• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAMILJA, MIQTË DHE KOMUNITETI SHQIPTAR NË NEW YORK PËRKUJTUAN PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 1 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

April 14, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 Prill 2023- Familja Balaj, kumbarët Perpepaj, miqtë, veprimtarët, bashkëpunëtorët e ngushtë përkujtuan në New York patriotin e madh Zef Balaj në 1 vjetorin e kalimit në amshim. Zef Balaj ishte shqiptar i veçantë, fisnik, zemërbardhë e shpirtmadh, një mik, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar i pa shoq në mërgatën shqiptare të Amerikës. Gjatë jetës së tij, Zef Balaj mori pjesë aktive në proceset patriotike, demonstratat, protestat, lëvizjet, ndihmat për komunitetin e kombin për 60 vite nga Washingtoni, Bostoni, New York e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane e deri te Federata Vatra. Në ceremoninë përkujtimore, në varrezat ku pushon përjetë Zef Balaj “Gate of Heaven”, Dom Nikolin Përgjini udhëhoqi procesin solemn të Rruzarës së Shenjtë, uratë e lutje për pushim të pasosur, në dritën e pambaruar të Perëndisë. Z.Lush Binaku kushëriri i Zef Balës, foli në emër të familjes Balaj dhe falenderoi për respektin e përkujtimin e paharruar. David Balaj djali i Zef Balës nderoi kujtimin e miqve ndaj të atit duke i vlerësuar për pjesëmarrjen. Në Royal Regency Hotel ku familja zhvilloi drekën e përkujtimit, pas fjalës falënderuese të David Balajt, kumbara Prel Ademi- Perpepaj solli kujtime nga fëmijëria me Zef Balajn dhe familjen e tij. Ai gjithashtu drejtoi një pjesë rruzare dhe uratë për shpirtin e patriotit Zef Balaj. Kryetari Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij u ndal te 28 vite të miqësisë e bashkëpunimit me Zef Balaj sidomos në luftën e Kosovës, demonstratat e protestat për Kosovën e shqiptarinë. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj theksoi përkushtimin e Zef Balës për Dardaninë e krejt viset shqiptare. Zefi ishte diamant i çmuar, ishte një krenari e veçantë për miqtë e kombin. Ai luftoi pa u ndalur për idealet e tij, theksoi z.Grishaj. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj në fjalën e tij veçoi njohjen prej dekadash me Zef Balajn, sakrificën e jetës së Zef Balaj, kapacitetin, vullnetin dhe pjesëmarrjen e Zef Balajt në të gjitha demonstratat e protestat që janë bërë për çështjen kombëtare. Sergio Bitici solli në memorie kujtime me Zef Balajn që nga Kosova e që prej vitit 1959, bashkëpunimin dhe organizimet patriotike, pritjen e Doktor Berishës më 1992 bashkë me Zef Balën, veprimtaritë në dobi të aktiviteteve për komunitetin dhe çështjen kombëtare. Qemal Zylo themelues i Shkollës Shqipe dhe Tv

Alba Live në emër të bordit të shkollës i akorduan Zef Balës çmimin e mirënjohjes për mbështetjen e pakursyer në dobi të mësimit shqip. Ish – kryetari i Vatrës Dritan Mishto theksoi mençurinë e Zef Balës, aftësinë për të mbetur në kujtimet e secilit prej nesh. “Zefi ishte i veçantë, mbaj mend shtrëngimin e fundit të dorës së tij. Do ta kujtojmë gjithmonë me respekt dhe nderim” kujtoi ndër të tjera z.Mishto. Adem Belliu nga Televizioni Kultura Shqiptare foli për amerikanizmin dhe patriotizmin e Zef Balaj. Dritan Haxhia organizatori dhe ideatori i dokumentarit për jetën e Zef Balaj, u tregoi të pranishmëve episode dhe veprimtari në dobi të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asllan Bushati solli në fjalën e tij veprimtari specifike të Zef Balajt, rolin dhe kontributin e tij në

vendime deçizive ku ka kaluar komuniteti dhe Vatra. Në drekën e lamtumirës, familja e miqtë e përkujtuan me lutje e heshtje Zef Balën, për shpirtin e tij fisnik dhe trashëgiminë e shkëlqyer patriotike që trashëgoi tek të gjithë ne.

Filed Under: Opinion Tagged With: david balaj, Sokol Paja, Zef Balaj

“Lufta Arbëro-Turke (1370-1571)”, një ndër luftërat më të gjata në historinë botërore!

April 13, 2023 by s p

Paulin Zefi/

(Një vështrim i shkurtër historik).

Për herë të parë, Arbëria u përgjak nga turqit selxhukë në vitin 1336 kur ata erdhën si forca mercenare të perandorit bizantin, Andronikut III Paleologu, për të shtypur kryengritësit arbër (1). Ndërsa ushtritë e para të turqve osmanë që shkelën vendin tonë, ishin ata që sulmuan Kosovën në vitin 1370, duke vijuar më vonë me repartet ndihmëse të jeniçerëve me të cilët princi serb, Marko Kraljeviç, sulmoi më 1375 qytetin e Kosturit, që asokohe e zotëronte Andrea Muzaka, por që vetëm falë ndërhyrjes ushtarake të princit të fuqishëm arbër, Gjergji I Balsha, rrethimi u ça dhe ushtria serbo-turke pësoi disfatë (2). Burimet lindore flasin për një fushatë osmane të zhvilluar në Arbëri po në vitin 1375, fushatë në të cilën kishte një tepricë aq të madhe skllevërish saqë, mbi plaçkën e tyre të rregullt, sulltani i dhuroi çdo ushtari turk një skllav arbër, pasi ai vetë kishte marrë një të pestën, siç urdhërohej nga Kurani dhe në imitim të profetit Muhamet (3). Ndërsa inkursioni i parë i madh osman, që depërtoi në thellësi të vendit tonë ishte ai i zhvilluar në Jug të Arbërisë në vitin 1380. Kjo ushtri osmane, e cila robëroi zotërimet e Gjin Zenebishit dhe Çamërinë, komandohej nga Isaimi i njohur si Shahin Beu ose Lala Shahini, që ishte thirrur për të shtypur arbërit nga despoti serb i Janinës, Thoma Preljuboviç, i njohur me pseudonimin famëkeq “Αλβανοκτόνος (Shqiptarovrasësi)” (4). Pushtimi osman i Arbërisë, në ndryshim nga pushtimi i shumë vendeve të tjera, nuk u realizua pas një fushate të vetme ushtarake, por ishte një proces i tejzgjatur në kohë, i cili siç u tha më lart, nisi në vitin 1370 dhe u mbyll vetëm në vitin 1571 me pushtimin e Ulqinit dhe Tivarit. Pra, fuqisë më të madhe ushtarake të kohës iu deshën plot 201 vite luftë e stërmundimshme për të nënshtruar Arbërinë, çka e bën Luftën Arbëro-Turke një ndër konfliktet ushtarakë më të gjatë dhe më të përgjakshëm në historinë botërore. Nga ana tjetër, duhet nënvizuar fakti se në kohën kur Europa doli nga Mesjeta dhe hyri në epokën e lulëzuar të Rilindjes, Arbëria u zhduk nga harta e shteteve të lira dhe u fundos nën zgjedhën e pamëshirshme të një fuqie barbare si Perandoria Osmane (5). Andej nga fundi i shek. XV, Arbëria e Mesme dhe ajo Veriore qenë shkretuar aq shumë nga dekada mësymjesh osmane e fushatash të mëdha sulltanore, saqë “Kultura e saj e lulëzuar katolike” e humbi bazën e vet qytetëse dhe u prapësua ndër male (6). Tregtia kaloi në stanjacion, qytetërimi u asgjësua dhe çdo lloj komunikimi me botën e jashtme u ndërpre (7). Me mijëra banorë të fushave u detyruan të kërkojnë strehë në malësitë e Veriut dhe kështu lindi një ekonomi blegtorale dhe një sistem i ri fisnor (😎. Kështjellat dhe qytetet, që kishin lulëzuar në epokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me pallate dhe monumente të shumta, si: Petrela, Petralba, Stellushi, Sfetigradi, Tornaçi, Sarda, Drishti, Danja dhe Ulpiana, u zhdukën krejt (9). Ndërsa qytetet e tjera, si: Kruja, Durrësi, Shkodra, Lezha, Vlora, Kanina, Berati dhe Gjirokastra e humbën rëndësinë e mëparshme dhe mbetën si hije të madhështisë së tyre të dikurshme (10). Po ashtu, vihet rè se pushtimi osman preku kryesisht popullatën që jetonte në zotërimet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe në viset e kontrolluara prej Republikës Veneciane, teksa Jugu u kursye prej shkatërrimit dhe për këtë arsye ndarja strukturore midis Veriut dhe Jugut të Arbërisë gjatë sundimit osman të vendit tonë do të kishte pasoja më afatgjata në shekujt në vijim (11). Për ta hedhur Arbërinë në këtë greminë, duke e shkëputur atë një herë e mirë nga “Respublica Christiana”, Perandorisë Osmane, siç u tha më lart, iu deshën plot 2 shekuj luftë e përgjakshme, ku në krye të fushatave të mëdha pushtuese apo atyre ndëshkimore u vendosën edhe vetë sulltanët, duke nisur nga Murati I, Mehmeti I, Murati II, Mehmeti II dhe deri te Bajaziti II dhe Sulejmani I ose Sulejmani i Madhërishëm. I pari, sulltan Murati I, e pagoi shkeljen e truallit arbër me jetën e vet, sepse u vra gjatë ose pas betejës së parë të Fushë-Kosovës (15/28 qershor 1389) prej bujarit arbër nga Drenica, Millosh Kobiliq/Kopiliqi/Obilić (12). Murati II dhe Mehmeti II, gjatë fushatave perandorake të zhvilluara në Arbëri kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeut më 1448, 1450, 1466 dhe 1467, shpesh herë nga rrethues, u kthyen në të rrethuar. Ndërsa, sulltan Bajaziti II në vitin 1492, në Tepelenë (13), dhe sulltan Sulejmani I më 1537, në Himarë, ranë pre e atentateve të ndërmarra nga luftëtarët arbër dhe i shpëtuan vdekjes vetëm për një fije peri (14). Pavarësisht të gjithë këtyre përpjekjeve titanike të monarkëve osmanë për ta nënshtruar Arbërinë me çdo kusht, ata kurrsesi nuk mundën të realizojnë pushtimin e saj të plotë, sepse disa rajone malore dhe të populluara nga njerëz shumë luftarakë e të mirëorganizuar, si: Mirdita, Malësia e Madhe, Dukagjini, Nikaj-Mërturi, Himara dhe Suli, arritën ta ruajnë pavarësinë e tyre dhe të vetëqeverisen sipas normave të veta zakonore. Këtë fakt, përpos vetë burimeve osmane, e pohojnë në mënyrë të njëzëshme edhe shumë historianë perëndimorë, sipas të cilëve: kontrolli osman mbi malet e “Land of eagles (Vendit të shqiponjave)” do të mbetej indirekt dhe relativisht i lehtë (15). Po ashtu, edhe për ta mbajtur vendin tonë nën zgjedhën e robërisë deri në vitin 1912, Perandorisë Osmane iu desh të përballej me plot 65 kryengritje, shumica prej tyre lokale, por ata që morën përpjestime më të mëdha, rrezikuan ta çojnë këtë perandori të fuqishme deri në zgrip të rrokullimës. Midis viteve 1370-1571, kur Arbëria u përgjak vazhdimisht nga inkursionet dhe fushatat e panumërta të turqve osmanë, epoka e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1443-1468) shënon fazën kulmore, më të përgjakshme, më dramatike dhe më të lavdishme të kësaj lufte të gjatë dhe heroike për liri dhe pavarësi. Heroi jonë Kombëtar dhe Mbrojtësi i pathyeshëm i Qytetërimit Perëndimor, arriti t’i përballojë dhe t’i shpartallojë njëra pas tjetrës të gjitha ushtritë turke të dërguara kundër tij apo të komanduara personalisht nga dy sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Murati II Kodja dhe sidomos Mehmeti II Fatih, në një kohë kur këto ushtri me përmasa të hatashme ishin në gjendje të gllabëronin të gjithë Italinë dhe shumë pjesë të tjera të kontinentit Europian. Vetëm falë tij, Perandoria Osmane ndeshi në Arbëri kufirin “nec plus ultra” përtej të cilit nuk mundi të shtrihej më tej drejt Perëndimit….

Bibliografia:

1)- S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, Burime osmane, f. 45-46; K.Bozhori – F.Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 215-216 & 223-226.

2)- K.Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra, f. 35-36.

3)- R.Ibrahim, Defenders of the West: The Christian Heroes Who Stood Against Islam, f. 238.

4)- K.Bozhori – F.Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 246; Dh.S.Shuteriqi, Moti i Madh: Përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479, f. 13-14.

5)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137.

6)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

7)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137.

8)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

9)- C.Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 137-138.

10)- Ibid. f. 138.

11)- B.J.Fischer – O.J.Schmitt, Një histori e përmbledhur e Shqipërisë, f. 59.

12)- J.Drançolli, Në kërkim të historisë mesjetare arbërore, f. 91-116.

13)- S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530: Burime osmane, f. 261.

14)- I.Zamputi, Rrethanat historike në të cilat u krye ekspedita e Bajazitit II në Shqipëri më 1492, në: Skënderbeu dhe epoka e tij, Tiranë: Naim Frashëri, 1967, f. 99.

15)- J.Tolan, H.Laurens & G.Veinstein, Europe and the Islamic World: A History, f. 134.

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin zefi

Memoriali në dy kartolina gjigande që mban 274 viktima nga 11 shtatori i zi

April 12, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

None of us will ever forget this day.  Askush nga ne nuk do ta harrojë kurrë këtë ditë.  

George W. Bush, 43rd U.S. President

Në çdo 11 Shtator Amerika përkujton me dhimbje tragjedinë më tronditëse që ndodhi në zemër të botës, në Manhattan, të shkaktuar nga terroristët botërorë.  Por kjo datë nuk është e thënë të përkujtohet vetëm në atë ditë, unë bashkë me Qemalin shkuam t’i përkujtonim sot në parkun përballë Oqeanit Atlantik në Staten Island në një ditë pushimi.  

Heronjtë frymëzojnë në çdo kohë ngase janë të pavdekshëm.

Këtë vit është 22 vjetori i përkujtimit.  Më 11 shtator katër avionë u rrëmbyen nga grupi radikal Al Kaeda dhe shkrumbuan dy kullat binjake qendrat më të mëdha tregëtare botërore. 

Tremijë njerëz u dogjën, vdiqën atë ditë, midis tyre më shumë se 400 punonjës të urgjencës.

Skulptorët e memorialeve i kanë ndërtuar nga dëshira për të krijuar një vend që lidh të gjitha viktimat me ne.

Memoriali ne Staten Island në nderim të viktimave është konceptuar si dy kartolina gjigande, që simbolizojnë komunikimet private mes të dashurve. Ato janë kartolina të palosura për të pasqyruar mesazhet që janë personale dhe cilësia e saj abstrakte formale i frymëzon njerëzit që të gjejnë kuptime të ndryshme në të.

Muret janë vendosur në mënyrë simetrike në parkun përballë ujit, duke inkuadruar boshtin e pamjes që dikur lidhte komunitetin dhe Kullat Binjake përgjatë portit. Ato hapen drejt ujit në plan dhe drejt qiellit në lartësi, duke krijuar një hapësirë ​​me një ndjenjë privatësie dhe çlirimi brenda sferës publike.

Çdo qytetar i Staten Island qe ka humbur jetën në këtë ditë të zezë nderohet në mure me siluetën e profilit, emrin dhe faktet e tjera në pllakën e granitit 9″x11″.  Boshtet e dritës të futura pas çdo profili krijojnë thellësi dhe lëvizje, duke lejuar gjithashtu që dritat natyrore dhe ndriçuese të kalojnë për të nxjerrë në pah siluetat e tyre. Të gjitha profilet shikojnë përtej portit drejt vendit të WTC, Kullave Binjake, si kujtues paqësor të së kaluarës dhe shpresës për të ardhmen.

Siluetat janë të gjitha në të njëjtin drejtim, drejt Ground Zero.  Ndërkohë gjithmonë në lëvizje është anija, Ferri me Staten Island dhe Manhattanin që i ndan uji në mes.  Nga larg i përshëndet me dorën e bekuar, flakadanin, Statuja e Lirisë, Lirinë që aq shumë e ëndërrojnë miliona njerëz në botë.  

Duke qëndruar përballë tyre në heshtje, një paqe e përzjerë me nota trishtuese, efekti i qëndrimit midis mureve ishte mjaft i fuqishëm.  Si qenie humane ajo që na ndan nga kaosi,nga antihumanët që mjerisht ka plot, është aftësia jonë për të vajtuar dhe respektuar njerëzit që nuk i kemi takuar kurrë, por respektojmë heroizmin e tyre.  Nëse nuk mësojmë asgjë tjetër nga kjo tragjedi, duhet te mësojmë se jeta është e shkurtër dhe nuk ka asnjë sekondë për urrejtje.

Ata rrinë të heshtur përballë kullave, ku njera është ringritur përsëri madhërishëm çka të kujton vargjet e poetes së famshme botërore Maya Angelou e cila shkruan si: “Njësoj si Dielli, njësoj si Hëna/ Në baticat në harmoni/ Njësoj si shpresa që çohet lart/ Unë do ngrihem përsëri…”

Sulmi mbi kullat shkaktoi djegie dhe shkatërrim kaq masiv saqë pak mbetje të identifikueshme u gjetën për varrim. Ndoshta 60 për qind e atyre njerëzve, profili i të cilëve është këtu, të afërmit e tyre, të dashurit e tyre, nuk morën eshtra. Këtu janë varrezat përkujtimore të tyre.

Është një memorial i përhershëm që nderon 274 banorët e Staten Island të vrarë në sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 dhe në bombardimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993 dhe eshte ndërtuar në vitin 2004.

Këtu janë policë dhe zjarrfikës që iu bashkuan përpjekjeve të shpëtimit dhe u vranë, kur kullat u shembën, dhe një pasagjer në fluturimin 93 të United Airlines, i cili vdiq në përplasjen në Shanksville, Pensilvani. Përfaqësohet gjithashtu një individ që u vra në bombardimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993.

Ishte nder për ne qe ndodheshim përballë në nderim të veprës së tyre përjetësuar në Memorialin i cili qëndron madhërishëm në dy kartolina gjigande që mban 274 viktima nga 11 shtatori i zi dhe në bombardimin e Qendrës Botërore të Tregtisë në vitin 1993 në bregdetin e “Shën Gjergjit”. 

11 Prill, 2023

Staten Island, New York 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kozeta Zylo

Presidentja Vjosa Osmani: Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë

April 11, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Agim Ramadani, në 24 vjetorin e rënies.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

24-vjet më parë Agim Ramadani u përjetësua në hero, u bë lajmëtar i lirisë bashkë me luftëtarët e UÇK-së, vullneti dhe guximi i të cilëve theu kufirin ndërmjet Kosovës e Shqipërisë.

Njeriu i penës, brushës e pushkës, është personifikim i lirisë, rrugës deri te ajo, por edhe lavdisë së përhershme.

Liria jonë mbanë vulën e Agim Ramadanit dhe heronjve të tjerë, të cilët e përmbushën idealin e brezave, mbrojtën dinjitetin, kthyen shpresën dhe përcaktuan rrugëtimin e shtetit të Kosovës.

Përkulemi me respekt para heroizmit të Agimit me bashkëluftëtarë, do t`i kujtojmë përherë dhe do ta përmbushim çdo ditë testamentin e tyre për Republikën!

Filed Under: Opinion

Rikthimi i munguar i Lin Delisë

April 10, 2023 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Me 9 Prill të vitit 1994 në një qytet të vogel në Antrodoko mes Lazios dhe Abrucios shuhej piktori i famshem shqiptar Lin Delija. Në mesin e viteve 40 në pikun e terrorit komunist kunder klerit katolik Delija një nxenes i tyre u arratis nga Shqiperia në fillim në Jugosllavi ku studioi në akademinë e Zagrebit e me pas në Romë nē “Belle arti” si student i perzgjedhur i të medhenjeve Mafei e Bartoli .

Shpejt u bë i njohur në metropolin e madh me emrin e antik Roma qytet ky para dy vitesh e nderoi me një tieter ekspozite e prani autoritetesh e personalitetesh.

Si pak europian e si asnjë shqiptar tjeter i bashkohesisë Lin Delija ju perkushtua artit të shënjtë gjini në të cilen Vitorio Sgarbi kritik italian me peshe e percaktoi si nder me të shquarit e 900-tes e ketej. Ekspozoi në shumē vemde të Botes, Amerike, Kanada, Gjermani, Spanje , në shumë qytete italiane ku veprat e tij i gjejmë sot e kesaj dite , në pinakoteka , në Muzeun e Vatikanit, në atë të Breshias, Në Bashkinë e Romes, në Universitetin La Sapienza e gjithandej. Dy muzeume me veprat e tij gjinden sot në atdheun e artit në Itali një në Antrodoko ku kaloi një pjesë të jetes pas viteve 70 dhe një tjeter në qytetin e Ozimos. Lin Delia ishte një mendimtar e intelektual i rangut të lartë cilesi keto që i pershfaq kudo në vepren e tij në të cilen gjithashtu strehoi per jetë edhe Shqiperinë e shqiptaret, brengat , sfidat, madheshtinë, qendresen e karakterin në shekullin e tyre ekzistencial. Nda dashamires të tij e sidomos nga shoqata “Lin Delija” në Itali u bë e mundur që disa vepra në fillim ti dhuroheshin Galerisë së Arteve , me pas të realizoheshin tre ekspozita nder vite, një nder të cilat edhe në Presidencen e Repulikes e pas disa vitesh një sasi e konsiderueshme pikturash ju dhuruan françeskanve në Shkoder. Piktura që ju dhurua Presidences së Republikes një portret vajzeje qysh në kohen e Bamir Topit një kryveper e llojit me vlere të madhe financiare ka shetitur në disa zyra, në viziten e fundit që kam patur në atë institucion e kam parë në qoshen e një sekretareje. Ajo degdisje deshmon që nuk ja dinin vleren e cila nga “beni culturali” eshtë çmuar nga ana monetare diku tek 100 mije euro. E dhashë këtë shembull si deshmi e ndergjegjesimit të paket që izolimi mendor e mendesite provinciale nuk na lënë të njohim e të çmojme gjenitë tanë që diktatura i detyroi të iknin dhe fati i mirë të shkelqejnë e të na bëjnë krenar.

Në kete pervjetor gjej rast ti kujtoj , Kryetarit të Bashkisë Shkoder Spahia, Ministres Margeriti dhe Kryeministrit Rama meqënëse veprat janë ( tek françeskanet e jo vetem) të gjejnë mundesinë që edhe në vendin e tij Lin Delija të nderohet siç i ka hije ose më mirë siç ne kemi nevojë për të, ndergjegjia jonë, arti ynë, studentet tanë , vetë historia ! Lin Delija, Ibrahim Kodra, Gjelosh Gjoka, Mikel Koliqi, Mark Lukiç( Luka) janë piktoret europianë të Shqipërisë edhe kur ne e mohonim kontinentin tonë të vjeter Delija është i vetmi piktor në Botë për të cilin pozoi Nënë Tereza.

May be a doodle of 1 person

See Insights and Ads

Boost post

All reactions:

55

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT