• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË DITËN E PAVARËSISË KOMBËTARE, 2023

November 28, 2023 by s p

Dokumenta të Agimit të Lirisë: “Memorandumi i shqiptarëvet që kanë dalur maleve”

Nga Frank Shkreli

A group of people standing in front of a flag

Description automatically generated

Në numrin e revistës mujore kulturore “Leka”*, numri 4, prill, i viti 1937, botohej “Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane.  Memorandumi që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910) është një thirrje drejtuar jo vetëm Perandorisë Osmane, por edhe “Botës së qytetnueme të Evropës”, ku shprehen pakënaqësitë dhe padrejtësitë nga “Shqiptarët e Dalun Malevet” dhe në të cilin i paraqiten qeverisë otomane kërkesa specifike si dhe plotësimin e tyre.  Ata shprehen se, “Me anën e ksaj, na Shqiptarët që gjindemi malevet, po paralajëmorjmë hyqymetin e sotshme të Perandorisë Ottomane si dhe gjithë botën e qytetnueme t’Evropës se i vetmi shkak që na jemi bamun firare edhe kemi dalë malevet ashtë Qeveria Ottomane vetë. Me të vërtetë, po të mos ishim bamu firare, kush na siguron se shumë prej nesh – në mos të gjithë –do të mos ishim varun,do të mos ishim burgosun, ose do të mos ishim bamun syrgjyn si shumë prej shokëve tonë, megjithqë nuk kemi  tjetër faj, përveç se Zoti na ka bamun Shqiptarë dhe na dëshirojmë që të aresohemi me anë të gjuhës  t’onë amtare dhe të vdesim Shqiptarë.”

Malësorët thonë në Memoradumin e tyre drejtuar Qeverisë Otomane dhe “botës së qytetënueme”– në një kohë kur Evropa i quante Shqiptarët njerëz të egjër barbarë e kundërshtarë të çdo përparimi, siç është shprehur At Gjergj Fishta në shkrimin Lot e Gjak — se ata nuk kanë dalë maleve për të rrëmbyer ose për të vrarë ndonjë njeri. “Përkundrazi”, theksojnë ata, “Kemi dalë për një qellim të shënjtë për me i kallzue botës se nuk jemi të kënaqun me Qeverinë e sotshme të Perandorisë Ottomane, për me protestue mbe botën e qytetnueme për të gjitha pa drejtësitë që ashtë tue bamë sot kjo Qeveri kundër Kombit Shqiptar dhe për me luftue deri me nji, derisa Qeveria turke të bindet dhe të mbushë kërkimet t’ona.”

A group of people standing on a balcony

Description automatically generated

Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.  Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre:

Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.  Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre:

1)“Një falje të përgjithshme për të gjithë vëllaznit tonë Shqiptarë, qofshin ata

Musylmanë, qofshin Kristianë, të dënuem për politikë.

2)Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët, Musylmanë edhe Kristianë që të aresohen me anën e gjuhës amtare, me shkronjat tona kombtare.

3)Liri të plotë që të hapen të gjitha shkollat shqip të mbylluna prej Qeverisë; liri të plotë për të dalë të gjitha gazetat shqip të ndalume nga Qeveria dhe të hapunit e Shtypshkronjës Shqip që ka mbyllun Qeveria.”

A painting of a person holding a flag

Description automatically generated

Këto ishin tri kërkesat bazë të Memorandumit të malësorve kryengritës të “dalur maleve”, por ata njëherazi  ngulnin këmbë që qeveria otomane — për hir të qetësisë dhe përparimit të vendit të tyre – të plotësonte edhe një numër kërkesash të tjera. Kërkon që mësuesit të mos jenë turq, por shqiptarë, pasi “ata dijnë gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit”, dhe që qeveria të jepte, “Urdhër zyrtarisht që gjuha shqip të mësohet nepër të gjitha shkollat që gjënden në Shqipni, jo me shkronjat arabisht, por me shkronjat tona kombëtare.”

Duke paraqitur këto kërkesa, natyrisht, se pas pas 500-vjet robërimi otoman, ata kishin si shqetësim kryesor ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës e të kulturës shqiptare, por ishin të shqetësuar edhe për mirëqenjen e popullit në përgjithësi dhe konsideronin si të rëndësishëm edhe zhvillimin ekonomik  dhe bujqësor të vendit.  I kërkonin qeverisë otomane, “Të hapi Shkolla bujqësie, tregtare dhe normale në tre ose katër qytete të mëdha të Shqipënisë dhe që të gjitha shkrimet të jenë shqip me shkronjat tona kombëtare.”  Në memorandumin e tyre ata nuk shpreheshin kundër pagesës së taksave, por vendosmërisht kërkonin që ato, “të holla të përdoren për me bamun xhade dhe udhë të hekurta në Shqipni.”

Këto ishin mjaft kërkesa të avancuara për atë kohë, nga një popull i shtypur për 500-vjet. Kërkonin që qeveria otomane,“Të hapi banka bujqësie, të cilat t‘u japin Shqiptarëve të holla për me blemun vegla dhe maqina për me punuem vendin e tyne dhe kështu të mundin të fitojnë për të rrojtur…”

Madje, i bënin thirrje qeverisë otomane që “të lejojë kapitalin e huaj  të hyjë në Shqipëni, për tregti  e për bujqësi…por që këto kapitale të mos kenë prapa tyne ndonji propagandë të huaj…”

Përveç këtyre kërkesave, Memorandumi përmbante edhe një paralajmërim të fortë për qeverinë otomane dhe për botën tjetër nëqoftse këto kërkesa nuk do të plotësoheshin: “Le t’a dijë mirë e tanë bota e qytetnume dhe veçanërisht Qeveria e Perandorisë Ottomane, se të gjithë Shqiptarët, Toskë e Gegë, nuk do të pushojnë së luftuari për këto tri kërkime, që thamë më sipër…” dhe se , “Të gjithë me anën e kësaj, po e lajmërojmë hyqymetin e Turqisë se e morëm ftesën që na dërgoi, me anë të cilës na jepte haberin se na falë fajin që kemi bamun.?!dhe na këshillon që të zbresim nga malet dhe të kthehemi nëpër shtëpiat tona.”

“Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane, e që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910), vendosmërisht i përgjigjet qeverisë otomane duke i thënë se, “Fjala e jonë e fundit për Qeverinë Ottomane ashtë se nuk kemi bamun ndonji faj dhe nuk do të këthehemi të gjallë në katundet tona derisa kërkimet që numëruam në këtë shkresë do të mos mbushen dhe gjersa të mos marrim siguri të plotë se kurrë ndonjë herë tjetër do të mos shkelen” më, këto liri e të drejta.

*(Burimi:Revista e përmuajshme “Leka”, botimi I klerit katolik shqiptar dhe organ i shoqatës LEKA, themeluar më 9 dhjetor 1928 në Shkodër, shërbente si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike. Numri I parë doli në qarkullim, në prill të vitit 1929. Në vitin 1941, botimi I saj u ndërpre përkohësisht, ndërsa në vitin 1942 doli një botim i veçantë me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Leka” do të botohej deri në vitin 1944, kur u mbyll nga regjimi komunist I Enver Hoxhës. (Ribotim)

Filed Under: Mergata

Flamuri kombëtar valëvitet në Boston, shqiptarët në festë

November 27, 2023 by s p

Dhjetëra patriotë shqiptarë me banim në Massachusetts dhe jo vetëm, ngritën Flamurin kombëtar shqiptar në sheshin e Bashkisë së Bostonit, krah atij Amerikan! Një ceremoni e shkëlqyer që ngriti zemrat peshë. Me bekimin e kryetares së Bashkisë së Bostonit Michelle Wu, përfaqësuesja e se cilës lexoi pershendetje në emër të saj, duke cilësuar komunitetin shqiptarë ndër më të rëndësishmit në Boston! Me pas hirësia e tij, peshkop Theofan Koja drejtues i peshkopates shqiptare njëherazi kryetari i përkohshëm i Vatrës në Boston bekoi Flamurin Kombetar Shqiptar i cili u ngrit pranë sheshit të Bashkisë së Bostonit! Në ceremoninë e ngritjes së Flamurit, për nder të festave të nëntorit folen edhe përfaqësues të ndryshëm të komunitetit shqiptarë në Boston e më gjërë! Në këtë ceremoni të jashtëzakonshme nuk munguan valle dhe muzikë autentike shqiptare në qendër të Bostonit! Gjithashtu, sot në Boston nje grup shqiptaresh patriotë organizuan për të disatin vit paradën me makina e flamuj shqiptarë nëpër rrugët e Bostonit! Ceremonia për ngritjen e flamurit u bë nga MassBesa!Një aktivitet i shkëlqyer patriotik që është kthyer në një traditë në nder të flamurit kombëtar shqiptar, lirisë e pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Mergata

The 111th Anniversary of Albanian Independence Day

November 25, 2023 by s p

The 111th Anniversary of Albanian Independence Day.

Filed Under: Mergata

Athanas Tashko(1863-1915) figurë e shquar e kolonisë shqiptare në Egjipt

November 23, 2023 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Në verë të vitit 1979 u nisa nga Universiteti i Prishtinës për në Kajro me një bursë për të hulumtuar atje “shqiptarët e Misirit”,përkatësisht për Koloninë shqiptare në Egjitpt,e cila ishte një ptrej qendrave të Rilindjes kombëtare shqiptare. Atje kisha fat të takohem me veteranët e mbetur e asaj kolonie si Qerim Haxhiut(1920-2008) e Musa Shehut(1913-1998)që mbajtën gjallë frymën e trashigëminë e asaj kolonie dhe që më furnizuan me materiale burimore për atë koloni. Atje mësova mirë për Athanas Tashkon dhe për kontributin e tij të madh në theksimin e frymës kombëtare shqiptare me anë të mbledhjeve,shoqërive,shkrimeve dhe letrave përballë dy drejtimeve që i konsideronte rrezik për idealin kombëtar shqiptar: grekomenët dhe turkomenët.Me të kthtyer në Prishtinë e përgatita një fejton në 10 vazhdime me titull “Shqiptarët e Egjiptit” për gazetën “Rilindja”,i cili u prit si halvë në atë kohë. Kjo përthamë e botuar ishte pikënisje për shumë hulumtime dhe shkrime deri kur m’ u botua monografia për shqiptarët e Egjiptit në shqip (Prishtinë 2016 dhe Shkup 2022) dhe në arabisht (Kajro 2017),në të ciliën A.Tashko u prezentua si figurë e shquar e asaj kolonie.

A.Tashko u lindë më 1863 në Frashër të Dangëllisë dhe në moshëm 20 vjeçare u nis me dy vëllazrit për në Afrikë në kuadër të migrimit për punë që e karakterizonte jugun e Shqipërisë. Vëllazërit u ndanë në fund të shek. XIX dhe A.Tashko u vendos në Egjipt,që u bë atëherë vend tërheqës për shqiptarë të jugut sa që kolonia shqiptare u bë e pesta në Egjipt nga numri pas asaj italiane,greke,angleze dhe frenceze.

Shqiptatët u shpërndanë në shumë qendra të Egjiptit nga Aleksanderia në veri deri në Asjut në jug. A. Tashko zgjodhi të vendodset në Fajum,buzë Liqenit Karun,nja 100 km në jugperëndim të Kajros,një vend që tërhiqte turistët për bukurinë e vet. Atje,A.Tashko e hapi në fillim një kafe që i shkoi mirë,e pastaj hapi një hotel(Meoris) buzë liqenit që po ashtu i shkoi mirë me ardhjen e turistëve.Me lulzimin e punës,A. Tashko ishte tani në gjendje të merret aktivisht me çështjen kombëtare shqiptare jo vetëm në nivel të Egjiptit por edhe më gjer,në Rilindjen kombëtare që e kishte për qëllim pavarësinë shqiptare.

Në kafja,sikurse në hotel,A.Tashko u kujdes të furnizohet lokali me shtypin kombëtar që delte në Egjipt dhe në kolonitë tjera,të priste për konsultime e kuvendime figurat shqiptare .Kështu,në një foto nga 1905 para hotelit,ai shihet me Jovan Mitkon,Jani Vruhon dhe Fan Nolin.Noli kishte ardhur në Fajum më 1903 si mësues i gregishtës,por në kontak dhe me ndihëm e A.Tashkos filloi të merret me përkthime dhe shkrime,duke përfshirë veprën e Sam Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë,ç’është e ç’do të bëhët”. Këtu vlen të përmendet se në luftë me kregomenët dhe për liturgjinë në gjuhën shqipe,A.Tashko e nxiti Nolin për të shkuar në Amerikë më 1906 që ta kryejë atje misionin e vet.

Viti 1907 kishte domethënje për A.Tashkon dhe koloninë shqiptare sepse rritej diferencimi midis dy taborëve në koloni: idhëtarët e pavarësis shqiptare dhe idhëtarët e bashkëpunimit me Greqinë(kregomenët) dhe Turqinë (turkomenët). Duke ndjerë rrezikun prej kësaj ndarje A.Tashkon në bashkëpunim me Jani Vruhon (1863-1931) nxjerr në mars 1907 gazetën satarike “Shkopi”,e cila u bë tribunë kritike për ata që kishin simpati ose iluzione për bashkëpunimin me fëqinjtë,sidomos pas revolucionit kushtatues 1908 në Stamboll,kur turkomenët u paraqiten me pretendime për liri të shpallura.Duke jetuar në Egjipt ai e përdorë një metaforë vendase për ta kritikuar mentalitetin e taborrit tjetërë shqiptarë që nuk u mësua të udhëheq vetvetën drejtë pavarësisë: “Neve shqiptarëtë gjasim me gamiletë të cilat po s’u hoqnë prej kapistre nga një shtazë e huaj,nuku ecijn dot”.

Me botimin gazetës “Shkopi”,sikurse me gazetat tjera që delshin në Egjipt,problemi kyq ishte ai i alfabetit kombëtar. A.Tashko kishte marrë qendrimin e vet largëpamës duke u deklerua për alfabetin e Stambollit përkohësisht deri sa të përmirësohet ose të merret vesh për një alfabet kombëtar: “Na duket se është më mirë dhe e drejtë të ngrohemi tani në këtë oxhak,pak të shtrëmbërë,i cili na shpie tymin drejtë sesa të rimë me duar lidhur e të ngordhim nga të ftohët duke u grindur për oxhakë”. Ç’është e vërteta,shumica e shqiptarëve të Egjiptit ishin nga jugu që janë mësuar me alfabetin e Stambollit. Ndaj,edhe gazeta tjetër “Shqipëria” që e nxorri rilandasi Milo Duçi në Kajro më 1907 e përdori përkohësisht alfabetin e Stambollit.Megjithatë, në saj të qëndrimit të A.Tashko ndaj alfabetit,ai u ftua në Kongresin e Manastirit më 1908,i cili mori vendimin për përdorimine të përkohshëm të dy alfabetave,të Stambollit dhe të Bashkimit,derisa të merret vesh për një alfabet

Kolonia shqiptare kishte kontributin e vet deri më 1912,kur u shpall Pavarësia më 28 nëntor dhe u njoh Shqipëria si principatë e pavarur në krye me Princ Wiedin deri në fund 1913. Një pjesë e rilandasëve të kolonisë shqiptare në Egjipt si A.Tashko, Alelsandar Xhuvani,Sotir Koleja e të tjerë shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në konsoludimin e instirucioneve të reja të Shtetit kombëtar.Kështu,me ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri në mars 1914 arriti A.Tashko me entuziazëm për të parë më në fund Shqipërinë e pavarur për të cilin ka endërruar. Mirëpo,atje e pa rrezikun që e ka ndierë me kohë dhe e demaskuar vazhdimisht: turkomenët nëkrye me Haxhi Qamilin që tani u ngritën me armë në Shqipërinë e mesme për ta rrethuar Prin Vidin në Durrës. Me tërheqjen e Prin Wiedit në shtator 1914 nga Shqipëria u tërhoq i dëshpruar A.Tashko dhe u kthye përsiri te familja që mbeti në Fajum deri kur vdiq më 1915.

Duke përmenduar familjen duhet të shënohet këtu edhe një aspekt i rendësishëm i këtij rilandasi,i cili u kujdes për edukimin e fëmijëve me idealet kombëtare.Prej kësaj familje u shquau disa figura në Shqipëri e shek.XX si Koço Tashko(1899-1984),i cili e kishte mbaruar ekonominë politike në Harvard më 1921 dhe shkoi në Tiranë si sekretar i Fan Nolit ,icili ishte athër deputet si përfaqësues i “Vatrës”.Në rrugë,K.Toshko shkoi në Egjiipt për ta marrë familjen për në Tiranë. Ai më 1922 u bë përfaqësues i Shqipërisë në SHBA me vendimin e Nolit si ministër i jashtëm atëherë, kurse më vonë u bë ambasador në Moskë (1946-1947) dhe zëvendësministër i jashtëm 1947-1955,deri kur u burgos dhe u internua. Vëllai i tij Gaqo Tashko(1905-1967) kreu liceun francez në Aleksandari dhe Fakultetin e Agronomisë në Vjen,kurse kur u kthye në Tiranë u bë ministër i Bujqësisë dhe Pyejve (1950-1954) dhe deputet deri më 1967. Motra e tyre Tefte Tashko(1910-1947) u shqua në fushën e këngës dhe muzikës që nga 1926,e sidomos pasiqë u kthye prej studimeve në Francë më 1935,duke dhënë concerte në Shqipëri e jashtë saj.

Me 100 vjetorin e lindjes së A.Tashko,nipi i tij muzikologu dhe dirigjent i njohur Eno Koço e botoi librin “Athanas Tashko 1863-1915” me kujtime e foto që kishin vlerë,kurse po më 2015 u mbajt në Korçë “konferenca shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Athanas Tashkos” me kumtesa të ndryshme që u botuan më 2016. Megjithëatë,duke marrë parasysh aspekte të ndryshme të aktivitetit të tij kombëtar dhe dalja në dritë të dokumenteve të ndryshme,mendojmë se A.Tashkos meriton t’i botohet një monografi më përshirëse që ndriçon kontributin shumëdimencional të këtij rilndasi me rastin e 110 vjetorit të lindjes.

Filed Under: Mergata

Mid’hat Frashëri: Iluministi i fundit

November 21, 2023 by s p

Çelo Hoxha/

Diku nga fundi i vitit 1922, në një periudhë të vështirë për politikën shqiptare, kur “formimi i një kabineti ka qenë jashtëzakonisht i vështirë”, pasi nuk arriti të gjente mirëkuptim për krijimin e qeverisë as Sami Vrioni, një njeri i moderuar dhe marrëdhënie të mira me të dy krahët politikë, Mid’hat Bej Frashëri ishte shpresa e fundit për ta nxjerrë vendin nga gjendja kaotike e grindjeve për pushtet. Duke vlerësuar që gjendja ishte e pashpresë, Mid’hat Beu nuk pranoi. Përgjigja e tij, siç e risjell Sejfi Vllamasi në kujtimet e veta, është një shprehje lapidare, por që pak ka ngjitur në kujtesën e kombit: “Unë nuk mund ta çnderojë shtëpinë time”.

Këtë përgjigje mund t’a jepte vetëm një njeri me vetëdije të lartë historike. Ajo përcjell ndjeshmërinë e Mid’hat Beut për të mbrojtur emrin e mirë të të parëve të familjes së tij: Abdyl Beu, babai i tij, dhe Naim Beu e Sami Beu, xhaxhallarët e shquar të tij.

Emrin e mirë të familjes së tij, sigurisht, që e nderonin dhe të tjerët. Në 1908, kur Mid’hat Beu u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit në moshën 28 vjeçare, ende pa mbërritur në Manastir, mes një bashkësie njerëzish të gjithë të shquar në çështjen kombëtare, padyshim që emri i familjes ka patur ndikim dhe në nderimin e lartë që iu dha kontributit të tij në çështjen kombëtare.

Katër vjet më vonë, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Mid’hat Beu ishte një autoriteti padiskutueshëm. Kësaj here peshonte më shumë veprimtaria e tij.

Pas vdekjes së të atit, kur Mid’hati Beu ishte veç 12 vjeç, djaloshi u rrit nën kujdesin e dy xhaxhallarëve të tij të shquar, Naim Beu dhe Sami Beu, ndikimi i të cilëve në formimin e tij ndihet gjithandej në veprimtarinë e Mid’hat Beut. “Prej Sami Beut mësova gramatikë, nga Naimi – stilistikë,” kujton më vonë Mid’hat Beu.

Në moshën 15 vjeçare tentoi të shkruante një Dhetregonjë (enciklopedi), dorëshkrimin e të cilës ia çoi xhaxhait të shquar në lëmin e letrave. Naimi Beu i hodhi një sy materialit dhe e këshilloi të lexonte “gjithë sa libra kanë dalë” dhe të mësonte rrënjën e gjuhës, shkronjëtorenë. Këshilla për të mësuar alfabetin sot tingëllon e çuditshme t’i bëhet një adoleshenti, por në kohën e Naim Beut shqipja shkruhej e lexohej nga shumë pak vetë dhe alfabeti nuk ishte standard. Për shkollat shqipe as që mund të bëhej fjalë.

Asokohe shqiptarët mësonin më shpejt gjuhët e huaja. Në moshën 13 vjeçare, Mid’hat Beu shkruante kështu për gjuhët e huaja: “Në frëngjisht kam zotësi e kompetencë të gjerë. Persishten e marr vesh, arabishten e kuptoj, gjermanishten e greqishten i lexoj.”

Në moshën 15-16 vjeçare ai shkëmben letra me personalitete të njohura të kolonive shqiptare në Rumani, Bullgari, Egjipt, Itali etj. Ja ç’i shkruan Ibrahim Temos në 14 nëntor 1896: “Në këtë breg që ndodhemi sot, na është e prerë të dalim me pushkë në dorë, sot për sot. Por në vend të armës të marrim pendën e në vend të gjakut të derdhim myreqpin (bojën). Duhet të presim çdo shpresë nga Despoti. Shpresa është te liritë.”

Në 1987, në moshën 17 vjeçare, Mid’hat Bej Frashëri arrin të botojë një skicë, shumë të shkurtër, në të famshmen e “Albania” e të rreptit Faik Bej Konica. Të pëqleheshe nga Konica, mjeshtri i stilit në gjuhën shqipe, do të thoshte se adoleshenti kishte kaluar një test të madh.

Skica është një ese historike për lashtësinë e shqiptarëve, të cilët thirreshin shqiptarë që në kohët pagane. Në shumë pak fjalë ndihet shqetësimi i ndasive fetare, dhe, për të treguar që, pavarësisht besimit, shqiptarët ishin e njëjta racë dhe komb, ai i nxit shqiptarët të arsyetojnë, me një pyetje retorike: “Me të ngjyer mollë, gjysmën me një ngjyrë e gjysmën me një tjatër, a mund të themi që janë dy copa?”

Në 1898, në moshën 18 vjeçare, Mid’hat Bej Frashëri filloi të shkruante rregullisht në fletoren Kalendari Kombiar, e cila botohej nga Kristo Luarasi. “Vetëm te“Kalendari Kombiar” i motit 1898, nga tetëdhjetë faqe të tij, dyzet e dy faqe janë shkruar nga L. Skëndo,” shkruan historiani Uran Butka. Lumo Skëndo ishte emrin letrar i Mid’hat Bej Frashërit, të cilin më vonë e mori libraria e tij e famshme në Tiranë. Po atë vit, Faik Bej Konica mendonte për krijimin e një komiteti jashtë Shqipërisë që të udhëhiqte programin e përlindjes së Shqipërisë dhe Mid’hat Beun e kishte propozuar si president të këtij komiteti.

Në 1901, Mid’hat Bej Frashëri shkruan për rëndësinë e Lidhjes së Prizërenit dhe Shoqërisë së Stambollit dhe për frymëzimin që shqiptarët duhet të merrnin prej tyre në procesin e zgjimit kombëtar. Në 1902 ai ndërmori një udhëtim në Shqipërinë e Jugut dhe pastaj e braktisi Stambollin. Për të qenë afër Shqipërisë u vendos u vendos në Selanik, si nëpunës i administratës turke, por duke punuar dhe për çështjen shqiptare. Në 1908, pas daljes së kushtetutës turke, Mid’hat Bej Frashëri nisi botimin e gazetës Liria. Ai besonte se Shqipëria mund të bëhej vetëm me punë dhe dije dhe këtë e shprehu që numrin e parë të gazetës, me këshillën që u përsolli shqiptarëve: “Dyfekët, thikat, jataganët – thyejini. Ato armë bëjini plore, bëjini çekanë se tani do rrojtur me djersën e ballit, si njerëz të lirë që na ka bërë Zoti.”

Në Kongresin e Manastirit, 14-22 nëntor 1908, puna e të cilit e orientoi Shqipërinë drejt pavarësisë, Mid’hat Bej Frashëri, 28 vjeç, u zgjodh kryetar i tij. Sipas tij, kongresi ishte një rast i ekspozimit të qytetarisë së shqiptarëve, të shfaqjes me dinjitet në sytë e popullit shqiptar dhe botës. Përpjekja për njësimin e alfabetit ishte, sipas tij, një akt që duhej pasuar me akte të tjera qytetarie që shqiptarët të bëheshin vërtet një popull i kulturuar dhe një komb i civilizuar.

Një vit më vonë, Klubi i Selanikut, i drejtuar nga Mid’hat Bej Frashëri, lëshoi thirrjen për organizmin e Kongresit të Elbasanit, i cili u mblodh në 2 shtator 1909, dhe trajtoi kryesisht çështje të arsimit shqiptar. Mid’hat Beu mori pjesë si delegat i Shkupit, Selanikut dhe Çamërisë. Herën tjetër që u kthye në Shqipëri,Mid’hat Beu kishte statusin e delegatit për në Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912. Staturën e tij në nivel kombëtar e tregon më qartë fakti që ai ishte i vetmi delgat që përfaqësonte më shumë se një krahinë. Ai ishte delegat i Kosovës dhe Elbasanit dhe përmetarët e autorizuan, “me vota të përgjithshme”, që të ishte dhe delegat i nënprefekturës së Përmetit, nëse Veli Beu (Këlcyra) nuk mbërrinte në kohë. Telegrami i përmetarëve, me nr. 1397, ishte dërguar në Vlorë në orën 5 mëngjesit, më 28 nëntor.

Rruga e Mid’hat Beut për në Vlorë nisi nga Shkupi, kaloi nga Elbasan ku mori mandatin e dytë dhe, së bashku me delegatët e tjerë të Kosovës e Elbasanit, vazhduan së bashku drejt vendit ku do të mblidhej kuvendi më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Te lundra e Petovës, në afërsi të Fierit, më 25 nëntor 1912, u takua me delegacionin e prijësit të historisë, Ismail Bej Vlorës.

Në qeverinë e parë në historinë e Shqipërisë Mid’hat Bej Frashëri u ngarkua me detyrën e ministrit të Punëve Botore (sot quhet ministria e Punëve Publike). Një detyrë që nuk zgjati shumë. Tre muaj e gjysmë më vonë, në 17 mars 1913, për “disa arsye të veçanta”, ai dha dorëheqjen nga detyra, duke i premtuar kryetarit të qeverisë se pavarësisht vendimit të tij, ai do të mbetej “një shërbëtor i përunjur dhe besnik i kombit” të tij. Sigurisht, ajo që nuk u shkrua në tesktin e dorëheqjes merrej me mend. Mid’hat Frashëri s’kishte pak kohë që kishte përfunduar një udhëtim në Shqipërinë e Jugut, ndërkohë që Janina ende s’kishte rënë, dhe ai ishte i pakënaqur me rolin e qeverisë së Vlorës në këtë çështje.

Pas Vlorës shkoi në Elbasan dhe punoi mësues në një shkollë fillore. Më vonë, në 1921, nga Elbasani kujton sesi u përpoq me disa shokë të krijonte një parti politike dhe se si pastaj hoqën dorë prej saj për shkak të keqkuptimeve. Shqipëria s’kishte përvojë të tillë.

Ja si e përshkruan ai: “Partija jonë u pandeh kundra Ismail Qemalit. Por kur panë se, jo që s’qemë kundra qeverisë Vlorës, po që ishim anëtarë të saj, atëherë një tok miq zunë të na ndahenë. M’anë tjatër u hoqnë dhe ata që na pandehnin anëtarë të Esat Tiranës, dhe që panë se ishin gabuarë në shpresat e tyre, po me kaqe s’u mbarua. Me qënë se partia që do të bënim në Elbasan – se atëherë ishim në Elbasan – shikohesh si një veprë kundër Ismail Qemalit dhe qeverisë, anëtarët e tij nisnë të formojnë një parti në Vlorë. Eshtë e tepër të them se mi këtë hoqmë dorë dhe ne.”

Detyra e ministrit në qeverinë e parë është posti më i lartë dhe domethënës në jetën e Mid’hat Beut. Në qeverinë e reformuar të Princ Vidit, 28 maj – 3 shtator 1914, Mid’hat Bej Frashëri ishte ministër i Punëve Botore dhe Postë-Telegrafës. Në qeverinë e përkohshme të Durrësit, 25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920, ishte ministër pa partofol.

Me fillimin eLuftës së Parë Botërore, pas largimit të princ Vidit, Shqipëria u zhyt në kaos, u kthye në një vend të vështirë për të jetuar. “Nevoja e një pune” e detyroi Mid’hat Frashërin të shkonte në Itali, në Zvicër, në Bullgari dhe më në fund në Rumani, kur përfundoi i internuar në Moldavi. Udhëtimet e kësaj periudhe u përjetëuan prej tij në një sërë artikujsh.

Në 1919, Mid’hat Bej Frashëri ishte anëtar i delegacionit në konferencën e paqes. Veç punës diplomatike, një rol të rëndësishëm luajti në këtë periudhë dhe puna e tij publicistike, duke u përballur me propagandën e vendeve fqinje kundër Shqipërisë.

Në 25 gusht 1922, me dekret numër 224, Këshilli i Naltë e emëroi Mid’hat Bej Frashërin “si Ministër fuqi-plotë të Shtetit Shqiptar në Uashington.” Në vitet 1923-25 u ngarkua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Athinë, ku ka kryer një aktivitet të dendur në mbrojtje të shqiptarëve të Greqisë, të cilët shteti grek i shpërngulte drejt Turqisë. Korrespedenca e tij diplomatike me ministrinë në Tiranë dhe institucione të tjera, shqiptare ose të huaja, është një dëshmi e pasur e krimit grek që u kurorëzua me gjenocidin grek ndaj çamëve pas Luftës së Dytë Botërore. Në dhjetor 1925, Mid’hat Beu dha dorëheqjen nga detyra dhe u tërhoq nga veprimtaria zyrtare tërësisht. Në vitet 1926-1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”, një nga libraritë më të njohura në Tiranë, e cila është përdorur më vonë si pikë reference në kujtimet e shumë njerëzve për atë periudhë. Pas pushtimit italian, në 1939, së bashku me një grup miqsh, Mid’hat Beu themeloi organizatën politike Balli Kombëtar. Në qershor 1939 u shfaq programi politik i nacionalistëve si shenjë e qartë e rezistencës së organizuar të tyre. Në program flitet qartësisht për pavarësinë e Shqipërisë, zhvillimin e saj ekonomik, ruajtjen e kufijve etnikë, ruajtjen e marrëdhënieve të mira me kombet fqinje dhe mos përkrahjen e asnjë ideologjie.

Pas sulmit gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, me porosi të Moskës, përcjellë përmes Beogradit, në Shqipëri filluan të organizohen dhe komunistët në një qëndresë në dukje kundër pushtuesit fashist, por me kalimin e kohës lufta e tyre degjeneroi në një luftë civile kundër Ballit Kombëtar, me synimin për marrjen e pushtetit në Shqipëri dhe futjen e saj nën influencën e Jugosllavisë. Që në muajt e tyre të parë në pushtet, në 1945, komunistët shpallën kriminelët e luftës, e cila për ironi, fillonte me emrin e simbolit të paqes në skenën politike shqiptare: Mid’hat Bej Frashërin. Një akuzë që ai e meritonte, vetëm nga këndvështrimi i armiqve të Shqipërisë.

Ai u largua nga Shqipëria e tij e dashur, në nëntor 1944. Në mërgim krijoi komitetin “Shqipëria e lirë”, në një përpjekje për të bashkuar gjithë shqiptarët e mërguar nga terrori komunist, por aktiviteti i tij mbeti në mes, sepse vdiq papritur në 1949, në Nju Jork, në rrethana të panjohura.

Veç aktivitetit politik dhe diplomatik, Mid’hat Bej Frashëri ka patur një veprimtari në lëmin e historisë, letërsisë, tekstologjisë, publiçistikës, përkthimit etj. Mid’hat Beu ka qenë një nga promovuesit dhe mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes në botën perëndimore gjatë luftës së parë botërore. Në 1915, ai botoi në Sofje tre vepra: “Çështja e Epirit. Dhembja e një populli”, “Popullsia e Epirit,” dhe“Pritmi i Shqipërisë”. Në 1919, botoi në Lozanë (Zvicër) tre vepra të tjera:“Shqiptarët dhe sllavët”, “Shqiptarët mes tyre dhe jashtë” dhe “Rivendikimet shqiptare”. Në letërsi shquhet për veprën e tij në prozë “Hidhe shpuzë”, 1915. Në publiçistikë ai ka qenë aktiv që prej moshën 17, ka shkruar një me qindra artikuj, por më shumë është vlerësuar vepra e tij eseistike “Plagët tona”,1924, një analizë e realitetit shqiptar e përcjellë së bashku me këshillat për përmirësimin e tij. Vepra më hershme e Mid’hat Beut është “Naim Be Frashëri”, e cila mbetet burimi kryesor informativ për jetën e poetit të shquar. Një pjesë të veprës Mid’hat Frashëri e ka shkruar në gjuhë të huaj, sidomos në frëngjisht, dhe ka qenë gjithmonë një autor i vlerësuar në botë.

Pas rënies së komunizmit, në një takim kushtuar Mid’hat Bej Frashërit, ambasdori francez i kohës bëri këtë vlerësim për të: “Mid’hat Frashëri është iluministi i fundit europian”.

Shënim: Për këtë artikull janë konsultuar disa burime. Në variantin origjinal të shkrimit janë specifikuar hollësisht referencat e sakta. Për natyrën eseistike të Shenjës, nuk janë përfshirë në këtë botim. Burimet e konsultuara janë: AQSH, Fondi i Mid’hat Frashërit; Lef Nosi, Dokumente historike 1912-1918, Shtypshkronja Nënë Tereza, Tiranë; Nevila Nika, Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare, 1910-1912, botim i Institutit të Historisë-Prishtinë, 2003; Akademia e Shkncave e Shqipërisë, “Fjalor enciklopedik shqiptar”, tre vëllime, Tiranë, 2008; gazeta Shqipëri e re, Kostancë, Rumani, disa numra të vitit 1921; Uran Butka, Mid’hat Frashëri, elita shqiptare; gazeta Arbënia, Nr. 427, 28 nëntor 1936; Uran Butka, Gjeniu i Kombit; Sejfi Vllamasi, Ballfaqime politike në Shqipëri, 1897-1942, NERAIDA, Tiranë, 2000.

Shenja/ Gusht 2012- foto: ata.gov.al

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT