• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

January 31, 2023 by s p

Selam Saadiu-t  

Selam o mik në dimensionin tjetër! 

U çthur  botë si n’ kohë të vjetër…

Disa rreken për të bërë plaçkë, 

Ca mendjemëdhenj mbledhin kapaçkë. 

E ca të tjerë prosti-interneti

Si kasapve u ka humbur merhameti.

Shik gastare prop-politikanë,

Delenxhi e  mjeranë – zamanë.

Budallenjtë janë bërë të zgjuar 

Korrin t’ lashtat në tokë të rruar…

Shpirt perënduart  i kapë gazi,

Jo nga  qejfi por nga marazi .

Tani na kanë feksur ca  dijetarë

Të palatuar por shumë  nepsqarë,

Sorollimthi udhërrëfyes ugar ,

Të gjithë llap-llap po asnjë  s’ mbjell farë!

Ka dhe ndonjë lodër e veshlapush

Që vajton  humbjen si zorra në prush.

Pa më  thuaj a kish  ksi soj sorollopi,

Kur çonte zërin dhe kryqin  Peshkopi ?

Prej dimensionit larg  gjegjet,  Saadiu:

“ A ke parë ndonjë herë lloj   Kadiu  

Që krahason luanin  me një  thinjë

Që s’ka kokë , kurriz  e  brinjë ?

E keqja  zvarritet   ditë edhe natë 

Me helmu  alem ,  Xhami  e Uratë.

Të kam thënë o mik ,  merhaba  !

Mos rrit këlysh ujku, se  ai të ha!

Humbi zë i Saadiut në të aguar, 

Po pishtari i tij mbet i pashuar.

Sa kardinal  kujtoi  shpirt’rat etër…

Kjo  botë plandosi  në boshtin e vjetër.

Dikush gëzon  skutë e shkretëti,

Sëbashku me diallin  dhe  njeriun e zi … 

E Zoti mbi ne… rri e bën sehirë… 

Për gjyq’n e fundit  shpirtrave t’  vdirë.

Kur e pyetën Aleksandrin e madh

Si munde o trim të pushtosh gjithë dynjanë…

Me ushtarë e mbretër  anë e mbanë?

Mbreti  i mbretërvë iu kthye plot përgjërim:

“Për popuj e mbretër kam gjithmon’ nderim.”

Na ish

Na ishte nji qen cytanik  si ne  motit…

U hidhej  njerëzve  tue jargavitë.

Kur mbaroi me tan’, iu drejtue t’ zotit,

Tue i thanë ,“ mbrapsht due me t’ leçitë” .

Zotnia  shikoi qenin e sëmurë…

I dha rrugat pa than asnji fjalë,

Po ai lehte  lule , gjethe  e gurrë…

Dersa hasi nji ujk qi e hangri t’ gjallë.

Harroj veten

Harroj veten, harroj dhe shpendët

Paushqim në këtë bardhësi e acarë, 

Tek i shoh se si u bien pendët

Ndjehem fajtor e shpirt vrarë.

Vrapoj për të zënë ditët që harrova

Për t’i ushqyer në erë e borë ,

Por janë rralluar që kur  mungova

Nuk jan’ të gjithë ata të  gjorë …

Rrëfenjë  për Prof. Nikoll Daka *

-I pandehur  Daka ,  je i dënuar me vdekje !

-Zotni prokuror,  dhe pse s’ kem pikëpjekje,

 Veç  due me korrigjue sentencën qi  m’ dhe, 

Shkurtim jete thuej , m’ vdekje … jem’  tan ne !

E ul’ kokën prokurori  idhun si zeheri…

Si nusja që   zbehet kur i humb mëhyri.

Gjykatës’ dridhei si maçok i lagun n’ acarë

Prej fjalëve të Prof. që rruezoi fjalë arë !

___________________________________________

* Prof . Nikoll Daka (Personalitet i madh) , ndër  Profesorët. e parë të Universitetit të Tiranës. Ai u largua në mënyrë demonstrative , kur Partia e Punës degjeneroi tekstet mesimëdhënëse . Prof. Nikoll Daka , njihte perfekt, Latinishten dhe Greqishten e vjetër, Italishten , Frengjishten , Gjermanishten etj… U dënua dy-tre herë nga rregjimi komunist. Respektivisht , NUN-i  im, i cili vdiq i lirë, por pa pasur mundësi t’a njoh lexuesi . Mungesë e madhe në letrat shqipe … që erdhi prej  neglizhencës së Agronit ( i biri) , i cili nuk u mor  asnjëherë seriozisht me punimet e të jatit për te pare dritën e botimit.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj

DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË / SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI

January 30, 2023 by s p

Alban Gjata organizator i shkollës shqipe, në një intervistë me Editorin e Diellit të Federatës Vatra në New York, Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Milano të Italisë.

SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT” NË MILANO, ITALI

Mësimi i gjuhës shqipe në Milano organizohet dhe mbahet pranë Shkollës Dora e Pajtimit prej muajit dhjetor 2022. Pas vetëm një muaji kemi 35 fëmijë që ndjekin mësimet e, midis tyre, 5 janë nga familje shqiptare me origjinë nga Mali i Zi. Klasat janë formuar në bazë të grupmoshave dhe nivelit të njohjes së gjuhës shqipe nga fëmijët:
⁃ mosha parashkollore (4-6 vjeç)
⁃ Grupi 1’ (7-9 vjeç)
⁃ Grupi 2’ (10-13 vjeç)
⁃ Grupi 3’ (14-17 vjeç)
⁃ Grupi 4’ (mosha e rritur 18-99 vjeç me kombësi të tjera që dëshirojnë të mësojnë shqip). Oraret për fënijët: Çdo të shtunë 10:00-12:00 (parashkollor/grupi 1) dhe 14:00-16:00 (grupi 2/3). Të rritur: E martë 19:00-21:00.

STAFI PEDAGOGJIK DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR

Stafi pedagogjik përbëhet nga 5 mësues të diplomuar dhe me eksperiencë. Programi mësimor që ndjekim është një kombinim i kurrikulës së bazuar në tekstin e botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe metodave që mbështeten në aktivitete të ndryshme që kanë në qendër nxënësin, si lojra e laboratore ndryshme, tema e aktivitete artistike. Një shembull: prezantimi i mullirit me gur që ndodhet në hapsirën e shkollës dhe tema lidhur me prodhimin e miellit e bukës. Fëmijët pregatitën shkronjat me brum buke dhe me to shkruan fjalë të ndryshme. I kushtojmë shumë kujdes punës së diferencuar brenda grupit sipas nivelit të secilit nxënës. Pjesë ndihmëse e stafit janë dhe artistë profesionistë që ndihmojnë për të bërë mësimin sa më tërheqës për fëmijët. Projekti për hapjen e shkollës lindi si një kërkesë e ndërgjegjshme e vetë komunitetit shqiptar në Milano. Shqiptarët në Milano respektohen e ndjehen pjesë e vendit ku jetojnë. Po jetojmë një kohë ku shqiptarët nuk shihen më vetëm si emigrantë ekonomik, ata janë ndër profesionistët më të mirë e plot energji në mjeksi, arte dhe sipërmarrje nga më të ndryshmet. Pra, promovimi i gjuhës dhe kulturës shqipe është një akt i vetndërgjegjësimit të komunitetit. Në mënyrë që projekti të ketë sukses duhet që të gjithë aktorët të luajnë rolin e tyre. Në radhë të parë familjet e më pas shteti shqiptar dhe organet lokale. Shoqata, në këtë kontekst, luan rolin e kordinimit dhe vënies në lëvizje të energjive pozitive.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ITALI

Fakti që u arrit të realizohej projekti i shkollës shqipe të Milanos, vetëm pas 30 vjetësh të lëvizjes së mbi 500.00 shqiptarëve në Itali, është tregues i kompleksitetit e vështirësive në realizimin e misionit tonë fisnik. Nuk kanë munguar dëshira dhe perpjekjet këto 30 vjet. Milano ka komunitetin më të madh shqiptar në Itali ( rreth 20.000 rezidentë). Arsyet janë të ndryshme se përse nuk është e thjeshtë tëhapej shkolla në Milano; ritmet e jetës e impenjimet personale, vetë autonomia ekonomike që të siguron Milano, për absurd, nuk ndihmon në agregimin e nje komuniteti (në qytetet e vogla është ndryshe e kanë më shumë nevojë për njëri-tjetrin), vetë distancat janë më të gjata për të qenë afër shkollës e kjo kërkon kohë e sakrificë nga prindët e shumë arsye të tjera që i njohim mirë. Doja të permend në fund se jo pa rëndësi është organizimi dhe hapësira e një ambjenti me karakteristikat e nevojshme dhe dinjitoze për një shkollë. Kjo në Milano ka edhe kosto ekonomike të konsiderueshme. Jemi të motivuar nga entuziazmi i fëmijëve dhe familjeve ti kalojmë vështirësitë.

MËSIMI SHQIP NË MILANO

Aktivitet tona zhvillohen në një kontekst dashamirës falë besimit që kemi krijuar në autoritet lokale dhe shoqërisë ku veprojmë. Përsa i përket njohjës së gjuhës shqipe në kurrikulën që fëmijët ndjekin në shkollat italiane, jemi ende në një fazë fillestare të këtij objektivi të rëndësishëm. Kjo pikë vendimtare zgjidhet vetëm në nivele bilaterale midis shtetit shqiptar e atij italian. Po bëhen përpjekje në këtë drejtim. Një model shumë i vlefshëm është ai i shkollës zviceriane ku mësimi i gjuhës njihet nëkurrikulën shkollre të nxënësit. Megjithatë Milano njihet si kryeqyteti i krijimtarisë dhe inkurajon çdo iniciativë krijuese të tillë siç e konceptojmë ne shkollën tonë.

AKTIVITETET PATRIOTIKE DHE KULTURORE TË SHOQATËS DORA E PAJTIMIT

Faktori shqiptar në Itali ndodhet në një fazë vendimtare. Integrimi i mirë individual, për absurd, shkon paralel me rrezikun e asimilimit të kulturës e gjuhës në brezin e dytë të shqiptqrëve. Ndaj kërkohet një ndërgjegjësim dhe organizim më i mirë i komunitetit tonë që të bëhet një faktor me peshën që i përket, në jetën sociale e politike, në dy anët e Adriatikut. Pak fjalë për Shoqtën tonë Dora e Pajtimit: Shoqata është themeluar e drejtohet nga Besmir Rrjolli. Më konkretisht, që nga viti 2007, DeP nuk ka rreshtur së implementuari projekte bashkzhvillimi socio-kulturore mes Italisë dhe Shqipëris duke synuar gjithmonë promovimin e vlerave të vullnetarizmit dhe të vlerave shqiptare. Që nga viti 2022, në bashkpunim me 2 organizata, Deafal dhe Isola Solidale, ka marrë në menaxhim nga bashkia e Milanos një ambient të cilin e ka trasformuar në një qendër kultuore. Hapësira, Slow Mill, është një pikë referimi per Diasporën shqiptare në Milano ku përvec shkollës shqipe Dora e Pajtimit organizohen takime, shfaqe, koncerte dhe gjithcka që është në shërbim të komunitetit Shqiptar në Itali. Qendra SlowMill karakterizohet nga prezenca e një mulliri guri jo vetëm për të promovuar drithërat integrale dhe bluarjen e avashtë të tyre por edhe për të simbolizuar ndaljen e ritmeve te shpejta te jetës milaneze për të krijuar evente domethënse dhe cilësore. Ne synojmë ta kthejmë në një pikë referimi për komunitetin shqiptar dhe më gjërë të kontekstit ku vepron në qendër të Milanos.

MESAZHI PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Misioni ynë është të vlerësojmë e të bëjmë të njohur vlerat e kulturës e gjuhës sonë të çmuar. Kemi shumë ç’të mësojmë nga ata që në historinë e kombit tonë kanë ditur, me pasion e sakrifica, të nderojnë figurën e shqiptarit nëpër botë, duke filluar nga arbëreshët e Italisë e deri tek Noli e Konica në Amerikë.

KUSH ËSHTË PATRIOTI DHE VEPRIMTARI ALBAN GJATA

Formimi im shkollor është një mix artistik e pedagogjik. Pas Liceut Artistik në Durrës, jam diplomuar në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi. Në Milano kam frekuentuar kurset e Arkitekturës në Politecnico dhe Akademisë së Arteve Brera. Ndërkohë prej vitesh punoj në një nga Istitucionet më të njohura të teknologjisë botërore, STMicroeletronics. Aktivitetin tim në mësimdhënie e shoh si një mundësi për të falenderuar ato dhjetra mësues që janë kujdesur për mua gjatë jetës sime, duke filluar nga prindët e mi e të tjerë pjestarë të familjes edhe ata mësues të nderuar e rrespektuar. Personalisht ndjehem me fat që jam pjesë e këtij grupi të mrekullueshëm që arriti të realizojë hapjen e shkollës dhe të hapsirës kulturore në Milano e që më dha mundësinë të bëj atë që më pëlqen: promovimin e artit e kulturës në të gjtha format e tyre, me një fokus të veçantë bashkatdhetarët tanë. Dua të falenderoj koleget mësuese që me pasion e sakrifica realizojnë mësimin me fëmijët: Violeta Dërvishi, Ermira Bekteshi, Donika Zendeli, Fabiola Sali dhe Rozeta Zefi; kordinatoren për Diasporën Luljeta Çobanaj që nëpër vite është kthyer në pikë referimi për komunitetun shqiptar, sipërmarrësin Gjon Tucaj që realizoi punimet për Qendrën Sllowmill, Besmir Rrjollin e Shoqatës DeP që mundësoi hapësirën për shkollën dhe shumë miq pa ndihmën dhe entuziazmin e të cilëve nuk do realizonim këtë projekt madhor!

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

THIKË MU NË ZEMËR TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE!

January 30, 2023 by s p

                                               Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Let them fly high and undisturbed, please! — Lëri të fluturojnë lartë!  Mos ua prishni qetësinë, ju lutem! – Si dy Shqiponja motra të pandara!

 Në fillim të muajit të kaluar, pikërisht me 9, Dhjetor, 2022 kisha shkruar  një artikull modest, me pikëllim në zemër, në përmbyllje të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare –Ja linku për lexuesit të cilëve mund tu ketë shpëtuar pa lexuar. Frank Shkreli: 100-vjetori i mardhënieve shqiptaro-amerikane mbyllet për faqe të zezë, pothuaj me një “non-grata” | Gazeta Telegraf  

Por, sot 6-7 javë pas botimit të këtij artikulli dhe pas shumë shkrimeve të tjera kritike, në të cilat kam shprehur zhgënjimin tim personal se si janë trajtuar këto marrëdhënie, sidomos, gjatë viteve të fundit.  Thënja e famshme e Ibrahim Rugovës,”Marrëdhënie të përjetshme midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara…”, po testohet rëndë, sa më përket mua dhe shumë shqiptaro-amerikanëve që i konsiderojmë ato si të shënjta dhe të pa prekshme. Ditët e fundit, bota shqiptare, bota amerikane dhe pothuaj mbarë bota mësoi nga mediat amerikane, shqiptare dhe botërore se në përfundimin e 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ato na qenkan në një gjëndje shumë më të rendë se ç’mendonim, megjithë propagandën nga zëdhënës të dy palëve, që u munduan gjatë gjithë vitit të kaluar t’i paraqisnin ato si më të mirat në botë, midis dy shteteve: bazuar në “vlera të përbashkëta” dhe “krah për krah”.  

Unë nuk dua të futëm në procesin gjyqësor të rastit të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së — Byrosë Federale të Hetimeve të Shteteve të Bashkuara — Charles McGonigal, i arrestuar të shtunën që kaloi nga autoritetet amerikane se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare, si dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.  Unë nuk kam asnjë dyshim se drejtësia amerikane do t’i dalë deri në fund kësaj afere fatzezë për marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Për këtë unë nuk kam asnjë dyshim. Vetëm durim se mund të jetë një proces i gjatë.  Por si do të trajtohen nga sistemi shqiptar i drejtësisë – shtetasit shqiptarë, deri në nivelet më të larta të politikës atje, që mund të jenë të përzier në këtë skandal të marrëdhënieve dy-palëshe – kjo është një pyetje tjetër. 

Sidoqoftë, mua nuk më intereson aspak fati i cilitdo qoftë person — amerikan ose shqiptar – të cilët mund të jenë përzier në këto vepra penale, qoftë në Amerikë ose në territorin shqiptar. Këta do korrin, çfarë kanë mbjellur për veten e tyre.  Shoh se media shqiptare po e trajton këtë skandal si një “soap opera”, si një serial televiziv me karaktere melodramtaike, pa marrë parasysh dëmet që mund të ketë shkaktuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane por edhe në përspektivat e antarësimit të Shqipërisë në organet euro-atlantike.  

Megjithëse është heret në procesin e zhvillimeve gjyqësore, ky skandal ka implikime politike, gjeostratagjike dhe ekonomike ndërkombëtare – por mbi të gjitha prekë në zemër marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, në 100-vjeçarin e vendosjes së tyre. Varësisht se cili do jetë përfundimi i këtij procesi gjyqësor, ky skandal ka mundësi të jetë një thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve prej një shekulli – për një kohë afatgjatë.  Ndonëse unë besoj se këto marrëdhënie, siç jam shprehur shpeshëherë – janë marrëdhënie të cilat janë çimentuar popull me popull, për një shekull dhe nuk varen nga individë as organizata, të cilës do palë qoftë që vendosin interesat e tyre personale e politike mbi këto marrëdhënie. Unë jam i bindur se pas këtij skandali, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të cilat i kemi konsideruar si të veçanta, të pakën fillimisht, nuk do jenë më të tilla në Kongresin amerikan as në Washingtonin zyrtar dhe as në radhët e popullit amerikan.

Marrëdhëniet historike midis dy kombeve tona, si përfundim i këtij skandali sot për sot – sidomos ç’prej shembjes së Murit të Berlinit dhe çlirimit të Kosovës — mund të konsiderohen si në nivelin më të ultë, në një krizë serioze të pa parë këto 30-vitet e fundit.  Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë — por edhe të gjithë shqiptarëve, përshir Kosovën — dhe Shteteve të Bashkuara nuk do jenë më si ishin deri më tani.   Kam drojë se sot për sot, marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan janë në pikën më të ulët që mund të imagjinohet – në pikën ku i duan ato marrëdhënie armiqët shekullor të Kombit shqiptar — në mos jo armiqësore, atëherë të pakën të ngrira dhe jo miqësore.  E veçanta e këtyre marrëdhënieve u shit, kohët e fundit, në parkingun e një restoranti në Nju Jork për 225-mijë dollarë.  Uroj që të gjithë, nga të dy palët, pjesëmarrës në këtë skandal, të marrin përgjegjësitë që u takojnë për gjëndjen e krijuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, si pasojë e këtij krimi. Por edhe elementë të politikës shqiptare në përgjithësi — pozitë ashtu edhe opozitë – të marrin përgjegjësitë që i takojnë kësaj klase politike për situatën e krijuar nga ky skandal dhe jo vetëm, në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ashtuqë këto marrëdhënie të vendosen në nivelin që meritojnë ato dhe që kërkon miqësia historike midis dy kombeve tona. Skandali i kohëve të fundit, nënkupton një mosmirënjohje të thellë, një ligështi shpirtërore.  

Ndërkohë që liderët shqiptarë në Tiranë argumentojnë me njëri tjetrin se kush është më “pro-amerikani” dhe kush është i shpallur “non-grata”, bota shkon përpara. Por  për fat të keq, tash e tutje, çdo gjë shqiptare do të konsiderohet me dyshim në Washingtonin zyrtar. Se si Shqipëria do merret me këtë skandal në zhvillimin e marrëdhënieve dy palëshe në të ardhëshmen dhe si drejtësia shqiptare do e trajtojë atë skandal, pa marrë parasysh se kush është i përzier në të, sigurisht që do të vendosë se ç’drejtim marrin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në të ardhmen e afërt dhe afatgjatë. Arrestimi, javën që kaloi nga autoritetet amerikane, i ish zyrtarit të lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, i akuzuar se ka marrë para nga një ish punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri, është një vepër penale e pa precedencë, jo vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, por edhe më gjerë. Mediat amerikane thonë se Charles McGonigal mund të jetë zyrtari më i lartë në historinë e FBI-së që përballet me akuza të tilla aq serioze, penale.

Të gjithë e dimë se sa mirënjohës janë shqiptarët ndaj ndihmës së Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për mbështetjen e pa kursyer amerikane në tavolinat e diplomacisë ndërkombëtare por edhe në fushë-betejën e luftës për çlirimin e Kosovës. Shqiptarët kurrë nuk do e harrojnë këtë ndihmë – pa marrë parasyshë se individë të caktuar nga cilado palë qofshin – mund të pengojnë përkohësisht zhvillimin normal të këtyre marrëdhënieve dhe madje t’i kërcënojnë ato seriozisht në favor të kauzave të ulta personale e partiake.  Duke besuar me shumicën e shqiptaro-amerikanëve dhe shqiptarëve kudo –se marrëdhëniet midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan – janë të pazevëndsueshme për mbijetesën dhe përparimin e Kombit shqiptar –  megjithë këto ditë të vështira, unë mbetem optimist se marrëdhëniet, historikisht, miqësore shqiptaro-amerikane midis dy kombeve tona, të cilat i kanë mbijetuar, për pothuaj një gjysëm shekulli — njërit prej regjimeve më të egra e më barbare në botë — diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, do e tejkalojnë edhe këtë krizë. Besoj gjithashtu me optimizëm se pasi të ketë folur drejtësia amerikane në lidhje me këtë çeshtje, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të vazhdojnë të zhvillohen në të mirë të dy popujve tanë dhe të paqës në Ballkan dhe në botë! 

Këto marrëdhënie midis dy kombeve tona, që deri më sot ishin ndër më të mirat në botë midis dy kombesh – janë produkt i punës së rëndë prej dekadash të 4-5 brezave shqiptaro-amerikanësh të cilët për më shumë se 100-vjet i kanë kultivuar, i kanë ruajtur si sytë e ballit e i kanë promovuar ato në Washington dhe anë e mbanë Amerikës ku jetojnë shqiptarë, duke siguruar mbështetjen e patundur dhe të sinqert të Washingtonit zyrtar dhe politikës amerikane, në përgjithsi, për interesat dhe për të drejtat dhe liritë kombëtare të shqiptarëve. Si rrjedhim, nuk besoj se komuniteti shqiptaro-amerikan do të lejojë që këto marrëdhënie të nepërkëmben në këtë mënyrë duke renë viktimë e krimeve për interesa personale e partiake të disa personave të pa skrupuj që nuk ndalohen para asnjë veprimi sado i paligjshëm të jetë ai. Besoj se komuniteti shqitaro-amerikan do të gjejë mbështetjen edhe të Washingtonit zyrtar, ashtu si gjithmonë në të kaluarën, për t’i sjellur marrëdhëniet e shënjta dhe të pazevëndsueshme amerikano-shqiptare në vendin që u takon – në “Miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara”, siç është shprehur dikur i ndjeri Ibrahim Rugova.

Jo se në të kaluarën nuk ka pasur probleme në marrëdhëniet dy palëshe, disa prej të cilave i kam venë në dukje, nga koha në kohë, por skandali i ditëve të fundit është vërtetë një kërcënim serioz, jo vetëm ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, pasi në të diktohen edhe ndërlikime ndërkombëtare, por përben kërcënim edhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nga influencat e huaja – sidomos ruso-kineze — në trojet shqiptare, për të cilat kam paralajmëruar vite më parë.  Mbetet për tu parë, por në këndveshtrimin tim, me një keqardhje të thellë, më duhet të konstatoj se ky skandal — që drejtësia amerikane po e trajton tani si vepër penale serioze — përbën një thikë në zemër të këtyre marrëdhënieve miqësore një-shekullore midis dy vendeve tona. Kjo duhet të shqetsojë të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo që janë.  Do të këshilloja që pjesa tjetër e këtij akti kriminal – ndonëse mund të jetë e pashmangshme — të mos trajtohet si një “soap opera”, me karakterë melodramatikë, sepse nuk është e tillë, por t’i lihet në dorë drejtësisë — e kam fjalën për drejtësinë amerikane!

Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë të vështirë!

Frank Shkreli

Let them fly high and undisturbed, please! — Lëri të fluturojnë lartë!  Mos ua prishni qetësinë, ju lutem! – Si dy Shqiponja motra të pandara!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR

January 29, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence
Prifti që shpëtoi këmbanën e Skënderbeut. – Bashkimi i Shqiperise

Federata Pan-Shqiptare Vatra në bashkpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, promovojnë 4 vepra të Prof. Besim Muhadarit. Në njoftimin e përbashkët të këtyre dy organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan, ftohen dashamirësit e librit dhe publiku i gjërë  që të marrin pjesë (të dielen, më 29 janar 2023 ora 11 AM) në kryeqendrën e Vatrës ku do të promovohet veprimtaria shkencore e Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Njoftohet se promovimi përfshin 4 vepra të autorit Muhadri:1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”; 2. “Profesor Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”; 3. “Esencat e mendimit letrar” dhe 4. Studies on Albanian Literature and Ethnology.

Për librat e Prof. Besim Muhadrit do të flasin studiuesit shqiptaro-amerikanë: Dr. Bexhet Asani, Dr.Paulin Marku, Fran Shkreli, Idriz Lamaj, Valdete Cenalia, Pal Ndrecaj, Adnan Mehmeti dhe Dok. Arjeta Ferlushkaj.  Pjesë nga krijimtaria e Profesor Dr. Besim Muhadrit do të interpretojnë aktorët e komunitetit: Shaban Lajçi dhe Shpend Gjocaj.    Me këtë rast deshta vetëm të them — shkurtimisht — dy tre fjalë për dy prej protagonistëve të këtyre veprave të Prof. Muhadrit: At Shtjefën Gjeçovin dhe Dr. Rexhep Krasniqin.

                                                ****************

Përshëndetjet e mia gjithë ju, miq e dashamirë të letrave shqipe dhe admirues të këtyre dy pesonaliteteve të mëdha të historisë së Kombit shqiptar.  Më duket vetja sikur po bëj një sakrilegj që të flas për Rexhep Krasniqin në një tubim si ky, në shoqërinë e dy autoriteteve mbi jetën dhe veprimtarinë e Dr. Rexhep Krasniqit — kolegut dhe mikut tim, studiuesit Idriz Lamaj, i cili ka punuar për disa dekada me Dr Rexhep Krasniqin në Komitetin Shqipëria e Lirë dhe autorit Dr. Besim Muhadri, autor të librave që po promovojnë sot. Njërin prej këtyre personaliteteve kam pas nderin ta njoh. Dr Krasniqin e kam njohur, por nuk mund të pretendoj se jam ekspert i jetës dhe veprimtarisë së tij. E kam admiruar për aq sa e kam njohur – si njërin prej përfaqsuesve më të denjë të asaj gjenerate patriotësh shqiptarë anti-komunistë– gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore – të cilët punuan aq shumë për Shqipërinë, Kosovën dhe për drejtat e të gjithë shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. Për atë kohë që e kam njohur, në rininë time, në fillim të 1970-ave, Dr. Rexhep Krasniqi – në atë kohë Kryetari i Komitetit Shqipëria e Lirë – brezit tim i jepte kurajo për të vazhduar mësimet dhe gjuhën anglisht dhe na ushqente me patriotizëm, si shumë bashkohas të tij, e për të cilin — modestësisht – kam shkruar edhe më parë. Frank Shkreli/ Prof. Dr. Rexhep Krasniqi: Bir shpirti i Bajram Currit | Gazeta Telegraf —

Dihet – megjithse nuk flitet për kontributet e tija, as nuk shkruhet aq sa duhet për të — si përshmebull për rolin e Dr. Rexhep Krasniqit në hapjen e shkollave shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos në Kosovë – si njëri prej të dërguarve të posaçëm të Ministrit të atëhershëm të Arsimit, Prof. Ernest Koliqit gjatë Luftës së dytë Botërore. Por dhe përpjekjet e tija gjatë gjithë jetës, përfshir veprimtarinë e tij në mërgim – në mbështetje të bashkimit kombëtar, të lirisë dhe të demokracisë për shqiptarët nën regjimet komuniste sllavo-aziatike.  Për kontributet e tij të shumta në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur Dr Krasniqit falënderimet e veta, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975, duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë, me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jashtë Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit në shenjë nderimi dhe falënderimi, sot më 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të pasur, patriotike, kulturore dhe historike edhe me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë revistën e njohur  “Shejzat” të Ernest Koliqit. Janë, sidomos, të njohura dhe të dokumetuara shkrimet e tija në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” që ai drejtonte, në gazetën, “Shqiptari i lirë”.  Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjerë, ku merrte pjesë për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjendjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asaj kohe. Në këtë rol, Dr. Rexhep Krasniqi ishte një zëdhënës i përpjekjeve të popullit shqiptar për liri e demokraci, dnërsa u bënte të nohur audiencave të huaja – sidomos amerikanëve – cilësitë ezgjedhura të Kombit shqiptar, në krahasim me kombe të tjera.  Si përfaqësues i lartë i komunitetit shqiptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjendej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët prej të cilit – personalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës – kërkonin këshilla e informacion të besueshëm mbi gjendjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

 At Shtjefën Gjeçovi –

“Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet kombi pa gjuhë”. (At Shtjefën Gjeçovi)

Ashtu siç përhapte gjuhën shqipe Rexhep Krasniqi në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe protagonisti i një libri tjetër që promovohet sot të  autorit Prof. Besim Muhadrit, At Shtjefën Gjeçovi — edhe ky një apostull tjetër i bashkimit kombëtar – i dërguar prej Zotit – ka kapërcyer gryka e male – duke përhapur abetare nepër Kosovë, në kohën e tij, siç sugjeron edhe kënga popullore:  “Të kjofshim falë Kosova Nanë,/ Burra trima shumë ke dhanë/ Ç’ashtë ky burrë musteqezi,/Plot me lavd dhe krenari./Plot me lavd e krenari,/nderoi veten e këtë Shqiptari./ Kapërcen gryka dhe male, /Tuej shpërnda plot abetare./Me u lanë breznive vepra/ me i harrue kurrë sa të jetë jeta./Ky ashtë biri i këtij trolli, i thonë për emën Shtjefën Gjeçovi. 

Kështu i këndojnë rapsodët e Kosovës At Shtjefën Gjeçovit, fratit të maleve, i cili është vrarë në pritë e në tradhëti nga shovinistët serbë në Zym të Hasit më 1929.   Frank SHKRELI/ At Shtjefën Gjeçovi — apostull i bashkimit kombëtar | Gazeta Telegraf.  Meshtari dhe atdhetari i njohur nga Kosova, i cili gjithë jetën e vet punoi për “Atme dhe Fe” — për nga aktiviteti i tij patriotik — ai radhitet me veprimtarët më të dalluar të lirisë dhe patriotizmit të periudhës së Rilindjes Shqiptare dhe qëndron krah për krah me burrat më të dalluar të Kosovës dhe të Shqiptarizmit, si Azem Bejta, Isa Boletini, Hasan Prishtina e tjerë. At Shtjefën Gjeçovi u vra nga dora mizore e terrorizmit serb, për veprimtarinë e tij si meshtar dhe si patriot shqiptar. Ai ishte një mishërues i pashoq i atdhetarizmit dhe i fesë. Dashurinë e vet për të dyja i përdori për të mirën e të gjithë shqiptarëve kudo dhe në shumë fushë, përfshirë gjuhën dhe kulturën, traditën dhe arkeologjinë. Përveç kësaj nuk mungoi përkrahja e tij as për kryengritjen e malësorve kundër pushtetit otoman më 1911, e deri tek mbështetja e tij për kryengritsit vlonjatë kundër italianëve në vitin 1920.  “Secilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”, është shprehur Faik Konica -Kujtime Mbi At Gjeçovin.  At Shtjefën Gjeçovi, sipas Faik Konicës, si një folës i shqipës “në vijën më të përparuar frontale të trojeve shqiptare”, ishte njëri prej stërnipërve të atyre që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, “ndaluan të mbrapsurit e vijës (së të folurit shqip) më tehu”.  Andaj, në këtë rast të pomovimit të librit të autorit Dr. Besim Muhadrit: Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke njohur kontributin e tij të madh në favor të bashkimit kombëtar dhe të kulturës, gjuhës e traditës shqiptare, le të shpresojmë së bashku me Faik Konicën që, “Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur” ndër ata pasardhës të cilët me veprat e tyre do të realizojnë, më në fund, ëndrrën e At Gjeçovit dhe të shumë bashkohësve të tij, të cilët dhanë jetën për këtë qëllim, ka shkruar Konica. 

Librat e Dr. Besim Muhadrit për At Shtjefën Gjeçovin dhe për Dr. Rexhep Krasniqin janë vepra për figura të dalluara të historisë shqiptare – vepra historike në vetvete, të jetueshme përgjithmonë, me të vërtetë të dobishme për të gjithë.

Përshëndes autorin Dr. Besim Muhadrin për librat që promovohen sot në Vatrën e shqiptarëve të Amerikës, kushtuar At Shjtefën Gjeçovit dhe Prof. Dr. Rexhep Krasniqit — dy prej figurave të respektuara të historisë kombëtare, ndonëse shpesh të harruara — me urimin që këto vepra dhe të tjera si këto në të ardhmen, të ndriçojnë këto dy figura, si monumente të pashterueshme nga koha, brezave të ardhshëm të shqiptarëve.   Ashtuqë, siç është shprehur edhe Faik Konica për At Shtjefën Gjeçovin për të cilin shpresonte që, “Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur”. Edhe ne sot shpresojmë këtë, jo vetëm për Gjeçovin e Rexhep Krasniqin, por edhe për të tjerë si këta burra të shqiptarisë, të cilët historiografia komuniste është përpjekur t’i zhdukte ose t’i anashkalonte. Veprat e Prof. Dr. Besim Muhadrit tregojnë se këta janë gjallë dhe me këto vepra do u ndriçojnë brezave të ardhëshëm. Shumë faleminderit!

Frank Shkreli

Dr. Rexhep Krasniqi (12 shkurt 1906 - 24 prill 1999) nga Mexhit Yvejsi ...
Prifti që shpëtoi këmbanën e Skënderbeut. – Bashkimi i Shqiperise

                               Dr. Rexhep Krasniqi            At Shtjefën Gjeçovi

May be an image of 1 person and text
Map

Description automatically generated

         

Text

Description automatically generated
Text

Description automatically generated

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”

January 28, 2023 by s p


Woodrow Wilson (1856 – 1924)
Woodrow Wilson (1856 – 1924)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 28 Janar 2023

“The Chicago Tribune” ka botuar, të enjten e 23 shkurtit 1922, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me telegramin e veçantë që Woodrow Wilson i ka dërguar asokohe Ambrose Kelly-t, botuesit të vetëm të një gazete amerikanë në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Wilson vlerëson Shqipërinë 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ambrose Kelly nga Mechanicsville, N.Y., i cili gëzon dallimin si botuesi i vetëm i një gazete amerikane në Shqipëri dhe një nga gazetat e pakta të çdo lloji në atë vend, sapo ka marrë një telegram nga Woodrow Wilson, duke i uruar mbarësi në botimin e tij.

Gazeta, e përjavshme, i kushtohet punës së Kryqit të Kuq të të Rinjve në Shqipëri dhe botohet në shtypshkronjën e qendrës së trajnimit manual për fëmijët shqiptarë nga organizata amerikane e fëmijëve. Ajo mban emrin “Yuniatieta – Tungjatjeta”, që në shqip do të thotë “How do you do – Si je”.

“Interesimi im dhe simpatitë e mia kanë qenë thellësisht të angazhuar në fatet politike të Shqipërisë dhe asgjë nuk do të më ofronte kënaqësi më të madhe sesa t’u bëja atyre një shërbim shtesë nëse do të kisha fatin të kem këtë mundësi në të ardhmen.”

Në kabllogramin e z. Wilson nuk mungojnë gjithashtu përshëndetjet për punonjësit e Kryqit të Kuq Amerikan në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 178
  • 179
  • 180
  • 181
  • 182
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT