• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të kujtojmë atdhetarin, mësuesin, gjuhëtarin, Ilia Dilo Sheperi

September 11, 2020 by dgreca

–-me rastin e 75-vjetorit të vdekjes-

Nga Anton Çefa-

Lindi në vitin 1872, në Sheper të Zagorisë, në atë trevë të begatshme atdhetarizmi, plot vlagë ideali, ndjenje dhe vullneti patriotik. Jetoi në periudhat më kyçe të historisë sonë, vlerësoi me zgjuarësi detyrat parësore të secilës prej tyre dhe i ndriçuar nga ato, përcaktoi rrugën e vet të jetës e të punës, duke u rreshtuar gjithnjë në krahun më përparimtar të shqiptarizmës dhe, me përkushtim fisnik, nuk kurseu asgjë në dobi të Shqipërisë.

Në periudhën e parë të jetës, duke ndjerë jehonën burrërore të Lidhjes së Prizrenit, u bë shërbestar i gjuhës. Tek dituria, që fillon me gjuhën e ëmbël të nënave, ai vendosi altarin tek i cili do të lutej dhe edhe do të flijohej, po qe nevoja, për lirinë dhe begatinë kombëtare. Vetëm kultura do të davariste mjegullat e iniorancës që kishte endur robërimi shekullor, do të dritësonte ndërgjegjet e tulatura dhe do të ndizte zjarrin e shenjtë të dashurisë për atdheun. Kështu, që në moshë të re, Ilia zuri vend në llogoret e arsimimit të popullit, edhe pse e dinte fort mirë se atje ai do të ndeshej, për jetë e për vdekje, me armiqtë e kombit: pushtuesit osmanë dhe Patrikanën e Stambollit.

Patrikana, armiku më i egër i gjuhës e i shkollës sonë- një nga armët më të rrezikshme në sendërtimin e qellimeve djallëzore të greqizimit të krahinave tona të Jugut- e ndoqi dhe e përndoqi me të gjitha mënyrat që dinte e që përdorte ajo dhe në të gjitha shtigjjet e liga dhe rrugët kriminale, që përshkonte ajo tinëzisht e haptas; por burri nuk jepej. Atëherë ajo vendosi ta zhdukte. A nuk kishte dënuar e ekzekutuar në mënyrat më barbare sa e sa kolegë të shkollës e të idealit të Ilias?

Nën padinë se “mësonte gjuhën shqipe dhe se shkollën greke të fshatit e kishte kthyer në shkollë shqipe, Patrikana e dënoi me vdekje. Padia qe më se e vërtetë: megjithse, shkolla shqipe në Sheper u hap në vitin 1917, Ilia e pati kthyer shtëpinë e vet në shkollë, ku mësohej gjuha shqipe, që në vitin 1907.

Dënimit kapital të Patrikanës, mësuesi i urtë iu përgjegj me stoicizmin e idealistit të vërtetë: “Edhe kur të më prisni kokën, në grykën time do të gjeni një “a”, një “b’ dhe një “c”. Nuk di ndonjë shkollë tjetër kombëtare që të jetë ndërtuar mbi themele të tilla të lavdishme vetëflijimi e heroizmi, por këtë dukuri kaq të thjeshtë e kaq të faktuar nuk e kanë pranuar dhe nuk duan ende ta pranojnë kojshitë tanë, të cilët edhe sot e kësaj dite, na e mohojnë gjuhën dhe shkollën amtare në Çamëri dhe gjithandej nëpër Greqi.

Mbas shpalljes së Pavarësisë, Ilia Dilo Sheperi e afirmoi veten si personalitet i fuqishëm në fushën e arsimit e të shkollës shqipe, duke bërë një punë të madhe për hartimin e teksteve dhe programeve mësimore të shkollave të shtetit të ri shqiptar, në përshtatje me kushtet e reja të krijuara në vendin tonë.

Idealin e përvojën e tij për ngritjen e shkollës kombëtare shqipe, ai e dëshmoi, gjithashtu, si pjesëmarrës aktiv i Kongresit Arsimor të Lushnjës (1920) dhe Kongresit Arsimor të Tiranës (1922).

Gjatë këtyre viteve, ai punoi pa u lodhur, si mësues në shkollat e mesme dhe si inspektor arsimi në zonat e Gjirokastrës e të Vlorës, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë zgjërimit të rrjetit shkollor, pa lënë mbas dore përmirësimin cilësor të mësimit  e të edukimit.

Veprimtarinë e frytshme në fushën e shkollës dhe të arsimit, Ilia, gjithnjë e shoqëroi me një aktivitet të dendur, në fusha të tjera në shërbim të çështjes kombëtare.

Në vitin 1919, më 23 nëntor, në prag të Kongresit të Lushnjës, ai qe në radhën e parë të atyre intelektualëve patriotë gjirokastritë, që themeluan shoqërinë “Vëllezëria”, në Gjirokastër, e cila zhvilloi një veprimtari të dendur “për mbrojtjen e kufijve të Atdheut, për njohjen e të drejtave tona kombëtare nga Fuqitë e huaja,… si edhe në drejtim të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare. Shoqëria shënoi, gjithashtu, disa arritje sidomos në fushën kulturore-artistike, sportive, etj.” (Shefik Osmani, “Fjalor i pedagogjisë”, Tiranë, 1983, f. 705).

Dashuria e flaktë për gjuhën shqipe, aftësitë e shquuara intelektuale dhe përvoja e tij e gjatë si mësues u jetësuan në një hulli të veçantë të veprimtarisë së Ilia Dilo Sheperit, në atë të shkencës gjuhësore. Në vitin 1927, ai botoi tekstin: “Gramatika dhe sindaksa e gjuhës shqipe”, i vlerësuar si një nga tekstet më të mira të gramatikës sonë për arsimin e mesëm. I ndërtuar mbi kritere të rrepta shkencore, ky tekst ndikoi mjaft për të konsoliduar shumë pikëpamje deri atëherë të pastabilizuara. Për vlerat shkencore të kësaj vepre, prof. Enver Hysa ka shkruar: “Gramatika e tij plotësonte një zbrazti, dhe vinte një gur themeli në gramatologjinë shqipe. Kjo gramatikë është një burim me rëndësi për historinë e zhvillimit të gjuhës letrare e të terminologjisë shkencore gjuhësore të përdorur në të, ajo shërben edhe sot në punën e gramatikanëve si një vepër me vlerë të madhe që nuk mund të mos merret parasysh për idetë dhe mendimet e reja, për zgjidhjet shkencore që ka dhënë për probleme të veçanta, sidomos të morfologjisë, të fjalëformimit e të gjuhës letrare në veçanti.” (“Zagoria”, gazetë e shoqatës atdhetare-kulturore “Çajupi”, nr. 2, prill 1997, f. 3).

Mbas daljes në pension, në vitin 1933, ai iu kushtua punës shkencore. Me politikën, Ilia merrej kur atdheu dhe politika kishin nevojë për personalitetin e tij. Pavarësia qe fituar, shteti shqiptar i 1913-ës i shpëtoi copëtimit të plotë, sado që një pjesë e mirë e trojeve mbetën nën robërinë e fqinjve. Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës i rivendosën themelet e Shqipërisë. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai kishte dhënë ndihmesën e vet, ndihmesën e vyer të një patrioti të madh. Për Shqipërinë e robëruar i qante zemra dhe i dhimbte shpirti, por e mbante shpresa. Një ditë qe shprehur: “Shqipëri pa Kosovë nuk ka, ashtu siç nuk ka Kosovë pa Shqipëri”.

Pushtimin fashist e priti me fyerjen dhe urrejtjen e një atdhetari. Ftesën “e politikës” me shkue në Romë për t’i vënë Viktor Emanuelit kurorën e Skënderbeut, e priti me përbuzje dhe e hodhi poshtë në mënyrë të prerë. Jetoi, duke u gëzuar për luftën kundër pushtuesit dhe i kënaqur që djali i tij, Jani, pa u lajthitur si shumë të tjerë nga propaganda pansllaviste me lëvozhgë internacionalizmi e demokracie, qe rreshtuar në krahun e drejtë të atdhetarëve të vërtetë, në krah të Mithat Frashërit; por e pau, e ndjeu dhe e paralajmëroi rrezikun e madh komunist që po i kërcënohej Shqipërisë.

Në vitet e luftës përjetoi edhe një fatkeqësi: djegien e bibliotekës nga gjermanët, me hjekësinë tinzake të Dushan Mugoshës. Pau aty të digjet e të bëhet shkrumb puna shkencore e sa e sa viteve: botimi i dytë i përpunuar i Gramatikës, përfunduar që në vitin 1935, një tekst stilistike për shkollat e mesme, punën e nisur për një fjalor të gjuhës shqipe, shënime dialektologjike, materiale folklorike e etnografike të mbledhura me mund nëpër fshatrat e Zagorisë, një libër të përkthyer nga greqishtja dhe një tjetër të përkthyer nga anglishtja dhe, sidomos, dy vëllime me fjalimet e tij, letra dërguar Patrikanës, Papës së Romës, personaliteteve të ndryshme evropiane, albanologëve, etj., shumë dokumenta të historisë sonë – një pasuri e vërtetë kombëtare e pa zëvendësueshme.

Vdiq në vitin 1945 dhe u varros në fshatin e tij të dashur, në Sheperin e sofrës së madhe patriotike, i nderuem prej të gjithëve.

Fatkeqësitë do ta ndiqnin edhe pas vdekjes. Fanatizmi komunist, me veprime të huaja për natyrën dhe zakonet shqiptare, të huajtura nga sllavët, simbas mësimeve të Miladinit dhe Mugoshës, nuk mjaftoi që i varrosi gjithë vlerën e veprimtarisë patriotike të një jete të tërë, por i dhunoi edhe kufomën dhe varrin.

Në vitin 1979, me urdhër nga qarqet më të larta të diktaturës, i thyen varrin dhe mbasi i zvarritën kockat rrugëve të katundit, i hodhën në humnerë. Ky procesion i llahtarshëm u krye në sytë e banorëve të Sheperit, nën mbikqyrjen e forcave të sigurimit. (Sipas dëshmisë së Foni Dilos, nip i Ilias).

Demokracia bëri përpjekje për vlerësimin e figurës së tij dhe i dha titullin “Mësues i Popullit”. Me jetën dhe veprën e tij atdhetare e shkencore, ai qe dhe do të mbetet mësuesi i të gjitha breznive të ardhshme shqiptare. Lapidari i tij, i ngritur me afsh dashurie e dhimbjeje, në zemrën e popullit të thjeshtë, që di të vlerësojë më shumë se të gjitha organizmat shtetërore dhe akademitë, pret një të ardhme më të qetë të atdheut, për t’u ngritur i mermertë mbi truallin për të cilin shkriu jetën. 1)

1).Nuk jam në dijeni nëse është realizuar një gjë e tillë.

S

Me rastin e 100 vjetorit te Pavresise Ilia Dilo Sheperi u dekorua nga Presidenti Bamir Topi me Urdherin”Nder i Kombit”

Filed Under: Opinion Tagged With: 75 vjetori i vdekjes, Anton Çefa, Ilia Dilo Sheperi

LISA, BASHKËSHORTJA E SIMON QAFËS, SHKOI TË PUSHOJË

September 6, 2020 by dgreca

VATRA NGUSHËLLON SIMON QAFËN DHE FËMIJËT PËR HUMBJEN E BASHKËSHORTES DHE NËNËS  LISA–

Kryetari i Federatës Panshiptare të Amerikës VATRA, z. Elmi Berisha, në emër të Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës, në emër të degëve të Vatrës dhe të gjithë vatranëve, i përcjell ngushëllimet më të thella kryetarit të degës së Vatrës në Hudson Valley, z. Simon Qafa, i cili, paraditen  e së Dielës, 6 Shtator 2020, humbi bashkëshorten Lisa.

    Ngushëllime të përzemërta për vajzën dhe djalin e Simonit dhe të Lises. Nëna e tyre e dashur pushoftë në Paqe! Lisa i pati të gjitha shërbimet dhe përkujdesjet e Simonit, fëmijëve, të afërmeve, e të stafit mjeksor! Ajo shkoi në paqe me Zotin pas një dyluftimi të gjatë me sëmundjen!

 Gazeta Dielli përmes kryeredaktorit I përcjell ngushëllimet e redaksisë z. Simon Qafa.

Duke qenë se z. Simon Qafa e ka të bllokuar fb, jeni të lutur që t’ia përcillni ngushëllimet përmes FB:Gazeta Dielli dhe fb të Kryeredaktorit.

Për shërbimet funerale, Meshën dhe ceremoninë e varrimit do t’ju informojmë më vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Lisa Simon Qafa, nderroi jete

FESTA E SHEN TEREZES

September 5, 2020 by dgreca

Imzot Dodë Gjergji: Kosova përgatitet shpirtërisht për festën e Shën Nënë Terezës–

Intervistë e Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkëv i Dioqezës Prizren-Prishtinë dhënë për Radio Vatikanin në gjuhën shqipe–

Dom Davidi: Imzot Dodë Gjergji, jemi në afrim të festës liturgjike të Shën Nënë Terezës, Gonxhe Bojaxhiu, kisha Katedrale e re Dioqezës Prizren-Prishtinë, katedralja e kryeqytetit të Kosovës, e ka si pajtore qiellore, cila është përgatitja që ju po bëni si dioqezë, duke pasur kishën e kushtuar pikërisht Nënë Terezës?

Mons. Doda: Sikur viteve të tjera edhe këtë vit përpiqemi të përçojmë mesazhin e Nënës Tereze, në zemrat e njerëzve që është përvujtëria, dashuria ndaj të varfërve dhe dashuria ndaj Zotit. Sivjet, sigurisht në rrethanat në të cilën jemi, nuk kemi pasur mundësi të bëjmë shumë aktivitete sikur viteve tjera që fillojnë me ditëlindjen e Nënës Tereze deri me 5 shtator, ku do të kishim pasur aktivitete të ndryshme, kulturore dhe shpirtërore. Por, këtë vit, në këto rrethana që na imponohen për shkak të COVID-19, ne jemi të detyruar që shumicën e këtyre aktiviteteve t’i përçojmë vetëm përmes medieve sociale që i kemi në dispozicion.

Dom Davidi: Sidoqoftë, mbetët mesazhi dhe porosia e Nënë Terezës, mesazh shpirtëror, që vjen nga figura dhe vepra e saj?

Mons. Doda: Sigurisht që Nënën Terezen e kemi një shenjtëreshë, e cila në mënyrë shumë dimensionale është e lidhur me vendin tonë, me popullin tonë, me qytetin e Prishtinës, tani me katedralen që e kemi ndërtuar, dhe porosia shpirtërore e Nënë Terezës është më e fuqishme në të gjitha dimensionet, sepse dashuria ndaj të varfërve në emër të Zotit, që ta sheh Krishtin në çdo njëri, ajo është gjëja ma e bukur, në të cilën ne mund ta gjejmë vetveten tonë. Sepse të pash fytyrën e Krishtit në njeriun e varfër është bukuria e madhe e fesë.

Dom Davidi: Në kohën COVID-19, porosia e Nënë Terezës është afërsia dhe shërbimi?

Mons. Doda: Po, afërsia, shërbimi dhe kujdesi për shëndetin shpirtëror dhe fizik, por edhe atë mendor të njeriut. Sepse njerëzit sot kanë vështirësi të mëdha, frika të mëdha, kanë dyshime të mëdha, kështu që përpiqemi dhe duam qe nëpërmjet mesazhit të Nënës Tereze, t’ju japim më shumë shpresë, më shumë gëzim, dhe më shumë siguri njerëzve në këto ditë të vështira.

Dom Davidi: Me afrimin e fillimin e shtatorit fillon edhe viti ri baritor, dmth aktivitet e famullive, viti i ri katekistik, apo do të prisni akoma që të merrni një vendim?

Mons. Doda: Ne kemi shtyrë të gjitha aktivitet tona baritore, edhe ato të cilat janë paraparë në pranverë për shtator, por përhapja e shpejtë e virusit dhe infektimi i shumë njerëzve në Kosovë do të na detyrojë të rishikojmë edhe njëherë të gjitha masat që kemi ndërmarrë deri tani.

Don Davidi: Do të thotë, tani për tani, mbetën të pezulluara të gjitha aktivitet, me pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve?

Mons. Doda: Tani për tani, gjendja është e këtillë, dhe po shpresojmë që të ndryshojë, sepse ditëve të fundit numri i të infektuarve është më i vogël se para një jave dhe shpresoj që do të bijë ky numër edhe në të ardhmen.

Don Davidi: Ju si kishë katolike, jeni pjesë e shoqërisë kosovare, si është situata aktualisht në Kosovë?

Mons. Doda: Situata në Kosovë në përgjithësi është mirë, në kontekstin e jetës së përditshme, por kemi një situatë pasigurie, në kontekstin shoqëror, politik, mungesë uniteti, mungesë të ideve të reja, sidomos mungon uniteti i përgjegjësve politike në vend.

Dom Davidi: Thatë edhe aspektin politik, dmth Kosova, akoma nuk ka marrë një drejtim që pritet?

Mons. Doda: Kosova do të ecë në rrugën e vet, pa diskutim, dhe nuk e ndalon ecjen e Kosovës një mosunitet i gjitha strukturave dhe i gjithë realiteteve në Kosovë. Por, uniteti do të përshpejtonte dhe do të thjeshtësonte një ecje më të qetë drejt së ardhmes.

Don Davidi: Cili është sugjerimi i ipeshkvit për një rrugë-dalje apo një zgjidhje të çështjeve apo sfidave që ka Kosova në skenën e ballkanit, por edhe ndërkombëtare?

Mons. Doda: Sugjerimi im është që të kemi një unitet më të madh, të kemi një qëndrim të përbashkët dhe një vizion për të ardhmen, sepse e ardhmja jonë është në Ballkan, e ardhmja jonë është në bashkëpunim me të gjitha shtetet e tjera, e ardhmja jonë është pajtimi dhe paqja me popujt që jetojnë në Rajon.

Dom Davidi: Kontributi i Kishës Katolike dhe komuniteteve fetare në këtë proces për Kosovën, cili mund të jetë, cili duhet të jetë, apo cili është?

Mons. Doda: Kontributi më i madh që mund të japim është që të lutemi Zotin për të gjithë njerëzit dhe të përpiqemi të thjeshtësojmë jetën e gjithë aktereve, në mënyrë që askush të mos përpiqet me pengu ecjen e Kosovës dhe të ardhmen e njerëzve që jetojnë atje.

Dom Davidi: Faleminderit!

Mons Doda: Urime dhe gjitha të mirat për dëgjuesit tuaj./drita.info

(Transkribimi nga portali i Radio Vatikanit dhe përgatitja për Revistën Drita: Don Samuell Ramaj)

Filed Under: Opinion Tagged With: Festa e Shen Terezes, Imzot Doge gjergji

PIKTURA SI NJË POEZI E HESHTUR PËRMES NGJYRAVE DHE MOTIVEVE

September 4, 2020 by dgreca

Piktorja Besa Dauti, kuratore dhe udhëheqëse e sektorit artistik në Institucionin Nacional në Galerinë e Arteve Pamore Tetovë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, artin si forcë krijuese dhe emancipuese në shoqëri. Me Besa Dautin bisedoi gazetari i Diellit, Sokol PAJA. 

TRËNDAFILI NË KRIJIMET ARTISTIKE, MISTICIZMI.

Në jetën time profesionale jam kujdesur gjithmonë që me artin tim të përcjell vlera dhe pozitivitet. Kam zgjedhur trëndafilin si një formë komunikimi e cila gjithmonë në thelb të saj ka mesazhin e dashurisë, anën njerëzore, ëndërrat, vështirësitë, këmbënguljen. Trëndafili shpreh simbolika të caktuara duke i dërguar sipas rastit të dashurve tanë mesazhet e paqes, dashurisë dhe lumturisë. Misticizmi i  trëndafilit qëndron në aftësinë e tij për të kamufluar nën petkun e një ngjyrë të caktuar një mesazh, ashtu si njeriu edhe trëndafili duron diellin, duron shiun. Kjo më ka bërë mua të jem një adhuruese e trëndafilit duke e bërë pjesë të jetës time artistike e cila më mbush me pozitivitet. Trëndafili në veprat e mia është një manifestim special i një ndjesie time të caktuar me publikun. Ky korelacion e ka bërë të bukur marrëdhënien tonë dhe pranueshmëria që më është bërë nga artdashësi im më ka motivuar të emetoj të gjithë ndjesinë time në pikturat e mia. Mundohem të ruaj këtë vrull krijues me veprat e mia dhe ti jap vetes dhe të gjithëve lumturi që nuk krahasohet me asgjë. Ka një thënie: Për piktorin e vërtetë më e vështirë është të pikturojë një trëndafil pasi së pari duhet të harrojë të gjithë trëndafilat që janë pikturuar ndonjëherë.

ARTI, FORCA QË CIVILIZON SHOQËRINË

Unë besoj shumë në fuqinë e artit për të bashkuar dhe jo për të ndarë, për të dashur dhe jo urryer, për të mbjellë paqe dhe jo luftë, për të pranuar ndryshimin dhe jo margjinalizimin e askujt. Kjo është forca  e artit e cila nuk mund të krahasohet me asnjë lloj force tokësore në botë. Përfitimet që vijnë si rrjedhojë e edukimit me artin janë një kultivim i gjeneratave të reja me aftësinë për të përqafuar të bukurën duke arritur të ruajnë një raport shumë të drejtë me tradicionalen. Përmirësimi i gjykimit dhe rritja e aftësisë krijuese tek njerëzit dhe brezat e rinj bën që ata të jenë më kreativ dhe mendjehapur duke dhënë një kontribut të paçmuar në vijimësinë e civilizimit të shoqërisë në përgjithësi dhe asaj tonës në veçanti, dhe kjo është ideale për mendimin tim. Mënyra se si e përjetojmë botën, e cila për çdo piktor është një shtrirje e personalitetit, diçka më personale e asaj që shprehim nëpërmjet ngjyrës dhe motivit e cila është një poezi e heshtur dhe vetëm shikohet.

DEPËRTIMI TEK PUBLIKU SI SFIDË ARTISTIKE

Arti është sinonim i të bukurës dhe patjetër tek ne shqiptarët që kemi qënë të privuar në njëfarë mënyrë në manifestimin e të gjitha ndjesive të brendshme në vepra të ndryshme artistike,  kjo ka bërë që veçanërisht në këto tri dekadat e fundit ta duam më shumë artin. Nuk  mund të them që kjo na ka trazuar rrugën ne artistëve sepse njëkohësisht ndryshimet shoqërore, të shpejta dhe te dhunshme bënë që përballë sfidave të reja arti të ishte shumë luks, por ajo që desha të theksoj konsiston në artdashurinë e shqiptarëve për të marrë mesazhin e artit.

PIKTURA SI KOMUNIKIM I NGROHTË ME PUBLIKUN 

Edukimi i hershëm artistik ndikon në rritjen e aftësisë së pari për ta njohur artin dhe më pas për të marrë mesazhet e tij. Mesazhet që përcillen përmes artit krijojnë tek artdashësi një komunikim i cili ndikon në mënyrën e konceptimit të gjërave. Kjo ka bërë të mundur që tek njerëzit të përcillet mesazhi i tolerancës, të kuptohet që nëpërmjet kreativitetit mund të lësh një gjurmë të mirë e cila do kontribuojë në komunitetin ku jeton apo do të jetojnë. Aftësia përceptuese fitohet duke kuptuar dhe edukuar mesazhin e ngjyrave. Së fundmi në ekspozitat e mia mund të them që kam vërejtur që njerëzit gjithnjë e më tepër kanë simbolikat e ngjyrave, pra kjo tregon që një koncept minimalist por një hap pozitiv në njohjen e artit dhe mesazhit të tij. Jam shpesh edhe një vëzhguese e mprehtë e botës,mjedisit të përditshëm qoftë e mirë apo dëshperuese, ku nxjerr çdo herë më të mirën dhe stimulohem nga situatat që më frymëzojnë qoftë edhe diçka shumë e vogël apo e thjeshtë sepse mbi të gjitha një vepër arti është një aventurë e mendjes.

MESAZHET MË TË FORTA SI ARTISTE 

Mesazhet e pikturave të mia konsistojnë në një përzgjedhje të kujdeshme të ngjyrave në mënyrë që energjia e përgjithshme e një pikture të dominohet nga mesazhe pozitive. Nuk mund të them që janë ngjarje të caktuara që  më ndikojnë në punën time artistike. Është një gjë që e bëj me pasion dhe në mënyrë periodike, është një nevojë e një grumbullimi të caktuar ndjesish të cilat krijohen nga një botë e imja artistike dhe nevojës që ato të materializohen në pëlhurë duke nxjerr kështu një vepër të caktuar, e cila deri tani faleminderit Zotit dhe publikut tim ka qënë shumë motivuese për të më ndihmuar në rrugën time. Kur nis të pikturoj jam gjithmonë e qetë por nëse ndonjëherë jam e dëshpëruar nga shumë faktorë, është ngjyra pika ku tërhiqem plotësisht nga bota e jashtme, është kënaqësi e papërshkrueshme kur sheh ngjyrat e këndshme si shkëlqejnë në pëlhurë.

MOTIVET JETËSORE FRYMËZUESE

Krijimtaria ime ushqehet në vazhdimësi nga përditshmëria ku gjithnjë përpiqem të marr më të mirën e mundshme nga ambienti dhe njerëzit që më rrethojnë. Për punën time diçka shumë pozitive është fakti që kur ndodhem në një gjendje të caktuar shpirtërore i vetmi shpëtim është brusha e cila më bën të futem në botën e pikturës duke u harruar nga çdo energji negative. Nëpërmjet ngjyrave mund të shpreh rrëmujën apo qetesinë e brendshme e cila fillon në disa raste me diçka konkrete dhe më pas e gjej veten të fluturuar në kohë dhe me një punë të avancuar goxha. Kjo më bën ta dashuroj punën time dhe mund të them pa frikë që nuk është puna ime por jemi një, pra jetoj për ta bërë këtë art.

RAPORTI DRITË-ERRËSIRË, JETË-VDEKJE NË PIKTURË

Në punën time jam udhëhequr gjithmonë nga jeta dhe drita. Ngjyrat që përdor në vijimësi janë të ëmbla dhe të këndshme që përcjellin vetëm pozitivitet. Përpjekja është që ti jap sa më shumë që të jetë e mundur ngjyra jetës dhe të bukurës që na rrethon. Të gjitha fenomenet negative të cilat na rrethojnë në ditët e sotme besoj që janë më se të mjaftueshme për krijimin e nje sinergjie e cila fatkeqësisht dominohet nga intoksikimi i shoqërisë. Prandaj kontributi i punës sime është gjithmonë në ekspozimin e të bukurës së jetës. Nuk është kaq e thjeshte por këtë bëj dhe do bëj gjithmonë sepse besoj është ajo çfarë kanë më shumë nevojë njerëzit.  Bukuria e jetës që na rrethon është shumë atraktive dhe duhet me patjetër të marrim më të mirën e mundshme prej saj.

HAPËSIRA E ZOTIT NË KRIJIMTARINË ARTISTIKE

Zoti për mua është forca e brëndshme e cila na jep fuqi secilit sipas nevojave që kemi. Unë jam shumë e kënaqur që marr forcë nga besimi në Zot dhe mbështetje sa herë që jam me një moral te ulët. Si çdo njeri edhe unë kam ulje ngritjet e mia dhe besimi më ka bërë një njeri më të plotë, më të ndjeshëm, më njerëzore. Pra mendoj që besimi në Zot na bën ne njerëzve minimalisht më të mirë, më të kuptueshëm, më kreativ dhe për rrjedhojë më të suksesshëm.

MESAZHI JUAJ PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Ju falenderoj shumë për këtë intervistë duke më bërë pjesë të dritares suaj shumë të rëndësishme të komunikimit me publikun. Jam shumë krenare kur dëgjoj, shikoj apo përjetoj momente të cilat tregojnë që ne shqiptarët kur jemi të bashkuar nuk reshtim së prodhuari suksese të cilat lartësojnë dhe nderojnë emrin e shqiptarëve anë e mbanë globit, por edhe çojnë përpara amanetin e të parëve tanë për një Shqipëri dinjitoze për të gjithë shqiptarët. Ju jeni një ndër këta kontribues të heshtur me një punë jashtëzakonisht të vlerësuar.

KUSH ËSHTË BESA DAUTI

Besa Dauti ka kryer studimet te Universiteti i Arteve të Bukura, dega Pikturë. Tetovë, Maqedonia e Veriut. Besa Dauti eshte Kuratore dhe Udhëheqëse e sektorit artistik në Institucionin Nacional në Galerinë e Arteve Pamore, Tetove. 

Filed Under: Opinion Tagged With: kuratore, Piktorja Besa Dauti, Sokol Paja

NJË PYETJE PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË DHE TË KOSOVËS

September 3, 2020 by dgreca

-Të nderuar akademikë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë: a vazhdoni ju të jeni të mendimit se Lahuta e Malëcisë e At Gjergj Fishtës është vërtetë, “vepër kusare e thjeshtë”, siç ka lenë amanet Enver Hoxha?/

Frank Shkreli-

Javën që kaloi, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH) organizoi tryezën e rrumbullakët, “95 vjet Martin Camaj — vepra dhe përndjekja”, siç duket në përgjigje të shpifjeve dhe aludimeve të kohëve të fundit, të Auron Tares — publikuar në një portal të quajtur “Peisazhe të fjalës” — ndaj Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, si poliagjentë në dëm të interesave kombëtare, bazuar siç pretendon ai, në dokumenta të ndryshëm arkivore, përfshir edhe ato të Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.  AIDSSH bëri shumë mirë që organizoi tryezën e rrumbullakët për jetën dhe veprimtarinë e Martin Camajt, me qëllim për të hedhur poshtë shpifjet dhe aludimet ndaj këtyre dy shkrimtarëve të mëdhej.  Mori pjesë edhe Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama.  Mirë bëri që mori pjesë.  Diskutime të tilla në publik e bëjnë shoqërinë shqiptare pak më humane.

Por ajo që më çudit është mungesa në këtë debat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Është e vërtetë se fillimisht, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, reagoi ndaj publikimit të këtyre shpifjeve dhe aludimeve me një deklaratë të shkurtër, duke përdorur një citim të Ismail Kadaresë në mbështetje të Martin Camajt, por nuk bëri asnjë koment në emër të vet, si Akademi Kombëtare e Shkencave. Si është e mundur që Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, si institucioni më i lartë shkencor i vendit të mos ketë diçka për të thenë në lidhje me këto shpifje, por jo vetëm ajo. Ku ishte Akademia e Shkencave e Republikës së Kosovës, ku janë organizatat e ndryshme shkrimtarësh në trojet shqiptare dhe në diasporë? A nuk është misioni i tyre mbarëkombëtar për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar?  Heshtja e dy akademive dhe e shoqatave të shkrimtarëve të dy vendeve, në këtë rast, të sjellë ndërmend kujtimet e At Zef Pllumit, sipas të cilit kur oficerët e Sigurimit të Shtetit  bastisën Kuvendin Françeskan dhe thyen derën e zyrës së At Gjergj Fishtës në Kuvendin Françeskan në Shkodër dhe së bashku me agjentët jugosllavë plaçkitën të gjitha librat dhe shkrimet dhe i morën me vete në drejtim të panjohur, ndërkohë që përhapën shpifje se françeskanët po grumbullonin armë për të luftuar regjimin.  At Zef Pllumi shkruan se ajo që nuk mund ta kuptonte gjithë jetën ishte fakti se si nuk u gjet asnjë nga oficerët e Sigurimit, disa sipas tij edhe të arsimuar madje edhe jashtë vendit, që të thonin, ore ndal se këto janë pasuri e kulturës kombëtare, duhet t’i mbrojmë.  “Si ishte e mundun që në këtë popull nuk u gjet kurrnji trim që të shtrinte dorën për të shpëtue kulturën, por të gjithë, ishin o aq të trullosun, o aq idiotë, o aq servilë e frikacakë?” ka shkruar At Zef Pllumi.  “A thue ndoshta ndër foletë e blindueme të geneve të këtij populli të mjerë, janë shartue të gjitha vetitë destruktive e barbare të Orientit e Oksidentit dhe vetëm ne, vetëm ne, posaçëm gjithkujt në Evropë, do të ecim symbyllë e të vërbët?!”, ka pyetur Zef Pllumi, në kujtimet e tija.

Deri kur kështu, more njerëz?  Pse nuk reagojnë siç duhet dy akademitë e dy shteteve shqiptare kur botohen shpifje siç ishin ato të Auron Tares, kundër shkrimtarëve Martin Camajt dhe Ernest Koliqit. Ose shpifjeve ndaj prejardhjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, nga individë me motive të mbrapshta?  A po në mbrojtje të veprës së At Gjergj Fishtës, në mos tjetër, të kujtohet, zyrtarisht, në këtë 80-vjetor të vdekjes së tij.  A nuk janë edhe këta pjesë e vlerave kulturore dhe njerëzore të shqiptarëve?  Por nuk është se nuk dinë të reagojnë kur është nevoja. Edhe me këtë rast dinë si të reagojnë, por nuk duan, për arsye që është vështirë të merret me mend, tre dekada par shembjes së Murit të Berlinit. 

Tetorin që kaloi, Akademia e Shkencave e Shqipërisë me të drejtë dhe plot me me vend reagoi pas dhënies së çmimit Nobel për letërsi, shkrimtarit austriak Peter Handke.  Në një letër, drejtuar Akademisë së Shkencave në Suedi thuhej se ky ishte një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore.  “Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë paraqet mospajtimin dhe indinjatën e saj, pasi në vlerësimin tonë ky është një akt i rëndë i dhunimit të vlerave njerëzore”, thuhej në letër.  Peter Handke njihet për inkurajimin e hapur që ai i ka ofruar makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të kriminelit serb Millosheviq, gjatë luftës në Kosovë.  

Në letrën drejtuar Akademisë së Shkencave të Suedisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shprehet mëtej se me dhënjen e çmimit prestigjoz Nobel për letërsi Peter Handke-it, ajo akademi po vepronte me “standarde të dyfishta dhe shpërfillëse ndaj dukurive më të refuzuara europiane, si hate speech, përkrahja e krimeve kolektive, mbështetja publike e urrejtjes kombëtare, gjuhësore, fetare, racore, gjinore e kulturore, me shkelje të dukshme të kodit të etikës. E njëjta Akademi që akordon vit për vit çmimin Nobel të Paqës nuk mund t’i lejojë vetes të inkurajojë me Nobelin e Letërsisë urrejtjen dhe konfliktin”.

Në atë reagim shumë me vend, Akademia e Shkencave e Shqipërisë thotë se nuk gjykon vlerën e veprës letrare të fituesit të Nobelit të sivjetëm, por thotë se i “dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim nga juria e këtij çmimi, duke mbyllur sytë para inkurajimit të hapur që ai i ofroi makinerisë së urrejtjes etnike ndaj shqiptarëve të frymëzuar prej një njeriu të dënuar për krime të rënda kundër Njerëzimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”.  Ndaj pyetja që ngre Akademia është: A mund të besohet më kjo “parimësi”?  “Ka ndodhur që juria e këtij çmimi të lartë ka konsideruar edhe opinionet; ka ndodhur edhe e kundërta, që, në emër të idealeve, ideologjive, qendrimeve vetjake politike, të bëhet para-përzgjedhje, duke përjashtuar edhe kryemjeshtër të artit të fjalës …. Por nuk ka ndodhur ndonjëherë që frymëzuesit e ideologjisë primitive të urrejtjes dhe armiqësisë etnike të laureohen duke ua amnistuar përgjegjësitë e tyre të mirënjohura si famëkeqe prej kohësh botërisht”, sqaron Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, në letrën dërguar Akademisë të Shkencave të Suedisë.  Me atë rast, pati edhe reagime të ashpra dhe gjithashtu plot me vend edhe nga akademikët e Republikës së Kosovës. 

Fatkeqësisht, nuk mund të injorohet hipokrizia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kur krahasohet qendrimi i saj në këtë letër dhe mënyrës se si sillet ajo vet me shkrimtarët shqiptarë të një kombi: At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, e të tjerë më pak të njohur, por të përjashtuar nga ish-regjimi komunist. 

Bir Selman i nenës, kë të qajë më parë, thotë fjala popullore, politikanët a po akademikët shqiptarë, bartës të “frymëzimeve të një ideologjie primitive të urrejtjes”, në këtë rast urrejtjes brenda kombëtare.  Duket sikur politikanët dhe akademikët shqiptarë, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar vazhdojnë të jenë gjithnjë bartës të porosive të Enver Hoxhës, i cili e kishte përcaktuar këtë politikë mohuese dhe shpifëse ndaj shkrimtarëve anti-komunistë si At Gjergj Fishta e të tjerë, ç’prej Plenumit të IV të Rinisë Popullore me 22 Gusht, 1947: “…Miqësinë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbetori i imperializmit  dhe fashizmit Italian, shovinisti At Gjergj Fishta me Lahutën e Malcisë, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bejë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe të ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmendur…”, sipas Gazetës Bashkimi të njëjtës datë.

Të nderuar akademikë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë: a vazhdoni ju të jeni të mendimit se Lahuta e Malëcisë e At Gjergj Fishtës është vërtetë, “vepër kusare e thjeshtë”, siç ka lenë amanet Enver Hoxha?   Mua më “dëshpëron braktisja e parimësisë në gjykim” nga ana e juaj dhe “inkurajimi i hapur” që më duket se ju – me mbështetjen e heshtur të politikanëve post-komunistë në dy shtetet shqiptare — vazhdoni t’i jepni urrejtjes midis shqiptarëve në baza ideologjike – një trashëgimi tragjike e regjimit komunist të Enver Hoxhës.  

Deklaratat e një politikani të papërgjegjëshëm “shqiptarë”, pa përvojë dhe pa identitet në Mal të Zi, në lidhje me preardhjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbe, është fyese për të gjithë shqiptarët kudo. Por, heshtja, dështimi dhe mungesa e vullnetit të akademive të shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës — për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar — është një akt i pafalshëm dhe anti-kombëtar. 

A nuk është misioni i juaj mbarëkombëtar për të mbrojtur krijimtarinë dhe vlerat letraro-artistike të shkrimtarëve shqiptarë të gjitha kohërave dhe pa dallime ideologjike, si një dëshmi dhe pasuri e përbashkët e Kombit shqiptar?

Gjatë një konferencë shkencore të Mërkurën, 2 Gusht 2020, në kujtim të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta bëri thirrje për vlerësimin e figurave kombëtare, “pavarësisht dritëhijeve që mund të kenë”, tha presidenti.  Uroj që thirrja e Z. Meta të merret seriozisht dhe që lista e vlerësimit të figurave kombëtare të jetë pak më e gjatë se Ahmet Zogu dhe Avni Rrustemi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PYETJE PËR AKADEMINË E SHKENCAVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT