• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GRUPI “GJERGJ KASTRIOTI”, AKTIVITETE MADHORE PËR KOMUNITETIN SHQIPTAR TË MIÇIGANIT

January 18, 2022 by s p

Joli Agolli Paparisto: Hapet Jon Channel në Miçigan, përcjellës i diasporës kudo në botë, një zë më shumë për shqiptarët

Intervistoi: Eneida Jaçaj

Prej shekujsh, intelektualët e rangut më të lartë politiko-kulturor të diasporës kudo nëpër botë jashtë trojeve të vendit amë, kanë qenë një zë shumë potent dhe i rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Shqiptarët e diasporës kanë qenë gjithmonë të bashkuar dhe asnjëherë nuk i kanë shkëputur rrënjët nga toka mëmë, atje ku lind gjuha, traditat, zakonet, folklori, atje ku merr kuptimi ekzistenca e një kombi dhe formësimi i individit qytetar. 

   Kjo traditë e lënë trashëgimi nga e kaluara, vijon edhe në ditët e sotme. Intelektualët e diasporës vijojnë të ecin në hapat e personaliteteve të shquara të atdhetarisë, duke u bërë një zë i fuqishëm për shqiptarët kudo ku janë, duke promovuar vlerat dhe traditat kulturore, sidomos duke mbajtur të ndezur pishtarin e gjuhës shqipe, si e vetmja provë më e madhe për të mbajtur në këmbë ekzistencën e kombit tonë. 

   Joli Agolli Paparisto, me profesion koreografe, drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti” në një bashkëbisedim për gazetën “Dielli”, jep lajmin se në Miçigan sapo është hapur Jon Channel, një produksion mediatik, i cili do të përcjellë veprimtarinë e shqiptarëve jashtë trojeve të Shqipërisë. Do të jetë një zë më shumë i diasporës për Shqipërinë, një produksion krijues, i përjavshëm, i përbërë me 2 shou, Fenomen dhe me Jolin. Duke u ndalur në aktivitetet kulturore, Joli shprehet se grupi “Gjergj Kastrioti është i angazhuar si çdo vit për të përcjellë vallet dhe folklorin shqiptar, duke mbajtur gjallë traditat e vendit. 

-Përshëndetje Joli! Jemi sërish së bashku pas një periudhe gati njē vjeçare, në një bashkëbisedim të ngrohtë, ku në qendër të bisedës do të kemi projektet tuaja pēr komunitetin shqiptar në Miçigan. Fillimisht doja t’u pyesja, si ka nisur ky vit për ju? A mendoni se do të jetë më i mirë see viti që lamë pas, si në aspektin personal, profesional, por edhe në rang botëror, pasi kaluam një pandemi shumë të egër dhe pasojat ende ndihen edhe sot?

Viti 2022 ka nisur i mirë, punëtor do të thoja, me projekte të reja. Jam shumë e lumtur të prezantoj hapjen e Jon Channel, një zë më shumë në diasporë, që do përcjellë kudo botën e madhe shqiptare jashtë Shqipërisë. Është një produksion krijues, i përjavshëm, i përbërë me 2 shoë, Fenomen dhe me Jolin. Këtu përfshi dhe aspektin personal, duke qenë se jeta ime kryesisht prihet nga puna, e cila më jep një kënaqësi të madhe. Uroj që ky vit të nisë normal dhe plot të mira për ju dhe të gjithë lexuesit tuaj, në fakt mbarë njerëzimi. Të lëmë mbrapa sa më shpejt trazirat e këtyre 2 viteve që kaluam.

-Në memorien e publikut, ju keni mbetur ajo vajza çapkëne, energjike hipur mbi motor, në rolin episodik të filmi “Edhe kështu, edhe ashtu”, me regjisor Bujar Kapexhiu. Çfarë ka ndryshuar sot, të ajo vajza çapkëne?

Asgjë s’ka ndryshuar, përveç moshës; jam po ajo, gjithmonë e gatshme për të provuar gjithçka të re, tunduese. Më pëlqejnë të paarritshmet, sepse më motivojnë dhe më ngacmojnë ambicjen për t’i përvetësuar.

-Ju jeni drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti”, si koreografe, i cili promovon vlerat dhe traditat kulturore shqiptare. Çfarë projektesh dhe risi të reja do të sillni për këtë vit sa i takon aktiviteteve për vallet shqiptare?

Grupi “Gjergj Kastrioti” është gjithmonë burim folklori i artit koreografik, aktiv çdo vit, gjithmonë i angazhuar në aktivitete komunitare, por dhe në rang vendas, duke qenë se kultura, folklori, kostumet e bukura tona nëpërmjet performancave të grupit “Gjergj Kastrioti” janë bërë shumë të njohura dhe ndër amerikane në Michigan.

-Komuniteti shqiptar i Amerikës u organizua për festën e Flamurit dhe Ditën e Çlirimit tē Shqipërisë. Çfarë aktivitetesh u organizuan në Miçigan me komunitetin tuaj, në këto data të shënuara historike për ndërtimin e shtetit shqiptar dhe çlirimin përfundimisht nga zgjedha e huaj?

Komuniteti ynë shquhet për patriotizëm, art dhe aktivitete të shumta. Festuam si çdo vit festën e zemrës, 28 Nëntorin, do veçoja atë më të madhen, e cila zhvillohet në Komunitetin e Kishës Katolike të Shën Palit, ku festimi merr përmasat e vërteta të një feste kombëtare.

-Unë dua t’i rikujtoj publikut se ju jeni edhe producente e emisionit “Kafe me Jolin dhe Benin”, ku e zhvilloni me aktorin e humorit, Arben Dervishi. Si ka nisur për këtë vit emisioni dhe çfarë risish do të sillni për publikun shqiptar në Miçigan dhe jo vetëm?

Projekti “Për Kafe” ishte një punë fantastike dhe plot krijimtari, por tashmë ka stopuar. Kam hyrë sikur e thashë më lart, në një hapësirë më të madhe mediatike, me përgjegjësi dhe prodhimtari më të madhe, pra tashmë jam krijuese dhe producente e Jon Channel.

–Gjuha shqipe është një vlerë e patjetërsueshme për ekzistencën e kombit tonë shqiptar. A vijojnë përpjekjet për ruajtjen e gjuhës të brezat e rinj?

Pa gjuhën e bukur shqipe, pa e folur dhe transmetuar brezave tanë këtu në diasporë, do të thoja ne nuk do kishim vlerë. Po përpjekjet vijojnë dhe shpresoj te mos shterojnë kurrë. Faleminderit të gjithë atyre qendrave që ofrojnë programin e mësimit të gjuhës shqipe.

-A keni njē mesazh përmbyllës për komunitetin tuaj shqiptar në Miçigan në veçanti dhe Shqipërinë në tërësi?

Unë i uroj të gjithë shqiptarëve “Gëzuar 2022”, qoftë i begatë, plot realizime. Paqe, Dashuri, Sinqeritet. I dua shumë këto 3 komponentë, ta veshin vitin, jetën në përgjithësi me ngjyra të bukura. Faleminderit nga zemra për këtë intervistë! Punë të mbarë dhe suksese!

Filed Under: Opinion

NJË AKT DIPLOMATIK I DALUR NGA KANCELARIA E SKENDERBEUT NGA VITI 1458 – BURIM ME VLERË TË RËNDËSISHME PËR HISTORINË TONË KOMBËTARE QË RUHET NË ARCHIVIO SEGRETO VATICANO

January 17, 2022 by s p

Me rastin e 554 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Akt diplomatik, mandat, me të cilin emërohet Martin Muzaka ambasador i Skenderbeut.-Origjinali në pergamen me një vulë shtetërore të varur, ruhet në Arkivin Skeret të Vatikanit në fondin: Miscellaneae, vol. XXXIX, dok. 2398, nga viti 1458.- Skenderbeu në këtë mandat quhet “mbret”!

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Gjatë mesjetës, sundimtarët dhe princërit shqiptarë kishin zyrat e tyre të kancelarive në nivele të ndryshme si notarë, sekretarë apo përkthyes, të cilat ishin mjaftë të zhvilluara dhe mund të renditen në radhën e kancelarive të ngjashmemë të njohura, në Evropë, gjë që tregonte për nivelin e lartë të zhvillimit dhe kujdesit që tregonin sunduesit shqiptarë në komunikim me sundimtarët tjerë. Nga këto zyra dolën akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në atë kohë ishin në përdorim zyrtar. Deri sot, ne kemi njohuri për ekzistimin e një numri të vogël të këtyre dokumentave në origjinal. Pjesa dërmuese e tyre si duket janë zhdukur përgjithmonë; pjesa tjetër pret hulumtuesit që ato ti nxierrin në dritë dhe ti botojnë, derisa vetëm disa i kemi në duar të zbuluara rishtazi. Një numër i caktuar janë të botuara në vëllime dhe korpuse të ndryshme të dokumentave, që asnjëher nuk janë përmbledhur në një botim të veçantë. Karakteristikë e përgjithme e këtyre akteve të botuara është se ato nuk ndryshojnë nga ato të sundimtarëve të tjerë, fqinjë apo evropianë. Zakonisht në këto kancelari janë përdorur gjuhët kulturore të kohës si: latine, greke, sllave, italijane osmane dhe ndonjë tjetër. Ende nuk kemi asnjë dokument që është shkruar apo përkthyer në gjuhën shqipe nga aktet noterijale. Hulumtimet nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, kanë mundësuar zbulime të reja të këtyre akteve, për të cilat më parë është menduar se janë zhdukur apo nuk kanë ekzistuar fare. Për fat të keq, edhe sot, ka studiues e shkencëtar shqiptar, të cilët janë mbështetës të idesë se: “çdo gjë që ishte me vlerë dhe e rëndësishme nga arkivat e bibliotekat e njohura, të rendësishme, është botuar”. Këta stduiues e historianë shfrytëzojnë burimet e botuara nga autorë të huaj, të cilët, vërtet kanë botuar dokumente, por assesi në atë shkallë, sa të shterronin fondet dhe trezorët e arkivave e bibliotekave, në të cilët edhe sot e kësaj dite, ruhen thesare të paçmuara për kulturën, traditëm dhe historinë tonë kombëtare. Këto mendime janë shumë të dëmshme, sidomos për studiuesit dhe hulumtuesit e rinj, te tek të cilët mund të ketë ndikime negative dhe dëshpruese. Dëshmit për një qëndrim të të tillë të gabuar dhe tendencioz, janë të shumta. Duke bërë hulumtime kohëve të fundit, në Arkivin Skeret të Vatikanit në Vatikan, në fondin: Miscellaneae, nga viti 1458, kemi zbuluar një mandat [akt diplomatik] origjianl të Skenderbeut, me të cilin emrohet Martin Muzaka për përfaqësues të tij “legjitim dhe legal”.Dokumenti është i shkruar në pergamen. Është ruajtur mjaft mirë. Ka dimensione: 68 x 92.5 cm. Në të janë varura edhe dy vula origjinale. E para vula shtetërore e Skenderbeut dhe e dyta ajo e notarit Johannes Borcius de Grillis. Ne na është e njohur edhe një kopje e këtj mandati që ruhet poashtu në Arkivin Sekret të Vatikanit, në Vatikan në Fondin: Diversa Cameralia, vëll. 30, f. 134r-v. Kjo kopje është e saktë dhe tepër besnike, pa asnjë lëshim nga ana e përshkruesit. Është e habitëshme që disa studiues shqiptarë, të cilët kanë shkruar për këtë dokument, meqë nuk e kishin në dorë as origjinalin e as kopjen, e kanë datuar gabimisht, duke i vënë datën 20 tetor 1463! Siq mund të vërehet nga origjinali, mandati është lëshuar në Rodon të Shqipërisë me 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet papës Piu i II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tij [Piu i II-të fillon pontifikatin më 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes më 15 gusht 1464] dhe njihej si luftëar i rreptë për mbrojtejn e fesë së krishterë edhe sa ishte kardinal. Një moment tjetër i rëndësishëm që tërheq vëmendjen te ky mandat është edhe pohimi i notarit publik Johannes Borcius de Grillis se ai “me urdhër dhe autorizim të mbretit…” dmth. Skednerbeut, pra, Skenderbeun e quan Mbret. Ky moment është tepër domethënës ngase edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument e gjejmë të shkruar tekstin: Sigil [um]o Regni[ae]o Macedonia[e]o et oAlbania[e] që në gjuhën shqipe do të ishte: Vula e Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë. Një vulë me teskt të ngjashëm, por e shtypur në letër, ruhet në një fond tjetër në Arkivin Sekret të Vatikanit: ASV. ARM. XXXIX. T. 7, dok. 137, e cila është botuar për herë të parë nga ne, në një nga numrat e kaluar të revistës Ekskluzive.Ka mundësi që zyra kancelarike që ishte pranë Skenderbeut të ishte vazhdimësi e të njëjtës zyrë, e cila funksiononte te i ati Gjon Kastrioti, për të cilin kemi njohuri se kishte një zyrë të tillë nga fundi i shek XIV dhe fillimi i shek. XV. Natyrisht që kancelaria e Skenderbeut ishte shumë më moderne dhe ju ishte përshtatur rrethanave dhe kohës kur vepronte. Sipas hulumtimeve të bëra, kemi në dorë një të dhënë tepër interesante, se nga zyra e Skenderbeut, ka ndodhur që mbrenda një dite të nxirren 13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë. Kjo e dhënë tregon se cili ishte komunikimi i Heroit tonë kombëtar me shtetet tjera mjesjetare dhe me fqinjët, si dhe roli shumë i rëndësishëm që luante kjo diplomaci ruajtjen e pavarësisë shtetërore dhe teritoriale.Mandati që japim në përkthim në gjuhën shqipe, është njëri ndër dokumetnet që kemi zbuluar kohëve të fundit, është i pabotuar si dhe shumë të tjetër. Së shpejti do të botohet në një vëllim të veçantë së bashku dokumetet tjera të ngjashme diplomatike që kanë dalur nga kancelaria e Skenderbeut dhe janë të botuara.

*****PËRKTHIMI NË GJUHËN SHQIPE I MANDATIT NGA VITI 1458

Përshendetje në Zotin tonë Jezus Krishtin për të gjithë dhe secilin që e lexon dhe dëgjon këtë dokument. Duke qenë se kohë më parë jemi njoftuar nga raporti i Martin Muzakës, këshilltarit dhe oratorit [zëdhënsit] tonë, të cilin, kohë më parë e kemi dërgue te shenjtëria dhe fortlumturija e Tij Hyjnore, papë Piu i II-të; që shenjtëria e Tij, papa ynë, duke u kujdesur për pozitën e fesë së krishterë, e cila është sulmuar nga fatkeqësia e njerzimit, tirani turk, Mehmeti [i II-të, m.a.] dhe bashkëluftarët e tij, armiq të emrit, i krishterë; duke dëshiruar që të ndihmoj me shërbimin e tij dhe t’iu vijë në ndihmë forcave të tija; ka paralajmëruar, ftuar dhe shtytur një numër të madhë të mbretërve të krishterë, që të ofrojnë shërbimet e tyre, për një vepër kaq të shenjtë dhe të dobishme; dhe se duhet bërë këtë nga obligimi dhe pranimi i dobive që kanë ndaj fesë së krishterë; ka ftuar shumë mbretër të krishterë që të bashkohen personalisht ose duke dërguar përfaqësues të tyre me autorizime të plotëfuqishme dhe zyrtare.Ne, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, zot i Shqipërisë, si të krishterë të mirë, dëshirojmë të renditemi në mesin e atyre besimtarëve të krishterë, të përmendur, duke u treguar besnikë dhe shërbëtorë të denjë; emrojmë të lartëpërmendurin, Martin Muzakën, te i cili kemi besim të pakufishëm dhe kofidencë, për legalitetin e tij ndaj nesh, eksperiencën, ndershmërinë, zotësinë dhe përgaditjen e lartë intelektuale; pikërisht të njëjtin, Martin Muzakën, e vëmë, përckatojmë dhe autorizojmë që sipas përmbajtës së këtij mandati të jetë oratori [zëdhënësi] dhe përfaqësuesi ynë legjitim dhe legal; që në emër Tonin dhe për Ne të paraqitet pranë të lartëcekurit, shenjtërisë së Tij, papës tonë dhe para shumë të nderuarit Kolegj të Kardinalëve, në Kongregacionin e përmendur; dhe me mbretërit tjerë apo me oratorët [zëdhënësit] e tyre, aty, për të njëjtën problematikë [temë] ose për ndihmë fesë sonë të shenjtë, e cila në të shumtën varet nga ata; për nder dhe emër të Zotit, të debatojë, të bisedojë, të japë mendim, të shqyrtojë dhe të nxierr përfundime, që do të ishin në favor të një ndërmarrje të tillë ose të bënte çdo gjë që është e mundur, duke pohuar, sajuar, bashkuar, mbledhur ose konkluduar, për një veprim të tillë; në emër Tonin dhe për Ne, të marr obligime duke treguar atë që është për tu lavdëruar, lejuar dhe zbatuar; çka do të pranonin të gjithë të pranishmit, por edhe individualisht; dhe përsa ka të bëj me ne; ose sa do të kishte të bënte me ne, si dhe për personalitetin Tonë; me të mirat tona; tokën tonë; qytetet tona të fortifikuara; vendbanimet tona; kështjellat tona dhe në popullin tonë; besnikët tonë të armatosur, në njerzit tonë, pjesërisht apo në tërsi; për të mbrojtur fenë e krishterë dhe në dëm të armiqëve tonë të përmendur; siq do të vërehet edhe nga mandati ynë i hapur, të cilin e dërgojmë; dhe si mund të konkludohet, që ligjërisht obligohemi, që me vulën tonë, dhe me vulën e tij, me të cilën siguron për çdo premtim dhe obligim të bërë; duke u përgjigjur me çfardo shume të hollash, si dhe me të gjitha të mirat tjera, të çfardo natyre qofshin ato, nga të gjithë personat, kolegjet apo bashkësitë, duke mbështetur të përmendurin, shenjtërinë e Tij, zotin tonë, papën dhe Selinë e Shenjtë, shumë të nderuarin Kolegj të Kardinalëve nga Kongregacioni i përmendur, si dhe mbretërit, sundimtarët, dhe gjithë të tjerët, që me forcën e një marrëveshje, për të cilën edhe ne jemi shumë të interesuar, siq jemi deklaruar edhe më lartë; dhe të gjitha këto i bëjmë personalisht; pranojmë paqen, veprojmë dhe marrim nga të gjithë, pa dredhi, duke hequr çdo lloj dyshimi për mashtrim; ndërsa juve, të lartëpërmendurit, të gjithëve dhe secilin, ju vëjmë dhe emrojmë, duke dhënë fjalën e sundimtarit [mbretit]; duke shprehur devotshmërinë, nderin dhe besnikërinë tonë; e konsiderojmë si të përhershëme dhe premtojmë: se të gjitha oblgimet tona do ti përmbushim. Duke ju siguruar ju se, veprimet e përmendura; obligimet; pa dredhi, të gjitha deri në një, për të cilat kemi dhënë fjalën, përmes oratorit [zëdhënësit] ose ambasadorit tonë Martin Muzakës, si të pohuara, shqyrtuara, paralajmëruara, debatuara dhe përfunduara, i pranojmë dhe obligohemi për to.Dëshminë e të gjithë këtyre, e forcojmë, duke urdhëruar vulosjen me vulën tonë të zakonshme, të varur.Lëshuar në Rodon, në vendin e Shën Mërisë, në prezencën e dëshmitarëve të ftuar dhe të lutur [nderuar]; në prezencën e shumë të nderuarit në Krisht, atit dhe zotit Pal, me mëshirën hynjore, kryeipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut; dhe të nderuarit atë, Pjetër Dukës, abat prothosengulator [i betuar] në Aleksandrin nga Moledina dhe shumë të nderuarit vëlla Bardh, prior i Kuvendit të Shkodrës nga Urdhëri i predikuesve [domenikanëve] dhe nuncit apostolik në Shqipëri, shumë të nderuarit zotit Raione Celnicho.Në vitin e Krishtit, 1458, indikti i I-të, ditën e 28 të tetorit.Unë, Johannes Borcius de Grillis, prift i ipeshkvisë së Durrësit, notar publik me urdhër dhe autorizim të mbretit, firmos të gjitha këto dhe secilën; isha prezent, për këtë dhe i lutur; botërisht pohoj dhe firmos mandatin; por meqë isha i zënë me punë, kam urdhëruar që të tjerët ta shkruajnë; e unë e kam firmosur me shenjën time të zakonshme, të notarit publik dhe me emrin tim, së bashku me vulën varëse të të lartëpërmendurit dhe shumë të ndriturit zot Skenderbe, e kam forcuar besimin, me dëshminë e gjithë kësaj dhe secilës, që është përmendur më lartë.

*****TRANSKRIPTIMI I ORIGJINALIT TË DORËSHKRIMIT TË MANDATIT NGA 28 TETORI 1458ASV: Diversa Cameralia 30. F. 134r-v[olim 135r-v] MANDATUM DOMINI SCANDARBECHI IN FACTO CONTRA TURCHUM

Rodoni, 28. X. 1458. Mandatum Universis et singulis presentes litteras inspecturis seu audituris salutem in Domino nostro Jesu Christo. Quoniam ad nostram noticiam nuper delatum est, relatione Martini Musachi, consiliarii et oratoris nostri, quem nuper ad presentiam Sanctissimi Domini Nostri domini Pii, divina providentia pape II, transmissimus, qualiter ipse Sanctissimus Dominus Noster Papa considerans religionem christianorum a Machometto Turchorum tiranno cum suis complicibus Turcis nominis christiani inimicis graviter afflictam, volens ut suo incumbit, officio providere et pro suis viribus succurrere, plurimos catholicos principes monuit, percitavit ac exortatus est, ut vices suas ad hoc tam sanctum tamquam salubre opus impendent ut ex debito et christiane religionis et beneficiorum a Deo susceptorum tenetur et ob hac ad suam presentiam plurimos e christianis principibus convocavit qui per se aut per procuratores suos plenissimo mandato suffultos compareant. Nos Georgius Castriot Schanderbeg, dominus Albanie, qui in numero christifidelium numerari et esse volumus, etiam ut tanti tamquam meritoris boni efficiamur participes, prefatum Martinum Musachi ad plenum de eius legalitatis, probitatis, scientia et experientia plenius confisi ipsum Martinum Musachi constituimus et ordinamus ac tenore presentium litterarum nostrarum facimus, constituimus et ordinamus nostrum et certum nunptium specialem ac procuratorem etc, ad comparendum nomine nostro et pro nobis coram Sanctissimo Domino Nostro Papa prefato ac Sancto reverendissimorum dominorum Cardinalium Collegio in Congregatione prefata cum aliis principibus aut eorum oratoribus seu procuratoribus ibidemque de materiis huiusmodi aut succursu fidei nostre et eorum dependentiis, ad laudem Dei et commodum atque sulevamen nostre christiane religionis tractandum, proloquendum, avisandum, arbitrandum et concludendum prout et quemadmodum expeditioni tante opportunum fuerit vel videbitur expediens esse, conceptisque prolocutis, quentis, conventis et conclusis ibidem in hac parte et nostro nomine ac pro nobis consentiendum et confessum expressum prebendum illa laudandam et approbandam et ad observationem atque conmplementum omnium et singulorum eorumdem in quantum nos concernunt seu concernere poterunt, nos et personam nostram et omnia bona nostra ac terras, castra, villas, fortelicia, armigeros, subditos et homines nostros in parte vel in toto pro deffensione christiane fidei et offensione inimicorum eorum predictorum prout expedientis videbitur et conclusum fuerit efficaciter obligandum et per litteras suas patentes et sub eius sigillis necnom ad recipiendum omnem promissionem et obligationem omnemque pecuniarum quantitatem et summam ac etiam omnia bona cuiuscumque generis seu speciey fuerunt, a quibuscumque personis, collegiis sive universitatibus et maxime a prefato Sanctissimo Domino Nostro Papa et Sede Apostolica et a prelibato Sacro reverendissimorum cardinalium Collegio a Congregatione prefata et a principibus dominis et regibus quibuscumque perinde ac cum talibus pacto, robore et firmitate tanquam si nos ipsi in premissis interessendo hec omnia personaliter faceremus, pacisceremur et tractaremus et reciperemus, omnibus dolo, exceptioni ac fraude cessantibus et penitus exclussis ac vos circa predicta omnia et singula constituimus et creamus alterum nos promittentes in verbo principis ac sub nostris fide et honore rata, grata, stabilia et firma perpetuo habere et efficaciter adimplere que per vos acta, facta, promissa, obligata et recepta fuerint ac nos habituros et adimpleturos sine fraude, omnia illa et singula que per oratores, ambassatores et procuratores nostros supra nominatos vel per alterius ipsorum super Martinum Musachi acta, dicta, avisata, tarctata, conclusaque fuerint in premissis. In cuius rei testimonium [nostri] consueti sigilli appensione muniri fecimus et mandavimus. Datum Rodoni in loco Sancte Marie, presentibus reverendissimo in Christo patre et domino domino Paulo, miseratione divina archiepiscopo Durachiensi et Illirice regionis, ac venerabili patre domino Petro Duca, abbate prothosengulo nuncupato sancti Alesandri de Molendino Arbanensis Diocesis, et venerabili fratre Blasio, priore conventus Scutarensis Ordinis Predicatorum, ac nunptio apostolico in Albania, et s[e] pectabili domino Raione Celnicho, eiusdem testibus rogatis et vocatis, anno a nativitate domini MCCCCLVIII, indictione I, die vero XXVIIII octobris. Ego Johannes Borcius de Grillis presbiter Duracensis Diocesis, publicus imperiali auctoritate notarius suprascriptus omnibus et singulis interfui eaque rogatus publicavi et in notam scripsi, ac per alium, me certis occupato negotiis, scribi feci et inde me subscripsi; meisque signo et nomine solitis unacum appensione prefati illustrissimi domini Scanderbech sigilli in fidem et testimonium omnium et singulorum premissorum roboravi. J.

Filed Under: Opinion

ZBULOHET KSOMBLA ORIGJINALE “EMBSVAME E CHRÆSTERÆ” E LEKË MATRANGËS NGA VITI 1592 QË RUHET NË BIBLIOTEKEN ANGJELIKE TE ROMËS

January 15, 2022 by s p

Kohë më parë u gjet ksombla  e dytë e veprës së arbëreshit Lekë Matranga “Embsvame e chræsteræ” e cila  ruhet në Biblioteca Angelica të Romës dhe është në gjendje shumë të mirë.-Ishte arbëreshi Matteo Mandalà që e shfrytëzoi i pari këtë ksombël.- Përfundime të reja për jetën dhe veprën e botuar dhe për dorëshkrimet e L. Matrangës.-Fate të çuditshme të  veprave të shkruara në gjuhën shqipe.

Prof. Dr.  Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest

Albanologjia shpesh pasurohet me zbulime të reja, por ka raste edhe kur varfërohet, pas humbjeve, vjedhjeve ose shkatërrimeve të librave të rrallë, me peshë të veçantë, ngase ato përfaqësojë ksombla  të vetme dhe unikate të njohura. I tillë ishte rasti me veprën “Embsvame e chræsteræ” të Lekë Matrangës, përkthyer dhe botuar në vitin 1592 në dialektin jugor të gjuhës shqipe, dhe që llogaritet si teksti i parë i shtypur italo-arbëresh me alfabet latin.

Vepra në origjinal e Lekë Matrangës ruhej në Biblioteca Apostolica Vaticana në Vatikan, deri në vitin 1947 kur “zhduket” pa lënë gjurmë. Ky libër ishte shfrytëzuar në këtë bibliotekë nga Mario Roques dhe Justin Rrota, dhe ishte pikërisht ky i fundit ai që e kishte sjellë një fotokopje të tërë veprës në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, fotokopje kjo që edhe pse shumë e dëmtuar nga koha, ruhet edhe sot e kësaj dite në këtë bibliotekë [sig. BK. An. V/4D]. Për të bërë krahasimet dhe analizat e duhura me ksomblën origjinale, e konsultuam edhe këtë fotokopje të Tiranës

Pas humbjes së librit nga Biblioteca Apostolica Vaticana, në vitin 1947,kërkimet për gjetjen e ksombles së “zhdukur” apo të ndonjë ksomble tjetër të panjohur vazhduan për vite më radhë, dhe më në fund, vërtetë u arrit të gjendet një e tillë, e panjohur më parë.

Kështu, albanologjia, pasurohet me një ksombël të re të veprës së Lekë Matrangës “Embsvame e chræsteræ” nga viti 1592. Ajo ruhet në Biblioteca Angelica të Romës me sign. O. 10. 42,-int. 2. I pari që e bëri të ditur lajmin për ekzistencën e kësaj ksomble, studiuesi arbëresh, Matteo Mandalà.

Duke vazhduar hulumtimet, e konsultuam ksomblën origjinale, dhe e krahasuam atë me tre dorëshkrimet që ruhen në Biblioteca Apostolica Vaticana, duke pasuruar kështu njohuritë ekzistuese me të dhëna të reja rreth kësaj vepre. Tre dorëshkrimet që ruhen në Biblioteca Apostolica Vaticana, janë të kaligrafive të ndryshme, kanë autorë të ndryshëm dhe ruhen në një vëllim të vetëm.

Ne mendojmë që autorët e këtyre dorëshkrimeve duhet të jenë Lekë Matranga, Tomasso Ragja dhe Aleksandër Komuloviq. Lekë Matranga është autori i dorëshkrimit të tretë; këtë përfundim e kemi nxjerrë pasi kemi konsultuar edhe dorëshkrime e dokumente të tjera nga disa fonde të Biblioteca Apostolica Vaticana dhe të Archivio Segreto Vaticano, të cilat kanë të bëjnë me autorin L. Matranga, dhe me kohën kur u shkrua kjo vepër. Të gjitha këto të dhëna u krahasuan me ato që ruhen në Biblioteca Angelica të Romës, ku ndodhen shumë dokumente me interes të veçantë për këtë vepër dhe autorin e saj.

Si rezultat i këtyre hulumtimeve u saktësua se ksomblën në fjalë e solli në Biblioteca Angelica të Romës, në vitin 1598, Angelo Rocha, i cili ka bërë edhe një shënim autograf në kopertinat e vëllimit që sot ruhet vepra e L. Matrangës, “Dottrina christiana in lingua Albanese…” Angelo Rocha ishte vëllai i Pietro Rocha-s, përkthyesit të librit të Marin Barletit, “Histori e Skenderbeut” në intalisht, gjë që dëshmon lidhjen e vazhdueshme të familjes Rocha me intelektualët shqiptarë dhe arbëreshë, të cilët kishin si mecenë të përbashkët familjen fisnike shqiptare të Engjëllorëve, e cila financoi edhe botime të tjera të rëndësishme të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

Vepra “Embsvame e chræsteræ” ruhet në një vëllim, së bashku me dy vepra të tjera. Në vëllim ajo është e lidhur si e dyta dhe vjen pas një vepre në italisht, ndërkohë që ndiqet nga një vepër e tretë në kroatisht. Kjo e treta ka për autor një intelektual të lidhur ngushtë me shqiptarët, përkatësisht Aleksandër Komuloviqin, i cili në vitin 1584 botoi 500 katekizma në gjuhën shqipe dhe i shpërndau ato në të gjitha trojet etnike shqiptare. Për fat të keq, ne ende nuk kemi gjetur asnjë ksombël të këtyre katekizmave.

Libri i L. Matrangës ka këto dimensione: 7.5 x 13.1 cm; është i shtypur në letër të cilësisë së lartë, pa shenja uji, filigranes. Është i lidhur me kopertina pergameni të fortë, të bardhë dhe si vëllim ka gjithsej 28 faqe, me një paginim lart majtas-djathtas. Numri i rreshtave nëpër faqe është i ndryshëm, por nuk i kalon të njëzetë e tetë rreshtat.

Përveç faktit që kemi në dorë një vepër që konsiderohej “e zhdukur”, kjo ksombël ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë: ajo dallon nga fotokopja e “Embsvame e chræsteræ” që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe që më parë ishte në “Biblioteca Apostolica Vaticana”. Në faqet 14, 15 dhe 16 teksti është i ndryshëm jo vetëm nga forma por edhe nga përmbajtja, gjë që na bën të konkludojmë se kemi të bëjmë me dy botime të shpejta brenda një viti, dhe jo siç pohon M. Mandalà: “me të njëjtën vepër, por me gabime e lëshime të shtypshkronjës.” Një pohim i tillë është i nxituar, ngase nuk mund të kishte ndryshime kaq të theksuara, pra “gabime shtypshkronje”, si në rastin konkret, veçanërisht, kur bëhet fjalë jo vetëm për “Iniciale,” por edhe për tekst tjetër, sidomos atë në fund të faqeve!

Mesa duket, për këtë vepër kishte interes mjaft të madh gjë që e shtyri botuesin e saj Guglielmo Facciotto, që brenda një kohë të shkurtër, prej vetëm disa muaj, ta ribotojë atë përsëri. Tashmë që kemi në dorë, një ksombël origjinale dhe një fotokopje të një ksomble tjetër, me vula dhe shenja të tjera dalluese që është nxjerrë nga Biblioteca Apostolica Vaticana, kemi shumë mundësi për të bërë krahasime dhe analiza shkencore, qasje nga këndvështrime të ndryshme dhe verifikime të të gjitha natyrave për të nxjerrë përfundime të sakta dhe të vlefshme, si për autorin ashtu edhe për veprën. Hapin e parë në këtë drejtim e ka bërë Matteo Mandalà, me ribotimin fototipik [anastatik] të veprës së Matrangës, si të ksomblës së shtypur ashtu edhe të tre dorëshkrimeve që ruhen në sektorin e dorëshkrimeve në Biblioteca Apostolica Vaticana, të cilat ishin botuar edhe më parë nga arbëreshi, Matteo Sciambra, që punonte në atë bibliotekë.

Tri dorëshkrimet që ruhen në sektorin e dorëshkrimeve të Biblioteca Apostolica Vaticana, [sign: Mss. Barb. Lat. 3454], janë një çështje e veçantë dhe albanologjia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit rreth tyre, përkundër faktin se ato janë botuar më shumë se njëherë të plota, si faksimile, të transliteruara dhe të transkriptuara. Me sa dimë ne, ky është rasti i parë i një vepre të botuar të autorëve të lashtë, që na është ruajtur edhe në dorëshkrim, përkatësisht varianti autograf dhe përshkrim i përgatitur për botim, nëse përjashtojmë rastin e dorëshkrimit autograf të Pjetër Bogdanit, të veprës “Çeta e Profetëve”, i cili ruhet në një nga arkivat e Dubrovnikut dhe është konsultuar vetëm nga dy studiues deri me sot, dhe nuk është botuar asnjë fragment prej tij.

Në fund të dorëshkrimit të tretë të veprës së Lekë Matrangës, që sot ruhet në Biblioteca Apostolica Vaticana, Tomë Ragja është personi i cili e aprovon botimin e  veprës: “Embsvame e chræsteræ.” Përveç kësaj, nga studimi që i kemi bërë origjinalit, kemi vërejtur se dallohet shumë qartë, që T. Ragja ka bërë edhe korrekturë dhe ndërhyrje në tekstin e dorëshkrimit të tretë, duke bërë edhe një paginim tjetër të faqeve nga numër 1 deri në numrin 15, që i korrespodon paginimit: 73-87. Sipas kësaj, mendojmë se katekizmi i vitit 1584, edhe pse për 8 vjet më i ri se vepra e Lekë Matrangës, ka një vazhdimësi logjike, të paktën në personin e Tomë Ragjës. Një mendim tjetër ka studiuesi arbëresh, M. Mandalà, i cili shkruan: “Edhe unë jam i bindur se Ragius ndërhyri në tekstin e Matrangës, por ndryshe nga mendimi juaj [M.A.], ai redaktoi tekstin e dytë (drsh. B), ndërsa korrigjoi variantin e tretë (drsh. C), të cilin e kishte shkruar materialisht një kopist tjetër dhe që më vonë u dorëzua në shtyp. Ka shumë të dhëna filologjike që e vërtetojnë këtë. Për atë që ju [M.A.] mendoni për numërimin në drsh. C, kam këtë mendim: 1) numërimi i parë që lexohet në krye të faqeve është i pari që u bë sipas tekstit në dorëshkrim për t’i shërbyer tipografit në fazën e shtypit; 2) kur në tipografi morën vesh që radhitja nuk ishte e përshtatshme, u bë një numërim tjetër që lexohet në mes të faqeve, duke qenë i shënuar me një dorë tjetër. Ky numërim i fundit është ai që del edhe në kopjen e exemplarit të shtypur.”

Pra ne mendojmë se përfundimet e kolegut Mandalà nuk qëndrojnë, për vetë faktin, se ai nuk pranon që njëri nga dorëshkrimet është autograf i L. Matrangës, përkundër dëshmive arkivore, se dorëshkrimi i tretë (drsh. C) është autograf i vetë L. Matrangës dhe si i tillë, ky ka shërbyer edhe për botimin e librit të cilin ne e kemi në dorë. Nga dëshmitë arkivore mund të përmendim fondin nga ASV, Arch. Borgh. Ser. III, 5, vëll. 124, dhe nga BAV, fondet Barb. Lat. 8479 dhe Barb. Lat. LVIII, vëll. 33; f. Cas. Cod. Mss. X, vëll. 6; Mss. Cod. Ottob. 1941, vëll. 1, 2, në të cilat pohohet qartë që Lekë Matranga është autori i dorëshkrimit të tretë.

Rigjetja e veprave të tilla është një sfidë e re për studiuesit dhe hulumtuesit, por edhe një inkurajim për ta që të vazhdojnë kërkimet dhe hulumtimet shkencore më me këmbëngulje, me shpresën se një ditë mund të gjendet ndoshta edhe një ksombël të dytë e “Mesharit” të Gjon Buzukut, apo ndonjë ksombël të “Katekizmave” nga viti 1584 ose e librave të tjerë të shumtë të shtypur që nuk janë inkunabula, por libra të rrallë dhe presin dorën fatlume të studiuesve shqiptarë, arbëreshë apo të huaj.

Filed Under: Opinion

KOSOVA, ME MOSLEJIMIN E REFERENDUMIT SERB NË KOSOVË, MBRONË SOVRANITETIN SHTETËROR

January 14, 2022 by s p

Jusuf BUXHOVI/

Reagimi i krerëve të insitutcioneve më të larata të shtetit të Kosovës karshi ambasadorëve të vendeve të QUINT-it” që kërkuan mbajtjen e referendumit serb në Kosovë që lidhet me ndryshimet kushtetuese në Serbi, është i drejtë dhe në përputhje me sovranitetin shtetëror të Kosovës, shpesh herë të nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve nga politikanët e Kosovës, në rapot me Serbinë. Me këtë rast , arsyetimi i krerëve të Kosovës se “qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse”, është në përputhshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare që praktikojnë në raste të tilla vendet europiane. Andaj, veprimi ndryshe, pra i hapjes së qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës, siç u tha, përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Qendrimi i prerë i krerëve të institucioneve më të larta të Kosovës, që është kompatabil edhe me atë të opozitës, gjë që paraqet një sukses të skenës politike për të qenë bashkë te çështjet madhore të interesit të shtetit, është hap i drejtë dhe më se i duhur që Kosova, më në fund, përkundër dëmëve të pësuara nga politika e deritanishme, të demonstrojë gatishmërinë për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror edhe në rrethanat kur faktori ndërkombëtar kërkon “kompromise”, siç thuhet në kërkesën e vendeve të QUINT-it “për të çuar përpara dialogun midis Kosovës dhe Serbisë”, paçka se në një pasus vazhdohet praktika e zëvendësimit të predikatëve shtetërore me ato të toponomistikës (dialogu Beograd-Prishtinë në vend të Kosovë-Serbi), diskurs ky duhet përjashtuar dhe refuzuar nga kushdo që vjen!

Filed Under: Opinion

CAVALIER PËR MERITA KULTURORE PËR DR. LUAN TOPÇIUN

January 14, 2022 by s p

Visar Zhiti


Albanalogu, studiuesi i njohur, kritiku i artit, përkthyesi – me çmime kombëtare dhe botuesi Dr. Luan Topçiu sot është dekoruar nga Presidenti i Rumanisë, Klaus Werner Iohannis, me Urdhêrin “Kavalier për Merita Kulturore”. Lajmi është dhënë nga të gjitha kanalet televizive rumune dhe shtypi vendas. Është ngjarje, do të thoshim, është i pari shqiptar, besoj, që dekorohet në Rumani, vend i Bashkimit Europian, për arritjet kulturore, aq të mëdha dhe të shkëlqyera, me motiviacionin: “Në shenjë vlerësimi për talentin letrar dhe kontributet e rëndësishme në promovimin e kulturës dhe qytetërimit rumun”.Puna shumëplanëshe e Dr. Luan Topçiut tashmë është bërë një urë moderne e Kulturës që bashkon dy vendet tona, Shqipëri e Rumani, nderkohe dhe një majë e ndritur e arritjeve shekullore të diasporës shqiptare në Rumani. Presidenti rumun dekoroi dhe disa personalitete të tjera të nivelit europiano-botëror si akademikun Mircea Dimitrescu dhe kompozitorin, interpretuesin dhe dirigjentin Gheorghe Zamfir. Luanit tonë ne ia njohim Veprën dhe virtytet, Morfologjinë e Shpirtit, Historinë e madhe të letrave shqipe apo “Albanica”-n, etj, etj, por desha të shtoj se kemi patur fatin të shohim në një koncert në Romë dhe maestron Zamfir, luante me flautin e tij pan, mahnitës, një histori natyre me muzikë, dramë zêrash kumbues, etj, etj, dhe në fund të koncertit, mes duartrokitjeve të stuhishme, ambasadori i Rumanisë në Itali, pasi i dha artistit një kurorë lulesh, i ra në gjunjë…Artit të madh i bihet më gjunjë. Kjo është kultura. Sot vepra e Luan Topçiut u dekorua bashkë me atë…Besoj që dhe në vendin tonë do të dinë të përulen para atyre që bëjnë art, që shpalosin vlera, identitet, që e bëjnë Atdheun pjesë të bukur të kulturës botërore.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 236
  • 237
  • 238
  • 239
  • 240
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT