• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Metodat alternative të mësimdhënies të gjuhës shqipe në diasporë

March 7, 2018 by dgreca

1-rafael-floqi

Nga Rafael Floqi/

Të nderuar e të respektuar, mësues, ish- mësues ( siç jam edhe vet), gëzuar, 7 Marsin ditën tuaj. Në këtë ditë ne ju nderojmë ju, për punën e kontributin tuaj të madh që keni dhënë, jepni e do të jepni për mësimin e gjuhës sonë të pastër shqipe. Të asaj gjuhe që na e lanë amanet të parët dhe detyra jonë është ta përcjellim, ashtu të pastër tek brezat e ardhshëm.Ndaj jam i mendimit se sot duhet më shumë përkushtim së bashku me të gjithë mësimdhënësit, për ruajtjen e identitetit tonë, këtu ku ndodhemi, në SHBA. Uroj dhe është shumë e nevojshme të vazhdojë, dhe të jetësohet edhe marrëveshja e nënshkruar për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, në mes Shqipërisë dhe Kosovës, por duhen të shtohen edhe përpjekjet e të gjithë intelektualëve të diasporës.

Disa javë më parë, gjatë takimit të ministrit të diasporës z. Pandeli Majko në Miçigan, ne e pyetëm për planet që kanë për të modernizuar mësimin e shqipes në Diasporë. Ai kishte mosdijeni të plotë. Në fakt, ka shumë paqartësi për këtë çështje dhe mungesa të rëndësishme. Megjithatë ministri u tregua dashamirës që idetë që kisha t’ia parashtroja me shkrim. Edhe pse ambasadorja Filloreta Faber, më njoftoi se nuk ka pasur kërkesa nga shkollat shqipe të Miçiganit për libra shkollore, si abetare, libra këndimi, etj . Unë e informova se me gjithë rëndësinë e këtyre teksteve nga mësueset e shkollave shqipe ( ato që janë aktive ) mësova se ato kanë gjetur mënyra të tjera duke blerë libra në Amazon si “Discovering Albanian” nga Linda Mëniku and Héctor Campos, që mund jenë më metodike e praktike për nxënësit që jetojnë në një vend të huaj, pasi metodika e mësimdhënies është e ndryshme, nga mësimi i shkrimit dhe këndimit për vogëlushët që gjenden në vendlindje.

Më poshtë po shtroj disa teza për rrugët e reja, se si të bëhet mësimdhënia e gjuhës shqipe në diasporë, në kohën e sotme, ku digjitalizimi është pjesë e jetës të fëmijëve dhe ata i zotërojnë lehtësisht, kompjuterin, tabletat, I-pad-et, apo telefonat e zgjuar, ne duhet t’u drejtohemi këtyre mjeteve për të qenë më lehtësisht me afër nxënësve, për mësimin e gjuhës. Natyrisht, nuk ka Siri apo Alexa që të zëvendësojë fjalën e mësuesit. Shkollat, apo kurset plotësuese ku zhvillohet mësim në shqip vetëm një herë në javë, ndihmojnë, sado pak, sidomos me nxënës që dinë shqip nga prindërit, familja, gjyshërit, por janë të mangëta dhe jo të efektshme, sidomos me fëmijët që flasin pak shqip.

1 . Shkollat Charter

Një lajm mjaft i bukur erdhi këto ditë nga z. Mark Gjonaj. Ai njoftoi hapjen e një “charter school” në gjuhën shqipe, sipas modelit të shkollave për latinos në NY. “Jam krenar, tha ai, që njoftoj ngritjen e shkollës së parë dygjuhëshe në Shtetet e Bashkuara. Ajo do të hapet këtë shtator, duke filluar që nga programi i kopshtit të fëmijëve,” tha Gjonaj. “Do të jetë një shkollë publike ku gjysma e mësimit do të bëhet në anglisht dhe gjysma në shqip; kjo do të vazhdojë deri në klasën e tetë. Pra, fjala është për 5 ditë në javë dhe me orar të plotë gjatë gjithë vitit shkollor. Është e vetmja mënyrë që ne të ruajmë gjuhën tonë,” njoftoi ai. Kjo është një gjë mjaft e mire pozitive. Këtë ide e kishte hedhur nja dy vjet më parë edhe një njohës i sistemit të arsimit, këtu në Miçigan, Dr. Fran Ivezaj, por pas një mbledhjeje informuese asgjë s’u bë më tej. Nuk e di ku ngeci projekti, por fakti, që në Nju Jork po realizohet, tregon se me më shumë këmbëngulje e dije, mund të arrihet, të realizohet, pasi fondet mund të gjenden, edhe pse vetë shteti amerikan investon në këto tipe shkolla dhe kuadri mësimdhënës nuk mungon.

  1. Mësimi i shqipes on-line

Por si mund të bëhet, diçka me e thjeshtë dhe më me pak shpenzime? Sidomos, në sistemin amerikan për nxënës nga 10 – 18 vjeç, të Middle School ose High School. Disa nga miqtë mi mësues në shkollat amerikane, japin përkatësisht lëndët e tyre në shkollat amerikane, si kurse on-line gjatë vitit shkollor apo gjatë pushimeve të verës, kjo për lëndë që kërkohen për kredite mësimore, sipas kurikulës së këtyre shkollave. Këtu lind pyetja , a mund të bëhen përpjekje që gjuha shqipe të futet si gjuhë fakultative dhe të jepet on-line, duke pasur dhe kredite përkatëse që dhe nxënësit të jenë më të interesuar? Nuk di sa e realizueshme është kjo gjë, por këtë mënyrë lypset ta shohim si një mundësi, ndaj e shtroj dhe si pyetje.

  1. Librat për mësimin e shqipes si gjuhë e dytë

Ministria e Arsimit dhe ajo e Diasporës thonë se sjellin libra mësimorë, por këto libra shkollore nuk janë të hartuar për mësimdhënien e shqipes si gjuhë të dytë apo mësim plotësues. Një libër mjaft interesant i hartuar nga dy profesorë të nderuar është ai i prof. Gjovalin Shkurtajt dhe prof. Enver Hysës i kushtuar studentëve dhe shqiptarëve jashtë atdheut i titulluar “Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut” që u ribotua sërish nga shtëpia botuese “Toena” . “Prof. Shkurtaj në përshkrimin që i bën librit, sqaron se ky libër u shërben dhe u drejtohet, gjithashtu, edhe atyre që shqipen nuk e kanë gjuhë të nënës, porse dëshirojnë ta nxënë atë, që duan të jenë në gjendje të lexojnë, të flasin dhe të shkruajnë shqip. Libri mund të përdoret nga mësues të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare dhe mund të përdoret edhe pa mësues. Ai ka të gjitha lehtësitë dhe shkallëzimin e nevojshëm e metodik të lëndës, që të mund të kuptohet e të zbatohet edhe nga ata që nuk kanë mundësi të gjejnë një mësues. Nuk po ndalem më gjatë në metodikën e tij , por shtoj atë ,se ky libër në bashkëpunim me autorët me pak investime mund të digjitalizohet si Kindle book.

  1. Softuerët dhe aplikacionet

Një rrugë tjetër mendoj me e efektshme për nxënës nga 10 -18 vjeç do të ishte bashkëpunimi me kompani të njohura në këtë fushë, si: Roseta Stone, apo Pimsleur, apo dhe aplikacionet si Duolingo apo Memrise, që janë aplikacione për smartphone për mësimet e gjuhëve ndërkombëtare. Nëpërmjet tyre mund të bëhet mësimi i shqipes në mënyrë digjitale. Ato kushtojnë më pak sesa librat që shtypen dhe kanë vështirësi në shpërndarje. ( kujtoj pengesat që i bëjnë në kufi librave shqip në Preshevë apo Greqi). Mendoj se kërkohet pasion dhe frymë praktike për mësimin e gjuhës shqipe. Duolingo për shembull është një aplikacion pa pagesë për Android. Duhet të mos harrojmë se nga pikëpamja e biznesit të këtyre kompanive, gjuha shqipe është një gjuhë e vogël, në kuptimin që flitet nga më pak se 10 milion vetë. Ndaj duhet të sugjeroj një angazhim shtetëror, një mbështetje me pagesa për kompaninë dhe me persona të caktuar që të njohin mirë gjuhën, ashtu dhe programimin. Unë kam bërë hapat e parë, duke kontaktuar këtë kompani për ta parë, nëse ekziston një mundësi e tillë.

Rosetta Stone është një softuer për mësimin e gjuhëve të prodhuara nga Rosetta Stone, Ltd. Emri i saj është një aluzion në Gurin e Rozetës me mbishkrime në gjuhë të shumëfishta greqisht dhe në gjuhën egjiptiane me shkrime piktorike që ndihmuan arkeologët të deshifronin hieroglifet e gjuhës së lashtë egjiptiane, duke e krahasuar atë me mbishkrimet greke.
Softueri i Rosetta Stone, përdor një kombinim të imazhit, tekstit dhe zërit, që vështirësohen me rritjen e progresit të nxënies, me qëllimin e mësimit të termave të ndryshme të fjalorit dhe funksioneve gramatikore në mënyrë intuitive, pa stërvitje ose përkthime. Metoda e tyre është e vlerësuar me çmime, dhe quhet metoda Dynamic Immersion (Të zhytjes dinamike në gjuhë). Qëllimi është që nxënësit të mësojmë një gjuhë në të njëjtën mënyrën se si mësohen gjuhët e para, apo gjuha e nënës. Megjithatë ka një ndryshim psikologjik me mësimin e një gjuhe nga fëmijëria deri në moshën 10- vjeçare. P.sh. kjo shpjegohet, sesi dhe pse në një ambient të njëjtë gjuhësor p.sh. fëmijët shqiptarë në SHBA nuk kanë theks dhe, sado të përpiqen të rriturit do të kenë një farë theksi apo aksenti.

Por si është organizuar një njësi mësimore në Rosetta Stone?

Ka kohë që besohet se fëmijët janë më të aftë të mësojnë një gjuhë të dytë. Në të vërtetë, nuk është se fëmijët mësojnë gjuhën më mirë se të rriturit, por se të rriturit dhe fëmijët mësojnë gjuhën ndryshe. Duke kuptuar këto dallime dhe duke bërë rregullime në procesin e të mësuarit, të gjithë njerëzit mund të fitojnë një gjuhë të dytë, pa marrë parasysh moshën e tyre. Por megjithatë ka dallime të dukshme në mënyrën se si truri i rritur përpunon një gjuhë të huaj kur krahasohet me trurin e një fëmije.

  1. Metodat për fëmijët dhe adoleshentët

Dr. Paul Thompson nga UCLA përdorte imazhe të MRI dhe teknologji animacioni për të parë se cilat pjesë e trurit përdorin të rriturit dhe fëmijët, kur mësojnë një gjuhë të dytë. Ajo që u zbulua ishte se fëmijët përdorin një pjesë të trurit të tyre të quajtur “zona e thellë motorike”. “Zona e thellë motorike” e trurit është përgjegjëse për proceset e pa vetëdijshme, si pastrimi i dhëmbëve ose veshja. Për fëmijët, përpunimi i një gjuhe të re është natyrë e dytë. Të rriturit e procedojnë gjuhën në një pjesë më aktive të trurit, që do të thotë se ata mendojnë me më shumë me ndërgjegje për gjuhën, në vend që të jenë intuitivë. Kjo është arsyeja që duket se fëmijët fitojnë një gjuhë të dytë më shpejt sesa të rriturit, për shkak të standardeve të ndryshme të aftësisë midis të rriturve dhe fëmijëve. Fëmijët kanë një fjalor më të vogël dhe është e lehtë për të mësuar mjaftueshëm një gjuhë të dytë për të komunikuar për nevojat e tyre. Të rriturit kanë një fjalor shumë më të gjerë dhe mendojnë dhe komunikojnë në mënyra më komplekse sesa fëmijët. Kjo do të thotë se atyre u merr më gjatë për të fituar aftësinë për të komunikuar në mënyrë efektive në një gjuhë të dytë. Megjithëse duket se fëmijët e mësojnë gjuhën më shpejt se të rriturit dhe adoleshentët. Një arsye tjetër e mitit që fëmijët mësojnë gjuhët e dyta më lehtë sesa të rriturit është për shkak të aftësisë së fëmijës për të përshtatur shqiptimin e duhur të një gjuhe. Është e vërtetë, që sa më i vogël të jetë fëmija, kur fillon të mësojë një gjuhë të dytë, aq më mirë është shqiptimi i gjuhës që mësohet. Të rriturve u duhet një kohë dhe me e vështirë për adaptimin e shqiptimit të një gjuhe të huaj dhe janë më pak të aftë se sa një fëmijë që ka aftësinë të flasë një gjuhë të dytë me theksin e duhur. Prandaj për shkak se fëmijët dhe të rriturit mësojnë ndryshe dhe përdorin pjesë të ndryshme të trurit për të përpunuar gjuhën, dhe mënyra se si mësohet një gjuhë të dytë duhet të ndryshojnë gjithashtu. Kështu p.sh. metoda e Rosetta Stone përbëhet nga dhjetë grupe prej katër imazhesh, secili me një fjalë ose fjali shoqëruese të shkruar dhe folur me zë nga një folës i gjuhës amtare. Në çdo leksion ekzistojnë, gjithashtu, grupe ushtrimesh që testojnë dëgjimin, leximin dhe të folurin (për të cilat kompjuteri duhet të ketë edhe një mikrofon). Për gjuhët që përdorin alfabetin latin, ka edhe ushtrime me shkrim. Në të gjitha njësitë mësimore, mësimi i fundit është një rishikim i gjithë mësimeve të mëparshme. Çdo mësim paraardhës përfaqësohet nga një grup imazhesh. Nuk ka udhëzime për gramatikë ose udhëzime të përfshira me softuerin. I vetmi dokumentacion është një manual me versione me shkrim të frazave dhe një indeks fjalësh.

Tani ka shumë ankesa anekdotike dhe marketingu për efektivitetin e metodave të ndryshme të mësimit të gjuhëve, por zakonisht, ka shumë pak prova shkencore për të mbështetur pretendimet e tyre. Për këtë, kështu në një studim për të gjetur, se sa kohë duhet për të mësuar një gjuhë krahasuar me ekuivalentin e mësimit një semestri në kolegj, me aplikacionin Duolingo, për shembull duhet mesatarisht, rreth 34 orë. Kjo sugjeron që Duolingo është më efektiv, sesa një kurs kolegji. Studimi është bërë nga një ekip kërkimor që vlerësoi më parë efektivitetin e metodave të tjera të tilla si Rosetta Stone. Duhet të theksohet se u deshën 55 orë studim me Rosetta Stone për të arritur ekuivalentin e një semestri mësimi të një gjuhe në kolegj. Kështu pra, Duolingo, jo vetëm që është pa pagesë, ndërsa Rosetta Stone, është me pagesë, por ky studim sugjeron se ajo është metodë më e shpejtë, por sidoqoftë ka edhe dallime në mes këtyre metodave.

Për fëmijët më të vegjël ekspozimi i tyre në një gjuhë të dytë në shtëpi, si dhe në shkollë është thelbësore për mësimin e gjuhës. Këndimi i këngëve, leximi i librave dhe përsëritja e fjalëve të huaja janë të gjitha mjetet e dobishme për të ndihmuar një fëmijë të mësojë një gjuhë të re. Nxënësit më të moshuar, mund të kenë vështirësi të mësojnë në një mjedis tradicional të klasës. Nga kjo del konkluzioni se gjuha shqipe duhet mësuar me një metodë të zhytjes në gjuhën shqipe tek fëmijët e moshave të reja, ndërsa zbatimi i metodave klasike që i drejtohen një moshe më të madhe. Si rrjedhojë një metodë si Roseta Stone është më e afërt dhe më e lehtë për fëmijët e vegjël.

P.sh një përdorues i rritur i të dyja metodave thoshte se ai kishte shqiptim më të saktë dhe pothuajse të përsosur me Roseta Stone, kështu, shton ai, unë isha në gjendje të kuptoja se çfarë po thosha dhe unë po të ndieja se kisha mësuar diçka. Por ajo çka ajo që Rosetta Stone në të vërtetë po më mësonte ishte vetëm se si të “imitoja” një drejtues të gjuhës, me fraza të shprehura me fjali që nuk i kuptoja gjithmonë kur i thosha. Një pjesë e problemit është se Rosetta Stone nuk ju jep ndonjë ndihmë me pjesë të fjalës, as nuk të jep ndonjë ide, në se a keni bërë ndonjë gabim apo jo me një përkthim korrektues. Vendosja e një ‘X’ në foto nuk më tregon se e ke shkuar keq, por nuk tregon sepse. Ndërsa Duolingo, edhe pse , ka fjali dhe fotografi, por ka edhe përkthime të secilës fjalë ose fjali. Kjo besoj se është e rëndësishme, sepse duke pasur formulimin e saktë si në gjuhën tuaj amtare dhe në gjuhën tuaj të mësimit, ju tregon pikërisht se ku keni bere gabim – dhe mund ta korrigjoni atë. Duolingo tërheq vëmendjen tuaj në pjesë të fjalës si dhe në funksionin e secilës fjalë, duke krijuar menjëherë një fjali, që është paksa ndryshe, çdo herë që mëson, duke përforcuar kështu të kuptuarit e një fjale dhe si mund, dhe nuk duhet të përdoret ajo në një fjali e vetme, ose në kombinim me një numër fjalish”. Një nxënës mund të mësojë vetëm, nëse mund të zbulojë gabimet dhe të gjejë mënyrat për t’i korrigjuar ato, pasi kur ia ke vënë në dukje ndihmon nxënësin të kuptojë se çfarë është e gabuar dhe çfarë s’duhet të bëjë me gabimin. Pra, duket se DuoLingo ka përparësitë e saj j dhe duhet kërkuar bashkëpunim për të futur edhe mësimin e shqipes, pasi krijon kështu mundësi edhe për vetmësim.

6 Televizioni dhe mediat audiovizive

TV i Shqiptarëve të Amerikës prej disa vitesh po përpiqet të japë një kontribut me përrallat multiplikative në dy gjuhë. Por ky është vetëm një hap. Ne kemi plane për krijimin e një cikli videosh në Youtube që do të ndihmonte më thellë në mësimin e gjuhës shqipe. Nga sa kemi vënë re disa cikle me DVD si të “Luajmë shkollash “të prodhuar nga Ministria e Arsimit u drejtohen fëmijëve që dinë mirë shqipen, dhe i mungon pedagogjia e mësimdhënies për nxënësit e diasporës.

Këto ishin disa ide, që desha t’i ndaja me ju para se t’ia sugjeroja një auditori më të gjerë, me synimin për të gjetur metodologji dhe praktika moderne për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë pasi një komb ngrihet midis kombeve të tjera përmes vlerave të larta të tij. Kombi ynë nuk do t’i kishte këto vlera, nëse njerëzit e tij të shquar do ta braktisnin identitetin e vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: Metodat alternative të mësimdhënies të gjuhës, Rafael Floqi, shqipe në diasporë

“Ana e Malit” nderoi mesueset ne Hilton Garden, Staten Island

March 6, 2018 by dgreca

1 ana e Malit

“Ana e Malit” nderoi mesueset ne Hilton Garden, Staten Island, New York/

Nga Keze Kozeta Zylo/*

 Ditën e dielë, më 4 Mars në Hilton Garden, Shoqata Shqiptaro Amerikane e mirënjohur “Ana e Malit” festoi ditën e mësuesit dhe të nënave.  Në këtë datë të shënuar Bordi i shoqatës kishte menduar të nderonte një grup mësuesesh që me përkushtimin e tyre bëjnë një punë të jashtëzakonshme për edukimin dhe zhvillimin mendor të brezave të ardhshëm.

Nënat, mësueset dhe vajza të reja vinin grupe grupe dhe uleshin me biseda të ngrohta në vendet e tyre.  Tavloinat ndrinin nga një buqetë e madhe me lule bore dhe trëndafila të bardhë.  Mjedisi përreth ishte aromatizuar nga trëndafilat dhe petalet e bardha, ndërsa gratë zbukuronin edhe më shumë hotelin lluksoz në Hilton Garden.  Petalet e bardha komunikonin qetësisht dhe me gjuhën poetike hynin direkt dhe në thelb të zemrës.

Gjithmonë më ka bërë përshtypje se si këto gra dhe vajza si Misse bukurie rregullojnë me një përkushtim të veçantë dhe shije elegante duke e bërë atmosferën tejet festive.  Aq mikpritës bëhej mjedisi sa atë e shikoja në sytë e grave të moshuara që kishja në tavolinë, si nënë Hurmaja dhe mësuesja fisnike nga Pëmeti që kishin ardhur enkas duke lënë rehatinë  e shtëpisë për të qenë bashkë me vajzat dhe shoqërinë këtu në diasporë.

Mbasditja bëhej e dielltë dhe nga xhamat e shndritshëm shiheshin drurët me degët që dukeshin sikur do shpërthenin në sythe nga dashuria e pamasë e nënave dhe motrave shqiptare në Diasporë.

Në hyrje të mirëprisnin Emmie Salaj dhe Melinda Gjeloshi dy organizatoret kryesore të këij aktiviteti shumë mbresëlënës ngase kishte në qendër të programit nderimin dhe respektin për mësueset në gjithë rruzullin.  Mësuesit jane siç thotë historiani i shquar amerikan Henry Brooks Adams se ato ndikojnë ne përjetësi dhe askush nuk mund të tregojë se ku ndalet ndikimi i tyre.  “Teachers affect eternity; no one can tell where their influence stops.”

Mbrëmjen e përshëndeti Këshilltar i Bashkisë së Nju Jorkut z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” shoqëruar nga bashkëshortja e tij një zonjë e bukur Robeta Gjonaj.Atmosfera u ndez dhe më shume nga artistët e shquar Arebërie Hadërgjonaj dhe Agim Gërbeshi nën tingujt e DJ-it.

Të nderosh mësueset…

Mbrëmjen festive e ka përshendetur znj.Emmie Salaj presidente e shoqatës shqiptaro amerikane “Ana e Malit”.  Znj.Salaj tha se ne jemi të nderuara të mbajmë pesë vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe në këtë ditë duam të nderojmë mësueset e komunitetit që bëjnë një punë të jashtëzakonshme për edukimin e fëmijëve tanë.  Këo zonja meritojnë t’ju njihet puna për përkushtimin e tyre, pozitivitetin dhe energjinë që sjellin tek brezat e ardhshëm.

Pas fjales se znj.Salaj fjalën e ka marrë znj.Melinda Gjeloshi anëtare ekzekutive e Bordit.

Ajo tha se: “Është mirë të jesh këtu me të gjithë ju dhe te festojme Ditën Ndërkombëtare të Gruas!

Sot Shoqata Shqiptare Amerikane “Ana e Malit”, po njeh dhe nderon të gjithë mësuesit tanë.

Mësuesit kanë një nga punët më sfiduese dhe më të suksesshme, që ndryshojnë jetën e fëmijëve tanë. Një mësues sheh potencial në çdo nxënës që ecën nëpër derën e tyre, edhe kur ai fëmijë nuk mund të njohë akoma talentin e tij. Çdo ditë në klasat tuaja iu drejtua mesueseve se ju punoni për të siguruar që të gjithë studentët tuaj të bëjnë përparim drejt rritjes së tyre dhe t’i zotërojne qëllimet e tyre. Ju jeni frymëzues për nxënësit gjatë gjithë jetës, duke bërë të mundur që të keni mundësi të pakufishme për jetën dhe karrierën e tyre.

Ne ju falënderojmë për ndarjen me nxënësit, pasionin tuaj. Faleminderit për fuqizimin e rinisë sonë dhe për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë dhe vlerësojnë një shoqëri të ndryshme dhe një dëshirë për të krijuar një botë më të drejtë dhe të barabartë. Faleminderit që e bëtë këtë punë jetësore pa pritje për falënderim; por e di se ju e meritoni mirënjohjen tonë.

Ne e kuptojmë se zëri juaj është një pjesë thelbësore e bisedave që ndikojnë në klasën tuaj dhe në profesionin tuaj. Ne e kuptojmë se puna juaj është një sfidë, por e di se është një punë vitale e rëndësishme për fëmijët tanë.

Studentët janë të prekur thellë nga ndikimi juaj, personaliteti dhe dashuria juaj.

Me këtë rast, Shoqata Shqiptare Amerikane “Ana E Malit” po pranon punën dhe përkushtimin tuaj dhe ju falënderojmë për këtë angazhim të përjetshëm”.

Në këtë kohë, unë do të sjellë prane jush disa edukatorë per t’i nderuar me çmim mirënjohje dhe ato janë:Aida Mehmeti/ Allmira Peri/ Arbenita Lubani/ Fatbardha Avdiu/ Haxhire Redzovic/ Jacqueline Kapaj-Vieira/ Kozeta Zylo/ Liridona Llolla/ Lumnije Gjekaj/ Mihana Avdiu/ Mika Capa/ Miranda Perezic/ Nafie Frangu Skara/ Suzana Braca/ Violeta Llolla dhe Zyli Dabi.

Të gjitha mësueseve iu dha nga një pllakatë në duar me mbishkrimin: “Mësueset frymëzojnë dhe realizojnë ëndrrat, ndërtojnë jetën dhe japin shpresë për të ardhmen”…

Dalja e tyre në skenë u mirëprit me duartrokitje ë stuhishme nga masa e gjerë e grave të pranishme në këtë festë.

Ëndrra e Sabinës të bëhej mësuese

Mësuesja që u veçua për të sjellë historinë e saj shumë frymëzuese ishte e Sabina Astafës.  Zonjushen simpatike e prezantoi znj.Haxhire Redzovic një grua simpatike plot vitalitet që çliron vetëm energji pozitive.  Ajo tha: “Falenderoj miken time Emmie Salaj dhe Shoqatën Ana Malit për të më dhënë mundësinë për të ndarë këtë histori tjetër”.

Nxenësja jonë e ardhshme, Sabina Astafa, ëndërronte të ishte mësuese gjatë gjithë jetës së saj. Kur ajo ishte e vogël, babai i saj i bleu një projektor “t’i besojë klasën” e saj dhe nëna e saj e furnizoi me shumë libra.  Ajo u rrit nga një familje e dashur që e inkurajoi që të vazhdonte ëndrrat e saj.

Për fat të keq, kur Sabina ishte vetëm 15 vjeçe, ajo humbi sistemin më të madh të mbështetjes që një fëmijë mund të kishte … prindërit e saj!

Siç mund ta dini, kur ballafaqoheni me tragjedi të vërtetë në jetë, ju mund të reagoni në njërën nga dy mënyrat: ju mund të humbni shpresën dhe të zhvilloni sjellje vetë shkatërruese ose mund të sfidoni veten për të gjetur forcën tuaj të brendshme.

Ndonëse nuk ishte e lehtë, falë dashurisë dhe mbështetjes nga familja dhe miqtë (shumë prej të cilëve ndodhen sot në këtë dhomë dhe ju e dini se kush jeni), Sabina ishte në gjendje të gjejë forcën dhe punën e saj drejt përmbushjes së pasionit të saj duke u bërë mësuese! Ajo e kuptoi se ndërsa përjetimi i humbjes në jetë do të ndryshojë, nuk duhet të përcaktojë ty.

Sabina gjithmonë besonte se mënyra më e mirë për të nderuar kujtimin e prindërve të saj do të ishte kthimi në komunitet për të qenë më fatlumë. Në vitin 2016, për të përkujtuar dhjetëvjetorin e humbjes së prindërve të saj, së bashku me vëllezërit e motrat, Sevdiana, Mërgim dhe Gianna organizuan një fushatë për mbledhjen e fondeve për të ndihmuar në mbledhjen e fondeve për Fondacionin Orphans Worldwide. Ata mblodhën mbi 16,000 dollarë!  Sabina, vëllezërit dhe motrat e saj janë një testament i vërtetë se me hirin e Perëndisë dhe një mbështetje të vogël, ne kemi fuqinë për të kapërcyer çdo pengesë në jetë!

Edhe një herë, faleminderit të gjithë anëtarëve të Shoqatës Ana Malit për njohjen e mbesës sime Sabina dhe që më lejuat të tregoj historinë e saj frymëzuese!

Historia e mësuese Sabinës që frymëzon…

Para së gjithash, dëshiroj të falënderoj anëtarët e bordit të Shoqatës “Ana E Malit” për të gjetur mua të denjë për këtë njohje. Unë jam aq e nderuar dhe krenare që po e marr këtë çmim në emër të karrierës time mësimore deri më tani, kështuqë faleminderit.

Sipas mendimit tim, një mësues është dikush, qëllimi kryesor i të cilit është që të synojë formimin e nxënësve të rinj të zgjuar, të jenë të  respektueshëm dhe të sigurtë, të cilët mund të kontribuojnë në shoqëri në një mënyrë pozitive.

Mësuesit nuk pushojnë së mësuari. Do të doja të ndaja tri mësimet që kam mësuar gjatë gjithë përvojës sime.

Mësimi 1: Mësimi im i parë rrjedh nga Nicholas Ferroni, një mësues i Historisë në Shkollën e Lartë të Bashkimit, i cili dikur tha: “Nxënësit, të cilët janë të dashur në shtëpi, vijnë në shkollë për të mësuar. Studentët që nuk janë, vijnë në shkollë për t’u dashur. Për aq shumë studentë, shkolla nuk është vetëm shkollë, por është shenjtërimi i tyre. Çdo student ka një histori për të treguar dhe vështirësi për të kapërcyer. Unë e di se shumica e nxënësve të mi duhet të nxitojnë në shtëpi për t’u kujdesur për shtëpinë dhe vëllezërit e motrat e tyre pas shkollës, ndërsa prindërit e tyre janë në krye të punës së tyre të dytë. Si mësues, të qenit i përulur është thelbësor në ndërtimin e një marrëdhënieje të shëndetshme me nxënësit tuaj. Sapo të keni vendosur këtë, nuk ka kufi se çfarë mund të mësojnë.

Mësimi 2: Mbajtja e një sistemi të fuqishëm mbështetës është absolutisht kritik për arritjen e qëllimeve tuaja. Sistemi im i mbështetjes filloi me prindërit e mi, të cilët ishin avokatët e mi më të mëdhenj. Babai im bëri gjithçka në fuqinë e tij për të më mbushur me gëzim në një moshë të re. Nëna ime tregoi mbështetjen e saj duke theksuar vazhdimisht rëndësinë e të qenit një grua e pavarur dhe e vështirë. Unë nuk e kisha besuar, por unë plotësisht e kuptoj se çfarë ajo nënkuptonte tani. Çdo gjë që vlen të ndjekësh kërkon punë të madhe, përkushtim dhe mbështetje. Rrethoni veten me njerëz që ju frymëzojnë dhe do t’ju ndihmojnë të ecni përpara në jetë. Unë përpiqem të jem ky frymëzim për studentët e mi. Duke thënë këtë, unë jam përgjithmonë mirënjohës për familjen dhe miqtë e mi, të cilët gjithmonë kanë qenë atje për mua.

Mësimi 3: Pa marrë parasysh se çfarë ndodh në jetë, gjithmonë mos harroni se jeta vazhdon. Nuk ka ndalesa; nuk ka shkurtore. Sa më shpejt që të mësoni ta pranoni këtë, do të ndiheni më të vendosur për të ndjekur ëndrrat tuaja, sepse ju refuzoni të përcaktoheni nga rrethanat tuaja. Në fund të fundit, nuk është ajo që na ndodh në jetë që na definon, ne zgjedhim t’i përgjigjemi asaj. Ky është një mësim që përpiqem të fut në të gjithë nxënësit e mi. Nëse jeni mësues apo jo, shpresoj që disa prej këtyre mësimeve të rezonojnë me ju. Unë do të doja të përgëzoj marrësit e mirënjohjeve si dhe edukatorët e tjerë këtu që vazhdojnë me vendosmëri për të ardhmen e nxënësve tanë ne një plan mësimi në të njëjtën kohë.

Mësuese Sabina

Sabina Astafa është një mësuese e shkollës së mesme në North Plainfield, New Jersey. Sabina fitoi diplomën Bachelor në Universitetin Rutgers në vitin 2013, ku ajo bashkëthemeloi klubin e lidhjes shqiptare.  Pas përfundimit të orëve të saj të hershme, Sabina kaloi studimet universitare përfundimtare, semestër që studioi jashtë vendit në Universitetin e Londrës – një përvojë që ajo e përshkruan si të dyja shpirtërisht dhe intelektualisht të dobishme.

Sabina fitoi masterin e saj në mësimdhënien e gjuhës angleze për studentët e mesëm në Universitetin Monmouth, duke përfunduar Summa Cum Laude në vitin 2015.  Ajo filloi punën e saj të ëndrrës ne qendrën e mësuesve të shkollës tre muaj më vonë. Klasa shpejt u bë sheshi ideal për Sabinën e cila tregoi pasionin e saj për të frymëzuar të tjerët.

Në 2016, Sabina filloi një fushatë për mbledhjen e fondeve në përkujtim te prindërve të saj që ikën larg në tetor 2006. Qëllimi ishte t’i jepja përsëri fëmijëve në nevojë më shumë fat dhe, nga ana tjetër, ta nderonin prindërit.

Një nga qëllimet e Sabines në jetë është të pohosh nocionin që fillon nga tejkalimi i vështirësive

brenda: Pranimi i sfidave me gjithë zemër, të mësuarit prej tyre, dhe përfundimisht ndarjen e këtyre përvojave me botën.

4 mars, 2018

Staten Island, New York

  • Fotografite i shihni ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: Opinion Tagged With: Ana e malit, Keze Kozeta Zylo, nderoi mesueset

NJË JETË PËR SHQIPEN – NË KUJTIM TË PROF. NORBERT JOKL

March 5, 2018 by dgreca

1-agron-alibali-2

Nga Agron Alibali/

Në mëngjesin e një dite të ftohtë marsi, pikërisht 76 vjet më parë, me 4 mars 1942, dy oficerë të Gestapos do të trokisnin në portën e apartementit të Prof. Norbert Jokl në rrugën Neustiftgasse 67 në Vjenë.Në kryerje e sipër të arrestimit, dy oficerët nazistë nuk mund të mos vërenin studion e vogël dhe modeste tê profesorit të shquar, si dhe bibliotekën me mëse 3000 libra të rrallë dhe mijëra faqe dorëshkrimesh.Trazimet në jetën e prof. Jokl kishin nisur rreth 4 vjet më parë, me “bashkimin” e Austrisë me Gjermaninë, kur Jokli ishte pushuar nga puna e tij si kryebibliotekar në Universitetin e Vjenës dhe Prof. i Gjuhësisë atje.Menjëherë filloi edhe beteja e miqve shqiptarë, në Europë e Amerikë, për shpëtimin e tij. Në krye të përpjekjeve u vunë Faik Konica dhe Fan Noli. Synimi fillestar ishte dhënia e shtetësisë shqiptare për Joklin në pritje të nguljes së tij në Shqipëri. Kurse në atdhe për Joklin po përpiqeshin edhe Poradeci, Fishta etj.

Jokli ia kishte kushtuar jetën gjuhës shqipe. Edhe pse studimet universitare i kishte kryer në drejtësi, Jokli kishte mbaruar doktoraturën në gjuhësi krahasimore, duke u specializuar në shqipen, gjuhët balltike e sllave, dhe më pas u përfshi tërësisht në këtë fushë të rrallë të dijes.

Me punën e tij këmbëngulëse dhe njohuritë e thella në gjuhësinë krahasimore, ai kishte arritur përfundime shkencore me rëndësi të jashtëzakonshme në studimet albanologjike dhe të gjuhëve indoeuropiane.  Vetë Mbreti Zog e kishte nderuar Joklin me dekoratën më të lartë të Mbretërisë me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë.  Sipas Prof. Mahir Domit, shteti shqiptar, me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit, kishte dhënë 5000 franga qysh në vitin 1926 për botimin e punimit madhor të Joklit – Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe.

Mirëpo pushtimi fashist i Shqipërisë ndryshoi rrjedhën normale të jetës dhe të historisë. Prandaj, Jokli e mendoi seriozisht për të emigruar në Amerikë dhe për të vijuar punën atje. Dhe aty atij iu gjindën sërish Fan Noli dhe Faik Konica, edhe pse ky i fundit tashmë kishte mbetur pa punë. Noli madje përfshiu në përpjekjet për shpëtimin e Joklit edhe Departamentin amerikan të Shtetit, si dhe institucione të ndryshme që ndihmonin studiues hebrenj të rrezikuar nga përndjekjet naziste.

Ndërkaq, autoritetet kolaboracioniste në Tiranë, të cilat e njihnin mirë dhe e respektonin së tepërmi personalitetin dhe punën e Joklit, i nisën atij ftesën e njohur të shtator 1941″, ku i ofronin punësim si Kryebibliotekar i Shqipërisë dhe i bënin thirrje të nisej pa humbur kohë.

Mirëpo Jokli ngurroi. Përse vallë?

Sipas gjetjeve të fundit, tri ishin arsyet kryesore:

Së pari, Jokli ende mbante shpresë për kalimin përfundimtar në Amerikë. Mirëpo dera amerikane u mbyll tërësisht pas sulmit në Pearl Harbor në dhjetor 1941.

Së dyti, duket se ai ruante njëfarë rezervë ndaj autoriteteve kolaboracioniste në Tiranë. Shqipëria e pavarur nuk ishte më. Mbreti Zog dhe qeveria e tij, që e patën vlerësuar aq shumë, ishin larguar nga vendi. Kur vetë bashkëvendësit nazistë të Joklit në Vjenë po e kërcënonin seriozisht, ç’garanci do të kishte që edhe fashistët në Shqipëri ë të mos kthenin pllakën pas nguljes së tij në Tiranë?

Dhe së treti, pengesë ishin edhe vetë biblioteka dhe arkiva e tij e jashtëzakonshme. Jokli nuk kishte familje, as fëmijë. Ai kishte vetëm librat dhe punën e tij, të pasqyruar në botimet e dorëshkrimet e çmuara e të pafund. Kur zjarri bie në shtëpi, gjëja e parë dhe e vetme është shpëtimi i vetes dhe i familjes. Librat dhe dorëshkrimet ishin fëmijët e tij. Jokli nuk mund t’i linte ato pas.

Arrestimi me 4  mars 1942 ishte filllesa e mbarimit të Norbert Joklit. Data e 11 majit 1942 jepet zyrtarisht si dita e eliminimit të tij fizik në Kampin nazist të shfarosjes në Maly Trostinec në Bjellorusi.

Siç na dëshmon Prof. Eqrem Çabej, Norbert Jokli ia la trashëgim popullit shqiptar gjithë pasurinë e tij në këtë botë, përfshirë bibliotekën dhe dorëshkrimet e tij të çmuara.Humbja tragjike e Norbert Joklit është ndër krimet më të përbindshme të nazizmit. Në bazë të doktrinës juridike të cenimit të vazhdueshëm, krimi ndaj Joklit vijon edhe sot e gjithë ditën përderisa autorët nuk janë ndjekur penalisht dhe efektet e tij vijojnë edhe sot. Në mes të viteve 1950, Prokuroria Federale Gjermane hapi çështjen penale për vrasjen e dhunshme të Prof. Joklit, ndërkohë që pasuria e tij bibliotekare dhe intelektuale ende nuk i është kthyer “popullit shqiptar”.

Duhet thënë se shteti shqiptar ka shprehur në vijimësi nderimin, por sidomos interesimin e veçantë për trashëgiminë e Joklit. Nê vitin 1977 profesorët Kostallari dhe Çabej hartuan një listë të plotë të trashëgimisë intelektuale të Joklit. Zyrtarë të lartë të kulturës shqiptare sot kanë shprehur gatishmërinë për mbajtjen e një konference shkencore në nderim të Joklit, ndërkohë që Instituti Çabej dhe Shtëpia Botuese Çabej, në bashkëpunim me gjuhëtarë të shquar, po përgatisin botimin në shqip të një ndër veprave më të rëndësishme të tij.

Një nismë private është ndërmarrë para një viti nga tre shtetas amerikanë për kthimin në Shqipëri të trashëgimisë së Joklit, në përputhje me vullnetin e tij. Mirëpo ka ardhur koha që të ndërmerren hapa konkrete institucionale për kthimin e plotë dhe strehimin e sigurtë të gjithë trashëgimisë së Joklit në Shqipëri. Por ku?

Para dy vitesh, Këshilli i Mnistrave i Republikës së Shqipërisë transferoi pronësinë e ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nga Ministria e Kulturës për tek Bashkia e Tiranës. Gazetari dhe studiuesi Ben Andoni ka hedhur idenë që ndërtesa të tansformohet në bibliotekë. Vërtetë, pse të mos t’i kthehet sërish kjo ndërtesë në pronësi dhe administrim Ministrisë së Kulturës, dhe të transformohet në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”, ndofta si aneks i BKSH-së ose i Akademisë së Shkencave? Kësisoj ajo mund të shndërrohet në qendër gjithëpërfshirëse depozitare, bibliotekare dhe arkivore moderne, multimediale, e shkencave dhe studimeve albanologjike, ku do të ruheshin për brezat në vijm jo vetëm pasuria intelektuale e Norbert Joklit, por edhe biblioteka të albanologëve të tjerë të shquar, brenda dhe jashtë vendit, të cilat u mbeten familjeve pas vdekjes së tyre.

Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb. Prandaj do të ishte një akt i rrallë fisnik, qytetar, dhe madje historik i Bashkisë së Tiranës rikthimi i ndërtesës së ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës nën administrimin e Ministrisë së Kulturës, dhe emërtimi e shndërrimi i saj në Bibliotekën e Studimeve Albanologjike “Norbert Jokl”.

Filed Under: Opinion Tagged With: agron alibali, Ne kujtim te Norbert Jokl

Shtohen zërat për dhe kundër zgjidhjes së kontestit të emrit

March 4, 2018 by dgreca

Nga Isuf Kadriu/1 Maqedoni ok

Ne Foto:Protestë në Shkup kundër ndryshimit të emrit kushtetues të Maqedonisë, organizuar nga lëvizja “Emri ynë është e drejta jonë”, e diel, 4 mars 2018/

Procesi i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë, ka hyrë në fazën më të vështirë pas qëndrimit të fortë të palës greke, e cila kërkon që zgjidhja të përfshijë jo vetëm ndërrimin e emrit të shtetit, për përdorim të brendshëm dhe jashtëm, por edhe ndryshimin e Kushtetutës, që nënkupton edhe një formulim të ri për identitetin, gjuhën dhe çështje tjera.

Kjo ka bërë që të rriten pakënaqësitë edhe pse në opinion tani është hapur debati nëse ndërrimi i emrit dhe i Kushtetutës rrezikon edhe identitetin, pasi njohës të çështjeve politike dhe të historisë, thonë se identiteti shtetëror dallon nga ai i ndjenjës së përkatësisë etnike brenda shtetit.

Por, nga ana tjetër, në mbrojtje të emrit aktual, është ngritur edhe Kisha ortodokse maqedonase, e cila kërkon ndërprerjen e bisedimeve, ngjashëm sikur edhe Kisha greke, e cila kohë më parë mbajti protesta në Athinë dhe Selanik në mbrojtje të pozicioneve të palës greke.

“Vetëm Zoti mund ta shpëtojë Maqedoninë, pasi pa Zotin, atdheu, kombi ynë dhe kisha nuk do të ekzistojnë në kohën kur jemi të nënçmuar deri në skajshmëri. Këtu mund të na ndihmojnë edhe grekët pasi nëse ata nuk heqin dorë nga vijat e kuqe, procesi i bisedimeve do të dështojë se ne do të shpëtojmë, nuk do të ndryshojmë as emrin e shtetit, e nuk do të humbim as identitetin e as gjuhën”, ka deklaruar në tubimin e fundit në Shkup peshkopi Petar nga Kisha ortodokse maqedonase.

Ai ka bërë thirrje për unitet, ndërsa ka drejtuar akuza ndaj partisë në pushtet të kryeministrit Zoran Zaev për heqje dorë nga interesat shtetërore dhe kombëtare.

Pavarësisht kundërshtimeve që duken se po e vështirësojnë procesin, Nano Ruxhin, ish-ambasador i Maqedonisë në NATO dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare beson se problemi do të ketë zgjidhje.

Ai e arsyeton protestën e organizuar nga kisha duke theksuar, madje, se ajo mund të ketë edhe efekte të mira për t’ia bërë të qartë palës greke se edhe këtu ka njerëz që nuk janë të kënaqur me zgjidhjet që ofrohen.

Pamje nga protesta në Shkup, e diel 4 mars 2018.
Pamje nga protesta në Shkup, e diel 4 mars 2018.

“Është më se normale të ketë protesta, dhe kjo është një gjë e mirë që t’i tregojmë palës greke se edhe ne këtu kemi njerëz që nuk janë të kënaqur dhe se ai që nënshkruan marrëveshjen, mund të rrezikojë shumë. Por, në anën tjetër, gjithashtu vlerësoj se është mirë që këto protesta nuk u mbështetën të paktën deklarativisht nga VMRO-ja që nënkupton se mund të kemi një konsensus për mbylljen e problemit”.

“Unë jam optimist se zgjidhje mund të ketë, ndoshta deri në qershor. Është një mundësi e mirë për vendin pasi për herë të parë në këto 27 vjet sa ekziston ky kontest, kemi qëndrim të qartë nga Qeveria se është e gatshme për kompromis dhe tash ajo ka bërë të ditur se pranon një emër me përcaktim gjeografik dhe, madje, ka dalë edhe me katër emra konkretë”, vlerëson Ruxhin.

Sa i përket debatit për identitetin dhe pretendimet se me ndryshimin e emrit, mund të ndryshohet edhe identiteti, Albert Musliu, analist politik, thotë se kjo nuk qëndron. Ai këtë e sqaron me rastin e shqiptarëve, të cilët janë shtetas të Maqedonisë, por në anën tjetër askush nuk mund t’ua mohojë përkatësinë e tyre kombëtare.

Për gjendjen e krijuar, Musliu fajëson partitë, të cilat siç thotë, këtë problematikë gjithmonë e kanë shfrytëzuar për përfitime politike.

“Unë mendoj se emërtimi i shtetit nuk ka se si të ndikojë në destabilizimin e vendit apo në ndryshimin e identitetit tim etnik. Nëse ne nuk i marrin për bazë politikanët dhe nëse shkenca inkuadrohet në mënyrë të duhur dhe nga ana tjetër, politikanët të bëhen të përgjegjshëm dhe jo të shohin interesin e momentin, unë mendoj se edhe ajo frikë, e cila është legjitime te qytetarët, pasi ajo është e pranishme kur shohin se si çdo ditë bombardohen se do të humbin identitetin e gjuhën, atëherë nuk shoh unë se si mundet që emërtimi i shtetit, realisht, të ndikojë në humbjen e identitetit të komunitetit më të madh në Maqedoni”, konsideron Musliu.

Ndryshe, palët pritet t’i qartësojnë pozicionet e tyre gjatë vizitës së paralajmëruar në Shkup të shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijac.

Ende s’dihet data e vizitës së tij, por asaj i paraprinë heqja e emrit “Aleksandri i Madh”, që mbante Aeroporti i Shkupit, si dhe i autostradës në drejtim të Greqisë që tani quhet “Miqësia”.Këto veprime janë ndërmarrë nga Shkupi si shprehje e gatishmërisë për forcimin e raporteve apo për t’i dëshmuar Greqisë se Maqedonia nuk ka qasje irredentiste siç pretendon Athina, e cila vlerëson se heroi Aleksandri i Madh i takon Greqisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: emri, Issue Kadriu, maqedoni, pro dhe kunder

NJOFTIM-TE SHTUNEN, 3 MARS MBLEDHJA E KESHILLIT DREJTUES TE VATRES

March 2, 2018 by dgreca

Logo Vatra-1Siç eshte njoftuar nga sekretarja e Vatres, te Shtunen me 3 Mars 2018, ora 10 e 30 am mblidhet Keshilli Drejtues Vatres me kete Rend Dite:

– Prezantimi i punes se Vatra Foundation Inc-Raport nga z. Nexhat Kaliqi.

– Prezantimi i Punes se Fondit te Studenteve-Raport nga Z. Mithat Gashi.

  • Raport i financierit te Vatres z. Marjan Cubi
  • Raport i Kryetarit te Komisionit Te Garancive te Kanunores z. Bashkim Musabelliu

–      Raport i financierit te Vatres z. Marjan Cubi

–      Prezantimi i platformave te punes se:

–     Editores se faqeve anglisht te gazetes Dielli Znj. Rafaela Prifti

–     Keshilltarit per çeshtjet e kultures z . Gezim Nika

–    Keshilltarit per Zhvillimin Ekonomik z. Elmi Berisha

–   Menaxherit te pergjithshem te aktiviteteve z. Frederik Ndoci

  • Koordinatorit te medias  Dritan Haxhia.

–    Te ndryshme/ Deget, anetaret mund te shtrojne ceshtje per diskutim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbledhja e Keshillit Drejtues, Njoftim, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 439
  • 440
  • 441
  • 442
  • 443
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT