• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Asdreni – poeti i shquar që skaliti vargjet e Himnit tonë Kombëtar

November 20, 2025 by s p

Prof. Dr. Ymer Çiraku/

Asdreni (1872-1947) mbetet një ndër personalitetet e shquara në panteonin e letrave shqipe.. Portretin e tij si poet dhe si një ndër veteranët e dalluar të kauzës kombëtare, do ta përjetësonte plot nderim në vargje Lasgush Poradeci, kur do të shkruante për të:

Burr` i urtë-e i veçuar…

Pate shkruar e punuar

Kombin për t`a kombësuar,

Shqipen për t`a shqipëzuar.

Qysh me botimin e librit të parë “Rreze dielli” (1904), Faik Konica, i njohur si mjaft i kursyer në vlerësime, do të shkruante te revista që drejtonte “Albania” (1897-1909), se gjuha e Asdrenit është e qëruar, e kulluar dhe se ky libër i parë i tij, prezantohet plot me vlerë letrare dhe është nga të paktët libra, që meritojnë të jenë në libratore (librari) të çdo shqiptari e të huaji.

Vlerësime pati edhe nga E. Çabej, te teksti i historisë së letërsisë shqipe, të cilin, ai e hartoi për shkollat e mesme të kohës (1936), ku e veçonte Asdrenin si poetin lirik – që rron në artin dhe për artin e tij. Vedat Kokona, si një nga autorët e botimit të njohur dy vëllimësh “Shkrimtarët shqiptarë” [1940] (hartuar nën drejtimin e E. Koliqit), vepër kjo në formatin e një historie akademike të letërsisë shqipe, theksonte dhe çmonte, sidomos te libri më i fundit “Psallme murgu” (1931), se poeti krijon këtu një raport të ri me botën dhe, me tendencë, heroin e vet lirik e koncepton si një pikë uji mes oqeanit, ku ai endet si duke kërkuar që të zgjidhë misterin e shpirtit dhe të frymës – nëpër shtjellat e travajeve egzistenciale.

Edhe Mitrush Kuteli, te një shkrim i tij te “Revista letrare” (1944), arrin që të vrejë një rrymë të re që kjo vepër sjell në poezinë shqipe: pikërisht modelin poetik meditativ, refleksiv. Nën një petk të jashtëm religjioz, në fakt, këtu përthyhen rrethanat dhe gjendjet e vështira të njeriut – në raportet e tij vetmitare e vazhdimisht ballafaquese e përsiatëse. Pra, kemi pjekurinë e poetit, nën ndikimin edhe të lëvizjeve letrare moderne, që qarkullonin aso kohe në letërsinë rumune, të cilën, ai e njihte mjaft mirë. Një frymë e dukshme estetizante, prirjet për nga simbolizmi, të ashtuquajturat kujdesjet e “tepruara” për formën, qëndisjet stilistike, këto dukuri e prirje të reja, paradoksalisht u kritikuan viteve të kohës soc-realiste, të ashtuquajtura si ndikime të dëmshme formaliste e dekadente. Por që në fakt, ato dëshmonin orientimin e tij krijues tashmë më të stabilizuar e më të pjekur, ndaj artit të vërtetë. Fryma dhe dekori stilistik i poezisë së Asdrenit, mbartin kështu kapërximin e suksesshëm estetik dhe tematik – nga traditat rilindase, drejt prirjeve moderne në poezinë shqipe.

Pra, ai është krijuesi përherë kërkues, që sillte një vlerë të shtuar me artin e vet poetik, krahas atij të mëparshmit. Por duhet theksuar se vlera e një personaliteti si Asdreni, do të mbetej në nivelet e larta të nderimit prej brezave, sikur edhe vetëm të njerit prej këtyre tre kontributeve të tjera të tij, krahas kontributit të shquar në letërsi. Dhe më konkretisht, këto kontribute janë:

Së pari, ai është autori i tekstit të Himnit tonë Kombëtar, që mbetet Kryekënga e flamurit kuq e zi, simbol i shenjtë krenarie dhe identiteti kombëtar, i cili, vazhdon që të frymëzojë fuqishëm në çdo kohë, kudo ku ka shqiptarë. Asdreni pati frymëzimin e bekuar, që ta skaliste në çastin e duhur dhe për momentin e duhur. Ishte pikërisht ky himn, që e çeli siparin e vet, mu në agimin e shtetit shqiptar (1912), në çastin historik të shpalljes së Pavarësisë dhe që vazhdoi të mbetej një simbol i pakonkurueshëm i shprehjes së vetëdijes kombëtare.

Së dyti, Asdreni luajti një rol parësor në koloninë shqiptare të Rumanisë, ku për shumë vite, ishte edhe drejtuesi i saj. Ajo shoqatë (koloni) emigrantësh shqiptarë, ishte një kudhër e palestër edukimi kombëtar, ku u përgatitën një radhë patriotësh e veprimtarësh të shquar, nga ata që do të merrnin përsipër misione të vyera atdhetarizmi dhe do të ishin protagonistët aktivë të lëvizjeve kryengritëse çlirimtare, pastaj të ngritjes së shtetit të ri shqiptar, të arsimit e mbarë kultures sonë kombëtare.

Së treti, Asdreni do të ishte miku i afërt, udhëheqësi shpirtëror dhe mecenati i yllit në ngjitje, lirikut të shquar Lasgush Poradecit. Ka një marrëdhënie vëllazërie poetësh mes të dyve, ku përkujdesja e Asdrenit, pothuaj 30 vjet më i madh, shfaq jo vetëm dimensionin e lartë njerëzor, por edhe intuitën e pagabueshme se te Lasgushi, qysh në rininë e tij të hershme do të dallonte pritshmërinë dhe lajmin e Poetit të madh, që po i vinte Shqipërisë.

Mes tyre, Asdrenit e Lasgushit, duhet kujtuar se ka edhe një letërkëmbim të dendur, sigurisht me mjaft interes për lexuesit e studiuesit, për të njohur e për të kuptuar një mori ngjarjesh e rrethanash, nëpër të cilat endej jeta dhe aktiviteti i tyre letrar dhe përtej letrar.

Me këtë rast, po veçojmë një letër të Lasgushit, student aso kohe, të nisur nga Graci më 13 shkurt 1926 për Asdrenin, i cili jetonte në Bukuresht. Në mënyrë të veçantë, poeti i ri gjen rastin që t`i kujtojë mikut e sivëllait të tij shpirtëror plot mirënjohje, për gjithëshka që ai kishte bërë, pa u kursyer e pa kushte për të. Dhe i kërkon me mirësjellje:

” …a më jep leje tani të të kujtoj disa gjëra përmbi gjendjen teme? A do që të ndiesh një kënaqje të lehtë në fundin e zemrës, duke dëgjuar nga zëri i të tjerëve muzikën e bukur të veprës sate të shkruar mirëbërëse?”

“Le t`i marrim me radhë”, i kujton Lasgushi dhe i rendit: më rekomandove në shtëpi shqiptarësh për të dhënë mësime private, që të siguroja disa fitime; më ndive (ndihmove) shumë herë me hua personale; bëre të mundur që të më jepet nga arka e Kolonisë së Bukureshtit një ndihmë e përmuajshme prej 500 lei për më tepër se një mot; rrëfeve aktivitet që të emërohem sekretar i Komitetit të Shoqërisë; më dhe një odë ku të fle; më jepje të redaktoja prokura (të cilat mund t`i bëje dhe ti vet), që unë të nxirrja ndonjë dyçkë në favorin e barkut tim të bërë plloç nga sëmundja dhe e pangrëna. Dhe i rikujton se me këto përkujdesje ndaj një studenti të ri e të varfër “…ma ke ngritur (pra, ngjallur) shpirtin e zi dhe m`i ke ndërtuar (pra, shëruar) kockat e trupit tim të tretur nga skamja”. Dhe shton më tej se: “ndihmat e tua të panumurta morale dhe materiale, reprezantonin me të vërtetë vlerën e një harmonije, gjer atëhere të padëgjuar për veshin tim”.

Pra, jo vetëm përmes poezisë plot nivel që i dha lexuesit po se po, por edhe vetëm përmes njerit prej këtyre tre kontributeve të tij: si autor i Himnit Kombëtar, si kryetar për shumë vite i Kolonisë famëmadhe të shqiptarëve të Rumanisë, si mik i afërt dhe ndihmues pa kushte i një talenti të madh si Lasgushi, do të mjaftonte që Asdreni të mbetej një emër i ndritur. Por ja që ai, në fakt, i zotëroi me sukses tërë këto dimensione të vyera të talentit të tij të spikatur poetik dhe të aktivitetit të paepur patriotik dhe shfaqjes së vyrtuteve të larta njerëzore.

Siç e vlerësonte Lasgushi, te personaliteti i Asdrenit përmblidhet një manifestim kombëtar, prandaj edhe nuk do të harrohet dot asnjëherë. “Sepse Vjershëtori, sikundër shkruante ai për të, nuk rron jetën e vdekur të vet, po jetën e pavdekur të Kombit të vet”.

Dhe Asdreni, vazhdon që ta ketë privilegjin e mbajtjes gjallë në kujtesën e popullit të vet, të cilit, iu përkushtua si rrallë kush – me gjithëshka.

Filed Under: Opinion

Luigj Gurakuqi krahu i fuqishëm i plakut diplomat Ismail Qemali

November 19, 2025 by s p

Prof. As. Dr. Bernard Zotaj/

Ka lindur në Shkodër, më 19 shkurt 1897. Babai i tij Pjetër Gurakuqi ishte bërë i njohur me tregtinë në brigjet e Mesdheut. Luigji ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian. Në edukimin e tij ndikuan intelektualët e njohur të qytetit si Anton Xanoni e Gaspër Jakovi.

Në vitin 1879, vijoi mësimet në liceun e Shën Adrianit të Kalabrisë. Në bankat e kësaj shkolle u njoh me Leonardo De Martinin dhe Jeronim De Radën. Nga takimet e tij me De Radën hartoi artikullin “Jeronim De Rada në Shqipëri”, ku shkruan: “Realiteti i ashpër shumë larg nga idea e lartë e madhështore që kisha krijuar për gjendjen e poetit të pavdekshëm, m’i mpiu për një çast ndjenjat dhe më ëmbëlsoi kujtesën. Nuk arsyetoja më, më dukej sikur isha në ëndërr”. Nga takimet e bisedat me mësuesin e tij De Rada në Maki, mësoi për korespondencën që kishte me Sami Frashërin dhe Naim Frashërin.

Në vitet 1901-1906, kreu stu- dimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Napoli. Pas tre vjetësh i ndërpreu studimet dhe vijoi në degën e Shkencave Fizike e Natyrale.127 Në Napoli krahas vjershërimeve botoi edhe “Vargënimi në gjuhë shqype me një fjalorth shqyp-frengjisht me marim” 1906, “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime në dy dialektet”, si dhe “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja”. Pas Thirrjes së vitit 1904, që hartoi në Napoli dhe e shpërndau ndër shqiptarët e botës “për një abe të unjishme”, bien në sy edhe artikujt e tij në gazetën “Albania” me titull “Gjuha e shkencave” dhe “Për themelimin e të një gjuhe letrare”.

Rreth vitit 1905-1906, u takua me Ismail Qemalin. P. Tako shkruan: “Te Ismail Qemali, Gurakuqi gjeti plakun e mençur, të urtë e diplomat, ashtu si Ismail Qemali gjeti te Gurakuqi një njeri energjik, guximtar dhe plot vrull rinor”. Në vitin 1907, bashkëpunoi me Bajo Topullin dhe Komitetin e Fshehtë të Manastirit për organizimin e kryengritjes antiosmane. Botoi mjaft artikuj në gazetat “Albania”, “Kombi”, “La Nuova Albania”, “Kalendari Kombiar” dhe “Drita”, herë me emër e herë me pseudonimet Jakin Shkodra, dhe Lekë Gruda. Hartoi e botoi edhe librin “Kndime t’para për Msojtore Filltare t’Shqypnisë”. Së bashku me Bajo Topullin shkuan në Paris, ku u takuan me Alardo Kastriotin e që andej u hodhën në Kotorr për organizimin e Kryengritjes antiosmane.

Më 14 nëntor 1908, mori pjesë si përfaqësues i Shkodrës dhe i Arbëreshëve të Italisë, në Kongresin e Manastirit. Në këtë kongres u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Në Kongresin e Elbasanit 1909, Këshilli Administrativ dhe Shoqëria “Përparimi” e ngarkuan me detyrën e drejtorit të Shkollës Normale. Bashkëpunoi me atdhetarët e shquar: Nikolla Kaçorri, Hilë Mosi, Gjergj Qiriazi, Gjergj Fishta, Josif Bageri, Shahin Kolonja, Mihal Grameno, Ndre Mjeda, Simon Shuteriqi, Mati Logoreci etj.

Në vitin 1911 shkoi në Itah, Bukuresht e Stamboll për pro- pogandimin e kryengritjes antiosmane në viset veriore të Shqipërisë. Në gazetën “Dielli” shkruhet: “I shkëlqyeri atdhetar Luigj Gurakuqi u kthye nga Europa në Stamboll”. Ai ishte udhëheqësi shpirtëror i kryengritjes së Malësisë së Mbi-shkodrës. Memorandumi i Gërçes është vepër e Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit. Krerët shqiptarë të mbledhur në Gerçë bashkë me L. Gurakuqin shtruan problemin: “Ne shqiptarët ma të parët nisës e themelonjës të qeverimit konsistucional, u bamë ma e para therori e kësaj politike të niarrë”.

Në fund të qershorit 1911, I. Qemali e L. Gurakuqi u takuan me Mbretin e Malit të Zi. Pas kryengritjes antiosmane të vitit 1911, ata u vendosën në Nisë të Francës, ku krijuan “Komitetin Qendror” të Lëvizjes kombëtare. Sipas Gurakuqit kjo qendër ishte për t’i dhënë “Fytyrë fjesht kombëtare” lëvizjes kundër pushtuesit osman. I shoqëruar nga Sali Nivica, L. Gurakuqi vizitoi disa kryeqytete të Europës si: Vjenën, Sofien dhe Bukureshtin. Në Bukuresht u njoh e u takua edhe me Fan S. Nolin. Pas kthimit të I. Qemalit nga Londra dhe Parisi u bashkuan përsëri në Nisë. Gurakuqi e këshilloi I. Qemalin të shkonte në Stamboll, pas kërkesës së deputetëve shqiptarë, për organizimin më të mirë të Lëvizjes Kombëtare.

Pas takimit të Taksimit (Stamboll) zhvilloi veprimtari të gjerë për organizimin e kryengritjes antiosmane në Kosovë e gjetkë. Në letrën që i shkruan Jani Vruhos nga Franca, Gurakuqi shënon: “Nesër do nisem për Gjenevë ku kemi një mbledhje e pastaj do të vete të zë vendin tim pranë kryengritësve”. Më 22 gusht 1912, me Ismail Qemalin, udhëtuan nga Triesta me anijen “Lloid” për në Shqipëri. Pas takimeve në Vlorë, Fier e gjetkë, I. Qemali e ngarkoi me detyrën të shkonte në Shkup e Gjakovë ku bashkëbisedoi me kryengritësit dhe Bajram Currin.

Në fund të shtatorit 1912, Gurakuqi gjendet në Stamboll ku takohet me I. Qemalin, R. Dinon dhe F. Nogën. Në nëntor të këtij viti shoqëroi I. Qemalin në Bukuresht, ku u takua me koloninë shqiptare dhe u vendos të krijohej “një komision me shqiptarë të ditur e të njohur”, për të mbrojtur të drejtat kombëtare shqiptare. Ishte krahu i fuqishëm i plakut diplomat në udhëtimin historik nga Bukureshti, Trieste, Durrës e Vlorë për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, në qeverinë e Vlorës u zgjodh ministër i Arsimit. Luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e arsimit kombëtar. Kontributi i tij i shquar u shfaq në tërë veprimtarinë e kësaj qeverie, në organizimin dhe drejtimin e saj. Bashkë me I. Qemalin, I. Boletinin e atdhetarë të tjerë shkuan delegacion në Europë dhe Londër për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare. Me të drejtë gazeta “Liria e Shqipërisë”, shkruante: “Në është për Ismail Qemalin një dorë e djathtë e tij dhe më i favorizuari nga ministrat e tjerë, për Shqipërinë është një xhevahir i paçmuar”. Në takimet që u zhvilluan në Londër, shtypi i kohës shënon se, në intervistat e I. Boletinit me të huajt “ndërmjetësi në përkthim ishte LuigjGurakuqi”. Duke denoncuar Konferencën e Londrës, ai do të shkruante: se populli shqiptar u bë theror i antagonizmës së Fuqive të Mëdha, të cilat “pa marrë në sy principin etnografik, diplomatic europiane u diftua gjithashtu e padrejtë dhe në kufijtë natyral e kufijtë gjeografikë”.

Fuqitë e Mëdha vendosën dërgimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), ku do të përfshihej edhe një delegat shqiptar. I. Qemali propozoi që kjo kandidaturë të ishte Gurakuqi, por nuk u pranua. Krahas përpjekjeve të mëdha për organizimin e arsimit “që ka një rëndësi kryesore në rilindjen e kombit shqiptar”, shkroi mjaft artikuj në gazetën “Përlindja e Shqipnies”. Në këtë gazetë u botua edhe fjala e tij në përvjetorin e parë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, 1913.

Largimin nga qeveria e Vlorës dhe lënien e vendit në dorë të KNK-së ai e quajti detyrë “për shpëtimin e Atdheut”. Në qeverinë e Princ Vidit në Durrës u ngarkua me detyrën e zëvendësministrit të arsimit. Në janar 1915, me Aqif Pashë Elbasanin u vendos në Shkodër, ku vazhduan veprimtarinë kombëtare. Mori pjesë në riorganizimin e klubit “Lidhja Kombëtare”. Me pushtimin e Shkodrës prej Malit të Zi u arrestua me Hilë Mosin e Aqif Pashë Elbasanin dhe u internuan në Mal të Zi. Në vitet e pushtimit austro- hungarez të vendit, kreu detyrën e drejtorit të Arsimit dhe ishte ndër drejtuesit e Komisisë Letrare (1916). Në vitin 1918, në Kongresin e Durrësit u zgjodh Ministër i Arsimit. Si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris luajti një rol të madh historik.

Në vitet 1921-1924, punoi pa rreshtur për çështjen kombëtare dhe zhvilhmin e jetës politike të vendit, ishte deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Si bashkëpunëtor i Fan S. Nolit, Bajram Currit dhe Avni Rustemit, mbështeti Federatën “Atdheu”, shoqërinë “Bashkimi” dhe bënte pjesë në aleancën politike “Bashkimi i Shenjtë”. Në kabinetin e qeverisë së P. Evangjelit u zgjodh përsëri ministër. Si kundërshtar i hapur i A. Zogut kërkonte ndryshime të mëdha në jetën pohtike dhe ekonomike të Shqipërisë.

Në revolucionin demokratik të qershorit 1924, mori pjesë aktive dhe në qeverinë e Nolit u zgjodh ministër i Financave. Në këtë qeveri bëri përpjekje të mëdha për demokratizimin e jetës së vendit. Me dështimin e revolucionit të qershorit, emigroi në Itah, ku u vra pabesisht më 2 mars 1925, në Bari. Mbi varrin e tij, H. Prishtina tha: “Humbja e Gurakuqit asht një humbje shumë e madhe, nji humbje e paharrueshme jo vetëm për Shqipërinë e pavarur, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbesin jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme”.

Filed Under: Opinion

Jetëshkrimi i Dom Nikollë Kaçorrit 

November 18, 2025 by s p

Pjeter Logoreci/

1862 në Krejë, Lurë (Shqipëri) – †1917 në Vjenë (Austri) 

– Dom Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1868 në Krejë, Lurë në Shqipëri dhe vdiq me 1917 në  Vjenë.  

– Ai kreu shkollën jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kacorri shkoi  në Itali, ku dhe u dipolomuat në shkollën teologjike“Propaganda Fide”. Menjëherë pas  studimeve të larta u shugurua prift (1890) dhe tre vjet më vonë, në vitin 1893, u emërua prift i  Kishes Katolike në Durrës. Ishte aktiv për 24 vjet si zëvëndës i arqipeshkvit (me disa  ndërprerje të shkurtëra). 

– Pas emërimit të tij si prift në Durrës, ai ishte i përfshirë në formimin e shumë shoqatave dhe  vëllazërive. Në këtë periudhë të shërbimit të tij në Durrës, ai kishte shumë marrëdhenie të  mira me qeverinë Austro-hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e  popullsisë katolike, pasi që në perandorinë osmane gëzonte privilegjin e administrimit apo  protektoratit ndaj popullsisë katolike. 

– Dom Nikollë Kaçorri ishte përhapës i librit shqip, dhe poashtu i shtypit shqiptar patriotikë. Për këtë arsye edhe pati konflikte me shumë institucione të asaj kohe, e sidomos me  patriarkun grek.  

– Ai ishte edhe pjesëmarrës i shumë lëvizjeve kulturore dhe politike shqiptare. Poashtu mori  pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, Nikollë Kaçorri  personalisht kontaktoi shumë diplomatë austriakë në Durrës dhe kërkonte angazhim serioz për  të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbim që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke.  

– Morri pjesë në Kongresin e Manastirit me 14 Nëntor 1908 – ku u vendos alfabeti i gjuhës  shqipe. 

-Mori pjesë në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vitit 1908, qëllimi i cilit ishte synimi i  xhonturqve për të bërë për vete shqiptarët, me ç’ rastë Nikollë Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë dhe hetoi synimet e xhonturqve.  

-Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit ku u diskutuan probleme të  shkollës shqipe. 

-Ne vitin 1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit.  

-Me 18 qershor 1910 Kaçorri u arrestua nga forcat turke dhe si kundërshtarë i urdhërave të  Qeverisë Osmane dhe Sulltanit.  

-Merr pjesë në organizimin e Kryengritjes së vitit 1911 dhe 1912 kundër turqve.  

-Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua  Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, që besohet të jetë hartuar nga Luigj Gurakuqi.  Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e  Kuvendit, ndër të cilët Kacorri nënshkroi i dyti.  

-Dom Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912.  

-Ai ishte një personalitet i kishës katolike, sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër  asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke patur në administrim edhe  kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. 

-Pas një lëngimi 3-4 muajsh vdiq në Vjenë me 29 maj 1917. Në varrimin e tij, me 1 qershor  1917, morren pjesë: komandanti i krahines se Tiranës, Feldmarschall Braun, Kryekonsulli i  Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit Austro-Hungarez në  Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë.  

-Me 2 qershor 1917, në kishen ,,Maria Treu” u tha mesha mortore në nder të tij.

Filed Under: Opinion

DOM PJETËR POPAJ, 40 VJET NË SHËRBIM TË ZOTIT, ATDHEUT DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

November 17, 2025 by s p

Sokol Paja/

New York, 16 nëntor 2025 – Famullia e Kishës “Zoja e Shkodrës” nën përkujdesjen e veçantë të Këshillit të Kishës dhe me pjesëmarrjen e organizatave e shoqatave patriotike, veprimtarëve të çështjes kombëtare e personaliteteve të shquara kombëtare të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, festuan 40 vjetorin e shugurimit meshtarak të Dom Pjetër Popajt, personalitet i shquar fetar e atdhetar. Prifti i parë shqiptaro-amerikan i shuguruar në Amerikë, Dom Pjetër Popaj, është pjesë thelbësore e historisë së komunitetit katolik me kontribut të jashtëzakonshëm fetar, kulturor e patriotik në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nën prezantimin dinjitoz të Ndrekë Tonajt, pas bekimit të drekës së nderimit, Dom Nikolin Përgjini, kujtoi me emocion kronikën te “Zëri i Amerikës” para 40 viteve për këtë shugurim të shenjtë që u festua sot, në një kohë që Dom Përgjini gjendej në internim në Shqipërinë komuniste. Një dokumentar historik mbi jetën dhe veprën e Dom Pjetër Popaj, përgatitur mjeshtërisht nga Dritan Haxhia dhe Bujar Alimani, shpalosi dimensionin madhështor të klerikut atdhetar me histori e gjurmë të pashlyeshme në komunitetin shqiptar në Amerikë. Monsinjor Angelo Masafra përcolli një mesazh të rëndësishëm duke u fokusuar te veprimtaria ungjillizuese e Dom Pjetër Popajt në New York, ndërsa Diakon Orsin Turmalaj falenderoi njerëzit më të rëndësishëm të rrugëtimit të jetës së shenjtë të Dom Pjetër Popajt si prelat i lartë i kishës katolike në veprimtarinë klerikale për fe dhe atdhe.

Ndrekë Tonaj, kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në fjalën e tij theksoi se jeta shembullore kishtare e Dom Pjetër Popaj, veprimtaria e shenjtë baritore, përfaqësimi dinjitoz në daljet publike e vizitat komunitare, organizimi i aktiviteteve kulturore e kombëtare, puna juaj edukative e patriotike me Qendrën Kulturore Nënë Tereza, i ka dhënë kombit shqiptar një shërbim të madh patriotik në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, historisë kombëtare, traditave, gjuhës shqipe dhe kulturës së kombit tonë, tha ndër të tjera z.Tonaj.

Gazetari i shquar i “Zërit të Amerikës” z.Frank Shkreli në fjalën e tij u fokusua te roli i Dom Pjetër Popajt si klerik e patriot në komunitetin katolik në New York, përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, ndikimin në jetën e besimtarëve, si promotor i të drejtave të njeriut dhe kauzave kombëtare. Historiani Gjon Ivezaj në fjalën e tij paraqiti jetën baritore dhe veprimtarinë intelektuale e komunitare të famullitarit Dom Pjetër Popaj si apostull i shqiptarizmit.

Gazetari Gjekë Gjonlekaj u ndal te formimi filozofik e teologjik i Dom Pjetër Popajt dhe mijëra meshë e ceremoniale katolike në shërbim të komunitetit katolik shqiptar në Amerikë. Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha në emër të të gjithë vatranëve e shqiptaro-amerikanëve dhe nderoi jetën e veprimtarinë fetare, patriotike, kulturore, komunitare dhe atdhetare të Dom Pjetër Popajt si zë i fortë dhe figurë e shquar e udhëheqëse në komunitetin shqiptar në Amerikë.

Shkrimtari Mëhill Velaj dhe Albert Popaj nipi i Dom Pjetër Popajt emocionuan të pranishmit me fjalët e tyre për njeriun e Zotit, Dom Pjetër Popajn, teksa Tom Paloka recitoi një poezi të ndjerë për famullitarin Popaj.

Udhëheqësi shpirtëror i Famullisë “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj në fjalën e mirënjohjes u ndal te puna e shkëlqyer e bashkëpunëtorëve të ngushtë e të gjithë këtyre viteve Ndrekë Tonaj, Mark Berishaj, Angjelina Nikën me “Rozafatin”, Dritan Frrok Kol Bibën, bujarinë dhe fisnikërinë e çdo besimtari dhe komunitetit shqiptar në New York.

Në shenjë nderimi e respekti nga Vatikani Papa Leoni XIV ka nderuar me BEKIMIN APOSTOLIK Dom Pjetër Popajn për shërbimin e tij të çmuar fetar për 40 vite, ndërsa edhe Këshilli i Kishës nderoi në mënyrë të veçantë Famullitarin Popaj. Mirënjohje përjetë Dom Pjetër për gjithçka i ke dhënë popullit tonë e kombit tonë. Ceremonia festive e nderimit vazhdoi deri vonë nën argëtimin e këngëtarëve: Gëzim Nika, Ermira Bushaj, Vjollca Luka, Xhovani dhe Alfred Popaj.

Filed Under: Opinion

“VARGNIMI” I LUIGJ GURAKUQIT

November 16, 2025 by s p

Gezim Puka/

Luigj Gurakuqi ka një kontribut të madh në letërsinë shqipe. Kur themi këtë, kemi parasysh jo vetëm krijimtarinë letrare, por sidomos edhe atë në lëmë të metrikës. Në shumë raste nga historianë të letërsisë dhe studiues të tjerë të këtij autori “Vargnimit n’gjuhë shqype” i është dhënë vendi i parë, si vepra më e hershme, që trajton çështje të vargut dhe të masës së tij.

Kontributi i Gurakuqit me këtë vepër është i madh, sepse përmes këtij traktati vjen si autor i një vepre me vlerë, që mund të konsiderohet edhe sot mjaft serioze për shkencën e letërsisë. Qysh në parathënien e veprës, ai sjell kundërvënien e “vjershënim e vargënim: e para shenjon mjeshtrin e vjershës, n’vend qi e dyta difton menyren si me bâ vargjet, t’cilet, po thom per s’ri kane me kjêne vetëm çâshtje e vremejve t’ona.”

Siç shihet, tek e para vlerëson rolin e poetit, ndërsa tek e dyta njohjen e mirë të vargut që mund të shpjerë në shkrimin e mirë të poezisë. Mendojmë se ndihmesa e kësaj vepre është shumë e madhe edhe për shembullëzimin me vargje që na vijnë nga letërsia klasike evropiane, sidomos ajo e antikitetit. Kjo është një pikë shumë e fortë për dhënien e koncepteve dhe përkufizimeve për llojet e ndryshme të vargjeve. Në tekstin akademik të Historisë së Letërsisë Shqipe (botim i 1959) kjo vepër e Gurakuqit përgjithësisht vlerësohet, por konsiderata që shprehëm më sipër për fokusimin tek letërsia klasike jepet si pikë e dobët.

Citoj: “Nga një anë, libri i Gurakuqit konsakronte ndikimin e metrikës së huaj, veçanërisht italiane, mbi metrikën tonë gjatë Rilindjes; nga ana tjetër, ai e çonte edhe më tej këtë ndikim, duke propozuar mjete të reja artistike që s’ishin përdorur akoma nga poetët tanë. Vepra e tij qe një ndihmë e mirë për vjershëtorët. Ajo kishte një të metë të rëndësishme: nuk bënte as paraqitjen më të vogël të prozodisë sonë aq të pasur popullore, nuk tregonte mundësitë e mbështetjes së poezisë së re shqipe tek eksperienca e madhe e poezisë së popullit. Gurakuqi e nënvleftësoi këtë eksperiencë.”

Këtij konstatimi do t’i bashkohen mbase më përciptazi edhe studiues të tjerë si Mark Gurakuqi tek parathënia e tij kur shkruan: “…Veçse në kapitujt që merret me metrat klasike, s’jep shembuj nga letërsia jonë, po vetëm nga poezia latine. Në “Vargnim…” L. Gurakuqi për metrat që përdoren në poezinë tonë, shembujt që jep nga poezia e vendit, pa emra. Nganjiherë për vargjet jep shembuj toskënisht e gegnisht”.

Një tjetër studiues që ka një emërues të përbashkët me citimet e mësipërme është edhe Piro Tako. Tek monografia e tij “Luigj Gurakuqi” ai shprehet: “Negativisht në krijimtarinë e tij (d.m.th. Gurakuqit) ndikoi veçanërisht absolutizimi i letërsisë klasike e i klasicizmit. Ishte pushtuar kaq shumë prej Homerit, Virgjilit, Tirteut, Anakrontit, Pindarit, Tibulit, Horacit, Safos, Dantes etj… ”

Konstatojmë se këto citime nuk lidhen më të vërtetën. Autori përmes shembujve që ka sjellë e njeh mirë edhe vargun tonë popullor, por edhe të autorëve të kultivuar të kësaj letërsie. Teoritë e tjera të letërsisë që u botuan më vonë nga Justin Rrota, por edhe nga studiues e shkrimtarë që kontribuan në kohën e monizmit, i varfëruan këto tekste sidomos nga shpjegimi më cilësor i sistemit tonik të vargëzimit karakteristik për letërsinë klasike greke dhe romake. Shumë pak u morën këto tekste me stilistikën dhe metrikën antike. Pothuajse mungonin fare në to shembuj nga kjo letërsi dhe në gjuhën origjinale edhe pse në universitet, sidomos në programin e studimit gjuhë – letërsi studiohej latinishtja. Për të treguar këtë mungesë na u desh të hulumtonim në disa tekste teorie letërsie të botuar ndër vite.

Morëm si shembull disa tekste që studioheshin në shkolla të mesme dhe në universitete. Konkretisht: At Justin Rrota: Letratyra shqype – Për klasë e ulta të shkollavet të mjesme. Sterjo Spasse “Elementet e para të teorisë së letërsisë” dhe më vonë “Elementet e para të teorisë së letërsisë – Stilistika poetike”, e vitit 1964. Një tekst tjetër për shkollat e mesme është ai i Adriatik Kallullit dhe Musa Vyshkës “Njohuri mbi teorinë e letërsisë – Për shkollat e mesme” Tiranë, 1977. “Njohuri nga teoria e letërsisë”, e vitit 1986 ka si bashkautorë Enver Muhametaj, Koçi Petriti, Sami Xhango.

Janë edhe disa botime akademike që kemi marrë në konsideratë:

Tek “Bazat e teorisë së letërsisë”(Dispenca II), botim i Universitetit të Tiranës, 1972 i bashkautorëve Jakov Xoxa, Neki Lezha, Palok Kraja, trajtohen elementet e përgjithshme të vjershërimit. Tek njëra prej çështjeve flitet për sistemi antik metrik. Citojmë: “Modelet më të mira poetike të lashtësisë ne i gjejmë në letërsinë antike greke, e cila konsiderohet një nga majat më të larta të masivit poetik botëror.” Përmenden 30 lloje këmbësh në varësi të pozicionit të rrokjes së gjatë në raport me rrokjet e shkurtra brenda këmbës. Në këtë tekst citohet edhe vepra “Vargnimi…” e Gurakuqit.

“Duhet theksuar se Luigj Gurakuqi, teoricieni i parë i metrikës sonë, duke u nisur nga ekzistenca e mbeturinave të kuantititetit në zanoret e shqipes në gjuhën e shkrimtarëve të vjetër dhe më pak në gjuhën e kohës së vet (zanore të gjata e të shkurtra), ka hedhur mendimin e përdorimit të metreve antikë dhe ka shprehur keqardhjen për mungesën e tyre në sistemin tonë metrik, duke mos e parë kështu, gjuhën tonë në zhvillimin e saj përpara, drejt një gjuhe më strukturë krejt të ndryshme nga gjuhët e vjetra antike”.

Teksti i Vehbi Balës dhe Gjergj Zhejit: “Hyrje në shkencën e letërësisë” botim i Universitetit të Tiranës, nga faqja 53 – 147 tek kreu II trajton bazat e vjershërimit shqiptar. Sqarohen mirë sistemet e vargëzimit, edhe ai sasior. Zejnullah Rrahamni tek “Teoria e letërsisë”, në faqen 104-107 trajton sistemet e vargëzimit. Flitet për sistemin sasior të antikitetit.

Meqë shohim elementin formal të vargut dhe mëshimit të tij, të cilin Gurakuqi e vlerësoi mjaft tek klasikët, duket se ai e parandjeu rëndësinë që do t’i jepej formës në vargëzim edhe nga shkollat letrare që do të shfaqeshin në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të XX, sidomos nga formalistët rusë dhe shkollat e tjera gjuhësore letrare.

“Vargenimi n’gjuhe shcype” i Luigj Gurakuqit i botuar në vitin 1906 në Napoli ka një strukturë të tillë: Parathënie; njoftime paraprake; vargje e masë t’tyne; mbi vargjet klasike; Oroe mi vjersha shqipe të moçme; Mi vargje të ri 11 rrokëshi, 10 rrokëshi, 9 rrokëshi, 8 rrokëshi, 7 rrokëshi, 6 rrokëshi, 4 rrokëshi, 3 rrokëshi. Mi liri vjershore; Mi strofa, mi strofa klasike, mi gjasëramje, mi strofa t’reja; Mi gjuhë vjershore; Mi harmoni ndjekore.

Për vetë këtë paraqitje duket një vepër e mirë e teorisë së letërsisë. Gurakuqi shkruan: “Mi Varghé Klasike. Vargu klasik ásht i permlédhun preej kámesh, t’ tsilat bâhen preej rrokesh e keto preej gni a mâ shum shkrojish. Nuk âsht névoja t’ thona ketu ch’ ka jane e saa jane shkrojét; vetem do t’flasim pak mi xântoré, t’tsilat munn t’jeen t’ gjata, t’ shkurta e t’mjédisme”.

Shumë interesant është vendi që i jep Gurakuqi “veshit” apo shqisës së të dëgjuarit për ndijimin e artit të poezisë. Me këtë përmbledhje të metrikës ai mundi të përcjellë melodicitetin e vargut antik, por edhe atë të letërsisë shqipe, qoftë përmes shembujve nga krijimtaria popullore, qoftë edhe nga ajo e kultivuar. Gurakuqi shkroi një tufë poezish vetëm në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, duke eksperimentuar vetë i pari gjithë atë llojshmëri vargjesh që i njihte aq mirë. Asokohe sistemi letrar shqiptar ishte akoma shumë i varfër me prodhim të freskët letrar.

Letërsia e Rilindjes kishte shënuar vepra të mira përtej Adriatikut, ku Gurakuqi edhe kreu studimet. Meqë ishte nxënës i zellshëm i De Radës, duket se ai mori nga arbëreshi i madh dashurinë për vargun dhe përsosjen e tij. Poezitë e tij janë shumë të pasura përsa i përket metrikës. Përdor distikun tek “Madhnia e Zotit”, tercinën tek “Deka e Zanavet”. Përdor strofën katërvargëshe, gjashtëvargëshe, tetëvargëshe dhe nëntëvargëshe. E njeh shumë mirë epërsinë e tetërrokëshit në letërsinë tonë dhe e përdor atë në poezi, krahas vargut me numër tek rrokjesh që, siç dihet, është më i rrallë.

Ai përdor pesërrokëshin, shtatërrokëshin, njëmbëdhjetërrokëshin, katëmbëdhjetërrokëshin dhe vargje të tjera të përziera. I jep shumë rëndësi theksave ritmikë edhe në poezitë e tij dhe në këtë pikëpamje është shumë i saktë. Vlen të përmendet edhe larmishmëria e rimës që ai ka përdorur në poezinë e tij, si: AABB, ABAB, ABBA, ABABCC, ABABABCC, ABCABCDEE, ABCADBCDEE, ABABCCDDEE etj.

Mbase kjo është edhe arsyeja që “Vargnimin…” e mbajti aq gjatë nëpër duar si vepër. Qëllimi ishte për ta bërë atë një traktat estetik, që t’i shërbente mjeshtërisë së poetëve, për të shtuar prodhimin letrar të angazhuar aq fuqimisht edhe në çështjen e çlirimit kombëtar.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?
  • Kur një korb flet shqip: pse “Korbi” i Nolit nuk është thjesht përkthim i POE-s
  • “Nomos”
  • 𝒁𝒆̈𝒓𝒊 𝒊 𝒅𝒆̈𝒔𝒉𝒎𝒊𝒕𝒂𝒓𝒊𝒕 𝒑𝒆̈𝒓𝒃𝒂𝒍𝒍𝒆̈ 𝒑𝒂𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
  • Kush ishte shkrimtari shqiptar që kishte letërkëmbim dhe vlerësohej nga Viktor Hygo
  • Si u bë Tirana kryeqytet dhe përse Kongresi i Lushnjes nuk mori vendim
  • Shqiptarë – fjala hyjnore që na mban gjallë edhe nga larg
  • Mediat e huaja i kanë bërë jehonë protestës së tretë kombëtare të opozitës në Tiranë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT