Vera Ivanaj, mësuese e gjuhës shqipe në klasën e gjuhës shqipe që zhvillohet në Kishën e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon për lexuesit: organizimin e mësimit shqip në Michigan, përpjekjet e prindërve për t’iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve, gjuhën shqipe si një ndër faktorët kryesorë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, sfidat e mësimit shqip mes teknologjisë, pandemisë dhe vështirësia e fëmijëve me dy gjuhë dhe gjuhën shqipe si trashëgimi shpirtërore dhe identitare kombëtare.
KLASA E GJUHËS SHQIPE NË KISHËN E SHEN PALIT, ROCHESTER HILLS, MICHIGAN
Si fillim, dua t’ju falenderoj për këtë intervistë, për interesin që ju shprehni ndaj gjuhës sonë. Do të ishte një mrekulli të kishim një shkollë, por aktualisht kemi vetëm një klasë të gjuhës shqipe, e cila zhvillohet në Kishën e Shen Palit, Rochester Hills këtu në Michigan. Në vazhdimësi, janë bërë përpjekje nga bashkëatdhetarët tanë këtu, për t’iu mësuar gjuhën shqipe fëmijëve të tyre. Në disa qytete të ndryshme këtu në Michigan, janë hapur klasa të gjuhës shqipe. Për mua është viti i tretë që jap mësim. Fëmijët mësojnë alfabetin, si të shkruajnë dhe si të lexojnë gjuhën tonë të bukur, marrin njohuritë elementare të komunikimit të përditshëm.
ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP, TEKSTI BAZË: ABETARJA E PËRBASHKËT SHQIPËRI-KOSOVË
Në klasën e gjuhës shqipe mësimi zhvillohet për moshën 8-16 vjeç, një herë në javë, dy orë. Kohëzgjatja e mësim dhënies është 9 muaj, shtator – maj. Teksti bazë është Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, e Shtëpisë Botuese “Pegi”. Do të ishte shumë më frutdhënëse po të zhvillohej mësim 2-3 herë në javë, por fëmijët përveç shkollës, angazhohen edhe në aktivitete të tjera sportive e artistike dhe e kanë të pamundur më shumë. Praktikimi i gjuhës shqipe në familje është shumë i rëndësishëm, kjo është pika e dobët që unë diskutoj gjithmonë me prindërit. Fëmijët që kanë ecuri të mire, kalojnë në nivelin e dytë në vitin pasardhës. Materiali për këtë klasë është marrë nga libri “Gjuha Shqipe” për klasën e dytë, por pjesërisht e jo i plotë, sepse duhet përshtatur me nivelin e njohurive të marra nga fëmijët.
GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR
Gjuha, është një ndër faktorët kryesorë të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor. Ruajtja e gjuhës përbën në mënyrë absolute një nga vlerat më të mëdha që ne gëzojmë si komb, dhe përbën elementin parësor kombformues. Asnjë komb nuk mund t’iu mbijetojë kohërave pa një gjuhë të tijën. Nëpërmjet gjuhës shpalos vlerat kombëtare si historinë, kulturën, traditat e me rradhë. Një popull që nuk ruan, zhvillon dhe përcjell gjuhën e tij ndër breza, herët a vonë, është i destinuar të zhduket.
A KANË PRINDËRIT INTERES TË MADH QË FËMIJËT E TYRE TË MËSOJNË GJUHËN SHQIPE ?
Kjo pyetje ngre shumë pikëpyetje brënda kokës time, kryesisht për të ardhmen, nëse do të kemi një shkollë të mirëfilltë të gjuhës shqipe apo jo. Është folur shpesh për këtë, pasi komuniteti shqiptar në Michigan është shumë i madh, dhe shkolla shqipe shihet prej shumicës së prindërve si e domosdoshme për fëmijët e tyre. Të shpresojmë që në një të ardhme të afërt të konkretizohet në vepër dhe jo të mbetet thjesht një bisedë rreth tavolinës. Vullneti për një bashkëpunim të mirë e frutdhënës mes prindërve e nxënësve nuk mungon, por që të jem e sinqertë, faktori “Kohë” e zbeh pak atë. Shumica e prindërve janë shumë të zënë me punë, sidomos në këtë periudhë. Koha u mungon të gjithëve, duhet të vraposh që të kapësh kohën. Megjithatë, është për tu vlerësuar shumë, që pavarësisht kësaj, prindërit kanë një interes shumë të madh që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe.
SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË
Në rrethanat e emigrimit jashtë vendlindjes, gjuha është faktor kyç në mbijetesën e komunitetit shqiptar, në ekzistencën e tij dhe mos asimilimin. Diaspora shqiptare, e në veçanti arsimi shqip jashtë vendit, përballet me shumë sfida dhe vështirësi. Pa dyshim se ekzistojnë shume faktorë që janë të ndërlidhur me këtë gjendje, por problemet më të mëdha janë të lidhura me faktorin njeri. Ndihet një mungesë e theksuar e vetëdijësimit të një pjese të konsiderueshme të prindërve shqiptarë, për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si formë e vetme e ruajtjes së identitetit kombëtar jashtë shtetit. Shumë familje shqiptare emigrante janë në dilemë se: a duhet të dërgohen fëmijët e tyre në mësimin e gjuhës shqipe apo jo? Njëra prej arsyeve të shpeshta është se fëmijët duhet të mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë dhe se dygjuhësia është pengesë dhe ngarkesë për ata, gjë që për mendimin tim nuk është aspak e vërtetë, përkundrazi, fëmijët që flasin dy gjuhë kanë një zhvillim më të theksuar të intelektit të tyre dhe rritje të ndjenjës së krenarisë kombëtare. Në lidhje me teknologjinë…, është e dhimbshme ta them, por sipas mendimit tim, efekti i saj te fëmijët është shumë negativ. Pjesën më të madhe të fëmijëve i sheh të lidhur ngushtë me internetin, ku shpeshherë marrin informacion që më shumë i dëmton se i ndihmon. Interesi për të lexuar libra, çka ndikon shumë pozitivisht në formimin e tyre, është tepër i zbehtë. Pandemia po ashtu, ka dhënë efektin e saj negativ, si kudo tjetër. Kur përhapja e saj ishte në pikë kritike, jemi detyruar të ndërpresim mësimin komplet. Shpëshherë fëmijët vazhdojnë të mungojnë për këtë arsye, kur ata vetë ose një pjesëtar i familjes së tyre është infektuar. Normal që kjo ka pasojat e veta, por shpresojmë dhe lutemi që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe jeta në tërësinë e saj t’i kthehet normalitetit.
GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE
Gjuha jonë shqipe është një nga gjuhët më të lashta të Gadishullit të Ballkanit, ilirishtes. Gjuha është elementi kryesor dhe më i rëndësishëm që mban gjallë një komb. Nëpërmjet gjuhës, manifestohen kultura, traditat dhe zakonet e tij, ç’ka përbëjnë trashëgiminë kulturore shpirtërore kombëtare. Që të ndihemi dhe të identifikohemi shqiptarë, duhet që gjuhën shqipe, të dimë ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave. Duke e ruajtur dhe përcjellë ndër breza gjuhën e bukur shqipe, ne kemi ruajtur identitetin, kulturën dhe krenarinë tonë kombëtare, e si rrjedhojë kjo bën që të jemi më të nderuar e më të respektuar përballë kombësive të tjera, por mbi të gjitha ndaj vetvetes tonë, të parëve tanë si dhe brezave që do të vijnë.
KUSH ËSHTË VERA IVANAJ, FORMIMI, KARRIERA, POZICIONI, ANGAZHIMET…
Unë jam nga një fshat i vogël por shumë i bukur i qytetit të Lezhës, Ishull Shëngjin, i cili rrethohet nga lumi Drin, deti Adriatik, Laguna e Kunes dhe qyteti i Lezhës, me kalanë e Skenderbeut në sfond. Zoti më ka bekuar që të rritem dhe edukohem nga dy prindër vërtetë të jashtëzakonshëm, malësorë të ndershëm e fisnikë, Gjok dhe Gjyste Ivanaj, të cilëve do t’iu jem mirënjohëse gjithmonë, duke u munduar t’iu ngjaj sa më shumë. Në vitet 70-të, kur Shqipëria përjetonte kulmin e ferrit të diktaturës komuniste, e cila depërtonte thellë si një hije e frikshme në çdo familje shqiptare, ata pavarësisht kësaj, si mua edhe vëllezërit e mi, na rritëm me shumë dashuri. Gjithmonë na thonin; “Kurrë mos harroni se kush jeni dhe nga vini”. Si malësorë e katolikë të devotshëm, na mësuan se si ta duam njëri tjetrin, vendin, gjuhën, zakonet e traditat e të parëve. Shkollën fillore, 8-vjeçare dhe gjimnazin i kam kryer në qytetin e Lezhës. Kam kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori Filologji në degën Gjeografi. Jam diplomuar në Master Shkencor për Trashëgimi Kulturore po në të njëjtin Universitet. Mbetet një peng për mua që nuk arrita të studioja në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë si dy vëllezërit e mi, piktorë të mirënjohur, Nikolin e Frederik Ivanaj, por gjithsesi e kam ushtruar pikturën me shumë pasion. Kam punuar gjithashtu edhe në gazetën e pavarur “Koha Jonë” në Lezhë dhe në Tiranë. Vitet e fundit para se të vija në Shtetet e Bashkuara, kam punuar në Ministrinë e Kulturës në Tiranë për një periudhë disa vjeçare, fillimisht si asistente e zëvendësministrit të kulturës dhe më pas, po në këtë ministri, si specialiste e trashëgimisë kulturore. Aktualisht, përveçse përpiqem t’iu mësoj fëmijëve gjuhën tonë të bukur shqipe, punoj si Sekretare e Kishës së Shen Palit në Rochester Hills, si dhe në një kompani shqiptare shumë të suksesshme, NIKO’S Home Design Center. Pasionet e mia janë piktura, natyra dhe udhëtimet.