Nga Rafael Floqi

Në historinë e formimit të elitave shqiptare gjatë shekullit XIX, Gjimnazi “Zosimea” në Janinë zë një vend të veçantë dhe paradoksal. Ai nuk ishte një institucion shqiptar në kuptimin kombëtar, por një shkollë greke në gjuhë, në program dhe në orientim kulturor. Megjithatë, pikërisht ky institucion u bë një nga burimet kryesore të formimit të elitës shqiptare që do të udhëhiqte Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Ky fakt nuk është thjesht një rastësi historike, por një dëshmi e fuqisë transformuese të arsimit. Zosimea ishte një hapësirë ku kultura, ideologjia dhe identitetet ndërthureshin, duke krijuar një brez intelektualësh që, ndonëse të formuar në një traditë të huaj, do të bëheshin bartësit kryesorë të projektit kombëtar shqiptar.
Një paradoks historik

Në historinë e formimit të elitave shqiptare gjatë shekullit XIX, pak institucione arsimore kanë ushtruar një ndikim kaq të thellë dhe njëkohësisht kaq paradoksal sa Gjimnazi “Zosimea” në Janinë. Në pamje të parë, ky institucion nuk kishte asgjë shqiptare në kuptimin kombëtar—ai ishte një shkollë greke në gjuhë, në program dhe në frymëzim kulturor—por megjithatë u shndërrua në një nga burimet kryesore të formimit të elitës shqiptare që më vonë do të udhëhiqte Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Ky fenomen përfaqëson një nga paradokset më domethënëse të historisë ballkanike: një institucion i krijuar për të përhapur një identitet kulturor, kontribuon në lindjen e një identiteti tjetër, shpesh në kundërshtim me misionin e tij fillestar.
Janina dhe Iluminizmi Ballkanik
Gjimnazi “Zosimea” u themelua në vitin 1828 nga vëllezërit Zosima, tregtarë të pasur të diasporës epirote, në një kohë kur Janina ishte një nga qendrat kryesore të Iluminizmit grek dhe një nyje e rëndësishme kulturore në Perandorinë Osmane.
Në këtë pikë, pesë vëllezërit Zosima, të cilët kishin emigruar në Rusi dhe ishin bërë tregtarë të suksesshëm, vendosën të japin një kontribut të rëndësishëm, duke financuar themelimin e një institucioni të ri arsimor. Gjimnazi “Zosimea” u themelua në vitin 1828 dhe fillimisht funksionoi si një shkollë me katër klasa. Komiteti i Shkollave të Janinës, një organizatë përgjegjëse për administrimin e institucioneve arsimore të qytetit, kishte përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e Zosimeas, me mbështetjen financiare të familjes Zosima.
“Gjimnazi është themeluar nga vëllezërit Zosimea në vitin 1769.” Shkolla u quajt Zosimea për nder të vëllezërve Zosimea me shpenzimet financiare të së cilëve edhe u themelua dhe funksionoi për një periudhë të gjatë kohore. “Zosimea” ishte e pajisur edhe me një bibliotekë të pasur si dhe më një laborator të fizikës. • Hapja e gjimnazit “ Zosimea “ në Janinë është edhe meritë e padiskutueshme e kohës së Ali Pashë Tepelenës dhe e qëndrimeve të tij. Aty mësoheshin greqishtja e vjetër dhe latinishtja si dhe italishtja e frëngjishtja.
Askund më pare nuk është përmendur kjo vepër unikale e Vezirit të Janinës, e cila pati kontribute të veçanta për arsimimin dhe kulturën e banorëve të këtyre viseve, vend në të cilin u rritën dhe u arsimuan me dhjetëra pionierë të Rilindjes dhe Pavarësisë Shqiptare, por edhe të asaj greke.
Në vitin 1833, Anastasios Sakellarios nga Zagoria, ish-nxënës i Athanasios Psalidas—një nga figurat më të rëndësishme të Iluminizmit grek dhe këshilltar i Ali Pashës—u emërua drejtor i Zosimeas. Në vitin 1840, programit arsimor të shkollës iu shtuan edhe tri klasa të tjera.
Gjatë drejtimit të Sakellarios-it, Zosimea u shndërrua në një nga shkollat më të rëndësishme në gjuhën greke në botën osmane. Për më tepër, një numër turqish dhe shqiptarësh gjithashtu ndoqën studimet në Zosimea, disa prej të cilëve u bënë figura të shquara në vendet e tyre. Numri i nxënësve arriti në 400 gjatë administrimit të Sakellarios-it. Shumica e të diplomuarve të Zosimeas ose vazhdonin studimet e tyre, kryesisht në Universitetin e Athinës, ose bëheshin mësues në një nga shkollat greke në Gadishullin Ballkanik. Në vitin 1860, për shkak të prestigjit të lartë të shkollës, Universiteti i Athinës lejonte pranimin e të diplomuarve të Zosimeas pa provime pranimi.
Në këtë kontekst, arsimi nuk ishte thjesht një proces didaktik, por një instrument transformimi shoqëror dhe kulturor. Institucione si Zosimea shërbenin si ura midis Lindjes osmane dhe Perëndimit evropian, duke përhapur ide të reja mbi racionalizmin, reformën dhe modernitetin.
E rëndësishme , ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Edhe profili që zgjodhi shkolla të kishte, ishte ai i përcjelljes së këtyre ideve. Pra siç shihet, ” Zosimea ” ishte një shkollë e përparuar e nivelit europian.]
Thanas Psalidha, ish mësues i drejtorit të atëhershëm i Sakellarios, ka qenë përjashtuar nga marrëdhëniet akademike, dhe në fund të jetës së vet, shkoi në Korfuz. Ndodhi kjo për shkak se idetë e tij ishin shumë përparimtare për kohën.
Idetë e Iluminizmit evropian, të ndërmjetësuara përmes arsimit në institucione si Gjimnazi “Zosimea” në Janinë, si dhe njohja e gjuhëve të huaja, veçanërisht frëngjishtes dhe italishtes, luajtën një rol vendimtar në formimin intelektual të brezit të rilindësve shqiptarë. Përmes këtyre kanaleve, nxënësit shqiptarë u ekspozuan ndaj ideve të racionalizmit, lirisë individuale, barazisë para ligjit dhe konceptit modern të shtetit-komb, që përbënin thelbin e Iluminizmit.
Frëngjishtja, si lingua franca e diplomacisë dhe e mendimit politik evropian në shekullin XIX, u hapi atyre akses në veprat e mendimtarëve si Montesquieu, Rousseau dhe Voltaire, ndërsa italishtja shërbeu si urë lidhëse me botën kulturore dhe letrare të Italisë, ku idetë nacionaliste dhe romantike kishin marrë një zhvillim të hershëm.
Kjo përgatitje shumëgjuhëshe nuk ishte thjesht një aftësi teknike, por një mjet për të hyrë në një univers të ri konceptual, ku kombi nuk shihej më si një bashkësi fetare apo krahinore, por si një entitet politik dhe kulturor i vetëdijshëm për identitetin dhe të drejtën e tij për vetëvendosje. Në këtë mënyrë, ndikimi i Iluminizmit dhe i gjuhëve evropiane në formimin e elitës shqiptare ishte thelbësor, pasi krijoi bazën teorike dhe kulturore mbi të cilën u ndërtua Rilindja Kombëtare Shqiptare.
Në këtë shkollë të mesme, ku studiuan vëllezërit Frashëri, një studiues i apasionuar i jetës, veprës dhe ideve të tyre ka ndjekur gjurmët e shkollimit të tyre, siç është Profesor Zija Xholi, dhe së bashku me të, një ish-punonjës i ambasadës sonë në Greqi dhe më vonë ambasadori ynë në Turqi, Z. Jonuz Begaj…! Në sallonin e kësaj shkolle të mesme, figurat e Rilindjes Kombëtare Naimi dhe Samiu, të rinj në atë kohë, u njohën me klasikët greko-latinë të epokës së vjetër dhe me klasikët italianë dhe francezë të kohërave moderne.
Atje, në shkollën e mesme ose në konsullatën franceze të Janinës, Naimi ynë mori një kërkesë nga albanologu francez, Auguste Dozon, për të mbledhur fjalë të urta në atdheun e tij, në rajonin e Dangëllisë.
Janina ishte një nga qendrat më të rëndësishme të Iluminizmit ballkanik dhe Zosimea u shndërrua shpejt në një institucion prestigjioz, ku studionin jo vetëm grekë, por edhe shqiptarë dhe përfaqësues të popujve të tjerë të rajonit.
Ky karakter i hapur dhe ndërkombëtar e bëri shkollën një qendër të formimit të elitave transnacionale.
Programi arsimor dhe formimi intelektual
Programi arsimor i Zosimeas ishte i ndërtuar mbi modelin e arteve liberale dhe përfshinte një gamë të gjerë disiplinash: gjuhën dhe letërsinë greke, filozofinë, retorikën, historinë dhe gjuhët e huaja.
Ky program synonte të krijonte një elitë të arsimuar, të aftë për të menduar në mënyrë kritike dhe për të vepruar në administratë dhe diplomaci. Nxënësit dilnin nga kjo shkollë me njohuri të thella dhe me një aftësi të zhvilluar për analizë dhe argumentim.
Në këtë mënyrë, Zosimea krijoi një tip të ri intelektuali: një individ që zotëronte gjuhë të huaja, njihte kulturën evropiane dhe ishte i aftë të merrte pjesë aktive në jetën publike.
htë e rëndësishme të kuptohet se Zosimea nuk ishte një institucion neutral. Ajo ishte pjesë e një projekti kulturor që synonte përhapjen e gjuhës dhe kulturës greke në Ballkan. Përmes saj, krijohej një elitë e lidhur me traditën helene dhe me Kishën Ortodokse.
Megjithatë, ndikimi i saj mbi shqiptarët nuk ishte i njëtrajtshëm. Në vend që të prodhonte vetëm një elitë të helenizuar, ajo krijoi edhe individë që filluan të reflektojnë mbi identitetin e tyre dhe të kërkojnë një rrugë të veçantë kombëtare.
Figura shqiptare të formuara në Zosimea
Një nga dëshmitë më të forta të rolit të kësaj shkolle është lista e figurave shqiptare që kanë studiuar në të. Këto figura përfaqësojnë pothuajse të gjitha fushat e jetës kombëtare: politikën, kulturën, gjuhësinë dhe administratën.
Ndër më të rëndësishmit janë:
- ISMAIL QEMALI, arkitekti i pavarësisë shqiptare dhe një nga figurat më të rëndësishme të shtetformimit.
- NAIM FRASHËRI, poeti kombëtar dhe ideolog i Rilindjes.
- SAMI FRASHËRI, mendimtar, enciklopedist dhe reformator i shquar.
- ABDYL FRASHËRI….Veprimtar politik, një nga organizatorët e Lidhjes së Prizrenit. (Vëlla i Naimit dhe Samiut
- PETRO NINI LUARASI…Mësues, publicist dhe luftëtar për shkollat shqipe. Lindi në Luaras dhe ndoqi mësimet në këtë gjimnaz.
- JANI VRETO…Shkrimtar, përkthyes dhe një nga themeluesit e Shoqërisë patriotike të Stambollit.
- PANDELI SOTIRI…Mësues dhe patriot, i njohur për botimin e Abetares se parë shqipe. Ishte ndër studentët e “Zosimeas”.
- KOTO HOXHI…Mësues i shquar, nismëtar i mësimit të shqipes në jug të Shqipërisë. (Vdiq në burg për shkak të veprimtarisë kombëtare)…..
- EQREM BEJ VLORA…Politikan, diplomat dhe historian. (E përmend “Zosimean” si një nga shkollat më të mira të kohës.). E vlerëson për disiplinën dhe nivelin e lartë të mësimdhënies dhe të dijeve.
- IDHOMENE KOSTURI…Patriot e politikan i njohur. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në qeverinë e përkohshme shqiptare.
- SOTIR PECI…Lindi në Dardhë të Korçës-një nga qendrat më të njohura të arsimit dhe kulturës shqiptare ne fund të shek.. XIX. Ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar. Mori një formim të shkëlqyer klasik.(Më vonë studioi për shkenca të natyrës në Universitetin e Athinës.)
- THIMI MITKO….Publicist dhe mbledhës i folklorit shqiptar (Autor i veprës “Bleta shqiptare”.
- ALI ASLLANI …poet dhe publicist
- VANGJEL KOÇA…Publicist dhe veprimtar i fillim. shek. XX. Aktiv në shtypin dhe çështjet kombëtare dhe identitetin kombëtar.
- JORGJI DILO…Aktivist dhe përhapës i ideve të Rilindjes Kombëtare, Më pas bashkëpunoi me diasporën shqiptare në Bukuresht.
- ZOTO TASHO…Mësues dhe përkrahës i shkollave shqipe në Korçë. Studioi në “Zosimea” dhe ndihmoi në përhapjen e arsimit kombëtar.
Përveç tyre, një sërë figurash të tjera kontribuuan në mënyrë të rëndësishme në jetën politike dhe kulturore:
- HODO SOKOLI, figurë e rëndësishme e Lidhjes së Prizrenit.
- ABEDIN DINO, diplomat dhe politikan.
- QAZIM KOCULI, një nga figurat e shtetit shqiptar.
- SALI NIVICA, publicist dhe ideolog kombëtar.
- ANASTAS BYKU, një nga përfaqësuesit e hershëm të kulturës shqiptare.
- HASAN TAHSIN PASHA, figurë e rëndësishme ushtarake me origjinë shqiptare.
- DHIMITËR TUTULANI, pjesë e elitës administrative. Babai i heroinës Margarita Tutulani.
- ELMAZ BOÇE, përfaqësues i administratës dhe elitës lokale.
Kjo listë dëshmon se Zosimea nuk prodhoi vetëm intelektualë të izoluar, por një brez të tërë që mbulonte të gjitha fushat e jetës kombëtare shqiptare.
Roli i Gjimnazit “Zosimea” në Rilindjen Kombëtare Shqiptare
Roli i Gjimnazit “Zosimea” në Rilindjen Kombëtare Shqiptare duhet kuptuar si një proces i ndërlikuar dhe shumëplanësh. Ai nuk ndikoi drejtpërdrejt në krijimin e lëvizjes kombëtare, por krijoi kushtet që kjo lëvizje të lindte dhe të zhvillohej.
Së pari, Zosimea kontribuoi në formimin e elitës politike dhe administrative shqiptare. Nxënësit e saj u përfshinë në administratën osmane dhe fituan përvojë në menaxhimin e shtetit. Kjo përvojë u bë e vlefshme më vonë, kur ata u përfshinë në ndërtimin e institucioneve shqiptare.
Së dyti, ajo shërbeu si një kanal për përhapjen e ideve moderne evropiane. Përmes arsimit që merrnin, nxënësit u njohën me konceptet e liberalizmit, të konstitucionalizmit dhe të shtetit-komb. Këto ide u bënë baza teorike e Rilindjes Kombëtare.
Së treti, Zosimea krijoi rrjete intelektuale dhe sociale midis nxënësve të saj. Këto rrjete u shndërruan më vonë në struktura bashkëpunimi që ndihmuan në organizimin e lëvizjes kombëtare. Në këtë mënyrë, roli i saj nuk ishte i dukshëm në sipërfaqe, por ishte thelbësor në thellësi.
Thënie nga nxënësit shqiptarë të gjimnazit
Gjashtë vëllezërit Frashëri nxënës të gjimnazit “Zosimea “, dalë më 1865
Sami Frashëri në enciklopedinë e tij me titull “Kamus al – alam” të botuar në Stamboll, këtë institucion edukativo – arsimor na e paraqet si “shkollë idedije e përsosur, speciale për grekët, e cila quhet Zosimea,”
Ish nxënësi tjetër i kësaj shkolle, Jani Vreto lidhur me këtë Gjimnaz thotë: “Vetëm kur shkova në Gjimnazin “Zosimea” u njoha me historinë e Kastriotëve dhe të parëve tanë“. Pikërisht në bankat e kësaj shkollë Vreto e shkroi poemën “Istori e Skenderbeut”.
Nxënës tjetër i kësaj shkolle ishte edhe poeti Ali Asllani. Ai lidhur me shkollën në fjalë mes tjerash shkruan: “Të ndihmuar edhe nga mësimet ne na u ngjall një dëshirë aguridhe për një farë lirie patriotike sipas kohës.
Në librin me titull “Kujtime“ Ismail Qemali, duke evokuar vitet e tij të studimeve në Gjimnazin “Zosimea“ mes tjerash shkruan: “Duke qenë i pari mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vëmendjeje të veçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës por edhe nga profesorët
Paradoksi i ndikimit
Zosimea përfaqëson një paradoks historik: një institucion i krijuar për të përhapur një kulturë të caktuar, kontribuon në lindjen e një identiteti tjetër.
Ky paradoks shpjegohet me natyrën e arsimit modern, i cili nuk transmeton vetëm dije, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë kritike. Nxënësit e Zosimeas nuk ishin thjesht përfitues të një kulture të huaj, por edhe interpretë të saj. Në këtë proces, ata filluan të kërkojnë një identitet të tyre dhe të ndërtojnë një projekt kombëtar shqiptar.
Gjimnazi “Zosimea” nuk ishte një shkollë shqiptare në kuptimin kombëtar. Ai ishte një institucion i kulturës greke dhe i Iluminizmit ballkanik. Megjithatë, pikërisht ky karakter e bëri atë një faktor të rëndësishëm në formimin e elitës shqiptare.
Siç thekson Nathalie Clayer, shkollat greke të Perandorisë Osmane, ku përfshihej edhe Gjimnazi ‘Zosimea’ i Janinës, ““Institucione si gjimnazi i Zosimesë në Janinë kontribuuan në formimin e një elite të re ballkanike, ku shumë shqiptarë u edukuan me idetë e Iluminizmit dhe më pas u bënë aktorë të rëndësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.” — Aux origines du nationalisme albanais”
Ai krijoi një brez intelektualësh që, të pajisur me dije dhe ide moderne, do të luanin një rol vendimtar në lindjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.
Gjimnazi Zosimea në Janinë përbënte një nga qendrat më të rëndësishme të formimit intelektual në Ballkan, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi elitën shqiptare. Siç vëren Nathalie Clayer, “shkolla e Zosimesë luajti një rol thelbësor në formimin e një elite të arsimuar ballkanike”, ndërsa Stavro Skendi thekson se ajo ishte “instrumentale në formimin intelektual të shumë udhëheqësve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare”.
Në këtë kuptim, Zosimea mbetet një nga gurët themelorë, edhe pse indirekt, në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Vetë fjala Zosima në greqisht (emër) do të thotë “jetë / e jetuar / vitalitet” pra dhe Zosimea (shkolla) e emërtuar sipas një familjeje, emri i së cilës vetë do të thotë “jetë”
Pra në këtë kuptim në mënyrë simbolike me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, ajo përputhet bukur si metaforë, (si një “shkollë e jetës” që prodhoi një vetëdije të gjallë kombëtare).
Bibliografia :
M. V. Sakellariou, Epirus: 4000 Years of Greek History and Civilization (Athens, 1997).
Eftihia Nachmias, Yannina: A Journey to the Past (New York, 2003).
George A. Vassiadis, The Syllogos Movement (Athens, 2007).
BOA (Başbakanlık Osmanlı Arşivi), dokumente mbi arsimin dhe administratën osmane.
Ismail Qemali, Kujtime (Stamboll: 1920).
Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899).