• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FATMIR SOLLAKU – JO VETEM VELLAI IM I MADH

February 12, 2021 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noé/

Largim i papritur i kapitenit /

Ishim një skuadër e fortë, tre vëllezër, tre motra. Ai ishte më i madhi në moshë. Kjo kishte sjellë që, në çaste të caktuara të jetës familjare të Sollakëve të lagjes XH.N të Lushnjes, ai të kish marrë përsipër edhe rolin e babait. Sidomos kur shpirtrat e kuq të të keqes na e shkëputën të mirin Qemal prej vatrës. Por edhe më pas, pas ikjes së tij të parakohshme nga kjo botë.

Ishim Gjashtë, dhe na dukej se do të mbeteshim gjithmonë ajo skuadër e mrekullueshme në të cilën secili ishte plotësim i tjetrit. Deri atë ditë të mbrapshtë të 13 shkurtit të vitit 2020. Deri në atë telefonim të shkurtër nga Roma të nipit tonë Emil: Babai na la!

Frenova makinën pa u kujdesur se ku ndodhesha. Qysh? Çfarë thua, more. Po unë dje fola me të. Nga ana tjetër e linjës arrin vetëm ngashërimi. Kalojnë ato çaste të para kur akoma nuk ke kuptuar vërtetë se çfarë të ka ndodhur. Lajmi të ka zënë në mes të rrugës. Me aq sa të ka mbetur prej arësyes arrin të zhvendosësh makinën drejt shtëpisë. Rruga është bërë e padukshme. Një ujvarë e pandërprerë që rrjedh nga poshtë vetullave të vesh shikimin. Fati të ndihmon të mos bësh aksident. 

Arrin të hapësh derën e shtëpisë e të plandosesh diku. Kërkon të rilidhesh me dikë. Të konfirmosh lajmin e pabesueshëm. Konfirmimi të arrin si një ortek. Nuk i shmangesh dot atij mali të dëshpërimit. Deri sa nuk të ka bërë copë.

Kjo ishte kronika e shkurtër e gjëmës së papritur. Me një përfundim tragjik: Nuk ishim më gjashtë. Kapiteni i skuadrës na kishte lënë.

Pas atyre orëve nis edhe kalvari i udhëtimit për në Shqipëri. Drejt një funerali në Lushnje. Pasiguritë me agjensitë e udhëtimit. Fantazma e Koronavirusit e kudogjendshme, edhe pse shpesh e neglizhuar. Më e rëndë se gjithçka më pas bëhet pritja e sjelljes së arkëmortit nga Roma. Ditë të gjata, shumë të gjata. Ditë pa natë. Një fiksim i vazhdueshëm i qiellit. Në pritje të përgjigjeve që kurrë nuk do të arrinin.

Pastaj ai pirg dheu, pranë nënës Shadie dhe babait Qemal. Lotë. Baltë nën këmbë. Lumë i turbullt në zemër. Qindra duar që ngushëllonin. Ashtu si vajtjeardhja e pafund e lushjarëve në ditët e pritjes. Që na bëri të mendojmë se Lushnja nuk kish rreshtur kurrë së dashuri familjen tonë.

Në një nga ato netë të pasvarrimit nëpër marrjemendjet e mia ishin ngjizur vetvetiu këto vargje: Lajmi i ngjyer në zift të shkrirë / më kullon akoma mbi mish. / Pezull – një sharrë elektrike e çmendur, / që vazhdon të më presë një këmbë, një krah. / Nëpër thonjtë e dhimbjes / më shuhet esenca e shpirtit në acid. / Hedh lakun e drithmës / në gançën e hënës mbi Lushnje / dhe var / gjysmën time të vdekur.

Ishin vargje – epitaf, të shkruar mbi një rriskë të qiellit të përmbledhur mes kodrave darsiane, në atë pjesë lugine të mbjellë me mermer. Një pitaf që e shpërndaja ndër njerëz e ëngjëj, të muzikuar nga peligorgat e shqetësuara të një përroi të pafjalë.   

Database familjare

Ç’na mbeti ne pesë të tjerëve veç dhimbjes ? E qeshura e tij e fortë, kudogjendja nëse, akoma të rinj e të papërvojë, kërkonim një mbështetje apo një të shtyrë para ngurimeve. Na mbeti sidomos portreti i një vëllai që ndikoi shumë në edukimin e vëllezërve e  motrave me dashurinë për punën, librin, muzikën, veshjen e zgjedhur me kujdes. Fatmiri ka qenë sqimatar i madh në të veshur. Donte gjithmonë të bënte figurë të bukur. Në vitet e kuq si edhe shumica e shqiptarëve të tjerë, kemi vuajtur dhe jo pak edhe nga pikëpamja ekonomike. Por le të thojë ndokush që paraqitja e atij burri nuk shquhej gjithmonë ndër të tjerët. Kjo që kur kish qenë nxënës në Shkodër e më pas student në Kamëz. Kaq shumë binte në sy saqë, edhe pse i shkëqyer në përgatitjen profesionale, pas Universitetit e dërguan në kufi me Beratin, edhe pse në Lushnje apo pranë saj, në ekonomi bujqësore më të rënëdësishme, kishte nevojë për njerëz të përgatitur si ai. Më vonë autoriteti i Komiteti Ekzekutiv që bënte emërimet, ia pohoi se e kishin emëruar aq larg sepse e konsideronin një mendjemadh që i ndronte kostumet si mbreti gratë. I shkreti Fatmir në atë kohë kishte shumë pak veshje, por i mbante chic dhe binte në sy edhe prej kollareve të bukura me të cilat i kombinonte. Kishte vërtetë këpucë lustrafin me porosi, por i vishte me raste, me aq pak kohë të lirë  sa i linte puna në kooperativë, me ikje në të gdhirë e kthim natën vonë, për të mos përmendur lejen e zakonshme që askush që punonte në ekonomitë kooperativiste nuk e gëzonte. 

Database kolegësh e miqsh

Nuk mbaj mend kolegët e Fatmirit kur punonte në Toshkëz. Atëherë isha gjimnazist dhe shkoja të rrija edhe një muaj të flija në një dhomë me të. Prej atyre qëndrimeve më kanë mbetur në kujtesë pjeshkët e stërmëdha me tul të bardhë të asaj zone dhe shoqëria me Sulën, një shok i im i gjimnazit, që banonte aty pranë. Kujtimi im gjallërohet ndërsa afrohen vitet kur tim vëlla e transferuan në Kooperativën e Golemit. Ditët e fundit, falë Whatsapp-it, munda fatmirësisht të kontaktoj Mustafa Çelën, kryeagronomin e asaj kohe, që ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë me Fatmirin dhe që u bë edhe mik shtëpie.

Muçi ruan nje foto të paparë të asja kohe, por, dhe sidomos, ka ende të freskët përvojën e atëhershme të eksperimenteve të Fatmir Sollakut në blegtori. Pasi ai, im vëlla, nuk ka qenë aspak një kuadër i zakonshëm i blegtorisë. 

Çfarë i vjen ndërmend kryeagrononimit të njohur Mustafa Çela

Kooperativa e Golemit ishte më e prapambetura në të gjithë rrethin e Lushnjes. 

Në dhjetor të vitit 1980 Komiteti Ekzekutiv vendosi të ndryshonte të gjithë kuadrot e asaj kooperative me qëllim që të përmirësonin  gjendjen e blegtorisë dhe bujqësisë.

Me ardhjen e kuadrove të rinj objektivat brenda vitit patën rritje deri në 60%. Fillimisht u bë riorganizimi i sektorëve të koperativës. U bë ndarja e tokës: 1600 ha për blegtorinë dhe1580 ha për bujqësinë. 

Fatmir Sollaku ishte kryetar i degës blegtorale. Ai sistemoi gjendjen e blegtorisë së pari duke ngritur në përgjegjesi të punës specialistë të mirë të blegtorisë. Ai ndërtoi gropat e silazhit sipas teknologjisë bashkëkohore, sistemoi administrimin për mbjelljen e tokës. Rezultatet e blegtorisë filluan të ecnin me shpejtësi drejt ngjitjes. Me këmbënguljen e tij Sollaku vendosi edhe qarkullimin në kulturat foragjere më në zë.                                                 Ai mbolli sojën, kaçkullën, tërfilin, jonxhën, loliumin, grurin foragjer dhe misrin foragjer. 

Ajo ndër më të rëndësishmet qe ngritja prej tij e  sektorit blegtoral në kushte naturale, pa stalla, jashtë në terren, në të ftohtë dhe në diell. 

Në vitet 1980-82 shumë toka ishin të përmbytura dhe nuk jepnin prodhim. 50 hektarë ishin të papunuar. Nisi menjëherë drenazhimi me tuba qeramike në thellësi 60 cm. I përfunduam brenda tre muajve. Këto toka na dhanë prodhime bujqësore e blegtorale të kënaqshme. 

Fatmir Sollaku filloi njëkohësisht realizimin e gropave të silazhit sipas teknologjisë bashkëkohore – 300 ton në 24 orë – duke futur grurin dhe misërin foragjer  me gjithë kallinj, në fazën e pjekjes. Si rezultat i kësaj pune në muajin e nëntë të vitit 1981 sektori i blektorisë arriti t’i përmirësojë rezultatet në 100%. Sektori i blegtorisë po ecte me hapa të mëdha, sepse kishin ndryshuar të gjitha parametrat e punës me të. 

Fatmiri filloi të bënte seminare ku shpaloste teknologjinë që kishte përdorur për prodhimin e qumështit dhe për sektorin e majmërisë së viçave, lopëve, deleve e pulave.

Koperativa e Golemit u bë një ndër ato me rezultate më të mira në rrethin e Lushnjes në saj të punës së palodhur të shokëve që kish afër si Tomor Kërçuku, Flamur Musaku, Vangjel Gjërmeni e shumë të tjerë.

Në Lushnje vinin për të marrë përvojë nga i gjithë vendi. Mishi i Golemit ishte më i pëlqyeri në Shqipëri.  

Rreth  punës në blegtorinë e Golemit u detyrua të diskutonte edhe Byroja Politike; kokat e atëhershme të shtetit vizitonin atë koperativë me synimin e shtrirjes në të githë vendin të metodave të punës së atjeshme.

Shtypi lokal dhe ai kombëtar, si edhe Televizioni shqiptar, u morën shpesh me eksperimente e Golemit…

Mustafa Çela nuk përmend veten në këto shënime. Po detyrohem unë të shtoj se Fatmir Sollaku nuk do t’i kishte arritur ato rezultate në prodhimin e mishit, nëse nuk do të kish patur si bashkpunëtor të ngushtë edhe Muçin, kryeagronomin e zotë, njeriun e mirë e të palodhur, me të cilin bashkërendonin punën që prodhonte ushqimin për kafshët.

 Shumë janë termat teknikë në rreshtat e mësipërm, shumë prej tyre të harruar apo që evokojnë dhimbje të një sistemi që vazhdimisht kultivonte vuajtjen.

Por ekzistenca e Fatmirëve, e Muçëve, e Tomorëve, e Flamurëve dhe e Vangjelëve ishte si melhemi mbi plagë, që lehtësonte shumë mbijetesën në kushtet e pamundura të koperativave socialiste.  

Illo Foto: Fatmiri i kryente paralelisht të dyja profesionet, zootekni dhe veterinari

I shkruajta mikut tim të hershëm, gazetarit të shquar Dalip Greca, nëse kishte të dhëna rreth bashkpunëtorëve të tim vëllai Fatmirit. Më përgjigjet:  “Mendoj se duhet të ketë të dhëna Illo Foto. Ai ka shkruar rreth 20 libra pas ’90-ës me temën e blegtorisë. Duhet ta ketë njohur Fatmirin dhe përvojën e tij”.

I nisa një mail të nderuarit Foto. Dhe përgjigja nuk vonoi. E shkruar me dashuri dhe kompetencë. Përzier me kujtime familjare njohjesh të hershme. 

“Fatmiri ka qenë miku ynë familjar. Kam pak kohë që kam marrë vesh shuarjen e tij. U hidhëruam familjarisht. Kur pashë mesazhin tënd, m’u duk sikur e takova. E kam pasur si vëlla. Ishte shoku im më i mirë në  Lushnje, megjithëse nuk kemi punuar  bashkë. 

Ai qytet na ka kalitur në punë shumë të vështira, por edhe na ka lidhur me shoqëri të paharruara. Nuk mund të harroj sidomos Fatmirin, që e veçoj për sinqeritetin, dashurinë për profesionin, për interesin që tregonte në rritjen e  prodhimit blegtoral, që ndikonte drejtpërdrejt në  përmirësimin e jetës së fshatarësisë të lodhur dhe të përbuzur  nga  regjimi. Në dukje ai regjim e kishte prioritet bujqësinë dhe fshatin. Në fakt të tërë peshën e marrëzive industriale e mbante në kurriz fshatarësia e rraskapitur. Ndihem mirë që kam shkruar disa libra duke e parë nga brenda jetën e fshatit të robëtuar. 

Më shkruan për ndonjë dokument të punës shkencore të Fatmirit, ndonjë fotografi e të tjera të ngjashme. E ku bënim ne fotografi, i dashur Shpend! Ne gdhiheshim  dhe ngryseshim ugareve dhe stallave. Edhe kështu nuk janë të pakët shokët tanë që u burgosën për “sabotim ekonomik”.

Ritheksoj se nuk kam punuar drejtpërdrejt me Fatmirin. Kemi qenë gjithmonë në ekonomi të ndryshme. Kur takoheshim qanim hallet, që ishin të përbashkëta. Ajo që spikaste në punën e tij  ishte se ai i kryente paralelisht të dyja specialitetet: zootekni dhe veterinari, edhe pse ishte diplomuar për veteriner. Edhe unë i kryeja të dyja, megjithëse isha  diplomuar për zooteknik. Si më ndodhi? Kur isha në Çermë Sektor, me  700 lopë, veterineri të shtunën ikte në familje, në Tiranë dhe kthehej të  hënën pasdreke. Unë banoja familjarisht në Sektor. Po të mos merresha me veterinari, sektorit i dilte flaka. Nën këtë prizëm, kemi qenë të  përbashkët me Fatmirin. Kur takoheshim, pinim ndonjë birrë tek “Myzeqeja”. Ky qe dëfrimi ynë, por na pëlqente njeri-tjetri. 

Ju falenderoj që më dhatë mundësinë të rikujtoj një mik të vyer, një koleg nga  më të shquarit që kam pasur në jetën time profesionale dhe shoqërore, në Lushnjen bujare dhe shumë njerëzore. Në kostelacionin  e miqve lushnjare ndrin emri i dashur i Fatmirit, që e shkriu jetën në punën e vështirë që na impononte ajo kohë.

Në kujtesën e Gëzim Barutit, intelektualit të internuar gjithë jetën

Edhe pse mjaft i zënë me librat e tij “Pushtimi i fundit” dhe “”Nga Shatobriani dhe Lamartini”, bëhet menjëherë i gatshëm të sjellë një copë zemër për Fatmir Sollakun. Ai shkruan: 

Një vit më parë humba një shok e mik të mirë, mungesën e të cilit do ta ndiej gjatë. Me ikjen e tij ndihem edhe më i vetmuar se më parë. Fatmir Sollaku, ky njeri i mirë dhe i virtytshëm, para syve të mi shenjtërohet i kompletuar në fushën e dijes. Shkalla e lartë e njohurive të tij më detyron ta quaj një enciklopedist ani pse i mërtiste dijet e tij duke u shfaqur si shembull në modesti. Njohuritë e tij dhe diapazoni i gjerë i tyre nuk njihnin kufi. Në retorikën e tij mbi shtjellimin e një teme shkencore apo letrare, ai diskurs konçiz e i zhdërvjelltë i tij ngjante si një krijim letrar didaktik prej të cilit mund të mësoje shumë. Nuk mund t`i harroj kurrë shijet e tij të veçanta artistike, në të gjitha zhanret, e sidomos ato letrare! Shkëlqente në profesionin e tij por drita që lëshonte ky shkëlqim ua vriste sytë cmirëzinjve të pushtetit komunist të asaj kohe. Mund të quhej, pa frikë, shkencëtar në atë mjeshtëri! Jam krenar që iu gëzova për një periudhë mbi pesëdhjetëvjeçare shoqërimit dhe miqësisë me Fatmirin. Thjeshtësia në sjellje po aq sa edhe në diskutimet e tij plot sharm, ravijëzonte konturin e lartësuar të individualitetit të veçantë të personalitetit të tij. Ndjej mall të pashuar për shokun e mikun tim të shtrenjtë, për njeriun e ndershëm e fisnik që nuk iu tremb syri kurrë prej të qënurit tim si i internuar i përjetshëm! Do të kujtohet gjatë edhe prej Elami Agollit dhe Dine Dines me të cilët shkonte po aq mirë i paharruari Fatmir Sollaku. Aeternum!

Mirënjoha pë veprat e mira asht e përjetshme *, shkruan Ilir Prifti

Iliri është djalë i lagjes. Iliri është njeri me shije të hollë artistike. Iliri është fotograf i talentuar. Iliri shkruan edhe vargje të bukura. Si këto të mëposhtmet, kushtuar ikjes së vëllait tim Fatmir. Vargjet janë të një ndjeshmërie që sfilit, ashtu si dhimbja për ikjen e vëllait të mikut të tij Shpend.

Beneficiorum gratia sempiterna est* 

Vëllai i madh tashma ka shkue  

dhe, veç  vetes, ka marrë edhe nji pjesë t’pandashme tonën.

Edhe n’u ndiefsh prapë ai çunaku i vogël, 

ai ka me ardhë me t’ndihmue n’hallin tand.

Ai prapë ka me ardhë,

kur ti, i lodhun prej ankthit  ke dash m’u ndie i sigurt n’dhomën tande.

Me u da prej tij,

s’asht si me nda dy kokrra molle t’ngjituna nji dege,

 asht nji shtatore  qi s’mundesh me ia hjekë gjysën 

pa lëndu pjesën tjetër,

përqafim i ngjizun  me shendin e brengat e fatit.

Ikja e tij, na la thellë vedit  nji  borxh t’ambël,

e  s’e shlyejm dot veç s’bashku. 

Kanata të hapura

Mua Shpendit më ka mbetur një loti i patharë nën qerpik. Një organo që regj në dhimbje hapësirën pa cak. Një cicërimë peligorge e mbetur në fyt. Një gjethe ende e gjelbër që nxiton t’i bashkohet dheut. Fluturza që sillen buzë përrroit, në një vorbullë që pështillet në prehër të kodrave të para të Darësisë, mbi korijen e mermertë.

Shpend Sollaku Noè. 

Shkruar në mbushjen e vitit nga largimi i vëllait për diku.

Diçiturat: 1- Fatmir Sollaku ne Rome, perpara Altarit te Atdheut – Vittoriano

2-Fatmir Sollaku me disa nga bashkepunetoret e tij ne Golem te Lushnjes, vitet 80:  Jashar Gaxho, Bajram Lulja, Vehip Ago, Bajram Turku, Kujtim Gjata  dhe Luljeta Alla   

3-Fatmiri me nje pjese te miqve ne Lushnje: Nasho Pupi, Vasil Marini, Gim Bedeni dhe Trifon Tashi 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatmir Sollaku, Shpend Sollaku Noé/

LETRA E PRESIDENTIT BIDEN PËR NJOHJE TË NDËRSJELLTË SERBI-KOSOVË PËRBALLË KOKËFORTËSISË SË VUÇIÇIT PËR MOSNJOHJE

February 8, 2021 by dgreca

NGA DALIP GRECA /

Letra e Presidentit Joesph Biden drejtuar Presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç me 5 shkurt 2021, me rastin e ditës së Pavarësisë, është një lajm i mirë për Kosovën, ndërsa reagimi i pritur i Vuçiçit, tregon se ky vazhdon të jetë i përkëdheluri i BE-së dhe i Rusisë dhe këmbëngul për mosnjohje të Kosovës, ndërsa për vazhdimin e dialogut kërkon sërish ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

       E dërguar pak ditë pas fjalimit të parë të Presidentit të 46 amerikan për vizionin e ri  në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë mandatit të tij, për rikthim të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, letra vjen si sinjal i fortë i mosndryshimit të kursit në Bllkan në përshtatje me strategjinë e rikthimit të SHBA në politikën botërore, ku diplomacia do të jetë instrumenti bazik.

   Në mënyrë diplomatike presidenti Biden i shkroi Vuçiçit se Amerika do ta mbështesë integrimin europian të Serbisë, por këmbëngul në thellimin e reformave dhe e inkurajon që të ndërmarrë hapa të fortë për të ecur përpara me qëllimin final arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe normalizimin e marrdhënieve me Kosovën dhe njohjen e ndërsjelltë mes tyre.

         E shkruar me gjuhë diplomatike letra presidenciale merr një përgjigje jo diplomatike prej Vuçiçit. Edhe pse janë vetëm dy rreshta në letrën prej 15 radhësh, që i referohen reformave dhe normalizimit të marrdhënieve me Kosovën, Vuçiçit duket se i ka djegë fortë, tek ka komentuar për mediat, jo pa nervozizëm. Ai pranon urimin e presidentit amerikan, por kundërshton thirrjen për njohjen e ndërsjelltë të Kosovës. Përpjekja e sforcuar për ta shitur këtë qëndrim si detyrë kushtetuse të tij në mbrojtje të interesave të Serbisë, e le të varur në pafundësi zgjidhjen e çështjes së njohjes dhe e zvarrit dialogun në pafundsi.Vuçiçi duhet të pajtohet me të vërtetën, që tashmë është aksiomë dhe s’pranon vërtetim; Kosova nuk ka kthim pas si shtet i pavarur, e njeh apo jo ai dhe Serbia!

         Presidenti i serbëve harron një fakt në parashtrimet e tij; harron faktin se ai përfaqëson një shtet agresor që ushtroi genocid ndaj popullit të pambrojtur të Kosovës dhe në këto kushte , jo vetëm duhet ta njohë, por edhe të kryej detyrimin njerëzor për t’i kërkuar falje shqiptarëve të Kosovës, të ndjejë përgjegjësinë për ta zhdëmtuar Kosovën për dëmet e luftës, të ndihmojë për të gjetur të zhdukurit nga makina shfarosëse serbe, të njohë botërisht krimet e kryera nga idhulli i tij Millosheviçi. Tendenca e Beogradit prej kohësh ka qenë dhe mbetet barazimi i viktimës me agresorin; gjë që nuk ka për të ndodhur dhe vetë Evropa nuk duhet ta lejojë si kujtesë kundër genocidit.

   Vuçiç po bën të fortin tek deklaron për të disatën herë se po i kërkojnë që t’ia imponojnë njohjen e ndërsjelltë të Kosovës, por ai nuk do ta bëjë këtë. Madje po krekoset si shumë, kur thotë se ua kam thënë në fytyrë (amerikanëve) se nuk do të ketë njohje! Kjo është më shumë se krekosje, edhe pse është e lexueshme se është e destinuar për tregun e brendshëm elektoral serb, ku nacionalizmi vazhdon të jetë i ulur këmbëkryq. 

    Presidenti serb nuk është i sinqertë me veten kur deklaron se kjo (imponimi i njohjes së ndërsjelltë) është politikë e re e Washingtonit; në fakt Washingtoni ka qenë shumë i qartë që me ndërhyrjen e armatosur  të NATO-s, bombardimet (24 mars 1999-10 Qershor) për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga katastrofa humanitare që i kërcënonte, në kohën kur në Shtëpinë e Bardhë ishte Presidenti Bill Klinton; ka vijuar me njohen e Pavarësisë së Kovës në kohën e Presidentit George W. Bush(2001-2009), për të ardhur tek ruajtja e statukuosë në kohën e presidentit Barak Obama(2009-2017), deri tek shtytja që i dha në fundin e mandatit të tij Presidenti Donald Trump(2017-2021) me marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, ku uli përballë njeri tjetrit në Shtëpinë e Bardhë Presidentin Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti. Në këtë vijimësi, letra e Presidentit Biden dhe thirrja e tij për njohje të ndërsjelltë, s’është gjë tjetër veçse finalizim i kërkesave amerikane për njohjen e Kosovës prej Serbisë. Atëherë përse i duket qëndrim i ri Serbisë kërkesa amerikane për njohje të ndërsjelltë?

        Është e lexueshme në dekleratat e bëra me këtë rast se qëllimi i Vuçiçit është mosnjohja e Kosovës dhe vazhdimi formal i bisedimeve Serbi-Kosovë, për të shtyrë kohën. Tek komentoi thirrjen e presidentit amerikan Joseph Biden ai u zotua se shteti i tij ishte i gatshëm të vazhdonte bisedimet me Kosovën, por….të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian….Përse po kërkon vetëm ndërmjetësim të Bashkimit Europian Beogradi? Natyrisht se është i kurajuar edhe nga kritikat e Bashkimit Evropian adresuar Kosovës për vendimin e saj për çeljen e ambasadës kosovare në Jeruzalem, veprim që është konsideruar si largim i Kosovës nga Evropa! 

Presidenti serb kërkon ndërmjetësinë e Brukselit sepse është i bindur se vetë Europa nuk e ka seriozisht zgjidhjen e afërt të çështjes së  Kosovës, njohjen e saj prej Serbisë, përderisa pesë shtete të Bashkimit Europian ende nuk e kanë miratuar pavarësinë; nuk do ta kenë seriozisht përderisa në krye të politikës së jashtme të BE-së të jetë Josep Borrell, shteti i të cilit, është një nga më të mëdhenjtë e Bashkimit Evropian, që nuk ka ndërmend të njohë Kosovën; përderisa ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun mes shqiptarëve dhe serbëve të jetë sllovaku Miroslav Lajçak, shteti i të cilit po ashtu nuk e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur!

    U bënë 9 vjet(2011) që vazhdojnë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës nën kujdestarinë dhe ndërmjetësinë e Bashkimit Europian, por asgjë nuk kanë nxjerrë në dritë përveç shtërngimit të duarëve para kamerave.

          Në këto kushte presidenti Serb, duke pasur avokate diplomacinë ruse, ndjehet i sigurtë dhe bën të fortin përballë kërkesave amerikane. Ai ka thënë se “edhe në Uashington ka pasur përpjekje që “njohja e ndërsjellë” të imponohet si zgjidhje përfundimtare, por është detyrim i tij(Vuçeviçit) të “mbrojë interesat serbe dhe se Dita e Shtetësisë është më e rëndësishme sesa dëshirat e shqiptarëve dhe amerikanëve”.

        Shqiptarët e Kosovës duhet të ndjehen mirë që Vuçiçi i vendos në të njëjtin krah me amerikanët,(pasi vetë është në krahun e aleatëve tradicionalë, rusëve) por udhëheqësit kosovarë duhet t’i bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë që Kosova të ecë përpara dhe me ndihmën amerikane të arrijë qëllimin final. 

           Prova e radhës për ta janë zgjedhjet e 14 shkurtit.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Letra per Vuçiçin, Presidenti Biden

HOMAZH NE DITEN E LINDJES

February 7, 2021 by dgreca

101 vite më parë (7 shkurt 1920-7 shkurt 2021) lindi në Lushnje atdhetari Qerim Haxhiu-“Qytetar Nderi i Lushnjes” (pas vdekjes)/

NGA Kevin HAXHIU/*

101 vite më parë,më 7 shkurt 1920 në Lushnjë,në një familje qytetare,fisnike,patriotike të Lushnjes lindi atdhetari Qerim Haxhiu.Djali i patriotit të shquar shqiptarë Bajram bej Haxhiu i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.

Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut Shqipërisë,Kosovës,Çamërisë dhe të gjithë trevave shqiptare.Haxhiu ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e Shqiptarëve në Kairo.Gjithashtu ai ka dhënë edhe leksione 3 herë në javë për studentët shqiptarë në Liceun e Kairos.Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Kairo ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj.Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo,me origjinë nga Shqipëria,Kosova,Çamëria dhe nga të gjithë trevat shqiptare) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për çështjet atdhetare.Qerim Haxhiu ka kontribuar në fillim të viteve ‘90 në përpilimin e librit “Shqiptarët e Egjiptit” me informacionet e tij të shumta për Historinë e Diasporës Shqiptare të Egjiptit.Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot që të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe,në Shqipëri.Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit.Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup.Në Gazetën Illyria,1209,21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar,Prof.Dr.Beqir Ismaili në kumtesën që ka mbajtur në këtë konferencë ndër të tjera ka përmendur edhe atdhetarin e shquar shqiptarë Qerim Haxhiu.

Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:

-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët,ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël,bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.

Në datën 11 shtator 2020 Shoqata Çamëria Kosovë vlerësoi me Çertifikatë “Mirënjohje” me motivacionin: -“Për kontribut atdhetarë”,(pas vdekjes ) atdhetarin Qerim Haxhiu në vitin e 100 vjetorit të lindjes së tij (1920-2020).

Në 101 vjetorin e Kongresit Kombëtar të Lushnjes (21 Janar 1920-21 Janar 2021),në aktivitetin e organizuar nga Bashkia  Lushnje,në ambjentet e Shtëpisë Muze “Kongresi i Lushnjes”,u dha dhe Çertifikata e titullit “Qytetar Nderi i Lushnjes” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes).Çertifikata e Titullit “Qytetar Nderi i Lushnjes” u tërhoq nga nipi i  atdhetarit Qerim Haxhiu,Z.Altin Haxhiu i cili falenderoj Kryetarin e Bashkisë Lushnje Z.Fatos Tushe dhe Kryetarin e Këshillit Bashkiak Lushnje Z.Ferdinant Gjermeni për këtë vlerësim.

*Me shume foto ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Opinion Tagged With: dita e Lindjes, Homazh per Qerim Haxhiun, Kevin Haxhiu

SHUHET NË MOSHËN 51 VJEÇARE KËNGËTARI RIFAT KIDA, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN

February 6, 2021 by dgreca

Miku im i fëmijërisë dhe i rinisë Rifat Kida e humbi betejën me sëmundjen e pashërushme, që e mundoi aq shumë. Së bashku me kujtimet e hershme dhe të vonshme përnjetoj dhe ndjej thellë në shpirt dhimbjen e rëndë.

Na ike shpejt miku im dhe pas na le dhimbjen dhe këngët e bukura.

Prehu në paqë në dheun e tokës që të lindi i dashur mik! Ti do të mbetesh në kujtimet dhe shpirtrat tanë.

Në emrin tim, të familjes dhe të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” i përcjell ngushëllimet më të thella familjes, miqëve, motrës Resmie!

Pushofët në Paqe shpirti i lirë i Rifatit!

Elmi BERISHA

Kryetar i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”

Nju Jork, 6 Shkurt 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha, Lamtumire, Rifat Kida

BRITANIA E MADHE NË FAZËN MË KRITIKE QË NGA FILLIMI I PANDEMISË…

February 5, 2021 by dgreca

-FLET NGA UNIVERSITETI I OXFORDIT DR. HAMËZ GACAFERI/

Doktor Hamëz Gacaferi, kërkues shkencor në shkenca muskuloskeletore në Universitetin e Oxfordit, Britani e Madhe, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon mutacionin britanik të Covid-19 dhe shprehet se Britania po kalon momentet më kritike të pandemisë. Sipas Dr. Gacaferi vaksinimi është një mjet thelbësor për të fituar ndaj pandemisë globale dhe se efekti i vaksinës vepron edhe mbi mutacionet e zbuluara të virusit. 

MUTACIONI BRITANIK I CORONA VIRUSIT, BRITANIA E MADHE NË FAZËN MË KRITIKE TË PANDEMISË

Aktualisht, Britania e Madhe është ende në fazën e saj më kritike të pandemisë. Javën e kaluar, numri i të vdekurve nga COVID-19 në Britaninë e Madhe ka kaluar 100.000, një ndër më të lartët në botë. Kjo gjendje vërehet dhe nga rritja e numrit të shtrimeve spitalore në periudhën dhjetor 2020 – janar 2021. E kam vërejtur këtë rritje në spital edhe vetë: në spitalet e Universitetit të Oxfordit, numri i pacientëve të shtruar me COVID-19 është dyfishuar në krahasim me valën e parë në prill-qershor 2020, gjatë së cilës unë i ndërpreva shkurtimisht studimet kërkimore dhe punova ‘full-time’ në repartet e COVID-it. Momentalisht, Anglia mbetet në lockdown kombëtar, i treti që nga fillimi i pandemisë, dhe mendohet se kjo situatë do të zgjasë të paktën deri në 8 Mars. Një nga arsyet e kësaj rritje në rastet e COVID-19 është qarkullimi i një variant të ri të virusit në Britani, i quajtur B.1.1.7. Ky variant u identifikua për herë të parë në Angli në shtator 2020, dhe sipas raportimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u përhap në nëntor. Të dhënat tregojnë se ky variant është më i transmetueshëm sesa format e tjera. Për më tepër, ngarkesa virale (‘viral load’) ishte e lartë në pacientët e infektuar me variantinB.1.1.7, në krahasim me pacientët e infektuar me variante të tjerë. Për këto arsye, edhe pse nuk është i vetmi variant i identifikuar në botë, ky variant shkaktoi shumë shqetësim në popullatë dhe në komunitetin shkencor, duke sjellë dhe ndërprerjen e fluturimeve me Britaninëe Madhe të shumë shteteve. Sidoqoftë, sipas studimeve dhe të dhënave të deritanishme,vaksina Pfizer/BioNTech vepron mbi variantin britanik. Më në fund, unë jam optimist: mutacioni i Korona Virusit në Britani është shqetësues, por vaksinimet kanë filluar.

VAKSINIMI NË BRITANI, VAKSINAT E AUTORIZUARA: PFIZER/BIONTECH, OXFORD/ASTRAZENECA DHE MODERNA

Në Britaninë e Madhe vaksinimi ka filluar në datë 8 dhjetor 2020. Deri më tani, vaksinat eautorizuara janë tre: Pfizer/BioNTech, Oxford/AstraZeneca dhe Moderna. Qeveria e Britanisë ka blerë edhe vaksina të tjera, por këto janë ende duke u testuar dhe/ose në pritje të miratimit. Sipas planit të vaksinimit të publikuar nga qeveria e Britanisë së Madhe deri në 15 Shkurt synohet t’i ofrohet doza e parë e vaksinës për të gjithë personat në 4 grupet kryesore të popullatës: – banorët në shtëpitë e kujdesit dhe kujdestarët e tyre, – njerëzit e moshës 80 vjeç e lart, dhe punonjësit shëndetësore dhe të kujdesit shoqëror, – njerëzit e moshës 75 vjeç e lart, – njerëzit e moshës 70 vjeç e lart, dhe individë jashtëzakonisht të ndjeshëm (si individë me shumë faktorë risku). Pastaj, do të vaksinohen edhe grupet e tjera të popullatës. Deri tani, afërsisht 8 milion njerëz kanë marrë një dozë të parë të një vaksine, dhe më shumëse 450.000 njerëz kanë marrë një dozë të dytë. Personalisht, kam marr dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe tani po pres dozën e dytë. Duke konsideruar dhe disponibilitetin e disa vaksinave në këtë vend, shpresoj që deri në fund të vitit të mundësohet që pjesa më e madhe e njerëzve të jenë vaksinuar.

VAKSINIMI, FILLIMI I FUNDIT TË PANDEMISË

Mënyra e vetme për të mposhtur këtë pandemi është nëse punojmë së bashku dhe në këtë rast kjo do të thotë që të gjithë ti respektojmë masat dhe që shumica e njerëzve të vaksinohen për të ngadalësuar përhapjen. Efikasiteti i vaksinave të koronavirusit është provuar të jetë derinë 95% (asnjë vaksinë në histori nuk ka siguruar mbrojtje me 100% siguri). Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ju individualisht: shumë njerëz nuk janë në gjendje të zhvillojnë një përgjigje imune efektive ndaj vaksinimit (për shkak të sëmundjeve bashkëshoqeruese), gjë që i bën ata shumë të ndjeshëm ndaj COVID-19. Vaksinimi i pjesës më të madhe të popullsisë do të krijojë imunitet të tufës dhe do të ndihmojë parandalimin e transmetimit të virusit. Do t’i rekomandoja të gjithëve që të bëni vaksinën nëse keni mundësi (nëse ju ofrohet). Kjo gjithashtu do të lehtësoje barrën mbi sistemin shëndetësor. Vaksinat nuk do të zgjidhin të gjitha problemet tona rreth COVID-19, por ato do të na mundësojnë të përparojmë ngadalë në një situatë të re pa kufizime të rrepta aktuale. Unë e kam vërejtur që brenda komunitetit shqiptar, sikurse dhe në vende të tjera në botë, vihet re mosbesim në lidhje me pandeminë dhe vaksinat. Ky mosbesim, së bashku me teoritë konspirative, janë shumë të rrezikshme për shëndetin publik dhe për besimin e përgjithshëm në shkencë dhe mjekësi. Gjatë dekadave të fundit, kjo ka shkaktuar rishfaqjen e sëmundjeve infektive që dikur konsideroheshin të zhdukur në shumë vende, si fruthi (rubeola) në SHBA.

VAKSINIMI PARANDALON 2 DERI NË 3 MILION VDEKJE ÇDO VIT

Historia na dëshmon për rëndësinë e vaksinave në përballjen me shumë sëmundje, sikurse zhvillimi i poliovaksinës zhduku pothuajse poliomelitin në 1955, një sëmundje e tmerrshme që terrorizoi botën gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit 20-të. Ne nuk duhet të kthehemi shumë larg në kohë për të gjetur shumë shembuj të sëmundjeve infektive që brezi i ri ndoshta nuk ka dëgjuar kurrë (për fat), të gjithë falë vaksinave dhe për shkak të shkencës mjekësore. Poliovaksina së bashku më disa të tjera (tetanozi, difteria dhe pertussis etj.) po u jepen fëmijëve deri më sot dhe e kanë bëre botën pothuajse të lirë nga këto sëmundje infektive. OBSH vlerëson se vaksinimi aktualisht parandalon 2 milion deri në 3 milion vdekje çdo vit. Mosbesimi në vaksina është i pritshëm, sidomos në një kohë ku kemi qasje në kaq shumë informacion dhe fatkeqësisht gjithashtu shumë dezinformim, nga kanalet mediale, kryesisht rrjetet sociale. Është detyrë e çdo profesionisti të kujdesit shëndetësor të përçojë informacionin e saktë tek qytetarët dhe pacientët, që të mund të respektojnë si duhet masat e shëndetit publik, për të mbrojtur shëndetin e gjithë popullatës. Personalisht, më janë drejtuar shumë herë për të pyetur rreth vaksinave, nëse do të vaksinohem apo jo dhe publikimin e fotove apo videove nga kolegët kur vaksinohen, e shoh si një mënyrë shumë të mirë për të përcjellë mesazhin e besimit në shkencë. Për informacione të sakta, të bazuara në fakte shkencore mbi pandemisë COVID-19 në gjuhën shqipe, do t’i rekomandoja komunitetit shqipfolës faqen e internetit të HEDA (www.heda.al), një platformë informative e ndërtuar nga profesionistë shqiptarë të fushës së mjekësisë, për shqiptarët. 

“SHPATULLA E NGRIRË” NË KËRKIM TË PATOFIZIOLOGJISË SË SËMUNDJES SË PANJOHUR

Puna ime kërkimore gjatë doktoraturës fokusohet në një sëmundje të shpatullave të quajtur  “shpatulla e ngrirë” (frozen shoulder). Pacientët me këtë sëmundje përjetojnë ankesa progresive të dhimbjes dhe paaftësitë e lëvizjes, për shkak të inflamacionit dhe fibrozës së kapsulës së shpatullave, duke kufizuar aktivitetet e përditshme. Kjo sëmundje prek rreth 2-5% të popullsisë,  shfaqet zakonisht mes moshës 40 dhe 60 vjeç, dhe kryesisht është vetë-kufizuese, por  simptomat mund të zgjasin deri në 3 vjet. Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve gjithashtu ankojnë për një kohë më të gjatë. Patofiziologjia e kësaj sëmundje është ende e panjohur, opsionet aktuale terapeutike janë nën optimale dhe një udhëzues i qartë për trajtimin mungon. Ne jemi  duke studiuar biopsitë nga kapsula e shpatullave të cilat i marrim gjatë operacioneve të pacientët me shpatull të ngirë. Jemi duke hetuar në laborator biopsitë e këtyre pacientëve dhe të grupeve të kontrollit, duke analizuar profilin qelizor, shprehjen e ARN-së, shprehjen e proteinave dhe faktorët kryesorë të sëmundjes. Këto analiza mund të ndihmojnë në kuptimin e mekanizmave patologjikë, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e terapive të përshtatshme dhe efektive. Gjithashtu, të kuptuarit se si zgjidhet sëmundja e shpatullës së ngrirë mund të informojë trajtimet e  sëmundjeve kronike fibrotike në organet e tjera. Shpresoj që brenda 2  viteve të ardhshme të jemi më afër zgjidhjes së kësaj sëmundje, duke kontribuar në themelimin e një terapie të përshtatshme. 

“COVID SURG WEEK”- KOSOVA DHE SHQIPËRIA NË NJË STUDIM NDËRKOMBËTAR

Përveç kërkimeve shkencore mbi sëmundjen e shpatullës së ngrirë, gjatë pandemisë lindi dhe projekti Covid Surg Week, si një nga nën projektet e grupit Global Surgery  (https://globalsurg.org/covidsurg/). Ky është një projekt ndërkombëtar, që synon të studiojë kohën optimale të operacionit pas infeksionit SARS-CoV-2, dhe të përcaktojë vlerësimin e  treguesve kryesorë kirurgjik në nivel botëror, siç është vdekshmëria pas operacionit.  Momentalisht, janë përfshirë në studim 137.169 pacientë nga 1644 spitale në 116 shtete,  në të cilat dhe Kosova dhe Shqipëria. Të dhënat e hershme tregojnë se operacioni pas infeksionit  COVID-19 shoqërohet me rezultate të dobëta edhe nëse operacioni bëhet disa javë pas  diagnozës fillestare. Covid Surg Week do të na ndihmojë të planifikojmë si të vazhdojmë operacionet tona sapo rastet e Covid-19 të ulen dhe të stabilizohen. Kjo është shumë e rëndësishme: ekziston një grup i madh që nuk mund të operohet për shkak të kësaj pandemie, duke rezultuar në shtyrjen e operacioneve. Të gjithë këta pacientë janë në pritje të operacionit dhe mund të kenë pasur COVID-19 ndërkohë. 

KUSH ËSHTË DOKTOR HAMËZ GACAFERI

Doktor Hamëz Gacaferi është mjek dhe student i doktoraturës (kërkues shkencor) në shkenca muskuloskeletore në Universitetin e Oxfordit, Oxford, Britaninë e Madhe. Ka lindur dhe është  rritur në Holandë, por me origjinë është nga Juniku (Kosovë). Ka përfunduar mjekësinë në Hollandë, pas së cilës ka punuar për një vit si mjek në Qendrën Mjekësore të Universitetit Leiden, në departamentin e kirurgjisë ortopedike. Gjatë këtij viti (2019), fitoi një bursë konkuruese nga Dunhill Medical Trust (Londër) për të ndjekur një doktoraturë në Universitetin e Oxfordit. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Britania e Madhe, DR. HAMËZ GACAFERI, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 289
  • 290
  • 291
  • 292
  • 293
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT