• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZGJEDHJET I SHKATRRUAN QEVERITARËT DHE NDËRKOMBTARËT

July 6, 2017 by dgreca

1-Bushati-asllanOpinion nga Asllan Bushati/

Para disa ditësh kam postuar në faqen  time të fb , një shkrim te  Zotit Prec Zogaj (shkrimtar, poet, politikan,publicist, analist etj. i mirënjohur për publikun shqiptar), marrë nga gazeta “Panorama”. Objekti i  këtij shkrimi  janë zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 në Shqipëri. Në këtë shkrim kam bërë komentin e më poshtëm :” E bera “share” kete shkrim te Zotit Prec Zogaj sepse kam pothuaj te njejtin mendim me te. Ne ditet ne vijim edhe une do te cfaq mendimet e mija per zgjedhjet e 25 qershorit me disa argumente te tjera. Por paraprakisht, miqt e mi i ftoj te lexojne (madje dhe te studiojne ) shkrimin e Zotit Prec Zogaj.”

Nga këndshikimi im, situate para zgjedhore karakterizohej nga disa dukuri shumë problematike, të cilat Lulzim Basha si lider i PD-së dhe i opozitës i kishte vënë në dukje dhe i kishte bërë prezent para opinionit  të brendëshëm dhe  atij ndërkombëtar. Ata ishin kanabizimi i gjithë vendit , miliardat e  parave dhe bandat kriminale të shtrira në  zonat urbane e në skajet më të largëta; blerja e medias nga qeveria duke e reduktuar ne minimum  mendimin e lirë; dhënia e pasurive kombëtare koncesionarëve pranë qeverisë duke i  këthyer oligarkët në një burim financiar pro partive  qeveritare dhe kompromentimi i drejtpërdrejtë i shumë strukturave të shtetit në vallen e drogës e të krimit të provuara me fakte në Bashkinë e Peshkopisë dhe të Ersekës në zgjedhjet vendore.

Të gjitha këto, por edhe shumë faktorë të tjerë, tregonin qartë se cdo gjë mund të ndodhte ,por vetën zgjedhje të lira nuk do të kishte në Shqipëri. Prandaj pas luftës në parlament dhe në media, opozita u detyru të futej në grevë  tre mujore në cadrën para Kryeministrisë. Personalisht  kam menduar dhe besuar se kauza e opozitës :”se pa largimin e Edi Ramës dhe pa qeveri  teknike të gjithpranuar nuk do të ketë zgjedhje të lira” ka qenë një kauz shumë e drejtë. Nisur nga ky përfundim,  edhe unë shkova nga NY  për në Tiranë në cadër,  për tu dhënë opozitarëve mbështetjen për kauzën dhe  qëndrestarinë e tyre. Tani zgjedhjet mbaruan , u certefikuan nga KQZ-ja dhe fituesit e humbësit dihen, por pyetja shtrohet a triumfoi e drejta dhe kushtetuteshmeria dhe  a qenë zgjedhjet të lira dhe të ndershme?

Të gjitha faktet tregojnë se këto ishin zgjedhjet më të kompromentuara  dhe më të shëmtuara të 27 viteve të fundit. Blerja e votës  qe e dukëshme  nga partitë qeveritare të cilat u rritën masivisht në numër  Kurse dhuna verbale e materiale  behej sheshit e nën hundën e organizatorve  drejtpërdrejt kundër opozitës. Pas kësaj  katraure zgjedhore  që ndodhi, pyetja shtrohet: a ka pergjegjesi qeveria e PS-së me aleatët e saj  LSI e PDIU ? Mendoj se përgjegjesinë më të madhe e ka Edi Rama, por nuk janë pa përgjegjesi edhe  Ilir Meta e Shpëtim Idrizi. Përgjegjësia qëndron tek fakti se ata ideuan dhe zbatuan programin e blerjes së votave për vehte dhe klanet e tyre, vetëm për pushtet personal   e neopotist duke shkatërruar  zgjedhjet, duke nëpërkëmbur Kushtetutën e duke e vënë vendit  nën këmbët e një grushti  horrash e te inkriminuarish . Nuk ka ndodhur as në historinë tonë poskomuniste dhe të asnjë vendi tjetër demokratik, që qeveria nuk realizon asnjë  nga premtimet e marra, nuk paraqet  asnjë program për katër vjecarin pasues, dhe votohet përsëri, madje më shumë se në 2013-ën, sic ndodhi me PS-në dhe Edi Ramën. Kjo mund të ndodh në një shtet diktatorial ose në një shtet tërësisht të korruptuar me parat e pista  të strukturave të nëndheshme ku krimi dhe oligarkët  kanë si masha për realizimin e qëllimeve të tyre qeveritarët që  u shërbejnë.Pra objeksioni  dhe shqetësimi madhor që ka patur Lulzim Basha për zgjedhjet  dhe pabesueshmërinë tek Edi Ramës me qeverinë e tij, kanë  qenë  të  drejtë dhe u vërtetuan  tërësisht në paraktikën . Atëhere duke e ditur këtë situatë mbytëse shtrohet pyetja a do të hynte opozita në zgjedhje ku dihej se do të dilte e humbur? Mendoj se jo.

Por opozita shkoi në zgjedhje me garancinë e ndërkombëtarëve. Kujtoj këtu se fillimisht ndërkombëtarët  në Bruksel e Uashington i dëgjuan dhe i vlerësuan shqetësimet  e opozitës . Ambasadorët Vllahutin e  Lu u duk se do  të ishin  më pranë zhvillimeve  të ngjarjeve .  Më pas politikanë të  Uashingtonit (senatorë  e kongresmenë republikan) vizituan Shqipërinë ,  ata të Brukselit    Fleckenstein e McAllester po ashtu. Madje këta të fundit  u përpoqën të gjenin një zgjidhje shartesë midis qëndrimeve të opozitës dhe të qeverisë ,por pa  e vënë theksin tek shqetësimet madhore  të opozitës si  droga dhe strukturat kriminale që do të ndosnin  më pas zgjedhjet.  Madje  ata  ofruan një qasje  të  pa njohur më parë (në dukje edhe qesharake), ku disa ministra të opozitës të bëheshin pjesë “në fakt  fasadë” e qeverisë Rama. Nuk mjaftoi vetëm kaq, por erdhi nga Uashingtoni Ndihmës Sekretari  Amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee, i cili i la opozitës mundësinë ultimative  të thoshte vetëm një “po”, madje po të shtonte edhe një presje të vetme do të konsiderohej një “jo” në projektim McAllester. Në këto kushte Lulzim Basha duhet të zgjidhte : të shkonte me  aleatët strategjik (të cilët i ofruan garanci ndërkombëtare), apo të bojkotonte zgjedhjet. Ai zgjodhi të parën dhe mirë bëri, por tani që ndotja e zgjedhjeve është e plotë, pyetja shrtohet pse ndërkombëtarët po heshtin? A e parandaluan ata vjedhjen e votës? Po ku shkuan garancitë e tyre? Unë shkurt mund të them se Lulzim basha deri në këtë moment është i tradhëtuar nga ndërkombëtarët. E them deri në këtë moment, sepse shresoj që ata jo larg   të thonë se zgjedhjet e 25 Qershorit në Shqipëri , ishin jo legjitime dhe të pa pranueshme  për amerikanët dhe Be-në.

Më së fundi  pyetja shtrohet se vetë Basha a ka bërë gabime politike taktike? Përgjigja do të ishte po, për të mos thënë “ sa të duash”e si të  gjithë politikanët e tjerë shqiptar. Po a jep  Basha garanci   si lider për për zhillimet e mëtejshme të PD-së dhe të Shqipërisë? Mendoj se po, madje në gjykimin tim , më shumë se kritikuesit e tij. Po të kisha qenë në vendin e tij, gjëja e parë që do të bëja në këto moment do të ishte mos njohja e zgjedhjeve dhe bojkotimi i parlamentit për ta cuar vendin në shinat e kushtetutshmërise dhe brenda një viti me qeveri  teknike e zgjedhje të reja, sepse zgjedhjet i shkatrruan qeveritaret dhe nderkombetaret.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DHE NDËRKOMBTARËT, ZGJEDHJET I SHKATRRUAN QEVERITARËT

PRESIDENTI TRUMP VIZITON EVROPËN – PËR TË DYTËN HERË

July 5, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do vizitojë këtë javë Evropën ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të vendeve të Grupit të Njëzetshes (G-20) që do mbahet në Gjermani më 7 korrik.  Por, para se të arrijë në Hamburg të Gjermanisë për këtë takim, udhëheqsi amerikan do të vizitojë së pari Poloninë, dhe javën që vjen do të shkojë në Francë i ftuar nga Presidenti i ri atij vendi, Z. Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës.  Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, që njofton vizitën e Z. Trump në Paris, thuhet se Presidenti Trump pret që gjatë qëndrimit të tij atje, “Të riafirmojë lidhjet e forta të Amerikës me Francën”.

Normalisht, se çdo takim dhe vizitë që bën Presidenti i Amerikës, cilido qoftë ai, në cilindo qoftë vend dhe mbledhje ndërkombëtare, merr rëndësinë që bartë me vete prania zyrtare e udhëheqsit të vendit më të fuqishëm në botë.  Prandaj, vizita e planifikuar e Presidentit Trump në Poloni ka tërhequr vëmendjen e shumë ekspertëve evropianë dhe të medias në përgjithësi, se pse Z. Trump zgjodhi pikërisht për të vizituar Poloninë në këtë moment të historisë.

Në një deklaratë nga zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ndërsa u njoftua vizita e ardhëshme e Z. Trump në Poloni, thuhet se ai e, “Pranoi ftesën që i bëri Presidenti i Republikës së Polonisë, Z. Andrzej Duda për të vizituar Poloninë para takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare, G-20 në Hamburg të Gjermanisë.”   Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për shtyp thuhet se, “Vizita do të riafirmojë angazhimin e patundur të Amerikës ndaj njërit prej vendeve aleate më të ngushta evropiane të Amerikës  dhe  vizita njëkohsisht do të nënvijojë përparësinë që Administrata Trump i kushton përforcimit të mbrojtjes kolektive të vendeve të NATO-s”.  Mëtej thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, mbi vizitën e shefit të saj në Poloni se, “Të dy udhëheqsit do të diskutojnë mbi një numër çështjesh dypalëshe dhe rajonale, duke thelluar në këtë mënyrë, marrëdhëniet   midis dy vendeve aleatëve, bazuar në vlerat dhe në interesat e përbashkëta.”

Pritet që gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Presidenti Trump të mbajë një fjalim të rëndësishëm dhe njëkohsisht të marrë pjesë edhe në takimin e nivelit të lartë të vendeve që bëjnë pjesë në të ashtuqjuaturën, “Nismën e Tre Deteve” – një nismë kjo polako-kroate, që zhvillon punimet me 6-7 korrik në Varshavë — me qëllim që, sipas zëdhënsit të Shtëpisë së Bardhë, të “Demonstrohen lidhjet tona të ngushta me vendet e Evropës Qëndrore.”   Njoftohet gjithashtu se objektivi i këtij takimi dy ditorë në kryeqytetin polak, është promovimi i lidhjeve më të ngushta në fushën e energjisë midis vendeve të Evropës Qëndrore, nga Deti Baltik në veri e deri tek Deti Adritaik dhe Deti i Zi në jug.  Sipas Shefit të Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Z. H. R. McMaster, fjalimi i Presidentit Trump para këtij grupi, “Do të përqëndrohet mbi sigurinë e infrastrukturës energjetike”.  Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Z. McMaster, pritet që gjatë qëndrimit të tij në Varshavë, Presidenti Trump të takohet gjithashtu me Presidenten e Kroacisë, Z.njën Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe të mbajë një fjalim tek përmendorja e Kryengritjes së vitit 1944 në Varshavë, pikërisht në Sheshin Krasinki, ku do të “lavdëroi kurajon e Polakëve gjatë periudhave më të zymta të hsitorisë”.  Dihet se historia e shënon Kryengritjen e Varshavës si aktin më të madh të qendresës në Evropën e pushtuar nga nazistët në Luftën e dytë Botërore, kryengritje e cila u shtyp brutalisht ndërkohë që mbetën të vrarë më shumë se 200,000 polakë ndërsa   përfundoi edhe në shkatërrimin e qytetit.

Gjatë takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare të G-20 në Hamburg të Gjermanisë, sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që Presidenti Trump të takohet me disa prej udhëheqësve kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë Kancelaren e Gjermanisë,  Z.njën Angela Merkel dhe Presidentin e Kinës, Z. Xi Jingping, ndër të tjerë – por takimi që ka nxitur interesim të madh, në të dy anët e Atlantikut – është takimi i planifikuar i Z. Trump me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin gjatë mbledhjes së G-20 në Hamburg.

Ndërsa, i ftuar në Francë nga Presdienti Emmanuel Macron, Z. Trump do të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës por sipas Shtëpisë së Bardhë ky rast do të përdoret gjithashtu për të përkujtuar 100-vjetorin e pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e parë Botërore, ndërkohë që ushtarët amerikanë do të parakalojnë së bashku me ushtarët francezë në paradën ushtarake që do mbahet në rrugën e njohur Champs-Elysees të Parisit. Sipas mediave evropiane dhe amerikane, në Hamburg të Gjermanisë kanë filluar demonstratat kundër takimit të nivelit të lartë dhe ndaj udhëheqësve pjesëmarrës në atë mbledhje.  Ndërkohë që vizita e Presidentit Trump në Paris pritet që të kalojë pa ndonjë demonstratë ose protestë, Presidentit Trump, sipas medias polake dhe evropiane, po i rezervohet një pritje madhështore të premtën në Varshavë.  Polonia, historikisht, ka pritur mirë gjithmonë vizitat e presidentëve amerikanë, por vizita e Presidentit Trump kësaj radhe, sipas ligjvenësit polak Dominik Tarczynski, “do të jetë absolutisht e madhërishme”, njofton gazeta amerikane Wall Street Journal.Është kjo një vizitë që është kërkuar dhe po promovohet me entuziazëm nga qeveria konservatore e Varshavës, e cila e ndjenë veten pak si të izoluar nga disa vende të Bashkimit Evropian, për arsye të qëndrimit të saj ndaj emigracionit, ndër të tjera. Polonia është shprehur qartë se është më afër qëndrimit të Presidentit Trump, përsa i përket imigracionit, sidomos imigracionit ilegal.   Por zyrtarët amerikanë tregohen më të përmbajtur në lidhje me këtë vizitë – me qëllim që ndoshta të mos zemërojnë aleatët e tjerë në Bashkimin Evropian – duke thënë se vizita e Presidentit Trump në Poloni, do të shërbejë mbi të gjitha, për të fuqizuar lidhjet transatlantike, përfshirë NATO-n dhe sipas tyre, për të mbështetur njërin prej aleatëve më të fortë të Amerikës.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit Trump në Evropë. Sipas disa analistëve, vizita e tij e parë në kontinentin e vjetër nuk shkoi aq mirë dhe siç mund të pritej – ku ai mori pjesë në takimin e NATO-s dhe në mbledhjen e G7.  Si përfundim, pas asaj vizite, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrveshja (klimaterike) e Parisit mbi Mjedisin, gjë që shkaktoi kritika të ashpra nga udhëheqsit evropianë dhe të tjerë.  Gjatë takimit me udhëheqsit e vendeve të NATO-s gjatë asaj vizite, Presidenti Trump kritikoi ashpër vendet anëtare të aleancës së Atlantikut për mos përmbushjen e angazhimeve të tyre financiare ndaj aleancës, ose të dy përqindshit.  Gjatë vizitës së tij të dytë në Evropë këtë javë, Presidenti Trump do të takohet përsëri me shumicën e udhëheqsve evropianë, me të cilët është takuar gjatë vizitës së parë atje, plus do të zhvillojë takimin e parë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.  Mbetet për t’u parë nëse vizita e dytë e Presidentit amerikan, Donald Trump në Evropë këtë javë, do të jetë më e suksesshme ose jo, në krahasim me vizitën e tij të parë në kontinentin evropian, të cilën ai vet e pat cilësuar si shumë të sukseshme megjithë kritikat që u bënë nga qarqe të ndryshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, per te dyten here, PRESIDENTI TRUMP VIZITON EVROPËN

Lufta Brenda llojit , Simptomë e Inteligjences Negative

July 4, 2017 by dgreca

1 Alfons-Grishaj

Nga Alfons Grishaj/

Çdonjeri ka në vetvete egon dhe superegon…  Sipas Frojdit, superego zë një vend më të madh në trurin e njeriut. Ajo kultivon tek njeriu gamën e sjelljes dhe veprimeve në mënyrë direkte dhe indirekte. Mekanizmi i Mbrojtjes Neurozë vjen si pasojë e egos…Tek disa Politikanë dhe udhëheqës organizatash , kjo është dhe dukuria e sjelljes së egër dhe konfuze. Përkufizimi i shkarjes logjike intelektuale ka në themel Inteligjencën Negative, dukuri kjo,  e diktatorëve si Enver Hoxha, Hitleri, Stalini etj…

Po politikanët tanë, a mund ta kenë Inteligjencën Negative?! Sipas sjelljes dhe shkapërcimeve ka një përputhje dramatike. Për këtë, shembulli i fundit në kampin e demokratëve ka hequr çdo pikë dyshimi… Inteligjenca Negative është e pranishme sa në kampin e Socialistëve, aq dhe në kampin e Demokratëve. Kjo dallohet përmes figurave të veçuara që nuk e kanë për asgjë të shkrumbojnë çdo gjë të arritur, mjafton të kënaqin egoizmin e tyre të sëmurë. Ata i japin gjithnjë të drejtë vetes (e kam theksuar dhe më parë), kolegut apo kundërshtarit, asnjëherë! Sigurisht, këto karaktere nuk janë të nivelit të Stalinit apo Enverit, por kanë të njëjtën  sëmundje. Partia Demokratike Shqiptare, humbi të paktën 15 deputetë prej kësaj psikoze. Arsyeja e dytë është se, PD nuk pati plan A dhe B, para se të shkonin tek kutitë e votimit…! Masa e demokratëve ka kohë që është shkëputur prej lidershipit … dhe, demokratët, o abstenojnë, ose hedhin turra – jazë herë tek LSI e herë tek PS…! Këtu nuk është faji i Lulzim Bashës, por i një klani të deformur nga kolltukët, të cilët pa frikë mund t’i quajmë, Inteligjenca Negative. Kjo “Inteligjencë” gjeti boshllëkun e duhur duke u shfaqur me gjithë vrullin e saj. Personazhe që ishin përgjegjës direkt dhe indirekt për humbjen e mësipërme, fërkuan duart me një pamje histeriko-skizofrenike… Sedra e katedrave dhe mukoza e rremë u shqyen keq. Ligësia autoritare rrëshqiti në dekadencën ordinere me një shpejtësi marramendëse. Grafia e popullit kaloi në revistë çdo kockë dhe ind të fshehtësisë së gjallesave që i brohorisnin më parë. Ishte një zhgënjim i madh dhe këtë zhgënjim, populli e tregoi përmes votës. Pati dhe blerje votash… Por, çdo qytetar apo fshatar i shekullit XXI mund të pyesë fare thjeshtë: “More zonja dhe zotërinj, kur ju nuk merreni vesh me njëri-tjetrin që keni vite së bashku, si mund të merremi vesh bashkë, kur na bie të takohemi një herë në katër vjet?!”

Kurse vëzhguesi i paanshëm, do pyeste: “Kush është më e rëndësisshme, një penë që qëndis për të ardhmen apo një shpatë që e pret atë?!” Jam i sigurtë që, duke mos njohur metamorfozën, pyetjet bien në vesh të shurdhër. Lufta brenda llojit, do të thoja, është lufta më e paprinciptë, e cila nuk ka derte, nuk ka keqardhje, nuk ka horizont, nuk ka shpirt, por ka vetëm një qëllim: shkatërrimin me çdo kusht të kundërshtarit, vëllaut , bashkëpuntorit,  dhe pse ky qëllim sjell vetëshkatërrim! Pra, ky është kulmi i Inteligjencës Negative, që nuk sjell asnjë lloj progresi, vetëm dekompozim! Thirrja për maturi e mikut tim, Kreshnik Çollaku, është një paralajmërim për klithësit e “revulucionit” të brendshëm. Po a nuk ishin këto njerëz (që klithin sot për një luftë brenda llojit) që lëshuan pak e nga pak terrenin që të vinin në pushtet të majtët ?! Para se t’i kërkojnë llogari Lulëzim Bashës, t’i kërkojnë llogari vetes që e qelbën me punërat e tyre të mbrapshta dhe fodullëkun primitiv. Jam dakord me gjykimin e shtruar, të miku tim, Genc Pollo, i cili thotë se  duhet një analizë serioze… Kjo është mençuria intelektuale dhe jo boritë …

Sa për ilustrim, në retrospektivë: Para disa vitesh, kisha për shpirtë një mision të shenjtë për tek  Kisha e Shna Ndout, Laç …, por kisha  dhe një kërkesë nga  disa demokratëve. Vendosa të udhëtoj për në atdhe për  misionin e shenjtë , por dhe për të paqëtuar heronjtë e demokracisë me shpërdoruesit e pushtetit demokratik… Si udhëheqës i “Unionit Anti-Komunist Shqiptar”, ndjenja e përgjegjësinë morale dhe shpirtërore më thërriste që në ato momente udhëkryqi të isha pranë heronjve realë. Luftëtarëve të lirisë, u kishte ardhur në majë të hundës; mohimi,  padrejtësitë, papunësia që klani i “revolucionit” të sotëm kish shkarkuar mbi të gjithë demokratët, në të gjithë vendin. Vendosëm që të mblidheshim në Shkodër, në Kinema Republika. Fatmirësisht ndodhi që dita që kishim lënë takimin të korespondonte me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, porosita që në sfondin e tribunës të vendosej urimi për Pavarësinë e Kosovës, dhe jo baneri i Unionit Anti-komunist. Fjalimi im u hap për Kosovën (dhe jo për hallet e anti-komunistëve) duke uruar për fitoren e madhe… Më pas vazhduam me procedurat e takimit tonë. Përfaqësues nga e gjithë Shqiperia sollën pakënaqësitë për disa drejtues të PD-së, të cilët, po vrisnin demokracinë dhe heroizmin e demokratëve të vërtetë… Salla e Kinema Republikës, numëronte rreth 200 përfaqësues të Unionit, dhe të ftuar. (Takimin tonë e ndiqnin përfaqësitë ishin KE dhe OSCE…) Dhe pse të zemëruar deri në kockë, u mundova t’i qetësoja, duke i këshilluar që të zgjidhej një përfaqësi për të negociuar me vëllezërit dhe motrat demokratë që kishin pushtetin. Pjesëmarrësit në atë takim ishin shumica heronjve të lirisë që nga fillimet e para dhe pjesëmarrës të 14 Shtatorit… Ata nuk e kishin për asgjë të rrëzonin një qeveri, por kë do rrëzonin, vetveten?! Më premtuan se do e zgjidhnin përfaqësinë ose do të heshtnin duke shpresuar në njohjen, dhe respektimin e kontributeve të tyre… Televizionet lokale dhe  ALSAT i Tiranës, i bënë jehonë atij takimi. Fotografja demokrate, Vjollca Tafili, duhet të ketë ekzemplarë  fotosh nga ai takim…

Pra, kishim një gjendje të dukshme të shkëputjes së lidershipit nga baza e demokratëve të vërtetë. Vendin e tyre e kishin zënë klientët që vinin nga rradhët e kundërshtarëve. Fajin për këtë nuk e kish Lulëzim Basha, se ai as që mendohej se mund të bëhej kryetar asokohe, por arrogantët që e shpërdoruan besimin e demokratëve në vite, duke bërë që akumulimi i të keqes të humbte shpirtin dhe fuqinë e palcës së demokracisë shqipëtare, bazën!

 

Populli vuante dhe po vuan për bukën e gojës, duke marrë rrugët e mërgimit, bash prej këtyre politikanëve të babëzitur që njohin vetëm të drejtën e egos absolute të vetvetes dhe asnjëherë detyrën për çfarë janë zgjedhur. Mendoj se, përpara se të luftojmë me njëri-tjetrin duhet t’i thërrasim ndërgjegjes për t’u larguar nga epitetet e “hekurta” që prangosin mirëkuptimin dhe zhvillimin e demokracisë së brendshme në dëm të rregullave të lirisë dhe besimit të elektoratit. Nuk duhet fajësuar komshiu  apo oponenti, por paaftësia personale dhe kolektive për të dalë nga qendrimi i gabuar! Lëreni Bashën të punojë …!!!

 

Kandidimi i Selamit përballë Bashës, është një kërkesë e rregullave demokratike dhe duhet respektuar. Eshtë koha që “sedërlinjtë” të ulin hundën dhe të punojnë së bashku sa nuk është vonë! Shtëpinë e demokratëve nuk e ndërtuan “sedërlinjtë” e as kritikët e “sedërlinjëve” ,  as demokratët parazitë (që bëjnë rolin e heroit), që sulmojnë Jozefinën sot,  por heronjtë e vërtetë… Mjaft me fallsitet e hipokrizi ! Punoni së bashku, askush nuk është i tepërt !

Randolf thotë: Justice is never given; it is exacted and the struggle must be continuous for freedom is never final fact, but continuing evolving process to higher and higher levels of human, social, economic, political and religious relationship.

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, e Inteligjences Negative, Lufta brenda llojit, Simptomë

Partia Demokratike Duhet të Ripërcaktojë Misionin e saj

July 3, 2017 by dgreca

1 mithat

Nga Mithat Gashi*/ Gazeta “DIELLI”/

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, Partia Demokratike fitoi vetëm 29 për qind të votove, pra doli me 43 deputet, shtatë ma pak se në vitin 2013, LSI fitoi 19 deputet, tre ma shum se në zgjedhjet e maparshme, dhe Partia Socialiste fitoi 74 deputet në parlamentin me 140 vende, nantë ma tepër se ne zgjedhjet e vitit 2013.  Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuen që votimet ishin përgjithësisht të rregullta, dhe ambasada e SHBAs në Tiranë deklaroi që “incidentet nuk ishin aq të përhapuna sa me ndryshue rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve”.  Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 46.7 për qind, 7 pikë ma pak se në 2013.

Ky rezultat ka shkaktue shum reagime mbrenda Partise Demokratike (PD).  Nji pjesë e anëtarëve të PDs, si Besnik Mustafaj, Eduart Selami, Selami Xhepa, Ilir Rusmajli, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Edith Harxhi, Genc Ruli, Majlindë Bregu, etj. kanë kërkue dorëheqjen e menjihershme të kryetarit të saj, Lulzim Basha.  Kritikët e quejnë marrëveshjen që bani Basha me Edi Ramën mbas protestës së vazhdueshme për tre muej në “çadrën e lirisë”, gabim dhe dështim.  Ish-kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, në rrjetet sociale ka shkrue, “Nese Basha nuk jep doreheqjen e parevokueshme, demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike ….” Majlindë Bregu ka theksue, “Kërkoj heqjen dorë nga një qasje qorre dhe shurdhe e drejtimit dhe funksionimit të PD-së. Nga një mënyrë që e ka në përmbajtjen e saj vetëshkatërrimin e ngadaltë, por të pandalshëm të çfardo organizate, pavarësisht emrit që ka…. Ta konceptosh këtë moment si momentin kur PD-ja duhet të ndahet: me Lulzimin “e ngrirë”apo kundër Lulzimit “të shkrirë”, është gabim. Ta kthesh sot, tani, PD-në në një shesh për përshesh, pasi shqiptarët na dhanë 190 mijë vota minus, më zi se në zgjedhjet e ’97-ës, është gabim.”

Siç shihet nga shum politikanë dhe analistë, Lulzim Basha asht ba nji objekt qitës për të metat dhe dobësitë e vetë PDs, e cila ka humbë besimin e bazes elektorale që ka pasë, tue përfshi të përndjekunit politik, dhe të shpronësuemit.

Heqja apo mosdoreheqja e Bashës nuk do t’a ndryshoje gjendjen e PDs. PD-ja duhet të rishqyrtojë dhe përcaktojë misionin e vet për të rifitue besimin e elektoratit që ka pasë për ma se 20 vjet.

Në nji takim me vatranët që pat Lulzim Basha me 20 mars 2016, në shtëpine e Vatrës në New York, vërejta që fushata elektorale e Bashës përqëndrohej në nji listë të gjatë me të këqijat që Partia Socialiste i ka prû vendit.  Nuk dukej qe PD-ja kishte ba vetë-reflektim.   Nga fundi i diskutimeve, mora fjalën përshendetëse dhe mbasi i dorëzova Bashës kopjen e nji peticioni për Kosovën shkrue nga une në vitin 1997 dhe nënshkrue nga ai (Basha) ndërmjet mikut tim, të ndjemit, Dr.Barend Cohen, thashe:“Duhet të theksojmë që të gjitha të mirat dhe të këqijat që ka tejkalue dhe po kalon populli shqiptar janë si rrjedhojë e politikanëve që kanë qeverisë vendin tone gjatë këtij nji-çerek shekulli.”

Dhe në vend te pyetjeve, shtova, “Kam disa shqetëtime për të cilat nuk kërkoj përgjegje nga ju Z. Basha, por shpresoj të reflektoni mbi qendrimin e Partisë Demokratike në lidhje me këto tema:

1) Vartësia e tepërt e qytetarit shqiptar në institucionet shtetnore: Qytetarët kanë krijue përshtypjen se po te veshën me karrigen e shtetit, pasunohen.  Kjo asht si rrjedhojë e propogandave partiake që u bahet votuesëve në mënyra tue (TE) ndryshme, sidmos gjatë procesit elektoral.  E keqja asht se çdo punë shtetnore, lidhet me mbështetjen politike që nji qytetar i jep apo nuk u jep nji partie politike gjatë fushatës zgjedhore. Qytetarët kanë përshtypjen se po të fillojnë nji punë në shtet, do të pasunohen dhe do të rregullojnë gjendjen ekonomike. Mvartësia në këtë mënyrë në institucionet shtetnore nuk e zhvillon ekonominë e vendit; e damton atue (ATE) dhe kjo lidhet me shqetësimin tjeter;

2) Pasunimi i zyrtareve ma të naltë të qeverisë që kalon çdo cak të normalës dhe etikës njerëzore. Ministra dhe zyrtarë të naltë që kanë qenë dhe janë në qeverisje kanë akumulue pasuni dhe po të përdorim metodat ma të fundit statistikore do te deltë që probabiliteti i akumulimit të miliona dollarëve në nji kohë shum të shkurtë të dhjetra zyrtarëve të shtetit shqiptar asht jashtë normalës.

3) Vonimi i ngritjës së nji tribune gjyqsore për të gjykue krimet e komunizmit:  Kanë kalue 25 vjet dhe ju, se bashku me kryesinë e Partisë Demokratike, duhet të keni nji pozicion të kthjelltë mbi këtë çashtje. Dekomunistizimi i vendit nuk mund arrihet pa nji tribunë gjyqësore që të merret me krimet e komunizmit, të paktën për hirë të historisë, dhe për hirë të së vërtetës;

  1. Kthimi i pronës, i tokave, që sistemi komunist i konfiskoi me dhunë: Ligji 7501 u vu në korrik të vitit 1991 në kushte jo normale, ku 170 deputetë socialist (komunistë), 75 deputet të partisë demokratike (nji pjesë ish-komunistë) dhe 5 të partisë Omonia. Mbrenda 8 ditëve u mueren vendime, për të cilat, edhe nga ana teknike nuk kemi informata të kthjellta se sa deputet ishin pro dhe sa ishin kundra, por dihet që të gjith deputetët kanë qenë të ndikuem nga mentaliteti komunist sa i përket konceptit të pronës private.

5) Forma e regjimit: Ne vitin 1997, në kushte të vështira dhe të pa-përshtatshme u ba nji referendum për të vendosë formën e regjimit. Shum burime tregojne që votat ishin me shumicë në favor të morarkisë, por pati manipulime. Pavaresisht bindjeve të mija politike sa i përket formës së regjimit, duhet të përsëritet referendumi. Populli ka të drejtë, që me vota të lira, të vendosë formën e regjimit.

6) Se fundi, asht keqardhje që reforma në drejtësi, për të cilën, debatohet sot, asht presion nga Amerika, dhe jo vullnet politik i shqiptarëve.

PD-ja, në sy të popullit, paraqitet si parti e djathtë. A ka veprue si e tillë?  Nuk e di a do te kishte ndryshue rezultati i votave me 25 qershor në qoftë se PD-ja do të ishte pozicionue kthjelltë në temat  e naltpërmenduna.  Por detyrimisht, PD-ja duhet të ripërcaktojë misionin e saj po të dojë me vazhdue si forcë politike në të ardhmën.  Për ndryshe, edhe atë elektorat që e ka do t’a humbe.

New York, 2 korrik 2017

*Mithat Gashi asht anëtar i Federates Panshqiptare të Amerikës, Vatra, dhe shërben si Charman i Vatra’s Educational Foundation.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Misionin e saj, Mithat Gashi, Partia Demokratike Duhet të, Ripërcaktojë

Kurthi i komplotizmit

July 3, 2017 by dgreca

Dr.Ledian DrobonikuShkruan: Dr. Ledian Droboniku/*Komploti kanë qenë i pranishëm në shoqërinë njerëzore që prej agimeve të saja, por të flasësh sot për të, paraqet jo pak vështirësi dhe rreziqe. Kjo për faktin evident, sepse është trasformuar në ideologji duke marrë prapashtesën “izëm”, pra komplotizëm. Njësoj si paraja, ajo ka ekzistuar gjithmonë por sot është pervazive në çdo aspekt, aq sa ka zënë vendin e Zotit, do thoshte Niçe. Kjo problematizon e përmbys gjithçka duke ndryshuar natyrën e fenomenit, sepse ndryshimet sasiore çojnë në ndryshime cilësore, Hegel docet.

Besoj se diskutimi duhet shtuar pikërisht në këto shina.

Pra çfarë shtyn miliona njerëz të shpjegojnë gjithçka me anë të komploteve dhe mbi të gjitha çfarë pasoje ka kjo për shoqëritë tona?

Pas shtrimit të pyetjes së duhur, një studjues i vëmendshëm përkujdeset që nga ana metodike mos të ngatërrojë shkakun me pasojën. Do të ishte shumë e lehtë të fajësonim (si gjithmonë) për këtë gjë masat, që papritur bëhen super-histerike dhe besojnë çdo fantazi që u thuhet. Në fakt, mendoj se është pikërisht e kundërta, se kjo është pasoja dhe jo shkaku.

Shkaku i vërtetë duhet kërkuar tek dështimi i një politike që luhet pas perdes. Një politikë e cila ka humbur besimin e popullit sepse ka ndaluar së kuruari interesin publik apo të mbajë premtimet, pavarsisht rezultatit të votimeve. Të ndjerë të tradhëtuar prej dekadash nga një politikë që ndjek interesa të tjera nga ato të popullit, ky i fundit nuk ka më besim tek ajo dhe “të vërtetat zyrtare”. Është kjo arsyeja se përse gjithmonë e më pak qytetarë i besojnë qarkut mediatik i lidhur pas pushtetit politik dhe ekonomik të një kaste. Pra mosbesimi i popullit tek një politikë autoreferenciale shkon paralel me mosbesimin ndaj në medie vasale që ka dështuar në prodhimin e së vërtetës, që fsheh problemet reale dhe fabrikon një realitet të rremë.

Ky fenomen, nuk ndodh vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, edhe pse këtu çdo gjë negative merr përmasa të frikshme. Gjithmonë e më shumë njerëz kanë braktisur median tradicionale dhe përqafuar rrjetet sociale, ku informacioni nuk filtrohet me anë të gazetarëve, por vendoset direkt mes internautëve (peer to peer). Është kjo arsyeja se përse evente si fitorja e Trump, Brexit, referendumi italian nuk u parashikua apo përcaktua prej rolit të medias por falë rrjeteve sociale.

Teoria e komplotit, në këtë aspekt mund të shërbejë shumë mirë si një teknikë për të kuptuar strategjinë e një politike gjithmonë e më pak transparente. Shumë shqiptarë sigurisht nuk pranojnë si të vërtetë atë çfarë krerët e politikës deklarojnë para kamerave dhe kanë të drejtë. Fatet e Shqipërisë janë vendosur jo në diskutime institucionale në parlament, por nga paktet mes krerëve të politikës, si është dhe pakti i fundit mes Bashës dhe Ramës. Në mungesë të përmbajtjes së këtij pakti, sistemi nuk bën gjë tjetër se shton “kuriozitetin” e shqiptarëve për lojrat e pallatit të pushtetit.

Sigurisht negocimet politike nuk bëhehn gjithmonë win-win, pra të dyja palët të gjejnë një pikë të përbashkët të favorshme, por shpesh për shkatërrimin e palës tjetër dhe forcimin e pozitës së pushtetit. Kjo nuk ndodh vetëm brenda politikës kombëtare por dhe asaj mes vetë shteteve. Shtetet nuk kanë vetëm ambasadorë por dhe shërbime inteligjente apo kundërzbulim, për të kuptuar realisht objektivat e një shteti tjetër nga versioni zyrtar. Mjafton të kuptojmë fërkimet që ka sjellë aktiviteti i NSA amerikane me shumë qeveri nëpër botë për mbledhjet e të dhënave npj backdoor të celularëve tanë.

Pra këtu pyetja nuk është nëse ekzistojnë apo jo komplotet. Ato kanë ekzistuar që në kohët  e lashta me komplotin kundër Çezarit, Katilinës deri tek praktika e diplomacisë mesjetare e më vonë, me nënshkrimin e traktateve të fshehta, objekt i të cilave ka qenë dhe copëzimi i Shqipërisë nga fuqitë e mëdha. Kurse sot praktika e këtyre traktateve të fshehta është e dënueshme prandaj Karta e OKB-së kërkon depozitimin e çdo traktati bilateral apo multilateral pranë Sekretarisë së Kombeve të Bashkuara. Sigurisht kjo s’do të thotë që me të vërtetë ajo praktikë nuk ushtrohet më edhe në ditët e sotme. Pra komplotet ekzistojnë në të gjitha fushat kur njerëz apo grupe të ndryshme interesi kërkojnë të realizojnë në favor të tyre diçka që nëse do dilte në dritën e diellit do kritikohej nga shoqëria apo dënohej penalisht. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për shtimin eksponencial të masonerive por dhe ato që njihen si komplote financiare, për të marrë kontrollin e një shoqërie aksionere ose për të influencuar bursat financiare, gjendjen ekonomike të një shteti e kështu me radhë. Këto parashikohen si vepra penale dhe janë dënuar gjithmonë nga e drejta si ka qenë legjislacioni antitrust amerikan dikur apo sot aktiviteti i lobeve të ndryshme që influencojnë parlamentet dhe qeveritë. Shpesh herë qeveritë kanë sekrete shtetërore të cilati i bëhen të njohura publikut disa dekada më vonë dhe ku del qartë se të vërtetat nuk koinçidojnë me “deklaratat zyrtare”

Pa i hequr një presje asaj çfarë thamë më sipër, kjo s’do të thotë që të gjitha komplotet janë reale. Homeri përshkruan në mënyrë magjistrale si një inskenim i zotrave atë çfarë ndodhte me luftën e Trojës. Ky lloj komplotizmi teologjik nuk dallon shumë prej atyre komploteve të mistershme që mbeten të tilla sepse as nuk mund të verifikohen e as të hidhen poshtë, si sqaron Simmel apo vetë Karl Popper. Një sekret i tillë bosh rrezikon të manipulojë masat e të trasformohet në një instrument të pushtetit.

Dhe këtu arrijmë në pikën më delikate.

Shpërthimi i komploteve në një masë të pakontrolluar, e ka trasformuar atë në një ideologji, pra në komplotizëm. Nga funksionimi i sistemeve arrijmë të kuptojë që asnjë ideologji nuk mund të zhvillohet nëse nuk është në sinkron me ideologjinë bazë të sistemit ose neoliberizmin.

Thelbi i kësaj ideologjie është pikërisht marrja e vendimeve larg syrit të qytetarëve, pra prej elitave. Është emblematike në këtë aspekt, dokumenti qendror i Trilateral Commission “Kriza e Demokracisë” i cili konfirmon tezat neoliberiste të Hayek, Schumpeter etj, se vendimet e rëndësishme nuk duhen marrë në mënyrë demokratike. Madje pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në proçeset demokratike është e rrezikshme dhe aspak efiçente. Divorci i neoliberizmit prej demokracisë-liberale që kishte udhëhequr Perëndimin pas luftës së dytë botërore është sot shkaku kryesor i degradimit jo vetëm të demokracisë por dhe ekonomisë ngecur në një stanjacion që po prodhon konflikte sociale e ndërshtetërore. Vendimet më të rëndësishme tashmë i shpëtojnë kontrollit demokratik të popujve, shtylla kryesore e legjitimitetit të shtetit modern.

Kuptohet në këtë mënyrë që nëse elitat duan që vendimet e rëndësishme të merren në dhoma të mbyllura e politikanët të merren veçse me sllogane, nuk mund të ndalosh popullin të mendojë strategjikisht në qëllimin e vërtetë të proçeseve politike antidemokratike.Çuditërisht në vend që të frenonte shpërthimin e komplotizmit duket sikur makina e sistemit shkon në drejtimin e kundërt, pra në nxitjen e teorive komplotiste.

Por përse?

Në fakt, kjo është karakteristika e totalitarizmit neoliberist. Ai nuk fsheh problemet dhe fenomenet, por thjesht përmby vizionin mbi to. Krijimi i një sindrome komplotiste tek shumë njerëz është një armë perfekte për të likujduar dhe deligjitimuar cilido që tenton të argumentojë kontradiktat e thella të këtij sistemi. Etikitimet si komplotist, konspirativ, radikal, populist etj sjellin në mend etikitimet e regjimit enverist për kundërshtarët si: revizionist, imperialist, borgjez, shfaqje e huaj etj. Në planin psikologjik kjo godet dhe neutralizon kundështarin si të padenjë për tu dëgjuar apo kundërshtuar me argumenta.

Është një teknikë perfekte që funksionon në forcimin e pushtetit.

Por atëherë çfarë duhet bërë në këtë botë kaq të komplikuar?

Atë qe kemi bërë gjithmonë, të përpiqemi për ta kuptuar e deshifruar, pa rënë asnjëherë pre e miticizimit.

Ashtu si thamë më sipër, teoria e komplotit, mund të shërbejë vetëm si një teknikë, për të shtyrë qytetarin apo studjuesin, mos ti besojë versionit zyrtar. Dyshimi metodik kartezian ishte shtylla e progresit të Perëndimit por ajo nënkupton jo dyshimin maniakal por shtysën për të kërkuar pa fund argumenta pro dhe kundër. Pra një aktivitet racional. Kalimi nga një ekstrem në tjetrin, se nuk ka komplote apo gjithçka është komplot, është vepër e instikteve dhe jo logosit. Fryt i logosit, është “metron” pra gjetja e ekulibrit si për grekët apo dhe romakët. Komplotizmi nuk mund të shndrohet në qëllim në vetvete apo më keq, në një dogmë. Kjo jo vetëm që nuk ndihmon individin por e ndan atë nga bota. Nëse fatet e tij i vendosin fuqi kaq të mëdha çfarë mund të bëjë një njeri i thjeshtë. Si shprehte me shqetësim Pasolini, kjo është shkatërrimtare sepse nga një anë gërryen aksionin kolektiv të njerëzve dhe nga ana tjetër kënaq dembelizmin mendor dhe sedrën e sëmurë të individit. Njeriu dorëzohet për të ndryshuar botën si ka bërë gjithmonë, ajo mbetet pronë e disa elitave ndërsa miliona qytetarë trasformohen në spektatorë.

Është emblematike sovrastruktura neoliberiste e cila gërryen çdo aksion kolektiv duke vënë theksin tek individi, tek shprehjet “you can be a winner, everyone may be a leader, don’t change the world but yourself” etj si keto. Sigurisht këto shprehje vijnë në anglisht, në gjuhën e perandorisë për të integruar shqiptarët në sovrastrukturë dhe dizintegruar në strukturë. Krijimi i një makinerie të frikshme propagande, që nga holliwood, mediat main stream, ojf neoliberiste, manipulimi i shkollave, anal-istëve dhe klerikëve të sistemit, krijon një presion total drejt konformizmit të masave e sidomos brezave të rinj me sovrastrukturën neoliberiste. Pa e kuptuar, ata e metabolizojnë atë duke e bërë tyren si diçka natyrore që gjithmonë ka qenë e gjithmonë do jetë.Ndjej më shumë se keqardhje kur shoh qindra studentë që u besojnë më shumë librave konspirative sesa librave të shkollës. Libra me piramida, sy e kafka që kanë pushtuar edhe libraritë shqiptare. Kjo do të thotë që shkolla nuk po luan më rolin e saj, në shpjegimin e fenomeneve që shqetësojnë shoqërinë tonë. Por njeriu nuk gjen rehati nëse nuk shpjegon dot botën. Nëse ai nuk ka instrumenta për ti dhënë një kuptim racional atëherë ai do u besojë mitologjisë, bestynive apo komploteve të sotme.

Filozofia dhe shkenca lindi pikërisht për t’iu larguar një botë mistike, ku prodhimi i së vërtetës duhet të kalojë nëpërmjet proçeseve racionale, logosit e jo dogmës. Por si pranon Herakliti nga një anë që të gjithë njeëzit janë pajisur me logos, jo të gjithë arrijnë ta “ndezin” atë.

Shpikja e internetit dhe rrjeteve sociale ka zhvilluar në mënyrë eksponenciale jo vetëm fenomenet pozitive por dhe ato negative.

Shihni nëse në fb apo instagram, se nëse është më lehtë të përhapësh një informacion shkencor me formula apo një foto sensacionale dhe thënie çudibërëse, ku të gjithë transformohen në filozofë. Ashtu si thoshte Umberto Eco, budallai i fshatit tashmë është bërë budalla global dhe nuk ndihet më i vetmuar. Ai nxitet drejt postimit të gjërave idjote, aq më shumë kur vetë sistemi promovon shtimin eksponencial të idjotizmit. Budallai nuk ndihet keq se përse nuk ka kompetencë mbi fusha të ndryshme si dikur, gjë që e bënte të mësonte diçka ose të heshte. Sot ai kupton se nuk është vetëm, se ka shumë budallenj si ai dhe rrjeti ka “ushqim” për të gjithë. Nëse nuk kupton gjë nga filozofia, ekonomia, financa, drejtësia, psikologjia, historia etj mjafton të shohësh një video shokuese e ja ku “kuptove të vërtetën”, pa harxhuar vite e mund si budallenjtë që rrinë mbi libra. Por ky nuk është problem i internetit. Ky i fundit është thjesht një teknikë dhe si i tillë mund të përdoret për mirë apo për keq. Interneti nuk krijon budallepsje por e dokumenton atë.

Problemi është degradimi i shkollës dhe prodhimi i një shoqërie konsumeriste pre e dëshirave të induktuara dhe jo arsimit, artit, kulturës.
Prodhimi i një rinie të tillë është funksionale ndaj këtij sistemi. Ajo bëhet individualiste, egoiste, antikomunitariste, maniakale dhe banale, pra nuk përbën kërcënim për status quo-n e sistemit.

Sistem që mund të rrëzohet nëse nuk mjaftohemi me dyshimet mbi komplotet por kuptojmë dhe mënyrat për tu mbrojtur. Në këtë mënyrë psh, nuk ka shumë rëndësi sesa pëllasim për veprat e Sorosit kundër Shqipërisë, nëse nuk propozojmë dhe mbështesim ato reforma që shtojnë kontrollin demokratik të popullit mbi shtetin e vet, nëse nuk kërkojmë kthimin e bankës së Shqipërisë nën kontrolln e Parlamentit, nëse nuk kërkojmë kthimn e parlamentit nën kontroll të qytetarëve dhe jo liderrrit apo partisë. Mund të vijonim pa fund edhe për aktualitetin e vazhdimit të betonizmit falë lali Erit. Ka shumë mënyra, ose mjaftohemi tek komplotet 27 vjeçare mes mafies politike dhe mafies së ndërtimit, ose kërkojmë që çdo plan rregullimi të mos aprovohet pa kaluar me referendum qytetar.

Si e shohim zgjidhje ka pasur e ka gjithmonë, por ato i fshihen publikut dhe popullit.Sistemi do bëjë çmos që të trajtojë komplotizmin dhe fenomenet e tjera si problem i një populli të sëmurë dhe prandaj që duhet kuruar prej elitave.Por në fakt të sëmurë janë vetëm këto elita barbare që përqendrojnë pushtetin politik, ekonomik, finanicar e mediatik në pak duar, duke shkaktuar varfëri e konflikte mes qytetarëve lënë ne mjerim, injorancë dhe dizinformim.

*Bashkëthemelues i ShqipON

Filed Under: Opinion Tagged With: Kurt i Komplotizmit, Ledian Droboniku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 479
  • 480
  • 481
  • 482
  • 483
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT