• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DIELLI” ME SHQIPTARËT NË AUSTRI, TË MËSOSH SHQIP NËPËRMJET RADIOS

December 7, 2023 by s p

Desara Beqari Gjonej mësuese dhe producente e emisionit në radio “kikiriki-shqip me fëmijë” në Vjenë të Austrisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e gjuhës e kulturës shqiptare dhe zhvillimin e mësimit shqip nëpërmjet radios si media me pjesëmarrjen e fëmijëve shqiptare në Vjenë dhe krijimin e një platformë komunikimi radiofonike më fëmijë shqiptarë kudo në botë. Me mësuesen Desara Beqari Gjonej bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

TË MËSOSH GJUHËN SHQIPE NË MËNYRË ARGËTUESE

Metodikat që premtojnë për nxënësit sukses në të mësuar janë ata që fokusohen në projekte, në lëvizje gjatë mësimit, në bashkëpunim në grupe, në lojëra, në muzikë etj. Ne këtë e vërejmë më së miri te fëmijët tanë. Shpesh çuditemi sa shpejt dhe sa mirë e mësojnë ata psh. gjuhën angleze. Mirëpo po ta shohim me vemendje aty nuk ka asgjë për t’u çuditur. Ora e mësimit në gjuhën angleze është e tëra një argëtim i vërtetë dhe njëkohësisht çdo gjë është e mirëmenduar nga ana didaktikore. Muzika dhe bota kompjuterike, lojërat e ndryshme që fëmijët i bëjnë në gjuhën angleze në shkollë dhe në kohën e lirë i bën ata ta përceptojnë shpejt dhe ta duan këtë gjuhë. Ky është një koncept didaktikor që rekomandoj të ndiqet edhe nga mësuesit e gjuhës shqipe në mësimdhënien e shqipes me fëmijët shqiptarë që kanë lindur dhe po rriten në Diasporë. Metodika e mësimdhënies është diçka mjaft komplekse, të cilën mësuesit duhet ta zhvillojnë rregullisht dhe pa komplekse. Unë jam e bindur që vetëreflektimi dhe trajnimet e vazhdueshme të mësuesve na afrojnë kurdoherë ndaj suksesit që duam të arrijmë me nxënësit tanë.

NJË EMISIONI NË RADIO PËR FËMIJËT E DIASPORËS

Emisioni “kikiriki-shqip me fëmijë” u transmetua për herë të parë në qershor 2022 pas disa muajsh parapërgatije nga ana ime. Ai krijohet nën drejtimin tim nga disa fëmijë shqiptarë në Vjenë për fëmijët shqiptarë kudo në botë. Ky emision transmetohet në radion e lirë austriake Radio Orange. “kikiriki-shqip me fëmijë” është një emision gjithëpërfshirës, që do të thotë, ne flasim shqip në emision, jemi online dhe mund të dëgjohemi në tërë botën. Fëmijët shqiptarë anë e mbanë botës jo vetëm mund të na dëgjojnë, por ata mund të bëhen lehtësisht redaktorë të emisionit tonë, duke na dërguar inçizime të zërit me poezi, këngë ose kuriozitete dhe humor, të cilat ne i vendosim në emisionin tonë live. Emisionet tona prej qershorit 2022 gjenden edhe në arkivë, në faqen tonë të internetit www.ejamene.com.

Me fëmijët e radios unë takohem rregullisht një herë në javë dhe ne përgatitemi për emisionin që do të mbajmë live një herë në muaj, në të dielën e dytë të çdo muaji: ne ushtrojmë fjalorin, të shprehurin, bëjmë ushtrime zëri si dhe përcaktojmë temat për çfarë do të flasim. Pra emisioni në radio është në fakt produkti i punës dhe mësimit tonë.

Për fëmijët primare është që ata po argëtohen me projektin e radios dhe as që e vërejnë se realisht ata nga takimi në takim po përmirësojnë dukshën njohuritë e gjuhës shqipe. Gjithashtu edhe në shkollë këta fëmijë janë më të vetësigurtë në prezantime dhe gjatë referateve që mbajnë vazhdimisht në gjuhën e vendit. Ata dinë si t’i zgjedhin fjalët, si të rrinë, si ta nxjerrin zërin, si të flasin qartë dhe kuptueshëm dhe dinë si të thonë gjërat më të rëndësishme në një kohë të shkurtër.

EMISIONI PËR TË GJITHË FËMIJËT SHQIPTARË, KUDO NË BOTË

Ky emision dëgjohet në të gjithë botën dhe natyrisht falë internetit ne mund të arrijmë shumë dëgjues. Në faqen e internetit madje ka edhe materiale shtesë, fletë pune dhe lojëra online në gjuhën shqipe që janë krijuar nga unë enkas për secilin emision. Kështu pra, fëmijët nuk janë vetëm dëgjues pasivë, por ata mund të punojnë dhe mësojnë me materialet shtesë si dhe mund të bëhen redaktorët tanë aktivë. Kjo është një nismë që po pëlqehet dhe ndiqet gjithandej. Fëmijë shqiptarë nga disa vende na janë bashkuar si reporterë nga bota – ata jetojnë në Gjermani, Suedi, Itali dhe Shqipëri. Gjithashtu neve na dëgjojnë edhe në orën e mësimit të gjuhës shqipe në vende të ndryshme të Evropës dhe më gjërë. Emisioni është i njohur në shumë vende edhe falë mësuesëve të gjuhës shqipe dhe nëpërmes familjarëve që u rekomandojnë familjeve me fëmijë të moshave 5 – 15 vjeçare ta ndjekin këtë emision. Ky program ndiqet falas.

ARGËTIMI KËRKON SHUMËLLOJSHMËRI. PROJEKTI MË I RI…

Fokusi im është mësimi i nxënësve përmes argëtimit. Mirëpo siç e dimë argëtimi do shumëllojshmëri dhe nuk mbaron me kaq, prandaj as projektet nuk duhet të mbarojnë këtu. Projektit të emisionit në radio i bashkohet tani gazeta e parë në gjuhën shqipe për fëmijët e Diasporës. Ajo quhet “kikiriki-gaz(j)eta për fëmijë”, krijohet në Vjenë nën drejtimin tim nga disa fëmijë shqiptarë dhe lexohet në gjithë botën. Fjala “gaz(j)eta” mban në vete një lojë fjalësh – ne urojmë lexuesit tanë t’u shkojë jeta gaz e hare. Numri i parë i kësaj gazete u publikua më datë 28 nëntor 2023. Gazeta gjendet online dhe ofrohet falas – ajo mund të lexohet, shfletohet dhe madje mund të dëgjohet online në këtë link: www.ejamene.com/gazeta

RRËNJË DHE KRAHË

Me fëmijët e grupit “kikiriki-shqip me fëmijë” ne bëjmë edhe shfaqje për prindërit dhe publikun tonë të ftuar në sallë. Prindërit janë mbështetësit tanë më të mëdhenj dhe të rëndësishëm në këtë nismë. Shfaqja e ekipit tonë mbajtur në Vjenë, më datë 26.11.2023 me rastin e festave të nëntorit, ishte njëkohësisht edhe një festë donacioni, ku u mblodhën 430 Euro. Kjo shumë e dhuruar nga prindërit e fëmijëve “kikiriki-shqip me fëmijë” shkon e tëra në Fshatin SOS në Shqipëri në ndihmë të fëmijëve në nevojë – kjo ndodh përmes SOS Kinderdorf, Austri. Qëllimi ynë si prindër dhe si mësues është që fëmijët t’i njohin dhe t’i ruajnë rrënjët e tyre, mirëpo edhe të jenë më së miri të integruar në vendin ku kanë lindur dhe po rriten. Ndaj me grupin e fëmijëve “kikiriki-shqip me fëmijë” dhe me prindërit e tyre bëjmë edhe aktivitete të ndryshme që kanë lidhje me kulturën e vendit mikpritës, ku jetojmë. Tani në prag të vigjiljes së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri ne pjekim biskota me fëmijët dhe i zbukurojmë ato siç është zakon në Austri. Gjithashtu ne takohemi edhe jashtë në qytet në tregun e madh të Krishtlindjeve dhe kalojmë një pasdite të bukur familjare shqiptare dhe vjeneze. Fëmijët e përjetojnë kështu gjuhën shqipe si një pjesë të bukur të idetitetit të tyre dhe e integruar natyrshëm në qytetin ku ato jetojnë. Fëmijët kuptojnë që këto dy kultura nuk e shtyjnë, por e mbështesin njëra-tjetrën për të nxjerrë në pah më të mirën tek secili prej nesh.

KUSH ËSHTË DESARA BEQARI GJONEJ?

Desara lindi dhe u rrit në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës. Studimet e larta për Filologji Gjermane dhe Histori Arti i përfundoi në qytetin e Gracit në Austri, ndërsa studimet e larta për mësuese në shkollën fillore i përfundoi në Vjenë. Jeton me familjen e saj në Vjenë dhe punon në një shkollë shtetërore vjeneze. Në kohën e lirë Desara zhvillon projektet e saja që kanë lidhje me mësimin e gjuhës shqipe për fëmijë në mënyrë argëtuese.

Filed Under: Opinion Tagged With: desara gjonej, Sokol Paja

KËNGA E GJORG GOLEMIT DHE FIGURA GJERGJ ARANITIT NË LETËRSI DHE ARTE

December 7, 2023 by s p

Shkruar nga Avni Alcani/

Në vitin viti 1938, zoti Shahin Zharri, ish nxënës i shkollës Normale të Elbasanit, botoi në revistën “Shkolla Kombëtare” (Nr.16-17, faqe 22) këngën historike me titull: “Kanga e Gjorq Golemit”, e cila është konsideruar si një ndër krijimet më të bukura të folklorit shqiptar. Kënga i kushtohet Gjergj Aranit Golemit, një nga figurat historike më të shquara të shekullit të 15-të.

      Që nga botimi i saj, kënga e Gj. Golemit, si dhe figura e Gjergj Aranitit, kanë qenë objekt studimi nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, por edhe burim frymëzimi për krijimin e shumë veprave letrare dhe të arteve figurative.

      1. Gjorg Golemi në veprat letrare.

      Krijimi i parë letrar që njohim, i cili është frymëzuar me motivet e këngës së Gjorg Golemit, është novela “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit: Lufta e Bekuar”, e shkrimtari Dhimitër Shuteriqi (Revista “Nëntori”, Nr. 3, Tiranë 1957, faqe 26–70). Si ngjarjet dhe personazhet u mbështetën në subjektin e këngës së Gjorg Golemit. Novela  pati sukses dhe u prit mjaft mirë nga lexuesit. Ajo u konsiderua nga kritika e kohës si një nga “krijimet më të bukura… (që) edhe tani lexohet me endje…” (D. Shapllo: “Në botën krijuese të një tregimtari të shquar”, “Nderim Dh. S. Shuteriqit”, Tiranë 2004, faqe 96). 

      Shkrimtari Sterjo Spasse, në romanin e tij epope “Pishtarët” (1975), një nga personazhet e shumtë të romanit të tij ishte Halit Bërzeshta (Bej Babai), i cili, shkruan autori, meditonte i ulur mbi minderin e shtëpisë së tij, për legjendën e Gjorg Golemit dhe  heroizmin e grave sopotare.

      Në vitin 1967, poeti i mirënjohur elbasanas Musa Vyshka, botoi një vjershë të titulluar “Gjorg Golemi”. Vjersha u botua në një antologji letrare, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gj. K. Skënderbeut, me titull: “Antalogji për Skënderbeun” (1967), në të cilën ishte përfshirë krijimtaria më e mirë letrare e autorëve shqiptarë në vite. 

      Në vitin 1968 shkrimtari  Kolë Jakova shkroi libretin “I fundmi i Golemëve”, me motive të novelës së Dh. Shuteriqit “Ditët e sprepsme të Gj. Golemit”. Kompozitori Nikolla Zoraqi i vuri muzikën libretit të Jakovës, e cila u shkruar me rastin 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Për fat të keq opera nuk u vendos kurrë në skenë, për shkak të mentaliteteve të kohës, të pretendimit absurd, pasi personazhi kryesor i veprës ishte një prift (!).

       Në novelën e shkrimtarit Ismail Kadare, “Prilli i thyer” (1978), personazhi kryesor e ka emrin Gjorg. Mendoj se emri Gjorg, i romanit të Kadaresë, është huazuar nga emri i personazhit kryesor të poemës së mirënjohur, Kanga e Gjorg Golemit. Gjuhësisht, forma e emrit Gjorg-Gjorgu, është varianti i emrit biblik Gjergj. Variantet: Gjorg, Gjorga, Gjorgu, qarkullojnë në trevat ku ruhen këngët dhe legjendat për Gjorg Golemin, si në Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Pogradec. Ende dhe sot e ndeshim në disa toponime, si: Mali i Gjorg Golemit (Polis-Librazhd), një përrua në Myzeqenë e Vogël (Elbasan), quhet Gjorgë, kurse nnë fshatin Gurakuq (Çermenikë-Librazhd) një fis mban si mbiemër (llagap) emrin Gjorga etj. 

      Figurën e Princit të Sopotit pati përfshirë në veprën e tij dhe poeti Koçi Petriti. Petriti ka qenë mësues në trevat e Librazhdit prej shumë vitesh (22 vjet), e cila i kishte dhënë mundësinë që ai të ishte në kontakt me krijimtarinë folklorike librazhdase kushtuar Gj. Golemit. I mbështetur te këto legjenda ai shkroi baladën “Golomarja” (1974). Disa vite më vonë ai e ripunoi baladën dhe i shtoi vjershës vargje të tjera, duke e transformuar në një poemë. Në vitin 1978, në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, poema e K. Petritit “Golomarja” mori Çmimin e Parë Kombëtar. 

      Mbështetur në subjektin e këngës së Gjorg Golemit, shkrimtari Dilaver Baxhaku shkroi një dramën me titull: “Histori me rrënjët në legjendë – Historia e kalasë së Sopotit dhe e Gjergj Golemit”. Në vitin 1982 radiodramatizimi u regjistruar në Radio-Tirana nga një grup aktorësh të Teatrit Popullor të Tiranës dhe është transmetuar e ritransmetua disa herë në Radio-Tirana, gjatë emisionit: “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” (Fondi i fonotekës së Radio-Tiranës, Nr. i regjistrimit 559).

      Shkrimtari i mirënjohur për fëmijë Odhise K. Grillo, shkroi një librër poetik me ilustrime, të titulluar : “Shpata e Gjorg Golemit” (2001). Subjektin e librit autori e mori nga legjenda dhe nga kënga e Gjorg Golemit, duke e përshtatur për fëmijë. Libri është ilustruar nga piktori Lulzim Mema. 

      Krijimi më i fundit letrar, që ka si personazh kryesor një personazh me emrin Arianit Komneni, është romani “Të jetosh në ishull” (2008), i autorit Ben Blushi. Personazhi i Blushit ka jetuar në shek. XVII dhe është stërnip i nipit të Gjergj Aranit Komnenit, princit të famshëm shqiptar të shek. XV, emrin e të cilit e ka trashëguar ai dhe djali i tij, Gjergji. Në hyrje të romanit, Arianit Komneni i rrëfen Ali Tepelenës, një tjetër personazhi historik, rrënjët e fisit të tij të Komnenëve dhe historinë e bëmat e stërgjyshit të tij të madh.

      2. Kënga e Gjorg Golemit dhe figura e Gjergj Ananitit në artet figurative.

      Figurës së Gjergj Aranitit i janë kushtuar mjaft vepra në artet figurative, si në pikturë, skulpturë, grafikë, qeramikë etj. 

      Me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se Gj. K. Skënderbeut piktori Guri Madhi realizoi një kompozim në pikturë të titulluar “Sopotaret”. Tabloja evidenton heroizmin dhe vetëmohimin e grave sopotare, të cilat rrëmbyen armët në mbrojtje të Gjorg Golemit dhe të kështjellës së Sopotit. Piktura është mjaft e realizuar artistikisht dhe konsiderohet si një nga veprat më të bukura të piktorit Guri Madhi. Piktori Pandi Mele ka realizuar një portret në grafikë kushtuar figurës së Gjergj Aranitit. Portreti i Pandi Meles ilustron çdo shkrim kushtuar Gj. Aranitit. Gjithashtu, po në këtë kuadër, Piktori librazhdas Sami Roçi, i frymëzuar në këngën e legjendën e Gjorg Golemit, mbështetur dhe nga poema “Golomarja” e Koçi Petritit, në vitin 1978 realizoi një pikturë shumë të bukur kushtuar Marës së Golemëve. 

      Portreti i parë që njohim në skulpturë, kushtuar Gjergj Aranitit, është një vepër e Dhimitër Çanit, e realizuar në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në vitin 1981 skulptori Agim Rada realizoi një portret kushtuar Gjergj Aranit. Portreti ndodhet në muzeun Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të qytetit të Krujës. Portreti më i fundit në skulpturë, kushtuar figurës së Gjergj Aranitit, është realizuar në vitin 1983 nga klasiku i skulpturës shqiptare, Odhise Paskali. Portreti i Paskalit kohët e fundit (2005) është derdhur në bronz dhe është i vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Librazhdit.

      Piktori Sali Shijaku në vitin 1985 ka realizuar mbi një pjatë dekorative në qeramikë portretin e Gjorg Golemit, të cilin e pat titulluar: “Në Mal-Plak, mbi një breg, Gjorg Golemi thot’ jam Mbret!”. Titulli është marrë nga vargjet e këngës së Gjorg Golemit. Pjata dekorative ishte koleksion i një ekspozite me punime qeramike, që piktori Shijaku kishte hapur në vitin 1985 në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative të Tiranës.   

      Në vitin 2001 piktori Lulzim Mema ilustroi librin e sipërpërmendur “Shpata e Gjorg Golemit” të shkrimtarit Odhise Grillo. Piktori  ka realizuar rreth 16 ilustrime me ngjyra (kompozime), duke përfshirë edhe dy kopertinat. Piktori, për t’i vendosur ngjarjet në kohë, në shek. e 15-të, ka përdorur mjete dhe elemente artistike shumë shprehëse, si veshjet, armët e luftëtarëve shqiptarë, kështjellën, peisazhin etj., të cilat nxisin dhe zhvillojnë fantazinë e fëmijëve. Ilustrimet janë mjaft të arrira nga ana artistike.

      Kënga e Gjorg Golemit ka qenë dhe mbetet objekt edhe i krijimtarisë publiçistike. Në shtypin shqiptar janë shkruar me dhjetra artikuj, që i kushtohen ngjarjes së Sopotit dhe figurës së Gjorg Golemit.

C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\1. A Alcani e02af5d8-2013-4cd1-82de-885efb814e04 (6).jpg
C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\Sh Zharri Kanga e Gjorq Golemit...2.tif

                                 Avni Alcani                                 Sh. Zharri: Kanga e Gjorq Golemit     

C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\nr2-8.tif

                                                    Pandi Mele : Gjergj Aranit Golemi

C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\5. Guri Madhi Sopotaret.jpg
C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\S Roci Golomarja IMG_4678.jpg

                           Guri Madhi: Sopotaret                                         Sami Roçi: Golomarja

C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\gjergj araniti.jpg
C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\4. Agim Rada Gj Araniti Muzeu i Krujes Page0001.jpg
C:\Users\Guest\Desktop\Gj Araniti ne letersi dhe arte\3. Busti i Gjergj Aranitit i vendosur ne qender te qytetit te Librazhdit picture 077.jpg

         Dh. Çani: Gj. Araniti                     A. Rada: Gj. Araniti              O. Paskali: Gjorg Golemi 

Filed Under: Opinion

“Përjetësia e dyfishtë”

December 6, 2023 by s p

Dr. Lulëzim Nika/

Libri “Përjetësia e dyfishtë” e Bedri Islami, studiues, veprimtar dhe udhëheqës politik, padyshim se është një prej referencave kryesore të historisë së re të Kosovës. Ky libër flet për hapat dhe fillimet e lëvizjeve për luftën e armatosur për çlirimin e tokave të pushtuara dhe të ndara padrejtësisht në vitin 1913, “viti i mbrapshtë”, siç e quan Kadare.

Lëvizja për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare kishte intensitetin e vetë, varësisht prej rrethanave historike të krijuara në Ballkanin e trazuar të shekullit XX. Autori Bedri Islami, në librin “Përjetësia e dyfishtë”, në mënyrë të shtruar paraqet idealin e brezit të gatshëm për çlirim që morën përsipër përgjegjësinë për ndryshimet historike, duke sakrifikuar krejt çka patën, familjen dhe jetën e tyre.

Libri kushtuar heroit e heroinës, të përkushtuar thellësisht që nga mosha e rinisë u dashuruan në gjeografinë etnike të trojeve shqiptare, qëllimet dhe idealin për çlirimin e Kosovës. Për Fehmiun dhe Xheven, Shqipëria dhe tokat shqiptare nuk kishin ndarje në krahina e as regjione, por ishin një, ashtu siç i kishte bekuar vetë perëndia.

Autori i librit në mënyrë kronologjike dhe analitike, duke ruajtur vazhdimësinë historik të veprimtarisë së heronjve të pavdekshëm, përshkruan një jetë në shërbime të çështjes kombëtare të heronjve tanë.

Po pse është kaq i veçantë për historinë tonë kombëtare Heroi Fehmi Lladrovci?

• E para, nga rinia e hershme, ai jetën e tij e vuri në shërbim te idealit më human dhe më të rëndësishëm që ka njeriu, liria për popullin e tij të shtypur që autori e përshkruan angazhimin e tij në luftën për liri të popullit kroat.

• E dyta, me idealin e lirisë ishte rritur në familjen e tij patriotike, me traditë dhe histori, pasi Fehmiu duke mos u pajtuar me gjendjen e robërisë së kombit të tij, ishte i gatshme të merrte barrën e organizimit të luftës së armatosur, për të vepruar kundër pushtuesit jugosllav. Pikërisht ky moment i prillit të vitit 1985, e bën ideolog të organizimit të armatosur dhe personalitet historik të rëndësisë së veçantë për historinë tonë kombëtare, pasi Lëvizja për Lirinë e Kosovës e ngarkon atë me detyrën e Sekretarit për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës.

Ajo që bie në sy në gjithë librin e autorit Bedri Islamit, është bindja e heroit Fehmi Lladrovcit në forcën e organizimit të brendshëm dhe bindja se liria mund të vije vetëm nëse ne organizohemi në luftën çlirimtare që këtë e dëshmon historia e Kosovës.

UÇK-ja me luftën e drejtë u bë pjesë e jetësimit të programit kombëtar shqiptar, të artikuluar që në Lidhjen e Prizrenit. Bedri Islami, duhet të përgëzohet për këtë libër të rëndësishëm, me vlerë kombëtare për rrugën jetësore të ideologut të luftës për çlirimin e Kosovës Fehmi Lladrovcin dhe heroinën Xhevë Lladrovci.

Librat si ky, mbesin udhëzues me të cilin historia jonë e re pasurohet dhe është gjurmë ndriçuese për brezat.

Filed Under: Opinion

Dita e Pavarësisë në Kastrovillari\ Kalabri \ Itali

December 5, 2023 by s p

Ndërsa kalon në zonën e Pollinit në Kalabri syri do të kapi shkëmbinjë, rrënjë, dhe qyteza, midis tyre shtirhet Kastrovillari. Në këto zona çdo fshat është plot histori, legjenda, tragjedi dhe lavdi. Kastrovillari është qytezë ku gjenden edhe një numër i konsiderueshëm arbëreshë. Shumë Familje nga diaspora janë vendosur në eksodin e parë rreth viteve 1991, shumë të tjerë kanë ardhur më pas. Ata punojnë dhe janë integruar në këtë qytezë.

Disa muaj më parë këtu u përurua edhe busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu heroi ynë legjendar, subjekt i admirimit të trimërisë, mençurisë, simboli dhe përfaqësues i përhershëm i imazhit dhe identitetit evropian.

Pikërisht tek ky bust vendosur tek “Sheshi i kuq”ku pranë tij është “Sheshi i zi”, simbolet e dy ngjyrat e flamurit shqiptar, u festua për herë të parë tek ky shesh dita e Pavarësisë.

Familjet e tyre veshur me kostumet kombëtare me flamuj në duar, nën tingujt e muzikës i dhanë jetë, shpirt e dinjitet kësaj feste edhe pse në dhe të huaj

Në këtë ditë feste merrnin pjesë shumë familje shqiptare, arbëreshe, si edhe italiane. I ftuar ishte edhe arbëreshi At Bellusci, Av Tommaso Bellusci, Tommaso Ferrari etje.

Një falenderim i veçantë i shkon organizatorit Fatmir Filja shqiptar i Shqipërisë, emigruar rreth 30 vjet i cili me inisiativën e tij, me përpjekjet e tij, me lodhje, preokupime, mbështet cdo aktivitet dhe nisma patriotike. Shumë shqiptar të tjetër të cilët me familjet e tyre i dhanë shpirt festës, dhe na bënë të ndihemi krenar se Shqipërisë nuk i mungon vëllazëria, patriotizmi dashuria për atdheun. Fëmijët me bukurinë e tyre, kostumet kombëtare me flamujtë në duar ishin bukuria e kësaj feste. Festa u mbyll me himnin Rreth flamurit të për bashkuar si dhe me brohoritjet rroftë Pavarësia!

Urime mëma Shqipëri!

Gëzuar 28 Nëntorin ditën e Pavarësisë.

Përgatiti Ornela Radovicka Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga A. Bellusci 1980

Filed Under: Opinion

Vatra Miami dhe Emina Cunmulaj mbledhin për herë të parë diasporën e Miamit për të celebruar ditën e Flamurit !

December 4, 2023 by s p

Data 2 Dhjetor 2023, do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit shqiptar në Miami, pasi për herë të parë në historinë e këtij qyteti, komuniteti shqiptar u mblodh për të festuar Festen e Flamurit, kjo falë iniciativës të Vatra Miami dhe Emina Hands Foundation.

Zonja Emina Cunmulaj , e nderuar së fundmëni “Ambasadore Nderi e Vatrës” , si dhe zonja Iris Halili Kryetare e degës së Vatrës Miami, përmes iniciativës së përbashkët si dhe shkëmbimit të ideve për këtë event, arritën të realizojnë një mbrëmje elegante të komunitetit Shqiptar, ku klasi, etika dhe bukuria shqiptare u shfaq edhe një herë më së miri dhe ku Flamuri Kuq e Zi ndeshej në çdo detaj të mjedisit.

Në këtë mbrëmje Gala morrën pjesë të ftuar nderi sikur Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Shqipërisë në Washington z.Ervin Bushati; Krytari i Bashkisë së Miamit z.Francis Xavier Suarez, z. Mark Gjonaj, ish këshilltar i qytetit të NY, Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, nënkryetari z.Alfons Grishaj , sekretari Dr. Pashk Camaj, kryetari i këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja, kryetari i degëve z. Mondi Rakaj si dhe shumë vatranë dashamirës që kishin udhëtuar edhe nga larg për të nderuar këtë event.

Të nderuar të veçantë nga bota e artit ishin reperi i famshëm me origjinë nga Kosova, z. Labinot Gashi, këngëtarët e njohura zonjat Arbërie Hadërgjonaj dhe Liri Donaj, si dhe shumë të tjetë të ftuar nderi të cilët i dhanë kësaj mbrëmjeje momente mbresëlënëse.

Komuniteti Shqiptar në Miami i takon asaj elite të emigracionit shqiptar të ardhur ne Shtetet e Bashkuara pas viteve ‘90 dhe që së shumti kanë ardhur në këtë qytet përgjatë dekadës së fundit. Ai është një komunitet shumë i integruar dhe paraqet më së miri dhe denjësisht nivelin e diasporës shqiptare në USA.

Ata që e morën fjalën, theksuan rëndësinë që po merr çdo ditë e më tepër komuniteti shqiptar gjithnjë e në rritje në Miami në përgjithësi dhe në gjithe zonën e Floridës së Jugut në veçanti, si dhe rëndësinë për të qenë më të lidhur dhe më të afërt me njëri-tjetrin rreth një gjuhe që na bashkon dhe një flamuri që na nderon.

Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë së Miamit theksoi suksesin e këtij komuniteti që ndoshta nuk është shumë i madh në numër, sikur komuniteti latin, por në të njëjtën kohë mbetet një komunitet shumë i respektuar falë vendit që ka zëne në shoqërinë ku jetojnë dhe punojnë denjësisht.

Në emër të komunitetit shqiptar në Floridën e Jugut dhe veçanerisht në Miami, Kryetarit të Bashkisë Miami si dhe Ambasadorit Bushati ju dha trofeja e nderimit dhe e mirënjohjes.

Kryetari i Vatrës, z.Elmi Berisha, në fjalën e tij pasi u ndal në rolin e madh që ka luajtur Federata Panshqiptare Vatra në histori, si dhe rolin e saj në bashkimin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, u ndal gjithashtu në vizionin e Vatrës për të ardhmen si dhe rolin që duhet të luaj Vatra në gjeneraten e re të diasporës, ku padyshim dega e Miamit është një degë e re por me shumë vision për të ardhmen.

Të gjithë pjesëmarësit vleresuan përsosmërinë e këtij eventi si dhe shpehën mirënjohjen e organizatorëve duke kërkuar më shumë eventeve të tilla në të ardhmen.

Të gjitha fitimet e kësaj mbrëmjeje gala kanë shkuar në fondacionin bamirës të Zonjes Emina Cunmulaj’s “Emina’s Hand”, fondacion ky kryesisht dedikuar shërbimit të familjeve në nevojë shtrirë pothuaj në të gjitha trojet shqiptare.(Dielli)

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT