• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOKUMENTA TË AGIMIT TË LIRISË

October 30, 2018 by dgreca

Në vigjilje të 106-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare/2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1Nga Frank SHKRELI/

Juve që kini për për fis trimërinë;/

                                   Që keni për memëdhe malet,/

                                   E shtëpi pyjet e lisit. –/

                                   s’e keni marrë vesh akoma,/

                                   që ai njeriu, që do të rroj i lirë,/

                                   s’pret ndihëm nga të huajt!?

                                   Lipset vet të thyej hekurat e tija,

                                   lipset me krah të tija, të rrembejë –Lirinë!!!

(Nga “La Nazione Albanese”, 15 Korrik, 1909)

Në numrin e revistës mujore kulturore “Leka”*, numri 4, prill, i viti 1937 botohej “Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane.  Memorandumi që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910) është një thirrje drejtuar jo vetëm Perandorisë Osmane, por edhe “Botës së qytetnueme të Evropës”, ku shprehen pakënaqësitë dhe padrejtësitë nga “Shqiptarët e Dalun Malevet” dhe në të cilin i paraqiten qeverisë otomane kërkesa specifike si dhe plotësimin  e tyre.  Ata shprehen se, “Me anën e ksaj, na Shqiptarët që gjindemi malevet, po paralajëmorjmë hyqymetin e sotshme të Perandorisë Ottomane si dhe gjithë botën e qytetnueme t’Evropës se i vetmi shkak që na jemi bamun firare edhe kemi dalë malevet ashtë Qeveria Ottomane vetë. Me të vërtetë, po të mos ishim bamun firare, kush na siguron se shumë prej nesh – në mos të gjithë –do të mos ishim varun,do të mos ishim burgosun, ose do të mos ishim bamun syrgjyn si shumë prej shokëve tonë, megjithqë nuk kemi  tjetër faj, përveç se Zoti na ka bamun Shqiptarë dhe na dëshirojmë që të aresohemi me anë të gjuhës  t’onë amtare dhe të vdesim Shqiptarë.”

Malësorët thonë në Memoradumin e tyre drejtuar Qeverisë Otomane dhe “botës së qytetënueme”– në një kohë kur Evropa i quante Shqiptarët njerëz të egjër barbarë e kundërshtarë të çdo përparimi, siç është shprehur At Gjergj Fishta në shkrimin Lot e Gjak  —  se ata nuk kanë dalë maleve për të rrëmbyer ose për të vrarë ndonjë njeri. “Përkundrazi”, theksojnë ata, “Kemi dalë për një qellim të shënjtë për me i kallzue botës se nuk jemi të kënaqun me Qeverinë e sotshme të Perandorisë Ottomane, për me protestue mbe botën e qytetnueme për të gjitha pa drejtësitë që ashtë tue bamë sot kjo Qeveri kundër Kombit Shqiptar dhe për me luftue deri me nji, derisa Qeveria turke të bindet dhe të mbushë kërkimet t’ona.”

 

Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.  Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre:

 

1)“Një falje të përgjithshme për të gjithë vëllaznit tonë Shqiptarë, qofshin ata

Musylmanë, qofshin Kristianë, të dënuem për politikë.

2)Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët, Musylmanë edhe Kristianë që të aresohen me anën e gjuhës amtare, me shkronjat tona kombtare.

3)Liri të plotë që të hapen të gjitha shkollat shqip të mbylluna prej Qeverisë; liri të plotë për të dalë të gjitha gazetat shqip të ndalume nga Qeveria dhe të hapunit e Shtypshkronjës Shqip që ka mbyllun Qeveria.”

 

Këto ishin tri kërkesat bazë të Memorandumit të malësorve kryengritës të “dalur maleve”, por ata njëherazi  ngulnin këmbë që qeveria otomane — për hir të qetësisë dhe përparimit të vendit të tyre – të plotësonte edhe një numër kërkesash të tjera. Kërkon që mësuesit të mos jenë turq, por shqiptarë, pasi “ata dijnë gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit”, dhe që qeveria të jepte, “Urdhër zyrtarisht që gjuha shqip të mësohet nepër të gjitha shkollat që gjënden në Shqipni, jo me shkronjat arabisht, por me shkronjat tona kombëtare.”

 

Duke paraqitur këto kërkesa, natyrisht, se pas pas 500-vjet robërimi otoman, ata kishin si shqetësim kryesor ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës e të kulturës shqiptare, por ishin të shqetësuar edhe për mirëqenjen e popullit në përgjithësi dhe konsideronin si të rëndësishëm edhe zhvillimin ekonomik  dhe bujqësor të vendit.  I kërkonin qeverisë otomane, “Të hapi Shkolla bujqësie, tregtare dhe normale në tre ose katër qytete të mëdha të Shqipënisë dhe që të gjitha shkrimet të jenë shqip me shkronjat tona kombëtare.”  Në memorandumin e tyre ata nuk shpreheshin kundër pagesës së taksave, por vendosmërisht kërkonin që ato, “të holla të përdoren për me bamun xhade dhe udhë të hekurta në Shqipni.” 

 

Këto ishin mjaft kërkesa të avancuara për atë kohë, nga një popull i shtypur për 500-vjet. Kërkonin që qeveria otomane, “Të hapi banka bujqësie, të cilat t‘u japin Shqiptarëve të holla për me blemun vegla dhe maqina për me punuem vendin e tyne dhe kështu të mundin të fitojnë për të rrojtur…”

 Madje, i bënin thirrje qeverisë otomane që “të lejojë kapitalin e huaj  të hyjë në Shqipëni, për tregti  e për bujqësi…por që këto kapitale të mos kenë prapa tyne ndonji propagandë të huaj…”

Përveç këtyre kërkesave, Memorandumi përmbante edhe një paralajmërim të fortë për qeverinë otomane dhe për botën tjetër nëqoftse këto kërkesa nuk do të plotësoheshin: “Le t’a dijë mirë e tanë bota e qytetnume dhe veçanërisht Qeveria e Perandorisë Ottomane, se të gjithë Shqiptarët, Toskë e Gegë, nuk do të pushojnë së luftuari për këto tri kërkime, që thamë më sipër…” dhe se , “Të gjithë me anën e kësaj, po e lajmërojmë hyqymetin e Turqisë se e morëm ftesën që na dërgoi, me anë të cilës na jepte haberin se na falë fajin që kemi bamun.?! dhe na këshillon që të zbresim nga malet dhe të kthehemi nëpër shtëpiat tona.”

“Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane, e që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910), vendosmërisht i përgjigjet qeverisë otomane duke i thënë se, “Fjala e jonë e fundit për Qeverinë Ottomane ashtë se nuk kemi bamun ndonji faj dhe nuk do të këthehemi të gjallë në katundet tona derisa kërkimet që numëruam në këtë shkresë do të mos mbushen dhe gjersa të mos marrim siguri të plotë se kurrë ndonjë herë tjetër do të mos shkelen” më, këto liri e të drejta.

*(Burimi: Revista e përmuajshme “Leka”, botim i klerit katolik shqiptar dhe organ i shoqatës LEKA, i themeluar më 9 dhjetor 1928 në Shkodër, shërbente si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike.  Numri i parë doli në qarkullim, në prill të vitit 1929.  Në vitin 1941, botimi i saj u ndërpre përkohësisht, ndërsa në vitin 1942 doli një botim i veçantë   me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Leka” do të   botohej deri në vitin 1944.

Filed Under: Opinion Tagged With: dokumenta, Frank shkreli, TË AGIMIT TË LIRISË

Dënim me vdekje për autorin e masakrës në Sinagogë

October 29, 2018 by dgreca

Kërkohet dënim me vdekje për të dyshuarin e masakrës në sinagogë/

1 sinagoge

Prokurorët amerikanë kanë thënë se janë duke kërkuar miratim për të dënuar me vdekje personin e akuzuar për të shtënat në një sinagogë në shtetin e Pensilvanisë, që ka rezultuar me 11 persona të vrarë.

Prokurori amerikan, Scott Brady ka thënë më 28 tetor se ai ka nisur procesin për të fituar miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions në rastin kundër Robert Bowers, që pritet të dalë para gjykatës më 29 tetor.

Sessions tashmë ka dhënë shenja se mund të miratojë dënim që mund të rezultojë si ndëshkim me vdekje.

Bowers, i cili ka postuar deklarata anti-semitike në faqe online të së djathtës ekstreme, është akuzuar për hyrje në një sinagogë në Pitsburg më 27 tetor dhe për nisje të të shtënave me armë zjarri, teksa ka bërtitur “Të gjithë hebrenjtë duhet të vdesin”.

Duke iu përgjigjur këtij sulmi, policia ka plagosur Bowersin dhe ka arrestuar atë.

Më shumë se 2,000 persona kanë qenë pjesë e një ceremonie për të përkujtuar të vdekurit derisa mijëra të tjerë kanë qëndruar jashtë objektit për nderuar viktimat.

Kjo tragjedi është dënuar nga politikanët amerikanë nga të gjitha partitë dhe liderët e Kanadasë, Gjermanisë, Francës, Kombeve të Bashkuara dhe vendeve tjera.

Një fushatë bamirëse nga dy grupe myslimane amerikane ka mbledhur afër 80.000 dollarë për t’iu ndihmuar familjarëve të viktimave.

Në këtë sulm janë plagosur edhe gjashtë persona të tjerë, duke përfshirë katër zyrtarë policorë.

Filed Under: Opinion Tagged With: denim me vdekje, e masakrës në Sinagogë, për autorin

PARA 25 VITESH RREZIKOI JETEN BASHKE ME FEMIJET, SOT IA KANE OKUPUAR SHTEPINE

October 26, 2018 by dgreca

NJË GRUA QË PARALAJMËROI VETEASGJËSIMIN ME GJITHË FËMIJË NË VITIN ‘1993, SOT IA KANË OKUPUAR SHTËPINË NË LUSHNJE/

1 Ora

– BISEDË ME POETEN BAJAME HOXHA- ÇELIKU, ISH E INTERNUAR NE KAMPIN E INTERNIMIT-SAVER-2 bajame

-Përshëndetje nga Nju Jorku, znj. Bajame!

-Përshëndetje z.Dalip Greca!

-Tek shfletoja këto ditë Gazetën lokale të Lushnjës ” Ora e Fjalës” që lindi në vitet e para të demokracisë, më ra në sy një shkrim shkruar prej meje në faqe të parë me titull:NJË GRUA PARALAJMËRON: Do të digjem më gjithë fëmijët nëse policia më nxjerr forcërisht nga shtëpia!

-Si e kujtoni ju znj. Bajame, atë përballje me policinë dhe pushtetin e kohës?

-E kujtoj si një histori mjaftë tronditëse z. Dalip. Historia e asaj dite ishte më e tmerrshme se gjithë internimi, dhe më tronditëse nga sa e kishit paraqitur juve në faqen e parë të gazetës”Ora e Fjalës”.

Si e qetësuat policinë?!

-Policinë e qetësoi bidoni me benzinë që u derdh gjatë korridorit, ku përveç tre fëmijëve të mi që tashmë kishin këmbët mbi të, kishin edhe policët të cilët ikën me vrap kur panë shkrepësen në duart e mia gati për ta ndezur. Do t’isha djegur me të tre fëmijët e mi të mitur,  pikërisht, atë ditë qershori të vitit 1993, në rast se: ju të medias dhe z. Myftar Brehama do t’ ishit vonuar edhe pak minuta.

–Më kujtohet zonja Hoxha, fare mirë ai moment tronditës. Po a mund ta kujtoni atë ngjarje, si e pati zanafillën?

– Qershor i vitit 1993. Akoma vazhdonim të jetonim në kampin e përqendrimit në Savër, të Lushnjes. Aty, kishim kryer si çift, burrë-grua, 70 vjet internim dëbim, me prindër të burgosur dhe të pushkatuar.

Kaluan dy vjet që prisnim shtetin të na hiqte nga kampi dhe të na jepte një apartament sipas ligjit që nxori:Kush ka bërë 25 vjet, internim dëbim, i takon një apartament falas sipas frymëve. Po ne me tre fëmijë, që kishim kryer 70 vjet, internim dëbim?!! Por dhe si çdo qytetar tjetër, që e përfitojë një banesë. Donim të jetonim larg kampit dhe atyre që na shihnin ende si armiq, dhe duke menduar se neve do të përfitonim jo vetëm lirinë, por dhe shumë gjëra të tjera, urrejtja për ne qe rritur aq shumë, sa ishin gati të na vinin para skuadrës së pushkatimit. Dhe tani mendoj:Kishin të drejtë, si mund të jetonin ata pa ne! Pa krahun e punës falas,  pa skllevër? Kush do t’ju a bënte punën e rëndë paskëtaj?!! Kë do demaskonin nëpër mbledhje, kë do diskriminonin e ofendonin pa pushim? Kë do shfrytëzonin në të ardhmen, kë?!! Me kë do merreshin? Si do ta nxirrnin kotheren e tyre që deri atëherë e kishin qyl?! Punonim ne, dhe ata bënin qejf duke tundur zinxhirin nëpër zyra e nëpër mezhda kanali ku ne punonim tekstualisht si skllevër.

Im shoq thoshte: Do presim ligjet! Shteti ka për të na stabilizuar edhe neve por duhet pak kohë. Unë e prita atë kohë të parashikuar, dhe ajo kohë nuk dukej të vinte, dhe as do dukej ndonjëherë ajo dritë jeshile.

Një paradite me lot në sy i drejtohem tim shoqi: S’po vjen ajo ditë dhe s’ka për të ardhur për ne! Po nuk lëvizëm vetë, me forcat tona, këtu do mbetemi! Ti s’je i zoti, ti po pret atë që s’do të vijë kurrë! Ai dëgjoj revoltën time, por një copë herë të gjatë nuk foli. Heshtja e tij s’po më pëlqente dhe përsëri u ndjeva me zë pak më të lartë, që s’ishte në natyrën time, por që isha aq shumë e revoltuar, e prekur nga ngjarjet, nga padrejtësitë që kishin nisur të bëheshin, nga korrupsioni që kishte marrë udhë për mos u ndalur kurrë, dhe vazhdova: Kampi po boshatiset nga të internuarit, ikën, ikën të gjithë nga sytë këmbët! Vetëm ne tre- katër familje të pa zonjat kemi mbetur. Kopshtet e fëmijëve në Lushnje janë adoptuar nga qytetarët, nga ata qytetarë që kanë shtëpi private, që kanë apartamente, që s’ju ka marrë shteti asgjë, që s’ju ka prekur as fijen e flokut, dhe po përfitojnë. Po përfitojnë padrejtësisht, e ne?! Ne që na mori shteti jetët, pasuri e shtëpi, që na shkatërroi katër breza, si po rrimë duar kryq? Nga kush shpreson? Unë me nënën tënde, Berishën e kemi takuar rastësisht të parat, na prezantoi i nderuari, daja im, atdhetari Idriz Basha, dhe ndër të tjera, kur e mori vesh Berisha se kush ishim, dhe se ku ishim akoma, na tha duke iu drejtuar nënës tënde: Prisni loke edhe pak ditë, do t’ju heqim që andej. Kaluan dy vjet e ai s’u kujtua më as për mua e as për nënën tënde të thinjur e të plakur burgjeve dhe internimeve. Ai vetëm premtoi.

Pas fjalëve të mia im shoq doli jashtë dhe kur u kthye pasdite rreth orë 15:00, m’u drejtua:

-Zemra, lajmëro te Azem Neza, se sonte natën do të adoptojmë një kopsht që e studiuam bashkë me Lin Kontin, i cili edhe ai ndodhet i pa strehë. Kopshti ishte pa fëmijë. dyert e dritaret ia kishin vjedhur, por ne do t’i zëmë me batanije apo çarçafë, verë është, vetëm të largohemi që këtu!

Në mesnatë kopshti dy kat, u adoptua. Katin e parë e mori roja i kopshtit që e ka edhe sot, dhe dy familje të tjera të pa internuara, që jetojnë dhe sot brenda tyre. Kurse Lin konti, ish i internuar si ne, nuk mori dot. Ne dy familjeve të internuara na mbeti vetëm kati i dytë, që kishte dy hyrje me dhomë- paradhomë, pa kuzhinë, pa dyer e dritare.

Në mëngjes arriti policia dhe duke na kërcënuar, duke na thyer ç’kishim, na kthyen në kamp. Natën ne përsëri të dy familjet nga Kampi hymë në kopsht. Përsëri policia e alarmuar arriti duke na tërhequr fëmijët bashkë dhe ne e na kthyen përsëri në kamp. Natën përsëri ne hymë në kopsht. Kjo u përsërit disa ditë-net me radhë. Një mëngjes siç e dini dhe ju zoti Greca, Unë e kisha mbyllur të vetmen portë që kishte mbetur ajo e jashtmja me shufra hekuri, me shumë çelësa dhe pranë derës, kisha vendosa një bidon të mbushur me benzinë. Këtë herë thashë: Të gjallë s’do na kthejnë dot më! (Kati parë largohej sa shihte policinë)

Mëngjesi erdhi i zhurmshëm si asnjëherë. Unë me fëmijët do luftonim me policinë e cila si mizë dheu e nxiu oborrin e madh. Makinat e policisë venin e vinin plot me policë dhe e nxinë edhe më oborrin. E pse mos të vinin, ishin të ngujuar armiqtë, terroristët, e duhej forcë e madhe policore. Ata kur e panë se dera qe mbyllur me shumë çelësa, vendosën supin e tyre për ta shqyer derën e për të kapur terroristët e vegjël që doçkat e tyre ishin të mbërthyera pas shufrave të hekurta të portës e po dridheshin. Ishin tre fëmijët e mi. Kur pashë se dera po shqyej, kapa bidonin e benzinës dhe e derdha nëpër korridor,  te këmbët e fëmijëve por dhe te këmbët e policëve arriti benzina. Në sekondë bërtitën dhe u larguan kur panë shkrepësen në duart e mia. Ata u larguan disa metra. Më vonë pasi u alarmua i gjithë qyteti, media dhe bashkia, kërkuan dialog me mua.

– Hape derën! – më urdhëroi komandanti i policëve.

-Jo, nuk e hap dhe mos tentoni!

Pasi kishte rënë një heshtje pas telefonatave të pa fund me eprorët e tyre, u dëgjua përsëri zëri i tij po këtë herë pak më i butë:

– Hape derën, duam vetëm të bisedojmë…

-Të bisedoni? Pse?! Pas këtyre bëmave doni të bisedoni me mua?!! Uaa! Kur u zbutët zotrote?! Jo, nuk e hap derën, largohuni!

– Nuk ju nxjerrim, morëm urdhër nga lart, ju do qëndroni, nuk ju lëviz më njeri.

– Largohuni! Thirra unë që brenda shufrave të portës.

– Kemi urdhër t’i qetësojmë gjërat, hape derën të futemi vetëm tre policë.

– Nuk e hap! Provojeni po deshët, rrëzojeni portën me sup.

– Vetëm do bisedojmë…

– E hap derën vetëm në besën e Myftar Brehamës, dhe të Gazetarit Dalip Greca. -Thashë unë. S’vonoi shumë erdhi i pari Myftari që asaj kohe ishte i veshur oficer policie. Djalë i internuar që ishim rritur bashkë. Ai pas hekurave unë brenda i thashë:

-Në besën tënde Myftar!

– Ç’është ajo fjalë, Bajame! Ne u rritëm bashkë internimeve…Dhe pashë se si atij iu mbushën sytë me lot.

– Vetëm në besën tënde mund ta hap derën, Myftar!- thirra unë, me një zë vajtimi. E dija se ai s’mund të kishte ndryshuar e të na hidhte poshtë ne. S’mund të hidhte poshtë një jetë të tërë në vuajtje e mjerim, për ato pak muaj që ishte punësuar. Isha e bindur: Ai më parë pranonte të zhvishte atë uniformë, se sa t’na dëmtonte. Ai pasi largoi policinë, përsëri u afrua te porta. U foli fëmijëve me dashuri, dhe vogëlushët e shihnin në bebe të syrit gjithë dashuri. Pastaj u kthye nga unë e tha duke më zgjatur dorën nëpërmjet shufrave prej hekuri:

– Në besën time, Bajame! Unë nuk hezitova, i zgjata dorën vëllazërisht:

– Në besën tënd Myftar! Shtrënguam duart dhe pas tij shoh dhe juve Z. Greca. Hapa derën dhe ju bashkë me mua e fëmijët e tmerruar, u ngjitët në katin e dytë ku ne do të banonim në të ardhmen.

–Ç’ndodhi me shtëpinë, a  u bë e juaja?

– Ç’të të tregoj më parë more gazetar i nderuar. Që nga ajo ditë neve jetuam  shumë vjet aty, duke ndërtuar shkallët prej betoni se roja që zuri katin poshtë, na i bllokoj shkallët, s’na linte të kalonim. Ne u detyruam me firmën “Shkreli” ndërtuam shkallët prej betoni, në një periudhë që s’kishim as bukë për fëmijët sepse ishim të dy pa punë. Pas shumë vitesh me forcat tona, mbuluam dhe çatinë se nisi të pikonte e gjithë shtëpia. Sa për dyer e dritare qëndruam gjatë pa to. Pastaj i vendosëm dhe ato. Vitet po ecnin, fëmijë po rriteshin, fituan konkurse dhe vajza e madhe vajti në liceun artistik në Tiranë, por, pa bursë shteti. Aq ngushtë ishim sa nuk i paguanim dot shkollën. Vajza 14 vjeçare, pa lejen tonë ishte tërhequr nga mensa, nuk hante më atje për të kursyer ato çika para që ne i merrnim borxh, sepse i duhej që me ato para, të blinte edhe penela, telajo e bojëra. Një ditë kuzhinierja më takon e më thotë: Fute vajzën në forcë sa më parë, se po të vdes nga uria.  Unë ndiqja studimet e larta në Elbasan dhe u punësova në arsim, në Pirrë, për disa vjet. Gjendja ekonomike tepër e rënduar, tre fëmijë në shkollë, im shoq, pa punë. Vajza mbaroi liceun dhe nisi studimet e larta në akademinë e lartë të arteve figurative dega grafikë. U desh të fitonte partia socialiste që vajza jonë të përfitonte një bursë nga shteti për në universitet. Ia di shumë për nder bashkisë, Mirela Lipes, dhe shefit të arsimit Fatbardh Rustemi, që nuk u kursyen por, dhanë ndihmën e tyre të menjëhershme. Kur vajza ishte në vit të dytë të akademisë, im shoq u punësua në ambasadën amerikane. Ashtu keq e keq u tërhoq në Tiranë gjysma e familjes. Unë mbeta në Lushnje me djalin në gjimnaz, e vajzën e vogël në tetëvjeçare. Së fundi dhe unë u pushova nga puna nga shefja e kuadrit. Shefi i seksionit të arsimit Fatbardh Rustemi, urdhëroi që unë të mos largohesha nga puna. Tashmë ishim kolegë, dhe anëtarë të lidhjes së shkrimtarëve. Së fundi, shtëpisë në Lushnjë ia vura çelësin dhe u nisa për në Tiranë, ku familja ime kishte zënë një hyrje të vogël me qira. Unë ndër kohë merresha me gazetari, dhe kisha botuar disa libra.

-Kanë kaluar 25 vite që nga ajo ngjarje a e hipotekuat sipas rregullave dhe ligjeve shtëpinë?

– Jo, nuk është hipotekuar akoma. Punën e zgjatur e merr lumi…Ne lëvizëm. Nuk ishim më të internuar. Ajo shtëpi ishte shtëpi halli një dhomë-paradhomë, kurse ne, ishim tre kurora. Por, ishim të sigurt që ajo banesë ishte bërë e jona, e s’e luante më as topi. Dhe që një ditë jo të largët, do na jepnin hipotekën. Ne kemi paguar me faturë matjet e banesës, dhe kemi plotësuar dokumentet e nevojshme për hipotekë sipas ligjit. Po për ne, kishte ardhur koha të lëviznim, të kërkonim sipas aftësive një jetë më të mirë, në kushte më të mira.

–Po ç’ndodhi më pas?

– Edhe në Tiranë punët nuk shkuan aq mirë. Premtimin se do na jepnin shtëpinë sipas ligjit, e do të na i jepnin në Tiranë, nga instituti i ish të përndjekurve politik dështoi. Nuk u mbajt dot fjala e dhënë. I kisha shkruar Berishës një letër që nga kopshti ku banoja, ku ia kisha qëndisur të gjitha të vërtetat, dhe se kërkoja shtëpinë që ma jepte ligji, e drejta ime, dhe që s’po vinte ajo e shkretë ditë. Mora përgjigje të paraqitesha te instituti i të përndjekurve, përgjigjen e kam ruajtur, e kam edhe sot si dokument, po shtëpi jo! Pra, na mbeti kopshti. Kur s’ke pulën, do hash sorrën!

-D.m.th. ?

– Domethënë, sot ma kanë marrë edhe kopshtin.

–Si ta morën?! E pamundur! Kush ndodhet sot atje?!

Tani brenda kopshtit banon një çift jevgjish, të cilët shitën apartamentin që përfituan nga ligji…shteti, dhe kanë dhunuar banesën time. Ishte e tmerrshme. Kur shkova të hapja derën e të hyja në shtëpinë time, e gjeta tëokupuar.

–U je drejtuar instancave përkatëse?

– Sigurisht që po, kam shkuar në polici disa herë. Më kanë pritur mirë, por kryetari më tha kur vajta për herë të dytë, a të tretë, po pres vendimin e Bashkisë.

–Bashkia sigurisht mbrojti të drejtën tuaj?

-jo, nuk është ashtu. Nënkryetarja e bashkisë, u soll shumë ashpër me mua. Kam shkuar nga Tirana me qindra herë, kam pritur para bashkisë me orë të tëra, dhe asnjëherë nuk jam lejuar të takoj Kryetarin e bashkisë. Si duket kjo shoqëri ka vendosur t’na dënojë përjetësisht.

–Zonja HoxhaAmund ta përshkruash betejën tuaj të dështuar për ta bërë tuajën me letra shtëpinë? Cili është pozicioni i organeve të pushtetit dhe ato ligj-zbatuese?

-Nën-kryetarja e bashkisë Teuta korreshi, me kompetencat e saja, i ka lëshuar asaj një dokument ku thotë:Kopshti është i shtetit. Dhe ajo me këtë në dorë thotë: banesa është e imja, s’është më e familjes Hoxha, është e imja. Teuta korreshi, më ka penguar të takohem me kryetarin e bashkisë, zotin Tushe. Një rast isha në zyrën e saj, kërkova që t’më lirohej banesa se do banoja vetë. Ajo pa pikën e logjikës më tha:

– S’kemi ku ta çojmë atë, por, po u privatizuan, shtëpia është e jotja.

– Moj zonjusha,Teuta,- i thashë – nuk dua shtëpi pas vdekjes,  kam kaq kohë që pres të më lirohet banesa ime, dua të futem në shtëpinë time! S’keni të drejtë të na nxirrni ne përjashta, e të mbroni fajtorin. Bëhu vetëm një herë e drejtë në jetën tënde moj vajzë! Jam pensioniste, nuk mund të paguaj më qira. Teuta u ngrit e më tha:

– Mbaroi takimi me mua! Kam mbledhje me kryetarin, tani, prandaj ik!

– Më lejo t’ia shtroj problemin kryetarit?

– jo, s’ka mundësi! Dil tani! Sakaq kishim mbërritur te paradhoma e kryetarit ku bëra të hyja. Ajo me Arturin, që të dy më mbërthyer e s’më lanë të hyja në zyrën e tij. Unë përsëri tentova edhe pse ata më kishin kapur nga krahët. Me një forcë të çuditshme u shkëputa nga krahët e tyre dhe shtyva derën. Sakaq e pashë veten para kryetarit të zhvatur prej tyre. Ata s’më mbajtën dot! Por çantën nga supi mundën t’ma zhvatin dhe e mbajtën. U futa por fryma po më merrej. Kryetari i bashkisë, e pa skenën vetëm kur unë u futa ashtu e ç’përfytyruar.

– Si hyre kështu, dhe pse? – pyeti njerëzishëm kryetari. –po sikur të të nxirrja jashtë?

– E dija, se një djalë si ty, nuk do ta bënte kurrë një xhest të tillë.-i thashë. Ia shpjegova të gjithë problemin, të gjithë padrejtësinë që më ishte bërë deri atëherë. I thashë: varësit e tu më kanë penguar gjithnjë të takohem me ju. S’kisha rrugë tjetër. Dy personat, burrë grua, që më kanë dhunuar shtëpinë, që më kanë vjedhur çdo gjë që kisha brenda, që më kanë zhdukur dhe shumë dokumente e të gjitha librat e shkrimet e mia të pa botuara, kanë zhdukur të gjitha pikturat e vajzës, kanë konsumuar edhe 500 mijë lekë të vjetra ujë, dhe nuk i kanë paguar. Ujin e kanë hapur në emrin e  tim shoqi, që ai s’është më. Kanë shpenzuar dhe s’i kanë paguar. Ndërkohë që unë te ujësjellësi e kisha mbyllur ujin.

-Ma vërteton këtë?-tha kryetari.

-Po, -i thashë.- po më parë, më duhet të marr çantën tek Teuta dhe Arturi që ma zhvatën. Atje e kam faturën. Sa mora çantën, kur hyra, kryetari po fliste me ujësjellësin ku vërtetoi thëniet e mia, dhe se ai çift ordiner, kudo që kishte jetuar nuk kishte paguar ujin. Pastaj i thashë: Ju i keni dhënë dhe një letër asaj, ku në të shkruhet:Kopshti është i shtetit.

-jo, unë s’kam lëshuar asnjë letër rreth kësaj, dhe s’kam dijeni.

– Atëherë, e di unë z. kryetar. Pyete Teutën, ajo e di pse e ka ndezur këtë konflikt.

– Shko se këtë punë do ta zgjidh unë.- më tha kryetari.

–Më në fund besoj se kryetari e ka çuar në vend këtë padrejtësi?

– Pas kësaj  dite, s’jam lidhur dot me kryetarin dhe s’e kam takuar dot. Jam lidhur shumë herë me Teuta Korreshin në telefon, deri sa më në fund, e lodhur prej saj, iu drejtova gjykatës. As atje nuk gjeta zgjidhje. Çifti dhunues i shtëpisë, paraqiti gjatë gjyqit letrën që i kishte dhënë bashkia, dhe unë, e humba gjyqin. Çifti evgjitë, që bëri allishverishe e matrapazllëqe me apartamentin e përfituar falas nga shteti, e shiti, dhe tani ai vazhdon të jetoj në banesën time pa kokëçarje , kurse unë, e ardhur nga persekutimet më çnjerëzore, nga internimet e tmerrshme, nxirrem  jashtë! E bukur drejtësi!

–Po familjet e tjera që nuk ishin të përndjekura politikisht e që përfituan banesat nga forca juaj, ku janë tani, i kanë hipotekuar shtëpitë?

– Çuditërisht asnjë nga ato familja nuk është ngacmuar. Edhe pse s’jetojnë të gjitha aty, i kanë kyçur dyert, dhe jetojnë të qetë atje ku kanë vajtur. Hyrjet nuk ua  ka ngacmuar kush. Si duket tek unë…

Ju sot, jeni një poete, një shkrimtare e njohur, që keni botuar 20  libra,që midis tyre dhe një libër dokumentar, dhe librat e tu janë përkthyer në shumë vende, a s’ka ndikuar sado pak pozitivisht kjo?

Mendoj se ky është shkaku i vuajtjeve në vazhdimz. Greca. Siç e ndoqe, këtu shkojnë mirë antivlerat.

Kërkesa dhe mesazhi juaj për organet ligj-zbatuese?

– Çfarë të them zoti Greca, ligji ishte Maliqi. Një fshat që duket s’do kallauz!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bisede me Bajame Hoxha-Çeliku, dalip greca, Shtepia e okupuar

FIGURE E NDRITUR E KULTURES SHQIPTARE

October 23, 2018 by dgreca

Alfred M. Uci

ALFRED M. UÇI (1930-2016)-PERKUSHTIM I THELLE ME RASTIN E DY-VJETORIT TE VDEKJES/

1-spiro-j-shetuni1

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI-Universiteti Winthrop-Rock Hill, South Carolina- U.S.A./

  • Filozof, estet, studiues i madh shqiptar!
  • Autor i një mali me libra akademikë të një niveli teoriko-shkencor të pakrahasueshëm!
  • Personalitet i mirënjohur shkencor brenda dhe jashtë Shqipërisë!
  • Figurë e ndritur e historisë, jetës dhe kulturës së kombit shqiptar! 

PARASHTRIM

Duke studiuar thellë librat akademikë të Uçit mbi estetikën, folklorin, letërsinë, artin, kulturën, shoqërinë, pa dyshim se, çdo studiues shqiptar i shkencave letrare e artistike, nxitet në punën e tij hulumtuese, frymëzohet në veprmitarinë e tij shkencore, pasurohet ndjeshëm përsa u takon njohurive të tij në tërësi, etj.  Nëse më lejoni që të shprehem në mënyrë të figurshme, me entusiazëm mund të them se, brenda veprës teorike të Uçit, idetë, mendimet, analizat, përgjithësismet, lidhen midis tyre ashtu sikurse gurët e mëdhenj të kështjellave mesjetare shqiptare.  Duke pasur një peshë kolosale, ata qëndrojnë fort bukur njëri mbi tjetrin.  Po ashtu, harmonizohen natyrshëm midis tyre.  S’është aspak e nevojshme që, për t’i lidhur gurët e mëdhenj njëri me tjetrin, të përdoren gurë të vegjël:  një veprim i tillë vetëm se do të cënonte monumentalitetin e tyre.  Pastaj, bari i egër, që mbin vazhdimisht midis gurëve të mëdhenj, sikur i bashkon ata në një mënyrë vërtet të mrekullueshme!  Nëse më lejoni që të shprehem në mënyrë realiste, gjithashtu me entusiazëm mund të them se, brenda veprës teorike uçiane, idetë, mendimet, analizat, përgjithësimet, lidhen së brendshmi midis tyre, plotësojnë njëri-tjetrin, shkojnë duke e rritur vazhdimisht ngarkesën logjike intelektuale.  Të thellë e të pasur, të bukur e të madhërishëm, parashtrimin e një objekti të caktuar, ata e shoqërojnë gjithmonë me vlerësimin e këtij objekti në plane të ndryshëm, mundësisht në çdo plan.

Sapoqë ke lexuar paragrafin e parë të një artikulli të Uçit, kërkon që të lexosh patjetër tërë artikullin e tij!  Sapoqë ke lexuar kapitullin e parë të një libri të Uçit, dëshiron që të lexosh patjetër tërë librin e tij!  Sapoqë ke lexuar një libër të Uçit, kërkon që të lexosh patjetër të gjithë librat e tjerë të tij!  Një dukuri e tillë vjen thjesht për shkak se, idetë, mendimet, analizat, përgjithësimet, që ata përmbajnë, janë të rëndësishëm.  Uçi të mahnit me gjerësinë e informacionit të librave të tij!  Uçi të mrekullon me pasurinë e informacionit të librave të tij!  Uçi të magjeps me thellësinë e informacionit të librave të tij!  Përmes ideve, mendimeve, analizave, përgjithësimeve të librave të Uçit, mendja e lexuesit ndriçohet fort, ndërsa shpirti i tij ngazëllehet pa masë!  Uçi është pa dyshim një dijetar i shquar, i madh, i pakrahasueshëm!  Brenda rretheve shkencoro-artistikë shqiptarë të çdo epoke historike, vetëm një numër i vogël figurash të tjera diturore mund të qëndrojë përkrah tij!

Formimin tim profesional si studius etnomuzikolog, unë ia detyroj, mbi të gjitha, pikërisht veprës teorike të Uçit.  Prandaj jam një ithtar i madh i tij.  Uçi ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë modeli im në jetë.  Jam i sigurtë se, përkrah meje, qëndrojnë shumë e shumë studiues të tjerë shqiptarë të shkencave letrare e artistike.  Sa më shumë që të kalojë koha, aq më tepër do të rritet edhe numri i tyre.

Filozofi, esteti, studiuesi i madh shqiptar, Alfred M. Uçi, mbylli sytë dy vite më parë, më 26 tetor të vitit 2016, në moshën 86-vjeçare.  Por, emri, jeta dhe vepra, që ai arriti të krijojë në dobi të kombit shqiptar, do të rrojnë përgjithmonë!  Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm se Uçi është një personalitet i vështirë, kompleks, shumë-dimensional, në këtë artikull, do të përpiqem që të vë në dukje shkurtimisht vetëm disa aspekte të jetës dhe veprimtarisë së tij.  Do të përpiqem, gjithashtu, të nxjerr në pah se si e kam njohur unë atë personalisht.  Kështu, shpresoj se, gjithsesi, do të hidhet sadopak dritë mbi figurën e tij.

DREJTUESI

Në gjysmën e dytë të shekullit XX, epiqendra e studimeve etnologjiko-folkloristike shqiptare ka qenë Instituti i Kulturës Popullore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, Shqipëri) (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit).  Ky institucion u ngrit në fund të viteve 70-të të shekullit XX si ristrukturim i Institutit të Folklorit, themeluar në vitet 50-të të njëjtit shekull.  Një qendër tjetër e rëndësishme kërkimoro-shkencore e historisë, jetës dhe kulturës shqiptare ka qenë Instituti Albanologjik i Prishtinës (Prishtinë, Kosovë), i cili u themelua në fund të viteve 60-të të shekullit XX.  Afërsisht, gjatë viteve 1979-87, plotësisht si një domosdoshmëri historike, si drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, ka qenë pikërisht Alfred M. Uçi.  Drejtues largpamës, atij i detyrohen një radhë meritash historike, përsa i takon studimit të aspekteve të identitetit etnik të kombit shqiptar, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.  Midis tyre, lejomëni që të përmend:

Së pari, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, u arrit që të sigurohet një armatë e tërë punonjësish shkencorë e ndihmës shkencorë.  Ai e dyfishoi numrin e punonjësve shkencorë të Institutit të Kulturës Popullore, duke tërhequr pranë këtij institucioni tërë studiuesit etnologë, të cilët më parë e ushtronin veprimtarinë e tyre shkencore pranë Institutit të Historisë.  Rrjedhimisht, krahas Sektorit të Folklorit Letrar dhe Sektorit të Muzikës e Koreografisë, të cilët ekzistonin qysh më parë brenda Institutit të Folklorit, tashmë institucionit të ristrukturuar iu shtuan edhe dy sektorë të tjerë:  Sektori i Kulturës Materiale dhe Sektori i Kulturës Shpirtërore.  Vështirë se mund të imagjinohet një organizim më i mirë i veprimtarisë kërkimoro-shkencore të një institucioni etnologjiko-folkloristik.

Së dyti, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, u bënë përpjekje serioze për të përgjithësuar teorikisht dukuri, çështje e aspekte të ndryshëm të kulturës tradicionale shqiptare.  Një arritje e tillë u bë e mundur përmes tri rrugësh kryesore:  i)  shtypit të specializuar në fushën e studimeve të kulturës tradicionale shqiptare;  ii)  monografive shkencore mbi muzikën tradicionale, vallëzimin tradicional dhe kulturën tradicionale shqiptare në tërësi;  iii)  veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si:  takime, simpoziume, konferenca, etj.  Në shtypin e specializuar, u botuan sistematikisht artikuj të shumtë studimorë mbi aspekte të muzikës tradicionale, vallëzimit tradicional dhe kulturës tradicionale shqiptare në tërësi.  Pa mohuar aspak rëndësinë e artikujve të botuar në shtypin qendror letraro-artistik dhe atë lokal të vendit, janë, në radhë të parë, artikujt e botuar në këtë lloj shtypi—shtypin e specializuar–, ata që i dhanë një shtysë të ndjeshme përparimit të mendimit shkencor folkloristik, etnologjik, etnomuzikologjik, etj.  Duke e nisur jetën e tij në vitet 60-të të shekullit XX, shtypi i specializuar në fushën e studimeve të kulturës tradicionale shqiptare, u rivitalizua në vitet 70-të të të njëjtit shekull.  Tashmë ai u përfaqësua nga tre organe të rëndësishëm shkencorë, që të tre pronë e Institutit të  Kulturës Popullore:

  • Revista Kultura popullore
  • Përmbledhësi Çështje të folklorit shqiptar
  • Përmbledhësi Etnografia shqiptare

Së treti, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, dolën në dritë një numër monografish akademike mbi aspekte të muzikës tradicionale, vallëzimit tradicional dhe kulturës tradicionale shqiptare në tërësi.  Po ashtu, u bë i mundur botimi i një numri veprash të rëndësishme në fushën e folklorit e të etnografisë shqiptare, brenda serisë Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar, si:  Epika legjendare, Epika historike, Fjalë të urta të popullit shqiptar, Këngë të Luftës Nacional-çlirimtare dhe të Ndërtimit Socialist, etj.

Së katërti, nën udhëheqjen shkencore të Uçit, s’kanë munguar as veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilave, kronologjikisht, lejomëni të vë në dukje:

  • Simpoziumi kombëtar “Festivali Folklorik Kombëtar 1978 dhe problemet aktuale të

shkencave etnografiko-folkloristike” (Tiranë, 1979)

  • Simpoziumi ndërkombëtar “Epika heroike shqiptare” (Tiranë, 1983)

Së pesti, janë botuar, pastaj, edhe përmbledhje studimesh kushtuar një zone të vetme etnografike, si:

  • Shpati i Sipërm: Gjurmime rreth kulturës popullore (Tiranë, 1987)

Së gjashti, me aftësitë e tij të shquara shkencore, Uçi i solli Institutit të Kulturës Popullore—tempullit të shkencave etnologjiko-folkloristike shqiptare—autoritetin e dëshiruar dhe të shumë-kërkuar shkencor, si nga rrethet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe nga rrethet shkencoro-artistikë në veçanti!

STUDIUESI

Brenda fushës së letërsisë e të arteve, autorët e veprave letraro-artistike, nga njëra anë, dhe autorët e veprave teoriko-shkencore, nga ana tjetër, bëhen të njohur duke kaluar përmes një rruge të ndryshme përsa i takon aspektit kohor:  moshës së tyre.  Një poet mund të bëhet i njohur në një moshë relativisht të re, ose shumë të re, madje përmes librit të tij të parë me poezi e poema!  Po kështu, një shkrimtar mund të bëhet i njohur në një moshë relativisht të re, ose shumë të re, madje përmes novelës, dramës, komedisë, romanit të tij të parë!  Mirëpo, një studiues vështirë se mund të bëhet i njohur në një moshë relativisht të re, ose shumë të re, përmes monografisë së tij të parë!  Si rregull, ajo del në dritë vetëm pas botimit të një numri të ndjeshëm artikujsh e studimesh, pra, në krahasim me librin e parë të një poeti o shkrimtari, nga pikëpamja e kohës, vjen relativisht më vonë, ose shumë më vonë.  Shprehje e vetë natyrës së veprimtarisë letraro-artistike, nga njëra anë, dhe asaj teoriko-shkencore, nga ana tjetër, një dukuri e tillë, është me karakter objektiv.

Ndërkohë, mund të pranohet se, shkalla e njohjes së një poeti, shkrimtari, studiuesi, etj., kushtëzohet, midis të tjerash, nga faktorë, si:  rrethi i lexuesve dhe koha e shqyrtimit të veprave.  Në përgjithësi, rrethi i lexuesve të veprave letraro-artistike, është më i gjerë, ose shumë më i gjerë, sesa rrethi i lexuesve të veprave teoriko-shkencore.  Po ashtu, veprat letraro-artistike, zakonisht, mund të shqyrtohen disi më shpejt, ose shumë më shpejt, sesa veprat teoriko-shkencore.  Sidoqoftë, kur poeti, shkrimtari, studiuesi, etj., arrijnë që të bëhen të mirënjohur, interesimi i shoqërisë për emrin, jetën dhe veprën e tyre rritet nga dita në ditë.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, mendimi intelektual shqiptar në fushën e letërsisë e të arteve, u pasurua ndjeshëm në saje të veprimtarisë kërkimoro-shkencore të një plejade të tërë studiuesish të mirënjohur.  Midis tyre, alfabetikisht, sipas mbiemrave, lejomëni që të përmend figura, si:  Koço Bihiku, Razi Brahimi, Jorgo Bulo, Nasho Jorgaqi, Adriatik Kallulli, Rexhep Qosja, Dalan Shapllo, etj.  Në dallim nga studiues të tjerë, brenda kësaj periudhe historike, Alfred M. Uçi u shqua më shumë si studiues i aspekteve estetikë të letërsisë e të artit shqiptar.  Në plan të përgjithshëm, përsa i takon përmbajtjes, veprimtaria e tij e pasur kërkimoro-shkencore, ndoshta do të mund të ndahej në katër kategori kryesore:

  • Kategoria e parë: Libra thjesht teorikë mbi estetikën, folklorin, letërsinë, artin, kulturën, shoqërinë, si:  Estetika, jeta arti (Uçi 1970), Probleme të estetikës (Uçi 1976), Labirentet e modernizmit:  kritika e estetikës moderniste (Uçi 1978), Mitologjia, folklori, letërsia (Uçi 1982), Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës (Uçi 1986), Estetika, vëll. I, vëll. II, vëll. III (Uçi 1986-1988), Estetika e groteskut, vëll. I, vëll. II, vëll. III, vëll. IV (Uçi 2001), Estetika në letërsinë shqipe (Uçi 2001), Paradigma të ndërgjegjes shoqërore bashkëkohore:  estetikë filozofike e politike, vëll. I, vëll. II (Uçi 2001), Universi estetik i atnikitetit greko-romak, vëll, I, vëll. II, vëll. III (Uçi 2004-2007), Estetika e folklorit (Uçi 2007), Klasika apo nonklasika, vëll. I, vëll. II (Uçi 2008), Ese dhe etyde filozofiko-estetike (Uçi 2015), etj.
  • Kategoria e dytë: Libra mbi figura të shquara të historisë, jetës e kulturës së kombit shqiptar, si:  Jani Vreto (Uçi 1965), Filozofia e Teodor Kavaliotit (Uçi 2004), Petro Nini Luarasi:  mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare (Uçi 2012), Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare (Uçi 2015), etj
  • Kategoria e tretë: Libra mbi figura të shquara të letërsisë e të artit shqiptar, si:  Grotesku kadarean:  Sprovë estetike për analizë stilistike (Uçi 1999), Parime të estetikës e Jeronim De Radës (Uçi 2003), Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi:  Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni (Uçi 2003), Estetika migjeniane:  fryma moderne në letërsinë shqipe (Uçi 2013), etj.
  • Kategoria e katërt: Libra mbi figura të shquara të letërsisë e të artit ndërkombëtar, si:  Shekspiri në botën shqiptare:  koncepti shekspirian i tragjikes (Uçi 1996), Dostojevski në kohën tone:  shënime kritiko-letrare (Uçi 1997), Ferr-parajsa danteske:  Komedia hyjnore (Uçi 1998), Prometeu dhe Hamleti (Uçi 1998, greqisht), Filozofia e “donkishotizmit” (Uçi 2010), etj.

Unë nuk jam aspak në gjendje që të krahasoj librat akademikë të Uçit midis tyre.  S’jam kurrsesi në gjendje që të nxjerr në pah se cilët janë librat më të mirë të këtij dijetari.  Por, me bindje të plotë, pranoj se, librat akademikë të Uçit, që të gjithë, janë vepra mjeshtërore klasike.  Ata qëndrojnë me dinjitet të lartë profesional brenda trashëgimisë më të mirë të kulturës së kombit shqiptar.  Librat akademikë të Uçit mbajnë, sigurisht, nënshkrimin e një dijetari me penë të artë, e një dijetari me aftësi hulumtuese që i kalon caqet e çdo lloj imagjinate, e një dijetari me mendje të ndritur!

Një analizë të mrekullueshme të veprës teorike të Uçit, ka bërë, midis të tjerëve, studiuesi i mirënjohur, Josif Papagjoni, në artikullin e tij akademik me titull Alfred Uçi:  Eseisti i fundit.  I ngazëllyar prej gjerësisë, pasurisë dhe thellësisë së veprës teorike uçiane, ai sjell një karakterizim të mprehtë të figurës së autorit të saj, kur shkruan:

“… në mendjen time, ai [Uçi] ka fjetur përherë në dimensionin më të madh të mundshëm, pa mëdyshje ndër ‘ikonat’ e pakta meritore të asaj çka kanë krijuar me punë akademikët e vërtetë shqiptarë.  …  Në 60 vjet punë të parreshtur, asnjëherë ‘barka’ e tij prej dijetari nuk lundroi mbi vetëkënaqësitë e mediokritetit, mburrjeve, zhurmës, farfurive dhe gjësendeve të rëndomta, përkundrazi …”  (Papagjoni 2016)

Thelbin e veprës teorike të Uçit e përbën, pa dyshim, doktrina e tij estetike.  Përmes saj, ai solli një ndihmesë të rëndësishme në një radhë drejtimesh, disa nga të cilët mbase do të mund të formuloheshin si më poshtë:  Së pari, përmes doktrinës së tij estetike, Uçi e institucionalizoi estetikën si shkencë në Shqipëri.  Rrjedhimisht, në arsimin e lartë shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX, ndodhi një mrekulli e vërtetë:  Nëse, afërsisht para vitit 1960, estetika thuajse nuk njihej fare si shkencë në botën arsimore e diturore shqiptare, pas këtij viti, ajo nis që të jepej si lëndë e veçantë teorike në disa fakultete të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në Institutin e Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve), etj.  Ndihmesa e Uçit si studiuesi që institucionalizoi estetikën në Shqipëri, është vënë aq bukur në dukje nga studiuesi i mirënjohur, Moikom Zeqo, në artikullin e tij akademik të titulluar Kujtimi i Alfred Uçit, kur shkruan:

“Nëse De Rada në shekullin XIX botoi traktatin e parë për estetikën, duke u bërë kështu një pionier i një hullie dhe mjeshtërie mendore të panjohur më parë për shqiptarët, në shekullin XX, Alfred Uçi u bë në Shqipëri zëri përurues i institucionalizimit të estetikës si shkencë e mëvetësishme.  …  Të jesh një pasardhës i De Radës nuk është pak, por ajo që bëri Alfred Uçi mund të quhet një vepër pioniere, që i dha qytetarinë përfundimtare estetikës në Shqipëri.”  (Zeqo 2016)

Së dyti, përmes doktrinës së tij estetike, Uçi i dha një shtysë të ndjeshme zhvillimit e përparimit të mendimit kritik letrar e artistik shiptar. Vepra teorike uçiane përbën një themel të fortë dituror për veprimtarinë e shkencave letrare e artistike shqiptare.  Po ashtu, ajo hap një horzont të madh dituror për veprimtarinë e shkencave të tilla.  Roli i veprës teorike të Uçit në veprimtarinë e studiuesve shqiptarë të shkencave letrare e artistike është i shumanshëm.  Disa aspekte të këtij roli, ndoshta do të mund të formuloheshin si vijon:

  • Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, fare mirë, mund të shuajnë etjen e tyre për dituri, sado e madhe qoftë ajo.
  • Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, mund të formohen më së miri teorikisht, thuajse në çdo drejtim të veprimtarisë së tyre shkencore.
  • Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, mund të përvetësojnë metodologjinë e nevojshme për shqyrtimin e dukurive të ndryshme të estetikës, folklorit, letërsisë, artit, kulturës, shoqërisë.
  • Përmes veprës teorike uçiane, studiuesit shqiptarë të shkencave letrare e artistike, mund të njohin nocionet, konceptet, kategoritë estetike, të domosdoshme për veprimtarinë e tyre hulumtuese.

Së treti, përmes veprës së tij teorike, Uçi vlerësoi disa nga figurat më të shquara të historisë, jetës e kulturës së kombit shqiptar, si:  Teodor Kavalioti (1718-1789), Jeronim De Rada (1814-1903), Jani Vreto (1822-1900), Naim Bej Frashëri (1846-1900), Petro Nini Luarasi (1864-1911), etj.

Së katërti, përmes veprës së tij teorike, Uçi vlerësoi, gjithashtu, disa nga figurat më të shquara të letërsisë e të artit shqiptar, si:  Naim Bej Frashëri (1846-1900), Gjergj Fishta (1871-1940), Faik Konica (1875-1942), Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) (1907-1967), Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla) (1911-1938), Ismail Kadare (1936-), etj.

Më në fund, përmes veprës së tij teorike, Uçi vlerësoi disa nga figurat më të shquara të letërsisë e të artit ndërkombëtar, si:  Dante Aligieri (c. 1265-1321), Miguel de Servantes (1547-1616), Uilliam Shekspir (1564-1616), Fjodor Dostojevski (1821-1881), etj.  Në këtë aspekt, ai n’a kujton aq shumë figurën e Theofan S. Nolit.  Që të dy—Noli dhe Uçi—s’rreshtën që t’u bënin të njohur shqiptarëve dukuri të kulturës së popujve të tjerë.  Por, nëse Noli bëri më shumë shqipërime të disa prej kryeveprave të letërsisë ndërkombëtare. Uçi shqyrtoi mendimin teorik e estetik të disa prej figurave më të shquara të kësaj letërsie.

NJERIU

Uçi-studiues dhe Uçi-njeri janë dy aspekte të të njëjtit person, aspekte të cilët plotësojnë njëri-tjetrin.  Por, ndërsa Uçi-studiues mund të shqyrtohet duke studiuar veprën e tij teorike, Uçi-njeri nënkupton njohjen e tij nga afër.  Duke e pasur Uçin si Drejtor për vite të tërë me radhë (1981-87), kur punova si Punonjës Shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore, m’u dha mundësia që t’a njihja atë edhe si njeri.  Natyrën e tij të veçantë, unë do të doja që t’a karakterizoja, shkurtimisht, si më poshtë:

  • Në paraqitjen tërësore të tij, ai shfaqte një lloj krenarie të veçantë, të hijshme, të pëlqyeshme! (Atë ndoshta e sillte, midis të tjerash, gëzimi i brendshëm që shkaktonte vetë veprimtaria e tij aq e frytshme kërkimoro-shkencore.)
  • Ai ishte, sa serioz, aq edhe miqësor; sa i përqëndruar, aq edhe i hapur;  sa i ditur, aq edhe i thjeshtë!
  • Ai nuk fliste kurrë për librat e tij akademikë.
  • Ai kishte një kujtesë të fortë: nuk shfaqte asnjë lloj hutimi (sikurse ndodh, herë-herë, me akademikë të shquar.)
  • Njeri i jashtzakonshëm, ai udhëhiqte, në radhë të parë, përmes vetë punës së tij të madhe: botimit sistematik të librave akademikë.
  • Ai i trajtonte vartësit e tij—punonjësit shkencorë ose ndihmës-shkencorë—gjithmonë me drejtësi, me dinjitet dhe me respekt.
  • Ai i lexonte artikujt tanë, që do të botoheshin në organet shkencorë të Institutit të Kulturës Popullore, –revista Kultara popullore, përmbledhësi Çështje të foklorit shqiptar, përmbledhësi Etnografia shqiptare—me vëmendje të posaçme, duke vënë në dukje objektivisht, si meritat, ashtu edhe mangësitë.
  • Përgatitja e tij teoriko-estetiko-filozofike ishte, sigurisht, e pakrahasueshme: e gjerë, e pasur, e thellë!  Por, ai asnjëherë nuk iu impononte të tjerëve mendimet e tij.  Gjatë diskutimeve të ndryshëm, që organizoheshin vazhdimisht në Institut, ne, punonjësit shkencorë, —vartës të tij–vetëm se vlerësonim lart mendimet që ai shprehte:  i pranonim ato me bindje të plotë si mendime shkencoro-profesionale objektive.

                                                                                     EPISODE

Kur Uçi u emërua si Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, unë u gëzova pa masë!  Mendova se, një njeri i ditur si ai, sidoqoftë, do të simpatizohej me përpjekjet e një studiuesi të ri, që, sa me dëshpërim, aq edhe me entusiazëm, kërkon të gjejë rrugën e tij në jetë.  Unë doja të ëndërroja se, një ditë, Uçi, ndoshta do të mund të më tërhiqte me punë në institucionin që ai drejtonte.  Por, realizimi i një ëndrre të tillë, kishte përpara pengesa serioze, të cilat i sillte e mallkuara luftë e klasave:  parimi që Partia Komuniste e Shqipërisë ndiqte sistematikisht në jetën politiko-shoqërore.  Në muajin gusht të vitit 1975, për arsye thjesht politike, mjerisht, mua më kishin shpërngulur nga Tirana, megjithse, para një viti, kisha qenë emëruar zyrtarisht si pedagog, pranë Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)!  Uçi e dinte shumë mirë një ngjarje të tillë.  Sidoqoftë, në sytë e tij, unë kurrë nuk lexova pesimizëm, por gjthmonë besim se mund të transferohesha vërtet në tempullin e shkencave etnologjiko-folkloristike shqiptare, aq të dëshiruar prej meje.  (Endrra ime u bë realitet vetëm në saje të dashamirësisë, fisnikërisë dhe parimësisë së tij të madhe!)

Më lejoni që, në mënyrë kronologjike, të jap shkurtimisht disa episode të marrdhënieve të mia me Uçin.  Duke qenë se kanë ndodhur brenda një konteksti jetësor, përmes tyre, dalin qartë në pah, si tipare të Uçit-studiues, ashtu edhe tipare të Uçit-njeri.  Tipare të tillë, të cilët, në asnjë rast, nuk mund të ndahen njëri nga tjetri, e tregojnë, si figurën e studiuesit, ashtu edhe atë të njeriut, në një dritë plotësisht të vërtetë.

Episodi i parë:  Takimi i ëndërruar prej vitesh

Në muajin shtator të vitit 1973, duke shëtitur nëpër rrugët e Tiranës, unë, një student i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë, si rrastësisht, pashë në vitrinat e një librarie të kryeqytetit librin teorik me titull Estetika, jeta, arti.  Ai ishte shkruar nga Alfred Uçi.  E bleva menjëherë.  Për fatin tonë të madh, libri shërbeu si tekst mësimor bazë në lëndën Estetika, e cila jepej në Institutin e Lartë të Arteve.

Pasi bleva librin e titulluar Estetika, jeta, arti, unë doja që patjetër të njihja sa më parë autorin e tij:  Uçin.  Prandaj, një paradite, vendosa që të shkoj në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare, duke shpresuar se ai do të ndodhej atje.  Shkoj drejt tek Përgjegjësja e Sallës Shkencore, prezantohem dhe e pyes atë nëse Uçi ndodhej në Sallë.  Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë Sallës Shkencore, duke buzëqeshur, ajo më thotë:  “Tani për tani, Uçi nuk ndodhet në Sallë.  Ejani një ditë tjetër, por mos ejani gjatë orëve të paraditës.  Uçi studion vazhdimisht këtu, por, zakonisht, ai vjen gjate orëve të pasdrekës.”

Kur vajta ditën tjetër në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare, Përgjegjësja e Sallës, sa më pa, duke buzëqeshur, më tha:  “Ja, ku është Uçi.  Ai studion gjithmonë në të njëjtën tavolinë.”  Pasi falenderoj Përgjegjësen e Sallës, tërë ndrojtje, bëj disa hapa drejt tavolinës ku studionte Uçi, duke synuar që të prezantohesha.  Por, emocionet e forta nuk më lejuan …  Do të kalonin gjashtë vite të tjerë që unë të kisha fatin për të zhvilluar bisedën e parë me ‘të.

Në takimin e parë, në muajin mars të vitit 1979, Uçi—tashmë Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore–donte të dinte për origjinën, për familjen, për vend-banimin tim.  (Kur i thashë:  “Unë jam arumun,” ai vazhdoi:  “Edhe gruaja ime, Rozeta, është arumune.”)  Uçi donte të mësonte, gjithashtu, për shkollimin tim, për artikujt që kisha botuar derimë atëherë, për interesat e mia shkencore në përgjithësi, etj.  (Ndërkohë, iu përgjigj negativisht kërkesës sime që të pinim një kafe!  Sipas gjykimit tim, një veprim i tillë s’ishte vetëm se një tregues tjetër i personalitetit të tij të veçantë!”)

Episodi i dytë:  Diskutimi i kumtesës me titull “Dukuri novatore të këngës shumë-zërëshe labe”

Sapo u emërua si Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, Uç ndërmorri organizimin e simpoziumit kombëtar me temë Festivali Folklorik Kombëtar 1978 dhe problemet aktuale të shkencave etnografiko-folkloristike.  Një veprimtari e tillë u mbajt në Pallatin e Kulturës, në Tiranë, në datat 28-29 qershor, 1979.  E nënshkruar nga vetë Uçi, ftesa për të marrë pjesë në këtë tubim shkencor të rëndësishëm, më gëzoi shumë!  Unë e titullova kumtesën që do të mbaja Dukuri novatore të këngës shumë-zërëshe labe.  Gati dy javë përpara Simpoziumit, si çdo kumtesë tjetër, edhe e imja iu nënshtrua një diskutimi të gjerë shkencor.  Me këtë rast, dëshiroj që të vë në dukje se, gjatë diskutimit, vlerësimet dhe vërejtjet më me vend, u bënë prej Uçit.  Më në fund, në prani të një numri studiuesih folkloristë, etnologë e etnomuzikologë me përvojë, pasi u drejtua ndaj meje, dashamirësisht, ai tha:  “Duke gjykuar prej kësaj kumtese, mund të them se, megjithse i ri, ti di sesi t’a mbash penën në dorë!”  Sapo dëgjova këto fjalë, u mrekullova!  Unë nuk e dija se Uçi e kishte pëlqyer vërtet kumtesën time!  Madje, deri atëherë, në përgjithësi, s’isha shumë i sigurtë nëse shkruaja me një nivel të kënaqshëm!  Vlerësim më të mirë nuk do të kisha ëndërruar ndonjëherë në jetën time!  Isha gati që t’a përshkoja rrugën e kthimit Tiranë-Tepelenë më këmbë!

Episodi i tretë:  Rëndësia e formimit teoriko-estetik në veprimtarinë e një etnomuzikologu 

Unë nuk mësova vetëm prej librave akademikë të Uçit:  mësova, gjithashtu, prej përvojës së tij të madhe si studiues.  Gjatë viteve që punova si Punonjës Shkencor pranë Institutit të Kulturës Popullore (1981-92), unë studioja në një dhomë të vogël, brenda së cilës fatmirësisht kishte edhe një piano.  Gjatë orëve të punës, si për t’u çlodhur, nuk ngurroja që të ushtrohesha në tastierën e këtij instrumenti me aftësi shprehëse të pakufishme.  Luaja me kujdes tepër të madh që të mos shqetësoja punonjësit e tjerë shkencorë.  Duke qenë i ri në profesion, unë, në atë kohë, mendoja, pak a shumë, në këtë mënyrë:  “Eshtë fat i madh që mund të luaj sadopak në piano!  Sa më shumë që të ushtrohem, aq më i përgatitur do të arrij që të bëhem edhe si studiues!  Procesi i të ushtruarit në një instrument muzikor e nxit drejtpërsëdrejti procesin e studimit teorik të muzikës tradicionale o profesioniste!  S’ka sesi të jetë ndryshe!”  Vazhdova të mendoj e veproj kështu për muaj e vite të tërë me radhë.  Por, një ditë, si rastësisht, ndodhi diçka që i ndryshoi përgjithmonë idetë dhe veprimet e mia, përsa i takon rolit që luan të ushtruarit në një instrument muzikor në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu.

Atë ditë, në orën 10:00 të mengjezit, do të organizohej diskutimi i disertacionit të një punonjësi shkencor etnomuzikolog, i cili e paraqiste atë për të mbrojtur gradën shkencore Kandidat i Shkencave.  (Sipas sistemit të atëhershëm të kualifikimit shkencor pas-universitar, kjo gradë merrej përpara gradës Doktor i Shkencave.  Kështu, ndiqej modeli i vendeve të Europës Lindore dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.  Në ditët tona, një gradë e tillë, nuk jepet më as në Shqipëri.  Sipas modelit të vendeve të Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë ajo është zëvendësuar me gradën Doktor i Shkencave.)  Siç mund të merret me mend, një diskutim i tillë ishte tepër i rëndësishëm.  Ne, punonjësit shkencorë etnomuzikologë, e kishim studiuar disertacionin qysh disa ditë më parë.  Filloi diskutimi.  Ishte kërkesë e Uçit, si Drejtor i Institutit, që, çdo punonjës shkencor, të diskutonte mbi disertacionin në fjalë:  të vinte në dukje meritat, metodologjinë, analizat muzikore, mangësitë e mundshme, etj.  Pasi diskutuan të gjithë punonjësit shkencorë me radhë, fjalën e mori vetë ai:  Uçi.  Përqëndrimi im ishte tepër i madh:  doja që të kuptoja se, në çfarë mënyre do të mund t’a vlerësonte ai një vepër etnomuzikologjike.  Më tërhoqën vëmendjen sidomos çështje, si:  konteksti brenda të cilit ai e përfshiu disertacionin, analizat që bëri, nocionet estetike që përdori, përfundimet në të cilat arriti, etj.  Në çast, unë pata një tronditje të madhe psikologjiko-emocionale.  Me vete mendova:  “Uçi nuk është muzicien!  Ai nuk luan në piano!  Ai nuk transkripton këngë, pjesë muzikore instrumentore, valle traditionale!  Ai madje nuk njeh as shkrimin muzikor!  Megjithatë, diskutimi i tij mbi një libër entomuzikologjik, solli, pa dyshim, ide të rëndësishme, që n’a hapën horizont të gjithëve!”  Diskutimi i Uçit, ndërsa, nga njëra anë, më frymëzoi pa masë, nga ana tjetër, i përmbysi një herë e mirë mendimet dhe veprimet e mia, përsa i takon rolit që luan të ushtruarit në një instrument muzikor në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu.  Megjithse duket e tepërt, sërish nënvizoj faktin se, në vend që të vazhdoja të humbisja kohë duke luajtur qetësisht në piano, unë tashmë u përqëndrova edhe më shumë në studimin e librave teorikë, një pjesë e mirë e të cilëve qëndronte vazhdimisht aty, mbi tavolinën time të punës.  (Sidoqoftë, përmes episodit të mësipërm, në asnjë mënyrë nuk dua që të nënvlerësoj sadopak rolin e rëndësishëm e të pazëvendësueshëm që luan përgatitja thjesht artistiko-muzikore, pra, edhe aftësia për të luajtur në një instrument muzikor, në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu.  Pa një përgatitje të tillë, s’ka sesi të arrihen, midis të tjerash, analizat muzikore, të cilat janë aq të domosdoshme në një studim etnomuzikologjik ose muzikologjik.  Përmes episodit të lartpërmendur, doja vetëm që të nënivizoja rëndësinë e madhe të përgatitjes teoriko-estetike në veprimtarinë e një etnomuzikologu ose muzikologu.)

Episodi i katërt:  E papritura e simpoziumit “Epika heroike shqiptare”

Simpoziumi ndërkombëtar me temë Epika heroike shqiptare u mbajt në Muzeumin Historik Kombëtar, në Tiranë, në datat 20—22 tetor, 1983.  Në këtë tubim të rëndësishëm shkencor morën pjesë studiues shqiptarë të fushave të ndryshme diturore:  folkloristë, etnologë, etnomuzikologë, gjuhëtarë, shkrimtarë, etj.  Po ashtu, morën pjesë edhe mjaft studiues ndërkombëtarë.  Duhet thënë se, Simpoziumi ndiqej nga shumë pjesmarrës, të cilët dukeshin vërtet entusiaztë.  Për këtë veprimtari, unë kisha përgatitur kumtesën me titull Përmbajtja ideo-emocionale e muzikës së eposit heroik legjendar.  Sipas programit, duhet që t’a mbaja atë gjatë ditës së tretë dhe të fundit të tubimit.  Siç mund të merret me mend, mezi e prisja një moment të tillë.  Mirëpo, në mbarim të ditës së dytë të Simpoziumit, Uçi zhvillon një mbledhje me të gjithë punonjësit shkencorë, të cilët s’i kishin mbajtur ende kumtesat.  Aty ai n’a njoftoi se, gjatë ditës së tretë, Simpoziumi mund t’i kufizonte punimet e tij.  Rrjedhimisht, disa kumtesa nuk do të mbaheshin.  Unë s’e prita mirë një njoftim të tillë!  Sidoqoftë, kumtesa ime nuk u mbajt!   Me mbarimin e Simpoziumit, Uçi zhvilloi një mbledhje të shkurtër me të gjithë punonjësit shkencoë të Institutit, duke i falenderuar ata për ndihmesën e tyre në mbarëvajten e kësaj veprimtarie.  Përsa më takonte mua, unë nuk meritoja asnjë lloj falenderimi, sepse nuk mbajta kumtesë.  Për më tepër, kuptova se, Uçi kishte dashur që unë të kisha shprehur i pari dakortësinë për të mos e mbajtur kumtesën.  Kështu, dashur-padashur, përkohësisht, sikur u krijua një lloj ftohjeje në marrdhëniet tona.  Për ditë e javë të tëra me radhë, unë e kisha shumë të vështirër të harroja situatën e krijuar gjatë Simpoziumit, çka pasqyrohej drejtpërdrejt në gjendjen time të rënë shpirtërore.  Por, ishte Uçi vetë, ai që e ndryshoi një gjendje të tillë:  Përmes një bisede që kërkoi të bënte me mua, ai më tha se, tashmë e konsideronte të kapërcyer ndodhinë e Simpoziumit.  Kështu, arrita edhe një herë në përfundimin se, ai nuk ishte vetëm një studiues i madh, por edhe një njeri i rrallë!  Eshtë fat të kesh eprorë të tillë!

Episodi i pestë:  Nxitje e principtë në veprimtarinë time studimore

Një ditë, rreth orës 11 të paraditës, sekretarja e Uçit më njofton se, ai donte të më takonte në zyrën e tij.  Vajta menjëherë, pothuajse pa marrë mirë frymë.  Fillimisht, ai më pyeti se, si shkonte puna studimore në drejtim të përfundimit të disertacionit me temë Polifonia labe.  Por, siç kuptova, qëllimi i tij kryesor në këtë takim ishte një çështje tjetër:  nxitja që unë të studioja, shkruaja e botoja sa më shumë.  Duke i peshuar fort fjalët, me një ton të ngadalshëm bashkë-bisedues, me një pamje sa serioze, aq edhe miqësore në fytyrë, ai u shpreh:  “Studio!  Studio!  Studio!  Studio sa më shumë1  Shkruaj!  Shkruaj!  Shkruaj!  Shkruaj sa më shumë!  Boto!  Boto!  Boto!  Boto sa më shumë!  Vetëm në këtë mënyrë ti do të bëhesh një autoritet i etnomuzikologjisë shqiptare.”  Kështu, takova sërish, sa dijetarin e madh, aq edhe njeriun e rallë!  U largova prej tij me një ndjenjë frymëzimi e mirënjohjeje të thellë!  

Episodi i gjashtë:  Diskutim mbi disertacionin me temë “Polifonia labe”

Në muajin maj të vitit 1988, unë mbrojta gradën shkencore Kandidat i Shkencave, me librin akademik të titulluar Polifonia labe.  Gjatë procesit të diskutimit në Këshillin Shkencor të Institutit të Kulturës Popullore, i pari e mori fjalën Uçi–tashmë Ministër i Kulturës i Repulikës së Shqipërisë.  Propozimi i tij ishte që disertacioni të kalonte për gradën shkencore Doktor i Shkencave.  (Sipas sistemit të atëhershëm të kualifikimit shkencor pas-universitar, kjo gradë, rregullisht, merrej vetëm pas gradës Kandidat i Shkencave.)  Një propozim i tillë, siç duket, s’u pëlqeu aq shumë anëtarëve të nderuar të Këshillit Shkencor!  (Të mos harrojmë se, asnjëri prej tyre s’kishte gradën Doktor i Shkencave.)  Prandaj, ata bënë ç’është e mundur që, pasi e vonuan dramatikisht vendimin, në fund të fundit, disertacioni të kalonte për gradën Kandidat i Shkencave!  Sidoqoftë, unë do t’a kujtoj gjithmonë propozimin e Uçit si shprehje të objektivitetit të tij shkencor!      

Gjatë viteve të mërgimit tim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, korrespondenca ime me Uçin ka qenë e vazhdueshme.  Studuesi i madh dhe njeriu i thjeshtë iu përgjigjej vazhdimisht në kohë letrave të mia.  Duke qenë se, ato, herë-herë, nuk mundnin që të fshihnin, as mallin tim të madh për atdheun e dashur dhe as vështirësitë dramatike, që kaloja për t’u përshtatur në mjedisin e ri shoqëror, ai më jepte zemër në një mënyrë të tillë që vetëm një mendimtar i madh mund t’a bëjë.

EPILOG

Në përfundim të këtij artikulli, më lejoni që të vij me një radhë çështjesh themelore, përsa i takon emrit, jetës dhe veprës së Alfred M. Uçit, si:

  • Çfarë vendi zë, vallë, Uçi në historinë, jetën dhe kulturën e kombit shqiptar?
  • Në çfarë kategorie krijuesish e studiuesish mund dhe duhet vendosur, vallë, ai?
  • Cili është, vallë, grupi i veprave teoriko-shkencore, brenda fushës së letërsisë e të arteve, ku mund dhe duhet të hyjë vepra e tij?
  • Vallë, ku qëndron, në thelb, ndihmesa e Uçit si filozof, estet, studiues i madh shqiptar?

Çështja e rëndësishme se, çfarë vendi zë Uçi në historinë, jetën dhe kulturën e kombit shqiptar, me siguri që do të vlerësohet nga rrethet shoqërorë në përgjithësi dhe ata shkencoro-artistikë në veçanti.  Sigurisht, një çështje e tillë, do të qartësohet edhe më mirë me kalimin e kohës.  Por, duke qenë një ithtar entusiast i Uçit, unë dëshiroj që të shpreh mendimin tim, modest e të sinqertë, rreth saj, qysh tani.

Që të arrijmë t’i japim një përgjigje sa më objektive çështjes se, çfarë vendi zë Uçi në historinë, jetën dhe kulturën e kombit shqiptar, mund dhe duhet që t’i drejtohemi, në radhë të parë, pikërisht veprës së studiuesit.  E gjerë, e pasur dhe e thellë, në tërësinë e saj, vepra teorike e Uçit është monumentale.  Si e tillë, ajo ka rrezatuar, rrezaton dhe do të vazhdojë të rrezatojë ndjeshëm në mendimin teoriko-shkencor shqiptar të shkencave letrare e artistike në përgjithësi dhe atyre të identitetit etnik në veçanti.  Vepra teorike uçiane është, pa dyshim, përjetësisht universale!  Po ashtu, ajo është, sigurisht, universalisht e përjetshme!  Me veprën e tij teorike të pavdekshme, mendoj se, Uçi qëndron fare natyrshëm përkrah një radhë figurash të ndritura të historisë, jetës e kulturës së kombit shqiptar, si:  Sami Bej Frashëri, Naim Bej Frashëri, Faik Konica, Gjergj Fishta, Theofan S. Noli, Eqrem Çabej, Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, etj.  Sa më shumë që të kalojë koha, aq më tepër do të shkëlqejnë edhe emri, jeta dhe vepra e tij.  Shqyrtimi i veprës teorike monumentale uçiane mbetet një detyrë e rëndësishme e studiuesve të sotshëm e të ardhshëm shqiptarë të shkencave letrare e artistike.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ALFRED M. UÇI (1930-2016): FIGURE E NDRITUR, E KULTURES SHQIPTARE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI

HETIME NGA OKB PËR VRASJEN E GAZETARIT SAUDIT JAMAL KHASHOGGI

October 22, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1

Nga Frank Shkreli/

Ndërkohë që gjatë ditëve të fundit, një numër udhëheqësish botërorë janë shprehur se hetimet e njoftuara nga Arabia Saudite rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, nuk janë të mjaftueshme — disa organizata jo-qeveritare ndërkombëtare kanë bërë thirrje për hetime të pavarura.  Kjo është thirrja që i kanë bërë Turqisë javën e kaluar katër organizata të njohura ndërkombëtare të drejtave të njeriut.  Reporterët Pa Kufij, Amnesty International, Human Rights Watch dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një letër të përbashkët i kërkojnë Turqisë t’i bëjë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Z. Antonio Guterres, që të bëjë hetime mbi ekzekutimin e gazetarit të njohur saudit, Jamal Khashoggi.  Hetimet, thonë këto ente të të drejtave të njeriut, duhet të vendosin rrethanat mbi rolin e Arabisë Saudite në zhdukjen dhe më në fund në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Qëllimi i hetimeve nga OKB-ja, sipas tyre, duhet të jetë identifikimi i të gjithë personave përgjegjës, të cilët kanë dhënë urdhërin dhe të cilët kanë planifikuar vrasjen e Jamal Khashoggit.  “Turqia duhet të angazhojë Kombet e Bashkuara për të filluar hetimet në kohën e duhur, ashtu që të jenë të besueshme dhe transparente”, citohet të ketë thënë Robert Mahoney, zëvëndës-drejtor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.  Ndërsa ka shtuar se, “Pjesëmarrja e OKB-ës në këtë çështje, është garancia më e mirë që ato të dalintë sukseshme, megjithë hetimet që po bëhen sa për sy e faqe nga vet sauditët dhe përball përpjekjeve të qeverive të tjera, të cilat mund të kenë interesa për të ruajtur marrëdhëniet e levërdishme tregtare me Riadin.”

Në njoftimin për mediet ndërkombëtare, organizatat e mësipërme kërkojnë që provat që do të mbludhen gjatë hetimeve nga OKB-ja, të ruhen me qëllim që të përdoren në çdo proces gjyqësor në të ardhmen, kundër dorë-rasëve ose dhe pjesëmarrësve në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Ato insistojnë gjithashtu që grupi hetues i OKB-ës të jetë i lirë për të udhëtuar kudo që jetë e nevojshme, për të intervistuar dëshmitarët ose njerzit që mund të konsiderohen si fajtorë në këtë mes, pa ndërhyrje nga autoritetet e cilitdo vend qoftë.

Jamal Khashoggi është parë duke hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll me 2 Tetor, 2018, por fati i të cilit ç’prej asaj dite, nuk dihej deri tani.  Por gjatë fundjavës që kaloi, Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e gazetarit saudit dhe komentatorit të gazetës Washington Post, e të ndjerit Khashoggi, duke thënë se vdekja e tij erdhi gjoja pas një grindjeje fizike brenda konsullatës saudite në Stamboll.  Kjo është hera e parë që Arabia Saudite pranon se ai është vrarë brenda konsullatës së saj në Stamboll.  Megjithkëtë, pranimi zyrtar saudit se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë brenda konsullatës së saj atje, nuk ka të ngjarë të pakësojë thirrjet ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjëse autoritetet saudite për vrasjen e tij.  Deri të shtunën që kaloi, zyrtarët sauditë kishin thënë vazhdimisht se Khashoggi ishte larguar i gjallë nga konsullata saudite në Stamboll, ku kishte vajtur për të marrë një dokument martese dhe se ata nuk kishin ndonjë informacion për fatin e tij.

Sipas organizatave ndërkombëtare të lartëpërmendura e që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, autoritetet saudite i kanë shtuar masat shtypëse ndaj kundërshtarëve në vend ç’prej emërimit princ të Mohammad bin Salman, Qershorin e vitit të kaluar, përfshirë masat e ashpra edhe ndaj personavet për shprehjet e tyre paqësore në favor të promovimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi.   Këto organizata thekësojnë se pothuaj të gjithë mbrojtsit e të drejtave të njeriut dhe zërat kritikë, përfshirë ndër ta edhe klerikë, gazetarë dhe akademikë, kanë qenë dhe janë objekt masash të ashpëra kundër tyre nga autoritetet e Arabisë Saudite.   Sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, vrasja e gazetarit Khashoggi ndodhi pas më shumë se një vit masash të ashpëra nd[rmarrë kundër gazetarëve sauditë, të cilët kanë raportuar mbi aferat korruptive, mbi të drejtat e grave dhe për çështje të tjera në vendine tyre e që në Arabinë Saudite konsiderohen si çështje “sensitive”, ndërkohë që ato akuzojnë Arabinë Saudite se disa prej këtyre personave mbahen në vende të panjohura.

Prandaj nuk janë vetëm gazetarët, mbrojtës të lirisë së fjalës, ata që e pësojnë keq në Arabinë Saudite.  Organizatat e të drejtave të njeriut, kanë venë në dukje se shumë individë, përfshirë edhe disa femëra të njohura saudite, mbështetëse të drejtave të grave, si Loujain al-Hathloul, Iman al-Nafjan dhe Aziz al-Yousef, mbahen arbitrarisht në burg për disa muaj tani, pa kurrfarë akuzash ndaj tyre, por mabhen të arrestuara vetëm e vetëm pse kanë ushtruar të drejtën e tyre të fjalës së lirë.

Christophe Deloire, Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës Reporterët Pa Kufij, tha se të gjitha këto zhvillime rreth vrasjes së gazetarit saudit, Khashoggit, “E bëjnë të qartë se sa e rëndësishme është që për këtë rast të ndërmerren hetime të pavarura dhe asnjanëse me qëllim që të zbulohet e vërteta për atë që ka ndodhur dhe të vendoset drejtësia për vrasjen e Jamal Khashoggi-n”. Ai e cilësoi vrasjen e tij si një prej rasteve më shokuese dhe ekstreme të viteve të fundit dhe si e tillë duhet, patjetër, të hetohet nga Kombet e Bashkuara.

Organizatat e lartëpërmendura i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithsëëm të Kombeve të Bashkuara, Z. Guterres që të emërojë një hetues të lartë krimesh me përvojë të gjërë në fushën e hetimeve ndërkombëtare, si personin për të kryesuar grupin hetues të OKB-ës për këtë rast.  Në përfundim të hetimeve, ata rekomandojnë botimin e një raporti publik mbi vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi dhe që grupi hetues të propozojë masat që duhen marrë kundër atyre që shkaktuan vdekjen e tij.

“Familja e Jamal Khashoggi-t dhe mbarë bota meritojnë të dinë të vërtetën e plotë se çfarë i ndodhi atij”, është shprehur Drejtori i Human Rights Watch, Z. Louis Charbonneau duke shtua se, “Shpjegimet e pjesëshme dhe hetimet e njëanëshme nga Arabia Saudite, e cila dyshohet se kishte gisht në vrasjen e tij, nuk mjaftojnë.  Vetëm Kombet e Bashkuara kanë kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të ekspozuar vrasësit e gazetarit Khashoggi dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës për aktin …” ka thekësuar Z. Charbonneau.  Ndërsa Sherine Tadros, Kryetare e zyrës së Amnesty International në Nju Jork është shprehur se, “Pa një hetim të besueshëm nga ana e OKB-ës, dyshimet do të vazhdojnë mbi Arabinë Saudite pa marrë parasyshë shpjegimet zyrtare që mund të ofrojë udhëheqja e atij vendi në lidhje me vrasjen e Jamal Khashoggit.”

Më në fund, organizatat e të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje Turqisë, Arabisë Saudite dhe të gjitha vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të bashkpunojnë me hetimet e OKB-ës, për të siguruar ndihmën e nevojshme për zhvillimin e hetimeve ndërkombëtare, ashtuqë që të zbulohet e vërteta mbi vrasjen e Jamal Khashoggi-t.  Posaçërisht, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, i bëjnë thirrje Turqisë, që të dorëzojë të gjitha provat audio-vizive që thotë se posedon në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit — e që zyrtarët turq u kanë thënë vazhdimisht përfaqësuesve të medies — se ato provojnë vrasjen e Jamal Khashoggi-t, brenda konsullatës saudite në Stamboll. Fund javën që kaloi, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres, nepërmjet një zëdhënsjeje, shprehu “shteqësimin e tij të thellë” për vrasjen e gazetarit saudit, por nuk mori përsipër ndonjë angazhim për hetim nga ana e OKB-ës, megjithëse sipas zëdhënses, “Sekretari i Përgjithshëm theksoi nevojën për hetime të menjëhershme dhe transparente mbi rrethanat e vdekjes se të ndjerit Khashoggi dhe për të zbuluar përgjegjësit për vrasjen e gazetarit saudit.”  Mbetet për tu pa në ditët dhe javët e ardhëshme, nëse OKB-ja do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së organizatave kryesore ndërkombëtare të drejtave të njeriut për një grup hetues i sanksionuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.  OKB-ja si organizatë botërore, mbi të gjithë të tjerët, duhet të tregojë shqetësimin e saj të thellë për këtë ngjarje.   Sepse “ngjarjet e tmershme” — siç u shpreh në reagimin e saj në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Kancelarja gjermane Angel Merkel — “Janë një paralajmërim se reformat demokratike, anë e mbanë botës, janë nën kërcënim”.   Ky shqetësim duhet të shprehet nga të gjithë ata që besojnë në lirinë e fjalës dhe në lirinë e shtypit në veçanti dhe në vlerat demokratike, në përgjithësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Hetime nga OKB, Jamal Khashoggi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 405
  • 406
  • 407
  • 408
  • 409
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT