
Projektligji dypartiak i prezantuar sot nga Kongresmenët Ritchie Torres, Michael McCaul dhe Brian Mast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për ta emërtuar Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me emrin e Kongresmenit Eliot Engel është një lëvizje e duhur dhe thellësisht domethënëse.
Me punën e tij, ish-Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Kongresmeni Eliot Engel, shpëtoi dy milionë shqiptarë nga gjenocidi serb në vitet 1998–1999. Që nga fillimi i karrierës së tij në vitin 1989, për më shumë se tre dekada, ai ishte një ndër mbështetësit më të fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ai ishte një lider i vërtetë amerikan, i cili e vizitoi Kosovën për herë të parë në vitin 1993, në një kohë kur shumë pak njerëz e dinin se ku ndodhej Kosova. Që nga ai moment, ai qëndroi pranë popullit tonë dhe nuk e ndali kurrë mbështetjen e tij.
Emërtimi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë me emrin e Kongresmenit Engel do të kishte një peshë të thellë simbolike.
Ai i priu procesit të vitit 1996 për të hapur zyrën e Agjencisë së Informacionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë — prania e parë diplomatike e SHBA-së në Kosovën e pushtuar.
Vite më vonë, në vitin 2019, si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Kongresmeni Engel preu shiritin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-së në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Unë e mbështes fuqishëm këtë nismë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe u bëj thirrje të gjithë ligjvënësve që të bashkohen dhe ta bëjnë realitet.
Kongresmeni Engel e meriton të nderohet në këtë mënyrë. Ai mishëron përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës, ndaj lirisë, sovranitetit dhe pavarësisë së saj.
Kosova nuk ka aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara. Kosova është vendi më pro-amerikan në botë. Kjo nismë nderon miqësinë SHBA–Kosovë dhe vlerat tona të përbashkëta.
Zoti e bekoftë Kongresmenin Engel ![]()
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan ![]()
Zoti e bekoftë Kosovën dhe gjithë popullin shqiptar ![]()
![]()