• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot shënohet 535 vjetori i “Hora e Arbëreshëvet”

August 30, 2023 by s p

Bledar Kurti/

Prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Prej 6 shekujsh Arbëreshët kanë ruajtur brez pas brezi identitetin e Arbërit, dhe sot mrekullohesh kur dëgjon fëmijë që flasin gjuhën e Gjergj Kastriotit dhe praktikojnë zakonet e kohës së Heroit tonë Kombëtar.

Për 4 shekuj, nën pushtimin otoman, figura e Gjergj Kastriotit u shua nga kujtesa kombëtare, dhe ishin Arbëreshët ata që e rikthyen figurën e tij në Shqipëri, si simboli i bashkimit konbëtar dhe frymëzuesi drejt rrugës për pavarësi.

Në mesim e shekullit të 19-të Shqipëria eci përpara në rrugëtimin e saj për pavarësi dhe shtet-formim, falë kontributit të çmuar të figurave patriotike arbëreshe.

Projekti i parë i Rilindjes Shqiptare, një projekt thellësisht evropian, u formulua nga figurat e komunitetit arbëresh si Jeronim De Rada, Gavril Dara, Zef Serembe, Antonio Gramshi, e shumë të tjerë, të cilët ndihmuan në finalizimin e atij projekti: zgjimi i një populli dhe pavarësia e një kombi.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More

Si të le e më së të pë!

Atje kam zotin tatë,

atje kam zonjën mëmë,

atje kam edhe tim vëlla:

Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.

O dritë e syve të mi.

Ne jemi bijtë e Kastriotit.

Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një 🇦🇱

Filed Under: Opinion Tagged With: bledar kurti

FORUMI STRATEGJIK I BLEDIT, 2023 -“SOLIDARITETI PËR SIGURINË GLOBALE”, PO SOLIDARITETI I BOTËS PAN-SHQIPTARE?

August 29, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Forumi Strategjik i Bledit, Slloveni, (28-29, 2023) është një platformë globale për shkoqitur ide të reja dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet më të fundit në shoqërinë moderne, në të cilën jetojmë, por dhe për të ardhmen e shoqërive të përfaqësuara. Është një forum që synon gjithëpërfshirjen dhe paraqitjen e pikëpamjeve të ndryshme të zyrtarëve të lartë nga vendet e Evropës Qendrore dhe Jug-Lindore, por edhe të grupeve, personave dhe enteve të ndryshme evropiane dhe globale, të interesuara për zhvillimet në këtë rajon të Evropës. 

Në parim — Forumi Strategjik i Bledit, një projekt ndër-qeveitar i Republikës së Sllovenisë – është një ide e mirë. Kush mund të jetë kundër shkëmbimit të lirë të mendimeve, ideve, parimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme, për të tashmen dhe të ardhmen e shteteve të asaj pjese të Evropës. Vlera e dialogut, liria e shkëmbimit të mendimeve në forume të tilla, është gjithmonë shumë më mirë, në çdo rast, në krahasim me konfliktet, mosmarrveshjet dhe luftën.

Pjesëmarrja e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit (në largim) i Malit të Zi – tre kryeministra shqiptarë në një takim të nivelit ndërkombëtar – me thënë të drejtën më bën krenar, aty për aty, dhe për një moment, por pak pasi e marrë veten dhe mendoj se si, aktualisht, shkojnë punët midis këtyre tre kryeministrave shqiptarë dhe, rrjedhimisht, në botën panshqiptare në Ballkanin Perëndimor – krenaria ime këthehet shumë shpejt në zhgënjim. Kjo, kur merret parasysh realiteti I mungesës së komunkimit normal që do duhej të ekzistonte gjithmonë midis përfaqsuesve të lartë shqiptarë dhe si rrjedhim edhe lidhjeve dhe komunikimeve ndër-shqiptare në përgjithësi – anë e mbanë trojeve shqiptare

Ndërkohë që në Bled të Sllovenisë po diskutohej, në nivel ndërkombëtar, për një, “solidaritet të sigurisë globale”, gjëndja aktuale politike, sidomos ajo midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  midis dy shteteve shqiptare –Shqipërisë dhe Kosovës — na detyron të bëjmë pyetjen: Po për një bashkim e solidaritetsolidarizim të vërtetë të interesave ndër-shqiptare, mbarë-kombëtare, kur do të flitet?! Kur do mbahet një forum i tillë si i Bledit, në Tiranë ose Prishtinë, me një përfaqësi të gjërë dhe pa dallim, për të biseduar interesat panshqiptare, afat shkurtëa dhe afat-gjata të Kombit?!

Kishim menduar, siç duket, gabimisht, se me shembjen e Murit të Berlinit, pas tiranisë komuniste sllavo-aziatike-enveriste dhe me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, “gjaku i shprishur i shpiptarit”, do të gjente më në fund, paqe, solidaritet, vëllazërim. Se me një grup të ri politikanësh të shekullit XXI, bota panshqiptare, do të largohej njëherë e mirë nga ajo histori ogurzezë e shekullit të kaluar dhe se do të zente karrigën në rradhën e vendeve euro-atlantike, duke harmonizuar vlerat kombëtare të përbashkëta dhe me vetdije të thellë për një ndryshim thelbësor dhe historik për botën pan-shqiptare të shekullit të ri XXI. 

Për fat të keq, një anarki ideshë të gabuara po ua përshtjellon dhe trubullon, tmersisht, shpirëtrat shqiptarëve, kudo që jemi. Kryeministrat shqiptarë dhe politika pan-shqiptare, në përgjithësi dhe e të gjitha ngjyrave pa dallim, kanë përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në politikën aktuale mbarë shqiptare.  Ka ardhur koha për një solidaritet më të madh ndër-shqiptar, para se të jetë vonë, të ulur të gjithë, për të biseduar dhe për të shkëmbyer ide e mendime – rreth një sofre – për të fuqizuar botën pan-shqiptare, nepërmjet dialogut dhe solidaritetit me të gjithë dhe për të gjithë, për të zhdukur njëherë e mirë të gjitha pengesat historike dhe gjeografike, midis shqiptarëve. 

Këtë gjë mund ta bëjnë vetëm shqiptarët për veten e tyre, në solidaritet, bashkim dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, për një të ardhme më të mirë të brezave të rinjë të shqiptarëve.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michael tha në fjalën e tij, në hapje të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, se bashkimi është, “thelbi i fuqisë së Bashkimit Evropian”.  Le të shpresojmë që ky të jetë edhe mesazhi që do të sjellin me vete kryeministrat shqiptarë nga takimi rajonal në Bled të Sllovenisë: se solidariteti dhe bashkimi ndër-shqiptar është gurthemeli i të gjitha arritjeve. Kjo është e vetmja mundësi për të ndërtuar një botë më të mirë dhe më të begatë pan-shqiptare në Ballkanin Perëndimor, në vëllazërim me vetveten, me njëri tjetrin dhe në paqe me të tjerët. 

Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama tha në Forumin e Bledit, ndoshta me të drejtë, se ndjehet “tragjikisht optimist”, për mundësitë e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Edhe unë e ndjejë veten, tragjikisht optimist, se politikanët aktualë shqiptarë të botës pan-shqiptare do të sjellin nga Bledi mesazhin e bashkimit dhe solidaritetit ndërshqiptar. 

Ndryshimi është se Z. Rama mund të bëjë diçka për të kontribuar drejt këtij objektivi mbarë-shqiptar, drejt një solidratiteti e bashkrendimi mendimesh e idesh – ashtu siç mund të bëjë edhe Z. Kurti e të tjerë — po të duan. Për fat të keq, unë, si shumë shqiptarë në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare e ndjejmë veten të zhgënjyer dhe të hutuar përball realitetit të mos-komunikimit dhe të mos bashkrendimit politik panshqiptar, sidomos sa i përket mbrojtjes së të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, por dhe sigurisë rajonale.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion

SHQIPTARËT NGA EGJIPTI MBËSHTESNIN PUBLIKISHT KANDIDATËT SHQIPTARË  PËR DEPUTETË

August 28, 2023 by s p

Dr.Paulin Marku

Në arkivin historik-diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, gjenden materiale të shumta arkivore të rëndësishme që hedhin dritë për historinë e popullit shqiptar dhe rreth ngjarjeve në trojet shqiptare. Diplomacia italiane i ndiqte me interes zhvillimet në Ballkan. Rendësi të veçantë i kushtonin edhe ngjarjeve të shqiptarëve dhe këtë e dëshmojnë letër këmbimet e diplomatëve ku gjenden informacione të bollshme për situatën e brendshme politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. 

Hulumtimi i materialeve arkivore italiane, dëshmon se trajtimi i çështjes shqiptare dhe faktori shqiptar, brenda dhe jashtë trojeve, ishte pjesë e rëndësishme e kancelarive diplomatike dhe informonin Romën zyrtare për zhvillimet në rajon.
Po aq të rëndësishme në këto dokumente janë edhe marrëdhëniet e shqiptarëve me bashkëkombësit në emigracion dhe bashkëpunimi i krerëve shqiptar për interesa të çështjes kombëtare shqiptare. Populli shqiptar shquhet si ndër popujt më të vjetër të Evropës dhe nga ana tjetër si populli që ka emigruar ndër shekuj për shkak të ngjarjeve historike dhe rrethanave të kohës, por kurrë nuk i kanë humbur lidhjet dhe interesin për vendlindje. Arsyet e emigrimit të shqiptarëve ndër shekuj janë të ndryshme, ku mund të rendisim disa prej tyre, si për arsye të pushtimit të vendit, për arsye politike, mos bindje ndaj regjimi, arsye ekonomike, si dhe për shkollim e mirëqenie sociale për një jetë më të mirë, etj… Shqiptarët e mërgatës kanë dëshmuar vazhdimisht se kanë lidhje të forta me atdheun dhe se, janë të gatshëm të kontribuojnë nga cilido vend ku jetojnë e punojnë për të ruajtur vlerat kombëtare, zhvillimin e arsimit, kulturës dhe të traditës e shumë kontribute atdhetare si në rast fatkeqësie natyrore etj… Po ashtu, me interes parësor janë ndjekur zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore. Këto veçori pozitive dëshmohen mëse miri nëse bëjmë kërkime nëpër dokumente, gazeta, revista, ditar e burime të ndryshme të kohës. Shqiptarët janë popull shumë i lidhur me vendlindjen dhe mjaft i interesuar për situatën në përgjithësi, përfshirë zhvillimet politike. Është për t’u vlerësuar se shqiptarët në diasporë, gjithmonë janë gjendur të gatshëm për të mbrojtur çështjen kombëtare shqiptare dhe nuk hezitonin të organizojnë takime me përfaqësues të lartë shtetëror, mitingje e protesta duke luajtur rolin e ambasadorit të kombit në emigracion gjatë dekadave të ndryshme. 

Zgjedhjet parlamentare në trojet shqiptare janë ndjekur gjithmonë me interes nga shqiptarët në emigracion, të cilët shprehnin mbështetjen e tyre me letra e telegrame të shumta për përfaqësuesit politik. Ata kishin përzgjedhur një liste me emrat e kandidatëve për deputet, si njerëzit që duhet të përfaqësonin popullin shqiptar në parlament, bashkangjitur me listën shumë emërore ishte shkruar edhe motivacioni i mbështetjes ndaj kandidatit të preferuar. Nëpërmjet një letre dashamirëse, iu kërkonin bashkëkombësve që kishin mundësi dhe të drejte vote që t’i jepnin votëbesimin e tyre vetëm atyre kandidatëve që ishin në listë.  Letra e hartuar nga shqiptaret e diasporës së Egjiptit  ishte firmosur prej secilit prej tyre në fund të telegramit. Edhe pse gjendeshin larg në mërgim, ata përpiqeshin të shprehnin opinionin e tyre politik dhe ishin optimist se kërkesa e hartuar prej tyre do të mbështetej nga votuesit shqiptar për në parlamentin e Stambollit. 

Diaspora pretendonte se duke patur një listë të përbashkët me kandidat shqiptar për deputet, të cilët përfaqësonin krahina të ndryshme, zëri i tyre do të ishte një zë i fortë në mbrojtje të bashkëkombësve për interesa kombëtare shqiptare. Ata kishin përzgjedhur në listë për deputet emra të njohur të elitës politike shqiptare për zgjedhjet e vitit 1912 për në parlamentin e Stambollit dhe i konsideronin këto zgjedhje vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Në dokumentet diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë evidentohet se situata në fillim të vitit 1912 ishte mjaft shqetësuese. Xhonturqit që kishin qeverisur për më shumë se tre vite, ata ishin edhe drejtuesit e institucioneve përkatëse që merreshin me  organizimin e mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për vitin 1912. Kështu, xhonturqit ishin përqendruar me çdo kusht që të fitonin shumicën parlamentare dhe të zgjidheshin përfaqësues shqiptar vetëm ata që të dilnin nga lista e tyre, komiteti “Bashkim e Përparim”. Materialet e shumta që diplomatët italianë dërgonin për Romen zyrtare rezulton se gjendja në territoret shqiptare paraqitej e tensionuar dhe organizimet ballkanike ishin në një fazë të ndërlikuar për shkak të zhvillimeve gjeopolitike. Në dokumente arkivore diplomatike evidentohet se mërgata shqiptare ishte e interesuar për gjithçka ndodhte në vendlindje dhe shprehte gatishmëri për bashkëpunim. Prandaj zgjedhjet politike konsideroheshin të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Gjatë muajve të parë të vitit 1912, fushata politike bëhej gjithnjë e më e fortë midis listës xhonturke (pjesë e listës xhonturke ishin edhe kandidatë shqiptarë) dhe kandidatëve për deputet shqiptarë që nuk ishin në listën e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Mbështetja e diasporës ishte për disa figura të njohura të elitës politike të kohës, të cilët synonin se një përfaqësim i deputeteve shqiptar në parlament do të ishte një mundësi e mire për t’ju dhenë zgjidhjeje kërkesave të bashkëkombësve në mënyrë institucionale. Shqiptarët rezident në Egjipt me miratimin edhe të atyre që ishin rezident në Nicë shprehnin mbështetje publike për kandidat për deputet për të përfaqësuar bashkëkombësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 1912. Në dokumentin që do t’ju paraqesim me poshtë të plotë, kuptohet qartë mbështesnin kandidatet për deputet personalitete të njohura shqiptare, shpjegonin arsyen e mbështetjes për secilin kandidat që propozonin dhe ju drejtonin mbarë popullit shqiptar. Në fund të dokumentit gjenden emrat e të gjithë atyre që kishin propozuar dhe firmosur materialin, dërguar popullit shqiptar për zgjedhjet që do të mbaheshin në pranverë të vitit 1912. 

Dokumenti mban datën 30 mars 1912, “Documentazione Storico Diplomatico-Archivio Ministero degli Affari Esteri, Roma, Affari Politici AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, Telegram, Nr. 165, img. 8080, 8081, 8082, 8083, 8084”. Dokumenti është dërguar nga diplomati italian, Labia për ministrin e Jashtëm të Italisë, San Giuliano mbi shpalljen elektorale dhe mbështetjen nga shqiptaret e Egjiptit. Diplomati italian i shkruante: “Zoti Ministër, kam nderin t’iu dërgoj këtu bashkangjitur Shkëlqesisë Tuaj, të përkthyer, kopjen e shpalljes elektorale, bërë nga shqiptarët rezident në Egjipt dhe e miratuar nga ata që janë rezident në Nicë, në të cilën paraqiten të gjithë emrat e kandidatëve shqiptarë për zgjedhjet e ardhshme politike në Turqi, si dhe të atyre që kanë krijuar Komitetin e Agjitacionit me qendër në Egjipt”.

Me poshtë do të paraqesim dokumentin e plotë, të përzgjedhur, përkthyer e përgatitur për botim “Dokumente diplomatike italiane për historinë e shqiptareve”.

Dokumenti                                        

“ Vëllezër shqiptarë!

Ne bijtë e Shqipërisë që gjendemi në tokën e Egjiptit, ju lutemi juve, vëllezërve tanë që të lexoni me vëmendje këto që po ju themi këtu: 

Që kur u shpall liria në Perandorinë Osmane, të gjitha kombësitë e tjera kanë parë përmirësime të mëdha ose të vogla nga ana e qeverisë. Ne që kemi derdhur gjakun tonë për këtë liri dhe për atdheun tonë, jo vetëm që nuk kemi pasur asnjë përmirësim por, përkundrazi, mund të thuhet se gjendja jonë është përkeqësuar. Është e tepërt t’iu themi nga, dhe si kanë lindur të këqijat e ndodhura në tokën tonë, të këqija që të paktën i detyrohen faktit se deputetet tonë në parlament nuk kanë qenë të aftë për mandatin e besuar dhe as kompakt e të bashkuar me idenë që të punojnë për të mirën e Shqipërisë.

Kështu, meqenëse erdhi koha e rizgjedhjes së deputetëve të rinj, ju lutemi dhe ju rekomandojmë, në emër të nderit tuaj dhe për të mirën e kombit tonë, të mos mbështesni në asnjë mënyrë personat që do ju paraqiten nga Komiteti Xhonturk i Selanikut edhe nëse këta persona do të jenë të argjendtë apo të artë, pasi siç e dini mirë Komiteti i Selanikut ka qenë shkaku për të cilën Shqipëria është mbytur në gjak dhe Perandoria është rrezikuar.

Ju lutemi dhe ju rekomandojmë sërish, në emër të nderit tuaj shqiptar, të zgjidhni dhe të dërgoni në parlamentin e ri zotërinjtë, emrat e të cilëve po ju paraqesim këtu ngjitur:

Ju guximtarët e njohur të Shkodrës, Lezhës, Tuzit, Mirditës, ju guximtarët e Pukës dhe Kelmendit, ju sokolat malësorë, ju lutemi të dëgjoni zërin tonë dhe të votoni si deputet, Shkëlqesinë e Tij, Xhelal Beun, dhëndër i Sulltanit dhe burrë fisnik, Basri Beun deputet i Dibrës, guximtar dhe orator i zgjuar si dhe një të krishterë që të jetë burrë i zgjuar;

Ju burrat e Durrësit, Tiranës dhe Krujës e ju të rinjtë e Kavajës, ju lutemi të bëni të mundurën për të rizgjedhur deputet Shkëlqesinë e Tij Esat Pashë Toptanin.

Ju shqiptarët e Shkupit, dhe Kyprulisëdhe ju burrat e Kaçanikut dhe të Kumanovës ju lutemi që të votoni për Shkëlqesinë e tij Nexhip Bej Draga dhe për zotin Hoxhë Said Efendi, burrë i ndershëm dhe i drejtë;

Ju burrat e Prishtinës, Mitrovicës, Vuçiternës, Gjilanit, Preshevës dhe të Novi Pazarit ju lutemi të zgjidhni deputet Shkëlqesinë e tij Hasan Bej Prishtina, që i ka dhënë një emër të mirë të gjithë Shqipërisë; Shkëlqesinë e Tij Fuad Pasha, inteligjent dhe serioz si dhe Shkëlqesinë e Tij, ish valiun e Selanikut Ali Danishi Bej; 

Ju shqiptarët e Senicësdhe Kolashinit votoni Hasan Muhedin Efendi, deputet i larguar;

Ju patriotët e Prizrenit dhe ju guximtarët e Kalkandilit, Gostivarit, Lumës dhe të gjithë që jeni në rrethinat e Tetovës ju lutemi të zgjidhni si deputetin tuaj shërbyesin e Zotit, Hoxhë Sherif Efendi, Shkëlqesinë e tij Ali Fevzi Pasha dhe Shkëlqesinë e Tij, Nexhip Bej Draga ish deputet i Shkupit;

Ju shqiptarët e Pejës, Gjakovës, Gucisë dhe Plavës zgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Ali Hajdar Beun, ish deputet, zotin Ahmet Hamdi Efendi nga Tergovishte e Mehmet Pashën guximtar nga Kalkandili;

Ju burrat e Manastirit dhe ju shqiptarët e Prilepit, Kushovës, Florinës, Kërçovës, Ohrit dhe Strugës, ju të rinjtë e Deberciazgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Tefik Bej Topçi kajmekam.

Ju luanët e dy Dibrave, të Matit dhe të dy Rekave zgjidhni Shkëlqesinë e Tij, Basri Beun ish deputet i juaj, guximtari që nderoi të gjithë Shqipërinë dhe burrin fisnik e të njohur Strazimiri Zade Ismail Haki Effendi.

Ju të Elbasanit që jeni në qendër të Shqipërisë, ju të Peqinit, Shpatit,Gorësdhe Mokrës, ju shqiptarët e Kosturit dhe Bilishtit ju lutemi të na nderoni duke dërguar në parlament bashkë me Shkëlqesinë e tij doktor Haki Beun guximtar i njohur dhe një të krishterë patriot dhe inteligjent;

Ju shqiptarët e Janinës që jeni balli i Shqipërisë, ju të Ajdonatit, të Mecovës, të Konicës dhe Leskovikut ju lutemi të zgjidhni zotin Serri Bejuz ish Merkez, kajmekam i Selanikut;

Ju guximtarët e Gjirokastrës, Tepelenës, Kurveleshit, Delvinës, Libohovës, Voshtimes të dërgoni sërish në parlament Shkëlqesinë e Tij, Myfit Beun, si dhe një të krishterë që të jetë i zgjuar, guximtar dhe patriot shqiptar;

Ju guximtarët e Beratit, Fierit, Vlorës, Kaninës, Dukatit, Tomorricës, Skraparit e ju burrat e Mallakastrës e Muzakës rizgjidhni deputet të ndershmin dhe të zgjuarin Shkëlqesinë e tij Ismail Qemal Beun dhe fisnikun Shkëlqesinë e Tij, Aziz Pashë Vrionin.

Vëllezër shqiptarë!

Duke dërguar në parlamentin e Perandorisë këto zotërinjtë do t’i bënit jo vetëm një nder të madh Shqipërisë dhe kombit tonë por do t’i bënit gjithashtu një të mirë të madhe Perandorisë pasi këta zotërinjtë përveçse janë të zotët dhe të aftë që të punojnë për të mirën e Shqipërisë dhe të popullsisë saj, do të shpëtojnë në të njëjtën kohë Perandorinë nga rreziku në të cilin e kanë futur anëtarët e Komitetit Xhonturk të Selanikut.

Nga toka e Egjiptit – Shkurt 1912 – 

Firmosur nga: D.Adhamidhi Bej nga Frashëri, Avokat Adhamidhi nga Frashëri, J. Armodhi nga Opari, Irak Avgjeri nga Delvina, Gaq. Basuri nga Gjirokastra, Mehmet Cuberi nga Gjirokastra, N. B. Damo nga Opari, Vangjel Djello nga Korça, Dh. Djello nga Korça, Feizi Bej Dishnica nga Korça, Eftem Dine nga Vithkuqi, Spiro Dine nga Vithkuqi, Koço Donato nga Përmeti, Leon Donato nga Përmeti, Nikolla Doka nga Gjirokastra, Ibrahim Terhati nga Kurveleshi, Ramadam Mit’hati nga Kurveleshi, Milto Gode nga Korça, Gj. Germenli nga Korça, A. Germenli nga Korça, Hif Gode nga Korça, Refik Guri nga Gjirokastra, Ismail Haki Efendi nga Manastiri, Osman Hasani nga Korça, Daut Hajredini nga Delvina, Kahreman Ibrahimi nga Delvina, Llambi Qiriako nga Përmeti, Petro Kostandini nga Korça, Llambi Koto nga Korça, S. Kolea nga Berati, Kr. Kamanaqi nga Korça, J. Kalapeci nga Korça, I. Kalapeci nga Korça, S. Kena nga Përmeti, I. Ligari nga Korça, 

D. Ligari nga Korça, V. Liogari nga Korça, Gaq. Leonilla nga Himara, Vas. Maka nga Narta, D. Meria nga Korça, C.E. Mitko nga Korça, D.E. Mitko nga Korça, G.G. Mitko nga Korça, A. Nalcaja nga Korça, L. Naci nga Dardha, Todi Nikola nga Korça, Kr. Nikolla nga Korça, L. Nevosela nga Përmeti, Arq. Opari nga Opari, Mustafa Orhan nga Voskopoja, Th. Papakostantini nga Opari, B. Panaistidhis nga Grapshi, Malio Suleimani nga Picari, Mustafa Beu nga Sh. Premetia, Ath. Taseko nga Korça, V. Thomaidis nga Grapshi, Milto Terzi nga Opari, Veisel Talin nga Ajdonati, Petro Tole nga Përmeti, D. Tolko nga Korça, Petro Tornie nga Korça, Sinan Zeneli nga Kurveleshi, Kr. Xexo (Giegio) nga Korça, Al. Ginvan nga Elbasani, J. Vruho nga Berati, D. Vruho nga Berati”. 

N. B. (Lexojeni ju dhe dërgojani të tjerëve që ta lexojnë)

“Documentazione Storico Diplomatico-Archivio Ministero degli Affari Esteri, Roma, Affari Politici AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, Telegram, Nr. 165, img. 8080, 8081, 8082, 8083, 8084”. AMAE në AIH, Fondi: Serie Politica “P” (viti 1912), Pacco 674, dokumenti është në pesë faqe me numrin e serisë jpg. 8080. 8081. 8082. 8083. 8084

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin Marku

Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në New York

August 28, 2023 by s p

Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në New York. Këngë, valle, muzikë dhe identitet kombëtar.

Filed Under: Opinion

DATËLINDJA E SHËN TEREZËS

August 26, 2023 by s p

NGA NDUE BACAJ/

Nënë Tereza ka lindur me 26 gusht 1910 në qytetin Shkupit nga bashkeshortet patriot shqiptarë Kolë e Drane Bojaxhi.. Emri i saj si krijesë e brishtë e kësaj bote ka qenë GONXHE, dhe këtë emër e mbajti derisa kjo gonxhe çeli lulen e shenjtë, që pas thirrjes shpirtërore nga vetë Jezu Krishti, kjo bijë e racës sonë ju përkushtua me sakrifica besimi , ndjeja njerzore e hyjnore , për të sjellë shpresë te të pashpresët, për të sjellë jetë tek ata që po vdisnin, për të sjellë shërim tek të sëmurët, për të sjellë besim tek të paorinetuarit, për të sjellë dritën hyjnore te të terratisunit e jetës… Është fat i paçmuar për Racen tonë Iliro –Shqiptare që vetë Krijuesi bëri emer që bija jonë të shenjtërohet, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë misionare dhe shenjtore të kësaj bote. “Zgjedhja” e bijës sonë Nënë Tereza nuk kishte qenë e rastësishme, pasi nga Raca jonë ndër dy-mijë vite Kristianizmit, i kishim falur rreth 600 shenjtorë e martirë, që gjaku dhe veprat e tyre janë në themelet e këtij besimi e qytetërimi, frutet e të cilit i gëzojnë edhe ata që nuk e duan sot në fillimet e shekullit XXI… Nënë Tereza u bë misionare e bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra, e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Misioni i shpresës së bamirësisë së Nënë Terezës ishte aq i madh sa e njohën jo vetëm shtete e qeveri, por edhe vetë Vatikani. Misioni i Nënë Terezës zgjati rreth 60 vite, kohë që e bëri të thirrej bijën tonë Moter, Nënë e më në fund Shenjëtore, të të gjithë botës. Bota e civilizuar jo vetëm ja njohu veprat e bamirësisë e mëshirës për njerëzit në nevojë, por e vlerësoi me çmimin NOBEL (në vitin 1979) , ndërsa mjerisht shteti jonë komunist në ato kohë e anatemonte dhe nuk e lejonte të vinte as tek varret e njerëzve të saj të dashur në Tiranë (Nënës e Motrës). Shqip “Ne” duke i mbyllë dyert bijës sonë, Nënë e Botës, ne i mbyllëm vetvehtes shpirtin e Shenjtë që Zoti kishte dërguar mbi ne … Gjithsesi Nënë Tereza na fali ne shqiptarëve, sepse e dinte se nuk jemi ne populli që e përbuznim e mbyllnim dyert, por ishin djajtë e kuq që na kishin kapur për fyti (ndoshta si sprovë nga vetë Krijuesi). Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia , sëmundjet e epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe komuniste dhe (Kosova) nën pushtuesit serbë.. Nënë Tereza e kishte çuar zërin e saj në mbrojtje të popullit nga kishte lindur deri te Presidenti i SHBA-s Bill Klinton, të cilit i ishte drejtuar me fjalët : “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”. Ndersa Bill Klintoni do të deklaronte : “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe vlerave të lirisë”… Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Fatësisht vetë selia e shenjtë me anë të ish Papës famëmadh Gjon Pali II falenderoi kombin tonë për këtë bijë të shenjtë që i dhamë kësaj bote halleshume, ku ndër të tjera thoshte “… Edhe në kohën e Izolimit të plotë të Shqipërisë kjo rregulltare e përvuajtur ishte ajo që përçonte emrin e atdheut tuaj në mbarë Boten. Në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë, pasi ky ishte misioni i saj dhe i gjithë atyre ndjekësve të vërtetë të Krishtit dhe Apostujve të tij që përhapnin dashurinë dhe jetën mbi dhembshurinë e kësaj bote. Për këtë ju falenderoj sot (Ju shqiptarëve) në emër të Kishës Katolike, që i falët botës këtë bijë të madhe të tokës e popullit tuaj…”. Vlenë të cilësohet se edhe presidenti i asaj kohe i republikes Islamike të Iranit , Muhamet Khatani (pas vdekjes së Nënë Terezes) do të thoshte : ”Madheshtia e Nënës Tereze konsiston në shpirterimin e madh nga mendimet e mëdha të vlerave morale dhe fetare, që ajo mbante per të miren e njerzimit.”. Nga ky vlersim i mrekullueshem per Nënë Terezen (nga një Presidenti me profil të lartë fetar) ,“gjejne” mbeshtetje edhe fjalet proverbiale të Papa Gjon Palit dytë se në ketë botë ka dy FE apo besime, ata që besojne ne Zot , dhe ata që nuk besojnë. Vatikani që nga 19 tetori i vitit 2003 nisi proçesionin e Shenjtërimit të Nënë Terezës , procesion që “kulmoi” me firmosjen e dekretit të shenjtërimit të Nënë Tereze me daten 4 shtator 2016 nga Papa Francesku. Vlenë të shenohet se nëse ne shqiptaret si ditë perkujtimi e feste per Nënë Terezen , që nga viti 2004 kemi shpallur edhe 19 tetorin , në shtetin e Nju Jorkut , Senati dhe Asambleja e këtij shteti kanë shpallë (në 2017) , 4 shtatorin festë zyrtare që do njihet si të gjitha festat e tjera të veçanta. Neper Botë në përgjithësi e në trojet etnike Shqiptare në veçanti filluan t’i kushtojnë shumë vepra arti e emërtime të ndryshme, ku spikat ndertimi i Katedrales kushtuar Shenjtores Terezë në Prishtinë (Kosovë) , shugurimi i të cilës u bë me 5 shtator 2017 , me rastin e 20 vjetorit që Nënë Tereza ndërroi jetë. Në Vau të Dejës është ndertuar katedralja kushtuar Shenjëtores. Ndërsa para disa viteve në Shkodër, pas shumë vështirësive (që suallen disa paragjykime me mendësi antieuroperëndimore) , u bë e mundur që në qendër të qytetit të kemi “truporen” e saj , e cila me sa duket do të zëvendësojë për Shkodrën e Malësinë- Zojën e Shkodrës, të larguar nga rreziku i pushtuesve turko-aziatikë që në vitin 1467… Në këtë shënim perkujtimor për ditlindjen e shejnëtores Terezë nuk po mundem të qëndroj pa ju drejtuar me një lutje me shpresë se do të ma dëgjoj Shenjëtorja Terezë.: “SHENJTORJA TEREZË LUTU PËR NE MËKATËNORËT TË KTHEHEMI NË SOFRËN EUROPERËNDIMORE, TË LARGUAR PREJ KOHËSH PADREJTËSISHT DHE PA DËSHIRËN E SHUMICËS SË SHQIPTARËVE…” Lutu Shenjtorja Terezë edhe për shtetaret, pushtetaret dhe institucionet shtetrore që të kujtohen se mund të bëhën më njerzor… Duke u ardhur fundi ketyre fjalëve zemre për shenjetoren Tereze mendova ta mbyllë duke cituar disa nga fjalët-lutje të nënë Terezes me 10 dhjetor 1979 me rastin e marrjes të çmimit nobel në Oslo- Norvegji.

“O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:

ku ka urrejtje, bëj ta sjell dashurinë,

ku ka fyerje, bëj ta sjell faljen,

ku ka mospajtim, bëj ta sjell bashkimin,

ku ka dyshim, bëj ta sjellë fenë,

ku ka gabim, bëj ta sjell të vërtetën,

ku ka dëshpërim, bëj ta sjell shpresën,

ku ka pikëllim, bëj ta sjell gëzimin,

ku ka ërrësirë, bëj ta sjell dritën…”

VOO: Citimi i këtyre fjalëve-lutje të Nënë Terezës, janë marrë nga përkthimi i Rev. “DRITA” ku ka pasur për bazë fjalimin original në anglisht,të Oslos Norvegji 10 dhjetor 1979, i postuar tek web faqja zyrtare e Çmimit Nobel: /http://www.drita.info/

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT