• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trimëria e shekullit që jetojmë

July 25, 2017 by dgreca

Nga Kaltrina HOTI/1 Kaltrina Ventimiglia

Sot bota është gati të kapërcen  në një episod të ri të civilizimit nëpërmes të teknologjisë të lartë të artit dhe shkencës.  Po, ç’është trimëria? Shpesh thuhet ky apo ai është trim. Ajo atje thonë është trimëreshë. Me se matet trimëria? Me këngë. Unë mendoj se jo. Danezët kanë vetëm një këngë për atdheun e tyre por kanë shtetin më vjetër, të pasur, demokrat e civilizues. Trimëri është të dëshmosh vlerat e larta dhe lashtësinë në mënyrë të civilizuar, humane dhe artistike. Dhe këtë e kemi të dëshmuar si komb, por sikur hezitojmë ta pranojmë dhe herë-herë i mohojmë këto vlera, e më shpesh edhe i shajmë përse ato nuk na janë ulur këmbëkryq në qilimin e xhamive, apo nuk kanë përqafuar simbolet e huaja. Botës i kemi dhënë shumë emra do i numëroj vetëm disa si: Nëna Terezë, Aleksandër Mojsiu, Kljeda Bega, Laura Mersini Houghton, Dionis Senjo (pesë vjeçari shqiptarë që është pranuar në Organizatën botërore të gjenive),  Mentor Petrela, Omer Xhemail, Robert De Niro, Inva Mula, Anna Oksa, James Bellushi, Ferid Murad, Eliza Dushku, Angelina Preljocaj  … dhe ky varg emrash nuk ka fund. Për shumicën e tyre bëhet luftë për t’i fituar kombet tjerë me të vetmen arsye se njerëzimit i kanë falur civilizim, humanizëm, përparim duke shkrirë mendjen në shërbim të së ardhmes. Trimëria është në mendjen e ndritur, në laps, brushë, veprim… për dritësim të jetës. Armiqtë tanë duke e parë fuqinë tonë si dhe humbjen e rrugës në oborr na sulmojnë në mënyra primitive duke na ndërtuar kisha e xhamia për të ndryshuar shpirtin e një populli të lodhur nga politikat tona të gabuara. Ata në oborrin tonë duan të na thyejnë gjuhën e lashtë, gjuhë me të cilën kuvenduan Zotat, gjuhë me tingullin dhe melodinë e natyrës. E më pas zëvendësimin e kulturës, traditës… Ç’duhet të bëjmë që të jemi ato që jemi? Gjuha, kultura, tradita, letërsia, lashtësia jonë janë një kopsht me lule ku ka aromë të vjelësh për të dehur të gjitha artet me mirësi. Nderi, fjala, besa, mirëpritja, fisnikëria jonë, janë tryeza që të dhuron dashuri njerëzore e humanizëm që e duan të gjithë. Trimëria e këtij shekulli është t’i përqafojmë dhe t’i bartim këto vlera njerëzimit ashtu siç bënë të lartpërmendurit. Sot kur atdheun tonë e ka mbërthyer një ankth, mbase nuk është lehtë të zgjohesh aty se fjala e huaj është futur për të ndotur e përçarë shpirtin tonë fisnik e bujar. Por edhe durimi mes nesh është një vlerë, vlerë derisa ndeshet me kufirin e fundit ku thuhet; “ka dal beg se ka hendek”. Në ne ende jeton “besa”, mos ta shkelim fjalën e njëri tjetrit, t’i përkrahim ata që e gdhendin emrin e popullit në pasqyrën botëror, mos të lodhemi duke u lutur me gjuhën e injorancës së shekullit. Jo shumë larg ne ndiheshim mirë në Kuvendet e faljes që gjakut, gjak që të tjerët na e kishin mbjell në prag. Ne jemi një dhe të fuqishëm. Kemi nga ku të mësojmë. Tryeza jonë ka vetëm një përshëndetje: “Mirëmëngjesi Bashkimi kombëtar”!

Filed Under: Opinion Tagged With: e shekullit, Kaltrina Hoti, që jetojmë, Trimeria

51 vjet të Golgotës me mbiemrin Dobra

July 24, 2017 by dgreca

Ritratto di Sh S NoéPërcjellje për librin «Bashkëudhëtarë»./

Nga Shpend Sollaku Noé/

Ky libër është shkruajtur me penën e shpirtit, të ngjyer në gjak e lotë. Shefqet Dobra  është njëherësh autor, personazh i planit të parë dhe dëshmitar i drejpërdrejtë i ngjarjeve.

Shumë vëllime janë botuar nga të mbijetuarit e persekutimit komunist, por pak e kanë freskinë ngjethëse të këtij libri. Të shkruara në vetën e parë, faqet e tij kanë një ndikim të drejtpërdrejtë, duke i trasformuar këto dëshmi dramatike në një dialog intim mes autorit dhe lexuesit.

Harku kohor i ngjarjeve është ai i tragjedive shumëpalëshe pothuaj homerike: ai fillon në vitin e hershëm 1945 dhe përfundon në vitin e vonë 1996:  51 vjet te kaluara si i përjashtuar, si i dënuar, si i torturuar, si i mohuar.

Nuk mund anashkalohen faktet e përshkruara në këto faqe të ngjeshura me tragjizëm. Aty-këtu, sidoqoftë, gëlon dëshira për të rezistuar, për të mbijetuar, për të qenë dëshmitarë të drejpërdrejtë të ngjitur mbi tokë prej ferrit. Si fakt qëndrese mund të shërbente edhe një buzëqeshje bashkëvuajtësit, një rënie në shpatullë si shenjë përkrahjeje e heshtur, një vetmohim përballë propozimesh për të bashkëpunuar me xhelatin. Por ndonjëherë ato fakte janë aq të brishta e prekëse, saqë të duken të pabesueshme. Siç ndodh në rastin e nënë Mbrikës, që dhuron floket e saj për të qepur arnat e fëmijëve të internuar në Kampin e Tepelenës, pasi penjtë ishte vështirë të gjendeshin.

Si në një bullet time lexuesi ngec në ankthet e një adoleshenti që detyrohet tʼu bjerë fushave kryq e tërthor që në moshën 15 vjeçare, që vërtitet pas telave me gjëmba të Kampit të Tepelenës (1945-1955), të barakave të internimit të Plugut e Gjazës, të Kampit të Çermës (1971-1996), për të ndjerë në pulset pastaj, prangat dhe qelirat e Spacit e të Qafë Barit (1971-1987).

Prologu i këtij rrëfimi të ngjethshmën është vënë në skenë në pranverën e vitit 1945, në një fshat-qytet që mund të ishte secili prej vendbanimeve shqiptare të atij viti. Si vazhdim i vëllavrasjes të nisur gjatë luftës, «një grup njerëzish, gra me fëmijë të vegjël për dore apo në krahë, të  rrethuar nga një togë policësh e ushtarësh të armatosur», janë vënë në rresht për tʼu larguar drejt të panjohurës. Kush i vështron duke kaluar urën e një lumi, shtanget, frikësohet më shumë sesa vetë të shpërngulurit me forcë. Është një tablo me një pjesë të shqiptarëve që do pësojnë tragjedinë e luftës së klasave dhe një pjese tjetër që nuk ish në gjendje të solidarizohej me të, por të aprovonte në heshtje opresorin. Një tablo që do të karakerizojë pesedhjetë vjetët e një diktature të pashembullt, të një numri me mjaft zero tragjedish akoma të pashpaguara, te jetëve të fikura, pa dallim moshe e gjinie, të vdekjeve nga uria, turtura, gjymtimi, gryka e armës.

Ajo që e bën të veçantë, këtë libër, veç fakteve të mësipërme, është karakteri  që kanë këto faqe, që i ngjajnë si dy pika uji karakterit të autorit. Edhe pse të regjura në dhimbjen e tragjedive të panumërta, në to nuk gëlon urrejtja.

Rregulla sipas të cilës gjithkujt që të ka nxjerrë syrin duhet tʼia nxjerrësh, është e huaj për Shqefqet Dobrën. Ashtu si në jetë, edhe në këto faqe ai është njeriu i mençur, i urtë dhe i drejtë, që kërkon gjithmonë tʼi kundërvëjë, egërsirës së etur për gjak, drejtësinë gjakftohtë, sipas ligjit të zotit, pasi ajo e njerëzve është akoma e çalë.

Pata rastin ta njoh nga afër autorin, ashtu si edhe familjen e tij. Kam dhënë mësim në shkollën ku bijtë e tij studjonin si të internuar në Kampin atje pranë. Edhe ata kishin tiparet e babait të tyre, atë edukatë dhe shpirt fisnik të shpënë përpara prej nënës së tyre heroinë, Bukurisë.

Pikërisht kësaj gruaje të madhe i kushtohet edhe mbyllja e këtij libri të rëndësishëm, nëpërmjët dhimbjes së burrit për humbjen e shoqes së jetës, të asaj Bukurie që, si të gjitha gratë e të të persekutuarve politikë, mbajtën mbi shpinë peshën kryesore të familjeve, rritjen dhe shpëtimin e fëmijëve nga pasojat tragjike të mënjanimit të imponuar prej ligjit pervers.

Për nga dretjpërdrejtshmëria dhe pasuria e dëshmive ky libër përbën një dokument unik e të rendësishëm që historianët duhet ta mbajnë mbi skrivani ndërsa do të shkruajnë historinë ashtu siç duhej të ishte.

Me renien e regjimit shumë bashkëvuajtës të Shefqet Dobrës preferuan të largohen nga ato vende që u ringjallnin vetëm dhimbje e hidhërim prej përcmimit e vuajtjeve të kahershme. Ai, si pak të tjerë, preferoi të mbetet në Lushnje, për tʼi  parë drejt në sy krimet e parrëfyera, pendimet e paardhura dhe kërkimin e ndjesës kurrë të arritu

Shpend Sollaku Noé, qershor  2017

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 51 vjet të Golgotës, me mbiemrin Dobra, Shpend Sollaku Noe'

Për ju që votuat për Lulzim Bashën

July 22, 2017 by dgreca

1 astrit PatoziNga Astrit PATOZI/Jam shumë i sigurt se shumica prej jush janë demokrate dhe demokrate me kontribute, por edhe me histori sakrifice dhe përkushtimi në Partinë Demokratike. Kam vlerësimin maksimal për secilin prej jush dhe jam shumë i bindur, se sot keni bërë atë që keni ndjerë, në shërbim të rimëkëmbjes së forcës sonë politike, pas humbjes dërrmuese të 25 qershorit.

Fakti që unë dhe qindra mijëra të tjerë anëtarë të Partisë Demokratike vendosëm të mos bëhemi pjesë e asaj, që ne e konsiderojmë farsë e neveritshme elektorale, nuk ka të bëjë fare me ju dhe as me zgjedhjen tuaj të lirë për të votuar. Ne nuk e morëm atë vendim për t’u ndarë me ju, sepse kjo nuk ka për të ndodhur asnjëherë.

Kemi kaluar shumë të mira e të këqija bashkë dhe plot sfida të tjera na presin në të ardhmen. Madje e them me shumë përgjegjësi, që refuzimi i këtij procesi, nuk do të thotë as ndarje me vetë Lulzim Bashën, i cili, pa asnjë dyshim, është përgjegjësi kryesor, në mos i vetmi, për krizën e rëndë që po përjeton Partia Demokratike.

Vendimi ynë është refuzim ndaj një politike të vrazhdë impunimi, ndaj një mentaliteti stalinian, që po zë rrënjë tashmë në partinë tonë, sipas të cilit nuk ka rëndësi si votohet, por vetëm si numurohet. E them me dhimbje, por ne sot mund të krahasohemi vetëm me Korenë e Veriut, ku udhëheqësit i tolerohen dhe i falen të gjitha, madje edhe krimet. Sepse në partinë tonë po humbet gati në mënyrë të pariparueshme sensi i marrjes së përgjegjësisë. Si askund tjetër, në Europë, Ballkan, madje edhe në Shqipëri.

Me keqardhje konstatoj që me votën tuaj të sinqertë sot janë tallur mizorisht. Lulzim Basha kryesisht, por ndoshta edhe të tjerë. Natyrisht, që ky nuk është edhe s’ka se si të jetë problemi juaj. Por ju duhet ta dini se sot halli i Lulzim Bashës nuk ka qenë se cili do të jetë fituesi, sepse ai ështe i paracaktuar.

Problemi i tij ka qenë pjesmarrja, ndaj edhe gjë mbi këtë tokë nuk është lënë pa bërë që ajo të shkruhet sikur ka qenë e lartë. Që nga raportimet false të Komisionit, tek votimet pa asnjë rregull, ku vijnë nga rruga dhe vetëm firmosin mbi emra, por pa treguar asnjë dokument, e deri tek raportimet për hedhje votash në grup, dhe një dreq e di si do të vazhdojë deri sa të mbyllet.

Unë nuk e parashikoj dot me siguri se cfarë do të ndodhë deri në fund të këtij procesi farsë, i cili na turpëron të gjithëve, si ju që votuat, ashtu edhe ne, që nuk morëm pjesë. Por kam frikë se Lulzim Basha po kërkon qe të arrijë një rezultat fiktiv, që të provojë se demokratët e duan më shumë tani, që e provuan se i hodhi në greminën e humbjes së 25 qershorit, sesa para katër vjetëve, kur nuk e dinin ende se ku do t’i çonte.

Ndaj them se vota juaj, edhe pse është hedhur nga detyrimi që keni ndjerë si anëtarë të Partisë Demokratike, nuk ka pasur asnjë vlerë. Ju kanë fyer padrejtësisht, duke ju përdorur si alibi për një rezultat të trukuar që në start. Ju kanë konsideruar numra apo tesera, që duhen vetëm një herë në katër vjet, më 22 korrik, vetëm si pamje televizive apo si foto që hyjnë e dalin nga qendra e votimit.

Mos u mërzisni kur them se sot ju keni votuar të gjithë për Lulzim Bashën, edhe pse jam i sigurt që disa prej jush ia kanë dhënë votën e tyre Eduard Selamit. Sepse, sipas nesh, ky i fundit ka qenë në këtë farsë thjesht dhe vetëm per te mos e lënë vetëm Lulzim Bashën, por për t’ia bërë më të lehtë atij rrëmbimin e mandatit të kryetarit të PD.

Shpresoj shumë qe edhe ju ta kuptoni sa më shpejt se gjithçka po ndodh nuk i shërben askujt prej nesh, sepse ajo i shkakton nje traumë tjetër të rëndë Partisë Demokratike, ndoshta më të rëndë edhe se humbja zgjedhjeve politike.

Pa asnjë keqkuptim për vendimin tuaj të ndershëm për të votuar sot Lulzim Bashën, por pa asnjë mirëkuptim për këtë të fundit dhe për këdo tjetër, që në vend të garës, imponuan farsën, në vend të bashkimit, deshën përçarjen, dhe në vend të ringritjes, zgjodhën zvarritjen e Partisë Demokratike.

Koha do ta provojë shumë shpejt se ne kishim të drejtë. Vetëm analiza serioze e humbjes dhe gara e drejtë dhe e barabartë do ta shpëtojë Partinë Demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Patozi, Për ju që votuat, sot për Lulzim Bashën

ARSHI PIPA, KÊNSI UNIK I KULTURËS SHQIPE

July 20, 2017 by dgreca

arshi_pipa 2(1)NGA ARISTEA KOLA/Revista e përvitshme kritike ‘Kêns’, si platformë online, vjen në numrin e parë të saj In memoriam për Arshi Pipën, nën cilësinë e nji komisie shkencore që konstituohet kryesisht nga profesorë të Universitetit të Tiranës e Shkodrës.

Portreti i Arshi Pipa për t’u definue saktësisht si ekzistencë, si model, si personalitet ka nevojë për nji biografi të ngjeshun. A. Pipa u lind në Shkodër në 1920 dhe vdiq në Washington DC më 20 korrik 1997. Hini i trupit të tij u derdh në Adriatik, simbas testamentit të tij, si shenjë simbolike për të qenë i përjetshmen në dejtë ujorë (kupto kulturën) të Shqipnisë. Vend për të cilin punoi e nuk reshti deri në ditët e mbrame të jetës. Pipa, si shumë intelektualë të tjerë, u burgue gjatë sistemit enverist me 10 vjet. Kalvar që e kaloi në disa burgje e kampe të ndryshme: Burrel-Tiranë-Durrës-Vloçisht etj. Përjetoi dhe jetoi nji ndër sistemet ma të tmerrshme botënore, çka na e dëshmoi në veprën e tij të randësishme ‘Libri i burgut’. Kjo vepër asht unikale në llojin e saj, sepse sintetizon në vargje fakte historike, që do duheshin volume për t’u pasqyrue si duhet. Veprën në fjalë arrin ta nxjerrë nga burgu përmes fletëve të cigareve. Me të dalë nga burgu, dhe pas nji qëndrimi të shkurtë në qytetin e lindjes, arrin të arratiset me të motrën, Fehimen, dhe pas nji qëndrimi në ish-Jugosllavi, mbërrin në SHBA. Këtu ai arrin të punësohet në Universitete të ndryshme, dhe jep kontributin e vet në shkencat albanologjike, në studimin e letërsisë italiane e drejtime të tjera në interes me profesionin. Nga Universiteti i Minessota-s nderohet me titullin Professor Emeritus, privilegj që e gëzojnë disa figura të rangut ndërkombtar. Mbas viteve ’90 dhe ramjes së komunizmit Pipa kthehet në Shqipni, ku gjen nji mjedis të atrofizuem nga kultura moniste dhe e len, sot e kësaj dite, të steriotipuem simbas paradigmës neokomuniste. Çka do të thotë se figura e tij, dikend e tremb dhe vepra e tij mundsisht kërkohet të jetë sa ma pak në kontakt me publikun. Nji punë shumë të mirë ka ba shtëpia botuese Princi, e cila ka botue pjesën ma të madhe të veprave të Pipës. Figura e tij, asht shtylla e rezistencës kombtare për nji mendim të lirë… Shembulli sesi ka kontribuue në ekzil për emancipimin e studimeve albanologjike, tue dhanë të kundërtën e nji kritike brenda kufijve realë të Shqipnisë. Pra të nji kritike letrare, që diçitura hyrëse e punimit/eve ishte me fjalët e E. Hoxhës.

Në nji situatë të tillë, botuesit Aristea e Lisandri Kola morën nismën që të themelonin nji revistë dhe numrin e parë t’ia kushtonin studimeve të A. Pipës. Sesioni I shkencor Pipa Opus, i kushtohet veprës së tij poetike/letrare, interpretimeve leximore, historike/socio-politike, dhe filozofike. Konkretisht punimet: ARISTEA KOLA, Rreth tematikës dhe klasifikimit të saj në sonetin e Arshi Pipës; ARSHI PIPA, Rapsodë shqiptarë në serbokroatisht: cikli epik i kreshnikëve; DHURATA SHEHRI, Arshi Pipa lexon letërsinë bashkëkohore; EDLIRA TONUZI, Nòesis noeseos…, LISANDRI KOLA, Modeli i erotizmit simbas Arshi Pipës tek poezia ‘Epsh’ përmes procedimesh figuracionale; MARSEL NILAJ, Politika e jashtme shqiptare në vitet 1945-1990, në optikën analitike të Arshi Pipës, dhe burimeve të vendeve perëndimore; MUHAMET HAMITI; Pamje e letërsisë shqipe në studimet e Arshi Pipës; PERSIDA ASLLANI & DHURATA SHEHRI, Pipa, lexuesi i përjetshëm i Milosaos. Sesioni II pastaj, Optikon, asht i struktueruem dhe i organizuem nga përkthime të ndryshme. Për ma shumë lexuesi i gjanë, revistën e gjen falas në adresën: www.kens.al

Filed Under: Opinion Tagged With: Ariste Kola, Arshi Pipa, I KULTURËS SHQIPE, KÊNSI UNIK

Të zakonshmet avaze prej Shqipërie

July 20, 2017 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Florida/

Tha Mustafai (një gazetar me emër turk) që Vojsava eshtë me prejardhje sllave. Ia priti Spartaku (një avokat me emër spartan, vendi i Helenës së Trojës, emër grek), tha për Mustafain, injoranti që e paguajnë qarqet greke dhe sllave. Me që jemi tek toponimia, prejardhja e emrave…, se kjo është çështja. Kjo dhe…, pse e tha. Nuk duhet ta thotë?
Ja priti dhe Shabani, po me emër turk. Edhe Murati me emër otoman. Edhe Çeliku me emër sovjet, revolucionarësh. Një bashkësi me atdhe çështjen. E solli anash edhe Vullneti po me emër sovjetësh. Bërtiti Demiri me emër kazakësh. Llambro me emër grek.
Asnjë me emër shqiptar?!
Po kjo është Shqipëria jonë more djema.
Kjo.
Eshtë një kulturë që nuk u shpik sot, po që mot.
Ndaj jemi një kopshtari e begatë emrash, kulturash, mendësish e traditash; perandorish, shtetesh, shërbimesh, qarqesh, vasalësh.
Ndaj nuk kemi edhe hu ku të mbahemi.
Na mungon vetvetja.
Aq sa sot, për inat të Turqisë, Bashkimit Sovjetik, Kinës, Greqisë, Serbisë, (është një epokë emrash që variojnë në bazë të lidhjeve shqiptare ndër vitet e kaluara, me vendet dhe epokat e marrëdhënieve me ta) i jemi kthyer emrave perëndimorë me shumicë. Emrave të sojit të filmave amerikanë përshembull. Sa Tomsona kemi sot në Shqipëri.
Sot emri universal tek ne është në mode.
Ndaj globalizmi më së pari ka për të prekur Shqipërinë. Më pas vendet e tjera.
Italia apo Greqia përshembull do të jenë të fundit. Do t’u duhet vota jonë për t’u futur në Unioin Global. Pa lënë mënjanë emrat nga fusha e futbollit. Mjaft me qënë pak tifoz brazilian se plot me Rivelinjo u mbushën lagjet. E merrni me mend çfarë do ndodhi në vitin 2417, në Shqipërinë tonë. Sikur ndonjë nga këta Rivelinjot të bëhet i famshëm. Apo shenjtor si nënë Tereza. Sa sherre publike do ketë. Lum kush të rrojë e të kujtoj se nga qejfet e kripura të shqiptarëve. Nga unët e birrave dhe të basteve për ndeshje kampionatesh. U japin fëmijëve emra sportistësh. Nga personazhet e telenovelave u japin emra vajzave. Edhe pse përshembull, hiqen myslimanë të thekur. U vendosin emra katolikë. E kam trajtuar një radhazi këtë çështje, kur një ”mysliman” shqiptar i vuri emër çifut fëmijës. Këtej llapte pas Erdoganit në mbrojtje të gjoja vëllezërve myslimanë palestinez. As e kishte idenë e historisë së gadishullit palestinez, kofliktin e vjetër sa rraca njerëzore mes popujve aty. As e kishte idenë që gjyshi i tij shqiptar u kishte dhënë bukë këtyre çifutëve. Po u kujtua që ishte mysliman. U kujtua të mbroj erdoganizmin. Një ironi shqiptare.
Jemi bërë për ibret të Zotit, thoshte një plakë e vjetër.
Dhe kjo puna e këtij debati.
Dhe ta dini se, kësisoj sherresh ndodhin në vende ku kultura e komunikimit gjakftohtë, kultura e njohjes është zero. Për shkak se individët quajnë institucion individët dhe jo Institucionet kombëtare. Kjo është paradoksale, si gjithë jeta jonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: avaze prej Shqipërie, Ilir Levonja, Të zakonshmet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 476
  • 477
  • 478
  • 479
  • 480
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT