• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NATO MBETET GURTHEMELI I MBROJTJES SË VLERAVE PERËNDIMORE

February 17, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në kryeqëndrën e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO në Bruksel u mbajtë këtë javë mbledhja e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare për të biseduar mbi angazhimin e aleancës perëndimore në luftën kundër të ashtuquajturit “shtet islamik”, në Irak dhe në Siri.  Për herë të parë në një takim të tillë, mori pjesë edhe Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes në administratën e Presidentit Donald Trump, Xhim Mattis.  Zyra e shtypit e Pentagonit njoftoi se gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, para se të fillonte takimi i NATO-s me dyerë të mbyllura, Sekretari i ri nato-secretary-general-stoltenberg-and-u-s-defense-secretaryAmerikan i Mbrojtjes nënvijoi rëndësinë e aleancës perëndimore.

Ai theksoi se, “Aleanca e NATO-s mbetet një gurthemel i rëndësishëm si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për komunitetin transatlantik, pasi jemi të lidhur me njëri tjetrin.”  Ai gjithashtu siguroi aleatët se Administrata e Presidentit Trump mbështetë fuqishëm Aleancën Perëndimore.  Siç dihet, kandidati për president Trump, gjatë fushatës elektorale kishte krikituar NATO-n, duke venë në dyshim, sipas disa eskpertëve, angazhimin e plotë të tij si president dhe rrjedhimisht edhe atë të Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës perëndimore.  Prandaj, ky takim në Bruksel, këtë javë, ishte me rëndësi për të siguruar aleatët mbi mbështetjen e vazhdueshme të Washingtonit për NATO-n.   Por, përveç se siguroi aleatët për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s nga ana e Washingtonit, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes përsëriti gjithashtu edhe qëndrimin e administratës Trump se vendet anëtare të NATO-s, të cilat përfitojnë nga mbrojtja më e mirë që ekziston në botë, duhet të japin kontributin proporcional për shpenzimet, në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë në vendet anëtare.  Ai u citua të ketë thënë se, “Nuk duhet të harrojmë kurrë se më në fund është liria, ajo që ne mbrojmë, si anëtarë të NATO-s”.    Ai shtoi kishte në plan të zhvillonte një bisedë të hapët dhe të sinqert me miqët dhe me aleatët mbi të ardhmen e aleancës dhe në lidhje me nivelin e angazhimeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, citohet të ketë thënë se, Aleanca Perëndimore sot përballet me “Sfidat më komplekse dhe më të vështira në një gjeneratë”, dhe se këto sfida, sipas tij, nuk mund të zgjidhen pa angazhimin dhe bashkpunimin midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se drejtë këtij qëllimi, “Mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj lidhjeve transatlantike”.

Ndonëse, nga një anë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Xhim Mattis i siguroi aleatët për mbështetjen e Washingtonit ndaj aleancës, ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare që, nëqoftse dëshirojnë vazhdimin e angazhimit amerikan në mbështetje të NATO-s, ato duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e përbashkët.  Ai shtoi se me angazhimin e të gjithë vendeve anëtare, NATO do të vazhdojë të jetë “një forcë e vlefshme, e nevojshme dhe konstruktive”, ashtu siç e kishte cilësuar dikur Presidenti Eisenhower.

Ai përmendi sfidat e sigurisë ndaj vendeve anëtare të NATO-s duke theksuar se “Vendet tona përballen me kërcënime në shumë fronte, në periferi të NATO-s dhe mëtej.  Ne duhet të veprojmë në interes të stabilitetit tonë demokratik”, duke shtuar se lidhjet e ngushta transatlantike, “janë jetike për të luftuar ekstremizmin islamik, për të bllokuar përpjekjet e Rusisë që kanë për qëllim dobësimin e demokracive tona dhe për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe Kinës”, ka thënë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në takimin e NATO-s në Bruksel.

Gjatë takimit të NATO-s, Sekretari Mattis foli në veçanti edhe për marrëdhëniet me Moskën duke thënë se, “Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s po përpiqen të angazhohen për marrëdhënie më të mira me Moskën, njëkohësisht, ne duhet të mbrohemi nëqoftse Rusia vendosë të veprojë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.   Ndonëse jemi të gatshëm të mbajmë hapur mundësitë për dialog, për bashkpunim dhe për uljen e tensioneve, ne, shtoi ai, “Nuk do të heqim dorë nga vlerat e aleancës tonë”, por do i mbrojmë.

Një pjesë të fjalimit ia kushtoi financave dhe detyrimeve të vendeve anëtare për përmbushjen e përgjegjësive ndaj sigurisë së përbashkët.  Taksa-paguesit amerikanë, shtoi ai, “Nuk duhet të paguajnë shumën disproporcionale në mbrojtje të vlerave perëndimore”, duke theksuar se, “Amerikanët nuk mund të kujdesen më shumë se ju për sigurinë e fëmijve tuaj në të ardhmen.   Mospërfillja e gatishmërisë ushtarake provon një mungesë respekti për veten tonë, për aleancën dhe për liritë që kemi trashëguar, por të cilat tani është e qartë se po kërcënohen”, u shpreh Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në ministerialin e NATO-s në Bruksel.

Është e vërtetë se gjatë fushatës për president, ishte Donald Trump ai që u kërkoi vendeve aleate të jepnin konributin e tyre, ose dy për qindshin, në barrën për ndarjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes të NATO-s, por kjo nuk është një kërkesë e re nga Shtetet e Bashkuara, pasi është bërë edhe nga presidentët e mëparshëm dhe antarët e Kongresit.   Adminstrata e re amerikane e konsideron këtë si një kërkesë të drejtë, nga e cila siç duket nuk do të heqë dorë, pasi me antarësimin e tyre në NATO, të gjitha vendet anëtare të saj janë zotuar se do të paguajnë 2 për qindshin e prodhimit të brendshëm, si pjesë e përgjegjësive që rrjedhin nga antarsimi.  Shtetet e Bashkuara tani paguajnë rreth 75 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të NATO-s.  Sekretari amerikan Mattis u tha kolegëve të tij aleatë se duke përmbushur detyrimet ndaj aleancës, “Kombet tona provojnë se lidhjet transatlantike, mbrojtja e vlerave  dhe lirive tona, janë diçka që ia vlenë të mbrohen”, nga të gjithë.

Në takimin e Brukselit, të ministrave të mbrojtjes të aleancës NATO mori pjesë edhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli e cila sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, u tha kolegëve se vendi i saj, “Mbetet e angazhuar të materializojë angazhimet e marra, për një përqasje gjithëpërfshirëse në NATO mbi mbrojtjen e aleatëve.  Ministrja e Mbrojtjes theksoi se Shqipëria i jep një rëndësi të veçantë dhe mirëpret diskutimin mbi rreziqet dhe sfidat që burojnë nga jugu i Aleancës”, thuhet në njoftimin dhe nënvijohet se ajo bëri thirrje që aleanca të mos e harrojë Ballkanin Perëndimor, duke shprehur se “Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë një tregues i brishtësisë së rajonit. Gjithashtu, sipas saj, kjo gjendje po krijohet dhe nga lëvizjet dhe retorika provokuese e Serbisë, si dhe roli destruktiv i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon”.

Takimi i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Xhim Mattis me kolegët e tij të vendeve anëtare të NATO-s përveç se rithkesoi vendosmërinë absolute të mbështetjes amerikane për NATO-n, shpresohet të ketë shërbyer gjithashtu si një rast për të shpjeguar deklaratat — shpesh konfuze — të Donald Trump mbi aleancën perëndimore dhe mbi lidhjet amerikano-evropiane, gjatë fushatës presidenciale.  Duket se në të njëjtën frymë, është nisur drejtë Brukselit një delegacion i Kongresit amerikan, i kryesuar nga Senatori republikan John McCain, për tu takuar të premtën me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Kryeqendrën e aleancës perëndimore.   Kongresi amerikan ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikës së jashtme.  Për më tepër, sipas një njoftimi të NATO-s për median, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg do të presë të hënën më 20 shkurt — në Kryeqendrën e saj në Bruksel — Zëvëndës Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence.   Dihet se qendrimet e Donald Trump mbi politikën e jashtme gjatë fushatës, dukeshin si një largim nga politika tradicionale republikane mbi lidhjet e forta dhe të ngushta, të kultivuara gjatë dekadave, midis Amerikës dhe Evropës.

Përveç takimeve në Bruksel, Zëvëndës Presidenti amerikan do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Konferencën e Sigurisë në Munich të shtunën, ku sipas një zëdhënsi të Shtëpisë së Bardhë — që citohet nga agjencia e lajmeve Reuters — Zëvendës Presidenti amerikan do të sigurojë udhëheqsit evropianë se nga pikëpamja e Washingtonit,  Evropa është një “partner i pa zëvëndsueshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe se “Së bashku jemi më të sigurtë dhe më të begatë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të forta dhe të bashkuara”, citohet të ketë thënë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NATO-gurethemeli, vlerat

Pavarsia e një shteti pa ushtri

February 17, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/2-Ilir-196x300-1Pjesa e epërme e Shqipërisë. Ose një pjesëz nga dheu i arbrit, Dardania, feston sot 9 vjetorin e krijimit të saj si një nga shtetet më të reja të fundshekullit të kaluar. Me emrin Kosovë…, një prejardhje etimiollogjike nga një kodër kala a kështjellë, përmbi fusha etj. Thonë se është emër latin. Nga fortesat e kastriotëve a kastratëve etj. Por që çuditërisht edhe ato 2 milion shqiptarë që jetojnë aty. Dhe ata përmatanë asaj. Ashtu si edhe vëllezërit poshtë e anash këtij dheu. Çuditërisht pra, i thërrasin KOSOVO.

Madje me një krenari hajvani. Duke dashur të hiqen internacionale. Si pasojë e mendësisë së fortesave të diktaturave të proletariatit. Të cilat edhe pse i dasuan. Prapë ata u shërbyen me zell in e atij njeriut absurd. Atij qytetari që ndërton një Kështjellë, jo për tu mbrojtur nga i huaji, por nga vëllai.

Dhe të lumtur që dështojnë për dita, këtë internacionalizëm prej kosovosi. Jo kosovasi…, e gjen edhe tek ata që u shpjegojnë studentëve se në analet ndërkombëtare emrat shkruhen ashtu si i ka pagëzuar nëna. Dhe emrat e nënës Dardane, sidomos ato të gjinisë femërore mbarojnë me (a) kur cilësohen. Dhe me (ë) kur nuk është nevoja t’i cilësosh. Apo kur i gjegj goja në të përditshmen tonë internacionale.

Mirëpo të edukuar të bëjmë gam-gam këtyre vetive Dardane ua kemi bërë në kokë. Të na rroj sllavishtja me ato prapashtesat ov, ovo etj. Kështu edhe Kosova jonë. Sot është një shtet Kosovo të cilit do t’i duhen kohë të pavarsohet realisht. Thjesht edhe për shkak të këtyre grimcave që veçse ia mbajnë derën mbyllur mendësisë dardane.

Po çfarë realisht është sot Kosova?

Përkundër lëvizjes intelektuale të viteve 1980- 81. Lëvizje dhe grupime që sado të mburret Shqipëria. As nuk i ka e as nuk ka për t’i pasur. Pasi edhe ato të ndryshimeve 90 janë e gjitha një kastë aktuale. Aq më tepër kur shikon se si e sot kësaj dite në Kuvendin e Tiranës leh një kone si Erion Braçe etj. Përkundër rrugës dardane me besimin. Apo dhe indeksit të flamurit kuq e zi, mendjes dhe krahut. Që morën jetë në luftën e 1997, 98, 99… Aq ishin. Një grusht burrash. Ca me kollare e ca me uniforma kamuflazhi blerë në botikët e Europës. Por që detyruan një aleance dhe një botë kancelarësh të hidhnin sytë mbi shqiptarët. Përkundër plisit dhe trumpetës i janë nënshtruar tallavasë. Dhe radikalizmit islamik ku ta thonë me krenari, me ato çallma, apo fushata synetllëku, me shamizimin dhe iftaret, a syfyret etj. Se jo që nuk janë dardanë, por turq krenarë. Përkundër përpjekjes për të ndërtuar një shtet. Kanë sot një administratë burokratësh që ushqehen nga Europa.

Përkundër së kuqes së folklorit…, me të verdhën e huasë nga bota. Mbrohen me sytë nga qielli. Duke iu lutur arsenalit të Natos dhe falur xhamive të Dovletit. E gjitha një administratë që ashtu si në shtetin amë, kanë marrë peng shqiptarinë.

Megjithatë Kosovë, akoma nuk je çliruar. Dhe lufta për tu çliruar nga konëria. Eshtë prova më e madhe.

Filed Under: Opinion Tagged With: e një shteti, Ilir Levonja, pa ushtri, Pavarsia

ME 15 SHKURT 1909 LINDI “DIELLI”

February 16, 2017 by dgreca

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Përgatiti Frank Shkreli/

1 dielli flamur

108 vjetë më parë, ekzaktërisht me 15 Shkurt, 1909 doli në Boston të Shteteve të Bashkuara numri i parë i gazetës Dielli, organ i Organizatës Panshqiptare Vatra, gazetë që edhe sot botohet rregullisht në internet dhe njëherë në muaj del në versionin e printuar, duke përmbledhur në ‘të artikujt dhe veprimtaritë më të dalluara mujore të organizatës Vatra.   

Vendosa që më rastin e këtij përvjetori të gazetës Dielli, në vend të fjalëve të mia, të përmbledhë një editorial që m’u kujtua se e kisha lexuar vite më parë, të shkruar nga Ernest Koliqi në revistën e tij të famshme, “Shëjzat” të vitit 1959, në shënim të 50-vjetorit të botimit të gazetës shqiptaro-amerikane, Dielli.  Por siç ve në dukje edhe Profesor Ernest Koliqi, në editorialin kushtuar 50-vjetorit, gazeta Dielli nuk ishte thjeshtë  një gazetë vetëm për shqiptaro-amerikanët.   Ai filllon vlersimin e tij të  historisë së gazetës Dielli, duke shkruar se, “Kush kujdeset, pak a shumë për historinë e vendlindjes, e di rolin kryesuer që ka luajtun kjo fletore në lëvizjet kombëtare.  Ajo e nisi punën e vet me kryefjalën fatlume të Nolit, “Një Shqipëri për Shqiptarët”, shkruan Koliqi, një moto kjo me të cilën shprehet ai, “Noli ia ndielli të mirën Atdheut dhe Ora e kombit mbas pak vjetve ia fali gjindes shqiptare – tekembramja — një truell të lirë ku ajo të rronte e të zhvillohej si mbas prirjeve të veta landore dhe shpirtënore.”

Ernest Koliqi, botimin e gazetës Dielli dhe themelimin e organizatës Vatra, i lidhë drejtë për së drejti me pavarësinë e Shqipërisë, duke komentuar se  “Botimi i Diellit solli themelimin e “Vatrës”, e cila me 28 prill 1912 e shpalli veten si Federatë panshqiptare. Çdo grumbullim energjishë e veprimtarishë ka uratën e Perendisë dhe buzqeshjen e fatit. Këtë, na Shqiptarët s’duhet ta harrojmë. Si të donte Provanija hyjnore me shpërblye ringjalljen e frymës së vëllaznimit ndër Shqiptarë – mbas gjashtë muajve të themelimit të Vatrës – Shqipnija fitoi pamvarsinë.   Me 28 prill 1912 u krijue Vatra dhe me 28 nanduer po të atij vjeti e puthi rrezja e lirisë flamurin e Skënderbeut mbas pesqind vjetësh që ai rrinte i paluem si leckë e pavlerë në terr e në harresë”, shkruante Koliqi, me rastin e 50-vjetorit të botimit të gazetës Dielli, në revistën e tij Shëjzat, të botuar në Romë. 

Me rastin e 50-vjetorit të Diellit, Ernest Koliqi e cilëson veprimtarinë e Vatrës dhe të Diellit si një “varg tubzash epiko-lirike”, duke vlersuar se gazeta Dielli përcolli besnikërisht ngjarjet shqiptare dhe botërore të asaj periudhe, gjithmonë e gatshme për të mbrojtur qendrimet e shqiptarizmit. Si shembull, Koliqi citon në editorialin e tij një shkrim të gazetës Dielli të 3 qershorit, 1913 ku përshkruhet gjëndja e atëhershme në Ballkan, por shumë e ngjashme me përpjekjet e sotëme të Rusisë putiniste për të influencuar ngjarjet në interes të saj dhe më në fund për të kontrolluar gjëndjen në Ballkan, përfshirë trojet shqiptare.  Gazeta Dielli sipas Koliqit,  i kishte dhënë një  paralajmërim botës shqiptare në fillim të shekullit të kaluar se, “Nuk duhet kurrë Shqipëria të presë ndonjë të mirë ase ndihmë nga Rusia, se interesat e saj kanë qenë dhe do të jenë kurdoherë për të copëtuar Shqipërinë dhe t’ua shpërndajë copat këlyshve sllavë për fitim të saj.   Programi i Rusisë është që të përfshijë një ditë gjithë shtetet e Ballkanit, të lidhë Detin e Zi me Egjen e me Adriatikun”.

Profesor Ernest Koliqi vlerësonte në komentin e tij botuar në revistën Shëjzat, se veprimtaria patriotike e gazetës Dielli dhe e përfaqsuesve të Organizatës Pan-shqiptare Vatra, arrinë kulmin në vitin 1918.   Atëherë kur sipas tij, “Fan Noli ban mrekullina në Europë si delegat i Vatrës.”  Ai nënvijon takimet e Fan Nolit me Presidentin Wilson dhe me ish-presidentin Theodore Roosevelt në Washington, para se të nisej për në Konferencën e Paqës në Paris, ku sipas Koliqit, “Noli u përpoq për atdhe me vetitë e nalta të tija… shpëtoi Shqipëninë asokohe nga cungimi ma i shemtuet”, ndërkohë që përveç mbështetjes së presidentit amerikan Wilsonit për Shqipërinë, iu shtua edhe përkrahja  e Papa Benediktit të XVI, shkruante Koliqi në komentin kushtuar 50-vjetorit të botimit të parë të gazetës Dielli, duke komentuar mbi rolin që luajti Fan Noli në situatën e atëhershme.  

Në komentin me titull, “Pesëdhjetëvjetori i Fletores “Dielli”, botuar në revistën Shëjzat të vitit 1959, Profesor Ernest Koliqi u jep kredinë më të madhe për veprimtaritë historike të Diellit dhe të Vatrës, “Dy kampionëve të mëdhej të shqiptarizmit, At Fan Noli dhe Faik Konica…si gërshetuesit kryesorë të veprimtarisë së shkëlqyeshme të Vatrës dhe vatranëve”, por pa harruar, shton ai, as veprimtarët e tjerë të shumtë të Diellit e të Vatrës, të cilët i përmend Koliqi në editorialin e tij, veprimtarë si, “Kost Çekrezi, Kristo Floqi, Kol Tomara, Kristo Kirka, Bahri Omari e Sotir Peci”, ndër të tjerë.

Por, ja ku jemi sot. Gazeta Dielli kujton 108-vjetorin e daljes në dritë. Shumë gjëra kanë ndryshuar e disa gjithnjë vazhdojnë të jenë të ngjashme me situatat e sotëme aktuale politike dhe gazetareske, me të cilat përballet jo vetëm Vatra e Dielli dhe komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe mbarë shqiptarët në trojet e veta në Ballkan.  Duket sikurë situatat e dikurshme po përsëriten, të vjetrat pra, janë prapë të reja. Pandaj, Dielli dhe Vatra kanë gjithnjë një rol për të luajtur, duke u bazuar në rolin historik të saj të shekullit të kaluar.   I takon këtij brezi të ri të shqiptaro-amerikanëve, i cili për nga numri dhe për nga pasuria, janë në gjëndje shumë të të mirë se sa bashkohasit e Fan Nolit dhe të Faik Konicës, që të jenë një “shtyllë më e fortë” se kurrë më parë e shqiptarizmit në Amerikë.  Në editorialin e tij me rastin e 50-vjetorit të Diellit, Ernest Koliqi iu drejtua shqiptarëve të Amerikës, me një thirrje që është edhe sot aktuale:  “Bashkatdhetarët e Amerikës, të cilët dijtën të ndërtojnë këtë qëndër të fortë atdhedashunie – duhet sidomos sot të jenë në naltësinë e misjonit historik që u përket, mbasi jetojnë e veprojnë në prehën të Demokracisë së Madhe amerikane, në dorë të cilës është fati i botës e prandej edhe i vendit tonë.”  Një thirrje kjo shumë me vend në vitin 1959, por gjithnjë aktuale edhe sot.

Urojmë në këtë përvjetor që Dielli, Vatra dhe të gjithë ne – megjithë peripecitë që kanë përballur gjatë historisë — të mësojmë nga historia e gjatë dhe pozitive e veprimtarisë së këtyre dy institucioneve shqiptaro-amerikane dhe kombëtare si dhe nga përvoja e udhëheqsve të tyre të shekullit të kaluar, për të mirën e përbashkët dhe në interesin kombëtar, këtu dhe në trojet shqiptare. Të urojmë së bashku me Ernest Koliqin,  siç bëri ai me rastin e 50-vjetorit të gazetës Dielli, që udhëheqsit e tanishëm dhe të ardhëshëm të Vatrës dhe të Diellit — që ashtu siç kanë bërë edhe para-ardhësit e tyre me punën e tyre të palodhur gjatë 200-vjetorit të dytë të ekzistencës — të kenë rast, mundësi e vullnet që të, “korrin dafina shumë të shkëlqyeshme”, për Shqipërinë dhe për Shqiptarët kudo.

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 Shkurt, Ernest Koliqi, Frank shkreli, Lindi Dielli

Jemi përfaqësues të një letërsie të vdekur?

February 15, 2017 by dgreca

Shkruan: Shpend Sollaku Noé/

foto Shpend Sollaku Noé

*Dy janë rrymat e sotme sunduese për gjykimin e letërsisë shqiptare, që të dyja të nisura nga kriteri politik./

*Rryma e pare idealizon tërësisht letërsinë e 1945-990 – ës. Sipas saj ekzistojnë vetëm autorët e realizmit socialist, pas tyre – Hiçi./

Largimit nga kjo jetë e Agollit, buja që e pasoi nga një sferë e caktuar e shoqerisë shqiptare,  shfaqi në mënyrën më të kjartë idenë e kësaj rryme se shkrimtarët e asaj periudhe mbeten e do të mbeten më të mirët. Kjo ide sundon në social network-ët dhe në shtyp, dhe ata që e shfaqin proklamohen hapur të krahut politik të majtë. Me ketë pikëpamje jane shprehur edhe poetë apo shkrimtarë që i shërbyen regjimit, përfituan prej tij apo patën pozita kyçe në periudhën e çenzurës të praktikuar po prej tyre. Sa herë që të vdesë ndonjë shkrimtar i realsoci-it (të moshuarit akoma në jetë të asaj letërsie janë të shumte, një emër mbi të gjithë: Kadare), do ta ridëgjojmë këtë refren, edhe dhjetra herë. Sa të jenë gjallë kalemxhinjtë e regjimit, edhe ata më pak të mplakur, do ta mbrojnë me xhelozi pozitën dominuese të pushtuar që atëherë, pothuajse gjithmonë nga një katapultë politike. Në situatën e sotme të sundimit të të majtës postdiktatoriale ata ndihen në habitatin e tyre, madje më mirë se dikur. Kanë nën kontroll shtëpitë botuese kryesore, mbajnë në dorë yzengjitë e pjesës dërmuese të shtypit, shpallin çmime letrare të dedikuar ish korifejve të Partisë, bëjnë pjesë po vetë në zhuritë që japin këto cmime, ngazëllehen prej fitimeve materiale e morale, duke ngatërruar vetëshpalljen fitues me suksesin e vërtetë të dekretuar nga Shën Lexuesi.

Rryma e dytë – me pikënisje politike jo të majta, çuditerisht, mohon edhe kjo letersinë e pas 1990-ës. Nuk e bën këtë mohim drejtpërdrejtë, por duke mos e marrë në konsideratë. Kjo rrymë, duke injoruar tërësisht realsocin, e gjen shpëtimin e letërsise shqiptare tek autorë të para 1945-ës,  Sjella e saj është tipike i një romantizmi anakronik. Shpesh risillen e lëvdohen poetë që nuk kanë arritur as të ngrihen në nivel kombëtar. Edhe këtu kriteri i vlerësimit dominues (me keqardhje e them), ështe ai polilik. Quhen gjeni të letrave edhe autorë të superuar prej kohesh për nga forma dhe idetë, vetëm sepse nuk kanë shkruar për regjimin, apo sepse kanë jetuar shume vite para vendosjes së tij.

Tjetër gjë është njohja e traditës letrare, tjetër imponimi si model. Pasi edhe kjo shkollë jo më pak dominuese e mendimit, si pikënisje të vlerësimit, nuk ka parimin e vlerave artistike.

Letërsia shqiptare nuk ka prodhuar asgjë të rëndësishme pas 1990-s? Është një bosh i përsosur?

Unë them të kundërtën. Me bindje.

Nëse niset të studiohen autorët e postregjimit, do të vihet re se ata nuk janë vetëm një sasi kaotike mediokrësh të vetëshpallur poetë e shkrimtarë nëpër social network-et. Shumë shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut kanë arritur prej kohesh të vlerësohen prej krtikës dhe lexuesit të huaj, por nuk gjejnë hapësirë në Shqipëri. Si në politikë, edhe në letërsi atyre u trëmben, pasi elementë që mund të shkatërrojne ekuilibra të vendosur prej më se shtatëdhjetë vjetësh.

Nuk janë të pakët edhe autorët e pavarur me nivel të lartë që jetojnë në Shqipëri. Por edhe ata ndihen të mënjanuar, sidomos kur nuk përkrahin ndonjë forcë politike.

Statusquoja e letërsisë shqiptare është thyer prej kohësh, por nuk ka kush guximin,forcën dhe karizmën të vlerësoje zyrtarisht këtë apo atë. Do ta bëjë koha? Sigurisht. Shpresojmë pa viktima të ndritura.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: perfaqesues, Shpend Sollaku Noe', të një letërsie, të vdekur

REFLEKTIM

February 13, 2017 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/Alfons-Grishaj1-250x300

Mbyllni sytë vetëm për një minut, jo  vetëm si besimtarë, por dhe si natyralistë, e do shikoni sa madhështor është Zoti…Ateistët do  pyesnin me cinizëm: “Ku është Ai?” Hipokritët do rrudheshin si këmisha të shtrydhura, dyshuesit do silleshin si pëllumbat që humbin udhën, pseudo-predikuesit do fërkonin gishtat e bërë kallo , besimtarët do shkriheshin si pikat e ujit në shkretëtirë, ku më pas do çelnin bimë të gjelbërta.

Duke u shkëputur prej fallsitetit kulmues të njeriut në univers, si një formë jete rrethanore dhe jo si krijesë burimore, zogjtë na tregojnë me  gjuhën e tyre se ku e ka burimin misteri i jetës. Asnjë qenie tjetër nuk e ka privilegjin që të fluturojë, të notojë dhe të ecë me dy këmbë siç janë shpendët. Ata kanë një gjuhë të përsosur, jo pasthirrma instiktive që njeriu nga një herë i ka për qejf! Por, gjuhë komunikuese si  njerëzit. Provojeni në një rreth natyror të egër dhe filloni të hidhni farë të ndryshme, do shikoni se në bazë të shërbimit të ushqimit që afroni do shikoni dhe llojet e zogjve. Ata thërrasin njëri- tjetrin në mënyrë origjinale. Zogu i agimit është Kardinali. Ai zgjon zogjtë e tjerë me zërin e tij melodioz që ekzekuton simfoninë e zgjimit, kur speciet janë ende të vdekura  në gjumë. Një kod i pashkruar! Trumcakët zgjohen dy tre orë pas lindjes së diellit njëlloj si dhe gargujt, që shkojnë grumbull si jeniçerët duke dëmtuar më tepër sesa duke u ushqyer vetë. Ashtu si dhe llojet e zogjve që flirtojnë me natyrën dhe begatinë e saj, njeriu shijon mrekullinë e krijuar, por duke mos   kuptuar që asgjë rreth tij nuk është e tepërt dhe e rastësisshme. Sikur, njeriu të mendojë vetëm një minut në ditë, që ai është sa mision aq dhe përgjegjës e jo rrethanë, bota do ishte në Golden Age. Pra, misioni është si forca e gravitetit, ku nëse qendron brenda rrethit ciklik nuk humb, nuk vetëshkatrrohesh, por ruan forcën matematike të ekzistencës. E, ekzistenca nuk është rastësi !!!

Vëtëm një minut mbyllni sytë dhe mendoni se, sa punë iu desh Krijuesit, që ta bëj  sa më të larmishme dhe më të bukur e interesante jetën e njeriut. Ai vendosi me mjeshtëri çdo gjë në vëndin e vet … Vendosi dhe konfliktin që jeta të mos bëhej bori, por dhe t’i shërbente shembëlltyrës së vet. Ne shohim frymorët katërkëmbësh (kafshët), në një amfiteater tragji-komik që nuk mbaron kurrë…Për një moment, le të marrim shkopin magjik dhe ta zhdukim këtë amfiteatër me frymorët aktorë  katërkëmbësh,  sëbashku më to dhe shpendët, peshqit  dhe  insektet …, çfarë do t’i mbetej njeriut?

E pra, në kulmin e marrëzisë njerëzore, në kulmin e mosbesimit   na duhet një pushim. Një minut për të reflektuar,  për t’u zhveshur nga pabesia, babëzija, arroganca dhe mosmirnjohja… Vetëm për një minut duhet të kujtohemi se jemi njerëz dhe të mendojmë për njeriun në skamje që lufton për të mbijetuar. Të sëmurin  që shpreson në mrekullinë e qiellit sesa atë të doktorëve johumanë. Për tragjedinë e rastit që krijohen nga përsonat e velur nga jeta. Për luftërat që nuk kursejnë as shenjtërinë. Vetëm një minut të mendojmë për vajzën që nesër bëhet zonjë, proces prej nga varet ripërtëritja e vetë njerëzimit! Vetëm një minut të mendojmë për gjuhën e zogjve pa të cilën nuk do të kishte as muzë e as muzikë.

Vetëm njjë minut të mendojmë për hijet e pemëve që do të dukeshin si hije vdekje pa velin e gjelbër të gjetheve. Vëtëm një minut të mendojmë për frymorët katërkëmbësh, për universin e me rradhë… Dhe së fundi dhe si fillim, vetëm një minut të lutemi me mirnjohje të sinqertë për Urdhërin e Epërm …

Duke numëruar kështu njerëzisht minutat e mirësisë të virtytit hyjnor  do zbresë tek ne paqe , duke rënë në gjumë pa pasur kohë për orët e energjisë negative!

Dikush, mund të thotë: “Ah dhe ti,  bën si moralist ! Ke dëshirë që njeriu të jetojë si filozof, si zbatues i një platforme që nuk ekziston, apo të një rregulloreje të dalur boje që ishte për të humburit. Njeriu është qendra, të tjerat janë kotësi !”

Mos o Zot, ta bëj unë një gabim të tillë aspak “etik”. Unë nuk mundem të jem aq i “moderuar” sa  Niçja dhe pasuesit e tij, cilët, në njëren anë kanë arsyen e kulluar kritike dhe në anën tjetër kanë  kazmën për ta varrosur atë.

Pikërisht se  njeriu është në qendër të tokës, unë kërkoj që gjerat të rrotullohen natyrshëm rreth  infinitit  dhe jo rreth “supernjeriut”  mortor.

Mendoni vetëm për një minut…! Dhe do shikoni se si jeta juaj do ndryshojë përgjithmonë!

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, reflektim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 511
  • 512
  • 513
  • 514
  • 515
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT