• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FYTYRA E RE E CENSURËS SË SHTYPIT

May 1, 2017 by dgreca

2C7523B84913461DA081C6E23A217E6E

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit/

  Nga Frank Shkreli/

Çdo vit, 3 Maji shënon ditën kur mbarë bota kujton parimet themelore të lirisë së shtypit.  Është gjithashtu një rast për të vlerësuar lirinë e shtypit në vende të ndryshme të botës. E caktuar si e tillë nga Kombet e Bashkuara, në këtë ditë, në mënyrë të veçantë, mbrohet media nga sulmet që i bëhen pavarësisë së shtypit, nga qeveri dhe grupe të ndryshme terroriste.  Këtë ditë, kujtohen gjithashtu edhe gazetarët të cilët, anë e mbanë botës, kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Sipas një njoftimi të UNESCO-s, tema e këtij viti për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit është: “Mendjet kritike për kohëra kritika: Roli i medias në avancimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirse”, ndërkohë që thuhet se pjesëmarrësit në aktivitete të ndryshme botërore do të shqyrtojnë edhe sfidat me të cilat përballet media sot, përfshirë prirjet e vazhdueshme anë e mbanë botës për të sulmuar gazetarët kudo.

Ndërkaq, në këtë ditë kushtuar lirisë së shtypit në botë, sulmet kundër atyre që furnizojnë publikun me informacione si dhe censura e lajmeve anë e mbanë botës kanë arritur nivele të reja dhe komplekse, falë teknologjisë së re informative.   Ky është vlerësimi i raportit vjetor të  Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve mbi lirinë e shtypit në botë.  Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) me qendër në Nju Jork, është një ent i pavarur, jo fitim prurës që kujdeset për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë. Raporti “Sulmet Kundër Shtypit: Fytyra e re e Censurës së Shtypit”, është një përmbledhje e gjithanshme mbi lirinë e shtypit anë e mbanë globit. Në raport, gazetarë dhe ekspertë të medias shqyrtojnë abuzimet e reja ndaj lirisë së medias dhe ekspozojnë vendet të cilat, pa asnjë ndëshkim, shkelin lirinë e shtypit.  Përveç kësaj, në raportin e këtij viti të KMG-ës, ekspertë të ndryshëm ofrojnë zgjidhje të mundshme për këto abuzime, përfshirë këshilla se si të mënjanohet censura, si të garantohet siguria e gazetarëve dhe e burimeve të tyre, dhe ofron mënyra se si të luftohet pushteti kur kërkon të shuaj kritikat e shtypit me mënyra të ndryshme, me qëllim për të venë në dyshim edhe kredibilitetin e medias në përgjithësi.Në raportin vjetor të KMG-ës — i cili u shpërnda të martën, njëkohësisht, në Universitetin Oksford nga Instituti Reuters për Studimin e Gazetarisë në Angli dhe në Universitetin Kolumbia në Nju Jork — thuhet se megjithë shpresat që ofron teknologjia e re informative, qeveritë, aktorë jo-qeveritarë dhe korporata të ndryshme në mbarë botën, po censurojnë masivisht përhapjen e lirë të informacionit duke përdorur taktika të ndërlikuara dhe tepër të sofistikuara.    Raporti i vitit 2017, Sulmet ndaj Shtypit, me nën titull Fytyra e Re e Censurës, nënvijon një numër metodash që  faktorë të ndryshëm, përdorin për të kontrolluar përhapjen e lirë të lajmeve dhe të informacionit, përfshirë trysnitë financiare ndaj gazetarëve si individë dhe ndaj botuesve të gazetave dhe agjencive të lajmeve si ente të tilla,  duke përdorur njëkohsisht lloj lloj ligjesh, me qëllim për të shkurajuar kritikat ndaj qeverive dhe aktorëve jo-qeveritarë që mund të jenë bashkpunues me qeverinë.Në raport përfshihen artikujt e nja 20-gazetarëve dhe ekspertëve të njohur botërorë, përfshirë gazetaren e njohur amerikane Christiane Amanpour, të cilët dokumentojnë ato që ata cilësojnë si fytyra të reja dhe alarmante të censurës, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga aktorë dhe ente jo-qeveritare anë e mbanë botës.  Christiane Amanpour paralajmëron edhe gazetarët amerikanë në lidhje me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e lirisë së shtypit në vendin e tyre, ndërkohë që shkruan mbi rritjen e dukshme të sulmeve kundër gazetarëve, anë e mbanë botës.  

Ndër ekspertët e lirisë së fjalës dhe të shtypit në botë që ka shkruar një artikull në Raportin Vjetor të (KMG-ës), të këtij viti mbi sulmet kundër lirisë së shtypit, është edhe David Kaye Reporteri i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e të Drejtës për Lirinë e Mendimit dhe të Shprehjes. Në kapacitetin e tij, si përfaqsues i organizatës botërore, u hedh një vështrim ligjeve dhe institucioneve që, sipas tij, po luftojnë në  mbrojtje të lirisë së fjalës, në mbarë botën.

Duke njoftuar botimin e Raportit vjetor mbi lirinë e shtypit në botë, Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon u shpreh se ai që e quajti si, “Mjedis jo-miqësor për gazetarët, shkaktuar nga retorika pas-zgjedhore e Donald Trump-it president, ka ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara”, por shtoi se, “Gjendja e lirisë së shtypit në pjesën tjetër të botës është shumë, shumë më e keqe dhe tepër shqetësuese.  Ndërsa kemi aq shumë informacion në dispozicionin tonë, mungesa e njohurisë dhe e lajmeve të vërteta mbi ato që po ndodhin në botë, sa vjen e shtohet për ditë, si rrjedhim i sulmeve të egëra e të dhunëshme kundër medias dhe si përfundim i përdorimit, nga qeveritë, të sistemeve të reja kontrolluese të informacionit dhe teknologjisë, me qëllim për të censuruar dhe për të përgjuar median dhe gazetarët.”  Ai shtoi se, si rrjedhim, përpjekjet për të shtypur lirinë e medias në përgjithsi po bëhen më të ndërlikuara dhe më të përhapura se kurdoherë tjetër më parë.
Mendohej se teknologjitë e reja, siç është interneti global, platformat e ndryshme të medias shoqërore, telefonat e dorës me kamera e të tjera, do ta bënin të pamundur censurën nga ana e qeverive të ndryshme, por në vend të kësaj teknologjia modern e ka bërë censurën më të komplikuar dhe shumë më të sofistikuar, duke i dhënë censurës së shtypit një fytyrë të re.  Sipas KMG-ës, këto strategji të reja të censurës teknologjike kanë kontribuar dukshëm në rritjen e numrit të gazetarëve të vrarë dhe të burgosur anë e mbanë botë, duke llogaritur se në fund të vitit që kaloi kishte shënuar 259 gazetarë të burgosur, që thuhet se është numri më i madh i gazetarëve të burgosur që është dokumentuar ndonjëherë nga kjo organizatë.   Përveç qeverive autoritare që përdorin teknologjinë e re për të censuruar shtypin, janë edhe forcat e dhunës dhe ato terroriste – përfshirë militantët islamik e deri tek grupe kriminale të drogave – të cilat po përdorin tenologjinë e re të informacionit për të anashkalur median e rregullt dhe për të komunikuar drejtë për drejtë me publikun. Në të vërtetë, teknologjia e re, përveç anës negative të censurës ka edhe anën pozitive.

Teknologjia e re e informimit sfidon gjithashtu edhe qeveritë autoritare anë e mbanë botës, të cilat janë përpjekur, në të kaluarën, që të kontrollojnë përhapjen e lajmeve publikut, nepërmjet kontrollit të drejtë për drejtë të medias. Çdo njëri me telefon dore mund të shërbejë si gazetarë dhe si të tillë janë shumë dhe e bën të vështirë arrestimin e të gjithë atyre nga qeveritë autoritare, thotë enti për mbrojtjen e gazetarëve, KMG.

Cila do qoftë fytyra e re e censurës në ditën botërore të lirisë së shtypit këtë vit në indeksin e saj vjetor për 2017, organizata mbështetse e medias së lirë, “Gazetarët Pa Kufij”, konstaton se vitin e fundit është rritur dukshëm numri i vendeve ku gjëndja e lirisë së shtypit është përkeqësuar jashtzakonisht shumë. Harta që tregon lirinë e shtypit anë e mbanë botës po bëhet gjithnjë e më e zezë thotë ky ent ndërkombëtar për mbrojtjen e fjalës së lirë.

Ndërkaq, edhe organizata Freedom House, sipas raportit të saj mbi lirinë e medias në botë njoftoi gjithashtu disa ditë më parë, se vjen në të njëjtin përfundim se liria e medies anë e mbanë botës ka rënë në pikën më të ultë në 13 vitet e fundit për shkak të kërcënimeve të pashembullta ndaj gazetarëve dhe organizatave mediale, ndërhyrjeve të shtuara të vendeve autoritare dhe veprimeve të Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin e tyre përtej kufijve të vet.Në raportin e Freedom House, thuhet mëtej se vetëm 13 për qind e popullatës në botë gëzon medien e lirë, që do të thotë në vende ku përkatësisht ekziston një mjedis ku mbulimi i lajmeve politike është i fuqishëm, siguria e gazetarëve është e garantuar, ndërhyrja e shtetit është minimale dhe shtypi nuk është subjekt i presioneve të rënda ligjore dhe ekonomike.  Në raportin e Freedom House theksohet se 42% e popullësisë në botë gëzon një medie me liri të pjesshme, ndërkohë që 45% e popullësisë botërore jeton në vende pa liri të shtypit.  Shqipëria dhe Kosova, fatkeqsisht mbeten ende në radhët e vendeve me liri të pjesshme të lirisë së shtypit.

Filed Under: Opinion Tagged With: E CENSURËS, Frank shkreli, FYTYRA E RE, SË SHTYPIT

Një majët tona

May 1, 2017 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Sikur nuk më besohet që, qysh nga përmbysja e Diktaturës kaloi një çerek shekulli. Ata që u lindën atë dhjetor të ’90-s, jane tashmë 27 vjeç. Kur i kujtoj ato ngjarje, të para-pluralizmit, aq fort janë ruajtur në kujtesë, sa më duket sikur kanë ndodhur dje. Jam gati t’i riprodhoj me hollësitë më të vogla. Kjo, jo aq për meritë të kujtesës sime se sa për të veçantën që patën ato dhe për ndikimin që ushtruan në ngjizjen e personalitetit tonë.

Rri e mendoj për të lindurit e pas-Diktaturës…Madje, një pjesë të tyre tashmë as që mund t’i quash më të rinj. I kam zili ata që po i gëzohen një sistemi krejt tjetër, edhe pse akoma jo plotësisht i lirë e demokratik, siç pandehëm në ato ditë të paharruara, përderisa nuk ke të siguruar minimumin e të ardhmes tënde por rron me frikën se ç’do të sjellë e nesërmja. Sidoqoftë, të paktën ata kanë shpëtuar nga shumë telashe apo dhe marrëzira që kemi përjetuar ne që lindëm në ato vite kur po hidhte shtat Diktatura. Ka aq shumë për të treguar, sa që s’do  të mjaftonin vëllime të tëra apo, parë ndryshe, kishte aq shmë marrëzira e budallallëqe sa që s’di se kë të tregosh më parë. Me që është një maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, le të merremi me atë kësaj radhe.

Eh, ç‘kemi hequr ne të gjorët sa herë që vinte kjo datë e shënuar, qoftë kur ishim të vegjël apo dhe më pas kur u rritëm e nisëm punën! Duhet të grumbulloheshim shumë orë përpara diku. Prit e prit atje deri në stërmundim, sa të na jepej njoftimi për të lëvizur. Se a e dini ç’ndodhte? Nëse manifestimi ishte planifikuar për në orën dhjetë, komiteti i partisë së Tiranës, udhëzonte komitetet e partisë së rajoneve që të fillonte grumbullimi i njerëzve të paktën një orë përpara. Komitetet e rajoneve, për të qënë të sigurt, porositnin organizatat bazë të ndërmarrjeve, shkollave apo dhe lagjeve që të nisnin përgatitjet edhe një orë më herët. Por, marrëzia e asaj dite nuk mbaronte as këtu: sekretarët e organizatave, që mos të kishin telashe me vonesa apo mungesa të mundëshme, i porosisnin punojësit, nxënësit apo banorët e lagjeve që të grumbulloheshin edhe një orë më herët. Kjo nuk është fantazi, por një përjetim personal, qoftë si nxënës, student apo punonjës. Pra, të gjorët njerëz duhet të zgjoheshin e shumta në gjashtë të mëngjezit për të qënë në rregull me paraqitjen për manifestim.

Mbasi grumbulloheshim tek vendi i caktuar, fillonin orët e pritjes, deri sa të na vinte radha për të ecur drejt tribunës. Qe e tmerrshme, mund të prisje një apo dhe dy-tre orë, varej nga vendi ku banoje dhe ku ishte pika e takimit. Ndërkohë, nga gjithë kjo, kishe filluar të ndjeheshe i lodhur. Kur e them unë këtë që, në ato vite, isha relativisht i ri, mendo për veteranët e të moshuarit e lagjeve se ç’hiqnin. E si të mos mjaftonte tërë kjo, duhet të tregoheshe sa më në formë e i qeshur, i gëzuar, entusiast e të brohorisje me sa fuqi kishe për Partinë e Punës dhe shokun Enver, për ditët e lumtura që po përjetonim, paçka se mezi ngopnim barkun me bukë, se dyqanet ishin bosh e se çdo gjë qe e racionuar e me lista. Ngurimi më i vogël për t’i kryer tërë këto, mund të të hapte aq shumë telashe në mos dhe mund të shërbente si zanafilla e ndonjë procesi apo dosjeje, siç edhe ka ndodhur në jo pak raste. Kuptohet që vështirësitë shumëfishoheshin po të qe mot i keq e me shi, siç edhe më ka rastisur mua disa herë.

Nga pritja e gjatë dhe lodhja deri në stërmundim, ndodhte që të prishej komplet shfaqja. Jo vetëm që njerëzit dukeshin të raskapitur e shpirt-plasur por prisheshin radhitjet, krijoheshin hapësira boshe që e kthenin parakalimin në një lëvizje grupesh të pa organizuara. Autoritetet e qytetit i zinte frika e ndëshkimit. Më kujtohet një vit që zbriti nga tribuna vetë sekretari i parë dhe antari i Byrosë, Manush Myftiu dhe tepër i egërsuar na bënte thirrje që të shpejtonim e të kapnim ata që kishim përpara e që na kishin lënë pas.  

Manifestuesit, përgjithësisht, mund të klasifikoheshin në disa kategori. Kishte të sinqertë që i gëzoheshin me të vërtetë ballafaqimit me udhëheqësin e shquar të popullit dhe mezi e prisnin një ditë të tillë. Nuk e tepëroj po të them se ata duartrokisnin e brohorisnin sa lodheshin e këputeshin, iu skuqeshin duart nga përplasja dhe do iu duheshin disa ditë që të merrnin veten. Ma merr mendja se një fakt i tillë mund t’iu duket i ekzagjeruar disave, por unë kam njohur disa syresh. Kush nuk beson, le të rrëmojë në kronikat e filmuara dhe do të bindet. Të tjerë e kishin bezdi e shkonin në to vetëm që të mos kishin pasoja. Një grup tjetër nuk e fshihnin se jo vetëm që nuk donin të shkonin por edhe e urrenin një manifestim të tillë, pra as që donin t’ia shihnin surratin atij që na kishte katandisur në atë derexhe. Unë kam njohur nga të gjitha këto grupe, tjetër punë se nga vigjilenca e sigurimsave nuk guxonim të prononcoheshim krejtësisht me njeri tjetrin. Për hir të së vërtetës duhet të pranoj se kishte kalime nga njeri grup në tjetrin, siç kishte ndodhur dhe me mua vetë. Pse ta fsheh: kur ishim të vegjël, e quanim si ëndërr që të shihnim direkt xhaxhi Enverin. Por, me kalimin e viteve kalova në grupin e dytë apo dhe në të tretin fare.

Ja disa episode që më kanë ngelur në mendje nga ato “ditë entusiaste”.

Njerin nga këta një-maje, kur isha nxënës në Politeknikum, e kalova me inxhinierin e njohur e të nderuar Andrea Xeka, që  kishte studjuar në Francë e, logjika ma thotë se do ta ketë njohur dhe direkt të madhin e vendit para të cilit tani i duhej të parakalonte. Por, fati i tyre qe krejt i ndryshëm: ndërsa xhaxhi Enver po i gëzohej pozicionit të numurit një të shtetit, inxhinieri i nderuar, vetëm pak vite pas Luftës, u fut në burg si kundërshtar i regjimit, në mos gabohem me Grupin e Deputetëve. Pasi u lirua, e sollën në Politeknikum e na jepte disa lëndë që lidheshin me minierat. Leksionet e tij qenë, pa asnjë diskutim, nga më interesantet se i pasuronte me shifra e fakte që dilnin dhe jashtë temës. Unë për të ruaj respektin më të madh. Por, të kthehemi tek një maji i atij viti. Binte shi, disa herë me gjyma. Ne s’kishim as çadra, por rraseshim diku apo dhe nën ombrellën e inxhinierit që tregohej aq i dashur me të gjithë. Më në fund na erdhi radha për të parakaluar. Ne ngrinim flamurkat apo banderolat që na kishin dhënë. Por më është fiksuar në mendje portreti i inxhinierit të nderuar kur kaluam para tribunës. Nuk e fshihte mllefin që ndjente, sado që u përpoq të tregohej korrekt. Ndryshe nga të tjerët, hodhi një vështrim nga tribuna, sa për të bërë borxhin dhe vazhdoi ashtu i qetë e fytyrë-vrenjtur. Mbase kjo do kishte kaluar pa u regjistruar në mendjen time, sikur “vigjilentët” e vegjël, që ishin rekrutuar që në atë moshë, informuan se “profesor Andrea” nuk kishte brohoritur e nuk qe treguar entusiast”. Na thirrën dhe ne të tjerëve e na pyetën si me marifet. Unë pohova atë që kisha përjetuar, se kishim kaluar shumë mirë e inxhinieri na kishte mbrojtur nga shiu e na kishte mbajtur me biseda interesante për të mos u mërzitur gjatë pritjes. Kur e mora vesh se përse po na pyesnin, ndjeva neveri për ata që merreshin me këtë punë por sidomos për “vigjilentët” e klasës, informatorët e ardhshëm.

Kur isha në Universitet, kishim mes nesh dhe studentë kinezë. Edhe ata mezi prisnin Një Majin që të shihnin “luanin e Europës”, siç e quanin udhëheqësin tonë, pas Maos, që i jepnin vendin e “luanit të Azisë”. Besoj se moshatarët e mij nuk e kanë harruar këngën e njohur se “dy luanë ka sot bota, një Asia e një Europa”. Tek unë kishte filluar procesi i distancimit, pra kalimi nga grupi i parë në të dytin: manifestimet më bezdisnin. Me që e kisha rregulluar me kujdestaren e klasës dhe sekretarin e rinisë, që të mos më vinin mungesë, vendosa të mos shkoja. Atë ditë, pra, më një maj, kur të gjithë po përgatiteshin si për festë, me ato që kishin, unë vazhdoja të pushoja për qefin tim. Kur Kuoja, studenti kinez, vuri re se nuk po përgatitesha si të tjerët, më pyeti i habitur: “Pse nuk po çohesh e të bëhesh gati?”. “Unë nuk do vij…” – i thashë. Ai u tmerrua e nuk po iu besonte syve. “Ti nuk do vish në manifestim?” – përsëriti ai, nga që i dukej e pabesueshme”. Dhe nuk shkova, siç bëra shumë herë edhe në vitet në vazhdim, duke iu shmangur me kujdes pasojave të mundëshme.

Manifestime e parada ka pasur e ka kudo në Botë, edhe këtu në Nju York, nga më të ndryshmet, por ato nuk kanë asgjë të përbashkët me “një majet” tona, siç u përpoqa ta shtjelloj më sipër. Këto radhë nuk i shkruajta thjesht për të kënaqur një kuriozitet, por se marrëzira si ato gjallojnë akoma, jo vetëm në Korenë e Veriut por edhe gjetkë. Duartrokitës e brohoritës entusiastë, që ngjiren nëpër mitingje, për t’iu bërë qefin shefave partiakë, gjen me bollëk edhe tek ne. Ndjehem keq kur i shoh e i dëgjoj dhe më kap trishtimi kur mendoj se ata që iu gëzohen këtyre marrëzive të turmave kanë në dorë fatet e vendit.

Nju York, 30 prill 2017.

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, Një majët tona

Sot jam më shumë se kurrë opozitar

April 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

E kam me ditur me kohë që në Shqipëri janë një shpurë e tërë me lugët në brez. Një shpurë që sado traditës, erzit të fiseve. Në lagje qytetesh. Në mbarë vendin. Sado përpjekjes për të qënë fisnik. Ose model i urtësisë për brezat.

Tradhtohen menjëherë.
Jo nga kush! Jo, jo! Tradhtohen, prej vetvetes.
Sidomos kur mbajnë mikrofonin. Apo kur përpiqen të flasin me fjalë të mëdha. I mundën të vdekurit. Kanë kulturë me shumicë. Dhe bëjnë xheste liderësh me duar flatra.
Përshendetje popull. Jam unë, i juaji. I yni, jam.
Por janë fallco. Komplet fallco.
Sado që u falen ca kostumeve floriri. A kollareve. Ndonjë makine silver. Me dopio transmesion etj.
Prapë janë fallco. Sepse gjirizit nuk i duhen vitet për tu bërë klas. Por shekuj, breza.
Janë komplet fallco, pasi poshtë sediljeve mbajnë çifte shotgun. Ndonjë çimkë përgjuese. Ca gram C4.
Ca peketina pluhuri të bardhë. Thjesht për modë.
Me dashnore sigurisht. Gratë i ruajnë sa për spote fejsbuku. Me diploma të blera. Aq sa…, ia lëroftë Kina nënën ish qeverive të djathta që nuk e përfunduan një herë…, atë, punën e komisionit të verifikimit të letrave.
Atyre më pa vlerë. Librezkave me emrin diplomë.
E kam ditur me kohë që në Shqipërinë time janë një shpurë e tërë të pa aftësh. Të cilët i kanë kthyer aderimet në parti në një revolucion pragmatist, grupesh të fortish. Allishverishesh
kurvash duke folur hashiqare në emër të kushtetutës së vendit. Të shqiptarëve kudo. Të bindur. Mendje mbushur se janë ajka e shoqërisë. Dhe nesër, mund t’i flasin Europës nga parlamenti i saj. Edhe në emrin tim.
E të më thonë rri urtë.
Mund të më japin leksion për metaforat.
Madje ma kanë dhënë duke më treguar shamitë e kokës. Nga tribunat e shtetit tim laik. Shtetit tim që lakmon perëndimin. Dhe këtej kullohet në haengun e haremeve të Orientit.
Shtetin tim të kazmës e lopatës.
E kam ditur. Nuk nguroj ta them këtë. Veri e jug. Që në vendin tim janë një shpurë e tërë shushunjash.
Që do të flasin për të njëjtën alternativë.
Për të njëjtën ngjyrë.
Ngjyrën e kuqe. Atë të gjakut. Pasi shushunjat gjak duan.
Do bëjnë paradë shalësh.
Minifundesh.
Teritalesh.
Që do votojnë shushunjizimin e vendit.
Paradë parash nga zgjedhjet e tashmë të zgjebosura shqiptare. Prej fondesh të pa deklaruara.
Fushatë kandidimesh të blera me haraç koke.
Që kur të vine në pushtet. Ta fryjnë një fond kopshti fëmijësh. A këndi lojrash, Baraz me një të tillë…, sa për një reaktor kimik.
Një fushatë në emër të parimeve të demokracisë dhe rrotacionit. Ku iu shoftë fara atij vendi që mban akoma shpresat tek kandidatë të tillë si Gramoz Ruçi, Spartak Braho. E me nder Erjon Braçja.
E me nder këtyre alternativave opozite, çamësh.
Këta me nder dhjetoristë që vulosën burgun e pluralizmit.
Iu shoftë fara asaj rinie që ha fara lule dielli.
Dhe pret syshqyer datën 3 maj. Hapjen e llotos amerikane.
E kam ditur.
Por dhëntë zoti e kjo opozitë e vërtetë. Nuk ndërron mendje.
Pasi ndjehem i nderuar që jam opozitar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, se kurrë opozitar, Sot jam më shumë

Botë e njeri

April 29, 2017 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Bota është burg, me përjashtim se në ‘të të gjithë janë të dënuar me vdekje. Njerëzit presin në radhë, dhe në proces harrojnë se nuk janë vetëm – u duket se do të jetojnë gjithmonë; zihen, grinden, luftojnë njeri-tjetrin, të pushtuar nga Uni, fryhen, shtypin, pasurohen, dhe kur afrohet koha të vdesin, dridhen, përqafojnë fenë, japin dhurata, bëhen bamirës, pendohen -për të qetësuar a shpëtuar shpirtrat e tyre – megjithatë, ata shtiren. 

Parë nga lart Toka është një ishull në ‘oqeanin’ e qiellit, duket pikë e vogël në hapësirën pa-kufi, dhe njerëzimi, s’është gjë tjetër veçse një Robinson Kruzoe. Libri me të njëjtin titull, shkruar nga Daniel Defo në vitet 1700, që shënoi fillimin zhanrit të romanit anglisht, tregon jetën e njeriut në izolim apo në ishull. Novelisti James Joyce (1882-1942) thoshte se Kruzo simbolizon shpirtin anglo-sakson me tiparet si “kolonist, i pavarur, mizor i pandërgjegjshëm, këmbëngulës, me inteligjencë të ngadaltë por efikase, apatik, me veprime të përllogaritura.” 

Defoe, nëpërmjet Kruzos, tregon se si njeriu, në karakter, zhvillohet nga një gjendje primitive në një më të qytetëruar, duke sfiduar gjendjen natyrore. Robinson Kruzo i jetës në ishull, megjithatë, është edhe simbol i njeriut të parë, ku njerëzimi sot mund të kuptojë se si ka qenë fillimi i tyre dhe i kësaj bote.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Botë e njeri

VATRA Statement on the Release of Ramush Haradinaj

April 28, 2017 by dgreca

 

1-Logo-vater-300x45

 

1 Peticion

The Pan Albanian Federation of America “VATRA”, along with all Albanians and well-wishers around the globe, rejoice in the release of Ramush Haradinaj and welcome the just decision of the court in Colmar, France.

With this decision, the French courts have refused to be Serbia’s accomplice in its unending quest to destabilize Kosova and the entire region, and its efforts to delegitimize Kosova’s war for freedom and the survival of its oppressed and persecuted people.

We can only hope that after four arrests on the baseless grounds of a politically motivated Serbian arrest warrant and after four subsequent acquittals, Mr. Haradinaj will be left in peace to care for his family and serve the people.

Civilized nations should not honor illegitimate Serbian warrants, and Serbia must stop stoking the flames with these types of arrest warrants aimed at KLA veterans and Kosova state officials.

Filed Under: Opinion Tagged With: Goon Bucaj, of Ramush Haradinaj, on the Release, RE: VATRA Statement

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 493
  • 494
  • 495
  • 496
  • 497
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT