• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZEF BALAJ NDËRROI JETË, VATRA NGUSHËLLON FAMILJEN

April 14, 2022 by dgreca

-FAMILJA, MIQTË, VATRANËT, KOMUNITETI-DHIMBJE PËR IKJEN E ZEF BALËN, I CILI NDËRROI JETË TË MËRKURËN, 13 PRILL 2022, I RRETHUAR ME DASHURI NGA FAMILJA E TIJ-

NGA DALIP GRECA

 Dita e Mërkurë, 13 Prill 2022, na e mori Zef Balën.Në mesditën e djeshme, ish kryetari i Vatrës Dritan Mishto më telefonoi duke më paralajmëruar se Zefi po kalonte caste të vështira. Ai kishte marrë një telefonatë nga familja se gjendja shëndetsore e Zefit ishte rënduar.Kisha 10 ditë që nuk kisha mundë të flisja në telefon me Zefin dhe iu luta Dritanit nëse ishte në gjendje të komunikonte t’ma mundësonte bisedën. Por ishte vonë. Zefi nuk i kishte hapë sytë. I kishte dëgjuar zërin.Kur doli nga shtëpia e Baljave në Çapakua, rreth orës 4 e 30 Pm, Dritani më shkroi:”Ësthë e pamundur telefonata. Ai është pothuaj i tretur.Zoti qoftë më Të!

       Më pas komunikuam sërish me Dritanin.Më tha se po kalonte çaste e fundit. Një ndjenjë dhimbje ma pushtoi shpirtin. Ndërsa prisjan lajmin, Dritani më shkroi në orën 7 e 30 të mbrëmjes:Zefi ndërroi jetë!E ngushëllova për humbjen e mikut të tij dhe timin.

Më pasë nisëm komunikimet me vatranët dhe ngushëlluam njeri-tjetrin: Fillimisht më telefonoi Presidenti i nderit i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili sapo kishte komunikuar me familjen.Pas tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha.Ngushëlluam njeri-tjetrin. Komunikimet vijuan me editorin e Diellit Sokol Paja,që ndodhej në Pensilvani, me Idriz Lamaj, Asllan Bushatin e të tjerë. Të gjithëve na ka tronditë ikja e Zef Balaj. Ai nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë, betejë që vazhdoi për nëntë muaj.

Duke i përcjellë ngushëllimet familjes, miqëve dhe të gjithë vatranëve, lutemi për shpirtin e Zefit-Pushoftë në Paqe!

  Në pritje të informacioneve nga familja, po përcjell historinë e arratisjes të familjes Balaj në kohën e diktaturës komuniste, 71 vite të shkuara, histori që ka përmasat e legjendës, histori që ma ka treguar vetë Zefi.

                          *** 

Në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951 familja Balaj përkujtonte në Mëzi të Pukës, në vendlindje, festën e Martirëve- Apostuj: Shën Pali e Shën Pjetri, që është e shenjtë për Fisin Kabashi.Pikerisht naten e shenuar nisi historria me permasat e legjendes. Ndoshta mrekullia ndodhi nga që apostujt e morën në mbrojtje këtë familje fisnike për ta shpëtuar nga rrethimi komunist dhe për të realizuar ëndrrën e  lirisë amerikane.Edhe pse për dy net shtëpia u mbajt e rrethuar nga Forcat e Ndjekjes,familja Balaj, e ndihmuar nga nacionalistët e arratisur në mal, ia arriti që ta çajë rrethimin pa viktima….Të gjashtë pjestarët e familjes dolën shëndosh e mirë edhe pse ranë në pushkë…

        Në kujtesën e Zef Balaj, aso kohe një fëmijë 9 vjeçar, ngjarja ka ndodhë kështu: Familja Balaj në Mëzi të Pukës po përgatitej për të festuar Festën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Familja e madhe po mblidhej bashkë,kishin ardhur edhe vajzat e dhëndurët. Njëri djalë i familjes, Pjetri, ishte roje pyjesh aso kohe.Ndërsa kthehej për në Mëzi atij i çon fjalë dhëndri, Jak Mirakaj, që të merrte të shoqen, vajzën e Balajve në Iballë dhe do të takoheshin për festë në Mëzi. Pjetri dhe motra udhëtojnë për më shumë se dy orë prej Iballe. I ka zënë nata në Arest-Miliska. Ecin nëpër terr. Diku në qafë  Grie,afër shtëpisë Balaj, Pjetrin e ndalin  ushtarët e Mbrojtjes. Pasi e verifikojnë se kush është e urdhërojnë: Motra të shkojë në shtëpi, ndërsa ti na duhesh, do të qëndrosh sonte me ne për një detyrë të veçantë!

Për Pjetrin nuk kishte zgjidhje tjetër, urdhëroi motrën që të shkojë në shtëpi dhe vetë qëndroi me ta. Komandanti, duke e konsideruar Pjetrin të sigurtë, njeri të besuar,i tregon se atë natë në Mëzi pritej të vinin diversantët për tu furnizuar me ushqime.  

Madje ai ka treguar edhe planin që kanë hartuar:-Do të rrethojmë shtëpinë, bazën ku ata do të shkojnë dhe do t’i kapin në befasi ose do t’i vrasim. 

Pjetri tronditet por nuk e jep veten, ndërsa komandanti flet për shtëpinë, që do të rrethojnë. Fillimisht Pjetri nuk e di se bëhet fjalë për shtëpinë e tij.Kur e mësoi,heshti dhe nisi të mendojë se si do të dilte nga kjo situate e rëndë. I duhet të durojë, të duket i qetë dhe të presë momentin për ta ndihmuar familjen. Ushtarët e mbrojtjes i afrohen shtëpisë dhe qëndrojnë para saj, në distancë nga hyrja, përrreth gardhit.

-Ja kjo është shtëpia-, thotë komandanti.

Pjetri guxon dhe e pyet: A e keni verifikuar mirë se mos nuk është e saktë informata? A është kjo shtëpia ku do të vijnë diversantët?

-Po po, thotë komandanti, pse po dyshon?

Pjetri nuk e jep veten. Mirë që nuk ia shquanin fytyrën në errësirë se i ishte bërë meit. Një luftë e brendshme zhvillohej në shpirtin e tij duke menduar rrethimin, ardhjen e mysafirëve të malit…Situatën në të cilën do të ndodhej familja dhe ai vetë…

Po i thotë edhe një herë komandantit: -Ndoshta ata që ua kanë dhanë informatën, kanë dashtë me u çorientuar, se kjo që kemi rrethuar s’mund të jetë bazë për diversantët, ajo është shtëpia ime.

– Kemi urdhër të rrethojmë këtë shtëpi, thotë komandanti prerazi. 

Pjetri ka heshtë sërish… është ulë me komandantin nën hijen e manit dhe po mendohet. Dikur po i thotë:- Me sa shoh kemi për të qëndruar gjatë këtu. A po më lejon të hyj në shtëpi dhe të sjell ca mish ferliku që është gati për festë e ca raki se na griu urija?

–  Mirë i thotë komandanti,- shko, por kujdes, asnjë fjalë….

Pjetri sapo hyn i afrohet vëllait Gjelosh dhe i tregon me një frymë për rrethimin jashtë shtëpisë. Shtëpia ishte e mbushur plotë, ishin aty edhe tri vajzat e shtëpisë me burrat e tyre, dhëndurët e familjes Balaj.

– Po po, e mora vesh, po i thotë i qetë Gjeloshi, ma tregoi motra Lusha, dhe shton: dy kaçakë(diversantv siç i quante sigurimi) do të vijnë sonte për furnizim me ushqime. Kjo dihet, jemi njoftuar. Do të ikim me ata, por lusim Zotin që të mos bien në pushkë me ata që na kanë rrethuar.

– Po si do t’ia bëjmë?- e pyet Pjetri. Po sikur të vjnë ata të malit dhe të bien në rrethim?

Bëhej fjalë për Pashk Ademin, Nua Lush Mirakaj e të tjerë që priteshin nga çasti në çast.

-Shohim e bajmë,ata do të vijnë, është e sigurtë se kanë nevojë për ushqime, po ti shko që të mos tërheqësh vemendjen e komandantit. Shpejt e shpejt u lidh fjala: Kush të shpëtojë, takimi në Bjeshkë…

Pjetri merr mish e raki dhe kthehet tek forcat e mbrojtjes. 

Ndërsa jasht hahej mish e pihej raki, kanë ardhë fshehtazi për furnizime njerëzit e malit,duke lëvizur barkazi përmes arës me misër dhe kanë hyrë nga dera e pasme e shtëpisë. Ishin Pashk Ademi edhe Nush Lush Mirakaj.

   Gjeloshi, pasi i ka furnizuar me ushqime, u thotë që të ktheheshin sa më shpejt, që të mos tërhiqnin vëmendjen e ushtrisë që e mbante të rrethuar shtëpinë. Ata lanë vendin e takimit për të nesërmen në darkë,në bjeshkë dhe  largohen pa ra në sy.

Kur ka ra drita komandanti i ka thënë Pjetrit: Shko ti Pjetër fli e shlodhu se na duhesh natën tjetër prapë. Ata nuk erdhën deri tash, por jam i sigurtë se do të vijnë natën, thotë komandanti.

Shkoi Pjetri. Natyrisht që nuk mund të flinte. E diskutuan me Gjeloshin se si do të vepronin. Koha nuk priste.Patjetër duhej vepruar shpejt. I pyetën dhëndurët dhe motrat se kush ishte gati me dalë në mal e me u arratisë.Kush nuk kishte mundësi për shkak të lidhjeve familjare, gjendjes shëndetësore, e gjendjes së familjeve, duhej të largoheshin menjëherë, pa u kompromentuar, pa ra në sy të pushtetarëve komunistë. Nue Marashi prej Fierze, që ishte martuar me njërën nga vajzat e shtëpisë Balaj, thotë se nuk mund të arratisej. Edhe Palok Marku, dhëndri tjetër, tha se nuk kishte mundësi të arratisej.

-Ju, u thotë Gjeloshi dhe Pjetri, duhet të largoheni sa më shpejt, që të mos u zërë nata këtu se, ndryshe iu piu e zeza. Mos u bëni pjesë e arratisjes tonë.

Familja Balaj qëndroi atë ditë në shtëpi duke kryer secili punët e veta normalisht. Në mbrëmje sapo nisi terri, kanë lënë sofrën e festës shtruar, dhe kanë dalë e janë ngjitë në bjeshkë, pa ra në sy të askujt. Në Bjeshkën e Dardhës u takuan me kaçakët e Pukës dhe të Mirditës.

Nga ana tjetër forcat e mbrojtjes kanë mbërritë pak ma vonë, pa e lajmëruar Pjetër Balën dhe e kanë rrethuar shtëpinë njësoj si natën e mëparshme. Kanë ndarë detyrat mes ushtarëve dhe po presin të sigurtë se atë natë nuk do të dilnin bosh. Janë të sigurtë se “mysafirët” e malit do të vinin. Komandanti kishte thënë se ndoshta informatori kishte ngatërruar natën e ardhjes së tyre. Pritën ashtu në heshtje të thellë deri në mëngjes kur ra drita. Bagëtia nisi të blegërinte. Pulat po zbisnin nga kotecët.Qetësi… Asnjë lëvizje njerëzish…Asnjë frymë e gjallë njerëzore…Komandanti vetë në krye urdhëron ushtarët dhe nisen drejt shtëpisë të shohin se çfarë po ndodh brenda saj. Kur hapën dyerët e mësuan të vërtetën. Sofra ishte shtruar, plot me ushqime. E kuptuan se familja është larguar gjatë mbrëmjes, pak më përpara se ata të vendosnin rrethimin. Menjëherë u dha urdhëri për zënien e shtigjeve nga mund të kalonin. Caktuan një fshatar që t’i merrte bagëtitë për t’i dërguar në qendër të lokalitetit, në Iballë. Familja, nga maja e bjeshkës,ku po qëndron e fshehur, po i sheh bagëtitë që ecin varg të shoqëruar nga bashkëfshatari i tyre Mëzias. Nxehet Pjetri dhe bën gati pushkën: – Do ta vras,- thotë.

-Jo ia kthen Gjeloshi, nuk është ai fajtori. Atë e kanë detyrua, harroji bagëtitë, të shpëtojmë njerëzit…

  Në zonë ishte dhënë alarmi. Forcat e Mbrojtjes kërkonin gjithandej. Masa e parë që morën ishte bllokimi i Vaut të Dardhës, ku mendohej të kalonte Drinin familja e arratisur. Për rreth tre javë familjes i duhej të qëndronte në mal e fshehur. Ushqimet u mbaruan pas dy javësh. Nuk kishin rrugë tjetër veçse të ushqeheshin me lende dushku, kujton Zefi.

Ndërsa forcat e Mbrojtjes po i kërkonin, luftëtarët e Pashk Ademit, përgatisnin mbartjen e familjes dhe shpëtimin e saj duke menduar për ta nxjerrë përtej kufirit. Pal Bib Mirakaj, Gjon Gjinaj, Marka Zef Ndreca, rreth 20 luftëtarë janë bashkuar, kanë marrë edhe familjen Mhilli dhe të dyja familjet i kanë përgatitë për të kaluar Drinin në vaun e Dardhës, ndërkohë që luftëtarët e tjerë nacionalistë vazhduan rezistencën në bjeshkë me forcat e ndjekjes, duke siguruar murin mbrojtës.

Zefi, që aso kohe ishte një fëmijë 9 vjeçar, kujton se nacionalistët kanë marrë me vete edhe një viç(tek shtëpia Mhilli) dhe pasi e kaluan Drinin mbërritën në Qafë të Zogajt të Gjakovës dhe atje e prenë viçin dhe e gatuan për të shuar urinë.

-Aty, thotë Zefi, kam pa se si zihej viçi në plëncin e vet, pa pasë nevojë për enë kuzhine.

Në kujtesën e Zefit ka mbeti momenti i kalimit të kufirit. Ishte natë. Qetësi që trembte jo vetëm atë që ishte fëmijë, por dhe të rriturit. Pal Bibë Mirakaj u ka dhënë udhëzime se si duhej të kalohej kufiri dhe ka bërë përpjekje për t’u larguar frikën të vegjëlve. Ai porosit të vegjlit që të kapeshin përdore me të rriturit dhe të mos i lëshonin.Ai i parapriu të vegjëlve për ndonjë përplasje me forcat e kufirit, duke u thënë se ne bëjmë edhe lojra e qesim pushkë… Ju, nëse dëgjonin ndonjë të shtënë, të mos frikësoheshin por shtrihuni përtokë dhe prisni.…Pikërisht në një moment të atillë, kur kanë plasë krismat, Zefi nuk është shtrirë batrkas, por ka ecë përpara me Pjetër Smajlin. Ka humbë për një moment, kur të tjerët kanë qëndruar në vend. Nëna jep alarmin se nuk po e gjenë. Kthehet pas Pal Biba dhe i merr ata që kishin mbetë pas dhe i bashkon të gjithë bashkë, duke I gjetur edhe Zefin me Pjetrën.

… Kështu shpëtuan nga forcat e ndjekjes dhe u dorëzuan në postën më të afërt…. 

I çuan në Kosovë në Bobajt e Brokës, prej andej i lëvizën disa herë. Në Kosovë qëndruan 10 vjet. Familja u dërgua në kampin famkeq të Gerovës, nga ku u arratis së bashku me familjen Perpepaj. Nga Kosova në Itali(ku qëndruan dy vjet) e prej andej në Amerikë. Kur arritën në Amerikë familja Balaj përbëhej prej 11 vetash, sot janë rreth 70. Në Kosovë lanë një pjesë të dhimbjes, dy fëmijë të Pjetrit dhe një të Gjeloshit, të cilët vdiqën foshnje të parritura…Ja kjo ishte historia që familaj Balaj e kujton gjatë çdo feste të Shën Palit e Shën Pjetrit! Një histori për të mos u harruar, me të cilën ushqehen brezat! Një histori me përmasat e legjendës, që përcjell mesazhin se mrekullitë ekzistojnë…. 

     ***.

Zefi sapo erdhi në Amerikë punoi fort. Bënte dy, ndonjëherë edhe tri punë. U vendos në Bronx, ku dhe kostoja e jetës ishte me ulët dhe mundësitë për punë më të mëdha.Dalëngadalë e zuri veten, vuri pasuri me djersë. Bleu ndërtesën e parë, pastaj të dytën, të tretën, të katërtën me radhë.U vendos me shtëpi në një zone te shtrente, ne Chappaqua, ku jeton edhe sot familja. Pasurinë nuk e kurseu për çështjen kombëtare. Para pesë dekadash u anëtarësua në Vatër. Agim Rexhaj, president nderi i Vatrës, më tregoi se u takua me Zefin në vitin 1985 dhe ishte ai që e çoi drejt Vatrës. Dhe që nga ai moment nuk u nda më prej saj. Zefi, përherë bujar ishte ndër ata që dha shumë për Vatrën, siç dha edhe për  dekada edhe për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e cila e kishte pjesë të bordit të saj, por edhe Vatra e kishte zgjedhë në bordin drejtues. Para se të sëmurej, Zefi ishte anëtar i kryesisë së Vatrës, njëri prej vatranëve më të respektuar. Ai u nderua nga Vatra me Mirënjohjen e Artë për 50 vitet e tij në Vatër. Zefi ishte një nga donatorët e mëdhenj të ndërtimit të Katedrales“Nënë Tereza” në Prishtinë siç ishte donatorë për shumë kisha dhe faltore të feve të tjera në vendlindje dhe në SHBA. Të shumtë janë shkrimtarëtdhe artistet që kanë prekur bujarinë e Zefit, i cili i ka sponsorizuar pa kursim.Zefi ishte nje patriot i perkushtuar qe e donte shume Atdheun dhe ndihmoi sa mundi.

Familja humbi njeriun e dashur dhe Vatra e Liga Qytetare -Shqiptaro-Amerikane, si dhe komuniteti shqiptar në SHBA, humbën aktivistin e shquar.Ngushëllime familjes dhe miqëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, nderroi jete, Zef Balaj

FJALORI I J. G. VON HAHN-IT DHE MBËSHTETJA E ALBANOLOGËVE TË TJERË NË TË

April 13, 2022 by s p

Prof. dr Mimoza KORE

Universiteti i Tiranës/

Johann Georg von Hahn-i vështrohet si themelues i Albanologjisë në kuptimin shkencor të fjalës dhe si dijetari më i shumanshëm e më i thelluar i kohës së vet në fushën e studimeve shqiptare. 

Vepra më e rëndësishme e tij mbahet “Albanesische Studien”, Jenë, 1854 (“Studime shqiptare”) në tri vëllime, e cila njihet edhe si një nga punimet shkencore më me vlerë shkruar nga të huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. E. Çabej e ka cilësuar atë si “E para vepër sistematike në fushën e studimeve shqiptare… që nga shumë pikëpamje ka mbetur edhe sot e paarritur.”

J. G. von Hahn-i është autor i një fjalori shqip-gjermanisht, të cilin e përfshiu në vëll. III të veprës së vet “Albanesische Studien” me titullin “Beiträge zu einem albanesisch-deutschem Lexicon” (Kontribute për një fjalor shqip – gjermanisht). Hahni e kishte nxënë shqipen në Janinë në të dy dialektet, e për këtë qëllim u ndihmua prej K. Kristoforidhi me dialektin geg dhe prej Apostol Panajoti, (Meksi ) me atë tosk e kjo nuk ka qenë dukuri e pangjarë, sepse thuajse të gjithë studiuesit e huaj që u morën me albanologji, në mungesë të theksuar të teksteve nga kjo gjuhë,  kanë pasur në krah e kanë bashkëpunuar me shqiptarë a njohës të shqipes, duke këmbyer shpesh mes tyre rolet e nxënësit e të mësuesit. (kujtojmë J.Thunmann-i dhe Kostë Xhehani-Voskopojari, M. Leake-u dhe Efstrat Vithkuqari, 

Në parathënie të fjalorit Hahni thotë: “Shtesat në dispozicion u morën nga gjuha e gjallë… Shumicën e kohës, me shumë kujdes, baza u rishikua tri herë me një mësues Tosk dhe me një mësues Geg„ 

Zërat në Fjalor janë shkruar me alfabetin e greqishtes, sepse është koha kur shqipja ende s‘kishte një alfabet të unifikuar, kurse shpjegimet janë dhënë në gjermanisht. Ai vetë, po në parathënie shpjegon dhe vështirësitë që hasi në punën e tij: “Vështirësia kryesore në këtë punë konsistonte në krijimin e një sistemi të përgjithshëm zanor për një gjuhë që flitet vetëm në dialekte shumë të ndryshme…Mësuesit e përmendur ishin fëmijë të shkollës gramatikore greke të Janinës [shen ynë. Gjimnazi Zosimea] dhe si të tillë, tosku  [shen.ynë. A. Meksi] fliste shumë fort në gramatikën e lashtë greke madje fliste frëngjisht dhe italisht, dhe personi tjetër [shën ynë. K. Kristoforidhi] lexonte dhe shkruante diçka turqisht (një art i vështirë) por që të shkruanin në gjuhën e tyre amtare ishte diçka që nuk e kishin menduar kurrë „ 

Fjalori i Hahn-it përmban 6216 njësi leksikore. Ndër disa forma që paraqet një fjalë, e para e shënuar është gjithmonë nga toskërishtja, e pastaj prej gegërishtes. Përkrah fjalës jep dhe shkurtimet tosk. geg.

Për hartimin e këtij fjalori Hahn-i, siç e pohon vetë, është mbështetur edhe te fjalori shqip-gjermanisht i Xylander-it, i cili kishte vjelë për fjalorin e tij përkthimin e Dhiatës së Re nga Vangjel Meksi, redaktuar nga G. Gjirokastriti, botuar më 1827 në Korfuz. Ai përfshiu në fjalor edhe një varg fjalësh që i pati mbledhur vetë gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare, ndërsa një numër fjalësh të tjera ia ka dhënë K. Kristoforidhi. Jo vetëm pasuria e fjalëve, por edhe shpjegimet e sakta gjermanisht, sinonimet e shprehjet frazeologjike që jep, shënimet për vendin ku është gjetur fjala, për karakterin e përgjithshëm ose dialektor të saj, ia ngrenë shumë vlerën fjalorit në krahasim me veprat paraardhëse. Sipas shënimeve që ka dhënë për vendin ku përdoret kjo ose ajo fjalë, del se Hahn-i e ka mbledhur lëndën e tij në shumë vise, kryesisht të Shqipërisë së Jugut e të Mesme, si Gjirokastra, Përmeti, Myzeqeja, Elbasani, Kavaja, Durrësi, Tirana, Kruja, Mirdita, Shkodër, Dibër etj. 

Me sa duket, fjalësin e karakterit të përgjithshëm, pra gjuhën e gjallë e të popullit kishte synim J.G.von Hahn-i të paraqiste në fjalor, prandaj këtë kriter e vendosi jo vetëm për fjalët e shqipes por dhe per huazimet.  Ai në parathënie të fjalorit sqaron: “Fjalët greqisht të përfshira në listën e Xilandrit, në pjesën më të madhe u mbajtën, ndërsa u lanë jashtë vetëm ato për të cilat mund të thuhet me siguri të plotë se kuptohen vetëm nga shqiptarët që e njohin mirë greqishten e shkruar dhe janë marrë nga përkthyesit e Biblës në mungesë të fjalës shqipe, të tilla si: ajër, arkitekt, dhiamant, idhololatre “ideolog”, periqefali “rreth në kokën e ushtarëve të vjetër”, sinagogë, bastarduar, kolivitra “vendi ku pagëzohen”, hipokrit, ambasador etj”. 

Fjalori i Hahn-it pasqyron një pjesë të mirë të leksikut të gjuhës shqipe të gjysmës se parë të shek. XIX. Nga 6216 fjalët e tij, 4764 janë fjalë të parme dhe 1452 (d.m.th. rreth një e katërta) fjalë të jo të parme (të prejardhura, të përbëra a të përngjitura), ndërsa te fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit, botuar më 1635, që përmban 2544 fjalë shqipe, fjalët jo të parme përbëjnë një të dhjetën e numrit të përgjithshëm. Nga kjo del qartë se në tre shekuj leksiku i shqipes është pasuruar me formime të reja (kryesisht fjalë të prejardhura e të përngjitura).

Në Fjalor dalin mjaft fjalë të rralla e trajta arkaike fjalësh, të cilat janë të rëndësishme për dialektologun e në mënyrë të veçantë për etimologun., si folja kërpinj, shtërngonj, ndajfolja gërqisht, amull, puganj, anëzë për gegërishten e trajta të veçanta të Jugut, si: gjyshëlë, malë, “majë”, fëlej “fëjëj”, plëhurë “pëlhurë”, mënoj “vonoj”, rynj “hynj” përemri pyetës ciri etj.

Fjalori i Hahnit mund të shërbejë si udhërrëfyes e pikënisje për etimologun. Jo vetëm disa toponime, siç janë vënë re, jane shpjeguar drejt prej prej Hahn-it dhe i qëndrojnë kohës, (si Dardania-dardhë, Ulcinium-ulk, )por edhe fjalë të leksikut të përgjithshëm, si amull, të cilën Hahni e afron me avull, çka e ka pranuar më vonë dhe Kamarda, Meyer, Çabej (SE II; A-B, f.42), rrëmujë e lidh me trajtën më të vjetër rrëmullë, foljen mësoj e lidh me pësoj, mbars me bark, mbjell me pjell etj.

Te Hahni vihen re fjalë, të cilat gjenden edhe te autorët e vjetër, por që më vonë kanë pësuar ndryshime e thjeshtime tingujsh, si: kanëp, anëmik, gjukoj, votërë, të cilat i gjejmë dhe te Buzuku.

Fjalori i Hahn-it u shërbeu si mbështetje kryesore studiuesve të tjerë të shqipes. Për këtë fjalor J. Hahn-i u ndihmua nga K. Kristoforidhi dhe  Bashkëpunimi me Hahn-in, me sa duket, i shërbeu atij si një shkollë dhe si një nxitje për të ndërmarrë më vonë hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe”, që u botua pas vdekjes së tij (1904). Rreth 4500 njësi leksikore nga fjalori i Hahn-it gjenden edhe te fjalori i Kristoforidhit, i cili përmban 11.675 fjalë, d.m.th. janë vlerësuar prej tij si të përshtatshme e të vlefshme për veprën që ai e quajti “Leksikon tes albanikes glosses” (“Fjalor i gjuhës shqipe”). 

Edhe Gustav Meyeri (1850-1900), autori i “Etymologisches Ëörterbuch der albanesischen Sprache” (1891), shkruan në parathënien e veprës së vet: “Pikënisje për koleksionet e mia ishte lista e fjalëve që Hahni i pati shtuar veprës së tij “Studime shqiptare„. Kjo listë, duke përjashtuar disa keqkuptime e pasaktësi të veçuara, është punuar me kujdes e besueshmëri shembullore, dhe duhet çmuar aq më tepër kur autorit i mungonte formimi fonetik.„ Vlërësimi për  G.v. Hahn-in kishte zënë kaq shumë vend të G. Meyeri sa ai shton:   “ …në të shumtën e rasteve i kam marrë pa rezervë trajtat e kuptimet e vërejtura nga Hahni, por nuk i kam vënë në çdo rast emrin pasi librin e tij do ta ketë në dorë cilido që merret me shqipen”. Edhe kur Meyeri nuk pajtohet me ndonjë shpjegim të Hahnit lartësinë e figurës së tij nuk e prek, por shton “Atje ku e kam përmirësuar atë, kjo është bërë pa e vënë në dukje . „Në Fjalorin e Meyerit citohet Hahni për fjalë, si: bathrë, beng, gjurmë, rodhe, tcingaris, cingël, grigjë, hashari, kallëp etj.

Hahn-i është vlerësuar lart nga bashkëkohësit e vet për ndihmesën e madhe shkencore në fushën e albanologjisë, ku solli një lëndë të re e mjaft të pasur dhe ndoqi metoda shkencore studimi, të cilat e lejuan të arrijë në përfundime që qëndrojnë edhe sot. Historiani Jakob Philip Fallmerayer (1790-1860) ka shkruar: “Zoti Hahn është i pari, e ndoshta i vetmi europian i formuar shkencërisht që ka shëtitur tërë Shqipërinë, që ka kërkuar edhe në cepat më të fshehtë të këtij vendi, ku hetoi shpirtin, zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit me tërë qenien politike të Shqiptarëve, që ka mësuar të lexojë, të flasë e të shkruajë gjuhën e Shqiptarëve në të dy dialektet e saj kryesore, dhe që me të drejtë mund të konsiderohet “konkuistador” në fushën e etnografisë dhe të gjeografisë.”

Nuk mungojnë edhe te Dh. Kamarda shpjegime të mprehta të burimit të fjalëve vendase si: i sëmurë nga s’ mund, para tij e shpjegoi Hahni. Identitetin e që-së me çë e vuri re së pari Kamarda, por dhe Hahni; pip “pipëtij, nxjerr zë”, për këtë fjalë Kamarda  jep pas Hahnit formën pipínj, për arbërishten e Italisë.

Edhe Kupitori është ndikuar thellë nga vepra e Hahnit, siç konstaton T. Jochalas në hyrje të botimit filologjik të dorëshkrimit të Fjalorit Greqisht-Arvanitisht-Shqip: “Studimi ynë tregoi se Kupitori, gjithë trajtat e Fjalorit të tij, që i shoqëron me shkurtesat t. ose g. [toskërisht ose gegërishtë, i ka marrë prej Fjalorit [ShqipGjermanisht] të Hahnit. Vërtetuam se me shkurtesën h. të Kupitorit shënohet Fjalori i lartpërmendur i Hahnit.” (Jochalas 2006: B 439)

Pa dyshim, E. Çabej, në “Studime Etimologjike” do ta përmendë e vlerësojë këtë fjalor e shumë nga shpjegimet e Hahnit i ka pranuar. Kështu ai vëren se e vuri re edhe Hahni se kanë kuptim të njëjtë rrasë e gegërishtes me dërrasë toskërisht apo lidhjen midis rreshtë-s e rreshtën-s me asht e vuri re sëpari Hahni. Janë me dhjetëra fjalët në veprën e Çabejt që në analizë përfshin dhe zgjidhjet që ka dhënë Hahni në Fjalorin e tij, madje në ndonjë rast ai vlerëson dhe vështrimin me karakter sociolinguistic që ka vërejtur Hahni, si: “pregjim. Sikundër e vuri re edhe Hahni (f. 105), është fjalë e gegërishtes (Shqipëri e mesme e veriore), ndërsa Toskëria kësaj feste i thotë poganik poganiqe (Këtë gjë e vuri re mirë edhe Hahni, i cili pregjim e jep si “Gastmal bei der Geburt eines Erstgeborenen”, pra “si darka që shtrohet me rastin e lindjes të së parit lerë”, kështu pas tij dhe G. Meyeri.”

Vepra e Hahnit duhet studiuar duke pasur parasysh kontekstin kohor kur u shkrua, Hahni, i cili hodhi hapat e parë të një dijeje të integruar historiko-kulturoregjuhësore, të njohur si albanologji, në frymën e përgjithshme të kohës, të mbrujtur nga romantizmi e historicizmi, me impaktin doktrinar të komparativizmit do të sillte begatinë e madhe të njohjeve për gjuhën, për kulturën dhe për realitetet shoqërore, për historinë shqiptare në përgjithësi. 

Do te ishte mire që vepra e Hahnit të plotësohet me botimin e Fjalorit, i cili edhe pse mund të jetë i tejkaluar për kohën, mbetet burim i rëndësishëm për etimologun, dialektologun e studiuesit e huaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: mimoza karagjozi kore

KONICA- FUSTANELLËN TOSKE TEK GREKËT E ÇOI GJIN BUA SHPATA NË SHEKULLIN E KATËRMBËDHJETË

April 12, 2022 by s p

Përgatiti: Dalip Greca/

Me 24 Shtator 1909 Dielli publikonte në fund të faqes së parë lajmin e shkurtër mbi ardhjen e Faik Konicës në Boston për të marrë drejtimin e gazetës Dielli, që pat nisë botimin prej 15 Shkurtit të atij viti.

     Lajmi ishte i shkurtër, gjithsej shtatë radhë linotipi , përfshi titullin. Në të shkruhej:”Një dizaj muarëm një letër nga Londoni prej zotit Faik Bej Konica, i cili na bën zë për të fundit herë se në 10-12 të Vjeshtës së dytë, do të jetë në Boston që të marrë përsipër vendin e direktorit(të Diellit. -Mirë se të na vijë!”….

        Në numrin e 15 tetorit 1909 Dielli botonte lajmin për arritjen e Faik Konicës:” Të Mërkurën që shkoi mbërriti në zyrën tonë(Shoqatës Besa-Besën) një telegram jo me tel, por nga mezi i detit, nga vapori Invernas:

President Albania Society”Besa-Besën”

86 Warrenton St, Boston

Arriva. …Shëndet të gjithëve. Mirë se Ju gjetsha!

Rroftë flamuri!

Shënt Gjergji për Shqipërinë!

      KONITZA

       Dielli komentonte telegramin: Vapori “Inverna” me të cilin vinte për në qytetion tonë direktori i zgjedhur i gazetës sonë”Dielli” arriti në Liman të Bostonit të Enjten më 9 në mëngjes. Një tok shqiptarësh dolën që ta presin, në mes të cilëve ishin dhe dy Pleq të Shoqërisë Besa-Besën, arkëtari i Kishës dhe kryetari i Shoqërisë korçare”Arsimi”. Vapori arriu në 9 e 30 dhe më 10 dolli jashtë atdhetari ynë i shkëlqyer i veshur me kostumin kombëtar të Shqipërisë. Menjëherë e rrethuan korrespondentët e gazetave të Bostonit, dhe cili (dikush) e merrte në fotografi, cili e pyeste për çështjen shqiptare.

         Pasi shpëtoi prej duarve të tyre u poq me shqiptarët që e prisnin dhe me një karrocë ardhë në hotelin”Ylli i Shqipërisë”(që ndodhej në adresën-239 Pleasent Street, Boston, Mass.), ku u poq me shqiptarë të tjerë. Po as këtu s’e lanë të qetë reporterët, që po prisnin cili të merrte intervistë e cili ta merrte në fotografi.

       Zoti Faik Konica i shkoqiti gjer’ e gjatë çështjet shqiptare një korrespondenti të gazetës”Herald” të Bostonit, i cili i mori dhe 3-4 fotografi me kostumin Toskërisht.

Dielli paralajmëronte shqiptarët se Faik Konica do të niste një udhëtim nëpër kolonitë shqiptare për të dhënë konferenca për mënyrën që duhet të ndjekim për të realizur qëllimet tona dhe Lëvizja jonë këtu do të marrë një rëndësi më të madhe.

       Dielli ishte i bindur se “Vëllezërit tanë do ta presin me gaz atdhetarin tonë të çkëlqyer, i cili u përpoq për Shqipërinë që prej 12 vjet e tëhu dhe pothuaj është krijetar i shkrimit shqip.Kemi shpresë se ardhja e Tij do t’i ngrohë atdhetarët tanë të Amerikës.”

Deri në ardhjen e Faik Konicës, Dielli dilte pa emrin e drejtuesit, nuk u shkrua as emri i Nolit, qe ishte i pari editor, shënohej vetëm emri i shoqatës”Besa-Besën” që e kishte organ të saj dhe emri i Menaxherit John Konda- Gjoleka, ndërsa me ardhjen e Faik Konicës, në krye të faqes së parë, në këndin e majtë shqip dhe në të djathtin -anglisht  shënohej: E dreq(j)ton Faik Be Konica. Kështu do të vazhdonte deri kur do të jepte dorëheqjen.

       Në numrin e 10 Dhjetorit 1909 u botuan për herë të pare, në faqen e parë dhe të dytë, dy nga fotografitë e Faik Konicës me kostumin toskë, duke shënuar dhe autorsinë- Photo : By Pardy- Faik Bay Konitza- 20 nëntor 1909. Pra këto foto nuk janë të 9 tetorit, ditës së parë kur shkeli në Boston, por një muaj më pas. Si dukej Faik Konica e përdori disa herë shëtitjen me kostumin kombëtar në rrugët e bostonit. 

    Fotografia ka dhe një spjegim për kostumin kombëtar toskë. Dielli shkruante:Drejtori ynë(Faik Konica) ka patur gjithnjë një dashuri të veçantë për petkat kombëtare dhe i pëlqen që t’i veshë nga ndonjëherë edhe në vise të huaja. Një herë shëtiti me fustan(Fustanellë) në Hyde Park të Londonit dhe ashtu dolli edhe në Boston, kur mbërriti për  të parën herë. Faik beu çuditet shumë kur dëgjon shqiptarët të thonë se kostumet gege janë kombëtare, dhe toskërishtet të marrë nga Greqia, kur është e njohur nga të gjithë njerëzit e kënduar se fustanella u suall në Greqi prej Gjin Bua Shpatës dhe të tjerëve krerë shqiptarë, që zaptuan Greqinë në kohën e Mesme.

         Drejtori i Diellit dëshiron që fustanella të mbahet prej shqiptarëve si uniformë  kombëtare për raste të veçanta, siç bëjnë skocezët…

        Konica do t’i kthehej sërish fustanellës në vitin 1935, kur ai spejgon shumëllojshmërinë e kostumeve kombëtare shqiptare sipas krahinave dhe iu referohet edhe vlerësimeve të të huajëve dhe veshjes e pozimit prej Baronit Francis Nopça, i cili në një libër të tij të viteve ’30 të shekullit të shkuar për Shqipërinë, kishte publikuar dy fotografi, njëra me veshje shqiptare të kohës dhe një tjetër me veshje prehistorike të zbuluar në një qark të Illyrisë së vjetër; të dyja kishin ngjashmëri.

     Fustanella sipas Konicës ishte pjesë e veshjes kremtërore të çdo shqiptari prej dere të mirë si në Shqipërinë e Mesme ashtu dhe në atë të Poshtme.Përdorimi i kësaj veshje edhe nga fqinjët s’tregon gjë tjetër veçse influencën e fortë që shqiptarët kanë ushtruar në kohën e shkuar mbi fqinjët. Konica nënvizon atë ç’ka kishte shkruar në Dielli më 1909: Ky kostum(me fustanellën) u përhap në mes të grekëve në shekullin e katërmbëdhjetë, kur shqiptarët nën Gjin Bua Shpatën, shkelën dhe pushtuan. Greqinë.

Konica i referohet edhe Lord Bajronit i cili u fotografua i veshur me kostum kombëtar të shqiptarëve të jugut. Në letrën që i shkroi nënës së tij me 12 nëntor 1809, Bajroni i përshkruan edhe “Shqiptarët me rrobat e tyre më madhështore në botë, të përbëra prej një fustanella të gjatë, një flokje të punuar me ar, një xhaket dhe një jelek prej kadifeje njgjyrë kërmezi dhe të qendisur me ar, – me pisqolla dhe jatagan të stolisur me argjend…”

Përgatiti:Dalip Greca

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Faik Konica

Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe…

April 11, 2022 by s p

PRISHTINË, 11 prill 2022-Gazeta DIELLI/ Zyra për Komunikim Publik – Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dërgoi sot këtë komunikatë:Kryeministri Kurti takoi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc
Prishtinë, 11 prill 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu priti në takim përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Në këtë takim morën pjesë, Kryetarja e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani, Kryetari i Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi, Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, z.Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, z.Ragmi Mustafi, Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës dhe njëherit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Ragmi Mustafa, Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar, z.Naser Aziri, Kryetari i Lëvizjes për Progres Demokratik, z.Shqiprim Musliu, Kryetari i Alternativës Demokratike Shqiptare, z.Armend Aliu, këshilltari komunal i Medvegjës, z.Fehmi Beha, dhe anëtari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike në komunën e Medvegjës, z. Arben Ferati. Ndërkaq, pavarësisht ftesës, në takim nuk ishin Kryetari i Alternativës për Ndryshim, z. Shqiprim Arifi dhe Kryetari i Kuvendit të Preshevës, njëherit kryetar i Lëvizjes për Reforma, z. Sami Salihu.
Gjatë këtij takimi u diskutua për rezultatet e procesit zgjedhor në Serbi, veçanërisht për tri komunat me shumicë shqiptare. Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare”.Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc u është bërë padrejtësi e madhe me pasivizimin e mbi 6000 adresave të banorëve shqiptarë në këto komuna, u tha në fillim të takimit. Kryeministri Kurti tha se ky është një spastrim etnik administrativ i heshtur e që po sjellë pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, që iu mohoi të drejtën elementare e demokratike, atë të votës, solli edhe rezultate jo të kënaqshme. Andaj, këto zgjedhja as nuk ishin të lira e as demokratike, tha ai. Mungesa e unitetit dhe i bashkërendimit të subjekteve politike shqiptare në një front, ishte një faktor tjetër i dëmshëm për rezultatet zgjedhore, veçoi kryeministri.Ai më tej tha se gjendja e shqiptarëve në përgjithësi në këto komuna, me politika diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kërkon angazhim të përbashkët e vigjilencë të shtuar, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Pas shtypjes e diskriminimit që po u bëhet shqiptarëve nuk duhet mbështetur tentimet për acarim të shqiptarëve me njëri-tjetrin, pjesë e së cilës është edhe synimi për ta rrëzuar kryetaren e Preshevës, znj.Ardita Sinani. Përçarja e ndarja janë gabim dhe bëhen dëm, u shpreh kryeministri Kurti, teksa në fund theksoi se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë por domosdoshmëri e kohë

Filed Under: Opinion

Vlora Çitaku: “Dick Marty”, përpjekje për njollosjen e luftës së UÇK-së dhe dëmtimin e imazhit të Kosovës

April 11, 2022 by s p


Prishtinë, 11 prill 2022 – Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media, ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe. Ajo tha se kjo tendencë e rikonfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në. Çitaku shtoi se edhe më shqetësues në këtë rast, është vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marti nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe Moskë, mbi bazën e të cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale. “Pra, nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martit nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën tonë, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marti ka qenë agjendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë. Dhe kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot, taksapaguesit evropian paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre, përderisa në anën tjetër, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së.”, tha ajo. Çitaku konsideron se kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej.“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.Ajo tha se kjo çështje vë në pikëpyetje tërë klauzolën e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të duhej të prodhonte reflektim edhe tek institucionet e Kosovës, të cilat që nga raportimi i këtij zhvillimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, ende nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi. “Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës. Duke lënë anash komponentën e drejtësisë, në të cilën besojmë, zhvillimet e fundit me senatorin Marty tregojnë se në Hagë, nuk ka substancë të besueshme për trajtim. Prandaj, përballë këtyre ngjarjeve që demaskojnë përpjekjet e shtetit serb kundër lirisë dhe pavarësisë sonë, kundër integrimit dhe konsolidimit tonë të jashtëm, ne të gjithë e kemi obligim që ta mbrojmë Kosovën dhe imazhin e saj.”, tha Çitaku.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 219
  • 220
  • 221
  • 222
  • 223
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT