pasardhësin e Kastriotit, Ded Gjolulit, Ismail Qemalit apo të Topullarëve, ashtu siç edhe gruaja shqiptare nuk e ndjente aspak veten pasuese të Shotës apo Suliotëve. Ai ishte në mesatare, njeriu i ri socialist! Ai ishte veç karilatura e shqiptarit si e deshi partia dhe ku e katandisi ai eksperiment djallëzor që desh t’i mbushë mëndjen botës se do t’i jepte shëmbull asaj në gjithçmos! Atëbotë, kur nuk kishte më se si të shërohej gërbula që e kish përfshirë ekonominë socialiste as me tufëza e as me arëza, atëkohë u shëmb edhe diktatura! Dhe shqiptari, i lartpërmenduri shqiptar, u ballafaqua me realitetin sa të bukur e gjithaq të vështirëpër t’u përballur: Ekonominë e trëgut! Ah sa e vështirë  ishte n’ato rrethana, të gjëndej orientimi. Dhe populli ia hyri aventurës, dikush duke shitur pije freskuese, tjetri duke luajtur kartën e emigrimit dhe përballimit me një të panjohur tjetër akoma më të madhe e domosdo dikush … duke u veshur me pushtet. Dihet se ç’do shëmbje pasohet nga një rilindje. Është e vërtetë. Mirëpo rilindja mbas dhjetëvjeçarësh të tërë, përgjatë të cilëve u punua sistematikisht  të vlerësohej antivlera e të çvlerësoheshin normat e etikës si edhe të moralit, do të rezultonte  një rilindje (mbase jo një abort), por sidoqoftë një rilindje tejet dhe tragjikisht e vështirë. Kësisoji si fenomen, natyrshëm bashkëudhëtar i demokracisë, lindi i brishtë por u mëkëmb dhe tani ka marrë përmasa të frikëshme, korrupsioni. Ky është realiteti.

Pa dashur tashti të analizohen të metat e kaluara, se s’ka si bëhet më e kollajtë të kritikosh atë që punon ndërsa ti qëndron jashtë loje, por njëkohësisht pa ju dorëzuar fatit, e vetmja alternativë pozitive mbetet ajo e të thënit gjithsecili vetes: Ҫ’ duhet bërë që vëndin tonë t’a nxjerrim nga këneta ku është zhytur?  Pa asnjë mëdyshje, hapi i parë  është kufizimi i korrupsionit. Mendoj se si ata që e përcaktuan Ing. Avni Hoxhën kandidat për Kryetar Bashkie të Durrësit e gjithashtu edhe vetë Avniu që e pranoi kandidaturën, kanë marrë një vendim skajshmërisht të drejtpeshuar: të parët, duke nxjerrë mësime nga e kaluara, (më mirë vonë se sa kurrë), dhe i dyti thjeshtë nga dashuria e tij e skajshme për qytetin e tij të lindjes si edhe për popullin e Durrësit, kanë vendosur t’a bëjnë këtë qytet që, për nga rëndësia vjen mbas kryeqytetit, por përsa i takon luftës që i duhet bërë kontrabandës si edhe korrupsionit, mbase merr rëndësi të dorës së parë, shëmbull për të ndjekur për të gjithë!  

U kthehemi tashti garancive etiko – morale që jep ky kandidat. Unë personalisht kam që në thellësitë e viteve që njihem me familjen e Hoxhajve duke qënë mik i ngushtë me të ndjerët vëllezërit e Avniut, Hilmiun si edhe Idrizin, (mungesën e të cilëve e ndjej shumë). Rrënja e familjes, xha Shabani i ndjerë, (i ati i Avniut) ish me zë në Durrës si tregtar i pasur, i ndershëm deri tek ai, si edhe bamirës. Vëllai i madh, Hilmiu, i cili edhe sakrifikoi e bëri shumë për vëllezërit e tij, punoi mullixhi, shofer e ç’nuk bëri ai pergjatë jetës së tij duke qënë shëmbull ndershmërie e bamirësie për të tjerët. Në këtë mjedis familiar u brumos edhe pinjolli i kësaj familjeje të nderuar, Avni Hoxha. Nuk kam si të mos e përmend me këtë rast edhe vjehrrin e Avniut, të nderuarin tashmë të ndjerë, Sulejman Bratin, të cilin e kam njohur që në vitet 50-të dhe e them me kryelartësí se e kam për nder që kam qenë mik i tij. Nuk kish si të bëhej njeriu më me karakter se ai. Kështu Avniu  pati fatin  të lindet, të jetojë, të rritet e të burrërohet në një mjedis me plot kuptimin e fjalës fisnik! Sa i takon vetë Avniut: e njeh gjithë Durrësi, veçanërisht përgjatë periudhës mbas diktaturës, sa i ndershëm, korrekt dhe i aftë është treguar gjatë viteve që drejton si bashkëpronar firmën SIAC.

Vijmë tashti tek garancitë teknike që jep Avniu si kandidat. Në rradhë të parë është i pakorruptueshëm sepse është fisnik nga prejardhja si edhe nga formacioni i vet karakterial. Gëzon mirëqënie, (për të mos thënë se është i pasur),si rrjedhojë e punës së palodhur shumëvjeçare të pa asnjë njollë. I papëzier me zhvillimet politike e pra jashtë ndikimeve partiake. Shumë i aftë teknikisht si inxhinier ndërtimi si edhe me shpirt organizatori të përkryer. Dhe pa e zgjatur më shumë kurorën e virtyteve që ka, ai e pranon detyrën e kryetarit të Bashkisë së Durrësit vetëm si barrë e pa as më të voglin pikësynim përfitimi vetiak.Ai e di sfidën që do t’i duhet të përballojë dhe pikërisht dashuria e tij për bashkëqytetarët e zhgënjyer si edhe për qytetin e tij, e detyrojnë t’a marrë përsipër këtë barrë! 

Tashti dy konsiderata. Së pari, paralelizmi me Bashkinë e Tiranës. Duhet t’a them që në fillim se në mënyrë të paragjykuar, nuk kam se si të kem konsideratë për zotin Edi Rama nga e kaluara e tij, (tejet i përfolurnga kolegët e tij të Klubit Dinamo në rinin e tij të hershme e pastaj disident i skajshëm, gjithmonë simbas tij, i regjimit diktatorial e në vazhdim çuditërisht menjëherë i thithur nga socialistët në rrjetën e tyre, deri sa për hir posti gjasat janë që nuk do të çudiste asnjeri sikur t’a shihnim në poste drejtuese të socialistëve). Nga ana tjetër, nga ç’kemi lexuar  në shtyp, i akuzuar nga gjithë anët si mitëmarrës dhe i korruptuar. E ky person me këmbëngulje kërkon të rizgjidhet sërishmi kryetar i Bashkisë së Tiranës! Logjika e thjeshtë thotë se ky njeri, sado karrierist që të jetë, për t’a patur të drejtën morale të kandidimit, po të jetë njeri i ndershëm dhe i pakorruptuar siç pretendon, hap të parë duhet të bëjë pastrimin publikisht të figurës së tij nga njollat që i venë dhe të hedhë poshtë akuzat me të cilat e ngarkojnë. Kjo do t’i takonte si qytetari numur një i kryeqytetit. Po ai hesht dhe e …e vazhdon fushatën e tij. E tashti, duke iu kthyer Durrësit, me gjithë ndonjë sukses që lidhet me punën e zotit Rama  në Bashkinë e Tiranës, a ka se si krahasohet zoti Edi Rama me Ing. Avni Hoxhën? I lemë përfoljet ndaj tij (z. Rama) se unë së paku nuk kam prova për to e prandaj as nuk i marr në konsideratë.  Por e them me plot bindje se shtysa e zotit Rama ka qenë vetëm vetqëndërsia dhe egoizmi i tij. Ai nuk është ilidhur me qytetin e Tiranës dhe as nuk ka se si të ketë profesionalizmin teknik, i krahasuar me përgatitjen teknike të Ing. Avni Hoxhës si edhe përkushtimin e tij ndaj qytetit si edhe banorëve të Durrësit. Planimetria e Tiranës është bërë, me plot kuptimin e dhimshëm të fjalës, një kaos. E ky kryetar vazhdon dhe e inkurajon kaosin. (Nuk bëj  insinuata mitëmarrjeje lidhur me këtë kaos, por vetë diletantizmi i tij profesional nuk e lejon t’i a ndryshojë rrjedhën ngjarjeve). Kurse Ing. A. Hoxha në rradhë të parë falë vetë formimit profesional si edhe pastërtisë së tij, jo që do t’i thotë ndal aventurizmit në ndërtim, por do të dijë të hartojë planet perspektive të shtrirjes së Durrësit si edhe  të korigjimeve eventuale që mund t’u bëhen gafave të kaluara.

Ja edhe konsiderata e dytë. Jo pa qëllim e theksova më lart se udhëheqja e PD-së më në fund e kuptoi se punës i duhet gjetur njeriu i ndershëmsi edhe i aftë, pa u ndikuar nga gjoja besnikëria e partishme. E theksoj këtë moment nisur mga fakti se në ata çaste të përmbysjes së diktaturës  u hodhën nga ana e demokratëve me kuç e me maç, (si i thonë lebërit), e kjo solli si pasojë  edhe atë çoroditje në veprimet si edhe mëndjet e njerëzve. Prandaj edhe vendosja e demokracisë në Shqipëri kaloi nëpër zig-zage të tilla ku sot e dijmë mirëfilli se ku ishim, po aspak se ku po shkojmë. A ka farsë më të goditur, (për t’a paraqitur veten) se sa të deklarohet nga institucioni shkencor si sihariq i madh se u zbulua shtëpia e nënës dhe motrës së Nënë Terezës? I gjithë brezi im që është rritur në zonën mes Lanës dhe rrugës së Kavajës e ka ditur mirëfilli se cila ishte shtëpia ku banonin nëna dhe vajza e Bojaxhive. E dijnë kryesisht mirëfilli Zajmët e pas tyre Bermemajt si edhe Brahimajt, e dijnë Hamzarajt si edhe Bulkët e gjithashtu Plasarët me gjithë Vuthët. Po nuk mbaron me kaq farsa. Shkencëtari që e jep këtë lajm njofton njëkohësisht se do të promovojë më 19 tetor albumin e hartuar prej tij me titull “Shqipëria dhe Nënë Tereza”. Unë i drejtohem shumë njerëzisht duke e ftuar të heqë dorë nga kjo  ripërshtatje e tij rrethanave të reja. E ka njohur i gjithë Durrësi si punonjës shkencor. Por e ka njohur edhe si përfaqësues të asaj partie që Nënë Terezën e quajti “lavire” si edhe agjente të Cia-s. E ftoj pra të merret me shkencën së cilës i është përkushtuar e t’ua lerë Nënë Terezën studjuesve me emër dhe të nderuar  si Dr,Dom Lush Gjergjit me shokë.  

Me këtë kategori  të ripërshtaturish u mbush PD-ja, pa e diskutuar fare pastaj faktin se si brënda natës, ata që nuk milituan me PD-në, ranë për të fjetur si ish komunistë dhe u gdhinë … socialistë! E kjo qe pra tragjedia e Shqipërisë. Se po të ishin  zgjedhur që në fillimet e s’ashtuquajturës demokraci, drejtues të kalibrit të Ing. Avni Hoxhës, ndryshe do të kishte ecur Shqipëria”.  

Tashti edhe një kujtim i cili flet vetë. Ishte fundi i vitit 1981. Kisha qenë për darkë tek Avni Hoxha  dhe aty pranë mesnatës ai po më përcjell. Ngjitur me shtëpinë e tij shohim njerëz të ulur në trotuar. Avniu i shikon dhe i revoltuar nga fakti që ata të shkretë kishin zënë rradhën me shpresë për të marrë dy shishe qumështi në mëngjes, më thotë gjithë pasion … të betohem Mërgim, të më emërojnë  kryetar Komiteti në vëndin e Isa Kurtit, brënda dhjetë ditësh po nuk zhduka rradhët për qunësht e nevojat e popullatës të mbulohen pa vështirës, mos më thënçin Avni! Dhe shtoi … dhe besoma se i di si planet e detyrimeve që ka rrethi i ynë si dhe prodhimin faktik të qumështit. Por e keqja vjen vetëm nga ç’organizimi i organizuar i këtij sistemi!

Është e qartë se atëhere as Avniut e as mua nuk kishte se si të na shkonte në mëndje se do të vinte dita dhe ai do të kandidonte pikërisht për postin e drejtuesit kryesor të rrethit.Por ama ai fakt duhet t’u flasë shumë bashkëqytetarëve të  Avniut e t’u thotë se u ka ardhur dita  që vërtet t’a hedhin votën e tyre për njeriun i cili i ka mundësitë të bëjë shumë pòër ta si dhe qytetin e tyre!

Megjithatë, uroj nga zemra që më në fund opozita mos t’a lerë ing. Avni Hoxhën një rast të vetmuar e të tillë njerëz të zgjidhen si në poste drejtimi shtetëror e gjithashtu edhe partie. Por edhe partia në drejtim sot, shpresoj t’i tnërrasë mëndjes e të reagojë duke e kuptiar se po nuk bëri ndryshime cilësore me vlera filluar që nga maja e piramidës së saj, sa vjen dhe do të degradohet.

E tashti, para se t’i mbyll këto rradhë, dua t’u kujtoj durrsakëve të vjetër një moment shumë kuptimplotë nga e kaluara.

Durrësi ka patur dy kryetarë Bashkie tejet të nderuar: Zotërinjtë Ahmet Dakli si edhe Hysen Myshketa. Emrat e të dyve janë të lidhur me zhvillime shumë kuptimplote.Z. Dakli, si kundërshtar i Ahmet Zogut, largohet më 1925-ën nga Shqipëria kur ky i fundit e mori fuqinë në dorë. Mbas disa viteve mërgim, i lodhur nga jeta larg atdheut, kërkon leje të kthehet dhe Mbreti ia aprovon kthimin. Mbas disa ditëve e thërret në Pallatin Mbretëror dhe e informon se e kishte emëruar kryetar të Bashkisë së Durrësit. Ahmet Dakli e refuzon emërimin duke i parashtruar më shumë se sa arësye, sebepe. I kthehet Mbreti dhe i thotë: Zoti Dakli, duhet t’a pranosh se Shqipërinë nuk e dua unë më shumë se sa ti. Në Durrës ti do të jesh Mbreti i qytetit. Puno me ndershmërinë që të karakterizon, përparoje dhe lulëzoje qytetin e t’a kemi shëmbull edhe për qytetet e tjerë. Dhe i gjithë Durrësi e mban mënd se sa i shërbeu qytetit ai kryetar Bashkie.

Vite më vonë emërohet kryetar Bashkie njeriu me emër si i ndershëm si edhe filantrop ii njohur i Durrësit, zoti Hysen Myshketa. Me sjelljet si edhe veprimet e tija qe bërë simboli i qytetit dhe ngado të ktheje kokën dukej dora e dashuruesit të qytetit si edhe banorëve të tij.

I kujtova këta dy raste për të vënë në dukje se si historia jo e largët ka treguar së pari se si Durrësi ka patur traditë shumë të mirë në pasjen si kryetarë të Bashkisësë tij figura madhore edhe të kombit tonë e së dyti, që ing. Avni Hoxha duhet t’a mbajë mirë parasysh se, veç të tjerave, ç’përgjegjësí po merr përsipërduke u bërë objet krahasimi me ata dy burra të nderuar!

Po i mbyll këto rradhë duke qenë i gëzuar që popullit të Durrësit po i jepet mundësia të votojë këtë herë për një person që i ka të gjitha të dhënat të bëhet  farkëtues i ndryshimeve  të mëdha për bashkëqytetarët si edhe qytetin e tij, të votojë për ing. Avni Hoxhën.   

Filed Under: Mergata

5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair

April 3, 2026 by s p

We’re excited to remind you about the upcoming 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair taking place on Sunday, May 3, 2026.

As we continue preparing for this incredible day celebrating Albanian culture, we wanted to follow up regarding vendor booths and digital truck advertising opportunities.

Spots are filling up quickly, and we encourage anyone interested in participating to secure their space as soon as possible.

If you would like to:

• Reserve a vendor booth

• Advertise on our digital truck

• Explore sponsorship opportunities

Please reply to this email at your earliest convenience, and we will be happy to assist you.

Attached you will find:

• Event flyer

• Vendor application

• Sponsorship package

• Digital truck advertising information

We look forward to having you be part of this special event and appreciate your continued support.

📧 skenderbeufair@gmail.com

📞 347-398-6161

We would greatly appreciate your help in sharing the flyer on social media to help spread the word and support this community event.

Thank you, and we look forward to celebrating together!

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION
  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT