• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA PROMOVOI “FËMIJËT SHQIPTARË NË KOSOVË-VIKTIMA TË GJENOCIDIT SHTETËROR TË SERBISË”, HOMAZH DHE NDERIM

April 28, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 27 Prill 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA promovoi veprën “Fëmijët shqiptarë në Kosovë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë” një kryevepër dokumentare që denoncon dhe ekspozon krimet, vrasjet dhe torturat e serbëve mbi fëmijët shqiptarë në Kosovë. Me pjesëmarrjen e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të shoqatave kryesore në Amerikë, mbrëmja promovuese ishte homazh, lutje dhe nderim për çdo fëmijë të vrarë në Kosovë në vitet 1981-1999 të dokumentuar me profesionalizëm nga Hanëmshahe ILAZI, Nusret PLLANA dhe Agim ALIÇKAJ. Editori i Diellit në fjalën prezantuese u shpreh se këto botime janë një kontribut historik për të dëshmuar të vërtetën e gjenocidit serb mbi shqiptarët. Faktet tregojnë barbarinë e regjimit fashist serb kundrejt luftës së drejtë, të pastër e të ndershme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky libër është kontribut i çmuar për drejtësi kundrejt padrejtësisë shekullore ku luftëtarët e çlirimtarët gjenden në Hagë e kriminelët serbë në liri. Promovimi homazh filloi me shfaqjen e filmit : “Kush i vret fëmijët” dokumentar filmik i krimeve serbe mbi fëmijët shqiptarë në Kosovë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i përlotur theksoi në fjalën përshëndetëse se ky promovim është një homazh për ëngjejt shqiptarë qu u vranë padrejtësisht prej regjimit serb. Prof. Nusret Pllana është intelektual i lartë, zëri i lirisë së Kosovës, zëri luftës krenare të UÇK. Agim Aliçkaj është një veprimtar i pandalshëm moralisht dhe kombëtarisht, përfaqësues i denjë mërgatës në përpjekje për çështjen kombëtare” theksoi kryetari i Vatrës z.Berisha. Imam Elez Osmani në fjalën e tij deklaroi se Prof. dr. Nusret Pllana është ndër të vetmit që është marrë edhe me gjenocidin serb ndaj fëmijëve shqiptarë të Kosovës. Në veprën e tij, ai ka shënuar me emër dhe mbiemër, me foto dhe me fjalë, tragjedinë e 1432 fëmijëve të Kosovës, të cilët do të ishin 1432 familje të së ardhmes së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Pra, popullit shqiptar, i mungojnë nga tmerri i gjenocidit serb 1432 familje dhe askush deri sot nuk është përballur as me drejtësinë e shqiptarëve, as me atë botërore, theksoi z.Osmani. Bashkautori Agim Aliçkaj i emocionuar rrëfeu emocionet e rrugëtimit të librit, shpërndarjen e librit në Senat dhe Kongres, qendrat e mërgatës në Europë dhe deklaroi se SHBA është miku dhe aleati më i ndershëm dhe i vërtetë i kombit tonë, mirënjohje SHBA dhe homazhe fëmijëve të vrarë prej Serbisë. “Jam i impresionuar nga forca, fuqia dhe vendosmëria e Nusret Pllanës në denoncimin dhe ekspozimin e krimeve të Serbisë në Kosovë. Gjaku i krimit serb, gjaku i fëmijëve tanë nuk falet kurrë. Kërkojmë drejtësi, jo hakmarrje. Ne si komb nuk duhet të harrojmë kurrë” tha ndër të tjera z.Aliçkaj. Prof. Dr. Nusret Pllana deklaroi se vrasja e fëmijëve është dhimbja më e madhe e njerëzimit. “Barbarët serbë nuk mund ta zhbëjnë pavarësinë e Kosovës, nuk mund ta vrasin ardhmërinë tonë si shtet e si komb. Serbët kryen krime mizore e veprime shtazarake në Kosovë” tha ndër të tjera Prof.Dr. Nusret Pllana. Ai kërkoi më shumë mbështetje dhe përkrahje nga Institucionet e Shtetit të Kosovës në denoncimin e krimeve e gjenocidit serb mbi shqiptarët në Kosovë.

Harresa historike, servilizmi ndaj ndërkombëtarëve dhe bajraktarizmi nuk duhet të zënë vend në shoqërinë shqiptare dhe institucionet tona, këmbënguli Prof.Pllana. Ai shtoi se duhet mbështetje dhe bashkëpunimin kombëtar për të qenë një zë i fortë përballë propagandës shtetërore serbo-sllave. “Kërkojmë që të ndërtohet obelisku i fëmijëve të vrarë. Kurrë nuk do ta harrojmë gjakun e fëmijëve të vrarë. Mirënjohje mërgatës shqiptare në Amerikë e në Evropë për mbështetjen e sidomos z.Nazar Mehmetit në Teksas e secilit nga ju për mbështetjen” përfundoi fjalën e tij Prof.Dr. Nusret Pllana. Promovimi u mbyll me shpërndarjen e librit me nënshkrimin e autorit dhe një koktejl të dhuruar nga patrioti Toni Musaj. Lavdi përjetë luftëtarëve, çlirimtarëve, heronjve dhe dëshmorëve të lirisë së atdheut e kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alickaj, Nusret pllana, Sokol Paja

JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA NË ORËN 7 PM

April 27, 2023 by s p

JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA NË ORËN 7 PM.

Filed Under: Opinion

Vatra Queens feston 10 vjetorin e themelimit më 29 Prill 2023

April 26, 2023 by s p

Vatra Queens NY Organizon një takim festiv me rastin e 10 vjetorit të themelimit të degës Vatra Queens NY, degë e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Programin festiv e udhëheq artistja e mirënjohur e kombit tonë Dëshira Ahmeti me grupin e saj artistik. Organizimi festiv do përmbajë: muzike, senduiçe, pije, kafe ëmbëlsira. Programi fillon me Fjalimin përshëndetës të kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha. Editori i gazetës Dielli 2009-2021Dalip Greca që ndërroi jetë më 16 Maj vitin e kaluar do nderohet e përkujtohet veprimtaria e tij e cila ishte e mishëruar me tërë veprimtarinë e degës sonë. Ai në këtë takim do të shpallet kryetar i përjetshëm i degës së Vatrës në Queens.

Veprimtaria 10 vjeçare e degës do të prezentohet nga kryetari i degës Dr.Skender Murtezani. Më pas do të jetë Panel i hapur: Diskutime rreth kërkesës për riatdhesimin e At Nolit në Shqipëri. Aktivitetin do ta vazhdojë editori i gazetës Dielli z.Sokol Paja mbi planet e Federatës Vatra në të ardhmen e afërt. Programi fillon dhe mbyllet me muzikë.

VATRA QUEENS NY 10-th ANNIVERSARY:

Sat Apr 29 2023 at 07:00 pm

Immaculate Conception Center, 7200 Douglaston Parkway, Queens, United States

Hyrja vetëm me Bileta $55.00 ne adresen:

https://www.eventbrite.co.uk/…/vatra-queens-ny-10-th…

Filed Under: Opinion

Edmond Smajli, pilot luftarak në Forcat Luftarake Amerikane!

April 25, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Të arriturat e të rejave dhe të rinjve shqiptarë po na bëjnë krenarë gjithandej ku jetojnë ata. Këto të arritura, në fusha të ndryshme, na bëjnë të gjithëve krenarë.

Forcave Ajrore Amerikane, sot iu shtua një kuadër, një i ri, një shqiptar bir shqiptari, pasardhës i denjë i prindërve të tij atdhetarë, bir i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ismet Smajli që bashkë me shumë atdhetare kanë dhënë kontribut ne komuniteti shqiptar të Dallasit qe nga themelimi i tij.

Nga sot, Edmond Smajli është pilot me gradën Oficer Pilot i luftarak i pari shqiptare në Forcat Luftarake Amerikane (US AIR FORCE). Këtë lajm të madh për mua dhe të gjithë shqiptarët, e mora sot nga babai i tij, Ismeti.

Atdhetari Ismet Smajli dha kontribut të veçantë në luftën për lirinë e Kosovës, ndërsa sot interesat nacionale janë në rend të parë me miqtë e shumtë amerikanë dhe rrethet që kanë ndikim në politikën amerikane.

Është krenari që një shqiptar sot, bëhet pjesë e kësaj force ajrore e cila solli dritën e lirisë për Kosovën, solli shpresën dhe çlirimin e plotë nga okupatori shekullor. Është kjo forcë e cila ndërpreu gjenocidin serb në Kosovës, është kjo forcë e cila edhe sot është gardiane e fuqishme e lirisë e pavarësisë tonë.

Edmondi e arriti këtë sukses pas një përkushtimi dhe pune disa vjeçare, falë vendosmërisë për të arritur suksese të shkëlqyera, sot, ai me krenari u rreshtua si pilot luftarak në Forcat Luftarake Amerikane (US AIR FORCE), duke pilotuar aeroplanin A-10 Warthog.

Sot, të gjithë ne, jemi të lumtur me arritjen e Edmondit, si bir i një atdhetari në Amerikë, i rritur në familjen atdhetare, i përkushtuar për atdheun dhe i gatshëm për të kontribuar kurdo që e kërkon nevoja.

Filed Under: Opinion Tagged With: edmond smajli, Lulzim Nika

VIZITA HISTORIKE E PAPA GJON PALI II NË SHKODËR, 25 PRILL 1993

April 25, 2023 by s p

Lajmi i bujshëm që Papa Gjon Pali II do të vizitonte Shqipninë e Shkodrën ishte përhapë kudo nëpër botë tue krijue nji atmosferë shprese e entuziazmi të papamë për shqiptarët e në veçanti për shkodranët. Krahas problematikave të panumurta e gati të pazgjidhshme (ose pjesërisht të zgjidhshme) që delshin çdo ditë në punën e Bashkisë, filluem me mendue edhe për organizimin e pritjes së njeriut, që për momentin, ishte njani ndër ma të lavdishmit e Globit.

Gjatë Marsit u organizue në Kryeministri në Tiranë, nën kryesinë e Sekretarit të Presidencës Z.Kolec Topallit, nji takim ku merrshin pjesë ministra të qeverisë Meksi si dhe kryetarët e bashkive të Tiranës e të Shkodrës me qëllim koordinimin sa ma të mirë të organizimit për pritjen e Papës.

Bashkia e Shkodrës, qysh në fillimin e punës, pati përcaktue me konkurs kombtar e me aprovim të Këshillit Kulturës së qytetit, ku bajshin pjesë 40 persona të zgjedhun për intelektin e tyne, Stemen e Flamurin e qytetit të Shkodrës tue dhanë shëmbullin e parë për bashkitë e tjera në kët drejtim. Unë kisha shkue i pregatitun në mbledhjen e Qeverisë, ku paraqita programin e pritjes së Papës në Shkodër së bashku me mbështetjen financiarë që u kerkonte prej Qeverise Shqiptare. Më kujtohet që ndërmjet të tjerave deklarova se rrugët qëndrore të Shkodrës do të ishin të zbukurueme me degë lari ( dafina) e kudo do të ishin shpalosë tre flamuj së bashku; flamuri Kombtar Shqiptar, ai i Vatikanit si dhe flamuri i qytetit të Shkodrës. Për çudinë time, disa ” personalitete ” pjestarë të Qeverisë Shqiptare filluen me qeshë e me ironizue faktin që së bashku me dy flamujt do të ishte edhe ai i qytetit të Shkodrës!; paditunia e tyne nuk më la shije të mirë, por ndoshta ishte hera e parë që kuptojshin se çdo qytet në botë ka pasë dhe ka flamurin e tij…! Biseden e pati mbyllë Kolec Topalli tue deklarue se miraton propozimin e Kryetarit të Shkodrës për flamujt si dhe programin në përgjithësi, mbas kësaj, të gjithë heshtën!

Java para datës 25 prill 1993 pat qenë programue me aktivitete kulturore:

– Çfaqje në Teatrin Migjeni të nji drame mbi jetën dhe veprwn e Papës

– Ekspozitë fotografike për 70 vjetorin e Garës së Parë Çiklistike në Shqipni.

– Inaugurim i përfundimit të punimeve për rikthimin e palestrës në Kishë; të Prenden mbasdite, 23

Prill 1993, në mjedisin madhështor të Kishës së Madhe u paraqit para shkodranëve, që kishin

mbushë plot e përplot mjedisin e kishës, koncerti koralo-orkestral ‘Messia” – Haendel me

përformancën e artistave të Teatrit të Operas dhe Baletit, Tiranë. Mbetet i paharruem emocioni i asaj nate që mbrriti kulmin me finalen ‘ Alleluia’ e simbas shembullit të Dom Zef Simonit (Nji ndër katër ipeshkvit që Papa shuguroi me 25 Prill 1993) të gjithë u çuem në kambë.

-Të shtunden mbrama ( 24.04.1993) për me krijue atmosferë gëzimi qytetare, para sheshit të

Teatrit Migjeni u zhvillue nji koncert me muzikë bashkëkohore dhe kangë të zgjedhuna prej

kangëtarve ma të mirë shqiptar, mbarimi i koncertit u shoqnue me shpërthime “të papame” të

fishekzareve në qiellin e Shkodrës.

Të kënaqun se çdo gja shkoi mirë, por të lodhun dhe të emocionuem prej stresit të pregatitjes dhe aktivitete javore, mbas koncertit të gjithë u drejtueme në shtëpijat tona. Kishim nevojë për pak orë pushim para ditës së neserme, mirpo nuk ndodhi kështu; rreth orës 22.00 me telefonuen prej Argjipeshkvisë se me kërkojshin për nji problem që nuk mund ta diskutojshin në telefon. Atje, me treguen se në minutat e fundit, për arësye sigurie, ishte ndryshue programi i ardhjes së Papës në Shkodër; programi fillestar parashikonte ardhjen me elikopter të Papës prej Rinasit që do t’u ulte te fusha e Divizionit Ushtarak , përballë Spitalit Civil, ku qenë ba zbukurimet të shumta e cilësore, me parullë të madhe e me portretin e Papës për mirëseardhjen si dhe ishte vendosë nji tribunë ku 100 fëmij do të këndojshin, për nderim të mikut të rrallë “Hymnin e Gëzimit” të Simfonisë së Nantë – Bethoven. Po ashtu pat qenë zbukurue edhe rruga prej Divizionit deri te Kisha e madhe me parulla , dafina e flamuj. Varianti i ri që parashikonte ardhjen e Papës me veturë prej Rinasit i hidhte poshtë të gjitha pregatitjet e masipërme. Më erdhi keq dhe u dekurajova, tanë mundi e sodisfaksioni i punës po shkonte kot…, megjithatw në ora 23.00 të natës thirra nji takim me shtabin e organizimit të pritjes pranë Bashkisë, pjesëmarrja qe e plotë. Aty u dhane udhëzime të reja, puntorët punuen tanë natën, spostuen tribunën e korit së bashku me instalimin e fonisë përballë pozicionit të ish Kishës së Zojës, ku do t’u bekonte vendosja e gurit të parë në themelin e Kishës së re prej Papa Gjon Palit të dytë. Rrugën deri te Kisha e Madhe e zbukuruen pjesërisht, pra bane të pamundunen dhe për kët u jam shumë mirënjohës atyne që dhane kontribut tue sakrifikue për nderimin e Papës , por edhe të mikëpritjes shkodrane!. Duhet kujtue me mirënjohje edhe gadishmenia dhe solidariteti i papamë i të gjithë personave, pa dallim fetar, të ngarkuem me detyra për atë eveniment, nuk mbaj mend se u dha dy herë nji porosi, çda gja realizohej si me shkop magjik.

Erina Guraziu e djali me mbiemnin Stefa u përzgjodhën me dorëzue dhuratat që Bashkia kishte pregatitë për ardhjen e Papës; nji tubë me lule e nji kuti gjysë e hapun me ” kryq e shpatë” të punueme me filigranë argjendi prej mjeshtrit Tonin Radovan, i cili nuk pat pranue shpërblim prej Bashkisë. S’bashku me dy fëmijtë të veshun me kostume kombtare, shkuem te sheshi përballë themeleve të Kishës së Zojës të shkatërrueme prej komunistave. Për kënaqësine time sheshi ishte zbukurue mjaft mirë, dekorin e zbukurojshin dhe sheshin e gjallnojshin ma tepwr se çdo gja, të 100 fëmijtë e korit. Axha, Tonin Guraziu i cili kishte pasë ardhë prej shumë ditve në Shkodër për me qenë i pranishëm në Kishën e Madhe gjatë ceremonisë së shugurimit të katër Ipeshkve të rij shqiptar, më pat ndihmue me shkrue në italishten ceremoniale ato pesë rreshta, të cilat do të ia lexojshe Papës për me i dhanë mirëseardhjen në qytetin e Shkodrës. Programi parashikonte që unë si përfaqësuesi i qytetit me ” shirit në qafë” do të isha i pari dhe i vetëm, larg të tjerëve, për dhanien e mirëseardhjes. Sapo vetura e blindueme papale, kaloi urën e Bahçallekut unë i dola përpara simbas programit, vetura u ndalue dhe mbasi i putha dorën Papës i dhashë mirëseardhjen në italisht në qytetin Shkodrës.

” Santità, con grande gioia e roconoscienza do il benvenuto a Sua Santità per l’arrivo molto atteso nella nostra città di Scutari, tanto provata dalla barbarie àtea comunista. In nome della mia cittadinanza, porgo a Sua santita, il mio reverente saluto.”

Kur u afruem te sheshi përballë ish Kishës së Zojës, kori e fëmijve, i drejtuem prej mjeshtrit Kujtim Alia, filloi me këndue ‘ Hymnin e gëzimit ‘ – Bethoven. Muzika e cilësia e korit të fëmijve i terhoqën vëmendjen Papës i cili u emocionue, ai përshndeti dhe përkdheli disa fëmijë. Përshndeti gjithashtu personalitetet që i kishin dalë përpara e mandej krejtë i vetem u drejtue te elteri i improvizuem te themelet e kishës së zojës, u lut në qetësinë e tij e bekoi vendin e shejtë. Mbasi u kthye afër nesh, më erdhi momenti në të cilin unë së bashku me dy fëmijtë do ti dhurojshim peshqeshet. Më kujtohet se ju drejtova me këto fjalë italisht : “Shejtni, ju dhuroj dy simbolet ma të shejta të shqiptarve; kryqin dhe shpatën e princit Gjergj Kastrioti” e vazhdova: ” Shpresojmë se ardhja e juej në Shqipni ka me ia ndryshue fatin vendit tonë”- ai m’u përgjigj me buzë në gaz ” Se Dio vuole ” ( vullneti i Zotit)

Hypëm të tanë nëpër makina dhe u drejtuem drejt Kishës së Madhe. Jo vetem Shkodra, por i tanë veriu Shqiptar ishte atë ditë në rrugët e Shkodrës, njerëzit të disiplinuem si kurrë ndoj herë, përshndetshin e brohoritshin ” Rroftë Papa”. Kur korteu i makinave mbrriti para Kishës së madhe, Papa së bashku me njerëzit që e shoqnojshin hyni në Arqipeshkvi. Unë shkova te vendi i im mbrenda në Kishë që ishte e mbushun plot e përplot. U ula te poltrona e parë në rreshtin e parë, djathtas kisha Presidentin Berisha, majtas korridori dhe Nanë Terezen. Personi i protokollit të Presidencës erdhi e më tha: liroja poltronen, ku unë ishe ulë, Presidentit! E mora me mend se ai donte me e nderue Presidentin tue e ulë sa ma afër Nanë Terezes. Mirpo unë isha Kryetari i Qytetit dhe e dijsha mirë se simbas protokolleve të tanë botës, në krahun tim të djathtë u donte me qëndrue personi ma i randësishëm që kishte ardhë mik në qytetin tim, prandej iu përgjigja se nuk los prej vendit. Personi i protokolli të Ministrisë së jashtme, që duket kishte kuptue ndërhymjen e atij të Presidencës, erdhi menjiherë e më tha: Kryetar mos luej prej vendit, sepse ky asht vendi i yt!

Isha shumë i tensionuem dhe i emocionuem prej këtij evenimenti unikal në histori (asnjiherë nji Papë nuk kishte vue kamben në tokën shqiptare). Ceremonia fetare u zhvillue normalisht, u shuguruen prej Papës katër Ipeshkvi të ri Shqiptar, atmosfera ishte e veçantë, muzika – sublime; këndojshin së bashku korista prej Shkodrës, Prishtinës e Tiranës nën drejtimin e mjeshtrit Gjon Kapedani.

Mbasi mbaroi mesha, Papa Gjon Pali i dytë doli në balkonin e ndërtesës së Arqipeshkvisë, në mes të katër Ipeshkve të porsa emnuem, e përshndeti popullim e Shkodrës. Mbas fjalimit, Papa e të tjerët rreth tij, u futën mbrendë në Arqipeshkvi ku hangrën drekë së bashku dhe simbas atyne që kam ndigjue, Papa pat qenë shtri me pushue. Ajo që duhet kujtue asht episodi i fjalimit të Papës për të dytën herë në balkonin e ndërtesës së Argjipeshkvisë; mbas pushimit Papa rastësisht kishte pa prej dritares sheshin përpara Argjipeshkvisë dhe ishte çuditë se ende ishte plot e përplot me popull. Natyrshëm kishte pyetë: pse qëndojnë tw tanë këto njerëz në shesh e mbasi kishte marrë përgjigjen se populli nuk largohet pa përshndetjen përfundimtare, ishte emocionue prej dashunisë që kishte kuptue prej popullit e kishte dalë për të dytën herë në balkon për me falenderue popullin e Shkodrës, jashtë programit e protokollit , ngjarje që dëshmon kënaqësinë dhe emocionin e Papës për mikëpritjen në Shkodër.

Koordinatori i programit më komunikoi se shkuemjen në Tiranë, Papa do ta bante me elikopter që ishte në pritje te fusha e divizionit e se përfaqësuesit e institucioneve të Shkodrës ishin të rekomanduem me qenë prezent në oren 15.30 në vendin e nisjes për me i dhanë lamtumirën Papës.

Në orën e caktueme, në vendin e caktuem, rreth 15 persona, ishim të rreshtuem për përshndetjen e largimit të Papa Gjon palit II. Kur erdhi vetura papale dhe Papa u ul prej saj, ktheu kryet kah na, na përshndeti të tanëve me dorë e më thirri: ” Sindaco venga qua”, unë shkova me hap të shpejtë, i putha dorën dhe Papa vazhdoi: ” Sindaco, ti ringrazio per la calorosa accoglienza ( Kryetar, të falenderoj për prirjen e ngrohtë) ” – ” Santitá, La ringrazio con il cuore” ( Shejtësi, me gjithë zemer ju falenderoj) ishte përgjigja e ime. Sodisfaksioni që pata në ato momente mbetet i paharruem, ky ishte dhe mbeti ” Fletë lavdërimi ” ma emocionues i të tanë jetës time!

Mbas nji vjeti, me 25.04.1994, në shej nderimi e përkujtimi, Bashkia Shkodër emnoi sheshin para katedrales katolike të Shkodrës në emnin e Papës; Sheshi Gjon Pali i II-të.

Filip Guraziu

Filed Under: Opinion Tagged With: Filip Guraziu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste
  • Një vepër e rrallë në ikonografinë shqiptare, Shën Kristofori me kokë qeni
  • NJË ZË I RI SHQIPTARO-AMERIKAN NË UASHINGTON NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • SHANI PNISHI – NJË ZË I NDËRGJEGJES KULTURORE NË NDËRPRERJEN MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Mitrush Kuteli, figura e shquar që jetoi mes dy botëve
  • Shqipëria në Balkanfila XXI me identitet, përfaqësim dhe arritje
  • HOMAZH PËR LEGJENDEN DINAMOVITE
  • EMRI I ROBERT LULGJURAJ MBËRRIN NË ZYRËN OVALE TË PRESIDENTIT TRUMP
  • Franz Kafka dhe kushti i brendshëm i lirisë, një thirrje për zgjim nga vetë ndërtimi i robërisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT