• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUFTA E KOSOVËS NË MEDIAT E TIRANËS

April 1, 2024 by s p

Dr.  Mujë Bucpapaj/

Në fillim të viteve 1990 shumica e mediave të Tiranës nuk përfillën ndryshimet, të cilat shumë shpejt do të shndërronin në gërmadhë ish-Federatën Jugosllave, ndërsa do të zhysnin në luftëra të njëpasnjëshme popujt e këtij rajoni.

Indiferenca me të cilin mediat e Tiranës ndoqën këto zhvillime është e çuditshme kur dihej se skena ku po zhvilloheshin luftërat për territore, shtete të reja dhe spastrime etnike ishte kryesisht hapësira shqiptare në ish-Federatën Jugosllave.

Në kushtet kur mediat shqiptare në Prishtinë ishin mbyllur prej verës së vitit 1990 dhe komunikimi me opinionin kryhej nëpërmjet disa gazetave që botoheshin në Perëndim, mediat e Tiranës zgjodhën të fokusoheshin në konfliktet e brendshme dhe shpesh banale, duke i afruar një tjetër prioritet perspektivës së zhvillimeve kombëtare.

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe rënies së regjimit komunist në Tiranë, në skenë kishte dalë çështja shqiptare. Qeveria demokratike po përpiqej të siguronte një mbështetje të nevojshme ndërkombëtare për të rimëkëmbur ekonominë e vendit tërësisht të rrënuar nëpërmjet reformave të thella të tregut, në përpjekje për të faktorizuar Tiranën në hapësirat ballkanike.

Një shtet i rrënuar ekonomikisht dhe pa asnjë motivim për qytetarët e tij e kishte të vështirë të kompensonte kohën e humbur dhe të ecte përpara. Izolimi i gjatë e kishte lënë Shqipërinë dhe shqiptarët pa miq dhe aleatë të vërtetë në Perëndim, duke u lëshuar terren armiqve të shqiptarëve në rajon, të cilët i kishin prezantuar konfliktet me shqiptarët gjithmonë sipas interesave të tyre.

Në vitet 1992-1996 ndërsa Shqipëria po shtonte me shpejtësi prezencën e saj në kancelaritë perëndimore, si dhe forumet prestigjioze ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Evropës, NATO etj., mediat e shkruar me frymëzim të majtë, bënin thirrje që Tirana të qëndronte larg zhvillimeve rajonale. Ato ndikuan që Shqipëria të mos kishte një qëndrim konsensual për çështjen e Kosovës, sido që Parlamenti pluralist i vitit 1991, me insistimin e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, atëherë në opozitë, nëpërmjet një rezolute pati njohur Republikën e Kosovës.

Siç dihet, më 28 mars 1989 Kuvendi i Serbisë pati miratuar amendamentet kushtetuese, duke shpallur të ashtuquajturën “Serbi unike”. Pushtimi i Kosovës dhe mohimi i të drejtës për të qenë elementë konstituivë i ish-Federatës Jugosllave qe parë nga Perëndimi si përgatitje e Millosheviçit dhe serbëve për fillimin e luftës për të kontrolluar federatën dhe vendosjen e diktatit të tyre të hekurt mbi popujt e ish-Jugosllavisë.

Ndërsa në Beograd festohej aneksimi i Kosovës në Serbi, shqiptarët e kundërshtuan ashpër këtë vendim. Në vitet 1988-1989 u vranë rreth 80 protestues paqësorë shqiptarë, me mijëra të tjerë u burgosën apo keqtrajtuan nëpër stacionet e policisë serbe.

Ndërsa Ballkani po kërcënohej nga çmenduria serbe, mediat e majta bënë çdo përpjekje për të goditur imazhin e qeverisë së re demokratike në Perëndim, duke e paraqitur atë si “nacionaliste”, për pasojë edhe si “një kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal”.

Kuptohet se pas këtyre tezave qëndronin interesa ngushtësisht partiake, të cilat për fat të keq patën pasoja negative në raportet e Shqipërisë me fqinjët, kryesisht me Serbinë dhe Greqinë.

Këto dy vende filluan ofensivën diplomatike për të minuar mbështetjen e qeverisë demokratike, kryesisht atje ku ajo ishte më e fortë, në Uashington.

Të nxitura nga një kulturë izolacioniste, marksiste, gazetat e majta kishin prirje për të trajtuar çështjen e rreth 3 milionë shqiptarëve si çështje të brendshme të Jugosllavisë dhe problemin e Kosovës vetëm si një çështje të të drejtave të njeriut.

Në vitet 1992-1996 ato për fat të keq shkuan deri aty sa të denonconin politikat sipas tyre “vasale” të Presidentit Berisha ndaj SHBA-ve, si dhe të formulonin akuza të tilla sikur “Berisha po na çon në luftë me fqinjët për Kosovën”. Në fakt Shqipëria po ndiqte një kurs tërësisht paqësor dhe të koordinuar mirë me faktorin perëndimor, duke treguar maturi dhe vendosmëri në trajtimin e çështjes së Kosovës.

Mediat që përfillnin tematikën e Kosovës ishin të pakta. Në verë të vitit 1991 një grup intelektualësh si Hysamedin Ferra, Skënder Buçpapaj, Myftar Gjana, Murat Gjonballa, Bedri Myftari, autori i këtyre radhëve etj., themelojnë gazetën javore “Kosova”, e cila kishte në fokus çështjen e Kosovës dhe zhvillimeve të reja rajonale. Gazeta ishte organ i shoqatës “Kosova”. Po atë vit themelohet edhe gazeta javore “Atdheu”, nga miku im Ismet Mehmeti dhe unë. Gazeta përpiqej të bënte prezente perspektivën e zhvillimeve ballkanike dhe kërcënimet ndaj shqiptarëve ne ish-Jugosllavi. Një tjetër gazetë me qëndrim të hapur politik, pro çështjes së Kosovës ishte “Kombi” i drejtuar nga Hydajet Beqiri. Kjo gazetë shihej e lidhur me diasporën kosovare në Evropën Perëndimore, por kishte një liri editoriale. Në pranverë të vitit 1991 në këtë gazetë pata botuar shkrimin e gjatë “Kosova është Shqipëri”. Analiza pati marrë shumë komente, pasi trajtonte një temë deri atëherë tabu për mediat e Tiranës, por edhe një reagim te ashpër serb.

Një ndjeshmëri  për zhvillimet në Kosovë kishte edhe gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike, aleate e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës e drejtuar nga Dr. Ibrahim Rugova. “Rilindja Demokratike” do të ruante këtë kurs prej atëherë dhe deri në ditët e sotme. Nga viti 1992 derisa mbaroi Lufta e Kosovës në qershor 1999, kam shkruar në këtë gazetë qindra analiza, komente dhe shkrime sensibilizuese për gjendjen katastrofike të shqiptareve atje, por edhe mobilizuese për shqiptarët dhe qeverinë e Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë luftë.

Në fillim të viteve 1990 gazetat e majta kishin zgjedhur për të pasqyruar temën e Kosovës, sipas një praktike të aplikuar për dekada me radhë nga regjimi komunist, botimin e artikujve të shtypit perëndimor për Kosovën. Editorialet e rralla të këtyre gazetave të majta për Kosovën fillonin me një keqardhje për tragjedinë e vëllezërve kosovarë që po vuanin nën regjimin e egër serb, vazhdonin me thirrje për njohjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe përfundonin me sigurinë që i jepnin Serbisë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme. Në qershor të vitit 1993 shtypi i majtë i pati bërë jehonë të madhe një marrëveshjeje të arritur në Greqi mes Partive Socialiste të Shqipërisë, Greqisë dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nëpërmjet sloganit “Ballkani i ballkanasve” kërkonte nga SHBA-të, që të qëndronin jashtë implikimit në rajon. Kjo do të thoshte përveç të tjerave që të ruhej dominimi serb në ish-Jugosllavi, i mbështetur në një fuqi të vërtetë ushtarake, si dhe pushtimi serb i Kosovës. Këtë apel drejtojnë herë pas here edhe sot Greqia dhe Serbia, me nismën Ballkani i hapur etj., nisma që synojnë të ruajnë dominimin greko-serb.

E njëjta tezë qe përdorur në pranverë të vitit 1999 nga diplomacia serbe dhe aleatët e tyre në rajon, duke i bërë rezistencë qëndrimit të prerë amerikan për të përdorur forcën ushtarake kundër pushtuesve serbë në Kosovë.

Harta e Ballkanit kishte ndryshuar me shpejtësi. Në qershor 1991 Millosheviçi kishte sulmuar Slloveninë, në gusht 1991 armata serbe pushton 40% të territorit kroat, në vetëm pak ditë në mars të vitit 1992 diktatori serb pushtoi Bosnjën. Që kur Millosheviçi kishte hipur në pushtet, në vitin 1987, Jugosllavia kishte marrë rrugën e luftës. Ish-Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Serbisë dhe President i Serbisë, ishte bërë zëdhënës i politikave ultranacionaliste serbe. Millosheviçi kishte kërcënuar të gjithë kombet e tjerë të ish-federatës duke deklaruar se, “askush nuk do të guxojë më të prekë serbët” apo se “aty ku ka serbë është Serbi”. Kjo platformë pati çuar në luftëra të përgjakshme dhe në shpërbërjen e Jugosllavisë. Sllovenia kishte shpallur pavarësinë, po kështu edhe Kroacia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina. Serbia kishte krijuar shtetin e dytë serb në të ashtuquajturën Republika Srbska, ndërsa kroatët shtetin e dytë në Hercegovinë. Vetëm shqiptarët ishin gjendur papritur të ndarë në tri shtete të sapokrijuara rishtaz, duke e bërë situatën edhe më të rëndë se sa gjatë kohës së federatës.

Për fat të keq mediat e Tiranës e shmangën sërishmi çështjen e Kosovës. Shumë gazetarë, publicistë apo historianë morën një ofensivë të vërtetë kundër çdo zëri të pavarur që kërkonte pavarësinë e Kosovës. Trajtimi i çështjes së Kosovës u quajt “folklorizëm”, “primitivizëm” dhe “një temë arkaike”, “e papërshtashme për kohët moderne”. Një grup publicistësh u përfshinë në formulimin e tezave të rënda dhe fyese ndaj shqiptarëve të Kosovës, duke u bërë nganjëherë jehonë edhe tezave antishqiptare të prodhuara sistematikisht në Beograd, si “kombi shqiptar dhe kombi kosovar”, “revanshi i veriut ndaj jugut etj.”.

Ashtu siç të vjen keq për këto shkrime dritëshkurtra, antikombëtare të shkruara sistematikisht gjatë regjimit komunist dhe deri më 24 mars 1999 në gazetat Zeri i Popullit, Koha jonë etj,  sot të vjen mirë që shumë autorë të këtyre komenteve tani më 2024 kanë ndryshuar koncepte. Disa prej tyre tani i shikon nga njëri televizion në tjetrin duke folur për rëndësinë e pavarësisë së Kosovës apo edhe për bashkimin kombëtar, për kombëtaren e futbollit etj., apo nëpër faqet e gazetave, sido që me pak njohuri rreth kësaj çështjeje dhe me pak sinqeritet ndaj vetvetes. Unë nuk besoj që këta tipa e bëjnë këtë ndryshim thjesht për të qenë në qendër të një debati të përbotshëm, siç është ai për Kosovën apo për shkak të portretit të tyre prej analistësh, por që vërtet ata si çdo shqiptar i gëzohen pavarësimit të gjysmës së kombit shqiptar. Vetë fakti që edhe serbofilët dhe grekofilët e Tiranës, biles edhe kozmopolitët tani flasin edhe për bashkimin kombëtar është vërtet diçka mjaft domethënëse.

Në vitet 1995-1996 Shqipëria kishte bërë përparime të rëndësishme në fushën e reformave ekonomike, por edhe ushtarake. Vendi ishte bërë anëtar i Partneritetit për Paqe, si dhe kishte forcuar lidhjet me SHBA edhe në sektorin e sigurisë kombëtare. Siç thuhej shteti shqiptar i kishte afruar SHBA-ve aeroportin e Gjadrit në mbështetje të përpjekjeve amerikane për të ndaluar masakrat serbe në Bosnje. Këto lëvizje strategjike, të cilat i shërbenin vendosjes së paqes në rajon, qenë keqinterpretuar nga disa gazeta të majta të Tiranës dhe publicistë. Ato akuzuan kryetarin e shtetit të asaj kohe S. Berisha për “vasalitet ndaj SHBA-ve” dhe politikë që “do të fuste vendin në konflikt me fqinjët”.

E vërteta është se mediat e majta kishin gabuar. Vetëm ndërhyrja ushtarake e kërkuar fort nga Presidenti Berisha dhe nga qeveria demokratike e drejtuar nga Aleksandër Meksi do t’i jepte fund agresionit serb në Ballkan, si dhe do të shpallte Kosovën një vend të lirë.

Në vjeshtë të vitit 1997 dukej qartë se Serbia po përgatiste luftën e Kosovës. Mediat e majta të Tiranës, ashtu si në fillim të viteve 1990, u distancuan nga problemet e Kosovës duke u përqendruar në sherrnajat e brendshme dhe në platformat e spastrimit të vendit nga demokratët, të cilët e kishin humbur pushtetin pas zgjedhjeve të 29 qershorit të vitit 1997, zgjedhje të cilat erdhën si pasojë e ngjarjeve dramatike që pasuan rënien e skemave mashtruese piramidale.

Ofensiva serbe për spastrimin etnik në Kosovë në fund të shekullit të kaluar e gjeti politikën shqiptare të përçarë, opinionin të papërgatitur për të krijuar një reagim gjithëkombëtar, si dhe mediat të fokusuara në të tjera probleme dytësore. Në rast se mediat e Tiranës do të kryenin rolin e tyre, fillimi i luftës së Kosovës prej 28 shkurtit të vitit 1998 deri 12 qershor 1999 nuk do ta gjente të papërgatitur në atë mënyrë shtetin shqiptar, i cili kishte pësuar gati një rrënim total gjatë kryengritjes komuniste të pranverës së vitit 1997.

Fillimi i spastrimit etnik në Kosovë në fillim të qershorit të vitit 1998 i dha fund çdo hamendje se lufta do të mund të shmangej. Ndërsa më 4 qershor 1998 mbi 20 mijë refugjatë kosovarë mësynë Tropojën për t’i shpëtuar gjenocidit dhe zhdukjes masive, shtypi zyrtar i Tiranës thuajse e injoroi këtë tragjedi.

Prej qershorit të vitit 1998 shumica e televizioneve amerikane dhe evropiane filluan të transmetonin direkt nga Tropoja, por për çudi RTSH nuk transmetonte thuajse asnjë lajm për jetën e vështirë të rreth 45 mijë refugjatëve të luftës që kishin gjetur strehim në familjet e varfëra të Tropojës.

Në vend që media të sensibilizonte qeverinë dhe opinionin për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre, me përjashtim të “RD”-së dhe radio “Kontakt”, mediat e tjera heshtën.

Për fat të keq, ndonjë gazetë bëri thirrje që këta refugjatë lufte të mos kalonin Alpet për të shkuar drejt Shqipërisë Qendrore, pasi sipas tyre “ata ishin mbështetës të Berishës”.

Një pjesë e publicistëve, që sot janë bërë superpatriotë gjatë kësaj kohe dhe sidomos pas spastrimeve etnike masive në pranverë të vitit 1999, habitën botën kur kërkuan që refugjatët e luftës që vinin të tmerruar nga Kosova të izoloheshin në geto klasike. Ata i sugjeronin qeverisë së majtë që këta refugjatë të mos lejoheshin të zbrisnin nga Tropoja dhe Kukësi në brendësi të vendit, pasi sipas tyre do të ndryshonin raportet njerëzore në favor të demokratëve. Ata në mënyrë të pabesë kërkuan që mijëra gra dhe fëmijë të lodhur nga udhëtimi i gjatë, të kequshqyer dhe të tmerruar nga ato që kishin parë dhe lënë në Kosovë, të mos strehoheshin në Jug, sepse siç pati thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme greke “zhvendosja e tyre në jug, do të cenonte interesat e Greqisë” e të tjera përralla të ngjashme.

Krejt ndryshe do të reagonin shqiptarët. Nga Tropoja deri në Sarandë me mijëra familje do të hapnin shtëpitë dhe zemrat për vëllezërit e tyre nga Kosova, duke ndarë me ta dhembjen e pafund për njerëzit e humbur në luftë, për shtëpitë dhe trojet e braktisura.

Edhe vetë qeveria Majko ishte mosbesuese ndaj këtyre refugjatëve. Sido që ish-Kryeministrit Majko i ka pëlqyer gjithnjë të marrë pozat e heroit të kësaj lufte, e vërteta është krejt ndryshe. Vetëm pas ultimatumit të fortë amerikan dhe presionit të opozitës së djathtë qeveria e koalicionit të majtë filloi trajtimin e refugjatëve të luftës, si dhe organizimin e akomodimit të tyre në të gjithë vendin. Po kjo qeveri në mënyrë të ligë nuk u përfshi në luftë në mbështetje të UÇK-së, jo vetëm duke humbur një shans historik për bashkimin kombëtar, por edhe duke dëshmuar se ishte qartë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Për këtë temë kam shkruar qysh në atë kohë me qindra artikuj në shtypin e djathtë të Tiranës, me thirrjen se tani është koha e bashkimit kombëtar dhe e implikimit të ushtrisë shqiptare në këtë luftë direkt në terren, por historia dihet, kjo qeveri u mjaftua vetëm me shpërndarjen skandaloze dhe korruptive të ndihmave ndërkombëtare për refugjatët, shpesh duke vjedhur edhe bukën e fëmijëve të Kosovës.

Faktet janë fakte. Kësaj çështje i është rikthyer pas kaq vitesh edhe diplomati i shquar amerikan dhe miku i shqiptarëve, Kristofer Hill.

Në një intervistë ai parashtron se, Shqipëria nuk e dëshironte bashkimin kombëtar. Hill shprehimisht thotë: “Padyshim që Ballkani është një proces i papërfunduar. Mendoj se është bërë përparim. Kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët: që Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën; e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqetësimi kryesor për mua ishte të arrihej mbizotërimi i ligjit, ngritja e institucioneve demokratike, të cilat ishte shumë vështirë të krijoheshin. Tani që pashë përparimin e Shqipërisë jam shumë i kënaqur me këtë. Në Kosovë ka ende shumë për të bërë”. (Panorama, 3 tetor 2016)

Pra, koha e bashkimit kombëtar ishte atëherë, por u pengua nga qeveria e majtë, e cila punoi kundër këtij opsioni, thënë më qartë e tradhtoi çështjen tonë kombëtare. Në atë kohë, duke qenë në dijeni të shumë fakteve që po dalin tani pas 25 vjetësh, kam shkruar librin e mirënjohur “Kombi i Tradhtuar”, sepse shqiptarët, siç thotë Krist Hill, u tradhtuan. Të tjerat janë dokrra.

Por sot në Tiranë dhe Shqipëri kanë ndryshuar gjërat, konceptet dhe ideologjitë për sa i përket çështjes së bashkimit kombëtar. Sipas sondazhit të fundit të GALLUP-it bërë katër-pesë vjet më parë, rreth 73% e shqiptarëve të Shqipërisë janë për bashkim kombëtar dhe ky është zhvillim shumë domethënës, të cilit nuk mund t’i shmanget asnjë qeveri në Tiranë apo Prishtinë, duke i besuar kështu edhe konkluzionit të Kris Hill se, “Ballkani është një proces i papërfunduar”.

Duke ju rikthyer kronologjisë së ngjarjeve pas 24 marsit 1999 mediat e Tiranës do të ndryshonin qëndrim ndaj Kosovës. Urdhri i Presidentit amerikan, Bill Klinton për të nisur sulmet ajrore mbi Serbi, me qëllim shkatërrimin e makinës ushtarake të Millosheviçit kishte ndarë historinë e Ballkanit. Lajmet nga zonat e luftës në Kosovë, por edhe vuajtjet e refugjatëve në Kukës, Has e Tropojë hapnin edicionet e lajmeve anembanë botës. Në këtë periudhë disa televizione të Tiranës filluan të transmetonin lajme nga lufta e Kosovës, konferencat e shtypit të Presidentit amerikan, Bill Klinton, të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, si dhe të NATO-s. Televizioni “Arbëria” filloi emisionin e njohur “Luftë apo paqe në Kosovë”, “Shijak” Televizion ndërtoi disa emisione me tema nga Kosova, radio “Kontakt” etj. Kursi ideologjik i TVSH-së dhe disa gazetave të majta në Tiranë bëri që ato të përfshiheshin në sulme të pabesa ndaj Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova të marrë peng nga Millosheviçi në kulmin e luftës së Kosovës në pranverë të vitit 1999. Në të njëjtin kor me politikën zyrtare mediat e majta nxituan të shpallnin “Tradhtar” Rugovën dhe “bashkëpunëtor të Millosheviçit”. Tirana zyrtare në këtë kohë prodhoi një qeveri të dytë në emigracion, duke mohuar atë të Bukoshit. Kjo la një shije të keqe në Perëndim, i cili ishte përfshirë në një luftë të ashpër për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

Mediat e majta nuk do të kishin këtë opinion për Rugovën, ndërsa ai do të fitonte të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë pas çlirimit të vendit nga NATO dhe UÇK, më 12 qershor 1999 dhe në vazhdim. Por ky qëndrim ekstremist do të bënte që Rugova për disa vite të mos vizitonte Tiranën.

Në vitet 1999 dhe në vijim mediat e Tiranës kanë qenë të matura ndaj zhvillimeve në Kosovë. Ndërsa qeveritë e majta u implikuan në krijimin e të majtës në Kosovë apo sipas raporteve ndërkombëtare dhe të eksportimit të trafiqeve dhe disa krimeve etj., mediat vepruan në një mënyrë më të ekuilibruar. Ato megjithatë, vetëm pas formulimit të “Paketës së Ahtisarit” dhe vizitës së Presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007, shprehën besimin e tyre për Pavarësinë e Kosovës.

Aktualisht Kosova është tema kryesore e mediave të Tiranës pavarësisht politikave editorialiste dhe ngjyrimeve politike që përfaqësojnë pronarët e tyre. Ata që për vite me radhë kishin përqeshur dhe sulmuar egërsisht çdo shkrim që bënte thirrje për pavarësinë e Kosovës apo bashkimin kombëtar, tani i ke idhtarë të fortë të kësaj pavarësie, biles këta tipa thirren thuajse në çdo tryezë për zhvillimet në Kosovë për të folur si ekspertë, si analistë apo thjesht për modë, pavarësisht pse e njohin në mënyrë sipërfaqësore këtë çështje dhe shpesh bëhen qesharakë me ato që thonë apo shkruajnë.

Për fat të keq këta analistë nuk u panë të bëjnë asnjë reagim për deklaratën kërcënuese të ministrit të mbrojtjes se Serbisë “për pushtimin e Kosovës”.

Unë mendoj se klasa politike në Tiranë dhe Prishtinë duhet të tregojë më shumë pjekuri dhe mos përfshihet kurrë më në deklarata emocionale dhe të panevojshme, të amplifikuara edhe nga mediat përkatëse.

Serbët dhe mediat e tyre, për të gjitha qëndrimet nacionale flasin me një zë, si serbët në Serbi, në Mitrovicën e Veriut, në Republikën Srbska në Bosnje, në Kroaci apo edhe në Mal të Zi.

Ky shkrim nuk ka si qëllim të hidhërojë askënd, as ata që e kanë quajtur “UÇK-në prodhim të Millosheviçit”, as ata që dënuan sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbi, as ata që Kosovën e dëshironin vetëm si pjesë e Serbisë “me autonomi thelbësore”, as ata që shpiken “kombin kosovar”, as ata “që i tremben bashkimit kombëtar” e kështu me radhë. Si autor i qindra e qindra shkrimeve për Kosovën, autor i dy librave të shkruara vetëm gjatë Luftës së Kosovës dhe organizator i dhjetëra protestave dhe tryezave për Kosovën, ndjehem mirë që kam kryer detyrën si intelektual dhe patriot me përkushtim dhe atdhetari. 

Shënimi ka si qëllim të sjellë një dëshmi të thjeshtë të koherencës së shtypit të Tiranës, rolit të humbur apo të fituar në momentet kyçe të një kombi, për t’i vendosur përballë një pasqyre ku secili do të shohë vetveten. E rëndësishme ka qenë dhe është bindja e komunitetit perëndimor për suksesin e pavarësisë së Kosovës dhe në vijim të shtetit të lirë të Kosovës, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës. Është detyra jonë të bindim aleatët tanë perëndimorë së bashkimi kombëtar i shqiptarëve është e vetmja rrugë e stabilitetit afatgjatë në rajonin e Ballkanit. Ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët.

Filed Under: Mergata

Një rrugëtim drejt majave të suksesit, Rezarta Tabaku: Jeta është një edukim i vazhdueshëm

March 8, 2024 by s p

Violeta Mirakaj/

Janë ditët e para të Marsit, rreshjet e shiut e ftohin më shumë kohën dhe ngjyra gri sikur dominon tokë dhe qiell. Në kontrast me lagështinë është ngrohtësia e takimit me dy mikeshat e mia Rezarta dhe Natasha, pas nje vizite disaditore të familjes sime në Shqipëri, më shtyu të bëj këtë shkrim portret, e nisur nga rrëfimi imponues i Rezarta Tabakut. Rutina e punës ditore newyorkeze të merr në vrundullin e saj po njëkohësisht evidenton individ si Rezarta, ku si shprehet dhe Nensi Pelosi, drejtuese e një prej dhomave të Kongresit amerikan – “Femrat janë lidere në çdo aspekt- si një drejtore që drejton një kompani fitimprurëse ashtu dhe një shtëpiake që rrit fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë. Vendi ynë është krijuar nga femra të forta dhe ne do vazhdojmë të thyejmë barriera dhe të sfidojmë stereotipe.” Portreti i saj, pamja e saj joshëse e një femre me paraqitje te bukur dhe moderne, mënyra si tregon, rrëfimi i rrugëtimit në karierë i Rezarta Tabakut shpaloset si një testament i shpirtit të paepur njerëzor, është imponuese.
Bashkëbisedimi me të dhe maman e saj Lirinë, erdhi si një kujtim nga e shkuara, nga ajo e kaluar e trazuar, sfidat personale dhe një përkushtim i palëkundur ndaj rritjes dhe fuqisë personale. E lindur dhe e rritur në Tiranë, Shqipëri, vitet e saj të hershme u shënuan nga persekutimi intesiv me të cilin u përball familja e saj nën regjimin komunist. Burgosja dhe dënimi i deputetëve dhe intelektualëve u bë në momentin kur Kuvendi Popullor duhej të ratifikonte Konventën Jugosllave dhe prononcimin e drejtimit të politikës së jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë me drejtim prolindore me Bashkimin Sovjetik në krye. Për këtë arsye kërkohej eliminimi i intelektualëve nacionalistë e me kulturë perëndimore e veçanërisht të Deputetëve, që mund të votonin kundër
Konventave Sovjetike e Jugosllave dhe po të ndodhte ashtu, do të mundte të rrezikohej ratifikimi i tyre. Në grupin e deputëve dhe intelektualëve që u dënuan, bënte pjese dhe gjyshi i Rezartës, Ramazan Tabaku; shkak për një jetë plot privime dhe dëbime në kalvarin e jetës së fisit të Tabakëve. Ndikimi i thellë i luftës së familjes së saj për besimet demokratike, duke përfshirë sakrificën përfundimtare të bërë nga gjyshi i saj në vitin 1943, ka qenë një forcë shtytëse në formësimin e jetës së Rezartës.
Mbërritja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rezarta përballet me një sërë sfidash të reja. Në moshën njëzetë e tre vjeçare, ajo u bë nënë e djalit të saj, John, diagnoza e të cilit me Autizëm në moshën dy e gjysme vjeç solli gëzim dhe zemërim. E vendosur për të ndihmuar djalin e saj të arrijë potencialin e tij të plotë, Rezarta nisi një udhëtim të dyfishtë- një për të gjetur zgjidhje për nevojat unike të djalit të saj dhe një tjetër për të zbuluar veten e saj autentike. Motoja e saj “Ti je në Qendër të të gjitha marrëdhënieve të tua, prandaj je përgjegjës për respektin ndaj vetes, për zhvillimin dhe përmbushjen e jetës tënde” e shoqëroi në karrierën e saj prej dy dekadash në industrinë bankare si dhe paralelizoi udhëtimin e saj personal, duke e shtyrë atë të përballet me nevojën për autenticitet në botën e korporatave, e realizuar nga një sërë rolesh të profilit të lartë. Ajo shërbeu si Zëvendës Presidente e Par Loan Trading në Credit Suisse, e ndjekur nga një mandat dhjetëvjeçar në Morgan Stanley si Zëvendës Presidente e Menaxhimit të Rrezikut të Produkteve. Ekspertiza e saj u aplikua më tej në Citi, ku ajo mbante pozicionin e Zëvendës Presidentes së Lartë të Menaxhimit të Riskut. Rregullator për Analizë Gjithëpërfshirëse të Kapitalit dhe dorëzimin e Rishikimit. Në vitin 2013, Rezarta kaloi në Bankën e Investimeve Barclays, ku mbajti rolin e Drejtoreshës së Menaxhimit të Riskut dhe Kontrollit të Çështjeve për më shumë se pesë vjet. Karriera e saj vazhdoi të lulëzojë kur ajo iu bashkua BNY Mellon në 2019 si Drejtore e Manaxhimit të Kontrollit Rregullator të Inxhinierisë Globale. Pavarësisht se arriti kulmin e aspiratave të saj profesionale, Rezarta ndjeu një boshllëk brenda vetes, e dëshiruar për një karrierë më kuptimplote dhe
më të plotë. Ky kërkim i brendshëm e çoi atë në një udhëtim
transformues të vetë- zbulimit. Ajo kuptoi se fokusimi në shëndetin mendor dhe shpirtëror luajti një rol kryesor në arritjen e suksesit dhe lumturisë në karrierën e saj. Kuptimi se ajo nuk mund të ndante hapur përvojat e saj si nënë e një djali autik e çoi atë në një rrugë transformuese të vetë -zbulimit psikologjik dhe shpirtëror. Nga ky introspeksion doli një dëshirë e thellë për të fuqizuar gratë që, si ajo vetë, kërkonin autenticitetin dhe qëllimin. Ajo krijon misionin “Fuqizimi i Grave Lidere” rezervo një telefon. Rezarta vazhdon rrëfimin e saj – “E kam bërë misionin tim të fuqizoj gratë si ju që ndihen të nënvlerësuara dhe të nënvlerësuara në karrierën e tyre korporative…… duke ju udhëhequr në një udhëtim të zbulimit të vetvetes dhe rritjes shpirtërore, në mënyrë që të keni akses në potencialin tuaj të fshehur dhe të gjeni sukses dhe lumturi në të gjitha fushat e jetës suaj”. Ajo vazhdon- Të punosh me mua është një mundësi e shkëlqyer nëse… Ndihesh si… jeni të neglizhuar dhe nënvlerësuar në punë Ju duhet të maskoni emocionet tuaja, pavarësisht se çfarë po ndodh në shtëpi. Ju duhet të mbani vigjilentë dhe mund të mbështeteni vetëm te vetja juaj. Dhe ju dëshironi të… Ndjeheni të vlerësuar, të fuqizuar dhe të repektuar … Bëhuni më me ndikim dhe bëni një ndikim pozitiv. Gjeni ekuilibrin dhe ndjehuni si një person i plotë në punë dhe në shtëpi. Unë mund t’ju ndihmoj të arrini qëllimet tuaja dhe me metodat e mia nuk do të shqetësoheni për ndryshimin e sjelljes së të trjerëve ose gjetjen e mënyrave për të ndryshuar mjedisin tuaj të punës. Në vend të kësaj, ju do të mësoni se si të krijoni ndryshimet që dëshironi të shihni duke punuar ju së pari brenda vetes.. Dëshironi më shumë? -Unë tregoj eksperiencën time:- Duke qenë një grua emigrante, me një fëmijë me nevoja të veçanta dhe trauma të rëndësishme në jetën time, më është dashur të kapërcej shumë për t’u bërë lideri që jam sot. Mësova shumë gjatë rrugës dhe misioni im është të ndihmoj gratë e tjera të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Ne punojmë nga brenda jashtë: Do habiteni se sa shpejt mund të përjetoni ndyshimin kur së pari të përqëndroheni te vetja. Aftësitë që do
të mësoni jo vetëm që do t’ju ndihmojnë në karrierën tuaj, por gjithashtu do të përjetoni marrëdhënie më të pasura dhe do të gjeni më shumë paqe në fusha të tjera të jetës tuaj. Mbështetje me shumë aspekte: Ne përdorim metoda dhe mjete të shumta që do t’ju ndihmojnë të çlironi traumën, të bëheni një komunikues më i mirë, të menaxhoni stresin dhe të mësoni se si të kujdeseni pët veten në mënyra që nuk i keni menduar më parë. Ne fokusohemi tek ju si një person i plotë dhe si rezultat do të përjetoni më shumë përmbushje gjatë arritjes së qëllimeve tuaja…” Në rolin e saj aktual në BNY Mellon, Rezarta iu bashkua programit të Komitetit të Grave në Inxhinieri dhe gjithashtu shërben si ndihmëse e parë në Këshillin e Mirëqënies. Veçanërisht, përpjekjet e saja në fushën e avokimit të shëndetit mendor ka fituar çmimet e saj të shumta Kampione të Shëndetit Mendor. Gjërat nuk janë absolute, ekzistojnë në funksion të përceptimit të secilit. E shenjtë është ajo që ta denjëson jetën. Përtej përgjegjësive së saj profesionale, rreth 20 vjet sukses në industrinë bankare, si dhe njohuritë që ka nxjerrë nga përvoja e vështirë e një djali autik, e bën atë një drejtuese në rolin e saj si trajnere e jetës për të tjerët,
femrat.
Nëpërmjet seancave inovative të trajnimit, në të cilat ajo vendos objektiva të guximshëm dhe thekson diskutime të thella mbi praktika të ndryshme psikologjike dhe filozofike, klientet e saj mësojnë aftësitë që u nevojiten për të kapërcyer çdo pengesë, duke krijuar një bollëk gëzimi, kuptimi dhe vrull përpara si në përpjekjet e tyre personale ashtu edhe ato profesionale. Përveç iniciativave të saj të trajnimit, Rezarta është autore e “Zbulon se çfarë fshihet pas betejës suaj të punës dhe krijoni jetën tuaj ideale- Ushtrimi për balancimin e punës dhe jetës”.
Misioni i saj kryesor është t’i shërbejë njerëzimit dhe të fuqizojë individët që të bëhen më të vetëdijshëm dhe të ndërmarrin hapa proaktivë në jetën e tyre. Arritja sot më e rëndësishme deri më sot ka qenë përkushtimi ndaj mentorimit të grave, një pasion që ajo ka ndjekur për më shumë vite. Përveç përfshirjes së saj në vendin e punës
dhe përvojës së trajnimit, Rezarta është një anëtare aktive e “Women in Engineering ” dhe angazhohet në aktivitete të ndryshme qytetare, duke përfshirë kontributin në kauza si Autism NOW, Girl Who Code dhe PENCIL Inc. Rezarta pranon se e kaluara e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e individit që ajo është sot. Është ngadhnjimi i njeriut mbi Fatin. Ajo thekson se të jetuarit në të tashmen, duke qenë burim frymëzimi si për veten ashtu dhe për të tjerët dhe duke dhënë ndihmesë në përmirësimin e komunitetit të saj duke lehtësuar stresin e panevojshëm që mundon shumë njerëz në botën e sotme. Në rrugëtimin e saj jetësor, Rezarta përqafon urtësinë e Rumiut, duke jetuar me thënien e tij të famshme:- “Ne kemi lindur nga Dashuria, se Dashuria është Nëna jonë”. Në 27 Dhjetor 2023, në New York, del në shtyp – “Arritjet e Rezarta Tabakut i kanë dhënë asaj një vend të merituar në Marquis Who’s Who, një burim prestigjoz referimi biografik i njohur për paraqitjen e individëve me meritë të jashtëzakonshme. Biografitë e Markezit në internet për më shumë se një shekull, Marquis Who’s Who ka mbështetur me krenari bibliotekën dhe komunitetet kërkimore me informacion biografik më të besueshëm të këtij lloji. Pothuajse çdo bibliotekë publike dhe akademike në Shtetet e Bashkuara- si dhe bibliotekat e korporatave dhe kërkimore në mbarë botën- përdorin Marquis Biographies në shtyp ose internet (MBO). Kjo është arsyeja pse Marquis Who’s Who ka qenë i paçmuar për komuni- tetin e referencës për më shumë se 120 vjet dhe do të jetë për dekadat në vijim. Një vend të merituar ze këtu Rezarta Tabaku, pas këtij rrugëti- miku dallohet për përparësitë e shumta të fjalës e të veprimit dhe nga virtytet e saj.

Filed Under: Mergata

Ekipi patriotik i Shoqatës “Peja” – New York

March 4, 2024 by s p

Të nderuar bashkëvendas, Shoqata “Peja”-New York, mbreme me 2 mars 2024 ne pranine e shume anetareve mbajti zgjedhjet e saja të rregullta për Kryetar dhe Kryesine e re per mandatin dyvjeçar 2024/26 , ku me vota unanime u zgjodh Kryesia e Shoqates me kete përberje :

Kryetar z. Rejmond Zeka

Nënkryetare. znj. Mimoza Nela

Sekretar z. Adriatik Shala-Tiki

Arkatar z. Reshat Kelmendi

Ndërsa për antarë të kryesisë zgjodhi :

z. Nevzat Bakraqi

z. Driton Çavdarbasha

znj. Liljana Kaliqani

znj. Teuta Zeka

z. Ilir Pishtani.

Duke ju falenderuar Kryesise se mëparshme për punën e shkëlqyer që kanë bërë për ti dhënë jetë kësaj shoqate, urojmë qe Kryesia e re të punojnë me përkushtim për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të Shoqatës “Peja”-New York.

Njeherit bëjmë apel që edhe bashkëvendasit tjerë që jetojnë në New York dhe rrethinë t’i bashkangjiten Shoqatës që të jemi sa më afër njëri tjetrit dhe të jemi edhe më frytdhënës në punën tonë .

Me respekt, Shoqata “Peja”-New York .

Filed Under: Mergata

1931 / ÇFARË PËRMBANTE TRAKTATI I MIQËSISË DHE TREGTISË MIDIS JAPONISË DHE SHQIPËRISË, I FIRMOSUR NGA ALI ASLLANI NË ATHINË ?

March 1, 2024 by s p


Ali Asllani (1884 – 1966)
Ali Asllani (1884 – 1966)

Nga Aurenc Bebja**, Francë – 1 Mars 2024

Në faqet n°668 – 669 të veprës “Nouveau recueil général de traités et autres actes relatifs aux rapports de droit international”, botuar në vitin 1931, gjejmë traktatin e miqësisë dhe tregtisë midis Japonisë dhe Shqipërisë, të firmosur asokohe nga Ali Asllani në Athinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

JAPONI, SHQIPËRI.

Burimi : Nouveau recueil général de traités et autres actes relatifs aux rapports de droit international, 1931, f.668 – 669
Burimi : Nouveau recueil général de traités et autres actes relatifs aux rapports de droit international, 1931, f.668 – 669

Traktati i Miqësisë dhe Tregtisë; firmosur në Athinë, më 20 qershor 1930*. 

Fletorja Zyrtare e Qeverisë Japoneze e 15 qershorit 1931.

Lartmadhëria e Tij Perandori i Japonisë dhe Lartmadhëria e Tij Mbreti i Shqiptarëve, të shtyrë nga dëshira për të forcuar marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë midis shteteve të tyre dhe për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre tregtare, kanë vendosur të lidhin një Traktat të Miqësisë dhe Tregtisë dhe kanë, për këtë qëllim, emëruar për të plotfuqishmit e tyre përkatës, përkatësisht :

Lartmadhëria e Tij Perandori i Japonisë : Z. Nobutaro Kawashima, Jushii, i dekoruar me klasën e tretë të Urdhrit Perandorak të Thesarit të Shenjtë, i Dërguar i Jashtëzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë në Athinë;

dhe

Lartmadhëria e Tij Mbreti i Shqiptarëve: Z. Ali Asllani, Ministër rezident në Athinë; Të cilët, pasi kanë komunikuar kompetencat e tyre të plota, të gjetura në formën e duhur, kanë rënë dakord mbi nenet e mëposhtme :

Neni I.

Do të ketë paqe të përhershme dhe miqësi të vazhdueshme midis Perandorisë së Japonisë dhe Mbretërisë Shqiptare dhe shtetasve përkatës.

Neni II.

Palët e Larta Kontraktuese bien dakord që përfaqësuesit diplomatikë të secilës prej tyre do të marrin, në territoret e tjetrës, trajtimin e përcaktuar nga parimet e së drejtës së përbashkët ndërkombëtare.

Neni III.

Secila nga Palët e Larta Kontraktuese do të ketë të drejtën të emërojë konsujt e përgjithshëm, konsujt, zëvendëskonsujt dhe agjentët konsullorë për të banuar në të gjitha portet dhe vendet në territoret e Palës tjetër Kontraktuese, ku lejohen të njëjtët oficerë konsullorë të çdo vendi tjetër për të banuar. Këta nëpunës konsullorë do të gëzojnë, në varësi të reciprocitetit, në territoret e njëri-tjetrit të njëjtat të drejta, privilegje dhe përjashtime që u jepen ose do t’u jepen zyrtarëve konsullorë të kombit më të favorizuar.

Neni IV.

Palët e Larta Kontraktuese marrin përsipër t’i japin njëra-tjetrës trajtimin e kombit më të favorizuar për sa i përket tregtisë, tarifave doganore dhe lundrimit, si dhe lirinë e hyrjes, udhëtimit, qëndrimit dhe banimit, ushtrimin e zanateve, profesioneve, tregtisë dhe industrive dhe trajtimin kombëtar ose trajtimin e kombit më të favorizuar në lidhje me tarifat, taksat dhe tatimet direkte ose indirekte.

Neni V.

Ky Traktat do të ratifikohet dhe ratifikimet do të shkëmbehen në Athinë sa më shpejt të jetë e mundur. Ai do të hyjë në fuqi pesëmbëdhjetë ditë pas shkëmbimit të ratifikimeve dhe do të mbetet i zbatueshëm për një periudhë tre vjeçare nga dita e hyrjes në fuqi. Megjithatë, nëse nuk denoncohet gjashtë muaj para skadimit të kësaj periudhe, ai do të zgjatet, me rinovim « tacite », për një periudhë të pacaktuar dhe më pas do të denoncohet në çdo kohë, duke mbetur i zbatueshëm për gjashtë muaj nga dita e denoncimit.

Në dëshmi të kësaj, të plotfuqishmit e kanë nënshkruar dhe vulosur me vulat e tyre.

Realizuar në Athinë në dy kopje në frëngjisht, në ditën e njëzetë të muajit të gjashtë të vitit të pestë të Showa-s, që korrespondon me datën 20 qershor të vitit një mijë e nëntëqind e tridhjetë

(L.S.) Kawashima.

(L.S.) Ali Asllani.

* Ratifikimet u shkëmbyen në Athinë më 11 qershor 1931.

Filed Under: Mergata

Memoriali për Epopenë e Koshares dhe Shtatorja për heroin e saj, Bylbyl Breçani, në Tropojë

February 23, 2024 by s p

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.

Në përvjetorin e 16-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, pikërisht me 17 shkurt 2024, në Shqipëri e në Kosovë, në Amerikë e në Mbretëri të Bashkuar, në Gjermani e në Zvicër, gjithandej, gjithkund, u hap Fushata Donatore për Mbledhjen e Fondeve për Ngritjen e Memorialit të Epopesë së Koshares dhe Shtatorja e njërit prej heronjëve të saj, Bylbyl Hazir Breçanit, fushatë e cila do të vazhdimojnë humanitetin atdhetar deri më 9 të prillit 2024, në 25-Vjetorin e Ditës historike të Thyerjes së Kufirit të padrejtë në mes Kosovës dardane dhe Shqipërisë Londineze.

2.

Sikurse Republika e Kosovës e ngriti Kompleksin Memorial të Epopesë së Koshares në komunën e Gjakovës, edhe Shqipëria Londineze, një kontributore e madhe e Lirisë, Pavarësisë e Shtetësisë së Republikës së Kosovës, do ta ngrejnë në qëndren administrative të Bashkisë Tropojë, në qytetin Bajram Curri, “Qytetin e Alpeve”, në rrugën “Bylbyl Breçani”, një kompleks memorial muzeal natyror, në nderim, përjetësim, vlerësim e lartësim të Epopesë legjendare të Koshares (prill-qershor 1999) e të heronjëve të saj.

3.

Kjo Epope (ndër)kombëtare historike, gjeostrategjike, ushtarake, politike, diplomatike, humanitare e Koshares legjendare: është një nga epopetë më të lavdishme në historinë kombëtare iliro-arbnore-shqiptare; është ma shumë se një “Termopile Shqiptare”; është një vazhdimësi e “Epopesë historike të Nokshiqit” të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kjo Epope madhore e Koshares, me 9 të prillit 1999 e theu kufirin shqiptaro-shqiptar, këtë kufi shekullor e të padrejtë dhe, prej kësaj date kombëtare historike e dekterit më 12 të qershorit 1999, e krijoi një Korridor të integrimit e të bashkimit kombëtar shqiptaro-shqiptar në të dy anët e kufinit politiko-administrativ; e krijoi përgjatë Luftës një Korridor të hapur e aktiv me luftëtarë, logjistikë e ndihma humanitare për Ushtrinë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) dhe për popullin e Kosovës dardane; një Korridor gjeostrategjik me kontribute të shumanshme luftarake drejt Lirisë së Kosovës (1999), të Pavarësisë së saj (2008), të Shtetësisë së derisotme të Republikës së Kosovës.

Kjo Epope e Koshares historike ishte në vazhdimësi luftarake kontributive me shumë kuadro, luftëtarë e gjeostrategjinë e saj, edhe në Ushtrinë Çlirimitare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (UÇPMB) në këtë Luftë të dytë, të gjatë, të vështirë e të madhe në Luginën trekomunëshe të Preshevës (1999-2001) deri në kohën e “Marrëveshjës së Kunçillit”, gjithashtu edhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në luftën tjetër, në Luftën e Maqedonisë (2001) deri në kohën e “Marrëveshjes së Ohrit”.

“Epopeja e Koshares”, ish-Brigada 138 “Agim Ramadani” , janë vlerësuar e nderuar me Titull Nderi/ Çmimin e Lartë “Lavdi Kombëtare” nga “Takimi i Madh i Tiranës”, Takim PanShqiptar- NdërBallkanik- EuroAtlantik, me tematikë: Histori- Identitet- Integrim, mbajtur më 12 të dhjetorit 2023, në “Tirana International Hotel & Conference Centre” (salla “Balsha”) me 378 të Ftuar Nderi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e Sanxhaku, Ballkani Perëndimor, Europa, Amerika, Australia, etj.

4.

Memoriali i Epopesë së Koshares, si pjesë unitare e Kompleksit memorial muzeal natyror, që do të ngrihet mjaft bukur dhe do të përurohet sivjet (2024) me një ceremoni solemne e festive në Tropojë, do të ketë të gdhendur në 11 pllaka të gurta, të mëdha e disi të larta, emrat e 114 heronjëve të Epopesë së lavdishme të Koshares, të cilët janë vlerësuar e nderuar me Urdhrin ma të lartë Presidencial “Hero i Kosovës”.

Kjo Epope e gjatë 67 ditore e Koshares, me disa beteja luftarake vendimtare, ka ma shumë heronj të shpallur se sa çdo epope tjetër mbarëshqiptare, ndër shekuj.

Kjo Epopeja lavdiplote e Koshares ka heronj, ka të plagosur, kishte luftëtarë, nga e gjithë gjeografia rajonale e Republikës së Kosovës, si edhe nga Shqipëria, nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, nga Mërgata Shqiptare në Botë.

Aty, në këtë Memorial, veçmas, tek një pllakë e gurtë, ma e para në renditim, do të jenë të skalitur bukur emrat e ndritur të dy komandantëve heronj legjendë e legjendarë në Epopenë e Koshares: Sali Çekaj dhe Agim Ramadani.

Sali Çekaj (“Veterani”)- “Hero i Kosovës” (u lind më 22 të qershorit 1956, në Pejë- i vrarë me 19 të prillit 1999, në Koshare), një ndër themeluesit e parë (1991) dhe një ndër drejtuesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një jurist, politikan, ushtarak i shquar i Kosovës e i Kombit të tij.

Agim Ramadani (“Katana”)- “Hero i Kosovës” (u lind me 3 të majit 1963, në Gjilan- i vrarë me 11 prill 1999, në Koshare), ushtarak i lartë i karrierës me Akademi Ushtarake në Zagreb të Kroacisë, poet, piktor(Antar Nderi në Akademinë Europiane të Arteve), luftëtar e komandant në dy luftëra në dy shtete ballkanike: Kroaci e Kosovë, një nga komandantët më të shquar të UÇK-së.

5.

Në mes të Memorialit të Epopesë së Koshares, qendror, ballor, në lartësim 3.1 metra, do të jetë një nga heronjtë lavdiplotë të saj, Bylbyl Hazir Breçani i Dardanisë Alpine, i lindur në mëngjesin e të hënës, me 13 të majit 1974, në fshatin historik, kulturor e turistik Markaj (lagjia Breçani), Njësia Administrative Bujan (krahina Krasniqe), Bashkia Tropojë, ku, sivjet, në ditën e 50 vjetorit të lindjes së tij (13 maj 2024) do të përkujtohet nga Shqipëria dhe nga Kosova me një Akademi Jubilare Solemne, në “Tirana International Hotel & Conference Centre” (salla “Balsha”), me rreth 300 të Ftuar Nderi, në kryeqytetin e Shqipërisë.

Prindërit e tij (të ndjerë) Hazir Selim Breçani (bacaloku/mixhoku) dhe nënëmadhja Kajde Fetahu Breçani (e Mustafaj, krahina Iballe, Fushë Arrëz/Pukë) kishin 7 fëmijë, 4 djemë (Bylbyli, i treti) dhe 3 vajza, të cilët u rritën në një mjedis të madh familjar atdhetar, me tradita e virtyte të larta, të pushkës e të penës, të punës e të këngës, të vrrinit e të bjeshkës, në mes “Qytetit të Alpeve” dhe fshatit të tyre nën kurorën e masivit më të madh të gështenjave në Ballkan.

Paraardhës të heroit Bylbyl Hazir Breçani, shumë kusherinj të afërt, bashkëvendas të tij, të gjakut e të pragut, Kurt Zmjal Rrukajt e Markajve (barqet: Breçani (Bashota, Zeka); e Kurtzmajlajt; e Mulajt (Seci, Zllame); e Logu (në Markaj e Bujan); e Zenelaj (e Kobile), ishin luftëtarë aktiv në kryengritje e luftëra lokale, rajonale e (ndër)kombëtare me serbo-malazezët, turqit (otomanë) e ndaj çdo pushtuesi tjetër, si në Moraçë e në Plavë-Guci (Mali i Zi i sotëm), në Gjakovë, Prizren, Shtimje-Slivovë… (Republika e Kosovës), deri në Shkup (Maqedoni e sotme e Veriut), në Tropojë, Shkodër…(Shqipërinë Londineze), deri në Sanxhak të Tregut të Ri (RS) etj., të cilët ndër Kohëra të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të Reformave të Tanzimatit, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes “Besa-Besë” të Pejës, të Shpalljes së Pavarësisë, të të Dy Luftërave Ballkanike e Botërore, të prirë nga prijësit e tyre bajrak, ideator e luftarak të fisit lavdimadh Krasniqe, si Binak Alia, Sokol Rama, Mic Sokoli-“Hero i Popullit”, Haxhi Zeka, Man Avdia, Qerim Delia, Bajram Curri, Sali Mani e të tjerë, të cilët i dhanë Kombit Shqiptar disa “Dëshmorë të Atdheut”, si: Ukshin Islam Hasukaj (Gjakovë,1878), Zeqir Cok Logu (Gjakovë,1878), Zeqir Hajdar Hasukaj (Qafë Morinë,1909), Zoge Islam Breçani (Qafë Kolçi,1913), Islam Fazli Breçani (Qafë Kolçit,1913), Halil Zenun Mulaj (Bujan,1918), Mehmet Bek Seci (Lezhë,1924).

Gjyshi i heroit Bylbyl Hazir Breçani, atdhetari Selim Zek Breçani, së bashku me kushërinjtë e tij, si Brahim Shaban Breçani e të tjerë, ishte luftëtar përkrah Bajram Currit- “Hero i Popullit”, ndërsa dy xhaxhallarët e tij, Cen Selim Breçani dhe Shaban Sadik Breçani u rreshtuan në rradhët e Ushtrisë Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.

6.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) përgjatë gjithë Dekadës ’90, në të gjitha vitet 1991-’99, e kishte Malësinë e Gjakovës (Tropoja), një nga bazat e saj më të fuqishme e të përhershme të përgaditjes së luftëtarëve të lirisë e të drejtuesve të tyre ushtarakë, të furnizimit me armë të ndryshme luftarake, të strehimit mikpritës familjar e të përkujdesit spitalor të shqiptarëve të shpërngulur me forcë nga dhuna e përgjakshme e genocidi serbo-sllav millosheviçian. E, një ndër këto baza lokale të rëndësishme gjeostrategjike, natyrore e luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte edhe lagjia Breçani e fshatit Markaj, përndryshe: “Breçanët e Kosovës”.

Kësokohe, herët, prej nga viti 1997, aty, te “Tunelet e Breçanit”, atdhetari kombëtar, heroi Bylbyl Breçani, bie në kontakt me UÇK-në, takohet e bashkëpunoi për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, me dy nga ma të parët martirë e nga më të shquarit e UÇK-së, si: me Adrian Krasniqin nga Peja, “Hero i Kosovës” (1969-1997) dhe me Ilir Konushevcin nga Podujeva, “Hero i Kosovës” (1969-1998).

Mbasandejna, tevona, Bylbyl Hazir Breçani, “Hero i Kosovës”, takohet e mirëbashkëpunoi gjatë, deri në fund të jetës së tij, edhe me ushtarakët e lartë të Epopesë së Koshares, me dy nga ushtarakët e shquar: me Rrustem Berishën, me shkollë të lartë ushtarake në Sarajevë (B+H), një nga komandantët e terrenit në Luftën e Kroacisë për Pavarësinë e saj nga Jugosllavia Federale dhe Komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare, ish Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ish-deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me ushtarakun Hisen A. Berishën- një ndër ish-komandantët e njohur në Epopenë e Koshares, deputet aktual e aktiv në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Heroi i Kosovës” Bylbyl Hazir Breçani, 25 vjeçar, në shkurt 1999, mobilizohet vullnetarisht e aktivisht në formacione ushtarake të Epopesë së Koshares, i cili kishte aftësi e përvojë ushtarake të përfituar përgjatë shërbimit ushtarak në dy vite të qëndimit e stërvitjeve në në Pukë, i specializuar edhe për raketa në Tiranë e, në fund, edhe në Kukës (1994-‘95).

Bylbyl Hazir Breçani- “Hero i Kosovës”, bashkë me eprorët e tij të afërt, direkt, me ushtarakët e shquar Rrustem Berisha dhe Hisen Berisha mori pjesë në thyemjen e kufirit mes shqiptarëve më 9 prill 1999, në betejën legjendare të Koshares- një nga luftërat monumentale të Kombit Shqiptar, ku në mes të breshërive të plumbave të serbëve e uli nga shtiza e lartë flamurin e Serbisë shovene millosheviçiane dhe e ngriti fitimtar Flamurin Kombëtar Shqiptar bash në Postën e Kamenicës, aty në Koshare. Përndryshe, e cilësuan prej asokohe, në shpeshti, në biseda e shkrime, edhe “Bylbyli i Flamurit”. Akti i tij i lartë i ngritjes së Flamurit, asokohe, atë ditë lavdie, do të shënonte fitoren e kësaj beteje historike madhore shqiptare me thyemjen e kufinit të padrejtë Kosovë-Shqipëri.

Në periudhën kohore prej shkurtit deri në qershor 1999 pjesmarrja e heroit Bylbyl Hazir Breçani në luftime të ndryshme e të shumta ishte aktive, e dallueshme, shumë e gjerë, e madhe: prej nga Rrasa e Zogut në Koshare, nga Juniku në Deçan, nga Rrasa e Zogut në Koshare dhe nga Isniqi në Pejë.

Heroi Bylbyl Hazir Breçani, shumë shpejt, u bë i njohur e i vlerësuar nga bashkëluftëtarët dhe eprorët e tij. Ai nuk mbeti përjetësisht vetëm një ushtar i thjeshtë, por edhe një drejtues i denjë, një luftëtar i frontit të parë, ballor, sakrifikues deri në dhënien e jetës së tij të re për Kosovën, për Shqipërinë, për Kombin Shqiptar.

Komandanti i shquar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, thoshte se: “Bylbylin e kam krahun e djathtë, se janë këta Bylbyla që na e prunë lirinë dhe e naltësuen Shqipërinë”.

Ndërsa ushtaraku i mirënjohur, Hisen A. Berisha, thoshte se: “Bylbyli ishte i papërmbajtur, nuk pyeste për plumbat serbë, e sado e këshillonim që të kishte kujdes, ai thoshte se:“unë e kam realizuar planin, le të ndodhë çka të donë…””.

Më 25 qershor 1999, heroi Bylbyl Hazir Breçani niset me disa shokë për t’i nxjerrë dy luftëtarë shqiptarë të Kosovës të mbetur në fushën e luftës, të mbetun pa u varrosur. Në këtë aksion të guximshëm ai bie në tokë të minuar me mina të ushtrisë pushtuese, aneksuese e shovene serbe millosheviçiane, në Shkozë të Mulliqit në Koshare, komuna Gjakovë e Kosovës. Aty, Bylbyl Breçani, e dha jetën e tij të re në moshën 25-vjeçare, bashkë me Ali Fejzullahun nga Mitrovica dhe plagoset rëndë Isuf Mulliqi. Kështu e mbylli jetën me lavdi të plotë Bylbyl Breçani- “Hero i Kosovës” dhe u varros me nderimet më të larta nga populli i Tropojës e bashkëluftetarët e tij të Luftës së Kosovës që e përcollen nën breshërinë e armëve.

Eshtrat e tij tani prehen në Memorialin e Koshares në Gjakovë, në tokën ku ai e derdhi gjakun e tij për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, për integrimet e bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë,

7.

Luftëtari trim, triumfues e vetësakrifikues për Lirinë e Pavarësinë e Republikës së Kosovës për bashkimin kombëtar shqiptar, për demokracinë e integrimet shqiptare, Bylbyl Hazir Breçani, është vlerësuar e nderuar me Urdhërin “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi (2019), me Çertifikatën “Dëshmor i Atdheut” në Shqipëri (2004); me Çertifikatën “Dëshmor i Kombit” në Kosovë (2017); me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj (2019); me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Bashkisë Tropojë (2018); “Qytetar Nderi” i komunës së Bujanit (Krasniqe, Tropojë).

Një nga simbolet e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Epopenë e Koshares (9 prill 1999) dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e të Luftës për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës (1997-’99), heroi Bylbyl Hazir Breçani, ndonëse e mban dekoratën më të lartë nga Republika e Kosovës, si Dekorata Presidenciale Urdhri “Hero i Kosovës” etj., nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, në mbi një çerek shekulli kohë prej nga veprimtaria dhe rënia e tij, nuk i është dhënë asnjë dekoratë e lartë, si “Nderi i Kombit” apo “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” etj.

Emrin e Bylbyl Hazir Breçanit- “Hero i Kosovës” në Republikën e Kosovës e “Dëshmor i Atdheut” në Republikën e Shqipërisë, e mbajnë edhe një rrugë në qytetin Bajram Curri (prej nga qëndra e qytetit alpin e dekterit në fshatin e tij të lindjes Markaj, e asfaltuar vitin e kaluar nga Bashkia e Tropojës) dhe një tjetër rrugë në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, sikurse edhe shkolla në fshatin e tij të lindjes, në Markaj të Njësisë Administrative Bujan, në Bashkinë e Tropojës.

Heroi Bylbyl Hazir Breçani është vlerësuar e nderuar me Mirënjohje edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, nga organizata të tjera të dala nga Lufta e fundit e Kosovës, nga Shoqëria Civile etj.

Në vlerësim e nderim të veprimtarisë, të kontributeve e të figurës së heroit Bylbyl Hazir Breçani, në 20-vjetorin e rënies së tij, me 24 të qershorit 2019, në Muzeun Historik në Tiranë (salla UNESCO), u mbajt një Akademi Përkujtimore Jubilare, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjithashtu, në këtë Përkujtim jubilar akademik (2019) u shpallen edhe fituesit e Konkursit Kombëtar Poetik për Heroin e Luftës së Kosovës e Dëshmorin e Shqipërisë, Bylbyl Hazir Breçanin.

Në dhjetor 2021, në Tiranë, u themelua Çmimi i lartë “Bylbyl Breçani”, ku, për herë të parë, me këtë Çmim, u nderua Shoqata e Veteranëve të Luftës të Brigadës 138 “Agim Ramadani” e Epopesë së Koshares. Akademia Përkujtimore Jubilare për Bylbyl Hazir Breçanin (që do të mbahet në “Tirana International Hotel & Conference Centre”, salla “Balsha”) me 13 maj 2023, ditë e martë, në Tiranë, do të ndajnë listnor/shpallin Çmimin e Latë “Bylbyl Breçani” për 113 Heronjtë e Kosovës të Epopesë së Koshares dhe për disa luftëtarë e kuadro të ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Epopesë së Koshares historike.

8.

Memoriali i Epopesë së Koshares dhe Shtatorja e heroit të saj, Bylbyl Hazir Breçani, ky Kompleks skulpturor muzeal, është vepër e skulptorit të mirënjohur Isa Baliaj-“Mjeshtër i Madh”, është një nga veprat e tij skulpturore më të mira dhe një nga ma mirat e memorialeve e shtatoreve (të komplekseve të tilla) të ngritura në nderim e përjetësim të historisë kombëtare shqiptare e të figurave të shquara historike në Shqipëri e në Kosovë.

Skulptori i shquar Isa Baliaj, mjeshtër me përvojë e arritje lartnore mbi gjysëm shekullore në fushën e artit, është autor i Monumentit të Azem Hajdarit në Tropojë (1963-1998), Liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, “Hero i Demokracisë”, mbartës i dekoratës më të lartë Presidenciale të Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”; autor i shtatoreve të Ali Ibër Nezaj në Gjakovë e në Tropojë (1835-1900), të njërit nga figurat më të shquara dhe kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i dekoruar me Dekoratat Presidenciale, si: me Urdhrin “Për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë” (Tiranë, 1978), me “Urdhëri i Lirisë” (Prishtinë, 2012), “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” (Tiranë, 2016), “Hero i Sanxhakut” (10 qershor 2023); autor i shtatores së Baba Shejh Nesim Dervishdana në Gjakovë, (1964-1981)- “Dëshmor i Kombit” (Kosovë); autor i shtatores së Agron Osman Rama në Gjakovë (1972-1999)- “Hero i Kosovës”; autor i shtatores së Beg Rizaj në Deçan- luftëtar pjesmarrës në katër luftëra, Martir i Kombit Shqiptar (1977-2015) e të tjera, e të tjera.

9.

Ngritja e Shtatores së heroit Bylbyl Hazir Breçani në Tropojë, kryehere, prej nga koha e pandemisë covidiane, ishte një nismë e drejtuar Bashkisë së Tropojës nga Ministria e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, në Prishtinë, e vet ish-Ministrit të saj, Rrustem Berisha i Epopesë së Koshares historike dhe e stafit të tij të kabinetit ministror, si Ramadani, Trezhnjeva e të tjerët.

Bashkia e Tropojës, vet kryetari i saj dy mandator Rexhë Byberi, e mirëpritën kërkesën e Prishtinës zyrtare, e të lidershipit ushtarako-politiko-shoqëror të Epopesë së Koshares. Atëherit, kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, pasaardhës i të shquarit Haxhi Zekë Byberit të Lidhjes Shqiptare “Besa-Besë” të Pejës, i shpalosi vizionet e tij institucionale, atdhetare, arkitekturore, artistike, kulturore, turistike, etj. për të ngritur (krahas Shtatores së heroit tropojas e kombëtar, Bylbyl Hazir Breçani) edhe Memorialin e Epopesë historike të Koshares legjendare, duke krijuar kështu e kësisoj një Kompleks të veçantë, të bukur, të madhërishëm skulpturor, arkitekturor, muzeor, etj. në Rrugën “Bylbyl Breçani”, rrugë qytetëse që të çon drejt vendlindjes së heroit dhe ish-bazës së UÇK-së, në Markaj. Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, edhe në kuadrin e këtij projekti të madh të Kompleksit (Memoriali e Shtatorja) e ndërmori dhe e mirë kreu punën për asfaltimin krejtësisht e cilësisht në standarte të larta të kësaj rruge, që niston me këtë kompleks: Memorialin e Epopesë së Koshares dhe Shtatoren e heroit Bylbyl Breçani,

Ky Projekt i rëndësishëm, i mbështetur e miratuar ma herët nga Këshilli Bashkiak i Tropojës dhe nga Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana, mori udhë realitetore nga Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, me organizimin e disa takimeve institucionale nivele larta të Bashkisë e Këshillit Bashkiak të Tropojës, si me Takimin e 19 dhjetorit 2021 dhe me 10 tetor 2023 në zyrën e Kryetarit të Bashkisë në Bajram Curri, si dhe Takimi ma i fundit, me 12 dhjetor 2023, në sallën “Bogadani” tek “Tirana International Hotel & Conference Centre”, në kryeqytetin e Shqipërisë, takime në të cilat merrnin pjesë personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëri (Tropoja e Tirana) dhe nga Kosova (Prishtina, etj.) etj. dhe u diskutua e miratua Projekti i Memorialit të Epopesë së Koshares e njërit prej heronjëve të saj, Bylbyl Hazir Breçani i Malësisë së Gjakovës.

Me 14 prill 2022 u miratua edhe një Këshill i ngritjes e përurimit të Memorialit të Epopesë së Koshares dhe të Shtatores së heroit Bylbyl Hazir Breçani, një Këshill Organizativ, Miratues e Realizues i këtij Kompleksi skulpturor e muzeal, me përfaqësues zyrtarë/antarë nga Shqipëria e Kosova, duke përfituar nga përfshirja ndër gjeopolitike edhe statusin e një Këshilli Kombëtar.

Kryetar i këtij Këshilli Kombëtar të Ngritjes së Memorialit e Shtatores (Kompleksit) është Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi dhe Nënkryetar është Rrustem Berisha, ish Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës dhe ish Komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani në Epopenë e Koshares, pjesmarrës në dy luftëra kombëtare në Ballkan: në Kroaci dhe në Kosovë, ish deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Antarë të këtij Këshilli janë edhe politikani e ushtaraku i lartë, Anton Quni- deputet aktual në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ish Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ushtarak i karrierës me Akademi Ushtarake, një nga komandantët në Epopenë e Koshares; Abedin Kërnaja- Nënkryetar i Bashkisë Tropojë; dr. Islam Lauka- ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, ish Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Organizatave Ndërkombëtare në MPJ të Shqipërisë, autor i disa monografive studimore për Kosovën; gjeneral Fadil Hadërgjonaj, ish Komandant i Forcave Tokësore të FSK, një ndër komandantët në Epopenë e Koshares; Agron Jusufi- Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të ish Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Epopesë së Koshares; Feriz Trezhnjeva- kolonel, një ndër komandantët e Epopesë së Koshares dhe Këshilltar i lartë i dy ministrave të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës; Fatmira Breçani- këngtare kombëtare, Mjeshtër e Madhe, e dekoruar edhe nga Kosova me “Medalje Presidenciale e Meritave”; Nuredin Seci- shqiptaro-amerikan, ish zyrtar i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, ish kuadër i lartë i Qeverisjes Vendore në Tropojë, biznesmen në Amerikë; Nuredin Ahmetaj- ish Kryetar i Bashkisë Tropojë; Artan Baliaj, arkitekt i mirënjohur në Tropojë e në dekadat e fundit edhe në Tiranë; Lulzim Logu- poet, shkrimtar, studiues, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve të Tropojës; Ramiz Lushaj- gazetar, studiues, botues, Kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” në Shqipëri e në Kosovë, etj., ish zyrtar në DSHTD të MPJ të Shqipërisë, Drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, e të tjerë.

Antare e këtij Këshilli Kombëtar është edhe Farie Hazir Hasanaj, motra e heroit Bylbyl Hazir Beçani, e cila ka marrë besimin dhe ka statusin e përfaqësuesit në marrëdhëniet donatore/kontributore në fushatën për mbledhjen e fondeve për realizimin, ngritjen e përurimin e Shtatores së heroit Bylbyl Hazir Breçani e të Memorialit të Epopesë së Koshares, duke hapur dhe llogari (konto) bankare në Lekë, Euro, Dollarë Amerikan, Franga Zvicerane e Paund Britanik, në Raiffeisen Bank në Shqipëri, me numër telefoni të saj, vetjak: 00355 69 984 5450 dhe me E-mail: memorialidheshtatorja2024@gmail.com edhe memorialidheshtatorja2024@yahoo.com, ku pas komunikimeve në telefon apo me e-mail ua përcjellë numrat e llogarive përkatëse të interesuarëve, individë, shoqata, institucione, që dëshirojnë të kontribuojnë me fonde monetare donatore/humaniteti etj.

Memoriali i Epopesë së Koshares dhe Shtatorja e heroit Bylbyl Hazir Breçani, ky Kompleks skulpturor, arkitekturor e muzeal i një rëndësie e madhështie të veçantë, do të përurohet së shpejti në qytetin Bajram Curri, në qëndren administrative të Bashkisë Tropojë, përgjatë vitit 2024.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT