Agron Alibali
FJALA PËRSHËNDETËSE NË EMËR TË FEDERATËS VATRA
Me rastin e 100 vjetorit të Bibliotekës qytetëse të Korçës “Thimi Mitko”.
Korçë, 10 dhjetor 2021
Të nderuar anëtarë, lexues e dashamirës të Bibliotekës “Thimi Mitko” të Korçës
E nderuara Znj. Drejtoreshë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore e vendore,
Z. Drejtor i BKSH,
I nderuar akademik P. Xhufi,
I nderuar Kryetar i Bashkisë, z. Filo,
Zonja dhe zotërinj
Në emër të Federatës Panshqiptare VATRA të Amerikës, të kryesisë dhe antarësisë së saj, të editorit të Gazetës Dielli, kam nderin dhe privilegjin t’ju përcjell përshëndetjet dhe urimet më të ngrohta me rastin e këtij përvjetori historik.
Gjithashtu, kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj edhe në emër të Bibliotekës “Fan S. Noli” në Boston, ose siç e quajmë ndryshe, Biblioteka Noliane, të ngritur nën kujdesin e veçantë të At Artur Liolinit dhe të drejtuar me pasion e përkushtim nga Znj. Neka Doko.
Jam veçanërisht i emocionuar që po marr pjesë personalisht në këtë përvjetor të rrallë, edhe pse i njoftuar në minutën e fundit, duke përfaqësuar kësisoj Vatrën, federatën tonë historike, si ish anëtar i Bordit të saj.
Sikurse e dini, Korça, zemra e shqiptarisë, dërgoi djemtë dhe vajzat në Amerikë, të cilët për asnjë çast nuk pushuan së menduari për mëmëdhenë. “Mot në mëmëdhe”, ishte urimi që shkëmbenin me njëri-tjetrin ngaherë.
Ato djem dhe vajza, trima e punëtorë, gjetën në Amerikë liritë që u mungonin në atdhe; ata, në udhëheqjen e Nolit, themeluan Kishën Ortodokse Shqiptare më 1908, një nga shtyllat e shtetit e kombit shqiptar; ata, nën drejtimin e Fan Nolit, Faik Konicës, Kristo Kirkës, Llambi Çitozit, Kristo Floqit, Paskal Aleksit, Elia Tromaras, Kosta Vasilit, më 1912 ngritën Vatrën; në vitet në vijim ata përfaqësuan me dinjitet e përkushtim Shqipërinë e pushtuar gjatë Luftës I Botërore. Banda e Vatrës, vullnetarët vatranë, më 1919-1920 dhanë kontribut unikal në ruajtjen e integritetit e tërësisë territorial të Shqipërisê.
Në fushën e librave ishte Vatra e Faik Konicës që më 1919 financoi botimin e njërës ndër kryeveprat e Norbert Joklit për gjuhësinë shqipe. Dhe dy vjet më vonë, ishte përsëri Vatra që nisi dhe organizoi themelimin e Bibliotekës së qytetit të Korçës në 1921, me qëllim që “djemtë e vajzat korçare t’i linin kafenetë dhe t’u drejtoheshin librave”.
Me shumë gjasë ideja për ngritjen e një biblioteke qytetëse në Korçën mëmë u lindi vatranëve të Bostonit nisur nga eksperienca e bukur amerikane e bibliotekave vendore në New England e më gjerë, si vatra të dijes e qendra informacioni, të lira, të ngrohta e të hapura për këdo.
Dhe së fundi, si në çdo ditëlindje, vjen koha edhe e dhuratave.
Në këtë përvjetor historik, duke ju uruar jetë të gjatë në botën e mrekullueshme të librave, në emër të Vatrës dhe Bibliotekës Joniane më lejoni të paraqes edhe dhuratën e posaçme për këtë 100 vjetor.
Së pari, librin “Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati”, që pat fituar Çmimin e Vatrës më 2016, për të cilin, siç mê konfirmoi edhe drejtoresha, nuk gjendet në koleksionin tuaj. Në fakt libri, sa është për Konicën, po aq është edhe për Korçën, për djemtë e vajzat e mbarë këtyre trevave mahnitëse, që erdhën në Amerikë për të bërë histori.
Së dyti, më lejoni t’i referohem fjalës madhore të Nolit me 28 nëntor 1962 në Boston, me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë. Përmend ai dilemën për zgjidhjen e çështjes shqiptare: me jatagan apo me kalem?. Thotë Noli i madh: “me kalem natyrisht kuptoj pëndën, kulturën, dijen, shkëncën, logjikën, diplomatinë e paqes, edhe jo kapadaillëkun e jataganit edhe të luftës…”
Kam nderin, pra, t’i dhuroj bibliotekës tuaj edhe “kalemin simbolik të Nolit”, që peshkopi i madh e lidh me gojëtarinë e tij të rrallë, edhe me Shën Kostandinin [ja edhe një lidhje tjetër me Korçën…]. Së fundi, një dhuratë personale. U përmend këtu Miçe Frashëri, Sekretari i degës së Vatrës në Korçë, që u bë nismëtar i Bibliotekës. Dhe dihet nga të gjithë lidhja e Korçës me Gjergj Kastriot Skëndetbeun. Nëna ime është artiste. Ajo e kishte të pamundur të vinte sot. Ja një poster italian nga filmi “Skënderbeu” sëbashku me aktorin e shquar Naim Frashëri, në një nga skenat më mallëngjenjëse të filmit, si dhuratë e veçantë në këtë 100 vjetor. Me urimet më të mira për shumë e shumë vite e përvjetorë të tjerë plot dritë, dije, shëndet e dashuri, plot me salla të mbushura e libra jetëgjatë…