• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NOBELISTJA GJERMANE UA THOTË TROÇ SERBËVE NË BEOGRAD

November 2, 2017 by dgreca

Në fjalimin e saj, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në kryeqytetin serb, shkrimtarja Mueller citohet tu ketë thënë sy për sy dhe drejtë për drejtë serbëve se së bashku me Kishën Oretodokse serbe, ata si popull, mbajnë përgjegjësi kolektive për luftërat i viteve 1990-ave në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë.   Ajo irritoi edhe më shumë serbët në audiencë dhe jashtë takimit me deklaratën e saj me të cilën justifikoi sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave të Serbisë, pranverën e vitit 1999, për të parandaluar shpërnguljen me dhunë dhe masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe kundër popullësisë civile të shqiptarëve autoktonë të Kosovës. /

                                        1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

1 Herta Mueller

Në fillim të tetorit, kam shkruar një artikull modest, ndërsa shpreha disa mendime ndaj mos reagimit zyrtar evropian, me atë rast, për deklaratat lavdëruese të Ministrit  të Mbrojtjes të Serbisë për ish-gjeneralin serb Vladimir Lazareviç, ish-kriminelin e luftës, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte kundër popullësisë civile në Kosovë.  Duket se lëvdatat e Ministrit serb të Mbrojtjes për kriminelin Lazareviç javën e parë të tetorit, paskan qenë vetëm një njoftim paraprak për të përgatitur opinionin e mbrendshëm dhe ndërkombëtar për emërimin e të dënuarit për krime lufte, ish-gjeneralit Lazareviç, në Akademinë Ushtarake të Serbisë disa ditë më parë.   Më në fund, ndaj këtij emërimi në krye të Akademisë Ushtarake Serbe të një personi të dënuar për krime lufte, reagoi edhe Brukseli zyrtar nepërmjet zëdhënses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.  Megjithse i mirëpritur, reagimi zyrtar evropian, duke kritikuar emërimin e ish-krminelit serb të luftës në këtë post, ishte i vonuar dhe tepër i butë.   Ky emërim tregon se serbët jo vetëm që nuk janë penduar për krimet e tyre në Kosovë dhe gjetkë, por ata as nuk kanë hequr dorë nga nacionalizmi i egër i personave si ish-gjenreali Lazareviç, të cilët në emrë të këtij nacionalizimi prapambetur, kanë kryer krimet më të tmershme kundër njerëzimit në Evropë, ç’prej Luftës së Dytë Botërore.

Por, fatbardhësisht, atë që nuk pranojnë serbët dhe që nuk  ia tha Serbisë Brukseli zyrtar, me këtë rast as edhe më parë për rolin e Serbisë në krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë dhe në Bosnje-Hervegovinë — ua tha troç, në surrat serbëve, disa ditë më parë, aty mu në mes të Beogradit, fituesja e Çmimit Nobel në letërsi, shkrimtarja gjermane , me origjinë nga Rumania, Herta Mueller.   Mediat serbe dhe ndërkombëtare njoftuan se, një javë më parë, nobelistja Mueller ishte ftuar të merrte pjesë në një ekspozitë ndërkombëtare të librave në kryeqytetin serb, ku shfaqi mendimet e saja mbi luftërat në ish-Jugosllavi dhe mbi rolin e Serbisë si shkaktare e atyre luftërave.

Sipas të dhënave në median serbe dhe të huaj, sidomos asaj gjermane, fituesja e Çmimit Nobel për Letërsi, Herta Mueller, shkaktoi kritika të ashpëra ndaj saj nga të pranishmit në sallë dhe nga media e Beogradit.  Në fjalimin e saj, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në kryeqytetin serb, shkrimtarja Mueller citohet tu ketë thënë sy për sy dhe drejtë për drejtë serbëve se së bashku me Kishën Oretodokse serbe, ata si popull, mbajnë përgjegjësi kolektive për luftërat i viteve 1990-ave në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë.   Ajo irritoi edhe më shumë serbët në audiencë dhe jashtë takimit me deklaratën e saj me të cilën justifikoi sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave të Serbisë, pranverën e vitit 1999, për të parandaluar shpërnguljen me dhunë dhe masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe kundër popullësisë civile të shqiptarëve autoktonë të Kosovës.  “Nëqoftse një vend është shkaktar i katër luftërave në një periudhë prej nëntë vitesh”, ka shkruar më heret shkrimtarja gjermane, “duke shëndërruar qytetet në varreza, fjalët nuk mjaftojnë për të ndaluar masakra të tilla”. Se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e justifikuar, është shprehur ajo.  Shkrimtarja gjermane tha në Beograd se nuk ka ndryshuar qendrim në lidhje me këtë çështje.   Herta Mueller citohet të ketë thënë se,me luftërat e saja në ish-Jugosllavi, “Serbia i ka shkaktuar vetes shumë të këqia dhe se  si pasojë, qytetarët e saj duhet të jetojnë me këto të vërteta”, për faktin se serbët i kanë shkaktuar vuajtje dhe mundime, vetes dhe të tjerëve, ka thënë në kryeqytetin serb nobelistja gjermane Mueller.  ”Shumë të këqia kanë ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje, në emër të një nacionalizmi të tmerrshëm” dhe primitiv dhe se ka ardhur koha dhe është e nevojshme që populli serb të përballet me të vërtetën, ka nënvijuar ajo në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në Beograd, disa ditë më parë.

Ndonëse tani ajo jeton në Gjermani, Herta Mueller ka lindur dhe ka përjetuar përvoja të vështira në Romaninë komuniste të Çausheskut, ajo u shpreh  duke krahasuar gjëndjen e në Rumani në atë kohë me gjëndjen në Serbi nën regjimin e Millosheviçit se “Do të kishte qenë shumë e lumtur po të kishte ndërhyrë NAT0-ja në Rumani”, për të rrëxuar regjimin e Çausheskut, por nuk ndodhi një gjë e tillë”, tha ajo.  Prandaj, si rrjedhim, “Rumunët u detyruan të luftonin njëri tjetrin për t’i dhënë fund njëherë e mirë regjimit komunist të diktatorit Nicolae Çausheskut.”

E pyetur nëse dhuna është një zgjidhje legjitime e konflikteve politike, nobelistja Mueller u përgjegj se, “Fjalët shkaktojnë konflikte.   Nuk jam pacifiste. Por besoj se disa situata mund të zgjidhen me marrjen e disa masave të veçanta.  Në luftë, njëra palë duhet të mund palën tjetër, kështuqë mendoj se ndërhyrja ushtarake është një qendrim dhe zgjidhje njerëzore dhe morale”, në raste të tilla të nevojshme, duke shtuar gjithashtu se njerzëve që sulmohen u duhet shkuar në ndihmë, sidomos nëqoftse ata nuk mund të mbrojnë vetveten.

Serbët nuk janë mësuar të dëgjojnë fjalë të tilla të vërteta mbi të kaluarën e historisë së tyre, sidomos nga të huajt.  Prandaj, fjalët e Z-njës Mueller shkaktuan kritika të ashpëra nga të pranishmit, madje disa edhe u larguan në protetsë nga salla ku po mbahej Ekspozita Ndërkombëtare e librit, ndërkohë që mediat serbe, në përgjithësi, i cilësuan deklaratat e nobelistes gjermane në Beograd si skandaloze.   Por gazeta e njohur konservatore gjermane, Die Welt duke komentuar deklaratat e Nobelistes gjermane Mueller në kryeqytetin e Serbisë, u shpreh se serbët nuk janë përballur kurrë me të kaluarën e tyre dhe me krimet që janë bërë në emër të tyre.

Kryeartikulli i gazetës prestigjoze gjermane Die Welt, i titulluar “Askush nuk flet për krimet”, akuzon nacionalistët serbë se heshtja ndaj krimeve që janë bërë në emër të politikës, është pjesë e sistemit,ndërkohë që bën pyetjen se si një qëndrim i tillë i Beogradit zyrtar sot mund të jetë në përputhje me drejtimin e ri pro-evropian të qeverisë së Beogradit.   Ironia e historisë, theksohet në artikullin e gazetës gjermane Die Welt, është se propagandistët e Millosheviqit në Beograd, përfshirë edhe presidentin aktual, Aleksandër Vuçiq, kishin deklaruar dikur se (me lufëtrat e saja gjatë 1990-ave) Serbia po mbronte Evropën e krishterë nga myslimanët, por sot në qendër të Beogradit ndërtohet një projekt i madh urban, me ndihmën e Abu Dabit.

Nobelistja gjermane Herta Mueller ka të drejtë dhe duhet të duatrokitet për kurajon e saj prej një intelektuali evropian se mos përballimi i Serbisë me të vërtetën e së kaluarës së saj të tmershme dhe me krimet e luftërave të saj në Kosovë, në Bosnje dhe në territore të tjera të ish-Jugosllavisë, është një problem serioz  në çerek shekullin e parë të shekullit 21, jo vetëm për vetë popullin serb, por edhe për mbarë rajonin.  Për derisa mos të ketë një përballim të tillë të popullit serb me atë histori të tmershme dhe për derisa Serbia nuk kërkon falje për krimet e bëra në Kosovë dhe në mbarë territorin e ish-Jugosllavisë, është e vështirë të merret me mend paqa dhe pajtimi midis popujve të Ballkanit.  Pa pendesë dhe pa kërkim faljeje nga Serbia për krimet kundër njerëzimit në Kosovë, nuk do të ketë paqë as siguri në rajonin e Balkanit Perëndimor, e ndoshta as në Evropë.  Është vlerë evropiane të kërkohet falje për krimet e bëra dhe të ketë një përballim serioz me të kaluarën dhe me të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo.  Shembull për këtë është vet Gjermania.   Nobelistja gjermane nuk tha asgjë më pak as më shumë se kaq.   Ragimet serbe në sallë dhe jashtë saj kundër fjalëve të vërteta të shkrimaters gjermane Herta Mueller nuk janë shpresëdhënse për Serbinë as për vendet fqinje të Serbisë, përfshirë Kosovën dhe as për paqen dhe sigurinë në rajon.   Të kërkuarit falje për krimet dhe përballimi me të vërtetën historike, thonë disa, është një proces transformimi që merr kohë, por  mendoj se si i tillë, nuk duhet të jetë më pak urgjent, sidomos në rastin e Serbisë.


 

            

                                  Nobelistja gjermane Herta Mueller

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, ne Beograd, Nobelistja Gjermane, troc serbeve

Jo, “Trick or treat” me terrorizmin

November 2, 2017 by dgreca

Sulmi terrorist në Nju Jork, s’është fajtor Lotaria Amerikane, për krimin/

1-rafael-floqi

Nga Rafael Floqi/

Halloween-i i sivjetshëm u përjetua, përgjakshëm në Nju Jork ashtu siç e ka dhe namim , “një natë  vdekjeje.Policia në Nju Jork po vazhdon të jetë në gatishmëri të lartë pas sulmit me kamion që shkaktoi vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Autoritetet po përpiqen të gjejnë motivet e autorit.

Ndërkohë Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha menjëherë se nuk kishte prova që autori që duket se ka shprehur besnikërinë ndaj ISIS-it, dhe se kishte pasur ndihmë nga organizata terroriste të huaja, por ishte radikalizuar brenda Shteteve të Bashkuara. Pse ky nxitim?

Ndërkohë sot policia deklaroi se sulmi ë Nju Jorkut, u përgatit në emër të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), pasi ishte përgatitur prej disa javësh, njoftoi sot ndihmës shefi i policisë së Nju Jorkut, John Miller.

Sulmuesi i plagosur, Sayfullo Saipov, 29 vjeç dhe me origjinë nga Uzbekistani, u mor në pyetje në spital.

“Sipas hetimit të zhvilluar dje në mbrëmje, del se Saipov e kishte planifikuar këtë prej disa javësh”, deklaroi John Miller në një konferencë për shtyp.

Katër vetë, përfshirë dy fëmijë u plagosën kur autori i sulmit goditi me kamion një autobus shkollash.

Policia hapi zjarr ndaj tij, pasi ai doli nga kamioni me dy armë të rreme. Ai ndodhet në një spital, emri i të cilit nuk është bërë i njohur publikisht, në gjendje serioze. Ndërsa ai ishte në spital, policia punoi gjithë natën, duke grumbulluar prova nga kamioni që u përdor për sulmin. Hetuesit zbuluan shënime në arabisht pranë kamionit që nënkuptonin besnikërinë e tij ndaj Shtetit Islamik, thanë dy zyrtarë të rendit.

Ndërkohë në Nju Jork, parada tradicionale e Hallouinit u mbajt nën masa të rrepta sigurie, por nuk pati ndonjë incident.

Ndërkohë policia po e trajtojne rastin me te ashtuquarin term si “ Ujk i vetmuar”. Një term i krijuar nga administrata e mëparshme. Po a është i drejtë ky term?

Sipas Wikipedia-s, “Një ujk i vetmuar”, një terrorist i vetmuar është një person që vepron vetëm, është ai që përgatit dhe kryen vetëm veprime të dhunshme, jashtë çdo strukture dhe pa asnjë ndihmë nga asnjë grup. Ai mund të jetë ndikuar nga ideologjia dhe besimet e një grupi të jashtëm dhe mund të veprojë në një grup të tillë. Po në kuptimin e tij origjinal, një “ujk i vetmuar” është një kafshë ose person që përgjithësisht jeton ose kalon kohë vetëm jashtë grupit apo kopesë.

Sot në lidhe me këtë term kishte një reagim të tillë në Twitter “Pse i lidhim sulme masive individuale të “ujkut të vetmuar” me myslimanët, por jo sulmet masive individuale të “ujqve të vetmuar” nga jo-myslimanët?  Pse se quajtën “ujk të vetmuar” vrasësin e Las Vegasit?

Ka akuza sikur Presidenti Trump po shmang padrejtësisht myslimanët në përpjekjet e tij për ta bërë Amerikën një vend të sigurtë. Ka gjykatës që kanë bllokuar ligjet e tij të kufizimit të emigracionit Por kur një terrorist vret amerikanët – dhe në atë kohë, thërret  “Allahu Akbar ” në arabisht, zelli i presidentit është i kuptueshëm.

Mund ta kesh mundur ISIS-in nga Raqqa dhe larguar atë nga Siria apo Iraku, por nuk e ke mundur dot. Është e vështirë të luftosh një ideologji.

Mund të fajësosh terrorizmin islamik, refugjatët apo lotarinë amerikane të diversitetit, por kjo është vetëm politikë partiake. Mund t’i mësosh shitësit e makianve me qira siç argumenton policia e New Yorkut, që të bëjnë profilizimin e klientëve, siç bën policia izraelite, mund të përdorësh dronët për vëzhgime, mund të mbikqyrësh qendrat e kultit, etj., por në kohën e Internetit në çdo celular, kjo do të shërbejë deri diku, por nuk i përgjigjet dot pyetjes: Se çfarë duhet bërë që mos ndodhë kjo nesër?

Pas sulmit, Presidenti Trump shkruajti në Twitter “Nuk duhet të lejojmë ISIS-in të kthehet, ose të hyjë në vendin tonë, pasi po i mposhtim në Lindjen e Mesme dhe gjetiu. Mjaft!”  Ai shtoi më pas “Sapo urdhërova Departamentin e Sigurisë Kombëtare që ta intensifikojë edhe më tej Programin për Kontroll të Hollësishëm. Nuk duhet të ruajmë korrektesën politike për një gjë të tillë”.

Kjo është një masë, por nuk ka të munduar në asnjë mënyrë të mbrojë çdo bllok të qyteteve tona, çdo fushë në fermat tona, çdo shkollë në rrethinat tona. Ne jemi mësuar me lirinë tonë për të lëvizur dhe për t’u bashkuar e takuar, me këdo dhe sido që ne të duam.Askush nuk mund ta kishte parashikuar ngjarjen e së martës në një armë vdekjeprurëse me një kamion. Ne ecim nëpër rrugët tona pa i kushtuar vëmendje asaj, për të cilën po flasim, duke u përpjekur të lexojmë apo të dërgojmë mesazhe me tekst ose duke parë video në telefonat tanë. Dhe kur jemi në një rruge te caktuar për biçikleta, supozojmë se nuk do të ndeshim aty automjete me katër rrota. Por problemi është se për terroristët, liria e veprimeve tona  nuk është aq e keqe, është mundësia më e mirë për ta. Por kjo mungesë vigjilence, ky besim i pakujdesshëm që na bën të gjithë ne, pre e lehtë, viktima të buta për keqbërësit e vendosur.

Mund të marrin masa kundër armëve, por pamja e një terroristi me një kamion të marrë me qira për 19 dollarë ora, dhe dy pistoleta me saçme, që ishin armët sa vrasëse aq dhe qesharake të terrorit, e përgënjeshtron këtë si zgjidhjen e vetme. Mund të ndalosh refugjatët nga Lindja e Mesme, por nuk mund të ndalosh çdo amerikan me green card, të natyralizuar, apo të lindur këtu, apo gjetkë që të radikalizohet.  Në fakt, në të gjitha aktet terroriste në SHBA, terroristët nuk kanë ardhur nga refugjatët por kanë qenë në një farë mënyre ” home grown”.

Por si duhet vepruar ?

Së pari, nuk duhet politizuar situata, nuk duhet të shkaktohet panik apo të përdoret ajo për interesa politike të ditës. Siç po shihet, madje para se emrat e terroristit dhe të vdekurve dhe te plagosurve të ishin bërë të njohura nga policia, pati  paralajmërime të mos stereotipizojnë aktin, për të mos dëmtuar reputacionin e çdo besimi apo ideologjie. Paralajmërime që në fakt bëjnë të kundërtën.

Moslidhja e islamit radikal me terrorin, mos përmendja e tij si rrezik siç bëri administrata e kaluar Obama, nuk ndihmon në asgjë. Në fund të fundit, terroristi vrau ne emër të Allahut, madje ai ishte krenar për atë që bëri.

Fakti qe terroristi Sayfullo (Sejfulah) Saipov një fanatik i ISIS që kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara shtatë vjet më parë nga Uzbekistani në kuadër të Programit të Vizave të Diversitetit, bën që detajet e udhëtimit Sayfullo Saipovit, tani të shihen si një shtysë shumë e rëndësishme, si një mjet për Presidentin Trump” për të propozuar rishikime të programin të tij të ” verifikimit ekstrem “.

Në fakt nuk është Programi i Vizave të Diversitetit, një program i Departamentit të Shtetit që ofron një llotari për njerëzit në Shtetet e Bashkuara, i cili tërhoqi zemërimin e Trump herët,në mëngjesin e së mërkurës, fajtori për veprimet e një të indoktrinuari. Çdo vit kjo lotari ka sjellë 50 mijë njerëz nga vende të ndryshme të origjinës, ndër ta dhe shumë shqiptarë. Afërmendsh, po të shkojmë me asosacion, atëherë “faji” i sistemit amerikan të Lotarisë së Vizave, është i njëjtë me “fajin” e kompanisë Huber, ku terroristi punonte, apo me “Home depot” ku ai mori makinën.

Sipas faqes së internetit të Emigracionit të Shteteve të Bashkuara Programi DV siguron deri në 50,000 viza për emigrantët çdo vit dhe aplikantët duhet të dëshmojnë se kanë një regjistër të pastër penal, kanë një diplomë të shkollës së mesme ose ekuivalente, ose kanë të paktën dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve të fundit në mënyrë që të kualifikohen.

Programi filloi si pjesë e një projektligji të futur në vitin 1990 nga Sen. Chuck Schumer, Demokrat nga N.Y., në atë kohë kongresmen. Masat e Schumer për të dhënë një numër vizash në dispozicion të “diversitetit të imigrantëve” nga disa vende me më pak emigracion në SHBA, u inkuadruan në një projektligj më të madh të imigracionit, i cili u sponsorizua nga Schumer dhe nga 31 senatorë të tjerë, duke përfshirë disa republikanë.

“Terroristi është një person që ka fituar nga ” Programi i Lotarisë së Vizave të Diversitetit “, një dhuratë të bukur nga Chuck Schumer. Emigracioni duhet të bazohet në meritë,” shkroi Presidenti Trump në Twitter. “Ne po luftojmë shumë për Emigracionin e Bazuar në Meritë, jo më shumë sisteme. si  Lotaria e Demokratëve.” Ne duhet të bëhemi më të ashpër (dhe më të mençur).

” Programi i Lotarisë së Vizave të Diversitetit, apo Lotaria Amerikane e Vizave, fitues të së cilës kanë qenë mjaft shqiptarë, ndër ta edhe unë, mund të ketë mjaft mangësi, dhe personalisht e mbështes presidentin Trump për “emigracionin e meritës”, por nuk është fajtore Lotaria për këtë akt të një individi. Ndaj politizimi i çështjes në kuadër të agjendës të Presidentit Trump, nuk e zgjidh thelbin e problemit. Ndërkohë nga ana tjetër, anulimi i lotarisë do të pengonte jo vetëm të ardhurit e rinj e kjo nuk ka ndonjë pasojë të madhe, por do të pengonte bashkimet familjare aplikimet e të cilave janë bërë prej kohësh.

Zyrtarët fillimisht thanë se nuk kishte prova që të linin të kuptoje se sulmi ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë, por u pohua se prania e policisë do të shtohet nëpër rrugë:

“Do t’i shihni në aeroporte, do t’i shihni në tunele dhe kjo jo sepse ka ndonjë provë për ndonjë kërcënim të vazhdueshëm, por vetëm për arsye vigjilence dhe parandalimi”, – tha guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo. “Mos lejoni terroristët të ndryshojnë jetën tonë në asnjë formë, mënyrë ose formë”, tha ai vetëm dy orë pasi ndodhi sulmi. Kjo është e drejtë, njujorkezët. Po të dëgjoni vetëm  guvernatorin tuaj. Mos merrni masa paraprake shtesë në mënyrën se si jetoni jetët tuaja. Mos e pranoni se ka njerëz të këqij në botë që duan t’ju vrasin, pastaj për lavdinë e Perëndisë. Mos e përdorni atë fjalë të shëmtuar – luftë – për të përshkruar konfliktin tonë me islamin radikal. Mos u ofendoni. Dhe mos u mbroni. Mund të jetë dikush i mërzitur si Sejfullahi.

Por s’duhet ngatërruar feja, besimi islam me terrorizmin dhe ideologjinë vehabiste, por gjërat duhet të thuhen siç janë. Në fund të fundit “Islam” do të thotë paqe. Ideologjia duhet luftuar me mjete ideologjike.

Ndoshta ka ardhur koha për një reformim të islamit, duke hedhur poshtë radikalizmin, gjë që,  madje edhe liderët arabë, si: presidenti i Egjiptit,  Mbreti i Arabisë Saudite po thonë, se e kanë kuptuar se duhen ndryshime. Ndoshta pa blafsemuar, do të duhej duhet një islam më modern, që jetonte në harmoni me shekullin e sotëm. Ky është islami që i duhet botës sot.

Islami shqiptar e ka vërtetuar këtë, dhe qendrat islamike shqiptare në Amerikë e kanë vërtetuar këtë. Shembulli pozitiv i dialogut ndërfetar të qendrës Islamike Shqiptare në Staten Islamd dhe the Dr. Imam Tahir Kukiqit është një shembull.

Duke e bërë terrorizmin pjesë të luftës politike nuk e zgjidhim atë si fenomen, por bëjmë ashtu siç bëjmë me fëmijët për Halloween, i mashtrojmë duke i dhënë ndonjë sheqerkë.

“Trick or treat”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Trick or treat”, Jo, ME TERRORIZMIN, Rafael Floqi

KUR FLET SOVRANI E VENDOS DREJTËSIA TË TJERËT HESHTIN !

November 1, 2017 by dgreca

EPILOG I REPLIKËS ME HAXHI MILETIN, TELLALLIN (IZET HAXHIA)
1 azgan Haklaj

Izet Haxhia po përpëlitet pa shpresë në trekëndëshin e Bermudës ku do mbytet, Klosi-Baze-Muç Nano.

Nga Azgan HAKLAJ/ 

Duke e kuptuar se po i vjen fundi lojës së tij ai ka leshuar sinjalin “Sos” për padronët e tij dhe ju kërkon me deshpërim ndihmë për të sajuar dosje imagjinare kunder kujdo që është rreshtuar në kahjen e kundërt të krimit, të narkoshtetit dhe emisarëve të përçarjes krahinore dhe kombëtare.

Përpjekja për të demonizuar protagonistët e mëdhenj të demokracisë shqiptare Berishën, Hajdarin e së fundmi Liderin e Opozitës Basha, si dhe ish-grupin e deputetëve demokratë të Tropojës, Hysen Osmanaj, Xhevdet Mehmeti dhe mua, të votuar në mënyrë plebishitare nga populli i Malësisë së Gjakovës dëshmon humbjen e ekuilibrit mendor, ç’orientimin logjik e politik të tutorëve të tij, të cilët të verbuar nga urrejtja nuk arrijnë të kuptojnë se populli i Tropojës e ka dhanë masivisht e në vazhdimsi verdiktin e tij duke e nxjerrë me votën e lirë jashtë loje qeverinë e krimit e të bandave zëdhënës e megafon i prishur i të cilës është Izet Haxhia.

Ky tellall në mërgim i Bermundës, ku do të fundoset, akuzon me një fjalor prej shpifësi e njeriu të papenduar për krimet e tij, të cilat paturpësisht kërkon t’ua faturojë të tjerëve.

Ai kërkon të rindezë konflikte dhe përçarje në Tropojë.

Duke qenë megalloman, tërësisht mediokër e injorat me taktikat e strategjinë qa ja servirin arkitektët e skenarit kriminal, si ka mbetur rrugë tjetër veçse të tentojë të pamundurën: Ta fusë pykën në nyjën e lisit, edhe pse është i bindur se pyka në nyje nuk ngulet dot, por ose thyhet, ose kërcen mbrapsht e t’i ban tyrinjtë përshesh.

Për mua si person dhe kolegët e mi ka vendosur sovrani duke na votuar në menyre referendare, duke na besuar përfaqësimin në Parlamentin e Shqipërisë .

Poshtersia e tij arrin deri aty sa të sulmojë edhe profesorin tonē të nderuar Xhevdet Mehmeti. 2.400 vjet më parë Aleksandri i Madh shprehej për mësuesin e tij Aristotelin: “Nëna më lindi në tokë dhe Aristoteli më ngriti në qiell”. Nuk e di si ndihet profesor Mehmeti për ty se çfarë monstre ka pregatitë.

Izet, ju si mjek harruat betimin e Hipokratit të madh për t’u shërbyer dhe për të mjekuar e shëruar edhe armiqtë e tu, kurse ju Izet bëtë një betim tjetër: Asgjësimin e PD-së së Tropojës dhe futjen e vllavrasjes në vendlindjen tuaj.

Keni bërë kaq shumë krime e zullume sa jeni dënuar me burgime të rënda, me vendime të formës së prerë në Shqipëri e Greqi, si vrasës.

Akuzat që mē bëni mua janë të kahershme, të dala boje.

Ju dhe tutorët tuaj bëni mirë të mos harroni se për mua ka vendosur Sovrani dhe Drejtësia njëherësh.

Unë jan një qytetar i lirē dhe nder tê rrallët që kam këmbëngulur vazhdimisht për vetingun në drejtësi, për hapjen e dosjeve të diktaturës dhe demokracisë dhe për pastrimin e politikës, të administratës dhe mediave, nga monstra të tilla si tutorët tuaj.

Ti endërron që njerëzit të besojnë ty, ndërkohë që ju jeni modeli i besëprerjes, i intrigës dhe i shpifjes.

Dosjet janē në Tiranë Izet. Shteti që ju i shërbeni me këto shpifje le ti hapë.

Unë pres qetësisht dhe i gëzuar, sepse jam i bindur se njerëzit do të tallen me ty dhe ustallarët tuaj si me lëkurën e ujkut.

Izet, populli i Tropojës na ka vlerësuar për atë që ne meritojmē:
Mua më ka votuar disa here si kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit Bajram Curri, si zv/kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës dhe së fundmi deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Mē kanë nderuar me disa tituj, çmime e çertifikata nderi në të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar.

Nuk dekurajohem aspak nga Protestat e Rusisë e të Serbisë për aktivitetin tim të dendur në shërbim të Kombit Shqiptar.

Ndihem krenar që jam “Qytetar Nderi” i qytetit të Bajram Curri, “Nderi i Qurkut Kukës” me vendime unanime, kurse ty populli ta ka venē nofken “rrehan”, pra shqip e shkoqur: njeri i rrahur.

Sigurisht që unë jam krenar për këto vlerësime të larta, por nuk më vjen çudi që dhe ju të ndiheni mirë me faktin që CV-ia juaj është e mbushur me rrahje e dhunē e me faktin tjetër që mburreni me hakmarrjen.

Ju mundoheni të më intimidoni mua me faktin se nuk mora hak ndaj atentatirit për vrasjen e mbetur në tentativë nga njē efektiv policie në Tropojë, koleg i vëllait tuaj Ismetit, dhe miku juaj i ngushtē.

Këtu gabon rëndē!

Modeli im nuk ēshtē modeli i hakmarrësit, i vrasësit politik apo i cubit tē mbështetur dhe sponsorizuar nga pushteti kriminal.

Modeli im ështē Anton Çeta, Binak Alia, Tunxh Miftari, Azem Hoxhë Dollapi, stërgjyshi im Shpend Zeqir Haklaj e burra të tjerë të Malsisë së Gjakovēs, pajtimtarë të mēdhenj, fjala e tē cilëve ka peshuar sa malet.

Modeli politik kombëtar e kulturorē që më frymëzojnë mua janē Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e Ismail Qemali, Mbreti Zog I e Ibrahim Rugova, Nënë Tereza e Ismail Kadare, Ramush Haradinaj e Ali Ahmeti, e së fundmi Kryetari i Opozitës z. Basha.

Modeli juaj ështē dhuna dhe vrasja politike. Ju ju frymēzojnë modelet e Haxhi Qamilit e Napoleon Zervēs.

Badiguardi Izet, gjykatat në tē gjitha nivelet kanë thanë fjalën e tyre të fundit për ty e pēr mua.

Gjykatat e shqiptare mē kanë çertifikuar si qytetar tē lirē, gjykatēsi popull më ka besuar disa herë perfaqësimin e tij nē nivel lokal e qendror.
Kurse për ju ka dhënē vendimin përfundimtar me pushkatim moral për të mos u kthyer më kurrë në sheshet e krimit.

Unë jam këtu dhe shkel i lirē çdo cep të trojeve etnike shqiptare, ndërsa ju ikanak ja mbathët si lepur, për t’i shpëtuar drejtësisë.

Ju ka tmerruar fakti që Azem Hajdari u kthye në vendlindje madhështor. U dogj skenari juaj për të shkaktuar gjakderdhje, për të kryer krime e fshehur dorën, pikērisht nē këtë ditë të shënuar për Tropojën dhe demokracinë shqiptare. Ju si një antivlerë e Tropojēs dhe ustallarët tuaj nuk e imagjinoni dot faktin se kjo trevë heroike e Shqipërisē do të ngrejë përmendore tē tjera bijve të bijëve të saj të shquar Ali Ibrës e Mic Sokolit, Haxhi Zekës dhe Sokol Ramës, Prel Tulit, Col Delisë e Tahir Sinanit dhe heronjve të rezistencēs antikomuniste.

Ju mbetët peng në hipotekën e piratëve të krimit duke u shndërruar nē një skllav të kohëve moderne.

Braktisët mjekësinē për t’u berē badiguard, por pikērisht në këtë profesion u tregove tinzar dhe i pabesë duke dhënē antimodelin e atij të cilit Kreu i Shtetit i beson jetën.

Po të sjell në vemendje se modeli i këtij profesioni të vështirë është ai i Levetēs – badiguardit trim tē Skënderbeut që e shpetoi nga vdekja në betejë duke e mbuluar me trupin e tij dhe major Llesh Topallajn që dha jetën për të mbrojtur Mbretin Zog në atentatin e Vjenës nga plumbat e Ndokë Gjeloshit.

Ti solla në vēmendje këto fakte për të dëshmuar se libri është pasuria ime më e çmuar dhe dija është feja ime e vërtetë.

Nuk kam investuar për palate, vila luksoze, makina të blinduara apo skafe, por për libra. Prapa shpinës në foto nē shtëpinē time janë disa prej tyre.

I kam shkruar katër libra Izet, së shpejti do të botohen edhe dy të tjerë.

Bota mediatike vizive dhe e shkruar më ka tashmë një personazh të përhershēm.

Ju thoni se që herët dija të këndoja dhe të kërceja, edhe për kërcimin kam marrë disa çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Dhjetra festivale kombëtare i kam organizuar në mbarë trojet etnike që synojnë unifikimin kulturorē e shpirtëror tē Kombit Shqiptar, e sigurisht kam spikatur si producent.

Për këtë aktivitet shumēdimensional jam nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin: “Mjeshtër i Madh”.

Në arkivin e RTSH- së ndodhen mbi 120 orë filmime dokumentarësh, ndërkohē që nē arkivin e shtypit të përditshëm dhe google mund gjesh qindra artikuj të shkruar jo sot por për gjatë 20 viteve.

Unë jam mik i modestisē, por më duhet të ju them se kjo është përgjigja ime për ty, për kulturën time, për të cilën kam investuar një jetë të tërë.

Pikërisht tani që po shkruaj kēto rreshta shpirti i Shotës vrarë nga terrori shtetēror 16 vjet më parë më thotë: Vëlla Azgan tregoi tellallit të krimit Haxhi Miletit se Haklajt kanë dy shekuj që e derdhin gjakun për Lirinë e Pavarësinē e trojeve etnike dhe konsolidomin e Shtetit Shqiptar.

Tregoi renegatit, idhujtarit të Hamza Kastriotit, Napolon Zervës e Haxhi Qamilit se kemi katër deshmorë tē Atdheut, dhe nē qoftē nevoja do të japim dhe të tjerë për kauzën e shenjtë të Lirisë dhe Bashkimit Kombëtar.

Motër Shotë, ti je martire dhe vendi yt ēshtē në paqen e pērjetshme.
Tē jap fjalēn qē kjo do të jetē replika e fundit me këtë bastard, të cilin Tropoja e Shqipēria e kanē flakur me neveri në shkretëtirat e Azisë.

Ai do të ketē tē njëjtin fat si Hamza Kastrioti, i cili vdiq si lypsar në rrugët e Stambollit apo nē variantin e Judës, i cili me 30 asprat që u shpërblye për tradhëtinë ndaj Krishtit bleu një litar dhe u vetëvar.

Izet Haxhi Miletit mund t’i ndodhë me keq akoma, ashtu si Ali Kimikut tē Sadamit t’i këputet qafa në litarin e vet.

Po e mbyll poetikisht këtë epilog tē replikës me ty duke zgjedhur këto vargje të bukura nga “Lahuta e Malësisë” të Homerit të ndjesive Shqiptare, Gjergj Fishta: “S’ashtë për burra hapsi as shkopi/ Për ta a shpata ose konopi”.

Filed Under: Opinion Tagged With: (IZET HAXHIA), Azgan haklaj, EPILOG I REPLIKËS, ME HAXHI MILETIN, TELLALLIN

Kërcënimet e një spurdhjaku

November 1, 2017 by dgreca

1 Andon Dedenga Andon Dede, Nju York/

Për shqetësimet që i ka krijuar botës mbarë e sidomos SHBA-së, Japonisë, Koresë së Jugut, Kinës e Rusisë, Koreja e Veriut, përmes kërcënimieve me armë bërthamore apo dhe provave të vazhdueshme të raketave, si për të acaruar nervat e tyre, lideri suprem i atij vendi, të ngjall sa të qeshura aq edhe zemërim e urrejtje. Nuk ka ngelur politikan e analist i problemeve ndërkombëtare pa folur e shkruar për këtë. Duke qënë kështu, çdo koment do të qe i tepërt. I vetëdijshëm për sa më sipër, po përpiqem ta shoh problemin në një këndvështrim tjetër.

Sa herë që e shoh në ekranet e televizionit të ashtuquajturin “udhëheqës suprem”, më duket se parcaktimin më të saktë për të e kemi në gjuhën shqipe me fjalën spurdhjak. Nisur nga mendimi se lexuesi edhe mund të mos e dijë këtë fjalë, jo aq shpesh e përdorur, po e sqaroj që në fillim kuptimin e saj. Me këtë term quhen harabelat, trumcakët apo dhe çdo zog i vogël, në përgjithësi. Por unë, si shumë të tjerë, mund të mos e kisha në fondin tim aktiv këtë fjalë, nëse nuk do të kujtoja fëmijërinë, kur kjo fjalë përdorej në kuptimin e mbartur, figurativ të saj, si një fëmijë i vogël, pa vlerë e pa përvojë, kalama, mistrec. Kështu na thoshin më të vjetrit kur ne bënim ndonjë gjë prej kalamani apo mistreci, si për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, pa pasur të drejtë, madje edhe duke i shqetësuar ata. “Ik mor spurdhjak!”, “U bë dhe ai spurdhjaku të flasë kështu?!”, “Do na mësojë ai spurdhjak…” dëgjonim ta na thuhej prej tyre e të tjera  shprehje si këto.

Për ta bërë sa më të përligjur krahasimin, më duhet t’i lë pak shteg fantazisë. Po qe se do të vinte një jashtë-tokësor e do të njihej me përplasjen për të cilën po flasim, pra, me shqetësimet që i ka shkaktuar botës mbarë ky diktatoruc, pyetja e parë e jashtë-tokësorit do ta qe: “Kush është ky dhe, sidomos, ç’përfaqson?”. Kur të dëgjonte përgjigjen se ai është “lideri suprem” i një vendi relativisht të vogël e të papërfillshëm në arenën ndërkombëtare, populli i të cilit, në shumicën e vet, ka vuajtur e vazhdon të vuajë deri edhe për bukën e gojës, jashtë-tokësori do të befasohej e nuk do t’iu besonte pohimeve të tjetrit. “Të qe fjala për SHBA-në, Kinën, Rusinë, Gjermaninë apo dhe çdo shtet tjetër me potenciale të spikatura ekonomike e ushtarake, edhe mund ta pranoja, por për sa dëgjova, sikur s’ma mbushni dot mendjen…”.

Nuk besoj se dikush mund ta vërë në dyshim mesazhin realist që mbart episodi i mësipërm, edhe pse i stisur prej meje. Me këtë unë absolutisht nuk mohoj potencialin ushtarak që zotëron shteti koreano-verior, siç është vënë në dukje nga shumë analistë e politikologë. Kjo është e kuptueshme, kur kemi parasysh të vërtetën e hidhur se Koresë së Veriut, si gjithë diktaturavet të tjera, shumicën e buxhetit ia gëlltit armatimi, për më tepër kur bëhet fjalë për atë bërthamor. Por, sidoqoftë, sado i madh qoftë ai, as që ka të krahasuar me ato të superfuqive. Po atëhere si duhet kuptuar ky shqetësim i madh që ka ngjallur me kërcënimet e tij diktatoruci koreanoverior?

Për ta përligjur këtë shqetësim, sipas optikës time, pa e banalizuar problemin, më duhet të kaloj në një krahasim tjetër. Parafytyroni një fëmijë të vogël, pra një spurdhjak, që ka arritur të gjejë një armë dhe me të në dorë, del në rrugë e kërcënon kalimtarët. Duke qënë fëmijë, rreziku është edhe më i madh, nga që mund ta shkrepë armën e rrezikëshme, pa e vrarë shumë mendjen për pasojat. E vetmja zgjidhje për të shmangur rrezikun e mundshëm është nxjerrja jashtë loje e kalamanit: ose duke ia hequr me marifet armën nga duart, ose duke e bllokuar atë me çdo rrugë tjetër, për të mos kaluar në masa ekstreme, nëse rreziku bëhet konkret, pra, për ta asgjësuar vetë atë, para se ai të vrasë të tjerët. ( Në parantezë, i kujtoj lexuesit, se jo vetëm këtu në Amerikë, por dhe gjetkë, kjo zgjidhje ekstreme, shpesh e vonuar, ka qënë e vetmja).

Nuk ka nevojë të jesh ushtarak, politikan apo analist që të pranosh se për SHBA-në, nuk ka gjë më të lehtë se sa të largojë çdo shqetësim thjesht duke e asgjësuar atë që po kërcënon, siç e pohoi fare qartë, pa dorashka, vetë presidenti Tramp. Por, po kaq e qartë dhe e thjeshtë për ta kuptuar është dhe përgjigja se përse SHBA nuk e ndërmarin një veprim të tillë. Mjafton t’i kujtoj lexuesit se me sa lehtësi u përmbysën diktatorë të tillë si Sadami e Gedafi për të mos pasur as dyshimin më të vogël për gjithë së më sipër. Por, siç është thënë edhe para përmbysjeve të tyre, problemi ka qënë e mbetet jo lufta por pas-lufta, temë kjo që del jashtë kufijve të këtij shkrimi.

Po qe se do ta vazhdojmë krahasimin e mësipërm, me  spurdhjakun e armatosur, që pa asnjë arsye kërcënon të tjerët e pafajshëm, edhe Koreja e Veriut, përmes “liderit të vetëshpallur suprem”, kërcënon e shqetëson botën, pa qënë i kërcënuar nga asnjë shtet tjetër, e aq më pak nga ata që kërkon të sulmojë. Kemi të bëjmë thjesht me çmëndurinë e një psikopati që erdhi në fuqi me mënyrën më të paligjshme, kur kemi parasysh se ai shtet nuk është as mbretëri që ta ketë sadopak të përligjur trashëgiminë e fronit. As që bëhet fjalë për të ashtuquajturin sistem komunist, siç pretendon ai.

Me që dolëm tek ky shteg, dua të bëj disa përsiatje të tjera, që janë dhe arsyet kryesore të këtyre radhëve. Ne shqiptarëve teatri i sotëm politik koreano-verior na kujton edhe diçka tjetër, dikataturën që lamë pas. Për hir të së vërtetës, “Enveri ynë” nuk arrinte në të tilla marrëzi groteske si Kim-at koreanë por, në shumë dukuri të tjera përngjasonte ma ta. Brezit tim i kujtohet i famshmi sllogan i tij: “Nëse armiqtë, përfshi dhe superfuqitë, na kanë në grykë të pushkës, ne i kemi ata në grykë të topit…”. Bunkerizimi i gjithë vendit qe një marrëzi tjetër e tij, alla-Kim, paçka se të gjithë ishim absolutisht të bindur se ne nuk kërcënoheshim nga asnjë agresion, aq më pak nga ndonjë sulm bërthamor.

Për të mos u zgjatur, dua të shtoj dhe diçka. Tek shoh “liderin suprem”, lakejtë civilë e ushtarakë që e ndjekin dhe sidomos turmat që duartrokasin e bërtasin, më dalin para syve, si të gjalla të tilla skena që i përjetuam në heshtje për afro gjysmë shekulli. Me kohë ne e kuptuam të vërtetën, u zhgënjyem keqas por s’kishim se ç’të bënim. Në shpëlarjen e truve tona, si popull, ndihmonte dhe mungesa e informacionit, sidomos ne që ishim të izoluar deri në ekstrem. Dhe pyes veten: ”Po sot, në këtë kohë që e ke vështirë në mos edhe të pamundur ta mbash një popull nën sundim me metoda të tilla, kur mjetet e kumunikimit dhe informimit masiv nuk ka burrë nëne që t’i ndalojë, si ka mundësi që ai popull të durojë një diktatoruc të atillë qesharak?! Unë e di se ai, si çdo diktator tjetër, zotëron një aparat të tmerrshëm shtypës për t’ua mbyllur gojën turmave. Por prapë pyes veten: a thua se nuk ka në atë vend intelektualë apo dhe të rinj të shkolluar që mund ta ndërgjegjësonin, pak e nga pak, masën e gjerë, për të ngritur krye kundër diktaturës, siç ndodhi këtej nga anët tona?! Kam mendimin se shumë shpejt do të ndodhë dhe atje përmbysja e madhe dhe ato turma që i kemi parë duke duartrokitur e brohoritur për “liderin suprem”, do ta bëjnë këtë për të kundërtën: për lirinë e demokracinë e munguar. Është vetëm çështje kohe!

Nju York, 31 tetor 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, e një spurdhjaku, KERCENIMET

Amerikano-shqiptari Filip Giantris u shua në një spital të Tiranës, politika dhe shteti heshtën

October 30, 2017 by dgreca

1 PhilipGiantrisNga Erlet Shaqe/

I madh dhe i vogël mësoi këto ditë kush ishte Adelajda Xhamani e cila humbi jetën në mënyrë; sa tragjike aq dhe të paqartë. Ndër ta edhe unë që s’para e ndjek median shqiptare në përgjithësi dhe atë rozë në veçanti.Kushdo mund të kontrollonte “portale të pakontrolluara” mbi jetën e saj, puthjet që dha, deri tek imtësi intime që njerzit në shoqërinë tonë rrallë herë i shfaqin edhe në momentet më të afërta. Politikanët u vërsulën që të shkruajnë për të me aforizma enigmatike, me shijen një miqësie të vjetër mes tyre dhe saj. Ish i dashuri dhe familjarët e tij, i kërkojnë falje asaj, tani që ajo iku, them iku dhe jo vdiq, të mendosh që ai skishte mundësi ta takonte dhe ti kërkonte falje sa kohë ishte në këtë jetë.Ndërkohë që efekti Adelajda kaploi këdo dhe kudo, dhe s’do flas për të pasi as e kam njohur dhe as nuk ia di bëmat e saj profesionale, qofshin këto rozë apo të ndonjë ngjyrimi tjetër. Por do flas për një personazh tjetër, i cili pati fatin që edhe ai të largohet nga kjo jetë këtë muaj dhe nuk u përmend asnjë rrjesht apo nekrologji për FILIP GIANTRIS, shqiptaro-amerikanin që kontribuoj për zhvillimin e vendit tonë.

***

Filip Giantris u largua nga kjo jetë në datë 19 Tetor këtë vit, në një spital të Tiranës papritur në moshën 74vjeçare, duke lënë pas bashkëshorten, tre femijët dhe nipër dhe mbesa. I lindur në Worcester, Massachusetts në një komunitet të ngushtë shqiptarësh, nga prindër që emigruan në Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 1920, ku u rrit bashkë me vëllezrit dhe motrat me dashuri të madhe për rrënjët dhe kulturën e tyre shqiptare dhe për Kishën Ortodokse Shqiptare.

Diplomohet në Institutin Politeknik të Worcester në vitin 1965, në inxhinieri civile. Në këtë institut gjithashtu ai ishte anëtar i vëllazërisë Delta Phi Gamma dhe një anëtar i ROTC. Filipi merr edhe gradën si toger i parë pas diplomimit dhe shërbeu në Korpusin e Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane në Vietnam në vitin 1968. Pas kthimit nga Vietnami, ai mori Master në Biznes nga Universiteti i Bostonit.

Pasi punoi për 23 vjet për Metcalf & Eddy Inc. dhe pesë vjet për Bird Corporation. Në fillim të viteve 1990, Philip hapi kompaninë e tij,një kompani konsulente, që shërbeu në të gjithë botën. Në vitin 2000, Filipi vendosi të ngrinte kompaninë e tij konsulente në Shqipëri, Value Add Management Services, një kompani e specializuar në menaxhimin e shërbimeve të sektorit të ujit me një staf totalisht shqiptar, me inxhinierë profesionistë, ekonomistë dhe specialistë të menaxhimit të biznesit.

Përtej qëllimeve të tij profesionale apo për përfitim, kthimi në Shqipëri për të ishte një synim i gjatë dhe premtim që i bëri nënës së tij për të ndihmuar Shqipërinë, atdheun e prindërve të tij. Në të njëjtin vit ai hapi kompaninë Value Add Management Services, e cila u bë forca parë lëvizëse për përmirësimin e standarteve në projekte madhore në fushën e menaxhimit të ujrave në Shqipëri. Paralelisht ai themeloi Shoqatën Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë (SHUKALB), ku shërbeu si Drejtor Ekzekutiv në mënyrë vullnetare.

Njohuria e tij unike për çështjet kryesore që përcaktojnë suksesin në sektorin e ujit, për qeveritë në të gjitha nivelet, e ka bërë atë dhe firmën e tij një burim këshillimesh të çmuara për qeveritë e Afrikës së Jugut, Rumanisë, Egjiptit, Izraelit, Kosovës, Malit të Zi, Libanit, Jordanisë , Filipinet dhe sigurisht Shqipërinë.

Filipi ishte i palodhur dhe i pasionuar për punën e tij deri në atë pikë sa ai do ta transmetonte këtë vision te të gjithë. Ai ndikoi në jetën profesionale të të shumë të rinjve dhe profesionistëve të tjerë në Shqipëri dhe në mbarë botën me shembullin e tij të përsosmërisë. Për Filipin, “vetëm më e mira ishte e mira e mjaftueshme”, dhe ai ishte një njeri që gjithmonë mund të gjente gjithçka më të mirë dhe më interesante në çdo gjë dhe gjithçka. Filipi ishte një njeri me integritet të lartë dhe i kaloi këto vlera tek stafi, miqtë dhe familja e tij.

Ai preku aq shumë njerëz me shembullin e tij të vendosmërisë, punës së madhe dhe etikës së biznesit, por edhe me dhembshurinë, kujdesin dhe dashurinë e tij. Ai mishëronte filozofinë: «Ndaj atij të cilit shumë i është dhënë, më shumë pritet nga ai» dhe Filipi kurrë nuk pushoi së ndihmuari njerëzit në nevojë. Veprat e tij filantropike ishin të panumërta. Ai ishte një kontribues i vazhdueshëm i Kishës Ortodokse në Shqipëri dhe “Shkollën Protagonistët”. Përveç kësaj, ndihmoi për të mbledhur fonde për institucione të ndryshme shqiptare me një fokus të veçantë në fëmijët – jetimoren në Korçë, Shtëpinë e Fëmijëve në Shën Vlash dhe Fondacionin Nënës dhe Fëmijës të Shqipërisë. Ai ishte gjithashtu një anëtar i Bordit të Institutit Harry Fultz.

Në vitin 2010 ai u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me medaljen për “Merita të Veçanta Civile” për kontributin e tij në Sektorin e Ujit.

Filipi ishte një qytetar i botës dhe la një trashëgimi të rëndësishme për familjen, miqtë, kolegët e tij gjithashtu edhe për ne shqiptarët. Ai do të priste që të gjithë ne të vazhdonin trashëgiminë e tij dhe të shkonim: “Lart dhe më lartë!”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Erlet Shaqe, Filip Giantris u shua, në një spital, te Tiranes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 457
  • 458
  • 459
  • 460
  • 461
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT