• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË LETRASH

January 28, 2020 by dgreca

  • MES ARDHJESH DHE IKJESH…/

28 Janar… ditë jete… e së shkuarës dhe e së ardhmes… ashtu si sot… me festat e saj dhe me përkujtimoret e saj… vjen dhe ikën si çdo ditë, sjell dhe merr  dhe lë gjurmët, të dukshme dhe të padukshme si era, që shkrijnë me borën e dimrit, harrohet, por ka ngjarje që s’harrohen, të mëdha, të zakonshme, s’ka ngjarje fare, por dhe na del përpara dhe na vë para syve pllaka mermeri të kujtesës… ja, në 28 janar do të lindëte shkrimtari i madh i shqiptarëve Ismail Kadare, vepra e të cilit do të përhapej nëpër botë, dhe Kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, që vinte nga burgjet dhe internimet, në 28 janar “u krijua kardinal” nga Papa Vojtila, po në këtë ditë, muaj dhe vit me Kadarenë, lindi dhe një shkrimtar tjetër, i përvuajtur, që pak e njohin, nga burgjet vinte dhe ai, Reshat Kripa, i cili shpërndante trakte kundër regjimit që kur ishte fëmijë, traktet ishin krijimet e tij të para, s’ka pak që u shua… në 28 janar ndërroi jetë dhe poeti nobelist Joseph  Brodsky në Nju Jork, kishte lindur në Leningrad, edhe ai u dënua se ishte poet.

Do të donim të dinim për të gjithë këto ardhje, që janë të shumta dhe ikje, po aq të shumta, që do të mund t’i përmblidhte 28 janari, po ai që lind s’kupton gjë në ditën e lindjes së tij, vetëm qan, edhe ai që ikën s’ka gojë për atë ditë, vetëm e qajnë.

Si një përmbledhje ndjesish kësisoj, të ngjashme ca me vdekjen dhe ca rilindjen, me ankthet dhe dashuritë, me frikën dhe të papriturat, po sjellim këtu një rrëfim, kreun e parë të burgologjisë “Ferri i Çarë” të Visar Zhitit, daljen e tij nga burgu po në 28 janar… Është si një ardhje nga bota e përtejme…     

Kthimi…

Nga Visar Zhiti

Hapi i parë në tokën e përtejme. Që u lëkund e pasigurt, ndërsaporta e hekurt mbyllej me kërkëllima nga pas. Telat me gjemba të rrethimit i ndjeva të më shponin në mish sikur të më kishin mbërthyer në ta, ndërkaq po u largohesha ngadalë si në ankth. Po më rridhte gjak, jo, jo, rrëke djerse, edhe pse ishte dimër. Fund janari me borën nëpër malet përreth, pjerrinave, mbi rrugë. Ftohtë, por nuk frynte, jo.

Ushtarët… a do të më qëllonin me automatik pas kurrizit nga kullat e larta? Se mos ishte grackë lirimi im?! Se kishte ndodhur edhe ashtu. Kur do të rrëzohesha mbi atë si qefin të leckosur e me baltë, që më ngatërrohej këmbëve? Po lëkundesha unë tani, jo toka, që s’qe më e përtejme. Hodha hapa të tjerë, padurueshëm të ngadaltë, të zbardhëllyer, prej bore, por me buçima, ndoshta të zemrës. Vërtet po ecja i lirë, kaq kështu? E ç’kisha bërë për t’u liruar, ja, plotësova kohën, por koha njëlloj është prapë, as zbrazet e as mbushet, eh, ashtu duhej të ishte… torba ime plot me kohë burgu… ia hoqa ca… u bë e lirë edhe ajo… si unë… kaq lehtësisht… po dija të ecja edhe përtej telave me gjemba… Nga duhej të shkoja? Me çizme llastiku, të prera… Me rrobat e punës, i qethur…

Njëherë thashë të vrapoja me britma, por s’desha të shihnin çmendurinë time të gëzueshme ata që mbeteshin pas, atje brenda. E dija që po më shikonin, siç ndodhte kur lirohej ndokush. (E pabesueshme: ai këtë radhë isha unë!) Me siguri, ata kanë dalë sipër pirgjeve, shkallëve, te sheshi lart, në ndonjë dritare të murrëtyer, pas llamarinave të kuqe, se mos ka ndonjë vrimëz aty, përpiqen të shohin nga ndonjë qoshe ikjen time. Kisha thënë që s’do ta ktheja kokën pas, kuptomëni. Jo pse jam supersticioz, por s’dua që atë pamje drithëruese e të turbullt përmes lotësh ta mbart me vete.

Hodha hapa të tjerë, të pasigurt. Shtrëngova torbën dhe dorën tjetër të lirë e tunda në ajër si për një lamtumirë. Po, po, përshëndeta ç’munda, botën. U pengova mbi një grumbull bore të mbetur. Shiko rrugën, i thashë vetes me zë. Dhe po nxitoja me dalldinë e fëmijës. Nëse do të ndalojë ndonjë kamion, nga ata që ngarkohen me mineral të minierës së burgut ose ai, autobusi i rojave, dhe më marrin, mirë do të ishte. Jo, jo, dua të eci, të zgjat lirinë… derisa të paraqitem… S’kam asnjë lloj dokumenti, i lirë si drurët anash, bredha janë, me copa bore nëpër krahë… i lirë si këta zogj dimërorë, po më ndjekin… a thua vetëm ata…? Në shtëpinë time, larg, do të jetë bërë gati festa e kthimit tim. Eh, kur të mbërrij në mbrëmje vonë. Po pse s’erdhi askush të më marrë? S’pashë te porta e burgut. Ku ta dish… se mos ka qenë aty rrotull dhe… sikur… e pashë… A do të më lënë të iki vetëm? Të ketë ndonjë pusí më tutje, grackë? Kështu do të jetë jeta ime tani…

 Vazhdoja të nxitoja si ujërat poshtë, me një fat të ri. Të isha si ujërat, që s’dinë ç’sistem është, as njohin parti… s’mbajnë përsipër asgjë, vraga goditjesh, katastrofa a beteja. Qoftë dhe të një vetëtime. Por ujërat kanë kujtesë, e di, e mbartin vendin nga vijnë…

 Ndaloi autobusi i vogël i ushtarakëve të burgut. Nuk doja të hipja, por se mos dyshonin, se ai tjetri që u lirua pak përpara meje, ja, ja, i hutuar u fut në autobus… e për mua do të thoshin se kërkon të marrë malet, të arratiset e do të më kthenin prapë. Në burg. Jo, jo, mos o Zot! Sa më shpejt, me vrap, me kalë, me flatra, të mbërrij sonte në shtëpi… Autobusi troshitej gropave. Dy kapterë se ç’po bisedonin me nja dy civilë, zjarrmëtarë të minierës, i kisha parë. Një oficer mori një cigare nga paketa e shoferit. Je i lirë tani, hë, si po të duket? – më pyeti duke buzëqeshur. Buzëqesha edhe unë. Po rrija në këmbë dhe shikoja larg. Edhe i burgosuri tjetër po ashtu. Unë nuk di të lirohem, më pëshpëriti, po ti? As unë nuk jam liruar ndonjëherë…

Një qytetth, ja, në rrëzë të maleve të tjera, plot me pllanga bore, si mburoja të bardha, të rëna nga një betejë qiellore. Me siguri Fushë-Arrëzi. S’kishte porta, as mure rrethuese, ura që ngrihen, ndalesa, kontrolle… tela me gjemba. Ndalëm. Ku të ikim tani? Ku të doni, thanë kapterët njëkohësisht, jeni si të gjithë ne. Merrni vesh? Mos do bankën, kishe lekë në llogarinë e…? Po, thashë i prekur. Eja me ne, ja, aty. Unë dua të shkoj te drejtoria e minierës, tha tjetri, do të marr një vërtetim që kam punuar saldator, kështu më thanë, merre se do të të duhet. Shko andej. Ku? Tek ajo kodra. U pamë në sy. Na duhej njeriu tjetër tani… Më prit, tha, se unë nuk di…

Xhama. Të futem? E pamundur të më ishin rritur flokët që nga burgu deri këtu. Edhe rrobat, si mos më keq, me çizmet e prera me sqepar. Po dhe këta ashtu-ashtu janë veshur. Sportel xhami. Një grua! E vërtetë. Desh më ndali fryma. E bukur. Nuk dija të flisja. Se ç’i thanë. Po, m’i dha të gjitha lekët e mi, që kisha pasur në burg. Ishin sa për një pagë e gjysmë. Duhen, të mos shkoja duarbosh në shtëpi. I kisha harruar. Për ato luftohet, vuajmë. Pse nuk ia putha dorën asaj? Apo që të më kthenin në burg prapë? Sa me dhembshuri më pa. Fliste si nga Jugu. M’u errën sytë. Dola. Njerëz të vegjël në rrugë. Ç’mrekulli, duar të vogla, sy të ndritshëm, ngarendnin. Këpucë të vogla! Fëmijë shkolle. I kisha harruar të vegjlit, ah! Ndala t’i këqyrja. Kaq vjet e vjet shihja veç mure e shkëmbinj dhe fytyra si ato, të gërryeshme njëlloj. U gjenda mes fëmijëve si mes engjëjve tokësorë. U vezullonin edhe britmat, hovnin si ylbere vogëlane, por, ngaqë m’u shmangën dhe e çuan lojën pak më tej, vazhdova çapitjen time deri te një tjetër kthesë, ku kishte mbetur një si zbukurim i Vitit të Ri. Çfarë t’u blija fëmijëve dhe t’ua hidhja përsipër si pelerinë të magjishme? Por u rishfaq çudia.

Kujtova se më shpërtheu zemra, kur filloi të rrihte me shpejtësi të pabesueshme, po dëgjohej edhe jashtë brinjëve, në mesin e të cilave u krijua një bosh i akullt, i thellë. E si të mos shtangia?! Mrekullia përballë, ajo, pa asnjë xham, krejt ndryshe, pa m’u errur sytë: rrëzëllim dhe sorkadhe, fustan, shall i gjatë, floknajë yllësish bore… buzë, sy, gjinj, gjunjë, gjumë, ëndërr tjetër lloj, si liria… Gruaja e bankës? Tjetër? Thesar i botës. E vërtetë prapë? Kurrë s’kisha parë kështu, kaq afër… një hyjneshë! Po afrohej edhe më. Ballë për ballë. Si nuk suleshin drejt saj? U vërvita unë. Si nuk ta putha dot dorën, më fal, të bie në gjunjë, lërmë t’i përqafoj. Ta mbaj kokën në fundin e barkut tënd. Rënkoi. Ajo apo unë? Ramë. E putha ashtu siç nuk dija. Rrugën më shumë. Gurët, gjurmët… Ajo iku. Dhe të tjera ikën qetësisht. Vazhdoja të çuditesha se si duronin njerëzit e s’u hidheshin femrave, sapo i shihnin, të binin sipër tyre, pa fund, që nga burgu e deri në vdekje. Doja të ndiqja gratë, të shihja ecjen e tyre, tundjen trallisëse, si hynin dyerve (bënin dashuri pas tyre?). Dilnin. Nuk kishin frikë se mos i sulmonin kalimtarët. Aq më mirë… Ç’po bëhet tani atje, brenda telave me gjemba? Ndoshta apeli. Tek të gjithë mungon një grua. Bora përreth po më bëhej si shkuma e detit nga doli ajo… Afërdita. Do të shkoj dot në tempullin e saj, aty ku gratë vetëm të jepen? Se unë jam i lirë… Në regjistrin e madh të burgut edhe emrit tim më së fundi do t’i qe vënë viza. Si ajo që bënte lapsi i zi i tualetit në sytë e gruas. Je i lirë tani, më thanë. Komisari a Cerberi te porta më porositi me zë të lartë: “E pe ç’ishte? Më mirë të hash një herë në ditë në shtëpi dhe të mos kthehesh më këtu. Qepe gojën! Turbullirë në sy. Ç’të duhet të bëhesh prapë armik!…” Shihja zinxhirin e çelësave të portës në duart e policit. Po atij që u lirua para meje, çfarë i thanë, po këto? Ç’u bë ai? Humbi…

Do të doja të pija një gotë konjak me lekët e mi. Kisha dëshirë të rrija pranë një banaku me pasqyra dhe bufetiere flokëverdha. Si u thonë, kameriere? Por a ka më klube, apo i kanë prishur si kishat dhe xhamitë? Sa kohë kam pa u parë në një pasqyrë… Tani atje do të jenë në rresht dhe po u lexojnë me zë të lartë, si të marrë, nga librat e diktatorit. Gjoja për riedukim, por në fakt bëhet për torturë… Sa bukur të sillesh si i lirë! Li…brari. Do të ble Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe. Po shitësja guxoi dhe më uroi daljen nga burgu. S’kishte njeri tjetër. Kuptohesha nga vija. “Qenke i ri”, – më tha dhe buzëqeshi. Po unë pse s’ia putha dorën, pse? As këtë radhë. Prisja urdhër? Ja, t’ia kisha marrë atë dorë të bardhë me kujdes, pa e lënduar me kallot e putrës sime, dhe lehtë ta afroja pranë vetes, të përkulesha pakëz e ta puthja. Do të dija, besoj. Jo që të bëja një gjest borgjez a fisnikësh të hershëm, e dija që ishte i ndaluar, por thjesht kisha dëshirë, mall, etje, si ai që bie mbi burime. Dënomëni. Ah, sa i rëndë është një tjetër burg, t’ia filloje prapë nga e para, tmerr e shkuar tmerrit! Pak kanë arrestuar ditën e lirimit? “Po ndill mirë, – iu luta vetes me zë. – Po të mos më dënojnë prapë, do të bie në dashuri shumë shpejt. Lejohet të bien në dashuri me ne? Flokët a do të më bëhen më kaçurrelë, kur të rriten? E vetmja dredhi imja. Po si do të ngjaj? Të pyes për stacionin e autobusit? Qytet i vogël është ky, as qytet jo, një grumbull pallatesh të reja, një rrugë: e gjej vetë. S’do të ketë ndryshuar gjë. Si parullat mureve… me luftë klase: shtypje me çizme staliniane kundërshtarëve, jetë të gjatë diktatorit tonë. Pse nuk erdhi asnjë të më priste? Larg… ja, do t’u shkoj në mbrëmje… E dinin që lirohesha sot? Apo nuk ua kanë çuar lajmin…? Sikur e ndjeva që ishte një nga vëllezërit atje ku presin, te dhoma afër portës së burgut, por s’guxova të shihja… Besoj tani është kthyer ndërresa e parë nga miniera e është nisur e dyta. Do Zoti s’është vrarë askush. Pastaj, vonë, unë do të mbërrij në shtëpi. Do ta hap derën sikur jam kthyer nga një shëtitje… e gjatë, me vite… Po pse s’erdhi askush të më sillte rroba të tjera, që të mos lirohesha me të burgut, dhe trikon time të leshtë, të trashë si pancir, t’ia falja ndokujt brenda? Dimër është. Miqtë duhen më shumë në dimër. Ka një ngatërresë këtu, komanda s’e tregon kollaj datën e daljes, orën jo e jo… se mos shkon drejt kufirit me… jo, jo, në shtëpi. Por a më ndjek kush? Eh, unë njihem menjëherë se kush jam…

– Sa është ora, ju lutem? – pyeta dikë pranë një shtylle. Neoni derdhte një lloj bore tjetër mbi shëtitoren e madhe të kryeqytetit.

U kthye nga ne, na vërejti, e kuptoi ç’ishim (një njeri i çuditshëm që donte të dinte se sa ishte ora, dhe një tjetër si ai, të pazakonshëm, të qethur, me rroba të pista burgu, me çizme…), dhe s’na u përgjigj. Një tjetër ia dha vrapit sa na pa. Ndoshta shkoi të lajmëronte, ose u tremb. Qesha dëshpërueshëm. Po ecnim kuturu. I burgosuri tjetër s’e kishte parë kurrë Tiranën. Ishte arratisur dikur, nga fshati, barí… jetoi ca kohë jashtë dhe u kthye nga malli. Dhe e burgosën menjëherë… Nuk dinte të lirohej këtu. Se mos unë dija. Se si të futin në burg, po… Jemi shumë pranë sundimtarëve, i thashë. Andej janë… Mos më lër vetëm, se nuk e njoh Shqipërinë, më kishte thënë. As unë…

Ndërrova krahun e torbës. Rëndonte mbi shpinë. E kisha plot me burg. Le që do ta mbartja gjithë jetën si një gungë. Vetëm varri e drejton kurrizon. Por burgu s’të ndahet as i vdekur. Po varri i diktatorit nga duhet të jetë? Kudo. Se mos na lë treni, të nxitojmë, se s’ka tjetër.

“Hiç mos çani kryet, krenarë”! – dëgjova një zë të ngjirur pranë. Se kush foli mes kalimtarëve të shumtë. Shkuam për nga stacioni. Edhe qemë lodhur, ndërro autobus, udhëto maleve, sa bukur, pa policë, ishte një oficer përpara, por jo për ne, besoj, pyje, kulla të vetmuara, lokalitete, pastaj treni dhe mbërritëm këtu. Pasdite vonë do të merrnim trenin tjetër për në Jug. Do të zbresësh në shtëpinë time sonte, i thashë shokut tim, kur do të prisnim biletat. Jo, do të vazhdoj, do të iki në fshat, falemnderit. Rri dhe ik nesër. Jo, jo. S’ngula këmbë, ku ta dish si i ka punët?! Megjithëse, aq sa ç’i duheshim njëri-tjetrit tani, vetëm aq donim të ishim, që të njiheshim me njeriun tjetër, jo të burgut.

Dhe vërtet ashtu ndodhi sapo zbrita, na ngazëlleu ky treni tjetër, tërë ata njerëz, si burgu, por kishim zgjedhur një vagon pa drita, i qenë prishur, se dëgjonim që ankoheshin. Në errësirë udhëtarët përballë s’kuptuan ç’ishim dhe nga vinim, kështu na u duk… Rrotat e hekurta gjëmonin, nuk janë ato të vagonëve që shtyjmë në burg. As tunelet nuk janë galeritë e minierave… kur një zë i ëndërrt femre, s’e di ç’i bëri përshtypje nga fjalët e mia, më pyeste shpesh, rrugë e gjatë dhe unë gjërat siç duket, i dija ndryshe, çuditshëm, por vijmë nga burgu, i thashë më në fund. “Ashtu?!”, – dikush iku, ia ndjeva nxitimin, edhe panikun, një dorë më shtrëngoi dorën. Të dy keni qenë në burg? Po. Por shoku im ka qenë dhe në… Suedi, prej andej erdhi… prandaj e burgosën… Suedi? Yyuuu… U liruam. Por edhe ti duhet të kesh qenë në Suedi. Unë jo. Po ti ashtu flet, kurse ai… Po mbërrinim në qytetin tim… stacioni i vogël. Rri nga ne sonte, i thashë prapë shokut të burgut. Jo, do të iki… në shtëpinë time, iu shua zëri. Mbase niset që sonte… për në Suedi, mendova. Ti thosha prapë, ik nesër, e ku ka të nesërme, do të më thoshte U përqafuam. Ndoshta s’do të shiheshim më kurrë…

Grumbulli i vogël i familjarëve të mi, në gjysmëterr, ja, po më priste, ndërsa udhëtarët e paktë nxitonin. Valixhe të errëta… Motra me të shoqin, kunatat, fëmijët e tyre… m’u derdhën me përqafime. Njëri vëlla, po tjetri, i madhi? “S’u takuat me Shpëtimin? Erdhi për ty në burg, me kostumin… Se mos ju ndërruan… – ç’shaka drithëruese – me siguri jeni shkëmbyer rrugës, s’jeni parë.” Ata të komandës telegramin s’ma kishin dhënë.

Morëm rrugën e shtëpisë, fare s’kishte ndryshuar. Gjimnazi… im. I huaj. I pakuptueshëm. Drita të zbehta tej. Qytet pa qytet, i mposhtur, lëndues sa më s’ka.

– Shkojmë të paraqitem në Degën e Punëve të Brendshme, – thashë unë.

– Ka kohë, brenda pesë ditësh duhet, – më thanë.

– Jo, jo, tani natën, se s’dua të dal më, – këmbëngula urtë.

– S’do të ikësh më te burgu? – pyeti një nga mbesat e vogla.

– S’besoj, – buzëqesha

– Kurrë, o Zot! – rënkoi motra dhe më futi krahun.

Kaluam sheshin e shkretë. Fshesaret, ja dy jevga të bukura dhe të trishta, teksa po tymosnin duhan, ndalën punën për të mos na bërë pluhur. Ktheva kokën dhe anash pashë zjarrin e tyre. Ja dhe shtëpia ime, një apartament në një ngrehinë të vjetër dykatëshe, ku tek të gjitha dritaret digjej dritë dhe mes vazove të luleve lëvrinin hije kokësh. Dëgjova zëra: “Erdhi, erdhi, ja…” Ngjitëm shkallët. Po dridhesha. Kërcinjtë po më ngjanin të shkërmoqshëm. Dera e hapur më kanat. M’u hodhën në qafë nëna, fqinjët e paktë – natë është, s’i sheh kush – kushërinj, të panjohur. U ktheva prapë nga nëna ime, që po qante nga gëzimi, e veshur me të zeza si gjithmonë, me flokët-kurorë, të argjenduar. S’dija kujt t’i përgjigjesha më parë:

– Si je?

– Qofshin të shkuara!

– Prit të të puth prapë.

– S’paske ndryshuar fare!

Befas u bë qetësi. Sikur të qenë marrë vesh që më parë, grumbulli i njerëzve u hap për të kaluar unë i pari nëpër korridorin tim, të jetës sime, i njëjtë si dikur, ai dhe jo ai. Nxitova me druajtje drejt fundit të përndritur, ku më priste im atë. I mbështetur në jastëkë në kanapenë e madhe. I bardhë dhe i hequr. I ngrirë. Me leshrat si flakët e një pishtari të ftohur. Vetullrënë. Krahët e thatë të shtrirë somnambul.

– Mirë se ju gjej! – u ngashëreva.

– Bir… – iu përmbyt zëri si i njomur në lagështirën e një shpelle. Edhe zëri ishte i bardhë. Duart e tij po më kërkonin nëpër ajër me drithërimë. I shqetësuar pashë nga të tjerët.

– Nuk shikon, – mërmëritën.

– As pakëz? – pyeta sikur kërkova mëshirë.

– Fare.

– S’më kishit shkruar, – u ankova i tronditur.

– S’donim të të shtonim dëshpërimet.

– Pse? – lëngova. – Pse i verbër…?

Duart atërore, dridhëse, po më kërkonin kryet, e prekën, pastaj mollëzat e mia të nxehta, supet. Ai më shikonte me duar dhe s’fliste dot. S’kishte për ta parë kurrë kthimin tim. I verbër përgjithmonë. Si ta çaja errësirën e tij? Dhe ishte aq i bardhë. I tëholluar, gati i tejdukshëm. Sa i dobët! Me atë kostumin e përhershëm, të zi. E pashë në sytë e palëvizshëm, të shuar. Mu aty i kishin rënë me dru gjatë torturave dikur. U verbua me errësirën time, kur ikja, e tani që u hap dera dhe erdha, ajo dritë nuk ia sillte dot sytë.

Gjindja bënte zhurmë të gëzueshme, donin të dinin për mua. Fqinjët përballë, të përzemërt, i njoha. Dhe ata të katit poshtë… Uronin, dikush merrte një gotë raki, një tjetër një llokume… dhe një karamele, janë me mjaltë…

– Bëj një kafe edhe për mua.

– Ndize një cigare.

– …ta mori të keqen… si të gjithë… kujdes… një punë… nuse…

Unë s’po çmpihesha dot. Në shpirt kështu. S’e dija e s’doja ta besoja se në ditën e lirimit tim do të më priste një plak i verbër, rembrandian, çifuti shëtitës. Po më rridhnin lot, por brenda meje. I ndieja të nxehtë, si pikime qiriu. Do të doja të isha vetëm me të, në qelinë e errësirës së tij. I ndezën cigaren tjetër dhe sytë e palëvizshëm, ah, s’shihnin asgjë të këtejshme, mbase thellësitë, ku ne s’shohim dot e bëhemi verbanë tjetërsoj. Baba, Homeri im i mjerë, lypës drite, i një rrezeje…

 Bisedat e përgjithshme sikur shterën shpejt. S’mund të rrëfehen vitet e mungesës, tërë ai burg, në çastet e para të takimit. Sikur e harrova gëzimin e kthimit… Po vuaja befasinë e verbërisë së tim eti. Prandaj më kishin munguar letrat e tij! “I dridhen duart, – më thoshin të mitë, – s’shkruan dot dhe shikimi sikur po i zbehet.” S’më thanë asnjëherë që i është shuar.

– Asgjë nuk shquan dot? – s’mu durua pa pyetur. – As dritën e ndezur s’e ndien?

– Të pashë ty, – mezi foli. – Mirë se erdhe!

Mos kishte vdekur im atë e s’ma kishin treguar dhe kishte dalë nga varri sa për të më takuar? Nëpër shkallë u dëgjuan ngashërime malli. Po vinte Komola nga Berati.

– Po qan tani, nga që s’deshi ahere, kur të morën, – foli im atë pa lëvizur. – I thoni të pushojë, – sikur iu forcua zëri, si atëherë kur ishte i zoti e bënte humor. U gjallëruan zhurmat e nipërve e të mbesave, të rritur pabesueshmërisht. Po ca që kishin lindur kur isha në burg dhe tani më afroheshin me dhele si mace?! Nëna s’më ndahej.

– Ha, merr dhe nga kjo tjetra, për ty i bëmë. Ty të pëlqejnë. Mos pi më, kurban mamaja, se…

Im atë mbante kupën e rakisë në ajër që ta trokëllinte me timen dhe të të tjerëve:

– Gëzuar!

Po Shpëtimi s’u kthye? Ku të jetë vonuar?

Pas mesnate u vendos të flinim.

– Ta kam regulluar vendin në dhomën tënde, – m’u përgjërua e lumtur nëna. – Siç ka qenë… – shtoi dhe u shkreh sërish në lot.

Pa gabuar, gjeta çelësin e dritës në gjysmëterr, e ndeza dhe e mbylla lehtë derën. Vetëm, si dikur. Por s’isha më ai. Po rrija pa lëvizur. Hodha sytë nga rafti i madh i librave. Shpina e tyre e përbashkët, laramane, e ledhatova si shpinë kali. Fotografitë e dikurshme, statuetat. Dorëshkrimet, e dija, m’i kishin marrë gati të gjitha. Kishin shqyer faqe, pasazhe dhe i kishin mbërthyer në Dosjen e Dënimit. Po të tjerat? …stilografin, stiletat, lapsat nëna ime m’i kishte lënë si dikur. Ashtu të palëvizur, m’u dukën si gishtat e mi të këputur, brenda në një kuti. Do t’i ngjitja dot? Me ç’operacion? Dhe a më duheshin? Mbi tryezën e ulët, një fletë e bardhë e lënë si dikur. U ula të shkruaja poezinë që kisha bërë me mend rrugës së kthimit, kur mbetesha vetëm me mendimet e mia.

Po ditar? A do ta përshkruaja kthimin, malet dhe borën që venitej, muzgun dhe kryeqytetin diktatorial…? Po Shpëtimi pse s’u kthye, ç’do t’i ketë ngjarë te porta e burgut?… Po ai që u lirua me mua, ku do të jetë tani, të ketë marrë udhën e… Suedisë? Mos ia mbathi prapë për andej?… Pse më duket tani sikur kam qenë vetëm fare gjatë kthimit, madje as me veten? Ishte apo s’ishte dita ime kjo? Treni i vonë, rendja nëpër stacione të shkreta… Ah, jo më ditar! Konfiskimi i tij, sidomos përçudnimi që iu bë në hetuesi dhe në gjyq, ma kishin zvetënuar, nuk do ta duroja dot më sinqeritetin naiv. Dhe për se, që të përfundonte prapë në kthetrat e policisë, për të të parë se ç’ndien, kush je, i rrezikshëm dhe pas burgut? Le të iknin ditët si të donin, unë s’do ta ruaja më hirin e tyre. Kujtesa, fosfori i saj… janë hall. Duhej të isha ende në burg, s’ishin bërë 10 vjet, por ja, arrita të lirohesha pak para kohe. Sepse dhe me punë kisha fituar ditë… të miat. Ia kisha rrëmbyer perëndisë së Kronosit dhe kisha ecur nën kosën e tij.

Mënjanova perden. Në xham pashë hënën. Jo, s’ishte më dritë e pikëlluar. Leshraverdhë, gjijashtë…Shtrati im atje në burg është zënë nga një tjetër, që s’fle dot, në natën e parë, përpëlitet dhe ofshan, do të shohë hënën, por ia mbulon një kokë e zbardhëlleme polici. Vëlla… mërmërita me frikë. As ti s’je dot aq i burgosur e as unë s’jam dot aq i lirë. Ndërresa e kthyer natën nga puna bie menjëherë në gjumë si me magji dhe oficeri i rojës, ja tani, i numëron të dënuarit, kufomat e shokëve të mi.

E njëjta natë, gjysmë e lidhur, gjysmë e zgjidhur. Nuk fle dot, po nuk u kthye vëllai…

Tyli i perdes e hidhte hijen mbi divan si tel me gjemba. Ndoshta hija ime aty kishte pritur, e fshehur pas dollapit.Thonë që s’është mirë të shihesh natën në pasqyrë. Zbulova se i ngjaja ende vetes. Dhe, po të vazhdosh të kundrosh veten lakuriq deri matanë mesnatës, po s’pate frikë deri në agim, në pasqyrë të del, po lakuriq, ajo me të cilën do të martohesh.

Nisa të zhvishesha me ngut…

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti-Kujtese Letrash-Ferri Care

VATRËS I SHTOHET EDHE NJË DEGË E RE

January 27, 2020 by dgreca

– KRYETARI I VATRËS Z. ELMI BERISHA PRITI KRYETARIN E DEGËS SË RE TË VATRËS NË NEW JERSEY, Z. ADEM MANELLARI-/

Ditën e shtunë, 25 Janar në mesditë, Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha priti kryetarin e degës së re të Vatrës në New Jersey, z. Adem Malellari, i cili shoqërohej nga financieri i degës z. Stefan Isallari. Në prani të editorit të gazetës dhe ish anëtarit të kryesisë së Vatrës Besim Malota, z. Manellari informoi kryetarin Berisha për nismën e krijimit të degës së Vatrës në NJ me ndërmjetësinë e ish nënkryetarit të Vatrës Adriatik Spahiu.

Nismëtarët u mblodhën me 12 Janar për krijimin e degës dhe anëtarësimi po vazhon ende. Z. Malellari solli fletët e regjistrimit, pagesat e anëtarësive si dhe një informacion me shkrim rreth ecurisë së mbledhjes formuse, shkruar nga Aurela Velillari, që u depozitua së bashku me fletët e regjistrimit dhe procesverbalin. Ai u pajis me blok-regjistrin dhe udhëzimet për ecurinë e degës.

Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i falenderoi zotërinjtë për krijimin e  degës dhe u uroi mirëseardhjen në Vatër dhe nga ky moment dega figuron e regjistruar në Federatë. Z. Berisha i njohu me frymën e  Kuvendit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, organizuar në Detroit në Teqenë Baba Rexhebi dhe marrjen unanime të votbesimit për ta drejtuar Vatrën.

Kryetari Berisha tha se ai do të ruaj frymën kombëtare të Vatrës dhe se me platformën e tij do t’i prijë Vatrës për të kryer obligimet kombëtare dhe ato në komunitet.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi berisha-Vatra NJ-Adem Manellari

TURP NUK KENI?!

January 25, 2020 by dgreca

– PA AMERIKËN NUK DO TË KISHTE SHQIPËRI DHE KOSOVË!-

Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë historik dhe strategjik!/

NGA EKREM BARDHA/

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, ku janë angazhuar më shumë se çdo shtet tjetër, për të mirën e përgjithshme, ndërmorrën aktin e tyre parapritës, duke eleminuar njërën ndër kokat më agresive kundër lirisë dhe përgjegjës për sulme të ndryshme terroriste, i cili, edhe ditët e fundit, po planifikonte katër aksione vdekjeprurëse në shumë shtete ndaj civilëve.

        Vrasja e një terroristi, të veshur me pushtet absolut dhe i njohur për natyrën e tij agresive, ishte sinjali më i qartë që lëshoi administrata amerikane, dëshmi e qëndrimit të saj të prerë si gjithmonë dhe në vazhdimësinë mbrojtjen e lirisë dhe e hekurt në qëndrimin e saj në goditjen  ndaj lëvizjeve thellësisht radikale. Mesazh  për të mbledhur mendtë ata që mendojnë të sulmojnë demokraciën amerikane.Ishte thirrja e fundit se, ky shtet i fuqishëm dhe aleatët e tij, nuk do të lejojnë më përsëritjen e 11 shtatorit, por as sulmet ndaj strukturave të bashkësisë euroatllantike.

             Shteti shqiptar, shteti i Kosovës,demokracitë e zhvilluara,njerëzit paqedashës e mbështetën këtë akt, i cili në vetvete, aq sa është parandalues, aq ka të bëjë me jetën e njerëzve, lirinë e tyre për të jetuar në paqe, pa ankthin e vdekjes dhe të sulmeve terroriste. Në fund të fundit, ky akt, eleminimi i një personi të veshur me pushtet dhe synime terroriste, është edhe demokratik, pasi mbron mijra jetë njerëzish, të drejtën e një jete normale dhe të sigurtë, stilin tone të jetesës, të lire dhe demokratik.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë strategjik dhe historikisht i dëshmuar në mbështetje të aspiratave të lirisë dhe prosperitetit tone demokratik e jetësor.

Por, disa gazetarë, të konsideruar analistë, opinionistë, sulmuan pikërisht Shtetet e Bashkuara, duke e quajtur Aktin parapritës të saj si një sulm terrorist, të papërgjegjshëm,duke shkuar edhe më tej se kaq: e cilësuan si një Turp!

Si nuk keni turp që sulmoni një shtet, nga i cili rrjedh pavarësia e shtetit shqiptar, që edhe në kohën më të rëndë për fatet e Shqipërisë i është gjendur pranë shqiptarëve; i cili, edhe në kohën e komunizmit nuk ka lejuar copëtimin e vendit tonë nga Junta e kolonelëve grekë, që kërkonin jugun e mëmëdheut tonë.

Pa vendosmërinë e shtetit amerikan nuk do të kishim sot Kosovën e pavarur, shtet i mëvetshëm, i  cili, në mos tani, në një të ardhme, do të bashkohet me shtetin amë dhe do të realizohet kështu ëndrra e madhe e Rilindasve tanë.

20 vite më parë, gjysma e kombit shqiptar rrezikohej të zhdukej nga gjenocidi serb i Millosheviqit dhe armatave serbe. Në më pak se një vit u vranë rreth 15 mijë shqiptarë; vetëm në një ditë në fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël, ku ka lindur e vepruar filozofi i madh atdhetar Ukshin Hoti, u vranë  274 meshkuj,  që nga fëmijët e porsa lindur e deri tek pleqtë. A ju thonë gjë të vrarët në Kosovë, apo, sipas “ mendjes” suaj,edhe ndëshkimi i terrrorizmit serb nuk duhej ndërmarrë dhe më mire të vriteshin edhe më  tej mijra shqiptarë?

E drejta e shqiptarëve për të besuar te liria, e drejta e fjalës dhe e pronës, të kenë institucionet e tyre fetare, liria e lëvizjes, të jenë pjesë e NATO-s, si garanci e sigurtë e paprekshmërisë së saj, vjen pikërisht nga fuqia e Shtetit Amerikan, këmbëngulja dhe lufta  e tij për demokracinë në Shqipëri, për të drejtën e fjalës – që ju,e shpërdoroni mizorisht; për të drejtën e besimit, të pronës, të lëvizjes së lirë.

Në jetën time prej një gjysëm shekulli e më shumë në shtetin amerikan kam pasur fatin e madh të takohem, të bisedoj dhe të shtroj shqetësime të ndryshme para 6 presidentëve amerikanë; edhe në kohën kur shteti ynë ishte nën diktaturën komuniste, edhe më pas, në fillimet pluraliste dhe shtetin plural. Asnjëherë , në mënyrë absolute asnjëherë, nuk kam dëgjuar një fjalë mospërfillëse për shqiptarët, kudo që jetonin. Presidenti Nixon ishte Ai  që nuk e lejoi juntën ushtarake greke të ndërmerrte akte agresive ndaj shtetit tone, megjithëse ishim nën diktaturën komuniste dhe presidenti ishte antikomunist i njohur; ishte presidenti Klinton që urdhëroi fuqinë ushtarake më të madhe të të gjitha kohrave për të sulmuar pushtetin fashist serb; ishte presidenti GEORG BUSH Jr, – i cili që nga Tirana, shpalli mëvetsinë e shtetit të Kosovës.

E mirëkuptoj që nuk i dini të gjitha këto fakte, sepse nuk paraqiten ende në librat e Historisë Shqiptare, dikur për shkak të izolimit nga bota e më pas, si demokraci e re e si duket me shumë problem, sepse nuk e besoj dot që gazetarë profesionistë të dëshirojnë vetdijshëm të keqinformojnë opionin publik dhe të nxisin keqdashësi ndaj aleatit dhe mbrojtësit tone kryesor amerikan. Falë të së cilës ekzistojmë në këtë formë dhe masë, siç jemi sot, dy shtete shqiptare, të pavarur, të lire dhe demokratik, evropian.

Shqiptarët ,kudo që jetojnë, janë ndër popujt më pro amerikanë dhe kanë arsye të jenë, pasi ekzistenca e djeshme  dhe e ardhmja e tyre janë të lidhura pikërisht me këtë shtet të fuqishëm, I cili n aka dale krahë në të drejtën tone, të cilën nuk e mbronim dot vetë si një shtet i vogël që jemi.

I detyruar nga diktatura komuniste të arratisesha, të gjeja vendbanim në shtetin amerikan, të ndërtoja në Amerikë një jetë të re, nuk e harrova kurrë Atdheun, e pata gjithmonë në zemër dhe fati e deshi të isha dëshmitar aktiv në 5 situata, ku, falë Vendimit të prerë dhe të palëkundur të presidentëve amerikanë, në bazë të mirëinformimit të verifikuar, paraprinë mos-shpërbërjen e Shqipërisë, duke luftuar fort diplomatikisht, por edhe duke sakrifikuar jetë ushtarësh amerikanë, kur ishte e nevojshme,në mbrojtje të ekzistencës sonë si Shqipëri, si shtetas të një shteti të vogël, kundrejt interesave të padrejta, përsonale të shteteve shumë më të mëdhenj dhe më të fuqishëm se ne, qoftë edhe aleatë më të vlefshëm se sa ne për Amerikën.

Të duash me shpirt popullin dhe vendin që i takon dhe, një nga shenjat e kësaj dashurie është mirënjohja për ATA që na janë gjendur në momentet më të vështira të jetës dhe të histories sonë, të cilët kanë pasur qartësinë, vendosmërinë dhe dashamirësinë të luftonin për të drejtat tona, kur ne vetë nuk i mbronim dot ata.

Filed Under: Opinion Tagged With: aleati Yne

HARRY BAJRAKTARI: JA SI MUND T’IA SIGUROJMË VATRËS EDHE 100 VITE EKZISTENCË…

January 23, 2020 by dgreca

–Mesazhi i z. Harry Bajraktari dërguar kryetarit të Komisionit të organizimit të Kuvendit të Vatrës, 19 Janar 2020-/

I nderuar Agim Rexhaj,/

 Kryetar i Komisionit për organizimin e Kuvendit zgjedhor të “Vatrës” me 19 Janar, 2020 në Michigan:

Ju falenderoj shumë për respektin dhe ftesën që më dërguat për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të Federatës”VATRA”, e cila ka rol të madh për komunitetin tonë shqiptar-amerikan në SHBA. Në pamundësi të marr pjesë e të jem me Ju, Kuvendit zgjedhor dhe delegatëve të tij, i uroj shumë sukses dhe punë të mbarë në realizimin e obligimeve që miraton ky Kuvend.

            Më lejoni që në këtë kontekst, para këtij Kuvendi zgjedhor, t’i paraqes disa ide të mia, që kanë të bëjnë me zhvillimin, organizimin dhe zgjerimin e Vatrës, si organizata më e vjetër e shqiptarëve në Amerikë.

Të nderuar Vatranë’

   Të gjitëh e dimë se roli i Vatrës, që nga themelimi i saj, ka qenë historik dhe i jashtzakonshëm, ku asnjë organizatë tjetër shqiptare, në Amerikë, si kjo, nuk ka mundur të mbijetojë kaq gjatë e të ketë aq famë e sukses.

            Sot, numri i shqiptarëve në Amerikë,është shumë më i madh si asnjëherë më parë. Jemi dëshmitarë se ky numër i shqiptarëve po rritet prej viti në vit, e bashkë me të dhe komuniteti ynë. Sot, veprojmë në rrethana e kushte të reja, kemi biznesmenë e e kompani të sukesshëm gjithandej Amerikës, e disa drejtojnë bizneset në Wall Street, njerëz të profesioneve të ndryshëm si: mjekë, avokatë, drejtues të kompanive dhe profesionistë në vende të ndryshme pune, të rinj që po shkollohen në degë të shumta në Universitetet e njohur amerikane e po marrin detyra me përgjegjësi në sektorë të ndryshëm.Në rrethana të tilla, jam i bindur se mundësitë për krijimin e kushteve për riorganizimin, forcimin dhe zgjerimin e Vatrës, në një organizatë të fuqishme, janë shumë më të mëdha dhe më të volitshme se kurrë më parë.

            VATRA, mendoj se duhet të projektojë edhe afate më të gjatë kohore për zhvillimin e ardhshëm të saj. Me këtë dua të them se atë duhet ta kemi edhe pas 100 vitesh, ashtu siç arritën brezat e saj të mbajnë gjallë e të fuqishme tash pas 100 vite.

      Ekzistenca e saj, varet nga ajo se sa kemi vullnet të punojmë së bashku, për një qëllim të caktuar, që idealin e atyre që e themeluan para një shekulli, ta çojmë përpara edhe për një shekull tjetër.

Kushtet në të cilat vepron sot Vatra, janë të pamjaftueshme që ajo të jetë në nivelin e dëshiruar, prandaj unë mendoj se kësaj organizate, para së gjithash, i duhet një mbështetje e fuqishme për sigurimin e një objekti “Shtëpi e Vatrës”, që do të krijonte kushte të mira pune, mundësi për pritjen e delegacioneve shtetërore, organizimin e simpoziumeve shkencore-kulturore, si dhe mundësi për mbajtjen e manifestimeve të tjera shqiptare e amerikane.

  Ky objekt, sipas meje, do të duhej të kishte: një sallë për pritje, një muzeum,- ku vizitorët do të mësonin historinë e Vatrës dhe të komunitetit tonë, si dhe komponente të tjera për nevojat e kësaj organizate. Sigurimi i një objekti të tillë nuk është i pa arritshëm sot. Sipas bisedave që kam pasur me disa miq e shokë, që janë biznesmenë dhe profesionistë, shprehin dëshirën për të investuar dhe për tu bërë pjesë e Vatrës, ku në Amerikë quhen-Permanent Trustees. Të gjithë këto biznese shqiptare, investitorë të vullnetit të mirë, njerëz të profesioneve të ndryshëm, dhe individë të tjerë, mendoj se kanë gadishmëri, që të mbështesin një projekt të tillë, ku krahas reformave, VATRA do të kishte mundësi ideale të luante një rol tejet të rëndësishëm për komunitetin tonë shqiptaro-amerikan dhe për gjithë shqiptarët që jetojnë në trojet tona etnike në Ballkan. Në këtë mënyrë do t’i siguronim Vatrës edhe 100 vite të tjerë ekzistencë dhe do të lartësonim kontributin historik të gjithë atyre që Vatërn e sollën deri këtu-nga NOLI e KONICA dhe deri sot.

Zoti e bekoftë popullin shqiptar!

Zoti e bekoftë Amerikën?

Me respekt

HARRY BAJRAKTARI

Filed Under: Opinion Tagged With: Harry Bajraktari-Vatra-100 Vjet-Agim rexhaj

Pa vote nuk ka demokraci

January 23, 2020 by dgreca

Nga Agustin Mirakaj/*

Përshëndetje të gjithë delegetve të këtij kuvendi. Shpresoi që ky kuvend të jet një shëmbull për të gjithë, me shpresën që këto zgjedhje të jenë të pastra dhe me kandidat të denjë e të zot që te garoin sic duhet.

Kam ardhë me një propozim të thjesht e të qart për të ardhmen me një platform të re për menyrën e votimit.

VATRA duhet të ftojë anëtarët të marrin pjesë aktive dhe të barabartë në vendimmarrje kryesore, përfshirë zgjedhjen e funksionarëve të lartë.

Demokratizimi ne VATER eshte një proces i gjatë dhe i vështirë, i cili kërkon shpesh veprime të guximshme për të bërë kthesat të nevojshme.

Mënyra më e mirë për të demokratizuar VATRA është përfshirja e të gjithë anëtarëve në procesin e vendimmarrjes. Sistemi “NJË ANTARË – NJË VOTË”

Ky model votimi jep mundësin që Vatra të zgjerohet e të shtrihet më gjerë përtej kufinjve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Egzistenxa e Vatrës na bënë të fort dhe u jep shpresë Shqiptarëve. VOTA eshte forca e ndryshimit.

Uroi qe kyetari i ri të jetë një shëmbull si Z. Mishto

  • Fjala e mbajtur ne Kuvendin e Vatres ne Detroit, 19 Janar 2020…

Filed Under: Opinion Tagged With: Agustin Mirakaj-Vatra-vota-demokracia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 347
  • 348
  • 349
  • 350
  • 351
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT