• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDHE NJËHERË PËR SKAVICËN

February 2, 2022 by s p

Nga Dr. Adriatik Balla


Çfarë janë S-443 dhe S-485 dhe cilat janë fshatrat që fshihen nga harta?


Në vend të hyrjes


Kundër ndërtimit të Skavicës shprehen intelektualët, arkeologët, gazetarët, specialistët e çdo fushe, qytetarët e përgjegjshëm, thuajse i madh e i vogël. Pro tij shprehen dy-tre fshatarë të cilëve u kanë thënë se me ndërtimin e Skavicës mund të kultivojnë pafundësisht troftën (Salmo Trutta). “Peshq” të tillë që e hanë “karremin” ka në çdo vend, apo siç thotë populli “pyll pa derra s’ka”, por kulmi i ironisë arrin kur pushtetarët nuk dëgjojnë zërin e ajkës së mendimit dhe qytetarisë në Dibër. Si ka mundësi që asnjë krah politik në qarkun e Dibrës, në garë për zgjedhjet e prillit, nuk e përmend Skavicën?Në kohën e monizmit u bënë, për hir të së vërtetës, disa vepra të mira, përfshi këtu dhe hidrocentralet. Do të ishte ndërtuar edhe “Skavica”, sigurisht, por edhe pse i frikshëm ai sistem kishte, sidoqoftë, logjikën e peshores (sa fitojmë e sa humbasim). Kam folur me inxhinierë që kanë firmosur për hidrocentralet e tjerë dhe thonë që ky projekt u la për një kohë tjetër, sepse, nëse ndërtohej, më shumë kishte humbje se fitime. Tani që politikës po i shteron retorika e dalë boje prej 30 vjetësh (tranzicion ekzemplar me pasoja të rënda për shoqërinë), del dhe një herë në skenë “Skavica”. Dhe, siç ndodh zakonisht, pas këtyre projekteve fshihen plane korruptive e të errëta.
Disa të dhëna për hidrocentralet mbi lumin Drin dhe pikëpyetjet e Skavicës
Hidrocentrali i Vaut te Dejës, vënë në punë në nëntor 1971, ka 5 agregate dhe një fuqi 250 MW. Prodhimi vjetor i tij është 1.1 miliard kilovatorë (Pano N., “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, 2015).Hidrocentrali i Fierzës është vënë në shfrytëzim në nëntor 1978. Ka fuqi të vendosur prej 500 MW dhe punon me 4 agregate. Prodhimi vjetor i tij është 1.8 miliard kilovatorë (po aty).Hidrocentrali i Komanit filloi ndërtimin më 1979 dhe përfundoi më 1985. Ka fuqi të vendosur 600 MW dhe punon me 5 agregate. Prodhimi vjetor i energjisë është 2 miliard kilovator (po aty).Nuk ka të dhëna të sakta se sa do të jetë fuqia e hidrocentralit të Skavicës, sepse deri tani është ecur me supozime e hamendësime ordinere. E njëjta gjë vlen dhe për hidrocentralin e Ashtës, deri tani imagjinar. Hidrocentrali i Skavicës, për shumë arsye, nuk do të ketë prodhim që do të shpëtojë dhe zgjidhë përfundimisht çështjen e energjisë, prandaj këtu dalin disa përfundime e ngrihen disa pikëpyetje që kërkojnë sqarim.
1.Hidrocentrali, nëse ndërtohet, nuk do të ketë prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike që të plotësojë përfundimisht nevojat e vendit, kjo është më se e sigurt.
2.Nuk ka argument të mjaftueshëm që do të shpëtojë Shkodrën dhe Lezhën nga përmbytja, të gjithë ata që i mëshojnë këtij fakti abuzojnë.
3.Nëse vihet në balancë përfitimi ekonomik midis produkteve bujqësore e blegtorale krahasuar me hidrocentralin, peshorja anon nga e para dhe këtë e ka vërtetuar edhe sistemi i kaluar dhe specialistët seriozë të atyre viteve.
4.Mund të fitohet një hidrocentral me jetëgjatësi 100, 200 ose 300-vjeçare, por përmbytet një histori mijëravjeçare.
5.Kryesorja: Si do të mund të shpërngulen mijëra familje, si do të kompensohet dëmi i tyre ekonomik, ku do të vendosen ata, çfarë pune do të bëjnë?
6.Kush do të përfitojë nga hidrocentrali? Sa prej këtyre përfitimeve shkojnë në interes të publikut?
7.Cilat do të jenë pasojat (efektet) anësore fiziko-gjeografike pas ndërtimit të Skavicës, në aspektin gjeologjik-hidrogjeologjik, gjeomorfologjik, klimatik, në florë dhe në faunë?
8.A është marrë parasysh mendimi i publikut? Nëse po, a ka pasur një referendum dhe cili ka qenë rezultati i tij?
9.Kush janë specialistët që kanë firmosur “pro”, si i kanë emrat, ku kanë punuar dhe çfarë botimesh paraprake kanë bërë ata për këtë çështje. Cili ka qenë argumenti i tyre?
10.Më mirë një Dibër pa hidrocentral, apo një Shqipëri pa Dibër? – Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja.
Çfarë janë S-443 dhe S-485?
Për ndërtimin e Skavicës po qarkullojnë lloj-lloj variantesh, njëri me kuotë më të ulët, i cili do të ishte krejtësisht katastrofë pasi nuk do të kishte rendimentin e kërkuar si dhe një kuotë të digës më të lartë që do të shkaktonte një katastrofë akoma më të madhe, një fatkeqësi kombëtare, pasi do ta zhdukte luginën e Drinit të Zi. S-443 ose h=443 m është kuota (izoipsi) e projektuar e digës së hidrocentralit në variantin e parë. Kjo kuotë e sjell liqenin që do të krijohet mbi urën e Topojanit. Pra e pushton edhe grykën e Hoteshit, që ndan pellgun e Dibrës në jug nga ai i Peshkopisë (Dibrës së Poshtme) në veri. Me këtë kuotë zhduket Dibra e Poshtme. Po S-485? h=485 është kuota (izoipsi) e projektuar për digën e Skavicës në variantin e dytë (sipas inxhinierëve partiakë pas 10 ose 15 vjetësh). Në këtë variant përmbytet komplet fusha e Gjoricës, aty ku është shkruar historia e Dibrës (kundër Hajredin Pashës), pra përmbytet edhe Dibra e Sipërme deri afër fshatit Bllatë.I pashë me kujdes hartat topografike, një për një, dhe u përpoqa të krijoj vetë izoipsin e liqenit të ardhshëm në variantin e parë dhe të dytë. Nëse zbatohet edhe varianti i dytë është një fatkeqësi e madhe kombëtare, sepse praktikisht i bie të zhbëhet Dibra, zemra e atdheut etnik.
Vendbanimet që zhduken nga harta
Ja disa prej fshatrave të njohur, të ndodhur pranë lumit Drini i Zi, që përmbyten nga “Skavica”(mos harrojmë se mbi këto kuota vihen në diskutim edhe shumë fshatra të tjerë që kanë tokën e bukës nën kuotën e digës, si dhe një brez 5-10 m lartësi mbi digë që bëhet i papërdorshëm):-Draj-Reç dhe Zall-Reç (340 m)-Zall-Dardhë (350-400 m)-Lugjaj-Shenlleshi-Zall-Kalis-Fushë-Cidhna (360-400 m), si dhe lagjet që shtrihen në anët e përrenjve Shtumbat, Blliçe, Laçaj etj.-Arrasi (370m)-Mustafe (disa lagje)-Kishaveci (390-500 m)-Kandri (Fusha e Thatë)-Vajmëdhenj dhe Kalaj-Disa lagje të Sinës (vendlindja e Kastriotëve), 450-500 m -Bresti i Poshtëm dhe Fushë-Kastrioti (450-550 m)-Kuben dhe Rreth-Kalaj-Fushë-Muhuri (400-500 m)-Fusha e Brezhdanit (400-420 m tek ish-stallat)-Katundi i Ri (430 m)-Një lagje e Selanit dhe një lagje e HoteshitMe S-485 dëmtohen edhe:-Gradeci dhe Kovashica (480 m)-Homeshi, Okshatina, Boçeva, Gjorica (450-550 m)-Izoipsi 500 m i afrohet fshatit Bllatë e Poshtme
D. Përfundimi: “Po” hidrocentraleve, “Jo” atij që varros Dibrën

Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të përmbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.

1.Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.

2.Zhduken fshatra të tërë dhe krejt toka e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë. Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak. Mos harroni, hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.

3.Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.

4.Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve. Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.

5.Në luginën e Drinit të Zi, nuk do të oshëtijnë më këngët e Azis Ndreut, Qerim Sulës e shumë e shumë artistëve me nam të kësaj toke, por nën mjegullën që do të krijohet dhe nga thellësia e liqenit do të dëgjohet vetëm zëri i bretkosave. Shpata e Kastriotit do të zëvendësohet me kallamat buzë kënetës. Këtu vdes dhe mbyllet historia.
Në vend të mbylljes…
Që të mos dëgjojmë nesër bretkosat, duhet ta ngremë zërin sot, ndryshe “Skavica” e varros Dibrën. “Këshillat” se me ndërtimin e liqenit do të vijë jeta përrallore, me turizëm unik, peshkim fantastik dhe udhëtim biblik, janë përralla që nuk i hanë as budallenjtë.
P.s. Ky status shpreh mendimin tim personal, të bazuar në disa fakte. Mund të jetë një gjykim emocional, por nxitimi për të bërë projekte pa i analizuar mirë dhe pa marrë mendimin e banorëve është, në pikëpamjen time, abuziv.

Filed Under: Opinion Tagged With: adriatik balla, Skavica

Në New York u mbajt Seminari V i gjuhës shqipe në shkollat e diasporës

February 1, 2022 by s p

Sipas një tradite tashmë të konsoliduar, organizata dy-gjuhësore shqiptaro – amerikane AADLC, mbajti seminarin e V-të “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollat e diasporës”. Seminari u zhvillua online me datën 30 janar, 2022, drejtuar nga znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe kryetare e kësaj organizate e cila i ka fillimet qysh në vitin 2016. Në seminar morën pjesë mësues dhe specialistë të gjuhës shqipe nga New York, New Jersey, dhe Connecticut të Amerikës, si dhe nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Austria, Anglia, Zvicra, Greqia dhe Italia. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku prezantimet metodike janë bërë nga anëtarë profesionistë të AADLC, në këtë seminar prezantuan edhe mësues të shkollave shqipe në Greqi dhe Bavari të Gjermanisë. Platforma dhe sekuenca mësimore të zhvilluara drejtërdrejt me nxënësit në klasë u shfaqën dhe diskutuan nga të pranishmit në seminar. Takimi zgjati 4 orë, gjë që tregoi interesin e lartë dhe nevojën për më shumë bashkëveprim dhe kualifikim të mësuesve të diasporës. Seminarin e hapi znj. Gjongecaj me një pasqyrë të veprimtarisë së organizatës AADLC e cila zotëron statusin legal të një organizate jo-fitim prurëse dhe që në programin e saj ka edhe kualifikimin profesional të mësuesve në të dy gjuhët, shqip dhe anglisht.   

Dr. Vaxhid Sejdiu, Kryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), mbajti temën ‘Si ta masivizojmë shkollën shqipe në diasporë. Eriketa Qorlazja, mësuese e gjuhës shqipe pranë Shtëpisë Shqiptare Porta në Athinë, prezantoi një orë mësimi me temë: Përdorimi mbiemrit, llojet e tij, përshtatja me emrin në gjini dhe rasë. Enela Markja, mësuese e shkollës shqipe në Bavari, Gjermani, në bashkëpunim me Drita Gjongecaj prezantuan projektin pilot “Miqësia Postare”. Ky projekt është hartuar me qëllim zhvillimin e kompetencave gjuhësore të të folurit, të të dëgjuarit, lexuarit dhe shkruarit. Për më tepër, projekti rrit njohuritë mbi gjeografinë e kulturën shqiptare dhe fuqizimin e rrjetit të shqiptarëve jashtë trojeve të tyre duke filluar me grupmoshat e reja.

Më pas, Prof. Mirjana Lukic, dhe Drita Gjongecaj, të dyja drejtuese të shkollës shqipe Children of the Eagle në New York, prezantuan “Klasa Digjitale dhe përdorimi i saj”. 

Seminari vijoi me reflektime dhe komente të pjesëmarrësve mbi metodat e prezantuara. Nuk munguan edhe diskutimet mbi problematikat dhe perspektivat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë që është edhe fokusi i seminarit. Në seminar morën pjesë z. Nuhi Gashi, i cili ka organizuar dhe drejtuar seminaret mbarëkombëtare të gjuhës shqipe për vite me rradhë, si dhe anëtarët e KKAD, Aurela Konduri, Dritan Mashi, Mustafë Krasniqi, dhe Miradije Berisha. Në diskutimet e morën fjalën dhe dhanë mendime të vyera pjesëmarrësit, Aurela Konduri (Greqi), Jerida Kulla (Greqi), Irena Mashi (Itali), Klarita Selmani (Greqi), Mustafë Krasniqi (Gjermani), Valdete Cenalia (New Jersey), Eriketa Qorlazja (Greqi), Etleva Mance (Gjermani), Pjerin Lleshi (Greqi), Ergisa Bebja, Enela Markja (Bavari), etj. Pjesëmarrësit shprehën nevojën për përkrahjen nga ana institucionale e vendeve tona si dhe për një bashkërendim të përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës amë dhe identitetit shqiptar. (Dielli)

Filed Under: Opinion

Eskobar nga SHBA e Lajçak nga BE bashkë në Kosovë

January 31, 2022 by s p

-Presidentja Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: “Serbia bllokuese e progresit në dialog”/


PRISHTINË, 31 Janar 2022 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kanë mbërritur në Kosovë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Eskobar dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ata sot pasdite u pritën në takime të veçanta nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti.
PRESIDENCA E KOSOVËS DËRGOI KËTË KOMUNIKATË:
Presidentja pas takimit me Escobar dhe Lajcak: “Serbia bllokuese e progresit në dialog”
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.
Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.
Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut.
ZYRA E BE-së KA DËRGUAR KËTË NJOFTIM:
PSBE Lajčák dhe ZNS Escobar do të vizitojnë Kosovën
Nga 31 janari deri më 2 shkurt, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák do të vizitojë Kosovën. Atij do t’i bashkohet edhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari (ZNS) Gabriel Escobar. Në Prishtinë, PSBE Lajčák dhe ZNS Escobar do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA. PSBE Lajčák do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin e përbashkët në Mutivodë.

Filed Under: Opinion

Në Kosovë përkujtohen heronjtë

January 31, 2022 by s p

– Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha ishin lajmëtarët e lirisë…/


PRISHTINË, 31 Janar 2022-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë përkujtohen sot tre heronjët e kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 25 vjetorin e rënies.Në homazhet te lapidari, te vendi i rënies së tre heronjëve dhe te shtatoret e tyre e në veprimtari tjera përkujtimore marrin pjesë përfaqësues institucionalë e politikë.Para 25 viteve, në 31 Janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu së bashku me Kryeministrin, Albin Kurti, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci.Presidentja Osmani ka thënë se sot në përvjetorin e vrasjes së heronjve Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu jemi këtu së bashku me kryeministrin, me kryetarin e komunës dhe me bashkëpunëtorë për të shprehur nderimet tona më të larta për veprimtarinë, për punën dhe për sakrificën që këta heronj kanë bërë për lirinë e Kosovës.
“Zahiri me shokë ishin pararoje të UÇK-së, ata ishin lajmëtarët e lirisë sonë. Ishte pikërisht angazhimi i tyre dhe pastaj edhe rënia e tyre për lirinë e Kosovës në një pritë që më vonë frymëzoi edhe mijëra gra e burra t’i bashkohen luftës çlirimtare që më në fund kulmoi edhe me çlirimin e vendit tonë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani ka theksuar se ky frymëzim nuk ka përfunduar në vitin 1999 me çlirimin e vendit tonë, por vazhdon edhe sot, e për shkak të punës, veprimtarisë, sakrificës dhe luftës së tyre çlirimtare ata do të mbesin udhërrëfyes të brezave që do të vijnë edhe pas nesh.“I përjetshëm qoftë kujtimi për ta, sepse do të vazhdojnë të jetojnë në zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët sot bashkërisht e gëzojnë lirinë për shkak të sakrificës së Zahirit, Edmondit, Hakifit dhe shumë e shumë vajzave e djemve që ranë për lirinë e Kosovës”, ka theksuar Presidentja.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se komandanti Zahir Pajaziti ishte ndër pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ai bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën kryenin aksione kundër okupatorit edhe para se të fillojë lufta çlirimtare. Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu ishin kushtrimi i çlirimit, dhe ata i dhanë një hov të jashtëzakonshëm Ushtrisë Çlirimtare, e rritën edhe besimin e popullit në UÇK, por edhe vetëbesimin e popullit”, ka thënë Kryeministri Kurti. Më pas, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë vendosur kurorë lulesh dhe kanë bërë homazhe edhe te varri i heroit Zahir Pajaziti, në Kompleksi Memorial “Zahir Pajaziti”, në Orllan, në 25 vjetorin e rënies.

Filed Under: Opinion

KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN

January 29, 2022 by s p

Vera Ivanaj, mësuese e gjuhës shqipe në klasën e gjuhës shqipe që zhvillohet në Kishën e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon për lexuesit: organizimin e mësimit shqip në Michigan, përpjekjet e prindërve për t’iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve, gjuhën shqipe si një ndër faktorët kryesorë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, sfidat e mësimit shqip mes teknologjisë, pandemisë dhe vështirësia e fëmijëve me dy gjuhë dhe gjuhën shqipe si trashëgimi shpirtërore dhe identitare kombëtare.

KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN

Si fillim, dua t’ju falenderoj për këtë intervistë, për interesin që ju shprehni ndaj gjuhës sonë. Do të ishte një mrekulli të kishim një shkollë, por aktualisht kemi vetëm një klasë të gjuhës shqipe, e cila zhvillohet në Kishën e Shen Palit, Rochester Hills këtu në Michigan. Në vazhdimësi, janë bërë përpjekje nga bashkëatdhetarët tanë këtu, për t’iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve të tyre. Në disa qytete të ndryshme këtu në Michigan, janë hapur klasa të gjuhës shqipe. Për mua është viti i tretë që jap mësim. Fëmijët mësojnë alfabetin, si të shkruajnë dhe si të lexojnë gjuhën tonë të bukur, marrin njohuritë elementare të komunikimit të përditshëm.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP, TEKSTI BAZË:  ABETARJA E PËRBASHKËT SHQIPËRI-KOSOVË

Në klasën e gjuhës shqipe mësimi zhvillohet për moshën 8-16 vjeç, një herë në javë, dy orë. Kohëzgjatja e mësim dhënies është 9 muaj, shtator – maj. Teksti bazë është  Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, e Shtëpisë Botuese “Pegi”. Do të ishte shumë më frutdhënëse po të zhvillohej mësim 2-3 herë në javë, por fëmijët përveç shkollës, angazhohen edhe në aktivitete të tjera sportive e artistike dhe e kanë të pamundur më shumë. Praktikimi i gjuhës shqipe në familje është shumë i rëndësishëm, kjo është pika e dobët që unë diskutoj gjithmonë me prindërit. Fëmijët që kanë ecuri të mire, kalojnë në nivelin e dytë në vitin pasardhës. Materiali për këtë klasë është marrë nga libri “Gjuha Shqipe” për klasën e dytë, por pjesërisht e jo i plotë, sepse duhet përshtatur me nivelin e njohurive të marra nga fëmijët.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha, është një ndër faktorët kryesorë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor. Ruajtja e gjuhës përbën në mënyrë absolute një nga vlerat më të mëdha që ne gëzojmë si komb, dhe përbën elementin parësor kombformues. Asnjë komb nuk mund t’iu mbijetojë kohërave pa një gjuhë të tijën. Nëpërmjet gjuhës shpalos vlerat kombëtare si historinë, kulturën, traditat e me rradhë. Një popull që nuk ruan, zhvillon dhe përcjell gjuhën e tij ndër breza, herët a vonë, është i destinuar të zhduket.

A KANË PRINDËRIT INTERES  TË MADH QË FËMIJËT E TYRE TË MËSOJNË GJUHËN SHQIPE ?

Kjo pyetje ngre shumë pikëpyetje brënda kokës time, kryesisht për të ardhmen, nëse do të kemi një shkollë të mirëfilltë të gjuhës shqipe apo jo. Është folur shpesh për këtë, pasi komuniteti shqiptar në Michigan është shumë i madh, dhe shkolla shqipe shihet prej shumicës së prindërve si e domosdoshme për fëmijët e tyre. Të shpresojmë që në një të ardhme të afërt të konkretizohet në vepër dhe jo të mbetet thjesht një bisedë rreth tavolinës. Vullneti për një bashkëpunim të mirë e frutdhënës mes prindërve e nxënësve nuk mungon, por që të jem e sinqertë, faktori “Kohë” e zbeh pak atë. Shumica e prindërve janë shumë të zënë me punë, sidomos në këtë periudhë. Koha u mungon të gjithëve, duhet të vraposh që të kapësh kohën. Megjithatë, është për tu vlerësuar shumë, që pavarësisht kësaj, prindërit kanë një interes shumë të madh që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Në rrethanat e emigrimit jashtë vendlindjes, gjuha është faktor kyç në mbijetesën e komunitetit shqiptar, në ekzistencën e tij dhe mos asimilimin. Diaspora shqiptare, e në veçanti arsimi shqip jashtë vendit, përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Pa dyshim se ekzistojnë shume faktorë që janë të ndërlidhur me këtë gjendje, por problemet më të mëdha janë të lidhura me faktorin njeri. Ndihet një mungesë e theksuar e vetëdijësimit të një pjese të konsiderueshme të prindërve shqiptarë, për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si formë e vetme e ruajtjes së identitetit kombëtar jashtë shtetit. Shumë familje shqiptare emigrante janë në dilemë se: a duhet të dërgohen fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe apo jo? Njëra prej arsyeve të shpeshta është se fëmijët duhet të mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë dhe se dygjuhësia është pengesë dhe ngarkesë për ata, gjë që për mendimin tim nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi, fëmijët që flasin dy gjuhë kanë një zhvillim më të theksuar të intelektit të tyre dhe rritje të ndjenjës së krenarisë kombëtare. Në lidhje me teknologjinë…, është e dhimbshme ta them, por sipas mendimit tim, efekti i saj te fëmijët është shumë negativ. Pjesën më të madhe të fëmijëve i sheh të lidhur ngushtë me internetin, ku shpeshherë marrin informacion që më shumë i dëmton se i ndihmon. Interesi për të lexuar libra, çka ndikon shumë pozitivisht në formimin e tyre, është tepër i zbehtë. Pandemia po ashtu, ka dhënë efektin e saj negativ, si kudo tjetër. Kur përhapja e saj ishte në pikë kritike, jemi detyruar të ndërpresim mësimin komplet. Shpëshherë fëmijët vazhdojnë të mungojnë për këtë arsye, kur ata vetë ose një pjesëtar i familjes së tyre është infektuar. Normal që kjo ka pasojat e veta, por shpresojmë dhe lutemi që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe jeta në tërësinë e saj t’i kthehet normalitetit.

GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE

Gjuha jonë shqipe është një nga gjuhët më të lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes. Gjuha është elementi kryesor dhe më i rëndësishëm që mban gjallë një komb. Nëpërmjet gjuhës, manifestohen kultura, traditat dhe zakonet e tij, ç’ka përbëjnë trashëgiminë kulturore shpirtërore kombëtare. Që të ndihemi dhe të identifikohemi shqiptarë, duhet që gjuhën shqipe, të dimë ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave. Duke e ruajtur dhe përcjellë ndër breza gjuhën e bukur shqipe, ne kemi ruajtur identitetin, kulturën dhe krenarinë tonë kombëtare, e si rrjedhojë kjo bën që të jemi më të nderuar e më të respektuar përballë kombësive të tjera, por mbi të gjitha ndaj vetvetes tonë, të parëve tanë si dhe brezave që do të vijnë.

KUSH ËSHTË VERA IVANAJ, FORMIMI, KARRIERA, POZICIONI, ANGAZHIMET…

Unë jam nga një fshat i vogël por shumë i bukur i qytetit të Lezhës, Ishull Shëngjin, i cili rrethohet nga lumi Drin, deti Adriatik, Laguna e Kunes dhe qyteti i Lezhës, me kalanë e Skenderbeut në sfond. Zoti më ka bekuar që të rritem dhe edukohem nga dy prindër vërtetë të jashtëzakonshëm, malësorë të ndershëm e  fisnikë, Gjok dhe Gjyste Ivanaj, të cilëve do t’iu jem mirënjohëse gjithmonë, duke u munduar t’iu ngjaj sa më shumë. Në vitet 70-të, kur Shqipëria përjetonte kulmin e ferrit të diktaturës komuniste, e cila depërtonte thellë si një hije e frikshme në çdo familje shqiptare, ata pavarësisht kësaj, si mua edhe vëllezërit e mi, na rritëm me shumë dashuri. Gjithmonë na thonin; “Kurrë mos harroni se kush jeni dhe nga vini”. Si malësorë e katolikë të devotshëm, na mësuan se si ta duam njëri tjetrin, vendin, gjuhën, zakonet e traditat e të parëve. Shkollën fillore, 8-vjeçare dhe gjimnazin i kam kryer në qytetin e Lezhës. Kam kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori Filologji në degën Gjeografi. Jam diplomuar në Master Shkencor për Trashëgimi Kulturore po në të njëjtin Universitet. Mbetet një peng për mua që nuk arrita të studioja në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë si dy vëllezërit e mi, piktorë të mirënjohur, Nikolin e Frederik Ivanaj, por gjithsesi e kam ushtruar pikturën me shumë pasion. Kam punuar gjithashtu edhe në gazetën e pavarur “Koha Jonë” në Lezhë dhe në Tiranë. Vitet e fundit para se të vija në Shtetet e Bashkuara, kam punuar në Ministrinë e Kulturës në Tiranë për një periudhë disa vjeçare, fillimisht si asistente e zëvendësministrit të kulturës dhe më pas, po në këtë ministri, si specialiste e trashëgimisë kulturore. Aktualisht, përveçse përpiqem t’iu mësoj fëmijëve gjuhën tonë të bukur shqipe, punoj si Sekretare e Kishës së Shen Palit në Rochester Hills, si dhe në një kompani shqiptare shumë të suksesshme, NIKO’S Home Design Center. Pasionet e mia janë piktura, natyra dhe udhëtimet. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, vera ivanaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 241
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT