• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kurthi i komplotizmit

July 3, 2017 by dgreca

Dr.Ledian DrobonikuShkruan: Dr. Ledian Droboniku/*Komploti kanë qenë i pranishëm në shoqërinë njerëzore që prej agimeve të saja, por të flasësh sot për të, paraqet jo pak vështirësi dhe rreziqe. Kjo për faktin evident, sepse është trasformuar në ideologji duke marrë prapashtesën “izëm”, pra komplotizëm. Njësoj si paraja, ajo ka ekzistuar gjithmonë por sot është pervazive në çdo aspekt, aq sa ka zënë vendin e Zotit, do thoshte Niçe. Kjo problematizon e përmbys gjithçka duke ndryshuar natyrën e fenomenit, sepse ndryshimet sasiore çojnë në ndryshime cilësore, Hegel docet.

Besoj se diskutimi duhet shtuar pikërisht në këto shina.

Pra çfarë shtyn miliona njerëz të shpjegojnë gjithçka me anë të komploteve dhe mbi të gjitha çfarë pasoje ka kjo për shoqëritë tona?

Pas shtrimit të pyetjes së duhur, një studjues i vëmendshëm përkujdeset që nga ana metodike mos të ngatërrojë shkakun me pasojën. Do të ishte shumë e lehtë të fajësonim (si gjithmonë) për këtë gjë masat, që papritur bëhen super-histerike dhe besojnë çdo fantazi që u thuhet. Në fakt, mendoj se është pikërisht e kundërta, se kjo është pasoja dhe jo shkaku.

Shkaku i vërtetë duhet kërkuar tek dështimi i një politike që luhet pas perdes. Një politikë e cila ka humbur besimin e popullit sepse ka ndaluar së kuruari interesin publik apo të mbajë premtimet, pavarsisht rezultatit të votimeve. Të ndjerë të tradhëtuar prej dekadash nga një politikë që ndjek interesa të tjera nga ato të popullit, ky i fundit nuk ka më besim tek ajo dhe “të vërtetat zyrtare”. Është kjo arsyeja se përse gjithmonë e më pak qytetarë i besojnë qarkut mediatik i lidhur pas pushtetit politik dhe ekonomik të një kaste. Pra mosbesimi i popullit tek një politikë autoreferenciale shkon paralel me mosbesimin ndaj në medie vasale që ka dështuar në prodhimin e së vërtetës, që fsheh problemet reale dhe fabrikon një realitet të rremë.

Ky fenomen, nuk ndodh vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, edhe pse këtu çdo gjë negative merr përmasa të frikshme. Gjithmonë e më shumë njerëz kanë braktisur median tradicionale dhe përqafuar rrjetet sociale, ku informacioni nuk filtrohet me anë të gazetarëve, por vendoset direkt mes internautëve (peer to peer). Është kjo arsyeja se përse evente si fitorja e Trump, Brexit, referendumi italian nuk u parashikua apo përcaktua prej rolit të medias por falë rrjeteve sociale.

Teoria e komplotit, në këtë aspekt mund të shërbejë shumë mirë si një teknikë për të kuptuar strategjinë e një politike gjithmonë e më pak transparente. Shumë shqiptarë sigurisht nuk pranojnë si të vërtetë atë çfarë krerët e politikës deklarojnë para kamerave dhe kanë të drejtë. Fatet e Shqipërisë janë vendosur jo në diskutime institucionale në parlament, por nga paktet mes krerëve të politikës, si është dhe pakti i fundit mes Bashës dhe Ramës. Në mungesë të përmbajtjes së këtij pakti, sistemi nuk bën gjë tjetër se shton “kuriozitetin” e shqiptarëve për lojrat e pallatit të pushtetit.

Sigurisht negocimet politike nuk bëhehn gjithmonë win-win, pra të dyja palët të gjejnë një pikë të përbashkët të favorshme, por shpesh për shkatërrimin e palës tjetër dhe forcimin e pozitës së pushtetit. Kjo nuk ndodh vetëm brenda politikës kombëtare por dhe asaj mes vetë shteteve. Shtetet nuk kanë vetëm ambasadorë por dhe shërbime inteligjente apo kundërzbulim, për të kuptuar realisht objektivat e një shteti tjetër nga versioni zyrtar. Mjafton të kuptojmë fërkimet që ka sjellë aktiviteti i NSA amerikane me shumë qeveri nëpër botë për mbledhjet e të dhënave npj backdoor të celularëve tanë.

Pra këtu pyetja nuk është nëse ekzistojnë apo jo komplotet. Ato kanë ekzistuar që në kohët  e lashta me komplotin kundër Çezarit, Katilinës deri tek praktika e diplomacisë mesjetare e më vonë, me nënshkrimin e traktateve të fshehta, objekt i të cilave ka qenë dhe copëzimi i Shqipërisë nga fuqitë e mëdha. Kurse sot praktika e këtyre traktateve të fshehta është e dënueshme prandaj Karta e OKB-së kërkon depozitimin e çdo traktati bilateral apo multilateral pranë Sekretarisë së Kombeve të Bashkuara. Sigurisht kjo s’do të thotë që me të vërtetë ajo praktikë nuk ushtrohet më edhe në ditët e sotme. Pra komplotet ekzistojnë në të gjitha fushat kur njerëz apo grupe të ndryshme interesi kërkojnë të realizojnë në favor të tyre diçka që nëse do dilte në dritën e diellit do kritikohej nga shoqëria apo dënohej penalisht. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për shtimin eksponencial të masonerive por dhe ato që njihen si komplote financiare, për të marrë kontrollin e një shoqërie aksionere ose për të influencuar bursat financiare, gjendjen ekonomike të një shteti e kështu me radhë. Këto parashikohen si vepra penale dhe janë dënuar gjithmonë nga e drejta si ka qenë legjislacioni antitrust amerikan dikur apo sot aktiviteti i lobeve të ndryshme që influencojnë parlamentet dhe qeveritë. Shpesh herë qeveritë kanë sekrete shtetërore të cilati i bëhen të njohura publikut disa dekada më vonë dhe ku del qartë se të vërtetat nuk koinçidojnë me “deklaratat zyrtare”

Pa i hequr një presje asaj çfarë thamë më sipër, kjo s’do të thotë që të gjitha komplotet janë reale. Homeri përshkruan në mënyrë magjistrale si një inskenim i zotrave atë çfarë ndodhte me luftën e Trojës. Ky lloj komplotizmi teologjik nuk dallon shumë prej atyre komploteve të mistershme që mbeten të tilla sepse as nuk mund të verifikohen e as të hidhen poshtë, si sqaron Simmel apo vetë Karl Popper. Një sekret i tillë bosh rrezikon të manipulojë masat e të trasformohet në një instrument të pushtetit.

Dhe këtu arrijmë në pikën më delikate.

Shpërthimi i komploteve në një masë të pakontrolluar, e ka trasformuar atë në një ideologji, pra në komplotizëm. Nga funksionimi i sistemeve arrijmë të kuptojë që asnjë ideologji nuk mund të zhvillohet nëse nuk është në sinkron me ideologjinë bazë të sistemit ose neoliberizmin.

Thelbi i kësaj ideologjie është pikërisht marrja e vendimeve larg syrit të qytetarëve, pra prej elitave. Është emblematike në këtë aspekt, dokumenti qendror i Trilateral Commission “Kriza e Demokracisë” i cili konfirmon tezat neoliberiste të Hayek, Schumpeter etj, se vendimet e rëndësishme nuk duhen marrë në mënyrë demokratike. Madje pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në proçeset demokratike është e rrezikshme dhe aspak efiçente. Divorci i neoliberizmit prej demokracisë-liberale që kishte udhëhequr Perëndimin pas luftës së dytë botërore është sot shkaku kryesor i degradimit jo vetëm të demokracisë por dhe ekonomisë ngecur në një stanjacion që po prodhon konflikte sociale e ndërshtetërore. Vendimet më të rëndësishme tashmë i shpëtojnë kontrollit demokratik të popujve, shtylla kryesore e legjitimitetit të shtetit modern.

Kuptohet në këtë mënyrë që nëse elitat duan që vendimet e rëndësishme të merren në dhoma të mbyllura e politikanët të merren veçse me sllogane, nuk mund të ndalosh popullin të mendojë strategjikisht në qëllimin e vërtetë të proçeseve politike antidemokratike.Çuditërisht në vend që të frenonte shpërthimin e komplotizmit duket sikur makina e sistemit shkon në drejtimin e kundërt, pra në nxitjen e teorive komplotiste.

Por përse?

Në fakt, kjo është karakteristika e totalitarizmit neoliberist. Ai nuk fsheh problemet dhe fenomenet, por thjesht përmby vizionin mbi to. Krijimi i një sindrome komplotiste tek shumë njerëz është një armë perfekte për të likujduar dhe deligjitimuar cilido që tenton të argumentojë kontradiktat e thella të këtij sistemi. Etikitimet si komplotist, konspirativ, radikal, populist etj sjellin në mend etikitimet e regjimit enverist për kundërshtarët si: revizionist, imperialist, borgjez, shfaqje e huaj etj. Në planin psikologjik kjo godet dhe neutralizon kundështarin si të padenjë për tu dëgjuar apo kundërshtuar me argumenta.

Është një teknikë perfekte që funksionon në forcimin e pushtetit.

Por atëherë çfarë duhet bërë në këtë botë kaq të komplikuar?

Atë qe kemi bërë gjithmonë, të përpiqemi për ta kuptuar e deshifruar, pa rënë asnjëherë pre e miticizimit.

Ashtu si thamë më sipër, teoria e komplotit, mund të shërbejë vetëm si një teknikë, për të shtyrë qytetarin apo studjuesin, mos ti besojë versionit zyrtar. Dyshimi metodik kartezian ishte shtylla e progresit të Perëndimit por ajo nënkupton jo dyshimin maniakal por shtysën për të kërkuar pa fund argumenta pro dhe kundër. Pra një aktivitet racional. Kalimi nga një ekstrem në tjetrin, se nuk ka komplote apo gjithçka është komplot, është vepër e instikteve dhe jo logosit. Fryt i logosit, është “metron” pra gjetja e ekulibrit si për grekët apo dhe romakët. Komplotizmi nuk mund të shndrohet në qëllim në vetvete apo më keq, në një dogmë. Kjo jo vetëm që nuk ndihmon individin por e ndan atë nga bota. Nëse fatet e tij i vendosin fuqi kaq të mëdha çfarë mund të bëjë një njeri i thjeshtë. Si shprehte me shqetësim Pasolini, kjo është shkatërrimtare sepse nga një anë gërryen aksionin kolektiv të njerëzve dhe nga ana tjetër kënaq dembelizmin mendor dhe sedrën e sëmurë të individit. Njeriu dorëzohet për të ndryshuar botën si ka bërë gjithmonë, ajo mbetet pronë e disa elitave ndërsa miliona qytetarë trasformohen në spektatorë.

Është emblematike sovrastruktura neoliberiste e cila gërryen çdo aksion kolektiv duke vënë theksin tek individi, tek shprehjet “you can be a winner, everyone may be a leader, don’t change the world but yourself” etj si keto. Sigurisht këto shprehje vijnë në anglisht, në gjuhën e perandorisë për të integruar shqiptarët në sovrastrukturë dhe dizintegruar në strukturë. Krijimi i një makinerie të frikshme propagande, që nga holliwood, mediat main stream, ojf neoliberiste, manipulimi i shkollave, anal-istëve dhe klerikëve të sistemit, krijon një presion total drejt konformizmit të masave e sidomos brezave të rinj me sovrastrukturën neoliberiste. Pa e kuptuar, ata e metabolizojnë atë duke e bërë tyren si diçka natyrore që gjithmonë ka qenë e gjithmonë do jetë.Ndjej më shumë se keqardhje kur shoh qindra studentë që u besojnë më shumë librave konspirative sesa librave të shkollës. Libra me piramida, sy e kafka që kanë pushtuar edhe libraritë shqiptare. Kjo do të thotë që shkolla nuk po luan më rolin e saj, në shpjegimin e fenomeneve që shqetësojnë shoqërinë tonë. Por njeriu nuk gjen rehati nëse nuk shpjegon dot botën. Nëse ai nuk ka instrumenta për ti dhënë një kuptim racional atëherë ai do u besojë mitologjisë, bestynive apo komploteve të sotme.

Filozofia dhe shkenca lindi pikërisht për t’iu larguar një botë mistike, ku prodhimi i së vërtetës duhet të kalojë nëpërmjet proçeseve racionale, logosit e jo dogmës. Por si pranon Herakliti nga një anë që të gjithë njeëzit janë pajisur me logos, jo të gjithë arrijnë ta “ndezin” atë.

Shpikja e internetit dhe rrjeteve sociale ka zhvilluar në mënyrë eksponenciale jo vetëm fenomenet pozitive por dhe ato negative.

Shihni nëse në fb apo instagram, se nëse është më lehtë të përhapësh një informacion shkencor me formula apo një foto sensacionale dhe thënie çudibërëse, ku të gjithë transformohen në filozofë. Ashtu si thoshte Umberto Eco, budallai i fshatit tashmë është bërë budalla global dhe nuk ndihet më i vetmuar. Ai nxitet drejt postimit të gjërave idjote, aq më shumë kur vetë sistemi promovon shtimin eksponencial të idjotizmit. Budallai nuk ndihet keq se përse nuk ka kompetencë mbi fusha të ndryshme si dikur, gjë që e bënte të mësonte diçka ose të heshte. Sot ai kupton se nuk është vetëm, se ka shumë budallenj si ai dhe rrjeti ka “ushqim” për të gjithë. Nëse nuk kupton gjë nga filozofia, ekonomia, financa, drejtësia, psikologjia, historia etj mjafton të shohësh një video shokuese e ja ku “kuptove të vërtetën”, pa harxhuar vite e mund si budallenjtë që rrinë mbi libra. Por ky nuk është problem i internetit. Ky i fundit është thjesht një teknikë dhe si i tillë mund të përdoret për mirë apo për keq. Interneti nuk krijon budallepsje por e dokumenton atë.

Problemi është degradimi i shkollës dhe prodhimi i një shoqërie konsumeriste pre e dëshirave të induktuara dhe jo arsimit, artit, kulturës.
Prodhimi i një rinie të tillë është funksionale ndaj këtij sistemi. Ajo bëhet individualiste, egoiste, antikomunitariste, maniakale dhe banale, pra nuk përbën kërcënim për status quo-n e sistemit.

Sistem që mund të rrëzohet nëse nuk mjaftohemi me dyshimet mbi komplotet por kuptojmë dhe mënyrat për tu mbrojtur. Në këtë mënyrë psh, nuk ka shumë rëndësi sesa pëllasim për veprat e Sorosit kundër Shqipërisë, nëse nuk propozojmë dhe mbështesim ato reforma që shtojnë kontrollin demokratik të popullit mbi shtetin e vet, nëse nuk kërkojmë kthimin e bankës së Shqipërisë nën kontrolln e Parlamentit, nëse nuk kërkojmë kthimn e parlamentit nën kontroll të qytetarëve dhe jo liderrrit apo partisë. Mund të vijonim pa fund edhe për aktualitetin e vazhdimit të betonizmit falë lali Erit. Ka shumë mënyra, ose mjaftohemi tek komplotet 27 vjeçare mes mafies politike dhe mafies së ndërtimit, ose kërkojmë që çdo plan rregullimi të mos aprovohet pa kaluar me referendum qytetar.

Si e shohim zgjidhje ka pasur e ka gjithmonë, por ato i fshihen publikut dhe popullit.Sistemi do bëjë çmos që të trajtojë komplotizmin dhe fenomenet e tjera si problem i një populli të sëmurë dhe prandaj që duhet kuruar prej elitave.Por në fakt të sëmurë janë vetëm këto elita barbare që përqendrojnë pushtetin politik, ekonomik, finanicar e mediatik në pak duar, duke shkaktuar varfëri e konflikte mes qytetarëve lënë ne mjerim, injorancë dhe dizinformim.

*Bashkëthemelues i ShqipON

Filed Under: Opinion Tagged With: Kurt i Komplotizmit, Ledian Droboniku

Republika private

April 4, 2017 by dgreca

Shkruan: PhD, Ledian Droboniku/

Titulli nuk është provokativ, por pasqyrim i asaj çfarë po ndodh në debatin publik shqiptar. Arsyetimi me anë të paradokseve është i imponuar nga rendi simbolik artificial, mbi të cilin ngrihet kasta e tranzicionit. Ky rend simbolik është ngritur mbi përmbysjen e koncepteve autentike dhe ka për qëllim paralizën e të të menduarit. Qytetarët që mendojnë me kokën e tyre, përbëjnë problem për çdo regjim.

Padronët e Republikës dhe medias,  bëhen edhe padronë të kuptimit të fjalëve. Ata e dinë që fjalët janë gurë. Fjalët janë armë. Pa ato, nuk ka qytetarë por skllevër vullnetarë. Prandaj, beteja në radhë të parë është semantike, duke iu rikthyer fjalëve kuptimin luftarak që mobilizon energji për ndryshim.

Kasta është e alarmuar për pakënaqësinë sociale. Ajo nuk mund ta fshehë dot apo ta ndrydhë atë, si nën regjimin komunist. Ajo çfarë mund të bëjë dhe ka bërë këto 27 vite, është udhëheqja e  kësaj pakënaqësie në drejtime të padëmshme, duke e deformuar, relativizuar dhe neutralizuar.

Shteti, Republika, demokracia, ekonomia, media, akademia nuk janë thjesht të korruptuara, por të kapura sepse nuk i shërbejnë më publikut por një grushti njerëzish. Por kasta flet për korrupsion sikur problemi të ishte sporadik dhe jo sistemik. Në këto kushte, njerëzit induktohen të mendojnë, që zgjidhja mund të vijë edhe nga brenda sistemit, me anë të partive, me anë të votës apo vetingut magjik.

     Iluzion!

Si mund të presësh që ndryshimin do e sjellë ky 1% që mbahet pikërisht mbi privilegjet ndaj 99% të mjerë, të përçarë si skllevër vullnetarë? Ky nuk është më diskutim juridik, por faktik ngritur mbi raporte force. Kasta ka gjithçka dhe populli asgjë.

Në Republikën private, vendimet e rëndësishme  për jetët e miliona shqiptarëve nuk vendosen nga populli, madje as në institucione, por në restorantet dhe hotelet e pushtetarëve. Populli televiziv asiston nga larg sikur kjo të ishte diçka normale, si natyrore, si spektatorë të një show dhe jo sikur bëhet fjalë për jetët e tyre.

Padronët dhe shërbëtorët e tyre në media dhe katedra, kanë mbjellë tashmë idetë e mbrapshta se Republika, Shteti, Politika janë çështje të një “elite” dhe populli duhet të rrijë larg, sepse ai nuk kupton. Ai mund veç të shikojë, të brohorasë, të duartrokasë,  por jo të vendosë.

Por Kushtetuta, Republika, Shteti, politika ngrihen mbi idenë e konfigurimit dhe përkujdesjes së interesit publik. Llogjikisht dhe historikisht garanti më i mirë për publikun është vetë publiku. Prandaj dhe populli luftoi dhe fitoi demokracinë si pushtet i të gjithëve dhe askujt.

Sot ky pushtet i përket vetëm një pakice si në diktaturë por me një ndryshim, sot e quajnë “demokraci”. Politika nuk është ende ai aktivitet ku të gjithë kontribuojnë në mënyrë të barabartë në përcaktimin e fateve të komunitetit. Ajo është pronë e të privilegjuarëve që kanë akses ekonomik, financiar, mediatik apo partiak. Dhe kështu të privilegjuarit “merren me politikë” duke rritur akoma më shumë privilegjet në dëm të të mjerëve “që veç flasin për politikë”.

Njësoj si në nomenklaturë, pushtetarët emërojnë njëri tjetrin për të sunduar me rotacion. Gjithashtu rituali i votës vijon ende si në diktaturë, por ajo prap nuk shërben për të ndryshuar gjërat. Populli kërkon një gjë dhe kasta bën të kundërtën e asaj që premton. Si mund të ketë kontratë sociale, nëse vullneti deformohet, besimi vidhet dhe përgjegjësit nuk ndëshkohen. Një kontratë e tillë nuk krijon dot as paqe sociale dhe as begati të përgjithshme, por shpërdorim të energjive dhe degradim të vlerave.

Çfarë duhet të bëjmë atëherë? Duhet të braktisim fjalën demokraci, apo të luftojmë për realizimin e vërtetë të saj?

Demokracia – thotë Dewey – është edukim, është emancipim i vazhdueshëm, ajo nuk ndodh vetvetiu në gjendje instiktive. Pra duhet një kulturë demokratike. Dembelizmi mendor dhe kultura baritore, na bëjnë të mendojmë në formë piramidale, tek ardhja e një bariu të mirë që do të na shpëtojë. Dhe kështu të gjithë kërkojnë “bariun e mirë”, pa kuptuar se shpëtimi i vërtetë, është të heqim dorë nga të qenurit dele dhe dele-gimi i pushtetit. Kjo do të thotë trasferim i pushtetit të vërtetë nga partitë dhe lobet drejt atij 99%shi  të vjedhur, të mashtruar e të poshtëruar.

Pushteti nuk është abstrakt, ai ushtrohet me anë të institucioneve. Prandaj dhe betejat nuk duhen bërë për emra dhe sigla por për marrjen e institucioneve. Sa më shumë institucione formohen dhe kontrollohen direkt nga populli aq më shumë forcohet pushteti i tij dhe aq më shumë gërryhet pushteti i oligarkëve, partive, lobeve dhe ambasadorëve.

Republika për të qenë vërtet besnike e kuptimit të saj (e mirë publike) duhet të jetë demokratike, pra të ngrihet dhe kontrollohet nga demosi, nga populli. Ajo çfarë kemi sot është një Republikë private, ku interesi publik zëvendësohet me interesin  e një grupi pranë pushtetit, ku nuk ekziston ndarje e pushtetit dhe llogaridhënia por përqendrimi i të gjitha tagrave në një dorë të vetme, ku hyrja nuk është e lirë për të gjithë bashkëkomunitarët, por për besnikët e oborrit që sjellin dhurata.

Për çfarë duhet një Republikë e tillë, që prodhon privilegje për 1% dhe skamje për 99%?

Kasta e tranzicionit na trampoloi pas në kohën e feudalizmit, jo vetëm politikisht dhe ekonomikisht por dhe në degradimin e kulturës, edukimit dhe arsimit. Injoranca dhe përçarja e të mjerëve nuk është pasojë, por kusht për përjetësimin e këtij regjimi barbar.

Sigurisht kjo ndërtesë duhet rrëzuar nëse duam emancipimin e shqiptarëve dhe ngritjen e kombit. Ajo duhet shkulur nga rrënjët. Mbi themelet e saj nuk mund të ndërtojmë dot asgjë të re dhe afatgjatë.

Por nëse është e lehtë të kuptosh nevojën për rënien e saj, këtë gjë nuk mund ta themi dot sesi duhet ndërtuar Republika e Re. Shkatërrimi kryhet dhe nga turrmat histerike, kurse ndërtimi i një Republike Demokratike, bëhet vetëm nga populli i bashkuar rreth një projekti racional. Por ky popull nuk lejohet që të formohet, ai përçahet dhe ndërsehet kundër njëri tjetrit pas flamurëve të çifligarëve.

Pa komponentin popull, nuk mund të kemi dot një projekt autentik. Në mungesë të një projekti të tillë, do serviret një fallso nga kasta dhe qarku i saj mediatik.

Këtij Jo-Projekti, i ngjan propozimi i opozitës për Republikë të re psh. Nga një anë pranohet një përqasje olistike por jo sistemike. Pra pranohet që problemi zgjidhet në mënyrë të përgjithshme, por nuk pranohet që të ndryshohet sistemi. Duhet përsëri që vendimet ti marrë partia me miqtë dhe besnikët e saj, që për më shumë janë po të njëjtët.

Ndryshimi i Republikës minimalisht do të thotë zëvendësim i gjithë klasës politike si ndodhi me Republikën e dytë italiane, falë ndërhyrjes së magjistraturës. Por as kjo nuk do mjaftonte pa ndryshim të qendrave të pushtetit, pa përforcim të mekanizmave garantues dhe demokratizim të institucioneve. Korrupsioni kapilar që kishte shoqëruar mrekullinë ekonomike italiane, jo vetëm që nuk do zhdukej me ardhjen e Berluskonit dhe partive të reja, por do të trasformohej në kancer kundër interesave të Republikës së re. Lobet dhe hienat ndërkombëtare do privatizonin dhe deindustralizonin ekonominë italiane, duke rritur papunësinë, ulur shërbimet publike dhe rritur borxhin publik. Pra italianët duhet të hidhnin ujin e pisët dhe të mbanin fëmijën (fitoret ekonomike) por fatkeqësisht bënë të kundërtën, flakën fëmijët dhe mbajtën ujin e pisët. Sot në vendin fqinj, diskutohet se kush janë tradhëtarët e kombit dhe sa e rëndësishme ishte demokratizimi i vendit, rritja e fuqisë vendimmarrëse qytetare si mekanizmi i vetëm për të ruajtur imunitetin e Republikës ndaj vemjeve të jashtme dhe të brendshme. Modelet elitiste priren gjithmonë të zëvendësojnë interesin publik me atë korporativ, pavarsisht përrallave neoliberale të konkurrencës së elitave shumpeteriane.

Model tjetër mund të ishte ai francez i formimit të Republikës së pestë, prej gjeneralit De Gaulle, në një moment të vështirë të Francës, e ndrydhur mes presionit amerikan dhe atij sovjetik. De Gaulle kuptoi që insitucionet aktuale nuk mund ta luanin dot atë rol dhe me anë të reputacionit ushtarak modifikoi asetin e Republikës, Kushtetutën politike dhe ekonomike,  me anë të një referendumi popullor. Dhe Franca rifitoi rolin e saj në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.

Në rastin shqiptar asnjë prej këtyre faktorëve nuk është në gjendje tu japë shqiptarëve një Republikë të Re. Shqipëria nuk ka një magjistraturë me legjitimitet popullor si ishte magjistratura italiane, e cila kishte luftuar dhëmbë për dhëmbë me mafian. Magjistratura shqiptare është pjesë e kastës dhe më me pak reputacion tek shqiptarët duke tregtuar drejtësinë, njerëzve me pushtet politik, ekonomik, mediatik etj.

Nuk kemi as edhe një ushtri të aftë për të shpëtuar vendin. Kasta u kujdes të çmontonte ushtrinë, arsenalin e saj, por mbi të gjitha elitën ushtarake duke krijuar karikatura që i qahen ambasadorëve dhe vjedhin ushtarët. Ndoshta kjo ushtri për çlirimin e vendit mund të krijohet në diasporë, por fragmentizimi aktual i saj, e bën atë ende të parrezikshme për sundimin e kastës shqiptare.

Këtë rol sigurisht nuk mund ta luajnë partitë shqiptare, të reja apo ato të vjetra. Formimi dhe rritja e një partie autentike nuk do lejohet kurrë nga kasta, e cila kontrollon institucionet, financën, median dhe krimin. Në vend të tyre krijohen kërpusha të vegjël që duan veç të rriten duke i pirë gjakun këtij populli. Kjo është dhe arsyeja se përse të gjitha partitë propozojnë vetëm modele elitiste, ku populli  dele-gon pushtetin dhe ato “punojnë për të”.

Nëse do të kishim sindakata, këtë rol të ndryshimeve mund ta luanin ato në emër të miliona të papunëve dhe punëtorëve skllevër. Por sindakatat, mediat dhe shkollat do ishin të parat që do binin nën pushtetin e kastës sepse mund të shndrroheshin në qendra të përqendrimit të pakënaqësisë dhe mobilizimit të masave.

Fatkeqësisht këtë Republikë demokratike të re nuk mund ta bëjë dot as populli, sepse nuk e di dhe prandaj as nuk e dëshiron. Shqiptarëve i kanë instaluar prej dekadash në tru, mekanizmin baritor-elitist, ku skllevërit nuk duan të çlirohen por duan të bëhen padronë, ku nuk duan të vendosin vetë fatet e tyre por thjesht tua delegojnë një bariu të mirë, liderrit apo partisë së zemrës. Edukimi demokratik jo vetëm që nuk përhapet por ai anatemohet nëpër katedra apo studio televizive, dhe në fund skllevërit binden se nuk ka model tjetër.

Shqipëria është ndër vendet e rralla, që nuk u prek nga iluminizi evropian. Për pasojë nuk u përpunua idea e “qytetarit” si i vetmi entitet me të drejta origjinale mbi të cilin themelohet Republika Demokratike. Nëse të mjerët nuk e duan këtë gjë, aq më pak e duan intelektualët dhe shërbëtorët e pushtetit që gëlojnë pas tij. Në vend të qytetarit (në kuptimin iluminist dhe jo antinomisë me fshatarin) u përjetësua koncepti i “nënshtetasit” që ofron bindje. Kjo është edhe arsyeja se përse pseudo-shkencarët shqiptarë elaborojnë vetëm një lloj shteti autoritar duke vlerësuar madje dhe diktatorët si Hoxha apo Zogun. Shqiptarët e mjerë, mbyllin sytë dhe mbajnë mend vetëm një lloj shteti dhe kujtojnë se ai është i vetmi. Nga ana tjetër kasta është e lumtur që tu ofrojë atë tip shteti, duke rritur represionin, kontrollin mbi jetët e njerëzve. Nuk duhet habitur pse qeveria e ripjelljes mburret se “po bën shtet”.

Shteti dhe Republika ngrihet e fortë vetëm nëse qytetarët e saj janë të fortë, të begatë, nëse në ndërtimin e saj marrin pjesë si qytetarë të lirë dhe të barabartë. Pra një Republikë Demokratike, që formohet e kontrollohet nga vetë qytetarët dhe jo partia, lobet, korporatat apo ambasadorët.

Sigurisht këto faktorë nuk janë por mund të prodhohen në një horizont demokratik. Ata që vuajnë janë shumica dërrmuese edhe pse jo të ndërgjegjshëm për mënyrën sesi ndryshohet sistemi.

Ky ndërgjegjësim duhet nisur nga forcat prodhuese, nga 99% e biznesit prodhues shqiptar që mbijeton nën kushtet e një oligarkie politike dhe monopolesh ekonomike. Ky model neoliberal imponuar nga kasta dhe lobet, na ka kthyer në një koloni importi ku ata që përfitojnë janë vetëm 1% që përqendrojnë kapitalin gjithmonë e në më pak duar. Borgjezia e vogël duhet të kuptojë që ky model nuk arnohet por vetëm rrëzohet nëse duan të prosperojnë në kushtet e rritjes së punësimit, rrogave dhe kërkesës agregate të brendshme për shitjen e produkteve të tyre.

Ndryshe nga ajo çfarë trumbetojnë klerikët e neoliberizmit, këtë gjë nuk e bën vetë tregu. Tregu është një e mirë publike dhe duhet ti shërbejë të gjithëve. Nëse ai zaptohet nga disa oligarkë, e vetmja rrugë shpëtimi është rregullimi i tij me anë të politikave publike. Por këto të fundit për të qenë publike, nuk mund tu lihen në dorë “elitave” por publikut të gjerë që ka interes që të zhvillohet një ekonomi e lirë dhe e ndershme, ku triumfon talenti, puna dhe sakrifica.

Pra Demokracia, do të nisë nga demokratizimi i ekonomisë, si ajo fushë që kuptohet dhe mobilizon më lehtë forcat progresiste në vend. Fundi i një ekonomie koloni importi, dhe krijimi i një ekonomie kombëtare, i një borgjezie prodhimi që vlerëson asetet e vendit dhe krijon punë dinjitoze për miliona shqiptarë. Kjo është dhe arsyeja se përse faktori ndërkombëtar (FMN, SHBA, BE, etj) nuk e mbështet këtë model zhvillimi kombëtar, sepse preferojnë atë bazuar në një globalizim të kontrolluar nga kapitali i madh. Por ky model është dekadent dhe shpejt kursi do ndryshojë, duke çliruar zhvillimet e vendeve prej dikaturës monetare dhe borxheve skllavëruese. Shqipëria është ende një vend sovran dhe nëse do kishim një elitë patriotike kjo ekonomi kombëtare tashmë do të ishte realitet. Por pilotimi i qeverive dhe pushtetarëve komodë në këto vende, është karakteristikë pikërisht e këtij globalizmi neokolonial. Propaganda sistemike nga ana tjetër qep e shqep opinionin publik, pa lejuar kurrë formimin e ideve të qenësishme për zhvillimin e vendit.

Ky regjim mbahet me forcën e fjalëve, përmbysjen e koncepteve. Pa fjalët dhe konceptet autentike, askush nuk mund të formojë dot ide për të cilat mund të bashkohet dhe ti realizojë më të ngjashmit e tij.

Prandaj, dhe beteja jonë si shqiptarë duhet të fillojë tëk rimarrja e simboleve për të ndërgjegjësuar një popull të tërë për problemet dhe zgjidhjen e tyre në mënyrë demokratike. Bashkë me ndërgjegjësimin e biznesit të vogël, mund të bashkoheshin më tej,  studentë dhe intelektualë, që nuk janë kompromentuar ende me këtë sistem radioaktiv dhe dëshirojnë një Shqipëri Demokratike, ku vendosin qytetarët shqiptarë, si qytetarë të lirë!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ledian Droboniku, Republika private

Neoliberizmi godet besimin e shpirtëroren

December 6, 2016 by dgreca

Dr. Ledian Droboniku/

dr-ledian-droboniku Degradimi i vlerave, rënia e njeriut dhe vlerave shpirtërore është sindroma e botës së sotme post-humaniste. Shqipëria përjeton këto eksperienca njësoj si vendet e tjera por në një shkallë epërore.
pse-neoliberizmiPërse?Instalimi i sistemeve ideologjike këtu, është radikal dhe nuk amortizohet nga ente alternative por amplifikohet nga një konformizëm total.

    Kështu ndodhi me komunizmin dje, kështu po ndodh me neoliberizmin sot.

  Tabula rasa e komunizmit u përsërit me shfarosjen e vlerave edhe me instalimin e neoliberizmit pas viteve “90.

      Meqë sistemin e “ri” do e udhëhiqnin po ato fytyra të djeshme, trasformimi nuk ishte dhe aq i vështirë, të paktën në formë. Vlerat që kasta do i shpërndante turrmave kishte amballazhim të bukur por të njëjtën shije të hidhur. Vuajtje e sundim!

    Pas 26 vitesh turrmat ende nuk realizojnë dot një ide të plotë sepse humbasin në këtë kaos të organizuar me mjeshtëri.

  Instalimi i sistemeve të importuara nuk lejuan kurrë që shqiptarët të kalonin proçesin e iluminizmit evropian. Të kuptonin botën e tyre si një harmonizim i vlerave të ndryshme dhe jo si tribu primitive me parimin shmidtian mik/armik. Ndrydhja e imponuar pengonte të kuptonin realisht se ç’farë është dhe si vendoset demokracia, limiti i lirisë, forca e arsyes dhe nevoja e shpirtërores dhe e besimit për Njeriun komunitar. Këto kategori edhe sot përdoren si surrogate të përmbysura larg kuptimit të vërtetë.

      Etërit e iluminizmit si Kant apo Voltaire luftuan dogmën e fesë por njohën nevojën e besimit për njeriun. Ekzaltimi i arsyes si ekzistencë unike, do të kritikohej nga shumë autorë të djathtë madje dhe të majtë si Adorno dhe Horkeimer.

    Por këtë sintezë të harmonizuar të vlerave shpirtërore e materiale nuk e tolerojnë dot klasat dominante. Duhet që vizioni i tyre të jetë unik, totalitar.

     Kështu ndodhi me komunizmin historik, kështu po ndodh me neoliberizmin, i cili për të triumfuar vrau liberalizmin klasik apo edhe etikën borgjeze. Tani kapitalizmi absolut (i çliruar) po godet çdo entitet që nuk i nënshtrohet kultit të tij: parasë!

     Shteti, komuniteti, familja, shkolla, besimi nuk pajtohen me llogjikën e parasë prandaj ose përshtaten ose shkërmoqen. Fitoret e realizuara në shekullin e kaluar po çmontohen ngadalë e pa kuptuar në dëm të turrmave që brohorasin të eksituara për padronët e tyre. Betejat e përbashkëta të shoqërisë për emancipim tani janë zëvendësuara me beteja mes veti për ngadhnjim individual. Projekt gjenial për një sundim perfekt të 1% mbi 99% e marrosur me darvinizëm social.

   Nietzche do lajmëronte para një shekull jo vetëm që Zoti vdiq por ai do zëvendësohej me një Zot të ri. Tani esenca e Njeriut nuk përcaktohej më nga kultura, identiteti, ëndrrat por nga kapaciteti i tij për të konsumuar. Ti vlen aq sa konsumon! Je një Njeri “iphon 7” ose subnjeri “nokia 3310”.

    Por Njeriu nuk ngopet kurrë me gjëra materiale por vetëm shpirtërore. S’ka si ndodh ndryshe, sepse nëse ti “ngopesh” sistemi ngec e prodhimi ndalon. Prandaj dhe depresioni personal dhe trishtimi kolektiv si psikologjia, sociologjia apo antropologjia shpjegon. Fromm paralajmëronte sesi këtë ritëm histerik e drejton klasa dominante për të destabilizuar pa fund individin pa rrënjë në një shoqëri të sëmurë. Njerëzit fajësojnë njëri tjetrin mjafton të heqin dorë nga sistemi i kontrolluar nga një “dorë e padukshme”.

    Neoliberizmi, intelektualët dhe klerikët e tij, mediat dhe qarku akademik promovojnë të njëjtin vizion unik, që e shohin shpëtimin tek realizimi i individit atom, tek sigurimi i parasë për të siguruar ato gjëra që rregulloheshin dikur nga bashkëjetesa në komunitet. Rendja drejt parasë është një iluzion i dhimbshëm sepse paranë e kontrollon vetë kasta e bashkë me të jetën patetike të çdokujt. Paraja është pushtet dhe ai nuk jepet. Vrapimi drejt parasë është plot bërryla e gropa prej të cilave garuesit zhvishesh nga ato vlera që formuan humanin brenda nesh këto mijëra vite. Dhe në fund ndihesh bosh, i dorëzuar sepse nuk mund të çbësh natyrën tënde shpirtërore farkëtuar në këtë proçes të gjatë komunitar. Por sistemi të detyron në këtë valle perverse.

    Rrezikun e kapitalizmit ekstrem e kishte kuptuar jo vetëm Marksi por dhe vetë Adam Smith ku paralajmëronte rënien e shpirtërores. Atëherë kur vetë kapitalizmi kthehet në fe, si shprehet Benjamin, ka nevojë për sakrificat e tij si ritet pagane.

    Këto sakrifica janë shpirtrat e miliona njerëzve që vdesin nga uria megjithë superprodhimin global; miliona fëmijë që nuk ndjejnë ngrohtësinë e prindërve të etur për fitime; braktisja e pleqve, shtëpive e familjeve. Çdo gjë vihet nën shërbim të Zotit Para.

    Sigurisht ata që e disponojnë.

    Pa kuptuar, si në eksperimentin me bretkosën, njerëzit pranojnë të mos kurohen më nëse nuk kanë para, të mos arsimohen apo edhe të burgosen nëse nuk blejnë dot drejtësinë. Të drejtat kushtetuese këtu lindin të vdekura dhe me to ushqehen kërrmat e pushtetit, intelektualë gazetarë apo vemje të tjera.

   Çdo shenjë, simbol e strehëz që promovon komunitetin, solidaritetin, identitetin, shpirtëroren duhet përmbysur e zëvendësuar me individualizmin, konkurrencën, njeriun atom unisex fleksibël si tregu kërkon, konsumerizmin e tejskajshëm edhe të njëri-tjetrit.

    Pas përthyerjes së shtetit social me anë të globalitarizmit, degradimit të familjes me teorinë gender e çdoganimit të seksit dhe drogës, strehëza e fundit mbetet besimi fetar.

   Zotërit e parasë nuk tolerojnë dot vizionin e besimit, sepse ai preferon shpirtëroren ndaj materiales, solidaritetin ndaj konkurrencës, dhembshurinë ndaj shfrytëzimit, punën ndaj përfitimeve parazitare të kapitalit, respektin dhe kufirin ndaj shfrenimit të lirisë. Perversiteti i fitimit prek skutat më të errëta të psikës mëson Lakan e prandaj njeriu shndërrohet në ujkun hobsian. Ujk që kasta i kundërvë njeriut komunitar si Aristoteli apo profetët e besimeve mësojnë.

    Këtë sulm ndaj botës humane, padronët nuk e realizojnë dot pa ndihmën e vet njerëzve-ujqër. Si kafshë cirku, këta induktohen të kërkojnë vetë ato që kasta dëshiron. Anullimit të projektit tonë kombëtar në një shtet normal, kasta i kundërvë besimin musulman si pengesë për projektin alternativ europian. Skllevërit harrojnë se përgjegjësit e shkatërrimit të jetëve të tyre janë vetë padronët, por me dembelizëm mendor kërkojnë hije kudo.

     Në vend të një lufte vertikale, skllevërit vulletarë zihen se cila fe është më e mira apo e keqe, se feja është opium, se feja është kundër shkencës, kombit etj etj. Askush nuk mendon sesi mund të bëhet një sintezë e jeta të jetë në harmoni me gjithë larmishmërinë e saj mijëra vjeçare. Sami Frashëri e të tjerë rilindas, nuk ishin kundër besimeve por kërkonin tolerancën mes tyre për mos të rrezikuar bashkëjetesën brenda kombit shqiptar. Bashkëjetesë që na e njeh gjithë bota, por e rrezikuar prej sulmeve tinzare që kasta dhe media realizon sistematikisht.

    Nëse besimet ndihen të sulmuara, sigurisht ato do kalojnë në pozita ofensive për të mbijetuar. Kështu nis një qark vicioz ku palët urrejnë njëra tjetrën dhe Zotërinjtë e parasë sodisin se si skllevërit shqyhen.

    Nëse as këto nuk kanë efekt, atëherë dërgohen dronët për të mbjellë vdekje e vëllavrasje si në vendet arabe. Sulmi ndaj islamizmit sot është frontal (si Huntington uronte) si një fe që nuk përshtatet lehtë me vizionin neoliberist. Por turrmat eksitohen nga show i zbukuruar e aktorë të sajuar mbi të vërteta të parafabrikuara. Besimet gjithmonë instrumentalizohen e njerëzit priren të shohin jo esencën por aparencën. Dalja nga shpella e Platonit nuk mund të bëhet nëse dyert e dritaret ruhen nga gardianë e sharlatanë.

    Jo më mirë gjenden banorët e Perëndimit, kur shohin sesi kisha përçmohet, përqeshet, sesi gazetat mbushen me raste abuzimi të priftërinjve e fshihen lajme se si mijëra misionarë që ndihmojnë miliona fëmijë e emigrantë. “Makina e përbaltjes” punon 24 orë,  por media eklipson deklaratën e Papës (Evangelii Gaudium 2013) kur e quan neoliberizmin si tirani dhe shfrytëzimin si kanibalizëm.

     Padronët kanë krijuar sistemin me ideologji, financa, media dhe ushtri. Beteja jonë si 99% i skllavëruar nuk është mes veti por kundër këtij 1% barbar transnacional. Beteja jonë është rimarrja e institucioneve dhe ndërtimi i një shteti social, demokratik e liberal, që ngrihet mbi bashkëjetesën me besimet fetare. Nuk futemi dot në Europë si skutha, por kryelartë si popull autokton, kur të kemi zhdukur oligarkët e ngritur Demokracinë. Pa këtë shtrat të përbashkët, edhe toleranca e besimeve të shqiptarëve do minohet prej ndërhyrjeve të huaja që mbjellin përçarje e frikë, si Sami Frashëri na kujton. Rishpirtërimi i një iluminizmi të ri pra, si Habermas apo Foucault kërkojnë për emancipimin demokratik të popujve dhe dinjitetin e një jete të plotë të Njeriut!

    Prandaj dalim nga kaosi i vlerave e mos shtrojmë pyetje idjote, mos synojmë ndasitë mes besimeve por të përbashkën mes tyre, si një strehëz që nuk asfikson arsyen por e kompleton me shpirtëroren. Sot kaq e nevojshme për të rigjetur arsyen e të qenurit bashkë në këtë truall me emrin: Shqipëri!

Filed Under: Analiza Tagged With: besimi, Ledian Droboniku, neoliberizmi

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT