• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI DHE PËR SHQIPTARË!

December 11, 2018 by dgreca

1 franikursll

Nga Frank Shkreli/

Unë nuk e di se ku qendron e vërteta mbi këtë çështje, por i vjen një erë shumë e keqe: nëse është pranuar ose jo propozimi i Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të saj në UNESCO, si pasuri e saj kulturore.  Qeveritë dhe Ministritë e Kulturës gjatë viteve kanë një reputacion me të cilin nuk mund të krenohen, përsa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe kultivimit të kulturës së lashtë dhe të re shqiptare – si në nivel kombëtar dhe ashtu edhe në atë ndërkombëtar – siç pasqyrohet edhe nga ky rast. More, ja merrte kujt mendja se serbët do të përvetësonin lahutën si pjesë e trashëgimisë së tyre?  Po, kështu kanë vepruar gjithmonë këta, në kurriz të tjerëve.  Hajdutë kanë qenë gjithëherë.  Por, se serbët do t’a merrnin lahutën prej nesh pa “zbrazur asnjë fishek” në mbrojtje të pasurisë sonë kulturore, kjo nuk mund të merret me mend.  At Gjergj Fishta do të rrotullohej në varr, por fatkeqsisht, varrin nuk ia dimë dhe eshtrat ia hodhi Enver Hoxha në lum.  Edhe ai i kishte kënduar Lahutës – Lahutës së Malësisë.

Për hir të së vërtetës duhet shënuar se Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka përgënjeshtruar lajmin e përhapur në media një ditë më parë, se lahuta është njohur nga UNESCO si trashëgimi kulturore e Serbisë.  Në deklaratën e saj thuhet se, “Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe’”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.  Ministria e Kulturës shpjegon se “Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin”, sqaron më tej ministria.

A është kjo mbrojtja më e fortë që Ministria e Kulturës mund t’i bëjë lahutës si një instrument i lashtë i Shqiptarëve.  Ndoshta, sipas deklaratës së Ministrisë shqiptare, ende nuk është marrë vendimi nga Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s, por Ministria shqiptare nuk e mohon se UNESCO do e njohë lahutën si trashëgimi kulturore e Serbisë, me justifikimin se të, “kënduarit me lahutë është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.  Të na rrojë internacionalizmi proletary i Enver Hoxhës.

Ky konfuzion është rezultat i papërgjegjësisë zyrtare dhe një arrogance që është bërë traditë tanimë për të zbardhur të vërtetën, e që zmadhohet edhe më shumë nga shkrimet hamendëse në medien publike, pikërisht për arsye të mungesës së informacionit të sakt.  Ja disa nga titujt në median shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, në lidhje me propozimin e Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të Serbisë: “Lahuta serbe në UNSECO”; “Lahuta shqiptare është gati npër në UNESCO”; “Ministria e Kulturës -UNESCO-s: Lahuta është e jona”;  “Lahuta njihet si trashëgimi e Serbisë”; “Lahuta Trashëgimi e Serbisë?  “Vendimi sklandaloz i UNSECO-s”; “Lahuta gati për UNESCO, mungon lobimi”;  “Lahuta është shqiptare apo serbe?”;  “Ministria e Kulturës: S’ka asnjë vendim nga UNESCO”; “Lahuta Shqiptare e penalizuar nga Kosova”; “Lahuta s’është shqiptare, por serbe”, e të tjera.

Në të vërtetë, ky ka qenë gjithmonë dhe është objektivi përfundimtar i sllavëve, i grekëve dhe i turqëve, që më së pari të mbjellin dyshime dhe konfuzion në radhët e vet shqiptarëve mbi identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, si dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre.   Kështu kanë bërë ata dhe vazhdojnë të mbjellin dyshime — madje edhe me ndihmën e vet shqiptarëve — edhe mbi figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbeu dhe për identitetin kombëtar të Nënë Terezës.

Edhe kjo na ka munguar! Armiqtë e Kombit shqiptar, tashti duan edhe Lahutën – simbolin e lashtësisë së Kombit shqiptar — pasi na morën ose më mirë të themi pasi ua dhamë dhe po u japim tokat tona, detin dhe tashti po u dorëzojnë edhe një pjesë të identitetit të kulturës kombëtare.  Edhe ajrin për të marrë frymë, do të ua mohonin shqiptarëve këta, gjithmonë sipas orekseve dhe interesave të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit.

Çdo gjë e shenjtë shqiptare duket se është në shitje, në ankandë.  Serbia do tokën shqiptare, se nuk ka marrë mjaft gjatë 100- vjerëve të kaluar. Tashti do të përvetësojë edhe Lahutën, simbolin më të njohur të lashtësisë së Arbërit.  Prisni edhe pak se shpejt Akademia e Shkencave e Serbisë do të pretendojë se edhe xhubleta, veshja e grave malësore ç’prej epokës ilire, do të kërkojë ta regjitrojë në UNESCO si trashëgimi kulturore serbe dhe askush nuk do të shqetësohet për këtë punë.  Turqia pretendon se “Kosova është Turqi” dhe kërkon me ngulm ndryshim të historisë shqiptare, ndërsa Greqia ka marrë Çamërinë, do të marrë detin dhe nuk heq dorë nga i ashtuquajturi Epir. Çdo ditë, popat e Kishës ortodokse serbe përpiqen të përvetësojnë gërmadhat e kishave shqiptare në trojet shqiptare nën Mal të Zi, sikur të kenë qenë të tyre, historikisht, aty ku asnjëherë nuk ka ka shkelur këmbë e serbit.  Nëqoftse shqiptarët nuk i dalin zot historisë së tyre, të tjerët do e përvetësojnë, siç është rasti i trashëgimisë kulturore me lahutën.  Më e keqja e kësaj situate të mjerueshme është se të gjitha këto po ndodhin në heshtje  ose me marrveshjen e kësaj klase politike shqiptare sot, ose si trysni ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Keni venë re ndonjë reagim nga zyrtarë të lartë ndaj këtyre hajdutlleqeve e pretendimeve antishqiptare nga Tirana dhe nga Prishtina?  Hiç, përkundrazi! Tirana dhe Prishtina zyrtare sillen me këto tre shtete, si shtete “strategjike”, ose si “popuj miq”, siç i quante Enver Hoxha — gjithmonë sikur fajin për gjithçka e kanë shqiptarët.  Shqiptarët vazhdojnë të japin e të japin ndërsa këto tre shtete nuk ngopen duke vjedhur nga shqiptarët, madje edhe trashëgiminë kulturore, siç është instrumenti muzikor, Lahuta.  Është për të ardhur keq, “për ca zuzarë, që u lindën shqipëtarë”, siç ka shkruar dikur Faik Konica e të cilët,

“S’na lënë dhe ne të tjerët,

T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash”

Për çdo shtet normal, mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar nga sulmet dhe nga pretendimet e të huajve, janë çështje të shënjta të mbijetesës dhe të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit dhe vazhdimësisë së tij.  Përgjegjësia numër një e një qeverie dhe e përfaqësuesve të saj është që të mbrohet historia, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar, ashtu siç do të mbrohej kufiri tokësor e detar, në rast të një sulmi ushtarak.  Pse heshtin këta njerëz!  Pse heshtin historianët shqiptarë? Ku është zemërimi?

Në Malësitë tona dikur, shtëpia pa pushkë e pa lahutë nuk konsiderohej shtëpi.  Në shtëpinë ku kam lindur e jam rritur unë, kishim tre lahutarë.  Gjyshin tim Lukë Tomën e Shkrelit dhe axhën Gjergjin dhe më vonë djalin e axhës Vasel Shkrelin, i cili e vazhdon këte traditë të familjes tonë edhe këtu në Amerikë, si më poshtë, i cili i ka kushtuar këtë këngë lahutës, si instrument i traditës e i trimërisë, si një instrument që ka mbajtur gjallë historinë dhe trashëgiminë e shqiptarit në vatrat stërgjyshore të kullave shkëmbore tona, si një instrument i bekuar e i lashtë arbëror, i cili u ka zgjatur jetën heronjve, sipas fjalëve të lahutarit:

https://www.youtube.com/watch?v=iEay5gMwtUI

https://www.youtube.com/watch?v=NmJODhiKkT4

Sulmet kundër identitetit të shqiptarëve dhe trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore po bëhen gjithnjë e më kërcënues, për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.  Ku janë mbrojtësit e visarit dhe të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kombit Shqiptar, kësaj race iliro-trake, bartës të ligjëshëm dhe historikë të traditave shekullore të saj.  Pse nuk ngrejnë zërin në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore të Kombit, para se të bëhet vonë?  Sot, Lahuta vajton fatin e saj.  Lahuta duhet të shpëtohet ashtuqë të këndojë përsëri për Shqipëri dhe për Shqiptarë!

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE PËR SHQIPTARË!, Frank shkreli, LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI

Sot edhe unë jam student

December 7, 2018 by dgreca

Nesër është edhe 8 dhjetori, ajo që përkon me përvjetorin e radhës të protestave studentore të viteve nëntëdhjetë. Kësisoj me këtë protestën e radhës dhe ndofta me të tjerat që mund të vijojnë, e bën këtë muaj një simbol të protestave të vërteta në raport me qytetarinë e europës dhe vendeve të tjera të demokracive perëndimore. /

Ilir-Levonja-300x2981 Protesta Ministria

Nga Ilir Levonja/ Florida-USA/

1) Në një pankartë diku mes gjindjes, shkruhej, e ardhmja është e jona. Atë e mbante një vajzë, një studente. Një rob i së ardhmes. Në kokë ndofta i vlonin kalkulimet me tarifat. Ndofta dhe pandehma se i kish nderur apo jo në ballkonin e dhomës së konviktit ato pak tesha të sapolara. Ajo pankartë dalldisej me ovacionet. Edhe vajza me gjindjen. Por çfarë është e rëndësishme të thuhet, është ekzaktësisht thelbi mbi të ardhmen. Filozofia…, apo kapja në kohën e duhur e fateve të vendit tënd. Koha kur lindin liderët. Nuk e di se kjo lëvizje, a kjo protestë do nxjerri një të tillë. Nisur nga rrethanat, brishtësia e paqes në rajon, protestat e jelekë të verdhë në Francë, ndryshimet drastike politike në disa vende të rajonit, krizën ekonomike të fqinjëve ku edhe është sistemuar një shumicë dërrmuese e shqiptarëve, por Shqipëria e ka më se të domosdoshme. Dhe ndofta ajo pankartë është një syth vërtetë pranveror. Se për atë Zot, kur shikon akoma në krye të parlamentit një ish ministër të diktaturës, madje me hetime të pazbardhura për vrasjet e Shkodrës, protestat e prillit, etj. Kur shikon se si akoma një parti komuniste me një mal dosje krimesh mbi shpinë, tubon, kur duhej të ishte e jashtëligjëshme etj. Kur shikon se si në plot njëzetë e tetë vite, sekretarët e nomlekaturës flasin për anëtarësim, reforma, mirëqenie. Dhe mbajnë pushtetin diku drejt për drejtë dhe diku përmes sejmenëve etj. Për atë Zot të vjen për të vjellë. Një ironi therëse e këtyre afro tri dekadave ndaj sot vendi ynë është në një krizë identiteti dhe anarshi sociale.

2) Nesër është edhe 8 dhjetori, ajo që përkon me përvjetorin e radhës të protestave studentore të viteve nëntëdhjetë. Kësisoj me këtë protestën e radhës dhe ndofta me të tjerat që mund të vijojnë, e bën këtë muaj një simbol të protestave të vërteta në raport me qytetarinë e europës dhe vendeve të tjera të demokracive perëndimore. Duke na larguar disi nga nëntori i kuq i demagogjisë me 28 a 29. Për faktin se është shoqëria civile ajo që proteston dhe jo partia. Partia a partitë tashmë janë një gjendje e degraduar, për më tepër kur shikon se si dosjexhinjtë a sekretarët e partisë dominojnë në gjithçka. Apo kalimi i pushtetit nga baba tek i biri, duke përjashtuar çdo mini element të garës së ideve dhe projekteve. Kjo nuk është demokraci, por dëmdemokraci. Nesër është 8 dhjetori dhe në raport me ato protesta, studentët e atëhershëm iu nështruan kulturës së etërve, grindjes, përçarjes etj., duke ia lënë vendin në dorë një shpure që vinte nga radhët e diktaturës së proletariatit. Mjaft të shaje Enverin dhe ishe demokrat…, le të kishe dënuar vrarë e prerë me ‘të, ishe demokrat. Shumë prej studentëve të asaj kohe iu nështruan ikjes, asaj drame sociale për shkak të mirëqenies, ashtu si pjesa dërrmuese e shqiptarëve. Edhe tani një epedemi e re kërcënon vendin, ajo e ikjes. Dhe kjo është mëse normale pasi sot diktatura e proletariatit është akoma në pushtet, vret, pasurohet dhe i shkelin syrin shoqi shoqit, si trashëgimtarë, si pinjollë. Ndaj nuk është e pashpjegueshme përshembull çfarë Vlora sot përjeton, në lidhje me luftën e frikshme të zhdukjes së personave. Por është dhe thelbi për të kuptuar pse vendi ynë nuk po ndreqet, pse jemi tërë kohës në një tranzicion jo shterues. Ndaj ajo pankartë të jep shpresë…

3) Nëse e keni ndjerë dhe kuptuar të vërtetën, atëherë ta dini se e rëndësishme tani është të mos thyheni. Të prishni kulturën e grindjeve dhe kompromisit qoftë nga e majta apo e djathta. Për të majtën ua them copë, sa kohë ka Ruç, Xhafë, xhuxha, pashallarë si ai Elbasanit, as mos e çoni nëpër mend të ndreqet. Por listat me veresie do keni, lista pa fund. Ndërsa nga e djathta nuk bëhet demokracia me çunin e Fahrisë. Dhe për më tepër do i shikoni nesër në kuvend, do kthehen, se, kanë frikë mos u digjen mandatet. Do kthehen si ato që kanë emrin në ca bordero fiktive. Megjithëse koha e kërkon, ata nuk kanë për t’i djegur mandatet. As me klithmat e Gridës së bukur. Duhet frymë, frymë, shoqëri, gjindje. Këta nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e asaj vazhde kulturore mes etërve dhe bijve, sekretarëve dhe kapterëve nga byroja e luftës së klasave. Kësisoj është koha e juaj, e tillë që lum ju që po e përjetoni. Po më shumë se për veten tuaj, vazhdoni  dhe bëjeni për hatër të atij dheu, vendit tonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: edhe unë jam student, Ilir Levonja, sot

Paralajmërimi profetik i Presidentit George H.W. Bush

December 6, 2018 by dgreca

1 elida B

Nga Elida Buçpapaj/

Konflikti në Kosovë, i fundit në ish-Jugosllavi, do të shpërthente në marsin e vitit 1998.

Sllobodan Milosheviçi, atëherë presidenti i Serbisë e kishte  harruar letrën që kishte marrë nga Presidenti i 41 i SHBA!

Presidenti George H.W.Bush ia kishte dërguar Sllobos më 25 Dhjetorin e vitit 1992, ditën e Krishtlindjeve!

Që ky ta varte vëth në vesh!

Se të dërgosh e të marrësh letra më 25 Dhjetor ka një simbolikë diplomatike brënda!

Pasi 25 Dhjetori është holiday, ditë festimesh dhe ditë pushimi.

Ditë pushimi edhe për Presidentët e SHBA apo Presidentët e Serbisë!

Presidenti Geroge H.W.Bush e dërgoi këtë letër në Ditën e lindjes së Krishtit, kur shpirti njerëzor reflekton i paqtë për paqe!

E dërgoi gjithashtu si kambanë alarmi, si një letër e jashtëzakonshme për të parandaluar veprime të jashtëzakonshme, sikur është lufta dhe pasojat e tmerrshme që rrjedhin prej saj!

Prandaj kjo letër njihet edhe me konotacionin epik “paralajmërimi i Krishtlindjeve”,  pasi zakonisht për Krishtlindje bëhen vetëm urime!

Ndërsa më 25 Dhjetorin e 1992 Presidenti i SHBA George H. W. Bush në letrën që i drejonte Milosheviçit i tregonte “vijën e kuqe” !

Nëse Slloboja do ta shkelte këtë vijë të kuqe, sikur edhe e shkeli, do ta pësonte!

Letra e Presidentit George H.W. Bush ishte një paralajmërim profetik!

Por Milosheviçi e zhvleftësoi vlerën e atij paralajmërimi, se për ta harruar nuk mund ta harronte kurrë, bile Sllobos sa herë që vinte festa e Krishtlindjeve i kujtohej ai paralajmërim, që do t’i kushtonte shumë shtrenjt!

Në këtë letër historike, nisur më 25 Dhjetorin e vitit 1992, Presidenti George H.W. Bush do t’i shkruante Presidentit të Serbisë: “In the event of conflict in Kosovo caused by Serbian action, the United States will be prepared to employ military force against the Serbians in Kosovo and in Serbia proper.” Që shqip do të thotë: ” Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga pala serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi. ”

Sikur e tregoi koha “vija e kuqe” dhe “paralajmërimi i Krishtlindjeve” funksionoi pikë për pikë! Bash sikur e shkroi Presidenti i 41-të i SHBA!

Slloboja kujtoi në marsin e 1998 se tashmë në Shtëpinë e Bardhë kishte ardhur një tjetër President!

Kujtoi shumë gabim!

Do të gabojnë rishtas kush do të kujtojë se tashmë meqë George H.W.Bush nuk jeton më, paralajmërimi i tij profetik po ashtu!

Se burrashteti si Presidenti George H.W.Bush nuk vdesin kurrë, ata i forcojnë themelet SHBA dhe bëhen veç rrënjë të lirisë dhe idealeve për demokraci!

Sepse e ardhmja është e lirisë jo e luftës, pikërisht ashtu si e përcaktonte vetë Presidenti George H.W.Bush kur thosh:  “Ne e dimë se çfarë funksionon! Liria funksionon! Ne e dimë se çfarë është e drejta! Liria është e drejta!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, George H.W Bush, Kosove, Krishtlindje

NIKO KIRKA NDËRROI JETË NË NJU JORK, SOT NGUSHELLIMET

December 2, 2018 by dgreca

SHKOI ATDHETARI, ISH I BURGOSURI POLITIK, I BIRI I BASHKËTHEMELUESIT TË  VATRËS, KRISTO KIRKA/

zinikokirkav

Familja Kirka në  Nju Jork, njofton se ka ndërruar Jetë, atdhetari, ish i burgosuri Politik, qëndrestari i Diktaturës komuniste, Niko Kirka, që nuk u përkul as nga torturat në Hetuesi, as nga vuajtjet në burg, as nga vuajtjet në  Kënetën e  Vdekjes, as nga persekutimi dhe internimi i tij dhe i familjes.

Niko ndërroi jetë  sot në  mëngjes në  orën 7 e 10 minuta në prani të  Familjes, në Calvary Hospital, në  Bronx, NY.

Shërbimet Mortore kryhen Ditën e Martë , 4 Dhjetor 2018, duke filluar nga Ora 4.00 PM deri në 9.00 PM në  Shtëpinë  Mortore Farenga Brother në adresën:

920 Allerton Ave, Bronx, NY 10469-Telefoni i Funeralit: 718) 654-0500….

Telefoni i Familjes: 718- 881-1863.

I ndjeri la pas bashkë shorten Meri Kirka, djalin Krist Kirka me bashkëshorten dhe djalin, vajzën Laura me të bijën si dhe nipër e mbesa në  Masachusetss.

Niko pushoftë Paqë!

Ngushëllimet më të thella Familjes Kirka!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: nderroi jete, Niko Kirka

ELEGJI PER POETIN E MESUESIN DESHMOR….

November 29, 2018 by dgreca

Me rastin e 30 vjetorit të varjes në litar/

      1 Havzi Nela bust

      Nga Sami Repishti/

1-Sami-Repishti1-240x3002 havzi-nela1-Havzi-nela

…..nji vajtim për herojn që nuk jeton ma, për ate që dha shembullin e jetën, e  meritoi përjetësimin e emnit Havzi Nela! Dëshmori Havzi Nela ka qenë i fundit disident  i ekzekutuem në të gjithë Europën lindore komuniste….. Pushoftë në paqë!

Në shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të krahinës heroike të Lumës. lindi nji foshnje. Çdo foshnje ka nji emën. Emni i foshnjes ishte Havzi Nela.

Vogëlushi Havzi u rrit në gjiun e nji familje thellësisht tradicionale shqiptare, dhe u ushqye me brumin që nanat tona shqiptare i dhanë rinisë sonë për shekuj: dashuninë e pa kufi për liri!

Havziu u rrit, dhe bani nji emën: Havzi Nela, poet e mësues; dy veprimtari të privilegjueme që naltësojnë: njena, me frymën e sensitivitetit të shkrimtarit që don jetën dhe i këndon asaj e natyrës që e ushqen; dhe tjetra, me dritën që ndizet aty ku mbretnon terri, aty ku nga kaosi pa formë i errësinës, krijohet nji kosmos, nji botë  e ndritun dhe e organizueme mirë.

Ka qenë dhe mbetet ende andrra e çdo burri dhe e çdo gruaje me u plakë tue lanë nji emën të mirë. Emni i mirë: gjithmonë merita ma e madhe. Ashtu edhe për Havziun e ri që nuk shijoi vitet e pleqnisë së rehatëshme në gjiun e familjes që aq shumë deshti…nuk i shijoi sepse druni i pagdhenun në torturë, plumbi i zjarrët dhe litari i vrazhdë në grykën e të riut Havzi nuk e lejuen: e lodhën, e kërcënuen me ekzekutim, e përfunduen me aktin e tyne kriminel: me litarin në qafën e burrit revolucionar të Lumës heroike…. gjatë viteve të Shqipërisë së martirizueme!

Havzi Nela la jo vetëm emën të mirë; ai e tejkaloi ate. Ai la nji shembull heroizmi të rrallë, nji model të rezistencës kundër së keqes absolute që mundoi ate dhe bashkatdhetarët e tij, me nji akt suprem, koshient dhe të qartë. Jeta e tij mundi vdekjen, tue mos i lejue vetes nji vdekje që përfundon në botën e gjumit të përherëshëm….në harresë!

Havzi Nela jo!  Ai nuk i lejoi vdekjes me thanë fjalën e fundit. Ai u ngrit në naltësitë e epërta të herojve të mëdhej, figurave që tue përbuzë vdekjen hyjnë në legjendë, në nji botë ma të madhe se ajo e zakonshmja, e thjeshta, dhe vdeksorja, në nji botë ku vdekja nuk ka vend. Në nji moment suprem të revoltës, ai fitoi lirinë e vertetë, lirinë që farkëton me duert e veta fatin e vet. Liria e vertetë e mbinjerëzores!

Në botën që e shpërfilli u perjetësue emni i viktimës së vullnetshme me u sakrifikue në altarin e idealit…në kërkim e në gjetje të botës ideale që pranon  vetëm ata që e kerkojnë me zjarrin që i konsumon: herojtë dhe heroinat që me revoltimin e tyne na mbushin me krenari për qenien tonë pjesëtarë të së vetmes racë njerëzore.

Për të tjerët, për turmat, mbetet vetëm admirimi i aktit heroik.

Vdekja e heroit Havzi Nela, vrulli i tij revolucionar, na kujton  shprehjen e poetit rus Yevtushenko që shkroi:

”Dikush çdo herë duhet të jetë udhëheqës i nji breznie. Dikush duhet të lindë për këte mision. Përse jo njeni nga ju, nga ju të rinjtë?”

Përse jo nji i ri si Havzi Nela, pyes unë! Ai, i riu që pati guximin me shkrue në burgun e Qafë Barit, me 10 gusht 1983, këto fjalë monumentale:

” Shtylla qendrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qendron  Enver Hoxha!”

Në Republikën komuniste çeke ekzekutimi i fundit u ba në vitet e para të 1950’s; në Shqipëri, në vitin 1988, u var në litar nji i ri, poet e mësues, sepse i këndoj lirisë….

Dhe shokët e miqtë e Havzi Nelës që mbijetuen terrorin e kuq nuk dënuen me vdekje as edhe nji të vetëm kriminel komunist, as Aranit Çelën, as Rrapo Minën, as Zylyftar Ramizin që kanë pohue me gojën e tyne se kanë dënue me vdekje dhe torturue me qindëra kundërshtarë të komunizmit.Bota e re që andërronte                           Havziu ishte e betueme mos me përsëritë të kaluemen terroriste! Nuk u denue as gjykatësi kryesor, Fehmi Avdiu, që firmoi varjen e deshmorit, as kolegu Fatmira Laskaj që bashkëfirmoi….!

Gjate viteve të “pranverës arabe”, nji rebel libian kundwr diktatorit Khaddafi

shprehej: “Unë e due vdekjen e Khaddafit. Dhe jo vetëm nji herë, por me vdekë çdo minut, çdo orë, çdo ditë. Sepse për 42 vjet të gjata ai na vrau të gjithëve çdo minut dhe çdo orë!” Rebeli shqiptar, rebeli libian, dy guximtarë, mallkojnë diktatorin në emën të atyne që kanë humbë zanin…nga frika!

Me heshtjen e madhe para krimeve komuniste, shumica nuk pati guxim me deklarue se komunizmi në praktikë, manifestimi ma anti-njerëzor në historinë e njerëzimit, nuk ashtë mënyra e jetëve tona. Kjo mungesë guximi na nënvleftëson si qytetarë të lirë të vendit tonë. Nënvleftësimi këputë shkurt shpirtin tonë të inisiativës; na pushojmë së qenuni ma gjatë njerëz të lirë. Këtu qendron  përfundimi që shumë shqiptarë nuk kanë pasë guximin me refuzue qendrimin diktatorial, refuzimin e “diktaturës së proletariatit”.

Heshtja nën komunizëm na bani të gjithëve bashkëfajtorë. Skllavëria komuniste me frikën e saj korruptoi thellësisht qytetarin si individ dhe shqiptarët si shoqëni. Romakët e vjetër kishin shprehjen:”Qui tacit, consentire!”Kush heshtë, aprovon!

Degradim moral i plotë!, Si spjegohet që ditën e ekzekutimit të Havzi Nelës, rojet e kuqe talleshin me trupin e tij në litar, që era lëkundte sa këtej sa andej, sytë e tij të hapun sikur na shihte të gjithëve, tregon nji deshmitar, goja me buzët e gjakosuna sikur donte të fliste, gjoksin e hapun nga këmisha e shkyeme….ata e ngjitshin e zbritshin litarin për ….defrim; dhe nji opangë malësore që kishte ra në shesh, tashti përdorej si top futbolli nga ekzekutuesët….për sport; ndërkaq nga shikuesët nuk doli nji guximtar me protestue këte trajtim kaq barbar!

Mbetën vetëm herojtë e rezistencës anti-komuniste, – dy herë heroj sepse refuzuen hakmarrjen! – dhe dëshmorët që nuk kanë za me na ngushëllue, neve “viktimët”, që jemi na sot!. Nga bota ku banojnë, na inkurajojnë përsëri me farkëtue nji jetë autentike edhe për ata  që vuejnë nga pesha e fajit të kryem.

“Fajtorët”. Gjykim i ashpër! Në konditat tona të ndryshme me dhanë gjykime për sjelljet e të tjerëve, individuale e shoqënore, që në momentet e vështira të jetës nen diktaturë janë përkulë, ose janë thye, me gjykue me parimet e “absolutes” nuk ashtë nji gjest serioz. Poeti anglez Coleridge na ka falë shprehjen “Motiveless malignity”. (Ligësi pa motiv). Ka qenë “ligësia” e pakufishme e komunizmit që ka krijue këte gjendje të padëshirueshme….!

Si rrjedhim, sot përjetojmë degjenerimin e “udhëheqjes shtetnore e civile”, të shkaktueme nga shtypja dhe nënshtrimi i diktaturës, të pa aftë me rigjenerue me punë e me arsim –si mjetet e domosdoshme që sjellin përparimin dhe aftësinë tonë me shkrue historinë tonë me duert tona!  Na duem nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme dhe europiane, dhe duem ta ndërtojmë me duert tona…dhe nuk kemi sukses!

Fetarët kanë të drejtë me thanë: “ata që duen jetën shumë, e humbin atë”. Njikohësisht, vetë feja u formue me spjegue vdekjen, nji përpjekje me i dhanë nji kuptim “shkatërrimit të pareparueshëm” të jetës. Heroizmi e refuzon këte spjegim; ai e përballon dhe krijon pavdekshmëninë….aspekti heroik i njeriut, e vetmja krijesë që e din se do të vdesë …!

Shteti totalitar si ai i rregjimit komunist në vendin tonë kërkoi me shfrytëzue

plotësisht për vete çdo ekzistencë individuale nën maskën e “marshit të historisë”. Flitet për të “vërtetën” të justifikueshme nga “Historia””. Në përpjekjen e tij me i dhanë botës së lëvizëshme dhe të pasigurtë, “ngurrtësinë” dhe vërtetësinë e “fatit” të caktuem nga “Historia”,- tue zevendsue nji “histori” që formon njerëzit me njerëzit që shkruejnë historinë, shteti totalitar arrin në përfundimin që “justifikon” profecitë e “etënve” të sistemit, dhe krimet që e karakterizojnë. Me kërkesen që indvididi të heq dorë nga liria personale dhe se do të gjej atë vetëm në “shtet”, tek “arsyeja e shtetit” (la raisons d’état), e çfardo forme qoftë, krijon nji gjendje ku “Shteti” ka gjithmonë “arsye”. Nga kjo pozitë rrëshqitet në paligjëshmëni. Terrori vjen nji orë ma vonë!

Rregjimi komunist në Shqipëri, ashtu si në Egjiptin antik, u shëndrrue në nji fatalitet absolut. “I vetmi qendrim kundrejt nji bote jo të lirë ashtë me jetue nji jetë aq të lirë sa që vetë ekzistenca e juej ashtë nji akt rebelimi” plotëson Albert Camus. Rebelimi i Havzi Nelës ka qenë vetë ekzistenca e tij, përpjekja e tij me jetue i lirë në nji botë jo të lirë; akti heroik “në botën e asgjaje” ka qenë i vetmi mjet me ia arrijtë qellimit, pavarësisht nga çmimi i randë që paguhet me jetën– por që njikohësisht e shpëton jetën e tij nga “e zakonshmja” qe ai nuk pranonte!

*****

Sundimit absolut të udhëheqjes që përpiqet me përjetësue me aktet e shtypjes dhe shnjerëzimit të grupit komunist anti-jetë, u dalin sot përballë, me hezitim ndoshta, por me besim në fitoren e fundit, klasa e re në formim e sipër e të rinjëve që me punë e arsim avancojnë, dalë nga dalë, në shkallët e hypjes në pushtet. Sundimtarët që përballojnë këte klasë të re, pjellën e padëshirueshme të strategjisë së tyne, të pa aftë me e ndalë, të etshëm me e pengue, të sigurtë se ajo ashtë varr-rrëmihse e sistemit që e rriti pa e përkdhelë, e rendit shoqënor që e ushqeu pa e dashunue, dhe që e kercënon tashti me e perpi si nana-monstër e tragjedisë antike, dridhen nga frika që shkakton nji popull i zemruem!

Shqipëria, vendi ku bien dëshmorët dhe ngrihen herojtë, ashtë atdheu i Hafzi Nelës. Sot na vajtojmë këte dëshmor, dhe festojmë nderin e madh që heroizmi i tij i solli atdheut shqiptar. Sot, të gjithë ne ndjehemi kryenaltë -me përjashtim të kriminelëve komunistë.

Hafzi Nela, heroi i lirisë për të gjithë, dëshmor i demokracisë për katër miljonë shqiptarë skllavë modernë të komunizmit në Shqipëri, i masakruem me litar në grykë, ngrihet nalt madhështor, bir i Lumës heroike që dha jetën për pasionin e tij të lirisë me dritë hyjnore, vetëm dy vjet ma vonë, në 1990, e frymëzoi rininë studenteske shqiptare me u ngritë me guxim, me i thanë “Jo!” diktaturës së kuqe, me përmbysë tiranin e kuq dhe legjonet gjakatare të Satanit komunist, me rrëzue përtokë, pa ceremoni, tue e tërheq rrëshqanë satrapin aziatik që i zuni frymën nji kombi mbar. U shemb tirania enveriste nga grushtet e nji populli që lindi të rinj e të reja guximtare si lumjani Havzi Nela.

Havzi Nela, o vëlla i vuejtjeve të përbashkëta! Unë, viktimë e tri diktaturave në Shqipëri, gjunjëzohem me pervujtëni. Sot, e gjithë Shqipëria të falënderon, dhe historia e këtij vendi që na quejmë “Atdhe” të ka perqafue përjetësisht, dhe të ka vendosë në piedestalin e Pantheonit Kombëtar Shqiptar.

     I përjetëshëm qoftë kujtimi yt, o bir besnik i Lumës së shumëvuejtun e heroike! Pushofsh në paqë!

Ridgefield. CT. USA

28 nandor 2018

                                                                                        Sami  Repishti, Ph.D.

ish i burgosun politik

në Shqipërinë komuniste   (1946-56)

në Jugosllavinë komuniste (1959-60)

(Shkrim pjesë e librit mbi këte subjekt përgatitë nga Florin Zyberaj. Botimi në janar 2019)

Filed Under: Opinion Tagged With: E MESUESIN DESHMOR…., ELEGJI PER POETIN, Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 400
  • 401
  • 402
  • 403
  • 404
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT