Mirditë Ademi Limani mësuese e gjuhës shqipe në Kopenhagen të Danimarkës në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Kopenhagen, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Danimarkës.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË KOPENHAGEN
Së pari dua t’a qartësoj se janë dy mënyra të ndjekjes së mësimit të gjuhës shqipe. E para është në mënyrë institucionale, që mbahet nëpër shkollat fillore të vendit dhe e dyta si aktivitet i kohës së lirë që mbahet nëpër shoqatat shqiptare në Danimarkë. Në të dy rastet pjesëmarrja është vullnetare. Gjithsesi, klasat e gjuhës amtare nëpër shkolla fillore krijohen në qoft se ka interesim të mjaftueshëm nga nxënësit e shkollës përkatëse, në mënyrë që të krijohet një klasë me një numër të konsiderushëm nxënësish. Zakonisht interesimi është shumë i vogël dhe në munges të nxënësve klasat nuk arrijnë të krijohen. Vëtëm në Kopenhagë me rrethinë janë evidentuar mbi 500 nxënës potencial me origjinë shqiptare, që mund ta ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe por vetëm rreth 10 % (50 nxënës) janë të regjistruar dhe ndjekin mësimin plotësues në gjuhën amtare -shqipe. Mësimi i gjuhës shqipe në shoqatat shqiptare u jep mundësi fëmijëve nga e gjithë rrethina e Kopenhagës të jenë pjesë e mësimit, në krahasim me shkollat fillore të vendit që krijojnë klasa vetëm për nxënësit e shkollës së cilës i përkasin. Me këtë shkas ne menduam se ishte e nevojshme që të krijojmë shkollën tonë shqipe brenda shoqatave shqiptare në Danimark për fëmijët që janë të interesuar nga cfardo komune e qytetit dhe të mblidhen të gjithë ata në një vend të vetëm. “Shkolla Shqipe” tani funksionon ne suazat e Shoqatës Shqiptare “Nerashti” në Ballerup, shoqatë kjo që ekziston që nga vitet ‘90. Shkolla mbahet nga vullnetar, që gjatë fundjavave bëjnë aktivitete të ndryshme me fëmijët shqiptar të mbledhur bashk nga gjithë rrethina e Kopenhagës. Udhëheqës i shkollës është Nevzat Qamili. Mësuese janë Mirditë Ademi dhe Mireme Qamili. Nevzat Qamili me dekada të tëra ka punuar me fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare dhe ka ushtruar me ta në raste festash dhe datash të rëndësishme për shqiptarët. U ka siguruar fëmijëve mundësi për t’u prezentuar me programe kulturore si përpara publikut shqiptar ashtu edhe atij danez dhe ndërkombëtar.
SHKOLLA SHQIPE VETËM NË KOPENHAGË DHE ÅLBORG
Sipas informatave ekzistojnë shkolla shqipe vetëm në Kopenhagë dhe Ålborg (1-2 klasë). Motoja jonë është që fëmijët “të kënaqen në shqip”, andaj dhe koha që jemi bashk është një kombinim i zbavitjes dhe mësimit në mënyrë shumë natyrale që vjenë vetvetiu nëpërmjet këngës, poezive, valleve dhe leximit. Si bazë mësimore kemi librat e gjuhës amtare për fëmijë që jetojnë jasht vendlindjes. Qëllimi jonë kryesor është përdorimi i gjuhës shqipe në çfardo nivelesh apo situatash tek fëmijët. Shumë herë ne ju ofrojmë opsione të ndryshme fëmijëve dhe zgjedhim bashk me ta se cfarë do të lexojmë, këndojmë apo vallëzojmë. Në këtë mënyrë ata janë pjesmarrës në vendime dhe i bëjnë orët me shumë qef ngaqë kanë marr pjesë në zgjedhjen e këngëve apo poezive. Planprogramin e rregullojmë edhe në bazë të psh. eventeve apo datave të rëndësishme historike. Në qoftë se jemi në prag të ndonjërës fest, flasim për historinë e festës, domethënien, mësojmë këngë e valle që përkojnë me festën etj.
Prindërit janë shumë bashkëpunues dhe ofrojnë përkrahjen e tyre në çdo mënyrë të mundshme. Prindërit tani kanë një jetë pak më hektike dhe të shpejtë dhe zakonisht zgjedhin të ju flasin fëmijëve në gjuhën daneze në mënyrë që ata t’i kuptojnë, pa nevojë për shpjegime të mëtutjeshme. Gjithësesi, lidhja që kemi ne si popull me vendlindjen është shumë e veçantë, e kemi bartur edhe tek fëmijët. Është e bukur të dëgjosh se edhe fëmijët tanë edhe pse të rritur në një vend të huaj, tregojnë se kush janë dhe nga vijnë me po aq krenari sa edhe prindërit e tyre. Thirrja e vetme që mund të kem për prindërit është që të flasin më shumë në gjuhën shqipe në shtëpit e tyre dhe t’i shfrytëzojnë mundësit që janë për mësim të gjuhës, si nëpër shkollat fillore të Danimarkës ashtu edhe nëpër shoqatat shqiptare këtu. Nuk do të lija pa përmendur edhe bashkupinimin shumë të ngusht me ambasadën e Shqipërisë, atë të Maqedonisë së Veriut dhe konsulatën e Republikës së Kosovës, që kanë treguar shumë mbështetje në aktivitetet tona dhe na kanë siguruar materiale mësimore.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË DANIMARKË
Kur punon si mësues e kupton se sa impakt të madh mund të kesh në formimin e një fëmiu.
Nga kjo eksperiencë kam kuptuar se po bëjmë një punë shumë të madhe me fëmijët, duke u’a mbajtur atyre të freskët gjuhën shqipe dhe kulturën tonë nëpërmjet aktiviteteve tona.
Unë gjatë mësimit sigurohem që t’ua shpjegoj cdo histori brenda një vjershe, kënge apo përralle që ata ta kuptojnë thellësisht domethien si nga ana historike ashtu edhe vokabulare. Kështu ata mësojnë për kombin e vet dhe njëkohësisht mësojnë fjalë shqipe që nuk i kanë hasur në përditshmëri. Mendoj se kjo që bëjmë ne është definitivisht një mënyrë shumë e mirë e ruajtjes së identitetit tonë kombëtar dhe gjuhës tonë amtare ndër gjeneratat e reja.
Pastaj, e dini sa e bukur është kjo që ne flasim në dialekte dhe secili fëmijë i thotë fjalët në dialektin e vet. Lëre që mësojmë shqip, po mësojmë disa verzione të një fjale të vetme. Është eksperincë shumë e bukur.
DANEZËT MIRËPRESIN MËSIMIN SHQIP
Për danezët është shumë e rëndësishme të rruhet identiteti kombëtarë dhe ata suprizohen nga impenjimi dhe krenaria që shfaqim ne, kur tregojmë se jemi shqiptarë. Në çdo mbledhje prindërore do të dëgjosh mësuesin që të thot, ne këtu në shkollë flasim danisht kurse ju në shtëpi flisni fëmijëve tuaj në gjuhën tuaj amtare. Është shumë e rëndësishme për kjo për ta.
HISTORI
SHQIPTARËSH TË FAMSHËM E TË SUKSESSHËM NË DANIMARKË
Jam shumë krenare të them se ka shumë shqiptarë në Danimark që kanë kontribuar në shoqërinë daneze, atë shqiptare dhe në nivel botëtor. Do të përmend disa nga emrat dhe u kërkoj ndjesë atyre që nuk do arrijë t’i përmend. -Në shkencë- dr. Lindita Kellezi dhe dr. Liridon Aliti. -Musa Krasniqi, Nexhip Sopa e Ilir Kalo, mjekë të shquar në Danimark
-Polotikë: Mexhait Latifi, Mujë Berisha, Arbresha Useini -Energjetikë: Fitim Kryeziu
-Informatikë: Fatmir Kabashi, Endrit Kola. -Rene Rexhepi, kuzhinieri me renomme botërore, i restorantit Noma, fitues i çmimit “Best restaurant in the world” në 2010,2011, 2012 dhe 2014. -Eva Kjær, shefe e kuzhinës molekulare dhe në pronësi restorantesh fine dining dhe catering. -Feride Istogu Gillesberg, soprano që solli në jetë 2 albume me këngë të kompozuara nga Lola Aleksi Gjoka, së bashku me një grup artistësh të shquar nga Shqipëria
-Jimilian Ismaili, një artist i ri shqiptarë që është gjithmonë në top charts me këngët e tij të krijuara nga i vëllai, producenti Besmir Ismaili. Ata kanë shënuar rekord në historikun e muzikës daneze për dëgjueshmërinë e këngëve të tyre. -Artige Ardit(emri artistik), një djalosh, reper shumë i suksesshëm i muzikës daneze, gjithashtu top charter. -Artisti Bajramali Idrizi, i cili ka gdhendur dhe potretizuar figurat e heronjve Adem, Hamëz e Shaban Jashari në një pllakë graniti, vepër kjo e vendosur në muzeun e Jasharve në Prekaz. -Natmir Lura, piktor shumë i talentuar. -Edita Ademi është një talente tjeter në sport,, e cila me shkathtësinë e saj në karate i ka sjellur Danimarkës shumë medalje ndërkombëtare. -Si futbollist janë shquar Riza Durmishi (që luan për kombëtaren daneze) Bajram Fetai, Berat Beçiri e Bardhec Bytyçi e Lirim Qamili. -Besir Zeqiri, aktorë i famshëm i kinematografosë daneze
-Regjisori Ixhet Lutfiu me filmin “Rrënjët shqiptare…dheu danez”.Filmi i kushtohet historikut 55 vjeçar të shqiptarëve në Danimarkë dhe kontributit të Danimarkës dhe miqve danez ndaj çështjes shqiptare. Në film pasqyrohet edhe guximi e heroizmi i bashkatdhetarit tonë nga Kaçaniku -z Bekim Çallaku i cili ndërhyn në një rast dhe mposht një sulmues kriminel danez që kishte sulmuar një grua daneze dhe foshnjen e saj duke e therrur me thikë 21 herë… Ndërhyrje e Bekimit shpëton nga vrasja e sigurt foshnjën dhe nënën e saj, për çka autoritet daneze në vitin 2014 e shpallin Bekimin person i vitit. Këto janë disa nga emrat e suksesshëm shqiptarë në Danimark që kanë kontribuar secili në lëminë e vet, duke e prezentuar kështu popullin shqiptarë si një popull të mirëintegruar në shoqërinë daneze. Nuk do lija pa përmendur ata të cilët kanë kontribuar, pa kursyer veten për të mbajtur gjallë frymën shqiptare ndër bashkatdhetarët në diasporë, gazetarët Adnan Ali, Ixhet Lutfiu e Ibrahim Xhemaili, që kanë mbajtur gjallë për dekada të tëra radion, “Zëri I Kosovës”. Ky medium, një kohë ka qenë dritarja e vetme e informimit dhe argëtimit për diasporën dhe ka kontribuar në ruajtjen e kulturës shqiptare edhe jashtë kufijve shqiptarë. Një impakt të veçant brenda shoqërisë shqiptare në Danimark kanë pasur edhe gra. “Shoqata e gruas shqiptare” me në krye Emine Aliji, shoqat kjo e sapo formuar. Dhe gra të tjera si Afërdita Orani e Ilirijana Bajraktari, që janë kujdesur për aktivitete dhe festa posaçërisht të dedikuara grave.
MESAZHI PATRIOTIK PËR MËRGATËN SHQIPTARE NË USA
Mesazhi im për bashkatdhetarët kudo në botë është që të vazdojmë ta duam atdheun ashtu si deri më tani dhe të vazhdojmë ta përçojmë këtë atdhedashuri te gjenaratat në vazhdim. Të vazhdojmë t’a ndihmojmë atdheun dhe të jemi qytetarë shembullor kudo që të jemi, në vendlindje apo vend të huaj. Të investojmë sa më shumë në atdhe dhe të mbajmë premtimin që kemi dhënë kur kemi ikur, se një ditë do të kthehemi.
KUSH ËSHTË MËSUESE MIRDITË ADEMI LIMANI
Jam lindur dhe rritur në Tetovë. Kam studiuar Shkenca të Komunikimit, në fakultetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Në përditshmërinë time punoj si përkthyese e gjuhës daneze dhe shqipe. Dhe në vikende punojë si mësuese vullnetare në shkollën shqipe. Nga natyra, gjithmonë më kanë tërhequr gjuhët, kultura dhe komunikimi. Për mua gjithë këto që bëj përbëjnë kënaqësi, ngaqë i bëj me shumë dashuri. Aktivitet të ngjajshme kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Shkolla shqipe për mua është vazhdimi i premtimit për të ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe gjuhën e kulturën e bukur shqiptare. Mësuese Miremja është rritur dhe shkolluar në Danimark. Në përditshmërinë e saj punon si pedagoge mbështetëse me fëmijë të klasave 1-3. Në kërkim të një aktiviteti në gjuhën shqipe për fëmijët e saj, vendosi që të qëndroj me ne dhe të ndihmojë edhe ajo në procesin e mësimit, për shumë fëmijë tjerë të komunitetit shqiptarë. Së bashku, të gjithë, mësues e fëmijë, bëjmë një gjë shumë të bukur bashk. Mësojmë shumëçka nga njëri-tjetri dhe kalojmë një mbasdite të këndshme bashk, nën tinguj të bukur të gjuhës sonë amtare.