• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NESËR TE VATRA ZHVILLOHET PROMOVIMI I VEPRËS SË AUTORIT AUREL NAQI

February 9, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” fton shkrimtarët, artistët, median dhe komunitetin shqiptar në promovimin e veprës së autorit Aurel Naqi.

Promovimi zhvillohet nesër, ditën e shtunë më 10 Shkurt 2024 në ora 11Am në Selinë Qendrore të Federatës Vatra me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458.

Ekspertë të letërsisë shqipe, gazetarisë, filmit e përkthimit do të nderojnë me kumtesa e tyre këtë ditë të rëndësishme kulturore për Vatrën dhe komunitetin tonë.

Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: Opinion

Avni Hafuzi e jetësoi sheshin, tavolinën e mundjes dhe bustit të Skënderbeut në Eger të Hungarisë

February 8, 2024 by s p

“Busti i Skënderbeut në shesh është planifikuar të vendoset në fund të marsit ose nga gjysma e prillit, që sheshi Skënderbe të ketë edhe kryeheroin tonë, Skënderbeun. Ne jemi të gatshëm ta realizojmë dhe do të jetë ditë e madhe e historike, si dhe do ta jetësojmë, sportin e mundjes, që ka filluar nga kryeheroi ynë.“

Edhe një ngjarje e madhe, edhe një pjesë e historisë po shkruhet nga diaspora shqiptare. Të hënën e datës 05 shkurt, në prag të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, po jehon lajmi edhe ate me siguri të plotë, falë punës e angazhimit të sinqertë e me plot shpirt, nga veprimtari, modest e i punës, z. Avni Hafuzi, se u vendosën dy tabelat e sheshit në qytetin Eger afër Budapestit, në dy gjuhë shqip dhe hungarisht me emrin e kryeheroit tonë Skënderbeu. Në këtë solemnitet morën pjesë disa personalitete hungareze, në mesin e tyre edhe z.Attila Farkas, nënkryetar i bashkisë së këtij qyteti dhe miq të z.Hafuzi. Edhe z.Hafuzi e ndau këtë gëzim përmes një lajmi me foto në Facebook, duke shkruar „Dje në sheshin Skënderbej në Eger, bashkë organizuam vendosjen e tabelave dygjuhëshe me flamujt përkatës, ku shkruhet emri i sheshit. Ky shesh, pas mbjelljes së pemëve dhe vendosjes së këtyre tabelave, është zbukuruar edhe do të bëhet edhe më i bukur e madhështor me vendosjen së shpejti të tavolinës për mundje dore, e në fund të bustit të heroit tonë kombëtar!“ Edhe vetë, nënkryetari i bashkësisë së Eger, z. Attila Farkas e pasqyron në faqen e tij në Fb duke shkruar: „

Këtë mëngjes, falë Konsullit të Nderit të Shqipërisë Avnija Hafuzi kanë mbërritur dhe janë vendosur të ekspozuara shenjat e emrit të rrugës Skenderbeg.

ük Si rezultat i viteve të fundit, ne e kemi forcuar marrëdhënien tonë edhe më afër, kështu që zona publike në zonën time zgjedhore është pasuruar me zona të reja.

Në nëntor mbollëm pemë në vend me konsullin, dhe së shpejti zona para këndit të lojërave do të zgjerohet me një tavolinë të mundjes së dorës në natyrë, pllakat e sheshit dhe busti i Skënderbut“.

Për t`u informuar më shumë në lidhje me këtë ngjarje ne bashkëbiseduam, me veprimtarin e njohur, z.Avni Hafuzi, që jeton e vepron në Hungari dhe ja se çka na tha ai ndër të tjera: „

„Siç dihet, Sheshi „Skënderbe“ më 15 shkurt të vitit 2000 është emëruar. Ne patëm filluar së bashku nga viti 1999 në ambasadën e Shqipërisë në Hungari me ambasadorin e atëhershëm, z. Adhurim Resuli. Bashkë me iniciativën tonë e kemi biseduar, që ta kemi një bust të Skënderbeut dhe një shesh në Hungari. Në ate kohë nuk patëm mundësinë që shpejt ta realizojmë, por nuk u ndalëm dhe e gjetëm mbështjen te kryetari i qytetit Eger, z. Dr.Nagy Imre. Në shkurt të vitit 2000, Siç dihet ish presidenti i Shqipërisë, Prof.dr. Rexhep Mejdani erdhi dhe ne e inaguruam sheshin „Skënderbe“ dhe ishte ish ministri hungarez, z.Torgyàn Jözsef. Ishte padyshim një ngjarje e madhe. Nga viti 2000-2024 sheshi „Skenderbe“, nuk ka pasur tabela. Tash nga e hëna e 5 shkurtit i kemi tabelat në dy gjuhë dhe popullata apo vizitorët munden të orientohen më mirë. Me datë 17 janar, për çdo vjet, kam vendosur kurorë lulesh në sheshin „Skënderbe“. Duke kaluar koha dhe duke e parë se po shkojmë nga pleqëria, jam munduar edhe më shumë dhe duke forcuar kontakte me bashkësinë e qytetit, në vitin 2008-2009, propozova bashkë me ambasadorin Florian Nova nga Ambasada e Shqipërisë, që të kemi edhe më shumë ide të realizueshme për sheshin „Skënderbe“. Kemi krijuar miqësi të mirë me drejtues të qytetit të Egerit dhe do ta mbajmë për jetë.

Propozova dhe bëra kërkesën që ta kemi bustin e Skenderbeut në sheshin Skenderbeu. I kam të gjitha dokumentet. E dorëzova në votim te këshilli bashkiak i qytetit Eger dhe e votuan, pra të gjithë njezëri e pranuan kërkesën time.

Pastaj ishin procedurat tjera. Pasi mora pëlqimin komisionit, konkretisht pas disa muajve e dorëzova përsëri projektin tashmë, se si do të dukej dhe në votim te këshilli bashkiak dhe pastaj e fillova punën e bustit të Skënderbeu. Për bustin e Skënderbeut fillimisht kam folur me skulptorin, tashmë të ndjerë, z.Agim Rada i përjetshëm i qoftë kujtimi. Por për fat të keq ai ndërroi jetë. Por, projekti duhet vazhduar dhe nuk u ndala, bashkëbisedova me skulptorin z.Julian Musollari, koleg i të ndjerit, dhe e mori përsipër dhe e përgaditi bustin. Busti i Skënderbeut është i veçant që do të vendoset në Eger të Hungarisë. Ka një pamje madhështore e punuar me shumë finesë. Edhe diçka dua të shtoj, te sheshi, kur e bëra kërkesën e bustit e bëra paralel edhe për tabelat e rrugës, që të jetë me dy gjuhë hungareze dhe ate shqipe me dy flamuj. Falënderoj shumë edhe bashkëshorten time dhe gjithë fëmijëte mi, me një fjalë familjen time, që pata mbështetje dhe kam edhe sot e kësaj dite. Familja më ka ndihmuar shumë, që krahas punës për të mbajtur familjen, të mos ndalem edhe në çështjen kombëtare.

Me datë 02 mars me rastin e 2 Mars 1444, kur Kuvendi i Lezhës hodhi themelet e bashkimit të shqiptarëve, do të bëhet edhe përurimi i dy tabelave të rrugës në shesh. Po me ketë datë mundja e dorës, pak kujt ndoshta i ka shkuar mendja, se ky sport vjen nga Skënderbeu. Ne e dijmë, se Amerika, pra amerikanët, aty në vitin 1968 e kanë organizuar, apo kanë themeluar organizatën e Mundjes së dorës, por sporti vjenë nga kryeheroi ynë. Çdo sportist, mendon se ky sport vjen nga Amerika, por në realitet vjen nga Skenderbeu. Linkun e filmit të Skënderbeut ia kam dërguar shumë personaliteve për tu bindur dhe aty shihet ku Skënderbeu i provon ushtarët e tij, duke thyer dorën, pra sport me mundje, për ti shikuar ushtarët e tij, se cili e ka dorën më të fortë, ti jap shpatën më të rëndë dhe ti jap kali.

Kam filluar fushatën në Hungari, që ky sport të përmendet se Amerika e ka themeluar organizatën e sportit, por është zbuluar nga Skënderbeu. Do të bëhet promovimi i tavolinës së mundjes së Skënderbeut dhe do të marrin pjesë garues të shumtë, që do të garojnë, se kush e ka dorën më të fortë, ta trashëgojmë këtë sport. Aty do të ndahen edhe medalje, nga vendi i parë i dyti dhe treti. Në diplomën e fituesve, do të shihet edhe portreti i Skënderbeut dhe gjëra të tjera interesante. Zyrtarisht, pra më 2 mars 2024 do të filloj fushata e mundjes së dorës, se ky sport është nga heroi ynë kombëtar. Busti i Skënderbeut në shesh është planifikuar të vendoset në fund të marsit ose nga gjysma e prillit, që sheshi Skënderbe të ketë edhe kryeheroin tonë, Skënderbeun. Ne jemi të gatshëm dhe do të jetë ditë e madhe e historike“. Në një përshkrim lajmi, shumë lajme brenda tij, secili më i mirë se tjetri. Pllakat e Sheshit u vendosën, pastaj do të vendoset edhe tavolina e sportit të mundjes dhe të dihet botërisht, se ky sport vjen nga Skënderbeu si dhe kulmi i suksesit do të jetë në fund të marsit apo në mes të prillit, ku busti i Skënderbeut përjetësisht do të jetë në qytetin Eger në afërsi të Budapestit në këtë shtet mikë të kombit tonë. Me një fjalë, KonsulI nderi z.Avni Hafuzi i cili është i përfshirë në encikopedinë hungareze, i graduar me mirënjohje e mirënjohje, nga shteti hungarez dhe ai i Shqipërisë. Shkurt e shqip, mbi 50 mirënjohje të veçanta për kontributin e tij kombëtar në të gjitha fushat e jetës, nga ai atdhetarë, historikë, humanitarë, kulturorë dhe sportiv. I kanë kushtuar hungarezët edhe libër në gjuhën hungareze, këngë e poezi, bëmirësit preshevar, z.Avni Hafuzi. Shpirti i tij buron si krua nga lartësitë më të mëdha të kodrinave shekullore, por pa e humbur freskinë dhe qëllimin. Sheshi Skënderbe është një shesh në qendër të Tiranës dhe është me afërsisht 40 000 m² sheshi më i madh i Shqipërisë. Këtë emër e ka marrë në viti 1968. Pas Tiranës, Prishtinës e Shkupit, është edhe në Eger të Hungarisë, falë mundit e kontributit të veçant, të z.Avni Hafuzi me miq hungarez. Ky është shembulli më i mirë i mundshëm, se miqësia arrihet, por duhet ruajtur me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe tash e tutje, sheshi Skenderbe në Hungari do të jehoj me pllakën e shkruar edhe në gjuhën shqipe, tavolina e mundjes e Skënderbeut dhe shpejt edhe busti i Skënderbeut. Të shkruash e të shkruash për këtë ngjarje është pak, sepse do të mbetet në historinë tonë kombëtare, si një arritje e madhe. Preshevari im, z.Avni Hafuzi, edhe kësaj here, por edhe gjithmonë, do ta përmendim emrin tënd dhe emri jot do të jetë i gravuar nëpër institucionet tona, herë do kurë dhe dëshira jonë është, sa të kemi gjallë fizikisht. Ke shkruar histori me dekada edhe ate me fakte ku e ke një kala me histori pa u ndalur me shumë sfida dhe mbi të gjitha, pa e rrahur gjoksin e suksesit, por me modesti dhe duke shpërndarë meritat në mesin e komunitetit tonë, pra mërgatës sonë në diasporë e konkretisht asaj në Hungari, ku je edhe duke jetuar e vepruar, që kurrë nuk e ke ndarë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi apo nga Lugina e Preshevës, sepse na bashkon gjuha. Pra, që të gjithë janë vëllezër. E gjithë mërgata jonë në Hungari e ka përkrahur shumë dhe z.Hafuzi i është mirënjohës dhe me këtë rast na kujton, njërën nga veprat më sublime të kryeheroit tonë kombëtarë: „Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu në mesin tuaj“. / TEKSTI: DASHNIM HEBIBI, FOTO NGA FB, A.HAFUZI

Filed Under: Opinion

Deputeti Tomor Alizoti vizitoi Vatrën

February 7, 2024 by s p

Ylli Dosku/

New York, 6 Shkurt 2024 – Deputeti i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë z.Tomor Alizoti vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, anëtari i kryesisë së Vatrës z.Bashkim Musabelliu, anëtarët e Këshillit të Vatrës z.Asllan Bushati, Ndrek Tonaj e Ylli Dosku si dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Anton Raja. Veterani i Vatrës prej 3 dekadash z.Asllan Bushati e njohu nga afër në detaje historike z.Alizoti me historinë e Vatrës dhe kontributin e jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare. Gjatë bisedës vëllazërore u shkëmbyen mendime mbi situatën politike në Shqipëri dhe situatën në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Dr.Pashko Camaj gjatë bisedës kërkoi që opozita në Shqipëri duhet të bashkohet e të japë shpresë e zgjidhje për Shqipërinë e shqiptarët sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë, serioze dhe dinjitoze. “Kërkojmë bashkimin e bashkëpunimin tuaj për të drejtuar Shqipërinë nesër” këmbënguli Dr.Camaj. Nga ana e tij z.Alizoti shprehu kënaqësi e falenderim për vizitën në Vatër dhe foli për vizitën në Washington, situatën politike në Shqipëri dhe imtësisht situatën e opozitës në raport me qeverinë. Z.Alizoti deklaroi shkurtimisht: “Vatra ka qenë një mbështetëse e të djathtës historikisht. Berisha keq apo mire është themeluesi i pluralizmit në Shqipëri. Është e pa imagjinueshme që hetues të diktaturës të

gjykojnë liderin e opozitës. Nuk ka shembull në botë si kjo që po ndodh në Shqipëri. Nuk mundet që 7 deputetë njihen nga Rama dhe jo 50 deputetë të opozitës” tha ndër të tjera z.Alizoti. Vizitën në Washington e quan sukses në takimet me shumë kongresmene republikanë dhe kongresmenë demokratë që sipas Alizotit shprehnin habi me zhvillimet në Shqipëri. Z.Bashkim Musabelliu, e falenderoi për vizitën në Vatër, duke e uruar për një bashkim sa më të shpejtë të opozitës. Takimi ishte shumë miqësor dhe me shumë shkëmbime mendimesh dhe idesh për të ardhmen e Shqipërisë dhe potencialin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Opinion

QËNDRESË NË KUFIJTË E LEGJENDËS

February 6, 2024 by s p

Kosta Nake/

Parathënia e botimit të dytë të këtij libri është shkruar nga Ismail Kadare si një certifikatë letrare për një Ferr Dantesk në prozë dhe si një mirëkuptim mes kolosësh, pasi do të mjaftonte vlerësimi për dy vepra në faqen 660 dhe fjalët që vë në gojën e Kasëm Trebeshinës në faqen 685 që të krijonte një qejfmbetje të madhe e cila është kaq e shpeshtë në realitetin shqiptar.

Libri është një dëshmi autentike e përplasjes së dhunshme të diktaturës së proletariatit me përfaqësuesit shqiptarë të kishës katolike, veçanërisht të kishës françeskane, por edhe sfidë e një kleriku me shkallë të lartë intelekti që bën interpretime vetjake dhe sjell argumenta të shumtë për ngjarje që fillojnë nga Lufta e Dytë Botërore, sidomos te lufta e shtetit komunist për çrrënjosjen e besimit fetar dhe rrënimin e objekteve të kultit. Përpjekjeve të Partisë Komuniste për të shkëputur katolicizmin shqiptar nga Papa i Romës, klerikët shkodranë iu përgjigjën me analogjinë sfiduese: Ashtu si nuk ka komunizëm pa Moskën, ashtu nuk ka edhe kishë katolike pa Vatikanin. (f.255)

At Zef Pllumi rreshtohet në anën e atyre që mendojnë se gjithçka filloi keq që në themelet e Shqipërisë së re të dalë nga lufta. “Pretendentët kryesorë të pushtetit ishin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe Partia Komuniste e mëshefun mbas emnit të Frontit Nacional-çlirimtar… më shumë se kundra gjermanve ato luftojshin ndërmjet vedit për të marrë pushtetin sa të mbaronte lufta.” (f.17)

Qasja patronazhiste e Jugosllavisë titiste ndaj udhëheqjes së Tiranës vjen me një detaj kuptimplotë: Në kumbanoren e Kishën Françeskane të Shkodrës nga ku qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës dhe ku ngrihej flamuri kombëtar, u shtuan dy ganxha të tjera që përkrah tij të ngrihej edhe flamuri jugosllav. (f.22) Detaji i dytë është ai i kovaçit kosovar Qazim Vula që bashkëpunoi për vrasjen e Miladin Popoviçit, priste të dekorohej nga shteti shqiptar, por përfundoi në burg, pasi Miladini ishte miku i Enver Hoxhës.

Vlera të mëdha historike dhe kulturore u fshinë nga faqja e dheut si me ruspë traktori në emër të mohimit të botës së vjetër dhe ndërtimit të botës së re, pjesë e këtij sulmi të verbër u bënë edhe shkrimtarët dhe artistët shqiptarë. I pari shfaqet Kolë Jakova si pjesëtar i një grupi që kryesohej nga Nako Spiru, që gjatë bastisjes së bibliotekës dhe muzeut të kishës kundrejt një pusulle dore mori unazën e At Shtjefën Gjeçovit për të cilën një përfaqësues i Muzeut Britanik kishte ofruar 14 mijë stërlina ari. (f.24) I dyti është Skënder Drini me “Shembjen e Idhujve” dhe “Midis dy kohëve” që autori i quan romane politike servile. (f.61) At Zef Pllumi pati bashkëvuajtës Kasëm Trebeshinën e Kin Dushin (f.607). Autori ka patur rastin të takojë e të njohë figura të njohura të shkencës, artit e letërsisë, si Hasan Ceka, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Odise Paskali, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Aleksandër Xhuvani, Prof. Eqrem Çabej, Tonin Harapi, Prof. Jup Kastratietj. At Zef Pllumi ka qenë mbledhës dhe arkivues i veprës së Fishtës dhe kjo njohje e çon te deklarimi se “nuk mund të ketë histori të letërsisë shqipe pa Fishtën. (f.479)

Që para viteve ’90 është pranuar rezistenca e malësorëve ndaj shtrirjes së pushtetit komunist në Veri dhe autori përmend Shkrelin, Bajzën, Koplikun, Kelmendin, Postribën, Lekbibajn, Bushatin si dëshmitar okular; ai zbulon paralelizmin me atë që ndodhi në rrugët e Jerusalemit me Jezu Krishtin e Pons Pilatin. (f.61) Vetë autori që në arrestimin e parë u përball me një torturë të padëgjuar: 30 orë i privuar nga mundësia për të urinuar. (f.95)

Vepra i ngjan një galerie me figura të shquara klerikësh të përgatitur në univeristetet e njohur të Europës, me grada shkencore ose kulturë sipërane në fushën e tyre, por edhe me njerëz të zakonshëm që mençuria dhe qëndresa i ngriti në piedestalin e heronjve, si Dom Nikollë Gazulli, At Gjon Shllaku, At Mati Prendushi, mësuesi kompozitor Gac Çuni, Drita Kosturi që pati qenë e fejuara e Qemal Stafës, deputeti Kol Preleni, At Donat Kurti, Hafiz Dërguti, At Marin Sirdani që nuk pranoi të takojë Enver Hoxhën, etj.

At Zef Pllumi, avokati Qazim Dani dhe bashkëvuajtësi Mehmet Isufi i përkisnin atij grupi intelektualësh që mendonin se bektashinjtë dhe françeskanët janë më kryesorët që kanë formuar ndërgjegjen kombëtare. (f.140) Ilustrim i kësaj qasje ishte pjesëmarrja e Imzot Nikollë Kaçorrit krahas Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit të Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 duke qenë mirënjohës edhe për politikës austriake. (f.151) Si Faik Konica, edhe At Zef Pllumi ka guximin të evidentojë disa tipare dhe sjellje negative të shqiptarëve për të arritur në përfundimin se “asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnue bijtë e vet të kqij.” (f.437) Në një duel mendimesh me njërin nga hetuesit ai deklaron: “Njerëzit që kanë bâ Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frashëri, Faik Konica, Ismail Qemal beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Lugji Gurakuqi e pak të tjerë si këta e krijuen Shqipninë. Populli ishte aq injorant sa muslimanët nuk kërkojshin shkëputje nga Turkia, ortodoksët kërkojshin nji bashkim me Greqinë, ndërsa vetëm katolikët bâjshin plane për nji Shqipni të pamvarun, tue u mbështetë te Austria dhe Italia.” (f.493)

Urrejtja është e papranueshme për At Zef Pllumin megjithatë dy njerëz mbeten përjetësisht të papranueshëm dhe personalisht përgjegjës për dramën e shqiptarëve dhe të rusve: Stalini dhe Enver Hoxha. Ai ndalet te thënia e Stalinit “njeriu është kapitali më i çmuar” dhe kapet fort pas përcaktimit “kapital”, vegël pune, rrjedhimisht jo njeri. (f.186) Autori bën krahasimin e Musolinit me Stalinin: “Musolini shpallte se don me rindertue Imperon Romane, por në të vërtetë ai ishte nji socjalist që donte me punësue italjanët e me i pasunue. Ndërsa Stalini shpallte drejtësinë shoqnore, luftën e klasave për shoqninë pa klasa, ndërsa në të vërtetë ai i shëndrron të gjithë njerzit në skllav e u hjek çdo pasuri që mund të kishin.” (f.211) Por edhe Stalini duket më i mirë se Enver Hoxha kur vjen fjala për qëndrimin ndaj kulakëve. Modeli rus i kulakut ishte pronari që zotëronte tokat e 10 deri në 20 fshatra, i dërgonte fëmijët në universitetet e Moskës e të Leningradit ku përgatiteshin për ekonomi, financë e jurispridencë. Kurse përshtatja shqiptare ishte karrikaturë. Ndër krerët e lartë të nomekalturës partiake komuniste duket sikur ka një farë simpatie për Tuk Jakovën që paraqitet si autoritet dialogues, ndryshe nga Mehmet Shehu që paraqitet si ushtarak i pamëshirshëm. Autori pati si bashkëvuajtës gjeneralin Gjin Marku dhe Dashnor Mamaqin. Autori arrin në përfundimin se “të gjithë tiranët e historisë njerëzore kanë të njajtat tipare. Ata shofin çdo shërbëtor të tynin nji komplotist që u rrezikon jetën.” (f.505)

Duke folur për kampet e punës dhe punën për tharjen e kënetës së Maliqit autori heq paralele me punën e skllevërve për kanalizimit e fushës së Nilit në kohën e faraonëve. (f.210) Propogandës qeveritare për këtë shfrytëzim kafshëror të të burgosurve, At Zef Pllumi i përgjigjet me largpamësi: “kur t’i thajmë të gjitha kënetat, kanë me na thanë: rrafshoni kodrat e malet e t’i bajmë fusha” (f.225) Dhe kjo ndodhi, madje u kthye në një parrullë të njohur.

Një nga fatet më tragjike të shqiptarit të indoktrinuar vjen nëpërmjet kosovarit Zyhdi Çitaku, nipit të Ramadan Çitakut, i cili u dërgua nga shteti shqiptar për të ndjekur dhe asgjësuar shqiptarët e arratisur. “Sa je dënue?” – e pyeta. “Katër. “Sa ke bâ?” “Katërmbëdhjetë.” “Sa të mbetën?” “Njzetekatër.” (f.689) Një dialog i ngjashëm gjendet dhe te libri “Rrathët e Ferrit” i Visar Zhitit. Realiteti mjeran nxin edhe te dialogu i nënës me djalin në burgun e Zejmenit: “Të falenderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni.” (f.701) Brenda burgut janë xhelatët e verbër që deklarojnë me të madhe: “Ti nuk më njef mue. Unë jam urrejtja klasore.” (f.486) Në gjykata ishte prokurori Aranit Çela “i cili me guxim djaloshar synonte me hi në litën e njerzve të përmendun të drejtsisë komuniste internacionale,” (f.62) kurse brenda burgut shkonte për të shpalosur dhunën Nevzat Hasnedari, korrifeu i terrorizmit enverian. (f.622)

Në rrafshin vetjak At Zef Pllumbi, siç e pohonte vetë, ishte anarkist: “Un due vetëm lirinë e njeriut deri aty ku të mos jetë e damshme për tjerët…Sikur mos t’ishin sundimtarët, nuk do të kish as lufta. Ky asht anarkizmi im: leni njerzit në punë të vet.” (f.224) “Lirinë e kqyrshe sikur t’ishte nji kandil i vogël prej dheut, mbushun me voj ullinit, që mban ndezun nji dritë të vogël mbrenda njaj kasolleje të vorfën, nën çatinë prej kashte të së cilës rritet nji çift pëllumbash të butë që dijnë veç me bâ fëmijë për me vazhdue jetën.” (f.582)

Faqet e tejmbushura me hetuesi e tortura ua lënë vendin aty-këtu disa oazeve me rrëfenja që lidhen me zakone e karaktere të tilla si bashkëjetesa e komitit me ujkun, gjama malësore, hajnia dhe përzgjedhja e goditjes, rrëfenja për elefantin dhe elefanteshën, ilustrimi i shprehjes “ka dhe më keq”, humori për gozhdën, dërrasën dhe çekiçin, udhëtimi 150 km i maçokut Kuqo, dy rivalët që u futën nga mbreti në një fuçi, llupësi Ferit Lopa, mullisi që ndërroi rrobat e veta me të gjeneralit, pula e varur te agjencia e udhëtarëve në Lezhë, etj. Po veçoj, të shtrydhur, një shaka tipike shkodrane, “një barcoletë me xhanxhafil” siç e quante mësuesi i edukimit fizik Shyqyri Gruda (f.559): Shkoi dikush të blinte një çark për minj. E pyeti shitësin se si përdorej. “Në majë të këtij teli vendos një copë mish të thatë.” “Po t’kishem mish, e ha un e nuk ia qes minit.” “Veri pak djathë të fortë.” “As të fortë as të butë nuk e ka pa në shtëpi teme.” “Nji koje buke t’lyeme me voj.” “Shka po thue? Un i vetmi jam në punë, grueja pa punë, kam tre fëmijë, kam nanën, kam gjithë me nga 400 gr bukë. Mandej voj! Ku gjendet ky? Në Vlonë ose në Berat, se këndej më kallxo ku e ka pa ti.” “Jo, jo, as unë nuk kam pa kund. Por puna asht këtu: në kjoftë se ti mish nuk ke, djathë jo, bukë e voj jo, atëherë shka ka me hangër mini te ti?”

Një libër me 713 faqe në një format të madh është një objekt i frikshëm për ta parë dhe një lumë i rrëmbyer për ta kapërcyer, por, kur zbulon se brenda tyre ndrydhen rreth 10 mijë ditë burgu, atëherë shfleton edhe faqen e fundit të tij dhe pyetja e parë që mund t’i drejtosh vetes është: Si ka mundësi që ka dalë i gjallë nga ai kalvar i gjatë? Përgjigjja është në faqen 253 të tij.

(Libri “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit, Tiranë 2006).

Filed Under: Opinion

Integritet

February 5, 2024 by s p

Alfons Grishaj/

Integritet: fjala më komplekse që pasqyron kualitetin e karakterit të njeriut. Integriteti përmbledh principet dhe vlerat, ndershmërinë, moralin e fortë, të vërtetën, etikën. Integriteti qëndron fuqishëm kundër gënjeshtrës, shpifjes, denigrimit, hipokrizisë. Njerëzit me integritet janë frymorë gadi ideal. Gjithçka e shohin me dashuri, ku dhe për të keqen më të madhe, luten për zamzam në zemër të shkretëtirës. Pavarësisht trajtimit dhe interpretimit gabuar disa mendimtarëve, se integriteti çmohet i njëjtë si vertikalisht dhe horizontalisht. Integriteti qëndron me këmbë në tokë, jashtë fantazisë qilimave fluturues e dyrdylave legjendarë. Integriteti puthitet me dritën. Po! 

Aristoteli, përmend “megalopsychos” (shpirtëmadhësi = integritet) nënkupton kurorën  virtytyteve më të larta: kurajo, drejtësi, xhenorizitet, zgjuarsi, shpirtmadhësi.  Mendoj që feja, besimi në Zot, pranimi vlerave hyjnore dhe njerëzore janë integritet. Gjithashtu, altruizmi është integritet, sepse në thelb kulmon sakrifica njeriut për të tjerët pa kërkuar shpërblim dhe rrahur gjoksin si egoistët që nuk lënë gur palëvizur për të ujitur portretin e tyre bosh si “demigod”.

Politikanët pretendojnë se janë njerëz me integritet. Po të gjesh njerëz si, Siddhartha Gautama Buddha, Mahatma Gandi, Ibrahim Rrugova, Aung San Suu Kyi,  duhen pranuar si të tillë , por është shumë e vështirë, ngaqë politikani, armën më të fuqishme ka gënjeshtrën dhe qëllimin personal mbi atë të popullit. Sa politikanë erdhën në botë nga asgjëja dhe u bënë të pushtetshëm, bile dhe milionerë e miliarderë, me  buzëqeshjen fallso të Joker-it?! Që nga Islam Karimov tek Muhammad Kadafi. … 

Njëherë e një kohë, Rafael Xhovanjoli shkrojti: “Që kur njeriu braktisi pyjet dhe nisi të jetojë në shoqëri, u zhduk liria dhe lindi skllavëria, sepse cdo ligj që kufizon dhe ngushton të drejtat e njeriut në dobi të shoqërisë, është një cënim që i bëhet lirisë. Kudo dhe kurdo më i forti dhe më dinaku do të sundojë mbi turmën dhe ka për të gjetur plot njerëz që t’i nënshtrohen. (Romani Spartaku-f.271)

Pikërisht, këtu fillon pa integriteti, sëmundje e njerëzve të dobët që ëndërrojnë fuqi të pamerituar, por që nuk janë asnjëherë në gjendje t’a menaxhojnë në favor të shumicës, duke  kërkuar  që shumica t’i shërbejë pikërisht asaj pakice me vese, e cila nuk ndalet asnjëherë në gjenerim së prapthi. Shoqëria që nuk ka integritet nuk ka kod moral, nuk ka ndërgjegje, nuk ka bosht, nuk njeh asnjëherë realitetin dhe të vërtetën sepse bëhet njësh me gënjeshtrën. 

Unë mund t’a krahasojë njeriun pa-integritet me gjarpërin, ngaqë gjarpëri pasi vret vazhdon të jetojë. Gjarpëri  nuk është si bleta punëtore që pickon për t’u mbrojtur dhe vdes. Në këtë rast, “Duhet të vdesë gjarpëri që të vdesë dhe helmi”- thotë, filozofi popull. 

Njerëzit pa integritet, kanë zero ndjeshmëri pozitive dhe nuk janë mendje hapur dhe pse pretendojnë dhe predikojnë me  trumbeta. Ndërsa ti fle në paqe me Zotin dhe familjen, ata mendojnë ditë e natë që të shpikin gjithçka vulgare për të krijuar vëmendje e krahë fantazisë sëmurë, për të fituar të pamundurën dhe të pafituarën që nuk është frut i oborrit ku jetojnë.

Ata janë si plastelina që mund t’ua ndryshosh format si  skulptori  bucetat vetëm brenda formatit tyre, por asnjëherë në portret të fortë: mermer apo granit.  Zakonisht, nga njerëzit pa integritet lindin dhe monstrat! Sula, Neroni, Hitleri, Stalini, Pol Poti etj. Sepse njeriu pa integritet është zhveshur nga ndjesitë, dhimbjet, besimi, përgjegjshmëria dhe delikatesa njerëzore.… 

Darius III u vra nga njeriu më besnik, njeriu më i afërt i tij (pa integritet), Besuss. Ndërsa Aleksandri i Madh (dhe pse e kish kundërshtar tregon integritet)  e varros mbretin e mbretërve me nderimet të mëdha. Mehmet Ali Agça (pa integritet)  plagos për vdekje Papa Vojtilën, dhe Papa jo vetëm ia fal jetën, por shkon dhe ia lan këmbët në burg ( integritet i lartë). Pas lirimit, Ali Agça, shkon dhe vendos buqetë me lule në kujtim të Papa Vojtilës! Përdëllimi shpirtëror i faljes dhe kujdesit transformoi  Alinë, nga një njeri pa integritet, në një të penduar me integritet.  

        Në psikologji: njerëzit me integritet të dobët shfaqin sjellje t’pandershme, cilët  kërkojnë gjithmonë “arsye” t’i  justifikojnë sjelljet e tyre të turpshme. Bota e qytetëruar, kur has në persona të tillë, i vë në test deviance. Sigurisht, ata nuk e kalojnë testin, duke dalë fiasko nga përgjigjet e gënjeshtrat. Klasifikimi në file: “Integritet i dobët” ( që ne e përkthejmë, “pa integritet) i pengon ata tërë jetën e tyre për të hyrë tek portat serioze të ëndrrave të njeriut. 

A mund të ndryshojë njeriu pa integritet? Për kohën tonë, solla shembullin Ali Agça. Tani po u  sjell dhe një supershembull në lulëzimin e Krishtërimit, që u ndanë dy botë. Ndodh që njeriu pa integritet mund të bëhet dhe Shenjt, qoftëse fiton mbi vetveten. Në vitin 64-65, pas Krishtit, Saul i Tarsus, ishte Farise. Ai  mori pjesë aktive në persekutimin e katolikëve, për të mos thënë, më i rrepti i asaj kohe! Fuqia hyjnore e Krishtit ia verboi sytë. Pas tre ditë verbimi, Jezus dërgoi dishepullin e vet Ananias e Damaskut për t’ia sjellur shikimin. Pas asaj ngjarje, Saul pranoi Jezu Krishtin, si Birin e Zotit, Mesia. Ai  u pagëzua dhe mori emrin Paul, duke u bërë Apostulli më vital në historinë e Krishtërimit. Sikur kjo ngjarje të kish ndodhur në Shqipëri, mendësia primitive nuk do ia lejonte kurrë vetes të bëheshin të krishterë, por do qëndronin gjithë jetën paganë, duke gjykuar të kaluarën e Shenjtit Shën Pali erdhi dhe në Shqipëri-Durrës, i cili hapi portat e Krishtërimit në Iliri. Dhe pse Armenia, në vitin 301, pas Krishtit, krenohet si shteti parë që pranoi religjionin e Krishtërimit…shqiptarët mund të krenohen se atë privilegj e patën  230 vite para Armenëve, jo si shtet, por si qytetërim që e përcolli tek portat e Europës.
Pas kësaj, qëndroj fuqishëm se, integriteti është shkopi magjik i personalitetit dhe i shpirtit. Nëse do ishte Buddha përreth nesh do të thoshte: “Now since both dark and bright qualities, which are blamed and priced by the wise, are scattered indiscriminately among the four castes, the wise do not recognize the claim about Brahmin caste being  the highest( anyone can) become emancipated by virtue of Dharma ”. 

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT