• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demokracia e njerëzve me dosje

March 17, 2017 by dgreca

1-ilir-levonja-2-288x300

Nga Ilir Levonja/

dosje2-350x197

1)Në rrjetet sociale ka një denoncim të dhunshëm. Për një njeri që ka qënë aty. Por që sot është zgjedhur të drejtojë dikasterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ose ai dikaster që është faqja e zezë e historisë së shqiptarve që pas luftës së dytë botërore, Koha kur ngritën shtetin e intrigave dhe të ashtuquajturës luftë e klasave. Pasoja e politikës së shfarosjes. Apo mbytjen e mendimit ndryshe. Që po i vuajmë edhe sot e kësaj dite.

Kjo është më se e dukshme kur sheh në debate, a) gra që shfaqen si bushtra, pavarsisht elegancës trupore. Mëndje tendosura, pa tharmin e natyrës. Por kamikaze të teserës. Plot bllanja nga lufta kur njeriu e hellon njeriun etj. Apo sharmit të ngjyrës së fustanit me kënanë e flokëve butaforikë etj. b) Kur sheh burra fshatarë me kostume firmato. Dhe fatkeqësisht Shqipërisë, këta zëvendsa, këta kollovarë kryeqyteti, i janë bërë shumicë dërrmuese. Mjerë ai komb që është pushtuar nga një katunari kolektive. Nga lukunia fshatare që janë kudo. Dhe që u mjafton një diplomë. Një apartament i blerë me merita rryfsheti. A një vile në periferi, Një grua administrate dhe me biznes. Sa tek triumfi, po aq edhe vdekja kombëtare. Plot me akuza e fajtorë. Po aq edhe duar larë. Dhe u bënë intelektualë. Figura që të flasin për fatet e kombit. Duke ia lënë mutin në derë atdheut.
2) Ministri i ri, i dikasterit të dhunës. Aty ka qënë. Aty si shumë sekretarista të tjerë. Eshtë vonë të indinjohemi. Aty ka qënë, madje i varëm këmborën e reformës në drejtësi. Dhe ai drejtësi ka bërë. Drejtësi, ashtu si dje kur të gëdebte qelive. Apo atyre dhomave gjysëm të errta. Me një legen sipër kokës së të pandehurit. Me një legen dritë përmbysur. Kur t’i fiknin cigaret Rozafa në ballë. Kur të quanin armik i popullit. Vagabond me shfaqje të huaja. Kur të flaknin në internim për punë leshrash të gjata. Pse dëgjoje Zërin e Amerikës. Apo radio Vatikanin. Shihje RAI UNO-n etj. Dhe ne i paguanim. U jepnim rroga të majme. Dhe pas kësaj, ata shkonin e pinin birra në pallatin e oficerëve. Kurse ne kafe elbi. Dhe mbanim radhën tek dera e policisë. Ata festonin suksesin e luftës së përditshme të klasave. Aty ka qënë. Aty është …, edhe sot.
Drejtësia e gëdëpjes do burra të fortë. Si kujtoni ju. Kollaj bëhen reformat. Drejtësia e votës së vjedhur do burra që kanë histori të arshivuara. Do mbrojtur vota e vjedhur. Do mbrojtur listat e manipuluara të regjistrimit. Tashmë legjendë tranzicioni që në çdo kohe zgjedhjesh, do bëhen lista. Ndryshe nuk fitohet mbi kundërshtarin politik. Dhe ne dime mirë si të të rrahim, Dhe që nuk ka dyshim që ka një dosje. Një dosje shqiptare. Me atë thënien popullore, Shqiptarit lëroja nënën të të thojë baba.
Mirëpo kujt ia thua.
Aty ka qënë. Ka votuar si të zgjidhet deputet një pengmarrës. Një kanabist. Një mestar tenderash. Një shantazues. Një dosjexhi. Një koleg që të gëdëpte hetuesive simotra në rrethe. Ka votuar dhe i ka afruar në parti.
Hetuesit ishin pararoja e luftës së klasave. Ajka e dhunës breznore. I kishin tavolinat e Barlulishteve përjetësisht të rezervuara, rrugët, kryqëzimet, hollet e shkolave, spitaleve, burgjeve, ministrive gjithnjë me semafor jeshil.
Kështu edhe tani.
Të gëdëburit të mbajnë nishanet. Të mjaftohen me dekoratat e presidentit. Se pushtetin, as e kishin, as e kanë, as kanë për ta patur. E ka marrë në dorë shoqëria e dosjeve dhe katunaria.
3)Në fakt kjo katunari shqiptare, studiosh. Një inteligjencë e prapambetur nga rakia e zjerë dy herë. Nga pordhët e hudhrave të njoma. Merret sot me një zbulim të ri. Ose me armikun e ri të klasës. Që janë Teto Ollga, Kreshnik Martini, Zëvendësin e grave. Me…, M’susin e Kalcës, Dedën mes borës së Tropojës etj. Dhe jo me armikun real të luftës së klasave. Ose mendon se e ka mundur. E ka mundur, ose ka bërë pakt me ‘të dhe po qeveris. Paktistat janë ata që ua shtojnë rruzaret tranzicionit. Paktistat, jo ata që bëjnë marrëveshje të mëdha. Sy njerëzimit. Paktistat ja familja e skuthave. E katunarisë. Kësisoj nuk kemi pse habitemi që një riosh nga kontigjenti i sekretariateve të shkollave të Enverit. Bëhet sot minister i brendshëm. Nuk është i vetmi. Keni më të kualifikuar. Kemi verë më të vjetëruar aty. Keni strategët e paskuintave. Që dirigjojnë gjithçka. Strategët e punëve të brendshme. Ndërkohë që akuzoni për kriminelë Lulzim Bashën për vrasjet e 21 janarit. E kemi stazhionuar strategun e vrasjeve të 2 prillit në Shkodër. Verën e vjetëruar rilindase Gramozin e Ruçajve.
Vetëm në Shqipëri nuk ka ndodhur tranzicioni.
Vetëm në Shqipëri qeverisin dhe kollondrisin fatet e popullit edhe sot pas 27 vjetësh, xhelatët e viktimave. Dhe hidhuni përpjetë. Mbushini studiot me katunarë. Dëgjojini…
Të rinjtë e Enverit kanë triumfuar. Edhe pse nëpër studio të gjithë janë antienverista. Ta dini të gjithë gënjejnë. Sapo të dëgjoni kur thonë që, e urreja Enverin. Babai im kështu e ashtu. Familja ime kështu e ashtu, por nuk kishim çfarë të bënim etj. Gënjejnë…, ta dini. Një shoqëri që nuk pranon fajin, gënjen. Në mos të gjithë, kemi qënë me shumicë me Enverin. Dhe bëjmë mire të ndjehemi se të hiqemi.
4)Sot shumë njerëz habiten se pse nuk reagojnë ambasadat e huaja. Sidomos ajo amerikane. Për këtë hetues gjirizesh. Kur ka kaq shumë dëshmues si brenda dhe jashtë vendit? Kaq shumë të rrahur që ndihen të indinjuar.
Nuk ndërhyjnë pasi tek ne ka kaq shumë zhurmë sa, ata ndihen të pafuqishëm. Në aspektin e llogjikës. Ne nuk na lë temperamenti. Nga ana tjetër, e dimë mirë se, Fatmiri, nuk është i vetmi. E dinë edhe ata. E dimë mirë se demokracia jonë është e uzurpuar. Dhe e dhunshme. Mjafton një fakt, të shprehesh ndryshe. Të mendosh ndryshe nga njëshi. Dhe je armik. Eshtë një demokraci e uzurpuar. Përkarshi pragmatizmit perëndimor. Ku e bardha është e bardhë dhe e zeza, e zezë.
Tek ne flitet për progres të ekonomisë së tregut. Ndërkohë që vetëm ekonomi nuk kemi. Dhe nuk bëjmë. Ndërkohë që shifrat flasin ndryshe. Ndërkohë bëjmë e zhvillojmë me sukses, ideologji me mbivënie.
Përderisa pajtohen vet shqiptarët më kësi lëshime, me kësi zgjedhjesh. Pse të mos pajtohen edhe të huajt. Që sot janë aty, kurse nesër mund të shpallen persona non grata.
Siç po ndodh sot me Sorosin. Apo me Romana Vlahutinin etj.
Kjo është demokracia e jonë. Demokracia e njerëzve me dosje.

Filed Under: Opinion Tagged With: demokracia, e njerëzve, Ilir Levonja, me dosje

Mjeranët e kritikës letrare…

March 16, 2017 by dgreca

 

1-ok-Alfonsi-300x198Nga Alfons Grishaj/

Postkomunizmi ka zbuluar dhe aq “shkrimtarë e poetë” sa, kombet e qytetëruara me tradita shekullore në letra, do na e kishin zili…! Për rrjedhojë edhe vlerësimi kritik është sëmurë. Kemi filluar t’u japim tituj si: “Penda e Artë” e “Penda e Argjendë” atyre që nuk kanë vlerë as për skrap bakri.

Shekulli XXI  ka promovuar me shumicë antivlerën se sa vlerën reale letrare. Një pjesë e “letrarëve” të sotëm janë aq shterpë sa mendojnë se mund të fshihen pas një  diplome letërsie të marrë me korrespondencë për të hyrë në artin e letrave. O, Zot! Ata ngatërrojnë publicistikën me fiksionin prozaik, poezinë klasike e quajnë poezi moderne. Epigramet, varg të lirë, dramën e quajnë novelë, etj.,  etj… Shkrimet e tyre janë në nivelin e hartimeve të shkollave fillore, pa dashur t’ i hyjmë në hak fillores. Konfuzë në ide e në botkuptim estetik, shumë prej “kritikëve” nuk janë në gjendje të bëjnë një kritikë te mirëfilltë letrare, jo se nuk kanë dëshirë, por  sepse dijet e tyre janë të pamjaftueshme. Njohja e mirë e teorisë së letërsisë presupozon në rradhë të parë njohjen e termave (elementë) letrarë, si kusht për t’u orientuar më në thellësi në oqeanin e letrave. Dy ndër këto terma janë dhe Verisimilituda dhe Deus ex machina. Njohësit e mirë të letërsisë nuk kanë nevojë për të hapur një “dyzinë fjalorësh” për termat e mësipërme të cilat janë standarte në letërsinë botërore e që ne shqiptarët i kemi huazuar pasi nuk kemi tradicion të gjatë në shkencën e letrave. Terminologjia letrare ashtu si dhe terminologjia mjekësore në mjekësi duhen të mësohen përmendësh nga studentët. Pa mësuar termat bazë nuk mund të bëhesh letrar apo mjek. Njerëzit që nuk njohin të paktën një gjuhë të huaj e kanë shumë të vështirë për t’i kuptuar e shumë më  të vështirë për t’i shpjeguar. Boshllëku  dallohet menjëherë, kur përdoruesi  mundohet që t’i shpjegojë (në përkthim diletantësh) duke vendosur sinonimin e largët dhe jo kuptimin e saktë. Fatkeqësisht, kategoria e tillë nuk njeh as rregullat sintaksore dhe morfologjike të gjuhës, çfarë varfëron vlerën estetike letrare. Gjenialiteti letrar lind, nuk fitohet, porse dhe nëse fitohet, duhet derdhur shumë djersë për t’u ngritur në nivelin e kërkuar që vepra t’i qëndrojë kohës.

Hubris apo egotismi, i zhvesh dhe prej asaj muze empirike që e quajmë “Krijimtari të brishtë” që nuk e ka jetëgjatësinë e një shkëndije zjarri. Me vjen të qesh dhe të qaj njëherësh kur i shoh se me sa zell shpërdajnë miopinë e tyre si letërsi apo kritikë të kualifikuar. Ndodh që degradimi arrin kulmin kur ndonjëri syresh rreket për të bërë kritikë të “kulluar” letrare, duke personalizuar subjektin, si bëri së fundmi, “letrari” Ramiz Gjini, i cili, doli nga tema dhe shkau në vulgaritet me fjalë e shprehje të rëndomta si “bishtuk”… Ai shkapërcen logjikisht  aty , ku pretendon të merret dhe me dekoratat  tona si janë marrë në vite etj. Ky tip ligjërimi nuk është as letrar e as kritik. Është tipik për një “oficer”  sigurimi… Ndërsa për çmimin “Penda e Artë” dhuruar nga kushëriri i tij që ishte kryetar komisioni, s’ kam ç’ të them sepse vetë akti dëshmon më së miri, si një shfaqje tribalizmi, gjendjen e emancipimit të “elitës letrare shqiptare të sotme”. Sigurisht, nuk i fus të gjithë në një thes! Ai devijon  qellimin tim të sinqertë  në vertësinë e opinionit  të Ekerem Bardhes, lidhur me luften civile në shqipëri…Devijim ky,  i njohur prej kohesh që ka dalë nga  një sirtar i qelbur në Michigan! Skenar i stërnjohur që i ka dalur boja prej kohesh…

Por, le të kthehemi tek tema. Në shkrimin e tij “kritik”, Gjini pretendon se shkrimtarin Prifti, e ka mik, por në anën tjetër mundohet ta ngacmojë viganin si miza në bythë të buallit (në atë rast bualli nuk ka nevojë të kthejë kokën se i vret me bisht), duke theksuar se veprat e Naumit nuk janë të atij niveli dhe se unë gjoja paskam shkruar me superlativa për Naumin… Ai duhet të kthehet ta lexojë dhe njëherë shkrimin tim me optikë letrare. Gjithashtu, i sugjeroj që të lexojë shkrimin e tij para disa vitesh: “Sqarim për ikjen e Naum Priftit”… Aty tregohet sa fort e ka dashur Naumin…, miqësi nepërke!

Në këtë kurth bien të gjithë mediokrit, të cilët grackojnë veten duke u bërë qesharakë. Dekonspirimi i qëllimit keqdashës e tërheq zvarrë arsyen kritike që griset e çirret rrugës. Maska e kontaminuar bie, duke shpërbërë sensin intelektual kritik. Dikur të parët tanë kanë thënë: “Fickla  vret veten me gojën e vet” si, dhe ashtu ndodh me mjeranët kritikë që nuk e dinë ku bie me shtëpi kritika letrare…

Po i ndihmoj dhe njëherë “gjinët” dhe “gurët” e mocalit … me një shpjegim të thjeshtë pa hyrë në filozofi, sepse e di se u bie në “qafë”.

Kritika letrare botërore ka shoqëruar zhvillimin e letërsisë, për një kohë të gjatë si opinion e më pas si shkencë. Si e tillë ajo imponon çështjen e metodës. Epoka moderne kritike ka njohur disa metoda, të cilat, më shumë se të kundërshtonin njëra-tjetrën kanë qenë të orientuara drejt pasurimit të mendimit kritik në tërësi. Por të gjitha metodat mbështeten në parimet bazë. Të gjitha i mëshojnë idesë se kritika ka për objekt të ndihmojë në ndriçimin e të panjohurave në procesin krijues, në identifikimin e stili të autorit, në njohjen e të dhënave biografike si çështje rrethanash etj. Me pak fjalë, për kritikën, rëndësi ka zbërthimi i artit të shkrimit. Tek ne nuk është shtruar ndonjëherë problemi i metodës kritike. Mendësia që ka lënë prapa realizmi socialist vazhdon të ushqejë atë traditë opinionesh subjektive. Analiza tekstore as që duket gjëkundi në shkrimet kritike, çka ndodh jo rrallë edhe me njerëzit e katedrave (departamenteve universitare) të letrave. Megjithatë tek këta të fundit, koncepti metodik nuk mungon. Mund të thuhet se të paktën dy metoda ushtrohen në shkrimet kritike të disa pedagogëve të letrave tona:

1-Kritika tradicionale, e cila e studion veprën letrare në raport të ngushtë me biografinë e autorit.

2-Kritika Sociologjike, e cila merret me kushtet e rrethanat shoqërore e historike, të cilat kanë ndikuar tek autori.

Edhe qasja ime kritike mbështetet kryesisht në këto metoda, ndaj dhe besoj se në realizimin e portretit të personalitetit letrar të Naum Priftit, kam shkruar vetëm me objektivitet dhe me kompetencë profesionale, kurse oponenti im shkau në baltën që prodhoi vetë.

E di që pas këtij shkrimi do të ketë sërish reagime mjerane. Sepse si çdo devijacion tjetër, kompleksi i mjerimit intelektual është i vështirë për t’u trajtuar dhe sindromat e pakuruara shndërrohen në sëmundje kronike.

Po e mbyll shkrimin me thënien brilante të Edith Wharton: “There are two ways of spreading light: to be the candle ( bishtuk) or mirror that reflects it.”

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, e kritikës letrare, Mjeranët

MARTIN CAMAJ: MALËSORI BUJAR DHE EVROPIANI ERUDIT

March 15, 2017 by dgreca

*Të tjerët për Martin Camajn, në kujtim të 25-vjetorit të vdekjes/

* Megjithë “mospërfilljet ndaj tij dhe megjith portën e mbyllur për të, në këtë 25-vjetor të vdekjes, Martin Camaj gjithnjë bën thirrje:“Avitu njeri! Afrohuni shqiptarë!/

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Në një shkrim me titull: Martin Camaj përherë me ne”, të shkruar më 2010, Ardian Klosi do ta cilësonte Profesorin me origjinë nga Dukagjini, si të “Përzemërt, me një mirësi të kultivuar, kur bashkohej malësori bujar me europianin erudit”.  Ismail Kadare e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive”, ndërsa ka shkruar se “Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë”.  Ismail Kadare shkruan edhe për “vetminë e shkrimtarit”, duke nënvijuar se “Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.  Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”.

200px-Martin_Camaj

Ne Foto:Profesor Martin Camaj/

Në këtë frymë të katrahurave shqiptare, Ernest Koliqi shkruante se Martin Camaj ishte “Pjestar i një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetsuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend” dhe si i tillë, “Njofti mërgimin, burgimet, fushat përqendruese, punën e përdhunëshme…”  Ernest Koliqi, bashkpuntor i ngusht dhe mentor i Camajt, ka shkruar se Martin Camaj, “Trimnisht ka përdorur penën si të parët e tij taganin dhe pushkën”, duke thënë se, “Fisnikija e lashtë e malësorve, kalorsija e natyrshme që u pajisë shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di harresën në të cilën bota e huej dhe vendase i la malet tona.”  Si pinjoll i atyre maleve, shkruan Koliqi në parathënjen e veprës së Camajt, “Djella”, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e paevarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën kombin nga sulmet e sllavëve”.   Megjithkëtë,  Koliqi shkruan se në veprat e tij, Camaj  “Lëshon nji kushtrim jo ma luftarak, por paqsuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”, duke cituar poetin:

“Avitu, njeri!

Nga palci i urrjejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

Edhe Ismail Kadare ka shkruar duke aluduar për këtë mospërfillje të shumicës së qytetarëve ndaj shkrimtarit dhe poetit Camaj, për të cilën ka shkruar Ernest Koliqi, duke theksuar se,”Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj.   Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij.  Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare.  Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan.  Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli.  Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej.”

Megjithse gjatë regjimit komunist, “porta ishte e mbyllur” për shkrimtarë e poetë si Martin Camaj, Kadare shkruan se Camaj  “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë.  Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, ka thënë Ismail Kadare duke përfunduar se, “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes.  E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, ka vlerësuar Ismail Kadare veprën dhe personin e Martin Camajt.

Në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka dekoruar shkrimtarin dhe albanologun Martin Camaj me urdhërin “Nderi i Kombit” duke u shprehur se,”Kur kam firmosur Urdhërin “Nderi i Kombit” për Martin Camajn, kam patur parasysh përkushtimin e tij sipëror ndaj gjuhës sonë, artin e madh, dashurinë e vuajtur e poetike ndaj Shqipërisë së tij”, ka theksuar Presidenti Topi gjatë ceremonisë së organizuar me atë rast.  Gjatë fjalës së tij Presidenti Topi u shpreh gjithashtu se në jetën e Camajt, pamundësia e kthimit është tragjike, por fatlume për letrat shqipe. “Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe, nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje”, ka thënë ish-presidenti Topi.

Ardian Klosi, i cili ka shkruar se kishte njohur Martin Camajn për dy vjet pas shembjes së komunizmit, ka thënë se Martin Camaj kishte luajtur një rol të jashtzakonshëm në jetën e tij dhe se ai kishte qenë gjithashtu edhe njëri ndër kontribuesit kryesor në Lidhjen e Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur, themeluar në qershor të vitit 1991.  Ardian Klosi ka shënuar se, “Pak ditë para se të vdiste i dërgoi me telefon lidhjes sonë këtë mesazh që u bë më pas i famshëm për fjalinë e tij të fundit: “Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.  Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron.  Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej.  Ndonse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj.”

 Megjith “mospërfilljet ndaj tij dhe megjith portën e mbyllur për të, në këtë 25-vjetor të vdekjes, Martin Camaj gjithnjë bën thirrje:“Avitu njeri! Afrohuni shqiptarë!

Filed Under: Opinion Tagged With: EVROPIANI ERUDIT, Frank shkreli, MALËSORI BUJAR DHE, Martin Camaj

DELIRI I EDI RAMËS DHE “BANDAT SHQIPTARE”

March 14, 2017 by dgreca

Opinion nga Asllan Bushati/

Sa herë kam patur rastin kohët e fundit të takohem e të bisedoj me ndonjë përfaqësues të Partisë Republikane, këtu në SHBA si në nivel shtetëror, por dhe me përfaqësues të Kongresit, jam ndier  keq se biseda fillon me ndonjë romuz për Kryeministrin Shqiptar Edi Rama, duke sjellë ne fokus deklaratën skandaloze të tij,( gjatë fushatës zgjedhore), për Presidentin Trump. Pa qenë vetë aspak fajtor, befas jam ndierë  si i tillë, se e ka thënë (jo i biri i Kristaq Rames para shokve të tij), por njeriu numër një i ekzekutivit të vendit tim, i përdorur në mënyrën më të keqe të mundëshme nga sorosianët e këtushëm. Kjo shije e keqe më ka ardhur mu ( dhe shumë të tjerëve), mendoj, vetëm nga deliri falls dhe manjakllëku  për tu dukur, i nje njeriu tipik avanturjer. Nuk është hera e parë që Edi Rama e bën një gjë të tillë, madje e disata herë, kujtoj këtu rastin e armëve kimike siriane, problemin e Kosovës gjatë vizitës në Beograd dhe kjo e fundit me partitë shqiptare në Maqedoni. Për këtë të fundit do të shpreh një konsideratë, që ndoshta tingëllon pak e cuditëshme nga opinionet e tjera të hedhur nga media për konsum publik. E them këtë se dyshoj se vizita e Ramës në Stamboll para një muaji dhe takimi e bisedimi me Erdoganin të ketë qenë thjeshtë për ndërtimin e një aeroporti  në Vlorë (sic u tha në media). Jo. Më së pari Rama besoj se i ka kërkuar ndihmë Erdoganit që të mund të ndërmjetësojë  në administratën e Presidentit Trump, që të mos e marrin për të madhe deklaratën e tij, duke u premtuar me shumë  përulësi  bashkpunim në të ardhmen si ta  dojë e përse ta dojë  administrate e re. Nga ana tjeter do ti ketë marrë përsipër Erdoganit se do të bisedojë me Kancelaren Gjermane Merkel ,nevojat  e ngutëshme që  Turqia ka aktualisht me BE-në dhe Gjermaninë në vecanti (vizitë  të cilën  Rama  e  realizoi  javën e kaluar). Por, po ashtu mendoj se nga ky takim, me porosi të Erdoganit (duke ditur lidhjet që ka Partia Shqiptare Besa me islamizmin dhe me ndihmat financiare të Turqisë), Rama ka marrë përsipër  ti thërras Partitë Shqiptare në Maqedoni  në Selinë e Kryeministrisë Shqiptare që  të firmosin një dokument politik ,duke bërë në të njejtën kohë skandalin politik të radhës me avanturizmin që e karakterizon.

Ajo shprehja e tij  kundër opozitës  në Parlament  se:”s’keni parë gjë akoma” rezulton të ketë qenë pothuaj  e vërtetë se  paska pasur brenda shumë delire të  protagonizmit tij individual. Delir për fitoret “madhështore” në zgjedhjet vendore në Korcë dhe vecanërisht në Dibër e Kolonjë ( pa cka se për to ka ca filmime e regjistrime  pak të sëkëlldisëshme). Delir për vetingun para dhe pas 22 korrikut, sikur ai të ishte vepër personale e tij ( p. sh  pikturë surealiste),  por që rezultoi  jo funksional  pas prishjes marrveshjes së konsensusit  me opozitën, duke vonuar e dëmtuar rëndë reformën në drejtësi. Delir për politikë të “madhe” të jashme , por që fatkeqësisht coi  pa asnjë arsye  në  keqësimin e marrdhënieve me fqinjët . Largimi para dy javësh nga detyra pa asnjë arsye dhe pa asnjë shpiegim  për publikun  i Ministrit Manjani, vetëm se ai i tha të  vërtetën  se policia është e pa aftë të shkatërrojë kanabisin, prandaj duhet përdorur edhe ushtria . Këto ditë  shkarkoi nga detyra  katër ministrave të tjerë me spjegimin “fantastik” se këta të fundit na duhen për fushatën zgjedhore të 18 qershorit  në bazë, (sikur shqiptarët janë të varfër jo vetëm ekonomikisht por edhe mendërisht). Të gjitha këto dhe shumë të tjera më cojnë tek përfundimi se  opozita ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e veprimet e saj dhe se  deliri, protagonizmi vetiak, mendjemadhësia, fodullëku, mos përfillja dhe arrogance e cfrenuar e Edi Ramës, kanë dëmtuar rëndë interest kombëtare .

E kam thënë edhe në një shkrim tjetër se meqënëse disa ministra të LSI-së kanë bërë kritika për Qeverinë, më të ashpra  e më të rënda se opozita, kjo që sot quhet “Qeveria Rama” faktikish ka rënë nga fuqia. Cdo ecja më tutje e bashkqeverisjes PS-LSI,  është më shumë një zhgarravitje qeveritare se sa drejtim i planifikuar i programit miratuar para elektoratit dhe parlamentit. Ministrat e LSI-së  kam bindjen e plotë  se nuk flasin e veprojnë pa marrë urdhër nga Ilir Meta, por ky i fundit për mendimin tim po e keqpërdor Ramën më keq se sorosistët. Mendoj  kështu se Meta,  në gjykimin tim i  bën presion Ramës cdo ditë me largim të menjëherëshëm  nga koalicioni qeverisës dhe  shkuarjen në zgjedhjet e reja vec e vec. Duke qenë të vecuar në zgjedhjet e ardhëshme , Rama pret humbjen e sigurtë dhe fundin e hidhur të karierës së tij politike. Duke e ditur këtë gjë  Meta i ven kushte akoma më të rënda si p.sh:”jam dakort për koalicion para zgjedhor PS-LSI me kusht që kryeministri i ardhëshëm të jetë Ilir Meta”. Ata zërat e LSI-së  poshtë e përpjetë për ”Meta kryeministër” pas zgjedhjeve të ardhëshne, janë trysni drejt per drejt mbi Ramën duke i thënë  hyr e zgjidh , o me këtë variant dhe del pak i humbur në fitoren e përbashkët ose i humbur fare përballë opozites me në krye Lulzim Bashën. Në këto rrethana, zgjedhja që i mbetet Edi Ramës është të pranojë vullnetin e Metës  për kryeministër dhe vetë  të kërkojë të zgjidhet President po me vullnetin e Metës ose të tërhiqet i vetmuar e pa protagonizëm  në qoshen e kryetarit të PS-së. Por a do të jenë dakort ndërkombëtarët me kalkulime të tilla Rama –Meta, pa parë në to interest e tyre, të vetingut të ardhshëm (se kush do të shkojë në burg) dhe të opozitës që tashmë nuk është e vënë në vështirësi  në qoshe të ringut, si më parë. Por ajo pas 18 shkurtit, është  në fushbeteje me kredite të brendëshme e të jashtme  më të medha se dyshja Rama –Meta. Për këtë le të presim, por dhe të shohim më në detaje edhe qëndrimin e opozitës.

Lulzim Basha sic dihet,  ka bërë një betejë të lavdrueshme dhe  vërtetë burrërore për ligjin e dekriminalizimit dhe largimin e të inkriminuarve nga Parlamenti,qeverisja qëndrore e vendore, duke i dhënë  kështu një ndihmes të vyer të  sotmes dhe të ardhmes së Shqipoërisë në rrugën e demokracisë e të shtetit ligjor. Ka bërë një betejë të fortë për reformën në drejtësi (edhe kundër ndërkombëtarëve të korruptuar), duke mos lejuar që ajo të vihej nën këmbët e Edi Ramës, por të vihej në funksion të  ligjit dhe së drejtës. Kurse demostratën për zgjedhje të lira e të ndershme e ka ngritur në nivelin e kërkesave më të larta euro-perendimore, duke e prezantuar vetë para vendasve dhe ndërkombëtarëve si lider i matur, paqësor, largpamës, vizionar dhe i vendosur.

Largimin nga detyra të katër ministrave të PS-së, Basha  e quajti  fars dhe  dhe të vonuar. Tani tha ai është koha e largimit  të vetë Ramës dhe kalimi pa asnjë mëdyshje në qeveri  teknike te pranuar nga të gjithë aktorët politik. Kurse zëvëndësimin e Ministrit të Brendëshëm Saimir Tahiri me Fatmir Xhafën, e quajti zëvëndësohet banda Tahiri që mbronte Shullazët me shokë dhe kanabistët, me bandën Xhafa që mbron Hakmarrja për drejtësi dhe tregun e drogës Shqipëri- Itali e deri në Kolumbi me vëllain e Xhafës. Shkurt zëvëndësim bandash se atij i duhen parat e drogës për zgjedhjet e ardhëshme. Për ish Ministrin e Shëndetësisë Beqja tha  fytyra më e urryer e popullit shqiptar, hajduti më i pa skrupullt që edhe me gjakun e të sëmurëve kërkon të pasurohet duke u dhënë koncesionet miqve e shokëve të tij dhe të Ramës. Këto banda janë rrezik serioz për jetën e cdo shqiptari- shtoi Basha. Asnjë Pazar nuk ka e nuk do të bëhet me Edi Ramën,përvec qeverisë teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira të nderëshmë dhe të barabarta. Ne nuk bëjmë asnjë kompromis në kurriz të inreresit publik të shqiptarëve.

Si përfundim, po bëj një “skandal të vogël” duke përsëritur pjesë nga artikulli”Situate politike në Shqipëri-dëshpëruese” shkruar nga unë (pra po përsëris vehten), disa javë më parë ku tregoj se cfarë këshillash morën politikanët shqiptar nga administrate e re amerikane:”Edi Rama: je i pa besueshëm për ne.Zollumet që ke bërë janë të shumta (jo vetëm me deklaratën kundër Presidentit Trump), prandaj këshillohesh të  mos shkosh  më tutje në rrugën e gabuar që ke zgjedhur. Për Ilir Metën:Edhe më parë, por vecanërisht këto tetë vitet e fundit je baltosur shumë.Ka ardhur koha të dalësh në opozitë, ku të keshë kohë të merresh me pastrimin e vehtes dhe të partisë, pa hyrë në koalicion parazgjedhor me askënd. Për Lulzim Bashën:Vazhdo të ecësh përpara duke insistuar në zgjedhje të reja  të lira e të nderëshme dhe minimalja me numurim elektronik. Ne po ju vëzhgojmë nga afër dhe në cdo rast do të keni ndihmesën tonë”.Mendoj se këshilla e më sipërme vazhdon të qëndrojë në fuqi, lum ai që e kupton dhe e merr para syshë dhe mjerë ai ai që e kupton por nuk e merr parasysh.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, bandat, Edi Rama

Si mbeti Kosova pa ushtri?

March 13, 2017 by dgreca

skender-bucpapaj-voal1Nga Skënder Buçpapaj/Fëmijët që lindën më 1999, vitin kur nga Kosova u largua makineria serbe e luftës, tash janë 18 vjeçarë. Janë në moshën e rekrutimit në radhët e ushtrisë, ku ata të përgatiten ushtarakisht. Ndërsa ata që ishin 18 vjeçarë më 1999, tashi janë 36 vjeçarë. Kështu 20 vjeçarët dhe 30 vjeçarët e Kosovës, mosha më vitale e një populli, janë sot të papërgatitur ushtarakisht. Askujt nga brezi i ri i vendeve fqinje të Kosovës nuk i mohohet e drejta për t’u përgatitur në shërbim të vendit dhe të popullit të tij. Asnjë vend tjetër në botë, përveç Kosovës, nuk është pa ushtrinë e tij.

Si mbeti Kosova pa ushtri?

Kosova mbeti pa ushtri, ashtu siç mbeti me institucione gjysmake edhe sot, 18 vjet pas çlirimit dhe 9 vjet pas zyrtarizimit të pavarësisë. Në përballjen mes institucionalizmit, të përfaqësuar nga Rugova, dhe antiinstitucionalizmit, të përfaqësuar nga kundërshtarët e Rugovës, fitoi antiinstitucionalizmi.

Fajtori kryesor pse Kosova mbeti pa një ushtri të mirëfilltë, si të çdo vendi tjetër, është Hashim Thaçi. Pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë, më 18 mars 1999, miqtë perëndimorë, vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkuan nga faktorët e Kosovës të dalin me një qeveri të unitetit, e cila të kryesohet nga përfaqësuesi i UÇK-së dhe në përbërje të saj të jenë edhe njerëzit e LDK-së. Kjo parakuptonte që çlirimi ta gjente Kosovën me qeverinë e saj, me parlamentin e saj, me presidentin e saj, me ushtrinë e saj, me të gjitha institucionet e saj shtetërore. Rugova dhe LDK-ja e kishin bërë lëshimin e tyre në emër të shtetit të Kosovës që po lindte në flakët e luftës.

Në ato ditë marsi, Bill Clinton, president i SHBA, dërgoi përfaqësues të tij Bob Dollin, republikan, mik i vendosur i shqiptarëve, të kujdesej nga afër që procesi i krijimit të qeverisë së unitetit të përfundojë me sukses. Dolli shkoi në Shkup dhe atje priti të takohej me Hashim Thaçin. SHBA dhe Clinton ishin tejet të përkushtuar e të interesuar që Kosovën çlirimi ta gjente shtet në plot kuptimin e fjalës.

Hashim Thaçi, në mënyrë demonstrative, nuk i shkoi Bob Dollit në takim në Shkup dhe miku amerikan, i dërguari i posaçëm i Presidentit Clinton, u kthye në Amerikë pa e takuar Thaçin. Në këtë mënyrë Thaçi dhe i ashtuquajturi krahu i luftës, të cilin ai e përfaqësonte, nuk e njihte parlamentin e Kosovës, nuk e njihte Presidentin e Kosovës, nuk i njihte asnjë nga institucionet e shtetit të Kosovës, të krijuara dhe funksionuese në mënyrë paralele, në mërgim dhe brenda vendit, në kushtet e pushtimit serb

Ndërkohë që Doll e priste Thaçin në Shkup, Thaçi dilte në televizionin e Tiranës, duke ngjitur dhe zbritur shkallët e Ministrisë së Jashtme së bashku me Paskal Milon. Dhe krijohej kështu Qeveria e Përkohshme e Kosovës e kryesuar nga Hashim Thaçi.

Ato ditë unë e kam ngritur zërin me forcë që Thaçi dhe krahu i përfaqësuar prej tij të pranonin në koalicionin qeveritar LDK-në, në mënyrë që në ditën e afërt të çlirimit, Kosova të ketë të gjitha institucionet e saj shtetërore. Thaçi dhe njerëzit e tij ishin të vendosur që pushtetin të mos e ndajnë me askënd tjetër. Kjo do t’i kushtonte Kosovës mungesën e shtetit edhe sot e kësaj dite dhe kushedi edhe për sa kohë.

Çlirimi e gjente Kosovën me dy qeveri, atë të Bukoshit dhe atë të Thaçit, të cilat nuk e njihnin njëra tjetrën. Në ditët e para të çlirimit, Bukoshi dha llogari para Parlamentit të Kosovës dhe e dha dorëheqjen tek presidenti Ibrahim Rugova. Nga ai moment parlamenti i Kosovës, qeveria Bukoshi dhe presidenti i vendit, të cilët nuk njiheshin nga pala tjetër, pushuan së vepruari. Deri më 19 shtator 1999 Thaçi do të ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe Drejtor Politik i UÇK-së. Nga ai moment qeveria e tij pushonte së vepruari, UÇK-ja çmobilizohej, çarmatosehj dhe shndërrohej në TMK, Trupën Mbrojtëse të Kosovës. Ndërsa krahu politik i UÇK-së shndërrohej në PDK.

Në vjeshtën e vitit 1999 Kosova do të ishte pa asnjë institucion. Qeverisjen e saj e mori në dorë Këshilli i Përkohshëm Administrativ pranë UNMIK-ut, ku kishte anëtarë edhe përfaqësues të Kosovës të të gjitha përkatësive. Shërbimet e rendit, të sigurisë, të mbrojtjes, të drejtësisë i morën në dorë UNMIK-u dhe KFOR-i.

Shkrirja e institucioneve që u trashëguan nga periudha e mosbindjes qytetare, të sprovuara përballë pushtimit më mizor në histori, ishte një humbje e jashtëzakonshme për Kosovën, deri sot dhe, për kushedi sa kohë, e pandreqshme. Këto institucione përbënin themelin, bazamentin dhe katin e parë të ndërtesës së shtetit të Kosovës.

Ndërtimi institucional i Kosovës, e kam theksuar kështu edhe atëherë, nuk do të fillonte as nga themeli, as nga bazamenti, as nga kati i parë, por drejt e nga kati i dytë, si në gazmoret shkodrane. Ndërtesa e shtetit të ardhshëm do të mbështetej vetëm në ajër, në bosh, në zbrazësirë.

Ato do të zinin fill me pushtetin vendor (lokal) në fund të vitit 2000. Kështu, siç ua kam përsëritur shpesh ndërkombëtareve, bualli në Kosovë do të kapej nga bishti, nuk do të kapej nga brirët. Kjo mënyrë do t’i kushtonte Kosovës shumë kohë, shumë energji, shumë humbje të gjithanshme.

Zgjedhjet e para parlamentare u mbajtën në fund të vitit 2001. Më 2002 Kosova do të kishte parlamentin, qeverinë dhe presidentin e saj. Nuk do të kishte Ministri të Rendit, nuk do të kishte Ministri të Drejtësisë, nuk do të kishte Ministri të Jashtme, nuk do të kishte Ministri te Mbrojtjes. Nuk do të kishte fare polici të saj. Më 2008, kur zyrtarizohej pavarësia e vendit, Kosova do të kishte Ministri të Rendit dhe Shërbim të saj Policor. Drejtësia nga duart e UNMIK-ut do të kalonte në duart e EULEX-it. Roli i Ministrisë së Drejtësisë, i Prokurorisë, i Gjykatave të Kosovës do të ishte i vogël. Edhe sot e kësaj dite nuk ka ndonjë përparim të ndjeshëm.

Më 2009, Trupa Mbrojtëse e Kosovës (TMK), do të shndërrohej në Forcë të Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo do të kishte në qeveri rang ministrie, pra juridikisht, nga ai moment, ajo është ushtria e Kosovës, siç e pohon edhe Albert Rohani, zëvendësndërmjetësuesi ndërkombëtar i Ahtisaarit.

Ushtria në çdo vend është pjesë e Forcave të Armatosura, madje pjesë qendrore e saj. Krahas saj janë policia, shërbimet inteligjente, garda kombëtare e tjerë. Këto të fundit Kosova i ka ndërtuar. Ushtria e Kosovës, e quajtur FSK, nuk është e kompletuar. Për t’u kompletuar një ushtri duhet t’i ketë forcat tokësore, forcat ajrore, e tjerë. Ky kompletim do të kërkojë kohë, sepse ndërtimi i tyre do të bëhet me një gradualitet të caktuar.

Problemi më i ngutshëm është se Kosova e vitit 2017 është e papërgatitur ushtarakisht. Nuk mund t’i plotësojë kështu detyrat e saj të brendshme dhe në kuadrin e aleancave dhe miqësive të saj. Për të qenë në gjendje të përmbushjes së këtyre detyrave, moshat aktive, nga 18 deri 55 vjeç duhet përfshirë në shërbimin paraushtarak, në shërbimin nën armë dhe në shërbimin rezervë.

Doktrina e re e Amerikës së Trumpit kërkon nga të gjithë aleatët dhe miqtë e Amerikës, në NATO dhe jashtë saj, të bëjnë pjesën e tyre në kuadrin e sfidave me të cilat sot përballet Amerika, Perëndimi dhe Bota. Kosovës i takon të marrë pjesën e saj, sado të vogël në kuadrin e këtyre sfidave. Ushtria e Kosovës të kompletohet me një program të përbashkët me Amerikën dhe NATO-n.

Është absolutisht e konfirmuar se askush nuk rrezikohet nga kompletimi i Ushtrisë së Kosovës. Serbia, me një mbrojtje të armatosur deri në dhëmbë me të gjitha mjetet bashkëkohore, nuk mund të mëtojë se rrezikohet nga kompletimi dhe aftësimi bashkëkohor i Ushtrisë se Kosovës.

Sa është e domosdoshme prania ushtarake perëndimore, kryesisht amerikane në Kosovë, aq është e domosdoshme një Kosovë e përgatitur ushtarakisht në mënyrë bashkëkohore. Këtë, natyrisht, ta përmbushë nën përkujdesjen e plotë të SHBA dhe NATO-s.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe në cilësinë e veçantë të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur këto ditë vendosmërinë për ta kompletuar sa më shpejt e sa më tërësisht Ushtrinë e Kosovës. Kjo vendosmëri meriton përkrahjen e plotë të të gjithë faktorëve të interesuar dhe të përkushtuar për suksesin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajon e më gjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: pa ushtri, si mbeti Kosova, Skënder Buçpapa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 504
  • 505
  • 506
  • 507
  • 508
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT