• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryepeshkopi Janullatos bëhet shqiptar- Ia patën refuzuar 4 presidentë

December 24, 2017 by dgreca

Presidenti Meta i jep shtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas Janullatos/

2 Janullatos

Presidenti Ilir Meta i ka dhënë shtetësinë shqiptare kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i president Tedi Blushi.Më herët shtetësia i është refuzuar nga presidenti Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani. Në një intervistë tre ditë më parë për një televizion grek, kryepeshkopi Janullatos tha se pas largimit të tij, në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare duhet të jetë patjetër një shqiptar dhe jo një shtetas grek. Po ashtu dhe me anë të një postimi në Facebook, Meta shpreh falenderim për peshkopinm dhe ka bërë publik vendimin e tij. Postimi i Metës Të dashur miq, Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos. Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë. Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!

Filed Under: Opinion Tagged With: Krypeshkopi Janullatos, Presidenti Meta, shtetsi shqiptare

Lotët e asaj vajze

December 21, 2017 by dgreca

1-reshat-kripa

Reshat Kripa*/Vjeshtë 1992. Në një nga ditët e  asaj  vjeshte, nga Ministria e Arsimit,  erdhën disa kërkesa për të drejta studimi për në arsimin e lartë, për të përndjekurit politikë.  Duhej të zgjidheshin personat që do të vazhdonin studimet. U mblodhën kërkesat dhe kryesia e shoqatës së të përndjekurve politikë filloi diskutimin për të caktuar kush do të përfitonte dhe në cilin fakultet. Pasi kishin diskutuar disa nga anëtarët e kryesisë, u ngrit Fatosi:

– Gjithmonë kam patur një ëndërr. Desha të studioja. Desha të bëhesha dikush. Por regjimi nuk më lejoi. Tani jam në moshë të thyer. Megjithatë këtë dëshirë vazhdoj ta kem dhe më duket se sot ka ardhur dita që ta realizojë. Ndaj ju drejtohem juve, të dashur miq, po e  patë  të  arsyeshme,  më   jepni  njërën  nga  të drejtat e studimit.

Asnjë nuk foli. Për disa minuta mbretëroi heshtja. Së fundi u ngrit  Visari:

– Unë jam dakord dhe kam besim të plotë se  do  të  na  nderojë.

Nuk   kundërshtuan.  Miratuan   listën  e  emrave fitues   dhe   ngarkuan   Fatosin,  si  sekretar,  që  të  bënte shkresën përkatëse.

Kaluan disa ditë. Ishte përpiluar  shkresa  dhe  po pritej që të vinte kryetari për ta nënshkruar. Fatosi qëndronte në zyrën e shoqatës dhe priste të  përndjekurit që kishin probleme.

Trokiti porta.

– Hyni! –  tha ai.

Në zyrë hyri një vajzë. Fatosit iu duk si  një  fytyrë e njohur por nuk i kujtohej se ku. I zgjati dorën, e ftoi të ulej dhe i tha:

– Përse jeni munduar?

Vajza vuri buzën në gaz.

– Nuk po më njihni?

Fatosi qëndroi i habitur. Iu duk sikur  në  ato  çaste kujtesa i  kishte fluturuar. Ajo e kuptoi dhe foli:

– Jam Sandra Mino.

– Sandra? Vajza e mikut tim?

U ngrit, e përqafoi fort dhe e puthi në ballë.

– Xhaxhai si është? –  pyeti.

– Xhaxhai nuk jeton më, – u përgjigj ajo. – Ka disa vjet që i ka mbyllur sytë.

Për një çast Fatosi e ndjeu veten  ngushtë. I erdhi shumë keq që nuk  e  kishte  marrë vesh këtë lajm më parë.

– Përse je munduar, moj bijë? – e pyeti.

– Kam  dëgjuar  se  ju  kanë ardhur disa  të  drejta studimi. A e mbani  mend  se ç’më  thatë  ditën  e  fundit kur u takuam para disa  viteve? Mendova  se  erdhi  dita  e plotësimit të ëndrrës sime.

Fatosi mbeti keq. Listat ishin përfunduar dhe  bërë gati për t’u nënshkruar. Si t’ia bënte? A mund të hiqte ndonjë dhe të shkruante emrin e saj? Nuk e kishte atë të drejtë.

– Po   je   kujtuar    vonë,   moj   vajzë  –   i   tha.  –  Tashmë listat janë miratuar.

– Tani e  mora  vesh  –  tha  ajo  dhe  nga  sytë  i  rrodhën  disa  pika  lot.  

Fatosit  iu  kujtua  ngjarja  e  disa viteve më parë, kur nga sytë  e  saj  kishte  parë  të  rridhnin të njëjtët  lot si sot.

Atë   mëngjes   ishte    ngritur    herët.  Duhej   të  kapte trenin e orës 6.oo. I ishte bërë zakon që kur kishte ndërmend të udhëtonte të ngrihej disa orë para kohës së caktuar. Duhej të shkonte në Tiranë. Vëllai i tij, Kreshniku, ishte shtruar në spital dhe i duhej të  interesohej për të. Në pasdite duhej të kthehej përsëri se të nesërmen detyrimisht duhej të paraqitej në punë.

Mbërriti në stacion dhe shkoi te biletaria. Një radhë e gjatë ishte para sportelit. Ishte e diel dhe njerëzia kërkonin t’i zgjidhnin problemet e tyre në të vetmen ditë pushimi. Në radhë pa Astritin, një shokun  e  tij. I dha lekët dhe ai i preu biletën.

– Eja, –  tha Astriti  pasi  doli  nga  radha. –  Kam dërguar gruan dhe djalin të zenë vendet.

– Ku do të shkoni? – e pyeti Fatosi.

– Në Fier.

Hipën në tren dhe filluan të kërkojnë vagon më vagon, ku ishin gruaja dhe djali i tij. Së fundi i gjetën. Astriti u ul në vendin që i kishin ruajtur ato. Vendet e tjera ishin të zëna. Madje kishte edhe një shumicë njerëzish që qëndronin në këmbë.  I vetmi mjet për trasportin e udhëtarëve ishte i tejmbushur.

Ndërkaq sirena oshëtiu dhe treni u nis duke rrëkëllitur rrotat sipas ritmit.

– Ku   shkoni? –  i   tha  një  burrë  që  qëndronte pranë tij.

– Në Tiranë, – iu përgjigj.

– E paskemi rrugën bashkë, – vazhdoi – por, si duken bathët, do ta bëjmë të gjithë më këmbë.

– Mos  u   merakos,  –   iu  përgjigj  Fatosi  –  Në Fier  do të zbresë ky miku  im  me  gjithë

familjen  dhe   ulemi   në  vendet e tyre.

– Po ti rrofsh se më hoqe sikletin! – tha me një zë që shprehte kënaqësi i  panjohuri. – Nuk kam hallin tim, por të kësaj kërthisë që kam me vete.

Fatosi hodhi vështrimin nga drejtimi  që  tregoi  ai  dhe dalloi një vajzë që nuk duhej të  ishte  më  shumë  se tetëmbëdhjetë vjeç. Ishte një bukuri e rrallë. Sytë e zezë, vetullat në formën e hënës së porsalindur, hunda  e  vogël dhe buzët e kuqe i jepnin një hijeshi të veçantë asaj fytyre.

Ndërkaq mbërritën në Fier. Astriti zbriti dhe ata u ulën. Fatosi në një anë dhe i panjohuri përballë tij, së bashku me vajzën.

– Vajza jote? – e pyeti.

– Jo, mbesa, – u përgjigj dhe me një zë të ulët, që të mos e dëgjonte ajo, vazhdoi – Është jetime. Dy muaj më parë i vdiq i ati, vëllai im.  Tani kujdesem unë për të.

I panjohuri ishte nga ata tipa që zinin miqësi menjëherë.

– Do të shkojë në Tiranë të interesohem për t’i nxjerrë të drejtën e studimit për shkollën e lartë.

– Nuk i paska  dalë?

– Jo

– Përse?  – e shtyu kureshtja Fatosin ta pyes.

I panjohuri hapi  çantën që mbante në duar  dhe  i tregoi  deftesën   e  pjekurisë. Fatosi  shtangu. Të  gjitha notat ishin dhjeta. Si kishte mundësi? Hodhi vështrimin nga vajza dhe pa sytë e saj  të bukur dhe iu duk sikur  prej tyre rridhnin dy pika lot. Mendoi se me siguri ajo duhej të kishte diçka në biografine e saj.

– Ngrihe  kokën,  vajzë! –  i   tha  për  ta  qetësuar.  –  Të  siguroj se së shpejti do të shkosh në universitet

Ajo  fshiu lotët dhe pëshpëriti:

– A thua?

Në ato dy fjalë Fatosi dalloi dëshirën për të studiuar dhe për të dalë në jetë. Xhaxhai hodhi një vështrim dhe bëri një shenjë që ai nuk e mori vesh se ç’donte të thoshte. Nuk e zgjati më. Ktheu vështrimin nga dritarja dhe po shikonte drurët e pemëve që fluturonin në drejtim  të kundërt me lëvizjen e tij. Papritur pranë  veshit   dëgjoi  një zë që pëshpëriti:

– Eh, or mik! Nuk rri dot pa jua thënë dy fjalë.

Fatosi ktheu kokën dhe pa xhaxhanë që  ishte afruar pranë veshit të tij dhe pëshpëriste me zë të ultë që të mos e dëgjonin ata që ishin aty pranë.

– Kam  frikë! Kam  frikë  se  do  të  na  dalë  rruga bosh.

– Përse?

Nuk u përgjigj. Qëndroi disa minuta në heshtje, pastaj vazhdoi:

– Të dalë, ku të dalë. Do t’jua them.

– Si është puna? – pyeti Fatosi.

– Babai i saj dhe  vëllai  im  ka qenë në burg për politikë. U dënua me  njëzet vjet. Pasi  u lirua e martuam me një të rradhës së tij. U lindi kjo vajzë. Para dy muajsh tim vëlla e zuri sëmundja e keqe që e hoqi nga kjo jetë.

Fatosi u bë kureshtar të mësonte se në çfarë periudhe ishte burgosur i vëllai.

– Kur është burgosur?

– Në vitin 45.

– Si e quanin?

– Josif Mino

Fatosit i çeli fytyra. E kishte njohur. Fati e  kishte sjellë që të endeshin bashkë nga njëri kamp në tjetrin.  Ishte një intelektual i vërtetë, por edhe nje njeri i veçantë.  I  erdhi shumë keq kur mësoi se nuk jetonte më.  

– Ngushëllime! – i tha mikut.

Ktheu vështrimin nga vajza. Ajo ishte zhytur në leximin e një libri dhe nuk dëgjonte se ç’pëshpëritej rreth e rotull.

– Më vjen shumë keq, – vazhdoi –  e kam njohur. Kemi qenë së bashku.

– Ashtu?  Ma   ndolli   zemra!   –  klithi   ai   dhe  i  qeshi  fytyra. Pastaj vazhdoi:  –  Josifi ishte djali i madh i shtëpisë. Babai, bëri si bëri, dhe mundi të siguronte një shumë të hollash  dhe ta dërgonte për studime në Romë. E  mbaroi   me   rezultate   të   shkëlqyera.   Sandra,    kështu

quhet vajza, atij i ka ngjarë.

– Ku do të shkoni?

– Kam një kushëri në Ministrinë e Arsimit.  Nuk   e di   në  se  do  të  mbarojë  punë   por,  sidoqoftë,  do  e  hedh edhe këtë zar.

Fatosi hodhi vështrimin nga vajza dhe para syve i doli rinia e tij. Kishte mbaruar shkollën e mesme me rezultate të larta. Kishte bërë  kërkesë për vazhdimin e studimeve, por i ishte refuzuar.   Një   mik   i kishte  sugjeruar   të   shkonte  të  takonte Ministrin e Arsimit në Tiranë.

– Shpresoj të të ndihmojë, – i  kishte  thënë  miku. –  E  kemi patriot. Ai e njeh familjen tënde.

Kishte shkuar. Ministri  nuk  ndodhej në Tiranë. E kishte  pritur zëvendësi i tij. I kishte  treguar  gjithçka, edhe  për  burgun  që   kishte  bërë. Së fundi,  i kishte treguar dëftesën e pjekurisë. Si e kishte vështruar  mirë  e mirë, zëvendësministri kishte thënë:

– Djalë i mirë, shko puno dhe jeto i qetë. Mos u mundo të kërkosh më tepër.

Ato fjalë i kishin dhënë të kuptonte se rrugët  për të vazhduar më tej ishin të mbyllura.

Këto gjëra mendonte duke vështruar vajzën me dy pika lot në sy. Në ndërgjegjen e tij ndiente se edhe ajo do të merrte të njëjtën përgjigje. Ishte koha e zhgënjimeve të mëdha, e ëndrrave të parealizuara, ëndrrave të kyçura.

Ndërkohë u ndie një zë  nga qendra e zërit të trenit:

– Po mbërrijmë në stacionin e Tiranës. Ju  lutemi pasagjerëve të mos harrojnë plaçkat.

U ngritën dhe dolën. Udhëtuan një copë rrugë së bashku, pastaj u ndanë, ata për te kushëriri i tyre, ndërsa ai  për në spital.

Pas    ndonjë    muaji    Fatosi     e    takoi    vajzën rastësisht.

– Fillove? –  e pyeti me kureshtje.

– Jo, – u përgjigj ajo me një zë të dridhur dhe lotët i rrodhën përsëri nga sytë.

– Mos u mërzit, – i tha ai për ta qetësuar, –  je  e  re dhe do të vijë dita që të plotësosh ëndrrën tënde.

U ndanë. Ajo iku  me  kokën  e  ulur  dhe  atij  i dukej sikur vazhdonte të lotonte.

Pikërisht këta lot iu kujtuan në ato çaste. Iu duk sikur vajza vazhdonte të jetonte atë kohë të zymtë.

E mblodhi veten. U mendua një çast dhe më në fund vendosi. E kishte një mundësi për ta ndihmuar atë vajzë. Dhe ajo mundësi ishte ai vetë. Ajo do të zinte vendin e tij në listë. Ishte e re, plot energji, ndërsa ai pothuajse në fund të rrugës së tij. Si mund të dilte para saj?

– Leri lotët, – i tha. – Ti do të jesh në krye të listës

– Vërtetë? – thirri ajo pa arritur të  kuptojë se çfarë kishte ndodhur.

– Mos pyet më tepër. Mëso që të shkëlqesh si në gjimnaz dhe të bëhesh e vlefshme për këtë vend. Atdheu ka nevojë  për  njerëz  si ti.

U ngrit dhe e përqafoi. Lotët vazhdonin të mbulonin fytyrën e saj. Por këtë herë ishin lot gëzimi.

*Fragment nga romani “Në kërkim të lirisë”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Lotët e asaj vajze, reshat kripa

AMBASADORI LU NUK E BINDI OPOZITEN- PROTESTAT NE JANAR

December 20, 2017 by dgreca

KREU I PD- AMBASADORIT LU: ISHTE PUÇ KUSHTETUES/

lu-Basha_ne_seline_PD

Në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të PD thuhet se “Basha i përcolli  ambasadorit amerikan Donald Lu kundërshtimin e prerë të Partisë Demokratike për zgjedhjen antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm”.

Basha i bëri të qartë ambasadorit amerikan se “mos krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga parlamenti, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin”.Gjatë bisedës me ambadorin amerikan, Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën.Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim.- u shpreh Basha.

Kryetari i opozitës e siguroi ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.

Takimi me Bashen ne seline PD

Takimi i nisur rreth orës 11:00 ka përfunduar rreth orës 12:05 minuta të mesditës së sotme.Zyrtarisht nuk ka asnjë deklaratë lidhur me përmbajtjen e këtij takimi, ndërsa pritet një deklaratë për median e kreut të PD-së.

Ndërkohë dje Berisha nga studio e “360 grade” e Artur Zhejit në Ora News lëshoi një deklaratë të fortë duke deklaruar se ambasadori i SHBA-se, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-se Romana Vlahutin janë ambasadorë të Ramës në SHBA e BE.

donald_lu_dhe_monika_kryemadhi

Takimi tek LSI

Opozita ka deklaruar se do të ndërmarrë një valë protestash në janar. Pas selisë PD, ambasadori Donald Lu ka marrë rrugën drejt selisë LSI, ku u takua edhe me kryetaren Monika Kryemadhi.

Kryemadhi takon Lu: Kushtetuta dhe shteti i së drejtës në rrezik

Sipas zyrës për shtyp të LSI, Kryemadhi në takimin me Ambasadorin e SHBA z.Donald Lu theksoi që në fillim se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues.

Kryemadhi: Ishte një proces i një anshëm i cili u krye nga Kryeministri me qëllimi kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish Ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë.

Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se: “Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për tu shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe Integrimin Europian”.

Kryetarja e LSI-së gjatë takimit me Ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në parlament.

Ajo tha se “gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i parlamentit Ruci, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në parlament”.

“Parlamenti nuk është më një institucion demokratik por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfide ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”, shtoi Kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se gjakosja e deputeteve më të reja të parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund ti jepej rinisë shqiptare.

Ajo shprehu vullnetin e LSI-së për të futur vendin në rrugën e kushtetuetshmërisë, pasi aktualisht gjithçka ka dalë nga shinat e kushtetutës.

Kryemadhi: Ky kaos kushtetues ka bërë që qytetarët të humbasin besimin te shteti i së drejtës, gjë që është shkaku kryesor që shqiptarët braktisin vendin dhe pse të rinjtë kanë humbur shpresën. Vullneti i LSI-së për të zbatuar një reformë në drejtësi vetëm në respekt të plotë të kushtetutës dhe të ligjit është një vullnet i pa ndryshuar dhe votat e LSI-së në parlament do jenë në shërbim të kësaj sfide.  Ngritja menjëherë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më tej SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë rruga e vetme për ti shkuar deri në fund luftës kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit galopant.

Ajo i kërkoi njëkohësisht Ambasadorit Lu një vlerësim objektiv të ngjarjeve më të fundit për të evidentuar qartë se shkaktarët e dhunës brenda dhe jashtë parlamentit ishte mazhoranca e drejtuar nga Kryeministri dhe dëshira e tyre e shfrenuar për ti mbyllur gojën çdo zëri opozitar dhe qytetar që demaskon dhe denoncon situatën e rëndë ku ndodhet vendi dhe sundimit të ligjit.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: - PROTESTAT NE JANAR, AMBASADORI LU NUK E BINDI OPOZITEN

Vajza e Dritave të Krishtëlindjeve

December 18, 2017 by dgreca

(Histori e Vërtetë)/

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/

Bora filloi më vonë se vitet e tjera. Tisi i bardhë kish mbuluar çdo gjë. Romantikët, dhe pse nuk pëlqejnë erën e veriut, që nuk lë të shijosh parajsën e radhës, përsëri s’i ndal asgjë ta përkëdhelin bardhësinë e  përsosur me penel, poezi, këngë dhe lurtim fizik.

1 Christmas-Outside-Home-Decorations-02Ishte muaji Krishtëlindjeve. Atmosfera ndihej kudo, në rrugë , dyqane e ambiente pune. Shtëpitë, shkollat, qendrat e biznesit ishin stolisur tradicionalisht. Njerëzit e gëzuar uronin njëri-tjetrin, “Merry Christmas!”. Drerët dhe sorkadhet dilnin  shkujdesur buzë pemëve, rreth shtëpive e sikur thonin, është koha jonë dhe ju nuk mund të bëni pa ne. Legjenda tregon se, drerët fluturojnë sëbashku me Santa Claus, shtëpi më shtëpi, për t’u shpërndarë dhurata fëmijëve, prandaj në muajin Dhjetor, drerët janë krenarë dhe të paprekshëm.

Krishtëlindjet janë kulmi i gëzimit. Por jo të gjithë galdojnë dhe ndjejnë atmosferën festive… Për vajzën e vogël, Mukades, koha e Krishtëlindjeve ishte koha e dilemave dhe torturës shpirtërore. Sa afrohej muaji i festave, ajo bëhej e heshtur dhe mbyllej në vetvete. Nganjëherë qante me ngashërim. Rrinte tek dritarja, shijonte flokët e bardhë të dëborës  , kundronte dritat shumëngjyrëshe të Krishtëlindjeve dhe pyeste veten, pse babai dhe familja  e saj nuk lejonin që shtëpia e tyre të stolisej si shtëpitë e fqinjëve, shoqeve dhe shokëve të klasës? Në shkolla e dyqane kudo ndihej atmosfera festive, por në shtëpinë e saj nuk kish as drita shumëngjyrëshe, as pemë Krishtëlindjesh, as dhurata. Familja e saj vinte nga lindja e mesme dhe babai me besim islam , mundohej të ruante traditën që kish trashëguar nga të parët. Po trashëgimia e tij, një relike e çmuar, që nuk mund të aplikohet si në vendin e tij, jo se është e ndaluar, përkundrazi, porse fëmijët dhe kultura perëndimore është asimiluese…

Sa më tepër rritej, vajza bëhej më këmbëngulëse në pyetjen e saj: “Pse vetëm shtëpia e tyre nuk stolisej?! Babai i përgjigjej shkurt: “Nuk është festa jonë, nuk është shkruar në Kuran!” Befas një ditë,  Mukadesi i afrohet të atit dhe i thotë: “E kam mbaruar së lexuari Kuranin! Aty nuk shkruhet se Muhameti është kundër dritave dhe zbukurimeve…. A e di ti baba kush është Krishti … ?! Në Kuran është Hazreti Isa! ”Avdyli mbeti pa gojë. Flokët iu rrënqethën dhe një flakë e brendshme i mbuloi  fytyrën. Vajza nisi “sulmin” duke  hequr shaminë nga koka. Flokët e gjata iu derdhën mbi supe dhe shpinë, dhe sytë e zes iu bënë më të zes …si një shkëlqim shenjtnorësh. Patundur qëndronte si statujë mermeri para të jatit, e më zë që dridhej vazhdoi dialogun sikur të ishte një tridhjetvjeçare dhe jo një fëmijë nëntë vjeç: “E kuptoj që je lodhur, shko fli! Po, nesër unë dua një përgjigje. Nuk dua përgjigjet e viteve të shkuara, se nuk e di çfarë do ndodhë me mua… Më vjen zor t’u dal shoqeve dhe shokëve të mi para syve. Ata gëzojnë, zemra ime vuan, a e kupton baba këtë? Disa më shikojnë me dhimbje, disa me përçmim! Pale më keni mbuluar dhe me këtë shall (duke tundur shallin në ajër) që të dallohem nga fëmijët e tjerë. Këtë nuk e vë më! Ti, do e lidhësh tek guri i varrit tim…”

Pasi mbaroi fjalët vrapoi për në  dhomën e vet, duke qarë me dënesë. Avdyli i habitur bëri dy tre hapa për tek e bija për të nxjerrë dufin, por nuk mundi. Donte të ulurinte si një luan i plagosur, por zëri nuk  mori komandë nga skutat e ndërgjegjes. Thirri të shoqen, e cila nuk bëhej e gjallë nga respekti dhe zakoni për mos i kthyer fjalë burrit. Dhe pse thellë në shpirt Hajdia, nuk pajtohej me disa zakone dhe praktika të burrit dhe vendit të vet, të cilat nuk përkonin me perëndimin, ajo qëndronte si Nimfa nën ujë dhe shfaqej vetëm atëherë kur nuk kish njerëz . Avdyli me një zë të ulët e të shqyer  tregonte zemëratë dhe frikë nga  shpërthimi i vajzës,  urdhëroi të shoqen t’i bënte një çaj me kamomil dhe ginger dhe të ulej pranë tij. Pasi piu çajin, sikur e mblodhi veten dhe vazhdoi bisedën me të shoqen . Hajdia vuri gishtin mbi Kuran ,  në faqen e hapur  shihej   emri i Hazreti Isa (Krishti)  ,  ajo filloi bisedën  : “ Mbas shumë vitesh   Allahu na fali Mukadesin…,  mendoj se Hazreti Isa është  Meleku i saj ! Fëmijët kërkojnë pak , ne ua kufizojmë dhe atë .“

Avdyli shikonte të shoqen . Kurani dhe sjellja e të bijës ia kishin turbulluar ndërgjegjen .  Nata i shkoi si një minut ëndrre.

Të nesërmen Avdyli doli nga shtëpia më herët se zakonisht. Sytë i kishte të skuqur dhe fytyrën e vrenjtur. Tek dera e garazhit u ndesh me komshiun i tij, Lleshin, i cili po  përgaditej për të shkuar në punë. Ai  ishte emigrant si Avdyli , por me kulturë  shqiptare. Komshinj,prej vitesh  respektonin njëri-tjetrin sikur të ishin njohur që në fëmijëri. Avdyli, nuk e përshëndeti si zakonisht komshiun e vet, hypi në makinë dhe u bë gati të nisej, por aty për aty ndryshoi mendim. Ndaloi makinën dhe u afrua duke përshëndetur Lleshin përsëri: “Mik i dashur Les (Llesh), jam në hall të madh, dua këshillën tënde.”

Lleshi, mendoi se një gjëmë e madhe kish ndodhur…, la makinën e ndezur dhe ftoi mikun të hynte brenda në shtëpi. Ai,  shpjegoi  shpërthimin e vajzës  natën e shkuar… Lleshi, një burrë i urtë, kur fillonte ligjëratën këshillëmirë nuk kishte dëshirë të dilte duar bosh, iu drejtua komshiut: “ Mukadesi ka lindur në Amerikë dhe jo në Arabi. Ajo edukohet  midis shoqeve dhe shokëve  që nuk njohin psikologjinë tonë, e cila vjen nga zakone tërësisht të panjohura për ta, të pakuptimta për brezin që  rritet. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe përgjegjës për mbarëvajtjen edukimit  në bazë të kulturës këtu, për arsye se fëmijët tanë nuk kanë për të  kuptuar kurrë, ato çfarë kemi mësuar dhe çfarë kemi hequr ne. Nëse, nuk i kuptojmë, mundet t’i humbasim përkohësisht, mbase dhe përgjithmonë”.

Avdyli dëgjonte sikur të ishte një adoleshent dhe jo  baba. Në mend i erdhi filmi, “Fiddler on the Roof”*, personazhi i filmit Tevye ,  fshatar Izraelit që jetonte në një fshat të Rusisë, i cili mundohej të mbante traditën dhe të martonte tri vajzat sipas zakonit me bashkëkombas, por secila nga vajzat zgjodhi fatin e vet. Sa herë ndodhte kjo, Tevye drejtohej nga qielli dhe pyeste Zotin me zë të lartë …, pastaj binte në paqe. Trurin e Avdylit e përshkoi një drithmë vizive, sikur Mukadesi kish varur vehten në pemën përballë shtëpisë. Brofi në këmbë: “Allah! Nuk ka me ndodhë kurrë!”. Lleshi e shikoi me bisht të syrit  por nuk e ngacmoi më tej.

Orari për punë nuk i lejoi të vazhdonin më tej bisedën. Vendosën ta vazhdonin pasdreke. Avdyli, pasi la punën, shkoi menjëherë në shtëpine e Lleshit. Biseduan gjatë… Shtrënguan dorën njëri-tjetrit për t’u parë pas pak. Tek dera e priste Mukadezi, e cila e shikoi të jatin të dërmuar dhe për herë të parë që hynte në pragun e derës  kokë ulur.  “Baba a je lodhur?” –  E pyeti vajza. Ai nuk i ktheu përgjigje, por e ftoi vajzën ta shoqëronte në dhomën e vet që ish nga perëndimi. Vajza shkoi pas tij e tulatur për të pritur ndëshkimin e shpërthimit të natës së kaluar…

Pas pak Lleshi u shfaq tek shtëpia e komshiut. Në dorë mbante një kuti të cilën e uli në tokë. Shkoi në garazhin e vet, mori shkallën dhe u kthye. Hapi kutinë, nxori kordonin e thurur me drita jeshile dhe të kuqe. Pasi kishte rrëkëllyer një gotë raki, filloi fërshëllimën, çfarë tregonte se ishte në humor. Filloi stolisjen e shtëpisë së komshiut, plan që patën rënë dakord në shtëpinë e tij. Ndërsa biseda vazhdonte midis Mukadezit dhe Avdylit, Lleshi instaloi dritat, vendosi spinën në prizë, dhe dritat shkëlqyen në shtëpinë e vajzës  vogël që ëndrroi me vite të gëzonte me shoqet dhe shokët e saj.

Ai trokiti në derë si Santa Claus, me vete kish sjellë dhe ca lojra për vajzën e Krishtëlindjeve. I jati urdhëroi të bijën të hapte portën. Mukadezi rendi dhe e hapi  dhe ç’të shikonte, dritat e varura tek hyrja dhe rreth shtëpisë, shkëlqenin. Harroi Lleshin, vrapoi jashtë në dëborë, duke kërcyer dhe thirrur me gëzim: “Thank You ! Thank You Baba! Thank You God! Thank You! “Hajdia kishte mbuluar fytyrën dhe qante në heshtje prej gëzimit. Jo prej zbukurimit të shtëpisë që kishte marrë pamje festive, porse shikonte për herë të parë vajzën që brohoriste me ngazëllim. Avdyli i emocionuar  tha: “Që sot e tutje, kjo shtëpi çdo vit do  mbulohet me drita! Pema e Hazreti-Isait (Pema e Krishtit), do jetë më e madhe se e fqinjëve, apo jo Les?” Tek përmendi Hazretin Isa, sikur u qetësua, bindi veten se nuk kish shkelur Kuranin e Shenjtë, sepse Isai, qe dhe Profet i tyre.

Lleshi, tek shikonte atë mrekulli, çoi kokën nga qielli: “O Zot, sa e naltë dhe misterioze asht puna jote!”Babai dhe  nëna, përqafonin vajzën, duke shijuar sëbashku shkëlqimin e dritave të Krishtëlindjeve që reflektonte në fytyrën e ngazëllyer të Mukadesit. Me syrin e mendjes , Avdyli shikoj mbi pullaz burrin me violinë , tek i shkeli syrin…

Fëmija kish fituar botën e vet, kurse babai, vajzën.

————————————

Mukades , e shenjtë .

Fiddler on the  roof,   Violinë në çati,  fitoi  Oscar…. vitin 1972 .

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, të Krishtëlindjeve, Vajza e Dritave

TERRORIZMI NE FRONTIN LINDOR

December 18, 2017 by dgreca

A DO TE BEHET KOSOVA NJE QENDER E MADHE EUROPIANE REKRUTIMESH NGA TERRORISTET ISLAMISKE?/

Shkruar nga Paul McCarthy e Luke Waggoner/
U perkthye per Diellin nga Gjon Kadeli/
1-kadeliNderkohe qe luftimet ne fushen e betejes ne Irak e ne Siri,jane ne mbarim e siper, rreziku i frymzuem nga terroristet Islamik ne vende te ndryshme, nuk ka sheje se po paksohet. Si rrjedhim i sulmeve te ndryshme terroriste ne qender te Europes, vendet europiane jane perpjekun te krijojne nji front te perbashket per te perballue kete kercnim. Ne Kosove, ka sheje ne rritje e siper, se ky rrezik mund te zmadhohet ne pragun e vete deres se Europes. Kjo per arsye se ekziston nji menyre qeverisjeje e dobet, mungesa e zhvillimit ekonomik,dhe nji krize e vazhdueshme e identitetit,;gjana keto, qe kane krijue nji mundesi te vecante per rrekrutimin e eksremisteve shume te dhunshem.

Mbas shume vjeteve te tensioneve nderetnike, dhe deshtimeve  per te mberrijte qellimet kombetare mbrenda ish Jugosllavise, Kosova deklaroi pamvaresine nga Serbia ne Fruer te 2008-tes.
Tuej qene se, qe nga koha e pamvaresise, perparimet ekonomike nuk ishin te mjaftueshme dhe  se u vu re se insitucionet nuk ishin te afta per te mbajtun premtimet qe kishin ba, gjana qe priteshin mbas pamvaresise, kjo gja ka shkatue nji “krize basimi” ne Kosove. Ne Indeksin Nderkombetar  te Korrupcinonit  Kosova zen vendin e 95-ste nga 176 vende, gja qe ven ne dukje se, populli nuk mendon se qeveria asht tuej marre masa te mjaftueshme kunder korrupcionit shume te
perhapun.
Kjo moskkenaqsesi u vu ne dukje ne zgjedhjet e fundit, gjate te cilave partia Vetvendosje, qe ishte kunder qeverise fitoi ma shume vota se partite tjera. Megjithe kete ma vone te gjitha partie tjera formuen prap nji qeveri, tuej lane jasht partine Vetvendosje.
Ajo qe po e ban gjendjen edhe me te luhateshme ne Kosove asht edhe gjendja e veshire e rinise.Ma shjume se 53 perqind e popullsise asht nen moshen 25-se vjecare. Kosova asht vendi me popullsi ma te re ne Europe. Po t’i shtohen kesaj gjendjeje edhe problemet politike edhe ekonomike ku papunesia, ne radhet e atyne qe jane te moshes 15-25 vjecare ka mbaerrijte ne 57 per qind, kjo gja e bane gjendjen edhe ma te veshtire.Problem per demokratizim, tuej perfshi edhe krijimin e insitucioneve transparente demokratike, nji sherbin civil te afte, dhe nji sherbim te besueshem ligjor, kane menjanue rinine ne menyre te vecant.Perveq kesaj, ne eliten qeverisese nuk ka pothuejse asnji mudheheqes te moshes se re.Kjo  ka shkaktue qe disa te ri kosovare te perdorin menyra jo demokratike per te shprehun mosknaqesine e tyne.
Organizatat terroriste ekstrem e kane shfrytezue kete gjendje, sic vihet re ne rrekrutimin e nji niveli te nalte nga organizata
Islamike(Isis) Simbas nji studimi te ri nga Instituti Nderkombetar Republikan, nderkohe qe kosovaret mendojne se demokracia,si sistem, asht ma i afti per te luftue kunder ektremizmit, besimi i tyne ndaj demokracise ne Kosove asht dobesue.
Megjithse shumica e kosovare jane Muslimane,identiteti i tyne etnik si shqiptare dhe i gjuhes ka qene gjithmone ma i fuqishem se besimi.Kjo ndjenje kombetare u sherbeu mire kosovareve kunder shtypjeve nga serbet gjate qindvjetesht te kaluem.Megjithkete, ekstremistet radikal,gjithnji e ma teper po e shftytezojne identitetin Musliman te shiptareve, per t’i ba ata te futen ne radhet e luftetereve te tyne qe mbrojne bashkbesimtaret e tyne qe luftojne ne vende te tjera.. duket
sikur identiteti Musliman po mbizotnon mbi ate shqiptar.
Shfrytezimi i hovshem(dinamiki) nga organizatat ekstremiste, ndoshta paraqet rrezikun ma te madh ne ate zone.
Kosovaret kane frige se si organizatat terroriste vendase dhe ato te jashtme, jane tuej e shfrytzue besimin fetar, per t’i bind ata qe i rrekrutojne, se gjoja dhuna arsytohet nga Islamizmi.
Asht e qarte se insitucionet qeveritare kombetare dhe ato te zonave lokale te Kosoves duhet, pa tjeter, te bashkrendojne perpjekjet qe te angazhojne te rijte kosovare, tuej i ba pjese e sistemit politik, dhe per te ndale radikalizimin, tuej shtue perpjekjet per zbulimin  e mekanizmit te rradikalimit.
Perveq kesaj,korrupcioni ne te gjitha nivelet duhet te luftohet dhe nji menyre qeverisjeje me e perkushtueme asht e nevojshme per te fuqizue demokracine vendase, qe tashti ndodhet ne nji krize. Per Kosoven asht gjithashtu jetike qe te perfshihet ne organizatat rajonale te Ballkanit Perendimor te cilet jane tuej bashkue zyrtare te qeverive, antare te parlamenteve,eksperte e gazetare per te organizue gjidhje te perbashketa, te nji problemi ndershtetnor. Hapa te till, jo
vetem qe jane jetik, per te sigurue rrugen e Kosoves drejt integrimit Euro-Atlantikl, por gjithashtu gjaja thelbesore, qe Kosova te mos bahet qender e ekstremizmir Islamik, qe ka per qellim te minoje demokracine ne Kosove e ne Europe.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjon kadeli, NE FRONTIN LINDOR, terrorizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 450
  • 451
  • 452
  • 453
  • 454
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT