• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E VËRTETA HISTORIKE NË KËRKIM TË DRITËS

January 27, 2017 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/ h2 ebrenj            Dy dekretet kundërhebraike, të miratuara më 14 maj 1939, janë marrë nga materialet e përmbledhura në një vëllim të nxjerrë  nga Shtëpia botuese Giuntina e Firences në Itali më 1910, të titulluar “ Hebrejtë në Shqipëri nën fashizmin, një histori për t’u rishkruar”. Titulli përsërit temën e një simpoziumi të mbajtur në janar 2010 në Bari, në të cilin morën pjesë shumë studjues të disiplinave e prejardhjeve të ndryshme. Në mos qofsha i gabuar, në të mori pjesë edhe studjuesi i njohur shqiptar i problemit, prof. Shaban Sinani.

Ndërmjet mjaft kumtesave, të mbajtura aty, është dhe ajo e prof. Michele Sarfattit, i cili, së bashku me studjuesen tjetër prof. Laura Brazzi, është edhe përgatitësi i librit. Vetë fakti i mbajtjes së një simpoziumi në Itali, për çështjen e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri është mjaft interesante dhe pozitive. Tema është trajtuar mjaft në këta vite të mbas komunizmit, por për arsye miopie kulturore e vartësie të mendimit shkencor ende nga politika, akoma sot nuk kemi në nivel zyrtar një studim të thelluar e të dokumentuar të dukurisë, që shënon për Shqipërinë një nga faqet më të ndritura të historisë së saj.

Pa hyrë në imtësitë e interpretimeve të ndryshme në këta vite, vërehet se disa studjues të paanshëm, ndër të cilët mendoj se mund të hyjë edhe prof. Sinani, janë munduar t’a paraqesin, edhe me dokumenta të kohës, rolin e politikës nacionaliste shqiptare, faktori vendimtar e më i rëndësishëm shtytës i një fakti, atij të shumfishimit të numurit të hebrejvet në Shqipërinë e kohës së Luftës së Dytë botërore. Fakti që ai rol pranohet me shumë vështirësi nga politika dhe historiografia zyrtare, jo vetëm shqiptare, tregon se titulli i librit, nga është marrë materiali që po botojmë, është mjaft objektiv e domethënës.

“As qeveria e Mbretit Zog, as ato të vendosura gjatë pushtimit italian, nuk e ndaluan dhënien e nënshtetësisëshqiptare hebrejve të huaj. Në kompleks, përfundon Michele Sarfatti “me vullnetin e fashizmit italian, hebrejtë qytetarë shqiptarë në Shqipëriu goditën nga një normativë më pak e fortë e më pak e ndërlikuar se ajo e shpallur nga fashizmi vetë në Itali, kundër hebrejve qytetarë italianë. Duke punuar kështu Roma u suall ndryshe nga si veproi në krahinat ballkanike të aneksuara më 1941 (ku ajo shtriu normativën në fuqi në metropol), apo si bëri Berlini n’Austri, pastaj në Serbi dhe Sofia në Maqedoni.”

Studjuesi italian nuk shkon më tutje në interpretimin e faktit, por na e jep thjeshtë atë. Interpretimi nuk është diçka e vështirë për t’u shtjelluar, qoftë edhe me logjikën më parake. Ka qënë vullneti i drejtuesve nacionalistë shqiptarë, tek të cilët ishte e rrënjosur thellë tradita shumë shekullore shqiptare e mikpritjes dhe e besës, që ngriti një mur të pakalueshëm për mendësinë dhe legjislacionin kriminal të zhdukjes së hebrejvet në të gjithë Evropën e pushtuar nga ushtritë e Boshtit. Ata shqiptarë atdhetarë që vunë në rrezik edhe kokën e tyre për të respektuar botërisht vlerën morale të traditës së popullit të tyre, shpëtuan mijra jetë njerëzish. Emrat e tyre njihen mirë e secili prej tyre i jep dritë Shqipërisë së vogël që, në sajë të tyre, në një nga periudhat më të vështira të historisë së njerëzimit, pati guximin t’i thotë “jo” krimit nazist në truallin e saj, duke lartësuar emrin e “Vendit të shqipeve”.

Fakti që dekretet kundër hebraike u hartuan, u miratuan, por nuk u shpallën e nuk u vunë asjëherë në zbatim në “Dheun e Arbërit”, dëshmon katërcipërisht për shtatin moral t’atij brezi politikanësh shqiptarë, të cilëve Shqipëria komuniste u a ndëshkoi atdhetarizmin e tyre me dënimet me vdekje, në fakt e në mungesë, e me baltën e hedhur mbi kryet e tyre, pa kursim kohe e sasie. Shqiptarët, që shkojnë ballëhapur para botës demokratike çdo 27 janar, nuk kanë ende guximin t’a shohin të vërtetën në sy, t’a njohin e t’a valëvisin atë, kur ajo i nderon.

Për gjysëm shekulli një faqe e ndritur, siç qe shpëtimi i hebrejve, u mbajt e mbyllur në errësirën e katakombave të historiografisë. Në këtë çerek shekulli u mundua të marrë frymë me vështirësi në mjedisin hipokrit e gjysëm mashtrues të pas komunizmit. Ҫdo 27 janar ajo bën thirrje për të dalë nga nëntoka e historisë, për të parë dritën e diellit të së vërtetës, për t’u vënë në Panteonin e merituar të lavdisë shqiptare.

Janar 2017                                             Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: E VËRTETA HISTORIKE, Eugjen Merlika, ne kerkim, TË DRITËS

Disa gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë u ndalohen vizat për SHBA

January 26, 2017 by dgreca

Ambasada Amerikane ne Tirane revokon vizat për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë/ 

logo e fresket e ambasades se shba

Deklarate e Ambasades se SHBA/

Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza. Për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale. Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara i merr seriozisht akuzat për korrupsion dhe do të vazhdojë t’i shqyrtojë vizat dhe aplikimet për vizë të zyrtarëve të drejtësisë me vëmendje të shtuar. Departamenti i Shtetit ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për të çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri.

T‎he U.S. Embassy has revoked the non-immigrant visas of several Albanian judges and prosecutors after determining that the officials no longer qualify for these visas. Because visa records are confidential under U.S. law, we cannot comment on individual cases. The U.S. Embassy took this action in advance of the upcoming vetting process that will assess certain officials’ ties to corruption and in response to a case involving the flagrant abuse of an official visa by a senior prosecutor and his spouse, leading to a revocation of their visas.
The U.S. Embassy takes seriously allegations of corruption and will continue to review justice officials’ visas and visa applications with additional scrutiny. The Department of State has broad authority to deny and revoke visas based on information indicating that a visa holder may be inadmissible to the United States, and will continue to use this authority to advance its anti-corruption efforts in Albania.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: deklarate, e Ambasades, prokuroret shqiptare, se SHBA, Vizat per gjyqtaret

Trump kërkon “hetime” për pretendimet e tij për vjedhje të votave

January 25, 2017 by dgreca

1 Trump hetimePresidenti amerikan, Donald Trump, thotë se do të kërkoj “hetim madhor” lidhur me pretendimet e tij për vjedhje të votave gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar, përkundër konsenzusit të përgjithshëm se kjo gjë nuk ishte gjërësisht e përhapur.Në një postim të sotëm në rrjetin Twitter, zoti Trump tha se hetimet duhet të fokusohen në personat “e regjistruar për votim në dy shtete, ata të cilët janë ilegalë dhe ata që janë të regjistruar, por kanë vdekur”.Sipas tij, “varësisht nga rezultatet, ne do t’i forcojmë procedurat votuese”.Zoti Trump ka fituar me votat e Kolegjit Elektoral për çdo shtet, që ia mundësuan atij triumfin me dallim solid kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton.Por, zonja Clinton e ka fituar të ashtuquajturën votë popullore, pasi i ka pasur 2.9 milionë vota më tepër se Donald Trump.Zoti Trump pat sugjeruar se humbja e tij në votën popullore kishte ndodhur për shkak të mashtrimit votues, por ai nuk e ka arsyetuar pretndimin e tij.Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, anëtar i Partisë Republikane, tha dje se ai nuk ka parë dëshmi që e mbështesin pretendimin e zotit Trump.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, po ashtu, dje tha se Donald Trump mendon se kanë votuar miliona imigrantë ilegalë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Hetime, për vjedhje të votave, Trump

MARRËVESHJE E POSAҪME MIRËKUPTIMI

January 22, 2017 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/1-Eugjen-Merlika-225x300

“Popuj, dëgjojeni poetin, dëgjojeni ëndërrimtarin e shenjtë. Në natën tuaj, që pa të do t’ishte e gjitha errësirë, vetëm ai e ka ballin të ndriçuar.”-/

VIKTOR  HUGO   nga  “Rrezet dhe hijet”/

Pak ditë më parë prof. Dr. Thanas Gjika, nëpërmjet shtypit dhe rrjeteve sociale, bëri një propozim të hapur për zgjedhjen e pritme të kryetarit të Shtetit shqiptar, një veprim institucional që diktohet nga kohët kushtetuese, sepse detyra e Kryetarit të tanishëm mbaron në verën e këtij viti.

  1. Gjika, si një qytetar shqiptar, edhe se me banim në SHBA, e quajti me vënd t’i këshillonte politikës një emër për vendin e Qytetarit të parë të Republikës shqiptare. Mendoj se është një nismë e lëvdueshme fakti që z. Gjika vendosi të shprehë opinionin e tij, në lidhje me një ngjarje të rëndësisë së shkallës së parë në jetën institucionale të Vendit të tij. Më pëlqen t’a quaj atë nismë si një përçapje për të filluar një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë ndërmjet politikës e shoqërisë shqiptare. Duhet të jetë një hap i nisur nga e dyta e jo i diktuar nga e para, një veprim që duhet të tregojë se shoqëria është e gjallë dhe politika synon të vendosë marrëdhënie ndërtimtare me të, duke u munduar të mos thellojë hendekun  që e ndan, por të vendosë ura lidhjeje të mendimeve e veprimeve.

Në këtë kontekst dua të shpreh edhe un një opinion, i cili përputhet me atë të z. Gjika. Është fjala për emrin e personit, të cilin nismëtari e quan si më të përshtatëshmin për t’u ngjitur në krye të Shtetit. Ai emër është z. Visar Zhiti, i njohur në Vendin e tij, në mjediset shqipfolëse e në botë. Mbi atë emër do të duhej  të gjëndej një mirëkuptim i përgjithshëm i politikës shqiptare, në tërësinë e saj.

Megjithë vështirësinë e madhe që paraqet kjo sipërmarrje, për një sërë arsyesh e motivesh, të trashëgimisë e të çastit të tashëm politik, po të merret me përparësinë e idesë se Presidenti i Republikës duhet të jetë më shumë shprehje e vullnetit të bashkuar të qytetarëve, se sa e një partie apo grumbulli të tillash që fitojnë zgjedhjet, ndoshta mund të gjindet udha e mirëkuptimit.

Visar Zhiti është një figurë kaq e njohur sa që nuk ka nevojë për asnjë paraqitje. Vlera e tij letrare i ka kaluar me kohë sinoret e botës shqiptare dhe është bërë një përfaqësuese e shkëlqyer e saj në botën e madhe. Pa rradhitur mendimet e shumë intelektualëve shqiptarë e të huaj për veprën e tij, po mjaftohem me një shprehje të studjuesit të shquar të botës shqiptare, kanadezit Robert Elsie : “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar jeta dhe vepra e të cilit, mbase, pasqyron më mirë historinë e kombit të tij.” Një vlerësim të tillë besoj se nuk e gjejmë në asnjë jetëshkrim të Kryetarëve të Shtetit shqiptar.

Duke shtjelluar mendimin tim vetiak, që besoj se përkon edhe me atë të shumë të tjerëve, sidomos me atë të bashkëvuajtësve tanë në regjimin komunist, do të mundohem të rrjeshtoj këtu, në këtë shprehje të lirë opinioni, se pse bashkohem me yshtjen e z. Gjika e pse e quaj Visar Zhitin kandidatin më të përshtatëshëm për postin e Kryetarit të Shtetit.

Zgjedhja e z. Visar Zhiti do t’ishte një shenjë e prekëshme, jashtë çdo lloj demagogjie, e shkëputjes së Shqipërisë nga e kaluara e saj diktatoriale. Për klasën politike shqiptare, përfytyresa e një dukurie të tillë në opinionin ndërkombëtar është tepër e rëndësishme. Mjafton të kujtojmë se vende të tjera si Ҫekosllovakia e Polonia, në fillimet e demokracive të tyre, patën në drejtimin e Shteteve të tyre personalitete të njohura të disidencës kundërkomuniste, të cilët përfaqësonin kursin e ri të politikës. Kjo dukuri e shtoi besueshmërinë e “botës së lirë” kundrejt atyre shoqërive, me pasojat pozitive të njohura. Tek ne ka qenë një dukuri pozitive prania e dy Kryetarëve të Kuvendit nga rradhët e ish të përndjekurvet, Pjetër Arbnorit e Jozefina Topallit, por dhe ajo ishte shprehje e vullnetit të një shumice partiake (PD), e jo e një mirëkuptimi shumëpartiak, siç kërkohet tani në personin e z. Zhiti.   

Sendërtimi i një synimi të tillë, nëpërmjet një mirëkuptimi të politikës në tërësi, do të ishte një tregues edhe i një tjetër dukurie pozitive e të rëndësishme, asaj të dëshmisë se përballë sfidave të mëdha kombëtare, vetë kombi nxjerr në pah e i bën zotërues faktorët e bashkimit, duke u dhënë përparësi në vendimet madhore të tij. Do të ishte edhe tregues i një tjetër fakti, në kundër prirje me të shkuarën tonë, atë të vlerësimit të pasurive të vërteta intelektuale  kombëtare e vënies së tyre në vendin e duhur.

Figura e poetit të nivelit botëror, i njohur dhe i vlerësuar nga shumë personalitete e institucione të botës së sotme, do t’i jepte një prestigj e një zë të mirë edhe vetë institucinit të Presidencës së Republikës shqiptare, shumë më tepër se sa qënia në të e një përfaqësuesi të politikës së vjetër apo të re, apo më keq akoma, e një kukulle në duartë e atyre që fitojnë zgjedhjet. Përvoja e tij e gjatë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare do t’ishte një tjetër atù e domosdoshme në kryerjen më së miri të detyrës së tij, ashtu si edhe pjesëmarrja që herët në proçeset demokratizuese, vitet si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, detyra si ministër e të tjera veprimtari politike e shtetërore.

Për vetë natyrën e tij, për formimin kulturor, për lidhjen shpirtërore që ka me Vendin e tij, mendoj se është një njeri që bashkon e nuk ndan, një figurë e cila mund të bëhet pikë riferimi e vlefshme për të gjithë qytetarët, por edhe për të gjithë segmentet e politikës, të cilët mund të shohin në të një siguri, në drejtim të barazpeshave institucionale.

Shtati moral e dinjiteti vetiak, të dy të shprehur pakundërshtueshmërisht, si në provën e madhe të burgjeve politikë gjatë diktaturës, ashtu sikurse edhe gjatë ushtrimit të detyrave të ndryshme në vitet e demokracisë, përbëjnë një çertifikatë sigurie se ai do të jetë njeriu i duhur në vendin e duhur, në një periudhë kur jeta politike dhe administrative shqiptare paraqet zbrazësira, deri në humnera, sa i përket faktorit moral. Një Kryetar i tillë do të jepte ndihmesën e tij themelore në moralizimin e institucioneve.

Kryetari i shtetit shqiptar duhet të jetë edhe një figurë e njohur në të gjitha bashkësitë shqipfolëse që jetojnë nëpër botë, qoftë si pakica kombëtare, si qytetarë të shtetit të dytë shqiptar, apo si pjestarë të mërgatave shqiptare në Vende të ndryshme të botës. Mendoj se figura e z. Zhiti mund të jetë ajo më e vlerësuara në gjithë këta mjedise, një figurë në të cilën çdo shqiptar do të ndihej i përfaqësuar. Si një personalitet i njohur në të gjitha mjediset mbarëkombëtare, në sajë të veprës së tij letrare, mund të bëhet një pikë e rëndësishme riferimi edhe për problemet e përgjithëshme e të veçanta të gjithë kombit.

Ishin këta disa nga motivet për të cilët vendosa t’i bashkohem nismës propozuese të z. Gjika, të cilin e falënderoj shumë për mendimin e tij të vyer. Nëse këta motive shihen si qenësore, të vlerta e të bashkëpranueshme nga aktorët kryesorë të politikës, është rasti që këta të fundit, kur të vijë çasti, të lenë mënjanë mëritë vetiake e politike, të ulen në një tryezë të përbashkët, në të cilën të vendosin me vullnetin e tyre të lirë, pa shtysat apo detyrimet e të tjerëve, të votojnë në krye të Shtetit një koleg të tyre, disi të veçantë, një nga intelektualët më në zë të hapësirës mbarëshqiptare, z. Visar Zhiti.

Uroj që kjo zgjedhje, gjatë këtyre muajve, t’ishte objekt rrahje mendimesh, në shkallë të gjërë, edhe për të vërtetuar se jetojmë në një demokraci, në të cilën mendimi i lirë gëzon plotësisht të drejtë qytetarie.

Janar 2017                                                                 Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, MARRËVESHJE MIREKUPTIMI, Visar Zhiti

MEMORIE: Rugova: Kosova, në miqësi të përhershme me SHBA

January 21, 2017 by dgreca

-Në Kosovë, akademi përkujtimore dhe homazhe për Presidentin Historik Ibrahim Rugova në 11 vjetorin e shuarjes/

1 ok Rugova

-Presidenti historik Rugova në intervistat ekskluzive që kam zhvilluar theksonte përcaktimin e gjithmonshëm e prej shumë vitesh për Kosovën e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA. “Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Presidenti historik Rugova/

-LAJM I VITIT 2006: PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË/

3 Behluli Rugova

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 21 Janar 2017/ Me një akademi në Prishtinë dhe me homazhe, në Kosovë u përkujtua sot në 11 vjetorin e shuarjes Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte  idenë për shtet që para afër tre dekadave dhe që në fillimet e negociatave për staustin ishte shumë i prerë: “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”.Në akademinë e organizuar nga LDK, e cila po zhvillohet nga mesdita, u theksua se, si themelues i shtetit të Kosovës dhe arkitekt i pavarësisë, Presidenti historik  Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

1 Rugova Klinton

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti historik, Ibrahim Rugova. Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para 23 viteve, referendumin për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur të 26 deri 30 shtatorit 1991, që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990,  Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Edhë në intervista të tjera që kam zhvilluar nëpër vite, në dhjetor 2002, presidenti Rugova theksonte përcaktimin e gjithmonshëm e prej shumë vitesh për Kosovën e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA.

Ndërsa, i pyetur për paralajmërimet se në vitin 2003 do të fillonin negociatat për statusin, për pavarësinë e Kosovës, që do të njihet edhe ndërkombëtarisht, Presidenti Rugova në intervistë përgjigjej:

“Ka spekulime të ndryshme se do të fillojnë negociatat, pikëpamje të ndryshme. Këto i shoh si pozitive. Të gjithë po e shohin se kjo është një domosdoshmëri që duhet të bëhet. Por, unë insistoj që të njihet Kosova drejtpërdrejt, sepse ne kemi kryer negociata të ndryshme: ju kujtohen Rambujeja dhe Parisi. Pastajerdhi intervenimi i NATO-s, kur u ndëshkua pala tjetër pse nuk pranoi. Pra, është një epokë e re tani në rajonin tonë, të Evropës Juglindore, ndoshta edhe për shumë perspektiva në Evropë, në plan ndërkombëtar.Njohja e Kosovës nga SHBA-të, Bashkimi Evropian, që do ta formalizonte OKB-ja, do të ishte rruga shumë më produktive, më e drejtë, dhe do të krijonte mundësi më të mëdha për zhvillim të përgjithshëm, ndërsa populli i Kosovës dhe rajoni përgjithësisht do të qetësoheshin”.“Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i bashkësisë së kombeve të botës së lire”, theksonte Presidenti Rugova në një intervistën tjetër ekskluzive që kam zhvilluar në shkurt të vitit 2005.“Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, deklaronte Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Presidenti historik Rugova.Ai vlerësonte se njohja e Pavarësisë së Kosovës do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, shprehej Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, theksonte Rugova dhe shtonte se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë”.
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, deklaronte Presidenti historik Rugova në intervistën e shkurtit 2005.
Këto intervista e të tjera ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova janë ribotuar në Gazetën DIELLI dhe do i përmbledhja në një libër të veçantë, duke përfshirë edhe shumë pyetjet që kam bërë e përgjigjet në konferencat për shtyp që mbante çdo javë Rugova e në raste tjera.Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë që e udhëhiqte që nga fillimi, në 23 dhjetor 2005, në rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës në deklaratën e fundit publike theksonte se, “objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës”.“Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit.
Para 11 viteve, më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, në kryeqytet.

***

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, të komunës së Istogut, në një familje të madhe që kishte prejardhjen nga krahina e Rugovës.

“Presidenti Ibrahim Rugova ndërroi jetë”, bënte të ditur Presidenca e Kosovës në komunikatën e dërguar para 11 viteve, në 21 janar 2006, në mesditë.

“Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, prijësi i Kosovës në vitet e mëdha të procesit për pavarësi të vendit tonë,  ndërroi jetë sot (e shtunë) në ora 11:38.

Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë”, thuhej mes tjerash në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

LAJM I VITIT 2006: PRISHTINË, FLAMURI AMERIKAN ULET NË GJYSMË SHTIZË

PRISHTINË, 23 Janar /ATSH-Behlul Jashari/ – Zyra e SHBA-së në Prishtinë uli sot (e hënë) flamurin amerikan në gjysmështizë, në nderim të Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë një ceremonie të shkurtër, të drejtuar nga Shefi i Misionit, Philip Goldberg.
Në fjalën që mbajti me këtë rast, z.Goldberg tha se me ndarjen nga jeta të Presidentit Rugova, Kosova ka humbur një udhëheqës të madh, por edhe SHBA humbi një mik të madh e të përkushtuar.
“Në botë nuk ka shumë udhëheqës apo popuj, të cilët kanë aq shumë dashuri dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, siç pati Presidenti Rugova dhe siç ka populli i Kosovës. Dhe, për shkak të respektit për të, për miqësinë e tij me Shtetet e Bashkuara dhe respektit për popullin e Kosovës, unë e ndjej se është me vend që edhe ne të ulim flamurin amerikan në gjysmështizë gjatë periudhës së zisë”, tha z. Goldberg.
“Kjo ka një domethënie të madhe për ne dhe jam i sigurtë se do të ketë edhe për popullin e Kosovës”, theksoi ai, ndërsa komandanti i njësisë së Marinës së SHBA-së uli flamurin amerikan në gjysmë shtize.
Shefi i Misionit Goldberg solli dhe kujtimet e tij të 18 muajve të fundit, nga koha kur ai drejton Zyrën Amerikane në Prishtinë, si dhe të takimit të parë me Presidentitn Rugova, para njëmbëdhjetë vitesh, në Uashington.
“Veç asaj që ai bëri si udhëheqës – dhe me të vërtetë si një simbol i Kosovës për botën – unë e njoha atë edhe si një njeri shumë të këndshëm dhe të përzemërt”, tha shefi i Misionit të SHBA-së në Prishtinë, duke propozuar një minutë heshtje në nderim të Presidentit Rugova.

Filed Under: Opinion Tagged With: me SHBA, NË MIQËSI TË PËRHERSHME, Rugova: Kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 515
  • 516
  • 517
  • 518
  • 519
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT