Presidenti Meta i jep shtetësinë shqiptare kryepeshkopit Anastas Janullatos/
Presidenti Ilir Meta i ka dhënë shtetësinë shqiptare kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i president Tedi Blushi.Më herët shtetësia i është refuzuar nga presidenti Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani. Në një intervistë tre ditë më parë për një televizion grek, kryepeshkopi Janullatos tha se pas largimit të tij, në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare duhet të jetë patjetër një shqiptar dhe jo një shtetas grek. Po ashtu dhe me anë të një postimi në Facebook, Meta shpreh falenderim për peshkopinm dhe ka bërë publik vendimin e tij. Postimi i Metës Të dashur miq, Në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos. Kontributi dhe përkushtimi i tij në 25 vite i ka shërbyer jo vetëm ringritjes kanonike dhe shpirtërore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë por edhe afirmimit ndërkombëtar dhe njohjes së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kudo në botë. Fortlumturia e Tij ka dhënë, në bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësit e tjerë të besimeve fetare në Shqipëri, një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër-fetare, kësaj pasurie kombëtare të popullit tonë. Bekuar qoftë harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve!