• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vuçiç: Politika ime për Kosovën ka pësuar disfatë

September 25, 2018 by dgreca

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën se politika e ndjekur pesë vjet për ta rikthyer çështjen e Kosovës në tryezën e bisedimeve, ka pësuar disfatë. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Partisë Përparimtare serbe.

“Politika ime që Serbia të ruajë shumë gjera në Kosovë, qartazi në Serbi nuk ka fituar, sepse serbët duan të humbin gjithçka, më së shumti dëshirojnë të vajtojnë mbi fatin e tyre. Më shumë duan të qajnë për diçka që është e largët, sesa të kenë diçka në duart e tyre… Raundin e parë e fitoi Serbia e shkatërrimit, Serbia e vajit e jo Serbia që fiton”, tha ai duke nënvizuar se druan që nuk do të ketë një mundësi të re, por ai do të “luftojë edhe më fuqishëm për popullin serb në Kosovë. Do të luftojmë që ata njerëz të jetojnë më mirë dhe të kenë më shumë te drejta”, tha ai.

Presidenti serb tha se shumë ‘lojtarë’ nga perëndimi nuk duan që Serbia të përzihet në Kosovë dhe kjo është rrjedhojë e “politikës katastrofale dhe të papërgjegjshme që është udhëhequr në të kaluarën”.

“Vetveten e kemi larguar nga Kombet e Bashkuara më 2010. Vetë e kemi gjykuar vetveten më opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në vitin 2011 kemi vënë kufirin ndërmjet serbëve në Jarinjë”, tha ai.

Ai foli të hënën edhe për fjalimin e tij në Mitrovicë në fillim të shtatorit gjatë të cilit kishte vlerësuar se ish presidenti serb Sllobodan Milosheviç, ishte udhëheqës i madh” duke vlerësuar se askush nuk ka dashur të dëgjojë se çfarë ka thënë realisht kur e ka përmendur atë.

“Fjalimi im në Mitrovicë ishte fjalim i shkëputjes nga politika e presidentit Millosheviç, por fjalim serioz në të cilin unë nuk e kam fyer personalisht… Politika që e kam paraqitur është shkëputje nga qëllimet, mënyrat e metodat”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e kishte shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngulë këmbë për idenë e tij për korrigjimin e kufirit, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën. Ideja e tij kundërshtohet ashpër nga opozita në Kosovë, por edhe një pjesë e partive të koalicionit qeverisës. Madje lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar edhe protesta kundër tij.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.

Idetë e tilla nxitën reagime edhe në skenën ndërkombëtare. Një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Britania e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve nga droja për pasojat në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.

Zyrtarët amerikanë kanë ritheksuar disa herë se “Shtetet e Bashkuara duan t’u japin hapësirë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje “krijuese”, që do të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme”. Por, ata thonë se çfarëdo që të jetë marrëveshja, Shtetet e Bashkuara do ta shohin atë dhe do të thonë fjalën e tyre.(VOA)

Filed Under: Opinion Tagged With: ka pësuar disfatë, Vuçiç: Politika ime për Kosovën

KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE

September 23, 2018 by dgreca

*ÇKA PO NDODHË KËSHTU?/

-KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1-1 Nga Frank Shkreli/

Ka disa javë tashti që flitet seriozisht për shkëmbime territoresh, ndreqje kufijsh, korrigjim ose për diçka krejtësisht tjetër, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, varësisht reagimeve se kush e thotë dhe kur e thotë.  Sot e kësaj dite askush nuk e di dhe askush nuk thotë se si dhe pse ky subjekt filloi të diskutohej për herë të parë publikisht, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Sot jemi për shkëmbim territoresh, nesër për ndreqje kufijsh, ose diçka tjetër.  Kriza e parë e pas luftës në Kosovë, në nivel kombëtar, i gjenë udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar, krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjënden, pa asnjë ide dhe pa asnjë strategji politico-kombëtare se si duhet shkuar përpara. Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa asnjë marrveshje ose vision të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht heshtë.  E njëjta ndodhë edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkrenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare.  Ekziston pra një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkrendimi në politikën kombëtare përsa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çeshtjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbinë.

Ndërsa dëgjojmë komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Prishtinë dhe në Kosovë, është e qartë se në radhët e tyre – në lidhje me këtë çështje — ekziston një hendek i madh, një pështjellim i madh ideshë, pa rregull e pa organizim, një gjëndje kaotike të cilës nuk mund i gjëndet filli.   Kjo gjëndje kaotike vihet re nga komunikimet dhe komentet e udhëheqësve të Kosovës drejtuar prej së largu ndaj njëri tjetrit, mbi shkëmbimin e territoreve ose ndreqjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës — në një kohë që u siguroj se Serbia është e bashkuar për ato që kërkon dhe çfarë pret si përfundim i këtij procesi, siç duket i planifikuar mirë dhe i promovuar prej saj prej kohësh, pikërisht, në këtë moment — për qëllimet strategjike afatgjata të Beogradit dhe padronëve të tij rusë, në Kosovë dhe në Ballkan.

Në këtë kaos politik kombëtar dhe konfuzioni, fatkeqsisht, bën pjesë edhe Tirana zyrtare, të pakën ky është mendimi im pasi dëgjova pjesë të komenteve të Kryeministrit Edi Rama në emisionin televiziv shqiptar, “Opinion”, para disa ditësh, ku kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk di “asgjë” për këtë çështje, kur u pyet nga gazetari nëse kishte dijeni se ç’po ndodhte. Pyetjes nëse “Presidenti Thaçi ju ka informuar për këtë çështje, Kryeministri Rama u përgjegj: “Jo. Kur them jo, them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.

Çështja e kufijve të Kosovës, terësia e saj territoriale, pavarësia dhe sovraniteti i saj si shtet, janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, e sdiomos për Tiranën zyrtare. Është pak e çuditshme që udhëheqsi shqiptar shprehet se nuk di gjë për këtë çështje, ndërkohë që përdor një mjet publik të informimit të komunikojë  prej së largu në lidhje me këtë temë — ndonëse e vështirë dhe e ndërlikuar — me udhëheqsit e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, në vend që të takohet me ta me qëllim që të arrijnë në një qëndrim të përbashkët kombëtar midis tyre, në bashkrendim me aleatët perëndimorë të shqiptarëve, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë.

Ndërkaq, nepërmjet programit “Opinion”, Z. Rama u bëri thirrje udhëheqsve të Kosovës që për këtë çështje të “krijojnë një proces”, përfshirë edhe një “konsultim me diasporën shqiptare në Amerikë”.    “Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të Amerikës sot?  Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë?  Që do të thotë, ne na duhet një proces”, është shprehur kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV Klan.   Më heret, Kryeministri Rama kishte pranuar me të drejtë në programin “Open” të televizionit Top Channel se,”Për dialogun Kosovë – Serbi mungon një platformë strategjike kombëtare”.   Absolutisht e vërtetë, por kush duhet t’a përpilojë këtë strategji, Z. Kryeministër?  Kjo duhej të ishte bërë shumë më heret nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe jo nga “Diaspora në Amerikë”. Ky nuk është roli i diasporës shqiptare, pasi falë nderës Zotit sot i kemi dy shtete shqiptare legjitime, të njohura ndërkombtarisht, të cilat duhej të kishin përpiluar një strategji kombëtare me kohë, jo vetëm për marrëdhniet Kosovë-Serbi, por për shumë çështje të interesit kombëtar.  Udhëheqsit shqiptarë, në Tiranë dhe në Shqipëri – sipas orekseve të momentit — kanë deklaruar gjysmën e botës si vende strategjike të Shqipërisë dhe të Kosovës, por nuk kanë përpiluar një strategji kombëtare dhe ky nuk është faji i diasporës shqiptaro-amerikane.

E vërtetë se diaspora shqiptare e Amerikës, është këtu, Z. Kryeministër.  Sot më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqsisht, falë edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ky proces për një strategji kombëtare për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin me të drejtë ju bëni thirrje dhe i cili është tepër i nevojshëm, nuk i takon diasporës shqiptare në Amerikë që ta fillojë, por udhëheqësve legjitim shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët, falë votës së shqiptarëve, ua kanë besuar atyre fatin e Kombit.  Ky moment historik, siç e cilësuat edhe ju Z. Kryeministër, kërkon një bashkim ideshë dhe një qendrim mbarë-shqiptar për bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm, ashtu që të mos dukemi para botës, siç u shprehët edhe ju në programin Opinion”, “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”.

Është një fakt i njohur tanimë se komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luajë edhe sot rolin që i takon, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta, pranë enteve më të larta qeveritare dhe jo qeveritare, si dhe publikut dhe medias amerikane këtu në Shtetet e Bashkuara.   Në të vërtetë, gjatë dekadave – atëherë kur shqiptaro-amerikanët konsideroheshin si “armiq” të Shqipërisë nga regjimi komunist enverist dhe kur Kosova pësoi të këqia e mundime nën fashizmin serb — ky komunitet ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica fillim shekullin e kaluar e deri në kohët moderne.  Komuniteti shqiptaro-amerikan, e kishte të qartë misionin e vet gjatë shekullit të kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli. Shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe duke siguruar mbështetjen amerikane për të drejtat e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor.

Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët. Edhe organizimi më efikas i diasporës shqiptare në Amerikë dhe gjetiu duhet të jetë pjesë e një platforme strategjike kombëtare, që ka përmendur Z. Rama, por diaspora nuk I ka as mjetet, as njerzit dhe as orgnaizmin për të qenë një nismëtare e një procesi të tillë.Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqësuesve të diasporës në Amerikë tre vjet më parë, është shprehur se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtme më gjithëpërfshirëse.  Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqësuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”.  Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Nëqoftse Tirana dhe Prishtina zyrtare dëshirojnë të konsultohen për angazhimin e diasporës për marrëdhënie më të mira me to, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që gëzonte dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë.

Dekadat e 80-ave dhe 90-ave të shekullit të kaluar konsiderohen si periudha e artë e unitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një kauze të shenjët dhe një udhëheqësi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të shqiptaro-amerikanëve pa dallim — por si rrjedhim — Presidenti Rugova siguroi shpejt edhe respektin e zyrtarëve më të lartë amerikanë – si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore.   Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit.  Kjo, fatkeqësisht, nuk është më!  Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë viteve ’80 dhe ’90, si dhe në fillim-shekullin e ri në të cilin jemi, është zëvendësuar tashti me pagesa jo transparente ose gjysmë transparente, prej qindra mijëra dollarësh dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqësit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend.  Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me diasporën shqiptare, pasi përpjekjet e deritanishme për të organizuar më mirë diasporën shqiptare në përgjithësi, kanë dështuar, megjithë krijimin e ministrive të diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë.  Roli dhe angazhimi i diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme, jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-Atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar.  Konsultimet e Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara do të ishin në rregull, por diaspora shqiptare në Amerikë nuk e ka shkaktuar kaosin aktual në politikën kombëtare shqiptare dhe nuk është e drejtë që tani t’i kërkohet asaj ndihmë që t’ia gjejë fillin.  Dikur kjo diasporë ishte shumë efektive në ekspozimin – para Washingtonit zyrtar dhe popullit amerikan — të krimeve dhe shkeljeve të drejtave të bashk-kombasve tanë, anë e mbanë trojeve shqiptare, nga fqinjtë djallëzorë por është tepër e vështirë për diasporën që para miqëve tanë amerikanë të drejtojmë gishtin e akuzës ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjëndjes aktuale kaotike kombëtare e politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë dhe më gjërë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, KAOS I RËNDË NË .POLITIKËN KOMBËTARE

Një rikthim i demokracisë edhe pse në libër

September 22, 2018 by dgreca

” Demokracia nuk pret”,Një rikthim i demokracisë edhe pse në libër/

1 demokracia nuk pret kNga Marjana BULKU/

Sa e rëndësishme është kronologjia e ngjarjeve dhe kujtesa historike në demokraci?!
Është kjo një enigmë që shtjellohet pak nga pak teksa lexon ” Demokracia nuk pret” një set me refleksione e reagime, analiza dhe opinione , kritika dhe thirrje që e tejkalojnë përmasën e gazetarisë , investigimit, reagimit , dëshmisë , akuzës , duke e lakuar demokracinë në çdo rasë e duke u bërë pishtar i saj , autori Frank Shkreli i bën kështu një shërbim shumë të madh jo vetëm konceptit të saj teorik por e shtjellon praktikisht shumë dimensionalitetin e saj në gazetari, histori, politikë dhe kulturë.
Sot kur demokracia ndjehet më e dhunuar se kurrë ne kemi nevojë ta sjellim në vemendjen e gjithsejcilit se ky sistem të drejtash dhe përgjegjësish është një marrdhënie e dyanshme ku balancohen liritë kur respektohen ato.Sot më shumë se kurrë klasa politike duhet të shikojë se trashëgimnia e gabimeve dhe moskorrektimi i tyre i ka shpierë në gabime të tjera. Kur demokracitë rrezikohen nga demonë politikë dhe jo vetëm , populli ka rastin të kuptojë rolin e vet, fuqinë e mohuar nga paliria, atë që buron nga e kaluara historike plot me të panjohura dhe drithije të qëllimshme, aktet e krenarive kombëtare, reagimi, korrektimi, reflektimi. Në kushtet kur demokracia rrezikohet nga dështimi për shkak të aplikimit të saj nga njerëzit e gabuar, metoda të gabuara të yshtura prej kulturës sonë politike të trashëguar , leksionet amerikane, praktikat amerikane nuk mungojnë në setin e mendimeve tek “Demokracia nuk pret”. Shtëpia e rrënuar e Gjergj Fishtës, pikturat e tmerrit të internimit të Tepelenës , dosjet e pahapura të komunizmit kjo gangrenë nga ku burojnë plagët shqiptare, janë hone të thella gjykimesh por edhe tablosh të një demokracie që afiksohet kur mendimi vdes dhe intelektualët heshtin. Demokracia nuk pret vjen si një vëzhgim i hollë , i vëmendshëm, sistematik, nga jasht por gjithmonë brenda atij realiteti parë me sytë që e duan atë vend, ia duan të mirën, ia dijnë shtigjet se nga buron ajo.
E që demokracia të mos jetë një mision i pamundur , roli i opozitës është oksigjenues , reagimi i qytetarëve është vendimtar dhe zëri i intelektualëve jetëdhënës dhe pa asnjē dyshim Zëri i Amerikës vazhdon të jetë ai i  drutës iluminuese dhe i arsyjes gjithashtu.
Kjo vepër , kronologji ngjarjesh e historish, datash dhe eventesh është një shkollë për gazetarët, politikën dhe qytetarinë. Në demokraci çdo frymë ka rol në jetëzimin dhe vitalizimin e këtij sistemi që nuk dhunon edhe pse dhunohet , ku çdo jetë ka vlerë dhe çdo liri nis nga rregulli dhe vdes nga e kundërta e tij.
Sa herë që një sistem i drejtë kërcënohet nga padrejtësitë , është koha për të kuptuar më mirë demokracinë ku e drejta merr jetë duke ta garantuar atë.

Filed Under: Opinion Tagged With: "DEMOKRACIA NUK PRET", Marjana Bulku

HELM E VRER MBI KOL IDROMENON

September 20, 2018 by dgreca

1 Kole Idromene

Nga Kolec TRABOINI/

Lexojmë edhe pse nuk duam ta besojmë: “Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare”. (Gazeta “Shqip” – Kolë Idromeno, i pari i tragjedisë së pikturës realiste shqiptare – Eleni Laperi 15 gusht 2017) Qenka venitur Kol Arsen Idromeno, ky Da Vinç shqiptar, e zeza mbi të bardhë në gazetën “Shqip”.me firmë e me vulë të Eleni Laperit. Ky po që është studim-zbulim me të qorrollis mendjen si nëpër ato humoreskat popullore “fluturon, fluturon…..gomari”. Por le të vazhdojmë ta lëçisim zonjën Laperi: “I ati (Arsen Idromeno- shënimi im K.T.) e ndihmoi djalin e tij të zhvillonte dhuntinë për pikturën, skulpturën, muzikën dhe fotografinë, duke e ditur se ato nuk do ta bënin të pasur, duke mos e ditur se e shtynte të birin në një jetë prej Ferri e Parajse.”, shkruan zonja Laperi. Epo, mbase ajo nuk e di fare se kush ka qenë babai i Kol Idromenos dhe çfarë dhuntish ka pasur vetë ai, dhe pikërisht për këto aftësi te tij politeknike i mësoi të birit të gjitha mjeshtëritë të cilat do ta ndihmonin për ta përballuar jetën. Madje shumë punime që krijuan traditën e arkitekturës të qytetit të Shkodrës, të cilat sot i admirojmë ne dhe të huajt gjithashtu, kanë qenë të Arsen e Kol Idromenos. Vetë Arsen Idromeno ka qenë arkitekt. Me ndërtimet që bënë baba e bir në qytetin e Shkodrës e kthyen paraqitjen e qytetit nga orientale në oksidentale, me fytyrë nga Europa, evolucioni më i madh në këtë qytet bashkë me zhvillimin e zejtarisë që e bënë qytetin më të njohur në Ballkan. Pra përafruan Shqipërinë me qytetërimin europian, shprehje e të cilit është edhe arkitektura. Falë Arsen e Kol Idromenos, kur të huajt vinin në Shkodrën e pas vitit 1905, e ndjenin se ishin në Europë e jo në humbëtirat e Anadollit.   Dhe Kol Idromeno nuk ka qenë i varfër, sikur kjo zonjë kërkon ta shesë. Përkundrazi ka qenë një familje në gjendje shumë të mirë, dhe Kola, që bënte çdo lloj punë që përfshihet në artizanat, kishte të ardhura. Ne që jemi të afërt të familjes ( le të flasë dhe Ernest Rini Andrakia se edhe ai të afërt e ka), nuk dimë të ketë vuajtur Kol Idromeno për bukën e gojës, në atë kuptim që kjo zonjë e quan “ferr parajsë” e jetës së Kol Idromenos. Jeta e Idromenos nuk ka qenë ferr, por një pasion i ndritur. Ka pasur fatkeqësi familjare me vdekjen e djalit 2 vjeçar dhe motrës në moshë të re, Motra Tone e shoqja e italianit Andrea Skanjeti, por ai kurrë nuk është mposhtur nga dhimbja. Kish aq shumë pasione e punë sa nuk kishte kohë të rrinte nëpër skena pikëllimi romantike siç fantazon jetën e artistëve Eleni Laperi. Fantazitë kësaj zonje që shkruan çfarë ti vijë për mbarë vazhdojnë:   “Me Kolë Idromenon nis historia e tragjedisë së pikturës realiste shqiptare në veçanti, në vazhdën e tragjedisë së kulturës shqiptare në përgjithësi. Jeta e vepra e tij janë shembulli i qartë se si lindin dhe veniten talentet shqiptare.” U bëre ti zonja Laperi ta kthesh Idromenon, përpara të cilit mahnitej i madhi Odise Paskali, në një dështak. Më të vërtetë është paturpësi, shpirtligësi dhe e neveritshme. Veç tundimi i madh më bën të reagoj se kësisoj paçavure shkrimesh nuk meritojnë vëmendje. Të njëjtën gjë ka bërë edhe një farë fyelltari me një vrimë e pantallona te shkurta, pikturisti Mustafa Arapi, kur shkroi çmendurinë se portretin e Motrës Tone (nënën e Dadës sime Katrina Skanjeti -Traboini) nuk e ka bërë Idromeno. Po kush e ka bërë, o mendje ndrituri Mustafa? Të parët e tu në Anadoll? Se një shqiptar i vërtetë nuk ka as turpësinë e as paturpësinë të  degradojë figurat e kombit të vet. Po edhe ti, moj zonja Laperi, kur e ktheve shqiponjën e Flamurit të Pavarësisë në një qafe pate, çorap e bëre historinë. Nga kanë dalë gjithë këta të çmendur more dhe kanë marrë një revan të cilin nuk e dimë deri ku do të shkojë?! Në ke gjë për të ndrequr në këtë botë, moj zonjë që do të bësh shou me surrogate, rregullo se pari mbiemrin tënd. Jepi një kuptim pak më të bukur se në fjalorin e gjuhës shqipe fjala laperi shpjegohet gojëndyrë. E kjo nuk është ndonjë zbulim. Për me tepër vetë shkrimi yt i çoroditur i jep një kuptim. Zot na ruaj, dalin liliputët të rrëzojnë gjigantët. Nuk keni parë gjë akoma në këtë humbëtirë ku punohet me kazmë natë e ditë. Duan t’ia nxjerrin tabanin këtij dheu që duhej ta kishim të shenjtë. Ndoshta gojë-ndyrja është gjeja me pak e dëmshme në këtë vend, ndaj i shohim të botohen lloj-lloj paçavuresh në gazetat e Tiranës.

Filed Under: Opinion Tagged With: HELM E VRER, Kolec Traboini, MBI KOL IDROMENON

Pse Hashim Thaçi dështoi në përballjen e tij me Sali Berishën?

September 19, 2018 by dgreca

1 Thaci-berishaNga Enver Bytyçi/

U bënë disa javë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është vënë përballë opinionit publik shqiptar dhe i vetëm lufton me marrëzi për implementimin e prijektit serbo-rus të ndarjes së Kosovës dhe ndryshimit të kufijve midis të dy shteteve. Por ajo që e ka tronditur atë është përballja me kundërshtimin e prerë të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Përballja e parë e Berishës me idetë e ndryshimit të kufijve nga ana e zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq me këmbim territoresh, apo korrigjim të kufirit ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë ishte si ndeshje “gladiatorësh”! Që në fillim Dr. Berisha e etiketoi Thaçin si “argat të Beogradit”! Ndërsa presidenti i Kosovës nuk vonoi pak orë për t’iu kundërvënë liderit historik shqiptar me akuza dhe fabrikime të tilla për “bashkëpunimin e ish-Presidentit shqiptar e Sllobodan Milosheviçin”. Thaçi foli si triumfator, edhe pse në përgjigje të kritikës së ashpër të Berishës. Por asnjëri nuk përmendi emrin e njëri-tjetrit. Pavarësisht kësaj çdokush e pati të qartë se për kë është fjala! Ndërkaq zoti Berisha krahas kundërshtisë përsëriti se akuzat e zotit Thaçi ishin sajesa të qëllimshme të Beogradit dhe se këto sajesa po I përdor kundër tij presidenti i Kosovës! Por që në fillim u bë e qartë se me përfshirjen e Berishës në debatin për kufijtë Hashim Thaçi do të ishte i dështuar. Reagimi i vendosur dhe njëkohësisht i matur i Sali Berishës pati dy efekte: Në planin e brendshëm shërbeu për të homogjenizuar qëndrimet politike të Kosovës kundër idesë së çmendur të Hashim Thaçit për ndryshim kufijsh. Ndërsa në planin e jashtëm Perendimi, sidomos Gjermania dhe Britania e Madhe, por edhe shumë liderë amerikanë, kuptuan se ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të shkaktonte vetëm efektin zingjir në Ballkan, por edhe një konflikt brendashqiptar. Konflikti në politikën shqiptare në Kosovë, Shqipëri e gjetkë është kështu ashtu i ashpër. Po të lejohej dhe aplikimi i tezës beogradase të Thaçit për ndryshimin e kufijve, ky konflikt rrezikonte dhe rrezikon destabilizimin e Kosovës. Destabilizimi i Kosovës është automatikisht destabilizm i Ballkanit. Prandaj dhe në Berlin e Londër kundështitë e Berishës u lexuan si pashmangshmëri e konfliktit. Ndonëse këto dy kryeqytete ishin skeptike për idetë e Thaçit dhe Vuçiq, dalja në skenë e Sali Berishës i bëri përfundimmisht ato kundërshtare të vendosura të idesë së dy presidentëve të të dy vendeve në konflikt. Ndërkaq në tryezat politike të Europës u shtrua edhe një llogari tjetër: Kush ishin dy iniciatorët dhe protagonistët e ndarjes së Kosovës? Ishin dhe mbeten dy presidentët e të dy vendeve. Po këto dy vende janë demokraci parlamentare?! Atëherë doli abstraksioni: Nëse i lejojmë presidentët e demokracive parlamentare të imponohen deri te çeshtja e territoreve, përligjet kështu antidemokracia, shteti autokratik, ndërkohë që këto vende tentojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian?! Ndaj në Europën e qytetëruar nuk u gjend asnjë arësye të rërzohej kundërshtia e Berishës dhe e kritikëve të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës për idetë e ndryshimit të kufijve të Kosovës në favor të Serbisë. Duke ndjerë këtë ngërç, zoti Thaçi hodhi idenë se marrëveshja do të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe nëse nuk miratohet, atëherë ajo bëhet e pavlefshme… Hileja ishte dhe mbetet në prag të derës! “Na lejoni të diskutojmë, të vendosim, të nënshkruajmë një marrëveshje e pastaj ju zihuni dhe vrituni në betejën për ta miratuar ose jo atë”! Pikërisht këtë mënyrë të imponimit të idesë, me konflikt të brendshëm në Kosovë e jashtë saj, mënjanon edhe qëndrimi i prerë dhe i vendosur i Sali Berishës. Por Hashim Thaçi e kuptoi se përballja me Berishën e rrëzon përtokë atë. Në fakt duket se në këtë aventurë të jetë shtyrë për të shkuar në fundin e karrierës së vet politike. Atëherë u frikësua dhe filloi të thotë se “unë nuk e kam përmendur Berishën”! Qëllimi ishte jo shmangja e reagimeve të ish-kryeministrit të Shqipërisë, por “një ujdi” me të. Ndaj angazhoi “forcat speciale” të ndërjetësimit me kallauz Baton Haxhiun, me qëllim aranzhimin e një takimi të tij me Hashim Thaçin. Doktori nuk pranoi, pavarësisht ofertave të shumta e në disa drejtime. Batoni dhe Hashimi dëshmuan në këtë rast se nuk e njohin Doktor Berishën. Ata bënë çmos, kërkuan ndjesë për reagimet antiBerishë dhe u përulën me një AMAN të madh, vetëm që TV-të ta jepnin presidentin e Kosovës në krah të Sali Berishës! Takimet e Albin Kurtit, Behgjet Pacollit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt me zotin Berisha do të fshiheshin nga kujtesa, nëse Hashim Thaçi do të arrinte të ulej në zyrën e Doktorit! Prandaj ky i fundit e refuzoi kategorikisht një takim të tillë. Ndërkaq pati dhe një arësye tjetër pse Berisha refuzoi takimin me Thaçin: Presidenti i Kosovës donte të shkonte në zyrën e Sali Berishës për ta legjitimuar idenë e tij absurde të ndarjes së Kosovës. Nuk po shkonte aty që t’i thoshte publikut shqiptar” “Më falni! Unë gabova! U bëra spiker i Aleksandër Vuçiq! Nuk para ndonjë qëllim të keq, por u mashtrova! Heq dorë nga udhëheqja e negociatave e kjo nënkupton se heq dorë dhe nga çdo përpjekje për korrigjim apo ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë”! Jo, Hashim Thaçi donte të shkonte në katin X të Coin-it si misonar i Aleksandër Vuçiq e në këto kushte kompromisi ishte i pamundur. Po ashtu një shtrëngim duarsh midis tyre! Më së fundi duhet thënë se Sali Berisha ka meritën e padiskutueshme për atë që ai imponoi: E bëri të pamundur misionin antishqiptar të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Tirane, 19.09.2018

Filed Under: Opinion Tagged With: dështoi në përballjen, Enver Bytyci, me Sali Berishën?, Pse Hashim Thaçi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 410
  • 411
  • 412
  • 413
  • 414
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT