• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Marrëveshja e detit dhe dokrrat e Edi Ramës?

December 28, 2020 by dgreca

Polemikë nga Rafael Floqi/ DIELLI

Z. Rama në këtë deklaratë mendoj se ju keni qenë konsekuent kur keni thënë se  “Greqia po ushtron të drejtën e saj . Por Greqia ka të drejtë për këtë të drejtë ndërkombëtare aq sa ka dhe Shqipëria. But the devil is in the details” thonë amerikanët. Ku janë detajet çka pranon dhe nuk pranon Shqipëria dhe cilat janë kërkesat që ka paraqitur Greqia? Pse na i fshihni ato neve ”të llumit” që na dhemb Shqipëria?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një gjuhë të ashpër pas zyrtarizmit që Greqia i bëri zgjerimit me 12 milje në detin Jon, për çudi, jo ndaj Greqisë, por ndaj shqiptarëve patriotë. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka publikuar edhe dokumentet e vitit 1990, ku sipas tij tregohet se Greqia bëri sot, atë që Shqipëria e ka bërë para 30 vitesh. Sipas tij, shtrirja 12 milje e Greqisë në Jon s’ka lidhje me zonën joniane mes nesh, dhe kush e kundërshton zgjerimin e Greqisë, sipas tij, është llumi i shqiptarisë. Vërtet zoti Rama? 

Po përtej mllefit tënd për këtë dhuratë me qymyr për Krishtlindje. Do të ishte vërtet për t’u gëzuar nëse Greqia do të kishte anuluar ligjin e Luftës siç kanë premtuar. Le ta marrim të vërtetë këtë që thua? Por ne që jemi dyshues, ne “llumi i shqiptarisë” që nuk duartrokasim “skënderbejtë” e rremë? 

Po atëherë, o “Skënderbe” A s’ më thua, pse atëherë pse Greqia dhe Turqia po shkojnë drejt një përplasje e lufte të mundshme. Pse?  Apo se siç thua ti “ Jetojmë në shekullin XXI dhe në mes të Evropës, ku nuk mund të “shiten” e “blihen” dot dete e territore as fshehurazi, as haptazi nga asnjë autoritet i veçantë! Këto mund të ndodhin vetëm në batakun e ligësisë e të injorancës, ku llumi i shqiptarisë gjen shesh për përsheshin e tij!”

 Vërtet. po si e rrëmbeu Rusia, Krimenë në shek. e 21. Pa ma shpjego, o “Skënderbe”!? 

Po pse Z. Rama po ta pranosh, se ne që ngremë pyetje me shqetësim për fatin e trojeve e deteve tona qenkemi “llumi i shqiptarisë”, edhe pse stërgjyshërit e mi e fisi im, kanë firmosur Pavarësinë e Shqipërisë dhe pse kanë krijuar Vatrën, edhe pse kanë shkruar e kanë ngritur zërin për masakrat greke të 1914, që asnjë historiani të Enver Hoxhës dhe të sotëm si shkon në mend. Ata që e kanë bërë Esat Pashën, Pugaçov  shqiptar, dhe hordhitë e andartëve grekë që masakruan me mijëra shqiptarë të pafajshëm gra fëmijë në Kolonjën, Panaritin a Hormovën martire që nuk kanë sot as varre e monumente, e grekët që pushtuan Shqipërinë gjatë Luftës së dytë Botërore kanë varre të reja. Vërtet ata po luftonin Italinë, apo pushtonin Vorio-Epirin? 

Unë nuk besoj, ashtu siç të akuzon Berisha, i cili ka dhe ai fajet e tij, se je një Spiromilo as një Zeograf bis i kohëve të sotme? Vetë ai u bë qesharak kur në një intervistë kohët e fundit tha po unë pranova 6 milje dhe jo 12 milje. Nuk dua të besoj? Nuk mund të them se je antishqiptar. Ashtu siç nuk mund ta kuptoj që ti të takosh një prift grek në New York, por nuk gjen kohë të takosh një shqiptar. Si e shpjegon këtë, o Skënderbe?

Nuk mund të them se je antishqiptar. Ashtu siç nuk mund ta kuptoj që ti të takosh një prift grek në New York, por nuk gjen kohë të takosh një shqiptar. Si e shpjegon këtë, o Skënderbe?

Por i vetëmbushur me vetë kënaqësinë tënde, a mendon që ne s’kemi të drejtë ta duam vendin tonë, dhe të bëjmë pyetjen, që e bën edhe ai diplomati dhe gazetari veteran dhe profesori im, Shaban Murati, sipas teje duhet të jetë injorant, që ka shkruar një libër mbi këtë çështje, që t’i as i hedhur sytë, kur thotë se “mund të barazohet me kufijtë e skandalit fakti tronditës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendosi ta dërgojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të ashtuquajturën “Çështja e detit” me Greqinë, në një kohë që Greqia zyrtarisht nuk e njeh juridiksionin e kësaj Gjykate Ndërkombëtare. A është e vërtetë kjo apo jo zoti Rama ? Përgjigju pra “llumit të shqiptarisë”? 

Ajo që thua se “E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Kjo është e vërtetë. Po ku është manipulimi? Sipas  Prof. Xhezair Zaganjorit ‘ Ne kemi korrigjuar. Konventa thotë se kur nuk ke një shtet tjetër përballë ke të drejtë t’i zgjerosh deri në 12 milje detare. Me sa jam në dijeni, ne i kemi patur 15 milje, dhe na është kërkuar që duhet t’i bëjmë 12 milje, dhe ne aq i bëmë. Pra i shtrimë aq sa kishim mundësinë. Nëse nuk ka shtet përballë, në oqean, shelfi kontinental mund të shkojë deri maksimalisht deri 350 milje. Por nëse nuk ke shtet tjetër përballë apo bashkëngjitur.  Po. Po a janë dokrra ato që thotë njohësi më i mirë i kësaj çështje, në Gazetën “ Panorama”, koloneli në lirim, Myslim Pashaj, ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, bilbilfryrësi që e ngriti për herë të parë këtë çështje, të cilën me të drejtë ti e çove në Gjykatën Kushtetuese, kur të interesonte politikisht, duke akuzuar jo pa të drejtë Berishën, kur shkruan se kërkon reagimin e menjëhershëm të Shqipërisë për të mos lejuar Greqinë që të zyrtarizojë zgjerimin e saj me 12 milje në detin Jon? Zoti Pashaj shprehet se pa një marrëveshje me Shqipërinë për të përcaktuar kufijtë detarë, Greqia nuk mund të bëjë asnjë hap përpara në zgjerime hapësirash detare.” Apo nuk është e drejtë kjo?

A pushton Greqia hapësira detare që mund t’i takojnë Shqipërisë”?

“Të dy shtetet nuk e dinë se ku i kanë detet territoriale, se ku kanë detet e puqur, tej detit territorial. Ajo më kryesorja, se ku ndodhet hapësira ekonomike ekskluzive! Nëse Greqia në mendje të saj, vepron, siç thuhet në vendimin e fundit, ajo në fakt “pushton hapësira detare që mund t’i takojnë Shqipërisë”, të cilat nuk i njeh, nëse i takojnë apo jo”, shprehet Pashaj.  A është dhe kjo dokërr zoti Rama?

A po kur zoti Shaban Murati shkruante se “Në fund të vitit 2014 gjatë vizitës së papublikuar të një zyrtari të lartë të MPJ të Shqipërisë në Athinë në bisedimet me ministrinë e Jashtme greke, pala greke i sugjeroi që Shqipëria ta dërgonte “Çështjen e detit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Greqia luante blofin me Shqipërinë, duke qenë e bindur që diplomacia shqiptare do ta hante karremin, a është edhe kjo dokërr zoti Rama?

A njeh Greqia juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ?

Shumë shpejt pas këtij sugjerimi, në 14 Janar të vitit 2015 qeveria greke depozitoi në OKB një deklaratë zyrtare me firmën e zëvëndëskryeministrit dhe ministër i Jashtëm i Greqisë, Evangellos Venizellos, në të cilën njoftohej se Greqia në parim e njihte juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me përjashtim të disa çështjeve të rëndësishme të interesit të saj kombëtar.

“Qeveria e Republikës së Greqisë njeh si të detyrueshëm ipso fakto dhe pa marrëveshje të veçantë, në lidhje me çdo shtet tjetër që pranon të njëjtin detyrim, në kushtet e reciprocitetit, juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me të gjitha mosmarrëveshjet juridike të referuara në nenin 36, paragrafi 2, i Statutit të Gjykatës, me përjashtim të: – çdo mosmarrëveshje, që lidhet me aktivitetet dhe masat ushtarake të marra nga Republika Greke për mbrojtjen e sovranitetit dhe të integritetit të saj territorial, për qëllimet e mbrojtjes kombëtare, si dhe për mbrojtjen e sigurisë së saj kombëtare. “  Çdo mosmarrëveshje në lidhje me kufijtë shtetërorë apo sovranitetin mbi territorin e Republikës Greke, përfshirë çdo mosmarrëveshje mbi gjerësinë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën ajrore të tij”. A është dokërr kjo z Rama?

“Të gjithë e dimë vendimin e qeverisë Shqiptare dhe asaj të Greqisë, të cilat “E dorëzuan detin në dorën e Gjykatës së Hagës. Kjo e ka bërë çështjen akoma dhe më komplekse. Veç kësaj, në këtë turbullirë dhe tymnajë detare, vendimi i qeverisë së Greqisë ka rastin që të përfitojë, në shtrirje dhe zgjerim të 12 miljeve detare. Një hap i tillë nuk duhet të lejohet, se më vonë, nuk zgjidhet aq kollaj e nuk dihet se sa kohë do të dojë. Urgjentisht duhet të thirret një Forum Gjeoshkencor dhe Juridik i së Drejtës Detare Ndërkombëtare, nga institucione shqiptare, që tërë këtyre problemeve t’u japë qartësinë e duhur”, shkruan Pashaj. A është dokërr z Rama? 

Apo do përfundojë ky gjyq ashtu si arbitrazhi me Bekettin?

Në këtë mënyrë, z. Rama a e dini, se Greqia e ka bllokuar paraprakisht nga pikëpamja juridike çdo vendim të papëlqyeshëm për të nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe mund të pranojë vetëm atë vendim, që i zgjeron asaj hapësirat detare në dëm të Shqipërisë. Deklarata zyrtare e qeverisë së Greqisë e depozituar në OKB në 14 Janar 2015 nuk njeh autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjet detare. Në këtë situatë juridike adresimi nga Shqipëria në këtë Gjykatë i “Çështjes së detit” është paraprakisht i paragjykuar dhe i përcaktuar për dështim. Të shpresojmë të mos jetë kështu zoti Rama. Pra nuk është vendi këtu t’u kundërviheni shqiptarëve dhe të mos shkoni në këtë gjyq si në dasmë. 

Pozicioni juridik zyrtar i Greqisë lidhur me mungesën e juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në çështjet e delimitimit të zonave detare është një realitet juridik dhe diplomatik flagrant, që duhet ta kishte ditur para se të vendosje për dërgimin e “Çështjes së detit” në Gjykatën e Hagës. Bllokada juridike greke me deklaratën zyrtare të 14 Janarit 2015 depozituar në OKB është pengesë serioze për çdo hap, nismë apo ide të dërgimit të mosmarrëveshjeve detare me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kur aktivizohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ?

Gjykata është organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Është themeluar nga Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila u nënshkrua në 1945 në San Francisco (Shtetet e Bashkuara) dhe filloi punën në 1946 në Pallatin e Paqes, Hagë (Hollandë). Gjykata, e cila është e përbërë nga 15 gjyqtarë, ka një rol të dyfishtë: së pari, të zgjidhë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, mosmarrëveshjet ligjore midis shteteve të paraqitura prej tyre dhe, së dyti, të japë mendime këshilluese për çështjet ligjore të referuara nga autorizuar si duhet organet e Kombeve të Bashkuara dhe agjencitë e specializuara. Çfarë e dallon Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe gjykatat ndërkombëtare penale ad hoc si, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) ), për shembull? Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka juridiksion për të gjykuar individë të akuzuar për krime lufte ose krime kundër njerëzimit. Meqenëse nuk është gjykatë penale, nuk ka një prokuror të aftë të fillojë procedurat.

Juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i përgjithshëm dhe në këtë mënyrë ndryshon nga ai i gjykatave të specializuara ndërkombëtare, siç është Tribunali Ndërkombëtar për Ligjin e Detit (ITLOS).  Pse shkoni direkt në Gjykatën e Hagës vendimi i së cilës është përfundimtar , pa e paraqitur çështjen në ITLOS në Hamburg? 

Së fundmi, Gjykata nuk është një gjykatë supreme në të cilën mund të drejtohen gjykatat kombëtare; nuk vepron si gjykatë e fundit për individët. As nuk është një gjykatë apeli për ndonjë gjykatë ndërkombëtare. Sidoqoftë, mund të vendosë mbi vlefshmërinë e vendimeve të arbitrazhit.

Pse disa mosmarrëveshje midis shteteve nuk konsiderohen nga Gjykata? Gjykata mund të dëgjojë një mosmarrëveshje vetëm kur kërkohet ta bëjë këtë nga një ose më shumë shtete. Ajo nuk mund të merret me një mosmarrëveshje me iniciativën e saj. As nuk lejohet, sipas Statutit të tij, të hetojë dhe të vendosë mbi aktet e shteteve sovrane siç zgjedh. Shtetet e përfshira në mosmarrëveshje gjithashtu duhet të kenë qasje në Gjykatë dhe të kenë pranuar juridiksionin e saj, me fjalë të tjera ata duhet të pranojnë që Gjykata të marrë në konsideratë mosmarrëveshjen në fjalë. Ky është një parim themelor që rregullon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, pasi shtetet janë sovrane dhe të lira të zgjedhin mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tyre. A është e vërtetë kjo z. Rama? 

A mundet Greqia mos pranojë vendimet e Gjykatës të Hagës që si interesojnë ?

Atëherë pse, siç thotë z. Murati “ Nga një anë Greqia i sugjeronte Shqipërisë t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe nga ana tjetër bllokonte çdo kompetencë dhe juridiksion të Gjykatës Ndërkombëtare mbi çështjet e gjerësisë dhe kufijtë e detit të saj territorial dhe hapësirën ajrore të tij. Kështu Greqia apriori refuzon të njohë çdo vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që mund të favorizojë apo mund t’i japë të drejtë Shqipërisë në rastin e shqyrtimit të çështjeve të delimitimit të “kufijve detarë, të shelfit kontinental dhe të zonës ekonomike ekskluzive”, tema të cilat qeveria aktuale e Shqipërisë i ka paraqitur si objekt bisedimesh me Greqinë në letrën zyrtare që ministri i Jashtëm socialist i ka drejtuar Presidentit të Republikës, në 12 Shkurt 2018, ku i kërkon autorizimin për zhvillimin e bisedimeve me Greqinë për detin. A është e vërtetë kjo zoti Rama ? A mos vallë nga përjashtimi grek i juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare do të thotë që Greqia do të pranojë vetëm atë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare që plotëson ambiciet detare të Greqisë ndaj Shqipërisë dhe që i jep asaj pjesë të ujërave territoriale shqiptare, pjesë të shelfit kontinental shqiptar dhe pjesë të zonës ekonomike ekskluzive shqiptare?

Djalli fshihet në detajet 

Z. Rama në këtë deklaratë mendoj se ju keni qenë konsekuent kur keni thënë se  “Greqia po ushtron të drejtën e saj ”gjë që shkaktoi akuzat e PD se ka një marrëveshje sekrete Rama – Mitsotakis për çështjen e detit Jon. Por Greqia ka të drejtë për këtë të drejtë ndërkombëtare aq sa ka dhe Shqipëria.” But the devil is in the details” thonë amerikanët. Ku janë detajet çka pranon dhe nuk pranon Shqipëria dhe cilat janë kërkesat që ka paraqitur Greqia? 

Pse na i fshihni këto neve llumit që na dhemb Shqipëria? Ku janë detajet që bini dakord dhe ato që keni kundërshtim? Gjykata nga ana e saj nuk merr përsipër pretendimet e një shteti nëse nuk ka mosmarrëveshje. Na sqaroni çka nuk pranon shteti shqiptar nga kërkesat greke.  

Nëse nuk ka këtu vend për shqetësim pse kur në 29 Dhjetor të vitit 2019 kryeministri i Greqisë, Qiriakos Micotaqis deklaroi se “në qoftë se Athina dhe Ankaraja nuk i zgjidhin dot mosmarrëveshjet për zonat detare, duhet t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për të zgjidhur këto mosmarrëveshje”,  por ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlut Çavusoglu, në 22 Dhjetor 2019 theksoi se opsioni për ta dërguar çështjen e mosmarrëveshjeve midis Turqisë dhe Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është një çështje për një fazë të mëvonshme, sepse “Greqia ka rezerva për juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare mbi delimitimin e kufijve detarë”. Apo nuk është kështu , apo ka të ngjarë që ai nuk e di? A nuk e di ti ndaj po ta tregoj. Një shtet mund të shfaqë pëlqimin e tij në tre mënyra për të pranuar juridiksionin e Gjykatës:

–  me një marrëveshje të veçantë: dy ose më shumë shtete me një mosmarrëveshje për një çështje të veçantë mund të bien dakord ta paraqesin atë bashkërisht në Gjykatë dhe të përfundojnë një marrëveshje për këtë qëllim; Përse nuk na thua për cilën çështje palët kanë mosmarrëveshje?

 –  nga një klauzolë në një traktat: mbi 300 traktate përmbajnë klauzola (të njohura si klauzola juridiksionale) me të cilat një Shtet Palë merr përsipër të pranojë juridiksionin e Gjykatës nëse lind një mosmarrëveshje me një Shtet tjetër Palë në lidhje me interpretimin ose zbatimin e traktatit; A ka ndonjë klauzolë të tillë që nuk e dimë ?

 –  me anë të një deklarate të njëanshme: Shtetet palë në Statutin e Gjykatës mund të zgjedhin të bëjnë një deklaratë të njëanshme duke njohur juridiksionin e Gjykatës si të detyrueshme në lidhje me çdo Shtet tjetër që gjithashtu e pranon atë si të detyrueshëm. Ky sistem i klauzolave opsionale, siç quhet, ka çuar në krijimin e një grupi shtetesh secila prej të cilave i ka dhënë juridiksion Gjykatës për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje që mund të lindë midis tyre në të ardhmen. Në parim, çdo shtet në këtë grup ka të drejtë të sjellë një ose më shumë shtete të tjera në grup para Gjykatës. A keni dijeni që Greqia të ketë hartuar një klauzolë, opsionale në këtë mosmarrëveshje?

Shihe edhe këtë parim “Deklaratat mund të përmbajnë rezerva që kufizojnë kohëzgjatjen e tyre ose përjashtojnë kategori të caktuara të mosmarrëveshjes. Ato depozitohen nga Shtetet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe Greqia e ka bërë këtë apo nuk e dini akoma dhe e dimë ne që jemi llumi i Shqiptarisë. Ndaj po ju pyesim?

Që të jenë të detyrueshme vendimet e Gjykatës, duhet që aktgjykimet e dhëna nga Gjykata (ose nga një prej Dhomave të saj) në mosmarrëveshjet midis Shteteve janë të detyrueshme për palët e interesuara. Neni 94 i Kartës së Kombeve të Bashkuara parashikon që “ Anëtari i Kombeve të Bashkuara merr përsipër të veprojë në përputhje me vendimin e [Gjykatës] në çdo çështje në të cilën është palë”. A jeni të sigurt se Greqia do ta bëjë këtë?

A e dini se “Aktgjykimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe pa apelim ?

Nga e tjetër vendimet e shpejtuara dhe të pa mbështetura dhe të përgatitura kur ju vetë keni thënë se grupi negociues është shpërndarë. A e dini se “Aktgjykimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe pa apelim. Nëse ka një mosmarrëveshje në lidhje me kuptimin ose qëllimin e një gjykimi, e vetmja mundësi është që njëra nga palët të bëjë një kërkesë në Gjykatë për një interpretim. Në rast të zbulimit të një fakti të panjohur deri më tani për Gjykatën, i cili mund të jetë një faktor vendimtar, secila palë mund të kërkojë për rishikimin e aktgjykimit. Për sa i përket mendimeve këshilluese, zakonisht u takon organeve të Kombeve të Bashkuara dhe agjencive të specializuara që u kërkojnë atyre t’u japin efekt ose jo, nga cilado mjet që ata e shohin të arsyeshme.

Për më tepër kur kjo çështje ka dy precedent negativë: në vitin 2009 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë  (GJK) hodhi poshtë Marrëveshjen e Detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, të nënshkruar nga dy palët, kur në Shqipëri në pushtet ishte PD. GJK e  konsideroi marrëveshjen e para 11 viteve “antikushtetuese, të karakterizuar nga moszbatimi i parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve dhe arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”. A dini të na shpjegoni pse gazeta greke u gëzua për vendimin për të shkuar në Hagë , pasi kapërcente impasin e Gjykatës Kushtetuese e ndërtuar kohët e fundit. A mund të na thoni çfarë mbështesni dhe çfarë hidhni poshtë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje tani që më së fundi Gjykata kushtetuese duket se do të ndërtohet, a jeni konsultuar me anëtarët e Gjykatës?

Shpresat janë por fakti është që mes dy vendeve nuk ka marrëveshje për ndarjen e Detit të përbashkët Jon. Kjo është hera e tretë që palët tentojnë të bien dakord dhe arrijnë një marrëveshje. Ndarja e Detit Jon  mes dy vendeve fqinjë ka të bëjë me ndarjen e tri hapësirave: Detit Territorial, Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, ku këto të fundit lidhen me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare, kërkimet për gaz, naftë etj. Me pak fjalë edhe Shqipëria, edhe Greqia kanë interesa strategjike në ndarjen  e Detit Jon. Duket qartë  që palët kanë kundërshti përderisa Rama flet për zgjidhje “përmes një pale të tretë apo Gjykatave Ndërkombëtare”.

Çështja e pranimit të Shqipërisë në BE është një levë presioni ndaj Tiranës

Sipas Konventës Ndërkombëtare të Detit, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje ndodh kur këtë e lejojnë rrethanat gjeografike. Mes Shqipërisë dhe Greqisë hapësirat në Detin e përbashkët Jon, janë të kufizuara. Gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Grek, Nikos Dendias në Tiranë ku u takua me ju Z. Dendias vuri në dukje në deklaratat e tij pas takimit se “pasi kemi shqyrtuar hollësisht çështjen, kemi rënë dakord që Greqia dhe Shqipëria së bashku të vazhdojnë me paraqitjen e kësaj çështje në drejtësinë ndërkombëtare, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, shkruante Gazeta Greke “Prototema” më 20 Tetor. Informacioni tregon, megjithatë, se marrëveshja për referimin e çështjes atje nuk është nënshkruar ende. Vlerësohet se çështja e pranimit të Shqipërisë në BE është një levë presioni ndaj Tiranës”.  A keni qenë ju nën presion apo jeni Skënderbe?.

Për të kuptuar më mirë këtë marrë veshje lypset të shohim mosmarrëveshjet, greko-turke p.sh Turqia ka refuzuar të ratifikojë Konventën e KB mbi Ligjin e Detit (UNCLOS) të vitit 1982. Ajo e ka bërë këtë kryesisht për të prishur të drejtat e ofruara për ishujt grekë në Egje dhe Lindje Mesdhetare. Në 1995, Parlamenti Turk, në mënyrë të jashtëzakonshme, deklaroi se shtrirja e ujërave territoriale të ishujve të Greqisë në Egje në 12 milje detare (një e drejtë nën UNCLOS) do të përbënte një ‘casus belli’. Pra shkak për Luftë z. Rama. Ne nuk kërkojmë këtë gjë z Rama, por nuk duam të kemi një Shën Naum tjetër.   Përgjigja greke ndaj Turqisë për arsye që dihet ka qenë e  matur. Greqia nuk ka pohuar të drejtat e saj sovrane për 12 milje detare të ujërave territoriale në Egje (megjithëse e ka bërë tani në Jon), dhe ka treguar gjatë gatishmërinë e saj për të negociuar caktimin e kufijve të shelfit kontinental, e cila, në terma praktikë, gjithashtu nënkupton ZEE-në e saj. Zbulimet e fundit të gazit në Mesdheun Lindor i shtojnë karburant dhe urgjencë pozicionit Grek, pa e ndryshuar thelbësisht atë. Në caktimin e kufijve të saj të EEZ me shtetet e tjera, Greqia ka ecur me kujdes: ajo nuk ka përdorur, për shembull, koordinatat e Kastellorizo në caktimin e saj të pjesshëm me Egjiptin. Po me Shqipërinë z. Rama, Greqia i jep vlerë dhe ishujve të pabanuar dhe shkëmbinjve nënujorë. Cili është qëndrimi juaj z Rama mbi parimin e ekuitesë apo të vijës së mesit, apo se kuptoni dot?  Sidoqoftë vijën e mesme duhet ta dini nga piktura se nga gjeometria se besoj… Kush peshon më shumë një ishull i pabanuar apo shkëmbi i Gjuhëzës apo kontinenti?

Dalja e Greqisë në zonën e Otrantos a duhet të inkuadrojë dhe Italinë

Nga ana tjetër dalja e Greqisë në zonën e Otrantos duhet të inkuadrojë dhe Italinë.  Marrëveshja, e nënshkruar më 9 qershor 2020 nga Ministri i Jashtëm Nikos Dendias në emër të Republikës Greke dhe homologut të tij italian Luigi di Mayo në emër të Republikës Italiane, bazohet në dispozitat e Konventës së Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit. Paragrafi 2 i Nenit 1 rendit mbi  koordinatat që përcaktojnë vijën kufitare. Paragrafi 3 i Nenit 1 përcakton se “ky demarkacion do të shtrihet në të gjitha drejtimet në pikat e takimit të zonave detare të Shteteve përkatëse fqinje, kur marrëveshjet përkatëse të jenë lidhur”. Pra këtu nënkuptohet marrëveshja me Shqipërinë. Marrëveshja me Italinë mund të merret, si shembull. Shihet që Greqia po nxiton për arsye që të mbetet të zgjidhë nyjën me Turqinë.  Pikërisht dje, Ministri i Jashtëm Nikos Dendias, i cili është në kontakt të rregullt me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Zyra e Çështjeve Ligjore e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara postoi një njoftim disa orë më parë në faqen zyrtare të Drejtorisë së KB për Çështjet Oqeanike dhe Ligjin marrëveshjen Greqi-Egjipt mbi caktimin e zonës ekskluzive ekonomike (EEZ) midis dy shteteve që e kishin nënshkruar më 6 gusht. Ndaj kuptohet dhe kjo deklaratë e Krishtlindjes e Micotaqisit. 

Pse ky ngut? A nuk ju shqetëson kjo ju, z. Rama?

Kur Italia e kish përfunduar marrëveshjen me Greqinë qysh më 1977 dhe e mbaroi këtë vit? A keni pyetur Micotaqisin se kundër ndërtohet baza ushtarake greke në ishujt e papunuar grekë apo për të shtuar në kandar peshën e ishujve? 

Jurisprudenca e gjykatës sugjeron që ajo do ta përcaktojë çështjen në një mënyrë që asnjë palë nuk i jep gjithçka që dëshiron. Duke pasur parasysh refuzimin e Turqisë të juridiksionit të ICJ, një marrëveshje paraprake për të shkuar në arbitrazh është thelbësore (moslejimi i ICJ i kompetencës në çështjen e Greqisë 1976 provon çështjen). E njëjta gjë vlen për Shqipërinë apo jo?

Ju disa muaj më parë, në një forum të revistës “The Economist” të zhvilluar në Athinë, paraqitët dy alternativa për arritjen e një marrëveshjeje Shqipëri – Greqi për ndarjen e hapësirave/zonave detare mes dy vendeve në detin Jon: zgjidhjen nëpërmjet një pale të tretë apo  gjykatave ndërkombëtare për një zgjidhje “te drejtë dhe objektive”. Rama tha në Athinë se “dy palët janë në rrugën e duhur” dhe se shpreson “të arrinin në dakortësi”.  Po na sqaroni ku nuk ratë dakord, dhe pse ratë dakord të pranoni ato vendime të Gjykatës që Greqia mund t’i pranojë ? Për çfarë u ra dakord, apo ratë dakord që s’jeni dakord gjatë vizitës së shpejtë në Tiranë të Ministrit të Jashtëm, grek Nikos Dendias në Tiranë? 

Kur është në fjalë toka dhe ujërat e Shqipërisë, të gjithëve por më shumë atyre. që nuk janë “llumi” por ajka e Shqipërisë, u ke borxh transparencën? Dhe këto nuk janë “dokrra hinit”, siç thoshte Fishta dhe as patriotizëm folklorik. Boll ma, mos iu drejto intelektualëve dhe patriotëve me slangun e rrugës kur je në vështirësi se l(l)umi i historisë ka për të marrë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ndarja e Detit, Polemike me Edi ramen, Rafael Floqi

Mos i poshtëroni më për hir të zotit!

December 27, 2020 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

Ka tridhjetë vjet që përsëritet kjo maskaradë: Për krishtlindje, për bajram, për pashkë, për vit të ri, kur ka përmbytje, kur bie tërmet një herë në njëzet apo tridhjetë vjet. Deputetë, ministra, zv/ ministra kryetarë bashkish, kryetarë qeverie, presidentë, biznesmenë, mafiozë, trafikantë, e lloj lloj parallinjsh pasi kanë larë, masazhuar e parfumosur bythët e majme, të shoqërur shpesh nga gratë e tyre budallaqe e fëmijë të stërfryrë si gjela Peqini, i shikon hipur mbi makina luksoze me bagazhin plot dhuratae ushqime. Nuk harrojnë të marrin me vete kamerat e televizoneve kombëtarë ( leri ata privatë) që të filmojnë minuta të tëra fytyrat, duke shpërndarë me duart e tyre ( edhe zonja Makbeth i kishte më të pastra) për pleqtë e mjerë të azileve dhe  fëmijët varfanjakë migjenianë të shek të XXI, majmunë leshi, arinjë plastikë  e ushqime magazinazh, që qentë e macet, që mbajnë nëpër shtëpia as që ua hedhin sytë. Dhe ju o pensionistë të mjerë, që falënderoni kryeministrin me zemër në dorë për pesëmijë lekë e zini rradhë që në mëngjes pa pyetur as për covid e as për sëmundje, kini pak më shumë dinjitet! Nuk janë paratë e kryeministrit dhe qeveritarëve more të mjerë! Janë paratë tuaja, janë djersa e gjaku juaj i dhjetëra viteve, që derdhët  për një jetë më të mirë e që shpesh u shkoi kot, për dhjamë qeni. Jo më shumë se pesëmbëdhjetë vjet më  parë ishte e ligjëruar paga e trembëdhjetë për gjithë punonjësit e pensionistët. Vetë e vunë e vetë e hoqën horrat e qeverive që shkojnë e vijnë sepse duhet të vidhnin më shumë nga paratë tuaja. A ia vlen të kërruseni aq shumë e të falëndëroni bejlerët e qeverive kur shumë më shumë ata u detyrohen, e shumë më shumë pa u ngopur vazhdojnë të vjedhin? Dhe ju qeveritarë të neveritshëm i jepni fund kësaj maskarade të fëlliqur me dhurata plastike, makarona, miell e sheqer, e pesëmijëlekëshe shpërblim. Ia morët shpirtin këtij populli e tani po i merrni dhe nderin e dinjitetin. E keni katandisur të “lumturohet “ kur ju nxirrni një vendim për shpërblim qesharak edhe pse ato nuk janë paratë tuaja. 

 Keni plot 8760 orë, 365 ditë, 48 javë, 12 muaj  çdo vit, për të menduar e punuar për njerëzit e thjeshtë,për ata që përbëjnë ashtin e ekzistencës së shtetit, që ngrihen çdo mëngjes e punojnë në fusha, male, dete, në magazina, fasoneri, administratë, shkolla, spitale e kudo mbi dhe nën tokë, që me punën e tyre mbajnë gjallë atë që quhet shoqëri njerëzore dhe shtet. Edhe nëse mendoni që me fonde shtetërore ( se ju kurrë nuk u del nga xhepi i fryrë asnjë qindarkë për të varfërit)  mund të shpërndahen dhurata njerëzve në nevojë,  s’ka pse shkon vetë kryetari i qeverisë, ministri apo kryetarët e neveritshëm të bashkive. Çoni një nëpunës të thjeshtë të institucionit, mos ua merrni erzin këtyre mjeranëve e mos ua zini miellin në grykë, sidomos, mos kërkoni me ngulm frazën poshtëruese që del nga goja e uritur e fëmijëve të pafajshëm: Faleminderit zoti kryeministër, faleminderit xhaxhi kryetar. Nuk keni të drejtë, as të shpërndani si dikur sulltaneshat monedha floriri robinjave të haremit , shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit e tu dorëzoni njerëzve personalisht çelësat. Nuk i keni ndërtuar me paratë tuaja o zuzarë!  Janë paratë e tyre ose të taksapaguesve të shteteve bujare. Ju i poshtëroni duke nënkuptuar: kryeministri, kryetari i bashkisë, qeveria  ju dhanë shtëpi të re (edhe të vdekurit dridhen atje në varr kur dëgjojnë këto bëma) prandaj ju duhet të na jepni votën. Asnjë nga ju nuk ka aq para sa të ndërtojë qoftë dhe një kotec pulash të vetme me rrogën që merr. Ju jeni shërbestarë të popullit dhe si të tillë duhet të silleni!  Mos harroni se tridhjetë vjet më parë shumica juaj laheshit me sapllak, e ndërronint brekët e kanotieret një herë në javë, gatuanit nëpër VC tuaja të ngushta, në furnela vajguri, shkonit në punë me biçikleta me kopertona gjithë mballoma e komerdare që nuk kishte vend të vendosje një pullë, e zgarën e ndryshkur, ku vendosnit dy feta bukë lyer me gjizë, mbështjellë me gazetë, të veshur me ato pardesytë dalëbojë, kthyera te rrobaqepsi, e në fund të pesëmbëdhjetëditëshit prisnit të merrnit rrogën për të blerë atë bukën përzier me patate e  marmalatën e zezë, që kishte ditë që mungonte në shtëpi. Tani që jeni fryrë më paratë e këtij populli fatkeq mos e poshtëroni më dhe mos i merrni dhe erzin! Kjo është më tepër se e neveritshme.  

PS : Dhuarat për bamirësi janë bërë e do të bëhen. Po s’është e nevojshme  të dalësh në foto, tv apo gazetë!? Nuk është  gjesti i duhur për të fituar famë apo respekt. Pastaj kur bamirësia  bëhet më paratë e shtetit kjo quhet poshtërsi, ligësi, turp.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Zilja, Mos i poshteroni, Per hir te Zotit

Jo-legjitimët

December 26, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Të majtët në pushtet vazhdojnë të përdorin dhunën. Kjo lë të kuptohet se pushteti që mbajnë nuk është i ligjshëm. Komunistët do të kishin dashur të vinin në pushtet me revolucion, si ai i Leninit. Kjo do t’u kishte dhënë edhe legjitimitetin e pushtetit, dhe krimet e tmerrshme të mëpastajme ndoshta nuk do të kishin ndodhur, as dhuna e tanishme policore. 
Pasi gjermanët, më 1944, ikën, Shqipëria mbeti pa qeveri, politikisht ishte bosh; komunistët e shpallën veten çlirimtarë, sepse pushteti u mbeti në duar. Ata filluan një fushatë të hakmarrjes, pasi e kuptuan se në sy të të tjerëve nuk e meritonin pushtetin, e ndjenin veten të pa-legjitimë; u duhej të krijonin armiq dhe të dilni fitimtarë ndaj tyre; kështu mendonin se do të lehtësoheshin nga barra e kompleksitetit.
Mes viktimave të para të raprezaljes e terrorit ishin personat, tregtarë e fermerë, të cilët me punë e zotësi kishin vënë një farë pasurie. Plaçkitësit e hajdutët në çeta të udhëhequra nga anarkistë, rrugaçë e aventurierë të sëmurë me maninë e madhështisë, zbritën nga malet, zunë shtigje e vunë prita, ndaluan çdo njeri të dilte nga vendi. Shqipëria u kthye në një gropë të përbashkët me viktima të gjallë e të vdekur, pa varr të vetin e pa emra. Mbi mbarë vendin frynte era e keqe e përndjekjeve dhe pushkatimeve; njerëz kufoma me panje të friksuar të ekspozuar në publik qëlloheshin e ndoteshin nga turmat. Partizanë në grupe hynin në çdo shtëpi e lokal, dhe tërhiqnin zvarrë pa shkak njerëz, pa i njohur, vetëm se shprehja e fytyrës së tyre nuk u pëlqente, ose sepse shtëpitë i kishin luksoze a vila të ndërtuara me punë e djersë, dhe ua rrëmbenin.
Shumë prej tyre mblidheshin për t’u ekzekutuar; të tjerë gjykoheshin shpejt në gjykatat e improvizuara me drejtësinë e kolektivit a sheshit. Vrasjet ishin të shpejta dhe shpesh përfshinin të pafajshëm. Ata që njiheshin hapur si armiq të komunizmit u vranë; gratë, fëmijët e familjarët e tyre u dënuan me burgime të rënda e internime; dhe këta nuk ishin të sigurt për jetën. Kishte mes tyre edhe ish-partizanë e ish-komunistë, për të cilët, për ironi e keqardhje, fjala e fundit para skuadrës së pushkatimit ishte “Rroftë Enveri, Rroftë Partia”. Disa ishin lloji i heronjve të minutës së fundit që shtuan radhët e partizane, pasi luftimet e vërteta kishin mbaruar. Të tjerë ishin kriminelë që përdornin statusin e tyre të ri “patriotik” për të shantazhuar tregtarë të pasur, biznesmenë, ose pronarë tokash, për të plaçkitur pronat e tyre.
Në Shqipëri, hakmarrja komuniste kishte axhendë politike; ishte një zgjidhje që morri emrin ‘luftë e klasave’. Komunistët i panë spastrimet si të domosdoshme që të mbijetonin dhe sulmuan tregtarët që nuk paguanin detyrimet që u kërkoheshin, përveç taksave që i kishin paguar; fermerë që nuk dorëzonin prodhimet e tepërta; dhe intelektualët që akuzoheshin për bashkëpunim me ambasada perëndimore; këta u panë si shënjestra të ligjshme për të mbrojtur pushtetin.
Si zakon për krenarinë partizane, parada organizoheshin, me komandantët aleatë rusë a jugosllavë përkrah në tribuna, që merrnin përshëndetjen e njësive ushtarake të zbukuruar me shalle të kuq, simbol i besnikërisë ndaj të kuqve, ndaj komunizmit, dhe jo ndaj vendit. 
Në këmbim të shtrirjes së perandorisë së tij në Evropën Qëndrore e Lindore, Stalini ra dakord të linte Mesdheun për Perëndimin. Më pas Shqipëria do të mbetej vetëm, por lufta e klasave apo hakmarrjet vrasëse vazhduan; frika dhe ndjenjat e dyshimta të tradhtisë nuk do të shuheshin; dhe në disa raste e forma do të vazhdonin edhe në shekullin XXI. 
Pa mohuar krejtësisht atë ideologji që i sundoi 45 vjet, pra, pa një de-komunistizim të sinqertë, Shqipëria nuk bëhet as për 30 vjet të tjera. Pas kësaj, nuk dihet se ç’mund të ndodhë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Jo-legjitimët

EKSPOZITË PËR DOKUMENTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS NË KOSOVË

December 25, 2020 by dgreca

Prishtinë, 24 dhjetor 2020- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, familjarë të viktimave dhe të pagjeturve të luftës në Kosovë, sot kanë hapur ekspozitën “Prezantimi i Ekspozitës për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë”, të fotoreporterit Alban Bujari.

Me rastin e hapjes së ekspozitës, ministri Selimi tha se kjo ngjarje,  risjellë dëshmitë më të trishtueshme të mizorisë së shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë.

“Edhe pse trazon plagën tonë ende të hapur, kjo ekspozitë na shërben për të dokumentuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe e vë në pah, sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës”, tha ministri Selimi.

Ministri Selimi, tha se në secilën ditë, Kosova ka kujtesë për martirët, dëshmorët, për masakrat e njerëzve tonë anekënd vendit, vuajtjet dhe tmerrin e përjetuar nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të mbijetuarit e torturës dhe ankthin konstant të familjarëve të të zhdukurve.

“Të kalosh dekada të tëra dhune e terrori sjellë trauma të papërballueshme, por populli ynë gjeti forcën ta vazhdojë ecjen drejt lirisë̈, për t’u ri ngritur nga hiri. E vërteta e Kosovës duhet t’i bëjë jehonë në botë të drejtës sonë. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë ta vendosim drejtësinë në vend – Drejtësi si satisfaksion për viktimat dhe thirrje për brezat, që të mos harrojnë!”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi shprehu falënderim për bashkëpunim në hapjen e kësaj ekspozite për deputetin Gazmend Syla  dhe fotografin e luftës, Alban Bujari.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë dhe akoma sot për fat të keq janë më shumë se 1600 familje që kërkojnë të dinë për fatin e të dashurve të tyre. 

“ Dëshmitarë jemi të gjithë dhe fatmirësisht kemi çka të themi në anën e drejtë të historisë. Andaj uroj që jo vetëm të kemi sa ma shumë aktivitete të tilla, mundësi për të thënë të drejtën tonë, por edhe që në mënyrë institucionale ta qojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon si shtet”, tha nënkryetarja Nagavci.

Fotografitë e ekspozuara që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, janë realizuar nga fotografi Alban Bujari i cili tha se këto foto tregojnë për masakrat e Serbisë ndaj popullatës shqiptare civile në Kosovë. 

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin edhe familjarët e personave të pagjetur dhe personave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, Bajram Çerkini dhe Nafi Krasniqi, të cilët vlerësuar iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për 6 muaj në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, e më pas do të bartet në ndonjërin nga institucionet e Republikës së Kosovës. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, ekspozite, Krimet e Luftes ne Kosove

PRESIDENTI RUGOVA PARA 15 VITESH…

December 23, 2020 by dgreca

PAVARËSIA E KOSOVËS, E PADISKUTUESHME DHE OBJEKTIVI KRYESOR/

-“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës… Pavarësia është e padiskutueshme”, deklaronte Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova para 15  vitesh, në 23 Dhjetorin 2005, në takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës/

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator/

-Sot shënon 31 vjetorin Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 23 Dhjetor 2020/ Pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme dhe objektivi kryesor. Kështu deklaronte para 15 vitesh Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të Lidhjes Demoratike të Kosovës,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi. Tek fliste jepte mesazh, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005, më pak se një muaj para se të kaloi në amshim në 21 Janar 2006.
“Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Punëve të Jashtme të Kosovës.

Në Rezidncën Presidenciale në Velani, ku regjistrova për të fundit herë deklaratat e Presidentit historik Rugova,  në 23 Dhjetorin 2005, ai kishte takime të veçanta – priti kryetarët e degëve të LDK-së në Kosovë dhe diasporë me rastin e 16 vjetorit të themelimit të LDK-së, e më pas kishte takim pune me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës Bajram Kosumi.

“Unë e vlerësoj si vit të suksesshëm për qeverinë dhe institucionet tona për punën që është bërë, ndërsa në një moment me rëndësi është edhe hapja e bisedimeve për të ardhmen për pavarësinë e Kosovës që është rezultat i punës që e ka bërë qeveria, institucionet dhe populli i Kosovës”, tha Presidenti Rugova, ndërsa përsëriti insistimin e tij për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, e cila theksoi se do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

Sa i përket çështjes së decentralizimit, të shtruar nga gazetarët, Presidenti Rugova tha se procesi i bisedimeve ka filluar tash, ndërsa ka pika të ndryshme.

“Decentralizimi siç e kemi thënë është çështje e Kosovës, pra mund t’i dëgjojmë edhe palët tjera. Mund të bisedohet si pako shtesë e pavarësisë, unë kështu e quaj, se pavarësia është e padiskutueshme, prandaj ne siç e dini kemi filluar një fazë të privatizimit me pilot projektet që ka qenë hap mjaft i guximshëm dhe më vonë do të shikojmë një reformë të përgjithshme të pushtetit lokal që më lehtë do ta bënim me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Presidenti Rugova.

Presidenti historik i Kosovës shtoi se gjithmonë mbesin punët që nuk mund të kryhen. “Ne i përmendëm vetëm ato punë që i kemi kryer dhe që janë mjaft të rëndësishme, ndërsa objektivat dhe programin për vitin e ardhshëm e paraqet qeveria dhe institucionet e Kosovës. Punë që ka mbetura e madhe pa u kryer është çështja e njohjes së pavarësisë”, tha ai.


Ndërsa, sa i përket formimit të ministrive të reja, Presidenti Rugova tha se së shpejti do të vendoset për këtë.

Ndërkohë, në 25 dhjetor 2005, me një shkresë dërguar shefit të UNMIK-ut e autoriteteve më të larta të Kosovës katërmbëdhjetë përfaqësues të jetës publike të Mitrovicës, përmes nënshkrimeve të tyre, kërkonin që, me qëllim të inkurajimit të integrimit të qytetit të Mitrovicës dhe të injektimit për zhvillim ekonomik, dy ministritë e Kosovës në formim – Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të vendosen në qytetin e Mitrovicës, më të madhin verior të Kosovës…

Lidhja Demoratike e Kosovës shënon sot 31 vjetorin, e themeluar në 23 Dhjetor 1989, nga Ibrahim Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë, dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë kosovarë.

Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër të Serbisë në Kosovë.

Ishte koha kur po para 31 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.

Në demonstratat  gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Që në atë kohë, Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallnin idenë për shtetin e Kosovës, ndërsa theksonin se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”.

Formimi i LDK-së dhe disa partive tjera, e pastaj Deklarata Kushtetuese për Pavarësi e 2 Korrikut e Kushtetuta e Republikës e 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur i zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991 me pjesëmarrje 87,01% e votim pro 99,87%, u pasuan me zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, në të cilat Rugovau zgjodh president i parë i Republikës së shpallur, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Presidenti Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Si rezultat i lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dhe i bisedimeve për statusin, Kosova pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht deri tani nga 116 shtete të botës e ka shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti Rugova në vitet e rënda të nëtëdhjeta të okupimit në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku është themeluar LDK, e të shndërruar edhe në seli të institucioneve të Republikës së shpallur me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990.

 “Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës”, thoshte Rugova duke e përuruar muzeun më të ri të kryeqytetit të vendit, në Dhjetor 2002.Shtëpia ku u themelua LDK – Muzeu tani ka emrin “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, Para 15 Vitesh, Presidenti Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • 299
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT