• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Diasporës i mohohet e drejta e votës

May 18, 2017 by dgreca

Diasporës praktikisht i mohohet e drejta e votës/

1 Diaspora

Votimi i diasporës, si në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Kosovë, vazhdon të jetë shumë i ulët.  Edhe në këto zgjedhje të parakohshme, që do të mbahen më 11 qershor 2017, KQZ ka caktuar një afat prej vetëm një javë për t’u regjistruar nga jashtë. Marrë parasysh afatin e shkurtër dhe procedurat burokratike, të cilat janë të papërshtatshme për diasporën, organizata Germin, e cila avokon për të drejtat e diasporës, ka filluar fushatën #VotaeDiasporës2017.Më 17 maj 2017, organizata Germin organizoi diskutimin virtual “Vota e Diasporës”, e cila mblodhi përfaqësues nga shtatë shtete të ndryshme, duke përfshirë Kosovën.

Paneli përbëhej nga Fatmir Lekaj, politolog dhe këshilltar në organizatën norvegjeze për barazi, integrim dhe diversitet (Norvegji); Donika Nushi, analiste në industrinë e shëndetësisë (Çikago, ShBA); Veb Kosumi, konsulent i pavarur në fushën e drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar; Lulzim Veliu, aktivist në komunitetin shqiptar në Dyseldorf të Gjermanisë; Albesa Aliu, aktiviste rinore dhe studente e Psikologjisë në Hellenic American Univeristy në Athinë, Greqi dhe Avni Dervishi, politolog dhe aktivist për forcimin e diasporës shqiptare në Evropë, Amerikë, Australi etj. Takimi virtual u moderua nga Lavdi Zymberi, hulumtuese në Germin. Në pamundësi që të marrin pjesë në këtë panel, përfaqësues të KQZ-së dërguan informata që mund të ndihmojnë diasporën rreth aplikimit për regjistrim.

Qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohet rreth metodave, sfidave për aplikim nga jashtë dhe zgjidhjet më të mira që të rritet numri i votuesve nga diaspora. Për këtë, disa nga propozimet e dala nga panelistët ishin që pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje duhet të diskutohet edhe në Kuvendin e Kosovës, por edhe diaspora duhet të bashkohet dhe ta ngritë më shumë zërin. Panelistët propozuan të krijohen bashkëpunime si me organizatat ndërkombëtare, psh. IOM, po ashtu edhe në mes të Ministrisë së Diasporës dhe KQZ-së, që të mos ketë nevojë të regjistrohen në zgjedhje sa herë që të mbahen ato, por të barten të dhënat e votuesve potencial.

Disa nga rekomandimet e tjera për institucionet e Kosovës që të përmirësohet ambienti për votim janë: votimi elektronik, votimi në ambasadën/konsullatën më të afërt, të zgjatet afati për t’u regjistruar dhe të bëhen më shumë fushata vetëdijesuese se si duhet votuar, zgjedhjet të mbahen gjatë verës atëherë kur diaspora vjen për pushime, institucionet e Kosovës t’i motivojnë gjeneratat e reja në diasporë për të qenë pjesë aktive e politikës sepse janë më pak të politizuar, të krijohet një databazë e studentëve shqiptarë për t’i kontaktuar dhe motivuar që të votojnë në Kosovë.Për më shumë propozime dhe ide konkrete nga diaspora, ndiqni diskutimin në Youtube.

https://www.youtube.com/watch?v=p3CLel9eIGY

Filed Under: Opinion Tagged With: Diasporës i mohohet, e drejta e votës, Germin

Shtrëngimi i duarve ose rruga e vështirë e shqiptarëve

May 18, 2017 by dgreca

1 Rama BashaNGA ILIR LEVONJA/Për ne shqiptarët shtrëngimi i duarve është një rrugë e vështirë. Por, pse ta mohojmë, emocionante.
Ndofta nga që ne e kemi të pamundur, të duam sinqerisht.Ndofta nga që e kemi dënuar vetëm me faktin se, çfarë do thojë bota. Kutadish se çdreqin është. ?! Por ne e kemi gati të pamundur. Na mbysin gulçet. E kurrë se shikojmë njëri-tjetrin drejt e në sy. E kurrë nuk e njohim qetësinë e argumentin.
Veç ama të bërtiturat, pështymat, rrahjet e gjoksit, po. I kemi mjete vitale të së përditshmes.
Unë nuk dua të ndalem se cila palë fitoi dhe cila humbi. Kjo është një politikë e nostalgjikëve. Atyre që bëjnë kurban edhe jetë njerëzish. Si e si tu shkojë e tyrja.
Të bësh kurban idetë apo fjalët është më normale. Dhe më pa kosto gjë në botë. Po kujt shqiptari ia thua këtë.
Padyshim që refreni i sotshëm i tyre, është pranimi i PD-së të bëhet pjesë e kësaj qeverie droge. Dhe jo pjesëmarrëse e zgjedhjeve të lira, të mbikqyrura nga një qeveri teknike etj. Pasi pranimi i pushtetit në tavolinë, i posteve, nuk qe çështja demokrate. Megjithëse akoma priten zhvillime. Shkurt PD iu largua çështjes. Ndofta sfidës më të madhe në këto kohë të reja. Por vështruam aty edhe ngritjen e një lideri, i cili e ktheu çadrën nga një vend hajengu i ditëve të para, në një çështje të madhe. Madje u tregoi kokave të nxehta se protestat bëhen edhe pa gurë, plumba e të vrarë. Bëhen pa thyer e djegur. Pa ndenjur në fund të turmës, por në krye dhe i qartë.
Dhe kaq normalitet e kish të domosdoshëm Shqipëria.
Nuk humbi as Edi Rama nga krahu tjetër.
Një turrë e tërë që pëllasin të shkumosur dhe identifikojnë gjithçka me faktin e një lëshimi të tepruar. Sikur t’i ketë dhënë botën një opozite që nuk ekziston.
Një turrë e tërë që me atë mendësinë provinciale tonën, që për inat të sime vjerre, po shkoj të fle me mullixhiun. Dhe këta, për inat të Saliut janë gati të murosin, jo vetëm mëkatet e tyre, por edhe një popull të tërë. Madje nuk e kanë aspak për gjë të quhen vet popull, pozitë dhe opozitë. Nuk kanë për asgjë të murosin edhe abc-në e demokracisë.
Në fakt e gjithë kjo mëndësi ka qënë vraja jonë kombëtare.
Shpërbërja jonë e pashmangshme.
Shkurt e pa stërhollime, nuk humbi askush.
Veç vendi fitoi një qetësi të domosdoshme. Një normalitet.
Dhe dhëntë zoti e pafshim sa më shumë shtrëngime duarsh të tilla. Edhe orëve të vona, pasi nuk ka se si bëhet më bukur të jetosh mes ëndrrës dhe realitetit. Nuk ka gjë më emocionuese, se sa kur sheh dy lidera shqiptarë, të kthyer në truallin normal të demokracive në botë.
Nuk janë më të aftë se ne këta, këtej.
Po ndryshe nga ne nuk kanë nerva me shumicë. Ama më të aftë nuk janë.
Paçim sa më shumë marrëveshje. Takime e ritakime…, sepse si do që të jenë. Janë më efikase se ngërçi kolektiv dhe inatet për të gjetur të drejtën. Kujt i takon e kujt nuk i takon ajo. Kush ka të drejtë dhe kush nuk ka. Kjo për një arsye të thjesht, rifreskimi, lëvizja.
Eshtë njësoj sikur hapni dritaren e ajri i përtërirë iu freskon tëmthat.
Dhe ndofta kjo lëvizje përpara sjell e ysht përfundimisht edhe atë edukatën në demokracitë e konsoliduara. Ku individi vjen, ngrihet për të drejtuar një force politike. Për të fituar që të drejtoj edhe vendin. Vjen drejton dhe largohet. Dhe jo, të ngulet për tu punësuar aty, si në parti, ashtu edhe në pushtet.

Filed Under: Opinion Tagged With: duaresh, Ilir Levonja, Rruga e vështirë, shterngim

RAMUSH HARADINAJ: HERO NË LUFTË, HERO NË PAQË

May 17, 2017 by dgreca

1 Ramush Haradinaj

Nga Frank Shkreli/Pas lirimit të tij nga një gjykatë franceze ku mbahej nën akuza të trilluara nga bashkpuntorët e ngushtë të kriminelit Sllobodan Millosheviç që sot udhëheqin Serbinë, Ramush Haradinaj, ka falënderuar qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë globit për mbështetjen që i dhanë gjatë qëndrimit të tij në Francë.    Gjatë përballjes së tij me akuzat fals të Serbisë për krime lufte, Z. Haradinaj ka gëzuar gjithmonë, sidomos në rastet më të vështira të jetës së tij, mbështetjen e pjesës dërmuese të shqiptarëve, si mbrenda ashtu edhe jashtë Kosovës.  Më kujtohet se ishte viti 2005 dhe unë ndodhesha në Prishtinë me një delegacion, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Ipeshkvi i atëhershëm katolik i Kosovës, i ndjeri Mark Sopi kishte kërkuar një takim me mua, vetëm e vetëm, për të biseduar për rastin Haradinaj dhe për të çkëmbyer ide se ç’ishte e mundur për të ndihmuar Ramush Haradinajn në atë kohë, si komunitet shqiptaro-amerikan por edhe për të ushtruar influencën tonë në qarqet e politikës amerikane, në mbështetje të tij.  Përkrahja për të dhe për familjen e tij ishte e fortë atëherë dhe është edhe sot në radhët e shumicës së shqiptarëve kudo.  I vetdijshëm për këtë mbështetje, Z. Haradinaj është shprehur se lirimi i tij kohët e fundit nga gjykata franceze, nuk ishte vetëm një fitore për të, por siç e ka cilësuar ai, ajo ishte edhe një fitore e të “drejtës shqiptare”, duke thënë se “shqiptarët sot kanë fituar” gjithashtu, ndërkohë që falenderoi të gjithë shqiptarët kudo për përkrahjen e dhënë, duke deklaruar se, “Kurrë nuk është boll të punosh për vendin tëndë”.

Ramush Haradinaj luftoi për Atdhe, familja e tij flijoi për Atdhe dhe tani ai ka vendosur që të mos pushojë së punuari për Atdhe.  Si kryetar i Aleancës për Ardhëmërinë e Kosovës, është njoftuar se Z. Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës i koalicionit të posa njoftuar (PDK-AAK-NISMA), në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në atë vend.  Pas këtij njoftimi, Z. Haradinaj shënoi në faqën e tij elektronike fejsbuk se si kandidat për kryeministër të Kosovës, ai zotohet se jo vetëm do të punojë për Atdheun, por u premton zgjedhësve se duke punuar për Atdhe ai, “Do t’a nderojë Atdheun”.

“Besimin e dhënë në luftë e kam nderu edhe te bashkëluftëtarët edhe te populli im; Besimin e dhënë nga Presidenti Rugova e kam mbajt me nder; Me besimin e dhënë sot, do ta nderoj atdheun!  Na priftë e mbara”, është shprehur Z. Haradinaj në faqen e tij elektronike fejsbuk.

 Arrestimin e fundit të Zotit Haradinaj në Francë në bazë të trillimeve serbe kundër tij, e pata cilësuar në një shkrim me atë rast, si një urgjencë kombëtare, sepse ishte një padrejtësi kombëtare ndaj luftës dhe të drejtës së shqiptarëve për liri, demokraci dhe pavarësi.  E tillë edhe ishte. Ishte një ndalim i padrejtë, pasi Z. Haradinaj është përballur sy patrembur dhe si burrat, dy herë më parë me Tribunalin Ndërkombëtar duke nderuar veten dhe kombin me qëndrimin dhe trimërinë e tij, për t’u përballur me drejtësinë.  As ndalimi i tij i fundit dhe as gjykimi i tij në Francë nuk mund të përfundonte ndryshe veçse me lirimin dhe shpalljen pafajsisë së tij.

E kam thënë shpesh se shqiptarët duhet të zgjohen nga kllapia mbas sundimeve kriminale dhe të mbrapshta për pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe 25 vjetë post komunizëm, nëqoftse duan të shënojnë përparimet e nevojshme për shekullin 21.  Duhet të marrin fatin në duart e veta dhe të ndërmarrin një fillim të ri politik, duke kërkuar nga përfaqsuesit e tyre të zgjedhur, që mbi të gjitha, t’i shërbejnë Atdheut sepse “Shqiptar më ka falë Zoti” ka thënë Haradinaj gjatë një interviste.   T’u shërbejnë   interesave të popullit e jo interesave partiake e personale, ndërkohë që, si pasojë, shqiptarët po largohen masivisht nga trojet e veta, falë mjerimit ekonomik dhe konflikteve politike.  Zgjedhjet, normalisht do të duhej të shërbenin për një fillim të ri, duke përfshirë njerëz të ri në politikë me programe dhe ide të reja, me premtimin për një të ardhme më të mirë dhe me përkushtim serioz ndaj shërbimit publik, gjë që fatkeqsisht nuk ka ndodhur në këto 27-vjetë post-komunizëm, as në Shqipëri as në Kosovën e pavarur.

Zotit Haradinaj, siç dihet, ka shërbyer si Kryeministër i Kosovës për një kohë të shkurtër prej 100-ditësh në vitin 2005, që në të vërtetë nuk ishte e mjaftueshme që të bënte ndryshime të mëdha, por ama ishte një kohë e mjaftueshme që të bindte disa vërejtës të mbrendshëm dhe të jashtëm se, siç më pat thënë një ish-zyrtar amerikan në atë kohë për Kryeministrin Haradinaj, se si udhëheqës, “He is a doer, gets things done”. “Ai e bën punën, i kryen punët”.  Kjo është trashëgimia e tij për atë kohë tepër të shkurtër që pat shërbyer si Kryeministër i Kosovës, madje edhe në sytë e të huajve.

Besoj se Z. Haradinaj i njeh mirë miqtë dhe armiqtë e Kosovës.  Besoj gjithashtu se ai është i bindur se Kosovës i nevojitet gjithnjë miqësia e ndërkombëtarve, sidomos mbështetja e vazhdueshme e miqëve tradicionalë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Por shqiptarët në përgjithsi, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, nuk do t’i merr kush seriozisht nëse vazhdojnë të veprojnë të ndarë e të përçarë politikisht, në dëm të interesave madhore të kombit.  Për zgjedhsit shqiptarë, është koha për t’u zgjuar, para se të bëhet vonë.

Rezultati i zgjedhjeve të ardhëshme në Kosovë duhet të bindë jo vetëm popullin e Kosovës por edhe miqtë e Kosovës se politikanët që do të qeverisin vendin në vitet e ardhëshme, do të venë interesat e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj mbi përfitimet personale dhe partiake. Votuesit e Kosovës dhe miqtë e saj ndërkombëtarë presin nga udhëheqsit e ri të Kosovës që do të zgjidhen me 11 qershor — që ashtu siç është shprehur edhe Ramush Haradinaj — se duke punuar seriozisht për interesat e Atdheut, me punën e tyre, ata njëkohsisht  do “të nderojnë edhe Atdheun”, por edhe miqtë të cilët ia duan të mirën Kosovës dhe kombit shqiptar.

Se cilët do jenë udhëheqsit e ri që do të qeverisin Kosovën katër vitet e ardhëshme dhe nëse ata do të jenë të tillë që duke punuar për Atdhe, nderojnë Atdheun, natyrisht është në dorë të zgjedhsëve dhe varësisht votës së tyre me 11 qershor.  Zoti Ramush Haradinaj paraqitet si një alternativë dhe kandidaturë serioze për Kryeministër të vendit në zgjedhjet e ardhëshme në Kosovë.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, HERO NË LUFTË, HERO NË PAQË, Ramush Haradinaj

“Hirushja” e pafat e kohës sonë

May 16, 2017 by dgreca

1-alma-Lico-ok-300x170

Nga Alma LICO/

E ulur në një karrike, me kokën mes duarve , ajo qëndron e heshtur. Nuk dëshiron të flasë. Madje as të kthjellojë vështrimin e përhumbur në zbrazëtirë. Atë e ka fiksuar në një pikë të pakuptimtë të tavolinës që ndodhet aty pranë. Dukshëm, mendimet e saj rendin kush e di se ku. Nuk e dalloj dot nëse bota e saj imagjinare ka ndonjë pikë të përbashkët me atë realen, me atë brutalen, me atë ciniken, që ka shoqëruar në vite rrugëtimin e kësaj vajze të vetmuar.

Përpos një pamjeje të lodhur, ndën qepallat e zeza, arrij të dalloj sytë e bukur që nuk shprehin asgjë. Ndoshta një refleksion i mjegullt, ndërthurur zbehtë me një pasiguri të flashkur. Flokët e gështenjta i ka gjysëm të lidhura pas kokës. Një dorë e pakujdesshme dhe aspak e vëmendshme, i ka lëshuar ato mbi supe.  Trupi i saj i hijshëm mbulohet nga një bluzë e pambuktë dhe pantallona të çngjyrosura, ndërsa lidhëset e këpucëve sportive prekin dyshemenë.

Ulem pranë saj. Për një moment, ajo ngre shikimin e përhumbur mbi tryezë dhe më vështron ftohtë, për të humbur sërish në botën e asgjësë. Duket si një gonxhe, që në mungesë të dritës, nuk ka arritur të lulëzojë. Përpiqem të tërheq vëmendjen e saj.  Si për të thyer akullin, i ofroj një gotë ujë. Ajo nuk e refuzon, madje më falenderon ftohtë. Sërish heshtje. Hesht dhe unë bashkë me të.

Një ditë më parë jam njohur me historinë e saj të trishtë. Por dëshiroj ta dëgjoj atë, të rrëfyer nga goja e saj. Mbase do i bëjë mirë ta ndajë atë me mua. Por ajo nuk flet. Ndoshta ndjehet e sfilitur nga përballja aspak e këndshme me autoritetet policore të dy shteteve. Ndoshta………

………E lindur në një fshat të largët, ishte fëmija e parë e familjes. Një sëmundje e rëndë i kishte rrëmbyer të ëmën, kur ishte vetëm katër vjeçe.  Përveç disa fotove të dala boje, ajo nuk ruante asnjë kujtim tjetër të saj. Vajza jetime kishte mbetur në përkujdesjen e gjyshes, dhe të atit. Ai ishte katandisur në një burrë mjaft të lodhur e dëshpëruar nga sëmundja dhe humbja e së shoqes. Si të mos mjaftonte kjo, dy vite më pas, pat ndërruar jetë dhe gruaja e moshuar. Kishte mbyllur sytë e ligështuar për fatin e vogëlushes, të mbetur pa kujdesin e duhur, e vetme,  në duart e të atit.  Atij të ngrati i duhej të punonte nga mëngjesi, deri në mbrëmje në punët e fshatit. Kurimi i së shoqes i kishte kushtuar shumë dhe qe mbytur në borxhe. Sistemi i korruptuar shëndetësor e kishte “rrjepur të gjallë”.

I vetëm nuk ja dilte dot. Vogëlushja mbetej tërë ditën në shoqërinë e një qeni që lihte kot së koti, dhe të disa pulave që kakarisnin e vërtiteshin të shkujdesura në oborrin e shtëpisë përdhese, që ndodhej rrëzë një kodre.  Pas një viti,  ai u rimartua. Në jetën e tij dhe të së bijës u shtua prania e një gruaje që nuk arriti dot kurrë të bëhej nënë për të. Ajo nuk mundi të zëvëndësojë aspak dashurinë dhe ngrohtësinë e munguar të së ëmës. Madje, as u përpoq. Në jetën e familjes mbërritën njeri pas tjetrit dy fëmijë të tjerë, dhe jetimja fatkeqe, teksa rritej, po shndërrohej në një “Hirushe” të pafat.  Duart e vogla i gjakoseshin çdo ditë nga punët e rënda, ndërsa shpina e njomë po i harkohej nga kovat me ujë që ishte e detyruar t’i mbushte në një pus, diku në fshat. Duhej gjithashtu të kujdesej për vëllezërit e vegjël dhe të duronte kritikat e herëpashershme të njerkës. Mbrëmjeve, kur nuk kishte më asgjë për të bërë, kridhej në melankoli për panatyrshmërinë e ditëve që nuk kishin aspak lidhje me ato që duhej të jetonte një fëmijë. Ajo mekej për dashurinë e munguar të së ëmës dhe vëmendjen e pamjaftueshme të të atit.

Kështu, mes vuajtjesh e mundimesh të pazakonta për moshën, vajza mbaroi arsimin e  ciklit të ulët.  Tashmë, në horizontin e përhimtë të jetës së saj,  shihte një rreze drite. Të ndiqte shkollën e mesme, që ishte gjysëm ore larg nga fshati. Shpresonte aq shumë në hapësirat e reja që do të sillte ky ndryshim në përditshmërinë prej skllaveje të vogël. Por nuk qe e thënë. Ndonëse me nuanca hezitimi dhe keqardhjeje, i ati ia ndaloi kategorikisht frekuentimin e shkollës. Sipas tij, familja kishte shumë nevojë për kontributin e saj. Varfëria e kishte gjunjëzuar atë burrë, dhe në mënyrë të papërgjegjshme po tërhiqte të bijën në vorbullën e trazuar. Mbi shpatullat e tij rëndonin ende borxhet e pashlyera të parave që kishte shpenzuar për kurimin e gruas së tij të ndjerë. “Hirushja” e vogël ndjehej në faj për këtë barrë që duhej ta mbante e gjithë familja. Mbase i ati kishte të drejtë. Fundja, ajo që kishte futur në borxh familjen, e më pas, për fat të keq kishte ndërruar jetë, ishte nëna e saj. I duhej të pranonte fatin e paracaktuar të një vajze të varfër, që po rritej pa nënë. Ndërkohë që njerka ndihmonte sa mundej të shoqin në punët e bujqësisë, “Hirushja” duhej të kujdesej për vëllezërit, të kulloste lopën aty rrotull, të ushqente pulat e rosat, të mbushte ujë në pusin më të afërt të fshatit……e të tjera……e të tjera……deri sa një ditë….

…….Me krahë të zgjatur nga pesha e kovave, teksa po kalonte në rrugën gjarpërushe të fshatit, u ndesh me zërat e hareshëm të shoqeve të saj, të cilat prej disa muajsh frekuentonin shkollën e mesme. Në shenjë keqardhjeje, ato i ndërprenë të qeshurat, dhe e përshëndetën me dhëmshuri. Sfondi i mëshirës në sjelljen e tyre, zgjoi instiktin e mospranimit dhe të rebelimit. Ishte një ndjenjë e papritur refuzimi që tronditi të gjitha grimcat e shformuara që përbënin jetën e saj. Sakaq, përmes gulçimesh të revoltuara, ajo hodhi tej kovat, dhe ja krisi vrapit në drejtim të kundërt nga ai i shtëpisë.

Iku…. Endrrat e shtypura e shtrënguara si në morsetë, e shtynin pa orientim drejt  kërkimit të diçkaje  ndryshe. Një hap i hedhur kuturu, një vrapim spontan i një vajze të vuajtur, ende të mitur, ishte si të thuash…një reagim.

Iku…. Një orë më pas, po vërtitej në rrugët e qytetit më të afërt.  Nuk njihte askënd. Madje, nuk njihte më as veten e saj. Përmes një pështjellimi që po i zinte frymën, nuk dallonte dot nëse ajo rendje e beftë, pasuar nga ai fluturim i çekuilibruar, ishte e vërtetë, apo vetëm një arratisje imagjinare.

Ashtu, pa kuptuar rrokullisjen e orëve, po afrohej mbrëmja. Ajo filloi të ndjejë frikë. Si nuk e kishte menduar më parë?? Ku do ta kalonte natën?? Më kot ëndërronte se në njërën prej rrugëve që po zbrazeshin gradualisht,  të haste të atin. Më kot priste që t’i ledhatonte flokët, e t’i premtonte se do ta lejonte të shkonte në shkollë, si gjithë shoqet e saj. Më kot…. Asnjë nga burrat që vërtitej në ato rrugë të panjohura, nuk ishte ai.

Ashtu, në gjysëm errësirë, këmbët e çuan pranë një ndërtese të rrënuar, që ndodhej në të dalë të qytetit. E pushtuar nga tmerri i pasigurisë dhe vetmisë, hyri brenda dhe zuri vend mbi disa arka të thyera. Nga dritaret e shqyera pa xhama, përcillej ndriçimi i yjeve, që atë mbrëmje shkëlqenin si asnjëherë. Dukej sikur dëshironin të fashitnin tmerrin e “Hirushes”, dhe t’i bënin asaj pak shoqëri. E zhytur në paqartësi, ndjente t’i zvarriteshin, e më pas t’i bllokoheshin të gjitha mendimet. Ashtu, duke numëruar yjet, e mbledhur kruspull, e mundi gjumi. Bota e ëndrrave e mbështolli në krahët e saj të mahnitshëm……

…me një uniformë shkolle dhe çantë në shpine, nisi të vraponte…..duhej të mbërrinte shoqet që ishin nisur para saj…….ato u ndalën dhe po e prisnin me entuziasëm…….sa shumë e kishin pritur…….teksa nisi të përqafohej përmallshëm me to, magjia mbaroi….

….Ajo hapi sytë dhe ndjeu se po dridhej nga të ftohtit. Më në fund errësira ishte larguar, për t’i lënë vendin mbërritjes së muzgut mëngjesor. Duke lëvizur energjikisht gjymtyrët, doli jashtë godinës dhe filloi të vrapojë për t’u çmpirë sado pak. Kësisoj, arriti të ngrohej disi, dhe u ul mbi trungun e një peme. Mbylli qepallat dhe në luftë me kotësinë, provoi të kuptonte domethënien e arratisë së saj. Ndjehej aq konfuze. Por, për diçka ishte e kthjellët dhe e vendosur. Nuk do kthehej më në jetën e mëparshme prej skllaveje.

Hapja e ditës e riktheu në rrugët e qytetit. Ecte e hutuar ku ta shpinin këmbët. Nuk ishte mësuar të endej mes aq shumë njerëzve. Kishte filluar ta gërryente edhe uria.  Ndaloi para një shitësi ambulant, i cili mesa duket ia kuptoi hallin dhe i ofroi një panine. Pas një hezitimi fëminor, e pranoi, dhe pasi e falenderoi me zë të mekur, u largua duke e gllabëruar atë menjëherë. Herë pas here, ndalej përpara ndonjë vitrine, dhe pastaj sërish nxitonte për të mbërritur askund.

Instikti vetëmbrojtës dhe vëmendja gradualisht e shtuar, e bëri të ndjente se prej mëse dy orësh po e ndiqte një djalë rreth të njëzetave. Ai nuk ngjasonte aspak me princin  që ndoqi e bëri të lumtur Hirushen. Jo, ajo nuk ishte jetimja e vogël e përrallës. Sa herë kthente kokën në krahun e kundërt të rrugës, e shihte atë disa metra larg. Dukej si një gjuetar në kërkim të presë.

Ndonëse ishte një pesëmbëdhjetë vjeçare, e zhvilluar mirë dhe mjaft tërheqëse, ishte e para herë që një djalë i vihej pas. E frikësuar, ajo nisi të vrapojë, me qëllim që t’i humbiste atij nga sytë, madje dhe duke u fshehur pas ndonjë peme, apo pallati. Por, pas disa tentativash foshnjarake, kjo gjë rezultoi e pamundur. Në një rrugë ku lëvizjet ishin më të rralla, ai iu afrua dhe me ton konfident e disi urdhërues, i kërkoi të ndalej……Pas një refuzimi të ndrojtur, ajo qëndroi dhe u kthye në drejtim të tij. E ndjeu se ishte shumë e pafuqishme ta kundërshtonte. Sa do dëshironte që në atë çast të kishte pranë të atin, ose ndonjë të njohur, cilido të qe ai. Por ishte vetëm, në një rrugë pa krye. Djali me pamje prej kokoroshi, me vetësigurinë që të jep përvoja, i shprehu simpatinë për pamjen e saj të bukur….. se ajo meritonte një jetë më të mirë se sorollatja pa kuptim në rrugët e atij qyteti……..me sa dukej bukuroshja ishte në kërkim të një ardhmeje ndryshe…….gjithsesi, e vetme nuk mundej……por ai mund t’ja siguronte atë……

Ndonëse në paqartësi bllokuese për rrugën e panjohur që po i propozohej, pas disa hezitimesh dhe kundërshtish të pafuqishme  “Hirushja” e zënë në çark, u detyrua të pranonte. Me intuitën e saj, ajo kishte kuptuar se nuk mundej të refuzonte. Gjithsesi, ishte mëse e dukshme që ai do ta detyronte atë. Madje dhe me forcë. Arroganca dhe agresiviteti në sjelljen e atij djali ishte i dallueshëm. Atë pasdite e hipi në një makine të mbyllur, dhe ajo ndjeu lëkundjet e një udhëtimi shumë të gjatë. Më pas…..një dhomë në hotel…….persona të panjohur…….sharje dhe fyerje……..veshje ekstravagante…..nxjerrje me detyrim në trotuar…….dhe kontakte të pështira me persona që nuk flisnin shqip………

Kësisoj, “Hirushja” ra viktimë e një skllavërie të re, të cilën as e kishte imagjinuar. Disa përpjekje për t’ja mbathur kishin dështuar, deri sa një ditë, një makinë me fenelina që ndizeshin e fikeshin, e kishte marrë e dërguar në ambientet e një rajoni policie. Vajza e djem me uniformë hynin e dilnin me nxitim. Pyetje, intervista të lodhshme për gjithçka kishte përjetuar në ato tre vite që punonte në rrugë……dhe disa muaj më pas, në shoqërimin e tyre,  rikthim në atdhe…..

……Gjithë këto ngjarje të trishta i kisha mësuar nga relacioni i hedhur në një cep të  tavolinës. Ajo nuk pranon të rrëfejë sërish të njejtën histori rrënqethëse. Gjithçka e shkruar në atë copë letër dhe e firmosur prej saj, shprehte të vërtetat e dhimbshme që  kishte përjetuar.

Vërtet jeta është një mister që lundron mbi valë të papriturash??  Nuk e di. Në rastin e asaj fatkeqeje, gjithçka dukej mizorisht e paracaktuar. Një dhimbje që përplasej e përpëlitej në udhëkryq.  Bashkëudhëtare  fatkeqe me vuajtjen e shfrytëzimin.

Disa orë më pas, ajo u largua nga ato ambiente. Në mungesë totale të mbështetjes psikologjike dhe financiare të institucioneve të shtetit, një krijesë e pafat do të humbiste sërish në labirintet e frikshme të jetës, asaj të padrejtës, asaj gllabërueses, viktimë e së cilës është dhe ajo vajzë e heshtur e zemërvrarë.

Si për ironi, nga salla hotelesh luksoze, mbërrinin çdo ditë mesazhe hipokrite në mbrojtje të “Hirushes”, dhe gjithë vajzave të tjera që kanë patur fatin e saj. Përveç shumave marramendëse që përfundojnë në xhepat e “kukullave të pispillosura të shoqërisë civile”, asnjë ndikim stimulues  nuk kanë të tilla spekullime në jetën e tyre. “Hirushet” ishin dhe mbeten viktimë e varfërisë, injorancës, babëzisë, demagogjisë së pushtetit banditesk, dhe cinizmit të kohës që jetojmë.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Hirushja” e pafat, Alma LIÇO, e kohës sonë

FRANCA REPUBLIKANE SHPETOI BASHKIMIN EUROPIAN

May 16, 2017 by dgreca

1-Repishti-300x212

Nga Sami  Repishti */  Ridgefield, CT. USA.- Të dielën, 7 maj 2017, Franca votoi për zgjedhjet presidenciale. Në mes të dy kandidatëve, Emmanuel Macron, europianist, dhe  Marine Le Pen, populiste , francezët zgjodhën të ardhmen e vendit tyne në kuadrin e Bashkimit Europian. Fitorja e tyne konsiderohet si fitorja e njerëzimit në botën mbar, sepse përveç premtimeve që frymëzojnë, kjo fitore u ba pengesa kryesore e përhapjes së nji lëvizje populiste, regresive që përfshiu Europën dhe SHBA-në gjatë vitit të kaluem. Unë e quej këte: nji fitore kundër neo-fashizmit që ngren kokën me paturpësi. Fitorja e Macron kuptohet edhe si fitorja e arsyes mbi pasionin e smurë që krijoi vala mbytëse e nacionalizmit të egër e agresiv në Europë.

   Tashti, kjo fitore do të përballohet me programin e mbrendshëm që synon rimëkambjen ekonomike të vendit, shkurtimin e buxhetit të Shtetit, rishikimin e legjislacionit të kodit të punës, përkrahjen e fuqishme të arsimit sidomos në zonat e “harrueme” dhe përkrahjen financiare të klasës së mesme, të pavarun nga shteti në tregëtine e tyne, e profesionistëve në mes tjerash.

   Kjo fitore ngren dukshëm edhe rolin e grues franceze në jetën publike. Nga 577 kandidatët e partisë së re të Macron, “En marche!” (Përpara!), gjysma janë gra ose fëtyra të reja në politikën e vendit.. Lufta për punësim sa ma të plotë zen vendin e parë. Natyrisht, synohet forcimi i ekonomisë franceze për konkurrencën botënore që imponon globalizmi.

  Roli i Presidentit në Francë ashte shumë i fuqishëm, por varet edhe nga përkrahja e Parlamentit (Asambleja Kombetare) e cila zgjidhjet me 11 e 18 qershorin  që vjen.

  Ajo që bien në sy ashtë qendrimi “anti-establishment” nji nevojë urgjente për ndryshim. Figura të njohuna në jetën politike franceze nuk u votuen, dhe ata që kandiduen për president humbën randë. Për herë të parë në ma shumë se 50 vjet asnji nga partitë tradicionale nuk u paraqit në rundin e dyte elektoral.

  Ky fenomen ashtë i përgjithshëm: masat votuese janë lodhë me figurat politike që hypin e zdrypin, premtojnë e nuk përmbushin, dhe që janë të shterruem për ide të reja, për ballafaqim me botën që ec përpara e me problemet e ditës, gjithëherë të reja. Ka nji pakënaqsi për legjislacionin e B.E. dhe falimentimin e përgjithshëm europian me përballue problemet e imigracionit dhe kontrollin e kufinjve. Kjo hapje e Europës për të gjithë botën nuk ka pasë sukses të plotë –me përjashtim të Gjermanisë së Kancelares Merkel, figura dominante europiane.

   Para nji situatë të këtill, çdo qytetar francez u detyrue me ekzaminue ndërgjegjen e vet: abstenimi në votim nuk ka vend, as justifikim. Kambëngulja e Macron në favor të forcimit të B.E. garanton nji të ardhme ma të mirë, ndërsa “fitorja e Le Pen don të thotë katastrofë për Europën dhe botën mbar!” shkruente Nobelisti Paul Krugman. Nji tjetër analist, Roger Cohen, shton “Macron mbetet shpresa ma e mirë për Francën, për Europën dhe për nji shoqëni civile të qytetnueme franceze. Franca e pranoi sfidën e madhe. Europa e Bota e Lirë e falënderojnë!

   Sa mundësi ka Presidenti Macron me përmbushë premtimet e dhanuna, në nji vend të ndamë nga retorika brutale e zgjedhjeve presidenciale? Kandidatët sulmuen njeni tjetrin dhe ofenduen me shprehje të pa pranueshme. Për ma tepër, fushata elektorale e Macron u sulmue “në mënyrë masive dhe të koordinueme”nga nji operacion “hacking” me potencial shkatërrimin dhe  destabilizmin e demokracisë së vendit nji ditë para votimeve. Kjo ofensivë ngjau edhe kundër SHBA-së në favor të Presidentit Trump, dhe kundër kandidates H.Clinton – e që ishte përqendrue ”…me mbjellë dyshim dhe desinformim”. Ma vonë u zbulue se operacioni ishte koordinue nga rusët që veprojnë nga qendra APT28, e njohun për spiunazh kundër NATO-s.

  Këtu në SHBA, njohim shumë mirë këte situatë të rrezikshme dhe të vështirë me u tejkalue, sidomos kur elektorati humbë besimin në klasën politike të vendit. Për ma tepër, preferenca e votuesve francez –simbas shtypit – ka nji peshë që kalon kufinjtë e vendit. Nji tërheqje nga B.E. ashtu si kërkon Le Pen do të shenonte nji goditje shumë të randë, ndoshta fatale për të gjithë projektin europian të bashkimit, dhe për të gjithë demokracitë perendimore, si dhe do të lehtësonte edhe nji terheqje të Europës drejt nji nacionalizmi të ngushtë. Nji zhvillim i këtill do të ndikonte thellë zhvillimet edhe në Shqipëri, kandidat për anëtarsim në B.E., solucioni ma i mirë –ndoshta i vetëm!- për vendin tonë dhe Republikën e Kosovës.

   Gazeta prestigjoze amerikane The New York Times e sintetizon kështu fitoren e Z. Emmanuel Macron: “ Ballafaqimi në zgjedhjet presidenciale të Francës tejkalon kufinjtë e politikës kombëtare. Ai ballafaqim tregoi dualizmin: globalizëm versus nacionalizëm. E ardhmja versus e kaluemja. E hapuna versus e mbylluna…. Rezultati i detyrohet edhe frikës së popullit francez nga nji lloj populizmi që përmbysi politikën e Britanisë së Madhe (Brexit) dhe atë në SHBA (Trump)”.

   Në rastin e kundërt, dalja e Francës nga B.E. e heqja dorë nga monedha “euro” mundson vdekjen e idesë së bashkimit ekonomik të Europës, kontinent që doli i përgjakun nga L2B. “Franca ka qenë anëtare themeluese e B.E. dhe forca nxitëse krysore, së bashku me Gjermaninë, ish rivale e saj. Efektet e daljes nga B.E. ndjehen përtej kufinjve të Europës, në zonat pa stabilitet politik, në tregjet botënore, si dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,” shkruen shtypi francez.

   Roger Cohen shprehë admirimin e tij që “Franca qendroi me dinjitet kundër sulmeve terroriste, frikës dhe çmendurisë së ISIS, (që kercënoi me vdekje të dy kandidatët). Ajo doli ma e fortë, e ma dinjitoze….Dueli politik tregon se Franca me Presidentin e ardhshëm Z. Macron po lufton me mbrojtë vlerat themelore të republikës, se mbron Francën nga rreziku i ramjes nen presionin e turpit populist. Ajo mbron idealet e nalta dhe aspiratat e trashëgueme nga Revolucioni (i vitit 1789): Liri, Barazi, Vëllaznim. Franca refuzoi të flliqet me populizëm”. Ai vazhdon: ”Si mund të zgjidhej Le Pen që urren imigrantët, e sidomos myslimanët francez, që kundërshton B.E. i cili nxori Europën nga ditët e zeza të grindjeve nacionaliste, e pozicionimeve autokratike, ksenofobike, me degët e saj në Moskë, Ankara e Washington, nji përkrahëse e nacionalizmit racist ‘Franca mbi të gjitha’ dhe përfundimin drejt nji konflikti, në ‘luftë’ simbas ish Presidentit F.Mitterand”?.

  Andrra e Robert Schumann, Konrad Adenauer, dhe Alcide de Gasperi mbijetoi!

******

  B.E. nuk ashtë zhvillue në nji vijë të drejtë. Ka pasë të meta dhe shpërdorime, por esenciale ashtë se ka sigurue nji Europë në paqë, demokraci, prosperitet ekonomik dhe të bashkueme. Ky ashtë sukses i madh për nji kontinent që u shkatërrue nga dy lufta botënore mbrenda nji çerek shekulli.

  Në Francë, p.sh. papunësia ka arrijtë në 10.1 % kurse për rininë nën moshën 30 vjeçare ashtë 23.7 %. Forca përtej mundësisë së Francës me kontrollue –byrokracia në Bruksel mbajtja nën kontroll e euro-s pa kujdes për damet e bamë në disa shtete nga Banka Qendrore Europiane, ernat e zeza të globalizmit në disa zona- kanë krijue nji atmosferë anmiqsore kundrejt B.E. Megjithate, Franca ka gëzue statusin e nji modeli social të admirueshëm. Afer 57 % e Prodhimit të Përgjithshëm të Mbrendshëm shpenzohet për mirëqenjen e shëndetin e popullit, por detyron Francën me qenë e dyta në listen e taksave të randa….

   Atëherë cila ashte perspektiva e B.E. për të ardhmen? Në nji analizë të studjuesit Robert D. Kaplan (autor i librit “Hijet e zeza të Ballkanit”) Franca, Holanda dhe Gjermania janë tre shtetet që kanë përba “The Holy Roman Empire” (Perandorinë e Shenjtë Romane) të Karlit të Madh (Charlemagne), në vitin 800, dhe sot janë akoma shtetet ma të pasuna me institucionet ma të forta  të Europës. Besohet se “sekreti” ka qenë ruejtja dhe forcimi i “klasës së mesme” në shoqëni. Pasunia prrallore dhe vorfënia janë shikue si “të padëshirueshme”, natyrisht të influencuem nga etika kristiane. E kundërta ngjau me perandorinë bizantine dhe ma vonë otomane, shkruen Kaplan. Ish vendet nën sundimin e tyne janë akoma sot ma të vorfënat, ma të pa qëndrueshmet, dhe gjithnji në nevojë të ndihmës nga B.E.“

   Kjo gjendje për B.E.  do të krijojë mundësi që ndihma të ofrohet edhe nga Rusia ose nga Turqia, dy vende me ambicie politike në Ballkan. Pakë ditë ma parë, ambasadori rus pranë B.E. në Bruksel deklaroi se B.E. dhe NATO nuk janë alternativat e vetme për shtetet europianë, deklaratë kjo që len të kuptohet se edhe Rusia ashte nji alternativë e dytë. Kjo ka qenë deklarata ma e fortë deri tashti kundër organizmit politik të tanishëm të kontinentit europian.

  Fatmirësisht, përgjegjen e parë e të plotë e ka dhanë nji shtet sllav, Maqedonia. KM Zoran Zaev, deklaroi para disa ditëve “Le të dijnë miqtë nga Rusia se për të gjithë Ballkanin perendimor dhe Maqedoninë vendi i jonë ashtë në B.E. dhe NATO”. Nji pikëpamje e këtill mbretnon edhe në Shqipëri e Kosovë, fatmirësisht.

  Kaplan deklaron: ”Pa B.E. të fortë do të kemi nji konflikt në Ballkan”. Që tani shofim shenja të disa vendeve të Europës lindore që po rrëshqasin në rregjime autokratike që i ngjasin ma shumë Rusisë se B.E. Në Turqi, KM.Erdogan mbas fitores elektorale nuk vizitoi varrin e Ataturkut, nji traditë shumë dekadash, por varrin e Sulltan Mehmetit II, që pushtoi gjysmën e Ballkanit, tue përfshi edhe Shqipërinë. Simbolika e nji gjesti të këtill nuk kalon shpejt dhe pa rrjedhime. “Vetëm në se Serbia, Kosova dhe Shqipëria –shkruen Kaplan -anëtarësohen në B.E. krijohen mundësitë që grindjet në mes serbëve dhe shqiptarëve të zgjidhen përfundimisht….Në B.E. Shqipëria dhe Kosova nuk e ndien nevojën për ‘bashkim’ me inisiativën e tyne, sepse nji akt i këtill ashtë nji ‘casus belli’ për Serbinë. Vetëm kështu mund të kemi paqë në ish Jugosllavinë”.

  B.E. ashtë kryesisht nji ide: bashkim dhe bashkëpunim në mes të shteteve pa humbë sovranitetin shtetnor. Nji fazë e re hapet në historinë e Europës. Nga afrimi në mes të shteteve të ndryshëm në nji sistem legalisht të formuem, në vend të shteteve/kombeve të izoluem, me ligjëshmëni e frazeologji të përbashkët, dhe mbrojtjen sidomos të individit, përbajnë nji hap cilësor përpara në marshin europian drejt lirisë dhe sigurimit kolektiv.

“B.E. ashtë perandoria e nevojshme” përfundon Kaplan. Dhe këtu qendron edhe gëzimi i jonë për fitoren e europianistit Emmanuel Macron si president i Francës europiane.

********

  Me 2 maj, në Columbia University (N.Y.) u mbajt nji tubim shkencor “Open Discussion” ku folën ekspertë të problemeve ballkanike. Merrnin pjesë edhe shumë ambasadorë të vendeve ballkanike, si dhe ato të Shqipërisë dhe Kosovës. Seanca u zhvillue në International Affairs Building, dhe u kryesue nga David L. Phillips. mik i shqiptarëve dhe sidomos i Kosovës. I ftuem, mora pjesë edhe unë.  

   Nji angazhim ma i madh dhe ma konstant i politikës amerikane në Ballkan ishte pika qendrore e diskutimeve. Nji nga folësit, Dr. Florian Qehaja, i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, nji i ri premtues, foli për efektet negative të qendrimit paternalistik që çfaqë Rusia ndaj Ballkanit dhe rrezikun real që vendet e Ballkanit ballafaqojnë. Nga diskutimet doli se kercënimi ma i madh vjen nga nji kombinim i politikës agresive të Serbisë (“që kërkon të bashkojë të gjithë popujt sllavë në nji Serbi të Madhe” (Sonia Biserko, në TV N1 të Beogradit) me atë të Rusisë së Putinit në pengimin e forcimit të shtetit të Kosovës, B.-H, Malit te Zi e Maqedonisë, pika sensitive dhe subjekte për sulm. Ballkani po radikalizohet nen presionin e influencës ruse, theksuen folësit. Lidhjet politike, kulturore e fetare të Rusisë me vendet ortodokse në Ballkan rrisin afinitetin në mes të dy palëve dhe në dam të pavarësisë së shteteve ballkanike. Baza e spiunazhit rus ne Nish- vetëm 35 km larg nga kufini i Kosovës dhe provokimet e vazhdueshme janë piketat e nji strategjie ma të gjanë. Në Serbi, 36 % e ushtarakëve janë pro-rus të deklaruem.

   Folësit diskutuen edhe “për influencën ruse në Shqipëri” dhe elementin fetar ekstremist, tue iu referue deklaratave të Ministrit të PJ të Shqipërisë: “Rusia nuk duhet shikuar si armike….”.

   Si përfundim: duhet rritë angazhimi amerikan në Ballkan para se të krijohet nji rrezik serioz për të ardhmen e gadishullit.

    Uroj që situata të këtilla kercënuese të shërbejnë si paralajmërime dhe me bindë grupet politike për nji bashkëpunim në mes tyne e në shërbim të interesave të atdheut tonë të përbashkët.

================================================================

* Ish student-bursist i Universitetit të Parisit, (1970-71)

Filed Under: Opinion Tagged With: BASHKIMIN EUROPIAN, FRANCA REPUBLIKANE, Sami repishti, SHPETOI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 489
  • 490
  • 491
  • 492
  • 493
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT