– A mundemi, ne si komb, apo cilido vend në botë, të shpresojmë ta mposhtim Covid-19 permes imunitetit të “tufës” dhe përmes infeksionit të përhapur? Përgjigja tingëlluese është JO…
Shkruan: DR. PASHKO CAMAJ-Zv/Kryetar i Vatrës
Derisa, në hemisferen veriore po kalojmë në ditët më të ngrohta të pranverës, lajmet rreth betejës kundër Covid-19 vazhdojnë të jenë aktuale, në të gjithë globin. Ditë pas dite, derisa i dëgjojmë, i shikojmë, apo i lexojmë ato, ne edhe shpresojmë. Në betejë kundër infeksioneve virale, si në rastin e pandemisë Covid-19, ne kërkojmë mënyra për të qëndruar të shëndetshëm, të bëhemi imun dhe të mposhtim këtë armik të padukshëm. Imuniteti ndaj infeksioneve mikrobike ndodh në dy mënyra: përmes infektimit të natyrshëm ose përmes vaksinimit. Në mënyrë të natyrshme, imuniteti ndaj këtyre mikrobeve mund të ndodhë kur mjaft njerëz infektohen, mbijetojnë dhe bëhen imun ndaj virusit. Kjo në epidemiologji njihet si imuniteti i “tufës”, dhe ndodhë kur nga virusi infektohen 60-80% e popullsisë, e që do të thotë rreth 200-280 milion njerëz, vetëm në Shtetet e Bashkuara (ShBA). Sa për informatë, me një “shkallë vdekshmërie” për Covid-19 me rreth 1%, kjo do të nënkuptonte më shumë se dy milion vdekje vetëm në ShBA. A mundemi, ne si komb, apo cilido vend në botë, të shpresojmë ta mposhtim Covid-19 permes imunitetit të “tufës” dhe përmes infeksionit të përhapur? Përgjigja tingëlluese është JO, ne nuk mund të mbështetemi në imunitetin e “tufës” si mekanizëm shërimi për këtë ‘kolere’ te shekullit 21. Pra, kemi vetmen nje mundësi, të gjejmë vaksinën dhe ta prodhojmë sa më shpejt!
Progres në kërkime të vaksines:
Deri në javën e kaluar, mbi 80 kandidatë për vaksina Covid-19, janë duke u studiuar në të gjithë botën, ku shumica e tyre janë akoma në fazat e hershme të testimit. Lajm i mirë është se gjashtë prej tyre kanë arritur prova klinike, pra testohen në njerëz. Një numër i vaksinave të kandidatëve që janë në fazën e testimit klinik, përfshijnë dy në ShBA, një në Britani, një në BE dhe katër në Kinë. Këto testime janë në faza relativisht të hershme (numër i vogël i njerëzve) dhe asnjëra nuk ka arritur ende në fazën e tretë, në të cilën vaksina testohet te një numër i madh njerëzish. Kjo fazë e provave do të na tregojë nëse vaksina funksionon, dhe ajo që është me e rëndësishmja, a është e sigurt për përdorim në njerz, pa efekte negative për shëndetin tonë. NëShBA, ka prova për vaksinat që po zhvillohen në Shkollën e Mjekësisë në NYU Grossman dhe Universitin Maryland, në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Rochester dhe në Spitalin Qëndror në Cincinnati. Për më tepër, është për to cekur një provë që po zhvillohet nga Pfizer Pharmaceuticals dhe një kompani gjermane bioteknike BioNTech, me 200 pacientë të regjistruar në Gjermani. Kto punime po gjenerojnë optimizëm, se vaksina e sigurt dhe efektive kundër Covid-19 do të jetë ne perdorim deri në fund të vitit. Nëse këto prova rezultojnë të suksesëshme, Pfizer planifikon të përdorë tre vendet e saj, në ShBA, për të prodhuar në masë vaksinën, me qëllim që të prodhojë miliona doza të vaksinave në vitin 2020, dhe qindra miliona më shumë në 2021.
Si funksionon vaksina:
Vaksina ka një funksion të thjeshtë: i jep udhëzime trupit tonë se si të bëjë proteina që do të shkaktojnë reagime ndaj mikrobeve, pasi të ekspozohen ndaj tyre. Ajo funksionon duke ‘trajnuar’ sistemin tonë imunitar, për të njohur dhe luftuar viruset ose bakterjet. Për ta bërë këtë, molekula të vogla nga viruset duhet injektuar në trup për të shkaktuar një përgjigje imune të trupit tonë. Këto molekula të vogla quhen antigjene, dhe ato janë të pranishme në të gjitha viruset dhe bakterjet. Duke injektuar këto antigjene në trup, sistemi ynë imunitar mëson që me siguri t’i njohë ata si ‘armiq pushtues,’ të prodhojë antitrupa ndaj tyre dhe t’i krijoj ‘kujtesë’ për të ardhmen. Nëse ne expozohemi ndaj këtyre mikrobëve përsëri, sistemi ynë imunitar do t’i njohë ata si armiq, menjëherë dhe agresivisht do t’i sulmojë ata përpara se të përhapen ne trupin tonë dhe të shkaktojë sëmundje. Administrata e Ushqimeve dhe Barnave në ShBA, e cila mbikqyr prodhimin e vaksinave dhe sigurin e tyre të përgjithshme, do të ketë fjalën e fundit. Ata aktualisht po shqyrtojnë procesin shkencor, si dhe pyetjet etike rreth zhvillimit të shpejtë ne prodhimin e vaksinës kundër Covid-19.
Drita në fund të tunelit te gjatë:
Ndërsa provat në zhvillimin e vaksines janë aktuale dhe premtuase në të gjithë globin, shpresëdhënëse janë dhe aktivitetet e shumta shkencore që shikojnë të kurojnë pacientët e infektuar. Hulumtimi mbi antitrupat që mund të përdoren si trajtim profilaktik për njerëzit që kanë qenë të ekspozuar ndaj Covid-19 janë prëmtues. Përdorimi i antitrupave mund të jetë mënyrë efektive dhe e shpejtë ne luften kunder virusit korona, derisa të prodhohet vaksina. Kështu, ne vazdojmë të presim, shikojmë, dëgjojmë dhe shpresojmë!