• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DR. IBRAHIM RUGOVA, MIK I PERJETSHËM I SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

January 20, 2017 by dgreca

11-VJET PA IBRAHIM RUGOVËN/

 1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/Po të kishte jetuar Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhjetorin që kaloi do të kishte mbushur 72-vjet (2 Dhjetor 1944).   Ai ndërroi jetë 11 vjet më parë, me 21 Janar, 2006. Viti fatkeq kur Kosova humbi Presidentin e parë, ikonën e pavarësisë, prijsin e madh të Kombit shqiptar dhe udhëheqsin e parë anti-komunist në Europën Lindore.Presidentin Rugova e kisha takuar para 27 vjetësh në Washington, pikërisht në vizitën e tij të parë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, tetorin e vitit 1989.  Besoj se as Dr. Rugova dhe askush tjetër nuk mund të parashikonte në atë kohë — se kjo vizitë, e para për presidentin e ardhëshëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në kryeqytetin e këtij vendi, në tetor të vitit 1989 nuk do të ishte e para, por në të vërtetë do të shënonte vetëm fillimin i një numri vizitash që ai do të bënte në kryqytetin amerikan për vite me rradhë, para dhe pas çlirimit të Kosovës.   Duke shikuar tashti 27 vjet pas në historinë e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, ajo vizitë mund të konsiderohet si fillimi i një veprimtarie diplomatike dhe politike, nga ana e Presidentit të ardhëshëm të Republikës së Kosovës. Përpjekje prej  më shumë se një dekade për të siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve të Kosovës, të shumë-vuajtur dhe të abuzuar për dekada me rradhë, nga regjimi diktatorial i Serbisë.  Ai ishte i vetdijshëm se Kosova dhe shqiptarët në përgjithsi, nuk kishin mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Kjo bindje e tij në mbështetjen amerikane, u përforcua edhe më shumë nga kontaktet e shumta që Dr. Ibrahim Rugova pati më vonë me përfaqsues të zyrtarë të Washingtonit.  Ishin pikërisht këto përpjekje dhe vizitat e shpeshta ecejake në Washington, gjatë të cilave, Dr. Rugova bëri shumë miqë për kauzën e lirisë së shqiptarëve të Kosovës, përpjekje këto të cilat më në fund çuan në ndërhyrjen e NATO-s dhe në çlirimin e vendit nga forcat terroriste serbe, diplomaci kjo prej një personi, që me luftën e UÇK-ës dhe membështetjen e fortë të NATO-s, eventualisht çoi në largimin e forcave serbe nga Kosova dhe në shpalljen e Republikës së Kosovës, shtet i lirë dhe i pavarur, që sot njihet nga 113 shtete të botës.  Megjithse me Presidentin Rugova kisha patur takime, vizita e konsultime të shumta që nga viti 1989 e deri kur ndërroi jetë Janarin e vitit 2006, vizita e tij në shtëpinë time atë tetor të vitit 1989 në afërsi të Washingtonit, do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time dhe të familjes.  Në të vërtetë, vizitat e tija, jo vetëm në Washingtonin zyrtar, por për më tepër edhe takimet  dhe konsultimet e tija të shpeshta me komunitetin shqiptaro-amerikan — sot e kësaj dite — mbeten pjesë e pa ndarë e kujtimeve dhe e historisë së veprimtarisë së këtij komuniteti në mbështetje të Kosovës dhe kauzave të shënjta shqiptare, protagonisti kryesor i të cilave ishte Dr. Ibrahim Rugova.   Ai mbetet përherë mik i Shteteve të Bashkuara dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan ku kishte shumë miqë, dashamirë e bashkpuntorë të ngushtë, për lirinë e Kosovës në veçanti dhe për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithsi.  Ish-presidenti George Bush në letrën dërguar familjes Rugova me rastin e vdekjes së tij, dhjetë vjetë më parë, kishte shprehur ndjenjat e thella — për humbjen e Dr. Ibrahim Rugovës — jo vetëm të të gjithë amerikanëve, por edhe të mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan duke deklaruar se, “Shtetet e Bashkuara, me vdekjen e Presidentit Rugova humbën një mik me të vertetë të madh, i cili siguroi gjithashtu edhe respektin e të gjithë botës për qendrimet e tija parimore kundër dhunës.  Asnjë udhëheqës tjetër i shqiptarëve në këto 100-vitet e fundit nuk ka gëzuar një admirim dhe mbështetje, si në radhët e diplomacisë botërore, ashtu edhe mbarë popullore të shqiptarëve të Kosovës, si Presidenti i parë i Republikës së Kosovës”.

Presidenti Rugova ishte ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë, jo vetëm në Kosovë, por anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshirë Shqipërinë.  Dhe si i tillë, në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim, është e pa mundur të mos pyesim veten, se po të ishte sot gjallë Ibrahim Rugova a do ishin punët e shqiptarëve ndryshe nga gjëndja aktuale.  Unë besoj se po, ndryshe, por ndryshe, për më mirë!   Sepse me sjelljet e tija të mira e njerëzore, ai siguronte dhe gëzonte respekt nga pothuaj të gjithë.

Me një krenari atdhedashurie, si asnjë udhëheqes tjetër shqiptar i kohërave moderne, Presidenti Rugova me bashkbiseduesit e tij  shqiptarë ose ndërkombëtarë, ofronte gjithmonë urtësinë, miqësinë dhe qëndresën që gjatë shekujve e kanë dalluar kombin shqiptar se bashku me besën, nderin dhe burrëninë.   Fatkeqsisht, Presidenti Rugova ndërroi jetë në një kohë kur Kosova dhe kombi shqiptar kishin nevojë për një hov të pashterrshëm të këtyre vetive dhe ndjenjave për atdhe-dashuri si edhe të vlerave tradicionale kombëtare.  Presidentin Rugova e njoha si njeriun i cili nuk mund të pajtohej me qendrimet e atyre, të cilët për arsye ideologjike krejt të huaja për historinë dhe vlerat shqiptare, mohuan traditat më të shëndosha të shqiptarëve për pothuaj një gjysëm shekulli, një sistem sllavo-aziatik i cili që për pothuaj 50-vjetë u përpoq, pa mëshirë, të shlyente virtytet stërgjyshore dhe madje të zhdukte edhe identitetin historik kombëtar të shqiptarëve.

Presidenti Rugova besonte se bota do të ketë respekt më të madh për shqiptarët nëqoftse ata u përmbahen këtyre vlerave bazë të qenjes arbënore.  I frymëzuar nga këto virtyte kombëtare në rrethin e familjes së tij patriotike ai, me durim, guxim dhe besim – fillojë të ri-kthejë dinjitetin kombëtar të nepërkambur gjatë 50 vjetëve të fundit nga një ideologji sllavo-komuniste   – dhe me nje ndërgjegje të thellë kombëtare u përpoq sa ishte gjallë, të vendoste emrin e shqiptarëve aty ku gjithmonë e kanë pasë vendin — në radhë me popujt dhe aleancat perëndimore.  

Fjala popullore thotë se “Burri i mirë me shokë shumë”.  Presidenti Rugova nuk është më, por me jetën dhe veprimtarinë gjatë pothuaj 20-viteve të fundit të jetës së tij, ai bëri shumë miqë për Kosovën dhe për kombin shqiptar.  Me të gjithë, Dr. Rugova fliste pak dhe qetë, por jehona e mesazhit të tij jehon edhe sot anë e mbanë botës.  Mesazhi i tij bëri që e gjithë bota më në fund të mësonte për hallet e shqiptarëve dhe jo vetem kaq.   Me personalitetin e tij, Presidenti Rugova bëri që një pjesë e madhe e botës dhe sidomos qeveria dhe shtetit amerikan, të mbështesnin shqiptarët e Kosovës në momentin  historik kur kishin nevojën më urgjente dhe ndoshta më të vështirë për ta në historinë e tyre.   Shpresa e tij dhe lutja ishte gjithmonë Kosova e pavarur, sovrane, e lirë dhe demokratike, “Në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pikërisht ashtu si e donte ai dhe për të cilën punoi e veproi aqë shumë.  Në këtë 10-vjetor të vdekjes së tij dhe duke marrë parsyshë gjëndjen aktuale të Kosovës dhe sfidat me të cilat përballet si përfundim i presioneve serbo-ruse, miqësia e Kosovës me Shtetete e Bashkuara – mund të konsiderohet si trashëgimia më e madhe që ka lënë pas për bashkombasit e vet dhe për të ardhmen e Kosovës.Në atmosferën e pështjellimeve, pasioneve të përkundërta dhe grindjeve politike të përhershme të botës së vogël shqiptare, mesazhi i Presidentit Rugova në këtë përvjetor të vdekjes drejtuar klasës së sotëme politike shqiptare –jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri do të ishte: promovoni  dhe punoni për bashkpunim me njëri tjetrin dhe midis partive politike që përfaqësoni për të mirën e përbashkët, duke venë mbi të gjitha, interesin kombëtar mbi atë partiak e personal dhe interesin publik mbi atë personal.  Është ky një apel që përçon Dr. Ibrahim Rugova në këtë 11-vjetor të vdekjes, që të dëgjohet dhe të kujtohet nga të gjithë dhe për gjithmonë në këtë përvjetor të vdekjes në përkujtim të Presidentit Ibrahim Rugova. Ai asnjëherë nuk ndërpreu përpjekjet, që nepërmjet bashkpunimit me të gjithë – bashkpuntorë dhe kundërshtarë — të lartësonte emërin e mirë të kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NJEMBEDHJETË VJET, PA IBRAHIM RUGOVËN

Protesta kundër inaugurimit të Donald Trumpit

January 20, 2017 by dgreca

1 Protesta trumpNdër njerëzit e shumtë që u mblodhën në Uashington për inaugurimin e presidentit të ri, Donald Trump, ka edhe plot protestues, të cilët kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve që i dha zotit Trump fitoren dhe janë gjithashtu kundër planeve të tij për vendin.Ndërsa zoti Trump bënte betimin si President, në Uashington protestuesit u përleshën me policinë

Demonstrues të veshur me të zeza thyen vitrina dyqanesh dhe hodhën copa xhami nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit amerikan.

Policia përdori gazin lotsjellës për të ndaluar një grup prej rreth 75 personash në hyrjen e një ndërtese qeveritare. Dhjetra vetë u arrestuan.Më parë, disa protestues, mbrojtës së të të drejtave të afrikano-amerikanëve bllokuan një postbllok sigurie për në Paerun Kombëtar të Uashingtonit, duke përdorur zinxhirë dhe një mur demonstruesish për të mos lejuar hyrjen e mbështetësve të zotit Trump që mbanin kapele ku shkruhej “Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore.” Policia i preu zinxhirët që ata mbanin.Demonstrata më e madhe pritet të jetë Marshimi i Grave në Uashington që është planifikuar të zhvillohet të shtunën. Një grup protestuesish po bëhen gati të shprehin opinionin e tyre në qytetin Angola të shtetit Indiana:Mesazhi i protestës Marshimi i Grave është mjaft i thjeshtë: të drejtat e grave janë pjesë e të drejtave të njeriut, pa dallim nga raca, kombësia, feja, statusi i imigracionit, orientimi seksual, gjendja ekonomike, mosha apo aftësitë fizike. Jacob McNeal thotë ky mesazh duhet të përqafohet nga të gjithë, pa dallim gjinie:“Është e kuptueshme që të ketë mospajtime në opinione. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një pikëpamje krejt tjetër për demokracinë – kësaj i thonë totalitarizëm. Nuk u votua për demokraci dhe prandaj po ngre zërin”. 

Ky protestues bën pjesë në një organizatë lokale në Indianën veriore, të krijuar pas zgjedhjeve. Organizata të tilla u formuan në mënyrë të pavarur në të gjithë vendin, me ndihmën e medias sociale. Ata e kanë të qartë se grupe të veçanta e kanë të vështirë të arrijnë synimet në mënyrë të pavarur, por kur bashkohen bëhen një forcë tepër e madhe dhe është e vështirë që të injorohen nga presidenti i ri apo politikanë të tjerë.

Sarah Young, e cila ka në plan të marrë pjesë në marshimin në Uashington, thotë se shqetësimi i saj kryesor janë programet për shëndetin e gruas.“Programet që u ofrojnë grave mundësi për kontrollin familjar, si dhe kontrolle shëndetësore kanë ndikuar më shumë për fuqizimin e gruas në shekullin e 20-të dhe tani në shekullin e 21-të se çdo gjë tjetër. Nëse duam t’i ruajmë këto suksese, duhet të ruajmë programet e kujdesit shëndetësor”. Tema të tjera që kanë mobilizuar protestuesit janë masat për të ndalur dhunën kundër gruas, mbrojtja e mjedisit, të drejtat e punëtorëve, të personave me aftësi të kufizuara, të imigrantëve dhe të komunitetit homoseksual.Lou Ann Homan nuk do të vijë vetë në Uashington për të marrë pjesë në protesta, por ajo ka në plan ta ngrejë zërin në komunitetin e saj:“Do të ketë marshime në të gjithë vendin, në çdo komunitet të vogël e qytet të madh. Një grup i madh prej nesh do të mblidhemi në Ft. Wayne për të treguar se jemi të shqetësuar”. Sipas përllogaritjeve, mbi 600 tubime do të organizohen në mënyrë paralele në pika të ndryshme të globit. Në Indiana, grupi i protestuesve shpreson se do të formohen rrjete të reja bashkëpunimi për të mbështetur e përmirësuar jetën e çdokujt. Ata besojnë se paqja është e pamundur në një botë ku s’ka barazi për të gjithë.

Filed Under: Opinion Tagged With: ne Uashington, Protesta anti Trump

Basha: Qeveria, autore e kapjes dhe vjedhjes së zgjedhjeve

January 19, 2017 by dgreca

1 BashaNga Arben Xhixho/Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Uashington për të marrë pjesë nesër në ceremoninë e përurimit të presidentit të ri Donald Trump. Por, ndërsa në Shtetet e Bashkuara nesër fillon nga detyra administrata e re, Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjidhshme që do të zhvillohen në qershor. Në intervistën për shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, zoti Basha flet për gjendjen në Shqipëri në prag të zgjedhjeve dhe kërkesat që ka bërë Partia Demokratike për to.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha ju ndodheni këtu në Uashington për ceremoninë e përurimit të Presidentit të ri Donald Trump. Fillimisht do të kërkoja një sqarim për statusin me të cilin po merrni pjesë ju në këto ceremoni. Ka pasur spekulime në shtypin shqiptar për mënyrën se si vijnë zyrtarët shqiptarë këtu në Uashington. Ajo që dihet është që nuk ka ftesa zyrtare nga qeveria amerikane. Ftesat lëshohen nga anëtarët e kongresit, ligjvënës ose senatorë. Cili është statusi juaj?

Lulzim Basha: Unë jam ftuar në ceremoninë e inaugurimit dhe në ceremonitë e tjera me rastin e inaugurimit, nga anëtarë të mazhorancës, pra të partisë republikane të kongresit amerikan. Për shembull, dje kam qenë i ftuar i senatorit Ted Cruz. Për ceremoninë e inaugurimit kam ftesë të përbashkët nga kryetari i komisionit për Europën në komisionin e jashtëm të Kongresit dhe nga bashkëkryetari i komisionit për OSBE-në, nga dy kongresmenë të njohur republikanë dhe po kështu kam një numër ftesash nga kongresmenë dhe senatorë të partisë demokratike për disa nga aktivitetet e tjera që organizohen gjatë inaugurimit të presidentit Trump. Pra, ftesat janë ftesa, nuk janë bileta, janë të papaguara, janë të dërguara dhe jo të kërkuara dhe unë jam i nderuar që u jam përgjigjur ftesave të përfaqësuesve të shumicës në kongresin amerikan dhe të partisë republikane, komitetit kombëtar republikan për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Trump, pra, në ceremoninë e inaugurimit dhe të gjithë festimet dhe ceremonitë e tjera.

Zëri i Amerikës: Në fakt do të bëj një sqarim. Do të thotë se ju i quani ftesa ato që quhen po bileta. Por dallimi është që disa prej këtyre dalin në forume të ndryshme të shtiblerjes online, përfundojnë atje, në rrugë pa të drejt dhe njerëz të ndryshëm mund të arrijnë t’i blejnë me çmime nga pesëqind deri në disa mijë dollarë.

Lulzim Basha: Nuk e kam ndjekur këtë proces, me thënë të drejtën. Unë jam i ftuar zyrtarisht nga anëtarë të kongresit, nga anëtarë të mazhorancës dhe nga komiteti kombëtar republikan për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit dhe në të gjitha ceremonitë e tjera që zhvillohen gjatë kësaj jave, disa prej të cilave kanë filluar.

Zëri i Amerikës: E qartë. Zoti Basha zgjedhjet e tanishme presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara ishin nga më interesantet dhe në të njejtën kohë më përçarëset në historinë e Amerikës. Megjithatë, nesër kur të bëhet ceremonia e përurimit presidenti i zgjedhur Trump do ta filloj ditën me një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Obama. Prej andej, të dy do të shkojnë në kongres. Do të fillojnë pastaj ceremonitë e tjera përuruese. Rivalja e tij kryesore, Hillary Clinton do të jetë e pranishme në ceremoninë e përurimit. Pra kjo do të thotë se në Amerikë, një nga thelbet, çelësi i demokracisë, tranzicioni paqësor i pushtetit nuk po cënohet aspak. Të kthehemi në vendin tuaj në Shqipëri. Pas gjithë këtyre viteve të tranzicionit në sistemin demokratik, zgjedhjet, tranzicioni i pushtetit ka qënë gjithmonë jo aq i suksesshëm. A ka ardhur koha që edhe në Shqipëri këto ndryshime pushteti, pasi mbarojnë zgjedhjet pala humbësa ta përgëzoj palën fituese dhe jeta të vazhdoj normalisht?

Lulzim Basha: Unë do të thoja se konstatimi është pjesërisht i drejtë. Në zgjedhjet e 2005 dhe në zgjedhjet e 2013 pati rotacion pushteti. Të dyja këto unë do t’i vlerësoja si relativisht të qeta dhe joproblematike. Do të vlerësoja në veçanti tranzicionin e vitit 2013, kur mazhoranca e atëhershme përgatiti dosjet për të gjithë institucionet në mënyrë të plotë dhe substantive për t’i lehtësuar tranzicionin e pushtetit qeverisë që erdhi drejtuar nga zoti Rama dhe zoti Meta. Kjo u vlerësua nga shoqëria shqiptare edhe ndërkombëtarisht. Pra, ishte një hap drejt konsolidimit të praktikës demokratike në Shqipëri. Problemi është se që nga ky moment kemi patur probleme të njëpasnjëshme me zgjedhjet. Dy muaj pas tranzicionit të pushtetit ne patëm zgjedhje lokale në Korçë për shkak se ish-kryetari i bashkisë u emërua zëvendës-kryeministër. Nga mediat shqiptare, të cilat nuk mund t’i akuzosh se janë afër opozitës, u filmua një proces i turpshëm i shit-blerjes së votës. Opozita protestoi dhe ngriti zërin. Unë insistova për një hetim të plotë. Hetimi nisi dhe në korrik të vitit tjetër, pra, në 2014, maxhoranca në mënyrë të njëanshme kaloi një amnisti për të bllokuar nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të shitblerjes së votës në Korçë. Mosndëshkimi i këtij krimi elektoral ishte paralajmërim për atë që ndodhi në 2015, për atë që OSBE e quajti minim të besimit tek vota e lirë. Ky ishte konkluzioni i OSBE për zgjedhjet e 2015. Për të arritur në shfaqjen më të shëmtuar në zgjedhjet e Dibrës në shtator të vitit të kaluar, ku përveç shitblerjes së votës, problemi i madh i rolit të kriminelëve në politikë dhe në zgjedhje, i infektuar edhe me problemin e drogës, sollën asgjësimin e procesit politik. Çfarë është procesi politik? Ai është një garë. Edhe këtu në Amerikë patëm garë mes dy alternativave.

Zëri i Amerikës: Keni të drejtë. Ideja është kjo që në Amerikë ose në Shqipëri kur të mbarojnë zgjedhjet të mos vazhdojnë më thirrjet për bojkotim parlamenti, protesta të kryesuar nga partitë ose deputetët vetë. A është maturuar sa duhet politika shqiptare?

Lulzim Basha: Problemi numër një me Shqipërinë sot është se qeveria është treguar jo e paaftë për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, por autore e kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve. Sot në Shqipëri kemi një problem, që është konstatuar botërisht nga shumë sondazhe të pavarura, që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira e të ndershme. Dhe ky është një problem i madh jo vetëm për opozitën, për partinë demokratike apo për mua. Ky është një problem i jashtëzakonshëm për vendin. Sepse të mos besosh që do të kesh zgjedhje të lira e të ndershme do të thotë të mos besosh tek e ardhmja, të mos kesh shpresë se përmes votës mund të ndryshosh politikën. Kjo ka sjellë një valë të re emigracioni. Shqiptarët po largohen nga Shqipëria, sepse ka një humbje besimi te politika si instrument ndryshimi. Kjo është detyra jonë e parë dhe kryesore; të rikthejmë besimin te politika, si instrument në duart e qytetarëve për të ndryshuar, e jo për të ndryshuar ministrat apo klientët e qeverisë, por për të ndryshuar jetën e qytetarëve. Që kjo të ndodhë, duhet të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Sot zgjedhjet janë të kërcënuara nga shitblerja e votës, nga moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, apo kriminelët në politikë, nga përdorimi i shtetit. “Shteti u bë njësh me partitë” – tha OSBE-ja. Ndaj ne kemi propozuar një paketë ku përfshihet votimi dhe numërimi elektronik, dekriminalizimi i shpejtë i politikës, aksesi i barabartë në media, kufizimi i shpenzimeve elektorale dhe transparenca e financimit të partive politike.

Zëri i Amerikës: Pikërisht kjo, sot reforma zgjedhore është në qendër të debatit politik që po bëhet në Shqipëri. Por ky debat i madh po bëhet pikërisht para zgjedhjeve.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë. Debati ka nisur qysh në vitin 2011, që të jemi të drejtë. Partia Socialiste ka ngritur disa çështje, që ishte votimi elektronik në 2011, u bënë prova në 2013 për numërimin elektronik. Ato dështuan, por nuk ka dështuar teknologjia, sepse është alibi të thuhet kështu, që pse dështoi në 2013 numërimi elektronik nuk mund të kërkohet sot votimi elektronik. Ne kemi bërë kërkesën në maj 2016. Në 17 maj PD e ka zyrtarizuar kërkesën, sepse kërkesa është më e hershme. Qysh pas zgjedhjeve të 2015 unë i kam shkruar komisionit të ODIHR-it dhe i kam këkruar zyrtarisht maxhorancës votimin elektronik: le të marrim së bashku masat për votimin elektronik.

Zëri i Amerikës: Në komisionin paralamentar për zgjedhjet, partia demokratike, pra opozita dhe shumica kanë pak a shumë të njejtin numër anëtarësh. Pra, komisioni është i ndarë në mënyrë të barabartë dhe nuk kemi dëgjuar që partia juaj që nga maji, siç thatë ju vetë, deri sot të keni insistuar në votimin elektronik. A mendoni ju se votimi elektronik mund të arrijë të realizohet, mund të bëhet në këto pesë muaj? Kryetari i OSBE-së në Shqipëri tha që është pak vonë.

Lulzim Basha: Unë nuk kam ndërmend të hyj në debat që kanë për detyrë të ndihmojnë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme. Detyra e OSBE-së është që shqiptarët të votojnë të lirë. Kjo është detyrë kryesore e opozitës. Duhet të jetë detyrë kryesore edhe e maxhorancës. Duhet të jetë detyrë kryesore e çdokujt që i dhimbset Shqipëria, çdo shqiptari dhe e miqve tanë. Ne kemi një propozim konkret, i cili është zyrtarizuar më 17 maj 2016, pra, çdo alibi se nuk e kemi thënë në kohë, se nuk kemi kohë është vetëm një alibi. Të thuash se nuk kemi kohë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, kjo është qesharake. Shqiptarët duan zgjedhje të lira e të ndershme dhe meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është një zgjidhje që ne kemi ofruar. Ne jemi të hapur nëse maxhoranca apo nëse partnerët kanë zgjidhje të tjera më të mira se kjo. Ne jemi të hapur t’i dëgjojmë e t’i pranojmë. Shqetësimi ynë ka të bëjë me faktin se shitblerja e votës, që gjithë shqiptarët e dinë se është një problem i madh, deformon vullnetin e qytetarëve. Çfarë ndodh? Nuk zgjidhet një qeveri në bazë të dëshirave, projekteve dhe kërkesave ë qytetarëve, por në bazë të parave që blejnë varfërinë e qytetarëve. Dhe me t’u zgjedhur një qeveri e tillë, ajo në vend që t’u përgjigjet qytetarëve me investime, me punësim, me ekonomi më të fortë, me të ardhme më të sigurtë, me gjithë masat që duhet të marrë, fillon e merret me xhepat e saj, me xhepat e klientëve, që u kanë dhënë paratë për të blerë votat e qytetarëve. Pra, varfëria, papunësia dhe kriza ekonomike janë drejtpërdrejt të lidhura me zgjedhjet e prishura dhe të kapura. Që të kemi një ekonomi funksionale, që të kemi një punësim real, jo vetëm premtime për 300 mijë vende pune, por punësim real, duhet të kemi një qeveri të përgjegjshme, dhe kjo del vetëm nga zgjedhje të lira e të ndershme.

Zëri i Amerikës: Në qoftë se ky kushti që keni vënë ju për votimin dhe numërimin elektronik nuk arrin të zbatohet teknikisht, çfarë qëndrimi do mbani ju për zgjedhjet?

Lulzim Basha: Ne besojmë që kemi dhënë një zgjedhje të duhur për të zgjidhur një pjesë të problemit. Ka probleme që otimi elektronik nuk i zgjidh, si është problemi i drogës.

Zëri i Amerikës: Padyshim, është rrugëdalje shumë e mirë. Por është çështje kohore. Bëhet apo s’bëhet?

Lulzim Basha: Më lejoni ta shtjelloj pak se këtë kam biseduar këtu edhe me përfaqësuesit amerikanë, të cilët më kanë dhënë mbështetje të plotë dhe janë realisht të shqetësuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ky është një shqetësim i madh për partnerët tanë euro-amerikanë, një shqetësim i madhe edhe për SHBA-të, për gjithë bashkëbiseduesit që kam patur deri sot këtu, dhe kanë premtuar mbështetje. Mbështetjen e premtoi Victoria Nuland disa herë në bisedat që kam patur me të, mbështetje kanë premtuar drejtues të lartë në senat dhe në kongresin amerikan. Përfaqësues të administratës së presidentit Trump po e ndjekin me një shqetësim të veçantë problemin e zgjedhjeve, por edhe problemin e krimit, të drogës në Shqipëri, dhe janë të angazhuar dhe mbështesin plotësisht përpjekjet e mia dhe të partisë demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë besoj se ka ardhur koha që gjithë këto forca, jo vetëm opozita shqiptare, jo vetëm partia demokratike, por edhe partnerët tanë edhe shoqëria civile, edhe media shqiptare, gazetarët shqiptarë, qytetarët, të bashkohemi për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme.

Zëri i Amerikës: Në kuadër po të zgjedhjeve, partia juaj sot ka të njejtat figura kryesore që ka pusur edhe në tetë vitet kur ishit në qeverisje dhe në zgjedhjet e kaluara të cilat i humbët. Ju jeni në zgjedhje të reja, dhe padyshim që synoni t’i fitoni ato. A mendoni se kjo mund të përbëj problem? Ju keni bëri thirrje, e keni hapur partinë javët e fundit. A është pak vonë për këto gjëra?

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka qënë në një proces rinovimi prej ditës së parë të zgjedhjes sime si kryetar, më lejoni ta sqaroj. Pas momentit të daljes…

Zëri i Amerikës: Megjithatë, dominojnë figurat kryesore.

Lulzim Basha: Po sigurisht pasi grupi parlamentar nuk ndërrohet rrugës apo jo. S’ndodh as me Kongresin amerikan, as me senatin. Por ndryshe nga sporti, politika nuk është vetëm çështje moshe. Është çështje kontributi dhe gadishmërie për t’i shërbyer njerëzve. Kushdo që ka gadishmërinë, integritetin, energjinë për t’i shërbyer njerëzve, është i mirëpritur të jap këtë kontribut brenda partisë demokratike duke ndarë vlerat tona, ato që besojmë ne.

Zëri i Amerikës: Po. Dhe pasi shërbejnë, pasi japin kontributin, kur rezulton i humbur ia lë vendin të tjerëve. Apo jo?

Lulzim Basha: Dhe padyshim partia është hapur. Unë kam kënaqësinë të ndaj me ju, siç kam ndarë me shqiptarët përmes mediave në Shqipëri, faktin se me dhjetra të rinj të mirëshkolluar në Shqipëri, dhe jashtë Shqipërisë, të punësuar në institucionet prestigjoze private dhe publike, i janë bashkuar Partisë Demokratike. Ne kemi sot një ekip të jashtëzakonshëm, me juristë, me ekonomistë, me profesionistë të fushave të ndryshme të cilët kanë hartuar një program të Partisë Demokratike për një ekonomi të fortë dhe për të nxjerr vendin nga kriza ku ndodhet sot. Punësimi i shqiptarëve, hapja e vendeve të punës, ringritja ekonomike janë tre propozimet kryesore me të cilat ne dalim para shqiptarëve, propozime konkrete, jo me fabula, 300 mijë vende pune kot. Por për mua sot si kryetar i opozitës dhe nesër si kryeministër detyra numër një është të kthejmë vendet e punës që janë zhdukur si rezultat i politikave të gabuara, i represionit, i arrogancës, i taksave të larta. Kjo është plotësisht e mundur dhe sot unë kam një program, kam një ekip që ndërthur kontributet në vite dhe energjinë dhe potencialet e reja të cilat janë bashkuar me Partinë Demokratike jo për të marr, se ne sot jemi në opozitë, por për të dhënë dhe për të kontribuar. Pra Partia Demokratike shkon në këto zgjedhje me një ekip ku ndërthurret eksperienca më e mirë, integriteti dhe energjia rinore. Dua të sjell në vëmendjen tuaj faktin që dy ditë para të nisesha për këtu, ne kemi hapur një proces unik në politikën shqiptare, të përthithjes të kandidaturave për deputet, jo vetëm duke pyetur strukturat tona, ananëtarët tanë dhe mbështetësit tanë por duke pyetur qytetarët anembanë. Duke ju drejtuar kështu, jo vetëm drejtuesve të partisë demokratike, por edhe shoqërisë civile, botës akademike, botës së sipërmarrjes, të përndjekurve politikë, pronarëve, organizatave jo-fitimprurëse, rinisë, pensionistëve. Pra, të gjitha kategorive shoqërore, për të evidentuar njerëzit më të gatshëm dhe më të besueshëm për të qenë deputetët e ardhshëm të partisë demokratike. Ky është një proces i domosdoshëm për të kthyer besimin tek politika, hapja e partive politike. Sepse këtu ku kemi ardhur, zoti Xhixho, kemi ardhur si rezultat edhe i partitokracisë, i vendim-marrjes së mbyllur, i korrupsionit të ngritur në sistem për shkak se të gjitha vendimet merren dhe kontrollohen nga një palë duar dhe po kështu kontrollohet pushteti që lind nga këto vendime. Kjo do të marrë fund me mua. Partinë po e hap. Hapja do të jetë e parikthyeshme, do të vazhdojë të zgjerohet dhe kështu me këtë frymë hapjeje, siç menaxhojmë sot betejën opozitare nesër do të menaxhojmë qeverisjen e vendit. Në konsultim të plotë me qytetarët, duke përfilllur kërkesat e qytetarëve, duke mos i shkelmuar ato, pa arrogancë, duke i njohur problemet, duke i zgjidhur problemet.

Zëri i Amerikës: Si do të jenë listat e deputetëve të partisë, do të jenë lista të hapura apo do të jetë të përcaktuara nga kryetari i tanishëm?

Lulzim Basha: Sistemi aktual nuk lejon lista të hapura por propozimi ynë për votimin elektronik i hap rrugë listave të hapur. Partia demokratike nuk kemi qenë dhe nuk mund të jemi kurrë pengesë për listat e hapura. Unë e kam thënë dhe dua ta përsëris, për mua çdo sistem që e sjell deputetin më afër qytetarit është i pranueshëm. Por për momentin, vëmendja jonë është tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të garantohet vota e shqiptarit, le ta zgjedhin vetë kë sistem të duan. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me mbështetjen e partnerëve tanë amerikanë dhe euroatlantik, partia demokratike shkon e sigurt drejt fitores.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit, lidhur me një reform po aq të rëndësishëme që është ende duke u kryer në Shqipëri, që u miratua, po vazhdojnë ende të miratojnë ligje të tjera për reformën në drejtësi. Nuk dua të ndalem në meritën, në vlerat ose në difektet e kundërshtimeve ose ankesave që keni pasur ju ndaj këtre ligjeve. Por, do të ndalemi tek çështja e përceptimit, e imazhit. A mendoni se kundërshtimi që ju i keni bërë kësaj reforme ose çuarje e këtyre ligjeve të reja në gjykatën kushtetuese që mund të kenë qenë ankesa tuaja plotësisht të drejta, por ka përfunduar që janë rrëzuar, mund ta dëmtojë imazhin e partisë dhe mund të ketë një kosto elektorale?

Lulzim Basha: Absolutisht jo. Sepse partia demokratike prej ditë së parë ka qenë pro reformës në drejtësi. Të tjerat janë broçkulla dhe “fake news” për të përdorur një term nga presidenti Trump. Janë lajme të rreme të shpërndara dhe të fabrikuara nga kundërshtarët e vërtetë të një reforme të vërtetë në drejtësi, ata që i tremben drejtësisë së pavarur. Ne kemi kundërshtuar një drejtësi në duart e kryeministrit, në duart e këtij kryeministri apo në duart e mia, apo kushdo që vjen pas meje. Por ne kemi qenë prej fillimit për një drejtësi të pavarur dhe për këtë kemi marrë edhe përgëzimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Zv/Sekretarja Nuland. Unë kam patur rastin ta bisedoj këtë edhe me anëtarët dhe drejtuesit e lartë të administratës që inagurohet nesër dhe kam marrë sigurinë, garancinë, që ata do të mbështesinë plotësisht këtë përçasje parimore ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, jo shtetit njëshit, jo shtetit të kyreministrit por shtetit ligjor, shtetit të së drejtës. Ndaj nga kjo vizitë, deri tani sepse nesër kemi ditën e madhe në Uashington, dua të ndaj me gjithë shqiptarët kënaqësinë e madhe të një Uashingtoni që mbetet thellësisht i interesuar për përparimin dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të një administrate të re të presidentit Trump që pret me padurim të vazhdoj kontributin për sigurinë, shtetin ligjor dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjithë rajonin. Kam patur rastin të flasë edhe për problemet e fundit në Kosovë dhe çështjet e stabilitetit rajonal në tërësi dhe ju them në fund të kësaj interviste se për partinë demokratike me ardhjen e presidentit Trump nis erë e re, jo vetëm për Amerikën por edhe për Shqipërinë, ku në qendër do të jetë qytetari dhe fuqia e qytetarit, vota e qytetari, zëri i qytetarit do të përbëj ndryshimin e vërtetë. Unë do të mbështetem fuqimisht tek ky shembull dhe kam besim te madh se ky shembull jo vetëm do mbështesë por edhe do të frymëzojë një ndryshim të shpejtë në Shqipëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: autore e kapjes dhe, Lulzim Basha, qeveria, së zgjedhjeve, vjedhjes

OPTIKË MBI GJEOSTRATEGJINË E PRESIDENTIT DONALD TRUMP

January 19, 2017 by dgreca


1 asllan ok
NGA ASLLAN BUSHATI/Disa ditë para marrjes së detyrës, Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, dha një deklaratë të shkurtër  në media, ku ndër të tjera  tha se:” NATO-ja  është një organizëm i vjetëruar”. Kjo bëri që një alarm i vërtetë të përhapej (madje mund të thuhet pushtoi),  me shpejtësi shumë të madhe  gjithë vendet europiane  dhe një pjesë të amerikanëve ,sikur katastrofa  ndodhi.

Por për efekt analize, le të këthehemi   prapa në kohë  gati shtatë dekada dhe të pyesim: pse u kriju NATO-ja,   organizmi më i madh dhe më i fuqishmi ushtarak i të gjitha kohrave? Përgjigja është shumë e thjeshtë: instrument për mbrojtjen e Amerikës Veriore dhe Europës Perendimore   nga rreziku komunist . Dhe në vazhdim, vërtetë ishte kaq  real në atë kohë  një rrezik i tillë? Po ishte me të vërtetë, sepse përvec  Bashkimit Sovjetik (që kishte 16 republika), komunizmi  në Europë  ishte shtrirë edhe në: Poloni, Republikën Demokratike Gjermane, Ceki+Sllovaki (Cekosllavaki), Hungari, Rumani, Bullgari, Shqipëri dhe gjysmak edhe në Jugosllavi.

Si kundër peshë e NATO-s,  në vendet e mësipërme komuniste u kriju edhe  Traktati i Varshavës i cili jetoi  deri në shembjen e komunizmit në vitin 1990. Pra  NATO-ja u kriju kundër komunizmit, por komunizmi ka gati 27 vite që është varrosur dhe nje pjesë e rëndësishme e vendeve ish komuniste, sot janë anëtare të NATO-s. Pra objekti strategjik për të cilin NATO u ngrit nuk ekziston më  si objektiv dhe realisht komunizmi  nuk përbën asnjë rrezik për gjithë vendet që inkuadrohen në këtë organizëm.  Atëherë Presidenti i zgjedhur Donald Trump, mendoj se  ka plotësish të drejtë kur thotë se NATO-ja është e vjetëruar.

Por meqënëse komunizmi nuk është më rrezik për botën e sotme demokratike, pyetja shtrohet :a ka ndonjë rrezik tjetër kërcënues në ditët e sotme? Unë mendoj se: po ka një rrezik dhe ai është terrorizmi  (të cilit hëpërhë mund ti vihet mbiemri islamik, por që  në të ardhmen mund të ketë edhe  mbiemra të tjerë). Po NATO-ja, një instrument kaq i rëndë ushtarak, a mund të jetë efikas në luften e re kundër terrorizmit? Pëgjigja ime si ish ushtarak, është se pothajse është e vështirë për të mos thënë e pamundur. Atëherë përsëri  Presidenti i zgjedhur Trump  paska  të drejtë kur thotë se Nato-ja është e vjetëruar. Por ky fakt vetëm si  konstatim nuk e zgjidh  problemin e luftes kundër terrorizmit. Problemi zgjidhet duke ndryshuar strategjinë, taktikën dhe formën e organizimit. Pra Nato-ja e sotme duhet të  ristrukturohet , të ndryshojë e ti përshtatet armikut të ri. Por duke ndryshuar objektin strategjik, formën e të bërit luftë dhe strukturën organizative, nga Nato-ja e sotme mund të largohen disa aëntar, ashtu sic mund të vijnë  disa të tjerë si psh: Austria, Zvicra,Serbia, Ukrahina dhe pse jo edhe Rusia. Ndokush mund ta quaj pohimin tim  të mësipërm  si një lajthitje,dakort, por  edhe Presidenti i ri amerikan ndoshta  mendon në këtë linjë kur thotë për rusët e Putinin se po na ndihmon në luftën kundër terrorizmit. Une po hamendsoj e po ndjek llogjiken e analizës sipas këndshikimit tim dhe nuk kam asnjë kontakt me administratën e re amerikane të Presidentit Donald Trump. Gjërat mund të marrin tjetër kahje e të zhvillohen në kundërshim me sa unë po shtroj si  opsione të mundëshme. Por koha është  etaloni i së vertetës, le të presim.

Nga Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, gjithashtu  është thënë se edhe Bashkimi Europian (BE), mund të mos ketë ndonjë perspektivë të kënaqëshme  zgjerimi, madje anëtarë të tjerë shpejt mund të largohen prej tij sic bëri  Mbretëria e Bashkuar (UK).  Nuk është cudi që  ky fakt mund të bëhet realitet sepse ka gati 100 vjet (që nga 1920) , që flitet për një bashkim të vërtetë europian dhe ai nuk realizohet në formatet e menduara ose si modeli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mos realizimi i kënaqëshëm e funksional i  këtij bashkimi ,vjen për shumë arsye, por mbi të gjitha nga tërheqjet centrifugal  e përplasjet që ka nga brenda unionit . Fuqitë e mëdha europiane shpesh  janë të prirura  të mendojnë  me  mentalitetin e  perandorive të së kaluarës dhe për ndarje të  reja  të pasurive  e interesave në kurriz të më  të vegjëlve ose më të dobtëve  ekonomikisht. Por jo vetëm kaq,  me sa duket Amerika është lodhur  me europianët dhe e  ka patur shumë të vështirë  lidhjen e kontratave ekonomike  me to kur shpesh nuk bëheshin dy mendje bashkë të shteteve të BE-së. Parë nga ky kënd shikimi administrate e re  amerikane, mund të bëjë edhe një tip diversion që ta ketë më të lehte të bisedojë e kontraktojë dyshe me cdo shtet, ashtu sic shkërmoqja e ngadalëshme e BE-së mund të ndodh realisht . Le të presim, koha do të na tregojë.

Por sido që të ndodh, shqiptarëve nuk u vjen ndonjë e keqe që në programit e tyre  perspective të venë si synim BE-në. Brendia e këtij synimi do ti motivonte ata më shumë për t’ju afruar nivelit ekonomik, demokracisë e shtetit ligjor të vendene të BE-së dhe të bëhej realitet ëndërra e studentëve të 90-tës  që thoshte se e duam Shqipërinë si gjithë  Europa.

Po ashtu mendoj se edhe OKB-ja, ka kohë që është bërë një mekanizëm shumë i rëndë e i pa manovrueshëm. Në shumicën e rasteve një votë kundra nga anëtarët e përhërëshëm të Këshillit Sigurimit, ka bërë dëme të mëdha e të pa riparueshme (kujtoj këtu agresivitetin e disave në ceshtjen e pranimit të Kosovës në këtë organizatë), por ka edhe qindra shembuj të tjerë . Shpejtësia dhe eficenca në kryerjen e veprimeve në  raste emergjencash,  ka lënë për të dëshiruar, për të mos thenë se në shumicën e rasteve ka dështuar. Atëherë pyetja shrohet : a duhet të ndryshojë në strukturë e në përmbajtje ky organizëm kaq i pa manovrueshëm e  jo eficient që gëlltit me miliarda dollar në vit? Unë mendoj se po duhet të ndryshojë. Po administrate e re amerikane a e ka ne plan një gjë të tillë? Nuk e di, por mendoj dhe dëshiroj se po.

Duke e mbyllur këtë optikë gjeostrategjike, do të dëshiroja që Presidenti i  45-stë i SHBA-së, Donald Trump,  që  më 20 Janar 2017 merr zyrtarisht detyrën , të ketë sukses në realizimin e platformës së tij për ta bërë Amerikën më  të fuqishme e më të begatë në cdo drejtim dhe  ti konsiderojë shqiptarët në trojet etnike, si shteti i 51-të amerikan, sepse ata e meritojnë një gjë të tillë me dashurinë që tregojnë për Amerikën   cdo ditë.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, Gjeostrategjia, Presidenti Trump

VATRA DHE FESTIMI I PAVARËSISË SË KOSOVËS-17 SHKURT 2017

January 15, 2017 by dgreca

VATRA DHE BASHKËSIA SHQIPTARE DO TA FESTOJNË 9 VJETORIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS ME 17 SHKURT 2017/

1 Dielli1

Njoftohet Komuniteti Shqiptar në NY, NY, NJ dhe CT se Bashkësia Shqiptare dhe VATRA, në vijim të traditës do ta festojnë Përvjetorin e 9-të të Pavarësisë së Kosovës Ditën e Premte, 17 Shkurt 2017, në orën 6.00 PM.

Festimi do të organizohet në Eastwood Manor, në adresën:

3371 Eastchester RD

BRONX, NY 10469

Tel: (718) 654-4200

Do të ketë argëtim me muzikë nga të gjitha Trevat Kombëtare, këngë e valle, pije pa kufizim dhe ushqime të bollshme dhe shërbim me kamarierë.

Bileta e Hyrjes:$ 70.00 për të Rriturit dhe $25.00 për Fëmijët nën 12 vjec.

KOMISIONI I FESTËS

KRYETAR

MARJAN CUBI

ANETARE

Agim Rexhaj, Asllan Bushati, Nazo Veliu, Skender Murtezani, Hakik Mena, Marko Kepi, Isuf Rexhaj, Adnan Mehmeti,Aleksander Nilaj, Marija Kajtazi, Ariana Elezaj, Haxhi Dauti, Lavdrim Cami , Albert Pernocaj, Dalip Greca

Filed Under: Opinion Tagged With: 9 vjet, pavaresi e Kosoves, Vatra dhe Bashkesia shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 516
  • 517
  • 518
  • 519
  • 520
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT