• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA URON BESIMTARËT BEKTASHIANË: GËZUAR SULLTAN NOVRUZIN

March 22, 2023 by s p

Të nderuar vëllezër e motra të besimit Bektashi

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të Kryesisë së Vatrës, Këshillit të Vatrës e të gjithë vatranëve ju uroj: Gëzuar nga zemra festën e begatë e të bekuar të Sulltan Novruzit. Dashuri, paqe, festë, gëzim, lumturi dhe bekime paçi kurdoherë në zemër, shpirt dhe familjet tuaja të nderuara e të bekuara. Perëndia i tejetlartë bekoftë, shenjtëroftë dhe shpërbleftë çdo përpjekje tuajën për të mirën e Atdheut dhe bashkatdhetarëve tanë kudo ku ndodhen.Kjo festë e shenjtë uroj që të sjellë për ju të gjithë një lindje të re e të fuqishme shpirtërore, fat, sukses e begati familjare.

Gëzuar Sulltan Novruzin

Zoti ju bekoftë

Me gëzim dhe nderim

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

KRYETARI I VATRËS SHTROI DARKË NDERIMI PËR UDHËHEQËSIT MË TË LARTË TË KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE NË KOSOVË DHE MAL TË ZI

March 21, 2023 by s p

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shtroi një darkë nderimi, vlerësimi, falënderimi dhe respekti për Udhëheqësit më të lartë të Kishës Katolike në Kosovë e Mal të Zi, Imzot Dodë Gjergji Krye Ipeshkëv i Kosovës dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkëv i Tivarit dhe Administrator Apostolik i Kotorrit. Në darkën e mirënjohjes ishte pjesëmarrës biografi i shquar i Nënës Terezë Dom Lush Gjergji së bashku me vatranë të nderuar e aktivistë të shquar të çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo darkë tha z.Berisha është një respekt dhe nderim ndaj liderëve shpirtëror për punën e shkëlqyer fetare, patriotike e komunitare në shërbim të vëllazërisë, paqes e harmonisë ndërfetare.

Filed Under: Opinion

“DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË

March 20, 2023 by s p

Mirditë Ademi Limani mësuese e gjuhës shqipe në Kopenhagen të Danimarkës në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Kopenhagen, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Danimarkës.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË KOPENHAGEN

Së pari dua t’a qartësoj se janë dy mënyra të ndjekjes së mësimit të gjuhës shqipe. E para është në mënyrë institucionale, që mbahet nëpër shkollat fillore të vendit dhe e dyta si aktivitet i kohës së lirë që mbahet nëpër shoqatat shqiptare në Danimarkë. Në të dy rastet pjesëmarrja është vullnetare. Gjithsesi, klasat e gjuhës amtare nëpër shkolla fillore krijohen në qoft se ka interesim të mjaftueshëm nga nxënësit e shkollës përkatëse, në mënyrë që të krijohet një klasë me një numër të konsiderushëm nxënësish. Zakonisht interesimi është shumë i vogël dhe në munges të nxënësve klasat nuk arrijnë të krijohen. Vëtëm në Kopenhagë me rrethinë janë evidentuar mbi 500 nxënës potencial me origjinë shqiptare, që mund ta ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe por vetëm rreth 10 % (50 nxënës) janë të regjistruar dhe ndjekin mësimin plotësues në gjuhën amtare -shqipe. Mësimi i gjuhës shqipe në shoqatat shqiptare u jep mundësi fëmijëve nga e gjithë rrethina e Kopenhagës të jenë pjesë e mësimit, në krahasim me shkollat fillore të vendit që krijojnë klasa vetëm për nxënësit e shkollës së cilës i përkasin. Me këtë shkas ne menduam se ishte e nevojshme që të krijojmë shkollën tonë shqipe brenda shoqatave shqiptare në Danimark për fëmijët që janë të interesuar nga cfardo komune e qytetit dhe të mblidhen të gjithë ata në një vend të vetëm.  “Shkolla Shqipe” tani funksionon ne suazat e Shoqatës Shqiptare “Nerashti” në Ballerup, shoqatë kjo që ekziston që nga vitet ‘90.  Shkolla mbahet nga vullnetar, që gjatë fundjavave bëjnë aktivitete të ndryshme me fëmijët shqiptar të mbledhur bashk nga gjithë rrethina e Kopenhagës. Udhëheqës i shkollës është Nevzat Qamili. Mësuese janë Mirditë Ademi dhe Mireme Qamili. Nevzat Qamili me dekada të tëra ka punuar me fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare dhe ka ushtruar me ta në raste festash dhe datash të rëndësishme për shqiptarët. U ka siguruar fëmijëve mundësi për t’u prezentuar me programe kulturore  si përpara publikut shqiptar ashtu edhe atij danez dhe ndërkombëtar. 

SHKOLLA SHQIPE VETËM NË KOPENHAGË DHE ÅLBORG

Sipas informatave ekzistojnë shkolla shqipe vetëm në Kopenhagë dhe Ålborg (1-2 klasë). Motoja jonë është që fëmijët “të kënaqen në shqip”, andaj dhe koha që jemi bashk është një kombinim i zbavitjes dhe mësimit në mënyrë shumë natyrale që vjenë vetvetiu nëpërmjet këngës, poezive, valleve dhe leximit. Si bazë mësimore kemi librat e gjuhës amtare për fëmijë që jetojnë jasht vendlindjes. Qëllimi jonë kryesor është përdorimi i gjuhës shqipe në çfardo nivelesh apo situatash tek fëmijët. Shumë herë ne ju ofrojmë opsione të ndryshme fëmijëve dhe zgjedhim bashk me ta se cfarë do të lexojmë, këndojmë apo vallëzojmë. Në këtë mënyrë ata janë pjesmarrës në vendime dhe i bëjnë orët me shumë qef ngaqë kanë marr pjesë në zgjedhjen e  këngëve apo poezive. Planprogramin e rregullojmë edhe në bazë të psh. eventeve apo datave të rëndësishme historike. Në qoftë se  jemi në prag të ndonjërës fest, flasim për historinë e festës, domethënien, mësojmë këngë e valle që përkojnë me festën etj. 

Prindërit janë shumë bashkëpunues dhe ofrojnë përkrahjen e tyre në çdo mënyrë të mundshme. Prindërit tani kanë një jetë pak më hektike dhe të shpejtë dhe zakonisht zgjedhin të ju flasin fëmijëve në gjuhën daneze në mënyrë që ata t’i kuptojnë, pa nevojë për shpjegime të mëtutjeshme. Gjithësesi, lidhja që kemi ne si popull me vendlindjen është shumë e veçantë, e kemi bartur edhe tek fëmijët. Është e bukur të dëgjosh se edhe fëmijët tanë edhe pse të rritur në një vend të huaj, tregojnë se kush janë dhe nga vijnë  me po aq krenari sa edhe prindërit e tyre. Thirrja e vetme që mund të kem për prindërit është që të flasin më shumë në gjuhën shqipe në shtëpit e tyre dhe t’i shfrytëzojnë mundësit që janë për mësim të gjuhës, si nëpër shkollat fillore të Danimarkës ashtu edhe nëpër shoqatat shqiptare këtu. Nuk do të lija pa përmendur edhe bashkupinimin shumë të ngusht me ambasadën e Shqipërisë, atë të Maqedonisë së Veriut dhe konsulatën e Republikës së Kosovës, që kanë treguar shumë mbështetje në aktivitetet tona dhe na kanë siguruar materiale mësimore. 

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË DANIMARKË 

Kur punon si mësues e kupton se sa impakt të madh mund të kesh në formimin e një fëmiu. 

Nga kjo eksperiencë kam kuptuar se po bëjmë një punë shumë të madhe me fëmijët, duke u’a mbajtur atyre të freskët gjuhën shqipe dhe kulturën tonë nëpërmjet aktiviteteve tona.

Unë gjatë mësimit sigurohem që t’ua shpjegoj cdo histori brenda një vjershe, kënge apo përralle që ata ta kuptojnë thellësisht domethien si nga ana historike ashtu edhe vokabulare. Kështu ata mësojnë për kombin e vet dhe njëkohësisht mësojnë fjalë shqipe që nuk i kanë hasur në përditshmëri. Mendoj se kjo që bëjmë ne është definitivisht një mënyrë shumë e mirë e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar dhe gjuhës tonë amtare ndër gjeneratat e reja. 

Pastaj, e dini sa e bukur është kjo që ne flasim në dialekte dhe secili fëmijë i thotë fjalët në dialektin e vet. Lëre që mësojmë shqip, po mësojmë disa verzione të një fjale të vetme. Është eksperincë shumë e bukur. 

DANEZËT MIRËPRESIN MËSIMIN SHQIP

Për danezët është shumë e rëndësishme të rruhet identiteti kombëtarë dhe ata suprizohen nga impenjimi dhe krenaria që shfaqim ne, kur tregojmë se jemi shqiptarë. Në çdo mbledhje prindërore do të dëgjosh mësuesin që të thot, ne këtu në shkollë flasim danisht kurse ju në shtëpi flisni fëmijëve tuaj në gjuhën tuaj amtare. Është shumë e rëndësishme për kjo për ta. 



HISTORI SHQIPTARËSH TË FAMSHËM E TË SUKSESSHËM NË DANIMARKË

Jam shumë krenare të them se ka shumë shqiptarë në Danimark që kanë kontribuar në shoqërinë daneze, atë shqiptare dhe në nivel botëtor. Do të përmend disa nga emrat dhe u kërkoj ndjesë atyre që nuk do arrijë t’i përmend. -Në shkencë- dr. Lindita Kellezi dhe dr. Liridon Aliti. -Musa Krasniqi, Nexhip Sopa e Ilir Kalo, mjekë të shquar në Danimark

-Polotikë: Mexhait Latifi, Mujë Berisha, Arbresha Useini -Energjetikë: Fitim Kryeziu

-Informatikë: Fatmir Kabashi, Endrit Kola.  -Rene Rexhepi, kuzhinieri me renomme botërore, i restorantit Noma, fitues i çmimit “Best restaurant in the world” në 2010,2011, 2012 dhe 2014. -Eva Kjær, shefe e kuzhinës molekulare dhe në pronësi restorantesh fine dining dhe catering. -Feride Istogu Gillesberg, soprano që solli në jetë 2 albume me këngë të kompozuara nga Lola Aleksi Gjoka, së bashku me një grup artistësh të shquar nga Shqipëria

-Jimilian Ismaili, një artist i ri shqiptarë që është gjithmonë në top charts me këngët e tij të krijuara nga i vëllai, producenti  Besmir Ismaili. Ata kanë shënuar rekord në historikun e muzikës daneze për dëgjueshmërinë e këngëve të tyre. -Artige Ardit(emri artistik), një djalosh, reper shumë i suksesshëm i muzikës daneze, gjithashtu top charter. -Artisti Bajramali Idrizi, i cili ka gdhendur dhe potretizuar figurat e heronjve Adem, Hamëz e Shaban Jashari në një pllakë graniti, vepër kjo e vendosur në muzeun e Jasharve në Prekaz. -Natmir Lura, piktor shumë i talentuar. -Edita Ademi është një talente tjeter në sport,, e cila me shkathtësinë e saj në karate i ka sjellur Danimarkës shumë medalje ndërkombëtare. -Si futbollist janë shquar Riza Durmishi (që luan për kombëtaren daneze) Bajram Fetai, Berat Beçiri e Bardhec Bytyçi e Lirim Qamili. -Besir Zeqiri, aktorë i famshëm i kinematografosë daneze 

-Regjisori Ixhet Lutfiu me filmin “Rrënjët shqiptare…dheu danez”.Filmi i kushtohet historikut 55 vjeçar të shqiptarëve në Danimarkë dhe kontributit të Danimarkës dhe miqve danez ndaj çështjes shqiptare.  Në film pasqyrohet edhe guximi e heroizmi i bashkatdhetarit tonë nga Kaçaniku -z Bekim Çallaku i cili ndërhyn në një rast  dhe mposht një sulmues kriminel danez që kishte sulmuar një grua daneze dhe foshnjen e saj duke e therrur me thikë 21 herë… Ndërhyrje e Bekimit shpëton nga vrasja e sigurt foshnjën dhe nënën e saj, për çka autoritet daneze në vitin 2014 e shpallin Bekimin person i vitit. Këto janë disa nga emrat e suksesshëm shqiptarë në Danimark që kanë kontribuar secili në lëminë e vet, duke e prezentuar kështu popullin shqiptarë si një popull të mirëintegruar në shoqërinë daneze.  Nuk do lija pa përmendur ata të cilët kanë kontribuar, pa kursyer veten për të mbajtur gjallë frymën shqiptare ndër bashkatdhetarët në diasporë, gazetarët Adnan Ali, Ixhet Lutfiu e Ibrahim Xhemaili, që kanë mbajtur gjallë për dekada të tëra radion, “Zëri I Kosovës”. Ky medium, një kohë ka qenë dritarja e vetme e informimit dhe argëtimit për diasporën dhe ka kontribuar në ruajtjen e kulturës shqiptare edhe jashtë kufijve shqiptarë. Një impakt të veçant brenda shoqërisë shqiptare në Danimark kanë pasur edhe gra. “Shoqata e gruas shqiptare” me në krye Emine Aliji, shoqat kjo e sapo formuar. Dhe gra të tjera si Afërdita Orani e Ilirijana Bajraktari, që janë kujdesur për aktivitete dhe festa posaçërisht të dedikuara grave. 

MESAZHI PATRIOTIK PËR MËRGATËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për bashkatdhetarët kudo në botë është që të vazdojmë ta duam atdheun ashtu si deri më tani dhe të vazhdojmë ta përçojmë këtë atdhedashuri te gjenaratat në vazhdim. Të vazhdojmë t’a ndihmojmë atdheun dhe të jemi qytetarë shembullor kudo që të jemi, në vendlindje apo vend të huaj. Të investojmë sa më shumë në atdhe dhe të mbajmë premtimin që kemi dhënë kur kemi ikur, se një ditë do të kthehemi.

KUSH ËSHTË MËSUESE MIRDITË ADEMI LIMANI

Jam lindur dhe rritur në Tetovë. Kam studiuar Shkenca të Komunikimit, në fakultetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Në përditshmërinë time punoj si përkthyese e gjuhës daneze dhe shqipe. Dhe në vikende punojë si mësuese vullnetare në shkollën shqipe. Nga natyra, gjithmonë më kanë tërhequr gjuhët, kultura dhe komunikimi. Për mua gjithë këto që bëj përbëjnë kënaqësi, ngaqë i bëj me shumë dashuri. Aktivitet të ngjajshme kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Shkolla shqipe për mua është vazhdimi i premtimit për të ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe gjuhën e kulturën e bukur shqiptare. Mësuese Miremja është rritur dhe shkolluar në Danimark. Në përditshmërinë e saj punon si pedagoge mbështetëse me fëmijë të klasave 1-3. Në kërkim të një aktiviteti në gjuhën shqipe për fëmijët e saj, vendosi që të qëndroj me ne dhe të ndihmojë edhe ajo në procesin e mësimit, për shumë fëmijë tjerë të komunitetit shqiptarë. Së bashku, të gjithë, mësues e fëmijë, bëjmë një gjë shumë të bukur bashk. Mësojmë shumëçka nga njëri-tjetri dhe kalojmë një mbasdite të këndshme bashk, nën tinguj të bukur të gjuhës sonë amtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: mirdite ademi limani

VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN

March 19, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dega Chicago mori pjesë aktive në promovimin e librit “The flower of Vlora” të Dr. Anna Kohen. Në aktivitetin e organizuar nga Shoqata Albanian-American Community of Illinois në bashkëpunim me Uskana association dhe Uliqini association, shqiptarët e Chicagos zhvilluan një takim të ngrohtë me Dr. Anna Kohen. Ajo ishte e ftuar në Chicago në një nga auditoret e DuPaul University për të prezantuar dhe promovuar librin e saj “Flower of Vlora, growing up Jewish in communist Albania ”, në të cilin ajo tregon historinë e familjes së saj se si shpëtoi nga nazistët duke u vendosur në Shqipëri. Duke prekur një periudhë aq e errët për historinë e Europës në këtë libër ajo tregon se si jeta e saj vijon gjatë regjimit komunist pas lindjes dhe rritjes së saj në qytetin e Vlorës. Fjalën e hapjes e mbajti PhD professor Gazmend Kapllani që u pasua pastaj nga një nga organizatorët kryesorë Zoti Riza Milla e shumë të tjerë. Në këtë takim morën pjesë gjithashtu dhe disa anëtarë të kryesisë së Vatrës Chicago dhe anëtarë të Vatrës si Mirela Kanini ( kryetare), Ernest Nasto( nënkryetar), Ardian Ruci (sekretar), Artan Nati, Kastriot Fetahu ect. Në fjalën e saj të rastit Mirela Kanini falenderoi Dr. Anna Kohen për kontributin e saj të pa lodhur për shqiptarët duke e quajtur madje heroik dhe theksoi se ajo me librin e saj i vendos dhe një herë në hartë shqiptarët për botën mbarë të njohë mikpritjen që i karakterizon. Mbrëmja kaloi nën një atmosferë të këndshme dhe më pas e ftuara ju përgjigj pyetjeve të ndryshme që kishin të ftuarit mbi librin e saj, atë vetë, hebrenjtë që jetuan në Shqipëri. Të gjithë I shprehën asaj mirënjohjen dhe respektin e tyre që ajo jo vetëm nuk e harroi Vlorën vendlindjen e saj por tashmë e përjetësoi së bashku me Shqipërinë tonë. Në fund të ftuarit pritën të takoheshin me Dr. Anna Kohen për autograf in e saj. Libri i saj gjendet në Amazon për të interesuarit që nuk mund të merrnin pjesë.

Filed Under: Opinion

SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI

March 18, 2023 by s p

Kësaj radhe ne kemi përgaditur për botim, një dokument origjinal që sot ruhet në: Biblioteca Museo Correr, të Venedikut me vendodhje/sginaturë:  Biblioteca Museo Correr, P.D. 666 c., no 43. Dokumenti është i shkruar në pergamen fin dhe ka dimensione: vertikalisht 28.4 e horizntalisht 35.7 cm. Në dokument është vula nga dyelli i kuq, e ngjitur në pergamen. Dokumenti është i lëshuar më 25 korrik 1465 në Tivar. Ne, së bashku me faksimilin e origjinalit, botojmë edhe tejshkronjëzimin një gjuhën latine dhe përkthimin në 

gjuhën shqipe. (Shpresojmë se “Lalë Zefi,” do mbetet i kënaqur”).

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest

Venediku ruan një pjesë të mirë të “memories sonë kombëtare” në arkiva e biblioteka shtetërore, muze e insittucione kishtare të niveleve të ndryshme. Në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të njëzet, (1967) Jezuiti nam-madh Át Zef Valentini (Iohannes, Giuseppe) me një përkushtim të jashtëzakonshëm filloi botimin e lëndës arkivore e cila ruhej në Venedik, ku pjesa dërmuese e saj, nuk ishte botuar kurrë, ose ishte botuar në mënyrë fragmentare ngas stuidiues e historianë të huaj, të cilët gjatë hulumtimeve për projektet e institucioneve të tyre, botuan edhe ndonjë (apo disa) dokumente për Shqipërinë e shqiptarët. 

Në planin e tij botues, për botimin e njërës prej kolanave më të njohura dhe më të mëdha, të botuara ndonjëherë, me dokumente për shekujt XIV-XV për Shqipërinë dhe shqiptarët, albanologu dhe studiuesi i mirënjohur italian, që e quante veten shqiptar, át Zef Valentini, kishte vendosur që kolanën e tij, ta përfundonte me vëllimin e 30-të, përkatësisht me dokumentin numër 9.699, i cili mban datën 2 mars të vitit 1468.

Kolana “Acta Albaniae Veneta–Aktet Shqiptaro-Venedikase” përmban në vetvete dokumente burimore, origjinale, autentike, të nxjerra nga Arkivi i Qytetit të Venedikut (Archivio di Stato di Venezia), për shekujt XIV-të dhe XV-të. Përkatësisht, vëllimi i parë i botuar në vitin 1967, fillon me dokumentin nr. 1 që mban datën 17 prill 1301 dhe vëllimi i 25-t përfundon me dokumentin nr. 7.665, që mban datën 31 dhjetor 1463 (në këtë vëllim janë edhe dy regesta, përkatësisht numrat e dok. 7.666 e 7.667, që nuk kanë datën e shënuar, por vetëm vitin!) Pra nga viti 1967 deri në vitin 1977, për njëmbëmbëdhjetë vite me radhë, janë botuar 25 vëllime me gjithsej 7.667 dokumente. Të tëra këto vëllime u botuan sa ishte gjallë át Zef Valentini. 

Studimi i epokave të caktuara, e në kuadër të tyre edhe i personaliteteve që vepruan e krijuan, luftuan dhe sakrifikuan jo vetëm karrierën, por edhe jetën e tyre, përbën një moment tepër të veçantë në historinë e popullit shqiptar. Në të shumtën e rasteve, për këto personalitete, veçanërisht për ata që nuk ishin shqiptarë, të dhënat dhe informacionet për jetën dhe veprat e tyre janë të shpërndara në dorëshkrime, kronika dhe dokumente burimore që ruhen nëpër shumë arkiva e biblioteka të Evropës, e rrallë ose fare pak në ato shqiptare. 

Në fushën e studimeve albanologjike dhe ballkanologjike, kontributi i át Zef Valentinit është i jashtëzakonshëm dhe ka një rëndësi të veçantë, sepse njihet si një prej “lavruesve të palodhun të albanologëve.” Ai ishte ndër studiuesit e rrallë që në mënyrë shkencore, të paanshme dhe pa paragjykime, duke u mbështetur në metoda shkencore, studioi mesjetën shqiptare, kulturën dhe traditën, duke nxjerrë në dritë dokumente, dorëshkrime dhe të dhëna të tjera burimore shumë të çmuara, pothuajse të pahulumtuara të historisë sonë kombëtare. 

Kontributi i át Valentinit në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, e zbërthen në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazezë, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo sllavë, vëren ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe institucionet e tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, por edhe strukturën, formën dhe përmbajtjen e statuteve mesjetare shqiptare, gjithnjë duke u mbështetur në burime arkivore, për t’i krahasuar ato me të drejtën zakonore, të cilën e njihte për mrekulli, duke studiuar jo vetëm Kanunin e Lekë Dukagjinit, por edhe kanune të tjera. Statutet dhe notariatin, ai i analizon që nga zanafilla e tyre nëpër qytetet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtyre institucioneve në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare, në anën tjetër, studim, që deri tani është ndër më të kompletuarit, përkundër botimeve të M. Shuflajt, L. Nadin dhe ndonjë tjetri.

Qëllimisht u ndalëm te vepra madhore e Át Zef Valenitnit, sepse viteve të fundit po shfrytëzohet puna e tij, dorëshkrimet dhe informacionet tjera, të mbledhura nga ai, dhe sidomos, disa studiues të huaj, (por jo vetëm), nuk citojnë apo japin ndonjë informacion se kanë shfrytëzuar punën dhe veprën e tij. 

Kësaj radhe ne kemi përgaditur për botim, një dokument origjinal që është edituar e botuar, me lëshime e gabime në disa editime si te: Š. Ljubić (1874), Z, Valentini (1973), O. J. Schmit (1999 e 2000)…, etj, por që asnjëher deri me sot nuk është botuar në gjuhën shqipe.

Ne së bashku me faksimilin e origjinalit, botojmë edhe tejshkronjëzimin një gjuhën latine dhe përkhtimin në gjuhën shqipe. (Shpresojmë se “Lalë Zefi,” do mbetet i kënaqur”).

Ky dokument – diplomë, sot ruhet në: Biblioteca Museo Correr, të Venedikut me vendodhje/sginaturë:  Biblioteca Museo Correr, P.D. 666 c., no 43. Dokumenti-diploma është e shkruar në pergamen fin, origjinal, dhe ka dimensione: vertikalisht 28.4 e horizntalisht 35.7 cm. Në dokument është vula nga dyelli i kuq, e cila është shtypur në letër, e pasataj e ngjitur në pergamen, poshtë, në mes të tekstit. Për fatë të mirë, vula është në gjendje të regullt dhe pa problem mund të zbërthehen momentet helraldike dhe teksti që është në të. 

Dokumenti-diploma ka 20 rreshta tekst. Dimensionet e tekstit të shkruar janë: 12 x 24.3 cm. Teksti është shkruar me stil humanist kancelareskt, italik, të shekullit XV-të. Në anën e djathë poshtë, pergameni është i dëmtuar, aty ku është i shënuar emri i “cancelarit” që ishte edhe “scribesi” i diplomës: A[ndreas] Landi, nga Tivari. Dokumenti-diploma është kryesisht në gjendje të mirë, përkundër disa dëmtimeve të vogla që janë shkaktuar na palosja, kur është dërguar te imzot kryeipeshkëv Pal Engjëlli, dhe sot lexohet pa vështërsi. Shkurtesat e shumta të kohës, paraqesin problem në lexim dhe interpretim të drejtë të këtij dokumenti, për ata që nuk kanë njohuri paleografike dhe të gjuhës latine.

Dokumentin e ka lëshuar “Gabriel Trevizano, proveditor, për shumë të ndriturin dhe shumë të shkëlqyerin zotin dukal të Venedikut në viset e Shqipërisë” dhe i drejtohet kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit. Në vijim janë të shkruara dhe shënuara radhazi lëvdatat për meritat e imzot Pal Engjëllit, për kontributin e tij dhe shërbimet e bëra për llogari të Senjorisë së Venedikut, duke mos kursyer asgjë, as jetën, as shëndetin e as pasurinë. 

Në një pjesë të këtij dokumenti shkruhet se: Ai [imzot Pal Engjëlli] as nuk mori parasysh rrezikun e jetës për shkak të murtajës që në këto kohë është përhapur nëpër mbarë Dalmacinë dhe në tokat venedikase as shpenzimet dhe mundimet, por të gjitha këto udhëtime i përballon me shpenzimet e veta personale që pa dyshim arrijnë deri në dhjetëmijë dukatë. Për të vazhduar edhe me një moment mjaft interesat, i cili jo rrallë, kryesisht nga studiusit shqiptar që asnjëher nuk e kanë pasur në dorë dokumenti origjnal, është quajtur si “apokrif” ose “falsifikat” për të shkruar deri në ekstrem se “është fabrikim i familjes së Engjëlloreve”! 

Për fat të mirë, na është ruajtur origjinali, autograf, në pergamen, me vulë origjinale të kohës, që largon çfardo dyshimi dhe njëher e mirë mbyll këtë diskutim që është i dëmshëm dhe i paargumentuar nga persona që nuk i duan të mirën popullit shqiptar dhe familjeve fisnike shqiptare nga mesjeta, përkatësisht nga shekulli i XV-të, për të cilin tani po flasim, jo për shekuj të mëvonshëm.

Në fund të dokumentit gjejmë emrin e scribesit dhe datën e lëshimit të këtij dokumenti me 25 korrik 1465, në portin e Tivarit. 

Tejshkronjëzimi në gjuhën latine i dokumenit-diplomës nga 25 korriku 1465

Nos Gabriel Trivisano, pro illustrissimo et excellentissimo Ducali Domino Venetiarum in partibus Albaniae provisor. 

Universis et Singulis

Ad quos presentes advenerint notum facimus et manifestum, quod postquam de mandato prelibati Illustrissimi dominii nostri Albaniam petivimus expeditioni contra Turchos hac via provisuri Reverendissimum in Christo patrem et dominum dominum Paulum Angelum, Archiepiscopum Dyrrhachien, illius devotionis et animi cognovimus in rem publicam nostri dominii, ut, si venetus patricius esset aut de statu proprio non secus curare. 

Nam is consilio et opera sua effecit ut Illustris dominus Scandarbey Turchis bellum intullerit, cum quibus iam pacem inierat ac nostro dominio amore federeque se strinxerit, is nostro rogatu, bis Italiam propriis sumptibus petiit Orator domini Scandarbey memorati ad Serenissimum Regem Ferdinandum et semel ad Illustrem dominum ducem Mediolani, ut huic expeditioni adversus Impios Turchos sua legatione proficeret huic in castris locisque aliis ubi opus fuit persone eius neque labores neque expense defuerunt. 

Is magnificum dominum Lecham Duchainum ab obedientia et foedere Turchi sua prudentia, laboreque amovit dominio nostro ipsique domino Scandarbey federe colligavit. 

Is rectores nostri dominii in Dyrrhachio et Alexio cum eodem domino Scandarbey sepenumero reconciliavit. 

Dum insolentias contra ipsum dominum facerent, is nequem sanus, nequem infirmus equitare pro premissis ad honorem commodumque domini nostri ad omnem requisitionem nostram, neque estatis neque iemis tempestate recusavit. 

Is denique cum diebus proximis prefatus dominus Scandarbey querimoniam nobis adversus dominium nostrum propter multa sibi promissa in hac expeditione et non servata haberet persuasione nostra proficiscitur impresentiarum Orator predicti domini, ad Illustrissimum dominium ne si quippiam alius propter accederet, infecta magis inficeret que scandalo essent, nec periculum vite propter pestilentiam que per totam Dalmatiam et Venetias hac tempestate viget nec expensas labores vitat Omnibus his itineribus propriis expensis militando que non dubitamus ascendere ad decem millia ducatos. 

Que res ut successoribus nostris ac rectoribus dominii nostri note fiant dominumque Archiepiscopum memoratum pro meritis suis et devotionem in rem publicam ipsius dominii nostri magnifaciant et merito venerentur, ac ei in his que poterunt morem gerant pro officio suo has litteras duximus conficiendas. 

In quorum omnium fidem presentes fieri iussimus, et bulla nostra Sancti Marci Impressione muniri. 

Data in portu Antibari, die XXV. mensis Iulii, MCCCLX quinto 

A. Landi, cancellarius mandato subscripsi.

Përkthimi në gjuhën shqipe i dokumentit-diplomës nga latinishtja

Ne Gabriel Trevizano, proveditor për shumë të ndriturin dhe shumë të shkëlqyerin zotin dukal të Venedikut në viset e Shqipërisë. 

Ju bëjmë të ditur dhe njoftojmë të gjithë ata, të cilëve do t’u bjerë në dorë kjo letër se, mbasi me urdhërin e të lartit dhe shumë të ndriturës Sinjorisë sonë kërkuam nga shumë të ndriturit dhe të nderuarit zotërinjtë tanë në Shqipëri që të sigurohej rruga për fushatën kundër turqve.  

Njohim për punët e republikës sonë të Sinjorisë, për shkak të devocionit dhe të shpirtit e tij, shumë të nderuarin në Krishtin, atin dhe zotërinë, zotin Pal Engjëllin, kryeipeshkvin e Durrësit, me qëllim që ai kujdeset për statusin e vet dhe jo ndryshe, si me këshilla ashtu edhe me veprat që ai ka kryer, kur i ndrituri zoti Skenderbe u shpalli luftë turqve, me të cilët tashmë ka bërë paqe, dhe u lidh me Sinjorinë tonë me dashuri e me besë dhe me kërkesën tonë, oratori i përmendur, z. Skënderbe, shkoi dy herë në Itali me shpenzimet e veta personale te shumë i ndrituri, mbreti Ferdinand dhe një herë tek i ndrituri zoti duka i Milanit, me qëllim që me përfaqësinë e vet t’i sillte një shërbim kësaj fushate kundër turqve mizorë, në kështjella dhe në vende të tjera, ku të ishte nevoja, pa i munguar as njerëzit, as përpekjet, apo shpenzimet e duhura. 

Ai me urtësinë e vet dhe me përpjekje të madhe e largoi Lekë Dukagjinin nga bindja dhe lidhja me turqit dhe e bashkoi me anë të besës me Sinjorinë tonë dhe me vetë zotin Skenderbe. 

Ai ka pajtuar shpesh edhe rektorët e Sinjorisë sonë në Durrës dhe Lezhë me vetë zotin Skenderbe. Ndërsa ata bënin veprime arrogante kundër atij zoti, ai, si shëndoshë si i sëmurë nuk kursehej as dimër as verë të udhëtonte kaluar, sipas kushteve për nderin dhe për mirëqenien e Sinjorisë sonë, sipas të gjitha kërkesave tona. 

Së fundi, në ditët e mëtejshme zoti i lartpëmendur Skenderbe, kishte një ankesë me ne kundër Sundimit tonë për shkak të shumë premtimeve që iu bënë atij për këtë fushatë, por që nuk u mbajtën, dhe me këshillën tonë ai niset menjëherë si përfaqësues i zotit të lartpërmendur, tek shumë e ndritura Sinjori me qëllim që, po të interesohej kush tjetër për këtë çështje, të mos i prishte punët më tepër se ç’ishin prishur, gjë që do të ishte një skandal.

Ai as nuk mori parasysh rrezikun e jetës për shkak të murtajës që në këto kohë është përhapur nëpër mbarë Dalmacinë dhe në tokat venedikase as shpenzimet dhe mundimet, por të gjitha këto udhëtime i përballon me shpenzimet e veta personale që pa dyshim arrijnë deri në dhjetëmijë dukatë, dhe këtë duhet ta dijnë pasardhësit tanë dhe rektorët e Sinjorisë sonë dhe duhet ta çmojnë shumë dhe ta respektojnë me të drejtë zotin kryeipeshkëv të përmendur, për meritat e tij dhe për devocion ndaj Republikës Sinjorisë sonë, dhe aty kur të kenë mundësi të shkojnë sipas vullnetit të tij, si detyrë që e kanë, duke përpiluar këtë letër që ne kërkuam. 

Për dëshmi të gjithë këtyre veprimeve dhamë urdhër që të përgatitej kjo shkresë dhe të përforcohej me vulën tonë të Shën Markut. 

Lëshuar në portin e Tivarit, me datë 25 korrik, në vitin njëmijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë.

Nënshkroi A. Landi, kancelar i urdhëruar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • 171
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT