• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA PARIMORE DHE OPORTUNIZMI POLITIK

February 12, 2020 by dgreca

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D.*/

Ridgefield, CT. Me 28 janar 2020, në nji Konferencë shtypi të mbajtun në Washington, D.C.- Presidenti Trump shpalosi nji “Plan” për zgjidhjen e problemit të ndërlilkuem izraelito-palestinez.

    Me 29 janar 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, vrapoi me nji deklaratë publike; ai përshëndeti  “zgjidhjen e problemit palestinez” të mbiemnuem edhe “marrëveshja e shekullit” ose “Plani Trump”. “Thaçi e mirëpret planin e Presidentit Donald J.Trump për Lindjen e Mesme” shkruente gazeta ZERI e datës 29 janar 2020 “.

    Presidenti Thaçi tha:“E mirëpres dhe e pranoj planin e leadershipit  amerikan të Donald J. Trump për Lindjen e Mesme”. Kështu u shpreh leaderi i Kosovës për nji problem që nuk ka lidhje me Kosovën. “Me që së fundi, vijoi ai, Presidenti Trump takoi liderët izraelitë duhet të tregohet udhëheqje dhe vizion që ta bëjnë atë të plotësohet…Bota është duke shikuar dhe është inkurajuar që të ndjekin këte shembull” shprehej ai në Twitter.

    Unë nuk e pranoj këte përcaktim, dhe quej qendrimin e Presidentit Trump nji gaffe e madhe politike, dhe nji paturpësi që mohon çdo aspekt pozitiv të politikës së çeshtjes palestineze.

    Reagimi i parë dhe i fortë e parimor erdhi nga diplomati suedez e ndërmjetës në diskutimet për fatin e Kosovës, Carl Bildt, ish ministër i jashtëm i Suedisë. Ai shkruen: “ Jam plotësisht i sigurt se në nji kohë, Millosheviqi do të kishte përqafue me gëzim nji zgjidhje të këtill për Kosovën si ajo që propozon Presidenti Trump…Forcat e Sigurimit serb do të ishin në kontroll të plotë e përfundimtar të kufinjve, hapësinës ajrore, hapësinës dixhitale, tregëtisë. As edhe nji mitroloz i vetëm nuk lejohet. Dhe natyrisht edhe disa të drejta të kufizueme për kosovarët…” Diplomati suedez vazhdon: se ashtë i sigurtë që”… edhe  diktatori serb do të dëshironte nji zgjidhje ‘a la Trump’ ku gjithçka kontrollohet nga ushtria (në Kosovë serbe) …”

    Reagimi politik i udhëheqësve arabë të Lindjes së Mesme ka qenë i shpejtë por jo i plotë. Disa ambasadorë arabë ishin prezent në konferencën e shtypit; nji akt skandaloz që u interpretue si përkrahje e Planit Trump. Edhe reagimi i Jordanit dhe Libanit që kufizohen me Israelin ka qenë i vakët. Arabia Saudite, Abu Dhabi dhe Egjipti preferuen me heshtë. Presidenti turk Erdogan e cilësoi Planin “nji aneksim i Territorit palestinez të okupuem.

   Analisti amerikan i marrëdhanjeve Izrael-Palestinë, Profesor Alon Ben Meir (N.Y.Un.) shkruente në nji mesazh “Çmenduria Trump-Netanyahu”, 5 shkurt 2020: “Qeveritë e njimbasnjishme izraelite kanë ba sigurimin kombëtar pikën qendrore të mbijetesës së Izraelit dhe e lidhin ate me të ashtuquejtunën kercënim ekzistencial që vjen nga Palestinezët, dhe ashtë ba tani nji mani kombëtare. Kështu, kontrolli i jetës dhe territorit palestinez janë kthye në sinonim me sigurimin kombëtar të Israelit. Israeli, nga çdo pikëpamje i jep vehtes liçencen  me veprue  ashtu si i pëlqen në territorin palestinez, tue përfshi edhe “settlements”, (vendbanimet ilegale), me ndertue pengesa dhe mure ndarëse, me shkatërrue shtëpitë palestineze, dhe me kufizue lëvizjen e tyne, e tashti ashtë i gatshëm me aneksue Luginën e Jordanit, dhe e gjithë kjo në emën të  sigurisë kombëtare…”

    Ç’fare ofron Plani Trump për të dy palët në konflikt?

Tue pasë pranë vetes Kryministrin e Izraelit, B.Netanyahu, Z. Trump shpalosi disa hollësi të nji plani prej 181 faqesh që u duertrokit   nga pjesëmarrësit. “Sot, tha ai,  Izraeli ban nji hap të madh përpara drejt paqës. Unë nuk jam zgjedhë me krye sherbime të vogëla, ose mos me trajtue probleme të mëdha”.

    Fletorja  britanike The Guardian,31 janar 2020, tregon disa hollësi:

     Menjiherë mbas shpalljes, KM izraelit, deklaroi se bahet fjalë për “nji sovranitet të kufizuem dhe me disa kushte…”.

     Shefi i Opozitës izraelite, Gjenerali Gantz  tha se plani “….ashtë nji fazë themelore me randësi historike dhe e randësishme” dhe se ai“do

të përpiqej me e zbatue në se fiton në votimet e ardhme “ (mars 2020)

    Ambasadori i Izraelit në Washington, njeni nga  autorët e Planit  deklaroi se Plani Trump ashtë “…nji përparim i madh  në procesin e zgjidhjes paqësore”. Por ish nen-Sekretari i Shtetit, Nicholas Burns, përbuzi Planin: “Plani eliminon edhe formën ma të dobët të së drejtës dhe detyron palestinezët me jetue si popull pa shtetësi, në tokën që ata banojnë….Plani do të thellojë  ma shumë se do të ndihmojë zgjidhjen e këtij konflikti 70  vjeçar”

    Nga bota e jashtëme, Ministria e jashtëme franceze tha se”Franca e mirëpret përpjekjen e fundit të Presidentit Trump, dhe se Parisi do të shqyrtojë me kujdes propozimet e Planit.”

    Ambasadori Martin Indyk shkruen në revisten prestigjoze Foreign Affairs të datës 4 shkurt 2020, se “Plani jo i drejtë për Lindjen e Mesme nuk len asgja për negociata. Zgjidhja e problemit jo reale  dhe e imponueme nuk do të qendrojë….  Ndërmjetësit në të kaluemen u përpoqen me vendosë nji bazë për marrëveshje tue ndertue ura për pozitat e deshprueme në të dy  anët “.   

     Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch, New York, deklaroi se Plani i Paqës  tashma gjysëm i vdekun ashtë ba nji “gjeth fiku” për sundimin diskriminues të Izraelit  mbi Paletinezët.

     Kryministri palestinez, Muhamed Shtayyeh deklaroi se Plani Trump  ka të bajë me përpjekjtet e Trumpit dhe Netanyahut, të dy të akuzuem, dhe jo me paqën, por me i mbrojtë ata nga burgosja e mundëshme. Nuk ashtë nji Plan paqeje për Lindjen e Mesme….Plani nuk ka asnji vlerë, dhe se Palestinezët e ndien veten të abandonuem…”

    Ish KM britanik, Tony Blair, bani thirrje Palestinezve me u angazhue në bisedime sepse Plani ashtë shpresa e tyne e fundit…palestinezët nuk detyrohen me deklarue se pranojnë Planin, por të angazhohen me      Qeverinë  amerikane me kerkue përmirësime të Planit që ata e shohin të nevojshme.

    Edhe gazeta The New York Times, e datës 29 janar 2020 shkruen:” Oferta (Plani) favorizon Izraelin dhe i mohon (Presidentit) Abbas të gjitha të arritunat për të cilat ai ka luftue. Mundësia e nji zgjidhje për nji shtet të aftë me mbijetue krah për krah me Izraelin, po zhduket përfundimisht”.  Shtetet e Bashkueme hoqën dorë nga çdo pretendim me qenë nji ndërmjetës neutral”. Në edicionin e saj të 31 janarit 2020, kjo gazetë shkruente:” Nga të gjithë propozimet për paqë në mes të Israrelit dhe Palestinezve të paraqitun dekada me rradhë, rrethanat konfirmojnë se Plani i Presidentit Trump që u ba publik të marten e kalueme ashtë ma i vështiri të merret seriozisht”.

   Analisti Thomas L. Friedman shtron pyetjen:” Ashtë ky nji plan që ka të bajë me dy shtete për dy popuj, a po ashtë nji manevër me largue vemendjen e publikut nga dy udhëheqës të baltosun? …Tashti unë duhet të dij, Palestinezët duhet të dijnë, dhe bota mbar duhet të dijë në se ky Plan ashtë pika fillestare!”

   Presidenti i ”Coalition for Israel”, Howard B. Weber, N.Y.  shkruen: “Ky nuk ashtë nji plan serioz. Ky ashtë nji “blank cheque”  (dorë e lirë) nga nji president që përballet me “impeachment”(akuzime) e gjykim dhe i  dorëzuem nji KM izraelit, i dënuem me akuza për korrupsion”.

    Në këte situatë mjerane dhe padrejtësie të imponueme me forcë, hynë në skenë Presidenti i Kosovës së çlirueme vetëm pak vite ma parë, Hashim Thaçi, me përkrahje të hapët për agresorin dhe denimin e viktimës me vdekje të paevitueshme. Asgja nuk justifikon këte qendrim servil; as deklaratat absurde të përfaqsuesve palestinez në Beograd të bame kunder pavarësisë së Kosovës, as qendrimi  burracak i vendeve myslimane të Lindjes së Mesme me mosnjohëjen e pavarësisë së Kosovës. 

    Dy të këqia nuk përbajnë nji të mirë!

     Kosova ashtë atdheu i im, Shqipëria e ime, ushtarakisht e aneksueme nga imperatoria otomane ne vitin 1479, padrejtësisht e ndame dhe e okupueme që nga viti 1877 dhe deri në vitin 1944-45 nga Serbia dhe ish Jugosllavia,. Ajo u coptue në mes të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi.  

   Sot, Kosova ashtë e lirë!

   Kosova më ka frymëzue që në ditët e shkollës fillore, kur fëmij e të rritun këndojshim: “Edhe flamuri kuq-e-zi/ Do të valojë përsëri/ Në Kosovë e Çamëri/ Plot me gaz, me gaz dhe në liri!”  Shkëputja e Kosovës – hapësina ku banojnë qytetarët shqiptarë në ish Jugosllavi- ka qenë nji plagë e randë, e hapun, dhe e dhimbshme për çdo shqiptar që në shekullin 19-të me invazionin sllav të regjimeve që synojshin ri-formimin e perandorisë serbe të Car Stefan Dushanit, pa marrë parasyshë kombësinë e popullsisë që e banonte. Nga ku rrjedh tragjedia e Kosovës së martirizueme….. që nga Garashanin deri te Millosheviqi….!

    Shqiptarët nuk duhet të harrojnë! “Mospërfillja e nji fatkeqsie” të këtill për cilindo popull të shtypun, si janë sot Palestinezët dhe Kurdët, nga udhëheqja politike e Repubikës së lirë të Kosovës ashte moralisht e neveritshme dhe politikisht e pa pranueshme. Nji qendrim i këtill ofendon viktimën e djeshme, denon viktimën e sotme, dhe shuen shpresat e viktimës së ardhme.

    Nji oportunizëm politik i këtill nuk duhet lejue! Servilizmi nuk duhet të bahet “kultura politike e shqiptarëve” në të anët e kufinit arbitrar!

Ashtë mungesë e plotë dinjiteti njerëzor e kombëtar!

Na, të gjithë na, duhet ta demaskojmë dhe ta luftojmë!

————————————————————————————-

* Autori 95 vjeçar ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof.Sami Repishti- Politika Parimore-Oportunizmi Politik

Si e shkroi“Majat e Shalës” shkrimtarja amerikane Rose.W. Lane ?

February 11, 2020 by dgreca

Përgatiti: Çezar Ndreu/

Ajo ishte në një udhëtim në Ballkan dhe u gjend në Podgoricë nga ku aty do të vazhdonte udhëtimin e saj për në Stamboll. Në Podgoricë takohet papritmas me një amerikane me emrin Frances Hardy, e cila kishte punuar në Shqipëri me Kryqin e Kuq Amerikan.

Frances ishte një shqiptarofile e madhe dhe por sa e takoi shkrimtaren e bëri për vehte.

Don me shkue në Stamboll?

Pse don me shkue atje me një ngutësi?

Këtu je afër kufirit të Shqipënisë dhe po nuk shkove kësaj here me e vizitue Shqipëninë, dije se ke me humb rastin e tjetër hershëm në jetën tënde. Se në ato male, jo larg prej këtu, jeton një popull që nuk ka ndryshuar tash njëzet shekuj, që ka një histori të lashtë, ma të lashtë se atë të helenëve e të romakëve e sigurisht ma të vjetër se të sllavëve.

Në mes tyre maleve gjinden katunde-qytete parahistorike që pak kush i njeh.

E ju kërkoni me shkue në Stamboll, ku mundeni me shkue kur t’u mbushet mendja e kur të doni.

Perandoria romake, shkruan zonja Lane, shkrimtarja amerikane, e pat pushtuar Shqipëninë ashtu siç pretenduan më vonë edhe turqit, por në të vërtet as Roma e as Stambolli nuk qenë të zot me ushtrue ndonjani influencë në ato male!

Populli jeton i lirë si jetoi përpara kohës së helenëve.

Ndikimi i kishes është më tepër udhëheqës dhe paqësues se sa fetar.

Ligji i Maleve është Kanuni i Lek Dukagjinit që nuk është aspak fetar!

Në Pult takon peshkopin e krahinës nga ku interesohet për Kanunin!

Jo, i thotë peshkopi amerikanes, kisha nuk i ka ndryshuar zakonet e vjetra të popullit e në Malësi gati të gjithë janë katolikë e biles katolikë të mirë, por ata ende i varrosin të vdekurit pa arkivole me tre molla dhe vëjnë një plloçë guri ose druni mbi vorre ku përveç shenjës së kryqit vejnë edhe atë të diellit. simboli i Lekës së Madh.

Na besojmë, tha peshkopi, se përtej diellit sigurisht gjindet perëndia.

Kanuni

Vrasjet në mes bajraqeve nuk ashtë ashtu se e kallzojnë të huajt.

Vrasja ashtë një formë dënimi me vdekje, është siç e zbatojnë shumë shtete të përparuara të botës sot me anë të ligjit.

Shoqnia në Malësi ashtë një shoqni egalitare.

Shumica dërmuese nuk ka pasuri private dhe pasunia ashtë e përbashkët.

I vetmi ligj ashtë ligji moral, që imponohet me tradita dhe zbatimi i tij është i domosdoshëm.

Kanuni i Lek Dukagjinit ashtë i bazuem mbi nderin personal që ashtë njëheri dhe nderi i fisit.

Një njeri që nuk zbaton ose poshtron nderin e një njeriu apo fisi ai dënohet me vdekje, me vrasje ose me dënime të tjera.

Kjo tregon fuqin morale të Besës dhe zbatimin e dhanies së Besës që është e pathyeshme në anët tona.

Në Shqipëni nuk ka luftra fetare, ato që kanë qenë numërohen me gishtat e duerve.

E na jemi i vetmi popull në Ballkan që respektojmë fetë dhe fenë e secilit.

Filipi i Dytë dhe Leka i Madh!

Natën malsorët e Shalës mblidhen bashkë me amerikanen Rose.W.Lane nën dritën e hanës ose të kandilit e bisedojnë mbi shumë sende.

Pyetjes se nga vijnë dhe nga e kanë prejardhjen shqiptarët, nji plak, nji natë mbasi ndigjoi kallzimet e amerikanes se Aleksandri i Madh qenka grek; (Leka i Madh)ai ju drejtua zonjës Lane:

I ati i Lekës, Filipi i dytë u martua me nji grue shqiptare të një fisi tjetër.

Filipi i dytë nuk ka qenë grek.

Na kena kangët tona mijavjeçare, kemi epikat e Malit të Sharrit.

Ju zonjë. i tha plaku. flisni për grekë e për qytetërimet e tyne të vjetra e qytetet e bukura në Egje, por ju zonjë nuk i zini në gojë shqiptarët se kush ishin e nga vinin. Na, i tha plaku zonjës amerikane – jena ma të vjetër se helenët.

Para Filipit të Dytë ishin njëzet e një mbretën, kryetar fisesh që banojshin në tokat prej Detit të Zi e deri në Adriatik.

Mbretnija u krijua nga Karana që ishte një kryetubim i fiseve të huaja në pjesën lindore të Detit të Zi.

Ai erdhi me anë të detit dhe krijoi mbretninë e përbashkët dhe si kryeqytet bani E Madhja.

Mbas tij erdhën këta mbretën:

Ceni, Trimi, Predika, Argua, Ajeropi dhe Ajeropi ishte i pari mbret që kishte gjak të pastër të etërve tonë.

Mbas tij erdhi Alketi, djali i Ajropit. Aminti, i biri i Alketit, që është aleati i Dariusit, mbretit të Persisë.

Pastaj erdhi Leka i biri i Amintit, mandaj erdhi Perdika i Dytë që ishte djali i djalit të Perdikës.

Arqelloja, djali i Arqellos mandej Arminti i Dytë, djali i Arqellos së Dytë. Mandej erdhi Pafasania që ishte një i huaj. Mandaj Arminti i Tretë, djali i Armintit të Dytë, Leka i Dytë, djali i Armintit të Tretë. Mandej vjen Prolomeja, që ishte i huaj.

Predika i Tretë nga familja e Predikës, Arminti i Katërt, djali i Lekës së Dytë, Filipi ishte djali i Lekës së Dyte, mbas Lekës së Madh vjen Filipi i Tretë.

Leka i Madh ka lind në Kryeqytetin E Madhja, rrënimet e të cilit ndodhen afër Matit të sotëm…

Plakut ia nderpret fjalën shkrimtarja amerikane dhe i thotë:

Historia na tregon se Filipi ka lindur në Maqedoni.

Ashtu ashtë, i thotë plaku, por atë kohë kishte dy kryeqytete. Një ashtë Pela që gjendet sot mes Selanimut dhe Manastirit dhe kryeqyteti tjetër ishte E Madhja.

Në të dy kryeqytete Filipi kishte ndërtu pallate të shumta dhe banonte një herë në një kryeqytet e njëherë në kryeqytetin tjetër.

Në mes të Filipit dhe gruas së dytë ndodhi një grindje, thotë plaku.

Gruas i pëlqente ma shumë me ndejtë tek E Madhja dhe nuk donte të shkonte në Pela, pasi në Pela Filipi kishte ra në dashuni me një grue greke dhe kjo ishte aryeja që Nana e Lekës nuk shkonte në Pela.

Leka i Madh ka le në E Madhja dhe jetoi aty me nanën e vet deri sa u ba djalë i ritun.

Kur shkoi për herë të parë në Pela, Leka i Madh -ai udhëtoi në shpinë të kalit dhe u bashkue me të atin Filipin i hypun në kalë.

Kallzohet se kur Leka shkoi nga E Madhja, ishte i shoqëruem me nanën e me shumë malsorë që kaluen grykën e Bulqizës ku gjendeshin shumë burime ujnash me fuqi mbinatyrore dhe kur kaloi një pyll të dendun – sot ai pyll ashtë zhduk e gjindej vetëm gërmadha të mëdhenj, aty dëgjuen këngë të huaja që nuk i kuptotojshin, por i morën vesh vetëm fjalët e fundit:

“Rroftë Leka, djalë i Filipit të Dytë, Leka i Madh, Mbreti i Botës”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Rose W. Lane-Majat e Shales-Cezar Ndreu

DIABETI I SHEQERIT -2

February 10, 2020 by dgreca

Rubrika Mjeksore e DIELL-it/

Dr Zekri Palushi (MD)-Australi/

(Vijon nga numri i kaluar)

Të dashur lexues të gazetës”Dielli”/

Siç e lamë nga shkrimi i mëparshëm, sot prap po vazhdojmë me DIABETIN e Tipit të DYTË, (Type 2 Diabetes Melitus, -T2DM),- ndërsa dimë që ato me Tip 1,-(Insulin Dependent), kanë një mjekim ma të thjesht e t’përcaktuar, me t’cilët merren kryesisht Specialistë Diabetolog.

Për diskutim dhe ilustrim, kam marrë një rast konkret, dhe kam dëshirë ta trajtojmë së bashku.

Pacjentja ime Ema, 62 vjeçare, qe diagnostikue me T2D (Diabet i Tipit 2), para 3 vjetësh. Qysh atëherë ajo ka pas shumë t’vështirë me kontrollue glukozën (sheqerin) në gjak, dhe mbi-peshën. Gjatë vizitës së fundit ajo më tha se i duhej t’ngrihej shpesh natën, prej gjumit për t’urinuar. Ajo merr Metformin SR 2gr/d, dhe Gliclazide SR 120mg në mbramje. HbA1c para një muaj, e pati 7.6% (60mmol/mol).

Pra arsyja që ajo erdhi sot për konsultë, ishte ri-shikimi i Diabetit dhe shprehja e shqetësimeve kryesore  për të ishin URINIMET e SHPESHTA dhe MBI-PESHA.

Të diskutojmë URINIMET e SHPESHTA: -Siç dimë, T2D favorizon INFEKSIONET bakteriale e fungale në rrugët urogenitale, por në këtë rast duhet të përjashtojmë edhe marrjen e tepërt të KAFEINES, pijeve ALKOHOLIKE, e po kështu të përjashtojmë ndonjë sëmundje të veshkave, dhe HIPERKALCIEMINE (rritja e KALCIUMIT në gjak). Njëherësh s’duhet harrojmë se MBI-PESHA (OBESITY), rëndon Incontinencën Urinare, gjë që mund të jetë edhe shkaku për shpeshtësinë e urinimit në rastin e sajë.

Ndërsa për MBI-PESHËN, (OBESITY), duhet të shikojmë nëse Ema ka ndonjë problem me gjandrrën TYROIDE, Depresionin, Gërrhitje gjatë gjumit (Obstuctive Sleep Apnoea-OSA), si dhe mënyrën e t’ushqyerit. Klasifikimi standart për Mbi-peshën, OBEZITETIN bahet nëpërmjet BMI (Body Mass Index), 25.0-29.9 kg/m2, dhe mbi 30.0 kg/m2. Ema e pati BMI 34 kg/m2, dhe madhësinë e belit 90cm.

Gjatë konsultës, Ema më tregoj se në mëngjez ishte gjithmonë e uritur, prandaj hante edhe një mëngjez të madh, dhe ka fillu me shtue ma shumë në peshë, qysh kur i asht shtue në mjekim GLICLAZIDE. Atëherë, unë mendova se ajo mund të kishte episode të vogla HYPOGLICEMIKE gjatë natës që i shtonin asaj orksin në mëngjez, e si pasojë edhe mbi-peshën. Ema nuk e monitorizonte vetë Glukozën në gjak. Por në pacjentët që marrin anti-diabetik që mund t’shkaktojnë episode HYPOGLICEMIKE, siç janë grupi I SULPHONYLYUREAS, -ku hyn edhe Gliclazide (DIAMICRON),- që Ema asht duke e marrë, duhet të rekomandohet vetë-matja (self-monitoring), e Glukozës në gjak.

Në këtë konsultë, diskutuëm edhe se çfarë Ema mund të bante për të menaxhue peshën, -menagjimi i mirë i secilës PERMIRESON shumë kontrollimin e glukozës në gjak, e po kështu, edhe nivelin e YNDYRNAVE dhe TENSIONIN e GJAKUT (Blood Pressure).  Asht’ pa se në njerëzit që kanë humb 5kg peshë, niveli I HbA1c ka ra deri ne 1% ma poshtë.

Aktivitetet FIZIKE, – të moderume, 150 -300 minuta, apo vigoroze, 75-150 minuta në javë, të shoqëruara me reduktimin e marrjes së eneregjive nëpërmjet ushqimit,-SJELLIN PERFITIME të mëdha, -jo vetëm në uljen e glukozës në gjak, e peshës, por edhe në aparatin KARDIO-VASKULAR  e CEREBRO-VASKULAR.

Pas një diskutimi t’hollësishëm që patëm me Emën, dhe këshillat që i dhashë në lidhje me ankesat kryesore t’saj dhe mjekimin që merrte, me efektet e pa-dëshirueshme të tij,-ku dihet se kur Gliclazide/DIAMICRON (sulphonylurea), jepet së bashku me METFORMINEN, -shoqërohet me një shtim gati 2 kg në peshën, ndërkohë që edhe sheqeri në gjak s’qe i mirë-kontrolluar (HbA1c e saj ishte 7.6%,- mbi nivelin e dëshiruar, që është nën 7.0%, atëherë, vendosëm që Diamicron-nin ta zëvendësonim me një nga përfaqësuesit e një klase të re,-GLP1 (Glucagon-Like Peptide),- si BYETTA (Bydureon), që ndihmon edhe për humbje të peshës.

DIABETI shpesh kërkon kombinimin e dy ose ma shume ilaçeve, -atëherë kur pacjenti nuk arrinë të kontrolloj nivelin e sheqerit në gjak, me marrjen e një, apo dy anti-diabetikëve.

Asht shumë e ransishme që para se t’fillohet mjekimi me anti-diabetikë,-të kontrollohet FUNKSIONI I VESHKAVE, duke matur CREATININE CLEARANCE-n (CrCl),-pasi dozat e ktyne ilaçeve DUHET të kalkulohen në bazë të nivelit të saj.

Krahas zëvendësimit të Diamicron-it, -Emën e referova edhe tek një DIETOLOGE dhe një Fiziollogjist Ushtrimesh (Exercise Physiologist), dhe e këshillova që të vijë për një konsultë pas 3 muajsh.

Kështu pra ajo erdhi, dhe në t’vërtetë dukej shumë ma e kënaqun me vehten, -më tregoj se kishte pa dietologen dhe kishte marrë pjesë në klasat AEROBIKE dhe YOGA, si rrezultat, -kishte humb 7kg, dhe vazhdonte rregullisht me ushtrimet fizike, duke i shtue edhe 30-60 minuta, ecje të lirë, për disa herë në javë. Po kshtu, niveli I HbA1c ishte ulë në 6.9%.

Ç’far asht HbA1c?- Ndryshe quhet Glycated Haemoglobinë, -matet me një analizë gjaku, dhe tregon përafërsisht mesataren e nivelit të sheqerit në gjak, gjatë një periudhe rreth 3 mujore.

Në lidhje me nivelin e HbA1c, -Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon nivelin <7%, -ndërsa Federata Internacionale e Diabetit rekomandon nivelin <6.5%.

Përfundimisht, – megjithse kemi thanë se “Diabeti asht nana e t’gjitha t’kqiave”,-prap se prap, kjo asht në dorën tonë, -nëse jemi të ndërgjegjshëm, të vullnetshëm, të kujdesshëm dhe t’vendosur për t’pas një jetë sa ma t’shëndetshme e të gjatë ë pa vujtje, në mes njerëzve tonë të dashun, duhet së pari të sfidojmë vehten, -duke fillue me ndalimin e MENJEHERSHEM të DUHANIT, dhe kufizimin në maksimum të pijeve alkoholike.

Jeta aktive jo vetëm që ndryshon trupin tuaj, por ajo ndryshon edhe mendjen tuaj, qëndrimin tuaj, dhe çehrën tuaj. Shëndeti asht jo pesha që humb, por JETA që FITON.

Gjanat e mira vijnë tek at që DJERSITIN.   

Mendoj që në shkrimin e ardhshëm të trajtojmë se “Çfarë duhet të dinë diabetikët, në lidhje me URGJENCAT mjeksore që mund t’ju ndodhin, e u KËRCNOJNË JETËN”.

Ndërkohë, nëse keni pytje të ndryshme në lidhje me DIABETIN, -ju lutem mos hezitoni të komunikoni me mue,-nëpermjet Redaksisë së gazetës DIELLI(gazetadielli@gmail.com).

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Zekri Palushi-Diabeti i sheqerit-2

Testamentet e artistëve si plagë…

February 9, 2020 by dgreca

Testamentet si plagë shpuese të artistëve tanë, që duhet të na vetdijësojnë/

Nga Nue OROSHI/

Ikja e ikonës së muzikës shqipe Nexhmie Pagarusha dhe amaneti  i dy krijuesve të mëdhënj Teki Dervishi dhe Nexhmie Pagarusha për tu varrosur vetëm me cermoni familjare janë testamente që duhet ti lexojmë se të dy këta krijues të mëdhenj njëri shkrimtar,publicist,romansier, analistë politik dhe i burgosuri me i ri i pushtimit komunisto-jugosllav, ndersa tjetra këngëtare që me zerin e saj natyrorë dhe shumë tingëllues ishte një artiste e lindur,shkuan në botën e amshuar me dëshprimin e thellë të tyre. 

Nexhmia ishte bija e atdhetarit Vesel Pagarusha i cili në periudhën para dhe gjatë luftës së dytë botërore bëri shumë për arsimimin e brezave të rinj si dhe shperndau literaturë në gjuhën shqipe në një periudhë mjaftë të vështirë.Një rol të madh e luajti edhe në ndaljën e shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi. Ai u maltretua shumë herë nga regjimet jugosllave por mbeti një atdhetarë i devotshëm.Tash do të ndalëm pak për këto dy testamente dridhëruse.I pari është testamenti i shkrimtarit dhe atdhetarit Teki Dervishi.

Sikur bota perëndimore ta kishte një Teki Dervish veprat e tij letrare do të ishin përkthyer më se paku në 20 e më shumë gjuhë të botës.Kurse ne shqiptarët e lamë në vetminë e thellë.Ai vdiq i thyer shpirtërisht për të gjitha ato rrethana politike që mbretëronin në Kosovë.Ai shkruante për kulturën perëndimore e politika e Kosovës bashkëpunonte me lindjen.Këtu edhe i plasi zemra Teki Dervishit, kur e la testamentin që mos të varroset me cermoni dhe të mbaj fjalim para varrit të tij çdo anonimues i politikës.

Të njëjtin testament e la edhe Nexhmie Pagarusha.Edhe kjo në pleqërinë e thellë u anashkalua nga Institucionet Kulturore në Kosovë.Dhe nuk kishte deshirë që pranë varrit të saj të flasin ata që nuk deshën fare të ndiejnë për veshtirësitë jetësore të saj në pleqërinë e thellë.Dhe si çdo kund që përseritët një refren bajat i politikës tonë se sa janë gjallë krijuesit,shkenctarët,artistet,këngëtaret, atyre nuk ju kushtojnë kujdes kurse pas vdekjes i ngrisin në qiell ku edhe shpallin  ditë zie për ta.

Testamenti i shkruar i këtyre dy artistëve,krijuesve dhe personaliteteve me ndikim në artin dhe kulturën shqiptare fletë shumë për gjendjen se ku e ka pllakosur sot shoqërinë tonë mungesa e përkrahjes për artin dhe kulturën.

Këta dy nuk janë të vetëm.Ka edhe shumë e shumë krijues dhe shkenctarë të tjerë, të artit dhe kulturës shqiptare që shkuan në botën e amshuar me dëshprimin e thellë me politikën,por të bindur se ata një jetë të tërë i kushtuan kulturës shqiptare.Përveç tyre kemi edhe shumë të tjerë që me përpjekje të mëdha janë duke e mbajtur gjallë kulturën shqiptare duke u sakrifikuar për shkencën,letërsinë,kulturën,artin,skulpturën dhe shumë lëmi të veprimtarisë kulturore dhe që nuk mbështetën nga politika shqiptare.

Uroj që këto dy testamente të Teki Dervishit dhe Nexhmie Pagarushës të shërbejnë si mësim për politikanët e Kosovës që në të ardhmen të përkrahin më shumë kulturën shqiptare si dhe krijuesit që janë duke e dërguar përpara këtë kultur dhe uroj që në të ardhmën të kemi më pak artistë ,shkrimtarë,poet,studiues të dëshpruar për faktin se tërë jetën e shkrinë për ta dërguar në piedestalë kulturën shqiptare dhe si shpërblim e morën nënçmimin përqudnimin, neglizhencën dhe harresën nga politikanët anonimus që ndonjëri prej tyre kur të këtë dëgjuar për Palimpsestët e Teki Dervishit, fjalën Palimpsest mund ta kenë mënduar se është ndonjë qokollatë që mund ta hanë apo ndonjë lloj tenderi që munden ta keqpërdorin.

Filed Under: Opinion Tagged With: Nua Oroshi-Testamentet e artiste-si plage

NJOFTIM MORTOR-KA NDËRRUAR JETË VICTORIA ÇUPI

February 5, 2020 by dgreca

Familja Çupi njofton Komunitetin se pas një sëmundje të gjatë ka ndërruar jetë zonja Victoria Çupi, e shoqja e  z. Ndrec Çupi(Gjergji).

Komuniteti ftohet që t’i shpreh ngushëllimet familjes ÇUPI ditën e Djelë, 9 Shkurt 2020,  nga ora 2.00 PM deri në 9.00 PM  në Shtëpinë Mortore” PARK FUNERAL CHAPEL”, që ndodhet në adresën 2175 Jericho Turnpike

Garden City Park, Neë York.

Mesha funerale organizohet ditën e Hënë, 10 Shkurt 2010, Ora 10 e 30 në Our Lady Queen of Martyrs Church Queens Boulevard, Forest Hills, Neë York, NY .

Pas meshës varrimi do të kryhet në Lutheran of All Saints Cemetery ne Queens 67-29 Metropolitan Avenue, Middle Village.  

Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta e saj DIELLI i shprehun ngushëllimet më të thella Familjes ÇUPI. Shpirti i Victorias pushoftë në Paqe!

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 345
  • 346
  • 347
  • 348
  • 349
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT