• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIHO GJINI: TEATRI YNË PARA DHE PAS FLAMËS SË PANDEMISË

October 3, 2020 by dgreca

Kujtimet e Mjeshtrit të Madh Miho Gjini me plejadën e parë të ndritshme të aktrimit me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Llazi Serbon, Mevlan Shanaj, Minella Borovën, Niko Kanxherin, Petrika Rizën, Saimir Kumbaron dhe Timo Fllokon…

Intervistoi Çerçiz Loloçi-*

Çerçiz Loloçi…

Kujtimet e Mjeshtrit të Madh Miho Gjini me plejadën e parë të ndritshme të aktrimit me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Llazi Serbon, Mevlan Shanaj, Minella Borovën, Niko Kanxherin, Petrika Rizën, Saimir Kumbaron dhe Timo Fllokon….

Larguar prej vitesh nga Shqipëria, herë pas here keni qenë në Tiranë për të promovuar monografitë për artistët, si libra mbi teatrin shqiptar. Këtë kohë ku ka qenë e fokusuar puna juaj, libri që keni mbaruar? 

Miho Gjini: Ky libër titullohet “10+1”, sepse bën fjalë për 10 ish-studentët e mi në Akademinë e Arteve, (me Birçe Haskon, Gëzim Kamen, Kristaq Mitron, Mevlan Shanaj, Niko Kanxherin, Petrika Rizën, Saimir Kumbaron dhe Timo Fllokon), të vendosur kështu, sipas regjistrit shkollor, duke shtuar këtu edhe dy studentët e mi, aktorët Llazi Serbo e Minella Borova që janë larguar nga jeta; po kështu edhe kolegen, të ndjerën Drita Agolli, regjisoren e parë profesioniste të Shqipërisë, e cila përbënte atë shtojcën numerike: “+1”. Po ky libër, i tridhjeti i imi, mund të mos ishte shkruar, nëse nuk do të kishte ndodhur që, gjatë këtyre 44 viteve, para kësaj pandemie të mallkuar, nuk do të kishte ndodhur ndër ta ai fenomen i ‘ligjit të pashkruar’ se nxënësi jo pak herë ia kalon edhe mësuesit, ashtu sikur ndodh edhe brenda familjes për djalin që ia kalon babait. Nuk kishte rast më i bukur që unë të shprehesha për këtë mrekulli të artit shqiptar, kur plejada e re e artistëve më të shquar të sotëm, kanë qenë, krejt rastësisht, studentët e mi e të Dritës. Se sa ia kam arritur, këtë mund ta thonë vetëm ata, ish-studentët e mi, por edhe kritika aristike dhe artdashësit e shumtë që janë gjithmonë në kontakt me krijimtarinë e tyre. Dhe ky  libër, në trajtën e një albumi shfletohet lehtë, po edhe sepse kaq e pata ‘jorganin për të mbuluar këmbët e mia’!

Jeni shprehur më herët se dashuria për teatrin nuk rresht. Këtë e keni treguar përmes disa monografive, që keni shkruar për artistët si Mihal Popi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Nikolin Xhoja, etj. Paralelisht me këto libra për korifejtë e Teatrit Kombëtar, të cilët i keni quajtur si ‘themelues’ të këtij teatri, keni botuar edhe librin me portrete krijuese: “Jetë artistësh” të personaliteteve tona të padiskutueshme si Kadri Roshi, Sandër Prosi, Besim Levonja, Mihal Stefa, Kujtim Spahivogli, Tano Banushi, Bexhet Nelku, Robert Ndrenika, Yllka Muja etj. Çfarë mund të na thonni për këto figura të teatrit shqiptar dhe kontributin e tyre në jetën artistike të vendit? 

Miho Gjini: Secili prej këtyre artistëve me emër të ndritur solli ‘diçka të vetën’ që pasuroi artin tonë skenik. Dhe ndërsa disa prej tyre si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Mihal Stefa, Besim Levonja, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Margarita Xhepa, Marie Lagoreci, Pandi Raidhi, Nikolin Xhoja e Ndrekë Luca, për të cilët edhe jam shprehur më tepër, vinin nga lëvizja amatore e vendit, po edhe drejtpërdrejt nga rreshtat e partizanëve, duke prurë në teatër talentin ‘e virgjër’, eksperiencën vetiake të përparuar e plot jetë; grupimi tjetër i mëpastajmë vinte nga shkollat  e larta, të huaja e tonat, duke prurë në Teatrin Kombëtar një mjeshtëri më të lartë aktrimi, të një eksperience shkencërisht të provuar në Teatrin Botëror, ku përveç atyre që rradhitëm, dhanë kontributin e tyre të vyer edhe artistë të mëvetshëm si Piro Mani, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Andrea Malo e Mihal Luarasi. Këta ishin edhe pedagogët tanë që na mësuan ABC-në e artit skenik profesionist e të kinematografisë, derisa u krijua brezi i tretë, me Robert Ndrenikën, Yllka Mujon, Luiza Xhuvanin, Roza Xhuxhën (Anagnostin), Ndriçim Xhepën, Reshat Arbanën, Serafin Fankon, Vangjush Furxhiun, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Fatos Selën, Roland Trebickën… Ata të dhjetët që janë inkuadruar në librin tim të ri, radhiten si brezi i katërt, ndërsa ka dal në pah brezi i pestë i aktorëve me Alfred Trebickën, Vasjan Lamin, Arben Dërhemin, Alert Çeloaliajn, Ervin Bejlerin, Marsela Lenën, Olta Gixharin, Olta Dakun, Nik Xhelilin, Kristjan Koroveshin, Alesja Xhemali e me radhë, për të mos bërë ‘lista’ para kohe!… Breza të rinj do të shfaqen ende. Përtëritja e talenteve dhe e brezave të artistëve do të jetë e vazhdueshme. Teatri dhe kinematografia kërkojnë vazhdimisht ripërtëritje, freski, talente të të gjitha moshave, deri tek vogëlushët e regjizores Xhanfise Keko, të cilët sot janë bërë interpretues të gjyshërve e të gjysheve tona!

–Për ju, a është bërë mjaftueshëm nga institucionet për të promovuar veprimtarinë e këtyre artistëve të njohur ndër vite? 

Miho Gjini: Ka dy lloje promovimesh, ai i veprave teatrore e kinematografike që bëhen, sa herë del para publikut krijimtaria e artistëve, në trajtën e spektaklit e të filmit, pra ai i premierave të tyre si edhe ai i librave që u përkushtohen artistëve, ku radhitet botimi i dramaturgjisë më shumë e i skenareve më pak, i monografive për artistët e karrierës, të cilët i evidenton koha si personalitete të padiskutueshme. Për fat të keq, këto të dytat bëhen pak, ose aspak! Kam patur fatin t’i takoj personalitete të brezit të parë që u ulën në bangat e Shkollës së Lartë të Aktorëve dhe ne u përballëm me një boshllëk të tmerrshëm të literaturës profesionale për aktrimin e regjizurën. I nënshtroheshim praktikës së leksioneve që jepeshin nga persona të paktë që e njihnin teatrin, sikundër qe Xhamal Broja apo të vinte nga Moska një pedagoge e institutit të famshëm “GITIS” që të na jepte leksionet e “mjeshtrisë së aktorit”, sipas teoricienëve të Shkencës Teatrore Ruse, të Stanislavskit e të Dançenkos… Botimet e para tek ne përfshiheshin në disa dispenca të përkthyera e shumë kohë më vonë u duk nëpër libraritë tona ndonjë libër origjinal për Aleksandër Moisiun, edhe ato me karakter biografik e jo si studime analitike për artin e kolosit tonë të aktrimit botëror. Promovimet e librave për teatrin as që njiheshin fare në mjediset e teatrove tona, kur ato ende nuk ishin shkruar e botuar. Egzistonte vetëm një normë për të bërë 4 spektakle në vit, si edhe një shfaqje për fshatin, si ‘plan pune i detyruar’ për aktorët, regjisorët e pedagogët e tyre, të cilët njiheshin vetëm si ‘shërbëtorë të partisë’ që ishte në krye të vendit… Ndërkohë artistët tanë tmerroheshin prej këtyre ‘promovimeve’, ku vinin gjithfarësoj censorë të politikës së ashpër, me ‘gërshërë në brez’ dhe jo pak herë me ‘thikën pas shpine’.

U shprehët se keni qenë student i vitit të parë të Institutit të Lartë të Arteve, të Fakultetit të Aktrimit, që është hapur në vitin 1959. Çfarë kujtoni në ato vite? 

Miho Gjini: Kujtoj një etje të jashtëzakonshme për teatrin e adhurim për artistët e parë të skenës sonë, ashtu sikundër ishin. Për Mihal Popin, aktorin e viteve ’30 të shekullit të kaluar, që italianët e kishin quajtur ‘komiku i kryeqytetit shqiptar” apo për dy aktorët që vinin drejt e nga lufta, për Naim Frashërin e Besim Levonjën… Ky i fundit, atë skeçin për Prefektin e Tiranës, që e loznin në mal me aktorët partizanë,  e bëri komedi të plotë dhe menjëherë e interpretuan aty, në godinat që gjetën si më të përshtatshme të ‘Dolpolavorës’ së ushtrisë italiane, ngritur me ngut, për dëfrimin e saj, që më pas do të merte emrin “Teatri Popullor”. Mirëpo ndodhi që njerëzia zinte radhën para sportelit të këtij teatrit që pas mesnate, për të siguruar një biletë dhe ‘thyheshin dyert’ kur hynin për të parë në skenë komedinë e Besimit, sido që ishte ajo. Ne patëm fatin të ‘ushqeheshim’ me këtë atmosferë ngazëllyese dhe ishim, si të thuash, me një fat dytësor: që shkolla jonë e aktorëve profesionistë, të ishte pranë tyre. Po jo vetëm kaq. Ne përbënim kontigjentin e parë të këtij teatri dhe unë do të kujtoj ende, si një privilegj të madh se e gjitha klasa jonë prej 25 vetësh, do të përbënim emrat e parë të spektakleve të para, përbri këtyre themeluesve të mëvetshëm, çuditërisht edhe të aftë për të interpretuar edhe personazhet-heronj. Kështu kur u vu në skenë tragjedia e Shekspirit ‘Hamleti’ nga një regjisor rus, që edhe ai ishte me një këmbë prej druri, (humbur në Luftën e Dytë Botërore, si pjesëmarrës i ‘Ushtrisë së Kuqe’ në një betejë me gjermanët!), duke qëndruar në skenë, përbri Mbretit Klaud të Pjetër Gjokës, me një tabaka në dorë, ku ishte gota me helm, e destinuar t’ia çoja Hamletit të Naim Frashërit, sa të më jepte urdhër ai. E, ajo që do të ndodhte, me vrasjen e tij, i helmuar nga një mbret ogurzi, për t’i marrë mbretërinë e të ëmën për grua njëherësh, i shpuar edhe nga rapjera e Laertit, do të fiksohej në mëndjen e zemrën time tërë jetën, aq më tepër se, nga rreshti i parë i sallës u dëgjua një klithmë e thekshme; ishte vajza e aktorit Naim Frashëri që interpretonte Hamletin, me një vërtetësi të shkëlqyer, aq sa ajo kujtoi se i vranë të atin me të vërtetë!

Për këto botime kushtuar teatrit dhe artistëve, a keni kërkuar ndonjëherë mbështetje te Ministria e Kulturës? 

 Miho Gjini: Ky është një kapitull më vete që, sipas meje ‘nuk ka Perëndi që ta ndreq’! Sa flitet për para, nisin të veprojnë ‘njëqind mekanizma të nëndheshme’, shpiken lloj-lloj formularësh, hapen kalendat greke për to e për atë që i kërkon paratë! Dhe jepen shumë herë sipas të njohurve, tarafeve e klaneve egzistuse. Do të përmend këtu ‘habinë e madhe’ që pati miku im në Athinë, Thanas Medi, kur iu dorëzua çmimi i parë për romanin e tij (për Sokrat Bubën), sepse po delte edhe një ‘i panjohur’ nga fisi i vllehëve të asgjëkundit (!), pra një ‘askushi”, për të rrëmbyer kështu të parin çmim, madje në rangun kombëtar, pa e parë e  dëgjuar njeri! Sepse ‘shkrimtarllëku’ e tarafllëku, poshtë e lart ‘fshatit tonë të vogël’, qenë mësuar që çmimi i parë të jepej vetem midis dy-tre emrave që qarkullonin nga viti në vit. Po, le të sjellim edhe rastin e kundërt timin, kur në 30 libra të shkruara, mezi u dha minimumi i mbështetjes financiare, për ta botuar monografinë ‘Diva shqiptare’ për Artisten e Popullit Margarita Xhepa, mbi pesë vite pas botimit të këtij libri, me paratë e pensionit tim e me ‘këmbët’ e Margaritës që trokiti disa herë te ish-Ministri i Kulturës e ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës! Rasti i dytë, kishte ndodhur, me kërkesën që dikasteri përkatës të na ndihmonte të botonim për gjithë Diasporën Shqiptare të vetmen revistë për Letërsine e Artet “Pegasi”, ideuar e realizuar nga poeti Grigor Jovani e unë si kryeredaktor që arritëm të botonim 13 numra e ngecëm në vend prej “xhepave tanë të grisur” në mërgim… Shkuam vetë tek ministri ‘merhum’ i asaj kohe, i cili qe bërë qesharak edhe nga fakti i asaj ‘kërkese absurde’ të tij për të sjellur këtu eshtrat e Ismail Qemalit” kur ato preheshin, prej dekadash në vendin tonë, i cili na priti tek shkallët e dikasterit e na përcolli po aty, derisa u detyruam ta mbyllim botimin e kësaj reviste shumë te suksesshme e të domosdoshme për jetën kulturore të vendin, kur ende shohim tek mbështeten lloj-lloj botimesh pa peshë e pa ndonjë vlerë të qënësishme. No Coment! Në vend që organet egzistuese dhe institucionet e larta t’i thërrasin e t’u luten intelektualëve që merren me ‘kësi punësh’, me paradhënie në dorë që të bëjnë të tilla vepra, të domosdoshme për jetën shoqërore të vendit, për kulturën, artin, letërsinë, dramaturgjinë, historinë, përgjithësisht shkencën tonë kombëtare, shpiken lloj pengesash burokratike, klauzola, formularë ‘projektesh’ e sorollatjesh të pafundme, për t’ua ‘plasur buzën’ këtyre krijuesve të njohur e të afirmuar… Ca më tepër, kur janë fare të panjohur, si puna e Medit!

Çfarë ju shqetëson sot për teatrin në vend dhe artistët; çfarë duhet bërë më tepër nga institucionet si Teatri Kombëtar dhe Ministria e Kulturës? 

Miho Gjini: Më ngjan se e ‘konsumova’ këtë pyetje me ato që thashë më sipër. Se edhe për jetën e brendshme, gjendjen, funksionin, të drejtat e ecurinë e mëtejshme të teatrove tona, ende nuk ka ligje bazike, të qëndrueshme e me perspektivë. Nga kjo lind edhe ajo gjendje e mjerueshme e artistëve tanë, të cilët japin shumë nga vetja dhe marrin fare pak, sidomos nga shteti i tyre dhe do të mbeten gjithmonë si njerëzit më të varfër e më te papaguar në vendin tonë, për punën e tyre të vështirë, të veçantë dhe me emocione të mëdha, e cila nuk kërkon vetëm talentin, po edhe një punë vetiake raskapitëse e emocione të pallogaritshme që ua shkurton atyre jetën, sikundër ka ndodhur edhe me Mihal Popin, Naim Frashërin, Kadri Roshin, Nikolin Xhojën, Bexhet Nelkun, Agim Qirjaqin, Bujar Lakon, Fatos Selën, Roland Trebickën, Llazi Serbon, Minella Borovën, Aleko Prodanin e ndonjë tjetër që na ikën para kohe, në kulmin e karrierës së tyre, ende pa i thënë të gjitha, pa u shprehur plotësisht me vlerat e tyre të jashtëzakonshme. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, pa e gëzuar as artin e as jetën, kur në vende perëndimore artistët madhorë bëjnë një jetë komode e janë njerëzit më të privilegjuar, madje më të pasur se nga një ministër e deputet së bashku. Ata janë ‘ajka’ e shoqërisë dhe e vendit të tyre. E kundërta me këta të fundit që përmendëm, të cilët, jo pak herë ngjiten deri aty, me mashtrime, korrupsion e me dëftesa shkollore false, duke u pasuruar në fare pak kohë! Përse të ndodhë kjo gjëndje?! Se, edhe në gjysmën e shekullit të diktaturës dhe as sot, ne 30 vitet e tranzicionit tmerrësisht të gjatë, nuk u vu asnjëherë në krye të dikasterit të kulturës një personalitet i Kulturës, i Artit e i Letërsisë, po vetëm partiakë të devotshëm, edhe kur këta janë tërësisht të papërgatitur, madje të painformuar, jo vetëm për gjendjen aktuale të njerëzve të shquar të vendit të tyre, po as për eshtrat e tyre?!

Një tjetër problem që kanë ngritur autorë të ndryshëm ka qenë dhe mungesa e dramës shqipe në skenat tona. Ju çfarë mund të na thoni? 

 Miho Gjini: Edhe kjo pyetje ka të bëjë me ato që u thanë më sipër. Duke kujtuar se tek ne egziston pandehma që gjinia e dramës është më e lehta, si një bisedë që bëhet midis dy a më shumë personazheve e jo ashtu, sikunder thoshte Shekspiri me gojën e Hamletit se: “Drama është gracka ku shpirti i mbretit zihet si Laraska”! Pra, kemi të bëjmë me një “lëndë të sofistikur”, me një mjeshtëri krejt të veçantë, me organizimin e të cilit jam marrë vetë dhe që do të përfundoja në burgun politik, së bashku me regjisorin Mihal Luarasi e dramaturgun Minush Jero! Megjithatë, le të pranojmë se atëhere punohej sistematikisht në teatër, me energji të jashtëzakonëshme krijuese. Ndryshe nuk merrje as rrogën për të ushqyer familjen! U evidentuan edhe spektakle të nivelit të lartë, sikundër qenë: “Karnavalet e Korçës”, “Halili e Hajria”, “Hijet e natës”, “Toka Jonë”, “Familja e Peshkatarit”,”Këneta”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”,”Hamleti”, “Gratë gazmore te Uinstorit”, “Dhelpra e Rrushtë”, “Xhaxha Vanja” e të tjera si këto, ku do të shkëlqenin edhe talentet e para të aktrimit shqiptar, ku do të ‘thyheshin’ dyert e teatrit për të parë një shfaqje në skenë.

Jemi në fund shtatori e fillim tetori dhe çdo vit kjo periudhë përkonte dhe me nisjen e sezonit artistik; për shkak të pandemisë ende nuk dihet se si do të vijojë aktiviteti në institucione. Në këtë situatë ju çfarë mendoni se duhet bërë për teatrin? 

Miho Gjini: Pandemia e vuri teatrin para një sprove të vështirë që ka të bëje drejtpërdrejt edhe me egzistencën e tij jetësore… Se teatri është një art kolektiv, i cili harmonizon punën krijuese të artistëve të skenës me publikun që është në sallë, drejpërdrejt i lidhur me reagimin e tij e me frymëmarrjen e tij…  Ndryshe nuk mund të bëhej!… Me maska?! Në distancë?! Të shkëputur nga njeri-tjetri?! Është duke u provuar edhe kjo, më thanë disa spektatorë që ishin në Korçë muajin e kaluar, ku u zhvillua një festival komedie, jashtë sallës së teatrit. Miku im, kritiku Josif Papagjoni shkruante në një gazetë para disa ditësh se, mbi taracën e Teatrit të Operës u shfaq drama e re e Çapalikut dhe u kalua “sprova e një suksesi” kundër Pandemisë. Tani unë vij nga Dibra e Madhe, në Maqedoninë e Veriut, e cila zhvilloi një festival teatri me pjesë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Dua të them se ka nevojë për më shumë investim për dramën. Dramat nuk mund te shkruhen nga njerëz që vetëm kanë dëshirën për të krijuar drama, që bëjnë edhe provat e para dhe që nuk kanë studiuar 4 vite të tëra në një fakultet dramaturgjie, që në vendin tonë as që është menduar të ngrihej ndonjëherë e as të dërgohej jashtë vendit ndonjë autorë me talent, me prirje e fantazi që të mësojnë ligjet e saj. Mbetëm në ato përjashtime të veçanta me talentet e dikurshme, të rralla të autorëve Spiro Çomora, Xhemal Broja, Kolë Jakova e Vedat Kokona që kanë jetuar e bërë jetë e shkolla analoge jashtë shtetit amë, të prirur ta njohin e dashurojne teatrin dhe dramaturgjinë, si gjininë më të vështirë të letërsisë. Pa u bërë nihilistë, edhe tek ne, në periudha të ndryshme, jane shkruar e po shkruhen edhe drama origjinale, po këto jane fare te pakta, të keqkuptuara hera-herës, nga shkrimtarë me përvojë të gjatë, si Bubani, Laço, Paçrami, Kraja, Kozeli, Çapaliku, Shllaku, Rama, Kame etj, të cilat kanë pasur vlerë në kohë e periudha të caktuara e pastaj janë ‘mbyllur’ në kohët e sotme. Zhvillimin e hershëm të dramaturgjisë kombëtare e ka penguar edhe e ashtuquajtura ‘platfomë ideologjike e politike’ që e sugjestiononte koha e rënduar e së kaluarës… Për 50 vjet, ata qe shkruanin drama e kushdo tjetër, quheshin “Shërbëtorë të Partisë” e drama duhej të qe me domosdo: “Gazetë folëse e Partisë”! Dhe luheshin në skenë ‘antidrama’ për të mbushur repertorin që kërkohej nga lartë! Më kujtohet se në konkursin e parë për Dramën Shqipe që u bë në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, ku juria përzgjedhëse përbëhej nga Ismail Kadare, Naum Prifti e Miho Gjini, nga 100 drama që lexuam, gjetëm vetëm një të saktë, të shkruar prej një autori erudit, po me ‘biografi të keqe’, A. Kasaruho nga Gjirokastra, po nga lart ky emër do të ‘shuhej’! Pra, drama e vërtetë ‘varrosej’ para se të lindte!

Si e keni parë teatrin dhe zhvillimin e tij para ’90 dhe çfarë ndodhi pas këtyre viteve, cilat ishin problemet që ndikuan në teatër sipas jush? 

Miho Gjini: Para viteve ‘90 të shekullit të kaluar, në periudhën e soc-realizmit, i gjithë teatri ynë ishte i politizuar dhe i nënshtrohej një detyrimi: Të bënte 4 premiera në vit dhe të pasqyronte ‘vijën e partisë’ dhe direktivat e saj. Njiheshin në atë kohë sloganet e Enver Hoxhës për ‘heroin pozitiv’, për ‘njeriun e ri’, ‘fundin e lumtur’ dhe ‘masivizimin’ dhe që në çdo teatër, të kishte një organizatë partie, që ruante me vigjilencë “moralin proletar’ nga çdo rrëshqitje e mundshme ideologjike dhe kështu atrofizohej artisti, dramaturgu, regjizori për të shprehur botën e tij të brendshme. Nëse do të vihej një dramë në Teatrin Popullor apo në ato të rretheve, ajo do të kalonte në disa filtra: filtri i parë nga vetë institucioni, pastaj nga levat e partisë FDSH, BRPSH e BPSH, nga ‘skifterët’ e gazetave të partisë dhe në fund sektori ideologjik i Komitetit të Partisë. (Ti si artist, si dramturg, si regjisor mund të kalojr filtrin e “Zërit të Popullit’, por duhet të prisje edhe atë të gazetës ‘Bashkimi, “Puna’, ‘Zëri i Rinisë’, madje edhe nga  ‘Horizonti’ e ‘Pionieri’. Por edhe po të shpëtoje prej tyre prapë do ishe ‘sy e veshë ngrehur’ se çfarë do të thoshnin gazetat lokale dhe e keqja mund të vinte andej nga nuk e prisje, nga ‘Pararoja’ apo ‘Fitorja’, nga ‘Kukësi i ri’ apo ‘Ushtima e maleve’, nga ‘Drapër e çekan’ apo nga një organ tjetër partie që ishte vrasës i jetëve njerëzore. Por edhe kur i kishe kaluar këto pengesa dhe drama shfaqej, sërish ishe në ankth se çfarë mund të thoshte një i rrjedhur nga fshatarësia kooperativiste apo një i shkarë nga klasa punëtore; mjafton një letër anonime në organet më të larta dhe shfaqja mund të ndërpritej). Për një periudhë të caktuar u ndaluan krejtësisht dramat e huaja dhe me detyrim kërkohej ‘drama e partishme’ që t’i përgjigjej ‘flakë për flakë’ realitetit politik të kohës. Kështu u forcua skematizmi e dogmatizmi, me këmbëngulje e urdhëra partie, duke ndëshkuar të gjithë ata krijues, me frymë liberale, që hezitonin e bënin të kundërtën, me ose pa dashje, me instiktin e lirisë së shprehjes në shpirtin e tyre.

Megjithatë drama shqipe nuk ka vdekur. Dhe ky sinjal domethënës na vjen nga Maqedonia e Veriut, ku një artist krejt i veçantë si Ylber Nuredini zhvilloi Festivalin Mbarëshqiptar të Dramës Shqipe në edicionin 19, në të njëjtën praktikë, jashtë teatrit të këtij qyteti, me shumë artdashës, i vetmi në botën dhqiptare që nuk ka zhvilluar asnjë festival të tij pa praninë e kritikëve të teatrit dhe pa bërë debate e analiza, jo vetëm kundër formalizmit të deritanishm që vihet re në disa vende e qytete të tjera, të infektuar nga “FESTIVALOMANIA”! Gjithashtu, këto ditë ndodhem në Elbasan, ku zhvillohet me sukses edhe Festivali Ndërkombëtar Teatror, në të njëjtat kushte, në natyrë, me publikun në distancë e me maska, me një skenografi që do ta quaja ‘të magjishme’ brenda e jashtë kalasë së lashtë. Pra, teatri ynë do të mbijetojë e do të triumfojë edhe nga flama e Covid-19!

*Faleminderit Çerçiz Loloçi, që e ndave me lexuesit e Diellit intervistën me Mjeshtrin e Madh Miho Gjini.

Filed Under: Opinion Tagged With: Çerçiz Loloçi, Miho Gjini, teatri

PSE PO SHPOPULLOHET SHQIPËRIA?

October 2, 2020 by dgreca

Dritan Laci, gazetari me përvojë 14 vjeçare në mediat kryesore të Tiranës si Opinion Tv Klan, Top Channel, shtypin e shkruar dhe së fundmi nga platforma mediatike “Syri.net” analizon Shqipërinë politike dhe shpjegon fenomenin se pse po shpopullohet Shqipëria. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, gazetari Laci shprehet se shqiptarët po ikin pasi Shqipëria sot është një shtet autoritar ku legjitimon vetëm kulti i njëshit, vendi është zhytur në keqqeverisje dhe arrogancë, mazhoranca është e lidhur ngushtësisht me oligarkinë, kryeministri shkeli me këmbë institucionet dhe eleminoi demokracinë në vend. Zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021 sipas gazetarit Dritan Laci, janë motivi që shqiptarët të mos ikin dhe tua lënë vendin e tyre ta zhvasin batakçinjtë. Mes Bashës një lidër perëndimor shfaqet Rama autoritarist, totalitarist ku një mandat tjetër sipas gazetarit Laci do e kthente Shqipërinë në një Republikë të pestë Putiniane. Me gazetarin Dritan Laci bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

PSE PO IKIN SHQIPTARËT NGA SHQIPËRIA?

Në 8 vite qeverisje të Rilindjes, situata është përkeqësuar mjaftueshëm sa për të krijuar bindjen te shqiptarët se ëndrra për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri pa diferenca të theksuara midis klasave shoqërore është shumë larg të qenit e prekshme. Mjafton të shikojmë vitet e fundit, sidomos mandatin e dytë të qeverisjes së Ramës, ku të rinjtë po e braktisin me shpejtësi Shqipërinë. Sot ne po flasim për një hemoragji të pandalshme që po tkurr demografikisht popullatën shqiptare, për shkak të keqqeverisjes dhe arrogancës së maxhorancës në pushtet, e lidhur ngushtësisht me oligarkinë. Një arrogancë që e po e kthen Shqipërinë dalëngadalë në një Republikë të Pestë Putiniane në Evropë, pas Rusisë, Azerbajxhanit, Biellorusisë, Serbisë dhe Turqisë që tashmë janë kthyer në shtete autoritare ku legjitimon vetëm kulti i njëshit dhe ku opozitat thuajse janë asfiksuar, duke u synuar eleminimi i tyre. Ky është edhe rreziku i madh që sot kërcënon Shqipërinë, me një Rilindje e cila qëllimin e saj ka eleminimin e plotë të demokracisë në vend. Kur pasi e ka lënë vendin pa institucione, po përpiqet me çdo mënyrë të asgjësojë edhe opozitën që është kolona e fundit e shpresës për ta mbajtur vendin në shinat e demokracisë. Zgjedhjet e 25 prillit janë pikërisht shansi dhe motivi që  shqiptarët të mos ikin dhe ta lënë vendin e tyre ta zhvasin batakçinjtë. Dhe ndoshta me dhimbje e them që mund të jetë shansi i fundit përpara se të biem në një autoritarizëm të thellë. Ne para se të zgjedhim të ikim nuk duhet asesi ta lejojmë që të biem, që Shqipëria të jetë vendi ku do të jetë e vështirë në një të ardhme të kthehemi. Sigurisht që opozita në Shqipëri nuk është opozita e mrekullirave që do të donim. Sigurisht që njerëzit nuk kanë humbur besimin. Por kjo opozitë me Bashën në krye, po tregon dhe ka një platformë ekonomike për një Shqipëri normale. Kjo është edhe teza e tij dhe besoj që kjo i duhet edhe Shqipërisë në këto momente, që duhet të ndahet njëherë e mirë nga Shqipëria e fasadës, e propagandës dhe likeve. Shqiptarët e kanë kuptuar që liket në facebook_un e Kryeministrit nuk ua paguajnë dot faturat gjithmonë e në rritje në fund të muajit. Liket nuk ua paguajnë dot ilaçet. Liket nuk ua paguajnë dot karburatin më të shtrenjtë në Evropë. Liket nuk ua paguajnë dot arsimin më të shtrenjtë. Sot Shqipëria, dhe ky është realiteti, është një dramë që ka tendenca të kthehet në tragjedi, në mos ka marrë trajtat e tilla. Pandemia ka lënë me mijëra të papunë, të cilët përballen me talljen dhe nënqeshjen e një Kryeministri që nuk del dot jashtë sarajeve të tij. Të një Kryeministri që shkakton terror në popullatë, duke u prishur banesat qytetarëve dhe duke mos i dëmshpërblyer. Dhe jo vetëm kaq por duke u çuar edhe fatura miliona lekë për mbetjet e ndërtimeve që u ka prishur. Madje duke i sorollatuar edhe nëpër gjyqe për të hequr faturat e një pushteti që nuk njeh kufinj në babëzinë. Këto dhe shumë arsye të tjera, janë ato që i bëjnë të rinjtë të marrin valixhet dhe të mos shikojnë shpresë në vendin e tyre.  

RILINDJA MES KEQQEVERISJES DHE PROJEKTEVE POLITIKE MAFIOZO-OLIGARKIKE

Rilindja tashmë është e gjithëditur dhe tashmë e dukshme për gjithëkënd që ishte një projekt mafioz-oligarkik për të sjellë Ramën dhe sektin e tij në pushtet. Askush sot nuk ka dyshim se Rama erdhi në pushtet me bekimin e bandave dhe parave të pista që e investuan për të marrë pushtetin. Askush sot nuk ka dyshim që krimi që u prodhua në 8 vite qeverisje të Ramës dhe Rilindjes është haraçi që Rama duhet t’u kthente bandave si shpërblim për ngjitjen e tij në pushtet. Mjafton të kujtoj këtu kanabizimin e vendit, avionët e vegjël që fluturonin nga fushat e kanabisit drejt Italisë, bandat që u vunë në shërbim të pushtetit si në asnjë maxhorancë tjetër, për të vjedhur votat. Kush mund të besojë se krimi mund të ketë një zhvillim kaq të hapur pa një vullnet politik, dhe pikërisht Rilindja dhe Rama janë kapur në përgjime duke bashkëpunuar me krimin për të rrezikuar demokracinë. Dhe a ka rrezik më të madh për një shoqëri demokratike se sa kur një maxhorancë e votuar në vitin 2013 e ndan pushtetin me bandat, u jep atyre fonde publike, i nxjerr nga burgu, të gjitha këto me një qëllim për të eleminuar votën e lirë. Dhe faktet sot janë kokëforta. Shqipërinë e qeverisin Rilindja dhe bandat. Shqipërinë nuk e qeverisin shqiptarët, ndaj është imediate që Rama dhe Rilindja jo vetëm të sterilizohen, por të hidhen në gropën septike të historisë, ndryshe të gjithë do të jemi të rrezikuar të shpopullohemi nga ky vend.  

BASHA LIDËR PERËNDIMOR, PROGRAMI I OPOZITËS JEP SHPRESË

Partia Demokratike ka nisur një proces pa kthim drej modernizimit, drejt një partie me vlera evropiane aty ku i takon. Sigurisht që për të qenë një parti e tillë, fillimisht duhet të pranosh gabimet e së shkuarës dhe të mos i bësh ato në të ardhmen. Vetë figura e Lulzim Bashës i jep ndriçimin e duhur Partisë Demokratike për të qenë një parti evropiane, larg demagogjisë që paraqet pala kundërshtare. Vetë fakti që Partia Demokratike ka nisur një proces nga poshtë-lartë të zgjedhjes së kandidatëve për deputetëve, ndryshe nga partia në pushtet ku drejtuesi ka mbledhur rreth vetes banditë oligarkë të cilët më pas i vesh me kostumin e deputetit, tregon për hapjen e madhe që po ndodh në këtë parti, që do ta çojë drejt një standardi shumë më afër simotrave të saj. Basha po ravijëzon edhe në këtë periudhë të vështirë politike ku ndodhet Shqipëria, portretin e një lideri të ardhshëm, të aftë për të drejtuar me ritmin dhe pasionin e duhur vendin. Basha në raport me Ramën, dallon në atë që quhet gjuha që një politikan duhet të përdorë në zgjidhjen e problemeve. Nëse për Ramën gjuha zbret kërcënueshëm nga lart-poshtë dhe rreth vetes ka vetëm pak sejmenë dhe puthadoras, Basha ka një shtrirje horizontale të programit ekonomik, duke mos e mbështetur atë në disa duar. Kjo është shumë e rëndësishme për një ekonomi të cilën Rilindja e ka bërë share në një grup njerëzish të lidhura në interesa okulte me Ramën. Po ta shikoni në vitin 2017, Rama nuk u prezantua me program elektoral, por vetëm me tepsi, dajre, kazan dhe gjithëfare sendesh. Edhe pse i mori tepsinë, kazanët etj, tashmë dihet se si fitoi me anë të grabitjes së votave, dalë kjo edhe nga përgjimet e Bild, Rama vazhdoi të mos bëjë asnjë punë. Tashmë që e ndjen rrezikun e një humbje të sigurtë në zgjedhjet e vitit 2021, i gjendur përballë një opozite të gatshme për ta hedhur në tapet, Rama ka filluar të shfaqet në publik me një program gjysmak, dhe atë të kopjuar nga Basha që është gjithmonë e më pranë njerëzve. Dhe që këta të fundit e ndjejnë që Rama ka kohë që nuk ka çfarë ti japë më Shqipërisë, përveç mashtrimeve që tashmë nuk i mbulon dot as me shoshë në dritën e diellit.

DËSHTIMI I QEVERISË RAMA NË RRUGËTIMIN EUROPIAN TË SHQIPËRISË

Rama kur erdhi në pushtet erdhi me politikën ‘Zero probleme me fqinjët’. Sigurisht që është një idiotizëm që vetëm ai mund ta prodhonte. Por sot që po flasim, problemet me fqinjët, në mos janë shtuar, janë aty të pazgjidhura. Dhe këtu i referohem marrëdhënieve me fqinjin tonë verior, Greqinë, ku Rama tregoi edhe njëherë paaftësinë për të qenë dialogues. Fakti që Rama dështoi në një marrëvëshje me Greqinë, ndryshe nga Maqedonia, dhe kërkon ti drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare, tregoi edhe njëherë se politika e tij e jashtme ka dështuar. Dhe kur them ka dështuar, flas këtu për shumë lëshime që Shqipëria i ka bërë Greqisë në favor të një marrëvëshje për Integrimin Evropian, siç janë varret e ushtarëve grekë, të drejtat e minoritetit grek, lëshime të cilat shkojnë në disfavor të palës shqiptare në momentin që pala tjetër ka synime edhe me irredentiste, siç është futja 12 milje në detin Jon. Rama ka dështuar edhe në marrëdhëniet me Kosovën. Si rrallë politikan shqiptar, Rama ka hyrë në konflikt të kohëpaskohshëm me drejtuesit politikë të Kosovës, duke bërë lojën e Vuçiç. Kujtoj këtu padinë ndaj Haradinaj, problemet me Albin Kurtin, projektin e Minishengenit me Vuçiç, i pakonsultuar me drejtuesit politikë në Kosovë. Pra nga politika ‘zero probleme me fqinjë’, Rama u kthye në problemin kryesor me fqinjët, dhe kjo për shkak të megalomanisë së tij të liderit global. Shikoni sot Ramën si drejtues të OSBE-së. Një Ramë që më shumë i ngeci kjo detyrë dhe që nuk e përfill askush në politikën evropiane. Nuk i hapi telefonin as i ngjashmi i tij në Biellorusi, Lukashenko. Rama ka humbur njëkohësisht edhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe miqve të Shqipërisë. Si mundet që një vend i vogël si Shqipëria të ketë luksin të drejtojë OSBE-në, dhe kreun e këtij vendi të mos e presë askush në vendin më mik të Shqipërisë, Gjermaninë. Kjo mund të ndodh me Ramën, që tashmë është i zbuluar plotësisht në demagogjinë e tij. Shqipëria e Ramës ka ngecur në perspektivën europiane. Nëse në qeverisjen e PD-së. patëm disa proçese të rëndësishme si liberalizimi i vizave, hyrja në NATO dhe kishim vetëm 4 kushte për të hapur kapitullin e integrimit, keqqeverisja e Ramës na ka çuar në një kapitullim të plotë, ku sot kemi 12 kushte dhe mundësinë e kthimit pas në proçes.

SULMI I QEVERISË MBI INSTITUCIONET E VARURA DHE TË PAVARURA SI NJË DUKURI TOTALITARE.

Ajo që po përjeton sot Shqipëria me mungesën e institucioneve të pavarura është një nga historitë që do shkruhet dhe komentohet gjatë në librat e jurisprudencës, si i vetmi vend që për vite të tëra nuk pati Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë e me radhë. Sigurisht që i vetmi që ka përfituar nga kjo situatë, që i ka krijuar kushtet vetes për të qeverisur i pashqetësuar nga kjo situatë e paprecedentë, është Rama dhe klika e tij. Kjo që po ndodh, përngjet vetëm me sisteme totalitare ose me gjysmë autokraci, eksperimente që mund ti shkojnë për shtat vetëm kukullave laboratorike të krijuara nga Xhorxh Sorros, siç është edhe Rama. 

NJËANSHMËRIA E NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE SI QASJE AUTORITARE QEVERITARE 

Rama ka treguar se nuk njeh vetëpërmbajtje kur vjen puna për pushtet të pakufizuar. Edhe pse e fitoi me banda pushtetin, qoftë atë ekzekutiv dhe atë lokal, Rama tregon se nuk ka ndërmend të ndalet në rrugën e tij për autoritarizëm të plotë. Mjafton të kujtoj këtu luftën me Presidentin Meta, tashmë një betejë pa kthim midis një gardiani të sovranit dhe Mugabes së Evropës moderne, që kërkon të kapë çdo gjë. Shikoni sjelljen me median me ligjin anti-shpifje, ku edhe pse Venecia ia ktheu pas duke i dhënë të drejtë Presidentit Meta. sërish Rama nuk tërhiqet, pavarësisht edhe kërcënineve të Evropës, se kjo mund ta çojë Shqipërisë drejt sanksioneve të forta dhe një izolimi të ri. 

QEVERISJE NGA PPP NË 3D, NË THEMEL KORRUPSIONI GALOPANT

Nëse do i referohesha një ish zv/ministre të Financave të hedhur në kosh nga Rama, duke cituar atë unë do thosha që PPP-të janë një bisturi për ekonominë që Rama ua ka lënë në duar disa diletantëve të veshur me kostumin e oligarkut. Por nëse do isha disi më largpamës, do thosha që PPP-të janë një formë e ushtrimit të pushtetit politik që e lidh Partinë Socialiste për 30 vite me pushtetin ekonomik. Dhe kjo në këndvështrimin tim është edhe më e rrezikshme jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për demokracinë, pasi një pushtet i tillë ekonomik-politik i lidhur në kohë kaq të gjatë në kontrata mund të ushqejë humbjen e vendimeve sovrane nga një parti që tashmë nuk ka lidhje me emrin dhe klasën shoqërore që përfaqëson. Nëse dikush më gjen sot një ministër socialist që shkon me biçikletë në punë, atëherë unë do thosha menjëherë që PPP-të janë një e mirë publike që do i shërbejë ekonomisë shqiptare. Por në Shqipëri, PPP-të përveçse zhvasin ekonominë e dobët shqiptare, do jenë një gangrenë nga e cila e vështirë se do kurohemi. Mjafton të kujtoj që sot Kryeministri i Shqipërisë që edhe ajrin po e jep me PPP-të, fëmijën e tij e lindi në një spital privat, po e edukon në një shkollë private, dhe do isha naiv të besoja që kur të rritet ky fëmijë do zgjedhë të marrë shërbim në shërbimet PPP-të që ka firmosur babai i tij dikur Kryeministër. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dritan laci, Sokol Paja

KUMTESË E DR. GËZIM ALPION PËR NENË TEREZËN-SPONSORIZUAR NGA SHOQATA ANGLO-SHQIPTARE NË LONDËR

September 30, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-Me kënaqësi e pranova ftesën e Kryetarit të Shoqatës Anglo-Shqiptare me qëndër në Londër, Z. Stepehen Nash, ish-i ngarkuari me punë në ambasadën britanike në Tiranë (1993-1995) dhe Ambasador në Shqipëri 1998-99 për të marrë pjesë (via Zoom) në mbledhjen vjetore të shoqatës, në të cilën folësi kryesor ishte Prof. Dr. Gëzim Alpion, i ftuar i posaçëm, për të folur mbi librin e tij më të ri në anglisht, kushtuar Nenë Terezës.  Biseda e Prof. Alpion titullohej, “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nenë Terezës drejtë Shenjtërisë”, (“From Skopje to Calcutta: Mother Teresa’s path to sainthood”). Dr. Gëzim Alpion është i punësuar në Departmentin e Politikës Shoqërore, Sociologjisë dhe Kriminalistikës të Universitetit Birmingham të Anglisë.  Libri më i ri i Dr. Alpion – që ishte subjekt i debatit via Zoom, nën kushte të kufizuara për shkak të epidemisë, organizuar nga Shoqata Anglo-Shqiptare – është: “Nenë Tereza: Shenjtëresha dhe Kombi i saj”, (Mother Teresa – The Saint and her Nation)https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nene-tereza-shenjteresha-dhe-kombi-i-saj-e-autorit-dr-gezim-alpion/.

Në të vërtetë, ia vlen, që me këtë rast, të njoftohemi me Shoqatën Anglo-Shqiptare, me seli në Londër, e cila sponsorizoi fjalën e mbajtur nga Prof. Dr. Gëzim Alpion për Nenë Terezën – autor i librit më të ri në anglisht mbi jetën dhe veprimtarinë e saj.  Kjo shoqatë ka një të kaluar të kahmotëshme dhe të pasur me një histori të vlefshme për marrëdhëniet midis dy vendeve, ndërkohë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e kulturës dhe të historisë së Kombit shqiptar gjatë dekadave në Britaninë e Madhe dhe më gjërë. 

Në portalin e Shoqatës Anglo-Shqiptare thuhet se ajo mban takime të rregullta gjatë vitit duke u përqëndruar në historinë, kulturën dhe muzikën shqiptare, por edhe shfaqë filma dhe sponsorizon promovime librash me subjekte nga historia e Shqipërisë ose libra mbi personalitete me origjinë shqiptare, si Nenë Tereza. Nepërmjet një gazete elektronike që botohet tre herë në vit, Shoqata Anglo-Shqiptare njofton lajme dhe zhvillime të ndryshme programore të shoqatës, ndërkohë që boton artikuj mbi fusha dhe aspekte të ndryshme të jetës, historisë dhe kulturës shqiptare, në përgjithësi. 

Nga viti 2011 janë bërë përpjekje për të rigjallëruar Shoqatën Anglo-Shqiptare në Londër. Në historikun e saj, thuhet se kjo shoqatë e ka zanafillën në një komitet i themeluar në vitin 1912 nga Aubrey Herbert. Ish-Koloneli i nderuar Aubrey Herbert, ishte një ushtar britanik, diplomat, udhëtar dhe oficer i inteligjencës i lidhur ngusht me pavarësinë e Shqipërisë.  Thuhet se atij iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë. Nga 1911 deri në vdekjen e tij, ai ka shërbyer si anëtar konservator i parlamentit britanik.   Qëllimi i këtij ish-diplomati anglez ishte të mbronte të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, thuhet në jetëshkrimin e tij. 

Edhe enjohura prej shumë shqiptarëve, Edith Durham, e njohur si mike e madhe e shqiptarëve, ishte një artiste britanike, antropologe, e cila me shkrimet e saja vuri në dukje miqësinë e saj me shqiptarët dhe mbështetjen e saj për Shqipërinë due për shqiptarët.  Ajo edhe si shkrimtare u bë e famshme për tregimet e saja antropologjike të jetës në Shqipëri në fillim të shekullit të 20-të. Edith Durham thuhet se ishte gjithashtu një anëtare e hershme aktive dhe Sekretare e Shoqatës Anglo-Shqiptare. Ajo është vlerësuar si korrespodente, shkrimtare, udhëtare dhe antropologe e interesuar për Ballkanin në fillim të shekullit të kaluar, sidomos për shqiptarët.  

Pas Luftës së Parë Botërore, Shoqata ka monitoruar ngjarjet në Ballkan dhe ishte një kanal i rëndësishëm përmes të cilit lajmet nga Shqipëria i përcilleshin Qeverisë Britanike dhe publikun të gjerë.  Pas Luftës së Dytë Botërore shqetësimi kryesor i saj ishte fati i shqiptarëve anti-komunistë të arratisur nga Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Që nga shembja e regjimit komunist në vitin 1991 dhe ardhja e demokracisë, Shoqata ka rivendosur lidhjet e saj me Shqipërinë, në një mënyrë më normale.

Shoqata Anglo-Shqiptare ka festuar më 2012, 100-vjetorin e thememlimit të saj  me një seri ngjarjesh me atë rast dhe ka vazhduar me një program të pasur, përfshirë dy ceremoni të mëdha në kujtim të Gjergj Kastriotit Skenderbe, një në Kolegjin Pembroke në Kembrixh në vitin 2016 dhe një tjetër me 16 Nëntor 2018, në Akademinë Britanike në Londër.

Ishte pra në këtë frymë e traditë veprimtarie që Shoqata Anglo-Shqiptare e Londrës sponsorizoi të martën një bisedë për Nenë Terezen me autorin, tani të njohur botërisht, si autor i librave në anglisht për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës, Prof. Dr. Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham në Angli.  Në kumtesën e tij prej 45 minutash “Nga Shkupi në Kalkuta: Udha e Nenë Terezës drejtë Shenjtërisë”, duke u mbështetur në librin e tij të fundit “Nenë Tereza – Shenjëtorja edhe Kombi i saj” (Bloomsbury Academic 2020), Dr. Alpion theksoi se jeta dhe trashëgimia e Nenë Terezës duhet shikuar nga tri këndveshtrime, sipas tij: kombëtare, stërgjyshore dhe personale.

Në pjesën e parë të bisedës prej 15-minutash, Z. Alpion eksploroi me të pranishmit virtualë sistemin e besimit të shqiptarëve para ardhjes së besimeve monoteiste, përpara se të përqëndrohej në traditën e tyre të krishterë apostolike.  Profesori Alpion nënvijoi pohimin e tij kryesor se në këtë aspekt bazat e qytetërimit evropian janë triadike, d.m.th. ilire, greke dhe romake, theksoi ai.

Në pjesën e dytë të bisedës së tij, Dr. Alpion identifikoi disa nga arsyet që qëndrojnë pas migrimit të brendshëm të shqiptarëve, të gjurmueshme që nga pushtimi romak i Ilirisë.  Z. Alpion argumentoi se migrimi i paraardhësve të Nënë Terezës nëpër tokat e banuara shqiptare është një shembull modern i këtij fenomeni të përjetshëm që është parë më së fundmi më 1999 me dëbimin e rreth një milion shqiptarëve nga Kosova.

Në pjesën e fundit të kumtesës, Dr. Gezim Alpion foli për ndikimin e fatkeqësisë – vdekja e babait të saj nga helmimi dhe humbja e 8 të afërmve nga gripi spanjoll (1918-1920) – në thirrjen e Nënë Terezës, zgjedhjen e Indisë si destinacion dhe misionin e saj jetësor. Profesori Alpion arrin në përfundimin se, gjatë shtatë dekadave të jetës së saj misionare, besimi i Nënë Terezës – si për sa i përket të ashtuquajturës, “natës së errët të shpirtit” ashtu dhe raportit të saj me njerëz të besimeve të ndryshme në Indi dhe më gjerë – shfaq anët shpirtërore të kombit të saj, pohoi autori i librit të tij, më të ri në anglisht: “Nenë Tereza – Shenjëtorja dhe Kombi i saj” (Bloomsbury Academic 2020).

Kumtesa e Profesorit Gezim Alpion u pasua me pyetje-përgjigje nga autori dhe me komente nga disa prej pjesëmarrësve virtualë.  Krenaria e Prof. Alpion për Nenë Terezën dhe për Kombin shqiptar ishte e dukshme gjatë gjithë prezantimit ku morën pjesë, virtualisht, një numër i madh të ftuarish të zgjedhur, të huaj dhe shqiptarë, nga mbarë bota. Madje, Profesori Alpion deklaroi se ishte krenar që është shqiptar. Duke e dëgjuar me vëmendje edhe unë e ndjeva veten krenar që kemi profesorë, akademikë e shkrimtarë si Dr. Gëzim Alpion, të cilët me punën e tyre na nderojnë siu shqiptarë, ndërsa me paraqitjen e tyre i shtojnë namin Kombit tonë, kudo në botë, ashtu siç ka bërë edhe Nenë Tereza — bijë e Kombit tonë — gjatë gjithë jetës së saj, në atë mënyrën e vet, si Nenë e tashti edhe si Shenjëtore e mbarë botës.

Sa bukur, thashë me vete duke dëgjuar kumtesën e Profesorit tonë të nderuar nga Dibra, që një akademik shqiptar  ndonëse jeton jashtë Atdheut, ngrihet mbi të gjithë — që nepërmjet Nenë Terezës — t’i paraqesë botës një frymë të njomë, më fisnike dhe më frytdhënse, se ato për të cilat fatkeqsisht na njeh bota, për arsye të historisë sonë të shekullit të kaluar due më mbrapa në histori.  Në një mënyrë, Prof. Gëzim Alpion — duke u folur të huajve dhe duke shkruar për Nenë Terezën në gjuhën e tyre — ai po ben aq sa mundet për t’i kujtuar botës duke ri-përtërir, para syve dhe veshëve  të atyre që ndoshta nuk i njohin sa duhet traditat dhe zakonet tona shekullore, e të cilat mund të jenë ndryshkur gjatë shekujve, duke zbuluar kështu, sidomos për të huajt por edhe për shqiptarët, bukurinë që fshihet në thellësitë shpirtërore dhe stërgjyshore të Kombit shqiptar. Gjithmonë qofshë faqebardhë, Profesor Alpion. Nderon veten, Dibrën dhe Kombin. Të lumtë!

Frank Shkreli

Mother Teresa

          Prof. Dr. Gëzim Alpion                           Kopertina e librit më të ri në anglisht

Kryetari i Shoqatës Anglo-Shqiptare, Z. Stephen Nash, CMG dhe ish-i ngarkuari me punë në ambasadën britanike në Tiranë (1993-1995) dhe Ambasador në Shqipëri 1998-99, drejtoi takimin virtual në platformën video-zoom nga Londra, kushtuar Nenë Terezës

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr.Gezim Alpion, Frank shkreli, Kumtesa-Nene tereza

“ATI” OSE POEZIA E MBIJETESËS

September 30, 2020 by dgreca

Shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku flet nga Rumania në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet librin e tij të fundit “Ati”. Në rastin e “Atit”, drama është vetë jeta. Krejt qënia e Atit, ndonëse endet mes një bote tejet të prekshme e madje të rëndomtë, bart një poezi të epërme, që nuk bëhet për art a zbavitje, por për mbijetesë. Me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.


“ATI”APO HISTORIA E NJE BABAI SHQIPTAR

Ngaqë në kohën e sotme lexohet pak, autori ndihet shpesh si ndonjëri nga ata mashtruesit tek “Rrobat e reja të mbretit”. Ndaj edhe jam i detyruar të them dy fjalë për ngjarjen. Një baba shqiptar, i varfër dhe i trajtuar si shumë “askushë” të tjerë, befas blindon derën, i thyen këmbën djalit të vetëm, Adriatikut, dhe e mbyll në shtëpi, duke i dhënë të përkthejë në anglisht, sipas porosive të një urdhëri të fshehtë, “Kanunin”e Lek Dukagjinit. Ndërkaq, Ati lyen flokët, vishet dhe sillet si i biri, duke ua bërë të njohur sa më shumë vetëve rrugët ku do të endet çdo ditë, kafenetë a dyqanet, ku do të ndalet, orët kur do të ndodhet në një vend a në tjetrin.Vazhdimi mund t’i japë secilit lexues një “çelës” të vetin për zbërthimin e kësaj tragjedie që, në trajta të ndryshme, vijon të rrënojëkudo fate familjesh e farefisesh.

ATI, ME EMRIN ZEF, Ç’DO TË THOTË KY PERSONAZH PËR LEXUESIT?

Është një baba shqiptar plot halle nga ata që, sipas ligjeve të jetës, duhet të mbyllen pas vdekjes, dhe me gëzime që mjaftojnë për ta mbajtur shpirtin gjallë. Vetëm se, në rastin e Atit, tragjedia që synon të shmangë mund t’ia pakësojë vdekjes fuqinë për të mbyllur halle. Ati bën çmos të shpëtojë mbiemrin dhe vijimësinë e farefisit nga rrjedh. Librin e kam shkruar në vitin 2003. Për të davaritur çdo hije dyshimi mbi ndonjë blasfemi të tërthortë, po shënoj se Zefi nuk është Jozefi apo Josifi i Dhjatës së Re. Nëse ndërkohë nuk e kanë vrarë, – Zot na ruaj! – në vend të të birit, ose nuk ka vdekur nga pleqëria, Ati vazhdon tëendet nëpër Tiranë, duke pritur ta vrasin. Nuk dua t’i fryj përtej caqeve rolin dhe ndikimin e letërsisë, por duhet të dëshmoj se, mes rreshtave të librit ka disa “kode” që, po të jenë zbërthyer si duhet nga pjesëmarrësit në ngjarje, mund t’ia kenë ndërruar mendjen gjakësit, ose të paktën ta kenë stepur të mendohet edhe një herë. Se mrekullitë janë të mundshme gjer edhe kur thjesht i ëndërrojmë në frymë fëminie. Ky libër më ka shtyrë të dëshiroj me gjithë shpirt që të bëhet sa më i njohur, kurrsesi jo për shitje e bujë, por thjesht se ndoshta shpëton, ose zgjat të paktën një jetë. 

SI SHKRIHET NË ROMAN INSTIKTI I MBROJTJES SË PASARDHËSIT?

Ngjarja zgjon mendime dhe ndjenja që s’para i lakmojnë shpesh bashkëkohësit, ose që dynden vetëm të tjetërsuara. Duke zëvendësuar të birin në jetën e përditshme, Ati, në fakt, i “merr” jetën dhe ngulmon t’ia heqë familjes / farefisit fatin që, për shkak të përsëritjes së gjërave brez pas brezi, duket më i drejti dhe i pashmangshëm. I “merr jetën” të birit dhe nxjerr jetën e vet në “mejdan”, që t’ia ndërpresin pikërisht për të zgjatur jetën e fisit. 

CILA ËSHTË DRAMA DHE CILI ËSHTË TENSIONI I BRËNDSHËM I PERSONAZHIT KRYESOR? 

Në rastin e Atit, drama është vetë jeta. Mund të duket e stisur, por kjo jetë e tij është plot dritë dhe vë në lëvizje një përfytyrim që do t’ia kishte zili çdo artist. Krejt qënia e Atit, ndonëse endet mes një bote tejet të prekshme e madje të rëndomtë, bart një poezi të epërme, që nuk bëhet për art a zbavitje, por për mbijetesë. 

SHËNDËRRIMI I NJERIUT, SI AKT I VIJIMËSISË

Njeriu që gjithë jetën ka qenë degdisur në skaj të vëmendjes, trajtuar gati nga të gjithë si numër pa kuptim, magjeps e shtang kur niset të shpëtojë emrin. Veç të tjerash, për shembull, Ati sajon edhe ekzistencën e një urdhëri të fshehtë, shumëshekullor, me anëtarë në mbarë rruzullin, dhe i cili ndoshta duhet themeluar vërtet. Në prag pleqërie, Ati bindet se, më bukur e më me kuptim se aq, s’ka si të jetojë. Hyn i vetëdijshëm në një vdekje për gjakmarrje, vdekje që shkruan poezi çast pas çasti në lëkurën e tij, pa ia shtrenjtuar, por as pa ia ulur çmimin lëkurës së tij prej “askushi”. Nuk ka ku gjen as poezi, as  vdekje më të bukur. Nga një pikëpamje, ata që kërcënojnë t’i marrin gjakun ia shndërrojnë krejt ujin e trupit në gjak. Ndoshta edhe është mirënjohës për sprovën e tmerrshme që përballon dhe lutet ta ketë jetën sa më të gjatë jo siç dëshiron vetiu çdo vdekatar,  por që të mos jetojë jashtë Bukurisë. 

IRMA, NËNA, MBART NJË PESHË JO TË VOGËL NË NGJARJE

Pa fjalë të tepërta e lotsjellëse, Irma është një nga mishërimet e nënës shqiptare.  Zoti jep jetën perms saj, ndërsa ajo rron, me një lumturi të papërshkueshme nga të tjerët apo nga letërsia, për fëmijën që ka lindur dhe për burrin me të cilin ka ngjizur fëmijën. Duket e përulur, sepse qëndron prorelart, në tjetër qiell metaforik. Kam përshtypjen se  ajo mbërrin një dekikë para të shoqit, ose ka qenë gjithmonë në Bukurinë që përmenda. 

MISTIKA DHE BEFASIA NË NJË KOHË TË ÇMENDUR QË ÇMEND EDHE NJERËZIT

“Koha e çmendur” është hapësira e pafajshme ku jemi mësuar të mbledhim, si në plehëra,  mëkatet, pamundësitë dhe lëkundjet tona. Çmenduria nuk është ves. E madje nuk është as  krejt sëmundje, përderisa vetë poezia (mbase për ta çmësyshur) shpesh “çmohet”  si përmasë apo degë e çmendurisë. Koha është shuma e veprimeve dhe e mendimeve të atyre që janë “bashkëkohës” me të. Besoj se më e saktë do të ishte “Kohë jo njerëzore”, në mos po “çnjerëzore”. Kjo nën kupton ngutjen e njerëzve për ta fshehur dhimbsurinë,  mirëkuptimin, mëshirën, ndarjen vllazërisht të dashurisë ndaj vetes me të tjerët, dhe empatinë, aq sa ato të fiken përfundimisht. Në mjegullën që buron nga çdo vetëngujim i  tillë, apo edhe “vetëvrasje”, njerëzit, të cilëve hallet iu duken të padrejtë, ëndërrojnë e  mezi presin të bëhen si të tjerët (ata padrejtësisht fatlumët), dhe anasjelltas. Për fat të keq,  harrohet e vërteta se zhdukja e halleve i heq shpirtit luftën e domosdoshme dhe e kërcënon me zbrazëti, ose me fikje. Sa për mistikën, – lidhur edhe me “kodet” e tekstit e të nëntekstit, – aspak rastësisht “ati” gjendet në jo pak fjalë të librit dhe të kësaj bisede: f-ati, Adri-ati-k, g-ati/shmëri, k-ati, zgj-ati, fsh-ati, pall-ati, ati-j, ç-atitë, arr-ati-a, shtr-ati, emp-ati-a e të tjera. 

KUSH ËSHTË ARDIAN KYÇYKU

Ardian Kyçyku njihet me pseudonimin letrar: Ardian-ChristianKyçyku / Kuciuk), ka lindur në Pogradec më 23 gusht 1969,  është autor i mbi 50 librave origjinalë shkruar në gjuhët shqip e rumanisht. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Doktor i shkencave filologjike, doktorant në teologji, profesor universiteti dhe rektor. Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus. Fitoi çmimin Kombëtar të Letërsisë “Penda e Argjendtë” për tregim (2012); Qytetar Nderi i Pogradecit (2014); Akademia Kult – Çmimi “Libri artistik i vitit /   Shkrimtari i vitit” (2015 dhe 2018); Çmimi II “Katarina Josip” për Dramë Origjinale Shqipe  (2016); Çmimi i Madh – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Trèscourt (2017); Ambasador i Kombit, Tiranë 2019.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ardian-Christian Kyçyku, ATI, Poezia e mbijeteses

Në 60-të Vjetorin e një aktivisti të nderuar të Diasporës z.Mark Qehaja

September 29, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo-U nisa nga fshati im i lindjes Tetaj një fshat i thellë në zonën e Nikaj Mërturit për në Tiranë për në shkollën ushtarake “Skënderbej”, me një valixhe druri me çelës ku kisha mbyllur pasurinë time me disa ndërresa dhe disa kokrra mollë që e aromatizonin ajrin përreth.  Aty po projektoja pa ditur të ardhmen time. M.Q.

Gjashtë dekada jetë nuk janë as pak as shumë, e rëndësishme është si i ke kaluar ato gjashtë dekada në jetën tënde.  Ndonëse për njeriun gjithmonë vitet ikin vetëtimthi, përsëri ato ngelen në kujtesë si gurë diamanti që nuk ndryshken kurrë.  Në një ditë të diel në “Taverna Kyclades”, Queens Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” organizoi ditëindjen jubilare të z.Mark Qehaja njëherazi dhe kryetar i kësaj shoqate.  Për shkak të Pandemisë botërore numri i pjesëmarrësve ishte tejet i kufizuar prandaj kryesia kishte vendosur që ta organizonte këtë ditëlindje ceremoniale vetëm me anëtarët e kryesisë.  

Në krah të tij qëndronte bashkëshortja e tij fisnike znj.Vera Qehaja e cila është një intelektuale dhe nënë shembullore dhe e devotshme në rritjen e dy fëmijëve të mrekullueshëm si Elisa dhe Denisi të mëkuar qysh në fëmijëri me traditat e mahnitshme të Kombit tonë.  Ceremoninë e ka hapur z.Imer Laçaj n/kryetar i Shoqates i cili i uroi plot përzemërsi dhe mirënjohje 60-të Vjetorin si dhe e vlerësoi punën e tij të palodhur per shoqaten.  Z.Laçaj në emër të kryesisë të cilët ndodheshin në tavoline si Alketa Veshi (sekretare) Nikollë Nilaj, Arta Xhaferri, Faton Zogiani, Glen Nutaj, i dorëzoi z.Qehaja pllakën e mirënjohjes për një kontribut të vyer për drejtimin e shoqatës dhe punën e saj serioze dhe të përkushtuar në Diasporë.  

Me shumë emocion u mirëprit fjala përshëndetëse e z.Qehaja i cili ndër të tjera tha se:  “Më keni nderuar si kryesi me mbështetjen tuaj të vazhdueshme qysh në fillim të krijimit të shoqatës sonë “Skënderbej”me kryetar z.Bashkim Shehu dhe anëtar nderi z.Qemal Zylo.  Tashmë shoqata jonë dëgjohet dhe respektohet jo vetëm në komunitetin tonë, por më gjerë se kaq.  Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme për të gjithë anëtarët dhe tha se ma bëtë më të bukur dhe më të paharrueshëm udhëtimin tim 60 vjeçar.

Udhetimi im 60 vjeçar ka pasur zig-zaket e vështirësitë e jetës.  U nisa nga fshati im i lindjes Tetaj një fshat i thellë në zonën e Nikaj Mërturit për në Tiranë për në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”.  Unë nuk i harroj kurrë lotët e nënës kur më përcollën, ishja më i madhi i fëmijëve.  Ecëm në këmbë me babain tim gati pesë orë dhe pastaj me një kamion zbritëm në Bajram Curri me një valixhe druri me çelës ku kisha mbyllur pasurinë time me disa ndërresa dhe disa kokrra mollë që e aromatizonin ajrin përreth.  Aty po projektoja pa ditur të ardhmen time. Lotët nuk i përmbahen kur përmend prindërit e tij të shtrenjtë për të cilët tha se ndihem tejet krenar ngase gjithë mundin dhe vështiresië e shumta i përkushtuan për fëmijët e tyre.  Tani pas 60 vjetësh në Amerikë jam i bekuar nga Zoti dhe se lutjet e prindërve të mi u dëgjuan vazhdoi z.Qehaja.”

Kemi pasur fatin t’i njohim shumë bashkatdhetarë në organizime aktivitetesh, por është shumë krenari kur në krye të këtyre aktiviteteve janë njerëz si Mark Qehaja. Si media 

TV “Alba Life” kemi ndjekur shumë aktivitete të diasporës, midis tyre kanë qenë dhe të z.Qehaja. Ato kane qenë organizime shumë mbresëlënëse pasi ato janë realizuar me plot përkushtim, atdhetarizëm dhe kulturë. Z.Qehaja së bashku me kryesinë kanë ftuar personalitete të shquara të Diaspores si kongresistin Joe Di Guardi, këshilltarin e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, z.Marko Kepi, Presidentin e Organizates “Rrënjët Shqiptare”, ligjvënënsin z.David Tubiolo në Këshillin e Legjislatorëve të Qarkut të Westchesterit, z.Pashko Camaj, zv/kryetar i organizatës më të vjetër shqiptare, e shumë të tjerë deri dhe nga Shqipëria si poetin z.Agim Doci, “Mjeshter i Madh”, z.Paulin Zefi drejtori i Muzeut Lezhë, Dr.Rovena Vata etj.

Ishte gëzim për gjithë anëtarët kur Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej me kryetar z.Bashkim Shehu u mblodh në Manhattan në restorantin “San Marino” për të njohur anëtarët dhe simpatizantët e saj me marrjen e dokumentacionit, miratimin e shoqatës nga departamenti i shtetit të Nju Jorkut si dhe me statutin dhe programin për vitin 2019-të.

Kanë ngelur në kujtesën e shumë pjesëmarrësve aktivitetet si: Festimi i 73 Vjetorit të Shkollës “Skënderbej”, aktivitet me rastin e 550-të Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, aktivitet në 106-të Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festimin i 11-të Vjetorit të Pavarësise së Kosovës, aktivitet që nderoi me madhështi Pavarësinë e Amerikës.

Historike do të jenë dy ditë aktivitetet madhështore në nderim të At Gjergj Fishtës, Nderi IiKombit, që kulmoi me Simpoziumin Shkencor për At Gjergj Fishtën pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, New York.

Veprim human është mbledhja e fondeve për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri dhe që u dorëzuan pranë Vatrës, inisiatore për këtë nismë tejet mbështetëse në ndihmë të shqiptarëve.

Në Kosovë z.Qehaja u takua me përfaqsues të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës si me z.Jashar Ramadani (vëllai i heroit të Kosovës Agim Ramadanit), shefin e kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, me Kolonel Feriz Trezhnjeva si dhe me këshilltarë të Ministrit të Mbrojtjes etj.

Një veprim bamirës është dhe ndihma qe ka dhënë për të dëmtuarit nga tërmeti i nëntorit në Shqipëri ku z.Qehaja i vizitoi kokë më kokë disa familje të dëmtuara rëndë.

Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” vazhdon të jetë aktive dhe në kohën e pandemisë botërore ku janë kryer disa takime në Google Meet dhe nje takim në një restorant në Queens në mjediset përjashta ku dhe u pranuan disa anëtarë të rinj.

Të gjitha këto aktivitete e nderojnë z. Qehaja dhe kryesinë që punojnë me aq përkushtim dhe seriozitet. Sidoqofte ne e festuam thjesht dhe me zemër ditelindjen e tij jubilare dhe ndërkohë urojme nje lider të vërtetë, sepse veprimet e tij janë frymezuese ashtu siç thonë Amerikanët: “If your actions inspire others to dream more, learn more, do more and become more, you are a leader.” … që përkthehet: 

“Nëse veprimet tuaja frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të ecin më shumë, ju jeni një lider.” …

është njerëzore të urosh 60-të vjetorin e një bashkatdhetari në Diasporë aty ku na hodhën fatet dhe ta festojmë së bashku si një familje e madhe.

Gëzuar Mark Qehaja 60-të Vjetorin e ditëlindjes suaj dhe paçi jetë të gjatë!

28 shtator, 2020-New York

Filed Under: Opinion Tagged With: 60 Vjetori, Keze Kozeta Zylo, Mark Qehaja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • 311
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT