• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË VËMENDJE 79 VJETORI I VDEKJES SË FAIK KONICËS

December 14, 2021 by s p

NGA NDUE  BACAJ  

Me 15 dhjetor 1942  në Shtetet e Bashkuara  të Amerikes (Ushington) do të  pushonte  së  rrahuri një  zemer e  madhe shqiptare, do  të  shuhej  një  mendje e ndritur , do të “thyhej” një pendë e artë e publicistikes , gazetarisë , historisë  dhe diplomacisë , do  të vdiste një simbol i inteligjences së  racës sonë Iliro-Arbnore , do të vdiste Faik  Konica.  Në ato kohë Shqiperia ishte ligështuar nën rrebeshet fashiste, ndërsa në horizont shihte një “çadër të kuqe”, që e joshte të hynte  nën të , se gjoja do t’a  “shpëtonte” nga rrebeshet që e kishin  lagur e drobitur si mos më keq… Në këto kushte Faik  Konica iku nga  kjo botë me zemer plastë… Trupi i Faik Konicës u përcoll për në banesën e fundit nën tingujt e kompozitorit të famshëm Vagnerit, që aq shumë e kish adhuruar. Edhe pse Faik Konica kishte lënë një trashigimi të plotë letrare e atdhetare për  Shqiperinë e Shqiptarët , të cilet  mjerisht pasi “hynë” nën çadrën e kuqe bolshevike-komuniste u  detyruan ta anatemojnë , mohojnë e “harrojnë” Konicën dhe vepren e tij…, por  siç  thotë një sentencë e moçme , e drejta vonon , por kurr nuk  harron.. Dhe  kjo e drejtë erdhi pas vitit 1991, kur çadrës së kuqe ju thye “shkopi” në Rusi (ku ishte fabrikuar) dhe ju shkye “pelhura” edhe në Shqiperi… Në muajin maj të vitit 1995 eshtrat e Faik Konicës u kthyen në atdhe dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. Sot  Konica  dhe vepra e tij studiohet , vlersohet dhe nderohet nga të gjithë shqiptarët me fëtyrë nga perendimi…

NJË CURRICULUM I VOGËL PËR FAIK KONICËN E MADH   

Siç është  bërë  zakon atij  që  perkujtohet  i  bëhet  edhe  një  Curriculum-Vitae (jetëshkrim). Megjithse  kolosi i mendimit e veprimit  Faik  Konica  nuk ka nevojë per një gjë  të till , unë mendova t’a  bëjë këtë “adet” të kahmotshëm..:  Faik  Konica  ka lindur me15 mars të vitit 1875 në Konicë të Çamerisë së Shqiperisë Etnike (sot nën  Greqi). Familja ku lindi ishte  një derë bejleresh që ndër mote ishte “pershtatur” ekonomikisht nën pushtuesin turko-osman , por që kishte  arritur të ruante atdhedashurin për Shqiperinë – Skenderbegëjane dhe Europiane.. Ishte pikrisht  kjo  traditë  familjare-shqiptare , që beri  të mundur që bejlerët e Konices , inteligjentin e vogël (Faikun) , mbasi kishte  perfunduar shkelqyeshem shkollimin fillor në Konicë ,ta dergonin   të shkollohej  më tej në Shkodër , në një shkollë  Kristiane (jezuito-Franceskane), ku  mësohej e propogandohej shqiptarisht, në gjuhen latine dhe kulturen  Europerendimore…        Faik  Konica vijoj shkollim e tij në Kostandinopoj (Stambollë) , në Paris (Francë) për  filozofi , e deri u diplomua  për  letersi  në Universitetin e Harvardit (SHBA)  me medalje ari.. Faik  Konica për asnjë  moment nuk  kishte  harruar se  kush  ishte dhe  nga vinte , ndaj që në moshë të re  Ai  ja  kishte  kushtuar jetën dhe vepren levizjes kombetare shqiptare për një Shqiperi me të drejta të plota , të lirë dhe të  pavarur në mes kombeve të tjera europiane , ku siç thoshte vazhdimisht Konica e kemi vendin të parët… Disa  nga veprat e veprimtaria e Konicës janë:  ‘Broshura’, “Shqiperia dhe turqit” -1895  , Revista “Albania” 1897-1909 (Bruksel) –(Londer), e cila njihet si një  enciklopedi e vertet ,ku mbizotronte  propogandimi i programit të levizjes kombetare të rilindjes  shqiptare. Pas vitit 1909 ,kur mbyllet  revista “Albania” Faik Konica i ftuar  nga  atdhetaret  shqiptarë  në Amerikë (SHBA) ,shkon atje me deshirë dhe drejton  gazeten “Dielli”, dhe më vonë edhe gazeten  “Trumpeta e Krujes”, që për vet titullin kuptohet se i bënte  jehonë kohës së lavdishme të Arberisë së Gjergj  Kastriotit, që kishte qënë e lavdishme edhe për vetë fatet e Europes të atyre moteve të liga… Me themelimin e Federates panshqiptare “VATRA”  me 1912 , zgjidhet  sekretar i pergjithshem i saj , por edhe do të shquhej për drejtimin dhe  shkrimet e tij në gazetë “Dielli” plotë zjarrë të pashuar atdhedashurie , që kishte lindur në tempullin e lirisë e demokracisë botërore (SHBA)… Faik  Konica  së bashku  me veprimtarin (tjeter) të Vatrës, Fan  Nolin do të shkonin  në Londer  në vitin 1913 për mbrojtjen e çeshtjes  kombëtare shqiptare në Konferencen  e Ambasadorëve.  Po këtë vitë (1913) Faik  Konica do t’u  bënte protagonist  në Kongresin shqiptarë  të  Triestes , Kongres  që u mblodh per të kundershtuar coptimin e Shqiperisë nga disa fuqi Europiane të kohes, në  favor të fqinjeve shoven… Faik Konica  u zgjodh kryetar i ketij  kongresi… Vlenë të cilësohet se me datën 7 mars 1914 priti Princ Vidin i veshur me fustanellë të bardhë deri te gjunjët, xhokën e zezë krahëve dhe këpucët allafrënga. Ai shkelqeu në veprimtarinë e tij diplomatike si gjatë luftes së parë botërore e  më pas . Me ketë rastë vlenë të veçohet veprimtaria diplomatike e Konicës në Itali, Zvicerr , Austri etjerë.. Në vitin 1921 Faik  Konica do të kthehej në SHBA dhe do të zgjidhej kryetar i  Federatës panshqiptare “Vatra”, gjithashtu do të vijonte me shkrimet e tij  brilante te  gazeta “Dielli” ,”Shqiptari i Amerikes” etj.. Faik  Konica njihej si një poliglot i rrallë , ai zotronte shumë gjuhë të huaja , si gjuhen turke, arabe , greke, franceze , italiane , angleze e tjer , por ai njihte edhe shumë dialekte të ketyre gjuhëve.. Faik  Konica ishte një njohes i shkelqyer  kultures , arteve, muzikes (i binte mrekullisht vet pianos), letersisë dhe historisë. Një shembull domethënës është ai kur Konica takohet me ministrin e jashtem Anglez , i cili mendonte se shqiptaret janë të pa kulturuar, ndaj  takimin me Konicen e kishte  pritur me skepticizem. Por  kur  Konica i tha atij me çfarë dialekti Anglez deshiron të flasim ai  u çudit , por kjo çudi nuk mbaroi me kaq pasi  Konica  filloi ti flasë atij per  kulturen dhe autoret e dores “parë” ,”dytë” e të “tretë” Britanikë dhe Europianë. Atëherë ministri i jashtem anglez i zënë në befasi i tha Konices , tani e mbrapa, kur të kerkosh të prezantosh  Shqiperinë tënde nuk ke nevojë të flasësh  gjatë , veçse  ti  thuash se Shqiperia jamë unë… F.Konica për  shkallen e lartë të  njohjes së kultures, letersisë  dhe artit është “etiketuar”  “Biblioteka  levizëse”.. Faik  Konica ka një veprimtari të dokumentuar si prozator , poet , publicist , estetist , kritik letrar , perkthyes , historian , politikan e diplomat… Madje Faik Konica shquhet edhe për një sarkazëm therëse me të cilën shprehte pikpamjet e tij të papajtueshme kundrejt naivitetit të bashkatdhetarëve e kundrejt shumë tabuve të kulturës dhe historisë shqiptare, përhapi një fllad të freskët në kopshtin e letrave shqipe. (Robert Elsie; Fjalori historik i Shqipërisë, fq.330, Sh.B.Eugen, Tiranë 2011). Konica  ndonse  jetonte larg Shqiperisë ai jetonte në çdo  moment  me hallet e problemet e saj.  Ai ishte mbështetës i çdo  veprimtarie që i sherbente prosperitet dhe  zhvillimit , siç ishte  kretikues dhe fshikullues i  rreptë i çdo gjeje që nuk i sherbente Shqiperisë. Konica ishte mik i Nolit  dhe i At Gjergj Fishtes . Ai ishte  kundershtarë, por edhe mbeshtetes i Ahmet  Zogut, kur i sherbente Shqiptarisë… Faik   Konica është modeli “absolut” i  një perfaqesuesi diplomatik të vendit tonë . Kjo  vertetohet saktesisht  nga dokumentacioni i  trashiguar kur  Konica ishte ambasador  i  Shqiperisë  në SHBA….Vepra e tij tashma gjindet në arkiva, biblioteka , në koleksione revistash , gazetash , në botime librash etjer… Pas rënies së regjimit komunist, në vitet e pluralizmit janë botuar disa vepra që përmbledhin veprimtarinë letrare-publicistike, historike, kritike, Esse e filozofike të Faik Konicës, ku tre nga këta vepra unë i kam në bibliotekën time si: “1”.Ç’është Liria-Tiranë 2005. “2”.Doktor Gjilpëra, Katër përrallat. Shqipëria si mu duk.-Sh.b. “Naim Frashëri” 2006. “3”.Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore-Reklama, Tiranë 2010. 

Duke dashur  t’a perfundojë këtë kujtesë modeste, unë mendova të risjell disa  rrjeshta nga një shkrim brilant i Konices  i vitit 1913 me titull “Dukja e pergjithshme e Vendit”, (shkrim që vë  ball per ball ëndërrat e  patriotëve shqiptarë me realitetin e asaj kohe…)…:  ”…Njeriu që shkon kohen me ëndërra të pëlqyera  ka frikë të zgjohet.  Dëshira që vendi të lulezojë të bën pak  nga pak të ënderrosh se lulezon. Edhe  largimi i gjatë ta  ngulitë ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen  në një botë të bukur , e cila s’ka trup dhe nuk ndodhet  gjëkundi , veçse në tru të ënderronjësit… Kuptova se kisha arritur në Shqiperi , një vend i bekuar me një mijë bukurira , por i shkelur nga një turmë e cila ushqen një farë urrejtje  kundër bukurisë…”. (Faik Konica … Shqipëria kopshti shkembor i Europes Juglindore ,fq.7-10). 

Filed Under: Opinion

LEZHA LEGJENDARE NDERON MONSINJOR DR. ZEF OROSHIN – KRONIKË

December 14, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceDitën e hënë me 13 dhjetor, 2021 në Sheshin Gjon Pali II, Rruga Faik Konica në Lezhën legjendare, është zbuluar busti i klerikut të njohur, atdhetarit dhe anti-komunistit të shquar të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mons. Dr. Zef Oroshit. Sa simbolike hapësira e zgjedhur nga planifikuesit e këtij projekti, për të vendosur bustin e Mons. Zef Oroshit në atë vend të identifikuar me këta dy emra të mëdhej: njëri i Kishës Katolike Shqiptare dhe tjetri një prej personaliteteve më të njohura të historisë së Shqipërisë. Dom Zefi ishte adhurues i madh i Papa Gjon Palit II dhe kishte respekt edhe për Faik Konicën, gjithashtu, si një patriot e shkrimtar i pashoqtë.

Pasi unë kam shkruar në të kaluarën për vlerat fetare dhe kontributet kombëtare të Dom Zefit – të cilin e kam konsideruar këshilltar dhe besnik timin sa ishte gjallë — këtë kronikë sot po e përgatisë bazuar në materialet që pati mirësinë të m’i dërgonte Dom Nikë Ukgjini, koordinatori dhe motorri, si të thuash, jo vetëm i këtij projekti të rëndësishëm dhe me vlerë, por edhe autor i shumë nismave dhe projekteve të tjera të karakterit kombëtar e fetar.  Disa prej veprave që ekzistojnë sot, falë angazhimit personal të Dom Nikë Ukgjinit, përfshijnë Qendrën e Poetit Dom Ndre Mjeda në Kukël, të vitit 2014. Dom Nika është angazhuar gjithashtu edhe për restaurimin e dy kishave mesjetare të shek. XIII, me gjurmë të afreskeve të cilat gjendeshin në gjendje të mjerueshme. Pastaj, Kishën në Balldren të Lezhës e ka përfunduar në vitin 2019 dhe atë të Pllanës në vitin 2020. Të gjitha këto dhe të tjera vepra, Dom Nika i ka realizuar pa asnjë ndihmë nga shteti shqiptar, por kuptohet janë mundësuar me ndihmën e donatorëve privatë, jashta dhe brenda vendit. Ndër planet e ardhëshëme të Dom Nikës përfshihet një përkujtimore, që siç njofton ai, është në përfundim e sipër, kushtuar gazullorëve gjatë shekujve, në Dajç të Zadrimës, duke filluar nga figurat e rëndësishme të periudhës së Gjergj Kastrioit,  Gjon e Pal Gazulli, diplomatë të Skënderbeut, e deri të Gjon Gazulli i varur nga mbreti Zog në vitin 1927 e deri tek gjuhëtari Dom Nikollë Gazulli, i pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, në famullinë e Shkrelit, në vitin 1946. Ndër planet e ardhëshme të Dom Nikës dhe bashkpuntorëve të tij, përfshihet edhe restaurimi e rindërtimi i Kishës dhe i qelës së Kuvendit të Arbërit.

Sa u përket nismave të  Dom Nikës dhe mbështetësve të tij në fushën e rinovimeve të objekteve fetaro-kulturoro-kombëtare — të rëndësishme për fenë dhe për historinë e Kombit shqiptar — një prej këtyre, pa dyshim, duhet të jetë vepra më e fundit që ai koordinoi, i nxitur sipas tij, nga disa intelektualë të diasporës – e që është vendosja e bustit të Dom Zef Oroshit në Lezhën legjendare, të hënën që kaloi.  Fatkeqësisht, qeveria dhe shteti shqiptar, këto tre dekada, jo vetëm që nuk i ka ndihmuar, por në të kundërtën, ka penguar shpesh restaurimin ose rindërtimin e monumenteve të tilla.  Por, megjithë vështirsitë gjatë procesit të miratimit të vendosjes së bustit të Mons. Oroshit në Lezhë, më në fund, i dashuri dhe i respektuari i gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan, Mons. Zef Oroshi, pas 69 viteve të arratisjes së tij nga Shqipëria,  përjetësohet në atdheun e vetë që aq shumë e ka dashur.

Pa pasur mundësi që në një shkrim si ky të pasqyrohen të gjitha kumtesat që u mbajtën me këtë rast të inaugurimit të bustit të Mons. Dr. Zef Oroshit në Lezhë, po përmendi disa.  Kryetari i Bashkisë Lezhë, Z. Pjerin Ndreu i cili përshëndeti përgjithësisht të pranishmit e shumtë. Fjalën kryesore e mbajti Dom Nikë Ukgjini, ndërsa folën gjithashtu edhe Vitor Gjikola dhe Leonora Laçi.  Kishin dërguar letra urimi edhe përfaqsues të mërgatës, përfshir Z. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork edhe urimin nga Z. Ndue Oroshi, Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve shqiptarë, “Trojet e Arbrit “, nga diaspora. Edhe përfaqsuesi diplomatik i Vatikanit në Shqipëri, i nderuari Luigi Bonazzi, nuk mungoi me urimet e tija me rastin e inugurimit të bustit të Mons. Dr. Zef Oroshit në Lezhë. 

Ndërkohë, Dom Nikë Ukgjini me rastin e zbulimit të bustit të Mons. Zef Oroshit në Lezhë me 13 dhjetor 2021, (që u mbulua nga media vendase dhe nga Zëri i Amerikës, Nderohet monsinjor Zef Oroshi, themeluesi i kishës “Zoja e Shkodrës” (zeriamerikes.com), ndër të tjera, tha se, sot në 109 vjetorin e lindjes, së Mons. Zef Oroshit, si do të ishte ndryshe, veçse një gëzim për të gjithë, kur pas 32 viteve të kalimit të tij në Amshim në qytetin e New Yorkut, nëpërmjet bustit në bronx, përjetësohet në atdheun e tij të dashur, pikërisht, në qytetin e Besëlidhjes në Lezhë, kleriku, intelektuali e atdhetari, Mons. Dr. Zef Oroshi. 

“Nuk është lehtë sot të flitet para kësaj përkujtimoreje, kur kemi parasysh jetën dhe veprën e tij që e kaloi përplot trazira shpirtërorë e fizike” u shpreh Dom Ukgjini dhe shtoi. “Jeta e mundimshme e tij si dhe shumë klerikëve katolikë, kishte filluar që nga koha e kthimit të tij si meshtar i ri nga Roma, në vitin 1940, në Shqipëri, me pas, arratisja e detyrueshme në vitin 1952, për në Jugosllavi, për shkak se mortja e zezë e kishte kapluar gjithë Shqipërinë e në veçanti me persekutimet e klerit katolik në mënyrë të pa mëshirëshme. Gjatë qëndrimit në mes refugjatëve në Itali, nga viti 1954-1960, edhe pse tani e kishte lirinë fizike, brengosjen e mbante në zëmër për Shqipërinë e robëruar nga bolshevizmi komunist. Po kështu shqetësimet dhe dhimbja shpirtërore e përcollën jetën e tij edhe gjatë veprimtarisë në mes emigrantëve shqiptare në Amerikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, për t’i mbajtur shqiptarët të bashkuar dhe të mbrojtur nga asimilimi, Oroshi, do zhvillonte aktivitete të shumta, fetare, kulturore e atdhetare, në Kishë dhe në tribuna të ndryshme kudoqë shqiptarët bashkoheshin. Edhe pse qe i vëzhguar nga sigurimi i shtetit ateist shqiptar, ai kundër sistemit komunist fliste shpesh me mikun e tij Fan Nolin dhe shkruante kudo në shtypin e diasporës shqiptare në SHBA dhe Europë.  Forca, madhështia dhe serioziteti i fjalës së tij, dituria e gjerë dhe e thellë, bënte që ai të gëzonte gjithnjë respektin dhe admirimin e thellë nga të gjithë shqiptaret, pa dallim besimi e ndarje politike”, ka thenë Dom Nikë Ukgjini.

“Ngritja e këtij busti”, u tha të pranishëmve, intelektuali i Lezhës, Vitor Gjikola, “është vlerësim dhe homazh për klerikët e familjet e tyre, që përjetuan kalvarin dramatik të burgimeve, internimeve e persekutimeve, pa fund.  Nderim për jetë veprës së Monsinjor Zef Oroshit, klerikut, atdhetarit e dijetarit të shquar!  Zoti e bekoftë veprën e tij!  Respekt e mirënjohje për familiarët e tij, për qëndresën e tyre heroike ndaj dhunës e persekucionit të diktaturës komuniste”, u shpreh Vitor Gjikola, duke falënderuar  Bashkinë e Lezhës dhe biznesmenin Martin Lleshi, që bënë të mundur ngritjen e bustit.

Dom Nika falënderoi me këtë rast të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij projekti, përfshir, “Kryetarin Bashkisë së Lezhës, një dashamirësi i thekshëm i kulturës, z. Pjerin Ndreu”, siç tha ai, “për dhënien e lejës së ndërtimit;  prefektin fjalëmirë, Gjokë Jaku; pronarin e Restorantit Milenium, vullnetmirin, Martin Lleshi; biografin e Oroshit, atdhetarin, Tomë Mrijaj nga Nju Jorku; skulptorin e bustit Sadik Spahia, dhe ata që e mundësuan gjithë këtë vepër, shtoi Ukgjini.  Dy djemtë e vëllezërve të Mons. Oroshit: Gjon e Nikollë Prendi me djemtë e nipat e tyre. Ta gëzojmë këtë vepër më vlera kombëtare, përfundoi përshëndetjen e rastit, Ukgjini në zbulimin e bustit të Dom Zef Oroshit në Lezhë, të henën që kaloi.

Një falënderim i veçantë për këtë vepër të  shklqyeshme prej të gjithë neve — brenda dhe jashtë Shqipërisë — që e kemi njohur dhe bashkpunuar për vite me Mons. Zef Oroshin – i shkon, sidomos, Dom Nikë Ukgjinit të palodhëshëm, siç u shpreh edhe intelektuali Z. Gjikola, “për përkushtimin e lartë të tij, si për çdo punë që ai merr për sipër dhe i shkëlqen!”

Ad multos Annos, Dom Nikë Ukgjini. Zoti të faltë jetë e shëndet!

Frank Shkreli

—————————————————————————————————-

                                     URIM DHE PËRSHËNDETJE ME RASTIN E

                      VENDOSJES SË BUSTIT TË MONSINJOR DR. ZEF OROSHIT 

                                        NË LEZHËN E GJERGJ KASTRIOTIT 

                                                    Nga Frank Shkreli

 I dashur Dom Nikë Ukgjini dhe pjesëmarrës të respektuar në këtë ngjarje historike për të nderuar Mons. Dr Zef Oroshin i shpallur si, “I denjë për t’u përmendur për punë të mira…”, nga Papa Pali VI –24 Janar, 1974. 

Me pa mundësi t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së Dom Nikës, ju dërgoj të gjithë ju urimet dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta për këtë akt fetar dhe kombëtar – për nderimin që po i bëni dhe për respektin që po tregoni ndaj një të madhi të diasporës shqiptare dhe kombit shqiptar – Mons. Dr Zef Oroshit. Me vendosjen e bustit të tij në Lezhën e besës së Kastriotit, ju po nderoni një shqiptar dhe klerik të madh, por po nderoni edhe veten. U lumtë për realizimin e kësaj vepre fetaro-kombëtare.

Mons. Dr Zef Oroshi, gjatë gjithë jetës së tij në mërgim por edhe në Atdhe — prej ku u detyrua të arratisej nga murtaja komuniste që e ndiqte hap pas hapi për ta kapur të gjallë ose të vdekur. Megjithëkëte, ai i qëndroi besnik të Madhit Zot, Kishës Katolike Shqiptare, Atdheut tonë të dashur Shqipërisë, si dhe idealeve dhe parimeve të shënjta të lirisë dhe demokracisë. 

Lajmi për Vendosjen e bustit të Monsinjor Dr. Zef Oroshit në Lezhë sjellë kënaqësi të madhe — jo vetëm për Famullinë Zoja e Këshillit të Mirë që ai ka themeluar në Nju Jork, (sot Kisha Zoja e Shkodrës) – por edhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, pa dallim feje a krahine. 

Me respekt dhe admirim për të gjithë ju, po dërgoj urimet dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, si një ish-bashkpuntor i ngusht i të dashurit tonë të përbashkët, Mons. Dr. Zef Oroshit, këshilltar dhe besnik i imi ndër vite. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij në Atdhe, të cilin e donte aq shumë por dhe këtu në mërgim – në Amerikën tonë të dashur — ku Dom Zefi kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij. U lumtë dhe Zoti u bekoftë të gjithëve!

Përzemërsisht,

Frank Shkreli

                                                    Fotot nga ceremonia

A picture containing text, person, people, outdoor

Description automatically generated

                          Dom Nikë Ukgjini duke mbajtur fjalën e rastit

A group of people standing around a statue

Description automatically generated with medium confidence

              Dom Nikë Ukgjini me skulptorin Sadik Spahia, realizuesin e bustit të Mons. Dr. Zef         Edhe revista Jeta Katolike      

A group of people posing for a photo

Description automatically generated

12 Janar, 1974, Hoteli McAlpin, Manhattan Nju Jork –Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane shtroi një darkë madhështore me rastin e inaugurimit zyrtar të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë. 

A person wearing a hat

Description automatically generated with low confidence

(Autori), pjesëmarrës në protestën para OKB-së, 1973 me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. 

See the source image

Filed Under: Opinion

PROCESI PËR GJETJEN E TË ZHDUKURVE GJATË REGJIMIT KOMUNIST DHE INTERPRETIMI I KORNIZËS LIGJORE NË SHQIPËRI

December 14, 2021 by s p

Dr. Celo Hoxha

Regjimi komunist la shumë plagë në trupin e shoqërisë shqiptare. Në një shoqëri, e cila e ka mallkim të rëndë shprehjen “Të humbtë varri!”, besoj se mosgjetja e varreve të qindra personave të ekzekutuar ose të vdekur në burg është plaga më e madhe.Pas rënies së regjimit komunist, njerëzit kanë bërë përpjeket e tyre dhe një numër i madh i varreve janë gjetur. Referuar statistikave ekzistuese, për gjetjen e varreve, rreth 10% mund të kenë mbetur pa zbuluar ende. Mirëpo, vitet e fundit është rritur vëmendja e institucioneve dhe organizatave jo qeveritare, shqiptare ose të huaja, për kërkimin e një kategorie njerëzish të dëmtuar nga regjimi komunist, për të cilët mungojnë të dhënat. Kjo kategori quhet “të zhdukurit”.Në këtë ligjëratë do të mundohem të trajtoj konceptin ligjor për të zhdukurit, varret masive, mënyrën e varrimit të të ekzekutuarve dhe atyre që vdisnin në burgje, të dhënat për zhvarrimet pas rënies së regjimit komunist, dhe disa konsiderata e rekomandime.Ligjet e drejtësisë transitore dhe të zhdukuritLigjet e drejtësisë transitore, të cilat përkufizojnë llojet e persekutimit, nuk kanë përkufizim specifik për persona të humbur gjatë regjimit komunist. Kategoritë e personave që konsiderohen të persektuar politikisht gjatë regjimit komunist janë përkufizuar në ligjin nr. 7748, 29 korrik 1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, dhe janë:1. Persona që kanë humbur jetën ose janë të sëmurë psiqik për shkak të përndjekjes. 2. Persona që janë dënuar me heqje lirie ose kanë qëndruar në arrati brenda vendit për shkak të përndjekjes. 3. Persona që janë dënuar me internim ose dëbim për shkak të përndjekjes; persona shqiptarë që kanë pasur shtetësi të huaj, sot shtetas shqiptar, e që kanë jetuar në kampe përqendrimi, të ngritura posaçërisht për ta. 4. Persona që kanë humbur të drejtat qytetare, kulakët e fshatit, të deklasuarit dhe, ata, që kanë pësuar privime të llojeve të ndryshme për shkak të përndjekjes.Ky është ligji kryesor që bën përkufizimin e kategorive të persekutimit. Zhdukja e personit nuk njihet si kategori. Personat e zhdukur, përkufizimi ligjorDeri vitin e kaluar nuk ka pasur përkufizim për të zhdukurit në komunizëm. Koncepti për të zhdukurit është përdorur për herë të parë në ligjin nr. 45/2015, ku përmendet 18 herë. Personi i zhdukur, i përmendur në këtë ligj, përkufizohej sipas Kodit Civil. Ky koncept ishte futur në ligjin nr. 45/2015, për të lehtësuar punën e AIDSSH, nëse ndokush interesohej pranë atij institucioni për “ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur”. Referenca për përkufizimin e Kodit Civil u hoq dhe, më 29 korrik 2020, me ligji nr. 114/2020, u miratua një përkufizim i ri, në përputhje me fushën e veprimit të ligjit nr. 45/2015:“Person i zhdukur”, sipas fushës së veprimit të këtij ligji, është personi i arrestuar, i burgosur, i rrëmbyer, ose të cilit i është hequr liria në çdo formë tjetër nga agjentë të shtetit apo nga persona të tjerë a grupe personash, që kanë vepruar me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit, pasuar nga mohimi i pranimit të heqjes së lirisë ose nga fshehja e fatit të personit të zhdukur, a e vendit ku gjendet ai, duke e shkëputur nga mbrojtja e ligjit.” Referuar këtij përkufizimi, duhet të plotësohen dy kushte, që një person të konsiderohet i humbur:1. Personi duhet të jetë arrestuar, burgosur, rrëmbyer ose t’i jetë hequr liria në forma të tjera, nga agjentë të shtetit apo nga persona të tjerë a grupe personash, të cilët kanë vepruar me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit.2. Agjentët e shtetit, ose personat e tjerë, apo grupet e personave, të cilët kanë vepruar me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit, duhet ta kenë mohuar faktin që kanë arrestuar personin, që e kanë burgosur, rrëmbyer, ose që i kanë hequr lirinë në forma të tjera.Përkufizimi është i qartë. Çdo person që është ekzektuar me gjyq, ose që është vrarë pa gjyq, por që ekziston i pasqyruar në raporte apo dokumente të tjera zyrtare, çdo person i burgosur, i internuar, apo që i është kufizuar liria në forma të tjera, me procedurë ligjore apo administrative, nuk përmbush kushtet për t’u klasifikuar ligjërisht si person i humbur. Institucioni apo personi që ka vepruar me miratimin e shtetit, me lëshimin e dokumentit e ka pranuar aktin. Dokumenti është pohim dhe, në këtë rast, nuk plotësohet kushti i dytë i përkufizimit të zhdukjes (mohimi).Si kanë punuar, pa përkufizim ligjor, institucionet dhe organizatat që pretendojnë se kërkojnë personat e zhdukur prej vitesh, nuk e kuptoj. Ajo që mund të them është, se të punosh pa një përkufizim të tillë do të thotë kërkosh një objekt që nuk i di as formën, as ngjyrën, as aromën, as përmasat – d.m.th të kërkosh diçka të paidentifikueshme.Varret masiveNë dijeninë time, në Shqipëri nuk ka varre masive të zhdukurish nga regjimi komunist. Mund të ketë, nuk e përjashtoj si mundësi, por deri tani nuk rezulton të jetë zbuluar ndonjë i tillë. Në një raport të ICMP (International Commission on Mising Persons), 2 mars 2021, thuhet se ICMP ka synuar gërmimin në dy varreza masive “të njohura”, në Dajt dhe në Ballsh. Të njohur, nga kush? Në të folmen e përditshme mund të thuhet se, në Dajt e në Ballsh ka varre masive, por jo në raporte të institucioneve apo organizatave të specializuara. Varr masiv mund të quhet një territor i njohur si i tillë nga institucione me autoritetin ligjor dhe ekspertizën e nevojshme, për ta bërë një gjë të tillë.Për Dajtin, di që ishte vend pushkatimi dhe që janë tërhequr eshtra që viti 1992. Nuk besoj se, kanë mbetur shumë pa u gjetur. Sa i përket Ballshit, bëhet fjalë për varrezat e ish-kampit të riedukimit (kamp pune). Aty ka një varrezë, jo një varr masiv. Është shumë me rëndësi të bëhet ky dallim.Varreza masive të të ekzekutuarve (jo të zhdukurve) ka pasur, janë gjetur, dhe mund të ketë të tjerë. Një rast është varri i 22 të ekzekutuarve, më 26 shkurt 1951. Ata ishin varrosur në një gropë, u zhvarrosën më vonë, dhe janë rivarrosur, sërish në një varr masiv, për shkak të pamundësisë për të identifikuar eshtrat, në Varrezat e Dëshmorëve, në Tiranë. Këta persona, dhe shumë tjerë, nuk janë të zhdukur. Të vdekurit në burg dhe të ekzekutuaritGjatë regjimit komunist, të vdekurit në burgje dhe të ekzekutuarit, bazuar në dokumente arkivore, të botuara, varroseshin në vende të caktuara. Për varrimin e tyre mbahej një regjistër i veçantë, i cili, kur mbushej dërgohej në arkiv. Afati i ruajtjes ishte i përhershëm, prandaj ato regjistra, ose një pjesë e tyre, duhet të jenë diku.Regjistri mbahej në tre vende: repartet e riedukimit, burgje dhe Degën e Zbatimit të Vendimeve Penale. Në shtyllën nr. 16, të regjistrit, ishte e detyrueshme të shënohej: emri apo vendi i varrezave, parcela, rreshti, dhe nr. i varrit. Në regjistër shënohej gjithashtu mënyra e vdekjes; vdekje ose ekzekutim. Për ekzekutimet shënohej data e ekzekutimit dhe numri e data, e shkresës. Veç kësaj, shënohej dhe data e njoftimit të familjarëve, i cili bëhej përgjithësisht me telegram. Për të vdekurit në burgje, kjo procedurë vërtetohet nga dokumente të botuara. Burgu i Spaçit i varroste të vdekurit në Shpal, Mirditë. Për burgun e Qafë Barit, nuk e di emrin e vendit të varrimit, por ekzistenca e tij vërtetohet me një fletë nga regjistri i të vdekurve, e botuar. Në periudhën tetor 1983 – maj 1986, në Qafë Bari vdiqën 8 të burgosur. Me sa kam mësuar në rrugë informale, me përjashtim të njërit, eshtrat e tyre janë marrë nga familjarët.Eshtrat e vdekurve në burg janë identifikuar nga emri i gjetur në një shishe të futur në varr, bashkë me kufomën. Por, ka dokumente, që vërtetojnë se dhe të ekzekutuarve u është futur shishja e identifikimit në varr. Kjo është e vërtetuar, në rastin e gjetjes së eshtrave të Sokol Sokolit, i ekzekutuar bashkë me Tom Ndojën, në Shkodër. Edhe në varrin e Ndojës u gjet shishja, por ishte e hapur dhe letra, me sa kuptohej, ishte kalbur.Të burgosurit që kanë vdekur në spital varroseshin në varrezat e qytetit ku ishte spitali. Nga informacioni që kam, të burgosurit shtroheshin vetëm në Tiranë, dhe, për rrjedhojë, të burgosurit e vdekur në spital, të paktën pas vitit 1960, duhet të jenë në varrezat e Tiranës, jo në parcelë të veçantë. Për një rast, e di nga dëshmitarët, një person e konsideronte të humbur xhaxhain e vdekur në burg. Kur i tregoi një personi tjetër, ai e mori dhe së bashku shkuan në Tufinë. U interesuan te administrata e varrezave dhe, në pak minuta, e gjetën varrin e xhaxhait “të humbur”.Personat, e ekzekutuar dhe të vdekur, të varrosur me procedurën e mësipërme, nuk mund të konsiderohen persona të humbur. Mes tyre ka që nuk u janë gjetur varret, por humbja e varrit nuk i kualifikon ata, si persona të zhdukur në kuptimin juridik të këtij koncepti.Kërkimi për personat e zhdukur dhe prokuroriaSipas raportit të 2 marsit 2021, ICMP ka kërkuar leje nga prokuroria për gërmim në Dajt dhe Ballsh, por ajo nuk ka dhënë leje. ICMP thotë, në raport, se prokuroria nuk është përfshirë me justifikimin se nuk ka pasur buxhet për ekspertët që do të përfshiheshin në proces.Në një prononcim publik të një përfaqësuesi të prokurorisë nuk jepet mungesa e fondeve, si arsye e mosveprimit të prokurorisë, por mangësitë ligjore të procesit. Sipas Sokol Stojanit, drejtor për Bashkëpunimin Institucional pranë Prokurorisë të Përgjithshme, i cili ka folur për BIRN, “zhdukja me forcë në kuptim të konventës dhe Kodit Penal ka kuptimin e marrjes me forcë nga autoritetet shtetërore dhe mohohet fakti i vendndodhjes së tyre. Pra, ka kuptim të ndryshëm nga mostregimi i varrit, ku prehet personi i dënuar me vdekje apo i vdekur gjatë fazës së vuajtjes së dënimit. Identifikimi i vendndodhjes dhe procedurat e gjetjes së eshtrave, në kuptim të marrëveshjes me ICPM dhe ligjeve tona, janë hetime administrative.”Kjo do të thotë se, procedura e kryer nga ICMP dhe bashkëpunëtorët e tij nuk përmbush standartet juridike të kërkuara për të zhdukurit, që të justifikojë përfshirjen e prokurorisë.Fajësimi i prokurorisë duket si një alibi për të justifikuar mosgjetjen e eshtrave të personave të supozuar të zhdukur. Raporti i ICMP, 2 mars 2021Në raportin e ICMP, thuhet se numri i të zhdukurve gjatë regjimit komunist në Shqipëri llogaritet rreth 6000 persona. Kjo shifër jepet pa referencë të ndonjë burimi zyrtar. Në vijim, ICMP thotë se, 5501 persona u dënuan dhe u ekzekutuan për arsye politike në periudhën 1944-1991, dhe se eshtrat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjes. Në të njëjtën periudhë, sipas ICMP, duke iu referuar të dhënave zyrtare, 987 perosna kanë vdekur në burg, familjarët e të cilëve nuk dinë gjë për varret e tyre.Këtu duhen bërë një qartësim: 1) të ekzekutuarit dhe të vdekurit në burgje nuk klasifikohen si të zhdukur, në kuptimin ligjor të konceptit, 2) varret e një pjese të tyre janë gjetur. Nuk mund të them, me saktësi, pse ICMP i ka prezantuar këto shifra jashtë standardeve ligjore me të cilat punon, të cilat gjenden të publikuara në faqen zyrtare të ICMP. Nëse informacioni është prezantuar në mënyrë që të zmadhojë objektin e punës së ICMP, atëherë ICMP ka treguar standard profesionalizmi të ulët. Deri në dhjetor 2020, IIPP (Instituti Integrimit të ish-të Përncjekurve Politikë) ka regjistruar 643 kërkesa nga familjarë që kërkojnë eshtrat e të afërmëve të tyre. Këto kërkesa janë grumbulluar në periudhën 2014-2020.Artimetikë e thjeshtë: (5501 të ekzekutuar + 987 të vdekur në burgje) – 643 aplikime për gjetjen e eshtrave = 6424 persona, eshtrat e të cilëve, ose janë gjetur, ose familjarët nuk kanë treguar interes. Përgjatë viteve janë bërë gërmime dhe janë gjetur eshtrat e shumë personave, por nuk mund të krijojmë statistika bazuar në deduksione logjike.Kjo çështje kërkon hetime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse varret e të ekzekutuarve të tjerë ose të vdekurve në burgje janë gjetur apo, thjesht, familjarët nuk kanë treguar interes. ICMP dhe ISKKTani mund të them me një farë autoriteti se, ICMP e përcjell informacionin në mënyrë spekulative, në shërbim të qëllimeve të veta dhe jo të vërtetës. ICMP i kushton Instiutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) një paragraf, në raportin e vet, me përmbajtjen e të cilit nuk pajtohem. Në raport thuhet se, ISKK nuk mban të dhëna të ndara për personat e zhdukur, pa shpjegime të mëtejshme, duke e përcjellë konstatimin e tij si të metë të ISKK.Gjej rastin t’i informoj përfaqësuesit e ICMP në Shqipëri se: 1. ISKK “analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit.” Krimet që dokumenton ISKK janë përkufizuar në ligjin nr. 7514, 30 shtator 1991, dhe, bazuar në atë ligj, janë përcaktuar kategoritë e persekutimit nga ligji nr. 7748, 29 korrik 1993. Pohimi negativ i raportit të ICMP është krijuar bazuar në pritshmërinë e ICMP dhe jo në realitet. 2. ISKK nuk krijon statistika bazuar në një realitet imagjinar. 3. Shumica e 6000 emrave, që ICMP pretendon se janë zhdukur në Shqipëri, janë të identifikuar si viktima të regjimit komunist, në 10 vëllimet e Enciklopedisë së Viktimave të Terrorit Komunist, që ISKK e boton prej vitit 2012. Në Enciklopedi, por dhe botime të tjera, është shënuar, aty ku kemi pasur informacion, që x person nuk ka varr, nuk i është gjetur varri, ose i ka humbur varri, etj.. ICMP, nëse është i interesuar, mund ta gjejë këtë vepër monumentale në çdo blibliotekë të Shqipërisë.Në raportin e ICMP thuhet, gjithashtu, se ISKK nuk ka bashkëpunim zyrtar për çështjen e të zhdukurve me IIPP. ICMP bën një konstatim për të përcjellë negativitet, në dëm të ISKK, duke përdorur informacion të panevojshëm. Që ISKK të ketë bashkëpunim zyrtar për çështjen e të zhdukurve me IIPP, duhet që ligji ta parashikojë një gjë të tillë. Ligji nr. 10242, i cili përkufizon fushën e veprimit të ISKK, nuk parashikon gjë për këtë çështje. Veç kësaj, nëse ICMP vërtetë mendon se, këto dy institucione duhet të kenë bashkëpunim zyrtar, ky shqetësim nuk gjen shprehje në rekomandimet e ICMP për Kuvendin e Shqipërisë që shoqërojnë raportin.Sa i përket bashkëpunimit të ISKK me IIPP, për çështje me interes për të dy institucionet, mund të them se është i shkëlqyer. ICMP mund ta verifikojë këtë duke shfletuar disa vëllime të Enciklopedisë, ku gjendet një falenderim për IIPP. Po përmend këtë fakt, që është lehtësisht i verifikueshëm, por ne kemi zhvilluar vazhdimisht aktivitete të përbashkëta. Aktiviteti i përbashkët, më i fundit, ishte përurimi i librit të Islam Spahisë, ish-i burgosur politik, botim i ISKK, në verën e këtij viti. Bashkëpunimi, më i fundit, ka qenë shkëmbi i informacionit pikërisht për përgatitjen e këtij materiali.Rekomandimet e ICMPRaporti i ICMP, mbyllet me shtatë rekomandime për institucionet shqiptare. Katër prej rekomandimeve synojnë rritjen e rolit të Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AAIDSSH), në kërkimin e të zhdukurve, për të cilët, deri tani nuk ka statistika zyrtare. E thënë në mënyrë të përmbledhur: ICMP kërkon që të mbyllet Sektori për Gjetjen e të Zhdukurve pranë IIPP dhe të hapet pranë AIDSSH. ICMP nuk jep argumente pse duhet bërë ky transferim.Nga rekomandimet e ICMP, mësohet se AIDSSH është përfshirë në proces, pa bazë ligjore. Ligji nr. 114/2020, parashikon që qeveria të nxjerrë aktet nënligjore për të rregulluar punën e AIDSSH. Kjo do të thotë përcaktim procedure, fonde dhe personel. Deri në 2 mars 2021, aktet nënligjore nuk kishin dalë. Përfshirja e AIDSSH në proces, pa aktet nënligjore, është bërë në dëm atij institucioni, sepse ka angazhuar personel dhe fonde, të parashikuara për gjëra të tjera.Veç kësaj, roli protagonist i AIDSSH në çështjen e të zhdukurve ka qenë shumë më i ekzagjeruar se parashikimi ligjor. Amendimet ligjore të 29 korrik 2020, nuk e ndryshuan fushën e veprimit të AIDSSH, pra, ajo është e kufizuar me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ajo që parashikon ligji nr. 45/2015, i ndryshuar, neni 22/1, është rol bashkëpunimi i AIDSSH me institucione të tjera, qendrore ose vendore, është rol ndihmës. Ky anagazhim, nëse ligji lexohet mirë, duhet të jetë brenda parashikimeve të nenit 10, të atij ligji. Kjo do të thotë që AIDSSH mund të ndihmojë me informacion, që mund të gjendet në arkivin që ajo ka nën administrim, përndryshe del nga fusha e veprimit parashikuar në ligj (neni 10). Veç kësaj, ky ligj nuk parashikon bashkëpunim të AIDSSH me institucione të huaja për çështjen e të zhdukurve.Përfundime• Çështja e të zhdukurve, në kuptimin korrekt ligjor, është një narrativë pa substancë. Mungojnë të dhënat me vlerë juridike që vërtetojnë ekzistencën e personave të zhdukur. • Humbja e varrit të një personi dhe zhdukja e personit, janë dy gjëra të ndryshme. Deri tani, nuk është bërë ky dallim. Përdorimi i shifrës 6000, si persona të zhdukur, ose si persona që nuk u është gjetur varri, është i gabuar, në mos abuzim.• Shifra e personave të ekzekutuar ose të vdekur në burgje, të cilëve nuk u është gjetur ende varri, është 10 herë më vogël nga ajo që paraqet ICMP, AIDSSH, etj.. • Udhëzuesi i AIDSSH, “Për të drejtat e familjarëve të personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist”, synon të ndihmojë familjarët e një kategorie imagjinare, deri tani.• Të drejtat e familjarëve të personave që janë ekzekutuar, ose kanë vdekur në burg, janë parashikuar nga ligjet e drejtësisë transitore: ligji për amnistinë, ligji për statusin e persekutimit, ligji për dëmshpërblimin, etj..Rekomandime: • Institucionet duhet ta përdorin me korrektësi konceptin juridik “person i zhdukur”. Ky neglizhim është shfrytëzuar për të krijuar narrativa imagjinare. • Duhet rishikuar roli i ICMP. Arritjet e deritanishme kanë qenë ose rezultat i një angazhimi të pasinqertë, ose i një niveli profesional të diskutueshëm. (Konflikti me prokuorinë është i pabazuar. Rekomandimi për transferimin e kompetencave nga IIPP te AIDSSH është i pa argumentuar. Prezantimi i statistikave për të krijuar narrativa pa substancë është i dëmshëm.)• AIDSSH të punojë brenda kornizës ligjore. (Ligji parashikon një rol bashkëpunes me institucione të tjera, për gjetjen e të zhdukurve. Gjetja e eshtrave të të ekzekutuarve, dhe të vdekurve në burgje, nuk përfshihet në këtë fushë të veprimit të AIDSSH.) • AIDSSH duhet të përqëndrohet në kërkimin, në dokumentet e ish-Sigurimit, për çështjen e personave të zhdukur, nëse ka, megjithëse nuk besoj se ka gjëra me rëndësi për këtë çështje. Sidoqftë, ajo është fusha ligjore e veprimit e AIDSSH.• IIPP nuk duhet të mënjanohet nga procesi i identifikimit të personave që nuk kanë varr. (Shumica e statistikave që ekzistojnë janë konstribut i IIPP. Me burime të kufizuara, IIPP ka bërë një punë të lavdërueshme. Rezultatet dhe përvoja, e akumuluar në vite, nuk mund të hidhen në kosh.)• IIPP duhet të saktësojë terminologjinë në dokumentet zyrtare. Të mos përdorë termin “person i zhdukur”, kur bëhet fjalë për personat që nuk kanë varr. (Kjo do t’u hiqte mundësinë aktorëve të interesuar për krijimin e narrativave imagjinare duke iu referuar burimeve “zyrtare”.)• Arkivi i Ministrisë së Brendshme duhet të bëhet funksional. Të pajiset me mjedise pune për kërkuesit, të plotësohet me personel, dhe të jetë i hapur. Aty mund të gjenden dokumentet e nevojshme për zbardhjen përfundimtare të varreve, ende të pagjetura. (Do të ishte ideale për zbardhjen e krimeve të komunizmit, sikur ky arkiv, pjesa 1944-1991, të kalohej nën administrimin e ISKK, meqë është i lidhur ekskluzivisht me objektin e punës së tij.)(Ligjëratë e mbajtur në konferencën “Zhdukjet me forcë dhe të pavullnetshme në kohën e diktaturës dhe të kaluar autoritare, sidhe mjediset bashkëkohore: një vlerësim social, ligjor dhe historik politikave dhe mekanizmave të tranzicionit dhe transformimit”, 13 dhjetor 2021)

Filed Under: Opinion

100-VJET BIBLIOTEKË E KORÇËS

December 13, 2021 by s p

Nga Jorida Tollkuçi/

Çdo komb në jetën e vet ka prodhuar histori që është dëshmitare e vërtetë e gjithë brezave. 

Mirëpo që të trashëgohet historia, ajo duhet shkruar në libra, e më pas librat duhen ruajtur si dëshmi e përpjekjeve për t’i dhënë përgjigje së shkuarës, për të dëshmuar të tashmen dhe për të projektuar të ardhmen.

Gjenia njerëzore krijoi bibliotekat me qëllim që historia e jetës njerëzore të mbetet gjithmonë e shkruar dhe e gjallë. 

Në këtë rrugëtim biblioteka, si institucion kulturor thelbësor eci në rrethana shpesh te vështira të rrjedhës së historisë, por e mbështetur në dëshirën dhe dashurinë e fortë të korçarëve për kulturën, librin dhe dijen.

Një bibliotekë e VATRËS në Korçë

Ditën e shtunë, më 23 korrik të vitit 1921, gazeta “Koha”, më dinjitozja dhe më e lexuara në Shqipëri dhe e botuar në qytetin e Korçës nga patrioti Mihal Grameno shkruante: 

“THIRJE

Federata Vatra e Shqipërisë prej ca muaj më parë kishte vendosur formimin e një Biblioteke Popullore, dhe si u bënë gati gjithë sendet e nevojshme biblioteka u stabilizua në një dhomë prej zyrave të saj, e pajisur me rregulloren e saj, drejtuar nga sekretari i qendrës së Vatrës Z.Miçe Frashëri.”

Kryeartikulli shoqërues titullohej: “NEVOJË E MADHE PËR NJË BIBLIOTEKË BOTORE”. 

Nevoja për një bibliotekë rridhte nga trekëndëshi “shtypshkronjë – botime – bibliotekë” të lidhur me mendimin e formësuar intelektual. Nga ekzistenca e shtypshkrojnës mbështeten botimet të cilat tregojnë pjekurinë e mendimit intelektual të kohës. Themelimi i Bibliotekës shënon një element të rëndësishëm për të dokumentuar mendimin përparimtar, shkrimi i të cilit filloi një dekadë më parë me botimin e gazetës së parë në Korçë, e cila  ishte “Korça”, e vitit 1908, që drejtohej nga Sami Pojani në shtypshkronjën e tij.

Pas kësaj vjen “Lidhja Ortodokse” 1909-1910. Më pas, gazeta “Adriatiku”, që u botua në shtypshkronjën e patriotit Dhori Kotti në vitet 1916-1917. Po ashtu, Mihal Grameno filloi në 1911 botimin e të mirënjohurës ”Koha”, që me disa ndërprerje vazhdoi deri në 1926. Pas kësaj, në vitet 20-30 të shekullit që kaloi në Korçë pati një bum të vërtetë botimesh, ku numëroheshin mbi 15 gazeta.

Federata Panshqiptare Vatra në SHBA 100 vjet më parë, më 20 korrik të vitit 1921, do të ndizte zjarrin e dijes edhe në qytetin e kulturës, duke krijuar “Bibliotekën Popullore  “e para në Shqipëri”, siç do te shkruante përkujdestari i bibliotekës e sekretari i qendrës së Vatrës z. Miçe Frashëri.  Kjo bibliotekë e  pasuruar me botimet e Federatës Vatra e dhurimet e kolonive shqiptare të Misirit, Rumanisë dhe Bullgarisë ishte e vendosur pranë Bashkisë dhe kishte një rregullore të saj. Në vitin 1930 biblioteka transferohet në ndërtesën e re, për të cilën investoi tregtari bamirës z. Thoma Turtulli. 

Për pasurimin e saj ndikuan mjaft patriotë korçarë brenda dhe jashtë vendit. Z. Nikolla Lako, drejtori i parë i bibliotekës, kishte ruajtur me kujdes fondin e librave me tematikë albano-ballkanologjike të Alandro Kastriotit si dhe botimet e veta. Vijuan më tej dhurimet e patriotit Spiro Dine, përfshi edhe botimin original të veprës së Thimi Mitkos, emrin e të cilit biblioteka jonë e mban me krenari, “Mbleta Shqyptare”, vepër monumentale për ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, abetarja e Naum Veqilharxhit. Më tej dhurimet nga patriotët e mërgimit, midis tyre dhe “Historia e Skenderbeut”, botim i vitit 1602, si dhe librat dhe gazetat qe botonte patrioti Dhori Kotti në shtypshkronjën e tij, me botimet bukureshtiane, me bibliotekën personale të historianit, patriotit dhe publicistit Petraq Peppo, dhe shumë dhurime të tjera. 

Në vitin 1975 biblioteka publike e Korçës u transferua në godinën të cilën e projektoi arkitekti Petraq Kolevica. 

Biblioteka e Korçës sot

Në vitin 2017 u hodhën themelet për ndërtimin e një biblioteke moderne në qendër të qytetit, me një fond të pasur dhe të rrallë materialesh albanologjike, letrare, publicistike dhe shkencore, një bibliotekë në evolucion, atje ku trashëgimia bashkëjeton me teknologjinë, ku hapësirat nuk shërbejnë vetëm si salla librash, por të dedikuara për t’u shndërruar në qendra të inovacionit, rekreacionit dhe partneriteteve, duke ndihmuar në përparimin dhe emancipimin e komunitetit, veçanërisht të brezit të ri. 

Në vitin 2021 teknologjia ndryshoi gjithçka. Ne jemi në rrugë e sipër që çdo material që ndodhet në bibliotekë si dhe sherbimet e bibliotekës, në përputhje me ligjet e shtetit dhe të drejtën e autorit,  të automatizohen dhe dixhitalizohen në mënyrë që t’u jepen përdoruesve falas dhe me shpejtësi.

Kështu, bashkë me sfidat e njohura biblioteka prezantohet edhe me një sërë risish:

1. Automatizimi i shërbimeve të brendshme të bibliotekës përmes softit dhe web-it, të financuara nga kompania Vodafone.

2. Krijimi i Bibliotekës Digjitale, digjitalizimi i veprave më të vlefshme në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare.

3. Audiobooks, mundësuar nga kompania e sigurimeve Sigal, për dëgjimin e librave më të mirë audio.

4. Akses falas në burimet elektronike dhe produktet teknologjike të të dhënave të EIFL (informacioni elektronik për bibliotekat).

5. Krijimi i këndit arkivor, i cili ofron shërbimet e dhomës së studimit të të gjitha arkivave që janë nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

6. Projekti Biblio-Tech, në bashkëpunim me UNICEF. Projekti më i ri që do ta lançojmë në ditët në vijim, i cili fokusohet në mësimin digjital, edukimin teknologjik, mjediset inovative për start-up, dhe wi-fi miqësor, që ka të bëjë me mbrojtjen nga materiale të papërshtatshme në internet.

7. Ofrimin e shërbimit online BIBLIOTEKA IME përmes faqes së internetit. Ky shërbim online funksionon në COBISS + dhe mundëson menaxhimin personal të materialeve të bibliotekës falë bashkëpunimit të Bibliotekës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Institutin e Shkencave të Informacionit  IZUM në Slloveni.

8. Dhe një projekt në  vijim që do të jetë funksionimi i bibliotekës si hapësirë informimi përmes Muzeut Virtual nga Universiteti i Biznesit dhe Teknologjisë, i vlefshem  për turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë qytetin e Korçës.

100 vjetori i Bibliotekës së Korçës dhe sfidat tona për të ardhmen

Viti 2021 ka një domethënie të veçantë në lidhje me librat dhe bibliotekën. Festojmë 100-vjetorin e krijimit të bibliotekës, por në të njëjtën kohë kemi çelur dyert e bibliotekës publike moderne, e para e këtij lloji në Shqipëri për t’i dhënë librit vendin e merituar në një botë ku në Shekullin e XXI-të bibliotekat kanë ndryshuar, kanë më tepër se libra, duke iu përshtatur ndryshimeve të teknologjisë ato janë shndërruar në hapësira për aktivitete krijuese dhe transformuese.

Në datë 10 dhjetor 2021 në ambientet e bibliotekës së re u zhvillua ceremonia e 100-vjetorit të themelimit të Bibliotekës së qytetit të Korçës. Për të nderuar jubileun merrnin pjesë personalitete të rëndësishme nga fusha akdemike, e kulturës, punonjës të vjetër të bibliotekës, miq të librit. Në nderim të veprës dhe kontributit të patriotëve dhe për të shpalosur thesaret e kësaj biblioteke u çel ekspozita “Krijimi i bërthamës së Fondit Albanologjik” së bashku me mini-muzeun “Biblioteka në rrjedhën e historisë”, i cili do të zgjerohet në vazhdim me figura të tjera që i kanë shërbyer bibliotekës, figura që kanë kontribuar në pasurimin e saj, punonjës e drejtues të cilët kanë shërbyer me dinjitet dhe profesionalizëm. Në fjalën përshëndetësë kryetari i bashkisë, Z. Sotiraq Filo, u shpreh se biblioteka e shekullit të ri duhet të rimodelojë konceptin e saj për t’i ardhur në ndihmë lexuesve, veçanërisht gjeneratës se re. Ashtu siç e ka zanafillën edhe kjo bibliotekë, u shpreh ai…”që djalëria korçare të lerë kafenetë e t’i drejtohet librit” duket se është aktuale edhe sot. 

Në fjalën përshëndetëse drejtori i Bibliotekës Kombëtare Z. Piro Misha, vlerësoi Bibliotekën “Thimi Mitko” dhe u shpreh se biblioteka e Korçës duhet të jetë shembull frymëzimi për të gjitha bibliotekat e tjera, gjithashtu u shpreh për bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare në të ardhmen.

Ndërsa Z. Agron Alibali, në emër të Federatës Panshqiptare VATRA të Amerikës, të kryesisë së saj, përkatësisht Kryetarit Elmi Berisha, të zv. Kryetarit A. Xhafa, të editorit të Gazetës Dielli, z. Sokol Paja, përcolli përshëndetjet dhe urimet më të ngrohta me rastin e këtij përvjetori historik, edhe në emër të Bibliotekës “Fan S. Noli” në Boston, ose siç e quajmë ndryshe, Biblioteka Noliane, të ngritur nën kujdesin e veçantë të At Artur Liolinit dhe të drejtuar me pasion e përkushtim nga Znj. Neka Doko.

Nuk munguan edhe dhurimet e librave si pjesë e pandarë e bibliotekës në kuadër te 100-vjetorit. Përmendim dhurimet e Bibliotekës Kombëtare, Akademisë së Shkencave, Shtëpia Botuese “Dritëro”,  Federata Vatra, Znj. Natasha Lako, Z. Pëllumb Kulla dhe botimet e Vedat Kokonës. Në përfundim të aktivitetit pjesëmarrësit ndoqën performancën  live muziko-poetike “Dritë Dritëro”, me pjesë të zgjedhura nga krijimtaria poetike e Dritëro Agollit në vargje dhe këngë.

Në këtë përvjetor historik ne jemi mirënjohës për gjithçka kanë bërë vatranët dhe të gjithë qytetarët e Korçës e më gjerë për bibliotekën tonë. Ne mbetemi të hapur për bashkëpunim të ngushtë me Vatrën dhe gjithë diasporën tonë në Boston e më gjerë dhe mirëpresim çdo mbështetje të arsyeshme të tyre për pasurimin e mëtejshëm të fondit, për ofrimin e fjalës së fundit në bibliotekonomi dhe në teknologjinë e informacionit për emancipimin e komunitetit, e veçanërisht për brezin e ri.

Filed Under: Opinion

100 vjetori i Bibliotekës qytetëse të Korçës “Thimi Mitko”

December 13, 2021 by s p

Agron Alibali

FJALA PËRSHËNDETËSE NË EMËR TË FEDERATËS VATRA

Me rastin e 100 vjetorit të Bibliotekës qytetëse të Korçës “Thimi Mitko”.

Korçë, 10 dhjetor 2021

Të nderuar anëtarë, lexues e dashamirës të Bibliotekës “Thimi Mitko” të Korçës

E nderuara Znj. Drejtoreshë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore e vendore,

Z. Drejtor i BKSH, 

I nderuar akademik P. Xhufi,

I nderuar Kryetar i Bashkisë, z. Filo,

Zonja dhe zotërinj

Në emër të Federatës Panshqiptare VATRA të Amerikës, të kryesisë dhe antarësisë së saj, të editorit të Gazetës Dielli, kam nderin dhe privilegjin t’ju përcjell përshëndetjet dhe urimet më të ngrohta me rastin e këtij përvjetori historik.

Gjithashtu, kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj edhe në emër të Bibliotekës “Fan S. Noli” në Boston, ose siç e quajmë ndryshe, Biblioteka Noliane, të ngritur nën kujdesin e veçantë të At Artur Liolinit dhe të drejtuar me pasion e përkushtim nga Znj. Neka Doko.

Jam veçanërisht i emocionuar që po marr pjesë personalisht në këtë përvjetor të rrallë, edhe pse i njoftuar në minutën e fundit, duke përfaqësuar kësisoj Vatrën, federatën tonë historike, si ish anëtar i Bordit të saj.

Sikurse e dini, Korça, zemra e shqiptarisë, dërgoi djemtë dhe vajzat në Amerikë, të cilët për asnjë çast nuk pushuan së menduari për mëmëdhenë. “Mot në mëmëdhe”, ishte urimi që shkëmbenin me njëri-tjetrin ngaherë.

Ato djem dhe vajza, trima e punëtorë, gjetën në Amerikë liritë që u mungonin në atdhe; ata, në udhëheqjen e Nolit, themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare më 1908, një nga shtyllat e shtetit e kombit shqiptar; ata, nën drejtimin e Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Kirkës, Llambi Çitozit, Kristo Floqit, Paskal Aleksit, Elia Tromaras, Kosta Vasilit, më 1912 ngritën Vatrën; në vitet në vijim ata përfaqësuan me dinjitet e përkushtim Shqipërinë e pushtuar gjatë Luftës I Botërore. Banda e Vatrës, vullnetarët vatranë, më 1919-1920 dhanë kontribut unikal në ruajtjen e integritetit e tërësisë territorial të Shqipërisê.

Në fushën e librave ishte Vatra e Faik Konicës që më 1919 financoi botimin e njërës ndër kryeveprat e Norbert Joklit për gjuhësinë shqipe.  Dhe dy vjet më vonë, ishte përsëri Vatra që nisi dhe organizoi themelimin e Bibliotekës së qytetit të Korçës në 1921, me qëllim që “djemtë e vajzat korçare t’i linin kafenetë dhe t’u drejtoheshin librave”.

Me shumë gjasë ideja për ngritjen e një biblioteke qytetëse në Korçën mëmë u lindi vatranëve të Bostonit nisur nga eksperienca e bukur amerikane e bibliotekave vendore në New England e më gjerë, si vatra të dijes e qendra informacioni, të lira, të ngrohta e të hapura për këdo.

Dhe së fundi, si në çdo ditëlindje, vjen koha edhe e dhuratave. 

Në këtë përvjetor historik, duke ju uruar jetë të gjatë në botën e mrekullueshme të librave, në emër të Vatrës dhe Bibliotekës Joniane më lejoni të paraqes edhe dhuratën e posaçme për këtë 100 vjetor.

Së pari, librin “Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati”, që pat fituar Çmimin e Vatrës më 2016, për të cilin, siç mê konfirmoi edhe drejtoresha, nuk gjendet në koleksionin tuaj. Në fakt libri, sa është për Konicën, po aq është edhe për Korçën, për djemtë e vajzat e mbarë këtyre trevave mahnitëse, që erdhën në Amerikë për të bërë histori.

Së dyti, më lejoni t’i referohem fjalës madhore të Nolit me 28 nëntor 1962 në Boston, me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë.  Përmend ai dilemën për zgjidhjen e çështjes shqiptare: me jatagan apo me kalem?.  Thotë Noli i madh: “me kalem natyrisht kuptoj pëndën, kulturën, dijen, shkëncën, logjikën, diplomatinë e paqes, edhe jo kapadaillëkun e jataganit edhe të luftës…”

Kam nderin, pra, t’i dhuroj bibliotekës tuaj edhe “kalemin simbolik të Nolit”, që peshkopi i madh e lidh me gojëtarinë e tij të rrallë, edhe me Shën Kostandinin [ja edhe një lidhje tjetër me Korçën…]. Së fundi, një dhuratë personale. U përmend këtu Miçe Frashëri, Sekretari i degës së Vatrës në Korçë, që u bë nismëtar i Bibliotekës.  Dhe dihet nga të gjithë lidhja e Korçës me Gjergj Kastriot Skëndetbeun. Nëna ime është artiste. Ajo e kishte të pamundur të vinte sot. Ja një poster italian nga filmi “Skënderbeu” sëbashku me aktorin e shquar Naim Frashëri, në një nga skenat më mallëngjenjëse të filmit, si dhuratë e veçantë në këtë 100 vjetor. Me urimet më të mira për shumë e shumë vite e përvjetorë të tjerë plot dritë, dije, shëndet e dashuri, plot me salla të mbushura e libra jetëgjatë…

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • 246
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT