• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI SHPËTOI AUSTRIA NGA SKENARI ITALIAN NË BETEJËN NDAJ COVID-19

May 18, 2020 by dgreca

Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli New York, Austrinë në betejën ndaj Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.

SITUATA E COVID-19 NË AUSTRI 

Situata në Austri është momentalisht stabile, lock-down i hershëm i shtetit më 15.3.2020 e shpëtoi Austrinë nga skenari i vendit fqinj Italisë. I gjithë shteti ishte i mbyllur, duke filluar hapjen graduale shkallë-shkallë. Mbyllja e fabrikave, industrisë, shkollave etj shpëtoi shumë jetë njerëzish në Austri. Shteti austriak deri më 17 maj numëronte:  16 mijë e 269 të infektuar me COVID-19, ndërsi numri i viktimave është minimal, 629 të vdekur. Në krahasim me Suedinë e cila nuk u mbyll, Austria korri megjithatë sukses të jashtëzakonshëm. Rënia ekonomike në Suedi shënohet më së paku 7,5%, ndërsa në Austri 5,5% e sa për numrin e të infektuarve dhe viktimave të  mos flasim të cilat janë shumë fish me të larta në Suedi. Tanimë janë hapur bizneset, restorantet prej 15.5.2020 dhe hotelet do të hapen në fund të majit. Shkollat fillojnë më 18.5.2020 me orar të reduktuar dhe në grupe të ndara. 

SHQIPTARËT NË AUSTRI

Për situatën e shqiptarëve për aq sa jam i informuar ka pasur raste por janë informata jozyrtare.  Kurba e të infektuarve është momentalisht 0,5 % infeksione të reja në ditë dhe diku 0,6 % kurba e të shëruarve në ditë. Shkaqet e vdekjeve janë pneumonia bilaterale por edhe trombozat, insultet në tru si dhe infarktet miokardiale. Sfidat në përballje me pandeminë globale janë të përditshme dhe të paparashikueshme, ka pacientë që janë negativ në testin e Covid-19 ngaqë virusi veçse ka depërtuar në mushkëri duke shkaktuar pneumoni bilaterale. Vazhdimësia e Pandemisë mbetet një e panjohur për të gjithë në ngase nuk e dimë si do të jetë numri i infeksioneve të reja pas hapjes graduale të kufinjëve më 15.06.2020. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT

Mesazhi im për lexuesit e gazetës së nderuar Dielli: mbani distancë më se paku 1 metër, lani duart me sapun dhe veshni doreza në ambiente më pak të njohura psh tek mbushja e makinës me derivate, në supermarket etj dhe mos u besoni informatave që thonë se kemi një medikament apo vaksinë të zbuluar. Do na duhet kohë për ta zhdukur virusin global. Përshëndetje të përzemërta për të gjithë ju dhe diasporën në USA.

KUSH ËSHTË DR.MED.UNIV.OA LEKË ABDYLI 

Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli jeton në Graz, qyteti i dytë i Austrisë për nga madhësia, qytet antik i cili të kujton shumë qytetin e lindjes së doktor Lekës Prizrenin si për nga ngjashmëria me kalanë e qytetit, me lumin përmes ashtu edhe për nga pozita gjeografike në jug të shtetit. Doktor Lekë Abdyli kreu studimet në Fakultetin e Renomuar të Mjekësisë në Graz, specializimin në Mjekësi Interne si dhe subspecializimin në Hematologji dhe Onkologji internistike i përfundoi poashtu në klinikën universitare në Graz të Austrisë. Doktor Lekë Abdyli është Oberarzt Kryemjek në departamentin e Mjekësisë Interne me Hematologji dhe Onkologji në Klinikën e Oberëart. Është përkthyes i licencuar i librit të Mjekësisë Interne nga gjuha gjermane e librit Herold Innere Medizin, literature kjo e cila shfrytëzohet në trojet shqiptare për përgatitjen e provimit të mjekësisë interne. Doktor Lekë Abdyli ka disa publikime dhe abstracte nëpër revista Internacionale në fushën e mjekësisë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Progresi në Kërkim të Vaksinës jep Shpresë

May 15, 2020 by dgreca

DR. PASHKO CAMAJ/

– A mundemi, ne si komb, apo cilido vend në botë, të shpresojmë ta mposhtim Covid-19 permes imunitetit të “tufës” dhe përmes infeksionit të përhapur? Përgjigja tingëlluese është JO…

Shkruan: DR. PASHKO CAMAJ-Zv/Kryetar i Vatrës

Derisa, në hemisferen veriore po kalojmë në ditët më të ngrohta të pranverës, lajmet rreth betejës kundër Covid-19 vazhdojnë të jenë aktuale, në të gjithë globin. Ditë pas dite, derisa i dëgjojmë, i shikojmë, apo i lexojmë ato, ne edhe shpresojmë. Në betejë kundër infeksioneve virale, si në rastin e pandemisë Covid-19, ne kërkojmë mënyra për të qëndruar të shëndetshëm, të bëhemi imun dhe të mposhtim këtë armik të padukshëm.  Imuniteti ndaj infeksioneve mikrobike ndodh në dy mënyra: përmes infektimit të natyrshëm ose përmes vaksinimit. Në mënyrë të natyrshme, imuniteti ndaj këtyre mikrobeve mund të ndodhë kur mjaft njerëz infektohen, mbijetojnë dhe bëhen imun ndaj virusit. Kjo në epidemiologji njihet si imuniteti i “tufës”, dhe ndodhë kur nga virusi infektohen 60-80% e popullsisë, e që do të thotë rreth 200-280 milion njerëz, vetëm në Shtetet e Bashkuara (ShBA). Sa për informatë, me një “shkallë vdekshmërie” për Covid-19 me rreth 1%, kjo do të nënkuptonte më shumë se dy milion vdekje vetëm në ShBA. A mundemi, ne si komb, apo cilido vend në botë, të shpresojmë ta mposhtim Covid-19 permes imunitetit të “tufës” dhe përmes infeksionit të përhapur? Përgjigja tingëlluese është JO, ne nuk mund të mbështetemi në imunitetin e “tufës” si mekanizëm shërimi për këtë ‘kolere’ te shekullit 21. Pra, kemi vetmen nje mundësi, të gjejmë vaksinën dhe ta prodhojmë sa më shpejt!

Progres në  kërkime të vaksines:  

Deri në javën e kaluar, mbi 80 kandidatë për vaksina Covid-19, janë duke u studiuar në të gjithë botën, ku shumica e tyre janë akoma në fazat e hershme të testimit. Lajm i mirë është se gjashtë prej tyre kanë arritur prova klinike, pra testohen në  njerëz. Një numër i vaksinave të kandidatëve që janë në fazën e testimit klinik, përfshijnë dy në ShBA, një në Britani, një në BE dhe katër në Kinë. Këto testime janë në faza relativisht të hershme (numër i vogël i njerëzve) dhe asnjëra nuk ka arritur ende në fazën e tretë, në të cilën vaksina testohet te një numër i madh njerëzish. Kjo fazë e provave do të na tregojë nëse vaksina funksionon, dhe ajo që është me e rëndësishmja, a është e sigurt për përdorim në njerz, pa efekte negative për shëndetin tonë. NëShBA, ka prova për vaksinat që po zhvillohen në Shkollën e Mjekësisë në NYU Grossman dhe Universitin Maryland, në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Rochester dhe në Spitalin Qëndror në Cincinnati. Për më tepër, është për to cekur një provë që po zhvillohet nga Pfizer Pharmaceuticals dhe një kompani gjermane bioteknike BioNTech, me 200 pacientë të regjistruar në Gjermani. Kto punime po gjenerojnë optimizëm, se vaksina e sigurt dhe efektive kundër Covid-19 do të jetë ne perdorim deri në fund të vitit. Nëse këto prova rezultojnë të suksesëshme, Pfizer planifikon të përdorë tre vendet e saj, në ShBA, për të prodhuar në masë vaksinën, me qëllim që të prodhojë miliona doza të vaksinave në vitin 2020, dhe qindra miliona më shumë në 2021.

Si funksionon vaksina:

Vaksina ka një funksion të thjeshtë: i jep udhëzime trupit tonë se si të bëjë proteina që do të shkaktojnë reagime ndaj mikrobeve, pasi të ekspozohen ndaj tyre. Ajo funksionon duke ‘trajnuar’ sistemin tonë imunitar, për të njohur dhe luftuar viruset ose bakterjet. Për ta bërë këtë, molekula të vogla nga viruset duhet injektuar në trup për të shkaktuar një përgjigje imune të trupit tonë. Këto molekula të vogla quhen antigjene, dhe ato janë të pranishme në të gjitha viruset dhe bakterjet. Duke injektuar këto antigjene në trup, sistemi ynë imunitar mëson që me siguri t’i njohë ata si ‘armiq pushtues,’ të prodhojë antitrupa ndaj tyre dhe t’i krijoj ‘kujtesë’ për të ardhmen. Nëse ne expozohemi ndaj këtyre mikrobëve përsëri, sistemi ynë imunitar do t’i njohë ata si armiq, menjëherë dhe agresivisht do t’i sulmojë ata përpara se të përhapen ne trupin tonë dhe të shkaktojë sëmundje. Administrata e Ushqimeve dhe Barnave në ShBA, e cila mbikqyr prodhimin e vaksinave dhe sigurin e tyre të përgjithshme, do të ketë fjalën e fundit. Ata aktualisht po shqyrtojnë procesin shkencor, si dhe pyetjet etike rreth zhvillimit të shpejtë ne prodhimin e vaksinës kundër Covid-19.

Drita në fund të tunelit te gjatë: 
Ndërsa provat në zhvillimin e vaksines janë aktuale dhe premtuase në të gjithë globin, shpresëdhënëse janë dhe aktivitetet e shumta shkencore që shikojnë të kurojnë pacientët e infektuar.  Hulumtimi mbi antitrupat që mund të përdoren si trajtim profilaktik për njerëzit që kanë qenë të ekspozuar ndaj Covid-19 janë prëmtues. Përdorimi i antitrupave mund të jetë mënyrë efektive dhe e shpejtë ne luften kunder virusit korona, derisa të prodhohet vaksina. Kështu, ne vazdojmë të presim, shikojmë, dëgjojmë dhe shpresojmë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. Pashko Camaj, progres, Shprese, Vaksina

Koha me Maks Velon dhe koha pa Maks Velon

May 9, 2020 by dgreca

SHKRUAN: VISAR ZHITI/

Maksi na la dje. Edhe sot. Edhe nesër… Me të marrë lajmin tronditës, gjithë kohës kam menduar për të, kemi folur për të me miqtë e përbashkët në Tiranë, por dhe në Itali, edhe përtej oqeanit, në SHBA. Dhimbja është më e madhe se largësitë, e krahasueshme vetëm me atë që Maksi bëri dhe la, më shumë sesa aq, me kumtin që mbartin bëmat e tij.

Kumti i Maks Velos ka fuqinë të ndajë kohën, koha me Maks Velon dhe koha pa Maks Velon, që mund të jetë koha pa të, ku ai ishte dhe koha me të, ku ai s’është.

Maks Velo është intelektuali me ndërgjegje të lartë artisti, është artisti me ndërgjegje të lartë intelektuali, është miku i të gjithëve dhe kritiku i të gjithëve, në çdo kohë dhe në çdo vend, që do kur nuk e duan, që nuk do kur e duan.

Maksi është më i veçanti i të gjithëve dhe i mbart të gjitha veçantitë e të gjithëve te vetja.

Qytetar, i dashur, që kërkon ta duash, social dhe vetmitar, korrekt e i hapur, i gjendur dhe braktisës, shpotitës dhe nervoz, mik që të harron, i besës që nuk të beson, që e merr malli, që di të çmojë si askush veprën dhe virtytet, mbi të gjitha punëtor i palodhur i mendjes dhe i krahëve, që ecën, madje dhe me ngut, duke shkuar asgjëkund e kudo, duke ditur të jetë dhe atje ku s’është. Edhe tani që sapo nisi prehjen e fundit, ai nuk di të pushojë, i ka bërë të gjithë të flasin për të, të njohur dhe të panjohur, bashkëvuajtës dhe shtetarët e lartë, ata që e duan dhe ata që s’e duan, artistët kudo. Elitarët.

Maks Velo është elitë.

Korçari që lindi në Paris dhe që kishte pasaportë amerikane, që jetoi nën diktaturë dhe bëri art avanguardist, modern, arkitekti që pikturonte ndryshe, që shkonte në azilin e pleqve dhe u blinte atyre gdhendjet në dru si art parak, të çuditshëm, që dënohet për veprat e veta me 10 vjet burg, kubist në arkitekturë, impresionist në pikturë, ekstravagant në veshje, liberal në të folur, i pashoqërueshëm me këdo dhe mik me shumë gra, i hijshëm dhe sharmant më shumë nga ç’lejohej, lexues veprash të ndaluara në gjuhë të huaj etj., etj., gjithë këto krime për atëherë. Edhe pikturat ia dënuan me gjyq, i dogjën nja 300 vepra dhe i konfiskuan.

Po pallatet që ke projektuar ti, do t’i shembin? – e pyesja në burg, se ja shkrimtarëve u ndalohen librat. Tashmë ishim bërë miq, i thosha ç’të doja. Të burgosurit kishin merak atë pallatin e tij kubist, ku jetonin ata të realizmit socialist, atë ta hidhnin në erë me dinamit, po Maksi aty kishte miq të tij.

Maks Velo edhe në burg ishte artist, s’duronte dhe duronte padurueshëm, nuk përshtatej. “Ti s’bën si i burgosur”, – i thosha. Qeshte si i lirë, grindej kollaj, s’duronte banalitetin, trupmadh si një Heminguej, i panënshtruar, por jo rebel i çartur, i çartur në të folur me policët, spiunët apo hajdutët, elegant kur diskutonim një libër, një film, po, po elegant si burrë, edhe atje. Gjestet i kishte prej artisti, të shumta, s’kishte pranga t’ia lidhte. Në fëmijëri i kishte rënë pianos, – më thoshte. Nga gishtërinjtë e tij më dukej sikur pikonin tinguj dhe ngjyra, në sy i vezullonin ndriçime të largëta, fytyrëgjerë, ballin të madh e të pjerrët, vetullan, leshtor… nuk dua të zgjatem, kam shkruar për të, e kam personazh të dashur në burgologjinë time të Spaçit, “Rrugët e ferrit”, ku dhe atje ai bënte arkitektin, ngriti një tarracë, sajoi shkallë, rregullonte, e qytetëronte sadopak atë mjedis dhunues.

Ai edhe gjellën e burgut e bënte të pranueshme, mua më dukej sikur në kazan të kishin gatuar copa çizmesh të policëve, por Maksi nxirrte nga çanta e burgut ca vaj, uthull a limon, erëza, ndonjë kokërr ulliri, djathë, ç’i kishin sjellë familjarët, i hidhte mbi dy sahanët tanë, gjella e burgut qytetërohej. Burgu ka shumë uri, Maksi ishte dinjitoz në urinë e tij. Ushqimi është kulturë dhe histori, madje histori e njerëzimit më shumë se ajo nëpërmjet luftërave.

Maksi, fletëve që grisja nga librat apo revistat në burg dhe krijoja antologjitë e mia, u bënte kopertinat “me mjetet rrethanore”, u ngjiste figurina, me germat që i priste nga gazetat a revista të tjera sajonte titujt, emrat e autorëve, edhe sot i kam, janë botimet unikale në botë.

Pas burgut, kur vija në Tiranë kërkoja Maksin, ai ishte pjesë e bukur e kryeqytetit për mua, më priste, njoha nënën e tij, motrat, punët, më kishte ardhur dhe në Lushnjë, në shtëpi. Dhe kur ra diktatura, poezitë e burgut i botova, duke vënë në kopertinën e librit një vepër të tij.

Në postdiktaturë Maksi iu rikthye artit si profesionist, iu rikthye teatrit, lozhave të operës, miqësive me femrat, gazetave dhe ekraneve, shpërtheu më fuqishëm si zë i lirë intelektuali, u bë britmë drejtësie, mbrojtës i të drejtave të njeriut, i vlerave kulturore, i ikonave bizantine, onufriane etj., traditës, urbanistikës, që nga lahuta e deri te stadiumi, akuzë kundër korrupsionit, kritikonte hapur, që nga fanatikun e një xhamie e deri te kryeministri dhe punonte, punonte, pa pyetur se ç’bënin vitet me të.

Mbronte krishterimin si të ishte një ushtar 500-vjeçar i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, duke parë aty dhe kulturë të fortë morale, kolonë kryesore e kulturës perëndimore europiane, ngrihej kundër fundamentalizmit fetar dhe i keqkuptohej si antimyslimanizëm ngaqë Maksi e denonconte kudo që e ndeshte dhe midis tyre.

Hapi ekspozita, vazhdonte atë lloj të veçantë të pikturuari, silueta parake si te Matis, që po u ngjanin hijeve të të burgosurve, labi, cigania etj., iu kthye letërsisë, tregime të vrazhda, ese plot mendim, poezi si pikturat e tij, novela dramatike, deri edhe romane burgu, edhe dosjen e tij të dënimit, ashtu siç ishte, solli origjinalitet dhe forcë, dëshmi dhe avangardë sërish, albume të kombinuara të fjalës me ngjyrën, ku ndiqte të zezën, vazhdonte të pikturonte njeriun-prangë dhe njeriun shenjt, Nënë Terezën, krijoi universin e tij të papërsëritshëm si rrallëkush.

Maks Velo tashmë është një institucion, thashë në fjalën time në njërin nga përurimet e tij të para. Maksi shkoi në Paris e Romë, në Vjenë e Berlin, Varshavë etj., në SHBA, foli në konferenca, i mahniti me dëshmitë e tij dhe me arritjet e tij.

Bëri shumë miq, kudo në Shqipëri dhe jashtë saj, por dhe kundërshtarë, deri edhe familjarë, pati edhe kërcënues. Karakteri i tij që s’përshtatej, si lokalist, si antiverior, por kudo ai ishte si në shtëpinë e vet, si në kafene, po ai, i drejtpërdrejtë, nuk bënte kompromis për të vërtetën, keq nuk i bënte kurrkujt, qeveritë nuk donin ta kishin kundër, i rrezikshëm si armik, por mik nuk e bënë dot kurrë. Urrente dhe me humor dhe donte me seriozitet sublim. Maksi nuk të falte, por e donte faljen. Shpërfillës në rrugë, burrë i moshuar që edhe vraponte, edhe me pantallona të shkurtra, por që qëndronte të dëgjonte dhe të rëndomtën, me kërshëri të përhershme, mund të bënte një sherr, të bënte narcisin, por duke ruajtur madhështinë, sidomos atë të brendshmen.

U bë emblemë e kohës së tij. Koha pa Maks Velon do të jetë më e zbrazët, pa estetikën e kritikës së tij, të bukur deri në marrëzi, e ndryshme gjithsesi me kohën me Maks Velon. Prandaj vepra e tij, arritjet e tij duhen mbrojtur si pasuri e përbashkët.

Të fillohet që nga shtëpia, megjithëse ai nuk pati kurrë shtëpi të tij, as studio, as në kohën e tij, ndërsa ata që e dënuan kishin dhe vila, dhe sallone, dhe galeri dhe kur s’ishin në kohën e tyre.

Shtëpia e Maks Velos të bëhet muze dhe rrugica aty të marrë emrin e tij. Pikturat e tij të mbrohen dhe të ekspozohen dhe të bëhen albume me to. Të botohet vepra e plotë letrare e tij disavëllimshme.

Maksi po punonte dhe në skulpturë së fundmi. Ka vepra tronditëse, monumente, ato të kujtesës dhe të persekutimit, sheshet presin një vepër të tij.

E rëndësishme është fryma dhe dhimbja dhe kumti i atyre që vuajtën dhe qëndruan, që ajo të shndërrohet në kujtesë, në kujtesën e përvojës, të vlerave, të bëhet kulturë kombëtare, ku Maks Velo zë një vend qendror.

Liria dhe demokracia kanë nevojë për artin e Maks Velos me shokë, për guximin dhe qëndrimet, për vizionet prijatare, se si të thuash erdhi ajo kohë, për të cilën ata u dënuan.

Zhgënjimet, mashtrimet, vazhdimi i kohës së diktaturës në postdiktaturë me forma të reja demokratike, oligarkia e pasardhësve të atyre që bënë dhe mbajtën atë regjim, kërkojnë përballjen, zbulimin e të vërtetave, njohjen e persekutimit, të të persekutuarve dhe të persekutorëve patjetër.

Vepra e Maks Velos me shokë janë gjyqi dhe ndëshkimi moral, kujtesa e së vërtetës.

Koha me Maks Velon e dënuar është diktaturë dhe e dëmshme, nuk është koha e të gjithëve, por ngrirje e kohës.

Koha dhe me Maks Velon, dëshmitar i vuajtjes dhe artist, me krijimtarinë e tij të lirë, është kohë e të gjithëve, që sjell ardhmëri. Personalitete si Maks Velo tregojnë drejtimin…

Filed Under: Opinion Tagged With: Koha me Maks Velon, the koha pa Maks Velon, Visar Zhiti

Dashuri për nënën në kohën e Covidit

May 9, 2020 by dgreca

Esse  Nga Rafael Floqi/ DIELLI

Prapa shtëpisë sime ndodhet një shtëpi pleqsh. Rrallë i kam parë banorët e saj, vetëm atëherë kur vajza e ime e vogël mësonte biçikletën në oborrin e atij institucioni. Në atë rast, kur ime bijë foli me disa zonja të moshuara që ishin strehuar aty, lexova në sytë e atyre gjysheve një mal me mall si ai i dashurisë për nipat e mbesat. 

Shpesh aty vjen ndonjë ambulancë apo makinë zjarrfikëse e kjo do të thotë se dikush nuk ndjehet mirë, elbete të moshuar mendoj. Gjithë këtë muaj duke qenë në karantinë e kam këqyrur atë shtëpi pleqsh me shqetësim dhe fatmirësish nuk kam dëgjuar sirena ambulancash. Por sot ishte diçka ndryshe. Dhjetëra vetura dhe SUV të zbukuruara u ranë burive për gati një gjysmë ore në parakalim, duke befasuar banorët dhe duke festuar ditëlindjen e ndonjë zonje aty brenda. Të dielën është Dita e Nenës thashë me vete, a do të ketë të dielën parakalime makinash si sot?     

Po Dita e Nënës bie të Dielën, më 10 maj këtë vit. Dhe s’duhet të harroni dhe nëse se s’mund të gjeni fjalët e duhura për të shprehur sa e doni vërtet nënën atëherë veç i hapni asaj zemrën. Mos harroni se ajo është në punë 364 ditët e tjera të vitit, kështu që kur afrohet kjo e diel speciale, kushtojini nënës suaj respektin e duhur, jo vetëm me dhuratat më të mira dhe tufat e luleve më  të bukura, por me praninë dhe me fjalët tuaja që t’i tregoni asaj se sa shumë e doni dhe interesoheni për të. Sa do të dhesha që mamaja ime të ishte edhe ajo ende këtu dhe unë të kisha mundësi ta çoja atë diku jashtë për darkën e dielës. Por ajo nuk është më mes nesh. Ajo na sheh nga diku lart. Ajo na sheh prej aty edhe sikur pyet, nëse vërtet jam bërë djalë i mbarë edhe tani që kam kaluar të 50-tat. 

Ne shqiptarët jemi mësuar të festojmë 8 Marsin Ditën Ndërkombëtare të grave edhe si festë të nënave,  pasi gruaja dhe nëna nuk mund të ndahen, ato janë të dyja në një.  Por Origjina e Ditës së Nënës  në Amerikë është e ndryshme. Ajo nisi në fillim të viteve 1900. Një grua me emrin Anna Jarvis filloi një fushatë për një festë zyrtare për të nderuar nënat në 1905, vitin kur asaj i vdiq nëna e saj. Kremtimi  i parë në shkallë më të gjerë i festës u mbajt në vitin 1908, kur Jarvis mbajti një memorial publik për nënën e saj në vendlindjen e saj në Grafton, në Virxhinian Perëndimore. Gjatë viteve të mëvonshme, Jarvis u përpoq që festa të njihej zyrtarisht, dhe ajo të festohej gjithnjë e më shumë kudo në shtetet e SHBA.  Gjer në në fund, në vitin 1914, Presidenti Woodrow Wilson ai që ka bërë shumë për Shqipërinë nënshkroi një shpallje, duke e bërë Ditën e Nënës një festë zyrtare, për t’u festuar të Dielën e dytë të  majit. Qe Anna Jarvis kështu që e vendosi kështu pra Ditën e Nënës në kalendar, si një ditë e përkushtuar për të shprehur dashurinë dhe mirënjohje për nënat, duke vlerësuar sakrificat që gratë bëjnë në jetë për rritjen e fëmijëve të tyre. 

Por tani për shumë amerikanë, Dita e Nënës e kësaj së diele ka një problem. Problemi është se kësaj here në ditën e Nënës shumica e restoranteve, ose nuk do të jenë ende të hapura, ose, edhe nëse do të hapen do të funksionojnë sipas udhëzimeve të reja të distancimit si në disa shtete. Në fakt, restorantet i sigurojnë fitimet e tyre më të mëdha të vitit, zakonisht gjatë Ditës së Nënës. 

Por këtë të Diel, pandemia e Covid-19, e cila tashmë ka rrafshuar, disa festa me radhë, si : Shën Patrikun, Pashkën, 1 Majin dhe Ramazanin ,- do të shuaj disi edhe gëzimin e kësaj feste.  Festë që për shumë njerëz, përfshirë edhe mua, është më e rëndësishmja nga të gjitha festat sepse ajo i kushtohet nënave.

Kashto pra tani, edhe për entuziastët më të zjarrtë në distancimit social, kërkesa për t’u mbledhur tok, për të sheshuar rregullat dhe jo kurbën, për të tejkaluar e thyer disi masat aktuale të distancimit do të jetë mjaft e fortë. Dua të them, atë që edhe, nëse moti do të jetë  i bukur, ne do të mund të uleshim diku jashtë rreth 2 metra larg njeri-tjetrit, apo jo?  Madje dhe dhuratat, mund t’i vendosnim në një dhomë për tre ditë më parë në shtëpi, sa të ngordhte virusi, boll të kishim nënën aty pranë.  

Por për familjet shqiptare të diasporës, që jetojnë larg nënave ose gjysheve, që i kanë në vendlindje, do të mbeten me të vetmen zgjidhje të thjeshtë për të bërë një bisedë, me video me Viber apo Skype. Ime shoqe tani gjatë pandemisë flet me nënën e vet gati për ditë. Dhe ne do të ngremë të dielën një gotë për të, dhe për motrën e saj një nënë e një bebi të bukur. Pasi dita e nënave nuk është vetëm festë amerikane, mesazhi i saj i dashurisë është universal, më universal se kjo pandemi që na gjeti.

Ndërsa për ata që e kanë nënën,  jo aq larg, por jo në shtëpi, shtrohen sfida të tjera: A do të duhet të bëheni gati dhe të shkoni drejt aty ku jeton për ta takuar nënën nënën tuaj? A po do tw prisni që nëna të na vizitojë në shtëpi? Apo të mund të takohemi në ndonjë restorant? Çfarë do duhet të bëjmë?  

Sado e vështirë të jenë të gjitha këto për ju, përgjigja është mjaft e thjeshtë. Mos e bëni asnjë nga këto veprime! Udhëtimi dhe pasiguria do ta bënin, këtë ditë të vështirë por edhe shqetësuese, se madje edhe për dy javët në vijim, çdo teshtitje, çdo kollë dhe çdo dhimbje e përjetuar prej kujto në familje, do të shkaktojë  dyshime dhe panik nga shqetësimi, se mos do t’i ndodhte gjë nënës suaj.  Nuk ja vlen pra të rrezikojmë thjesht, për një vizitë – sado të vogël, – që ta ekspozojmë nënën, me këtë virusin vrasës. Për më tepër, që tani kemi edhe programin Zoom në dorë, të cilin patëm nja dy muaj kohë për ta mësuar, dhe nëse s’e kemi mësuar, fëmijët e kanë mësuar, pasi mësuesit po e përdorin vazhdimisht për mësim. Të gjithë e dinim që Dita e Nënës po vinte, besoj se jeni gati dhe ja keni marrë dorën, apo jo? 

OK, pra festa është gati, dhe ne i dimë se si duken në video shtëpitë tona, muret dhe raftet e librave të të gjithëve nesh. Në të vërtetë, programi Zoom dhe konkurrentët e tij kanë bërë një punë të madhe,  pas kaosit teknik të fillimit,  duke përfunduar tek vështirësitë e kuptimit e të sjelljes në video, pasi  askush s’e di me të vërtetë as tani, se kur duhet të largohet nga video konferenca, pa u dukur si i pasjellshëm. Ne të gjithë e dimë si mund të largohemi nga një darkë me të afërmit tanë. Por mos harroni se kjo festë edhe e largët virtuale është për nënën, po për mamin si të doni. Nëna është në qendër të gjithëve. Më vonë atëherë kur rrethi i pjesëmarrësve në Zoom do të pakësohet, do të rifillojnë po ato gjëra që ndodhin zakonisht, si atëherë kur u mblodh e gjithë familja herën e fundit, me mëritë, ngatërresat, keqkuptimet por dhe me diçka më speciale kësaj here, me bisedat private dhe me ankesat për ekonominë, punën dhe për karantinën.

Kjo në ato vende ku restorantet janë të mbyllura. Por edhe për shtetet ku do të jenë të hapur restorantet apo dhe sallat e ngrënies, ekziston problemi i distancimit social. A mund ta imagjinoni që këtë javë të shkoni në një restorant, ku lejohet të zihen vetëm 25% ose mbase edhe 50% e vendeve? Si mund të mbani maskë në një restorant dhe të hani(?!). Një shumë shtete restorantet do të jenë të mbyllura këtë të diel, duke shtuar edhe dhimbje të thella edhe duke thelluar dilemën ekonomike të mbijetesës së pronarëve të bizneseve në të gjithë Amerikën. Mes syresh dhe të atyre biznesmenëve të vegjël shqiptarë që janë përgjithësisht, pronarë e punonjës restorantesh familjare. Për disa restorante që do të jenë të mbyllur edhe kësaj të diele, mungesa e kësaj feste do të jetë si gozhda e fundit në arkivolin e biznesit të tyre.

Megjithatë këtë vit për të festuar Ditën e Nënës, ju ende mund ta mbështesni restorantin tuaj të preferuar, duke porositur ushqimet prej tyre dhe duke e sjellë atë që pëlqeni në shtëpinë tuaj. Kjo përsëri do ta nderonte nënën tuaj. Gjithashtu, mos harroni dhe insistoni që pastrimin e rrëmujës së pas darkës nëna nuk duhet ta bëjë vetë, në ditën e saj. 

Në përgjithësi, kjo e diel është Dita më e hidhur e Nënës që kemi hasur këtu në Amerikë, kur edhe me miliona veta po luftojnë me sëmundjen edhe financiarisht. Megjithatë blerja e një vakti të plotë nga një restorant dhe sjellja në shtëpi për të ushqyer të gjithë është ende një mundësi për shumë njerëz. Por me rreth 70,000 ose më shumë vdekje për shkak të Covid-19 kjo Ditë e Nënës do të jetë ditë shumë e vështirë për shumë familje. 

Por le të kalojmë tek festa.  Kjo është e thjeshtë – porosisni në ushqime të mira për nënën, për ju  gruan fëmijët, motrat tuaja dhe tërë familjen e gjerë. Prindërit duan të vëzhgojnë fëmijët e tyre dhe nipërit e mbesat. Gëzimi për të parë të gjithë të dashurit bashkë, gjati një darke të mirë, madje qoftë edhe e parë në video, është diçka shumë më e mirë sesa vetë konsumimi thjesht i një vakti.  Por kjo gjë shtron tani një pyetje me të vërtetë të vështirë. A do të keni një shans për të biseduar me nënën tuaj nesër? Ajo do t’ju kuptojë ajo? Pasi një nënë e kupton edhe atë, që nuk ia thotë fëmija e saj. Një nënë, apo gjyshe të moshuar, që jeton vetëm ose në një institucion të kujdesit afatgjatë, qysh  i bëhet ? 

Amerika ka 1.600 shtëpi pleqsh që kujdesen për 1.3 milion banorë dhe rreth 70% e këtyre banorëve janë gra. Kjo për shkak se gratë jetojnë katër ose pesë vjet më gjatë se burrat, në pothuajse çdo shoqëri, duke krijuar edhe një çekuilibër aty. Ashtu siç është dokumentuar mirë javët e fundit, shtëpitë e pleqve, janë pikat më të nxehta të transmetimit Covid-19. Së paku, 1 në çdo 10 shtëpi pleqsh ka një rast (që zakonisht nënkupton shumë e më tepër se një rast) të infektuar. Vlerësimet e fundit, e vendosin numrin e vdekjeve në shtëpitë e pleqve nga Covid-19 në 17,000, një numër që sigurisht që do të rritet. Guvernatori i New Jersey-t njoftoi kohët e fundit, se rreth gjysma e vdekjeve në të gjithë shtetin e tij kishin të bënin me shtëpitë e pleqve, një situatë që tani i ka bërë që punonjësit të kenë frikë se mos sëmuren dhe i kanë ndaluar edhe familjarët e dashur të  moshuarve që t’i vizitojnë ata. Dhe në SHBA, ky zbatimi i masave mbrojtëse nuk është aq i forcuar, me gjithë tragjedinë. 

Dhe atëherë do të ketë një karrige bosh në tryezë. Miliona Amerikanë kanë nëna në shtëpi pleqsh. Nënat e tyre janë në rrezik të ekspozohen ndaj Covid-19. Njerëzit me siguri që nuk do të jenë në gjendje ta vizitojnë nënën apo gjyshen, sepse ajo ndodhet në një shtëpi pleqsh. Kjo është e dhimbshme.  Por një paradë si ajo që pashë sot  në “ American House“ është një zgjidhje disi ndryshe dhe novatore. Kjo periudhë pandemie ka kaq shumë skenarë shqetësues që luhen. Që nga punonjësit e kujdesit shëndetësor që janë në rrezik, deri tek papunësia dhe perspektiva e një epokë të re varfërie që sa po shkon e po godet vendin, deri aty, sa disa njerëz thjesht,  janë duke u çmendur vërtet me masat e distancimit shoqëror.

Por gjithnjë ka mënyra për të festuar Ditën e Nënës edhe këtë vit të mbrapshtë, mos  harroni!. Mos u distanconi nga kjo festë. Nderoni edhe nënën tuaj sa ta keni gjallë. Nderoni edhe nënat e tjera që kanë zënë një vend të veçantë tek ju. Kur do të shkruhet përfundimisht historia e pandemisë së Covid-19, mosrespektimi i vazhdueshëm e mizor i të moshuarve, do të përmendet, si një shembull tronditës i çnjerëzimit të shoqërisë së sotme.

Kur isha fëmijë, kisha 500 leke që i kisha fituar si honorar nga një rol në teatër. E vetmja gjë që doja të bëja, si fëmijë ishte të çoja mamin dhe babin tek lokali i hapur “Bar Lulishte Vollga”. Aty ku dëgjohej muzika me saksofon dhe ku ndjehej era e detit. Dhe kështu një ditë u ulëm që të gjithë aty. Nëna ime nuk donte që unë t’i shpenzoja paratë e mija, por ajo buzëqeshi kur unë pagova darkën atë ditë, edhe pse isha një fëmijë 10-vjeçar. Ndaj unë do të doja shumë që ta kisha mamanë time këtë të diel dhe do të bëja gjithçka, që ta bëja atë të buzëqeshte. Por s’mundem dot ajo veç më buzëqesh nga atje lart.  

Dita e Nënës është zakonisht një ditë festimi e gëzueshme. Por për ata që kanë humbur nënat e tyre, e Diela e dytë e majit mund të jetë mjaft e dhimbshme. Është me rëndësi të mbani mend që nuk jeni vetëm ju në këtë ndjenjë edhe mjaft mendje tw ndritura kanë përjetuar të gjithë humbje të ngjashme, dhe kanë thënë me fjalë gjendjen në të cilën ju po e përjetoni tani. Pasi fjala më e bukur një buzët e njerëzimit është fjala “nënë” , dhe thirrja më  e bukur është “thirrja e ‘nënës sime” Pasi jeta nuk vjen me një manual . Por vjen me një nënë.  

Sepse në fund të fundit, nuk ka asnjëherë arsye të ndalosh të festosh për të, me të gjitha mënyrat e bukura pasi ajo i ka dhënë formë jetës suaj. Dashuria e një nëne ndikon tek ne në një mënyrë të jashtëzakonshme, gjithmonë, duke na udhëhequr duke na mbrojtur, edhe për shumë kohë, edhe kur ajo të mos jetë më mes nesh. Nga ballafaqimi me pikëllimin e deri tek reflektimi i kujtimeve të bukura që keni ndarë së bashku, të gjitha ato paraqesin llojin e lidhjes së pathyeshme, që një person ka vetëm me nënën e tij. Ndaj në këtë të Ditë e Nënës, kujtoni nënën tuaj të ndjerë dhe ajo, do t’ju bëjë të ndiheni më afër saj edhe pse nuk është më këtu.

Ndaj dhe unë desha të nderoj nënën time si dhe çdo nënë, si dhe gruan dhe vajzat e mia, që kanë përgatitur dhurata të fshehta për nënën e tyre. Mund të ketë, ndoshta aty, diçka virtuale, si ajo që vajza ime e vogël ia çoi mësueses së saj me Zoom për festë, një vizatim i një çokollate, virtuale natyrisht. Kohë pandemie. Sidoqoftë edhe pse një dhuratë fëmije, gjithnjë ia vlen nderimi dhe respekti për nënën. 

Pasi nënat janë si ajo zamka, edhe kur s’janë më, ende e mbajnë familjen të lidhur fort së bashku.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nenat-Festa, Rafael Floqi

GREQIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË SHTETIN HELEN

May 8, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e doktor Vasil Llajo mjekut shqiptar anestezist- reanimator në Athinë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

HUMANIZMI I DR.VASIL LLAJO: Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner….

SITUATA NË SHTETIN GREK 

Sipas doktor Vasil Llajos mjekut shqiptar anestezist- reanimator që punon në Athinë, pacienti i parë në Greqi, ose pacienti zero, u detektua në datën 26 shkurt në qytetin e Selanikut. Prej asaj dite u shtri pothuaj në gjithë territorin e saj. Shumica e rasteve të para të shënuara mendohet se kanë lidhje me personat që kishin udhëtuar në Itali dhe me pak me një grup udhëtarësh në Egjypt dhe Israel. Duke ndjerë rrezikun e përhapjes së shpejtë Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit publik shpallen si masë të parë anullimin e festimeve të karnavaleve dt.27 shkurt në qytete të ndryshme. Deri në dt.10 Mars ishin regjistruar 89 raste me Covid -19. Në dt. 10-11 Mars u njoftua mbyllja e fluturimeve ajrore ndërkombëtare për qytetaret duke lënë vetëm pak linja ajrore për riatdhesim ose shërbime shtetërore të domosdoshme. Në dt.12 Mars u njoftua vdekja e parë. Atëherë u vendos mbyllja e shkollave në të gjitha nivelet dhe në dt.13 Mars u shpall mbyllja e shumë aktiviteteve, pra “lockdoun “. U mbyllën kështu të gjitha kafenet, baret, qendrat tregëtare, muzeumet, restorantet, qendrat sportive dhe të atletikës, palestrat e stërvitjeve, qendrat e gjimnastikës personale etj. Më 16 Mars u vendos dhe ndërprerja e aktiviteteve dhe shërbesave fetare. Mbeten të hapura vetëm dyqanet e bukës, supermarket, farmacitë, qendrat diagnostikuese dhe disa shërbime të tjera. U vendosën masa të rrepta kufizuese në qarkullimin e njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik ose privat. Marrja e masave kufizuese shumë herët, më shpejt se vendet e tjera të komunitetit europian mendohet se është një nga arsyet e resultateve të arritura në përballimin e pandemisë, duke e futur Greqinë në vendet “model” duke marrë vlerësime mjaft pozitive nga opinioni europian dhe më gjërë. Në dt.19 Mars qeveria greke shpalli dhëniën e një pakete ndihmëse financiare për përballimin e situatës prej 10 billion euro. Deri në dt. 23 Prill numri i rasteve ishte në rritje me një kurbë “crescendo”. Pas kësaj datë kjo kurbe u horizontalizua dhe nga fundi i Prillit, rreth dt.28-29, filloi rënia e saj. Deri me dt.3 Maj u shënuan 2.626 raste të prekura nga Covid -19. Numri i vdekjeve arriti në 144, mbi 55 % ishin meshkuj dhe mosha mesatare 74 vjeç. Shumica e tyre i takonte pacientëve me risk të lartë, pra ata që kishin sëmundje kronike të mëparshme. Duke parë se numri i rasteve të reja në ditët e para të muajit Maj ishte në rënie dhe shumë i vogël, Qeveria Greke vendosi lehtësimin e masave shtrënguese. Kështu duke filluar nga dt. 4 Maj hiqet kufizimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mjeteve të qarkullimit publik dhe privat.

SI PARAQITET E ARDHMJA NË GREQI

Do lejohet hapja e disa aktiviteteve ku shërbehet me kritere të caktuara për mbrojtjen e jetës së njerëzve dhe rrezikun e përhapjes së virusit. Nuk lejohet akoma hapja e hoteleve dhe aktiviteteve turistike. Turizmi, si një degë kruciale e ekonomisë greke ka pësuar një goditje sinjifikative që do të dojë muaj të rikthehet në gjendjën e mëparshme. Në dt. 11 Maj do hapin aktivitetin e tyre dhe restorantet, baret etj por në ambientet e jashtme ose “take aëay”. Mendohet mbas dt. 15 qershor të fillojë hapja e hoteleve turistike. Theksohet vazhdimisht ruajtja e masave kundër rrezikut të përhapjes si mbajtja e distancës fizike mbi 2 m, mbajtja e maskave në ambjente të shërbimeve apo transporteve publike, supermarket dhe kudo që presupozohet prezenca e mbi 4-5 vetave. Parashikohet një ecuri e mirë e kurbës së të prekurve duke ngelur në shifrat e sotme ose ndoshta me një rritje të lehtë pas heqjes së masave kufizuese, por me shpresën e rënies në ditët në vazhdim. 

SHQIPTARËT NË GREQI

Shqiptarët në Greqi janë pjesë integrale e shoqërisë greke dhe si të tillë i janë nënshtruar në mënyre ekuivalente masave të marra. Janë ndërgjegjesuar se marrja dhe respektimi i masave shtrënguese është pjesë e interesit publik për mbrojtjen e njerëzve. Ata kanë përfituar nga masat e ndihmës ekonomike të shpallura nga qeveria si çdo qytetar tjetër.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT

Unë si mjek do të këshilloja të jemi akoma të kujdesshëm me këtë lloj pandemie, pavarësisht ritmit gradual në rënie të kurbës së infektimeve. Nuk duhet të neglizhojmë akoma kujdesin ndaj vetes dhe të tjerëve. Të vazhdojmë të respektojmë akoma regullat e higjienës personale, të distancimit fizik dhe mbajtjes së maskës në fytyrë sipas kritereve të vendosura nga organet e shërbimit publik shëndetësor. Virusi qarkullon dhe do vazhdojë të qarkullojë ndoshta për shumë kohë. Akoma nuk ka të dhëna të plota për këtë kohë. Flitet për muaj ndoshta dhe vite. Por skenarët do të jenë optimistë me zbulimin e vaksinës. Mund të themi se shenjat e para të optimizmit duken me përdorimin për qëllime terapeutike të medikamentit Remdesivir. Opinioni mbarë ndërkombëtar është duke ndërtuar strategjitë e nevojshme për përballimin dhe kufizimin e përhapjes së këtij virusi. Me optimizëm po ju them se të gjithë bashkë në unitet do ta kalojmë dhe këtë provë të vështirë.

HUMANIZMI I DOKTOR VASIL LLAJO

Në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga pandemia Covid-19, Vasil Llajo ka në pronësi Laboratorin Intermedica dhe dhuroi për Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) 4500 (katër mijë e pesëqind) tuba të tipit Falcon, sterile një e nga një, free RNA&DNA, prodhim i kompanisë gjermane Greiner. Ky ishte një ndihmë simbolike sipas doktor Vasil Llajos në shenjë mirënjohjeje e respekti ndaj mjekeve dhe personelit tjetër mjekësor që ndodhen në vijën e parë të frontit të luftës ndaj virusit SARS CoV-2 në Shqipëri. Doktor Vasil Llajo ka punuar deri në viti 1992 si mjek Anestezist-Reanimator pranë klinikës së Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” Tiranë dhe më pas nga 1993 u zhvendos në Greqi dhe mbrojti Diplomën e Mjekut dhe filloi punë si Anestezist në Spitalin “ KAT” Athinë. Në vitin 1995 rikthehet në Tiranë duke hapur Qendrën e parë private diagnostikuese, ku përfshihet dhe laboratori Intermedica. Në vitin 2010 doktor Vasil Llajo hapi Laboratorin mjekësor në Prishtinë – Kosovë të quajtur “Tirana Lab” ndërsa nga vitin 2016 ka hapur në Athinë një qendër diagnostikuese “Premium Lab”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Vasil Llajo, Greqi, shqiptaret, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 330
  • 331
  • 332
  • 333
  • 334
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT