Kohë më parë u gjet ksombla e dytë e veprës së arbëreshit Lekë Matranga “Embsvame e chræsteræ” e cila ruhet në Biblioteca Angelica të Romës dhe është në gjendje shumë të mirë.-Ishte arbëreshi Matteo Mandalà që e shfrytëzoi i pari këtë ksombël.- Përfundime të reja për jetën dhe veprën e botuar dhe për dorëshkrimet e L. Matrangës.-Fate të çuditshme të veprave të shkruara në gjuhën shqipe.
Prof. Dr. Musa AHMETI
Center for Albanian Studies – Budapest
Albanologjia shpesh pasurohet me zbulime të reja, por ka raste edhe kur varfërohet, pas humbjeve, vjedhjeve ose shkatërrimeve të librave të rrallë, me peshë të veçantë, ngase ato përfaqësojë ksombla të vetme dhe unikate të njohura. I tillë ishte rasti me veprën “Embsvame e chræsteræ” të Lekë Matrangës, përkthyer dhe botuar në vitin 1592 në dialektin jugor të gjuhës shqipe, dhe që llogaritet si teksti i parë i shtypur italo-arbëresh me alfabet latin.
Vepra në origjinal e Lekë Matrangës ruhej në Biblioteca Apostolica Vaticana në Vatikan, deri në vitin 1947 kur “zhduket” pa lënë gjurmë. Ky libër ishte shfrytëzuar në këtë bibliotekë nga Mario Roques dhe Justin Rrota, dhe ishte pikërisht ky i fundit ai që e kishte sjellë një fotokopje të tërë veprës në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, fotokopje kjo që edhe pse shumë e dëmtuar nga koha, ruhet edhe sot e kësaj dite në këtë bibliotekë [sig. BK. An. V/4D]. Për të bërë krahasimet dhe analizat e duhura me ksomblën origjinale, e konsultuam edhe këtë fotokopje të Tiranës
Pas humbjes së librit nga Biblioteca Apostolica Vaticana, në vitin 1947,kërkimet për gjetjen e ksombles së “zhdukur” apo të ndonjë ksomble tjetër të panjohur vazhduan për vite më radhë, dhe më në fund, vërtetë u arrit të gjendet një e tillë, e panjohur më parë.
Kështu, albanologjia, pasurohet me një ksombël të re të veprës së Lekë Matrangës “Embsvame e chræsteræ” nga viti 1592. Ajo ruhet në Biblioteca Angelica të Romës me sign. O. 10. 42,-int. 2. I pari që e bëri të ditur lajmin për ekzistencën e kësaj ksomble, studiuesi arbëresh, Matteo Mandalà.
Duke vazhduar hulumtimet, e konsultuam ksomblën origjinale, dhe e krahasuam atë me tre dorëshkrimet që ruhen në Biblioteca Apostolica Vaticana, duke pasuruar kështu njohuritë ekzistuese me të dhëna të reja rreth kësaj vepre. Tre dorëshkrimet që ruhen në Biblioteca Apostolica Vaticana, janë të kaligrafive të ndryshme, kanë autorë të ndryshëm dhe ruhen në një vëllim të vetëm.
Ne mendojmë që autorët e këtyre dorëshkrimeve duhet të jenë Lekë Matranga, Tomasso Ragja dhe Aleksandër Komuloviq. Lekë Matranga është autori i dorëshkrimit të tretë; këtë përfundim e kemi nxjerrë pasi kemi konsultuar edhe dorëshkrime e dokumente të tjera nga disa fonde të Biblioteca Apostolica Vaticana dhe të Archivio Segreto Vaticano, të cilat kanë të bëjnë me autorin L. Matranga, dhe me kohën kur u shkrua kjo vepër. Të gjitha këto të dhëna u krahasuan me ato që ruhen në Biblioteca Angelica të Romës, ku ndodhen shumë dokumente me interes të veçantë për këtë vepër dhe autorin e saj.
Si rezultat i këtyre hulumtimeve u saktësua se ksomblën në fjalë e solli në Biblioteca Angelica të Romës, në vitin 1598, Angelo Rocha, i cili ka bërë edhe një shënim autograf në kopertinat e vëllimit që sot ruhet vepra e L. Matrangës, “Dottrina christiana in lingua Albanese…” Angelo Rocha ishte vëllai i Pietro Rocha-s, përkthyesit të librit të Marin Barletit, “Histori e Skenderbeut” në intalisht, gjë që dëshmon lidhjen e vazhdueshme të familjes Rocha me intelektualët shqiptarë dhe arbëreshë, të cilët kishin si mecenë të përbashkët familjen fisnike shqiptare të Engjëllorëve, e cila financoi edhe botime të tjera të rëndësishme të autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Vepra “Embsvame e chræsteræ” ruhet në një vëllim, së bashku me dy vepra të tjera. Në vëllim ajo është e lidhur si e dyta dhe vjen pas një vepre në italisht, ndërkohë që ndiqet nga një vepër e tretë në kroatisht. Kjo e treta ka për autor një intelektual të lidhur ngushtë me shqiptarët, përkatësisht Aleksandër Komuloviqin, i cili në vitin 1584 botoi 500 katekizma në gjuhën shqipe dhe i shpërndau ato në të gjitha trojet etnike shqiptare. Për fat të keq, ne ende nuk kemi gjetur asnjë ksombël të këtyre katekizmave.
Libri i L. Matrangës ka këto dimensione: 7.5 x 13.1 cm; është i shtypur në letër të cilësisë së lartë, pa shenja uji, filigranes. Është i lidhur me kopertina pergameni të fortë, të bardhë dhe si vëllim ka gjithsej 28 faqe, me një paginim lart majtas-djathtas. Numri i rreshtave nëpër faqe është i ndryshëm, por nuk i kalon të njëzetë e tetë rreshtat.
Përveç faktit që kemi në dorë një vepër që konsiderohej “e zhdukur”, kjo ksombël ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë: ajo dallon nga fotokopja e “Embsvame e chræsteræ” që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës dhe që më parë ishte në “Biblioteca Apostolica Vaticana”. Në faqet 14, 15 dhe 16 teksti është i ndryshëm jo vetëm nga forma por edhe nga përmbajtja, gjë që na bën të konkludojmë se kemi të bëjmë me dy botime të shpejta brenda një viti, dhe jo siç pohon M. Mandalà: “me të njëjtën vepër, por me gabime e lëshime të shtypshkronjës.” Një pohim i tillë është i nxituar, ngase nuk mund të kishte ndryshime kaq të theksuara, pra “gabime shtypshkronje”, si në rastin konkret, veçanërisht, kur bëhet fjalë jo vetëm për “Iniciale,” por edhe për tekst tjetër, sidomos atë në fund të faqeve!
Mesa duket, për këtë vepër kishte interes mjaft të madh gjë që e shtyri botuesin e saj Guglielmo Facciotto, që brenda një kohë të shkurtër, prej vetëm disa muaj, ta ribotojë atë përsëri. Tashmë që kemi në dorë, një ksombël origjinale dhe një fotokopje të një ksomble tjetër, me vula dhe shenja të tjera dalluese që është nxjerrë nga Biblioteca Apostolica Vaticana, kemi shumë mundësi për të bërë krahasime dhe analiza shkencore, qasje nga këndvështrime të ndryshme dhe verifikime të të gjitha natyrave për të nxjerrë përfundime të sakta dhe të vlefshme, si për autorin ashtu edhe për veprën. Hapin e parë në këtë drejtim e ka bërë Matteo Mandalà, me ribotimin fototipik [anastatik] të veprës së Matrangës, si të ksomblës së shtypur ashtu edhe të tre dorëshkrimeve që ruhen në sektorin e dorëshkrimeve në Biblioteca Apostolica Vaticana, të cilat ishin botuar edhe më parë nga arbëreshi, Matteo Sciambra, që punonte në atë bibliotekë.
Tri dorëshkrimet që ruhen në sektorin e dorëshkrimeve të Biblioteca Apostolica Vaticana, [sign: Mss. Barb. Lat. 3454], janë një çështje e veçantë dhe albanologjia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit rreth tyre, përkundër faktin se ato janë botuar më shumë se njëherë të plota, si faksimile, të transliteruara dhe të transkriptuara. Me sa dimë ne, ky është rasti i parë i një vepre të botuar të autorëve të lashtë, që na është ruajtur edhe në dorëshkrim, përkatësisht varianti autograf dhe përshkrim i përgatitur për botim, nëse përjashtojmë rastin e dorëshkrimit autograf të Pjetër Bogdanit, të veprës “Çeta e Profetëve”, i cili ruhet në një nga arkivat e Dubrovnikut dhe është konsultuar vetëm nga dy studiues deri me sot, dhe nuk është botuar asnjë fragment prej tij.
Në fund të dorëshkrimit të tretë të veprës së Lekë Matrangës, që sot ruhet në Biblioteca Apostolica Vaticana, Tomë Ragja është personi i cili e aprovon botimin e veprës: “Embsvame e chræsteræ.” Përveç kësaj, nga studimi që i kemi bërë origjinalit, kemi vërejtur se dallohet shumë qartë, që T. Ragja ka bërë edhe korrekturë dhe ndërhyrje në tekstin e dorëshkrimit të tretë, duke bërë edhe një paginim tjetër të faqeve nga numër 1 deri në numrin 15, që i korrespodon paginimit: 73-87. Sipas kësaj, mendojmë se katekizmi i vitit 1584, edhe pse për 8 vjet më i ri se vepra e Lekë Matrangës, ka një vazhdimësi logjike, të paktën në personin e Tomë Ragjës. Një mendim tjetër ka studiuesi arbëresh, M. Mandalà, i cili shkruan: “Edhe unë jam i bindur se Ragius ndërhyri në tekstin e Matrangës, por ndryshe nga mendimi juaj [M.A.], ai redaktoi tekstin e dytë (drsh. B), ndërsa korrigjoi variantin e tretë (drsh. C), të cilin e kishte shkruar materialisht një kopist tjetër dhe që më vonë u dorëzua në shtyp. Ka shumë të dhëna filologjike që e vërtetojnë këtë. Për atë që ju [M.A.] mendoni për numërimin në drsh. C, kam këtë mendim: 1) numërimi i parë që lexohet në krye të faqeve është i pari që u bë sipas tekstit në dorëshkrim për t’i shërbyer tipografit në fazën e shtypit; 2) kur në tipografi morën vesh që radhitja nuk ishte e përshtatshme, u bë një numërim tjetër që lexohet në mes të faqeve, duke qenë i shënuar me një dorë tjetër. Ky numërim i fundit është ai që del edhe në kopjen e exemplarit të shtypur.”
Pra ne mendojmë se përfundimet e kolegut Mandalà nuk qëndrojnë, për vetë faktin, se ai nuk pranon që njëri nga dorëshkrimet është autograf i L. Matrangës, përkundër dëshmive arkivore, se dorëshkrimi i tretë (drsh. C) është autograf i vetë L. Matrangës dhe si i tillë, ky ka shërbyer edhe për botimin e librit të cilin ne e kemi në dorë. Nga dëshmitë arkivore mund të përmendim fondin nga ASV, Arch. Borgh. Ser. III, 5, vëll. 124, dhe nga BAV, fondet Barb. Lat. 8479 dhe Barb. Lat. LVIII, vëll. 33; f. Cas. Cod. Mss. X, vëll. 6; Mss. Cod. Ottob. 1941, vëll. 1, 2, në të cilat pohohet qartë që Lekë Matranga është autori i dorëshkrimit të tretë.
Rigjetja e veprave të tilla është një sfidë e re për studiuesit dhe hulumtuesit, por edhe një inkurajim për ta që të vazhdojnë kërkimet dhe hulumtimet shkencore më me këmbëngulje, me shpresën se një ditë mund të gjendet ndoshta edhe një ksombël të dytë e “Mesharit” të Gjon Buzukut, apo ndonjë ksombël të “Katekizmave” nga viti 1584 ose e librave të tjerë të shumtë të shtypur që nuk janë inkunabula, por libra të rrallë dhe presin dorën fatlume të studiuesve shqiptarë, arbëreshë apo të huaj.