• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përtej mesazhit të urimit nga Presidenti Klinton

January 3, 2023 by s p

Çerçiz Loloçi/

1.
Ka disa vjet që marr çdo fundviti një mesazh urimi nga ish presidenti Bill Klinton, tashmë drejtues i një fondacioni së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e vet. Është një mesazh kortezie, që u shkon edhe shumë të tjerëve që janë të informuar dhe kanë pasqyruar veprimtaritë e kësaj organizate jofitimprurëse në vende të ndryshme të botës dhe që më vjen edhe mua në postën personale elektronike (www.clintonfoundation.org.).

Si president i 42-të i SHBA në periudhën 1993-2001, përfaqësues i Partisë Demokratike për dy mandate rresht (mori detyrën presidenciale nga George H. W. Bush dhe ia dorëzoi të birit, George W. Bush), Klinton ka qenë më parë Prokuror i Përgjithshëm i shtetit të Arkansasit në 1977-1979 dhe guvernatori i po këtij shteti në vitet 1979-1981 dhe 1983-1992. Së bashku me paraardhësin dhe pasardhësin e tij, ai konsiderohet ndër personalitetet më të dashura për shqiptarët në të gjitha viset, sepse pikërisht në periudhën e tij ndodhi ngjarja më e madhe: ndalimi i genocidit serb në zemër të Europës.

Bill Klinton ishte i pari president amerikan që priti në takim të veçantë në 1998 në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësin e LDK-së, Ibrahim Rugova dhe politikani që ndikoi në miratimin dhe realizimin e vendimeve të OKB-së për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Luftën e Kosovës në 1999.

Klinton ka pasur fëmijëri dhe jetë të vështirë, por falë konkurencës që është në themel të demokracisë amerikane dhe aftësive profesionale, ai arriti të bëhet një simbol i demokratëve jo vetëm brenda hapësirës së këtij kontinenti, po edhe në shkallë botërore. Ai vetë dhe gruaja e tij, Hillari Klinton, Sekretare e Shtetit nën presidencën Obama janë shumë të respektuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi apo në atë që quhet hapësira e natyrshme; shumë fëmijë të lindur në këto vite kanë emrat e tyre, përveç që ka edhe një mori statujash e portretesh nga artistë amatorë.

Do të ishim të padrejtë të pohonim se ajo që ndodhi me shqiptarët në mijëvjeçarin e ri është vetëm fryt i përkujdesjes amerikane në nivelet më të larta; këtu kanë dhënë ndihmesën e tyre edhe mjaft aktorë të tjerë, përfshi një personalitet të pangjashëm me askënd si Nënë Tereza, fituese e Nobelit të Paqes në 1979, emri më i shquar i letrave shqipe Ismail Kadare, komunitetin e mendjeve të ndriçuara në SHBA me dy drejtorët e ‘Zërit të Amerikës’, Frank Shkreli dhe Elez Biberaj, një grup i senatorëve dhe kongresmenëve amerikanë me origjinë hebreje, përpjekjet e orientimit properëndimor të Rugovës dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

2.
Shteti që konsiderohet si kampion i demokracisë ka një kufizim mandatesh për presidentët dhe ndalime të tjera ligjore dhe personat që përfundojnë detyrën kthehen në punët e tyre private ose mund të kenë fonacione ose biblioteka me emrin e vet. Kjo tashmë është normë në SHBA dhe në të gjitha shtetet europiane, por kjo gjë nuk ndodh në viset tona.

Shqiptarët kanë fituar shumë në shekullin e ri (Shqipëria në NATO dhe shumë afër pranimit në familjen europiane, Maqedonia e Veriut me një popullsi të konsiderueshme shqiptare dhe bashkëpërgjegjëse në qeverisje, gjithashtu në NATO dhe pranë bashkësisë së kontinentit, Mali i Zi me një pjesë shqiptare po ashtu në NATO), ata janë sot një faktor rajonal që kontribuon për paqen dhe mbrojtjen e vlerave euro-atlantike.

Megjithatë në të gjitha këto vise të populluara prej tyre, ata kanë edhe klasën më të papërgjegjshme, më të korruptuar, partitë janë si çeta bashibozukësh, pa demokraci të brendshme, pa konkurencë, pa zgjedhje të ndershme e demokratike, pa shtyp të lirë, me institucione false dhe jo të pavarura dhe kjo është vërtet dëshpëruese. Me institucione të vjetra apo të reja të drejtësisë ka një fakt bërtitës: pasurimin e menjëhershëm të oligarkëve të politikës, që kurrsesi s’mund të ndodhë me rrogat fikse shtetërore, por askush nuk është ndëshkuar ose do të ndëshkohet pa një fillim të ri.
Shoqëria shqiptare e ka mëse të nevojshme ribërjen e saj, me emra dhe gjenerata të reja për të rikthyer shpresën, për të kryer më së pari reformimin e forcave politike, largimin e kryetarëve pa anëtarë, kufizimin e mandateve dhe sidomos me vënien para përgjegjësisë të protagonistëve që kanë bërë ç’kanë dashur me financat publike.

Filed Under: Mergata Tagged With: Cerciz Loloci

Kur territori i letërsisë shkon përtej atij amtar

October 12, 2021 by s p

Nga Çerçiz Loloçi

Pas tetë përbledhjeve poetike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut dhe pas botimit të rreth 11 librave në gjuhë të huaja, mes të cilave në anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, suedisht, arabisht, hungarisht, rumanisht dhe pothuaj në krejt gjuhët e shteteve të Ballkanit, Lulzim Tafa rivjen para lexuesve me librin e titulluar ‘Flirt”, Botimet AAB, Pristinë 2019, në të cilin gjenden 65 krijime, nën redaktimin e autorit të njohur Sali Bashota.

Megjithëse me formim juridik, madje me doktoraturë drejtësie të kryer në Sarajevë, autori ka spikatur qysh herët për prirjen e tij poetike, çka ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të botuesve vendas, por edhe të mjaft enteve të tjera që e kanë përfshirë në antologji të ndryshme.

Duke qenë një zë i veçantë, në korin e madh të poetëve shqiptarë, Tafa gjithashtu ka marrë vlerësime nga mjaft shkrimtarë të tjerë ku do të përmendim Abdulla Sirdan, Daniel Marian, Ali Podrimja, Marius Chelaru, Peter Tase, Daniel Lion, Monika Muresan, Inger Lalander, Mirash Martinoviq, Jevrem Berkoviq, Hristo Petrevski, Ion Deaconesku, Ibrahim Berisha, Jeton Kelemendi, Salajdin Saliu, Rrahman Paçarizi, Laura Rushani, Milutin Gjurickoviq, Lucian Gruia, Ile Demiri, Tina Laco, Bki Imeri, Naime Beqiraj, Xhemail Peçi, Shyqyri Nimani, Berat Armagedoni e shumë të tjerë.

Libri poetik përmbledh pesë cikle, të emërtuara ‘Dashuria”, ‘Flirt’, ‘Lufta’, ‘Letra’ dhe ‘Dhimbje’, të cilat përcjellin një mori mesazhesh të jetës njerëzore dhe që autori bën kujdes që të jetë sa më origjinal dhe i pangjashëm me librat e tij të mëparshëm, por edhe me autorë të tjerë.

Në ciklin e parë Tafa zhbiron raportet e ndjenjës së dashurisë dhe rindërton trembëdhjetë tablo që siglohen me epitafet e Paulindës, Akull e dashni, Ty, Eh, Përsëri, Piromane, Fobi, Kriza, Hana, Dije, Mos më thuej s’e kam ditë, Dashni me zjarrin dhe Grue. Poezia-imazh është një gjetje e bukur që gjendet jo vetëm në këtë cikël, por edhe në katër të tjerë pasues; më pak se sa me rimë, lexuesi gjen imazhe të gjithllojshme që mbeten gjatë në kujtesë.

Cikli i dytë i përmbledhjes poetike që përmban edhe titullin e librit ka gjithsej dymbëdhjetë poezi ku autori zhbiron botën femërore të kohëve moderne.

Cikli i tretë që i kushtohet luftës sjell të tjera motive, që vijnë artistikisht dhe me kënvdështrim original. Në poezinë ‘Svetllana dhe lufta’, autori shkruan:  Kur përfundoi së numëruari/Shtatëdhjetë e shtatë mijë veteranët e luftës/Ali Podrimja/plasi e tha:/Merreni këtë liri/e n’rrotë t’samës/atë nanë mashtruesve.

Në poezinë tjetër ‘Asfalti mbi eshtra’ kemi vargjet: Batajnica/Rashka/Rudnica…/Alsfalti si qefin/mbi eshtrat e fëmijëve. Apo te ’Boro e Ramizi’: I vranë po nuk i ndanë/Europa beson/se ata ishin Gay/prandaj duhen fonde/për një përmendore të madhe/ku çdo vit/LGBTI-ja pas paradave/do të sjellë lule.

Tafa është një vëzhgues i hollë i jetës njerëzore. Të gjithë do të vdesim/varret do të na pashiten/vetëm heronjtë do të mbesin/për t’u vrarë mes vetit. (Heronjtë e LNÇ). Por ti mos u trishto/komandanti ka ide/nëse janë të pafajshëm/i shpallim dëshmorë, i bëjmë heronj. (Letër Bujar Tafës). Në vitin 1944/Mileva, fshatarja serbe/konvojit të partizanëve/ua dha/një palë çorape/të leshta. Katërdhjet vjet e gëzoi/”boraçkën”/pensionin e luftës së lavdishme të LNÇ/nga shteti/i leshit. (Boraçka).

Cikli i katërt dhe i pestë, të emërtuar ‘Letra’ e ‘Dhimbje’ kanë të tjera krijime të bukura që tejkalojnë poezitë e tri të parave, por që kanë dhe ngjashmëri me to në mënyrën e konceptimit dhe realizimit estetik.

Ka shumë dëshmi artistike që tregojnë se Lulzim Tafa është autor shqiptar, por përkundër kësaj ai spikat edhe si poet i njohur për lexuesin ndërkombëtar. Duke shkruar vazhdimisht, i pabujshëm, njohës i mirë i traditës sonë më të mirë si edhe i artit bashkëkohor, ai është tashmë një kontribues në letërsinë e madhe.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Cerciz Loloci

Hajredin Fratari: Bashkimi kombëtar vjen duke hequr barrierat Shqipëri-Kosovë!

October 8, 2021 by s p

Intervistë me sipërmarrësin e njohur dhe themeluesin e “Konfindustrias shqiptare”, Hajredin Fratari

Çerçiz Loloçi

Hajredin Fratari, nipi i kombëtarëvet Hajredin Fratari nga Mallakastra dhe Avni Gjilani nga Kosova, i biri i nacionalistit Rauf Fratari, u lind në Tiranë më 30.09.1942. Kreu Teknikumin e Ndërtimit dhe punoi si teknik në Berat. Vazhdoi shkollën, një filial nafte në Kuçovë, mandej Universitetin e Tiranës, natën, dega e Inxhinierisë së Ndërtimit, më 1966. Punoi inxhinier ndërtimi në Pukë, mandej në Tepelenë. U arrestua më 15.09.1979 dhe pas një hetuesie intensive me tortura për 13 muaj, u dënua me 25 vjet burg (15 vjet për “sabotim”, 10 vjet për “agjitacion e propagandë” dhe 5 vjet internim, (vendimi nr. 27 viti 1980). E vuajti dënimin në burgun e Tiranës, në të Ballshit, në një kamp përqendrimi me mëse 1100 të burgosur dhe në burgun e Qafë-Barit. Pjesëmarrës në revoltën e të burgosurve në burgun e Qafë-Barit, maj 1983. U torturua për 31 ditë me radhë për pjesëmarrje ne revoltë. U dërgua në burgun e Burrelit për një vit e gjysëm (1983-1985) dhe në burgun-kamp të Bulqizës (1986). U lirua më 11.09.1987.

Ku kanë nisur përpjekjet tuaja të para në fushën e sipërmarrjes së lirë?

Më muajin maj ose qershor 1990 ka filluar veprimtaria ime sipërmarrëse, sapo qeveria bëri të mundur me ligj krijimin ndërmarrjet private. Duhet të kishe 10 mijë lekë të vjetra që të hapje një numër llogarie në një bankë që të merrje lecensë. Mu deshën 2 muaj që të bëja 10 mijë lekë të të vjetra dhe u hap ndërmarrja e parë e ndërtimit në Shqipëri.

Sapo mora licensën gjëja e parë është se më vjen një djalë nga SHBA dhe më kërkoi t’i ndërtoja një vilë në Kopshtin Botanik. E kërkonte urgjent dhe për gjithë natën bëra preventivin dhe projektidenë e vilës dhe i thashë do fillojmë me bodrumin. Preventivi i bodrumit bënte 360 mijë lekë, do paguash 30 përqind dhe unë do filloj punimet sa më parë.  Emigranti shkoi në Bankën Qendrore dhe pagoi gjithë vlerën dhe ky objekt përfundoi brenda një muaji. Të thashë 30 përqind e jo gjithë vlerën e vilës, i thashë emigrantit nga SHBA. Po po, unë të njoh prej kohësh ndaj kërkoj të ndërtosh diçka për mua, më tha ai. Ndërkohë një brigatë tjetër e imja punonte për kryegjyshatën dhe ndërtova falas tre tyrbetë e para në selinë qendrore. Kam investuar rreth 2 milionë lekë për selinë e kryegjyshatës. Një kthesë në veprimtarinë time ishte ngritja e Frigoriferit Metalik, të cilin e mora për një afat 9 muajsh dhe e realizova për 6 muaj. Nga kjo punë unë përfitova 100 mijë USD. Në atë kohë fillova të bleja makineri dhe pajisje të tjera që i duheshin një firme ndërtuese.

Nga ajo kohë e deri më sot, çfarë do të vlerësonit si arritjen më të madhe në sipërmarrjen tuaj?

Ndërmarrja ime u rrit viti pasi viti, u plotësua në staf dhe në një ekip profesionistësh dhe prej tyre punët më të mira kanë qenë komplekset që kam ndërtuar në Yzberisht, në Kopështin Botanik dhe te ish artistikja Migjeni. Gjatë kësaj periudhe kam punuar edhe me fonde publike, konkuroja si gjithë të tjerët dhe fitoj objektin si oferta më e mirë. Nga 1997 hoqa dorë nga punët me tendera publikë sepse u rrit shumë edhe korrupsioni. Me ndërmarrjet time kam realizuar edhe disa ndërtime spitalore dhe objekte të tjera.

Megjithëse me prejardhje nga nga një familje atdhetarësh ndër breza, ju nuk jeni përfshirë në politikë?

Mbas vitit 1992 vura re që Partia Demokratike që aspironim shumë nuk dëshironte të kishte në gjirin e saj njerëz që kishin orgjinë nga familje atdhetarësh e të përkushtuar që kishin kontribuar ndër breza për Shqipërinë. Unë kisha fatin të isha nipi i dëshmorit të parë, të shtetit shqiptar, Hajredin Fratari vrarë më 1914 nga rrebelët, ai është njëherësh dëshmori i kombit dhe dëshmor i atdheut. Megjithatë kur PD kishte nevojën për kontributin tim, siç ishin zgjedhjet e vitit 1997, 2001 e 2005 kam ndihmuar mjaft për të bërë fushata në Tepelenë, në Mallakastër, në Tiranë. Mendoj se PD nuk ka dashur kurrë që të kishte brenda saj pjestarë nga familjet tona. Pra megjithëse jo shumë të dëshiruar në partinë e re të krijuar pas viteve nënëtëdhjetë, unë e pashë të domodoshme të përfshihem drjtpërdrejt në garën elektorale apo për të ndihmuar në fushata dhe kandidatë të tjerë. Përfshirja më e fundit nga familja ime ka qenë në zgjedhjet e fundit parlamentare të vajzës sime, Lediana Fratari, që konkuroi në Tiranë për Partinë Demokratike. Megjithëse e vënë në listë në kufirin e fundit ajo zhvillua një fushatë qytetare, me ide dhe propozime konkrete, çka u vlerësua me një numër të konsiderueshëm votash duke lënë pas shumë emra të tjerë të kësaj force politike.

Pavarësisht mospërfshirjes në politike, ju keni qenë aktiv në themelimin e një shoqate profesionistësh ‘Konfidustria shqiptare”; na thoni diçka për veprimtarinë e saj?

Në dhjetor 2005, së bashku me disa profesionistë themelova shoqatën “Konfidustria shqiptare”, një organizatë që mblidhte gjithë industrialistët e vendit. Shoqata bashkëpunonte kryesisht me konfidustrian italiane dhe vazhdon ende të funksionojë duke u marrë me projekte të donatorëve të huaj dhe të Komunitetit Europian.

Si ish i përndjekur politik, si do t’i vlerësonit raportet me PD dhe forcat e reja demokratike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë?

Të gjithë ish të përndjekur dhe ish pronarët ishin shtylla kryesore e Partisë Demokratike dhe e forcave të reja politike të krijuara pas viteve nëntëdhjetë, por u zhgënjyen shumë nga PD sepse bëri shumë pak këtë shtresë. Këto dy shtresa do të përfitonin shumë në radhë të parë duke anulluar ligji 7501 që pranarët të merrnin tokat dhe pronat e tyre, ndërsa të përndjekurit të merrnin punë e papaguar gjatë viteve të burgut. Për ta shpërblyar këtë shtresë ishte shumë e thjeshtë, por qeverisjet e demokratëve nuk ishin të interesuar të bënini një gjë të tillë. Strehimi i të përndjekur politikë do të merrte një zgjidhje përfundimtare, majfton që të jepeshin disa parcela shtetërore për disa ndërtues, të cilat të të kishin si detyrë edhe banesat për këtë shtresë.

Sipas jush a egziston aktualisht një klimë e mirë biznesi?

Për të paraqitur limën e biznesit mjafton t’u referohesh raporteve ndërkombëtare si ai i Bankës Botërore apo raporti më i fundit i Dhomës Amerikane të Tregëtisë që thotë se vetëm në Shqipëri nuk bën dot biznes. Referuar vendeve të rajonit si në Mal të Zi, Maqedonia e Veriut, e të tjera vende që kanë taksën 9 përqind, ato janë bërë edhe shumë tërheqëse për investitorët e huaj dhe ata vendas. Në Shqipëri kjo taksë është 35.2 përqind dhe duke përfshirë edhe atë që jepet nën dorë shkon shkon deri në 40 përqind.

Një dimension pak i njohur ka qenë përfshirja juaj në krizën kosovare…

Natyrisht se për të huajt ajo ishte një krizë kosovare, por për në ishte thjesh krizë shqiptare dhe pikërisht me këtë aspect do kuptuar edhe mikpritja e mijëra njerëzve që u përfshinë në konflikt me regjimin e Millosheviçit. Kur ndodhi kriza kosovare, une po shkoja në Itali. Sa zbrita në Romë më telefonon motra dhe më thotë se në stadiumin e lojërave me dorë kanë ardhur shumë shqiptarë nga Kosova. (Siç mund ta dini nëna ime është me origjinë nga Kosova dhe lidhja ime me shtetin tjetër po shqiptar ishte pak më e veçantë). Mora disa familja nga Kosova dhe i sistemova brenda mjediseve të mia. Kur kthehem mbas dy ditësh pata shumë kërkesa dhe hapa një pallat nëntë katsh te rruga e Elbasanit dhe mora 390 veta dhe i strehova atje derisa përfundoi lufta. Kam bërë edhe një apel ndërkombëtar si rotarian dhe erdhën shumë ndiha nga vende të ndryshme të Europës.

Ka një praktikë botërore ku shoqatat e sipërmarrjes janë kritike ndaj praktikave qeverisëse; pse mungon kjo praktikë në vendin tonë?

Qeverisjet e ndryshme si të Partisë Demokratike dhe ato të Partisë Socialiste janë munduar që t’i blejë shoqatat e biznesit për t’i pasur si leva të saj. Në këtë mënyrë ato u shërbejnë interesave të tyre të ngushta ose të krerëve të tyre dhe pak komunitetit të biznesit, që janë kontributorë të rëndësishëm në një shtet demokratik. 

Në këndvështrimin e një sipërmarrësi, a mendoni se mund të bëhet më shumë për heqjen e barrierave shtetërore midis Shqipërisë-Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi ku shqiptarët janë bashkëqeverisës?

Mendoj se kjo është e qëllimshme nga influence serbe sepse është shumë e thjeshtë që të hiqet trau mes Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu siç u unifikua abetarja, mund të bëhet edhe unifikimi doganor. S’ka nevojë për bërtitje për bashkim kombëtar, por të hiqen pengesat midis tre vendeve dhe tregu shqiptar do të kishte një frymëmarrje tjetër edhe për thithjen e investimeve të huaja, por edhe për të rritur më shumë ekonominë shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Cerciz Loloci, Hajredin Fratari

MBI MUHAXHEDINET

September 13, 2018 by dgreca

Mbi muxhahedinët, lajmet e rreme dhe akademikët e mediat që mbështesin regjimin iranian/

1 Çerçiz LoloçiNga Çerçiz Loloçi/

Është vërtet absurde të pranosh deklarimet që bën televizioni britanik ‘Channel 4’, kur në të vërtetë shqiptarët i njohin mjaft mirë pjestarët e rezistencës iraniane që janë strehuar përkohësisht në vendin tonë, në bazë të një marrëveshje dypalshe të qeverisë shqiptare me atë të SHBA. Deri tani nuk ka pasur kurrfarë incidenti dhe organet e sigurisë dhe të tjera ligjzbatuese në Shqipëri nuk kanë raportuar asnjë të tillë. Muxhahedinët në Shqipëri janë njerëz paqësorë, nuk kanë kurrfare lidhje me terrorizmin dhe mbështeten fuqishëm nga bota perëndimore, sidomos nga SHBA.

Kohë më parë një grup kolegësh shqiptarë kanë qenë të ftuar në Iran, por mjerisht asnjë prej tyre nuk ka shkruar se çfarë ka parë në të vërtetë (pra mizoritë e pafundme), si nuk i kanë lejuar të përdorin kamerat dhe mjetet e tjera të punës, ngjashëm siç ndodhte dikur në Shqipëri në periudhën e diktaturës. Po ashtu në Iran është bërë një konferencë shkencore kushtuar poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, ku janë ftuar edhe disa intelektualë shqiptarë, por çfarë kuptimi ka ky aktivitet kur regjimi është i pamëshirshëm me shtetasit e vet që i detyron të largohen nga vendi i vet.

Ndërkaq në hapësirën shqiptare, në mjediset akademike dhe universitare të Tiranës dhe Prishtinës, botohet rregullisht revista shkencore “Perla”, financuar nga fondacioni shtetëror “Saadi Shirazi” që angazhon një grup personalitetesh (deri tani janë publikuar mbi 80 vëllime), të cilët edhe paguhen për punimet e tyre. Prania e tyre në këtë revistë nuk do të thotë mbështetje e hapur për regjimin iranian, por një patericë e tij sigurisht janë për të krijuar imazhin se ai merret edhe me kulturë e shkencë, pra edhe me punë të mira. Nga ana tjetër është po ky regjim që pas revolucionit islamik është kthyer në vendin më të izoluar në botë, përbën kërcënim në shkallë planetare dhe ndjek metoda fashiste kundrejt qytetarëve të tij. Sigurisht këtë informim duhet ta kenë edhe akademikët dhe profesorët e angazhuar në “Perla” apo në veprimtari të tjera që bëhen nëpërmjet dhe me mbështetjen e ambasadës iraniane në vendin tonë.

Natyrisht ky grup mbështetësish nuk është i vetëm, të tjerë që janë rreshtuar paturpësisht në llogoren kundër simboleve tonë kombëtare, që shajnë nga mëngjesi në darkë Skënderbeun, Nënë Terezën apo Ismail Kadarenë dhe kanë një fill përbashkues me të mësipërmit (janë antiperëndimore në çdo ind), e kanë lidhur kapistrën në qarqe të tjera antishqiptare, financohen nga lobe që rreshtohen kundër interesave tona.

Ndjej vërtet keqardhje për kolegët e mi që shkuan dhe nuk shkruan asgjë për të varurit në mes të ditës si në kohët e Mesjetës, po ashtu edhe për ata që marrin pjesë në veprimtaritë e ashtuquajtura kulturore e shkencore (kur terrori ndjehet në çdo qelizë) dhe nuk do të doja që ata të kishin fatin e Havier Solanës që pas vizitës në Iran nuk iu dha viza për në SHBA dhe të skedoheshin nga shërbimet euro-atlantike si persona non grata.

Siç mund ta dini, ish-shefi i diplomacisë europiane dhe njëkohësisht ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana nuk ka mundur të hyjë në 25 qershor 2018 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të një vizite në Iran në 2013. Në 2016, administrata “Obama”, në përgjigje të kufizimeve të vendosura nga Kongresi, i ashpërsoi rregullat e hyrjes për qytetarët e 38 vendeve, të cilët kishin udhëtuar drejt Iranit, Irakut, Sudanit apo Sirisë pas 1 marsit të vitit 2011. Javier Solana në vitin 2013 ishte në Republikën Islamike, si i ftuar për betimin e presidentit Hassan Rouhani, ndërkohë që atëherë nuk mbante ndonjë post zyrtar.

Filed Under: Politike Tagged With: Cerciz Loloci, Mbi Muhaxhedinet

Kush e mban në Shqipëri Mostafa Mohammadin?

August 10, 2018 by dgreca

Shkruan: Çerçiz Loloçi/

Prej një kohe të gjatë qëndron në Shqipëri Mostafa Mohammadi dhe bashkëshortja e tij me preteksin se do të takohet me vajzën e vet, Somayeh, “që mbahet me forcë nga grupi i rezistencës iraniane që jeton përkohësisht në Shqipëri”.

Madje Mostafai i është drejtuar me një letër publike si ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ashtu edhe ish deputetit socialist Namik Kopliku (bashkëkryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri- Rezistenca Iraniane) që t’i mundësojnë një takim me vajzën e tij në vendin tonë dhe që në përfundim ta ndihmojnë për ta kthyer në vendlindjen e saj. Lidhur me këto dy letra nuk ka kthyer përgjigje publike Fatmir Xhafaj, ndërsa Namik Kopliku ka bërë një ballafaqim të kërkesave të tij me dëshminë e vet vajzës.

Para kësaj dëshmie, në një intervistë ekskluzive dhënë për Gazetën Shqiptare (http://www.gsh.al/2018/08/02/intervista-somayeh-mohammadi-jam-muxhahedinet-deshire-sjam-peng-ja-e-verteta-per-babain-tim/) Somayeh Mohammadi ka pohuar se pretendimi i Mostafait se “mbahem peng nga MEK” është një gënjeshtër qesharake… Unë jam në Shqipëri që është vend i lirë. Unë vendos për veten time. Jam 38 vjeç. Ky është vendimi im; nuk kam ndërmend të takohem me njeriun që është agjent i Ministrisë së Inteligjencës së një regjimi vrasës. Kam zgjedhur të luftoj për lirinë e popullit të vendit tim i cili është nën sundimin e një diktature mesjetare…”.

Zonja Mohammadi ka shkruar edhe një libër rreth kësaj, të titulluar “Fundi i një komploti”. Në këtë libër ajo shpjegon se si i ati, i cili është dërguar tani në Tiranë, ishte rekrutuar nga Ministria e Inteligjencës e Iranit dhe se si ai ishte bashkëpunëtor në vrasjet e anëtarëve të MEK në Irak.

Gjithashtu ajo shpjegon publikisht se në 1998, e ka lënë me vullnetin e saj banesën në Kanada dhe, si shumë iranianë të tjerë që e duan lirinë, u bë pjesë e PMOI dhe shkoi në Kampin Ashraf në Irak. Pas kësaj ka ardhur në Shqipëri me miqtë e mi të tjerë, pasi u larguan nga Iraku. “Kur ishim në Irak, thotë ajo, regjimi iranian mundi të keqpërdorte disa anëtarë të familjeve tona, përfshirë tim atë, kundër PMOI duke i kërcënuar apo joshur ata. Pas takimeve të tij me mua në Kampin Ashraf në Irak në vitet 2002, 2003 dhe 2004 dhe pasi u kthye në Kanada, ai deklaroi papritmas para shtypit dhe autoriteteve kanadeze se PMOI më kishte mbajtur me forcë në Kampin Ashraf kundër vullnetit tim. Ai krijoi blog-e propaganduese në emrin tim në internet, dhe, duke publikuar fotot e mia personale në këto blog-e, dhe duke aplikuar trysni të tjera, ai donte të më bënte të dorëzohesha dhe të bashkëpunoja me regjimin iranian. Bashkëpunimi i tij me shërbimin e inteligjencës së regjimit iranian (MOIS) si dhe shpifjet kundër meje dhe PMOI vazhduan deri në atë pikë saqë, në mënyrë që të bisedonin personalisht me mua dhe të më çonin në Kanada, një delegacion nga qeveria kanadeze erdhi disa herë në Kampin Ashraf në Irak. Çdo herë, në takimet e mia private me delegacionin e qeverisë kanadeze, u kam shpjeguar atyre se qëndroja me PMOI me vullnetin tim të sinqertë. Pasi nuk kisha më asnjë dyshim se Mostafa Mohammadi, pa asnjë dashuri familjare, po më keqpërdorte si një mjet për të fituar para dhe për të realizuar misionet e MOIS kundër PMOI, unë i ndërpreva të gjitha lidhjet dhe takimet me të përgjithmonë”.

Pak a shumë këto pohime 38-vjeçarja iraniane i ka dhënë edhe në videon ku ballafaqohen pretendimet e babait të saj, agjent i shërbimit sekret të regjimit iranian dhe të vërtetat e saj. Burime të besueshme e lidhin praninë e tij edhe me krimin e shëmtuar të regjimit Iranian ku u masakruan 141 persona në kampin e Ashrafit. (Dëshminë e plotë të zonjës Somayeh e ndiqni në linkun https://www.facebook.com/100010445585784/videos/pcb.665519517139562/665513257140188/?type=3&theater).

Në këto rrethana është e pakuptueshme se si ky person lejohet të qëndrojë ende në Shqipëri, teksa përbën rrezik jo vetëm për sigurinë e muxhahedinëve paqësorë, por edhe për atë në vendin tonë. Ka qenë vetë Departamenti Amerikan i Shtetit që ka njoftuar zyrtarisht vendet aleate dhe partnere që të bënin kujdes me diplomatët e rinj iranianë, të cilët ishin zëvendësuar me agjentë të shërbimit sekret të regjimit të Ruhanit.

Burime nga përfaqësues të rezistencës iraniane thanë për mediat se ata kanë bërë kallzim penal në polici dhe ende nuk shikojnë të bëhet asnjë veprim.

—————————————-

Post Scriptum: Kjo është deklarata e Mostafa Mohammadit në kampin e Ashrafit ku u vranë 141 persona: “Po i dhashë urdhër të sulmojnë natën; a e dini se asnjëri prej jush nuk do të mbetet gjallë? Mos përhapni fjalën se kanë ardhur një numër mercenarësh. Ne kemi ardhur këtu me dokumenta zyrtare. Dokumentat tona janë me udhëheqësit në Baghdad dhe me ushtrinë në Baghdad. Kjo e bërtitur që po bëj do t’ju kushtojë shtrenjtë një ditë, ditën që të lidh litarin rreth qafës së secilit prej jush dhe t’ju var. Rroftë Republika Islamike e Iranit”.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Cerciz Loloci, Mustafa Mohammad, shqiperi

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT