• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NËNË TEREZA, MALLI DHE DHIMBJA PËR ATDHEUN”

October 8, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/

“Nënë Tereza” lindi më, 26 gusht 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997. Gjate misionit të saj religjioz arriti të shërbejë nëpër vende të ndryshme dhe fitoi zemrat e popujve të shumtë. Veprimtaria e saj e gjerë ndër popuj të vuajtur dhe të uritur, të sëmurë e të braktisur, të rinj e të vjetër që e bëri të njohur dhe të mirëpritur në shumë, e shumë shtete të ndryshme. Profili i lartë i Nënë Terezës, çmimi Nobel i Paqes është një vlerë dhe kontribut i rëndësishëm në shoqërinë mbarë botërore, ku padyshim për popullin shqiptar mbetet një përfaqësuese e denjë, e cila nuk ka harruar kurrë origjinën shqiptare dhe interesin për atdheun. Mund të thuhet se temat dhe diskutimet për të hulumtuar për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës janë të pafundme, ku disa prej tyre janë trajtuar me seriozitet nga përfaqësues religjioz e akademik. Por, shumë prej nesh kemi gjithmonë kureshtjen për të ditur për veprimtarinë e saj fetare, raportet e saj me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtare, si dhe në lidhje me vendlindjen e me familjarët. Prandaj, kjo është edhe arsyeja kryesore që humanistja e madhe, Nobel i Paqes dhe shenjtore nga Vatikani do të ngjall interes për t’u thelluar edhe më tepër në misionin e saj.

Profilin e lartë të Nënë Terezës e gjejmë të trajtuar që nga fëmijëria e saj, misioni religjioz në Indi dhe në shumë vende të ndryshme të botës, si dhe marrëdhënieve me përfaqësues të lartë të Vatikanit, Papa Gjon Pali II, Benedikti XVI, deri tek Papa Franqesku. Vlen që të citoj një thënie mjaft domethënëse të Nënë Terezës,“Jeta është vetëm një dhe unë dua ta shpenzoj duke mbjell dashuri deri në ditën e fundit të jetës time që do të marr frymë, kur në të vdesim do të marrim me vete vetëm valixhen e bamirësisë dhe unë do të kërkoj ta mbush sa të kem mundësi”. 

Nënë Tereza na jep mundësinë të njohim nga afër dhe të hyjmë në jetën e njeriut të urtë e të dashur që falë lutjeve, sakrificave dhe ndihmave për popuj të ndryshëm hyri në zemrën e secilit . Kjo është një dhunti e Zotit që pa sponsor, pa propagandë televizive dhe mediatike apo lobim të kishës katolike, ajo arriti të ketë impakt pozitiv në mbarë boten. E them botërore sepse veprimtaria e Nënë Terezës ishte e atillë dhe gjithashtu po aq e gjerë dhe e ndjeshme për shtresa të ndryshme sociale-ekonomike dhe kulturore, tek fëmijët, pleqtë, të sëmurë, të varfrit, nëpër popuj të dhunuar dhe të frustruar nga luftëra të ndryshme, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme që të ngrejë raporte, jo vetëm shpirtërore e religjioze por edhe institucionale në mbarë boten. Por, në lidhje me marrëdhëniet e saj me familjaret dhe atdheun gjatë regjimit komunist në Shqipëri, mbeten një sfide e madhe, të cilës iu refuzua kërkesa për të vizituar familjaret. 

Shqipëria e regjimit komunist filloi kalvarin e luftës së pandalshme kundër ideologjisë fetare me 6 shkurt të vitit 1967. Komunizmi urdhëroi mbylljen e institucioneve fetare (kisha e xhamia). Për popullin shqiptar regjimi ishte i ashpër dhe pasojat qenë të mëdha në Shqipëri, përfshirë dhe besimet fetare. Regjimi përdorte forma të ndryshme nga më të dhimbshmet, nëpërmjet torturave deri në eliminimin fizik, persekutimeve, internimeve familjare, dhe, po aq e ashpër dhe me komunitetet fetare,  në mënyrë që të ndalohej plotësisht liria e besimit fetarë. Këto pasoja të rënda  ndikuan edhe për shqiptarët që ndodheshin jashtë vendit, pasi iu mohohej e drejta për të vizituar të afërmit në Shqipëri. Po ashtu, pasojat e regjimit ishin të rënda edhe për Nena Terezën e cila kishte në Shqipëri nënë e motrën dhe nuk arriti t’i vizitonte për së gjalli. Njeriu i urtë dhe i dashur që u mirëprit me respekt dhe dashuri në shumë vende të botës, jo vetëm nuk gjeti mikpritje në Shqipëri por saj iu mohua  kërkesa që të vizitonte familjaret. Shqipëria ishte shpallur me kushtetutë shtet ateist. Në dekretin nr. 5912, të korrikut të viti 1979, citoj, “personat që paraqesin rrezik për sistemin shoqëror socialist të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë mund të internohen në mënyre arbitrare dhe për një kohë të papërcaktuar pa asnjë proces gjyqësor. Vendimi për këto dënime do të merrej nga gjykatat por nga organet administrative lokale. Pra, kushdo mund të ishte pre e sistemit dhe mund të dënohej nga organet drejtuese administrative lokale, pa dalë përpara një trupe gjykatësish edhe pse shërbëtore të sistemit komunist.  

Përballjet e shqiptareve me regjimin ishin të vazhdueshme me vrasje e dhunë fizike-psikologjike, përsekutime e internime, përfshirë edhe përfaqësuesit fetarë. Përballjet ishin po aq të ashpra dhe të dhimbshme dhe për klerikët katolik në Shqipëri. Regjimi do të rezultonte i ashpër edhe për Nënë Terezën. Malli dhe dhimbja për familjen dhe atdheun u shtua  më shumë me 12 korrik 1972, kur i vdiq nëna Drane dhe do të varrosej në Tiranë. Nënë Tereza e pati të pamundur të hidhte një grusht dhe mbi varrin e nënës saj të shtrenjtë, si dhe të motrës, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte refuzuar kërkesën për të hyrë në Shqipëri. 

Gjatë kësaj periudhe, Nënë Tereza shfaqte interes të vazhduar për të vizituar trojet shqiptare dhe arriti të shkonte në Prizren në vitin 1970, pas 8 vitesh 1978 vizitoi vendlindjen e saj, Shkupin dhe në vitin 1980 vizitoi Prishtinën ku u prit edhe aty me ngrohtësi e dashuri nga bashkatdhetarët shqiptarë.    

Pas vdekjes të diktatorit Enver Hoxha, 11 prill 1985 i cili qëndroi në krye të tiranisë tij për 41 vite, ka disa sinjale sikur po zbutej persekutimi ndaj fesë.  Hapja e Evropës lindore dhe njëfarë liberalizimi të politikes së jashtme, ngjallte shpresa tek nënë Tereza se një dite do të vizitonte edhe Shqipërinë. Në gjysmën e dytë të viteve 80-të, dukej sikur diçka po lëvizte edhe pse me ritme të ngadalta. Kështu, pas vdekjes së Enver Hoxhes qeveria bënte ndonjë lëshim dhe mundësoi lirimin e ndonjë kleriku dhe lejoi udhëtimin  ndonjë përfaqësuesi religjioz për në Shqipëri. Ajo që kishte pritur gjatë dhe lutej vazhdimisht për popullin shqiptarë dukej sikur po ngjallte shpresën që një ditë edhe humanistja shqiptare do të vizitonte shtetin ateist të izoluar nga regjimi komunist. Me ndërhyrje të ndryshme edhe të autoriteteve ndërkombëtare, Nënë Tereza arriti të shkelë në Shqipëri, më 15 gusht të vitit 1989 që shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme gjate regjimit komunist në Shqipëri. Ajo ishte e mbushur me mall dhe me dhimbje, e cila nuk kishte patur mundësi të vizitonte familjarët për së gjalli dhe as të merrte pjese në varrimin e nënës dhe motrës që prehej në paqen e amshuar në varrezat e Tiranës. Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri ishte me karakter privat por u ndoq me interes nga autoritetet e larta shtetërore dhe lëvizjet e saja ishin të monitoruara nga sigurimi. Pasi takimet me autoritete te larta, si në rastin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe me Kryetaren e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha dhe ndalesa në varrin e diktatorit Enver Hoxha, ngjallen kureshtje dhe interes të madh në qarqet kombëtare e ndërkombëtare.  

Studiues, Markus Peters në librin e tij “Përballjet e kishës katolike në Shqipëri 1919-1996” e cilëson qëndrimin e Nënës Tereza si një diplomate të mprehtë. Ai shprehet se, edhe pse vizita ishte me karakter privat, Nënë Tereza pranoi të takonte autoritete shtetërore: Ministrin e Jashtëm, Reis Malile; Kryetaren e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha; si dhe vizitoi edhe varrin e diktatorit Enver Hoxha, edhe pse ky i fundit i kishte refuzuar e privuar çdo tentative për të hyrë në Shqipëri. Nënë Tereza do të pohonte: “Jam thellësisht e prekur dhe shpreh mirënjohjen time të thellë viktimave e martirëve të Kombit që kanë dhënë jetën për Çlirimin e Kombit”. Një përkufizim i thelle dhe domethënëse që linte hapësire për interpretim.

Në këtë periudhe, Nënë Tereza ishte në një moshë relativisht të thyer por me një përvojë të madhe humanizmi në spektrin global.  Ajo udhëhoqi me pasion e përkushtim “Komunitetin e Dashurisë”, i përberë prej me shumë se 3500 vetë pjese e misionit, të shpërndarë në 470 shtëpi, nëpër vende të ndryshme, për më shumë se 95 shtete të botës, por me një peng në zemër që lutej vazhdimisht që të arrinte të hapte qendrat e saj edhe në Shqipëri. Përpjekjet e saj ishin të vazhdueshme. Më, 2 mars 1991 ajo u rikthye në Shqipëri dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të qeverise shqiptare. Në takimin që pati me Presidentin Ramiz Alia ajo i kërkoi drejtpërdrejt që të hapte qendrat e saj në Shqipëri. Përgjigjja ishte e prerë dhe justifikohej se kushtetuta nuk e lejonte atë, ndaj e kishte të pamundur realizimin e kësaj kërkese. Por me urtësinë e saj, Nënë Tereza pohonte se nëse  ekzistonte vullneti dhe dëshira e mirë mundet që të ndërrohet kushtetuta. Edhe pse kërkesa iu refuzua, ajo nuk hoqi dorë për të hapur qendrat e saj dhe në Shqipëri. Shumë shpejt do të hapej qendrat në Shqipëri. Dy qendrat e para u hapen në Tirane dhe në Shkodër. Në vitin 1993 u hapen disa qendra “Komuniteti  Dashurisë”, dy në Tiranë dhe nga një në Shkodër, Puke, Durrës, Elbasan, Korçe, etj… . 

Hapja e qendrave dhe vendosja e pluralizmit në Shqipëri ishte mundësi e mirë edhe për Vatikanin që të ndërtonte ura bashkëpunimi me vendin ateist që gjatë regjimit komunist kishte mbyllur kisha e xhamia dhe arrestuar e internuar klerikë te ndryshëm duke ndaluar me ligj lirinë e besimit fetar. Më 25 prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali II-të, së bashku me Nënë Terezën vizitojnë Shqipërinë. Nga katedralja e Shkodrës papa shprehej: “Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë, kjo rregulltare e përvujtme ishte ajo qe e përçonte emrin e atdheut në mbarë botën. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë.  

Nënë Terezës u nda nga jeta, më 5 shtator 1997 por falë punës, përkushtimit dhe dashurisë që kishte për njerëzit, arriti të kishte famë botërore. Ajo nderohet me respekt the konsideratë të thellë anë e mbanë globit. Po ashtu, Vatikani ndihej krenarë për veprimtarinë e bamirësisë së saj,  ndaj hapi dhe procesin e lumturimit, i cili u finalizua me sukses me 19 tetor 2003. Nënë Tereza u shpall e lume dhe në homelinë e rastit së lumturimit, Gjon Pali II pohonte “Madhështinë e saj e shikojmë në aftësinë për të dhënë pa marrë asgjë, për të dhuruar deri në dhimbje, gjithë jetën e saj ishte një Ungjill i gjallë. 

Për t’u pasuar më pas me shenjtërimin e kanonizuar, më 4 shtator 2016 në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, celebruar nga papa Franqesku.  

Për Nënë Terezën janë shkruar dhe, padyshim, që do të shkruhen edhe libra te tjerë pasi veprimtaria dhe kontributi i saj është jashtëzakonisht i madh. Për vete faktin se ajo u gjend pranë njerëzve të vuajtur dhe të dhunuar, të uritur e të sëmure. Nëna Tereza ndoqi me mall dhe me dhimbje gjendjen në atdhe, 

Siç e pohonte Nënë Tereza “Për të promovuar paqe në botë ,shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin Marku

The Nobel Goes to…

October 7, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

Every October, Committees in Sweden and Norway name laureates in six categories including sciences, literature and economics, as well as peace work in recognition of an individual’s or organization’s contribution to humanity in a specific field. During the pandemic years the Nobel Committee made adjustments by holding some events digitally. The Oslo ceremony for the peace prize was smaller than in most years. In 2022, the organization said that the laureates will receive their Nobel Prize medals and diplomas at a Stockholm ceremony in December, where the winners from the previous two years will also be invited.

One prize is announced each day this week, beginning from the 3rd to 10th of October, in Stockholm and Oslo, and the event is streamed live on the official digital channels of the Nobel Prize.

These are the winners so far:

Physiology or Medicine – Dr. Svante Pääbo, a Swedish geneticist, was awarded this year’s prize for his discoveries concerning the genomes of extinct hominins and human evolution. The Committee recognized his work in retrieving genetic material from 40,000-year-old bones, thus producing a complete Neanderthal genome and initiating the field of ancient DNA studies.

Chemistry – Carolyn R. Bertozzi, Morten Meldal and K. Barry Sharpless shared the award for chemistry for the development of click chemistry and bio-orthogonal chemistry. The three chemists have been working independently since 2000 to create functional molecules that have “led to a revolution in how chemists think about linking molecules together,” the Nobel Committee said.

Physics –  The 2022 prize for Physics is shared by three men, Alain Aspect, John F. Clauser and Anton Zeilinger, for their work in quantum technology. Their experiments have “shaken the very foundation of how we interpret measurements,” the Nobel Committee for Physics said.

Nobel Prize in Literature was Awarded to French novelist Annie Ernaux. Her body of work which chronicles her life experience is particularly meaningful to many. “I shall carry out an ethnological study of myself,” she wrote in her 1997 memoir Shame.  The Swedish Academy lauded “the courage and clinical acuity with which she uncovers the roots, estrangements and collective restraints of personal memory.” Authors worldwide praised Annie Ernaux’s novels after ‘the exceptional writer” received the Nobel Prize in Literature, and even expressed admiration for her activism. Among them was Didier Eribon, the philosopher and sociologist, who said “I have such admiration for her, not just as a writer, but for her activism.” Ismail Kadare, nominated many times in the same category, and his wife, Helena, have reacted in the Albanian media to say that they do not know her and it is the first time they hear her name, but, add that “(Ernaux) has been waiting at the bottom of the (Nobel) list for 40 years.”   

Peace Prize – The winners of the Nobel Peace Prize were Rights advocates in Ukraine, Russia and Belarus.  The three laureates are Ales Bialiatski from Belarus, Memorial, a human rights group in Russia, and the Center for Civil Liberties in Ukraine, “who have become symbols of resistance and accountability at a time when Russia’s invasion of Ukraine has set off the largest ground war in Europe since World War II.”  “The Peace Prize laureates represent civil society in their home countries,” Ms. Berit Reiss-Andersen, the chair of the Norwegian Nobel Committee, said in announcing the awards. “They have for many years promoted the right to criticize power and protect the fundamental rights of citizens.”  The prize is an implicit rebuke to Putin’s violent crackdowns on dissidents and critics at home. Many observers noted the overlap of the announcement with Putin’s 70th birthday on Friday. Three laureates have emerged as some of the starkest challengers to the widespread misinformation and harmful myths disseminated by authoritarian leaders and fueled by globalization, digital connectedness and new methods of surveillance. There were 343 candidates for this year’s prize, including 251 people and 92 organizations. Last year, the Peace Prize was shared by two journalists, Maria Ressa and Dmitri A. Muratov, “for their efforts to safeguard freedom of expression, which is a precondition for democracy and lasting peace,” the Nobel committee said. The committee praised the Center for Civil Liberties for taking a stand to “strengthen Ukrainian civil society and pressure the authorities to make Ukraine a full-fledged democracy.” Since the invasion began, the organization is engaged in identifying and documenting human rights violations said the Committee chair,  adding that the group was “playing a pioneering role with a view to holding the guilty parties accountable for their crimes.” At a time when reverence for Stalin as a “effective manager” was on the rise in Russia, the human rights group Memorial led the effort to keep the spotlight focused on his crimes and on the hundreds of thousands of Russians who disappeared into his labor camps, never to be seen again. As news of the Nobel Prize recipients spread, pro-democracy leaders expressed their support on Twitter. President Emmanuel Macron of France said the prize had been awarded to “unfailing defenders of human rights in Europe.” describing them as “artisans of peace”. Jens Stoltenberg, the NATO Secretary General, congratulated the winners with a Tweeter post “The right to speak truth to power is fundamental to free and open societies.” Other political figures seized the moment to call for the release of all political prisoners.  They urged Belarus’s authoritarian leader, Aleksandr G. Lukashenko, to release Ales Bialiatski, the new Nobel laureate, so that he could collect his prize from Oslo.

The award for Economic Science will be announced on October 10th.

On 27 November 1895, Alfred Nobel signed his last will and testament, giving the largest share of his fortune to a series of prizes in physics, chemistry, physiology or medicine, literature and peace – the Nobel Prizes.

947 laureates and 28 organizations have been awarded the Nobel Prize between 1901 and 2021. Of them, 89 are economic sciences laureates.

At the Nobel Prize award ceremonies on December 10, the Nobel Prize laureates receive three things: a Nobel Prize diploma, a Nobel Prize medal and a document confirming the Nobel Prize amount. Each Nobel Prize diploma is a unique work of art, created by foremost Swedish and Norwegian artists and calligraphers. The Nobel Prize medals are handmade with careful precision and in 18 carat recycled gold.

The Nobel Prize amount for 2022 is set at Swedish kronor (SEK) 10.0 million per full Nobel Prize.

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

SHËN JERONIMI NGA ILIRIA ANTIKE DHE ÇFARË KA TË BEJË EMRI I TIJ ME ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA

October 5, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence“Parce mihi, domine, quia dalmata sum!” — Më fal o Zot se kam ndodhur dalmat — fis ilirian — citohet të jetë shprehur në latinisht, Shën Jeronimi (347- 420), i lindur në qytetin Stridon të Ilirisë, që duhet ketë ekzistuar diku në territorin e Kroacisë ose Sllovenisë së sotëshme. Kush është ky bir i Ilirisë antike dhe pse e përdor emrin e tij Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) sot, pothuaj, 17-shekuj më vonë?

Kësaj pyetjeje i përgjigjet Dom Lush Gjergji në librin e tij, “Shën Jeronimi Ilir”:  “Shën Jeronimi ilir është një ndër kolosët e mëdhenj fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë jo vetëm të gjithë të krishterët, por mbarë njerëzimi, si shenjt dhe dijetar të madh, një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikatur të kohës së tij, “egregius doctor Ecclesiae” – doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). Ai ishte njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë.

Këto arsye, por edhe shumë të tjera, sidomos në 1600 – vjetorin e vdekjes së tij, ai vjen tek ne dhe ndër ne me shumë porosi dhe aktualitete, si njeri i Provanisë dhe historisë tonë të lashtë martire dhe biblike, “vegël” e Zotit, për t’ia dhënë mbarë njerëzimit Biblën, nëpërmjet “Vulgatës”, përthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, me shekuj si burim jete dhe frymëzimi për fe, traditë, kulturë dhe qytetrim evropian dhe botëror”, ka shkruar Dom Lush Gjergji, i njohur tanimë në botën shqitare dhe më gjerë si biografi i Nenë Terezës, autor i dyzina librash mbi jetën dhe veprimtarinë e Shën Nenë Terezës shqiptare, në gjuhën shqipe dhe të përkthyera në gjuhë të tjera, përfshir anglisht. Dom Lush Gjergji është autor edhe i shumë veprave të tjera letrare, përkëthimesh, botimesh teologjike dhe subjektesh të tjera.

Por le t’i këthehemi subjektit të këtij shkrimi modest, protagonistit kryesor, Shën Jeronimit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkëthyesve Botërorë – ditë që shënohet nga Kombet e Bashkuara me 30 Shtator, ndonëse pak me vonesë – datë kjo që Kisha Katolike Universale shënon gjithashtu edhe Festën e Shën Jeronimit – Ilirit të vet-shpallur. 

Dita Ndërkombëtare e Përkëthyesve është caktuar si e tillë me anë të një rezolute nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara me 24 Maj, 2017 për të nderuar rolin e përkëthyesve dhe profesionistëve gjuhësorë, të cilët me punën e tyre, bashkojnë kombet, përforcojnë paqën, mirëkuptimin dhe zhvillimin midis vendeve, gjuhëve dhe kulturave të ndryshme.  Asamblea e Përgjithëshme e OKB-së e ka parë të arsyeshme që Dita ndërkombëtare e Përkthyesve të jetë, pikërisht, 30-shtatori, dita kur, sipas kalendarit kishtar, shënohet festa e Shën Jeronimit, përkëthyesit të Biblës, që si i tillë konsiderohet edhe mbrojtësi i përkëthyesve.  Bibla është libri që është përkthyer në mbi 2-mijë gjuhë botërore, nga gjuhët e vjetra hebraishtja, armaishtja dhe greqishtja.  Sh;n Jeronimi-Ilir e ka përkthyer Biblën në latinisht dhe në greqisht.    

United Nations interpreters at work.

Përkëthyesit e Kombeve të Bashkuara në kabinat e tyre gjatë një debati brenda Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Organizata e Kombeve të Bashkuara është organizata e cila punëson numrin më të madh të përkthyesve dhe profesionisteve gjuhësorë në botë. PHOTO: UN/Manuel Elias –

30 shtatori është dita liturgjike e festës së Shën Jeronimit. Kjo është arsyeja që OKB-ja ka caktuar, pikërisht, këtë ditë si  Ditën Ndërkombëtare të Përkthyesve, në nder të Shënjtit të madh me origjinë ilire, i cili i ka dhënë botës perëndimore përkthimin e parë të Biblës në latinisht dhe në shenjë respekti për të gjithë përkthyesit, anë e mbanë  botës, për rolin e tyre lehtësimin e komunikimit midis popujve dhe njeriut me njeri.  Tema e Ditës Ndërkombëtare të Përkthyesve 30-shtator 2022, ishte “Një botë pa pengesa” (A world without barriers)

Sipas Kombeve të Bashkuara, Dita Ndërkombëtare e Përkthyesve është një mundësi që, të pakën njëherë në vit, të nderohet puna e përkthyesve dhe e të gjithë profesionistëve gjuhësorë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në komunikimin midis popujve dhe kombeve, duke lehtësuar dialogun, bashkpunimin dhe zhvillimin, ndërkohë që me punën e tyre ata kontribojnë për forcimin e paqës dhe sigurisë në botë. 

Është interesant fakti që Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur që në këtë Ditë Ndërkombëtare të kujtohet çdo vit, pikërisht, Shën Jeronimi, një prift katolik, me origjinë iliro-shqiptare – si simbol dhe shembull i një profesioni — përkthyes Biblës pothuaj 17 shekuj më parë – për brezat e rinjë të përkthyesve sot – punën e të cilëve, OKB-ja e cilëson, si një vlerë themelore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Frank Shkreli

PS- një shkrim i para disa viteve për autorin dhe përkthimin e parë nga teksti origjinal  i Biblës, Beslidhjes së Re, në gjuhën shqipe.     Frank SHKRELI/ Dom Simon Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!” | Gazeta Telegraf

Text, website

Description automatically generated
See the source image

Filed Under: Opinion

JU FLET KOSOVA E LIRË

October 4, 2022 by s p

– Liria nuk mund të negociohet. Porosi nga promovimi i librit të xhepit “NEVER FORGET” në Zvicër.

Nga MSc. AGIM ALIÇKAJ

Rrugëtimi i librit të xhepit “Mos harro kurrë” të autorëve Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj po vazhdon me shpejtësi, pa ndalë dhe me sukses të jashtëzakonshëm. Kësaj radhe i përkthyer në gjermanisht “Vergiss Niemals” nga Arlinda F. Çitaku, në organizim profesional të Ansamblit “Vatra” në Zurich i kombinuar me program kulturor mbresëlënës. Në sallën e mbushur me bashkatdhetarë nga Zvicra dhe shtetet përrreth, në filmin dokumentar për UÇK-në, jehonte nga bunkeri zëri i luftëtarit të lirisë Nusret Pllana- JU FLET KOSOVA E LIRË.

Porositë e shumta nga folësit, valltarët dhe këngëtarët ishin:

– Gjenocidi i shtetit serb ndaj popullit të pafajshëm shqiptar për gati dy shekuj ishte i tmerrshëm, i planifikuar, i përgaditur, i frymëzuar dhe i ndihmuar nga kisha dhe akademia e shkencave serbe.

– Krimet makabre serbe me shfryerje dhe sadizëm, të bekuara nga kisha serbe, sidomos torturimi i grave dhe fëmijve e tregojnë barbarizmin më të ndyer të të gjitha kohërave.

– Askush nuk ka të drejtë t’i falë krimet serbe. Serbia dhe kriminelët serb që ende kalërojnë të lirë nëpër Serbi dhe vende tjera duhet të gjykohen. Gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nuk bën të harrohet.

– Kërkesa për dënim të kriminelëve dhe shtetit kriminal serb, nuk është hakmarrje por shenjë e civilizimit dhe i organizimit të shtetit ligjorë demokratik.

– Politika armiqësore e shtetit serb në krye me kriminelin Vuçiq ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë fqinjë nuk ka ndryshuar. Me propagandë mashtruese në shkolla, media dhe të gjitha nivelet shoqërore dhe shtetërore e kan helmuar popullin serb me urrejtje kolektive ndaj shumë kombeve tjera. Krijohet përshtypja e një shteti të sëmuar dhe një kombi me shumicë të çmendur.

– Shumë politikanë dhe diplomatë evropian, si dhe disa amerikanë ende ju besojnë mashtrimeve serbe për “viktimizimin” e tyre. Një pjesë tjetër i përkëdhelë me qëllim, nga dëshira dhe shpresa për ta tërhjekë Serbinë nga Rusia. Marrëveshja e fundit në mes të këtyre dy shteteve agresore për koordinim në marëdhëniet ndërkombëtare e bën të qartë dështimin e politikës evropiane.

– Me shtetet e sëmuara diktatoriale si Serbia dhe Rusia bën punë vetëm presioni dhe konfrontimi, kurrësesi lëshimet dhe ledhatimi. Ata nuk ngopën kurrë nga grabitjet dhe nuk ndalen pa i detyruar me zor. Atyre iu duhen thyer dhëmbët për të mos kafshuar më. Nuk ka rrugë tjetër.

– Marrëveshjet e nënshkruara për ta paraqesin vetëm një fazë kaluese për kërkesa të reja. Ato për ta kurrë nuk janë finale dhe i zbatojnë vetëm nëse janë në interes të tyre.

– Republika e Kosovës është në pozitë shumë më të mirë se Serbia dhe nuk ka nevojë të bëj lëshime. Ata qeveritarë dhe politikanë që pranojnë të bëjnë kompromise duke i dëmtuar interesat shtetërore janë tradhëtarë të kombit. Disa të tjerë dhe përkrahësit e tyre në media të cilët proklamojnë se Serbisë duhet dhënë diçka, janë të shitur ose paraqesin hajvanët më të mëdhenj të këtij shekulli.

– Konfrontimin e drejtë dhe të pashmangshëm shtetëror të Kosovës me Serbinë raciste, duhet ndihmuar në të gjitha format dhe me të gjitha mjetet demokratike nga të gjitha Trojet tona dhe Mërgata. Rëndësi të veçant ka veprimtaria lobiste në shtetet demokratike perëndimore. Shembull i shkëlqyeshëm, i cili duhet përkrahur, vazhdon të jetë Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane në Washington, me degën e saj në Zvicër, në krye me legjendat e lobizmit shqiptar Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.

– Këngët, vallet dhe veshjet kombëtare shqiptare, si në këtë koncert madhështorë, simbolizojnë dhimbjen, trimërinë, bujarinë, shkathtësinë, imagjinatën, larminë, traditën dhe krenarinë kombëtare.

– Strategjia për veprim të përbashkët kombëtarë është e domosdoshme dhe urgjente.

– Ftohen të gjithë atdhetarët të bëhen bashkë kundër armiqëve serb dhe të tjerë, si dhe zuzarëve në Trojet tona, ta ngrisin kombin e ndritur shqiptarë në vendin e lavdisë dhe nderit të cilin e meriton.

Liria, pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës janë të shenjta dhe nuk mund të negociohen nga askush.

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Alickaj

POETI I PËRVUAJTUR LIRIK – DHORI QIRIAZI

October 3, 2022 by s p

In Memoriam (3 janar 1933 – 2 tetor 2009)/

Naum Prifti

Dhori dhe unë ishim nxënës në shkollën Unike të Ersekës. Për shkak të moshës, ai ishte një klasë më poshte se unë, por ne u miqësuam shpejt si bashkëpunëtorë të gazetës së murit të shkollës. Si unë edhe ai vinte çdo ditë nga fshati dhe kthehej pasditeve në shtëpi, në Lëngëzë, një emër krejt shqiptar i një fshati aq të vogël, sa vështirë të gjeje tjetër në Kolonjë. Kishte vetëm tetë a nëntë shtëpi, anash Virkës, një përroi të thellë, ujët e të cilit nuk shteronte kurrë. Shtëpitë ishin në anën veriore që e rrihte dielli dhe po në atë faqe ndodheshin edhe pronat e banoreve, livadhet, arat e kopshtet, pemët dhe kullotat. Lëngëza ishte gjysmë ore nga Erseka ndërsa fshati im, Rehova ishte pak më afër, gati njëzet minuta. Për ne të dy vajtja në shkollë ishte si shëtitje, ndërsa nxënës të tjerë vinin nga dy-tri orë larg çdo ditë, vetëm nga dëshira për të vazhduar shkollën. Qysh në fillim më la mbresë të veçantë bukurshkrimi i Dhorit, një kaligrafi e përkryer, që rrëfente njëherësh kujdesin dhe karakterin e tij, si edhe dashurinë për të bukurën. Dorëshkrimet e tij ngjanin si qendisma, të praruara nga shkronja të rregullta e të bukura, të rradhitura pak sipër vijës fundore.

Edhe pasi kreva shkollën unike, lidhjet me Dhorin i vazhdova me anë të letrave. Ne kishim korrespondencë edhe kur ai shkoi në gjimnazin e Shkodrës. Të dy hymë shpejt në letërsi në vitet ’50, me plejadën e njohur, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Agim Shehu; natyrisht rrugën e nisën edhe plot të rinj të tjerë, shumë prej të cilëve mbetën rrugës. Lirizmi i Dhorit buronte natyrshëm qysh në vëllimin e parë, “Kur zemra rreh së pari,” (1958). Edhe sot më kujtohen vargjet e një vjershe për trokitjen e vjeshtës në anët tona.

Fluturoi një varg me pata,

Mbi zabelet kodrinore,

Ah ju pata, ah ju pata,

Sollët erë prej dëbore…

Si fëmijë ndiqnim fluturimin e koordinuar verijug të këtyre shpendëve nga fillimi i nëntorit dhe e dinim se paralajmëronte stinën e dimrit kur majat e Gramozit do nisnin të vinin kësulën e bardhë të dëborës, por askush nuk e kishte përcjell imazhin me atë lloj përshkrimi në vargje. I tërhequr nga bukuria e tyre, i futa edhe në dramën time fatkeqe “Rrethimi i Bardhë”. Kjo vepër jetëshkurtër u godit direkt nga Enver Hoxha, i cili e mori si kritikë personale.

Lirika dhe Diktatura

Pas diplomimit nga Fakulteti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë, Dhori u emërua mësues në gjimnazin e Ersekës. Ai u gëzua se do të ishte pranë mamasë, që mezi e priste se e kishte djalë të vetëm, dhe se do të jepte mësim po në atë shkollë ku ishte edukuar. Shkolla 8-vjeçare asokohe qe graduar gjimnaz dhe titulli profesor qe joshës. Por unë besoj se, për ironi, në çdo cep të atdheut ta kishin hedhur, nuk do të vuante aq shumë sa hoqi në vendlindjen e tij. Edhe pse ishte mësues gjimnazi, Dhorit ia refuzuan strehimin në qytet, për shkak të një udhëzimi idiot sipas të cilit atyre që jetonin në një rreze 5 kilometra nga qyteti nuk u takonte strehim. Ata duhet të vejevinin nga fshatrat e tyre në Ersekë, ndërsa shoferëve të zyrtarëve u jepej menjëherë strehim se shefat i donin pranë, në gatishmëri, sa herë u duhej makina. U deshën shumë vjet që Dhorit t’i jepnin një garsonierë ku jetoi tok me nënën e tij, deri sa u largua për në Tiranë në mesin e viteve ’90. Edhe pse i takonin ligjërisht dy dhoma e një guzhinë, strehimi nuk ia dha, madje Komiteti kurrë nuk ia njohu të drejtën të gëzonte një dhomë si shkrimtar i njohur e poet, ashtu si shumë artistëve të tjerë. Kolonja, djepi i Rilindjes Kombëtare me plot figura të shquara, që nga Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Shahin Kolonja, Themistokli e Telemak Germenji, Sali Butka, Zalo Prodani e plot të tjerë, qeverisej nga njerëz mendjengushtë e dogmatikë, për të cilët kultura ishte e huaj. Shefat e Kolonjës s’kishin pikë dashurie për artin e respektivisht edhe për artistët. Dhori Qiriazin e thërrisnin vetëm kur afronte koha e Festivalit Folkloristik të Gjirokastrës, sepse atëherë duhet të redaktonte tekstet dhe madje disa herë të shkruante vargje popullore pa emër, sikurse qe traditë.

Dhori ishte poet lirik i lindur, i dashuruar me natyrën, me çdo gjë të bukur e njerëzore, por prirja e tij asaj kohe binte pak ndesh me frymën e poezisë militante të kohës, prandaj dashamirët e këshilluan ta ndryshonte paksa drejtimin. Dhori shkrojti poemën “Ushtari,” po edhe aty ai i mbeti besnik vetvetes. Ushtari i tij është aq njerëzor me ndjenja e mendime, një shpirt njeriu që i do të tjerët me thjeshtësi e sinqeritet. Për fat poemën e pëlqyen dhe atij i ranë veshët rehat për disa kohë.

Taksiratet e tij filluan nga një rast fatkeq për të cilin kurrsesi nuk mund të fajësohej. Shumë vonë e kam marr vesh shkakun ose më mirë pretekstin pse autoritetet e rrethit e luftonin Dhorin, e mënjanonin, e përçmonin. Në vitet e parë të çlirimit daiu i tij vrau për motive të ulta një bashkëfshatar dhe për t’ i shpëtuar dënimit, u arratis në Greqi. Refreni: “Ka një dajë të arratisur,” u bë shkak që Dhorin ta shihnin shtrembër, si të prekur, si të deklasuar, pavarësisht se një çunak 12-13 vjeçar as mund ta nxiste dajën, as mund ta pengonte për krimin. I ati i Dhorit kishte emigruar në Australi, që para lufte, më 1938, duke e lënë 5-vjeçar, por kjo nuk qe ndonjë mëkat, sikurse besojnë disa shokë të tij, se kurbeti qe krejt i zakonshëm për shumë familje kolonjare. Shtetet më të preferuara pas viteve ’20 qenë Amerika, Argjentina dhe Australia dhe babai i tij shkoi në Australi pas ndonjë miku a të njohuri që i pagoi rrugën dhe i siguroi punë.

Banesa

Sa herë vija në Ersekë me shërbim ose me lejë, Dhori më ftonte në shtëpi. Mamaja e tij na i sillte ushqimet me tabaka në studion e Dhorit, që shërbente njëkohësisht edhe si dhomë gjumi. Sa herë e përfytyroj, më del përpara një grua e qeshur, e dashur, shpirtmirë, gjithmonë buzëgaz. Me sa duket asaj i ngjante Dhori nga karakteri. Ajo zuri punë në repartin e qilimave, si shumë gra e vajza të tjera. Të djelave dhe ditëve të pushimit në behar shkonte mblidhte sherbelë dhe gollogunga, (kokrra dëllinjash) në pllajat e Kolonjës, të cilat pasi i thante, ia shiste repartit të bimëve mjekësore. Dhori e qortonte të mos mundohej se nuk kishin mbetur për ato pak të holla, por ajo s’e dëgjonte. “Po pse, kur venë shoqet e mia, pse të mos vete dhe unë? Edhe në fshat unë prashisja, korrja, vaditja, mbaja lopën dhëntë…” Garsoniera e tij ishte shumë e ngushtë, por Dhori shpirtmadh e duronte me përvujtni denigrimin, duke e qetësuar veten se edhe kështu kishte mundësi të shkruante poezi e të përkthente. Disa herë unë e ftova për drekë në Rehovë dhe pas buke delnin të dy nga zalli i Ramjes. Më kujtohet se Dhori e pëlqente veçanërisht pllajën e Gramozit, të cilën e krahasonte me një ballkon prej nga soditej bukuria e perëndimit të diellit në malet e Radomit, që mbyllnin luginën nga ana perëndimore. Për Dhorin që jetonte në një gropë pa horizont, kjo pamje qe shlodhëse e frymëzuese. Rrinim bashkë duke soditur diellin e duke biseduar lirisht për çdo temë, për letërsi e politikë pa patur druajtje nga shoshoqi.

Perkthimet

Poeti më i preferuar i tij qe Bërnsi, prandaj i hyri me pasion përkthimit të poezive të liricistit skocez, tek vargjet e të cilit gjente ngjashmëri midis Skocisë dhe Shqipërisë. Më 1998 botoi librin “Poezi” nga Robert Bërnsi. Për fat u gjetën kritikë të huaj që e çmuan punën e tij. Në vitin 2003 qyteti Irvin në Skoci e zgjodhi anëtar të përjetshëm të “Irvine Burns Club,” nder të cilin e meriton plotësisht. Dhori Qiriazi përktheu disa kryevepra nga letërsia botërore. Ai zotëronte mjaft mirë rusishten të cilën e kishte mësuar në fakultet, ndërsa anglishten e mësoi nga etja të zgjeronte kulturën e tij.

Intrigat e Autoriteteve

Do të sjell një shembull për të treguar sa e urrenin autoritetet lokale dhe sa keq e trajtonin. Për ta larguar nga qyteti, sepse pamja e poetit u vriste sytë, e transferojnë në fshat, nga profesor gjimnazi mësues në një shkollë tetëvjeçare. Ishte një goditje e rëndë për prestigjin dhe autoritetin e tij. Dhori e duroi, nuk kishte ç’të bënte. Por edhe transferimi në fshat nuk u mjaftonte skifterëve të Degës së Brendshme. Ata mtonin ta fusnin në burg, ndaj shpikën një skandal të shëmtuar. Mësuesi i urtë, shembull i sjelljes korrekte dhe i maturisë, u akuzua se kishte goditur një nxënës në klasë, sa atij i kishte kulluar gjaku çurg. Skandali u përhap menjëherë dhe vazhdonte histerizmi për ta denoncuar, gjykuar e për ta dënuar. Mirëpo ata që e njihnin karakterin e Dhorit, sapo e dëgjonin “lajmin” rrudhnin buzët, madje hapur pohonin se ajo qe intrigë e kurdisur kundër tij. Dhori nuk vriste një mizë, jo të godiste nxënësit me grushte. Skandali u shua pak nga pak si një re që davaritet në qiell pa lënë gjurmë.

Dhori Qiriazi qe shpirt njeriu me nxënësit madje dhe me ata me korrespondencë që i shihte njëherë në vit, vetëm kur vinin për konsultime a jepnin provime. Në një nga vizitat e mia në muajin maj a qershor më tha të shkonin bashkë në gjimnaz se dikush kishte për të dhënë provim. Gjimnazi qe shumë afër dhe unë e shoqërova me dëshirë. U futëm në klasë, pasi regjistroi emrin e nxënësit, një oficer i ri, Dhori e luti të merrte një pyetje nga letrat që hapi mbi tryezë. Oficeri mori tezën dhe u hoq mënjanë të përgatitej. Dhori më tha të delnim pak jashtë dhe ne dolëm në oborr. Oficeri mbeti vetëm, çka qe kundër rregullores. I kujtova Dhorit se tani oficeri mund të kopjonte dhe ai ma ktheu: “Po unë prandaj dola, ta lë të lirë të kopjojë sa të dojë, se dhe ashtu nuk e di a mund të kalojë.”

Kur Dhori i kërkoi të atit t’i dërgonte një makinë shkrimi që të mos mundohej nëpër zyra duke iu lutur të tjerëve të daktilografonte krijimet e tij, ai zgjodhi një makinë shkrimi të mirë, dhe ia dërgoi nga Australia. Pakoja arriti në Ersekë, por ngjalli zilinë e autoriteteve të rrethit. Në mënyrën më të paskrupullt i thanë se nuk mund t’ia jepnin mbasi qe mjet propagande. Dhori paraqiti argumente se shteti u kishte falur shkrimtarëve makina shkrimi si mjete pune, herë si shpërblime të konkurseve e herë me çmime modeste. Ai u tha se qe gati ta paguante doganën, sa të ishte, veç ta merrte dhuratën nga babai. Nuk e dëgjuan. Makina e shkrimit u rekuizua paturpësisht dhe as dihet ku përfundoi dhe kush e përvetësoi. Dhori as nuk mori mundimin të ankohej, se e dinte që ishte e kotë. Kohë pas kohe ai dhe nëna merrnin edhe ndonjë ndihmë nga mërgimtari i largët, por regjimi e mbante artificialisht ulët vlerën e dollarit amerikan, dhe atë të dollarit australian akoma dhe më ulët, prandaj të hollat që u dërgonte babai s’kishin duk dhe treteshin shumë shpejt.

Babai

Më 1957 im atë u riatdhesua nga Amerika, për shkak se mjeku e këshilloi të kthehej në vendlindje. Mendohej se klima e vendlindjes qe rigjeneruesi më i mirë për shëndetin e të mërguarve. Më kujtohet sa u gëzua mamaja e Dhorit kur e mësoi lajmin. Ajo më tha: “Bëri mirë yt atë që u kthye pranë familjes… Edhe ai imi kot rri atje tani.” Mirëpo fati s’deshi që ajo ta shihte sërish bashkëshortin e saj dhe as Dhori babain e tij. Ai e mblodhi mendjen të kthehej në atdhe, për shkak të mallit për familjen dhe të moshës, sikurse u shkruante në letër. E prisnin me ngazëllim, por kur po gatitej të nisej, e zuri një sëmundje e rëndë dhe vdiq në spital. Ikën dhe kursimet e pakta që kishte mbledhur gjatë viteve. As që dihet kush e si i përvetësoi. U përfol se të hollat shkuan për mjekime e për shpenzime funerali. Dhimbja e tyre nuk qe për paratë, por u mbeti merak që s’mundën të çmalleshin e ta shihnin edhe njëherë.

Dasma

Ismail Kadareja dhe Dritëroi qenë shokët e tij më të ngushtë. Ata e donin dhe disa herë ndërhynë pranë autoriteteve, sikurse dëshmohet edhe nga një letër e Ismailit, dërguar Hekuran Isait, që ta lejonte Dhorin të vizitonte babain në Australi, me shpenzimet e tij, mirëpo qenë përpjekje të pasuksesshme. Mur i pakapërcyeshëm qenë zyrtarët e Kolonjës. Dhori u fejua me një arsimtare nga Kolonja dhe për dasmën ftoi plot shokë e miq, shkrimtarë e artistë nga Tirana dhe qytete të tjera. Më kujtohet se për të shkuar në dasmën e tij Ismail Kadareja, Helena, e shoqja e tij, dhe unë udhëtuam me automjetin e Lidhjes se Shkrimtarëve. Dhori sa nuk fluturonte nga gëzimi. Vizita jonë e nderonte në sy të miqve dhe ca më shumë të kundërshtarëve. Dasma u bë sipas ritit tradicional, me valle, këngë e dolli. E joshur nga bukura koreografike e tyre, Helena u ngrit dhe u fut në një valle kolonjare. Disi e habitur me veten e saj që ia doli mbanë me sukses, se kurrë s’kishte hedhur popullore, tha se ndihej e lumtur. Dhori ishte mirënjohës për ardhjen tonë në dasmë. Do të kishin ardhur edhe më shumë kolegë, por për çudi rruga e Kolonjës u dukej tepër e gjatë dhe e mërzitshme, edhe pse ishte vetëm 45 km. larg nga Korça, vetëm një orë e gjysmë me makinë. Pas diktaturës, Dhori shkroi disa artikuj te “Zëri i Popullit” për tema të kulturës dhe artit. Më inatosi ky veprim aq sa isha gati ta qortoja, por pastaj e kuptova se ai donte t’u thoshte partiakëve se kot e kishin luftuar, mënjanuar dhe goditur, mbasi ai ishte ashtu si kishte qenë, krijues i ndershëm e i palodhshëm. Goditjen e fundit e mori nga Kolonja kur u shpërngul në Tiranë, pranë fëmijëve që vazhdonin shkollat e larta. Dikush ia okupoi shtëpinë duke e shqyer derën dhe iu deshën gjithë ato përpjekje, gjyqe pas gjyqesh, e para për avokatët, që të rifitonte të drejtën e tij ligjore.

Kurora për Dhori Qiriazin

Dhori ishte natyrë e qetë, po njeri me energji të pashterura dhe etikë pune të rrallë. Gjithë jetën krijoi në heshtje, pa u merakosur për çmime, nderime e shpërblime. Përditë vinte në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare dhe atje punonte me ngulm për veprat e tij origjinale, përkthime, ose studime. Dhori i fali letërsisë shqipe disa kryevepra të letërsisë botërore si dramën “Kufoma e gjallë” të Tolstoit, poezi nga Bërnsi, “Gjauri” dhe “I burgosuri i Shilonit” nga Bajroni, “Libri i Këngëve” nga Petrarka, “Sheshi i Shatrivanit” nga S. Kuazimodo, poemën e Nekrasosvit “Kush jeton mirë në Rusi,” e cila më dukej si aluzion për gjendjen në Shqipëri, edhe një libër studimor për përhapjen e Krishtërimit në Shqipëri. Dhori Qiriazi punoi gjithë jetën me përkushtim, duke lënë pas kujtime të mira dhe krijimtari të vyer, të cilat janë si kurorat që nuk vyshken kurrë.

.

Foto Arkiva Naum Prifti

1. Naum Prifti, Dhori Qiriazi, Dhimiter Lula, Erseke 1964

2. Dhori Qiriazi, Fatos Arapi, Nasi Lera, Naum Prifti, Tirane vitet ‘70

3. Kostaq Kosta, Naum Prifti, Dhori Qiriazi, Erseke 1964

4. Naum Prifti, Dhori Qiriazi, Erseke 1964

Filed Under: Opinion Tagged With: Naum Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 194
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • …
  • 866
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT