• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAK TOLERANCË POLITIKE, JU LUTEM!

September 27, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Për Shtetet e Bashkuara ky është një vit, që në sipërfaqe mund të duket sikurë Amerika është duke kaluar nepër një periudhë krize shoqërore, trazirash, terrorizmi dhe të një sezoni të nxehtë politik, si rrallë herë më parë. Shkaktarë për këtë janë lajmet kryesore të ditës, të kohëve të fundit, përfshirë problemet raciale me të cilat përballet gjithnjë ky vend  siç pasqyrohen në marrëdhëniet problematike, që ekzistojnë ende në disa pjesë të vendit, midis policisë së jurisdikcioneve të ndryshme të Amerikës dhe komuniteteve afrikano-amerikane. Sulmet e fundit terroriste që kanë përfunduar në humbje jete e bëjnë jetën e përditshme më të pasigurt për të gjithë, ndërsa Byroja Federal e hetimeve (FBI) ka paralajmëruar se kërcënimet nga terroristët e mbrendshëm dhe ndërkombëtarë do të vazhdojnë të paraqesin sfida serioze për Shtetet e Bashkuara edhe në të ardhmen. Dhe më në fund kësaj atmosfere nuk i ndihmon shumë as fushata politike për president, akuzat dhe kundër akuzat e ashpëra midis kandidatëve të dy partive kryesore për president si dhe mungesa e atij që konsiderohet “qytetërim politik” në debatet politike dhe publike shton shqetësimet e amerikanëve të rendomtë, shumica e të cilëve, sipas anketave të fundit të opinionit publik, mendojnë se vendi është duke shkuar në rrugë të gabuar.

Ekspërtët dhe vërejtësit e fushatave politike në Amerikë thonë se fushata për president e këtij viti është si asnjë tjetër më parë. Kryesisht, ndoshta për arsyen se kandidatët e dy partive kryesore nuk janë, historikisht, të “zakonshëm”. Për herë të parë në histori Amerika ka një kandidate femër për president në personin e Hillary Clinton, me përvojë politike dhe diplomatike, kandidate e Partisë Demokrate. Ndërsa Partia Republikane ka emëruar Donald Trump, pa përvojë politike, por një biznismen multi- miliarder, pa dyshim i suksesshëm në fushë të ndryshme të veprimtarisë së tij në të kaluarën. Ato që mund të cilësohen si ethet presidenciale kanë kaplluar vendin ndërsa votuesit amerikanë, mbi të gjitha, duan të dinë, se cili prej këtyre dy kandidatëve kreysorë për president do të mund ta nxjerrë vendin nga këjo situatë serioze shoqëroro-politike dhe ekonomike dhe cili prej tyre mund të menaxhojë më së miri krizat e tanishme dhe të ardhme, të pa- parashikuara, kombëtare dhe ndërkombëtare.

S’ka dyshim se debatet e ashpëra dhe sulmet politike midis kandidatëve kryesorë politikë — herë më pak e herë më shumë — kanë qenë gjithmonë dhe janë pjesë e fushatave elektorale jo vetëm në Amerikë por edhe në vende të tjera demokratike të botës. Është pjesë e paevitueshme e procesit dhe nuk është vetëm një fenomen i shoqërisë moderne amerikane. Në të vërtetë, ajo që mund të konsiderohet si mungesë e qytetërimit politik në fushata elektorale dhe diskurse politike në Shtetet e Bashkuara është aq e vjetër sa edhe ekzistenca e vetë Amerikës si shtet, pra nuk është diçka e re as këtu në Amerikë, një vend ky që ka një traditë të gjatë demokratike. Madje, ka qenë presidenti i parë i Shteteve te Bashkuara Xhorxh Uashingtoni, ai që në fjalimin e inaugurimit të tij si president i kombit të ri, duke e parë si problem të mundshëm që atëherë ka paralajmëruar kombin mbi nevojën për një qytetërim politik në marrëdhëniet dhe diskurset politike dhe publike ndërsa vetë ai u ka premtuar bashkadhetarëve të tij, "Një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit tonë nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral. Mbi të gjitha, Amerika duhet të përshtatë dhe të harmonizojë angazhimet e saj parimore, me shqetësimet dhe me nevojën për një shoqëri politikisht të qytetëruar.

Toleranca politike jo vetëm në politikë por edhe në jetën e përditshme, nënkupton respektin dhe vlerën që ne kemi për një person tjetër me mendime ndryshe. Stiven Karter, një komentator amerikan, në librin e tij me titull “Qytetërimi’’, shkruan se sjelljet tona me të tjerët  me vepra dhe me fjalë “Janë shenjë e respektit tonë për bashkqytetarët tanë, që t’i konsiderojmë ata si të barabartë me ne , si para ligjit ashtu edhe para Perëndisë. Kështuqë, rregullat e qytetërimit politik janë, në të njëjtën kohë, edhe rregullat e moralit. Është e moralshme’’, ka shkruar ai, “që bashkqytetarët tanë t’i trajtojmë me respekt dhe është e pa-moralshme nëqoftse nuk bëjmë një gjë të tillë. Kriza e mungesës së qytetërimit civil e politik në kohën tonë, është pjesë e një krize më të madhe morale’’, ka thënë Stiven Karter.

Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, kohë më parë ka shkruar në një artikull se "qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra politike duhet të shmangen. Përkundrazi, gjëja që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një personi që të dëgjojë me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, madje edhe të kundërshtarit, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri. Kongresmeni Liç, vazhdon duke thënë se është krejtësisht e natyrshme dhe në të vërtetë është normale dhe e pritshme që qytetarët të mos jenë dakord me njëri tjetrin mbi çështje politike dhe me qëndrimet e kandidatëve të ndryshëm, por që, më në fund, është e rëndësishme që këto mosmarrveshje t’i shprehin me votën e tyre." Ndërsa ajo që është me e rëndësishme sipas tij, "Është fakti nëse kandidatët ose partia që më në fund fiton zgjedhjet, kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon politike të nevojshëme për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë, përfshirë kundërshtarët politikë, për të punuar në të mirën dhe për realizimin e interesave të përbashkëta madhore të kombit."

Fatbardhësisht, në Amerikë ka ekzistuar historikisht një tolerancë politike midis palëve opozitare. Ana tjetër e monedhës, kryesisht, tregon se pas përfundimit të zgjedhjeve, në shumicën e rasteve, palët kundërshtare pas debateve shpesh të ashpëra politike, bien dakort për realizimin e interesave të përbashkëta të kombit.

Të hënën mbrëma, u mbajtë debati i parë i tre debateve midis dy kandidatëve kryesorë për president, Hillary Clinton dhe Donald Trump. Debati ishte tepër i ashpër, me akuza dhe kundër akuza ndaj qëndrimeve të njërit tjetrit për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballet vendi, përfshirë ato që përmenda në fillim të këtij shkrimi. Por, pyetjes së fundit të moderatorit, nëse ata do të pranojnë rezultatin e votave të zgjedhësve amerikanë në nëntor, pa marrë parasyshë se cili prej tyre fiton, të dy u përgjigjen pa asnjë hesitim me po, se natyrisht do të respektojnë vendimin e zgjedhësve amerikanë. Donald Trump dhe Hillary Clinton janë të vetdijshëm se më në fund, janë votuesit ata që kërkojnë prej përfaqsuesve të tyre tolerancë politike ndaj kundërshtarve politikë në debatet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi e bota dhe se qytetarët amerikanë njëkohsisht këmbngulin që ata t’u japin fund debateve të ligshta politike dhe sulmeve personale duke adaptuar tolerancën dhe respektin ndaj njëri tjetrit.

Megjithë debatet e ashpra politike midis dy kandidatëve kryesorë në fushatën e këtij viti për president dhe megjithë ndryshimet në programet përkatëse të dy kandidatëve për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet vendi në përgjithësi, duket se prapseprap, çdo gjë është në rregull me traditën e tolerancës politike në Shtetet e Bashkuara.

Dëshmia më e fundit e kësaj tolerance politike ishte edhe inaugurimi fund javën që kaloi i Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano- Amerikane në Washington, ku morën pjesë një numër personalitetesh nga jeta politike amerikane, përfshirë Presidentin Barak Obama dhe ish-Presidentin George W. Bush. Përqafimi i ish-presidentit republikan George W Bush nga Zonja e parë Michelle Obama – që u dokumentua me një fotografi e cila u përhap anë e mbanë botës si diçka e rrallë — është në të vërtetë një pasqyrim i kësaj tolerance politike, historikisht amerikane.

Amerika nuk ka pretenduar kurrë as nuk pretendon tani se është një shoqëri e perfeksionuar dhe gjithmonë tolerante, por siç u shpreh edhe Presidenti Obama në fjalën e tij me rastin e inaugurimit të Muzeut Kombëtar Afrikano- Amerikan fund javën që kaloi, “Vetë fakti i inaugurimit të këtij muzeu sot nuk vërteton se Amerika është një shoqëri e perfeksionuar, përkundrazi. Por, gjëja që vërteton inaugurimi i këtij muzeu është – se nga idealet e themelimit të këtij kombi, të këtij vendi të lindur nga ndryshimet, të këtij vendi të dalur nga revolucioni — ky vend mund të bëhet edhe më i mirë”, për të gjithë.

Duke iu referuar indirekt tolerancës politike dhe raciale ndaj njëri tjetrit, Presidenti i parë afro-amerikan përfundoi duke theksuar se, “Shpresojmë që ky muze të na ndihmojë të flasim me njëri tjetrin dhe për më tepër, që të dëgjojmë njëri tjetrin dhe të takohemi me njëri tjetrin”, pikërisht për të qenë më tolerant, ndaj njëri tjetrit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PAK TOLERANCË POLITIKE

Po Kaç’ Islami pse i mbajti anën ambasadores greke për Çështjen Çame ?

September 27, 2016 by dgreca

Opinon nga Arben LLALLA/

Është megjithë mend i çuditshëm reagimi i Kastriot Islamit ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm Ditmir Bushati, i cili shkoi ndesh deklaratës së ambasadores greke në Tiranë, Eleni Sourani. Kjo e fundit pretendon se çështja e kufirit detar midis Greqisë dhe Shqipërisë është zgjidhur me marrëveshjen e 2009 dhe se Çështja Çame zgjidhet vetëm në gjykatat e Greqisë. Të vjen ndot nga reagimi i padëgjuar i deputetit që ulet në çdo prehër, vetëm për të ruajtur mandatin e ligjvënësit. Kaç’ Islami foli me një fjalor prej rrugaçi duke fyer rëndë përfaqësuesin e qeverisë shqiptare për politikën e jashtme, duke mbrojtur me fanatizëm deklaratën e diplomates greke Sourani.

Por, përse reagoi me ofendime dhe arrogancë kundër Ditmir Bushatit Kaçi, deputeti i Lulit?

Kastriot Isalmi është shembulli më i keq i deputetit dhe ministrit të jashtëm shqiptar që kemi njohur këto 25 vitet e fundit. Kaçi nga ekstremist socialistë u shndërruar në ekstremist demokrat për interesat e tij ekonomike. Kjo tregon se çfarë soj karakteri, dinjiteti ka ky njeri mashtrues, gënjeshtar, i pafytyrë. Kastriot Islami i thotë vetes profesor, por çfarë profesori mund të jetë ai, çfarë mund t’u mësojë studentëve? Asgjë! Ai është një tartabiqe, një parazit i politikës së tranzicionit shumë vjeçar politik. Kastriot Islami njihet nëpër qarqet e gazetarëve dhe politikanëve si njeri që i çon informacione ambasadës greke prej vitesh, njihet si antishqiptar dhe pro serb. Këto veprime të tij duke mbajtur korrespondencë me ambasadën greke dhe serbe janë ndoshta çelësi përse ju rezervua një vend i lirë për t’u zgjedhur deputet në listën e PD-së.

Gjatë kohës që Kastriot Islami ishte ministër i jashtëm i Shqipërisë 2002-2004, me ngjyrat e PS, pati rrjedhje informacioni nga MPJ të Shqipërisë në drejtim të Serbisë dhe Greqisë. Kaç’ Islami nënshkroi një dokument bashkëpunimi me Serbinë, ku deklaronte zyrtarisht se Shqipëria nuk e njihte Republikën e Kosovës.

Atë periudhë për këtë skandal të tij diplomatik u fol gjatë sa u akuzuar për tradhti kombëtare ndaj Çështjes së Kosovës..

E çfarë të tjera duhet t’i themi opinionit për paçavuret pa doganë që nxjerr nga goja Kastriot Islami.

A është vërtetë ky njeri me ideologji socialiste apo demokrate?

Sjellja, gjestet, veprimet e tij prej një politikani të rëndomtë që lëviz sa majtas e djathtas, duke i shërbyer shpesh herë Serbisë dhe Greqisë në dëm të politikave kombëtare, janë anë të brendshme të tij. Ato i kanë rrënjët në vetëdijen prej një njeriu të dobët në karakter. Ky karakter i politikanit të pështirë i Kastriot Islamit vjen si pasojë i dëshirave të tij të parealizueshme që burojnë nga thellësia historike njerëzore, e dështuar për të dalë në sipërfaqe, në shenjë mosmirëkuptimi me shoqërinë dhe natyrën që e rrethojnë atë.

Në reagimin e tij njeriu që mban titullin “profesor”, Kaç’ Islami nuk solli ndonjë argument kundër ministrit Ditmir Bushati, por ngiti vetëm akuza politike partiake. Kjo është një metodë klasike për t’ju kyçur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.

Kastriot Islami u bë jo vetëm zëdhënës i ambasadës greke, por edhe i organizatave ekstremiste greke që propagandojnë aneksimin e Jugut të Shqipërisë, duke përdorur një fjalor prej arroganti, me fjalë fyese që nuk i shkojnë për shtat një politikani të vjetër, një deputeti dhe i një ish-ministri të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, ceshtjen came, Kastriot Islami

Gëlqerja e kohës dhe plehrat e sotshme

September 27, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Çfarë është edhe pse ndodh, riciklimi?. Çfarë është për shqiptarët, edhe pse duhet të ndodhi edhe në Shqipëri, riciklimi? Duke qënë se jetojë në një vend, ku mbetjet urbane janë lëndë parësore për energji. Parësore për riprodhimin e sendeve të së përditshmes. Nga kancelaritë, tek lodrat, tek gjërat e duarve. Në mëngjesore e restorante etj. Në një vend ku shoqëria i thotë vetvetes, mjaft e grabitëm tokën tonë. Mjaft e mbuluam me plehra etj. Normale që riciklimi të jetë parësor dhe bashkohor. Po aq normale është që edhe qytetet të zgjohen të pastër. Pasi, grumbullimi dhe përpunimi i mbetjeve urbane. Riciklimi i tyre, janë pjesë logjike e një proçesi të domosdoshëm sot.

Më shumë se cilido tjetër vend, ricklimin, përpunimin, e mbeturinave e ka të domosdoshme Shqipëria. Eshtë vendi që aktualisht i përpunon mbetjet akoma me praktikën e sistemit të kaluar. Një buldozer, në një gropore që vetëm landfill nuk është. Edhe pse ata e quajnë kështu. Ku disa punëtorë të mjeruar djegin përdita kapule të ndotura që vetëm tymra kancerogjenë përhapin nëpër qiell.
Nëse në shumë drejtime të tjera, mund t’i japim një notë kaluese Shqipërisë. E krahasuar me rajonin dhe demokracitë e reja. Me plehrat ajo ka mbetur në klasë. Arsyeja ka të bëjë edhe me pa përgjegjshmërinë sociale. Por edhe me standartet e aplikimit në menaxhimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane.
Megjithatë, për një gjë është për të ardhur keq. Se pavarsisht mëkateve të tjera. Në atë kohë, vlonin brigadat e fshesarëve të natës. Karrot e mbetjeve dhe mjetet e spërkatjes së rrugëve me ujë. Dhe plehrat digjeshin në një distancë që konsiderohej me plotë gojën, e largët për qëndrat urbane. Ishte kjo arsyeja që qëndrat urbane, ndërrmarrjet, shërbimet sociale etj…,plazhet, vendet e verimit vinin erë gëlqere. Sot mjerë ai që shkon e pushon diku. Përshembull Divjaka, vendi ku unë u miqësova në fëmijëri me detin dhe pyllin, qe e gjitha një landfill plehrash më vete. Aq sa dhembshurisë time, nuk i mbeti asgjë tjetër veç ajo brerore me tamponë bebelinosh, e shishesh plastike. Kacavjerrur degëve nëpër pisha e gjethorë të tjerë të natyrës. Të thuash se iu futëm rrugës së demokracisë, vetëm për tu plehëruar kokë e këmbë. Eshtë fare pak. Por jo vetëm kaq, e gjithë Shqipëria ka dështuar në investimet publike me grumbillimin, përpunimin etj…, të mbetjeve urbane. Dhe ja përse? Së pari nuk u arrit asnjëherë në një strategji bashkëkohore si në vendet perëndimore. Në grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane. Gjithmonë format e tenderimeve kanë qënë mollë sherresh, vrasjesh, e pengmarrjesh. Për shkak të trysnisë pengmarrje. Të pushteve lokale dhe atij qëndror, nga të fortit. Apo klanet politike. Së dyti, vetë Efekti politik i qejfit të njërit apo tjetrit. Dhe jo unifikimit të votave, duke përfshirë këtu edhe një ego të sëmurë të njëshave. Mjafton të shikosh Edi Ramën se sa me nervozizëm dhe tallje…, me cinizëm arkaik prej kamorristi, i përgjigjet shoqërisë civile. Kur në fakt në vendimarrje të një rëndësie të tillë, i takon asaj të jetë dominante. Pasi ka të bëjë drejt për së drejti me ‘të. Si të thuash është një ligj që ka efekt të drejtpërdrejtë. Jo të mëvonshëm. Dhe së treti, shkërdhatsimi i terminologjisë. Siç është rasti i riciklimit. Që në Shqipëri, po e mbysin me termin import të plehrave. Të mbetjeve nga jashtë. Sikur gjithë vendet e huaja do sjellin aty arsenalin e mbetjeve të tyre.
Kjo është naive, pasi vet vendet përkatëse e kanë të rregulluar me legjislacion export-iportin e plehrave.
Por çfarë është e gjitha kjo. Kjo që ndodh në Shqipëri, jo ligji, i plehrave. Jo riciklimi. Jo mbetjet kancerogjene etj. Eshtë plotësisht fytyra e demagogjisë në politikën tonë. Që një herë thonë kështu, një herë ashtu. Ose, është në rregull kur dua unë. Dhe nuk është në rregull kur do ti. Shkurt ai uni prej patriarku që aq dominant është tek ne. Dhe Edi Rama e ka hak një shpullë fytyrës prej popullit të tij. Mjafton t’i kthehemi kujtesës. Asaj që ne shqiptarët çuditërisht e lëmë pas dore. Nga vjeshta e 2011, kur qeveria e Berishës e votoi me 73 vota. Atëhere Edi Rama kishte dhe një aleat. që ai mendonte të fort. Dhe që e respektonte, sepse ishte presidenti i republikës. Pra Bamir Topin, që nuk e dekretoi si ligj. Kishte dhe shoqërinë civile. Emra që ishin krahu i djathtë i tij. Që marshuan bashkarisht kundër plehrave. Tani për Edi Ramën, presidenti nuk ekziston. Po ashtu edhe kancerogjenia e plehrave. Nuk ekziston as akti i parë qevrisjes së tij, në shtatorin e 2013. Ai i shfuqizimit të ligjit…, nuk e dimë çfarë emri t’i vëmë. I plehrave, i riciklimit, i mbetjeve nga jashtë etj…
Por lënë mënjanë si Edi Ramën apo qeverinë Berisha. Çfarë ndodhi aktualisht në Shqipëri, ky rivotimi i ligjit të të ashtuqujtur, i plehrave. Të enjten e kaluar me 63 vota pro. EZhshtë akti skenik më domethënës për shoqërinë civile. Kjo dredhjedevijim premtimesh. Apo demagogji politike, për të kuptuar mungesën e pastërtisë etj. Apo edhe faktin se, sikur të pastrohej normalisht, si në të përditshmen e vendeve perëndimore, Shqipëria jonë. Ju garantojë se nuk do kishit nevojë fare për import materialesh të riciklueshme. Atëhere vendi ynë do të gdhihet i pastër, me mëngjeset erë gëlqere.

Filed Under: Opinion Tagged With: gelqerja, Ilir Levonja, plehrat

E keqja që vjen nga jashtë dhe nga brenda njeriut shqiptar

September 26, 2016 by dgreca

Nga Dukagjin HATA/

Shoqëria shqiptare, megjithë progresin e paimagjinueshëm ekonomik e kulturolgjik të këtyre njëzet e pesë viteve të fundit të një demokarcie në lindje e sipër, mbart ende simptoma të një shoqërie në krizë e stanjacion, ku veprojnë e mpleksen shumë faktorë e rrethana nga më të larmet e ku kryefjala është të qenit e njeriut të kësaj shoqërie nën presionin e botës së krimit dhe keqbërjes. Sigurisht, ky nuk është një realitet “ekstra shqiptar”, por këtyu, në vendin e shqipeve, kushtet dhe rrethanat e gjithëfarshme e favorizojnë me një ritëm të çemdnur progresimin e të keqes, që vjen nga jashtë e  nga brenda kësaj shoqërie.   Karl Gustav Jung, psikoanalisti i madh pasardhës i Frojdit thoshte se tek njeriu ka dy vetvete, kundërtuese ndaj njëra tjetrës dhe që njëra e çon njeriun drejt vetëdijes qytetare, drejt lirisë dhe progresit, tjetra drejt agresivitetit. Në rastet kur e dyta bëhet agresive dhe sunduese njeriu bëhet skllav i instinkteve të tij dhe pjesë e keqbërjes.Në Shqipëri duket se bota e krimit është nën këtë presion të “vetvetes agresive”, përderisa po mban peng qetësinë dhe rendin, megjithë luftën duhet thënë titanike të strukturave të policisë dhe të antikrimit.Krimi ordiner, për motive të dobëta apo për motive hakmarrje vazhdon të punojë “me dorë të lirë”, duke mbajtur peng qetësinë dhe rendin qytetar në këtë vend. Grabitësit, ushtruesit e dhunës nëpër banka, kazino, autobusë, shtëpi, por edhe në rrugë, shpeshherë të pamaskuar dhe me armë në dorë, shumica djem të rinj, vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal kudo dhe kurdo. Tashmë duket sikur ata e kanë mposhtur frikën e policisë dhe ankthin e arrestimit, pasi veprojnë në mes të ditës me diell dhe në zonat më të populluara të qyteteve. Polica, edhe pse ka ndërmarrë një sërë masash, nuk mundet kurrsesi të parandalojë atë që rëndom quhet “krimi i rrugës”, i cili është konsideruar si ndër më brutalët dhe më të dhunshmit. Këta të rinj, duke kërkuar rrugën më të shkurtër për t’u pasuruar, kthehen në elementët më të rrezikshëm të botës kriminale, pasi mosha e tyre e re bën që me një armë në dorë ata të shndërrohen në “makina të vërteta vrasëse”.Kryesisht adoleshentët dhe të rinjtë, por dhe të moshave të tjera të ndryshme,  janë kthyer në makthin e vërtetë të policëve, pasi ata janë gjithnjë në përpjekje të vazhdueshme për të marrë stafetën e drejtimit nga personat më të rritur dhe, në këtë mënyrë, ata, gjithnjë e më shumë kryejnë grabitje, por ka raste që aktiviteti i tyre kalon përtej grabitjes së thjeshtë. Nuk janë të pakta rastet kur këta të rinj kryejnë dhe plagosje të bashkëmoshatarëve të tyre. Tashmë edhe në Shqipëri janë krijuar të ashtuquajturat “bandat e lagjeve”, anëtarë të të cilëve kryesisht janë të rinj të moshave 20-30  vjeç. Këto grupe zgjedhin territore të përshtatshme për të kryer aktivitetin e tyre kriminal, si shkolla, qendra tregtare ose zona ku ka përqendrim të madh biznesesh. Gjahu i preferuar i grabitësve adoleshentë janë kryesisht tregtarët, shitësit ambulantë, nxënësit e shkollave etj. Këta të rinj, që në shumicën e rasteve qëndrojnë në grup prej 3-4 vetash dhe ku secili ka nga një thikë (flutur) në xhep, vendosen pranë shkollave dhe sulmojnë nxënësit duke u grabitur atyre kryesisht telefonat celularë, por edhe paratë që mund të kenë në xhep. Një numër i madh rastesh të tilla denoncohen çdo ditë në komisariatet e vendit, por të pakta janë arrestimet, pasi këta të rinj, në shumicën e rasteve, pasi i kanë grabitur nxënësit, vazhdojnë t’i kërcënojnë ata që të mos tregojnë.Përveç grabitjes me dhunë, ka raste kur nga këto grupe ushtrohet dhunë për shkak hakmarrje. Por nuk përjashtohen dhe aktet e dhunës nën efektin e alkolit dhe drogës, që po bëhen fenomene alarmante për këtë shtresë sociale të shoqërisë.

Krimi për motive hakmarrje, ku përzihen hakmarrjet primitive e për motive të dobëta me hakmarrjet sociale epolitike, po kthehen përsëri në rend të ditës, duke vazhduar të inicojnë ngjarje të rënda, të cilat shpesh nuk arrijnë as të parandalohen e as të zbulohen kur ndodhin. Krimi dhe hakmarrja nuk lë jashtë “territorit të veprimit kriminal” as gratë e fëmijët, bile as të sëmurët rëndë, invaldidët dhe të pamundurit. Flitet shumë për shtresat e pambrojtura të shoqërisë në Shqipëri, bëhen projekte, harxhohen fonde disamilionëshe, bëjnë paradë programe, platforma e qasje politike e mediatike, por thelbi kambetur i njëjtë, i trishtë deri në mizori: jeta e të pamundurve, të invalidëve, të sëmurëve, të të pambrojturve nga ana sociale po bëhet gjithnjë e më e pamundur në këtë vend. Ulsi Tonuzi me origjinë nga Maqellara e Dibrës, banunes në Tiranë, ka rreth njëzet vjet që jeton me veshkën që ia dhuroj nëna, duke bërë çdo ditë dializë, nën stresin e mbijetesës dhe halle të tjera që i kanë rënë mbi shpinë. Në vitin e mbrapshtë 1997 plagoset rëndë nga gjaksi politik, nga pasardhësit e atyre që në kohën e komunizmit, duke qenë pjesë e aferave të pushtetit dikatorial, i patën ekzekutuar gjyshin pa gjyq. Para disa kohësh, kur ndodhi ngjarja e rëndë në repartin e dializës së Spitalit Amerikan, ku mbetën të shkrumbuar nga djegia katër persona, Ulsi ndodhej aty, duke u mjekuar dhe është gjendur nën presionin e atyre që e përndjekin për t’u hakmarrë, të cilët kanë përfituar nga rrethanat për t’i bërë keq, por ia ka dalë të mbijetojë vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, ndërkohë që keqbërësit kanë ikur në drejtim të paditur.

Dihet tashmë se një nga kodet më të keqpërdorura të traditës zakonore shqiptare është kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të “së drejtës”, e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, – dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, – sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion ” larje hesapesh”.

Hakmarrja për motive të dobëta, për zënie e grindje të çastit, për motove pronëise apo dhe politike po kthehet në një motiv të trishtë në rrugët e vendit të shqiponjave. Nga ana tjetër janë grabitësit e rrugës, keqbërësit ordinerë që  veprojnë zakonisht në rrugët me shumë lëvizje ku dhe mundësitë për të “peshkuar” diçka janë më të mëdha. Këta grabitës piketojnë viktimën e tyre dhe gjejnë momentin më të përshtatshëm për ta sulmuar atë. Varëset e qafës, por edhe çantat e dorës janë gjahu i tyre. Pasi e ndjekin një farë kohe viktimën, ata e sulmojnë atë në pak sekonda dhe më pas zhduken në rrugët dhe rrugicat e qytetit për t’u drejtuar më pas në një nga pikat ku mund të shesë atë çka i ka grabitur nga qafa personit.

Grabitjet, krimet për motive të dobëta dhe hakmarrja tashmë shënojnë numri në të madh të krimeve të regjistruara në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë të rinj i hyjnë kësaj rruge më ëndrrën e vetme për t’u pasuruar sa më shpejt, por kthehen në kriminelë që më vonë mund të jenë shumë më të rrezikshëm për shoqërinë. Frika për këta keqbërës nuk ekziston më, pasi nëse deri disa vite më parë raportoheshin vjedhje, grabitje e përdhunime, të ndodhura në mes të natës, tashmë krimet kryen në mes të ditës dhe në zonat më të frekuentuara të qyteteve, duke sfiduar në këtë mënyrë policinë, e cila, pavarësisht aksioneve të shumta, dështon në arrestimin e tyre.Shoqëria shqiptare, megjithë forcimin e mekanizmave mbrojtës ndaj kësaj të keqeje, krahas me thellimin e luftës së strukturave të antikrimit kundër këtyre devijimeve sociale të skajshme, po përjeton një atak të rëndë shoqëror, të cilit duhet t’i kundërvihet me forcë për ta parandaluar, zbuluar e goditur me ligj, që të ndërpriten fijet e botës së krimit të çfarëdolloj e prej ngado e nga kushdo që vjen.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dukagjin Hata, e keqja, hakmarrje, krimi

NË 18-VJETORIN E MASAKRËS KUNDËR FAMILJES DELIU NË ABRI TË EPËRME

September 26, 2016 by dgreca

Nga Fetnete Ramosaj/

 Më 26 shtator 1998, në fshatin Abri të Epërme, njëmbëdhjetë kilometra në perëndim të Drenasit (ish-Gllogovcit), forcat ushtarako-policore serbe i ekzekutuan nga afërsia, duke i masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, shumica prej tyre fëmijë, gra e pleq edhe të palëvizshëm. Një ditë më parë, më 25 shtator 1998, anëtarët e familjes Deliu ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin strehuar në malin e afërt për të shpëtuar nga sulmet serbe. Të nesërmen, në vendstrehimin e tyre depërtuan njësitet e këmbësorisë serbe, të cilat kryen masakrën e tmerrshme, duke i vrarë e masakruar civilët shqiptarë, pa dallim moshe e gjinie, që nga foshnja në bark të nënës e deri te pleqtë 94-vjeçarë. Aty u ekzekutuan: Luljeta Deliu (1971), në muajin e nëntë të shtatzënisë, barkun e kishte të prerë plotësisht; Valmir Adem Deliu (1996), me plagë të shumta, i përgjakur i tëri, me biberon në qafë; Pajazit Deliu (1929), u gjet me fyt të prerë dhe me tru të nxjerra jashtë; Fazli Deliu (1904), i djegur e i bërë shkrumb; Ali Deliu (1930), i prerë në fyt me thikë, të cilën ia kishin ngulur në kraharor; Havë Deliu-Elshani (1936), Adem Deliu (1965), Zeqir Deliu (1954), Jeton Deliu (1988), Halime Deliu (1938), Lumnije Deliu (1969), Menduhije Deliu (1993), Mihane Deliu (1943), Donjeta Deliu (1991), Zahide Deliu (1971), Habib Deliu (1944), Hysen Deliu (1946), Sherif Deliu (1931), Hajriz Deliu (1964), Gentijana Deliu (1990). Dy vajzat e mitura të familjes Deliu, Antigona Deliu (1984) dhe Mihane Deliu (1982), u gjetën të masakruara pak më larg vendit të ekzekutimit, më 4 tetor 1998. Ato, sipas dëshmitarëve, para së të vriteshin e të masakroheshin i kishin përdhunuar. Po ashtu, foshnja 6-javëshe që i mbijetoi masakrës, Diturie Imer Deliu, e cila u gjet e gjallë, e tëra e mbuluar në gjak, në gjirin e nënës së masakruar Lumnijes, vdiq më 19 nëntor 1998.

Urdhëresa konfidenciale e Komandës 125 të Brigadave të Motorizuara të ushtrisë së Serbisë, nr. 4370-1, e datës 21.9.1998, e nënshkruar nga komandanti Dragan Zhivanoviq, dhe regjistri i shifrimeve që forcat serbe i kanë përdorur në ofensivën e filluar që nga 22 shtatori i vitit 1998 kundër fshatrave të Drenicës, nxjerr në pah përgjegjësit për masakrat e tmerrshme që janë kryer në këtë periudhë të luftës në këtë anë, pra edhe përgjegjësit e masakrës së tmerrshme të kryer kundër Familjes Deliu në Abri të Epërme. Zhivanoviq, nëpërmjet urdhëresës së lartpërmendur i njofton Brigadat 1, 3 dhe 4 të Komandës së Brigadave të Motorizuara të UJ-së, lidhur me shifrimet konfidenciale që do t’i përdorin formacionet përkatëse ushtarake dhe policore të Serbisë, në operacionin e shifruar “ÇIÇAVICA”, i cili filloi më 22 shtator 1998, kundër fshatrave të rajonit të Drenicës. Regjistri i shifrimeve dëshmon pjesëmarrjen në këto krime të ushtrisë jugosllave-serbe, përkatësisht të formacioneve ushtarake të Korpusit të Prishtinës, formacioneve të Brigadës 15, formacioneve të Brigadës 243 të Motorizuara; formacioneve të Brigadës 125 të Motorizuar, Brigadës 549, si dhe të formacioneve policore dhe njësiteve të specializuara të PJP-së dhe të SAJ-it të Serbisë.

Po ashtu, trembëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, Sllobodan Stojanoviq, oficer i policisë, pjesëtar i Çetës së IV-të të Detashmentit 37 të Njësive të Policisë Speciale të Serbisë (PJP – Posebne Jedinice Policije), ka dëshmuar për krimet monstruoze të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë dhe robërve gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht të anëtarëve çetës që i përkiste edhe vet, e cila komandohej nga Nenad Stojkoviq, dhe kryesisht përbëhej nga policë serbë nga Leskovci, pjesëmarrës në krimet e luftës në Kosovë që nga marsi i vitit 1998 e deri në përfundim të luftës, por edhe në Bosnjë. Sipas tij, kjo çetë e PJP-së kishte marrë pjesë edhe në “spastrimin e terrenit” në Abri të Epërme. Stojanoviq, edhe vet pjesëmarrës në këto operacione ndëshkimore ka dëshmuar se “ata vrisnin fëmijë, gra, burra, pleq, barinj, dele…, vrisnin çdo gjë që lëvizte”. Duke folur për “spastrimin e terrenit”, Stojanoviq, thotë se së pari bombardoheshin fshatrat nga largësia, e pastaj depërtonin njësitet e policisë, të ushtrisë e paramilitarëve serbë, siç merreshin vesh ndërmjet vete komandantët e njësive. Duke folur  për  plaçkitjet, shkatërrimet e pronave dhe të bagëtisë, si dhe vrasjet mizore të civilëve, ndër të tjera ka deklaruar se në  Gllogoc, para nesh kalonte ushtria, e cila që në mëngjes gjuante në fshatrat kodrinore me raketa, ndërsa vrisnin gjithçka që lëvizte. “…Tek më vonë pashë tmerrin, trupa të masakruar, shtëpi të djegura nga shpërthimet. Nuk mund të besoja se kjo mund të ndodhte. Ndodhte pa asnjë veprim luftarak, pa asnjë justifikim për çdo përdorim të forcës…” (Shih gjerësisht dëshminë e oficerit Stojanoviq në http://www.e-novine.com/srbija/srbija-tema/93649-Ubijali-decu-ene-starce-obane-ovce.html)

 Ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga kjo masakër e tmerrshme, deri më tani askush nuk është përgjigjur para drejtësisë për masakrën në Abri të Epërme. Kjo masakër nuk u përfshi fare as në aktakuzat e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, të ngritura kundër udhëheqësve të lartë shtetërorë, ushtarakë e policorë të Serbisë. Përkundrazi, kryesit e kësaj masakre të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë dhe robërve të luftës, si dhe të tjerave si kjo, gjenden në pozitat më të larta shtetërore të Serbisë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Familjes Deliu, Fetnete Ramosaj, masakra kunder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 537
  • 538
  • 539
  • 540
  • 541
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT