• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drejtësia franceze dhe lajthitjet serbe

March 1, 2017 by dgreca

Drejtësia franceze të mos bie pre e presioneve dhe lajthitjeve të Serbisë në rastin Haradinaj/
Fetnete-Ramosaj

Nga Fetnete RAMOSAJ/ 

Nesër Gjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore, pritet të vendosë lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.Që nga 4 janari kur u ndalua nga autoritetet franceze në Aeroportin ndërkombëtar të Basel-Mulhouse (në pjesën franceze të këtij aeroporti), në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, përkatësisht nga Unioni Serbi-Mali i Zi në vitin 2004, union që si i tillë nuk ekziston më që nga viti 2007, Serbia ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj institucionalë dhe ata ndërkombëtarë ku mund të ushtrojë ndikim, për ta përndjekur Ramush Haradinajn dhe për të ndikuar politikisht në rastin e tij.

Zbatimi dhe marrja si të mirëqena i urdhërarresteve të këtilla, të motivuara politikisht, të lëshuara nga aparati shtetëror i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, të ricikluara dhe të aktivizuara nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit, të cilët sot e udhëheqin Serbinë, me qëllim të përndjekjes ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, si dhe ndaj ish-luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi dhe tallje me drejtësinë ndërkombëtare, aq më tepër është mosnjohje dhe mosrespektim i vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, pjesë e vendimmarrjes së të cilave ishte edhe vet Franca, sikurse që më 1999 ishte pjesë e luftës së përbashkët të botës demokratike – Aleancës Veri Atlantike të NATO-s kundër regjimit kriminal të Serbisë së Millosheviqit për të ndërprerë gjenocidin që po e kryente Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Siç dihet, Ramush Haradinaj, në të dy nivelet e gjykimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës (që është mekanizmi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare i themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë) është shpallur i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për periudhën e luftës në Kosovë, ndonëse për t’u përgjigjur në ato akuza të fabrikuara të Serbisë, e të trajtuara në Tribunalin e Hagës, u desh që për më shumë se tetë vjet (mars 2005-nëntor 2012) të përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Duhet përmendur se në mars të vitit 2005, sapo ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramushi kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e Kryeministrit të Kosovës dhe ishte vetdorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Natyrisht se gjatë dy proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës, mbrojtja e Haradinajt nuk pati nevojë të thërriste asnjë dëshmitar të mbrojtjes për ta dëshmuar pafajësinë e tij.

Po çfarë po ndodh sot? Me gjithë fabrikimet dhe vënien në përdorim të dëshmitarëve të montuar e të përpunuar nga Beogradi, në shumicën e rasteve nën forcën e dhunës e të kërcënimeve, por edhe të joshjeve dhe të pagesave të larta në këmbim të dëshmive akuzuese, në Tribunalin e Hagës, maskat u çjerrën. Një armatë e tërë ushtarakësh, policësh, mjekoligjorësh, agjentësh të shërbimeve civile e ushtarake serbe, të gjithë të implikuar në krime të luftës kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë,  ishte vënë në sulm kundër Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, por përpjekjet për fabrikime dëshmish dhe montime akuzash u shkuan kot.

Mjafton të përmendim rastin e agjentëve të Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë (BIA) Igor Juçinac (Igor Jučinac), Millutin Radanoviq (Milutin Radanović) e Predrag Zhelkoviq (Predrag Željković), të cilët në qershor të vitit 2009, ishin kapur në vepër nga Policia e Kosovës në Çagllavicë derisa ishin në aksion për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç u dokumentua edhe përmes deklaratave dhe videoxhirimeve të transmetuara publikisht, këta pjesëtarë të BIA-s kishin nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të dhënë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën shumat prej 100 mijë deri në 300 mijë euro vetëm për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb BIA, deklaruan para organeve të hetuesisë se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguante shteti.

Për ata që i njohin sadopak rrethanat e luftës në Kosovë, e dinë se kush është viktima e kush xhelati, ndonëse Serbia dhe aleatët e saj kanë investuar aq shumë nëpërmjet propagandës që shqiptarët t’i paraqesin si viktimizues. Kur i shohim reagimet që vijnë nga Serbia, dhe atë nga aparati shtetëror të cilin e përbëjnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviqit, detyrimisht të shkon mendja të mendosh se ç’kohë është?! Serbia, në vend se të kërkojë falje dhe të përgjigjet penalisht për të bëmat kriminale e gjenocidin e shkaktuar gjatë luftërave në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, gjatë të cilave i kreu krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit deri në shkallë gjenocidi, të papara në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, ajo sikur të mos kishte ndodhur asgjë, pa u distancuar fare nga e kaluara kriminale, po tenton t’i imponohet Europës për t’u rehabilituar në pozitën e kryexhandarit të Ballkanit, duke i akuzuar të tjerët për ta shfajësuar veten. Po ajo klasë politike që kreu gjenocid gjatë një dekade të fundshekullit XX ndaj shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve e të tjerëve, sot e udhëheqë Serbinë. Pozitat më të larta në shtet i mbajnë persona të tillë që vetëm pak po të funksiononte drejtësia, do të duhej të ishin në burg e jo në poste publike udhëheqëse.

Shtrohet pyetja: Cilët janë ata që po vazhdojnë ta akuzojnë dhe përndjekin Ramush Haradinajn? Cilët janë ata që po bëjnë presion politik mbi mekanizmat e drejtësisë në Francë, duke bërë rolin e viktimës?!

Ivica Daçiq (Ivica Dačić), tash Ministër i Jashtëm i Serbisë, apo “Slloba i Vogël”, siç kishte preferuar ta thërrisnin derisa ishte përkrah kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević), në të gjitha ndërmarrjet gjenocidale kundër popujve joserbë, në cilësinë e zëdhënësit të partisë SPS të Millosheviqit, shpesh herë nuk dihet a është ministër i Serbisë apo ambasador i Rusisë. Riardhjen e tij në pushtet që nga viti 2012, Daçiq ia dedikon gjuhës së ashpër, arrestimeve dhe keqtrajtimeve ndaj shqiptarëve. (Mjafton të kujtojmë arrestimin dhe poshtërimin e policëve të Kosovës në kufirin me Serbinë në kohë zgjedhjesh). Daçiq në cilësinë e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, pas arrestimit të Haradinajt, kishte deklaruar se “rasti i ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj është test për Europën se a është legale vrasja e serbëve”, duke e akuzuar edhe për vrasjen e dëshmitarëve! Të ndalemi këtu. Daçiq është një nga personat kompetentë që mund dhe duhet të japë përgjigje në akuzat e parashtruara. Ndër të tjera duhet të sqarojë veprimtarinë e  të ashtuquajturës Drejtoria e Gjashtë (Šesto odeljenje Centra DB-Beograd) e njohur si “Drejtoria për Vrasje” (Odeljenje DB za ubistva), e formuar zyrtarisht por në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1999 në kuadër të Qendrës së Sigurimit Shtetëror serb në Beograd, e cila ka operuar edhe në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe të pasluftës. Nën përkujdesjen e kësaj “drejtorie” rezulton të jenë kryer krime të shumta monstruoze dhe ekzekutime enigmatike në Serbi dhe jashtë saj. Ndonëse “Drejtoria e Gjashtë”, për shkaqe konspirative përbëhej vetëm nga pesëmbëdhjetë persona, siç është bërë publike, kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë që të angazhonte në operacionet e saj çdo pjesëtar aktiv të Shërbimit Shtetëror serb, e në veçanti pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO).  Sipas kryeshefit të kësaj “Drejtorie” Ratko Romiq (tashmë i dënuar me 40 vjet  burgim për vrasje politike të kryera në Serbi), kjo drejtori sekrete ishte formuar “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”. Krahas likuidimeve misterioze, ekipet e kësaj drejtorie njëkohësisht mësohet se janë marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë. Pra, është një mekanizëm që me “dekret” të shtetit serb është marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve. Është e ditur publike se dy pjesëtarëve të këtij  njësiti sekret për likuidime, iu dhanë pozita të larta në Qeverinë Daçiq.

Kur jemi këtu, duhet theksuar se është mirë që Daçiqi ta sqarojë rastin e paradokohshëm të një dëshmitari pjesëmarrës në krime kundër shqiptarëve, likuidimi i të cilit ka kaluar fare në heshtje në Serbi. Daçiq është mirë të tregojë se çfarë ka ndodhur me dëshmitarin Radoslav Ognjenović (58 vjeç), i cili u gjet i vdekur më 4 janar 2017, në rrethana të pasqaruara në periferi të Beogradit, pasi që paraprakisht dy ditë më herët ishte zhdukur gjatë orarit të punës. Ognjenović ishte shoferi i kamionit me të cilin i transportoi për në Serbi trupat e 86 civilëve shqiptarë (në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të Familjes Berisha nga Suhareka). Tashmë dihet se ky kamion u gjet në lumin Danub në Serbi, më 6 prill 1999. Kamioni ishte pa targa, kishte vetëm një logo që tregonte se i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga Prizreni. Siç është dokumentuar, më 7 prill 1999, 53 trupa si dhe tri koka të prera nga trupat e tyre u dërguan me një kamion në qendrën stërvitore të policisë serbe në Batajnicë, ku i hodhën nëpër gropa dhe i dogjën, ndërkaq të tjerët përfunduan në varrezën masive në Petrovo Sello. Ky dëshmitar u likuidua vetëm disa javë para publikimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Beograd “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë, Operacioni i fshehjes së trupave” (i publikuar më 1 shkurt 2017), sipas të cilit, zyrtarët më të lartë të qeverisë së Serbisë, më saktë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe departamentet e ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë, kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Mbetjet mortore të qindra prej tyre u gjetën në varrezat sekrete masive në Serbi (Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë etj.).

Zoran Stankoviqi (Zoran Stanković), gjithashtu njeri i afërt i Sllobodan Millosheviqit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë në krye të VMA-së (Akademisë Mjekësore Ushtarake) në Beograd, i shpërblyer me poste të larta ministrore (ministër i shëndetësisë, ministër i mbrojtjes), në cilësinë e “patologut” ka shprehur gatishmërinë që të dëshmojë pranë autoriteteve franceze kundër Ramush Haradinajt! Falsifikimeve dhe fabrikimeve të Stankoviqit dhe të tjerëve si ai, të bëra në emër të “profesionalizmit”, ka kohë që u ka dalë boja! Janë zhvlerësuar shkencërisht edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Por në vend të gatishmërisë për të dëshmuar kundër Ramush Haradinajt, është mirë që Stankoviqi të dëshmojë e të japë llogari për mbi 5 mijë obduksione të dyshimta mjeko-ligjore të kryera në VMA dhe të zbardhë dyshimet e bazuara për eksperimentimet që janë bërë gjatë luftës (1998-1999) me shqiptarët në vend të minjve në bodrumet nëntokësore të VMA-së dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd. Nuk është e rastit pse Stankoviqi sot gjendet në pozitë për “përkujdesjen” ndaj shqiptarëve në krye të Trupit Koordinues të qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë!

Edhe Lubisha Dikoviqi (Ljubiša Diković), Shefi aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, i akuzuar publikisht nga Fondi për të Drejtën Humanitare për vrasjen e të paktën 1400 civilëve shqiptarë në pranverën e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës ku ka operuar në krye të Brigadës 37 të Motorizuar të UJ-së me seli në Rashkë, duke i mohuar akuzat për këto krime ka thënë se nuk ka ardhur në Kosovë për të vrarë, por se atij i takuakan meritat se paska mbrojtur 15 mijë civilë shqiptarë! (Çuditërisht të njëjtën përgjigje e kanë dhënë edhe kriminelë të tjerë serbë nga Beogradi kur janë pyetur për arsyen e dërgimit të njësive speciale nga Beogradi në Bosnjë! Sipas kësaj logjike del se  edhe në Srebrenicë njësitet e Serbisë paskan shkuar për të mbrojtur popullin e atjeshëm! E kanë mbrojtur duke vrarë mbi 8000 civilë).  Komandanti i Brigadës 37 të Rashkës, Lubisha Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë ka pasur nën komandën e tij 4500 veta. Është e vërtetë se në rajonin e Drenicës, në të cilin ka operuar, Dikoviq ka përdorur një taktikë paksa më të ndryshme ushtarake në krahasim me njësitet tjera të ushtrisë serbo-jugosllave. Dikoviq, nuk i ka rrethuar fshatrat e Drenicës në formë “patkoi” (siç planifikohej në planin e famshëm sekret serb për spastrimin etnik të Kosovës dhe siç u veprua praktikisht në fushëbeteja), por ato i ka vënë në rrethim të plotë, pa ua lënë asnjë shtegdalje. Ndaj popullsisë civile të këtij rajoni, të cilën Dikoviqi thotë se e ka mbrojtur (!), forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i aplikuan format më të tmerrshme të gjenocidit. Mbase Dikoviqi mund ta konsiderojë “mbrojtje” okupimin e Drenicës, pasi që në ndërmarrjet antinjerëzore e antishqiptare edhe gjatë luftës në Kosovë kisha dhe shteti serb krimin ndaj joserbëve e kanë konsideruar si “ndëshkim që vjen nga Zoti”!

Mjafton që secili të shohë raportet sekrete të Dikoviqit të bëra gjatë kohës së luftës, apo edhe sot të shkojë në Drenicë: në Qirez, Rezallë, Likoshan, Vërbovc, Izbicë, Çikatovë të Vjetër, Gllanasellë, Drenas, Poklek, etj., për të parë nga afër “humanizmin” e Dikoviqit, e pse jo të shohin edhe varrezën sekrete masive në Rudnicë të Rashkës, e zbuluar pikërisht në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit. Dy vite më parë në Rudnicë u gjetën mbetjet mortore të 53 civilëve shqiptarë nga rajoni i Drenicës, ku kishte vepruar Dikoviqi. Ende nuk janë kryer të gjitha gërmimet në këtë lokalitet, ku dyshohet se ka edhe shumë trupa të tjerë (shifrën se në këtë varrezë masive gjenden trupat e 250 deri në 400 civilëve shqiptarë, e ka deklaruar vet prokuroria për krime lufte e Serbisë).

Velko Odalloviq (Veljko Odalović), tash sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, duke e ditur se është i pamundur ekstradimi i Haradinajt në Serbi, insiston që megjithatë autoritetet franceze Haradinajn ta dërgojnë në Gjykatën Speciale! Velko Odaloviq, para të gjithëve personalisht duhet të përgjigjet për krimet e shumta të kryera ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj serbëve e të tjerëve para dhe gjatë luftës në Kosovë. Anëtari i SPS-it dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Sllobodan Millosheviqit, Velko Odaloviq, gjatë luftës në Kosovë ka qenë kryetar i të ashtuquajturit Qarku i Kosovës, i emëruar prej qeverisë së Serbisë. Qarku të cilin e ka kryesuar Odaloviq ka përfshirë dhjetë komuna: komunën e Podujevës, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Shtimes, Shtërpcës, Ferizajt, Kaçanikut dhe të Lipjanit, prandaj si përgjegjësi kryesor i pushtetit serb në këtë qark ishte urdhërdhënësi kryesor për krimet e kryera në komunat e lartpërmendura. Për këtë ka dëshm, dëshmitarë dhe prova të pakontestueshme. Në të njëjtën linjë janë vënë edhe zyrtarë të tjerë serbë. Është interesant se të gjithë ata rezultojnë të jenë të përfshirë në krime lufte në Kosovë. Sa u përket Nikoliqit e Vuçiqit është kuptimplotë dhe e ditur publike deklarimi i Sheshelit, i bërë një vit më parë, kur deklaroi se në të gjitha që ai i ka bërë, i ka pasur bashkëpunëtorë Aleksandër Vuçiqin e Tomislav Nikoliqin. “Maja Gojkoviq, Tomislav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq kanë marrë pjesë në të gjitha që unë kam qenë i përfshirë. Ata ishin bashkëpunëtorët e mi”, u deklaroi Shesheli medieve të Beogradit më 28 mars 2016.

Nuk është mirë që edhe tetëmbëdhjetë vjet pas humbjes së luftës në Kosovë, Serbia të vazhdojë ta mbajë peng dhe ta terrorizojë rajonin duke mos e pranuar të vërtetën, duke mos i pranuar përgjegjësitë e krimeve të luftës dhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve e të tjerëve në dekadën e fundit të shekullit XX. Deri më tani Serbia jo vetëm që asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar, por asnjëherë nuk e ka bërë publike të vërtetën për luftën e Kosovës as para popullit të vet. Nuk i ka bërë publike humbjet reale që i pësoi si agresor në Kosovë, nuk e ka dhënë numrin e saktë të dëmeve në njerëz që ka pësuar gjatë luftimeve. Janë bërë bajat fabrikimet, falsifikimet, montimet e gënjeshtrat me të cilat po shërbehet.

Serbia duhet ta dijë se barrën e krimeve e të gjenocidit të kryer si shtet gjatë luftës në Kosovë nuk mund t’ia bartë Ramushi, nuk mund t’ia bartë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk mund t’ia bartin shqiptarët as të tjerët. Është barrë e rëndë e krimeve mizore që nuk ia merr përsipër askush. Përndryshe, serbizmi si ideologji raciste që po vazhdon ta kultivojë dhe ta aplikojë Serbia, po del t’ua kalojë të gjitha ideologjive raciste, të shfaqura në Europë gjatë shekullit XX.

Me rastin Haradinaj drejtësia franceze po e humbë prestigjin që e gëzon në botë si shtet i të drejtës dhe i demokracisë, prandaj nuk guxon të bie pre e lajthitjeve dhe e presioneve të Serbisë. Nesër duhet ta lirojë pa kusht Ramush Haradinajn dhe t’i kërkojë falje për ndalimin e padrejtë! Shqiptarët dhe bota demokratike dhe liridashëse nesër presin drejtësi!

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe lajthitjet serbe, Drejtësia franceze, Fitnete Ramosaj

Kërcënimi i Gruevskit dhe e vërteta për shqiptarët në Maqedoni

February 28, 2017 by dgreca

Nga Çerçiz Loloçi/

Nuk ka asnjë dyshim se shqiptarët në Maqedoni janë popullsia shumicë më homogjene përballë asaj maqedonase që herë ndihet serbe, herë bullgare, herë greke, herë sllavo-ruse, apo pakicave të tjera që kanë mbetur pas shpërbërjes së perandorisë turke dhe të ish-Jugosllavisë

Natyrisht atje ka edhe popullsi të tjera, të cilat nuk kanë aq peshë sa mund të kenë patur në këto 27 vjet të përmbysjeve të mëdha në shkallë botërore dhe rajonale

Mbijetesa e gjatë e Gruevskit është karta e nacionalizmit të shtirur dhe dobësia permanente e forcave të tjera politike (kryeisht shqiptare), përfshi edhe partinë tjetër më kryesore maqedonase të Zajevit që kërkon të krijojë qeverinë e re.

Në këtë atmosferë politike shqiptarët kanë qenë më të duruarit, më bashkëpunuesit, më shtetmbajtës dhe shteformues, paçka se në bashkwsinw e tyre etnike e tyre ka pasur edhe elementë të radikalizmit islamik, që janë financuar fuqishëm nga shtete dhe bashkësi të fuqishme antishqiptare.

Shqiptarët në të gjitha viset autoktone kanë pasur përherë një busull kombëtare që i ka mbajtur me identitet të fortë pro-europian. (Xhami pa fund, qindra-mijëra libra tërësisht fetarë, ceremoni dhe përkujtimore të përvitshme përkundër shkollave të pakta, përkrahja e nacionalistëve marksistë-leninstë “pa din e iman”, nuk kanë qenë akte që nderojnë shqiptarët në Maqedoni, por kjo është një pjesë fare e vogël dhe e pak e përfillshme përballë identietit euro-atlantik, kundruall lidhjeve të forta me SHBA dhe Europën).

Natyrisht se në zhvillimet e fundit shqiptarët nuk kanë qenë ëngjëjt përballë djajve të shumëfishtë, por koha ka kohë që punon për ta për t’u rreshtuar masivisht në boshtin euroatlantik.

Pikërisht ky nerv perëndimor do ta detyronte Ali Ahmetin dhe BDI për të mos qenë një parti tribu, do ta ndwrgjegjwsonte rivalin tjetër në opozitë Mendu Thaci, (mjerisht ende në listën e zezë të Departamenti të Shtetit të SHBA), që të silleshin si perëndimorë, pra të dorëhiqeshin në orë e më parë si një proces normal që ndodh zakonisht në vende të qytetëruara duke i hapur rrugë konkurencës, ardhjes në skenë të një klase të re politike.

Ndërsa për kërcënimin e Gruevskit se “pranon më mirë në burg se sa zyrtarizimin e shqipes”, kjo duhet marrë si një grahmë e fundit e nacionalistëve, sepse asnjë shtet në Maqedoni nuk mund të qëndrojë pa praninë e shqiptarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Cerciz Loloci, e vërteta për shqiptarët, Kërcënimi i Gruevskit

Çfarë presim nga vizita e Presidentit të Shqipërisë në Bujanoc?

February 27, 2017 by dgreca

presidenti-i-republikes-bujar-nishani-1-300x2004-300x2008-300x200

Presidenti i shqipërisë Shkëlqesia e Tij Bujar Nishani ka paralajmëruar  se më 7 mars 2017, me rastin e ditës së Mësuesit, do të vizitoj  Komunën e Bujanocit/

1 refik Hasani

Shkruan: Refik HASANI*/

Në vizitën e parë në këtë krahinë në cilësinë e Presidentit të Shqipërisë opinioni është i intersuar se çfarë mendime e propozime të reja do të sjellë kjo vizitë e kreut më të lartë të Shqipërisë.Është e drejtë legjitime e presidentit shqiptar të vizitojë shqiptarët, kudo ku ata jetojnë. Kjo natyrisht do të jetë një vizitë historike e një presidenti shqiptar. Por shqiptarët e këtushëm duan të dinë se çfarë propozimesh apo angazhimesh të shtetit shqiptar,do të afrojë kjo vizitë në dallim me vizitën e mëparshme të kryeministrit Edi Rama dhe me vizitën e kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë z.Ilir Meta. A do të sjellë kjo vizitë këndvështrime të reja për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, apo sërish do të kemi refrenin që vjen nga Tirana?  Sigurisht në agjenden e presidentit shpresojmë se nuk do të përsëritet vëtëm thënia, që Tirana do të vazhdojë të mbetët adresë edhe për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, por do të ngrihet zëri, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të shqiptarëve nga kjo hapsirë etnike shqiptare.

Ndoshta presidentit i Shqipërisë  në vizitën e tij në Bujanoc sigurisht për çështjen e furnizimit me Abetare do të tregon që në vitin shkollor 2017/2018, përfundimisht do të zgjidhet.  Po, ashtu pasi vizita bëhet në ditën kombëtare të Mësuesit Presidenti, ka një mendim të institucioneve që për  nxënësit dhe studentët nga kjo Krahinë do të kenë kuota shumë më të larta dhe të gjitha shpenzimet e vijimit të specializimeve e studimete të gjitha niveleve do të jenë gratisë.Në të ardhmen  Tirana në bashkërendim  me Prishtinën zyrtare do të mundohen të ndërtojnë një qëndrim, platformë a strategji që t’i praqesin e artikulojnë kërkesat e ne shqiptarëve nga kjo pjesë në të gjitha instancat dhe mekanzimat të BE-së dhe OKB-ës. Sigurisht ish-Gjenerali i Ushtrisë Shqiptare, e tani në emër të parit të Shtetit Shqiptarë, do të kujtojë e nuk do të harrojë  pa përmendur një çerek shekulli nga referendumi i mbajtur më 1 e 2 mars 1992,për një Autonomi politiko-territoriale të Luginës. Ndoshta i pari i vendit të shqiponjave, përveç tjerash, gjatë kësaj vizite do të  mbështesë çështjet e mbetura pezull si:

–    Për luftën e UÇPMB-së dhe  marrëveshjen e Konçulit,që të plotësohet apo të organizohet ndonjë  konsultim,

–    Për  kërkësën drejtuar Boegradit zyrtar për kthimin e lapidarit të UÇPMB-ës në Preshevë,

–    Për mbajtjen e një Konferencë të donatorëve në ndihmë të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës,

–    Për formim të një Komisioni mikst Parlamentar të Shqipërisë dhe Kosovës për shqiptarët jashta këtyre kufijve administrativë,

–    Të ndajnë mjete të rregullta dhe të krijojnë një fondë të përhershëm për nxitjen e zhvillimit,në arsim,shëndetësi, në mas-media,etj

–    Do të mbështetë e përkrahet hapjen e një Universitetit publikë në gjuhën shqipe,

–    Për ngritjn e shtatores së Skënderbeut në Bujanoc, a do t’i heqë shpenzimet Tirana zyrtare?

–    Për pajisjen me Abetare,libra shkollor e lektyra për të gjitha shkollat dhe bibliotekat në tri komunat,

–    Për hapjen e një zyrë ndëlidhëse në kuadër  të Qeverisë apo Parlamentit Shqiptarë për tri Komunat.

Si do që të jetë, duhet përshëndetur vizitën e paralajmëruar të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani.E mirëpresim, qoftë edhe nëse diçka do të realizohet, duke shpresuar për një përmisim nga ato që deri më tani ka investuar Tirana zyrtare. Kjo natyrisht do të jetë  vërtetë  një vizitë historike e një presidenti shqiptar.

*Autori ëshë nga Bujanoci, është i diplomuar në drejtimin Ekonomik në Master shkencor të Universitetit publik,,Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Çfarë presim, në Bujanoc?, nga vizita e Presidentit të Shqipërisë, Refik Hasani

Bilbilejtë e Zharrëzës

February 26, 2017 by dgreca

2-Ilir-196x300-1

Nga Ilir Levonja/Nuk ka rëndësi se sa janë. Dhjetë apo pesëmbëdhjetë. Por rruga më këmbë. Si e si që tu dëgjohet zëri. Rruga e përshkuar me karroca nga ato të njerëzve të pamundur. Duke suportuar supesh njëri-tjetrin. Duke refuzuar suportin politik. Atë që (qoftë ky i djathtë apo i majtë) ndër gjithë këto vite, është edhe shkaktari i hallit të tyre.

Duke e refuzuar me dinjitet. Dhe duke vazhduar. Deri sa u shtrinë për të fjetur aty në trotuar. Aty përpara godinës që quhet shtet. Ku shtetari i tyre grindet, i ironizon. Ua quan si ecje qejfi itenerarirn Zharrëz Tiranë. E që nuk merr asnjë përgjegjësi shtetari. Pasi ka mësuar përmendësh edukatën skandaloze të politikës sonë, post diktaturë. Devizën se, nuk e ke nga unë. Por nga ai apo ajo qeveri që iku. Devizën e bjerrjes kolektive të ndarë në demokratë e socialistë. Megjithëse, sipas një mendje nga bota e fjalës, e brezit të humbur., Remarkut. Vendi që nuk pjell burra të cilët mëkatet e ballarëve apo të të parëve ia lënë në derë fatit. Eshtë i destinuar të shpërbëhet. Dhe jo rastësisht sot, 38% e kombit shqiptar jetojnë jashtë shteteve të tyre. Dhe jo rastësisht sot, shoqëria jonë e është e infektuar nga dëshiromania. O të iki, o të anëtarësohet diku në një parti politike.
Nuk ka rëndësi jo, Ja u them unë. Nuk ka rëndësi as çadrat e beduinëve. Edhe kjo moda postdiktaturë e politikës së bijëve që nuk njohin mëkatet. Megjithëse vdesin për tu bërë shtetarë. Janë qytetarë bashkëkohor. Nga bota. Nga ata që nuk ndalen së luftuari për të drejtën e tyre. Bijë nënash janë. Bilbilejtë e të drejtës qytetare.
Megjithatë më dhimbset. Më dhimbset kur shoh se sa shumë energji harxhojmë tek çadrat beduine.
Megjithatë më dhimbset se si, ajo Tiranë. Tashmë e mbimbushur me malsorë, myzeqarë, lebër. Toskë e gegë. Ajo Tiranë e madhe Shqipërie. U tregua gjysmake e nuk dolën t’i ngrohnin.
Pse? Sepse janë pak. Fare pak qytetarë dhe 99.99% partiakë të përbetuar.
Mu dhimbse Tiranë. Nuk kishe dyshekë. As batanije gazermash.
Nuk kishe asgjë. Ndofta e keni humbur sensin e ndjeshmërisë njerëzore. Edhe pse vetë, pjesa dërrmuese e juaj janë pronarë pronash të mbivendosura. Qytetarë magazinash të pushtuara. Apo trojesh të shitura nga njëqind herë.
Megjithatë, grusht bashkuar e tu rrojnë partitë.
Nga ana tjetër mu dhimbse edhe ti Vendi im…, sa pak intelektualë që ke. Sa pak artistë. Apo artiste. Sa pak burra. Madje dhe ata që kanë mbetur, janë bërë më komunista. Më fanatikë se vet falangat e tyre që i përdorën për të na përndjekur. Përçarë, sunduar, rrahur, burgosur, syrgjynosur. Madje duke na i bërë në kokë. Edhe pse paralelisht na dekoronin.
Një lloj sundimi tjetër ky. I tejzgjatjes së poshtërsisë. Me gulçet e bishës karshi presë. Kështu e doni, kështu po ua bëjmë.
Mirëpo ne harrojmë se ujku qimen ndërron, jo zakonin.
Kështu ka ndodhur me demokratin, Kështu po ndodh me socialistin.
Kështu po ndodh edhe me gjeneratën që hanë fara luledielli.
Dhe që për inat të baballarëve, të cilët e mbajtën Enverin për 45 vjet në pushtet. Do i mbajmë edhe këta, mbetjet. Apo falangat, qelbësirat… E ku mbaron leksiku i fjalorit të tyre. Në fund të fundit i mundëm 27 vjetë. Edhe pak na duhen, 13 të kapin dyzetën. Pastaj pesë të tjerë po ia bëjmë hallall.
Vendi im ke kaq pak intelektualë sa u rrofshin dekoratat. U rrofshin teserat. U rroftë treni me vagona apo plot bagazhe që kanë në mëndje. Përderisa i janë nënshtruar diktatit, dhunës, rryfshetit. Jetës me qënë më mirë një nënpunës partie se sa një pedagog përshembull. Kaq pak nga ata që ecin më këmbë. Dhe kaq shumë nga ata të cilët i shikojnë nga radha e parë e turmës. Me adhurim provinciali ëngjujt e zinj të foltorove. Ata që na përçajnë e sundojnë.
Mu dhimbse qytetari shqiptare.
Ama më mbushët plot ju bilbilej të Zharrës. E më vjen mirë që jam myzeqar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bilbilejtë e Zharrëzës, Ilir Levonja

Kemi nevojë për qeveritarë, jo për xherahë e kasapë

February 25, 2017 by dgreca

Shkroi: Faik Konica/

1_Faik-Konica2

« Drita », fletë shqipe që del në Sofie, shkruan në numër të 4 marsit 1905 : « Nesër, kur t’i dalë shpirti së ngordhurës Turqi, atëherë të gjithë shqiptarëẗ lypset të bëjnë kështu : çdo shqiptari mysliman, kur të flasë turqisht e të thotë ekemk, su, si dhe çdo shqiptari ortodoks, kur të flasë greqisht e të thotë psomi, nero, t’u presim me thikë jo vetëm gjuhën, po edhe hundën e veshët ». − Tani jam i sigurt se kemi edhe ne një burrë shteti (fr. homme d’État) ! Bravo, i lumtë atij që shkruajti ato fjalë, të cilat dëftojnë se çfarë vetash janë disa ndër ata që thonë se « punojnë për kombin ».

Të presim gjuhë, hundë e veshë !… Domethënë paska ndër ne një anë politike e cila ka shpresë ta qeverisë një ditë vendin me mënyrat e kanibalëve. Shumë bukur ! Sa për anën tjetër, ana e shqiptarëve që janë armiq të kanibaliesjës, e që më parë se çdo tjetër gjë kërkojnë të sigurojnë jetën edhe paqen e secilitdo, ajo anë do të sillet në këtë mënyrë përpara atyreve që « thonë ekmek, su, psmoni, nero » : « nuk do t’u japë patentë të hapin dyqan a të tregtojnë përveç atyreve që do jenë të zotët ta mbajnë defterin e tyre në gjuhë shqipe. Kjo do arrihet, dhe aq do ta bëjë ana e shqiptarëve të qytetëruar, në qoftë se kombi çlirohet një ditë dhe në qoftë se puna vete gjer atje. Shqiptarët me mend s’duan të punojnë me thikë për t’iu turrur botës. Kemi nevojë për qeveritarë, jo për xherahë e kasapë.

(Albania, nr. 1, janar 1905).

Filed Under: Opinion Tagged With: Faik Konica, jo për kasapë, Kemi nevojë, për qeveritarë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 508
  • 509
  • 510
  • 511
  • 512
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT