• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tirteu ynë At Gjergj Fishta pse e meriton të quhet vërtet poet kombëtar

November 26, 2025 by s p

Ndriçim Kulla/

Në sprovën “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, Koliqi do të shkruante: Këta tre poetë (De Rada, Naimi dhe Fishta) jo vetëm i rikthehen humusit mijëravjeçar të letërsisë gojore për me ngjyrosë në të motive e skema dhe për t’i transformuar nën dritën e kulturës së tyre të thellë klasike, por që të tre e udhëheqin shpirtin shqiptar kah brigjet e qytetërimit perëndimor, prej të cilit e kishin ç’ankoruar fatkeqësitë historike. Pa e lënduar trashëgiminë e traditave të moçme dhe aureolën mitike dhe legjendare që i mbështjell, ata mundën me derdhë në të, prumjet më të mira të frymës më të shëndoshë të humanizmit evropian”.

E kjo sot është fortësisht e pohueshme. Por në rastin e Fishtës, lidhjen me “humusin popullor” që cilëson Koliqi, mund ta spikasim më shumë se te të tjerët. Me një gjenialitet prepotent, ai arriti ta zotërojë mjeshtërisht frymën dhe formën e rapsodëve popullorë; dijti të zgjedhë burimet më të mira të forcës së tyre kijuese rudimentare dhe të instinktit të vrullshëm epiko-ilirik, duke i çuar në sferat më të larta artistike. Dijti të këndojë dhe këshillojë, të ironizojë e të gërmushet, të thërrasë e të profetizojë me “një larmi të pashtershme trillesh që janë triumfi më i lumtur i dhuntisë ekspresive të racës”. Por Fishta meriton të quhet vërtet poet kombëtar, pse nëpër superstrukturat shpirtërore të shqiptarit, lënë prej shekujve të sundimit të huaj, ai u përpoq të kujdeset për impulset e fshehta e të shëndosha dhe të krijojë vlera shqiptare që t’i shkrijë mandej në sintezë harmonike me frymën perëndimore.

Në këtë sens, duket në mënyrë të spikatur, se pika më e rëndësishme në të cilën Fishta ndahet prerazi me rapsoditë popullore, është përmbajtja e tyre, si historike ashtu dhe ideologjike. Në rapsoditë popullore, epopeja e trajtuar në mënyrë ciklike është ajo që Kordinjano e quan “epopeja e kufirit”, por ajo që mund të nënvizohet në këto cikle është fakti se bëhet fjalë për një botë krejt arkaike e kësisoj, të aftë për t’u transformuar lehtësisht në një botë përrallore. Kështu, e gjithë kjo epikë ngjan si e përmbytur nga mbinatyrorja përrallore, aq sa mund të citojmë një seri të gjatë e të rëndësishme, nga ato më të bukurat dhe më karakteristiket e rapsodive popullore, ku një element i tillë përbën indin bazë të të gjithë këngëve. Madje, është për t’u nënvizuar pohimi se konceptimi i jetës e pothuajse të tëra normat e saj juridike, koncepti i vlerësimit dhe heroizmit, sensi i nderit dhe besnikërisë, janë fortësisht të ndryshme (në sensin e të përmirësuarit dhe qytetëruarit) në këto rapsodi nga ato që ekzistonin realisht në jetën e popullësisë malësore të epokës së Fishtës. Për luftëtarët e këtyre poemave, çdo mjet – qoftë ky i ndershëm apo jo – është i lejueshëm, mjaft që të jetë efikas në luftën kundër armikut; Diçka kjo që do ta rrëqethte në jetën reale po atë publik që ngazëllehej e mrekullohej teksa dëgjonte këngët që u këndonin rapsodët e tyre.

Ja, pse në epokën fishtjane, të tilla rapsodi nuk kishin kurrfarë qëllimi tjetër, përveçse atij të përkundjes ëmbëlsisht në një botë të tillë, pa asnjë funksion tjetër social, përveç atij të mbajtjes gjallë të shpirtit luftarak. Ndërkohë që krejt tjetër është synimi i Fishtës e krejt tjetër konceptimi i jetës në poemën fishtjane. Përtej shembujve të vet letrarë, ai nuk zotëron vetëm një kulturë e një filozofi si Ivo Andriç; ai ka edhe një qëllim fortësisht social dhe patriotik, që e dallon aq shumë prej tij.

Duke pranuar stilin e rapsodëve që i pëlqen aq shumë popullit të vet, Fishta pranon gjithashtu edhe përralloren si sfond a dekor letrar, por nuk kërkon të pranojë kurrsesi përkundjen si në djep të njerëzve të Atdheut të vet në një jetë ëndërrimtare; Përkundrazi, ai kërkon ta parapërgatisë trimërisht dhe shpirtërisht popullin e tij për një Rilindje, të kuptuar jo vetëm si një luftë apo një luftë për pavarësi, por si një ringjallje të gjithanshme të jetës shpirtërore kombëtare, si një ngritje totale të saj në një shkallë më të lartë qytetërimi, bazuar gjithmonë në parimet e shëndosha etike tradicionale.

Nuk gjejmë te Fishta kurrfarë rrethanash motivuese e përjetuese të luftës kufitare, përpos përdorimit të ndonjë dinakërie normale të strategjive luftarake; në një kohë kur është konstante përherë një thirrje e fortë ndaj virtyteve shoqërore themelore për etikën tradicionale shqiptare, të mishëruar në traditën juridike të kanunit të maleve. E, kjo për faktin se vlera të tilla, padyshim mjaft të çmueshme, mund të strukturojnë një bazë të fortë e për t’u pasur zili në ndërtimin e jetës kombëtare.

Por veçse një bazë, sepse Fishta shkoi edhe më përtej akoma. Ai nuk kishte në zotërim vetëm traditën popullore, por edhe atë kishtare shqiptare, që ka patur vlera origjinale dhe goxha të larta metode në veprën e reformimit të zakoneve tradicionale lokale; Mund të themi se jo pak prej koncepteve morale dhe juridike të jetës publike e të familjes vetë, ose nuk qenë modifikuar kurrë prej kristianizmit, ose që nga epoka e nguljes së shqiptarëve nëpër male për shkak të invazionit turk, e kishin rimarrë përsëri sensin dhe fuqinë e tyre antike; kishtarët e rregullt dhe shekullorë, françeskanët e më pas jezuitët, (në mënyrë të veçantë famulltarët, tek të parët, dhe misionarët e Misionit Shëtitës tek të dytët), nuk i sulmuan kurrë traditat juridike shqiptare, e as më pak nuk u ngutën kurrë t’i modifikonin institucionet e tyre konkrete; mjafton të mendosh se deri në shekullin e XVII, falë arsyeve të forta që kishin, ata vazhdonin ta vononin zbatimin e dekretit të Këshillit të Lartë në lidhje me martesën; ndërkohë që, duke përdorur për levë parimet e shëndosha themelore të së drejtës tradicionale, filluan të zhvillonin dalngadalë prej saj zakone gjithnjë e më kristiane, duke gjetur argumenta e metoda të ndryshme për modifikimin e institucioneve konkrete.

Duke konsideruar se ky modifikim i së drejtës – në disa pjesë të caktuar të saj të ndikuara nga ndryshimi i kohës dhe ambjentit – mund të arrihej vetëm nëpërmjet dy rrugësh: asaj të ligjeve lokale të vendosura nëpër asamble, dhe asaj të normave juridike të gjykatave, misionarët punuan me maturi, po në mënyrë konstante, e me rezultate gjithmonë e më të shumta e të qëndrueshme, sa të arrinin të pranoheshin nga asambletë e fiseve të veçanta modifikimet e institucioneve ekzistuese, që ata i gjykonin si më të nevojshme për një jetë më kristiane e më të qytetëruar. Në këtë mënyrë, u arrit – sigurisht me ngadalësi – të realizohej p.sh. një sistemim juridik i fejesës dhe martesës në përputhje të plotë me të Drejtën Kanonike, që jo vetëm nuk është në kontrast thelbësor me nevojat e saj të domosdoshme, por s’është në kundërshti as edhe me parimet themelore të së drejtës tradicionale shqiptare; jo vetëm kaq, por një sistemim i tillë është sot kaq shumë i pranuar nga njerëzit, saqë ka arritur të trajtohet prej tyre si diçka e “trashëguar” prej të parëve, kësisoj e pacënueshme, qoftë sipas ndërgjegjjes civile ashtu dhe asaj religjioze.

Po e njëjta gjë ndodhi edhe me fenomenin e gjakmarrjes. Në lidhje me këtë akt që, në kushtet e mungesës së “qeverisjes” nga ana e shtetit, mund të quhej si një “raprezalje edhe për arsye sociale”, famulltarët mbajtën pa dyshim qëndrim kundërshtues, por nuk u mjaftuan aspak me metodën e vërejtjes dhe këshillimit; përkundrazi, luftuan me të gjitha forcat kundra formimit të një “shteti të qeverisur nga hakmarrja”, duke i parandaluar legjitimisht dhe në mënyrë konstante shtrirjen; Në atë kohë, sipas ligjit tradicional, subjekte të hakmarrjes nuk qenë vetëm autorët e aktit që e kish provokuar këtë hakmarrje, por të gjithë anëtarët e familjes, madje dhe të gjithë fisit; në këtë kënvështrim, janë të shumta paktet dhe armëpushimet lokale të arritura nga priftërinjtë katolikë, deri në përhapjen e përgjithshme të mendimit se – sipas “ligjit të vërtetë të të parëve” – gjakmarrja duhet të kufizohet vetëm në anëtarët e familjes së gjaksit. Një fitore e vogël në zemër të një problemi të madh, vërtet, por që nëse krahasohet me energjitë dhe përkushtimet që kërkoi të arrihej, nuk mund të quhet kurrësesi një gjë e vogël.

Në këtë këndvështrim, Tirteu ynë Fishta, është një vazhdues i denjë i kësaj tradite. Pohimi mund t’i ngjajë i çuditshëm atij që ka ndër mend përmbajtjen gati laike të poemës së tij (themi vetëm gati, për ta ruajtur të paprekur atë lloj të caktuar religjioziteti, që është kaq i zakontë të shqiptarët e çfarëdolloj feje, e që poeti-frat e bën të shkëlqejë aty-këtu në momentet më të volitshme); aq më tepër që etërit françeskanë, si në Bosnjë ashtu edhe në Shqipëri, kanë ditur të ruajnë jo më pak se shpirtin kavelaresk dhe luftarak të Shën Françeskut të parë, edhe shpirtin e varfërisë së tij të mëpastajmit; e mes gjithë këtyre, At Fishta duket të ndriçojë me një dritëzim goxha luftarak; Megjithatë, në krahasim me etërit e tjerët, në një lloj mënyre ai mund të quhet edhe si një “tradhëtar” i traditës; françeskanët e Bosnjës dhe të Shqipërisë patën qenë gjithmonë në “gjirin e furtunës”, si për t’u mbrojtur nga përparimi politik turk, ashtu dhe nga ai depërtim i gjithanshëm islam në atë “ishull” të katolicizmit që kish arritur të formohej në atdheun e tyre; në një kohë që at Fishta, për hir të dashurisë së tij të zjarrtë për atdheun e vet, nuk “provon kurrfarë brerje ndërgjegjjeje” në pranimin e atij modus vivendi normal e paqësor të religjioneve të ndryshme në Shqipëri, e veçanërisht në Malësitë e Veriut, sigurisht fortesat më të pathyeshme të katolicizmit shqiptar, por njëhërësh edhe të prekura nga depërtimi islam; Nga ana tjetër, nuk është se tradita katolike shqiptare e ka parë ndonjëherë me simpati botën ortodokse sllave; por në zgjedhjen midis muslianëve dhe kristianëve, të paktën deri përgjatë gjithë shekullit të XVIII, nuk mund të kemi dyshim që ajo të qëdronte e mëdyshur.

Mirëpo At Fishta, në këtë moment të veçantë historik, në pajtueshmëri me sivëllezërit e vet françeskanë dhe mendimit të gjithë popullësisë katolike, shihte një rrezik shumë më të madh, si për religjionin, po kaq dhe për Atdheun, te sllavizmi avancues e kanosës se sa te islamizmi, tashmë i ndalur e në regres përfundimtar edhe në vetë Perandorinë turke. I ndërgjegjshëm për prestigjin që gëzonte tashmë Katolicizmi në ambjentet patriotike shqiptare, për shkak të meritave të mëparshme të fituara nga përpjekjet e tij të mëdha në kauzën e pavarësisë së Shqipërisë, autori nuk dyshonte aspak që në një të ardhme jo shumë të largët, jeta kombëtare shqiptare, e ndikuar nga mendimi katolik, do të kish mundur të vihej në një udhë përparimi, të paktën në thelb kristiane, edhe pa e thyer aspak atë modus vivendi tashmë tradicionale midis kristianëve dhe muslimanëve shqiptarë; po përkundrazi, duke përfituar nga vlerat, ndeërshmëria, miqësia dhe eksperienca administrative e muslimanëve. Mund të shpjegohet vetëm kështu fakti se si u arrit të bëhej e mundur kryerja, jo e një “tradhëtie” të traditës nga ana e atit poet, por më tepër e një evoluimi të saj mëse të kuptueshëm në kushtet e kohës.

Është pikërisht ky program i frymëzuar nga ide të reja të shkrira aq natyrshëm me ato të vjetrat, e që ngjizet aq mirë në personalitetin e spikatur të Fishtës, ai që mund të na ndihmojë në zbërthimin e poezisë së tij” – nënvizon Valentini. “Ndaj, merita më e madhe i takon jo vetëm intuitës për të pranuar dhe strukturuar këtë mpleksje të tillë vlerash, por edhe aftësisë për t’i dhënë këtij drejtimi të ri të jetës shqiptare një zë të fuqishëm e një program të thellë e të ekuilibruar, të hartuar në gjirin e një poetike që e lartëson jo vetëm si poet të madh, por edhe poet kombëtar, e padyshim njëri nga më të mëdhenjtë në botë, të cilit për t’u emëruar si i tillë, i mungon vetëm fakti i të qenit të përkthyer në gjuhët kryesore”.

Ja, ky qe urimi ogurmbarë i Valentinit për këtë epikë madhështore të gjithë popullit shqiptar. Përkthimit të kësaj kryevepre në gjermanisht, që më 1950 nga Maximilian Lambertz, të vijuar nga përkthimi në italisht i disa këngëve (të zgjedhura) të Lahutës nga Ernest Koliqi apo nga ndonjë autor tjetër italian, veç rishtazi të pasuruar nga përkthimi i tyre i plotë në anglisht nga Robert Elsie, s’i mbetet gjë tjetër përveç përmbushjes së bindjes më të thellë të autorit: kurrorëzimit të poetit të saj si një ndër epikët më të epërm botërorë.

Filed Under: Opinion

Dom Nikollë Kaçorri – Dritë e kombit dhe e besimit

November 25, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Dom Nikollë Kaçorri, një ndër shtyllat më të forta të Rilindjes sonë Kombëtare dhe klerik i rrallë me shpirt të ndritur, lindi më 21 shkurt 1862 në fshatin Krejë të Lurës, në një familje me traditë dhe kulturë fetare të ndërthurur. Babai i tij ishte i besimit katolik, ndërsa nëna myslimane, duke mishëruar harmoninë e natyrshme ndërshqiptare që ai vetë e mbrojti dhe e shërbeu gjithë jetën.

Rruga e tij drejt dijes nisi herët. Arqipeshkvi Ambrosio, që atëkohë vizitonte krahinat e Veriut, vuri re dhuntitë e djalit të ri nga Lura dhe u bë ndër të parët që nxitën formimin e tij shpirtëror e klerikal. Hapi i parë i rëndësishëm i arsimit të tij ishte Seminari filozofiko-teologjik në Shkodër, të cilin e përfundoi në vitin 1884, duke u shuguruar meshtar pikërisht në qytetin e Shkodrës. Kjo fazë është një nga të paktat të dokumentuara qartë, e pranuar nga shumica e studiuesve dhe gazetarëve që janë marrë me jetën e tij, përfshirë Gazeta Telegraf, Gazeta Dielli dhe studime të botuara në mediat shqiptare të tre dekadave të fundit.

Pas shugurimit, fillimi i studimeve të larta të Dom Kaçorrit jashtë vendit është një kapitull ku historia paraqitet me variante të shumëfishta. Burime të ndryshme gazetare e akademike — përfshirë Telegraf, Vatra, Dielli, studime individuale të klerikëve e historianëve — japin të dhëna të larmishme, por të njëzëshme në thelb: ai vijoi përgatitjen universitare në Zvicër dhe në Itali, në institucione të teologjisë dhe filozofisë. Disa dëshmi përmendin Romën si qendër të shkollimit të tij teologjik, të tjerat përmendin qytete universitare të Zvicrës ku ai u diplomua në teologji, filozofi, politikë dhe magjistraturë. Përfundimi i studimeve vendoset mes viteve 1890–1893, duke dëshmuar se dokumentet e kohës nuk na ofrojnë datë të saktë, por na japin bindjen se ai ishte ndër intelektualët më të përgatitur të brezit të vet.

Pas kthimit në atdhe rreth vitit 1895, Dom Nikollë Kaçorri u vendos në Durrës, ku shërbeu si sekretar i Arqipeshkëvisë e më vonë si famullitar në zonat e Durrësit, Krujës e Lurës. Në këto dy dekada, ai u bë jo vetëm prijës shpirtëror, por edhe themelues i veprimtarisë kulturore shqiptare: hapi shkolla shqipe, nxiti mësimin e gjuhës amtare, dhe ngriti ura midis fesë dhe kombit. Në këtë kohë, ai u përfshi në lëvizje të rëndësishme patriotike, si kryengritja Kurbin-Krujë (1905–1907), ku u shqua si udhëheqës dhe organizator.

Figura e tij doli në plan të parë gjatë Kongresit të Manastirit (1908), ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe. Dom Kaçorri ishte ndër atdhetarët që mbështeti fuqishëm alfabetin latin, duke përpunuar idenë se “Zoti e dëgjon shqipen po aq pastër sa çdo gjuhë tjetër”, një thënie që u bë emblemë e misionit të tij atdhetar dhe shpirtëror.

Në kulmin e lëvizjes kombëtare, më 28 nëntor 1912, ai ishte përfaqësues i Durrësit në Kuvendin e Vlorës dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Qeveria e sapolindur e Shqipërisë e vlerësoi me postin e Nënkryeministrit, krahas Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, me të cilët ai bashkëpunoi ngushtë në fazat e para të shtetit shqiptar. Dallimet politike të mëvonshme me Qemalin e çuan në dorëheqje në mars 1913, por jo në largimin nga ideali kombëtar.

Në vitet e turbullta që pasuan, sidomos gjatë kryengritjes së Haxhi Qamilit, shtëpia dhe biblioteka e tij u dogjën — një nga humbjet më të rënda për kulturën shqiptare, pasi biblioteka e Kaçorrit ishte ndër më të pasurat e kohës. Nën këto kushte të vështira, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe u vendos në Vjenë, ku vazhdoi detyrën e tij si ambasador i shqiptarizmit. Në kryeqytetin perandorak, ai ndërmjetësoi me diplomatë europianë për të mos lejuar copëtimin e trojeve shqiptare dhe ngriti zërin për njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri shqiptar.

Shëndeti i tij u përkeqësua në fillim të vitit 1917. Në sanatoriumin Würth të Austrisë, më 29 maj 1917, Dom Nikollë Kaçorri mbylli sytë, larg atdheut që aq shumë e deshi dhe i shërbeu gjithë jetën. U varros në Varrezat Qendrore të Vjenës, ku prehu deri më 2011, kur eshtrat e tij u kthyen me nderime në Durrës, në Katedralen e Shën Lucisë.

Pas vdekjes, shumë gazeta — përfshirë Gazeta Djelli, Telegraf, Dielli, si dhe botime të diasporës — kanë shkruar gjatë e gjerë për jetën e tij. Por shumësia e burimeve dhe mospërputhjet e tyre dokumentojnë një fakt të qartë: historia e studimeve të Dom Nikollë Kaçorrit është e pasur, por jo e ruajtur plotësisht me dokumente të njëzëshme. Kjo është arsyeja pse studiuesit e sotëm kërkojnë ende arkiva të reja në Shqipëri, Itali e Zvicër për ta pastruar plotësisht biografinë e tij akademike.

Megjithatë, një gjë mbetet e padiskutueshme: Dom Nikollë Kaçorri ishte një personalitet i jashtëzakonshëm — prift i ditur, patriot vizionar, shtetar i përgjegjshëm, filozof i formuar dhe diplomat i natyrshëm. Ai i përket panteonit të burrave të mëdhenj që e ngritën kombin shqiptar mbi themelet e dijes, besimit dhe sakrificës së rrallë.

Në dritën e historisë, emri i tij qëndron i pastër, i lartë dhe i pashuar.

Filed Under: Opinion

Martin Camaj, ky personalitet etik

November 24, 2025 by s p

Prof. Viola Isufaj/

Martin Camaj (korrik 1925 – Mynih, mars 1992) shkrimtari, akademiku dhe albanologu shqiptar, lindi në Temal të Dukagjinit në korrik 1925 … “në një vis të egër, ‘ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit’, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”. Në vendlindje kaloi dhjetë vitet e para të jetës. Në vitin 1935 u vendos në Shkodër dhe filloi arsimin pranë kolegjit jezuit “Xaverianum” (arsimin fillor 5 vjeçar e përfundoi në 4 vjet). Pesë vitet në vijim ndoqi gjimnazin; për të vijuar më pas studimet në liceun klasik të kolegjit.

Themeloi në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948.

Si kundërshtues i sistemit totalitar, i ndjekur nga sigurimi i shtetit shqiptar, Camaj qe i detyruar të jetojë në ilegalitet deri sa ia arriti të dalë në Jugosllavi (bashkë me atë Daniel Gjeçajn OFM dhe një grup prej 36 personash). Nuk e pa më kurrë familjen; njëri vëlla bëri 30 vjet burg. Matanë kufirit, ai punoi një vit (1949-’50) mësues në Tuz për t’u vendosur pastaj në Beograd për t’u regjistruar në universitet. Camaj formimin pasuniversitar e kreu në albanologji pranë fakultetit filozofik të Universitetit të Sarajevës, udhëhequr nga albanologu prof. Henrik Bariç – kryetar i Institutit Albanologjik në Sarajevë.

I ndihmuar nga Ernest Koliqi dhe nga profesorë të vjetër të ish-kolegjit jezuit të Shkodrës, nga patër Luigi Rosa dhe patër Zef Valentini, atë kohë drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare si edhe kryetar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Romës, pasi i njihen studimet e kryera në Universitetin e Beogradit, regjistrohet në vitin e tretë studimor në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë të këtij universiteti. Këtu studion letërsi latine, italiane, filologji romane e sllave, si dhe gjuhë e letrësi shqipe; ndërkohë gjen rastin të ndjekë leksione prej poetit Giuseppe Ungaretti dhe të njohë prej së afërmi poezinë e tij.

Nën mentoratin e Koliqit, më 15 mars 1960, mbron me vlerësime maksimale pranë Universitetit te Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, e cila u botua po atë vit si botim i revistës “Shêjzat”: “Il Mesale di Gjon Buzuku. Dhjetori i 1960s e gjen në Mynih të Gjermanisë me një bursë dhjetëmujore të akorduar prej fondacionit gjerman DAAD me rekomandimin e etnologut dhe folkloristit Alois Schmaus pranë Univ. Ludwig-Maximilian.

Habilitacionin e fiton më 21 janar 1965 me leje mësimdhënieje në universitet.

Vitet 1965 deri në 1971 shënojnë dhe kohën vendimtare për konsolidimin e katedrës së albanologjisë në LMU, Mynih, duke e udhëhequr atë për 20 vjet dhe duke përgatitur dhjetëra albanologë e duke i dhënë të gjithë titujt akademikë.

***

Në veprën e të “Urtit” Martin Camaj shfaqet një vizion i ri i përmasave të jetës njerëzore. Ai e shkëput veten nga një komunitet dhe e lidh me një tjetër.

Shí në mes të shqetësimit për qytetin milionësh, Camaj projekton qenësinë identitare.

Struktura e imazheve të Camajt përmban, ndër të tjera, imazhet e fushave, malit e të vërrinit, imazhet e qyteteve dhe tempujve, të mbushura e të gjallëruara nga imazhet e lisave dhe të ujërave që sugjerojnë, jo, thjesht ato çfarë ruan poeti nga vendlindja, por edhe qetësinë e tij të humbur, supozimin e një sinqeriteti të largët.

Bota që paraqitet në veprën e tij dhe që duket si realitet i jashtëm fizik, është bota e tij e brendshme e cila funksionon ngjashëm me botën e amshuar, me një rregull të përjetshëm, të caktuar që nga kohët që s’mbahen mend, ku fenomenet janë ciklike dhe koha është kozmike. Moraliteti i kësaj bote është i pacënuar dhe i pacënueshëm.

Puna e tij përfshin mësimin e mënyrave të ndriçimit të mendjes, nuk ndalet atje, por kalon nëpër një vuajtje e mundime dhe tatëpjeta drejt vdekjes.

Në krijimtarinë poetike të Martin Camajt njeriu ballafaqohet me një dialektikë morale në lindje dhe duhet ose të ngrihet mbi natyrën fizike ose të zhytet poshtë saj në mëkat.

Është fluturimi stërmundues i Dallëndyshës së Camajt si dhe “heroi” tek Rrëfimi i heroit, shëlbimi i të cilëve, do të projektojë përshkrimin e rrugës plot sfilitje e rreziqe nga niveli më i ulët në atë më të epërm:

“Kambët më mbetën në borë e gishtat më ranë/Tue lypë nëpër akull/Zemra që i ruhen frymës së diellit.”

Mund të thuhet se qafa “ma e naltë” dhe të bërit “e bardhë” zotëron një forcë çliruese të lartë dhe i transformon thellë qeniet që prek. Kjo është e vërteta e arsyes, çliruese nga peshat e rëndomta a diabolike, nga forcat e errëta a tjetërsimet e ndryshme, është një burim i një ndryshimi të thellë të qenies, pas një transcendence në përpjekjet dhe përgjakjet me rrymat e errës a flatrave të gjethit të vjeshtës së vonë.

Camaj kërkon të zgjojë e të trondisë opinionin e sigurtë në vetvete, opinionin inert që nuk pranon asnjë ndryshim; me “Kush i bani mëngji qytetit” ai do të trazojë ndërgjegjiet e përgjumura dhe të paralajmërojë se magjia e së keqes mund të flerë, por asnjëherë të zhduket, ajo qëndron aty gati për të gjetur rrethanat e favorshme e për të shpërthyer, qoftë (dhe sidomos!) në qytetet perëndimore të cilat i kanë ngritur përmendore ngadhnjimit të vlerave të njerëzimit. Aftësia për ta zhbërë një herë e mire të keqen, është deri më tani, përtej kapacitetit të çdo shoqërie të “sado e avancuar të jetë ajo.

Pas leximit të korpusit të plotë të korpusit të Martin Camajt, shohim formën e vërtetë të mençurisë në jetën njerëzore si filozofi apo dashuri e mençurisë që është krijuese dhe jo thjesht erudite. Camaj do të përkapë e do të qëndrojë të hulumtojë në thellësi sesi në dritë të pazhbëshme jetojnë shkaqe të panumërta të të gjitha natyrave të krijuara. Kur kthehemi te fuqia krijuese njerëzore, shohim se ka një cilësi në të, cilësi që mund të quhet më mirë rikrijim, një transformim i kaosit brenda përvojës sonë të zakonshme të natyrës.

Njeriu dhe poeti Camaj, është, përpos të tjerash një personalitet etik, ai theu vulgaritetin, të padenjën, tejkaloi përgjigjen e zakonshme, spontane, të menjëhershme dhe shpaguese ndaj të keqes dhe konsakroi moralin e kulluar: “Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë“ – një drejtësi shumë më e lartë se “të vërtetat e zakonshme”, apo se koncepti ynë ligjor e moral për të “të drejtën”.

Martin Camaj mbështetet pikërisht në këtë drejtësi transformuese deri në rrënjë, e cila është harruar (“Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë. Si bima prej fare në pranverë”).

Camaj nuk komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë as këshillë të kujdesshme e as proverb, veçse gjuha e tij është proverbiale, parabolike, që na bëjnë të meditojmë për kuptimet e caktuara apo të shumta që qëndrojnë pas shenjave të rafinuara e shumëdimensionale të artit të tij poetik.

Parabola përmban dhe shpërndan“virtyte shpëtimtare”. Parabola tek “Grueja me mëngji” na thotë se si duhet vepruar për të mos njollosur shpirtin, se si zgjedhja duhet bërë me mençuri dhe në rrugën e drejtë. E në këtë përmasë jashtëkohore dhe përjetësie, ne shohim njeriun të vendosur ndërmjet dy alternative më të përgjithshme: njëra lumturuese dhe bosh nga Zoti (dmth jashtë thelbit të Zotit, pa bekimin e Zotit); tjetra plot mjerim por hyjnore.

Reminishencën e mëkatit biblik e shohim te vjersha Grueja dhe mjellma si një medium rrëfimi që këtu i bëhet jo njeriut, por një qënieje, që besohet se mishëron rikthimin, metamorfizmin e gruas në mjellmë. Gruaja prandaj, tek “Grueja dhe mjellma”, i rrëfehet kësaj gruaje tjetër, që sot është shpend i bardhë, që mundet vetëm ta dëgjojë por nuk mund t’i flasë. Gruaja lehtësohet nga pesha e rëndë e rrëfimit, nga tronditja e turpit dhe nga ballafaqimi me një mjedis objektiv, duke ia lënë këtë peshë qenies së metamorfizuar e cila do ta dëgjojë por nga e cila, nuk do të ketë qortim. Në një kuptim, duke mbështjellë një thelb të kësaj gruaje, mjellma është vetë ndërgjegjia e saj (e dikurshme, e transformuar), ndergjegjie cila po e rëndon gjithnjë e më shumë dhe nga e cila kërkon të çlirohet. Poezia “Grueja dhe mjellma” do të jetë kësisoj një tejzgjatim apo një trajtë e Rënies së Njeriut dhe e tille qe e ve gruan /njeriun, cipllak ne qender te misterit te botes.

Prerjet diakronike dhe sinkronike të botës shqiptare sendërtohen artistikisht në sistemin e shenjave, shenjëzimeve dhe parabolave kuptimore veçanërisht kur teksti poetik strukturohet si dialog dhe monolog me vetëdijen historike dhe vetëdijen mitike. “E gjeti bërthamë nën gjuhë /Tue folun /Me të bijën jehonë.”Rrëshqitja në rrafshin vertikal, pra diakronik, është, në fakt, rrëshqitja në thellësi të shekujve, në vetëdijën historike, e cila rizbulon shpirtin e njeriut shqiptar (dhe qënies dhe qenësisë shqiptare) si të qetë, fatkeq e tragjik.

“Rrodhi nëpër zemra ashtu/Si rrjedh uji teposhtë/Dhe u shkri në vetminë dhe/ U ngjall kur ra prap shi./ U ble, u shit/ Nga populli në popull/Për lëkura shpata e heshta/Për helm, voj ullinjsh e guri/E për një dele të ngrime/Në rem, argjend e ar/E u vorrue gjallë n’uratë”

Delja e ngrime në rem, argjendi e ari, lëkurat, heshtat e shpatat, voji i ullinjve dhe i gurit cilësohen nga mundësi të shumëta konotuese.

Në nivel diakronik dhe sinkronik duke ndërthurur të kaluarën dhe të tashmen. Pjesa që jep “rrjedhjen” dhe “shkrirjen” e elementeve të ndryshme (uji, shi, vetmi) na shfaqet si një përthyerje e kalimit të kohës, ku njeriu shqiptar (dhe shpirti i tij) kalon përmes periudhave të ndryshme historike dhe kulturore. Kjo “rrëshqitje” në thellësinë e shekujve na sjell një bashkëshoqërim të ndjeshmërisë së shqiptarve, të ndikuar dhe formuar nga ngjarjet dhe trandjet e mëdha historike.

Në aspektin sinkronik, poezia mund të shihet dhe si një reflektim i realitetit të tanishëm shqiptar, ku identiteti kombëtar dhe vetëdija historike janë ende në formim e sipër, duke përballuar sfida të brendshme dhe të jashtme. “Nema” sjell përplasje mes dy kohëve dhe dy shtresave të identitetit, përmes elementeve që janë të ngulitura thellë në vetëdijen kombëtare shqiptare.

Një varg simbolesh dhe shenjash si “delja e ngrime”, “rem”, “argjendi”, “ari”, “lëkurat”, “heshtat” dhe “shpatat” janë imazhe poetike, por edhe shenjëzime shenja që lidhen me histori të hershme, të dhimbshme. Ato mund të na kujtojnë ndër ngjarje të shumta historike, pasigurinë dhe vuajtjet, si dhe periudhat e humbjes dhe ringritjes; në kapacitetin e tyre më të plotë shenjues kanë një lidhje të fortë me kultin e krishterimit dhe me mitologjinë shqiptare.

Ato janë simbole të pafajësisë dhe sakrifikimit, por gjithashtu, mund t’u referohen marrëveshjeve që ky shpirt i përbashkët i vuajtur për të mos të humbur, ka bërë përmes shumë periudhave të vështira dhe gjithnjë: konseguenca tragjike e humbjes së udhës së drejtë.

Teksti poetik më lart përmban elementë mitikë dhe historikë që lidhen ngushtësisht me identitetin e njeriut shqiptar dhe trajton ndjeshmërinë e tij të thellë ndaj humbjes dhe fatkeqësisë.

Poezia është e mbushur me simbole dhe shenja që, si në një rebus, kanë të paktën kuptim të dyfishtë ose shumëkuptimësi dhe që kërkojnë përpjekje për t’u zgjidhur. Për shembull, vargjet si:

– “E gjeti bërthamë nën gjuhë” mund të kuptohet si një “fshehje” ose esencializim kuptimit të thellë, që nënkupton diçka të ruajtur dhe të papërpunuar, një sekret të jetës dhe të mbijetesës së një kombi-që është e aftë të dikur shpërthejë. Si një rebus, ky varg mund të kërkojë një “çelës” për të kuptuar se çfarë do të thotë “bërthama nën gjuhë”, që mund të nënkuptojë shprehjen e një ideje të brendshme, të pashprehur.

Na ana tjetër, “ullinjtë” dhe “guri” mund të lidhen me motin e lashtë, natyrën dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, Për shembull: – “U vorrue gjallë n’uratë” Është një prej “pjesëve më enigmatike” të poezisë që mund të kuptohet si një formë kontradikte, duke kërkuar një shpjegim më të thellë: A është ky një përshkrim i një tragjedie të madhe ku jeta dhe vdekja ndodhin paralelisht, apo është një mënyrë për të ilustruar se njeriu është “i mbytur” brenda kushteve të vështira historike dhe sociale?

-Në fillimet e leximit të veprës së tij, është vërejtur se: «Filozofia e saj, ngjan të jetë filozofia e ekzistencës së njeriut si individ, e lirisë dhe e kufizimit të tij, e përcaktimit/ determinimit të fatit prej vetes, mjedisit shoqëror dhe e një force jashtë dhe mbi mjedisin. Njeriu i saj e jeton jetën individualisht dhe jo shoqërisht sipas marrëdhënieve që ka me mjedisin shoqëror, natyrën, apo me të dyja së bashku.

Martin Camaj shi për këtë na thotë: të zbulojmë varrën ma të randë në shpirtin tonë, thelbin e tragjedisë që ashtë edhe ama e artit njerëzor. Tragjedia dëshmon qenien e dualizmit tonë në natyrë dhe në na dhe gradën që kemi mbërrijtë në zbulimin e ndërgjegjes.

Simbolet dhe shenjat përdoren pikwrisht për të ndihmuar në ndërtimin e kuptimit të asaj që ka ndodhur dhe asaj që mund të ndodhë, si dhe të reflektuar përkundër pasigurive dhe sfidave të një populli që vazhdon të përballet me të kaluarën dhe me të ardhmen e tij.

Në semiotikë, shenja mund të interpretohet si element që është i pajisur me kuptim, ajo përfaqëson diçka përtej vetvetes, dhe për këtë arsye është në gjendje të komunikojë informacione për interpretuesin ose dekoduesin e saj.

Teoria e Saussure-it e ka ndikuar në mënyrë specifike studimin e shenjave gjuhësore.

Roman Jakobson-i, përpunoi mendimin se prodhimi dhe interpretimi i teksteve varet nga ekzistenca e kodeve apo marrëveshjeve për komunikim. Përderisa sa kuptimi i një shenje varet nga kodi brenda të cilit ajo është vendosur, kodet ofrojnë një strukturë brenda së cilës shenjat kuptimësohen.

Në poezinë në fjalë “u vorrue gjallë n’uratë” është një imazh tronditës që thyen çdo ide të natyrshmërisë dhe të drejtësisë, duke krijuar një kontrast pothuajse të të frikshëm mes jetës dhe vdekjes, si dhe mes individit dhe shoqërisë.

Shprehja “u vorrue gjallë” na sjell imazhin e dikujt që është varrosur, por ende është gjallë, një paradox që është në thelb tragjik. Një popull është ende i pranishëm fizikisht, por ndodhet në një gjendje të pakthyeshme dhe të pafat.

Ky “vorrim gjallë” mund të simbolizojë vuajtjen e skajshme dhe pa shpresë, një formë të shuarjes që është e pranishme në trup, por jo dhe në shpirt.

pa mundësi shpëtimi dhe pa një rrugëdalje të dukshme. Ky përçim i papërshkrueshëm e i parrëfyeshëm në fjalë të tjera, hap para nesh një situatë ekstreme, ku jeta është e shtrënguar deri në pikën e vdekjes, por ende ka një shkëndijë të ekzistencës dhe të shpresës.

Gjithashtu, mitologjikisht, varrimi gjallë është një ide që është e pranishme në shumë tradita dhe mund të shenjojë humbjen e kontrollit mbi fatin e individit dhe shoqërisë, një ide e shpërbërjes së identitetit dhe ekzistencës. Kjo shprehje mund të përfaqësojë po edhe një formë të sakrifikimit të individit për diçka më të madhe, Në këtë kuptim, ai është një element poetik që shpreh më së miri kontrastet dhe kompleksitetin e jetës shqiptare dhe të kalvarit të saj historik.

Siç do ta shprehte Lankch: “Mbas pak kohe, edhe ai mbaroi tue marrë me vete në vorr trashigimin e Fishtës, sepse ai qe i vetmi ndër né qi prej lahutës brîdashe dinte e mujte të nxjerri kumbime, nëpër të cilat thjeshtësija skalitëse e shprehjeve rapsodike shqiptare shoqnohej e depertohej nga nji harmoní e thellë symfoniare me të kujtue fuqín e gjânë të muzikës së Wagner-it”.

***

Matrica brenda matricash, shtresëzime brenda shtresëzimesh-me cilësi të njëjta por në dimensione të ndryshme- Eshtna ndër eshtna ndër shtresa petkash të leshta -kudo në konfigurimet dhe transfigurimet mitike, ndihet retrospektiva, introspektiva dhe prospektiva; ndihet parimi krijues i palimpsestit në pëputhje me thelbin e kuptimit të jetës së njeriut, historinë tonë si komb dhe me historinë dhe pështjellimin e rruzullit: Ky libër lëkure/ i përket një populli/ i cili nuk qet asgja në harresë, andaj me vend i thirrën palimpsest, me shtresa i shkruem dy apo tri herë.

Çka na rezulton e rëndësishme në këtë fund të kësaj fjale, është dhe vetë vendosja e autorit përmbi kufijtë gjeografikë: Camaj, ky Homo Viator, nuk e harron udhën e kthimit, teksa shkel vendet e reja. Qenia poetike e tij mëton që të jetë vendi i këmbimit të përhershëm ndërmjet esencializmit që e ka zbuluar nga të ngjashmit e tij dhe tharmit vendas që kurrë nuk e ka braktisur; sepse ai ka ndjenjën e një mirëkuptimi ndërkulturor, por po aq dhe të palcës etnike.

******

Ndër të gjithë shkrimtarët shqiptarë të sotëm dhe të djeshem që përbëjnë dukuri letrare e që kanë dhënë ndihmesë për t’ia zgjeruar horizontet kulturës; Martin Camaj, qëndron në një nga majat e lartësive alpine dhe shqiptimi i fuqishëm i tij, përfton shëmbëlltyrën tërësore dhe subjektive të qënies dhe qënësisë shqiptare, ndërsa: në zhanrin e poezisë në historinë e letrave shqipe bashkekohore nga viti 1945 e deri më sot, mbetet i patëdytë.

Filed Under: Opinion

“Albanian BookFest”, një ftesë për dashamirësit e librit

November 22, 2025 by s p

Dr. Pashko R. Camaj/

📚🇦🇱 Na ndan vetëm një javë nga një ngjarje historike dhe madhështore kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan!

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim me shoqatat patriotike, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve në NY, NJ, Philadelphia e më gjerë, ka nderin të shpallë organizimin për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Festivalit të Librit Shqiptar – AlbanianBookFest, një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

Për dy ditë rresht, libri shqip nga të gjitha trojet shqiptare do të ngrihet në piedestal: letërsia, gjuhësia, historia, kultura, trashëgimia dhe tradita jonë e vyer do të bashkohen në një hapësirë të vetme kulturore dhe atdhetare.

Do të marrin pjesë 26 shtëpi botuese prestigjioze nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera shqiptare (Onufri, Toena, Fishta, Buzuku, Dukagjini e shumë të tjerë), si edhe vepra të autorëve më të shquar të letërsisë kombëtare (I. Kadare, Gj. Fishta, P. Marko, M. Meksi, B. Mustafaj, P. Shllaku, M. Camaj etj.), të prezantuara së fundmi në Panairin e Librit të Tiranës.

Ky festival synon të themelojë një traditë të re të lartë kulturore në diasporë, duke forcuar lidhjet shpirtërore me rrënjët tona të lashta. Libri është ura jonë me historinë. Libri është zëri i kombit. Libri është ambasadori ynë i përjetshëm në botë.

📖✨ Ju ftojmë me nderim të merrni pjesë në këtë aktivitet të paharrueshëm.

Bashkohuni me familjet dhe miqtë tuaj të shtunën dhe të dielën, më 29–30 nëntor, për të festuar së bashku madhështinë e librit shqip!

Filed Under: Opinion

FLAMURI YNË, ZJARR PROMETEAN DHE FLATËR ËNGJËLLI

November 21, 2025 by s p

– Festë dhe oratori –

Nga Visar Zhiti

SOLEMNITET

Festën Kombëtare, më të madhen e shqiptarëve, atë të Flamurit, e festojnë me madhështi shqiptarët kudo në botë, por mbase më bukur se diasporën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës… bashkë si një familje e madhe, këtu ku ndjehem më shumë shqiptarë, po aq sa dhe amerikanë, dinë të nderojnë dhe dine të kujtojnë. Çdo bashkatdhetar ngjan me një flamur të gjallë, sikur secili nga ne është midis flamujve, – le të flasim me fjalët që i takojnë Flamurit, – që valëvit histori zulmëmadhe dhe identitet të veçantë, ideal lirie dhe përbashkimi, përpjekje shekullore, qëndresë nën pushtimet e gjata, triumf dhe aleancë dhe vizion, krenari të ligjshme dhe dashuri.

Na ka prirë Flamuri ynë dhe jemi nën palat e tij si nën vezullime agimesh dhe muzgje të atdheut, të ëndrrës mbarëkombëtare.

Ky Flamur është ngritur hijerëndë në kështjella dhe pirgje dhe fusha beteje, ka mbulur heronjtë, por dhe nëpër dasma, vargani i krushqëve kishte kryeflamurtar, e mbajnë duart e fëmijëve, ky flamur ngrihet mbi institucionet shtetërore, presdencë, parlament, kryeministri, por dhe në ballkone pallatesh, ku banojmë, në tryeza pune e në zarfe me pullat postare, është në takime ndërkombëtare, ne ceremonira e në fusha sporti e festa e ngrihet lart bashkë me Himnin, ringrihet me çdo fitore e titull kampion, e gjejmë dhe në valixhe emigrantësh si amanet, në librat e shkollës dhe antologji poezish, në sheshe e në veprimtaritë kudo në diasporë-, në ambasada në të gjithë kryeqytetet e shteteve të mëdha e të vogla e në Organizatën e madhe të Kombeve të Bashkuara, aty me të gjithë flamujt e tjerë, i sigurtë, i barabartë.

Por ndër më të bukurit. Më i bukuri, na pëlqen të themi ne, shqiptarëve.

Flamuri jemi ne.

Ne jemi Flamuri. të parët tanë dhe ata që do të vijnë…

FLAMUR ME MITOLOGJI:

Jemi populli me flamurin ndër më të vjetrit në botë, që shkon te legjendat dhe mjegullat e mitologjisë. Një cohë e kuqe si gjaku dhe një shqiponjë dykrenore e zezë në mes. E kuqja dhe e zeza, ngjyra që përftohen nga qielli dhe toka. E errëta e tokës te shqiponja, që ta çojë lartësive qiellore dhe purpuri i agimeve dhe muzgjeve të atdheut, që të zbresë pllajave dhe fushëtirave deri në gjak.

Pse është kështu Flamuri unë? Çfarë do të thotë? Nga vjen?

Janë pyetje që i kemi bërë të gjithë dhe përgjigjet janë të shumta, ndër breza, nga më sugjestionueset, pasionante dhe shkencore, na vijnë nga studiues historianë e mitologë, antropologë e etnografë e i përsërsim në breza, në kuvende e përvjetorë e festa.

Çfarë porosie dhe enigmash shpalos Flamuri ynë? Pse këto dy ngjyra, ç’simbolizojnë me ç’kod zbërthehen dhe ku është zanafilla?

Natyrisht e gjitha lidhet me historinë e popullit, kanë atë lashtësi, mendësinë, filozofinë dhe idealin, kulturën, traditën, gjuhën mbi të gjitha, duke u bërë dhe maja valavaitëse e tyre.

Flamuri është dëshmitar i heshtur i ecurisë nëpër epoka, i fitoreve dhe humbjeve, i përjetësisë së një kombi…

Kaluam drama, luftra të gjata e paqe të shkurtra, stinë begatish e dimra vuajtjesh, murtaja dhe epidemi ideologjike dhe u përballëm me hordhi të shfarosjes, mbijetuam me perandoritë e mëdha, të Yllirëve, Hittitëve, Persëve, Maqedonasve, Romakëve e Bizantit, ishim pjesë e tyre, morëm dhe dhamë.

SHQIPONJA

Kulti i shqiponjës është mitik. Shqiponja nuk vritej, shihej si perendia e shpendëve, hyjnore. E adhuruara e Zeusit të gjithfuqishëm. Që kryente shërbimet midis qiellit dhe tokës, vetëm asaj i besohej. Shqiponja kishte një vend të veçantë mes yjeve. Ky mit ka të bëjë me pellazgët, me të cilët janë të lidhur ilirët, siç besohet nga shumë shkencëtarë. Prandaj dhe shpesh të huajt na quajnë, “Bij të Shqipes”! Shqiponja ishte emblemë dhe e Pirros së Epirit. Gjendet dhe te shteti i parë i Arbërit i viteve 1199-1216, duke krijuar një tradite që kulmoi me shtetin e Skënderbeut, ku Kastriotë e kishin dhe në stemën e tyre.

Arkeologët kanë zbuluar në hapësirat ilirike, në trojet e Shqipërisë së sotme shqiponja në gur, që datojnë në shekujt para Krishtit, si ato në tumat e Matit. Shqiponjat e gdhendura në dru nëpër djepe, në unaza, janë gjetur në zonën e Korçës, janë dhe në heraldikën arbëreshe, etj.

Po pse shqiponja është me dy koka në Flamur?

Përsëri na ndihmon miti. Zeusi lëshoi dy shqiponja, të cilat fluturuan njëra nga Lindja dhe tjetra nga Perëndimi. Atje ku do të takoheshin dy shqiponjat, do të ishte qendra e botës. Pra, dy kokat janë Orienti dhe Oksidenti, bashkime të të kundërtave, simbole të fuqisë, që mbajnë universin.

Dhe kur u nda perandoria e Romës, gjysma që mbeti Bizant, e bëri symbol shqiponjën me dy krerë, e mbajtën ilirët, më vonë dhe sllavët, perandoria Austro-Hungareze, etj.

Ngjyra e zezë përfaqëson tokën dhe vdekjen dhe pavdekësinë.

PO E KUQJA?

Është kozmogoni, lidhet me dritën biblike, shpjegojnë studiuesit. Drita është hallka ndërmjetëse mes Krijuesit dhe fillimeve të jetës

Ndërkaq, siç dihet shkencërisht, drita është valë, që me gjuhën e astronomisë quhet si “Udhëtimi i së Kuqes”, etj.

Edhe Yllirët, – ka studime që i shohin si popull biblik, – që lidhen me Hittitët, që pa Abrahami, një fis i njohur Pellazgo-Yllir, paraardhës të Dardanëve, të Kosovës së sotme. Simboli kryesor i Hittidëve është shqiponja me dy krerë. Dhe e kuqja shikohej si ngjyrë hyjnore, dritë dhe gjak i jetës.

SIMBOLI KUQ E ZI

I madhërishëm shfaqet në shekullin XV me Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, atë Flamur ngriti Ai në 28 Nëntor 1443 në kështjellën e Krujës. Dhe 3 muaj më vonë, në 2 mars 1444 në Lezhë, në ditën e Kuvendit të principatave arbërore, në Beslidhjen e madhe, e njohën si Flamur të përbashkët të të gjithëve. Që Flamuri të përmblidhte Veri dhe Jug, mbi dy kokat e shqiponjës vunë një yll me 6 cepa, që ishte simbol dhe i Muzakajve ashtu si dhe i Balshajve, ai është Ylli i Betlehemit, simbol i Diellit, – shpjegojnë studiuesit.

E dëshmojnë dhe Marin Barleti te “Historia e Skënderbeut”, bashkëkohës i heroit, shkruar latinisht, që u bë libri më i lexuar në Europë, si dhe historianë të huaj, që Skënderbeu atë flamur kishte, kuq e zi, dhe po me atë luftëtarët e tij kaptuan detin Adriatik për të ndihmuar mbretin e Napolit, dolën në brigjet e Italisë, në Europë.

Me këtë Flamur Arbëria u bë atdhe dhe me të në ballë u mbrojt dhe u mbrujt, luftoi dhe të githa kryengritjen nën pushtimin e gjatë gati 5 shekullor u bënë me këtë flamur deri sa të shkohej në Lidhjen e dytë, atë të Prizrenit në 1878.

Mbret do ta quante Naim Frashëri Skënderbeun në poemën e tij dhe:

Zot’ i madh e i vërtetë!

Emri yt qoftë i lëvduar,

Të qofshim falë përjetë,

Mos qofshim teje mërguar! –

lutej. Nga dashuria për Zotin dhe atdheun. Që katolikët shqiptarë do ta kishin credo; për fe dhe atme! – Me këtë thirrje do të jepnin dhe jetën.

Me atë Flamur Shqipëria u bë muri mbrojtës i Europës, i qyteterimit Perëndimor. Ai është Flamuri i “Atletit të Krishtit”, Skënderbeut, pa të cilin, – do të thoshte një kongresmen amerikan, ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe.

Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe Flamuri i saj lavdimadh.

FLAMURIN DO TA RIZBULONTE

NJË RILINDAS MËRGIMTAR

Në shekujt e pushtimit Flamuri do të përndiqej, do ta mallkonin e do ta digjnin. Hiri i tij mbetej në kujtesën e Kombit. Dhe po harroj si ishte, ja ashtu si flakët…

Rilindasit risollën Skënderbeun, por po Flamurin?

Që në vitin e parë të shekullit XX, kur Shqipëria vuante ende nën perandorinë otomane, një djalë 26 vjeçar, Faik Konica, në mërgim, në Bruksel, do të pyeste në gazetën “Albania”, që e themeloi vetë: “A ka Shqipëria një Flamur Kombëtar? (“Albania”, 15 shtator 1901)

Dhe do të vazhdonte. Po ka, – do t’u thoshte atyre që e donin dhe nuk e donin Shqipërinë.

“…flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lavduarit të botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetrit”, – do të shkruante. Dhe vlerësimet e tij do të mbeten më të mirët deri më sot.

“Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi në një gjuhë të pashkruar që munt t’a kuptojnë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja… Nuk janë kujtime goditjesh kundra fqinjve, nuk janë kujtime lakmirash edhe rrëmbimesh: Janë kujtime vetë-mbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta… Nga kjo pikëpamje, munt të mburremi se Flamuri ynë… është dhe një nga më të drejtët”.

I ndershëm, i drejtë, i lavdëruar! Konica, themelues ynë “vatran”, na e bën flamurin me frymë, shpirt, që flet me gjuhën e pashkruar! Dhe do të shkruante poezinë e pare për Flamurin skënderbejan.

Dhe duhej ngritur prapë. Perandoria otomane, e përzënë nga Ballkani, kishte mbetur ende vetëm në Shqipëri.

Arbëreshi Terenc Toçi la Amerikën dhe erdhi në dheun amë. Drejton lëvizjen në malet e Shkodrës dhe në 1911 ngriti Flamurin në Mirditë dhe sipas marrëveshjes, priste të zbarkonte me ushtri i biri i Garibaldit, që bashkoi Italinë dhe me ndihmën e arbëreshëve, por u la vetëm, pa njohje dhe mbështetje ndërkombetare.

SHPALLJA

Duhej pritur dhe një vit që të vinte Plaku Ismail Qemali, me urtësinë e të parëve, me përvojën e një diplomati në perandori, me një dashuri të thellë për atdheun ashtu si Skënderbeu dhe po ashtu si ai me vështrim nga Europa Perëndimore. Dhe ai mbërriti në Vlorën e tij në vjeshtën e tretë të 1912-ës. U mblodhën aty nga të gjithë krahinat, edhe nga Kosova erdhën, me kuaj, në këmbë, përmes rreziqeve dhe pengesave. Karrocën e Hajredin Bej Cakranit, ku ishte futur kryeministri i ardhshëm. Ismail Qemali, e shtynin nëpër baltra besnikët e tij, teksa vendet fqinjë po rropateshin ta copëtonin Shqipërinë e mbetur nga Turqia.

S’kishte institucione e as ngrehina për to, as hotele. Nëpër shtëpitë e vlonjatëve kishin bujtuar, ku kishte zjarr dhe zemër. Po rrinin bashkë përfaqësuesit e krahinave, ministrat që do të emëroheshin, asambleja, senati, luftëtarët, malsorët, qehallarë, rojet, etj, etj. Por s’kishin as flamur që ta ngrinin, dëshmon Eqrem Bej Vlora në “Kujtimet” e tij. Veç në shtëpinë e tij kishte një, të vënë në një kornizë të bukur, të cilin ia kishte dhuruar solmenisht në Paris Don Aladro Kastrioti.

Ismail Qemali urdhëroi ta merrnin. Dhe e ngriti në ballkonin, ku po mbahej kongresi, më 28 Nëntor, po atë ditë që dhe Skënderbeu e kishte ngritur në Kruj:e dhe kështu Shqipëria u shpall shtet më vete. U lajmërua Stambolli për shkëputjen, Europën dhe të gjitha fuqitë e mëdha. Shqipëria u b:e m;e vete

Kur ngrihej Flamurin, “m’u dridhën duart, – shkruan në “Kujtimet” e tij Ismail Qemali, – …dhe m’u duk sikur shpirti i Heroit të pavdekshëm kaloi në ato çaste si një zjarr i shenjtë mbi kryet e popullit… Ja, pra ky është Flamuri ynë… – thirri i mallëngjyer ai, – dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta mburuar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije Atdheut tonë të lirë…”. Në ato fjalë ishte shpallja dhe program, drejtimi si një testament. Plaku ribëri Shqipëri. Të rinjtë ta gëzonin dhe ta bënin të fortë e të denjë. Zv/Kryeministër u vu një katolik, Dom Nikollë Kacori. U ruajtën raportet mes feve, S’kishte rroga as për 10 ministat. Thuhej se paguante nga pasuria e tij një pinjoll i Cakrajve, i porsaemëruar zv/minister i financave. Murat Toptani, dhëndri i Naim Frashërit, u lexonte vjershat e tij, ulur kanapeve. Kur pas ca ditësh shpërthyen batare armësh, që s’pushonin, të fusnin frikën. Mijëra gjuhë flakes çanin terrin, shkruan Eqrem Bej Vlora. Ngjante si luftë, sikur na kishin sulmuar. Ç’të qe? Turmat qëllonin në ajër se kishin marrë vesh nga telegramet që kishin ardhur nga Vjena dhe Parisi që Konfrenca e Ambasadorëve në parim e kishte miratuar “Pavarësinë e Shqipërisë”. Ishin shkrehur deri në 50 000 fishekë, një harbim fishekzjarresh sa gazmor, po dhe marrok, vzhdon Eqrem Bej Vlora. Ismail Qemalit nuk i pëlqeu, se loja, tha, mbaron ashtu siç fillon. Ai donte punën, veprat.

Ndërkaq nga Rumania erdhi Himni i Flamurit, melodisë së njohur Asdreni i përshtati fjalët. U pëlqye dhe u këndua aq shumë sa nuk u zëvendësua dot me asgjë tjetër. Njëra nga strofat në kohën e komunizmit, jo vetëm që nuk këndohej, por do të hiqej dhe nga botimet:

Se Zoti vetë e tha me gojë Se kombet shuhen përmbi dhé, Por Shqipëria do të rrojë, Për të, për të luftojmë ne.

I çuditshëm ky komunikim i shqiptarëve me Zotin kështu. Shkrimtari Ismail Kadare do t’i kishte një kapitull, pikërisht kësaj strofe, në sprovën e tij “Mosmarrëveshja”. Shqipëria kishte vonesa, që ktheheshin në ankth dhe ftohtësi në pritjet e vendeve të tjera. Fqinjët ballkanikë mezi ç’prisnin ta copëtonin. Edhe Italia përballë. Në 1913 Flamuri kombëtar është prapë në rrezik. Në Shkodër futen malazestë, bie kalaja, por, për fat, ndërhyjnë ushtritë e Fuqive të Mëdha, prapset pushtuesi dhe At’ Gjergj Fishta ngre Flamurin mbi kambanoren e kishës së françeskanëve në Natën e Shnandout, teksa nga portat dalin fëmijët dhe këndojnë vargjet që kishte shkruar ai:

Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Flamuri si flatra e ëngjëllit. Mahnitës ky imazh. Dhe sa kushtrimtar.

Lufta Ballkanike shton kaosin dhe hanxharët ishin ngritur lart për ndarje. Por nga përtej oqeanit vjen shpëtimi. Se Zoti vetë e kishte thënë me gojë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dalin në krah Shqipërisë së vogël. Presidenti Woodrow Wilson, që i ftoi zgjedhjet presidenciale tre javë para se Shqipëria të shpallte Pavarsinë, i refuzoi planet për ndarjen e Shqipërsisë dhe parashtroi parimin e vetëvendosjes së popujve, qofshin dhe të vegjël. Dhe që kufijtë nuk mundet të caktoeshin më mbi bazat e politikës së fuqive të mëdha. Shqipëria shpëtoi. Kongresistët në Kongresin e Lushnjës në 1920 arritën pavarsisnë e dytë të Shqipërisë. Në jakat e tyre kishte nga një flamur të vogël të kuq. Roli i SHBA kishte qenë vendimtar. Te Presidenti Wilson ndikoi shumë dhe diaspora shqiptare, udhëheqësit e saj, Konica dhe Noli, kontakti me shqiptaro-amerikanët. Sot në Tiranë është një shesh që mban emrin e Presidentit shpëtimtar, Wilson, me shtatoren e tij në mes.

ADHURIMI

Shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjeheshin më të lidhur, më me ndërgjegje e më me përgjegjësi, me Flamurin, me më qytetari.. Dhe me dashuri patejtër. Ne ndoshta jemi i vetmi popull që u vëmë fëmijëve emrin Flamur. Madje dhe në gjininë femërore, Flamure.

Nuk ka flamur pa gruan. S’ka Skënderbe pa Donikën e tij. Duart e zonjës Marigo Posio, që qepën dhe qendisën Flamurin në ditët e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, vazhdojnë të qëndisin përsëri flamuj të tjerë me rreze drite.

Mamatë u mësojnë fëmijëve të vizatojnë dhe ja, midis fletëve shfaqet e kuqja e Flamurit. Atë të kuqe që piktori shqiptar, Onufri, e bëri të famshme në botë me ikonat e tij. Dhe pasi mësojnë vjersha për mamin, babin, (e jo për prindin nr. 1 e prindin nr. 2), fëmijët recitojnë vargje për lodrat, gëzimet e tyre, patjetër dhe për atdheun dhe Flamurin. Dhe unë, i vogël, ndër gjërat e para që kam shkruar, mbaj mend, është dhe kjo: O Flamur i Shqipërisë,/ Që valvitesh kaq krenar,/ Të ndez era e lirisë/ si zjarr….

Kur flasim për Flamurin tonë, bëhemi më familjarë. Edhe im atë kishte poezi për Flamurin. Në flakë si flakë/E shenjtë flak’rove… – shkruante.

I rritur do të mësoja se fjala flamur ka lidhje vërtet me zjarrin. Gjuha shqipe zgjodhi ta marrë këtë fjalë nga latinishtja “flammula”, (është dhe në greqishten e re φλάμμουλον), se vokacioni shqiptar gjithmonë ka qene dhe mbetet Perëndimor. Pra, rrënja e fjalës flamur është flaka, Fjamuri i Arbërit, thoshte poeti i madh arbëresh De Rada. Ai zjarr, rreth të cilit mblidheshin dikur luftëtarët e përbetoheshin, ato flakë u bënë flamur.

Flamuri i shqiptarëve është i zjarrtë me flatra shqiponje.

QË TË VAZHDOJMË ECURINË

po në kohën e Mbretit Zog si u ndje Flamuri Kombëtar, që, siç shkruanin të huajt, kishte një zog në mesin e vet, shqiponjën dykrenore. Mbi to u vendos përkrenarja e Skënderbeut, e trashëguar nga Pirroja i madh. Dhe u bënë përpjekje për të ndërruar dhe Himnit e Flamurit. Në Jurinë e konkursit ishin At’ Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e personalitete të tjera dhe fitues nxorën një të ri, Beqir Çela, nga Karbunara e Lushnjës. Himnin e ri ai e fillonte: O Flamur, Yll i Lirisë… Ishte i shkollës së Fultzit, Amerikën e shikonte si vendin e shpëtimit. E pushkatuan fitimtarët komuniste, në vitin 1947.

Një vit më vonë pushkatuan dhe Baba Ali Tomorin, poet, një libër me poezi i tij mban titullin “Flamurit shqiptar”.

Flamur! Ja ku bëhet beja! Mblidhe, mblidhe popullsinë Përparo! Zgjero Shqipërinë mer Kosovë, Çamërine! Të ndih Zoti në beteja.

Edhe djemtë e Ismail Qemalit u keqtrajtuan nga regjimi. Njëri iku në Maqedoninë Veriut, – e Jugut për ne, shqiptarët, – në Strugë me gjithë sëndyqin me dokumenta të Pavarësisë, tjetrin e burgosën.

Lëvizje dhe rebelime dhe demonstra me Flamur bëheshin herë pas here dhe në Kosovën e pushtuar. Shpesh forcat policore gdhiheshin duke gjetur të ngritur qyteteve gjatë natës Flamurin shqiptar. Sikur mbinte vetvetiu.

Sinteza më e fuqishme për Flamurin, i cili është vetë sintezë e historisë së Kombit, u arrit nga imzot Fan Noli, një himn si me ritëm trumpetash, si një marrshim krenar drejt ardhmërisë: O Flamur gjak, o flamur shkabë,

O vënd e vatr’ o nën’ e babë,

Lagur me lot, djegur me flagë,

Flamur i kuq, flamur i zi.

Flamur që lint Shën Kostandinin,

Pajton Islamn’ e Krishtërimin,

Çpall midis feve vllazërimin,

Flamur bujar për Njerëzi.

Ashtu si gjatë pushtimit fashist, që Flamurit Kombëtar i shtuan dy spatat e Liktorit, që dukej sikur kërcënonin dy kokat e shqiponjave, ndërkq nazistët pas tyre i hoqën, komunistët, me të marrë pushtetin, vendosën yllin bolshevik.

Kur të burgosurit politikë u ngritën në Spaç në revoltën që tundi së brendshmi themelet e diktaturës, në 1973, ata ngritën në mes të kampit, brenda telave me gjëmba, Flamurin pa yllin komunist. Po ku e gjetën? Një këmishë të bardhë e ngjyen me gjakun e tyre dhe piktori i burgosur bëri shqiponjën. E ngritën lart duke kënduar himnin me lot në sy. Katër të burgosur i pushkatuan dhe ridënuan dhjetra të tjerë, por dhe vetë burgun.

Dhe do të vinte dita që të hiqej ylli politik i komunizmit nga Flamuri shqiptar. Shqipëria do të bëhej demokratike, pluraliste dhe do të hapej drejt botës së lirë. Shqiptarët po iknin për një jetë më të mirë me ëndrra për të ardhmen e fëmijëve. Në gjak mbartnin Flamurin dhe festat për të bashkarisht, me këngë e valle shqiptare dhe fjalën shqip. 28 Nëntori kishte marë forcën e një ditë të bekuar dy herë. Prej saj buron forcë dhe shpresë.

VALËVITJE NË KOSOVË

Kosova donte ringjallen e saj.

Në 28 Nëntor 1997 shpallet se është krijuar Ushtria Çirimtare e Kosovës. Lajmin e UÇK-së e dhanë tre luftëtarë me uniformë dhe të armatosur e me maska në fshatin Laushë, gjatë varrimi të një mësuesi hero.

U bë me miratim të Komandantit Adem Jashari. Kështu nisi lufta e organizuar për liri kundër pushtuesit.

Dhe po në 28 Nëntor në Kosovë kishte lindur legjenda Adem Jashari, në 1955 në Prekaz. Bëri një dimër i acartë atë vit, por më keq se dimri ishte dhuna policore e regjimit serb ndaj shqiptarëve. Dhe do të ndërhynin forcat e NATO-s dhe SHBA në këtë betejë, jo vetëm çlirimtare, por dhe morale, mbrohej një popull nga eksodi masiv si në Bibël. Pas bombardimeve të Beogradit, Kosova u shpall Republikë më vete.

Shqipëria u fut në NATO dhe Flamuri i saj është bashkë me flamujt e forcave Perëndimore euroatlantike, me demokracitë më të përparuara.

Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare të vegjël në Ballkan, por me histori të lashtë, kanë gjetur te Shtete Bashkuara të Amerikës së madhe aleatin jetik, mbrojtësin dhe mbështetësin.

Prandaj dhe shqiptarët e mbajnë Flamurin e tyre pranë atij të Amerikës, në shtëpi dhe punë dhe festa. Lartësohet në çdo 28 Nëntor në të gjitha trojet tona e kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Është si zjarri i vatrës që na mbledh. Flakët bëhen dritë. Më bukur se gjithkund ato shkëlqejnë atje ku jemi, bashkë…

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT